Wednesday, August 31, 2016

Viktor Gjikolaj - Tetë Poezi

ME ZËRIN TËND

Në djalëri më thoshte një zog,
Me zërin tënd seç më thosh:
-Pa ty lumenjtë, qytetet , vetë kjo botë
Nuk janë gjë tjetër, veçse një bosh...
Një shkreptimë e bardhë na ra në mes
Dhe na dogj...
Pa mua bota, nuk ish më “një bosh”...
Në djalëri më thoshte një zog
Me zërin tënd...

KRISHTERIMI I FJALEVE

Prapë sot
Me plumbin e zi të shkronjave,
Në korsivin e një gazete,
E qëlluan mikun tim,
Shpëtim R.
Atëbotë kulla ime që humbi gjashtë varre
U sulmua sërish
Nga plumbi I shkronjave
Më shumë se nga plumbi I gëzhojave
Dyfish…
N’Burrel ,Tepelenë, Dragash a Dibër të Madhe
Tragjikisht larg, edhe ne varre
Ku_ ku!
Bash s’di se ku
Nga humbëtira brof një eshtër:
Qëndro njeri I Zotit ,
Qëndro!
Vrastarët janë të egër
Edhe në grahmën e fundit godasin
Egër…
Prapë sot me plumbin e shkronjave
Qëlluan kullën time.
Ani.
Lisit të gjakut nuk ju thanë krejt krahët
Nga dimri I frikshëm.
Nuk ju shuan nga flakët
E zjarrit kobëtarë
Engjujt nuk kanë varr!
Tempull, që nuk shenjtëron
Vetëm fitimtarët,
Është liria
E ti ,o miku im
Prapë sot,nesër e gjer në amshim
N’kronikat homazh që hapin televalët
Krishtëron fjalët…

HALL ME RRUE E GJYQ ME DEK

Nuk dihet se kur pat thanë i mirditasi:
-Asht hall me rrnue,
E gjygj i madh, asht vdekja.
Por , Sheksipiri dihet kur e tha:
Të rrosh, a të mos rrosh,
Kjo asht çeshtja!
Mirditasi dhe inglizi,
Si i çasën këto fjalë,
Si të ishin prej një fisi,
A kushrinj të parë?!..

DRITË FERRI...

-Bashkëvuajtesit tim A.H.-
Ditënata i fiku fenerët,
Dhe ja:
Na rrasën në odën e errët,
Ku gishtat në sy ia kallim njani-tjetrit
Mos!
Mos thuaj, këtu s’ka dritë!
Është drita e ferrit...

EPISOD NË 20-VJETORIN E RËNIES
SË MURIT TË BERLINIT

Në buzë i digjet një flakëz e kuqe
Një tufëz zambakësh zbardhon kur qesh
Më ngjan se përpara kam një ruse
Si ato që Pushkini gjuante shpesh…
Vazhëz e njomë me sy të kaltër
Që flokët i kullojnë dritë hëne
Sy për sy me rusen e largët
E sertë, e prerë si një gjermane…
Atëbotë u them me ton hokatarë:
Ju ngjani si Lindja ballë Perendimit
Po unë, e mira t’ju marrë,
Mes jush,a s’jam si Mur’ i Berlinit?
Vështrimet mos i ktheni në heshta,
As fjalët në granata,
Mos nisni drejt meje sulmet e befta
Si në kohët e acarta!
Ato qeshin me njëra tjetrën
E më përgjigjen pernjëherësh:
-Ti mur ke qenë,por dy sy të shembën,
Shumë përpara njëzet vjetësh…

FLAMURTARI

Kur binte ai qe të mbante në ballë
Nga plumbi,nga heshta a shpata
Gjaku i tij flakëronte ndër palë
Dhe krahet na i kthente në flatra...
Mbi malet epike ,mbi kreshtat me valë
Nga thellsitë e shkekujve gjëmon nje fjalë:
Nuk ka flamur, pa flamurtarë!

TE SUKA E GJOLLËVE

U laga në lashtën e mëngjesit
Më kish marrë malli të dal te Suka e Gjollëve
Të shoh si zbardhon Shkalla e Mullit
Qerpikëvesuar, pabesisht prej lotëve.
Të ndiej si tringëllojnë këmborë e zile
Shtegut që të çon nga Gurra Gjibardhë
Të shoh si bredhin kecat kodrave jeshile,
Ç’mall për fëmijërinë më paska marrë!
Atëbotë më pëlqen të bëhem bari
Ta ndjell gjënë e gjallë si im ungj
E të shkulet tufa me shpejti
Nga kullota e ambël buzë Gurit Burgj.
E ashtu tek vërrasin e zbresin me potere
Në mes të më fusin, të më sillen rrotull
Veç s’do të më rrëzojë më dhia brikacelle
Si dyzet vjet më parë, kur isha i vogël.
E nënë-shkreta prej stanit në Arë të Rubës
Drejt meje rendi turraqit
Në pjesën e prapme më ra me bisht të furkës:
Shejtan! Ruaju nga dhitë!
E ndjera nënë prehet në një varr
Nën pisha të blerta. Shpirti iu bëftë dritë!
Tek këto gjollë kam marrë dikur një varrë
Por... Zylo, s’më thirrën ndonjë ditë!
U laga me lashtën e mëngjesit
Në këtë prill të vonë, i thinjur pak
Rasa s’e solli të bëhesha bari,
As koha të më thërrasë: plak.

I KAM THËNË, TË BARDHËS NËNË

I kam thënë, të bardhës nënë,
-Ti kot e shton një rrudhë tek balli,
E di, meraku të ka zënë 
-Ç’ ju brisht martesa këtij djali!?...
-Po unë, çapkën, s’kam qënë kurrë
Edhe sikur...tani nuk më shkon
Nder shtigje të zëna, luftoj të jem burrë
S’e duroj shtirjen, më kupton ?
S’ duroj që kështjell’ e krenarisë
Para një vajze të thyhet si qelq
Qenka i shtrejt çmimi i dashurisë
Nga të gjitha çmimet, qenka veç
Po ç’është kjo përvuajtje që t’sfilit,
E shtrejta ime, ti nuk ke faj ,
Se dita që më linde nuk kishte dritë
Dhe se kaq shumë , do zgjaste terri saj ? ! …
Më rrite me mund, në një stinë bore
Ende mbi supe, bora nuk është dej--1
Jo se më mungoi dashuria prindërore,
Por se ,çdo ditë, më shpalli një betejë
Përrreth mendonin do të gjorë,
Që veç një grimë ,të jet i lirë
E një bërçik t’i lësh në dorë
Edhe macet , i varte yt bir…
Kur dhuna, dhunshëm m’hodhi lakun
E pas më tërhoqën censorët servilë,
E pashë misterin, honin, batakun
Çafkë u bëra, jo bilbil
I kam thënë , të bardhës nënë
-Ti kot lëndohesh, kot
Më një vajzë dashuri kam shtënë
Më don dhe e dua gjër në lot
Dhe nuk ia permenda, se është e bukur
S’i fola për flokët, si me argjend lyer,
Bashkë me të, do vijmë tek ti, të lumtur
… dhe do t’harrojmë për t’u kthyer.

Tasim Aliaj - Dy Poezi

Tasim Aliaj ka mbaruar teknikumin ekonomik në Tiranë dhe është diplomuar në fakultetin e ekonomisë, ka punuar si gazetar e redaktor në revistën "Hosteni", në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, në revistën "Spektër" e në RTV. Në RTV të Iranit, deri në hapjen e seksionit të gjuhës shqipe.

