Monday, October 31, 2016

Pëllumb Gorica - PEIZAZHE TË GDHENDURA NË SHKËMBINJ LASHTËSIE

Në të manjtë të rrjedhës së poshtme të lumit Devoll, aty ku peisazhi i valëzuar i kodrave fillon ngjitjen e tij shkallë- shkallë, sikur duan të mbërrijnë malet, shfaqet krahina e Sulovës. Ajo është një nga krahinat qëndrore e cila shtrihet në kufirin ndarës të Shqipërisë së Mesme dhe asaj Jugore, nën këmbët e shtatores Tomorr, malit të perëndive. Vetë emri i Sulovës, për ata që e kanë vizituar, zgjon pamje të mrekullueshme të peisazheve shkëmbore dhe të historisë së saj shekullore, e nuk mund t’i rezistojë kënaqësisë tunduese, e cila shtohet, kur vështron larminë e kontrasteve, florën dhe faunën e pasur. Kodrat dhe kreshtat shkëmbore me ashpërsinë e tyre, që shndritin në diell bardhësinë gëlqerore, nuancat e kafta të tokave e të gjelbrën e pyjeve, të krijojnë përshtypjen e një vargmali të vogël. Banorët historikisht i kanë quajtur këto lartësi shkëmbore: Goricat. Ato ngrihen në lindje, si një ballkon me bukuri të rallë natyrore dhe nuk i kalojnë të 800 m, por që sundojnë tej e tej gjithë luginën e lumit Devoll, me vështrim në konturet e maleve: Tomorrit, Shpiragut, Valamares, Bukanikut, Krrabës, krahinat e Dumresë, Vërçës, Shpatit, Myzeqesë, qytetet e Elbasanit, Cërrikut, dhe Belshit. Në botimin “Enciklopedia Elbasani’’, faqe 526, lexojmë: “Kodrat fillojnë nga ura e lumit Devoll: Kodra e Floqit 306 m, për të vazhduar në lindje me të Banjës 308 m. Kodra e Krorsit 394 m, Bregu i Gjatë 535 m në Qyrkanin e Sipërm, kodra e Kalasë 694 m, Qafa e Madhe 511 m, Gorica e Çalës 736 m. Goricë e Topojanit ose Gorica e Çobanit, 811 m si maja më e lartë. Kodrat shkëmbore kanë disa shkëputje me forma dhe përmasa, të cilat shoqërohen prej qafave dhe grykave, herë të ngushta, herë të gjëra. Sytë përplasen në masivet e larta shkëmbore, të cilat shmangen nga njëra -tjetra prej përrenjve, qafave, faqeve, brigjeve, në një përzierje tërheqëse valzimesh, diku të zhuritura nga dielli e të rrëpirta nga gërryerjet, e diku me një blerim të shkurreve tipike mesdhetare, të brazduara nga rrjedhjet e ujërave. Një ashpërsi shkëmbore që të thotë se nuk është e lehtë të shkelësh. Në gdhendjen e kësaj natyre ka luajtur rol me rëndësi ndërtimi gjeologjik. Shkëmbinjtë ende ruajnë gjurmët e epokave të largëta gjeologjike krijuar nga strukturat e rrudhosura të tokës, sedimentarë të moshës së oligocenit, të formuar rreth 40 milion vjet më parë. Studiuesi gjeolog nga Sulova, Selim Marishta jep këtë shpjegim për ndërtimin e tyre: “Kur deti rreth 26 milion vjet më parë në epokën miocenike u tërhoq nga Shqipëria dhe kur toka u shfaq mbi ujë, shkëmbinjtë që janë të moshës së oligocenit u gurtësuan’’. Gjatë një periudhe të gjatë kanë ndodhur edhe dukuri gjeologjike nga veprimi i lëvizjeve tektonike. Me syrin e një kureshtari dhe adhuruesi të natyrës i vështron me nge peizazhet gjeomorfologjike tipike flishore me stade të ndryshme degradimi në shpatet e pjerrëta në formën e greminave të thella. Ujërat, si rezultat i veprimtarisë gërryerse kanë vepruar në mijëravjeçarë mbi shkëmbinjtë, duke krijuar forma të ndryshme, aq sa në ndonjë rast, të krijohet përshtypja se janë vepër e njeriut. E veçanta e relievit e ka ndihmuar popullsinë të fshihet në kohërat e errëta të historisë, të ruaj bagëtinë, plaçkën në nevojë, armët, të plagosurit, kaçakët, luftëtarët kundër pushtuesëve. Peisazhi i sotme e kodrave shkëmbore të Sulovës të ngjall trishtim. Ai po pëson ndryshime të bioatmosferës në përgjithësi, e përshpejtuar nga shkatrrimi i pyjeve dhe veprimtaria e bizneseve të përpunimin e gurit. Çdo vit aty zhduken masa shkëmbore, të një njësie të moçme dhe kthehen në një shketëtirë vrasëse për natyrën.
Mes lartësive që të ofron relievi shkëmbor, pranë kalasë së Qafës, gjenden të ngulura në shkëmb disa shufra hekuri. Njerëzit edhe sot pyesin: Kush i ka vendosur ? Kur janë vendosur ? Përse janë vendosur ?... Hamendjet janë të çuditshme. Thuhet, mos vallë, kanë shërbyer për ankorimin e anijeve në kohërat kur ujërat mbulonin edhe këto lartësi ? ! Por, fakti që, materiali i hekurit është përdorur kohë më vonë e hedh poshtë këtë hipotëzë. Një tjetër mendim është se këto hekura të ngulura janë përdorur dikur pas ndërtimit të kalasë nga banorët e vendbanimit të poshtëm, për të ndihmuar luftëtarët e saj në tërheqjen e ushqimeve dhe armatimeve me anë të litarëve. Për një dukuri të tillë fjalën e fundit e kanë studiuesit e historisë dhe të arkeologjisë.
Në kodrat shkëmbore natyra ka formuar edhe shpella të vogla. Tek qasja në brendësi të shpellave ke një ndjesi të frikshme nga historitë e treguara. Aty nuk shquan shenja jete, se ndoshta koha mund t’i ketë zhdukur, por legjendat e thurura me mistikën e tyre tregojnë për gjurmë të lashta. Me interes është shpella që gjendet afër kalasë së Qafës, aty ku fillon lartësia shkëmbore. Kjo shpellë është e thellë dhe midis thepisjeve të shkëmbinjëve majtas-djathtas e shoqërojnë të tjera të thelluara, në të cilat mund të rrinë disa njerëz në këmbë. Në kohë të lashta ka qenë e banueshme, sepse brenda saj vihen re shenja të ndryshme jete. Ajo ka shërbyer si strehë për barinjtë në ditë shirash e të ftohti, si dhe nga kaçakët në periudhat e kaluara historike. Një histori gojore tregon se ajo ka lidhje me kalanë e Qafës. Më në lindje të Mollasit gjendet një shpellë tjetër. Hyrja e saj është e vogël, sa të duhet të përkulësh trupin për tu futur brenda, ndërsa më pas, ajo zgjerohet me përmasa të tilla, aq sa strehohen disa njerëz e kafshë. Historitë gojore tregojnë se në këtë shpellë strehoheshin kaçakë, që në kohën e sundimit turk e më vonë, të cilët kishin qëllime idealiste, kurse disa të tjerë kishin dalë për qëllime të ulëta. Meqenëse aty fshihej dikur, si kaçak, një pjestar i familjes Hoxholli, ajo mori emrin Shpella e Hoxhollit. Por banorët tregojnë se, kur një ushtar dezertoi nga shërbimi ushtarak dhe u fsheh në fundvitet ’70 të shekullit të kaluar, ajo u quajt shpella e Bushit. Në Goricë të Çalës gjendet po ashtu një shpellë si pus, me hyrje të gjerë e më pas vjen duke u ngushtuar. Banorët e kanë indentifikuar atë me emrin Shmitër e që mbart mbi vete një histori të dhimbëshme. Në Dragot të shfaqet një rrasë shkëmbore dhe në të një guvë e thellë, me labirinte mjaft të frikshme, ndaj rrëfenjat e shumta e bëjnë të mistershme hyrjen. Vendasit i thonë: Guri i Bletës. Dikur motit në thellësi të saj gumëzhinin bletë. A thua se aty ishte fole e madhe bletësh siç flitej, ndaj dhe këtij guri shkëmbor i mbeti emri. Për të janë thurur lloj-lloj tregimesh të cilat kanë marrë trajtën e një legjende. Ekziston një mendim, por duhet vërtetuar se është shumë e thellë e me dalje diku. Sipas historive gojore nëpër shkëmbinj janë gjetur edhe guacka të futura në sipërfaqe e në masën e gurëve.
Reshjet shekullore kanë formuar në kraharorin e kodrave rrëke përrenjësh të shumtë. Në pamjen e parë ata janë të thatë, por në ditë reshjesh të mëdha dalin nga shtrati e përbëjnë rrezik serioz për tokat, shtëpitë dhe banorët. Rjedha e ujrave priret drejt perëndimit, duke u derdhur në lumin e Devollit, nëpër grykat e ngushta dhe në disa vende me një rënie të menjëhershme, dredha-dredha e pragje të shumtë. Një nga përrenjtë më të njohur në Sulovë është Shica. Nga derdhja e shumë rrëkeve të vogla, herë të vrullshme e herë të qeta, ky përrua, mbledh shumë ujëra të tjera burimesh të jep përshtypjen e një lumi të rrëmbyeshëm dhe në kohë shirash fryhet e egërsohet, duke rrëmbyer gurë, dhera, shkurre që gjen përpara, në një luginë të ngushtë e krijuar nga lëvizje tektonike miliona vjet më parë. Vërshimet inatçore të ujrave në kohëra kanë gërryer shkëmbinjtë, duke krijuar monumente natyrore interesante. Gropa e Kaut është një çudi e natyrës, një vepër arti mahnitëse e latuar në daltën e kohës. Nuk e di të kem parë gjë më të bukur në Sulovë se kjo gropë uji, ndërsa zgjat kokën për të shikuar më gjatë në fundin e ujrave kristal të shtatit të lashtë, uji gurgullues nxiton e ikën me rrëmbim. Nga lartësitë shkëmbore gurgullon një ndër burimet më të mëdha të Sulovës, Çurku i cila ka qënë përherë bujar me njerëzit, tokat, kafshët. Sot rrjedh i ftohtë në shtëpitë e banorëve të Mollasit.
