Sunday, December 24, 2017

Rexhep Hoti: Më shtrin...


Ti më vështron kot me druajtje,
Brenga mbi të bukuren të ndrinë;
Unë jam vërtet kosovar trupgjatë,
Por shtati yt prej Arbërisë me shtrin!
Më rrëzohet zemra, s’më ecën dot,
Ajo pabesinë nuk e ka për mik;
E derdh sharmin si bora në Valbonë,
Kalëron në qiell me galop magjik!
Vargjet tua kanë mistere shumë,
Janë sikur çelësat për porta të mëdha;
Hapin zemrat e pushtuesve rebelë,
E rrëzojnë përtokë të madhin Genghis Kahn!

Sadbere Gagica Spahija: FLE


Ti kënga ime fle mes këtij dimri
Frymëzimi im rri zgjuar sonte
Të mos e harrosh dhomën time
Mbushur me vargje lirike
Dhe lotin tim mbi këtë qiell
Harruar nga zoti e Ti fjalë
Zbrit deri në vargun e poezisë
Që kam nisur ta shkruaj
Fle ti fle mbi natën pa puthje
Më shpie në shtëpinë e mallit
Të flas me yllin që ma mori zemrën
E Unë jam bërë qiell me shi
Në këtë natë kërkoj të të gjej
Në udhët e pafund me qiri në dorë
Ta shoh pak dritë në errësirë
Që m’i ka mbyllur shtigjet paskaj
Me Naimin ta trazoj stinën
Dhe vargjet haj zemra ime haj!
Me Naimin të flas sonte me Perëndinë!

Ramiz Kuqi: KAM FRIKĒ

Se do të vdes ëndrra
Pa mbaruar kjo stinë e egër
Me kryekungujt pa fre
Që u bien foltorëve
Si ciganja me shallvare
E rruza në qafë
Me çumpare dridh belin
Para të dehurve
Që kanë sy qeni
Kam frikë Fjalë
Nga kjo erë sonte
Që m’i dridh dritaret
Kam frikë
Se do të çmendet qielli
Me yje!

JASHTË FRYN
Erë
Stuhia përplas
Tufat e borës mbi bredh
Brenda dhomës sē letrave
Heshtja
Vret vetminë e fjalës
Parlamenti
Mbledh nënshkrimet
Për të larë turpin e nënshkrimeve
Kush ta solli dhimbjen mbi varg
Gjyqin mbi kokë
Emri im?

Zyba Hysa: FALEMINDERIT!

(Kushtuar Profetit shqiptar, Isuf Luzaj)
Nëpër vite, nëpër rreshta,
Pashë shkëndi, s'kishte shkronja, 
Si një fëmijë u magjepsa,
Kur në Maj, kap xixëllonja!
Sa kap njërën, më vjen tjetra,
Pambarim... etjen s'e shova!
Nëpër vite këto rreshta,
Si gjerdanë me xixëllonja!
Rreshtat tuaj, fjalë profeti,
I lexoj... magji lëshojnë,
Ti ke çelur derë xheneti,
Veç me Ty jam ndjerë zonjë!
Ku kam shkuar, s'kam takuar,
Një profet të fesë sime,
Veç me Ty, jam mrekulluar,
O profet i fesë zengjine!
Ti më ngjalle Skënderbenë,
Rreshtat tuaj shpatë e mprehtë!
Ti ringrite mëmëdhenë,
Shpata juaj djeg e vret!
Djeg gënjeshtra shekullore,
Ndez shkëndija të s'vërtetës,
Me ty raca jonë arbënore,
Shpalos vlerat e vetvetes!
Ti s'ngre himn, për të verbuar,
Ti qorton me majë shpate...!
Pak të gric… sa për të zgjuar,
T'shikosh vlerat, rracës sate!
Nëpër rrështa e mes rreshtash,
Kur i shtrydh pikojnë veç ar,
Ndjehesh keq mes t'vërtetash,
Por merr dritë për të parë...
Vjen pushtues, i puthim dorën,
Shkon pushtues, presim tjetër,
Me tufë lulesh japim kurorën,
Veç të quhemi, me mbretër!
Shekujt na kanë qorrollisur,
Më shumë ata q'flasin shqip!
Por me skenar të pregatitur,
Nga armiqtë që quajmë miq!
Nëpër rreshta jam befasuar,
Si ke shkruar në pafundësi,
Gjithë qielli s'do kish mjaftuar,
Për rrështat q'ke shkruar Ti!!
Gjithë një jetë, murg i betuar,
Në një shpellë si rob i zënë!
Për një kauzë të pa plotësuar,
Amanet brezave për t'u dhënë!
Unë me Ty, shikoj pas malesh,
Drita juaj magjiplotë!
Unë me Ty vallëzoj mes zjarresh,
Galile… për këtë epokë!
Në të marrshin, në m'djegshin,
Do thërras fryma pa dalë,
E pse tjerët më përqeshin:
“JE PROFETI , YNË SHQIPTAR!”
Ti më hoqe perden syve,
Ti më ndrite udhët misterit,
Më dhe shkëlqimin e yjeve,
Ndaj të them: FALEMINDERIT!

Kasam Shaqirvela: IKIN VITET SI GjEThET NË VJEShTËN E VONË


Edhe vitet ndërrohen nga kalendari
Sikurse gjethet në vjeshtën e vonë
Arnimi i jetës bëhet i vështirë
Kujtimet si letër e grisur
Copëzat i mbledh sa mundem
Përpiqem ta formojë
Mozaikun e humbur
Rrugët më priten
Në sheshin e vjetër
Grisur e shkyer
Nga dhëmbi i kohës shtatzënë
Të një jetese të stresuar
Me sprova të rënda në pritë
Ilirida kjo zënë mali
Po krihet pasqyrave
Nëpër Bjeshkët e Nemura
Lahet syve të Sharrit Plak
Si shikim shqiponje shkon rrufe
Bie në liqenin e bukur në Lynkesti
Noton si mjellma e bardhë
E pyet Akeronin me lundërtar
Se, sa shpirtna të vrarë?
Ka mbartur për në Akerozi!

Arqile Gjata: Përfytyrime Nëpër Vargje...