Veprat

Romane

  • Kur dola në jetë, roman 1972-1977
  • Takim me djajtë, roman 1976
  • Skandal në senat, roman 1998

Drama

  • Udhët e hekurta, dramë 1976
  • Thumba në ndergjegje, drame 1976
  • Cjapi me zile, Toka e premtuar, komedi 1978
  • Miro Tërbaçi, dramë 1980
  • Shokët e Besës, dramë 1981

Tregime e novela

  • Muret e pamposhtura, novelë 1967
  • Stuhi në sirtar, tregime 1968
  • Gladiatori i mundur, tregime 1969
  • Kthehu në shtator, tregime 1970
  • Njeriu që nuk qesh, tregime1972
  • Statujat zënë vendet, tregime 1975
  • Pasionet patriotike, tregime 1976
  • Tregime të zgjedhura, 1980
  • Dy Kamberë në një derë, tregime 1980
  • Barka e shpëtimit, tregime 1988
  • Gjeneral Oturaku, 2006


HERKULI NË ASISTENCË

Më fal Herkul, s’të kam harruar, 
Ashtu siç u harrova unë, 
Po ja, kjo botë e bekuar 
Të la dhe ty rrugësh, pa punë. 

Kështu e ka kjo jet’jarane, 
Kur nuk të do, ta luan fenë, 
Ja, Penelopa shet banana, 
Ajaksi po shplan dyshemenë! 

Homeri fle përjetësisht. 
E vunë në gjumë me soniferë 
Dhe botë e mjerë çmendurisht 
Ecën galop për në skëterrë. 

Akili shkoi në megrim. 
Nuk i honepsi mercenarët, 
Enea endet si jetim, 
Se s’han dot kashte me gomarët. 

A e kujton Romën e mundur ? 
Po të vish prap do gjesh belanë, 
Sa dhe polici më i humbur 
Të tendos brenda, në hapsanë! 

Se s’ka më punë për Herkulët 
Se për Herkulët s’ka Atdhe! 
Hektori vajti me të shumtët, 
Uliksi humbi në Mesdhe. 

Babilonia? S’di ku ka koken. 
U mbush me tanke e avionë 
Dhe tymi ka mbuluar tokën, 
Ky “tym” i bukur i kohes tonë. 

Kështu pra, ngryse si ta ngrysësh, 
Po vetëm punë mos kërko 
Se edhe botën të përmbysësh 
Askush s’të flet, asnjë s’të do! 

Pa hë, Herkul, ti zgjidh e merr 
Në këtë botë batërdi, 
Ku ngjasin gjëra që as në ferr 
S’do shihnje gjith’aq lemeri… 

Për ty, Herkul, nuk ka më punë 
Dhe pse dikur e tunde dhenë, 
Ndaj kthehu prapa, pa përdhunë, 
Shko në Olimp, shko në legjendë. 

Shko në Olimp, shko në legjendë. 
Sot nuk të duan në asnjë vënd, 
Se bot e mbushur me legenë 
S’ka më nevojë për krahun tënd. 

Pra ec e lerna në batak, 
Që të shijojmë këtë orgji, 
Sot vlen me shumë një halabak 
Se një Hero, se një Gjeni ! 



Marshi i te burgosurit 

Nga burgjet vijme, ne burgje shkojme, 
Ne burgje prape do te vemi... 
Po Shqiperine s'e harrojme, 
Se dhe keshtu ne borxh i kemi... 

Por bej kujdes, vella, kujdes, 
Kur brohoret: "Rrofte Shqiperia"! 
Se ku ta dish? Vella mos qesh, 
Te ndjek nga prapa policia... 

Ti do habitesh, ti s'do besosh... 
Do protestosh: C'don policia? 
Kur demokrati... me barkun bosh 
Feston, kendon... Rrofte Shqiperia? 

Po le te rroje, te lulezoje, 
Do thoshja une, do thoshje ti, 
Por fjalet shpesh te ngaterrojne, 
Kur rregjistrohen ne polici... 

Ndaj burgjet presin dhe ne do vemi, 
Se burgjet bosh nuk mund te rrine, 
E, me sa duket atje ka vendin, 
Kush e desh teper Shqiperine... 

Keshtu vella, mos kuturis, 
Ta duash shume vendin tend, 
Se ne pastaj, eh, ku ta dish, 
Mbi toke per ty s'do te kete vend... 

Ndaj te jesh gati, si per kushtrim, 
Te shkosh ne burg dhe ne mesnate, 
Se politika vellai im, 
Ta kthen dolline ne...Mandate! 

Monday, August 29, 2016

Prend Buzhala - Të shkruhet për historinë e mendimit tonë politik



(Kundrime III), 57
1.
Dijet moderne i kanë thyer kornizat a shabllonet antike e të traditës për filozofinë a për dijet tjera... pikërisht pse rrymat e sotme shpërfaqen në shumë fusha: strukturalizmi buroi nga linguistika dhe depërtoi në filozofi, letërsi e në dijet tjera humaniste; filozofia e absurdit e Kamysë hyri në arte, kurse ekzistencializmi sartrian depërtoi në letërsi e në shkencat shoqërore... Rolin e filozofit antik a kantian, e merr INTELEKTUALI (një nocion që shfaqet në shk XIX, me Emil Zolanë, në aferën Drajfus). Intelektuali nuk ka pas vetes as polici, as gjyqe e as forcën e shtetit, por atë të intelektit, njësoj si në antikë që e kishte Sokrati. Sartri e përkufizon bukur e thjesht se ç'është intelektuali: është ai që e ANGAZHON intelektin e tij në zgjidhjen e problemeve shoqërore e njerëzore...
2.
Nuk është e thënë që tipi i INTELEKTUALIT SOKRATIAN APO SARTRIAN na ka munguar dje apo se na mungon sot... që nga BOGDANI, apo rilindësit e deri te koha jonë...
Bie fjala, në epokën e Humanizmit, ka qenë Leonik Tomeu (arbëror) dhe një lagje e tërë dijetarësh e, edhe filozofësh arbërorë, që kanë ligjëruar nëpër universitetet evropiane dhe kanë lënë trashëgim traktate, libra, shkrime... Por e keqja që ekziston edhe sot, mendoj unë, është kjo: kemi dëshirë të shkruajmë për volterët apo për dekartët e jo për mendimin filozofik ndër ne, për HISTORINË e këtij mendimi. Flasim e shkruajmë dhe studime, bie fjala, për MENDIMIN POLITIK të Makiavelit e deri te mendimtarët modernë politikë, e jo, bie fjala për HISTORINË E MENDIMIT TONË POLITIK që nga kohët ilire e deri më sot... Ciceronët e saj i kishte epoka ilire-arbërore, ashtu sikundër dhe volterët e vet i kishte epoka jonë e humanizmit kastriotian, dhe ashtu sikundër i kanë dhe kohët që pasuan...
3.
Tashmë dekadave të fundit na shfaqet dhe një prototip autori që i thur apologji “dijetarëve” të lindjes që e lexojnë vetëm një libër, librin fetar! Ndonjë tjetër, duke shkruar për këtë histori mendimi, e deformon mizorisht të vërtetën historike (merreni me mend, është ligjërues dhe hartues i programit politik të një partie te ne “për bashkim kombëtar”), thotë se Ballaban Pasha përfaqëson “vijën integraliste” (dmth historikisht përparimtare politike, kurse Skënderbeu “vijën separatiste”, dmth atë “të dëmshme”!!! Këtë soj akademikësh turkoshakë, na i dhuroi Tirana zyrtare pas shembjes së diktaturës!
4.
Dikush mund të mëdyshet: a paskemi ne figura e mendim politik ndër shekuj!? Por faktet dhe shembujt janë të shumtë që e dëshmojnë këtë gjë... Është obligim i katedrave të shkencave politike apo atyre humaniste që ta bëjnë këtë gjë...
Ato traditat e pastra filozofike vazhdojnë me shkollat e tyre moderne, ashtu sikundër vazhdojnë dhe rrymimet tjera në arte, në kulturë etj. Kemi jo pak të ashtuquajtur intelektualë, sociologë etj që qëndrojnë në bisht të këtyre rrymave sa herë shfaqet një rrymë e tillë, që zhduket brenda pak kohësh në tymin e kohës...
Për fat, ka pasur dje dhe ka edhe sot intelektualë idealistë dhe realistë, vizionarë dhe të përkushtuar me intelektin e tyre në zgjidhjen e problemeve shoqërore (shpesh ky intelektual e ka luajtur rolin e IDEOLOGUT, apo të RILINDASIT, apo të ILUMINISTIT...varet se çka kërkon koha e çka kërkon nga koha...).