Peizazhin gjeografik e plotsojnë edhe qafat. Gjenden shumë qafa, por njëra shfaqet më tepër në sy me pozitën e saj strategjike. Quhet Qafa e Madhe dhe ndodhet mes dy ndarjeve relativisht të larta shkëmbore 694-723 m, në një largësi më pak se 500 m. Kjo qafë pasqyrohet qartë në hartat topografike, po e njohur më tepër prej kalasë antike, ndërtuar në shekullin IV të erës sonë. Deri para disa vitesh këtu shtrihej një vendbanim i lashtë, me të njëjtin emër, por sot është kthyer në gërmadhë, duke mbetur vetëm si një nocion gjeografik. Rruga,shkolla, ambulanca dhe mungesa e kushteve elementare për jetesë u bën shkaktare të largimit nga trojet e tyre shekullore drejt fushës dhe qyteteve. Qafa e Kazanit shtrihet në afërsi të vendbanimit Dragot. Është e ngushtë dhe ka formën e një kazani. Sipas studiuesit, Dhimitër Pilika në librin “Pellazgët-Origjina jonë e mohuar’’, faqe 142, “Kazani i përket një toponomastike të vjetër pellazgjike me kuptimin mbi emrin e dhisë’’. Qafa e Grekanit është e vogël, dikur e mbuluar me pyje të shumta. Kjo qafë për vet kushtet e hapësirat e përshtatshme me pyje, me shkëmbinj, përrenj përbënte një strehë ideale për kaçakët. Më i njohuri kaçak në Sulovë, Murat Bardhushi, i cili përplasej shpesh me bejlerët e Prrenjasit. Historitë gojore tregojnë se, këtu kalonte një rrugë e vjetër karvanesh, që vinte nga Elbasani për në Prrrenjas, qendër e krahinës e më tej në Berat në shekujt XVII - IX. Qafa e Radëshit ishte e pakalueshme prej një pylli të dendur por, që në rrjedhat e kohës u shpyllëzua. Këtu,sulovari, Daut Toska në moshën 17 vjeçare, kur asqerët turq e morën me forcë nga shtëpia për ta dërguar nizam në Jemen, me një shkathtësi të veçantë ia rrëmben armën njërit prej tyre dhe i vret të gjithë. Qafa e Kulës në kohërat e largëta ishte e banuar, gjë të cilën e dëshmojnë fragmentet e rrënojave të një vendbanimi të vjetër. Qafa e Nishanit gjendet në hyrje të Topojanit. Sipas historive gojore, emri i Qafës së Nishanit dëshmon për një traditë burrërore në Sulovë, kur pranë saj, një ditë në vit, mblidheshin djemtë dhe burrat e Linasit, Kamunaut, Mollasit, Topojanit dhe merrnin nishan përballë shenjave të ndryshme. Prej këtej rrjedh edhe emri i saj. Interesante është edhe emërtimi i një qafe në fshatin Selitë: Qafa Shalëturke. Të tjera qafa janë: Qafa e Kërçelës, Qafa e Dëllinjës, Qafalia në Dasar, Qafa e Mëhallësve etj. Me pak fjalë një mozaik i tërë qafash.
Historitë gojore thonë se Goricat kanë qenë të pyllëzuara dhe të përshtatshme për mbashtrimin e bagëtive, shpendëve, kafshëve të egra. Përshkrimet e udhëtarëve të huaj japin pasazhe të këtij terreni të mbuluar me pyje të dendur. “Gati një çereku i tokës ishte i punuar, por brenda disa pyjeve shihej se po hapnin toka të reja, të cilat ishin të shëndosha.” Edith Durham, Brenga e Ballkanasve”, faqe 239. Ndërsa Eqerem bej Vlora” Nga Vlora në Tomorr”, viti 1906 do të shkruante: “Sulova një pamje mahnitëse, një zone kodrinore e pafund me gropnaja të rrumbullakosura, me faqe të buta dhe lugina të bukura, pyje të pafund e të dendur sa të hante syri.”, “Toponimia e arritur deri në ditët tona tregon për drurë me përmasa të mëdha, por edhe për influencën e disa ligjeve të pashkruara, që respektonin pronën, pyjet, kullotat, territoret. Si u zhdukën këto pyje? Përgjigja dihet. Kërkesa e madhe për lëndë druri e popullsisë që shtohej, më e theksuar kjo dhe më i besueshëm ky shkatërrim ndodhi në vitet e sistemit socializmit, që e detyruan sulovarin ta trajtojë pyllin mall pa zot, duke ndjekur një politikë të gabuar. Kështu, sipërfaqe të tëra u shpyllëzuan nën parimin e hapjes së tokave të reja. Pylli pushtohej nga sëpata, e cila u bë zot i plotfuqishëm i kohës, u prenë lisa, arra, rrepe, plepa që u përdorën për ndërtimin e shtëpive, magazinave, stallave të bagëtive, hangarëve të duhanit, me to është furnizuar për disa vite me radhë Kombinati i drurit në Elbasan. Jo pak janë djegur për furrat e bukës, të gëlqeres, të kaminave për tulla e tjegulla. Nuk u kurseyen as filizat e rinj dhe njeriu nuk mund të mos habitet nga kjo çmenduri. Në pjesën më të madhe sot janë pyje tip shkurre mesdhetare me gjelbërim të përhershëm: ngasje, mrete, dëllinjë, gjineshtër etj dhe gjetherënëse: cëmërdel, drizë, ferra, murriz etj, shumë të degraduara, por, që dikur i jepnin Sulovës një bukuri, qetësi, florë e faunë të shëndeshme për kafshët dhe banorët.
Por, gjeografia e kodrave shkëmbore të Sulovës nuk do të ishte e plotë pa historinë e saj. Të dyja ato, të kujtojnë mardhëniet e duarve me njëra -tjetrën dhe me vetë trupin e njeriut. Ndaj, nuk thonë më kot se njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja fytyrën. Nuk ka se si të ndodhte ndryshe me një krahinë si Sulova, që shtrihet në një pozicion të lakmueshëm gjeografik dhe me një klimë të shëndetshme, historia do të ishte e mangut. Për këto arsye, ajo nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së bashkësisë njerëzore, veprimtaria e të cilave ka lënë gjurmë të hershme që nga epoka e hekurit me imazhe që luftojnë krimbin e brejtjes së saj. Por për të kuptuar e shpjeguar këtë e natyrshme të udhëtosh në të kaluarën historike të trevës, ku kontakti me të shfaqet në thesare vlerash materiale, ndërtime të lashta, kala, rrugë, varreza të vjetra, gjetje arkeologjike. Ka dëshmi që flasin edhe me anë të toponimeve dhe legjendave për egzistencën e një qytetërimi të lashtë. Në këtë territor kanë jetuar Dasaretët, një fis ilir shumë i nohur për prodhimin e drithërave dhe mbarështrimit të kafshëve. Mbrojtja ndaj dyndjeve barbare dhe sigurimi i mbjetesës ishin faktorë përcaktues për ngritjen e fortifikimeve në këto lartësi shkëmbore. E periudhës së hekurit është Kulla e Kamunaut. Nga studimet e bëra, del se është ndërtuar në vitet 1000-400 (para erës sonë) të mijë vjeçarit të dytë para erës sonë. Ajo ishte një kala -kullë vrojtimi, prej nga ku mund të kontrollohej shumë lehtë një degë jugore e rrugës “Egnatia” që vinte nga Ultësira Perëndimore. Nga shkëlqimi i dikurshëm, mbi tokë kanë mbetur gurët të shpërndarë, që rreken të lëshojnë rreze drite prej lashtësisë së largët. Ndërsa në shekullin e VI, ky territor trashëgoi fortesën me karakter ushtarak, kalanë antike të Qafës, ndërtuar buzë shpatit shkëmbor. Arkeologu Neritan Ceka shkruan se: Kalaja antike e Qafës hyn në radhën e kalave më të njohura të epokës së perandorit bizantin Justiniani (526-565). Për shkak të pozicionit dhe teknikës së ndërtimit ajo i rezistoi rrebesheve të kohës me shekujt e saj, por sot ka mbetur në mëshirë të fatit, e po shkon drejt rrënimit të plotë nga harresa e Institutit të Monumenteve. Heshtjen e trazojnë kohë pas kohe arkërkuesit, të cilët po shkatërrojnë paskrupull vlerat e rralla, historinë, gjurmët e ndërtimit. Gjatë periudhës antike kalonte një degëzim i rrugës Egnatia, fragmente të së cilës mund të shihen aty-këtu në shpatet shkëmbore. Ajo ishte një nga rrugët më të herëshme në territorin e Sulovës, që nuk duhet të ketë pasur ndonjë rëndësi të madhe dhe të jetë kaluar në mënyrë të qëndrueshme, por, që ka shërbyer si rrugë e lidhjeve të Ultësirës Perëndimore, Antipatreas (Beratit) me Scampinin (Elbasanin). Në këtë territor. përveç këtyre fortifikimeve, rrugëve, në unitet me to gjendeshin një numër vendbanimesh, të vendosura në lartësinë e kodrave të larta e rrëzë tyre. Shekujt, sundimet e ndryshme që kanë kaluar, kanë zhdukur mjaft gjurmë e dëshmi të rralla të lashtësisë së banimit dhe luftën e bërë për mbijetesë. Klosi i vjetër, Qafa, Gorica e Çalës, Ponepthi, Vilza, Topojani të veshur me mjegull legjendash dhe një jetë me ngjarje tragjike, e të tretura në terrin e shekujve dëshmojnë lashtësinë e këtyre territoreve shkëmbore. Natyra pa historinë, ndërtimet, njeriun që i krijoi ato, a do kishin vlerë dhe e kundërta e saj. Pra,një lidhje organike midis tyre.
Kodrat shkëmbore të Sulovës dhe vendbanimet e mbështetura rrëzë tyre, në çdo stinë, të veshura ngjyra-ngjyra, ngjasojnë si një tabllo e madhe pikture. Sa histori mbajnë në vetvete dhe sikur të kishit gojë do të tregonin pështjellimin e shekujve, që kanë ecur me hapin e tyre, nën ritualin e viteve, bashkë me to, të ngarkuara me morinë e brezave.

