Wednesday, November 30, 2016

Faton Krasniqi - Libri "Rrapi Arbëror" i poetit Ajet Shala

Krijimtaria letrare e Ajet Shalës lidhet me gjendjen historiko-kombëtare. Kjo dëshmohet në shkrimet e tij poetike dhe veprat letrare. Përmes poezive të tij, ai i bëri të pavdekshëm shumë, intelektualë, patriotë, trima, luftëtarë e vizionarë shqiptarë.
Nga vepra në vepër vërejmë elementë të rëndësishëm që shpeshherë na duken të ngjashëm, e shpeshherë diametralisht të kundërt, është stili krijues që na ka ofruar një qasje modelesh vargëzuese, është motivi i përbashkët i atyre që poeti iu shkroi vargëzime, është ngjashmëria motivuese  e personazheve në Rrapin Arbëror.
Të gjitha ngjarjet e sintagmatizuara nuk janë brenda tekstore, ato përmenden kalimthi si abstraksion që kërkon më përtej epilogët vendimtarë. Personazhet i takojnë reales, asaj që u pa, asaj që u dëgjua, asaj që iu këndua. Por, që u pragamatizuan nga pena e Ajet Shalës, si reflekse ndaj ngjarjeve që nuk duhet t`i mbulojë pluhuri i harresës.
Poetika e autorit është realisto-moderne e shkruar krejt natyrshëm, nga dëshira për ta kujtuar Rrapin Arbëror. Për ta kujtuar gjenezën, lindjen, plisin, lavdinë, hukamën, emrin, autoktoninë, Ilirikumin, atdheun. Krijimtaria letrare nuk njeh kufij kohorë, ajo bredh nga koha në kohë, siç bredh poezia e Ajet Shalës nëpër Gadishullin Ilirik, si pikënisje nga Kopiliqi e duke vazhduar në Skenderaj, Drenas, Prishtinë, Zabel, Çyqavicë, Çakor, Zhleb, Kullë, Rugovë, Ulqin, Gostivar, Prespë, Jon, Malësi e Madhe, Luginë e Preshevës, Prevezë, Devoll, Tivar, Janinë e Çamëri. Dhe kështu mendimet për ta hedhur të zezën mbi të bardhën, ia krijojnë ngjarjet që lanë mbresa të pashlyera në memorien e tij.
Shtresa aktuale e librit poetik Rrapi Arbëror është kujtesë historike, një copë lavdie e krenarie, një rikujtim i asaj  që mendjet arbërore nuk duhet harruar, por që duhet vlerësuar. Libri poetik  Rrapi Arbëror pasi të lexohet detyrimthi, të obligon ta rilexosh. Arsyet janë natyrale, janë temat, shenjat artistike, estetike, semantike, stilistike që e bëjnë Rrapin Arbëror që të zë vend meritor në arkivin e letrarësisë shqiptare. Motivet poetike i japin karakter, vlerë funksionale dhe kompozicionale, qoftë nga ana e stilemave dhe trajtformave poezisë së Ajet Shalës.
Struktura si sistem letrar i tekstit poetik është vlerësuese, me theks, intonacion dhe ritëm. Poetika e Ajet Shalës përçon dije nga historia, filozofia dhe letërsia. Gjuha poetike e Rrapit Arbëror është e ngarkuar emocionalisht dhe shpreh në njëfarë mënyre qëndrimin emocional të autorit, por më shumë e bënë kureshtar lexuesin, me plot kuptime të figurshme, ku rol të madh në këto ngjyrime figurative luajnë morfo-stilemat e fjalës. Pror, megjithëkëtë kjo ka të bëj me origjinalitetin tekstor dhe ideor të autorit; është natyra e tij e krijimeve poetike, ndjeshmëria dhe qasja serioze e temave në Rrapin Arbëror.
Po ta lexojmë me kujdes do të gjejmë stil të rrjedhshëm, origjinal dhe të ngjeshur. Variantin e dialektizmave mund ta konsiderojmë si kulturë e të shkruarit varg. Metafora nuk shprehet gjithmonë në krahasimin e plotë, ndjeshmëria e temave shkon përtej shkaqeve të krijimit artistik, e figuracioni në Rrapin Arbëror është diçka që zë vend meritor.
Në strukturën gjuhësore të Rrapit Arbëror vihen re zhvendosje të fjalëve nga kuptimet e zakonshme, nga kuptimi i parë duke marrë kuptimin e dytë, ndërsa ndërtimi sintaksor është më pak i shprehur.  Ky është guxim i këtij shkrimtari për të sjell në memoaret e historisë ngjarje të lavdisë nga fusha e letërsisë. Këto janë përpjekje madhështore për të na rikujtuar Rrapin Arbëror. Autori u mbështet në ngjarjet popullore duke krijuar artin letrar të poezisë, ngjarjet dhe motivet vijnë nga jeta arbërore, nga ato ngjarje që harresa nuk duhet t`i marrë kurrë mbas veti. Autor i shkroi me dashuri e pikëllim për ngjarjet e dhimbshme kombëtare, në poezitë e tij qartas vërehen copa ngjarjesh që i krijon me anë të tipareve të thella kombëtare. Diku – diku mund të shpreh mllefin e tij, dihamën e tij për diçka që është më shumë se sa individuale, por kolektive.
Brenda veprës Rrapi Arbëror janë shumë faktorë që do ta bëjnë të vlerësuar, janë fatet e një kombi, fatet e njeriut, fatet e njerëzve që i damkosi historia  me grushtin e saj të çeliktë, që poeti me forcën e tij krijuese, me një laps dhe një letër i dha kthesë historike duke ua rikujtuar diçka që ndoshta kishte filluar të harrohej.
Poezia i shkurton distancat kohore, ajo afron ngjarje, detyra  e saj e shenjtë arrihet kur poeti trajton tematikat e duhura, që gjejnë
mbështetje porsa të bien në duart e lexuesve pasionantë. Ne filluam vonë kultivimin e artit poetik, por Rrapi Arbëror sikur na thotë t`i kthemi të kaluarës sonë të lavdishme, ndoshta do të gjejmë diçka nga rrënjët e Rrapit Arbëror, ky komb megjithëkëtë rrugëtim historik, duhet t`i ketë trashëguar diçka nga poetika arbërore, sigurisht që po, dëshmia më e mirë është ky libër si një thesar i çmuar për arbëroret dhe për vetë letërsinë tonë kombëtare.
Në letërsi më së vështiri është që të përcaktohet dallimi midis gjuhës së përditshme dhe gjuhës së letërsisë, por përditshmëria jonë, ngjarjet XX shekullore po na  sjellin ndërmend historira të harruara që ne vetë po i bëjmë të tilla, në këtë rrugëtim Rrapi Arbëror sikur na kthen në gjenezën e ngjarjeve në Gadishullin Ilirik, duke na dhënë pak shpresë, duke na dhënë pak motiv për ta nxjerrë dhe vlerësuar të kaluarën tonë të lavdishme arbërore.  Kurse letërsia jonë përmes vargjeve të Rrapit Arbëror po ushqehet me vargëzime të vlefshme si për kulturë,  letërsinë  dhe po ashtu për historinë.


Namik Selmani - Filizët e bukur të shqiptarisë pranë trungut të një kombi


Mendime për librin poetik të Ajet Shalës “Rrapi arbëror”