Përfytyrime Nëpër Vargje...
Të shikosh dëborën dhe erën
kaq afër nëpër fshat e t‘i ledhatosh me duar cung
në këto vise në kohë dimri
rrezikon të trembesh nga ulërima e egërsirave,
që si muzikë-Pop- bredhërijnë nëpër shtëpitë e fshatit.
Në ish sheshin e Katundit
grinden të humburat melodi
në skamje për kufoma këngësh
dhe shëmtitë e tyre shëtisin asfalteve
për të qenë të lumtur një çast.
* * *
Kishte sëmundje të keqe...
Sytë i dridheshin nën mbulesën e qerpikëve të gjatë
me bojë dyshimesh shkruar.
Dikush e ngriti në krah deri te frymëmarrja,
që i përgjigjej peshës së tij të lodhur.
Kështu,
përsëri zbriti të ndiqte shtëpinë e vet që lundronte mbi lumë.
* * *
Duke ardhur rreth e qark vetes për të parë,
çfarë kam për të lënë peng,
si një mendim i prishur
rrjedhojë e fërkimit me jetën
m‘u tha qëllimi i vetes,
të shkoj te pragu i një kasolleje,
ku jeta ecën shaluar mbi një dhelpër
për të gjuajtur lepuj.

Nehat Jahiu: LUGTË NA MBETEN NË SOFËR


Eh, vendlindja e dashura vendlindja ime
sa me mall po ti përkujtojmë ato kujtime,
sa shumë plagë në shpirt po I shtojmë
Ty, o atdheu jonë kur pot ë lëshojmë.
Malli dhe dashuria na dogji si flakë zjarri
e për ty, atdhe kurr nuk na u shua malli,
larg e më larg seç jemi tretur
në dhe të huaj vet e fëmijë na kanë mbetur.
Kallur flakë e tretur si qiriu i të madhit Naimit
me plagët e pashëruara të mërgimit,
ditë për ditë, o atdhe prej teje po largohemi
e në shpirtrat tonë deri në vdekje po plagosemi.
Ti vendlindje e ti o, i dashuri atdheu jonë
u dogjëm për gurin e dheun tonë.
Ah ,atdheu im e ti dashura e ti e imja voter!...
Seç u larguam prej ty e lugtë na mbeten në sofër

Friday, December 22, 2017

Kujtim Stojku: BISHT GOMARI

Poemë
Ëndrra të çendura poeti,
Në vargje ti vetëm shpreh hidhtësi,
Si i krisur na the se shtëpia fluturon drejt qiellit,
Imagjinata të bridhte nëpër zabele në mesin e natës,
Diçka tjetër e gjallë ishte për ty.
Në orën e vetmuar bëje krahasim,
Mbi fletën e bardhë stilolapsi lëviz ngadalë,
Përmes dritareve të kësaj shtëpie me flatra,
Po të doni mos besoni, në qiell nuk pashë asnjë yll,
Diçka më dukej se ishte shumë afër e herë shumë larg.
Megjithëse i zhytur thellë në hapsirë,
Poet i krisur që rri në vetmi.
Ti na the se dëborën e kishe parë të errët,
Të ftohtë dhe delikate në elegancën e saj,
Nëpër shkurre kishe parë hundën e një dhelpre që prekte gjethet,
Dy sytë që kemi shërbejnë me qetësi për të parë.
Ajo zgjedh rrugën tjetër nga do të kthehet si tinëzare,
Gjurmë të dukshme ajo le duke ecur e çalë midis lisave,
Nëpër trungjet e prera mbeten hije që sokëllijnë të uritura,
Nga një trup qiellor guximtar që është duke ardhë,
Duke pasur në ëndërr Europën që e filluam me të bërtitura.
Ëndërronim të bëheshim si ajo e t’ na pranonte në gjirin e saj,
Ëndrra të çmendura të rinjsh, sot për çudi na qenkan zbardhë flokët,
Si në përralla një lugat s’na ndahet po na ndjek pas çdo hap.
Sa herë na gdhinte mëngjezi duke menduar se jemi afër saj,
Për çudi ajo si me magji prej nesh vetëm largohej,
Brenda nesh ajo ka hedhur rrënjët thellë në mish e në gjak,
Se për Lindjen asnjë çast nuk mendohej.
E kthen kryet drejt nesh përgjumësh duke gogësitur,
Më pas fillon e shtriqet e zgjohet me ngadalë,
Rruga e nisur për ne ishte e nemur, këtë se kishim ditur,
Gënjyer prej sirenash përlesheshim nëpër dallgë,
Shohim vetëm ëndrra e gjumi na është prishur.
Rrugët e fillimit i kemi marrë duke ikur përsëri,
Kryet kthejmë pas me shijen e lotëve të hidhur,
Lexoj me shpresë gjurmët tuaja ku ka vetëm vaj dhe zi,
Nëpër vite u shpërfytyruam, e pa fund ishte rruga nisur.
Një tufë aventurierësh me kafkat bosh e jaka të kollarisura,
Përmes ekraneve gri gjithë babëzi janë duke na buzëqesh,
Nga mëngjezi në darkë mendojnë se fati vetëm atyre u ndihka,
Befas ju shihni ëndrra të çmenduara, shtëpinë duke fluturuar në qiell.
E kjo nuk është shtëpia si në përrallat e Nastradinit,
Por një shtëpi me krah që fluturon përmbi re,
Perde dhe krevat ka erën e vrullshme kurriz dalë, çuditeni kur e shihni,
Brenda saj sillet një xhind që përbindshëm iu përqesh.
Ju me njëri tjetrin bisedoni si të çakërdisur me të bërtitura,
Dhe ai grup me kafka bosh ju merr për budallenj,
E nuk e dini kush trurin pak nga pak ua gëlltitka,
Në çdo hap që hidhni po iu ndjek fati i keq.
Lotët syve akoma nuk u janë tharë,
Mbi mentesha dera kërkëllin për ibret,
Çatia e shtëpisë ia ka marrë me kujë e vaj,
Gjithçka duket sikur e ka mbuluar mjegulla,
Kur ajo largohet çdo gjë duket e vërtetë.
Buzëqeshjet e dhelprës e shikoni të çuditur,
Erën e saj kutërbuse lëshon përreth,
Në vrimën e zezë të kokës ajo hyn pa trokitur,
Dritaret e shtëpisë fluturuese akoma askush s’i njeh.
Ngjarjet e dhimbshme në lug të gjoksit t’u mblodhën,
Dërrasa e kraharorit plasaritet thellë, të dhemb,
Printon faqet e natës në çdo çast të ores,
E mëngjesi me furtunë e skllotë dëbore po vjen.
Shqarthi me putrat fërkon mustaqet e veta,
Bukuria e bishtit të dhelprës na magjeps,
Prej palgëve të mëdha shpirti na rënkonka,
Kujën që dëgjohet me qefin vdekja e mbjell.
Nuk e shihni se gjithë jetën dinakëria iu ka ndjekur?
Duke ëndërruar si në përralla shtëpinë fluturuese vërtetë,
Qielli shtëllunga- shtëllunga prej reve krejt është errur,
Ëndrrat coptohen gjurmët në hi kanë mbetë.
Fantazia e mendjes njerzore kalon çdo kufi,
Faltoret e ngurta prej lutjesh çahen,
Kërkojnë prej nesh pendesë gjithë hipokrizi,
Më pas na turren si hutat që me kthetra gjahun e saj rrëmben.
Dhelpra gjithë hijeshi bishtin e kuqerremtë tundka,
Si zonjë e rëndë hidhet nga shkrepi në shkrep,
Çfaqet këtu pak më tutje u zhdukëka,
Më shumë se parajsa të gjithëve ferri na prêt.
Por kush erdh’ prej botës tjetër që të na tregojë ferrin?
A e dini se këto janë një hiç në këtë botë,
Perëndia, Zoti, Allahu, emrat si të doni vetë i veni,
Por gjithçka me ju vetëm tallet, është krejt e kotë.
Të gjithë shpirtrat kanë nevojë t’mos gremisen honeve,
Duke u rrokullisur teposhtë pas lenë jehonë,
Këtë mos e harroni, vetë Dante Aligeri u’a dëshmonte.
Më në fund ëndrrat për një shpresë janë një hiç,
Kafshata e përditshme sa të hidhur e paska shijen,
Kur gjumi ëmbël na mbështjell na e prish ëndrra e lig,
Secili fluturon me ëndrrat e veta me të tjera mundime.
Në qiell shoh duke fluturuar një qen, por unë nuk zgjohem,
I dehur nga ëmbëlsia e ëndrrës vazhdoj duke menduar,
Mgjithëse e kam një punë që më mban shpirtin gjallë, kuptohet,
Dhelpra më ndjek hap pas hapi që të më kapë mua.
Duke u jargavitur pas meje si një atlete e shpejtë,
Në malet me zallin e errët në mugëtirën e pyllit,
Si një shpend i vdekur do të varem në të sajat dhëmbë,
Vazhdoj duke ia lexuar thellë lakminë e syrit.
Duke fluturuar nga goja e saj zhdukem e bëhem erë,
Rend para në çdo derë duke trokitur,
Pfu, pështyn ajo me neveri: edhe ky ma paska hedhur,
Se paska më dinakë se unë këtë se paskam ditur.
Mgjithëse duke fluturuar akoma jam duke menduar,
Kjo më dërmon thellë shpirtërisht,
Ah moj bushtër pa moral e nder, edhe e pa edukuar,
Më gënjeu ëndrra rinore në kërkim të fatit tim.
Por a mund të imagjnoni ju kur unë ndjej aromën me hundë?
Ne s’ndihemi edhe kur po na rrjepin pa mëshirë,
Për çudi shorti bie vetëm për ju e asnjëherë nga unë!
Në kthesë një bisht gomari,
Sa i trashë, se kupton se ujqërit kanë për ta grirë,
Sepse unë kalëroj mbi ëndrrën me fluturimin e një t’marri ,
Kjo është vetëm një element shtesë që e thashë në fillim.
Kur ujqërit do të gjejnë vetëm bishtin,
Do të kërcëllijnë dhëmbët që nxjerrin zjarr,
Si gjithmonë do të mbeten vetëm të uritur…
Duke zukatur si grenxat me vizionin tuaj dështak.
Mbi hojet e bletëve turreni si të tërbuar,
Nga drita po na zhysni gjithnjë në errësirë,
Unë një gotë raki po e pi bashkë me djallin,
Me sytë e tij të flakëruar ai dhëmbët kërcëllin…