Friday, October 28, 2016

Ajet Shala - TË LUTËM, MOS MA VRIT ËNDRËN!


Të lutem, mos ma vrit ëndrrën time jetike
Mos ma vrit dashurinë e shpirtit kristalor!
Nese nuk arrita te ju dhë atë që s’e pata në vite
Ejani, ju lutem ju dhuroi jetën time si kurorë.

Bëjeni shirit të zi e lidhni lulet e freskëta
Bëje kordele të kuqe me gjakun tim si gurrë
Shpërndajuni një nga një dasmorëve në breza
Ta shijojnë si aromën e bukës që ndien të një furrë.

Bëjene zgalem lajmëtar gjithë botës t’i tregoj
Zemra është djegur si shkrumb në trupin e zgërbonjës
Asgjë në jetë nuk desha më shumë se ty, besomë.
Mos ma ngulfat ëndrrën me pëllëmbë të dorës.

Bëje abazhur ta ndriçojë ëndrrën e largët të rinisë
Vishe me mantelin tënd si një pëllumb të bardhë
Jepi fuqi të marrë krahët të ecë e të kthehet pësëri
Të përballojë stuhitë e kohën si ngricë, si acar.

Mos i veshni këmishë hekuri, po të lirë ta lini
Bëje djep për duart e lokës t’i këndojë foshnjës
Mos e mbushni me gjëmba, zemrën mos ia drobitni
Mos e gjuani me meteorë si në zjarret matanë kodrës.

Mos i vishni rroba të zeza ëndrrën si zezonë lufte
Jepni dritë, t’ia japin djepeve që rrinë te vatra
Bëje notë në pentagram për Loken tinguj gjuhe
Kur fëmija dëgjon këngën gjaku le të marrë flatra.

Mos e copëtoni me jatagan ëndrrën që klithmon
Mos e vrisni pafajësinë se gurët mallkojnë ditë e natë
Kam një abetare që i bën plisat të vallzojnë
Kthema që në zemër me shekuj si relike ta mbaj.

Ooo, mos ma vrisni ëndrrën, buzëqeshjen mos ma helmoni!
Prehërin bosh mos ma lini se bij shqipesh aty dua
Kthemani në këngë që zërin e atdheut aty ta dëgjoni
Dhe në vdeksha më pastaj do të jem më i lumturuar në botë.

Kështu eci jeta si gurë të rëndë që në udhë na vihen.
Si ferrat që duan të drizojnë dhe pragun e babës
O të dashur, hidheni tej në humnerë helmin e gjarpërinjve!
Mos u fshihni pas fjalës që të jep copën e baltës.


KUSH MA VRAU BUZËQESHJEN

Shtegut drejt pirgut të verbër u nisa
Në kërkim bajlozësh si një Kolomb i ri
Shoh pasqyra dhe hënën me enigma 
Vrapoj në ishullin e errët të pellgut të zi.

Ka vite që më sulmojnë piratët në errësirë
Më vrasin buzëqeshjen e mire, të fundit
Atje, diku mund ta kenë mbyllur kaq mirë
E kanë ngrirë në shpellën shkëmbore larg katundit.

Pse vallë kështu, ç`ju duhet buzëqeshja ime?
Në cilin oborr mbretëror, vallë e dërgojnë
A ështe kërkesë e një Penelope që pret agime
Apo shtrigat për Halloeun për festë e kërkojnë.

Më ndihmoni miq, ku ta gjej një ditë?
Me duhet si petaleve vesa kristalore e mëngjesit
Si bletët që presin udhën në agimin me dritë
Si nektarin hojet me mjaltë në pranverë presin.

Pa pritur arriti lajmi që e sillte një zog, si zgalem.
Si një feniks ra e doli i ndezur dritë të verbuar
Më thonë: ”Ta vramë buzëqeshjen që të shpërthen!
Të vramë mëngjeset në shtigjet e pandriçuar.

Gjithmonë do kërkoj, qoftë edhe në diell
Pranverave të mia dua t’ua sjell aromën
Qiellit të lirë dua kaltësinë t’ua kthej
Dua t’ia ndal gjamën zemrës që në gjoks rënkon.

Thursday, October 27, 2016

Prend Buzhala - Shkoi në amshim akademiku Alfred Uçi

HOMAZH
Ishte abetarja dhe enciklopedia jonë e MENDIMIT ESTETIK...
Më nuk kemi studiues e autorë të mendimit estetik... Alfred Uçi lindi në qytetin e Korçës më 1930. Studimet e larta i kreu për filozofi në Universitetin “Lomonosov” të Moskës (1954).
1.
Pedagog i filozofisë e i estetikës, tek ka ligjëruar nëpër shumë katedra fakultetesh, drejtues institucionesh, pjesëmarrës në kongrese, konferenca e në simpoziume ndërkombëtare shkencore; autor i shumë artikujve, referateve e kumtesave me tematikë nga fushat e filozofisë, estetikës, folkloristikës, etnografisë, sociologjisë e kritikës letrare; profesor Alfred Uçi i ka botuar këto vepra: “Jani Vreto” (1965), “Estetika, Jeta, Arti” (1970), “Labirinthet e modernizmit” (1978), “Mitologjia, folklori, letërsia” (1982), “Problemet e zhvillimit të romanit shqiptar” (1984), “Çështje të estetikës e të kulturës” (1986), “Estetika”, I,II e III, (186-1989). Sikundër shihet, titujt e veprave të botuara gjatë viteve ’70 e ’80 e mbizotërojnë fushën e estetikës, pa lënë anash aspekte letrare e ato të fokloristikës. Ndërkaq, gjatë viteve ’90, me aq sa mund të ishte i informuar lexuesi shqiptar në Kosovë, Alfred Uçi ka botuar veprat “Shekspiri në botën shqiptare” (1996), “Dostojevski në kohën tonë” (1997), “Me Danten nëpër Ferr, Purgator e Parajsë”, “Grotesku kadarean” (1999), “Estetika e groteskut” I-IV (2001) etj. Ndërkohë shkroi dhe “Ese filozofiko-estetikë” (Servantes, Rable, Milton. Gëte etj), “Problematika ekzistenciliste e letërsisë antike”, “Vetëkontestimi në estetikë”, “Filozofia e njeriut” etj.
2.
Në librin "Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe në optikën e një rileximi, merr në autorë si N. Frashëri, Gj. Fishta, F. Konica, M.Kuteli, Migjeni. Vepra të tjera të tij janë “Filozofia e Teodor Anastas Kavaliotit” (2004), “Estetika e folklorit” (2007), “Filozofia e DonKishotizmit" (2010), “Migjeni-fryma moderne në letërsinë shqipe” (2013), “Ese dhe etyde filozofiko-estetike” (2015) dhe “Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare” (2015), etj.
(Shënimet kryesore këtu u morën nga libri im "ODEONI I FJALËS", Rilindja, Prishtinë 2003)

Sunday, October 23, 2016

Nikollë Ulndreaj - KOPSHTI POETIK QË LULËZON ÇDO DITË

Dedikuar poetit Mujo Buçpapaj
Vëzhgon yjet si ngritin përmendore arti mbi vargmalet shqiptare. 
Vështron se si rëndin tëra peizazheve të ndjenjave,
Se si i zgjasin litarët e ujëvarave të lidhin shpirtin me dashurinë
E tëra dhembjet
Që brenda tyre kanë brengë trëndafili
I rrezaton me dritë perëndish ilire.
Ky kolos i letërsisë shqiptare
Faqen e tij letrare
E ka kthyer në Kopsht Edeni poetik për poetët mbar kombëtarë
Që lulet e zemrës i mbjellin nëpër brenga e pikëllim
Të atyre
Që ania e fatit u ka mbetur në liman
Dhe eksodistve vërtitës mes shkumës së deteve
Që tej Atdheut i shtynë thellimi
Të shtrinë krahët hapësirës së shpresës e ajrit të kulluar të vendit huaj
U ndezë zjarre të ëmbël shprese se jo për shumë kohë
Do të jenë atje
Se, jo për shumë kohë do të rendin udhëve të gjata të emigrimit
Kopshti yt poetik Mujo Buçpapaj është qiell i kaltër i gjithë poetëve
Që vendin e dëshirojnë të blertë
E për të blertën paguajnë një çmim aq sa në degët e lëkundshme të lisit
Zogjtë ndërtojnë një çerdhe
Me cicërima të mbushen kupat e mallit atyre nënave që
Rrahjet e zemrës ua dëgjojnë së largu fëmijëve...