Në këto 10 vjet të gjithë kemi parë përherë tek ky poet një dashuri të jashtëzakonshme për fjalën shqipe për atë fjalë që është bërë si jetë e dytë, të cilën ai e ka jetuar me veprat e tij. Sa shpejt kaluan këto vite krijimtarie për poetin Ajet Shala, për lexuesit e tij të shumtë në Kosovë, në Shqipëri e në mbarë trojet etnike!  Një jetë që nuk ka pasur vetëm lule, kujtime që duhen të derdhen në fjalë vargjesh, sfidash të fituara, në dritë ylberore, humanizëm të pashoq që rrallë mund te gjesh te mërgimtarët e shumtë të të gjithë trojeve etnike. Përherë kam parë atë ambicie të madhe për Fjalën e mençur tek ai, pa të cilën të paktën një poet, pa folur një njeri tjetër publik si një avokat,  një politikan, një klerik i çdo feje qoftë një mësues,   nuk mund  ta kryejë detyrën pa e pasur atë brenda vetes, brenda qenies, brenda frymës, brenda asaj që në letërsi të gjithë e quajnë ORIGJINALITET.
Përtej kësaj të vërtete, që tek Ajeti është po kaq e madhe sa tek poetët që dinë se ku të shkruajnë, dine se për kë të shkruajnë, kam pyetur vetën, mbase në heshtje edhe vetë atë, Ajetin: “A mos kam bërë ndonjë herë (Më fal, o Zot!) në mëkatin e një përsëritjeje të panevojshme  në gjykimin për poezinë e tij, për vargun e tij, pse jo edhe për tërë atë punë voluminoze, që pati jehonë të jashtëzakonshme në mbarë trojet etnike të dy antologjive me përmasa të mëdha   për dy dëshmorët e Kosovës 
Koha do ma gjykojë këtë  “mëkat”, por  nuk kam rënë në këtë grackë ku bien shpesh ata që jo saktë duan të thonë atë që ndiejnë. Sa herë që kam prekur magjinë e poezive të tij, jam prekur emocionalisht dhe kështu ka kaluar për mua testi i parë i një poezie që është i njëjtë në të gjithë kohërat e në të gjithë vendet. Jo, ai nuk ka vetëm filozofi në poezinë e tij, por ka dhe emocion, ka gjetje, ka detaje që të befasojnë. Në të dhjetë librat e tij, herë si lexues e herë si kritik letrar, pa folur edhe si bashkudhëtar në rrugën e  bukur dhe sfidante të krijimtarisë, kam parë tek poezia e tij një poezi që piqej e  piqet vazhdimisht pa prekur kurrë anticilësinë e saj artistike. Për fat të keq, poezia jonë sot, qoftë në Kosovë e qoftë në Shqipëri, është viktimë e një poezie monotone, e një poezie që jo gjithmonë ka ndjesi poeti, ka përkëdhelje të pakta fjalësh ka dritën e shpirtit  që shoh herë si ylber, herë si dritë, herë si rrëke drite te zemrat e lexuesve përherë tek poezia e Ajet Shalës kam parë risi. Dikur në vëllimet e para poetike kishte shumë jehonë betejash, kishte shumë heronj që ishin mbledhur në ODËN E VARGUT TË TIJ, si të ishin miq të një ideali kaq të madh sa vetë liria. Në poezinë e tij sheh të tjerë horizonte që njeriu qoftë edhe ai që nuk ka lexuar asnjë poezi kërkon që t’i prekë. I ngjan një qielli që ka shumë shtëllunga resh dhe ti e sheh atë lart, lart nga një dritarez e vogël avioni krahëçeliktë. Dhe në atë çast, nuk je thjesht lexues, por dhe një poet, një kreshnik qiejsh. Ajet Shala është një punëtor i madh i shkronjës shqipe. Është në lavërtar i papërtuar që nuk do të skuqet asnjëherë për mëkatin e një vargu pa ritëm, të  një vargu pa frymë shqiptarie. Është poeti që, pak nga pak, edhe në një vend të huaj nuk e braktisi fjalën e bukur shqipe. Dhe më thoni o miqtë e mi, më thoni, lexues të këtij libri të ri: ”A nuk është bukur a nuk është një heroizëm i dukshëm që të mbash të gjallë edhe atje larg fjalën e  bukur shqipe? Ai e kupton se ka ikur larg koha e krismave dhe ka ardhur shumë më tepër se më parë, koha e LIGJËRIMIT SHQIP.  Ai është nga ata poetë që si lavërtar i mirë nuk do të mbetet fytyrëskuquri, por është si një bujk që e di se si duhet të mbillet fara e mençurisë vargrore dhe kohën më të mirë se kur duhet ta hedhësh në fletë atë.  Po të shohësh me vëmendje tematikën e  vëllimit që po ua paraqesim lexuesve, ajo është më se e larmishme. Ajo është e gjerë, ashtu si dhe bota poetike e tij. Poeti Ajet Shala jeton dhe frymon me shpirtin e kombit kudo ku ai ka qelizat e tij të jetës. Një nga risitë e poezisë së tij është Poezia e portretit. Në të gjen mjaft figura të rëndësishme  të kulturës, të historisë, të miqve të tij që në secilin varg të tyre bëhen edh më jetësorë.  Kam parasysh në këtë grupim poezish tërë universin e vërtetë për një çast poezinë që ai ia ka kushtuar  patriotëve studiuesve dhe luftëtarëve për lirinë e Kosovës. Do të dallonim mes tyre  Mevlude  Saraçin.  Në këtë hulli poezia te ai ka gjetur mjaft mirë detajin poetik atë që e bën të veçantë një personazh historik nga tjetri. Dhe poezi të tilla jo vetëm të japin një informacion, por edhe të shpalosin  para teje, modele njerëzorë që ti, unë dhe të gjithë na duhet që t’i ndjekim kudo e kurdo.

Ti je gur i rëndë në Kullën e bukur të vendlindjes
Je Porta ku hyn vetëm begatia, ngrohtësia e mirësia.
Të falem, o fisnike, o fitimtare e pagabuar e çdo sfide
Tek ti merr dritë engjëllore e ardhmja, shqiptaria.

Ajeti e sheh natyrën e  Kosovës me shumë dashuri. Kudo ai ka një lumë Kosove brenda vetes, një mal, një betejë, një livadh, një kullë, një lahutë, një çifteli, një bunar. E thotë këtë bukur mirë edhe në poezinë “Mbrëmje në Lumbardh” ku të bën që të jesh edhe ti si lexues, pjesë e këtij karvani kohërash njerëzisht, vendesh

Lumëbardhi gjarpëronte e gërryente shkëmbinj 
Valët e trishta iknin në zbritje, gurët rrotullonin 
Xixëllonjat me dritë më përcillnin pa mbarim 
Në fushën e mbrëmjes hapat e mi dëgjonin.

Poezia e tij është shumë herë një DIALOG. Një dialog i prekshëm, emocionues me token, me dëshmorët, pse jo edhe me ata pseudopatriotë që  duan të shkelin mbi të vërtetat e Kosovës dhe të një historie që ka folur me gjak me krisma, me sakrifica. Tek poezia “ Një plis dhe” ai është kaq i drejtpërdrejtë.

Atdhe, merrma lotin kristalor si litar shiu 
Toka të më ndiejë dhimbjet gjer në palcë. 
Ti je ëndrra që nuk ma than asnjë erë veriu 
Ti je plisi që më del në ëndërr ditë e natë.

Diku pas thërrimes së dheut të tokës së tij, ai kërkon që kudo të jetë pjesë e saj. Sërish me dialog, me një dialog që shpesh të bën edhe të bashkuar me fatet e atdheut.

Toka ime, merrma lotin kristalor të tharë 
O dhimbje e thellë e futur deri në palcë 
Ti je ëndrra më e ëmbël që dikur kam parë 
Të lutem, një plis dhe sillma si dhuratë.

Poezia e tij është bërë më therëse kur kërkon që të trajtojë ato fenomene sociale që ka kombi ynë.

Thellë në damar jemi shqiptarë 
Zagarët le të lehin në fushë e në mal 
Dielli, hana sa të ndrijnë në pafundësi 
Do ketë vetëm një komb, një Shqipëri.

Përherë e ka trajtuar temën çame në vëllimet e mëparshme, por në këtë vëllim ai është bërë më i ndjeshëm. Është një hambar i vërtetë me figura letrare që të emocionojnë dhe të detyrojnë që ta rilexosh disa herë këtë poezi

Djepat rënkojnë për një ninullë të pafajshme 
Foshnjat t’i lidhin me pelenat e dhimbjes 
Nën gërmadha sofrat presin bukën e dasmave 
Rrugët presin karvane krushqish e valle çamërishte.

Në këtë univers të vërtetë kombëtar dua që ballaz të falënderoj këtë poet edhe për një poezi përkushtuese që ai ka vënë në vëllim për mua. Kemi kohë që punojmë së bashku kemi qenë në mjaft aktivitete së bashku dhe plaga çame na dhemb të dyve njëlloj. E vargje të tillë përkushtues si ato të bëra për mua vërtet që të rrisin obligimin për fjalën shqipe.

Tek fjala jote mësova të dua zogjtë e qiellit
Të dua Çamërinë që e kam plagë të patharë
Eja, miku im, të prekim bashkë rrezet e diellit
Të puthim tokën e gjyshërve në tokën e lashtë.

Ajet Shala a prej kohësh një moto poetike. Çdo poet ka një të tillë që bashkon si në një sofër ta madhe të stërmadhe me vargje, atë fjalë-diell që ndriçon poezinë e tij 
Këtë moto do ta gjeni te një poezi e kohëve të fundit për të bërë atë kurorë që ka dhe do të ketë në të ardhmen poezia e Ajet Shalës . Është një poezi që sikur bën garë me diellin Të bësh një garë të tillë, nuk do të thotë se je përherë fitimtar, por të gjithë duhet të përgëzojmë atë guxim krijues që e ka shoqëruar këtë poet, që nga libri i parë deri te i fundi. Me besën e madhe dhe të bukur që në këtë Rrap të moçëm arbëror përherë do të ketë filiz të fortë, të shëndetshëm që do i japin poezisë së Ajet Shalës jetë më shumë, emocion dhe do të plotësojë edhe më mirë atë botë të poezisë së Kosovës dhe të emigracionit që po bëhet më e forte, më profesioniste, më afër botës së emigrantit.

Gjithmonë do kërkoj, qoftë edhe në diell 
Pranverave të mia dua t’ua sjell aromën 
Qiellit të lirë dua kaltërsinë t’ua kthej 
Dua t’ia ndal gjëmën zemrës që në gjoks rënkon.