Thursday, December 21, 2017

Lulzim Breznica: BINI DAULLE


Në mes të kësaj rruge të zgjatur
Si duket paskemi lindur
Binjak me kohën e premtimeve
E fryrë me zjarrin e mpleksur
Të durimit.
E sheh që na mashtruan
dhe i morën të gjitha,
Kohën ,rininë ,dashurinë
Atdheun.
Na lanë si Samsonin e lidhur e të verbuar
Në tempull.
Bini daulle,
Ju të shumëpriturat,
Bërë nga lëkura e gjoksit tim, të copëtuar
Kjo ngricë të jap shpirt në mesnatë,
S'ka më nevojë për lutje ,
As thirrje në veshin e shurdhër.
Bini daulle,
Koha po ikën,
Se më as vdekja s'do t'na do.

Ramiz Kuqi: SI TA PAGËZOJ ?

Jashtë moti është përzier. Era bart borën e imët nëpër rrugët me dritë neoni. Akuj në çdo cep të tokës.Në dhomën e letrave zhurmëri fjalës nëpër vargje. Ëndrra të shpërndara nëpër fjalë. Faqes së librit të pashkruar i mungon titulli. Si ta pagëzoj?
-Pagëzoje si të duash!- i vjen një zë matanë murit të shtëpisë. A. ktehu kokën për të parë, por nuk u duk asnjë portret njeriu , as zë.
-Ç’është me mua në këto çaste? Ç’po ndodh në lagjen e ftohtë, pa emër?
Atje , në fund të një udhë dhiare, nxjerr kokën një njeri. Ec i shkujdesur. Në dorë mban një gërnetë. Turfullon si kalë duke ecur. Vështron anash, ec si i frikësuar. Sikur ta ndqite dikush. Herë-herë luan kokën anash. Heq pastaj kapelën e hirtë që e mban në kokë...pastaj edhe pallton. Nxjerr gati lakuriq gjoksin.
- Ç’bën ky njeri në këtë kohë?
Si nuk e ndjen acarin e kësaj nate, kaq të ftohtë?
E dëgjon nga larg se s’i shkel mbi borën e brishtë. Pastaj mbledh veten. Hedh pallton mbi krahë. Ec, bën hapa sa majtas, aq edhe djathtas.
Kur iu afrua murit, nxori një shishe raki dhe e derdhi në gojë...deri sa u drodh e ra në borë. Gjëmoi rëndë, rëndë gjëmoi. Nga dera e fqinjit Hans doli një grua dhe një burrë. Vrapuan drejt tij. E ngritën në këmbë, po këmbët nuk e mbanin. Gruaja nxori nga xhepi telefonin dhe foli diçka në një gjuhë që A. nuk e kuptoi.
Pa u futur në oborr, një sirenë u dëgjua në kthesën e parë, atje ku lehte ai qeni i zi, sa herë që A. ngjitej asaj kodrine për të dalë në asfalt.
Makina rrëshqiti disa herë , por ngasësi, një djalë me flokë ngyrë bjond, ndaloi para derës së Hansit. Nga dera e pasme dolën dy infermiere dhe nj mjek mantetbardhë, i cli vrapoi drejt njeriut të panjohur, shtrirë aty.
Mjeku vuri veshin në zemrën e tij dhe pohoi me kokë se është gjallë. Infermierët nxorën nga dera e pasme shtratin , dhe me ndihmën e mjekut e futën brenda. Anash u ulën mjeku dhe dy infermierët. Ngasësi i autoambulancës lëshoi sirenën, e cila bëri si të ishte njeri, disa tinguj të përvajshëm dhe mori udhën drejt spitalit.
A. bëri disa hapa dhe u fut në shtëpi. Kur u afrua para pasqyrës, iu duk se ishte zvedhur. Nga dhimbja për njeriun, të cilit nuk arriti t’ia mësoj as emrin, as vendin nga kishte ardhur. Se nuk dukej se ishte vendas.
- Ç’ke që je kaq i trishtuar?- i tha e shoqja.
-Asgjë e jashtëzakonshme. Një i dehur në rrugë u rrëzua para derës së fqiut Hans. E përcollën për spital. Sa hap e mbyll sytë, erdhi autoambulanca dhe e mori.
-Po ti ç’kërkove në këtë kohë të ftohtë jashtë?- i tha ajo. Dukej e frikësuar nga pamja e të shoqit.
-Ashtu,- i tha A. Dola për të parë nëse binte borë. Pastaj mora udhë drejt pompës së benzinës. Aty e përcolla tim bir , qindra kilometra larg nga këtu. Më tërhoqi ai vend. Më kaploi një nostalgji. Njerëz jemi, prej gjakut e mishit. Madje jemi njerëz me shpirt dhe ëndrra.Derisa po ecja, më thirri mësuesi i shkollës shqipe
.-Ç’bëre sot?- më tha.
- Ditë e zakonshme,- iu përgjegja.
- Unë ika nga shtëpia në mëngjes. U riktheva në lagjen ku kam banuar afro tetëmbëdhjetë vjet. Aty kam shumë kujtime nga jeta. Hap pas hapi. Edhe gurët më duket se më njohën. Shtëpia kishte të njëjtën hyrje, katër dritare dhe oborrin me shtatë bredha. Ka dy vjet që nuk i kam parë. Më kishte rrokur malli. E çuditshme qenka jeta!,- më tha. Po lotin nuk munda ta mbaj,- më tha..Zëri i tij vinte herë i ngritur, herë i heshtur. Thuajse është duke notuar nëpër det e përpelitej mes jetës e vdekjes.