Saturday, October 22, 2016

Ymer Nurka - KALVARI I QENIT (fabul)


Qen i ati, qen i biri, qen i zoti
Dhe viktima që u shtyp, një qen koti
Qen-policët, që e ndalën te trafiku
E vështruan si të ishte qen-armiku.

Seç e morën qen-shoferin pa këpucë
Dhe e plasën porsi plëndës në birucë
Qen-gardiani mengadalë vrullin mori
Shqelm të tmerrshëm i jep pas, qen-fajtorit.

Ironikë tek qelia, mu në derë
Seç u shfaqën, si fantazma qent-sekserë
"Që të dalësh dhe të falesh , e mos vuash
Dije mirë, or qen bir qeni do paguash!"

Qen-fatziu shet shtëpinë, gjithçka pati
Çka kërkuan qent-sekserë i bën gati
Të shpëtonte dhe të dilte, prej udhëkryqi
Seç u nisën proçedurat, për tek gjyqi.

Qen-hetuesi, e thërriti mu në zyrë
Dhe i plasi dy-tre shpulla në fytyrë
Pa e shpunë tek doktori qen i fortë
Që t'i nxjerrë qen-budallit, një raport.

Dhe një dit’ ashtu të lodhur, gjysëm-gjallë
Seç e futën tek kafazi, mu në sallë
Në emër t’ligjit, me zë lartë, fjalën mori
Qen i tmerrshëm, qen-bulldogu, prokurori.

Lehu bukur dhe përdor’ elokuencë
Më në fund, si qen i ndershëm dha pretencë
Qen-gjyqtarët, në juri, që "s'njihnin hatër"
Si xhonglerë dhe si aktorë , bënë teatër.

Salla mbushur spektatorë, me qen-dingo
Mbaroi gjyqi, brohoritën të gjithë "Bingo!"
Ja e falën më së fundi, qen’ e mjerë
Të raskapitur e braktisën mu në derë.

Koridoresh u hoq tjetri, zvarrë-zvarrë
Si në mjegull, i përgjumur shikon varrë
Se si rrodhën gjithë ngjarjet, shkallë-shkallë
Si e hëngri rrac’ e tija, sa qe gjallë..

Kujtim Stojku - VALLËZIMI I GJARPËRIT


Sapo kishte plas agu, sirenat ishin duke u qurravitur,
Dielli kishte bërë rrugën e tij gjysëm hark,
Një plak i vjetër zgjohet duke u kollitur,
Një brez jeshil si zjarr i ishte varur në qafë.

Rënkon plaku duke ndezur llullën,
Fjalët për çudi ajo ia djeg brenda,
Fjalët e mençura në mendjet tona u ngulën,
Kini kujdes na tha,kur ju josh dhelpra….

Natyrisht, mor djem çdo fjalë që del nga goja fluturon,
Si zog, dallënyshe apo korb nuk e di,
Përvoja deri në këtë moshë më ka mësuar të shikoj,
Të ligën dhe të mirën,me syrin e zjarrtë ta dalloj e di.

Të lutemi o gjysh,me një zë ne i thamë,
Na thuaj nga përvoja jote si e gjen hatanë,
Prej gojës së tij fjalët fluturuan si me mallkim,
Një grua përleshet me britmat e saj,shkumëzon me tërbim….

Ah,more djem,në mugëtirën e vjeshtës si hekura të ndryshkura,
Një gjarpër fërshëllente dhe dukej sikur këndonte,
Këngën e tyre për një çast e pushuan bilbilat,
Si teh i mprehur thike,ankthi u kalonte.

O Zot, tha plaku duke ngritur duart drejt qiellit,
Panë një gjarpër që vallëzonte gjithë hijeshi,
Kur përdridhej këndonte sa tundej i gjithë vendi,
I veshur bukur,lozonjar,çdo kush deshte ta merrte në gji.

Ai vallëzim i shkathët të gjithëve na vërboi,
Por shpirtin tim kurrë nuk mund ta shpëtonte,
Të rëndë e kish kupën,gënjeshtrat nën shalë i kish,
Si i mençur me këto gënjështra filloi të filozofonte…

Plaku nuk tha asnjë fjalë për vajtimet në rrëfimet e tij,
Por vazhdoi tregimin e ne dëgjonim duke qeshur me lot,
Kur gjarpëri vallëzonte patjetër që ai merrte frymë,
Shpesh bëhej si i sëmurë, dhe mblidhej sa një top.

Mbi gurë dhe nëpër bar vazhdonte të vallëzonte,
Shpërdredhej si një lëmsh duke na ardhur rrotull,
Këngën e tij të shpifur në mes bilbilave do ta këndonte,
Ne dëgjonim klithma prej metali,fuqia e tij,
Me dhëmbin si shiringë filloi të na helmonte.

Këtu tha plaku mbaron e gjithë historia,
Por urtësia ime nuk besoj t’iu çojë në rrugë të mbarë,
Nëpër vitet e mia kujtimet i mblidhja,
Kam fjetur në një shtrat hithrash,askërrkujt nuk i jam qarë…