Sinan Kërpaçi - Sikur Sikur

SIKUR, SIKUR Përballë në vështrim e kam një faqekuqe: më duket sikur te mollzat i janë ulur dy lule. Sikur dora ime ta prek atë faqe do shpërthejë, mendoj unë, një shatërvan prej flake. Kjo do të ndodhë në rrugën “Bardhyl” ku s`ka vetëm blirë dhe pafundësisht bar-kafe. Ka dhe njerëz që ecin në këmbë udhës sime dhe shikojnë pa u ngopur si bien poshtë petale dhe vështrime. Thithin aroma me tinguj kënge si herët në mëngjes dhe tani në mbrëmje. Në rrugën “Bardhyl” – rrugën time kundërmojnë blirë, petale dhe vështrime.

VAsil Tabaku - Vizioni i Ri Modern i Poezisë

POEZIA BASHKËKOHORE SHQIPTARE DHE PROBLEMET QË DALIN

Poezia Bashkëkohore Shqiptare, pas viteve 1990, fitoj një vision te ri, me një evoluim tepër cilësor e çliruar nga dogmat e letërsisë së angazhuar të Realizmit Socialist,duke shkatërruar cencurën zyrtare si dhe duke fituar kështu përmasat e mëdha të një lirie krijuese mjaft domethënëse dhe cilësore artistike.Në të gjitha përpjekjet e autorëve debutues, pati një hop cilësor, një shpërfaqje mjaft të gjerë të vlerave, figuracionit, shprehjes dhe mbi të gjitha të një lirie krijuese me përmasa të jashtëzakonshme. Por pikërisht këtu lindën edhe problemet e para të keqpërdorimit të lirisë krijuese . Natyrisht pati një shpërthim emrash krijues dhe një begati poetike e gjerë.Në të gjithë këtë hapsirë krijuese, pati mjaft abuzime, të cilat sot janë shëndruar në mani krijuesish me botime librash të rëndomtë, pa vlera artistike dhe mediokër.Pavarsisht kësaj, në horizontin poetik pati emra të spikatur krijuesish serioz dhe të talentuar, të cilët më mjaft art dhe profesionalizëm sollën në vlerat e poezisë bashkëkohore, kontribute të çmuar dhe me peshë artistike, duke krijuar kështu fizionominë e re moderne të Poezisë Bashkëkohore Shqiptare.Kuptohet poetë të këtij niveli në Shqipëri numrohen me gishtat e duarëve, pra janë të pakët, por tepër cilësorë dhe të suksesëshëm. Një pjesë e tyre ishin të ardhur nga ish Letërsia e Realizmit Socialist,që arritën të ngrihen mbi dogmat partiake dhe deklarativizmin për të bërë një poezi moderne dhe me vlera artistike, ndërsa pjesë më e madhe e këtyre kontribuesëve të suksesëshëm ishin debutues.Nga fronti letrar I Realizmit Socialist, spikatin emrat e poeteve Skënder Rusi, Luljeta Lleshanaku,Xhelal Tosku, Ilirian Zhupa,apo Ali Podrimja,Shefqet Dibrani, Tyran Prizëren Spahiu apo Baki Ymeri në Kosovë.Autorë të tillë arritën të ngrihen mbi vetveten dhe të sjellin një poezi mjaft modern, të çiltër dhe cilësore.Poezia e këtyre poetëve shënoi një nivel të ri cilësor si dhe kontribuoi në rritjen e nivelit krijues kombëtar me risi dhe prurje mjaft të arrira, jashtë skemave dhe kufizimeve.Brezi tjetër i poetëve të pasviteve 1990 është më i pakët në numër por më i spikatur në cilësi, tëpër të çlirtë e të shpenguar, të drejtpërdrejtë dhe mjaft cilësorë.Autorë të tillë si Agim Bajrami,Lumturi Bersava, Pranvera Gjoni apo në Kosovë Gëzim Ageraj, shënuan një arritje të re në Poezinë Bashkëkohore Shqiptare, me prurje mjaft cilësore dhe vlera artistike të mirëfillta. Poezia e këtyre poetëve, është në zhvillim e sipër me rritje të ndjeshmë, sa orgjinale aq dhe e realizuar artistikisht.

VËRSHIMI I PAZAKONT I USHTRISË SË PSEUDOPOETËVE MEDIOKËR

Nuk mund të mos flasësh dhe nuk ka si të heshtësh përpara një fenomieni të tillë unikal në Shqipëri, ku qindra pseudokrijues, të vetquajtur poetë prezantohen me librat e tyre poetik që vetëm poezi nuk kanë nëpër mjedise publike, lokale apo edhe në mjedise si Ministria e Kulturës.Të armatosur me një vargëzim patetik, këta pseudopoetë botohen papushim nga shtëpi botuese kioska që mbijetojnë me sajesa të tilla botimesh.Nuk ka asnjë kriter, asnjë qëndrim professional, libra të pakorrektuar gramatikisht, me redaktime të përçudnuara apo edhe pa redaktor, pa recenzentë, paraqiten nëpër përurime librash si “kryevepra” poetike. Ligjërues cinikë që nuk i lidh asgjë me letërsinë ligjërojnë gjithë patetizëm, plotë emfazë, thua se autori në fjalë eshtë një fenomen poetik, kur në fakt, po të lexosh librin vetëm poezi nuk është.Por mbi të gjitha mendoj se përgjegjësia kryesore bie mbi këto shtëpi botuese, që e “lëshojnë”dorën për hirë të fitimit, pa krijuar filtërat e domosdoshëm professional të kalimit të një libri për të fituar të drejtën e publikimit.Gjithashtu, një përgjegjësi jo pak më të vogël kanë edhe një sërë firmash krijuese me përvojë që vënë emrat e tyre poshtë parathënieve panagjerike apo dhe redaktimit sipërfaqësor të librit, vetëm për të marrë ca lekë nga pseudopoeti.Nuk është aspak e moralshme që emra të spikatur të botës së letrave shqipe vihen në parathënie apo si redaktor të librave dështakë të autorëve grafomanë e mediokër vetëm e vetëm se kanë nëvojë për disa lekë.Ky nuk është justifikim. Nuk mund të bëhen kompromise të tilla me cilësinë e botimeve shqiptare, pasi krijohet kështu një lloj konglamerati letrar aspak serioz dhe dinjitoz.Përgjithësisht poezitë e këtyre pseudopoetëve, janë sajesa vargëzimesh pa art dhe vlera poetike ose edhe plagjiatura të papërgjegjëshme njerëzish cinikë pse jo dhe dështakë, që duan të provojnë të fitojnë emër dhe të bëhen publikë me sajesa të tilla që nuk kanë asnjë lidhje me poezinë e vërtetë.Ndaj këtij fenomeni të shëmtuar duhet të ketë REAGIM SERIOZ TË INSTANCAVE PËRGJEGJËSE, TË Ministrisë së Kulturës, shoqatave të shkrimtarëve dhe të personaliteteve të letërsisë dhe Kulturës sonë Kombëtare.Kjo gjë, e shëmton së tepërmi tablonë shumëngjyrëse të Poezisë sonë Bashkëkohore Shqiptare, duke krijuar deformime, përçudnime poetike dhe krijojnë shije vulgare pa asnjë interes për lexuesin e vërtetë elitar, serioz dhe me dinjitet.