Si një kurorë për fjalën e pathënë, për poezinë që ka paraqitur Ajet Shala në këtë vëllim, do ta mbyllja me një ngjarje të bukur që ndodhi para pak kohësh, në një festë popullore mbarëkombëtare si ajo e Bytyçit që organizohet në të dielën e  fundit të  gushtit në Dajt.  Për ta bërë dhe më të bukur më mbresëlënëse, më garuese këtë Festë, u mendua që të bëhej dhe një konkurs poetik për PLISIN.  Një konkurs ku plisi i bardhe të dilte me tërë atë identitet që ka dhe që ia jep shqiptarit në çdo vend të botës. Bashkë me shumë poetë, gati 100, nga e gjithë bota shqiptare, edhe ne u paraqitëm në konkurs. Juria shumë profesioniste me një kryepoet tropojan si Hamit Aliaj ia dha atij Çmimin  e dytë në poezi dhe mua atë të parin për poemë. Sa u gëzova!.
Tash më duhet që ta uroj për librin më të ri “Rrapi Arbëror”.  Bukur. Një libër që na bën të duam poezinë, tokën lulet, shqiptarinë. Ky është misioni i poetit.


Ajet Shala - ERDOGAN, S’JAM VELLAI YT.Cikël poetik





ERDOGAN, S’JAM VELLAI YT

Erdogan s’jam vëllai yt, mos lëkund eshtrat shqiptare
Tokën pellazge të parët e tu ma mbushën me varre
Vëllezërit e mi flasin gjuhë perëndie, mbi kokë mbajmë plis
Disa shkojmë në kishë disa në xhami jemi një gjak e një fis.

Mbajmë mbi kokë qeleshe ilire, jemi gjak i Gjergj Kastriotit
Fes të zi si bajgë mbi kokë, mban ti, o bir i Stambollit
S'na lidhin doket, as gjaku, s'na lidh gjuha në Bosfor
S’ke ti flamurin kuq e zi dhe krenari shqiptari që më vlon.

RRAPI ARBËROR

(Poemë Atdheut)

Unë jam Rrapi Arbëror, kështjellë e lashtë plis Ilirie
Nga mermeri trimat zgjoj, me një valle shqiptarie.

Do t’i them zanave t`malit, të më japin pakëz gji
Të marr forcë t`mbroj pragun, t`mos më prekin më kufi.

Do thërras të vijë rrufeja, bashkë me trimat në Jutbinë
Bash aty në Lugje t’Verdha, prapë ta bëjmë Shqipërinë.

Do t`i them malit të gjerë, të më japë Syrin e Kaltër
Të shoh brigjet dritëlarë, që të shoh si lozin dallgët.

Në Labërinë bukuroshe, të shoh Jonin si buçet
Të puth tokën arbërore, në çdo fushë e në çdo shteg.

Do të ulem si fëmijë, të puth plisat të puth brazdën
Ja këtu do të rris lisat, ja këtu do të mbjell farën.

Do thërras Isën e Shotën e nga gjumi ta zgjoj fisin
Zgjoj Ademin n’ballë të odës, mos ma prekë kush kufirin.

Do thërras Adem Jasharin, t’këndoj Zhujën në frëngji
n`Kullë e në Zhleb ta mbroj vatanin, atëherë them “Bacë, u kry!

”Bëhem hënë të ndriçoj varre, me një gjëmë sjell tërmetet
Shëron pragu kore plage, zgjoj nga varri amanetet.

Porsi zog në majë bjeshke, kërkoj trimat me zë grykash
Rënkojnë tokat nga sllavi e greku zgjoj kohë me flakë tytash.

Do zgjoj vrik trimat nga malet, thërras burrat e Arbërisë
Zgjoj kreninë te toka Çame, prek simbolin e lavdisë.

Do marr Vallen e Rugovës, mbi Çakorr të bjerë tupani
Kur ngre telin brenda odës, shkëlqen plisi, tundet shalli.

Do kërkoj lavdi në kullë, hap pas hapi rrëzë Vardarit
Ilirida zgjoka pushkë, vjen mes nesh Xhemë Gostivari.

Do vallëzoj n`Malësi të Madhe, do hedh hapin drejt Luginës
Do zgjoj ditët flamurtare, si në kohë t’Hasan Prishtinës.

BAJRAM E PASHKË !!!

Ndër shekuj kami Bajram e Pashkë
Por festat i bëjmë gjithmonë bashkë.
Si feston ngrohtësisht vëllai me vëlla 
Armik i përbashket mbetet
Turku dhe greku me shkja.
Mijra vite tek ne është Kisha
Qindra vite është Xhamia
Jemi rrapi shekullor,
Flet kultura, lashtësia
Ku thonë bukës bukë edhe ujit ujë
Aty është SHQIPËRIA.


FESTA QË MË JEP TRISHTIM

Valojnë flamujt kuq e zi
Shqipëria shteti i ri.
Gjysma e tokës sonë të shtrenjtë
Përtej gardhit paska mbetë.

Lart mbi shkëmb e mbi çati
Vumë flamurin kuq e zi
Vetëm gjysma në liri
Mrekulli, oh, ç’mrekulli!!!!

Rrugë e sheshe po ndriçojnë
Po këndojnë e po vallëzojnë
Po na ngrin lulja në duar
Gjysma jonë e paftuar!!!!!!

Tash u bënë mbi 100 vjet
Shqipërinë e kemi shtet
Po na prenë trojet e gurrat
Na ndanë malet udhët, furra.

Një karvan me kuaj radhë
Nisin udhë flamurtarë
Tirq e plis e xhamamdan
Isa Begun sjellin pranë.

Burrë i urtë Ismail QemalI
Fjalë e tij si xixa zjarri
Isa Begu rri në gjunjë
Buzëprush po puth flamurë.

Historia datën gdhend.
Dëgjon bota një kuvend
Po në gjoks më vika klithma
A do zgjohet prapë dhimbja?

Dhe sa vjet do jetë gjymtimi
Barbaria, masakrimi?
Dhe sa vjet do të vajtojmë
Gjysma jonë kur do gëzojë?

Se nuk ka një festë për humbjen
Se askush s’e do përgjumjen
Festa jonë kopje Ballkani
Tragjedia rri pas gardhi.

Ah, të kisha krahë si flutur
Prangat-o për t’i këputur!
Jo, nuk dua sot të ndez qiri
Mbi një varr ku ka qetësi!

Do ta nis me Çamërinë
Do të mbërrij në Iliridë
Do të ndal te Mollë e Kuqe
Ku bajraku ndrin një Nuse.

Të mos mbesë në fyt, kafshata
Mos më vijnë netët e gjata
Do vazhdoj tej në Sanxhak
Në Malësi do ngrej barjak.


URA E BASHKIMIT

Nostalgjia më shprush hirin e virgjër të vatrës së nxirë
Si flamur i leckosur pirate valon në pirgun e fatit
Kur vargun nxora nga prushi i mallit të mërzisë
Streha e qerpikut të dhimbjes derdhet lot si pala e litarit.

Zjarri i ofshamës ndezi çdo qelizë të fisit tim
Ngulfat frymën e gjaku muret e aortës i grushtoi
Si kalorës i vonuar eci mbi ëndrrat në shkrumbim
Si një pagan i vogël perëndive llogari i kërkoi.

Asnjë tempull të shenjtë s’e rrënova me dorë
Në të njëjtën kohë asnjëherë zotrat si gjuajta me gur
Me shpirtrat e fjetur në qiellin e qetë kuvendoj
Për brigjet e ndara kur do lidhen me urë.

TINGUJT E ZEMRËS

Në fushën e mbrëmjes flinë qetësia
Nëpër qiejt e virgjër yjet bëjnë roje
Dëgjoi zërat e flokëve mes pëllëmbës
Si gjethet e barit kur i lëkundë stuhia.

Në ty është mbyllur rob fjala magjike
Ajo është zhuritur si dy buzët e tharë
Mbyllur i mbani dhe tingujt e zemrës
Rënkojnë me lot për fjalën e pa thënë.

Tingujt e zemrës kërkojnë urë bashkimi
Kërkojnë shtigje drite për hapin e parë
Presin të akordohen në një tel violine
Melodi shpirti dashurisë për ti dhënë.


SHKEL MBI ËNDRRAT E VDEKURA

Prushi i mallit për ty vitet m’i treti
Dua të shkel sot mbi ëndrrat e vdekura
Në skenën e tyre më shfaqet Hamleti 
E unë si aktor i tragjedive të paprekura.

Luajta monolog për fatzinjtë në dashuri
Më duar një krodhë shtrëngova fort
U nguta për rrugë e lashë një porosi
Në hapa e njoha vdekjen e ftohtë.

Unë tani po vdes vetë nga zjarr i shpirtit
Zemra në gjoks është bërë si zgërbonjë
Sytë e hapur ju lutem, mos m’i mbyllni
Fjalën e pathënë e të ëmbël dua t’ia lexoj.


NJË PLIS DHE Atdhe, merrma lotin kristalor si litar shiu Toka të më ndiejë dhimbjet gjer në palcë. Ti je ëndrra që nuk ma than asnjë erë veriu Ti je plisi që më del në ëndërr ditë e natë. Toka ime, merrma lotin kristalor të tharë O dhimbje e thellë e futur deri në palcë Ti je ëndrra më e ëmbël që dikur kam parë Të lutem, një plis dhe sillma si dhuratë.