- Pse nuk më bërë telefon sot? Edhe ashtu ndjehem i mërzitur. Askush asnjë zë nuk ta përcjellë. Asskush derën nuk ta hap. Askush nuk troket në derë.
- As unë nuk e dija se nga do të shkoj. Vetë këmbët më çuan andej. Pa menduar fare ..ashtu dola nga shtëpia. Sot kisha pushim. Mbrëmë qëndrova deri vonë. Diçka shfletova nga gjeografia. Kufinj, qytete, dete...pambarim. Kufinj të vjetër, kufinj të rinj? Gjithçka m’u derdh mbrëmë nëpër mend. Madje, nga këtu ndjen një dhimbje më të madhe e më të thellë. Sa herë dëgjon diçka për vendin, trembesh dhe gjumi të ik..Përpëlitësh si nëpër zjarr.E nata të duket njëqind vjet !
-Je dëgjuar me Aliun?- i tha mësuesi Asdren.
-Kishte ikur për në Pollog. E shoqja, Mejremja, më tha se ka ikur për dy javë në Pollog. Ka përvjetorin e vdekjes së nënës. Ka shkuar për t’ia ngritur varrin. Eh, ç’grua fisnike ishte ajo! Ali qan , sa herë ia përmend emrin.
-Ia ka mbyllur shtëpinë,- i tha Asdreni. U rropat me shtetin nordik për t’ia rregulluar vizën, por nuk mundi. E merrte nga tre muaj në mërgim. Çmallej me të. Ajo ishte një grua e pashkollë, por të jepte mend sa një filozof. Kishte mendje të ndritur!
Në dhomë drutë kërcisnin në kamin. Herë –herë nga flaka të dukej se shihje pamje natyre, flamuri...shqiponjë. Dhe një udhë e gjatë, e gjatë. Një udhë që s’i shihej fundi. E di ç’më pati thënë një mik nga Suedia?- i tha Asdrenit.
-Nuk ma ke thënë asnjëherë. Je bërë edhe ti si deti që mban të fshehur në thellësi mijëra ëndrra e sekrete.
- Ah, ç’më dogji kur më tha një herë. Në skandinavi do të tretën si kripa në ujë breza mërgimtarësh. Ishte U. C. , një njeri i fjalës. Përkthyes vlerash letrare nga shqipja në suedisht..dhe anasjelltas.
Sa herë kur i shoh fëmijët e mi duke kënduar e lozur nëpër oborr, gëzohem ..por më kaplon një trishtimi i madh..që askujt nuk ia kam thënë. Më dhemb. Jeta e rëndë në vendin e dheut , këto tetëmbëdhjetë vjet. Kjo liri e brishtë, zëra turme nëpër udhë...më trishtojnë edhe më shumë.
- Një brez do të shkrihet si kripa në ujë...më ndjek kur ec, kur flë, kur zgjohem trembur në mesnatë..më tremb !
Alnabry, më 20.12.2017

Zyba Hysa: KUR MUNGON DIALOGU...

Burrat shqiptarë, më mirë të vrasin, sesa të dialogojnë me gruan, nënën, motrën, të dashurën… Kjo ndodh s'e mungon kultura,kapaciteti intelektual …
Jam ndodhur shpeshherë në situata tepër të vështira,saqë kam rrezikura shumë herë jetën,për të drejtën time…
Nuk është ulje për burrat të dialogojnë, të praojnë edhe gabimin, se janë njerëz, të kërkojnë edhe falje… Këto janë shenjat e qytetërimit…

Fyerjet q'bëjnë njerzit s'më lëndojnë,
Kur nuk i njoh, as s'kam të bëj me ta!
Si në një ditë dimri... unë rri e vështroj,
Nga dritarja e dhomës kur fryn murlan!
Vërshon grarbiu përplaset me veten,
E pse drejt meje sulet si i marrë...!
Kush qe i ndershën e tha të vërtetën,
Çoi shigjeta helmi për çdo gjënjeshtarë!
Ç'faj ka dielli, q'lakuriqit i vriten sytë?
Vetë deshi errësirën, n'errësirë të rrijë!
Kush në jetë kërkoi... sulmoi lartësitë,
Sa më shumë ngjitet, më fort hapësirë!
Kur më fyejnë me dashje njerzit e mi,
Në vështrimin e tyre, ndezur egoizmi,
Më mirë t'isha e verbër, sesa me sy,
Të dalloja portretin e një përbindëshi!
M'janë sulur njëherësh tufë hamhumësh,
Qen sa një gomar... vërtet u tmerrova,
Kur vinin drejt meje, u ula për gjunjësh,
Egërsinë e tyre... me sy e qetësova!
Çfarë të bëj me njerzit, s'dinë të ulen,
Duke folur si njerës, sqarojnë keqkuptime!
E nëse ulesh... më fort do të sulen,
Bekuar qofshin qentë, ç'racë e fisme!
Kot s'thuhet: "Më mirë një qen mik,
Sesa një mik qen ta ruash në zemër!"
Qeni, është provuar, si një mik fisnik,
Në kohë të vështira, ka lënë nj'emër!