Kujtim Stojku - Risku i Gomarit




Satirë

Po ç’keni me mua ju që hiqeni si burra të mençur?
Që merreni me mua pa u bërë gjë në këtë botë,
Edhe të tjerë para jush shkruanin me të hedhur,
Se në mes kafshësh isha unë ai,më burrëror.

Me thënë të drejtën unë jam i vetëdijshëm për prejardhjen time,
Qysh kur peshqit notonin nëpër dete dhe lumenj,
Unë rendja nëpër pyje duke lëshuar të pallurën time,
S’më shkonte kurrë ndërmend se me mua do të merreshin,
Ata lloj soj meshkujsh që do të mbaheshin si burra të mëdhenj.

Kam pëlqyer të fle nën pemët që lidhnin të shijshmet kokrra,
Por që të haja nga frutat e tyre asnjëherë se kam bërë,
Për mua shkruhen e thuhen me mijra dokrra,
Ju betohem se më ka shijuar vetëm një gjëmb.
 
Disa janë marrë shumë me prejardhjen e origjinës time,
Kur hëna bëhej gjak më thoshin se kisha lindur unë,
Por ama edhe sot kam një gjuhë e s’pushoj duke pallur,
E veshët pas kokës më rrinë të hallakatur gjithë curr.

Nëse jeni më të mençur se unë keni parë se të pallurën ma kanë vjedhur,
Kur pa plas agu duke kënduar parodinë e djallit çirren,
Unë i përkulem vullnetit të lashtë prandaj rri i gërmuqur,
Më thonë se jam i trashë,e më godasin me kamxhik pa mëshirë,
Më quajnë kopil e pas meje që të gjithë fshihen.

Edhe pse me qeshin e të gjithë më tallin,
Unë kam më të madhin bekim,
Kur më shohin nën bark e nën bisht,
Thonë,  patshim riskun e gomarit si më i miri urim……


Poeti Vlonjat Çlirim Hoxha - Cikël Poetik

Do mbetem pjesë e pavdekësisë.

O botë e madhe e pa fund,
ti që na mban në gjirin tënd,
gabim të madh kam bërë unë,
një vajzë e bukur më ka marr mend.
Nuk di si ndodhi, as vet se di,
të gjunjëzohem prej poezisë,
në rrugët e jetës çdo njeri,
bie në duar të dashurisë.
Më lër të lutem, të qetë më lër,
si meteor i gjithësisë,
nëpër natë e nëpër terr,
do mbetem pjesë e pavdekësisë.
Do thonë për mua ndonjë herë,
ishte i marr pas dashurisë,
e donte jetën, e donte shumë,
nëpër vargjet e poezisë.
Kur fryn era mbi qytet,
dhe deti dallgë ngre me shkumë,
atje jam unë me të vërtetë,
dhe poezia derdhet lumë.
Atje më lini të frymëzohem,
roman të ri të nis të shkruaj,
ma lini zemrën të dashurohet,
për një vajzë sa shumë po vuaj.
Do iki tutje tej horizontit,
do të kërkoi pavdekësinë,
dhe në u kthefsha ndonjë ditë,
do kem me vete dashurinë.
Rrufe nga mali do të zbres,
porsi Zeusi pellazgjisë,
vullkan dhe flakë do të lëshojë,
mbi tërë armiqtë e dashurisë.

NE KUPE TE QIELLIT

Në kupën e qiellit lartë mbi qytet,
Të shoh unë ty midis yjesh.
Në kupën e qiellit ku nata thërret,
Ti shkon me ëndrra mes pyjesh.
Atje jam unë, atje po të pres,
Ku zemra vuan dashurinë,
Në detin e errët, në qiejt e zezë
Kërkojmë të dy lumturinë…

V R A P O...
Mos i shpenzo energjitë e tua e dashur
Tek të tjerë yje në Univers,
Drejtoi ato tek mua,
Se unë për ty po vdes.

Kam nevojë shumë,
për tënden energji
Jeta nuk do t’vlente fare,
do t’ish si pus i zi

Prandaj mos mu kurse,
Ti eja dhe vrapo
Ta ndezim dashurinë
Rrufe të jetë ajo.

Në botë ka edhe njerëz
që s’dinë ç’është dashuria
Të tjerë akoma më keq
nuk din se ç’është rinia

Por moshë nuk njeh ajo
e shtrenjta dashuri
Të vjen dhe të fanepset
ti mbetesh veç i ri.

Të vjen të përkëdhel
me zëmër të lëndon
Dhe kënga ndër buzët e nxehura
nga shpirti të buron

Në katër stinët e vitit
Prezente është ajo
Është ëndërr shumë e bukur
Vrapo, vrapo, vrapo...

Kaçurrelja dashuri...

Do të vi një ditë e dashur do të vi,
Kur rrugëve do zvarrisim këmbët gjithë pluhur,
Dhe bota indiferente s’do dojë t’ia dijë,
Se dikur kemi dashuruar dhe ne me zemër.
Mbi motet e plogësht mbi ethet e dheut,
Mbi majat e maleve ku shkrepin rrufet,
Atje do të jem, në daç më besoni,
Se dashuria atje më thërret.
Por vitet do treten si plagët e shpirtit,
Ohu, sa shumë ëndrra kam për të treguar,
Veç dashurisë dhe vajzave të bukura,
Kjo botë pa to do ishte e shuar.
Gërvishtëm dhe ne mbi zemrat e njoma,
Plagosëm pulëbardha përtypëm qershi,
Nga fundi i dheut u ngrit si dallgë deti,
E ëmbla, e pastra, kaçurrelja dashuri.
Dhe vjeshta e artë kur të trokasë,
Mbi gjokset e botës në kaltërsi,
Mbi vithet e tua, mbi buzën e zjarrtë,
Do tretem i tëri si një qiri...

Në plazhet e Vlorës...

Sa shumë brodha plazheve të Vlorës,
Të gjeja ty me trupin prej missi,
Më kot u lodha mbi rërën e thatë,
Të gjitha vajzat mu dukën të një fisi.
Kuptohet, shqiptarkat me hiret e tyre,
Çudisin gjithë botën, princesha mbi kala,
Dhe unë robi me grusht i bie kokës,
Ku shkoi vallë ajo që pa mend më la.
Sa vapë bënë sonte, sa xhiro ka në bulevard,
Hej miq më besoni jetojmë në Vlorë,
Historia dhe Flamuri këtu kanë folenë,
Me dhjetëra djem e vajza si princër me kurorë.
Ti humbe vogëlushe mes vorbullës bulevardit,
Më kot hodha sytë mbi vajzat e tjera,
Të bukura, të paqme, të sjellshme te Zoti,
Si ty nuk pash dot veç flladit që solli era.
Bulevardi i Vlorës sfilatë e bukur misesh,
Çdo mbrëmje zhurmon minifunde taka të larta,
Këtu ke ç’të shohësh dhe syri të shplodhet,
Vetëm këtu ndizen dashuritë e arta.
Më thoni ju lutem ju vajzat e Vlorës,
Në plazhet e nxehta ku thuren dashuritë,
Ku qielli dhe deti puthen horizontit,
Në shpirtrat tuaja ka vetëm dritë.

Ju rrëfej këngën e ciganes së vogël Elina...
“Eja të t’fsheh në pyllin më të dendur
Ciganja ime, e bukura Elina
E nën pemën e bajames,
Për të parën herë të shoh hijeshinë
E lëkurës tënde të thekur
Se je e imja, e imja, e imja...
O shpirt i çmendur, më i çmendur se era
Bëmë një me shpirtin tënd bredharak.
Se s’ësht’ e thënë të ndihem kështu nga herë,
Për një grim lumturie jeta është kaq pak.
Eja ciganka ime, o yll i sapo rënë
Buzëqershiza ime, bel-thyer, trup-arta.
Gushës tënde do lë shenjë hënën e ngrenë
E gjoksit tënd perfekt puthjet më të gjat-a.”