DIALOG ME TOKËN Pse vajton, o toka ime? Të rrjedh loti si ujëvarë Shkove vite robërie Të gjakosën shumë barbarë S’të kam parë kaq shumë lot Nënë çizmet e barbarit Në shkëmbinj kërkove forcë Për të marrë rrugën e malit. Ta shkallmoi urrejtja gjoksin Asnjë çast nuk të rrëzuan Nuk ta panë në sy lotin Kur oxhakun të shkrumbuan Ti je tokë që mposht sulltanë Të krekosur shpatë më shpatë Biri yt fisnik i rrallë E shpërbleu me jatagan. Këtu Muratit ia bëre gropën. Në një shekull aq të largët Dridhe mbarë Kostandinopojën Trimërisë i dhe flatrën. Të kujtohet Skënderbeu Luftë të madhe me lavdi U drodh qielli, u drodh dheu Gur më gur në Shqipëri. Për atë plis si borë e malit Bëre be që s’e kall koha Bishë e rëndë e otomanit Në këta gryka u faroka. Njëqind vjet veshët t’i gërryen Shkarravina, çirilishtja shamatore Shumë carë e krajla u thyen Në gremina i përcolle. Ta bënë udhën tërë gjak Por ti s’u ndale kurrë Bëri besë me bajrak Djalëria në furtunë. Fol, o tokë, o dhe fisnik Ç`ke, moj që rënkon prej vitesh? Po derdh lot dhe në liri Unë të flas e ti s’përgjigjesh Trishtim sjell kjo grykë dheu Jehon bjeshka cep më cep Rënkon sot i tanë Atdheu Palcë plage po ndien thellë. Ca zagarë (anal-istë) Shpikën kombin kosovar Një Halil e Negjmedin E dojkan n`dysh kombin shqiptar. Thellë në damar jemi shqiptarë Zagarët le të lehin në fushë e në mal Dielli, hana sa të ndrijnë në pafundësi Do ketë vetëm një komb, një Shqipëri.

NATË SHQIPTARE Dielli zhytet brenda moluskut të tij të zjarrtë Për ta bërë një sy gjumë e për të na takuar sërish Bie nata me fushën e sapokorrur të errësirës së paqtë Nën çatinë e qiellit qytete e fshatrat e bleruara. Me krahët e brishtë futen në fole zogjtë Të gjithë ne biem të flemë shtretërve të butë Vetëm flamujt mbi mermer lirie rrinë në rojë. Pa harruar fluturimin shqiponja na rri në sup. Është qetësi mbrëmësore në fushën e mbjell Dëgjohen vetëm tingujt e butë të palëve të flamurit Gjethet e verdha nisin të mbulojnë barin në vjeshtë Ne presim zërat e agimit kur nis vikama e burrit. Shkëlqen shkronja shqipe në murin e lavdisë Presin shiun të bjerë që të freskojë petalet Presin rrezet e agimit shkabën dykrenare të marrë dritë.
Presin djemtë e udhës së largët nënat tek pragjet. O natë shqiptare e mbushur me ëndrra, me dëshira O natë shqiptare që e do ditën më shpejt që të vijë Jepu njerëzve vrull, mentari dhe forcë të madhe! Të ecin në udhë e kurrë të mos ndjejnë trishtim.


DIALOG ME DOGANIERIN Të gjitha bulevardet metropolitane I kam prekur Lidheshin me mija kilometra Me asfalt e me drita Të gjitha ato rrugët Prapë më sjellin të vendlindja edhe më të etur Tek balta e ëmbël me gurët e sokakut Që i preku këmba e njomë zbathur. Tek dogana lumturohem: Ku me flasin me gjuhën e nënës, Aty shkruan me të madhe “MIRË SE VINI NË ATDHE!” Më pyesin, - A keni për të deklaruar mall? - Po, - Kam sjellë librat e mi, i kam në bagazh. - Hapeni, ju lutem U zgjas librin “Bisedë me atdheun” Për çudi Disa shkronja të mëdha më bien në tokë Besomë ti atdhe je dashuria e çdo kokrrize dheu Lëmë Të bie në gjunjë e të puth si baca Isë dikur flamurin U ngrita nga toka E librin ja dhashë doganierit Atij loti i rrodhi ja rëndoi qerpikun Buzëdridhur më tha: Ju dëshiroj pushim të këndshëm Në atdhe vëlla. Me dorën dalë nga gjiri, më dha një flamur me shkabë, kuq e zi. Unë veç isha i përlotur Që nga këmba aty kur më shkeli E përshëndeta me dorën në zemër “TË NA RROJË NËNA SHQIPËRI!”


NË KRAHËT E ËNDRRËS PASHË ATDHEUN I E pashë diellin të zhytej në gjumë si një ari përtej maleve Nata pellgun e errësirës e mbuloi me plafin e zi Mua pa më pyetur ëndrra më hodhi mes valëve Të ngjitja një shkallë magjike, në një tjetër lartësi. II U ula që me draprin e hënës të kap veshët e zgjatur Yjet e vegjël i mora sytë që të më shkëlqenin rrugën Arrita të shoh e dëgjoj atdheun më shpirtin e plasur Të nis një këngë dhe në terrin që më fshihte ujin dhe bukën. III Pashë miliona plisa të shkëlqejnë mbi ballët e në kokë Me qiellin e lirë dukeshin si çati të bardha mbi male. Ndriçonin ngjashëm si yjet në qiellin kaltëror Atje qëndronin mbështetur në lisat e mbi palë ujëvare. IV Pashë kullat e tymosura e të çara nga predhat Si çlirimtarët e rinj preka mermerin e pashë shandanët e lirisë. Bënin roje me flamur në dorë më flamurin që ngrihen në shkrepa, Lexova dhe alfabetin me gjuhën e tokës dhe me fjalën e perëndisë. V Pashë plagët e kuqe në shtatin e atdheut që lëngonte Si shkëmb i cunguar i vuajtjeve tragjike nëpër vite. Hirin e fatit po e prisnin kirurgët barbarë të natës pa fund. Ja shkëputën gjymtyrët dhe e shpërndanë në Ballkanit plot trazime. VI Ahh, dëgjoja ofshamat e bjeshkëve me trarë doganash E dëgjoja rënkimet e Lugjeve të Verdha në Jutbinë Eshtrat fosile kreshnikëve të Arbërisë po i banin piskamën e gjamës. E unë, u ngulfata sa me zor merrja frymë në gjoksin e mpirë. VII Ecja me hapat e pafuqishëm prej mërzisë, Shkelja mbi ëndrrat e vjetra e të reja të atdheut Si një apostull i lashtë përpiqesha ta lexoja heshtjen tonë mistike Duke ecur në natën e shpirtrave të djegur në zjarr. VIII Qerpikët e dhimbjes dridheshin nga malli e dhimbja e plagëve Si një sonambul hapëroja kuturu nëpër pluhurin e gjithësisë U përshpërisja në veshin e yjeve drejt udhës së jetës vdekatare U bënë vëllamër me dhimbjen time të shkaktuar prej ligësisë. IX Ah, ç’ndodhte atje, në pellgun e Bosforit të mallkuar Pashë miliona vëllezër e motra në shkretëtira në Anadoll I kishte mbuluar plafi me pluhurin e harresës, Mokra u kishte bluar fatin që e vendoste kordha e ftohtë. X Ah atje kërkoja diku ata krahë zgalemi të fortë Për të ardhur furishëm në valët e Drinit të Bardhë si lajmëtar. Për t’u këndellur nga ëndrrat e vrara e të nxehtë Që fatin ua ka mbuluar hiri shekullor viteve me radhë. XI Dua të dehesha me zërat e blertë të gjetheve të ullirit Në Janinë e deri në Prevezë do këndoja këngën e lashtë Do gjurmoja pragjeve që më kujtojnë brengën e rrënimit Do prek thëngjillin e djepeve me ninullat e pakënduara me tingujt zjarr. XII Me një eho çame do zgjoja amanetet mbi qerpikët e dhimbjes Aty kishte shkelur Hamleti për të na thënë të tjera fjalë si burim Prapë si zgalem u ngjita për të shkuar andej ku kishte rreze drite Mbi bukuritë e blerta plot aromë Iliride ndeza qirinj. XIII E prita duart e lamtumirës nga çërgashët e Detit të Zi Që dikur erdhën si rrogëtarët e u bën sundimtarë në Iliridë. Me një eho majekrahu thirra Xhemë Gostivarin atë trim, Vetëm edhe një herë t’ia dëgjoj krismën kobures së tij. XIV Rrufeshëm fillova të mbledh lulet e të gjitha fushave Që flisnin me gjuhën e tokës, me kodet e panjohur. E i hodha si mesazh shprese në Drinin e Bardhë e Drinit të Zi Petalet bukurinë ia shtuan dy lumenjve e i dhanë aromën e bashkimit në Shqipëri. XV Ahh, ëndërr, o ëndërr. kur do zgjohemi nga gjumi që na ka marrë. E bashkërisht ta festojmë ribashkimin. në teatrin më të vjetër të Gadishullit të lashtë në Dodonë. Me një flamur, Me një gjuhë E vetëm në një Shqipëri të bardhë.