Wednesday, December 20, 2017

Ramiz Kuqi: NË SPORTELIN NUMËR NJË


Ditën e parafundit, pasi kreu disa punë me vlerë dhe obliguese, si pagesën e rrymës, shikoi mos vallë kishte harruar ndonjë ujë pambyllur, u ngrit në katin e dytë, ujiti limonat dhe pallmat, të cilat i kishte vendosur në tarracën me sy nga dielli , dhe ndjeu dhimbje. E donte shumë stinën e vjeshtës A. Më shumë se çdo stinë tjetër. I dukej se ishte lodhur tërë verën . Natën e kalonte duke hapur ndonjë faqe libri. Lehja qenve nuk e pengonte më. Bile ndjehej i frikësuar, kur nuk dëgjonte duke lehur!
Pasi mbylli dyert e shtëpisë, mori çelësat, paloi dy libra në veturë , dhe i ra rreth e qark oborrit për të parë mos kishte lënë ndonjë shat a zorrë uji nëpër këmbë. Zbrazi karrocën nga ashklat e druve dhe e futi në dhomën e bërë enkas për stinën e dimrit. Aty pa një strajcë me rrobat e punës të Cufës, një çekan me të cilin ai thente ndonjë cep të gurit për murosje. E mori ngadalë, sepse ishte e rëndë dhe e paloi në veturë.
Pa në skaj të kopshtit disa tuba me lule, me kokën e varur për toke . Iu kujtua kur me Nimen i kishte blerë në Shkup, në prill . Ato kishin gufuar mrekullisht. Por pesha e gjetheve kishte rënduar mbi ata shkoponj, të cilat A. i kishte lidhur me disa fije të trasha të penjve. Shiu që kishte rënë gjatë nëntorit i kishte lëkundur shkopinjtë, të cilët ngase toka ishte bërë çullë, ishin shtrembëruar . U rikthye sërish, hapi dhomën e druve, mori sëpatën e ndryshkur dhe tëholloi disa shkopinj më të trashë dhe i nguli më thellë në tokë. Një nga një me radhë, derisa ra muzgu i natës mbi fshatin që bart mbi supe dhimbje të stinës së marsit të vitit 1999. Kurrë e paharruar për banorët e kësaj ane të bjeshkës, harruar gati edhe nga Zoti! Eh, pshëretiu . E për një çast iu duk se një erë që fryu nga maja e Kepit të Verës e ngriti deri në qiell. Iu duk ashtu. Pas erës u shpërndanë riga shiu dhe ai e i kishte lidhur të gjitha lulet. Kur ndezi veturën, iu duke se para tij po hapej një horizont i ri i stinës. Duhej të udhëtonte, atje larg, midis një hapësire të ftohtë akull, ku dimri është gjithmonë i egër . dhe ku nata është e gjatë sa një stinë. Atje ku ëndrrat ta ngrisin shpirtin peshë e asnjë çast nuk mund ta gjesh vetveten.
Ktheu edhe një herë kokën pas . Nuk derdhi lot, por zemra i qau . Rrugës kodrinore, me kthesa të shumta, e mbajti veten.
Iu duk se rruga ishte mbushur me krahnez. E shi binte. Iu duk se retë kishin zbritur deri te lugina e dhimbjeve e ngrohtësia mes njerëzve kishte marrë udhë drejt ferrit.
Iu duk se para vetes kishte një kope me qengja e blegërimë, e nga shpatijet dikush po rrokulliste gurë të mëdhenj.
Iu duk se lumi kishte dalë nga shtrati e matanë urës kishte lëshuar kokën e po pinte ujë një ylber me sy të bukur ,ku ishin mbledhur gocat më të bukura të rrethit dhe po grindeshin mes vete se kush do t’ia puthte sytë, kur nata të zbriste andej.
Iu duk se dëgjoi një zë si melodi fyelli e nuk pa asgjë.
Pastaj iu duk se e mori një zog në krahët e tij dhe bashkkë me të ia thanë një kënge të bukur. Për një çast qielli u hap. Malet u mbushën me gjethe, aty për aty dhe lulet nisën të çelin.
Hapësira iu duk se u mbush me aromë dashurie , dhe njerëzia po vraponte të përjetonte atë ngrohtësi e për t’u rikthyer në ditët më të bukura të jetës, kur mblidheshin nëpër dhoma të miqve për të dëgjuar këngët e Dervish Shaqës, “ N’Kaçanik deri n’Boletin “.
Po iu duk se pa turmën që kishte braktisur shtëpitë, në fillim të marsit dhe kishiin mbledhur barin e thatë nëpër mullarë, dhe aty i kishin strehuar fëmijët e tyre, edhe ata që kishin lindur nëpër plumba të barbarit dhe aty kishin kapërcyer dy net , të cilat ata nuk i harruan kurrë. Ndoshta kjo dhimbje me shumë plagë gjatë marsit, i kishte bërë të ftohtë akull , dhe secili po përjetonte nga një rrëfim më vete .
Kur u afrua buzë xhadesë, iu rikthye ky rrëfim rrëqethës dhe trupit iu derdhën mornica të ftohta. Të gjitha këto rrotullime i përjetoi A. derisa po priste në katin e dytë të një ndërtese, aty ku ai për vite të tëra afrohej për të parë sportelet e shumta, dhe njerëz nga e tërë bota, hallexinj.
-Nga të kemi mik ?- iu drejtua një mesoburri , i cili mbante disa letra në dorë. Hërë i thente përgjysmë, herë i mblidhte në grusht sikur donte t’i griste. Në fytyrën e tij dukej një heshtje e thellë, e rëndë.