MATURANTËT E QYTETIT TIM

Erdhi fundi i shkollës maturant,
Ethet e provimeve kanë filluar,
Për ju s’ka më lojna, s’ka gallatë,
Mbi libra natën vonë rini zgjuar.
Kujtimet valë, valë tek ju do mbeten,
Në ekskursione udhëve pa mbarim,
E në dërrasën e zezë ju do shkruani,
Për ditët e bukura që s’kanë më kthim.
Oh, sa shumë degë kam për të zgjedhur,
Nuk e di cila i përshtatet tipit tim,
Në u bëfsha doktoreshë, financiere a politikane,
Them se në jetë kam arritur një qëllim.
Shoqëria ime larg nga ju do jem,
Ku era e fatit mbi Vlorën tonë të fry,
Por në mendje e zemër përherë do ’u kem,
Malli do më marrë dhe lot do kem në sy.
Nuk dua trishtim, trishtim sjell vetëm ndarja,
Për ju maturantët e qytetit tim,
Ju filiza të bukur të këtij Atdheu,
Shqipërisë përuluni në përjetim...




Friday, August 26, 2016

Baki Ymeri - Cikël Poetik

VARGJE DASHURIE
Gjatë verës shkruaj
Vetëm vargje dashurie
Me shkronja të arta
Të cilat i botoj
Mbi papirusin e trupit tënd.
Gjatë verës kur vlon
Qumështi i grurit,
Unë shkruaj
Vetëm vargje dashurie
Dhe muzgu nuk ka muzg.
O Zot, gjatë verës vetëtima ka
Flatra prej engjëlli -
Me vetëtimë i shkruaj
Këto vjersha.
Flatra e engjëllit i vjedh
Dhe i dërgon në shtypshkronjë.

ARS POETICA
E tejkaloj vetëveten duke ecur.
Duke marrë frymë dëgjoj
Një tringëllimë yjesh
Që më rrah në tëmtha
Dhe zgjohem duke murmuruar:
Jemi vëllezër
Që nga kohët antike:
Përherë të mashtruar,
Të plaçkitur e të plagosur.
Nënat tona ditë për ditë
Përpilojnë një fjalor trako-tragjik
Me barëra mjekuese
Derisa unë
Flas me vetëveten
Për demokracinë e erërave,
Për prita armike
Dhe kështjella të fundosura.

NË PAZAR
Në mëngjez, pas rënies
Së diktaturës,
Si do miza përdhese
Njerëzit shkojnë në pazar.
Erdhi edhe engjëlli atje
Përmes valës së qetë lëvizëse.
Eja e na nxjerr prej këtu!
Bërtisnin pas tij
Homeri, Balzaku, Kadareja...
Të trembur nga buzëqeshja e Stalinit.
Nëpër libra, gërmadha sandalesh,
Çizmesh, teshash të përdorura,
Porcelanesh, hallkash dhe
Njëmijë sendesh të tjera
Depërtova përkundër tollovisë.
Atëherë engjëlli
Ma bëri me shenjë
Me flatrën e tij:
Merre një libër!
Dhe më pëshpëriti:
Vëre nën jastëk
Dhe ëndërroje!

MENDIME
Çdo gjë duket e magjepsur
Në këtë turn:
Dhoma të magjepsura, 
Fjalë magjepsëse,
Vasha të magjepsura
Të cilat
Ende nuk i njoh…
Ma merr mendja se ato janë
Porsi lulet e magjepsura
Që i ka kafshuar dashuria
Apo shija e padurimit
Për t'u përkëdhelur.
Çdo gjë duket e magjepsur
Në këtë turn:
Madje edhe fontana e oborrit
Pëshpërit
Në vargje të dashurisë,
Ndërsa unë,
Që nuk e di ja aq mirë
Se prej nga
Mund të fillojë disfata,
Kisha lakmi të mbetem.

TRONDITJET E FJALËS
Ja shtëpia ku banojnë kujtimet
Nën syrin e diellit
Pranë meje 
Porsi vetëtimë kalon Fjala
I hap dritaret e mahnitjes
Dhe lahet me dritë
Në perandorinë e heshtjes
Duke vallëzuar nëpër fjalë
Dritaret hapin gojën kah rruga
Trupi i erës dhe hijet e pemëve
Shtëpia ime e braktisur
Lotët e ikonës, këngët e zemrës
Shpirti yt i harlisur
Mbi altarin e përjetimit
Gërshetohet me artin e pritjes
Dhe zjarrin e jetës
Hëna e dehur me dritë
Josh fjalët që presin në radhë
Hijeshia e femrës shqiptare
Me forma pefekte
I trazon edhe valët e detit.

FJALA E FUNDIT
Është magjike
Kjo dritë e tingullit
Para se të të përfshijë
Përjetë, shpirti i gjumit.
E kam dashur një grua dikurë
Porsi rrezen e agut.
E kruspulluar në shtrat -
Kur gjinjtë e saj
Ma prisnin frymëmarrjen -
Trupi im lulëzonte.
Trupin, fale dhe ti
Dhe bëhu vetëm shpirt
Që strehohet në syrin
E atij që më përkujton.
Fjala e fundit është magji
Që na hedh
Në dritën e përjetshme.

HIJA E VDEKJES
Nganjëherë edhe engjëjt
Kanë nevojë për mbrojtës
Bëru njëri nga ta
Për shpëtimin e fjalës!
Nuk jemi të vetmuar
Dhe ende s’jemi mësuar
Që të mos vdesim
Por më kërkohet
Pa të drejtë apeli
Që hija e vdekjes
Mos të më përplasë
Rrugës për në pakthim.
Drita e përzjerë me heshtjen
Zbriste duke u fshehur
Në tavanin e shtëpisë sime
Të mbushur me thasë librash
Fletoresh dorëshkrimesh
Albumesh
Dhe herë pas here
Miqtë që ma donin të mirën
Vinin të llafosim shqip
Për Shqipërinë
Duke i bërë të plleshme
Me bërthama fjalësh
Lëndinat e saj.
Përtej bjeshkëve të Sharrit
Tufa e zogjve flatronte
Mbi tufishten e
Fjalëve të harlisura
Zërat depërtonin nëpër varreza
Së bashku me netët
Që e ndërprisnin
Flatrimin e pëllumbave
Përmbi lëndinat e ëndrrës.
Nga hullinjtë bari i varrezave
Bie pre e dyshimit të lotëve
Vetëm hija e kujtimeve na mbron
Nga pesha e shiut
Të arritur në ballë të stinës.
Në brigjet e Shkumës
Mblidhen fjalët
E dremitura në trojet e pritjes
Natëmirimet e dritës
Dhe netët e bardha të një ore
Ku vdekja troket në xhamin
E një pasqyrë e pasigurtë.

PËR ENGJËLLIN
Prej nga vjen ky engjëll
Që më troket në portë?
Dy flatra të mëdha
I mban në shpinë
Dhe më pyet
Nësë s'jam edhe unë engjëll!
I tregoj, i dëshpruar,
Se unë nuk kam flatra
Kurse ai, thuajse aq priti:
Mos ki frikë më thot
Duke m'i vënë mbi supe
Dy flatrat e tij
Dhe duke më ftuar
Të shkojmë sëbashku
Nga drita në dritë.