NË KRAHËT E ËNDRRËS PASHË ATDHEUN I E pashë diellin të zhytej në gjumë si një ari përtej maleve Nata pellgun e errësirës e mbuloi me plafin e zi Mua pa më pyetur ëndrra më hodhi mes valëve Të ngjitja një shkallë magjike, në një tjetër lartësi. II U ula që me draprin e hënës të kap veshët e zgjatur Yjet e vegjël i mora sytë që të më shkëlqenin rrugën Arrita të shoh e dëgjoj atdheun më shpirtin e plasur Të nis një këngë dhe në terrin që më fshihte ujin dhe bukën. III Pashë miliona plisa të shkëlqejnë mbi ballët e në kokë Me qiellin e lirë dukeshin si çati të bardha mbi male. Ndriçonin ngjashëm si yjet në qiellin kaltëror Atje qëndronin mbështetur në lisat e mbi palë ujëvare. IV Pashë kullat e tymosura e të çara nga predhat Si çlirimtarët e rinj preka mermerin e pashë shandanët e lirisë. Bënin roje me flamur në dorë më flamurin që ngrihen në shkrepa, Lexova dhe alfabetin me gjuhën e tokës dhe me fjalën e perëndisë. V Pashë plagët e kuqe në shtatin e atdheut që lëngonte Si shkëmb i cunguar i vuajtjeve tragjike nëpër vite. Hirin e fatit po e prisnin kirurgët barbarë të natës pa fund. Ja shkëputën gjymtyrët dhe e shpërndanë në Ballkanit plot trazime. VI Ahh, dëgjoja ofshamat e bjeshkëve me trarë doganash E dëgjoja rënkimet e Lugjeve të Verdha në Jutbinë Eshtrat fosile kreshnikëve të Arbërisë po i banin piskamën e gjamës. E unë, u ngulfata sa me zor merrja frymë në gjoksin e mpirë. VII Ecja me hapat e pafuqishëm prej mërzisë, Shkelja mbi ëndrrat e vjetra e të reja të atdheut Si një apostull i lashtë përpiqesha ta lexoja heshtjen tonë mistike Duke ecur në natën e shpirtrave të djegur në zjarr. VIII Qerpikët e dhimbjes dridheshin nga malli e dhimbja e plagëve Si një sonambul hapëroja kuturu nëpër pluhurin e gjithësisë U përshpërisja në veshin e yjeve drejt udhës së jetës vdekatare U bënë vëllamër me dhimbjen time të shkaktuar prej ligësisë. IX Ah, ç’ndodhte atje, në pellgun e Bosforit të mallkuar Pashë miliona vëllezër e motra në shkretëtira në Anadoll I kishte mbuluar plafi me pluhurin e harresës, Mokra u kishte bluar fatin që e vendoste kordha e ftohtë. X Ah atje kërkoja diku ata krahë zgalemi të fortë Për të ardhur furishëm në valët e Drinit të Bardhë si lajmëtar. Për t’u këndellur nga ëndrrat e vrara e të nxehtë Që fatin ua ka mbuluar hiri shekullor viteve me radhë. XI Dua të dehesha me zërat e blertë të gjetheve të ullirit Në Janinë e deri në Prevezë do këndoja këngën e lashtë Do gjurmoja pragjeve që më kujtojnë brengën e rrënimit Do prek thëngjillin e djepeve me ninullat e pakënduara me tingujt zjarr. XII Me një eho çame do zgjoja amanetet mbi qerpikët e dhimbjes Aty kishte shkelur Hamleti për të na thënë të tjera fjalë si burim Prapë si zgalem u ngjita për të shkuar andej ku kishte rreze drite Mbi bukuritë e blerta plot aromë Iliride ndeza qirinj. XIII E prita duart e lamtumirës nga çërgashët e Detit të Zi Që dikur erdhën si rrogëtarët e u bën sundimtarë në Iliridë. Me një eho majekrahu thirra Xhemë Gostivarin atë trim, Vetëm edhe një herë t’ia dëgjoj krismën kobures së tij. XIV Rrufeshëm fillova të mbledh lulet e të gjitha fushave Që flisnin me gjuhën e tokës, me kodet e panjohur. E i hodha si mesazh shprese në Drinin e Bardhë e Drinit të Zi Petalet bukurinë ia shtuan dy lumenjve e i dhanë aromën e bashkimit në Shqipëri. XV Ahh, ëndërr, o ëndërr. kur do zgjohemi nga gjumi që na ka marrë. E bashkërisht ta festojmë ribashkimin. në teatrin më të vjetër të Gadishullit të lashtë në Dodonë. Me një flamur, Me një gjuhë E vetëm në një Shqipëri të bardhë. TY ATDHE Loti i derdhur për ty, atdhe, u bë lumë. Mes syve ngrita digë si drapri i hënës E ktheva vajin në energji shpirti, Për të shëruar plagët e pambaruara të zemrës. Ah atdhe-atdhe, dhimbje e plagëve të mia.

Tuesday, November 29, 2016

Fahri Xharra - Mercenarët e dreqit të mallkuar!


Emri mercenarë i pershkruan nga prejardhja të gjithë ata që afrojnë ndonjë shërbim ne kundërshpërblim- pagesë. Mercenarius nga latinishtja, rrjedhë nga fjala merces – rrogë, pagë, pagesë. Një mercenar është një luftëtar i huaj në një konflifkt të huaj; ”i rekruatuar në shtetet e huaja” dhe i cili “merr pjesë drejtpërdrejtë në një armiqësi”. Ky lyftëtar duhet të ketë “përparësitë vehtjake” që të merr pjesë ne atë konflikt apo atë luftë duke qenë “shumë mirë i paguar, bile shumë më mirë“ se sa të obliguarit e asaj lufte apo konflikti.
Një mercenar është një luftëtar i zanatit të luftës i rekrutuar me para nga një Shtet, një ndërmarrje apo ndonjë lëvizje politike në mënyrë të ligjëshme apo jo, jashtë sistemit të rregullt të ndonjë vendi (Qejt e luftës. The Dogs of War, 1974, Frederic Forsyth).
Po, për kend? Po, për çka? Për cilin atdhe?
Përditë e më tepër po jemi dëshmitarë të një dukurie e cila na bën që si komb të jemi më largë botës së civilizuar. Jo pse ata na largojnë, por ne po ia kërkojmë vehtës këtë largim nga e vërteta pa të drejtë ankese dhe pa të drejtë arsyetimi ndaj brezave që do të vijnë.
“Shërbimi i mercënarëve në përgjithësi kërkon njerëz të aftë qoft për një operacion ushtarak dhe për një kohëgjatësi të kufizuar, qoft për një tip të shërbimit të specializuar. Kohëzgjatja e angazhimit është e karakterit të përkohëshem ose të përjetëshëm.”
Pse jemi aq të lehtë, që aq lehtë të rekrutohemi ? Për kend? Kush po na rekruton?
Ç`farë lakmije e dreqit të mallkuar, na shtyen që të lidhemi më forcat më të errëta e më të urrejtura të botës? Ku janë fajet?
Duhet të dihet një gjë. Krejt propaganda fetare është në duart e Sërbisë.Të vetëdijshëm apo jo, me para apo pa to, të gjithë jemi në kurthën e atyre që të ardhmen tonë e shohin ndryshe e jo ashtu se si e duam ne. Ne vetëm jemi duke i shkuar mbrapa një të pa pritureje e cila do të na kushtojë shumë shtrenjtë. Brezat kanë për të na mallkuar.
Më 8 Korrik 1977, Konventa e Gjenevës ratifikoi definicionin (përkufizimin ) e një mercenari (neni 47).:
- Mercenari nuk e ka te drejtën e një luftëtari apo të të burgosuri të luftës.
-Është posaqërisht i rekrutuar për një luftë të caktuar për të luftuar në një konflikt të armatosur.
-Në të vërtetë merr pjesë drepërdrejt në një armiqësi.
- Mercenari merr pjesë ne një armiqësi për të përfituar shumë nga ajo që iu është premtuar nga një shtet, parti apo grupacion.
- Mercenari nuk është pjestarë i atij grupi apo atij shteti, i cili e dërgon në një mission të “ rëndësishëm “ të të ashtuquajturit Shtet.
Përgjithësisht termi mercenar e ka një konotacion te shumë negativ përshkak se motivimi për këtë mënyrë të luftës për të huaj e nxitë paraja. Të jesh mercenar duhet të jesh edhe nga zemra i prishur. Vrasës. Në rastin tonë vrasës i ardhmërisë sonë.
Mercenaret janë vegla për kompletimin e një kauze të huaj. Kjo kauzë, kauzë e mercenarëve tonë, që aspak nuk është në nderin e kombit e as të familjës së tyre e as të atyre që janë kyqur në te, nuk është rastësi., për këtë janë bërë përgaditjet që moti.
Është dijtur se lufta do të fitohet, është ditur se Kosova do të jetë e pavarur., e mu për këtë kanë pas filluar përgatitjet nga ana e humbësit ( në bashkëpunim me dashamirët tonë që na njofin shumë mirë) që luftën tonë, heret a vonë t`a qesin në errësirë ; herët a vonë ta njollosin me njollat më të shëmtuara, dhe këtë shkatërrim të mundit tonë qindra vjeqar, dhe ndihmës historike të botës së civilizuar të bëjnë me njerëzit tonë. Po, po me nerzit tanë.
Ku janë intelektualët që nuk flasin? Pse janë pseudointelektualët (intelektualët e rrejshëm) aq të zëshëm në mohimin e çdo gjëje që vlenë? Vallë, çfarë lloji i mbinjeriut janë ata që kënaqën duke na ngrehur zvarrë në errësirën e ë së kaluarës tragjike?
Mercenar është edhe ai që me shkrimet e tija, paraqitjet e tija publike dhe me mendësinë e tij lufton për kauzën e tjetërkujt. Ai merr pjesë në një armiqësi, për të përfituar më shumë materialisht. Heu mos kofshin!
Kush po i ndjellë këta mercenarë të së keqës që t`i qesin hije të keqe e të pashlyeshme tërë kombit? Kushkrekoset me shkrimet e tija duke ne ndarë identitetin tonë? Kush njollosë figurat e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Nënës Tereze vetëm e vetëm të njollosë kombin, historinë, të arrijturat dhe me e keqja të na lër pa ardhmëri.?
Të dalish në anën e kurrkujt për një grusht parash, apo nga një infekciom patogjen i shpërlarjës së trurit, i përngjanë mercenarit të hapësirës (film i vizatuar), me dëshirë e i bindur në agjësimin e Planetit X diku largë në Galaktikën e Don Kishotit.
Mercenarët (henchmen) janë vegla të pa vlera, që nuk i dhimsen as dreqit, e që shërbejnë vetëm për të kryer detyrën e dhënë, e pastaj nëse mbijetojnë mbyten nga vetë paguesi. Ata kanë uniformë të cilën duhen bartur, ata kanë ide qe shkonë përtej shprtit të predikuar nga vetë zoti i tyre.