Vasil Tabaku - ADEM ZAPLLUZHA PËRBALLË NJË REALITETI TE RI POETIK


Të shkruash duke vënë si një peng të vërtetë shpirtin tënd, dhimbjen tënde, zemrën dhe dashurinë, të sotmen dhe të nesërmen, këtë bënë poeti I mrekullueshëm dhe plot risi poetike ADEM ZAPLLUZHA edhe në librin e tij më të fundit poetik “KËSAJ NUK I THEM DOT LIRI”.Në gjithë universin krijues të këtij autori mjaft prodhues dhe të vecantë plotë risi poetike dhe padyshim mjaft cilësor në krijimtari, të bje në sy lajtmotivi universal I këtij krijuesi, shpirti I lirë, gjëmues dhe shpërthyes, që nuk pranon asnjë lloj kushti aq më pak prranga. Shpirti poetik I Zaplluzhës do të thoja se është një vullkan krijues në errupsion të plot dhe vital aq sa shpesh të lë pa fjalë. E them këtë jo vetëm për vitalitetin krijues të këtij autori brilant, por edhe për vokacionin e gjërë e të vecantë dinamik dhe shpërthyes, sa orgjinal aq dhe tradicional, sa meduitues aq dhe filozofik. Persiatjet e poetit zgjojnë mori të tëra mendimesh tek lexuesi dhe e robërojnë atë deri në vargun e fundit të poezisë së librit.Ky autor I vecantë në Letrat Shqipe, krijon kështu një botë të vetën poetike, një domen të jashtëzakonshëm plot brilante poetike, më një anatomi magjike të Kosovës dhe të Shqipërisë , ku unë do të doja më fjalën Shqipëri të përfshija Kosovën Maqedonin shqiptare, Malin e Zi shqiptar dhe gjithë trevat ku jetojnë shqiptarët kudo në diasporë. Kjo gjë I jep ADEM ZAPLLUZHËS “pasaportën” për të hyrë nëpër zemrat e medha të të gjithë shqiptarëve kudo qe janë dhe të shëndrrohet në BARDIN e madh të tyre më fjalën, mendimin dhe filozofinë e vetë poetike…ZAPLLUZHA është një krijues me dimensione por dhe me vlera që ngërthejnë një artist me një botë të madhe shpirtërore , me një art të konsoliduar, mjeshtëror dhe tëpër shprehës…
ADEM ZAPLLUZHA, KY BARD I MADH I LIGJËRIMIT POETIK
Unë do ta quaja pa asnjë hezitim BARD I MADH ,krijuesin ADEM ZAPLLUZHA, sepse këtë të drejtë unikale ta jep vet poezia e poetit ZAPLLUZHA me forcën e saj, me vlerat e saj, me universialitetin e saj dhe gjithpërfshirjen kombëtare. Poeti e gjenë ashtin e ligjërimit të vet pikërisht aty ku ai ka lindur në opusin e madh të melosit të KOSOVËS dhe gjithë SHQIPËRISË duke I dhënë jetë vargut poetik me një forcë të vecantë dhe orgjinale sepse poeti di të depertoj nëpër pejzat e holla delikate të shpirtit të njerëzve dhe tu jap atyre vlerat e një poezie të bukur, magjike dhe depertuese gjer në zemër…Ai gërsheton në mënyrë perfekte metoniminë dhe vlerat njerzore, duke I gërshetuar përmes një figuracioni mjaft të gjetur dhe artistik…
“Zërat e fjetur të yjeve të përhumbur
Zgjohen nga legjendat
Jashtë hapësirës së mendjes
Si kuajt e paçjerrë vrapojnë meteorët”
Shprehet poeti tek poezia “TI NË DAÇ MË PRIT TE PORTAT
E HAPURA” Natyrisht përmes melosit, poeti ZAPLLUZHA, di të ndërthurë me mjaft mjeshtëri, të bukurën dhe befasuesen, magjiken dhe artistiken. Autori është kërkues dhe këmbëngulës, eshtë I detajuar në cdo varg dhe ndërton një poezi e cila reflekton mjeshtëri, art dhe risi poetike.Këto I materializon me shume art në cdo poezi të librit, edhe pse ky libër është libri I 138 I këtij autori, një krijimtari vërtetë e jashtëzakonshme, e admirueshme, e respektueshme dhe vitale nga një krijues mjat potent, proodhues dhe orgjinal dhe që cuditërisht dhe mrekullisht nuk ka asnjë grimë përsëritje të vetvetes, qoft edhe në një varg të vetëm jo më në një poezi apo libër. Të lë pafjalë kjo vecori dalluese dhe e mahnitëshme e ADEM ZAPLLUZHËS krijues me merita të rralla dhe të shkëlqyera, të cilat I kanë hapur këtij DEMIURGU të MADH portat e një PANTEONI NDERI në LETRAT SHQIPE.Autori e mere forcën, vtalitetin dhe bekimin pikërisht tek ajo cka thamë më sipër, te melosi I madh I popullit, ku në një mënyrë mjaft fine dhe elegante shpërfaqet ligjërimi I tij I mrekullueshëm dhe befasues, me një figuracion të rrallë mjeshtëror dhe të goditur, gjithmonë në vendin e duhur.
“Për befasinë time
Mbrëmë më pushuan dhembjet
Ndoshta ishe ti që erdhe kaq vonë
Të m’i shërosh plagët që kullojnë”
Nënvizon poeti te poezia “Një flutur e kaltër”, A nuk të kujton kjo poezi e bukur eksklamacionin brilant tek eposi për Gjergj Elez Alin me shtatë plagët që ja mëkon zana, kush është kjo femër që vjen dhe i heq dhimbjet protagonistit të poezisë së ZAPLLUZHËS, padyshim që nuk është plagjiaturë, por një piknisje ku shkrihet melosi i legjendës me amën krijuese të këtij poeti të vecantë. Pra nëse do të bënim një përqasje për orgjinalitetin poetik të ZAPLLUZHËS, unë me plotë gojën do të thosha se ky autor është një BARD i MADH që di të ndërtoj VARGJE TË RRALLË, PLOT BUKURI DHE SHPIRT TË MADH DHE SHPËRTHYES.Pa dyshim poeti është i ndërgjegjëshëm se ka ndërtuar një godinë poetike të vecantë, të tijën, orgjinale, shprehëse dhe mjaft komunikative me lexuesin. Një ligjërim sa modest aq dhe modern, sa domethënës aq dhe shprehë e i fuqishëm.Sepse sikundër thot poeti ,
“Isha Zot
I zogjve në fluturim
Isha zëri dhe shpirti i erës “
Tepër domethënëse dhe shprehëse, ky është poeti që jeton brenda shpirtit të njeriut të dhimbjes, në universin e fluturimit dhe zërin e erës...Mjaft bukur dhe thjesht, mjaft ciltër dhe bukur, kështu na befason poeti brilant ZAPLLUZHA me vargun e vet të skalitur dhe shëndritës, si nje DEMIURG, sepse brenda tij është ngjizur edhe dhimbja edhe lumturia, edhe trishtimi edhe shpresa, edhe zëri edhe drita, edhe heshtja edhe shpërthimi dhe stuhia. Gjithcka tek ky autor eshtë poezi gjer në rrënjë, gjer në palcë gjer në dhimbje,poezi që të rrëmben, të pushton dhe të bënë të jetosh përmes ëndërrës dhe shpresë, përmes dritës dhe dashurisë...Mjeshtëria artistike e autorit ka gjetur vërtetë shtigje të reja shprehëse dhe kumtimi, sepse në cdo Varg vjen një mesazh, vjen vet zëri i brendëshëm dhe i padukshëm i poetit, vjen ciltërsia dhe sinqeriteti i tij i jashtzakonshëm...
VLERAT ARTISTIKE DHE KUJDESI ESTETIK I ADEM ZAPLLUZHËS
Gjithë prozodia poetike e ZAPLLUZHES në librin e tij më të fundit, manifeston një përkushtim të vecantë dhe të rrallë të autorit me paraqitjen estetike dhe vlerat në mënyrë të drejtpërdrejtë. Autori në të vërtetë duhet thënë se është një krijues i lindur autentik dhe me një forcë shprehëse mjat të rrallë, por në të njëtën kohë në gjithë opusin e vet të madh krijues me një mori librash, ai ruan vlerat dhe mbi të gjitha bënë një kujdes të habitshëm estetik, me mjaft shije, elegancë dhe finesë në shprehjen e tij poetike që në të shumtën e rasteve është e mrekullueshme dhe bindëse,pse jo dhe e pabesueshme...por që në faktë është e vërtetë, tepër e vërtetë... Unë shpesh gjej në poezitë e ZAPLLUZHËS një magji të vecantë por mjaft fine dhe dinjitoze. Dhe natyrisht e gjithë kjo vjen padyshim nga maturia e këtij krijuesi, ruajtjes së masës dhe njohjes së thellë të misterit të vargut poetik, ndryshe nuk mund të ndodh e gjithë kjo përkujdesje që të sugjestionon dhe të mbush me konsideratë për autorin ZAPLLUZHA. Ai ka krijuar kështu një shkollë të vetën poetike , një mënyrë mjaft orgjinale dhe shprehëse, plot vlera të vecanta që e dallojn ë poezinë e tij mes qindra krijuesëve bashkëkohorë qoftë në Kosovë apo dhe në Shqipëri dhe më gjerë.Autori, ka si orjentim psikosocial, urtësinë, filozofinë e thellë shprehëse dhe padyshim një mesazh të shprehur mjaft qartë e në mënyrë tepër domethënëse.Një krijues i këtyre përmasave me të drejtë do ta cilësoja unikal dhe të suksesëshëm.Ai ndërthur në mënyrë magjike mendimin, filozofinë dhe të ëndërrtën, atë që shpesh mbetet eterike, e pakapëshme por që poeti e shëndrron në të kapëshme dhe të afërt. Intime dhe njerzore.
“Çfarë të bëj me këtë tatuazh të dhembjes
Të gjitha udhët
Si plagët e erës më mbetën peng
Të kujtohet: ishte dimër kur vdiq pema
S’patëm kohë
As t’i varrosnim kujtimet”
Në mënyrën sesi vijon procedimi poetik, të lihet përshtypja sikur ti, pra lexuesi, je aty i pranishëm, brenda vargut poetik, brenda mendimit të autorit dhe përmasave të fjalës së tij, je “uni” artistik, je vetvetja e përfshirë në këtë magji krijuese që mbanë firmën e ADEM ZAPLLUZHËS, dhe fiton një vetbesim dhe bëhesh bashkëautor dhe bashkëlexues i vargjeve të tij...Në shumicën e vargjeve dominon metafora, por nuk është e rrallë edhe metonimia, aliteracioni dhe zëri i brendëshëm e i fshet i autorit. Këto vlera artistike, krijojnë një unitet krijues plot domethëni, me shumë lëndë poetike dhe ngjyrim të lart artistik.Kjo padyshim është cilësi e mjeshtërave dhe e gjithë atyre poetve që dinë të ndërtojnë vargje me domethënje dhe ngarkesë artistike, poezi që mbajnë brenda bërthamës së tyre një unitet figurshmërie të përsosur dhe më një funksion të lart estetik.Autori, shpresoj se e ka njohur mjaft mirë edhe prozodinë popullore, sepse në vargjet e tij ka një harmonizim mahnitës të kësaj prozodie me ligjërimin e tij të mrekullueshëm, kumbues dhe me nota të thella atdhetarie, ku një shpirt i madh poetik ndërton një univers të vërtetë domethënsë dhe me mjaft kuptim.
“Nën këtë plis
Ndjehem si lis
Dardan me gjak të kulluar
Të më kenë lakmi diell e hënë
Ashtu siç më patën zili perënditë paganë
Nën këtë plis
Të bardhë si dëbora e Sharrit
Ndjehem si lis
Le të më ketë zili edhe Hyu
I cili për kombin tim e pat qëndisur”
Autori ZAPLLUZHA, është padyshim dhe një atdhetar i rrallë, plot zjarr dhe dashuri për vendin, lirinë dhe kombin, sepse në gjithë poezinë e tij merr frymë liria dhe kombi, atdheu dhe krenaria kombëtare. Në shumë prej poezivë të tij gjallon mjaft fuqishëm shpresa dhe liria, ndërsa thellë thellë vargjeve shpërthen dashuria për KOSOVËN, këtë martirë të Lirisë në kohët moderne.Poeti është dhe një luftëtar i së vërtetës, një shpërthim i lirisë dhe vlerave të saj.Në gjithë opusin poetik të autorit këto mesazhe mbeten kryefjala e ti dhe lajtmotivi që e bënë të jetoj dhe të ligjëroj mjaft fuqishëm, plot pasion dhe art, plot ëndërra dhe shpresa...Sepse poeti e di mirë këtë sekret të rritjes dhe jetës, të shpresës dhe ditës, të dashurisë dhe së madhërishmes, ku gjithmonë jeta triumfon mes shumë dhimbjesh dhë dëshirash të fuqishme.
“Përditë vdesim nga pak
Vdesim si elefanti
Nga fytyra e drurit metaforik
Ngjizim mirazhe
Dhe më pas udhëtojmë drejt një drite”
E pra, kjo është dhe deviza e ADEM ZAPLLUZHËS, një devizë qe kurrë nuk do ta lërë në mes të rrugës, nuk do ta tradhëtoj kurrë dhe nuk do ta zhgënjej. Autori na vjen mes nesh me një libër të realizuar, plot art dhe forcë tronditëse, ku zgjohen ëndërrat dhe marrin krahë shpresat, ku realiteti bëhët edhe më i kuptueshem, më i dashur, më domethënës dhe më njerzor. ADEM ZAPLLUZHA shfaqet kështu para lexusit si një autor me mjaft pretendime dhe vlera të vecanta, orgjinal, magjik, real dhe sugjesionues. Ai ka ndërtuar një realitet poetik mjaft të magjishëm, të suksesëshëm dhe shprehës, por mbi të gjitha mjaft të ngrohtë dhe njerzor.Autori na zgjon aq shumë mendime dhe shpresa, aq shumë dashuri për njeritjetrin dhe aq shumë dëshirë për ta jetuar jetën me të gjitha përmasat e saj të larmishme, me dashurinë, dhimbjen, triumfin dhe trishtimin, me shpresën dhe ëndërrën,Unë mendoj se autorë të tillë vijnë rrallë mës nesh dhe padyshim që meritojnë gjithë vëmëndjen dhe dashamirësinë tonë, përkrahjen dhe vlerësimin tonë të merituar.