-Jam nga Siria. Ika nga lufta. Mezi shpëtova kokën dhe fëmijët. Gruan ma vranë në pragun e shtëpisë.Ai foli e foli ...E kam emrin Ahmad. Erdha të bëj kërkesë për të marrë nënshtesinë. Dy herë më kanë refuzuar
. Kur ra zilja, një nëpunëse, në sporteli numër 1 thirri disa herë emrin e A. Po ai ishte si i humbur . Për pak sa nuk e humbi terminin e caktuar dy muaj më parë. U ngrit në këmbë, mori letrat që i kishte radhitur me kohë, një kërkesë të avokatit, u afrua para sportelit, hoqi kapelën ngyrëhiri . U palua në këmbë si nuse !
Nëpunësja, me sy të rrumbullakët, me flokët e lëshuara pas shpinë, të lidhura bukur që ia shtonin bukurinë. Ajo buzëqeshi ëmbël.- Ju thirra disa herë,- iu drejtua A. Unë kam para vetes dosjen tënde. –M’i jep ato letra ti shoh ?
-A. shtriu letrat me kujdes . Ajo i shfletoi një nga një.- Këtu nuk e paske një vulë të fotokopjuar? Në letrën e shkruar avokatja nuk e paska firmosur nënshkrimin e saj? Si është e mundur kjo? E shikoi në sy A. Pastaj i mori letrat dhe u zhduk për disa minuta. Kur u kthye, dukej më e disponuar.-Ku banoni, a mund të ma thuani, ju lus?
- Banoj në rrugën që nuk ka adresë. Ka një pallat të madh andej
. Një zyre për refugatët , të cilët vijnë nga zonat e përfshira nga lufta. Edhe juve ju kam parë disa herë , kur keni zbritur nga makina . Në sy mbanit syza për diell. Gjithmonë vini e veshur si zonjë. Unë, kur kthehem nga puna, dal në tarracë dhe shoh atë karavan njerëzish, si kojrilat nëpër qiell që rrinë të strukur para sporteleve. E zërat e fëmijëve, me të qarat e tyre, ma plasin shpirtin.- Ju mjafton kjo z. Elizë?
- Ku e dini emrin tim,ti humbës në diasporë?
- E ke të shkruar në gjoks. Nuk e zbulova unë.
-Hëmmm...kafshoi z. Elizë buzët. – Numrin e telefonit, a mund të ma diktoni?
-Ja ku e ke. E kam shkruar , kur jam nisur nga shtëpia sot. Kisha parandjenjën se do të ma kërkonit. Bile edhe ëndërr kam parë.
- A mund të ma rrëfeni ëndrrën tuaj? Qenke njeri me një imagjinatë të bukur. Unë i admiroj njerëzit e ëndërrimeve!
-Faleminderit për informtatën e shpejtë. Unë ju vonova shumë sot në sportelin numër një. Por rregullova disa imtësira. Kam mundur të ju kthej pas. Të pritni edhe disa muaj të tjerë për termin të ri. Po qëndrimi juaj shumë kokëlart, më bëri të dorëzohem.-Cila ishte ajo ëndërr?
- Kur shkela në tokën tuaj, kishte rënë borë dhe hapësira nga vura këpucët e mia ishte e tëra akullnajë. Eca ngadalë nga frika se mos rrëzohem. Në aeroport më priti Kristiani. Kokërruar, si gjithmonë. Një grua kishte mbetur në hapësirën e aeroportit. Tërhiqte zvarrë dy valixhe të rrasura deng. E dëgjova kur foli me veten: Paska ikur autobusi !- Çfarë do të bëj unë deri në mëngjes këtu? Midis kësaj dhome për udhëtarë? Çfarë ...?
Zonja Elizë e pa të përhumbur A.- Mund të ma rrëfeni ëndrrën?
-Uh, më fal, të lus. Po. Unë erdha mbrëmë pranë këtij sporteli. Ju i morët letrat e mia dhe nënvizuat në dy a tri vende me stilolaps me ngjyrë të kuqe. M’i kthyet letrat .Unë zbrita këtyre shkallëve të akullta.Më rrëshqitën këpucët, por u mbajta për parmakët e metalit, anash. Po e lëndova pak një bri . Kur u zgjova, pashë se isha në ëndërr. E frikshme !
- E çuditshme, mërmëroi z. Elizë. Tash mund të ikni. Dokumentacioni do të shqyrtohet. Pas një kohe, nuk e sa mund të zgjasë, ju do ta merrni konfirminin, qoftë për ose kundër. Ky është fati i refugjatëve. Kur ik nga trualli i lindjes, je sikur topi në mesfushë. Kush të mbërrij i pari, e shqelmon !
-Po, po. Këtë e kam mësuar unë. Jam rrokullisur si guri nëpër shkëmbinj të thepisur. Por nuk jam dorëzuar . Duke ikur nga sporteli numër një, një zë iu duk se i erdhi si e goditur, e fortë në veshë.-Mbarove punë ? Ishte zëri i Ahmadit nga Siria , i cili ishte pritur në radhë, në sportelin numër një. Aty ku thehej krenaria njerëzore !
A. futi në çantë letrat e fotokjuara dhe u nis drejt stacionit të tramvajeve. Aty ishte parkuar autobusi numër 100. Vuri këmbën e djathtë dhe u nis drejt Furusetit, bashkë me mikun Ramë, i cili e shoqëroi gjatë tërë kohës sa pati punë në katin e dytë, në sportelin numër një.
Bora kishte zbardhuar malet, rrugët ishin mbuluar nga ngricat.
Dy traktorë të mëdhenj me dy ngasës ishin duke derdhur kripë dhe rërë nëpër rrugët kryesore. Ndërsa , një ngasës tjetër,me mjekërr të gjatë ,ishte duke ecur nëpër rrugën e ngushtë të këmbësorëve. Sirena e një autoambulanceje prishi qetësinë gjithandej lagjes së dimrit të ftohtë.
E ftohtë ishte gjithçka. Edhe mbi letrat e lëna në sportelin numër një.
Alnabry, më 19.12.2017