12.01.2012

Monday, November 28, 2016

Hile Lushaku - Shitësi i qumështit


Shiu i mëngjesit të 104 vjetorit të pavarësisë, në rrugën “Don Bosko” krijoi “hurdhat” e përhershme. Në ritualin tim të përditshëm, edhe pse shiu ishte litar, nuk e ndërpreva “gjimnastikën” e mëngjesit, edhe sot, atyre trotuareve, që meritojnë t’u thuhet “mashalla”, me rirregullimin që u bëri Bashkia. Çdo agim dite takon aty fshatar që tregtojnë produkte bio. Këtë të hënë, pushim feste, atij “pazari” i ishte bashkuar edhe një fëmijë rreth 10 vjeçar, i cili po rrinte në këmbë, si statujë, pranë disa shisheve qumështi dhe një dorë gjethe presh, shtruar në një plasmas. Befas, aty pranë, kaloi rrufeshëm një makinë luksoze, ngjyrë e zezë, që hodhi si shatërvan ujin e ndotur të rrugës mbi trupin e fëmijës së brishtë dhe produktet e pakta të tij. E “fotografova” në shpirt dhimbjen e tij të brendshme, teksa puliti sytë, u shtrembërua në fytyrën e njomë, rrudhosi mjekrën e vogël dhe lotët i shpëlanë baltën që i hodhi ai hori i luksit. Nuk e di nëse ai “hamshor i hazdisur makinash” ishte prind, mbase ishte dhe fëmijët e tij “lodronin” në ëndrrat e mëngjesit, por sot ai i pashpirt, i la në zemër, atij fëmijës së fshatit, një “vragë” me shumë dhimbje. Mornica më përshkuan trupin prej asaj pamje migjeniane dhe ndjenjës së pafuqishmërisë për të ndrequr “një tullë” në këtë karabina horash. Jo shumë kohë më parë, një mesnatë, një i “pafre” aty afër, e hodhi në ajër një të pafat dhe dërgoi në botën tjetër.

Prend Buzhala - DISA KUNDRIME FESTIVE


1.
Aty, në rrëfanën e Flamurit, lidhen edhe kryemra shqiptarë, që nga Skënderbeu, Dedë Gjo Luli, Ismail Qemali, Nikollë Kaçorri... e deri te Adem Jashari! Ai mbetet ende ideal kryeshqiptar: për bashkim, qytetërim, civilizim europerëndimor.
Rrënjët shqiptare nuk janë në Turqi, por në identitetin europerëndimor. Perandoria otomane për pesë shekuj rresht kishte bërë përpjekje që ta shuajë kujtesën për Flamurin e Skënderbeut, si thuhej atëbotë. Kishte lëshuar dekrete mallkimesh e dënimesh drakonike kundër flamurit kombëtar arbëror­shqiptar,. Kishte lëshuar dekrete me dënime të rënda po qe se dikush mbante në kujtesë a në këngë emrin e Skënderbeut. Por kujtesa popullore doli më e fortë se një perandori. Dekada e parë e shk XX ringjalli shpresën për liri. Dhe kjo ringjallje ndërlidhet me emrin e Dedë Gjo Lulit e në luftërat e tij çlirimtare kundër Turqisë. Për një shekull rresht, nën pushtimin serb, shqiptarët u burgosën, madje edhe u vranë e u dëbuan nga trojet e tyre etnike, vetëm pse e festonin dhe e donin Flamurin kombëtar.
2.
Nëse në Iliri kishte përmbajtjen e kohës antike, në atë të Skënderbeut të epokës që e krijoi, tek vargjet e Nolit shqiptohet përmbajtja e re historike:
Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn' e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.
Kurse Gjergj Fishta këndonte:
Mbi njatë Flamur Perendija
Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:
“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;
Kush ua prekë, ai kjoftë mallkue!”
3.
(Sipas BOTAPRESS: 

"Në Prizren krah flamurit shqiptar edhe ai turk, qytetarët të pakënaqur."
Nuk dihet se a është lëkundur Turqia nga qëndrimet e saj kundër historisë kombëtare shqiptare, kundër PËRMEDORES SË SKËNDERBUET e kundër FLAMURIT TË SKËNDERBEUT.)
4.
Ta braktisësh KËTË FLAMUR E EMRIN E SKËNDERBEUT, do të thotë t'i legjitimosh të gjitha copëtimet e copëzimet shqiptare...
Flamuri është Kryeshenjë e identitetit shqiptar.
Është Kthimi gjithmonë te burimi, tek rrënjët...

Kujtim Stojku - FLAMURI YNË



Nga libri "JEHONAT E ZERIT TIM"

Flamur ynë nuk është thjeshtë një copë beze e ngjyrosur,
Ai është simboli i çdo sakrifice, kur martirët vdiqën si me le.
Dhe kur ishin duke dhënë për të fundit herë shpirtin e pasosur,
Amanet linin të valëvitej flamuri i kuq me shqipen dykrenore.

E tash kur valëvitet si dallgë e kuqe, në drejtim të qiellit
Dëshmitar’ i mijëra ëndrrave dhe i sakrificave, shekullore
Si në Torvioll kur valëvitej i njomur me gjak, para Gjergjit
Na behet zemra mal nga krenaria për bijtë e tokës arbërore.

Dëshmitar’ i gjallë, i bubullimave e thirrjeve të luftëtarëve
Që për ty flamur përqafonin çdo lloj vdekjeje, pa ngurrim,
Sot valëvitesh në qiell, simbol madhështor i gjithë shqiptarëve,
Valëvitesh krenar, me shqipen e zezë dykrenore të kombit tim.

Shqipja është zog i bekuar prej Zotit, që premton të ardhmen,
Se vetëm nën këtë flamur shpaloset forca vitale e kombit,
Se kjo ngjyrë është gjaku dhe jeta, që përballon të tashmen,
Kur ne lindim e vdesim me këtë flamur të pavdekshëm tonin.

Musa Jopulli: - Testamenti Nëntorët Shqiptar


Legjendë Arbërie
Legjenda e Arbërit
Të përktheva me muzikë
Të këndova me zë të mbrendshëm
Himnin ma ndaluan
*Tradita e kërkon
Para gjykimit të fundit
Një kapitull të Ri
*Ta njoh aromën
Flakën e Profetës
Për tokën Hyjnore
*Nuk më lejuan ta përshkruaj dashurinë
PENËN E MBUSHA ME NGJYRËN E GJAKUT TIM
NË MUNGESË TË FLETËVE PËRDORA TRUPIN TIM
*Je më e bukura e historisë
Romanin mund ta shkruaj vetëm unë
Të kaluarën lidhore e sotme
*Trupi yt nget imagjinatën tim
Shpirti yt ndjen të rrahurat e zemrës sime
Butësia ime u duk në shikimn tënd
Dashuri e dhimbje
Gëzim e hidhërim
Është gota ime
*Legjendë Arbërie
Sot u tubuam
Dhjetëmilion atdhetarë
Në filharmoni
Një lot
Një buzëqeshje
Një plagë
Një përkdhelje
Në takim me zdeshën
Për herë të parë panë trpin tim
Në sy të gjithë kësaj bote
Lexuan gramatikën, gjeografinë
Dashuri shkruar si në Dhjatë
Shkrimi fillonte
Me mjalt' e rrush
Ushqyer t' partë e mi
Shqiponja në venerim
Kur hapën trupin tim
Gjetën anijën n' udhëtim
Me Penën e vjetër
Gjithë Historinë e Atdheut tim
Germadhat e arkitekturës
Nga shekull i lindjës
Dhjetëmilion faqe të shkruara për sot
Anije që mbante emrin
SHQIPONJA
*Libri im poemë-Od'
Stilizmi i literaturës shqiptare
Një dhimbje e madhe
Poet e shkrimtar
Plagët i sheroj një nga një
Me gramatikën time JAM
Folje që udhëton
N' Mal e n' Det
Testament
Dy epigrafe të shkruara
U lexuan me zë të lartë
N' Gjuhë çame
Nga një vashë e bukur dardane
1*Atdhé e Dashuri
2*Gjuhë e FLAMUR
___
Urime Festa e Madhe
Besimit shqiptar