PLAGA
Zbrite nga një tren
Bukuri
Me duart bosh
U nise drejt shtëpisë
Ku jetonim
Dhe trokite në dritare
Aq fuqishëm
Saqë e theve xhamin
E atyre përkëdheljeve të ashpra
Që ma mihën në ballë
Një plagë
Për të më njohur.
Pastaj zbritën
Nga treni i Facebokut
Dashamirët e mi
Për të më dërguar lekë për operim
Aq shumë saqë Western unioni
Ma blokoi të drejtën
Për të marrë lekë.
Përse vallë?
Sepse ishin trembur nga emrat
Me konotacione fetare:
Hasan, Ramadan, Aliosman...
Edhe sa duhet të presim vallë
Që në dokumentet zyrtare
Hasanin ta bëjmë Can,
Ramadanin Dan
Dhe Aliosmanin Man
Që bota të na njohë si shqiptarë
E jo si barbarët e Azisë
Që i deformuan
Onomastikën Shqiptarisë.

Visar Zhiti - Ftesa e Një Antologjie



D
ëshira për t’u marrë me poezi është e hershme, aq sa ç’është i hershëm dhe njeriu, madje dhe ikja e tij në kërkim të vendeve të tjera, mbase në fund të fundit është kërkimi i poezisë së vetvetes, i thelbit, zbulim i së bukurës. Nëse përsëritet shpesh thënia e Dostojevkit se e bukura do ta shpëtojë botën, mua më pëlqen të shtoj se poezia është ajo që na shpëton ne nga kotësia dhe zvetënimi i gjërave dhe na jep emocionin e duhur, aftësinë për t’u mrekulluar.
Këto po sillja nëpër mend, kur më thanë se revista Albanezul (Shqiptari) në Bukuresht,  ka marrë nismën të botojnë disa antologji të poezisë shqipe në trojet tona etnike dhe në mërgim, dhe jo vetëm aq, po çdo autor mund të marrë me vete në antologji dhe një tjetër autor nga vendi ku ka bujtur. Ide interesante kjo, po thosha dhe kur më kërkuan që parathënien të mund ta shkruaja unë, m’u përzien befas në kokë fjalët Antologji, Grua, Shqiptar, Ballkan, Itali, Xhejm Xhojsi në Trieste, që mblidhte fjalë shqip, Diasporë, Eminesku, Naim Frashëri që botonte në Bukuresht, Ecje, Bashkë, shoqatat e shkrimtarëve shqiptarë në Greqi, SHBA, etj., libri në makinë, pas xhamit dhe gati thashë me zë se Njeriu, kur udhëton, e ka më të lehtë të këndojë.
Shqiptarët janë në një udhëtim të madh. Të paduruar tani që Evropa të vijë sa më parë tek ata, një pjesë kanë ikur ta gjejnë ata sa më parë Evropën. Nuk është fjala thjesht për kontinentin e vjetër, se trualli i shqiptarëve në Evropë është i patjetërsueshëm aty, por nënkuptohet dhe metafora e Evropës së qytetërimit dhe mirëqenies, e vlerave dhe e virtyteve, e thënë hapur, e Poezisë. Që kapton dhe në kontinentet e tjera, në Amerikë, po dhe në Azi e Afrikë, edhe në Australi, kudo ku kanë mbërritur shqiptarët. Dhe, siç thamë, udhëtimin e tyre edhe ata e shoqërojnë me këngë.
Bij të gadishullit më poetik, me fqinjë grekërit, prej të cilëve kanë marrë shumë, ku besoj, se s’kanë dhënë më pak, me sllavët e Jugut, që ndajnë dhe me ta mite dhe legjenda të përbashkëta, me rumunët, që i lidh një bashkëpunim brilant rilindë, shqiptarët, tashmë në dy shtete, në Shqipërinë e lashtë dhe në Kosovë, në Republikën më të re në botë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, me një diasporë më të madhe se veten, duke pasur përballë dhe Italinë, porta e Evropës për ta, duan të jenë dhe janë copëz e kulturës së përbashkët të njerëzimit, ku më e rëndësishme se multikulturalizmi është bërë interkultura, të përfshirë dhe ata në këtë lëvizje, ku duan të shpalosin veten, duan të marrin botë, por edhe të japin. Dëshmi është qoftë dhe një antologji e tyrja.
Vërtet, ç’është një antologji, çdo të thotë?  Si fjalë, dihet, rrjedh nga greqishtja, ànthos - lule dhe légein – mbledh ose zgjedh. Që latinët përdornin dhe kompozitën florilegium – tufë lulesh, sinonim i së cilës është  dhe fjala miscellus, që ka dhe kuptimin e ushqimeve të përziera. Poezia kështu që herët po barazohej me ushqimin. Ndërkaq më pëlqen të shtoj se latinët, sipas ndonjë botimi etimologjik, ashtu siç i thoshin sabaia birrës ilirike, i thoshin dhe përmbledhjes së poezive. Edhe paraardhësit  tanë, pra, Ilirët, me gjuhën dhe zejet e tyre, kanë ndikuar tek të  tjerët, janë përzier dhe kanë bashkëpunuar me popuj. Po, po, edhe në fushën e poezisë si në atë të luftës. 
Një antologji tekefundit u rrekërka qysh në gjenezëqë të bashkojë sa më shumë, nëse është e mundur: tufën e luleve dhe të emrave, aromën - edhe të fjalëve, tryezën me ushqime të shijshme, por dhe me metafora, dehjen me pije dhe me ndjenja, si në një të kremte të përbashkët thërret të tjerë në heshtje, lexues edhe përtej kufijve, bën miq, etj., etj. Gjatë një bisede në Torino me poetin rumun Marin Soresku (që e botova dhe si parathënie të antologjisë së poezive të tij në gjuhën shqipe), ndër të tjera e pyeta se cila do të ishte porosia e tij për popujt e Ballkanit, të gërryer nga konfliktet dhe luftërat? - Të lexojnë poezi, - më ndërpreu ai.
Antologjitë e njëri-tjetrit e kryejnë më së miri këtë mision. Ato janë përmbledhjet poetike të popujve. Prandaj kriteret për të hartuar një antologji janë nga më të ndryshmet, nga më befasueset, kritere kohe dhe hapësire, kontinetale dhe epokash, etnish dhe gjuhësh, drejtimesh letare, etj., etj. Ka antologji dhe të kritereve tematike, vetëm me poezi dashurie ose me poezi për punën, për të rënët, krishtlindjet, me poezi për ujërat, për gurët, kuajt, vuajtjen, etj., etj. Ka të tjera  me poezi vetëm të grave, të shkollarëve, ashtu siç po botohen në vendin tim antologji me shkrime të të burgosurve, që besoj janë dukuri dhe e vendeve të tjera që kanë dalë nga diktaturat. Sepse poezia mbi të gjitha është liri, mrekulli e saj... Është si një trokitje e beftë në derë, ku pritet esklamacioni i thjeshtë dhe i gëzueshëm: - O, mirë se erdhe! - Kush je? - Një si ti! - Nga vjen? -  Nga vendi i poezisë...                         