Kasam Shaqir Vela: PO AI QIELl


Po ai qiell që
mba Diellin dhe yjet
të cilat ndrijnë
dhe borën e shkrijnë
po ai qiell
mba retë e rrufetë
dogmat edhe fetë,
që reshin e
bubullojnë,
vetëtimat vetëtijnë
djegin gur e dru
e bëjnë shkrumb e hi
po ai qiell
vran e kthjell
astu si do vetë
s’pyet askënd
për dëshira muzikore
me porosi, apo
fontanë kërkesash
në avlli!
ai, herë i vrënët
e herë i kthjellët
në vazhdimësi!
e herë me diell
herë me shi
po ai qiell
i mba në gji
yjet e pasosur
dhe po ai qiell
nën sqetullën e vet
e mba mjegullën
fort të inatosur!
madje nën te ka
dhe njerëz
koxha të marrosur!
me kokë fare të krisur
mbushur me gënjeshtra
shpirt katranosur
përplot gabimesh
akoma pa ia nisur,
bëjnë punën e sosur?!

Ymer Nurka: MARRSH I VITIT 1992


Nëpër turmë, nëpër zhurmë,
i pa udhë po le gjurmë, me babëzi
Herë i zi, herë i murrmë, 
zgjatet vargu e stërzgjatet, lukuni
Me lëvdata, si shamata, me lëngata
kaq te gjata si mërgata, lemeri
Ne të pritëm, porsi dritën dhe të ngritëm
e të ngjitëm si të ishe perëndi
Ja, ti erdhe dhe u derdhe dhe na shtrydhe
dhe na zverdhe, si limoni
Ditë pas dite, nëpër vite u zvarrite,
ja u ngjite dhe u ngrite, për tek froni
Dhe na shave dhe na vrave
dhe na ndave e përçave si demoni
Ja dhe gjyqet, ja dhe kryqet, ja dhe qyqet,
që na presin, ja dhe honi
Si na ndrite e spërndrite, brohorite
dhe u shite, ti nga qëniet më i rralli,
Si na ndrydhe, ti na ndyve e na rope
e na shtyve nëpër kurthe, porsi halli
Pa na cyte, kacafyte, ti na mbyte
dhe na zhyte nëpër llucë, përsëgjalli,
Edhe jetën, si na vele, ti na nxive
e na shkele me këpucë, porsi djalli
Si na thinje dhe na mardhe, ti na nginje
dhe na zbardhe veç me shpresë
Nuk u tkurre veç u mburre dhe na rrejte
dhe u fryve me ca bejte, si këndes
Ngado ike, edhe shkove, na u ngjite,
porsi rrodhe dhe na vodhe ti, çdo pjesë
Na u turre dhe na ndoqe dhe na poqe
dhe na pshurre majë kresë.

Tuesday, December 19, 2017

NEHAT JAHIU: MA PLAGOSËN SHPIRTIN


Shpeshherë ma plagosën shpirtin disa shpirt prishur
Disa hajdutë, të korruptuar, karrieristë e bythëgrisur
Njerëz me dy fytyra, demagogë, hipokritë dhe servila
Disa të fëlliqur e të pabesë, pis si nata dhe ju o kopila.
Ca njerëz të tillë deshën të ma ndalin vargun në poezi
E të shkruaja për ata nuk ia vlente aspak edhe një elegji
Të mos iu thoja hapur e shqip se ju keni shumë mëkate
Se keni shkelur mbi varre dhe keni shkelur përmbi gjak.
Më thanë të mos shkruaja, se ata ishin mendjendritur
Ca ëndërrues të lodhur e të zhveshur si fjala e grisur
Më thanë se duhet ta mbyll gojën, boll tani ke shkruar
Ata që për karrige ka kohë që veten e kanë mallkuar.
Nuk kanë tashmë një grimë karakter këto bajga e lavire
Të plagosin në shpirt e të vrasin si armiku mbas shpine
Duan ta ndalin një popull që malin e lirisë kanë ngjitur
Duan ta heshtin zërin e poetit që ditën i pari ka zgjuar.

Haxhi Muhaxheri: Cilkli poetik "Një Tufë Lulebore"


PA TITULL
Kësaj poezie
Nuk i dhash emër
Se titulli je Ti
Perëndeshë e egër
Që pushton zemrat

ETA DHE KOMETA
As nata e mori vesh çfarë i ndodhi
Kur numërat ndryshuan në rrethin e shtatë
E Liria udhëtoj dimensioneve të panjohura
Bashkë me dritën që lëshuan rrufetë
Eta Eta
Bërthamën godet Kometa
U thye kufiri ndryshuan polet pushuan ëndrrat
Në Teatrin e Qiellit u shfaqen dy silueta
E hënës një yll fshehurazi ia shkeli syrin
Pastaj doli fjala se veten burgosi tundimi
Eta Eta
Ku mbet Kometa.

SONTE MOS MË KËRKONI

Kot më kërkoni sonte
Ju o miq të krisur
Se kam një luftë për ta nisur
E një beteje për ta udhëhequr
Me shtatë plagë në trup
Si Gjergj Elez Alia dikur
Sonte
Mendjen e kam bërë një
Thellë e më thellë
Do të gërmoj
Minierave të atdheut
Në kërkim
Të thesarëve të humbura
E në vetull
Do ta puth vdekjen
Sonte
Të gjitha medaljet
Kam për ti dorzuar
Në shtrat
Dhe një nga një
Do ti mjekoj plagët
Qe të mbledh forcat
E pastaj
Do zhytem
Në bunarin
Që fundi
Kurrë nuk i është gjetur
Për të kërkuar
Trupat e miqëve të mi
Aty është mbytur Rizai
Aty është fundosur Hasani
Oi...Oi...Medet...
Dikush mallkuar na ka
Dikush tinëz na vret
Ku dreqin mbete
E dashura ime
Ndiz oxhakun të lutem
Se është ftohur dhoma
E gjakun duhet ngrohur.

DASHURI E MALLKIM
I
Kur Ti më mungon
Në sy më varet malli
Ëndërrat nuk i zë gjumi
Trazohen valët e detit
E shkreptijnë rrufetë
Pastaj
Si i çmendur
Zbardh netët
Me portretin tënd
Fiksuar në mendje
E shpirti merr udhë
Mbi tehun e shpatës
Kur afër më vjen
Damarëve të zemrës
Bëhet rrëmujë
E filloj të jetoj
Me frymën tënde
Të ndjej
Pastaj
Frymëzohem
Digjem
Përvëlohem
Sulem
Tërbohem
E prapë
Më mungon
E prapë
Më verbon
II
Të duash është bekim
Më ke pas thënë
Një natë dhjetori
Po Ti
Kurrë nuk e mësove
Se unë lindur jam
Ditën kur i vranë
Zogjtë mbi qërshi
Veç pse kënduan
Këngë dashurie
Dhe mallkimi mori dhenë
Thonë se atë ditë
Është thinjur dielli
Thonë se atë çast
Është errësuar qielli
Thonë se atë natë
Ka lotuar hëna
Thonë se atë vit
Melodin e humbi kënga.

MË PRIT
E dashur
Nesër
Ne freskun e agut
Do të bëhem ajër
E me shpejtësi drite
Do të vij
Lehtë lehtë
Pahetueshëm
Të futem
Për vrimë të çelësit
Në dhomen tuaj
Në shtrat
Në ty
E ta shijoj
Pllëmb për pllëmb
Bukurinë e Atdheut
Bashkë me melodinë
E Këngës së Psherëtimave
Nesër
Më prit zgjuar
Princesha ime
Bashkë do ta pijmë
Kafenë e mëngjesit
Shoqëruar me lëng pjeshke
Llokum trëndafilash
E aromë djersësh
Neser... mos harro...