Saturday, November 26, 2016

Prend Buzhala - NGA PASKAJORI TE PJESORI


(Çaste shkrimi; tregime me pak fjalë IV), 56

Kam mësuar: për ta qetësuar detin, ti duhet të biesh nga lart mbi ujë. Po qe se rrëzohesh, pas një dallge shqetësimesh, ti e qetëson brendinë tënde. 
Mbaj mend të më ketë thënë para do kohësh ai Plaku i Urtë:
"Megjithatë, të duhet të mësosh se si ta hedhësh gurin për të krijuar rrathë në ujët e qetë.”
Sot nuk u takova me të.
1.
Rreth meje u krijuan rrathët e ndritshëm. Rrathë vizionesh. Nëpër rrathë mu vërsul një mendim, si një gur që trazonte dritën. Mendimi vërtitej si gur në hapësirë. Fluturonte nëpër hapësirë. E vëreja nëpër terratinat e pafund se si sillej e rrotullohej, mi lëbyrte sytë kur vërtitej nëpër terrratinat e dritës...
Shëno: nëse “dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës”, si thuhet te Zanafilla 1,2, atëherë ku ishte drita. Një tekstshkrues pyeti: kush ishte krijues i errësirës? Si ndahet drita nga terri, si ndahet dita nga nata?
Shëno, sipas atij tekstshkruesit që ia kushtoi një libër të tërë dritëhijes, hijedritës: dhe çka ekzistonte përpara errësirës?
Punë për bibliologët dhe për fizikanët... Fizikanët mund të na e shpjegojnë thyerjen e dritës, dritën e thyer... që buruaka nga errësira!
Aty diku, qëndron Pavetori, Paskajori, I Tejetlarti... Infiniti... Në Infinit ishin, së bashku Errësirë e Dritë, Adam e Evë...
Këndej prej nesh sillet Evolucionisti, Dytëshori i Krijuesit... Pjesori.
2.
Më përfshinë përpara fibra të panumërta drite. Kisha kaluar në Zonën e Paskajores. Aty ku Pjesorja e kishte kryer punën e vet të ndarjeve... Një tjetër nivel i vetëdijes më dëboi së andejmi.
U përplasa si një gur në rrathët e jetës së përditshme...

Musa Jopulli - Gani AZEMIT


(In memoriam)
Gani Azemi !
T' errët sytë i kam
mundohem letër të shkruaj
nuk e di
gjë s' kuptoj
lajmi n' ikje
n' botën tjetër
më ndau
një pjesë të shpirtit tim
Vëlla Atdheu
Sofra ime
Sofra jote
pa ideologji
n' ideal ishim n' Bashkim
t' Atdheut tonë !
Vëlla i idealit
Rugova ishte
me ne
1990 vetë na tha
Ambasadorët e parë të Dardanisë
E ndjenim krenari
nata na bëhej ditë
dita na bëhej natë
nga takimi në tubim
shkallëve ngjitur
n' Presidenca
e n' Parlamente
Dardanisë më i ardhë në ndihmë !
Pusho vëlla
NËNTORI I MADH
do të jetë në kujtim
edhe për TY !

Thursday, November 24, 2016

Musa JUPOLLI - Jam ËSHTË



( Kushtuar Poetit që të gjithë e njihni )
mos ke frikë as dyshim
me libër nuk je i humbur
28 tregimet e shkruara
t' hapin rrugë udhëtimi
të shkruara në tri kohë
që mbetën kohë të shkuara
epilogu i të dhënave
n' histori
të viteve
të shekujve
të luftërave
tregime të ndara
me personazhe reale
poemë e Od pellazge
*
dashuria dhe natyra melankoli
gëzimi dhe hidhërimi relativ
tregime për analizë letrare
poet, poema e ëndërrave
i imi laps i shkrirë
realitet e fikcion
mos ke frikë as dyshim
me libër nuk je i humbur
ËSHTË zgjim !
*
dhe
dhe ngatrrimi fillon
fillon me foljën ËSHTË
filozofi për të qenë
ËSHTË për mos të kaluar
në egoizëm Jam
pra ruajtje e dritës
ku mund të lexohet libri
dhe më s' je i humbur
libri pra ËSHTË ardhmëria
ti që je gjithëherë Jam
lexo më shumë librin
ai ËSHTË shkrues i mirë
ka stil dhe temë
simbole dhe metaforë
rrallë herë ËSHTË Jam
përveq kur thot :
JAM duke lexuar
JAM duke shkruar
Për t'madhin poet e filozof
T' Arbërisë sonë !

Prend Buzhala - FIJET E PADUKSHME TË DHEUT AMË


(Çaste shkrimi: tregime me pak fjalë, IV), 53

Sa herë më shfaqet Plaku, po aq herë më zhduket nga sytë. Më shfaqet si ai Kuvendari i Moçëm Ilir, që bënte kuvend nëpër sheshe; herë si ai Plaku Urtak i Kanunit të Lekës, që merr rolin e Pleqnarit. 
Kur po kuvendoj me të a po shënoj diçka, Boborima më thotë:
"Pse po flet më vete"?
"Nuk po flas me vete, po me Plakun."
Boborima ia kris një gazi histerik. Mandej e ndalon papritmas të qeshurën e saj. Sikur i pritet fryma në mes:
"Po me Plakun kemi folur dje. Po i përsërit të njëjtat fraza me të sot."
Boborima ende nuk po i pikaste aventurat e mia dramatike të iniciacionit. Vetëveprimin tim, shpesh të papashëm, të padallueshëm. Atë shtysën time, që e përdorja si armë për t'i nxitur të tjerët në vetëveprim. Tashmë kisha fituar prirjen për të shëtitur nëpër kohë e hapësira, për t'u takuar me njerëz të mileniumeve e shekujve të ndryshëm.
Mu kishin përzier raportet a Kumtimet për të Sotmen (që ua dërgoja me shkrim herë Plakut Ilir e herë atij Pleqnarit të Lekës). Më humbte fija e lëmshit, gjërat më bëheshin edhe më të koklavitura, gjërat e njohura kishin mërguar dikah, po merresha me të panjohurat, me të paqartat, paqartësitë sfilitëse e zbavitëse që hidhnin dritën e tyre në honet e mia të brendshme. Po u hidhja një sy shënimeve:
"Gjithçka ka një lidhje të pashkëputshme me Dheun. Dheu është origjinë e burim i gjithçkaje. I Qenies Njerëzore e i fanitjeve tona. I lindjes dhe vdekjes. Si nuk duam ta kuptojmë këtë: Ky Dhé e ka të ngërthyer brenda vetes fshehtësinë e të gjitha kohëve. Koha, jashtë Dheut Amë, jashtë Tokës At, nuk ka kuptim. Ajo ngërthen Urtinë për t'u shpërnderuar në një tjetër përmasë a dimension... Ajo na lidh me mijëra fije me vetveten, të dukshme e të padukshme... ”
Më mbetet të shpaloj përpara jush diçka nga Kumtet e Mia që ua kam dërguar këtyre urtakëve nëpër kohë, dhe, së andejmi, të marr nga ata kumtet që na i drejtojnë ne.

Wednesday, November 23, 2016

Raimonda MOISIU - Dua, të fluturoj nga ky kafaz i ftohtë

Në hapësirën e trishtë të virgjërisë së shtratit,
në bardhanën e çarçafëve të akullt,
Unë, ky zog i heshtur e i vetmuar,
herë strukur në anë, herë përfund
kam harruar cicërimën…
Dua,
të brof me forcën e gjakut,
Dua,
të fluturoj nga ky kafaz i ftohtë,
Dua,
të harroj se jam robinë e gardianit të verbër,
me emrin vetmi.

2.

Dua,
të thith ajër, puhizë,
të thith frymë,
Dua,
të nis cicërimën e lumtur
si një zogu I cmëndur nga dashuria,
të fluturoj përjashta!
Dua,
me muzikën e lumtur të zogjve,
t'I cicërij e shpenguar, të dashurit tim:
Të dashuroj!
Me cicërimën e dëshirave ,
si avujt e diellit të mëngjeseve pranverore,
të ngrejmë urën e të vërtetës,
të zgjojmë lulet e përgjumura dhe
murin e feminitetit të tropikut fërgëllonjës
ta zbukurojmë me petalet e mëndafshta dhe
parfumin e zambakëve.

3.

Dua,
buzëve të etura për një puthje, ledhatim,
të plasaritura si tokat në shkretëtirë,
t’u japim nëpër bardhanën e qumështit të freskët,
si fëmija kur merr gjirin e nënës,
ëmbëlsinë e mjaltit të sherbelës pranverore…
Dua,
Tik-taket e orës,
të numurojnë rrahjet e zemrave tona, dhe
cicërimat e cmendura fluturuar me carcafët.
Si në përrallat e lashta,
qielli hapet me tehun e kaltër të syve tanë….