                

Wednesday, August 24, 2016

Prend Buzhala - Nga Car Dushani te Erdogani

1. GJENOCIDI FETAR QË NGA CAR DUSHANI E DERI TE SHK XX
 
Dihet se që në kohën e Car Dushanit ((1331-1355), kur ai ua mësyu tokave të Arbërit; arbërorët, në krye me Muzakajt, me kontin Tanush Topia etj, kishin prirje të forta europerëndimore: e kërkun  dihmën edhe në atë kohë nga mbreti Robert Anzhu të Napolit. "Arbrit janë të shtypur keq nga zgjedha e padurueshme dhe tepër e rëndë e sunduesve të urryer sllavë..... Klerikët poshtërohen e persekutohen, fisnikët shpronësohen e burgosen", shkruhet në një relacion të vitit 1332 të kryepeshkopit frëng të Tivarit, Guljelmi i Adës. Në studimet historike thuhet: "represioni dhe persekutimet në lëmin fetar. Kapituj të tërë të kodit të Stefan Dushanit dhe urdhëresa të veçanta të carit serb parashikonin masa të rrepta, si sekuestrim të pasurisë, damkosje, dëbim e deri dënim me vdekje për të krishterët katolikë e ortodoksë, që nuk pranonin të konvertoheshin në ortodoksinë serbe e nuk ripagëzoheshin duke marrë emra sllavë. Krahas dokumenteve arkivore dëshmitarë të ndryshëm të kohës, si udhëtari anonim i vitit 1308, kryepeshkopi frëng i Tivarit, Guljelm i Adës (1332), kardinali italian Guido da Padova (1350), e nënvizojnë me theks të veçantë këtë aspekt të politikës së mbretërve serbë ndaj popullsive të pushtuara josllave, e cila ishte sanksionuar në të drejtën mesjetare serbe, kodin e Stefan Dushanit (1349). Masa të tilla goditnin në radhë të parë popullsitë shqiptare të besimit katolik e të atij ortodoks-bizantino të viseve veriore e verilindore, ku presioni i shtetit serb ishte më i fortë. Ato përcaktuan përhapjen e fenomenit të sllavizimit fetar-onomastik në shtresa të caktuara të popullsisë shqiptare. Kjo është arsyeja që midis shek. XIII-XIV, krahas shqiptarëve gjithsesi të shumtë, që mbanin emra, si Gjin, Dedë, Gjon, Progon, Llesh, gjenden në këto treva edhe shqiptarë të tjerë, të cilësuar nga vetë dokumentacioni si të tillë, që mbanin emra sllavë ose që i ishin përshtatur onomastikës sllave. Emra, si Pribisllav, Radomir, Vladislav apo mbiemrat Vogliç, Kuqeviç, Flokovci, Gjinovci etj., dëshmojnë se në këtë kohë (gjysma e parë e shek. XIV) një pjesë e popullsisë shqiptare të trevave veriore, nën presionin e dhunshëm të pushtuesve serbë, gjendej në një fazë kalimtare të një asimilimi kulturor e fetar. Në mjaft treva ky proces asimilimi u ndërpre në kushtet e reja që u krijuan me shkatërrimin e shtetit serb e mbërritjen e turqve osmanë (gjysma e dytë e shek. XIV). Pikërisht në këtë kohë vihet re aty një kthim i popullsisë në onomastikën karakteristike shqiptare, krahas dukurisë së re të marrjes së emrave osmanë. Megjithatë, në një pjesë të territoreve në fjalë, sidomos në zona të veçanta të Gentës (Zetës), procesi i sllavizimit vazhdoi edhe paskëtaj duke çuar gradualisht në asimilimin kulturor dhe etnik të bashkësive të tjera shqiptare."
Kodi ndëshkonte martesat e përziera, ritet latine europerëndimore, dhe çdo ldhje tjetër me botën europerëndimore! Por popullsia arbërore e kohës i organizoi kryengritje, luftëra dhe qëndresë e antikryqëzatëkundër Car Dushanit: "që nga Genta e Kosova deri poshtë në Epir lindën ose u ringjallën formacione politike të dyerve më të shquara shqiptare, Balshët, Gropajt, Topiajt, Matrëngët, Muzakët, Zenebishët, Bua-Shpatat etj. Zhvillimi i pavarur politik i trojeve shqiptare hynte tani në një fazë vendimtare, duke i orientuar ato gjithnjë e më shumë drejt krijimit të një shteti të përqendruar shqiptar."
Që atëherë u thellua edhe më shumë hendeku Lindje-Perëndim u thellua historikisht mbi tokat arbërore, të cilat ishin në goditje. Që atëherë Serbia nuk ka pushuar së vepruari kundër arbërorëve-shqiptarëve, Kishës Katolike arbërore shqiptare dhe kundër vlerave europerëndimore. Kur e pushtoi Kosovën, në shk XX, Serbia vazhdoi po me të njëjtat mjete dhune të vrasë priftërinj shqiptarë, të burgosë e dëbojë priftërinj katolikë shqiptarë e besimtarë shqiptarë. Në fakt, Sernbia, gjaë shk XX, shqiptarine  ka ndjekur si shqiptar e jo si katolik e vetëm si musliman. Faktet dihen...

(NJË INTERMEXO)

Por MIlazim Krasniqi ynë "intelektual musliman", dëshiron të thotë ndryshe: se "intelektualët katolikë" nuk reaguan ndaj përmendores së Car Dushanit në Shkup! Milazimi ynë i dashur, deri më tash, ka reaguar kundër Justinianit e Konstandinit të madh, që të dy perandorë ilirë të Perandorisë Romake, e që janë dhe figura të shquara me rëndësi botërore; ai thoshte se ata perandorë i takojnë trashëgimisë sllave,  anise një fillorist e di që në kohën e Perndorisë romake nuk kishte sllavë! Reagoi dhe kundër sa e sa figurave të shquara arbërore e shqiptare, me njëmijë emra fyes!
Asgjë kurrkujt!
Asgjë kurrkujt, pse frymëzimet e tij orientale po çojnë kah një identitet i shpërbërë shqiptar!
A kanë reaguar, për këta 1680 vjet e sa, Kisha Katolike dhe “intelektualët katolikë”, kundër Car Dushanit?!
Dokumentet historike thonë - po, kanë reaguar sistematikisht! Vetëm se jo edhe Perandoria otomane, të cilën po e trashëgon Erdogani, vëlla me Milazimin!