Friday, October 21, 2016

Vasil Tabaku - Tre poezi

Ka vetëm një KOMB SHQIPTAR, pavarsisht ndarjeve administrative, Shqipëri, Kosovë, Camëri, Maqedoni apo Mal i Zi , vetëm një KOMB SHQIPTAR

KOSOVA IME

Është ngjyra e gjakut shqiptar,
KOSOVA,
Klithma jone e lirisë
Dhe njgyrat e ëndërrës së madhe….
KOSOVA nuk preket
KOSOVA
është toka e shënjtë
Ku liria e vërtetë ka ndërtuar
Qytetet e magjishëm të gurit
Me malet
Prej shpirti tonë të dlirë
Nën retë e vuajtjeve tronditëse
Ku tragjeditë
Rendin
Mbi shpinën e murrëtyer të rrufeve
Nuk preket KOSOVA
Ndryshe
Përvëlohesh
Prej flakës së shenjtë të zemrimit tonë
Dhe DASHURISË së pamat
Asaj DASHURIE madhështore
Që përmes jetëve tona
Rilind shpresën dhe dritën
Mes horizonteve pa kufij
KOSËOVA është SHQIPËRI.
Është fjala ime e pathënë
Dhe betimi I kombit të shenjtë
Ndërtuar
mbi bjeshkët e betimit shqiptar
KOSOVA
Dashuria jonë prej kënge dhe drite
Prej puthjeje dhe përqafimi hyjnor,
Një uragan shprese dhe dashurie
Mbi krahët e shqiponjës që nuk ndalet…
KOSOVA
Dashuria ime e pajetuar
Dhimbja ime prej ajri dhe qielli
Zjarri I një malli që digjet
Mbi Botën e trazuar
KOSOVA
Puthja ime prej gjaku
Dhe përqafimi im prej mali
Mbi supet I mi
Pikojnë lotët e tu
prej ZONJE madhështore
Nëpër eterin e kesaj dite pa emër…
KOSOVË
Lokja ime e mirë,
e urtë dhe fisnike
Jam yti
Ashtu si dielli
zgjohet në gjirin e qiellit…
Jam yti
Dhe përjetë të jetëve
Do të jem yti KOSOVË…


MËNGJES I PËRLOTUR NGA SHIU

Në krahët e mi
Një e qarë fëmije
Mbështetet ngadalë
Me dhimbje…
Mbi gurët e rrugës
Psherëtima e një nëne
Më ndjek gjithë drithërimë
Mbi duart e mardhura
Uria dhe heshtja
Përpëliten mes trishtimit
Këmbët e zbathura
Shkelin me drojtje
Mbi zemren time
Ku prushëron dashuria
Ndjej fërgëllimat e dhimbëshme
Të Shqipërisë sime
Sytë e përlotur
Si një akuzë e rëndë
Më mbërthejnë
Nëpër gozhdët e dhibmjes
E madhe vuajtja
Trishtimi
I papërballueshëm
Ndërsa varfëria
Ndërton
Qytetet e drithshëm
Të vendit tim
Unë rend, iki
Po ku të iki
Shqipëria ime
Jam unë pengu yt
Dhimbja jote
Dashuria dhe brenga
Malli dhe heshtja
Shpresa dhe kenga
Mëngjesi I përlotur nga shiu
Dhe dita që pret diellin …


TË JESH DASHURIA
…sepse
Ti je buza
Magjia ku zgjohen
Mijëra e mijëra
pëllumba puthjeje
Je buza
Ku ngrihet madhërishëm
Përmendorja e dhimbjes
Dhe rrotullohet fuqishëm
Rruzulli shëndritës I dashurisë
Duart e mia
Ribëjnë
Trupin tëndë prej zjarri
Ku shpërthejnë
Zërat tanë
Si skllevër të pasionit
Lidhur
Me zinxhirët e dashur
Të psherëtimave pafund…
Ti je syri
Kaltërsia e derdhur
Nëpër qiell pakujdes
Ku bukuria
Druhet të shpallet
Ndërsa thellë e më thellë
Ne ndjejmë
praninë tragjike të njëritjetrit…
Një bashkim
Klithmash
Dhe këngësh të papërsëritëshe
Teksa digjemi ngadalë
Brenda vetvetes
Si dy zjarrë fatal
Të bashkuar fuqishëm…
…sepse ne jemi edhe jeta
Edhe vdekja e njeritjetrit…
Ti je buza dhe syri
Je fjala
E pervëluar e mallit
Që nuk pranon ndarje
Edhe per nje minutë të vetme
Ti je
E kuqja e trendafilit
Ndërsa përgjak
Blunë e dridhëshme
Të zambakut…
Gjithmonë
Do te jesh kështu
Përherë e përjetësishtë
Një univers dashurie
Dhe shpresash
Një maraton
Fjalësh të pathëna
Deti
I trishtimit dhe mallit
Dallgë
E një pasioni
Që nuk e njeh askush…
Ti je unë,
Ne jëmi njëritjetri
Një harmoni shpërthyese
Që ribënë Botën
Dhe mbanë gjallë JETËN…