Tuesday, November 22, 2016

Murat Gashi - TI JE SHTETI !...

Doli mëngjesi i ri. Duhej të nisesha për në punë, të cilën do ta lakmoni shumë bashkëmoshatarë. Jo nga pa’aftësia e tyre, as nga epërsia intelektuale e imja, ata mund ta kenë… Ndoshta nga mosnjohja e personave të duhur. Unë kisha fat…I njoh që të gjithë. I gëzohem që i njoh. Rrugës teksa po kaloja përkrah me qeset e hedhurinave ( zatën ishte e enjte dhe ishte dita e hedhurinave , ditë kjo e pastërtisë së oborreve si dikur, shume decenie më pare, dhe ndotjes së rrugëve publike, tipike për mentalitetin tonë ), takova një mik timin i cili kishte një hall, si të mund të regjistronte vajzën e tij në çerdhen shtetërore që ndodhej në lagje. Pasiqë punoja në “ shtet “ dhe shteti më donte, si burr i devotshëm që isha dhe jam, pa hezitizëm nuk fillova t’ia numroj kushtet, por fillova krekosjen dhe ndjeja epërsinë që kisha ndaj mikut.” Vajza shkon në çerdhe pasiqë kam hatër në udhëheqësit e çerdhes “… Filluan falenderimet e mikut deri në përulje. Në atë moment godita dy zogj me një hedhje. Vajza e mikut do të filloj çerdhen ndërsa unë sapo përfitova një skllav të së ardhmes. Vazhdova rrugës, gjithmon përkrah hedhurinave. Rruga filloi të vështërsohet pasiqë në atë rrugë kishin filluar punimet e kanalizimit të pafund dhe gropat të hapura sikur në ditët e para të punimeve. Unë si shtet që isha, i dija arsyet e vonimeve. Punë shteti. Hedhurinat përkrah meje papritmas u zhdukën. Kisha kaluar në lagje tjetër ku e enjtja e lagjes sime ishte e diela e tyre. Pasiqë ishte qendra e qytetit, hidhurina nuk kishte, aty kishte diçka më të neveritshme për syrin tim. Aty ishte një burr, i sakatosur, i damkosur, i palarë dhe aromtik, i shtrirë mbi gurëtgatrorët e sheshit. Para tij kishte një peshqir me ca cent mbi kartonin e tij të zezë. Para vetes kishte gazetën e ditëve të kaluara. Informohej me lajmet e së kaluarës. Më erdhi për të pështirë, ta shkel dhe t’ia përdhosi atë pak njeri që ka mbetur në te. U përmbajta pasiqë isha unë shteti, i cili shikon kah e ardhmja, dhe nuk humbi kohë duke lexuar titujt e së djeshmes. Pak më tutje, më tej meje ishte një grua, karakteristika të njejta me burrin që desh e shkela. Ajo kishte një foshnje në prehër. Ishte e mërdhirë, nuk qante por vetem dridhej. Ndoshta edhe qante… por lëkundjet e dridhjeve nga i ftohti nuk ia lejonte që zëri ti dal jashtë, si jehonë pikëlluese. Ai fëmijë i vogël, dukej se po na kursente neve të ndriturve nga gërhama neveritëse dhe krejtesisht e panevojshme në një shesh që e ndërtova për fytyrën time ( Sheshi shihej nga mediat botërore dhe duhej të dilte bukur ). Rrugës për në punë ndaloja shumë. Më njihnin persona të ndryshëm pasiqë isha vet shteti. Ata më qanin halle që nuk përfitoja gjë duke dëgjuar. Besoj as nuk do të humbisja gjë nëse nuk do t’i gjeja, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme. Më vjen për të qeshur kur i dëgjoj problemet e tyre. Janë shumë të thjeshta, fëmijërore dhe banale. Pyesja veten: A mund të ketë njeriu problem për një vend pune ? Si mos të ketë vend pune kur i kemi të bukura ! Duhet të punohet, qoftë edhe si skllav për të mirën e përgjithshme. Kujtoja që në vitet e krizës ekonomike botërore të shekullit të kaluar në një vend hapëshin paradite gropa ndërsa mbylleshin pasdite. Kështu luftohej papunësia, mirëpo paguhej. Ata që ishin më të zot dhe punonin në ndonjë ndërmarrje private më ankoheshin se punonin nga dymbëdhjetë orë në ditë ndërsa paguheshin herë çdo dy muaj e herë i zgjatej pagesa deri në gjysëm viti. Për vlerë të pagesës nuk më tregonin, ose nga turpi ose ngase e dinin që njeriu nuk ngopet. Kështu i pata thënë njeherë se njeriu sa të ketë do të kërkon më shumë. Unë qahesha nga paga e vogël që merrja për gjithë ato punë që kryeja ndërsa ata m’i miratonin ankesat e mia nga besnikëria ose përulësia. Unë isha shteti dhe paguhesha jo më shumë se dymbëdhjetë herë më shumë se mestarrja e tyre. Isha për të ardhur keq. A mund të ketë njeriu problem në shërbimin shëndetësor? Më qahej se gruja e tij gjatë lindjes humbi bebën për shkak të neglizhencës së mjekëve, ndërsa tjetri më thotë që më operuan këmbën e majtë e duhej të operohej e djathta. Janë qesharake ankesat e tyre dhe mezi e mbaja gazin. Ata të mjerë do të mund të shkonin në spitale private siq bëjë unë. Miqtë e mi që hapën ordinance private, nga unë e morën licencën. Mua më paguan, ndërsa une “ I pandërshmi “ rregulloj spitale shtetërore në mënyrë që t’I shërbej qytetarëve të mi. Këtë veprim e bëja në të mirë të tyre dhe në dëmin tim. Unë, si i mendjendritur që isha, ndërtoj spitale me mure por në spital më e rëndësishme se muret është shërbimi. Shërbimin e mirë e kryejnë ordinancat private. Duhej të isha mirënjohës ndaj miqve që hapen spitale, duhej t’ia ktheja disi pagesën e licencës, dhe pagesa kthehej në mos’shërbim të spitaleve, mure që i ndërtova. Para hyrjes së ndërtesës ishin mbledhur një grup fshatarësh të disa fshatrave. Dukeshin si “ palaqo “. Disa prej tyre kishin edhe plisin e lashtë – antic mbi kokë. Mu duk sikur u “ngritën” nga varri Isa, Mic…Azem e Shota etj. Nga varri... Por këta “ trima të ringjllur “ nuk kërkonin mëvetësinë e Shqipërisë apo luftimin e çetnikëve. Në vend të pushkëve tytëgjata, ata kishin pllakata shkopëgjata. Mbi pllakat shkruheshin kërkesa të ndryshme. Disa që mund t’i dalloja teksa ngjitja shkallët ishin: “ Duam punë, Duam rrymë, Duam ujë të pastër, Duam kullota…” dhe duke marr parasysh sensin e humorit që kam, do të duhej të ishte edhe një pllakat me mbishkrim “ Duam Dhi “. Në zyre i analizoja kërkesat në mendjen time, gjithesi banale: “ Duam punë “ – ç’e do punën kur mund të jetosh edhe pa punë? Me plis mbi kokë do punë? Jo, kjo i përket historisë së lashtë kur i bënin ball sundimit lindor. Pllakata e dytë që arrita ta kujtoj ishte “ Duam rrymë “ – Mendoja, ç’e do ai rrymën byzë bjeshkëve ku edhe plisi ende përdoret ? Kërko ujin buzë bjeshkëve !!! Kjo nuk do mend se në ato bjeshkë ka shumë burime uji, edhe borë ka më shumë se gjysëm viti. Ai protestues ujë ka , por nuk e dinë i gjori se ku është uji. Ne nuk mund t’i dërgojmë ujësjellës në male kur kemi ende sheshe me Fontana për të ndërtuar. Dukemi më bukur në televizione. Por kërkesa më qesharke e tyre e shprehur përmes plakatave ishte “ Duam kullota “. Me percaktimin ndërshtetëror të përcaktuar sakt nga unë shteti dhe kolegu im fqinjë, paskemi kaluar përmes kullotave të njerit prej plisëve ( ky kishte edhe shall të bardh, padyshim antic ). Kujtoja problemet e tyre dhe qahesha për pagen time, duhej të merresha me këta njerëz e me këto ankesa të tyre sa edhe vet Zeusi do ta kishte problem. Zeusi kishte rrufenë dhe godiste, ndërsa unë kisha lapsin dhe nënshkruaja. Nënshkruaja edhe pa e lexuar, nënshkruja edhe kur e dija që ai nënshkrim vlente sa miliona dëme. Nënshkruaja në letër të bardhë që për dikë do të ishte vulosja e jetesës së zezë. Nënshkruaj pa u ndalur e me zell. Djersitesha nga koka deri tek këmbët vetëm të nënshkruja në fund të fletores. E shkarravitja çdo cep të saj. Nuk më vinte keq. Nuk më vjen as sot keq. Qëllimi i praktikimit të nënshkrimit dikur ishte përsosja e tij, sot nënshkrimi im ka vlerë, ka forcë, ka ndikim dhe është vet pushteti. Jam pushteti dhe përherë dua të jem. Sepse jam Zeusi, Zot i qielli të godas me rrufe!....