2. GJENOCIDI FETAR I PERANDORISË OTOMANE

Perandoria otomane, kur pushtoi Evropën Juglindore, madje, ia besoi pasuesve të Car Dushanit mbikëqyrjen mbi krejt të krishterët e Ballkanit, prandaj edhe mbikëqyrjen me të njëjtat kode kundër nesh! Veçse më vonë ato kode i trashëguan e i morën për vete sulltanët otomanë, duke i sh dërruar në kode të sheriatit, kundër"kaurrëve katolikë", duke i shfarosur atapër500 vjet rresht e duke bërë gjenocidet më të pashembullta kundër tyre!
Perandoria otomane, për pesë shekuj, arriti të na shkëpusë nga djepi ynë evropian, me ideologjinë shtetërore të saj, islamizmin sundues;  na sakatoi e shkatërroi zhvillimin tonë (kur erdhi në Ballkan, Perandoria otomane i gjeti arbërorët me Universitetin e Durrësit e me një arsim të zhvilluar); e shkatërroi këtë zhvillim në fushën e arsimit, ekonomisë, në fushën kulturore e fetare; në fushën urbane e qytetëruese;  arriti të fusë besimin tjetër, kodin tjetër, tejet të prapambetur, juridik, - ka arritur të fusë një mënyrë tjetër të jetesës (shumëfish më të prapambetur); të fusë parime tjera morale, duke e shkatërruar aq sa ka mundur, mënyrën e jetës popullore arbërore-shqiptare. Perandoria otomane e ka rrezikuar në të gjitha nyjat identitetin tonë kombëtar, shpirtëror, dhe kulturor (identitet i ngritur mbi shtyllat e identitetit evropian - botën greko-romake e mbi krishterimin dhe mbi kulturën patriarkale popullore);  ka arritur të shpopullojë pjesë të tëra me banorë shqiptarë. Vërtet e shkaktoi ndërprerjen e asimilimit sllav (me kundërvënien e islamizmit ndaj sllavizmit), por otomanizmi këtë kundërvënie më vonë e ka shndërruar në asimilim të shqiptarëve në turq. Për pesë shekuj rresht ka arritur ta shkaktojë emigrim masiv shqiptar, nëpër Evropë (Evropa gjithmonë ishte vendtrehim yni, ashtu si është edhe sot). Ndryshoi pamjen e organizimit të jetës qytetare, me vendosjen e administratës osmane, me vendosjen e kazermave; me kthimin e këtyre qendrave në kazerma ushtarake e në qendra fetare aziatike të prapambetura. Në vend të princërve e kontëve shqiptarë, erdhën sanxhakbejë, kadilerë, allajbej, klerikë islamë, komandantë të garnizoneve dhe kalave, ; erdhën subashë, zëvendëskadilerë, , naibë... Në lëmin e kulurës u prishën thesaret më të çmuara, të së kaluarës kulturore, u shembën veprat më të mira arkitektonike, pallatet, monumentet, pjesa më e madhe e kishave dhe e katedraleve. Në jetën shoqërore otomanët futën pykën e diversitetit fetar, që krijoi kushte për përçarje e shpërbërje të kombit shqiptar (injorantët e sotëm duan të thonë se nuk paska pasur komb...). Besimtarët mbetën pa priftërinj, katolikët pakicë u dalluan për shpirt luftarak për pesë shekuj.
Bashkësia muslimane kishte mbrojtjen e shtetit dhe të kryetarit të fesë islame.Procesi i islamizimit të dhunshëm vijoi për pesë shekuj; sidomos nëpërmes taksës dhe masave diskriminuese ekonmiko-politike ndaj jomyslimanëve, të krishterëve - për t'i detyruar të pranonin fenë islame; duke e orientalizuar në pjesën më të madhe popullatën shqiptare; e duke i favorizuar si shtetas të Perandorisë muslimanët. Pra, disa nga faktorët e islamizimit, ishin ata të shtypjes ushtarake, shtypjes ekonomike-politike e fetaro-psikologjike.
Gjithnjë ka pasë cak sulmi prishjen e mijëra kishave e katedraleve, të shndërruara në gërmadha, (për shembull, Kisha shqiptare e Prizrenit tri herë është djegur nga shteti otoman vetëm në fillim); ka plaçkitur pasurinë e kishave, ka uzurpuar pronat e tyre, duke ua dhënë xhamive otomane; ka zhdukur dhjetëra seli ipeshkvore, e qindra famulli, (si flasin dëshmitë e Frang Bardhit). Voskopoja, qendër e zhvilluar urbane, kulturore e arsimore, kthehet në një fshat të vogël. Vetëm në shekujt e parë të sundimit, në Shkodër prishen mbi 300 kisha e uzurpohet prona e tyre, nuk lejohej ndërtimi i kishave të reja, me pretekstin se nuk kanë leje ndërtimi. Relatorët kishtarë shënojnë përdhunime masive të grave të krishtera, plaçkitje e djegie shtëpish; plaçkitje të pasurisë, grabitje të besimtarëve, grabitje të klerikëve të krishterë: dëshmohen pengime të cermenonive fetare (leja për zhvillim veprimtarie, nag ana e një prifti, duhej të sigurohej vetëm nga Sulltani). Janë burgosur besimtarë dhe klerikë (ata liroheshin, vetëm kur merrnin spahinjtë dhurata në shuma të mëdha).
Vrasjet e burgosjet nuk pushuan për pesë shekuj, ndaj besimtarëve, ipeshkvijve, priftërinjve; janë shënuar ngulja e misionarëve të krishterë në hunj (në Durrës e gjetiu), ekzektutimet e panumërta me vdekje (shënimet e M. Bicit); është orhgzuar nga shteti pagesa e haraçit hiqej vetëm kur jomuslimani bëhej musliman.
Nën Perandorinë otomane u zbatuan edhe këto masa:
- ndalimi i përdorimit të gjuhës shqipe, i shkrimit shqip, i arsimit shqip dhe i çdo gjëje shqiptare; Islamizimi përfshinte sferën ideologjike, politike, administrative, ushtarake, gjuhësore,; duhej zgjedhur: ose shpatën, ose islamin!
- -islamizimi ishte sistematik dhe nën kontrollin e drejtimin e shtetit;
-kolonizimi otoman ndikoi në shtrirjen e islamizimit; me fise të egra aziatike, me vendosjen e garnizoneve me jeniçerë;
-zbatimi tragjik i i sistemit devshir-meja: i marrjes së fëmijëve të krishterë të moshave 8-10 vjeç nga çdo familje, për të mbushur radhët ushtarake; për t'i përfshirë në korpusin e jeniçerëve dhe për t'i konvertuar në islam;
- rritja e fëmijëve të familjeve të të pasurve, (bujarëve, arsitokracisë shqiptare) pranë oborrit të sulltanit; gjithnjë duke i konvertuar në islam;
- pushteti financiar ishte i ndërtuar mbi bazën e sheriatit (vjelës të detyrimeve shtetërore);që të gjithë qeveritarë myslimanë e asnjë asnjëherë i krishterë;
- islamizimi i pushtetit politik shtrihej që nga rangu më i lartë sulltanor e deri te një roje fshati;
- pushteti politik, sipas parimeve të sheriatit, përjashtonte të krishterët nga të drejtat politike;
- të gjithë nëpunësit duhej të ishin myslimanë;
- Perandoria osmane ishte një shtet fetaro-ushtarak, që vendoste fenë mbi gjithçka;shteti ishte faktor politik për shtrirjen e fesë islame;
- ata që nuk pajtoheshin a kundërshtonin këto rregulla, shpalleshin arnmiq të shtetit;
- urdhrat mbështeteshin në sheriat e në Kuran;
- Feja u vendos mbi shtetin;
- banorët myslimanë thirreshin e mobilizoheshin nga shteti për t'i shtypur rezistencat dhe kryengritjet e jomuslimanëve...
Nga libri Libri "Kornikat e Tursun Beut" (kronikan i Sulltan Mehmetit II, pushtuesit të Kosntatinopojës, Ballkanit dhe Shqipërisë), majftobn te elxohet vetem ky fragment, shkruar nga ky kronikan:
"Në përputhje me traditën që eksiztonte që më parë...të gjithë djemtë e vashat e tyre (të  arbërve-pb) u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe i lidhën me zinxhirë. Në çdo vendqëndrim, në prani të Sundimtarit, u ekzukutuanm me një të rënë shpate aq shumë të pafe (të krishterë-pb), sa ishte e pamunudr të llogaeriteshin. Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar, pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë dhe të paguanin xhizjen e përcaktuar nga Sheriati, si dhe taksat e zakonshme..."

3. PËR NJË SHPIRT TË PËRBASHKËT KOHEZIV SHQIPTAR

A t'i besojmë James Rubinit, i cili tha: "do të isha i trishtuar nëse intervenimi amerikan për lirinë e Kosovës në fund të rrugës do të sjellë islamin politik."
Nëse kryqëzata sllave e Car Dushanit kundër arbërorëve të krishterë zëvendësoi atë të perandorisë romake të periudhës pagane; nëse gjenocidi kundër të krishterëve i Perandorisë otomane zëvendësoi atë serbe; atëherë është e tepërt që të përsëriten ato sot, qoftë edhe në pamjen e akuzave "të buta", në një edicion modern. Më kujtohet, që në fillim të viteve '90, krerë të Kishës Katolike dhe intelektualë shqiptarë reaguan kundër vendosjes së përmendores së Car Dushanit në Prizren.
Porse gjatë dekadës së fundit na u ringjallën apetite neo-otomane të Erdoganit kundër Kosovës, për ta përvetësuar Kosovën me trashëgiminë e saj, për ta otomanizuar plotësisht ekonominë e saj dhe për t'i futur kthetrat, madje, edhe në historinë tonë. Nuk do të thotë se nuk ka qenë e suksesshme në disa segmente, duke e dobësuar ndjeshëm palcën e vetëdijes sonë kombëtare, me synime për të krijuar një komb të ri musliman në Kosovë!!! Kosova është para një sfide të re përballë këtij agresioni.
Dhe nuk qëndron gjithçka te një reagim formal ndaj Car Dushanit apo Erdoganit, sa te ndërtimi i një shpirti të përbashkët koheziv shqiptar.
Model e kemi Rilindjen Kombëtare e gjithë shk XX e këndej.