Vasil Tabaku - HISTORIA KOMBËTARE, VETVETJA JONE QË DUHET RISHKRUAR


Nocioni “histori”, nuk është thjesht një ngjarje, një rrëfenjë, apo një shkruarje datash, ky nocion ka përmasa madhështore, të ngjizura nga e vërteta e madhe, e pakontestueshme, e pa trillueshme dhe pa zhberëshme. Shpesh, Brenda historisë kanë penetruar gjithfarë manipulatorësh, që nga politikanët, shkruesit e saj apo thënë ndryshe pseudohistorianë, dështakë, diktatore dhe smirëzinj kombëtarë. Të gjitha këto, na japin të drejtën legjitime si shqiptarë të kërkojmë jo vetëm rishikimin e Historisë, por edhe rishkrimin dinjëtoz të saj sipas të vërtetave të mëdha përmes shekujve. Ndërkohë një grup njerëzish të implikuar në krimin e madh ndaj historisë, por edhe ndonjë i keqinformuar, e kundërshtojnë rishkrimin e Historisë. Debati i gjerë që vazhdon prej vitesh, shpesh politizohet, duke veshur koracën e “imunitetit” të deputetit apo liderit politikë. Por Historia Kombëtare, nuk është vetëm historiografia politike, pasi këtu gërshetohen vlerat artistike, letrare, shkencore, arsimore dhe sociale. Kemi të bëjmë me një rrafsh tepër të gjerë, I cili natyrisht meriton vëmendjen e studiuesve dhe historianëve përkatës sipas fushave respektive.
Kur Historia Kombëtare, trajtohet si pronë dhe shpërfytyrohet
Përmes dekadave të rënda të diktaturës komuniste, u tentua tjetërsimi, nxirja dhe falsifikimi i HISTORISË si një vlerë e madhe kombëtare. Njerëzit e diktatorit e trajtuan Historinë si pronë dhe përmes një sakrilegji të përfytyruar e shpërfytyruan Historinë me gjithfarë deformimesh, sajimesh dhe falsifikimesh absurde. Diktatori paranojak Enver Hoxha, duke hyrë arbitrarisht në panteonin e Historisë, falsifikoj ngjarje data emra dhe mbi të gjitha shpërfytyroj të vërtetën kombëtare. Nuk e shoh të rrugës të ndalem në detaje konkrete, por do të përmend dy nga kolonat më të mëdha të historisë, identitetin kombëtar dhe panteonin e lavdisë kombëtare. Të dyja të manipuluara tragjikisht nga Enver Hoxha dhe shkruesit mjeran që i manipulonin vlerat duke i atribuuar Enver Hoxhës gjithçka. Këta shkrues të përunjur e futën diktatorin në histori si liderin që përcaktoj identitetin kombëtar të shqiptarëve, kur në të vërtet, diktatori e shkatërroj atë duke aplikuar monstrën e “socializmit fitimtar të Shqipërisë”. Këta pseudo shkrues, e zhveshën kombin dhe Shqipërinë nga çdo meritë historike, të shtetformimit. Zëvendësuan emrat e themeluesve të shtetit të parë shqiptar, në vitin 1912 me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Kujtojmë këtu atdhetarin Lef Nosi , i cili u sfumua krejtësisht dhe u vendos emir i “Baba Çenit”, babai i diktatorit. Për ta servirur këtë krim ndaj Historisë, u zhduk dhe procesverbali i shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, firmosur nga gjithë pjesëmarrësit, ku natyrisht nuk ekzistonte emir i Baba Çenit. Ky mashtrim, u server për gati pesë dekada, deri sa u rigjet Procesverbali i Shpalljes se Pavarësisë. Po i njëjti krim i shëmtuar u bë nga të zellshmit shkrues të indoktrinuar të Historisë edhe me emrat e shquar të Rilindjes Kombëtare, të Pavarësisë, periudhës së qeverisjes së Mbretit Ahmet Zogu dhe periudhën e pushtetit diktatorial. Po sjell këtu rastet e paprecedent të dhunimit të vlerave të Mbretit Zog, fshirjen e aktivitetit dhe vlerave të patriotëve të mëdhenj Faik Konica, Gjergj Fishta, Mehdi Frashëri, Bilal Xhaferri, Musine Kokolarit apo dhe hedhjen e hijes së zezë të harresës mbi Shenjtoren e madhe Nënë Tereza, duke i mohuar asaj edhe identitetin si shqiptare.
Shqiptarët njohin historinë e “helmuar” për Kosovën dhe më gjerë
Historia e Shqipërisë, nuk mund të ndahet nga historia e Kosovës. Ky realitet i madh historik, tashmë nuk ka pse të diskutohet apo të hidhet për debat. Gjithë etapat historike të Shqipërisë, që nga fillesa jonë si komb e gjer më sot, janë të gërshetuara në mënyrë të pandashme me Kosovën, me Shqiptarët e Maqedonisë apo ata të Malit të Zi. Historiografia e Kosovës, nga ana e këtejme e kufijve politik,pra Brenda Shqipërisë, është trajtuar nën censurën e plotë të tiranëve të diktatorit Hoxha, në fokusin e interesave politike të komunizmit shqiptar. Shitja e Kosovës tek Serbia e Titos, ishte një vepër makabër e Enver Hoxhës, por në histori, kjo masakër kombëtare u trajtua si një verdikt i Fuqive të Mëdha, kur në të vërtetë ishte një tradhti e madhe e Enver Hoxhës ndaj Kosovës dhe kosovarëve. Po ashtu dhe trajtimi i figurave atdhetare të Kosovës, u trajtuan sipas interesave të diktaturës komuniste në Shqipëri. Manipulimi i historisë së Kosovës nga shteti komunist shqiptar, i kaloj të gjithë kufijtë, duke u shndërruar në një krim të madh. Manipulator të historisë, nuk ishin vetëm historianët servile, por edhe figurat qendrore të politikës komuniste, të cilët ndryshonin datat, emrat dhe ngjarjet sipas interesave të diktatorit dhe komunizmit shqiptar. Historiografi të tipit Paskal Milo apo Pëllumb Xhufi, edhe pse i përkasin një brezi më të avancuar historianësh, ishin nga manipulatorët më të zellshëm të historisë sonë kombëtare, përfshi këtu edhe Kosovën. Helmi komunist mbi historinë e Kosovës si pjesë e Historisë kombëtare, vazhdoj gjatë gjer në vitet 90, kur në Shqipëri shpërtheu Lëvizja për Demokraci, e cila shkatërroj të gjitha çerdhet antikombëtare dhe filloj korrigjimin e drejt të Historisë.
Ngjarjet madhore Historike dhe plagjiatura e diktaturës komuniste
Duke filluar nga mbretërimi i Ahmet Zogut dhe ngjarjet që e pasuan, për të ardhur në periudha më të avancuara si Konferenca e Mukjes, Kongresi i Përmetit, lufta kundër mendimit ndryshe politik dhe eliminimi i partive të tjera politike, ishin një nga manipulimet më flagrante të komunistëve. Shumë evenimente historike, u përvetësuan, u përpunuan dhe iu adresuan PS dhe Enver Hoxhës, duke shënuar kështu plagjiaturën me të madhe në Historinë Kombëtare. Shumë atribute historike, Enver Hoxha i përvetësoj në mënyrë të paturpshme duke e vënë veten në epiqendër të tyre. Kujtojmë këtu Frontin e Luftës kundër Fashizmit, më vonë etapat e zhvillimit të vendit në fusha të ndryshme si arsim, shëndetësi,shkencë, art, kulturë dhe letërsi. Të gjitha këto zhvillime, kishin si stampë sloganin komunist “nën drejtimin e Partisë dhe Shokut Enver” Ky përvetësim i paskrupullt dhe deformim, çonte edhe në manipulimin e të vërtetave historike. Të gjitha këto ndërhyrje flagrante për rreth 50 vjet diktaturë komuniste, servirën përpara opinionit, nxënësve, studentëve dhe botës, një histori të rreme, mashtrues, të deformuar dhe cinike. Ndaj dhe kërkohet me të drejt ndryshimi thelbësor, rishkruajtja e plotë dhe dinjitoze e Historisë sonë Kombëtare, e cila është dhe fytyra jonë, ndërgjegjja dhe veprimtaria jonë, pra është vetvetja jonë e madhe dhe unike.

Prend Buzhala - PËSHTYMËHEDHËSI


(Çaste shkrimi: karakteret IV), 21
Pështyn njeriu në shenjë të urrejtjes a përbuzjes, që, sikundër e thotë dhe Fjalori i shqipes, për ta poshtëruar dikë a përbuzur diçka... Kur hedh fjalët e rënda dhe fyese, ato i përcjell me një pështymë... Porse fjalori jep dhe një zbërthim tjetër leksikor-frazeologjik: "Pështyn lart dikush, mbahet me të madh, e mban hundën përpjetë, është mendjemadh. Pështyu në gjellë (në çorbë) e prishi a e ngatërroi një punë me qëllim të keq. Lëpin atë që pështyn (lëpin aty
ku pështyn)... Ç'pështyn në mëngjes, e lëpin në darkë... "
1.
Ekziston dhe shprehia e të pështymjes publikisht apo e pështymjes në publik. Sigurisht që shkakton siklet tek të tjerët q njeriu që pështyn publikisht... Në televizion kemi vërejtur lojtar që e pështyn lojtarin kundërshtar ose gjyqtarin e lojës... Ka të rinj që mendojnë se do të duken më cool kur hedhin pështymën larg me gojën të rrumbullakësuar, por në fakt krijojnë neveri... Një kafshë, e ngjahme me delën, quhet lama, e cila hedh pështymën larg dhe në drejtim të njeriut...
Nëse arti përqesh e pështyn dukuritë negative, ato i bën në mënyrë artistike. Komiku italian-amerikan Ivan Brunneti, thotë: "Pa dyshim, arti është disi si një pështymë. Ajo pështymë nuk na neverit as nuk na shqetëson, kur ajo pështymë gjendet ende brenda nesh, por sapo ajo del prej trupin tonë, ajo bëhet e pështirë. "
2.
Njeriu i drejtë vuan shpesh nga të tillët.
Poetesha Kamand Kojouri ligjëron:
"Nëse ata pështyjnë mbi ju,
Mblidhi pështymat e tyre dhe ujiti bimët tua.
Nëse ata hedhin gurë në ju,
Merri ata dhe zbukuroje kopshtin tënd.
Nëse ata të quajnë armik, gënjeshtar dhe narcist.
Kultivoji më shumë pikërisht këto lule:
Anemonë lulendezur, zambak dhe narcis.
Përdore të fëlliqët e tyre dhe frytnoje mendjen tënde.”
3.
Kush pështyn më shumë e më larg kundër shqiptarëve, kundër Shqipërisë dhe Kosovës?
Në Librin e Ginisit, flitet dhe për Rekordin e Hedhjes së Pështymës Larg. Thuhet se këtë rekord e mban për disa vite (sipas burimeve të internetit), Rick "Pellet Gun" Krause e mandej vjen djali i tij Brian...
Qe disa vite këtë rekord të hedhjes së pështymës kundër shqiptarëve, e mbanin disa opinionistë shqipfolës, e disa opinionistë të çoroditur (nuk po ua përmendi emrat), pastaj disa shqiptarofobë me proveniencë orientale (nuk po ua përmendi emrat), pastaj një pseudohistorian nga Zvicra (as këtij nuk po ia përmendi emrin)...
Por pështymat e tyre nuk arrinin larg.
Kurse Pështyma Serbe kundër shqiptarëve tashmë ka zënë e po depërton tepër larg...
Nuk mundën t'ua shkojnë serbëve askush në Hedhjen e Pështymës larg kundër shqiptarëve...
Po pështymat tona, deri ku arrijnë?

Ajet Shala - Cikël poetik


NE KRAHËT E ËNDRRËS PASHË ATDHEUN
I
E pashë diellin
të zhytej në gjumë si një ari përtej maleve
Nata
pellgun e errësirës e mbuloi me plafin e zi
Mua
pa më pyetur ëndërra më hodhi mes valëve
Të ngjitja
një shkallë magjike, në një tjetër lartësi.
II
U ula
që me drapërin e hënës të kap veshët e zgjatur
Yjet e vegjël i mora
sytë që të më shkëlqenin rrugën
Arrita
të shoh e dëgjoj atdheun më shpirtin e plasur
Të nis një këngë
dhe në terrin që më fshihte ujin dhe bukën.
III
Pashë
miliona plisa të shkëlqejnë mbi ballët e në kokë
Me qiellin e lirë
dukeshin si çati të bardha mbi male.
Ndriçonin
ngjashëm si yjet në qiellin kaltëror
Atje
qëndronin mbështetur në lisat e mbi palë ujëvare.
IV
Pashë
kullat e tymosura e të çara nga predhat
Si çlirimtarët e rinj
preka mermerin e pashë shandanët e lirisë.
Bënin roje
me flamur në dorë më flamurin që ngrihen në shkrepa,
Lexova dhe alfabetin
me gjuhën e tokës dhe me fjalën e perëndisë.
V
Pashë
plagët e kuqe në shtatin e atdheut që lëngonte
Si shkëmb
i cunguar i vuajtjeve tragjike nëpër vite.
Hirin e fatit
po e prisnin kirurgët barbarë të natës pa fund.
Ja shkëputën
gjymtyrët dhe e shpërndanë në Ballkanit plot trazime.
VI
Ahh,
dëgjoja ofshamat e bjeshkëve me trarë doganash
E dëgjoja
rënkimet e Lugjeve të Verdha në Jutbinë
Eshtrat fosile
kreshnikëve të Arbërisë po i banin piskamën e gjamës.
E unë,
u ngulfata sa me zor merrja frymë në gjoksin e mpirë.
VII
Ecja
me hapat e pafuqishëm prej mërzisë,
Shkelja
mbi ëndrrat e vjetra e të reja të atdheut
Si një apostull i lashtë
përpiqesha ta lexoja heshtjen tonë mistike
Duke ecur
në natën e shpirtërave të djegur në zjarr.
VIII
Qerpikët e dhimbjes
dridheshin nga malli e dhimbja e plagëve
Si një sonambul
hapëroja kuturu nëpër pluhurin e gjithësisë
U përshpërisja
në veshin e yjeve drejt udhës së jetës vdekatare
U bënë
vëllamër me dhimbjen time të shkaktuar prej ligësisë.
IX
Ah,
ç’ndodhte atje, në pellgun e Bosforit të mallkuar
Pashë
miliona vëllezër e motra në shkretëtira në Anadoll
I kishte
mbuluar plafi me pluhurin e harresës,
Mokra
u kishte bluar fatin që e vendoste kordha e ftohtë.
X
Ah
atje kërkoja diku ata krahë zgalemi të fortë
Për të ardhur furishëm
në valët e Drinit të Bardhë si lajmëtar.
Për t’u këndellur
nga ëndrrat e vrara e të nxehtë
Që fatin
ua ka mbuluar hiri shekullor viteve me radhë.
XI
Dua të dehesha
me zërat e blertë të gjetheve të ullirit
Në Janinë
e deri në Prevezë do këndoja këngën e lashtë
Do gjurmoja
pragjeve që më kujtojnë brengën e rrënimit
Do prek thëngjillin
e djepeve me ninullat e pakënduara me tingujt zjarr.
XII
Me një eho Çame
do zgjoja amanetet mbi qerpikët e dhimbjes
Aty kishte shkelur Hamleti
për të na thënë të tjera fjalë si burim
Prapë si zgalem
u ngjita për të shkuar andej ku kishteë rreze drite
Mbi bukuritë
e blerta plot aromë Iliride ndeza qirinj.
XIII
E prita
duart e lamtumirës nga çërgashët e Detit të Zi
Që dikur
erdhën si rrogëtarët e u bën sundimtar në Iliridë.
Me një eho
majekrahu thirra Xhemë Gostivarin atë trim,
Vetëm
edhe një herë t’ia dëgjoj krismën koburës së tij.
XIV
Rrufeshëm
fillova të mbledh lulët e të gjitha fushave
Që flisnin
me gjuhën e tokës, me kodet e panjohur.
E i hodha
si mesazh shprese në Drinin e Bardhë e Drinit të Zi
Petalet bukurinë ia shtuan dy lumenjve
e i dhanë aromën e bashkimit në Shqipëri.
XV
Ahh, ëndërr, o ëndërr.
kur do zgjohemi nga gjumi që na ka marrë.
E bashkarisht ta festojmë ribashkimin.
në teatrin më të vjetër të Gadishullit
të lashtë në Dodonë.
Me një flamur,
Me një gjuhë
E vetëm në një Shqipëri të bardhë.
TY ATDHE
Loti i derdhur për ty, atdhe, u bë lumë.
Mes syve ngrita digë si drapëri i hënës
E ktheva vajin në energji shpirti,
Për të shëruar plagët e pambaruara të zemrës.
Ah atdhe-atdhe, dhimbje e plagëve të mia


KALOVA

Shkela shumë shtete në kontinente të ndryshme
Preka bjeshkë shkëmbore me pyje dhe vullkane.
Dëgjova shumë metrostacione të zhurmshme
Dëgjova shumë gjuhë që fliste bota në ekrane.
Fjeta në shumë dhoma hotelesh me yje
U ushqeva me gjellë e pije të shtrenjta
Dëgjova histori që më bënë të mallëngjyer
Por ëndrra për mëmëdheun mbeti e njëjta.


NATË VJESHTE NË QYTËT

Vijnë dallgë erërësh të forta mes grykash alpine
Heshtjen e mbrëmjes e largojnë nga qepalla
Trazojnë gjumin e drunjve si atje tej në vendlindje
Shkundnin lehtë krahët si në bregdet pulëbardhat.
Gjethet e lagura verdhake furishëm përplasen
Qelqet e fasadave e ndërruan fytyrën pa i pyetur
Filloi shiu litar në muret e mistertë të kësaj nate
Në asfalt njerëzit mendoheshin për hapat e hedhur.
Në trotuare me drita bënin sfilatë me rroba të lagura
Semaforët ndalnin makinat në radhë si ushtarët e rinj
Qyteti bën gjumë dhe në shtrat prek kragët e zgjatura
Unë prisja mbarimin e shiut futur nën çati.

RRUGËT E ATDHEUT

I
Përulem
para rrugëve të atdheut që më krenon,
të lodhura
nga barra që mbajnë mbi shpinë
Mbi shiritin e pluhrosur
ju levizë dhe pëshon
prek jetën e blertë,
por edhe vdekjen që të nxin.
II
Ju lidhni fushat, malet e bleruara
me brigje të ndara,
Lidhni fshatra e qytete,
me zhurmë e me ëndrra
Me to lidhni atdheun
me rrugë të largëta.
me to bëni pentagrame
ku jehon tingulli e kënga.
III
Përulem gjer në tokë
në këto rrugë të lodhura
nga plagët e marra
në shtatin gjarpëror, të fortë
Përballuat sfida
të rënda e të panjohura.
Ju shkelën çizme barbarësh
që toka i mallkon.
IV
U gërryet në shpinë
nga makineria vrastare
ua këputët veshët e deshët me rroba çeliku të fortë
Ju bombarduan,
granatuan, ju mbushën me varre
Çdo pëllëmbë
u njom me gjakun e virgjër arbëror.
V
Kaluan armiq ngjyrash të ndryshme
në shekujt e errët të historisë
jeniçerë, nizamë,
ushtarë, paramilitarë e çetnikë barbarë
E prapë në theqafje
me gishtat mbi putrën e nxirë
Me turp u kthyen
prej andej hijenat nga kanë ardhë.
VI
Përulem para rrugëve
që nuk vënë një sy gjumë
Ishit tmerr për mbretër
që i latë një ditë pa kokë
Ju dhatë grusht tiranëve harbutë
me raca shumë
I mbollët eshtrat e tyre
në themelet arbërorë.
VII
Tani ju bëjnë hije
dhe buzëqeshin si miq të ngrohtë
drunjtë e mbjellë anëve
rrinë në varg si ushtarë
Mes tyre butësisht
mbi shpinë për ditë kalojnë
Këmbë fëmijësh
me qiellin e lirë si çati e bardhë.
Kalon dhe ti,
Kalon dhe ai,
dhe unë kaloj.
Kalojmë të gjithë me urimin e bekuar
Kurrë më nën okupator!!!

BISEDË ME DALLENDYSHËN

Kalova mbi një çerek shekulli si një tren hamall
Në shtëpinë e kujtimeve, preka ëndrra si gjerdan.
Dallandyshen nën çati e gjej sërish në fole të njëjt
Si mërgimtarë të vjetër për njëri-tjetrin kemi mall.
Ti je e para që më pret dhe e fundit në përcjellje.
Jeni madhështi e çatisë, së gjithë truallit patjetër
S’e di ç`emër tjetër mbani, ju s`numëroni vjetët
E di se nga foleja shkoni zogj ktheheni të vjetër.
Edhe unë i ri dola nga ky prag shtëpie si mrekulli
Malli na lidh, ty për fole mua më lidhë për oxhak
Gjithmonë të pandarë këtu verës do jemi përsëri
Ju si zogj të vjetër, unë gjithmonë e me plak.


NABASHKONTE SHKRONJA E PARË

Për shumë vite si të rinj shpesh ishim bashkë
S`arrita të hyja në xhepin e zemrës së flakëruar
Dritën në fundin e tunelit sy më sy e pamë
Apo qëllimisht deri në fund s’e kisha kërkuar.
Mbetën si maja të paprekura sa e sa kujtime.
Nën plafin mbuluar nga pluhuri i harresës së gjatë
Ndoshta për njëri-tjetrin s’ishim të lindur, o MIKE