PESHA E KRYQIT
Sonte
Dua të jem
Sy më sy me veten
E vetminë ta puthë në ball
Se kam ca llogari të hapura
Që më duhet ti mbyll
Përdhunshëm
Unë i gjori
Oh...
Sonte
Deri në palcë
Kam për ta shijuar
Mungesën e Lirisë
Se mua shpirtin
Keq robëruar ma ke moj
He plastë kjo zemërmjera
Sonte
Në derën time
Mund të trokasin
Veç frymëzimet e çmendura
E të shkruhet
Një këngë e re vajtimi
Oiiiiiiiii... Oiiiiiiiii... Oiiiiiiiiih
Sonte
Ooooh... sonte...
E dashura ime
Sall një dëshirë e kam
Të vijsh si era
E të futesh thellë
Thellë në mua
Zjarrin të ma shuash
Dhe plagët e mendjes
Të mi shërosh
Sonte
O miq
Më leni të qetë
Dua të pi
Te pi
Të pi
E vetës
Luftë ti shpall
Se vargjet
Mi kanë zënë ethet
Medet
Sonte
Eu... sonte
U harroft kjo natë
Bashkë më emrin tim
O Zot...
Sa e rëndë qënka
Pesha e kryqit...



Ramiz Kuqi: Pjellia e Dhimbshme e Dhjetorit

DHIMBJE
Gaz loti në Kosovë
Gaz i botës në Tiranē
Ku mbeti
Dritë e diellit për ne?

KUR TAKOHEN MIQTË

Rrjedhin fjalët nëpër stinë
Vijnë kujtimet palë-palë
Hapet qielli nga retë
Një biografi historie
E gjatë
Sec u derdh me shungullimë
E shurdhëra kohë
Pa një mirënjohje mbi letër
Për ëndrrat e paluara
Nëpër ditar jete
Kur takohen miqtë!

NOSTALGJI

Cdo ditë kërkoj ndonjë germë miqësie
Nëpër këto rrugë jete e shpirti i fjalës
Dhemb e gufon si mallë i pashuar
Herë më buzëqesh vargu e kënga
Herë - herë më dridhet buza
Si një zjarr i papushuar
Po c’u bë me Ty Kohë
Qielli im
Një hosten dielli mbi kokë
Në asnjë faqe libri s’u gjej më
Të rrallë më vini edhe në tavernë nate
Në ndeja
Për një gotë me verë
Miq njerëz të urtë idealesh
Kur qanim rrahen e borës
Për t’i kërkuar yjet
Fshehur pas qiellit të zjarrtë !

QYTEZA IME

E rinisë sime
Herët m’i paske harruar
Ëndrrat e lumit
Që m’u derdh nëpër vargje
Si ujëvarë dikur
Ndonjë fëshfërimë gjethi
Ti mbaje njē herë e stinët
Me zogj ndër male
Mallin e zjarrtë nëpër fjalë
Po lumenjtë nuk harruan
Të më buzëqeshin
Qyteza ime
Pa zhurmë fabrikash
Leckë për kohë të kanë bërë
Uzurpatorët modern!


Lulzim Breznica: E PASHË NJË NJERI...


Sot
E pashë një njeri
Mes turmës
Ecte në paterica.
Dimër i ftohtë bënte
Ai s'kishte të mbathura as xhaketë,
Në gjoks e shtrëngonte diçka,
Diçka që heshtja e fliste vetë.
E pashë se nuk m'i ndante sytë,
Sytë e bërë gjak.
Sa i përshpirtshëm lëngimi!
Nga mosha ai s'dukej plak.
Dikund e kishte harruar koha,
Ndoshta vetëm muri strehë i bënte,
Ai s'fliste në sytë e tij,
Lum dhembje pashpresë rridhte.
U largova i prangosur në heshtje,
Ai,asnjëherë sytë s'mi ndante,
Erë dimri ngrinte akujt mbi paterica,
Ndërsa mua kokëulur, shpirti më qante.

Rexhep Hoti: Më thërret...


Mbrëmja e mbulon Tiranën me butësi,
Dhjetor është e terri nuk bëhet fut i zi;
Ka frikë nata të zhytet në errësirë prej vajzave;
Ajo s’ka dëborë për dashurinë e tyre,
Flirton me shkëlqimin e dritave,
Me stoli plastike, me dëborë prej leshi.
Ti më shkruan me shqetësim që andej.
Natyrisht, tronditem në Prishtinë!
Çfarë është kjo fjalë unë «s’vras poetë»,
Kur më mall të mbytë!
Dhe fotoja më pas me gota vere mbi tryezë,
Pa fytyra njerëzisht,
Si të ishte ajo pamje huazim nga bota në apokalips.
E ndjej mungesën e dëborës
E ndjej mallin që ti ke,
Kristalet e ngrira s’kanë ide për prushin e buzëve tua,
Mendojnë se deti është fajtor;
Ato nuk e dinë se je ti ajo,
Që me zjarrin e puthjes kohën ngrohë!

Monday, December 18, 2017

Prend BUZHALA: ÇASTE LRIKE DHJETORI

FJALA E NËNVIZUAR ME VIJA GJAKU 
(Çast lirik dhjetori me vetëtimat e shpirtit)
Lexoje këtë fjalë të nënvizuar me vija gjaku
E tillë qenka rruga që e ke lënë pas, me pika të kuqe,
Shihe si qëndron jeta jote, e lëkundur në erë
e poshtë njihet silueta jote, me shenjat e vetënjohjes.
Duket gjurma e shenjës së kuqërreme.
Një copë dheu dardan e bart nëpër shtigje bote,
me mirënjohjen më të thellë,
sikur ta paguaje borxhin më të madh botëror.
E bart, nëpër kapërcimin e vuajtjeve të mëdha, të kësobotshme,
nëpër rrëzimet e përgjakshme të jetës,
nëpër ngjitjet tua drejt golgotës sate.
nëpër përplasjet e mëdha me kohën,
me grindjet e pafund me egërsinë.
Janë shikimet tua te secila petale e luleve të atdheut,
Te fijet e bari a te secila grimcë dheu,
qenkan copat e zemrës sate.
Aty janë ngurosur vijat e shikimit tënd.
Është vetëtima e shpirtit tënd që çan nëpër gremina kohe,
për t'ua dhënë pamjen e fytyrës sate
viteve të shkrira në ajrin e nxënë në të zi, në ajrin e lirë.
Krejt ato që i ke bërë në jetë, i ke shënuar në një syprinë të ujit,
janë zhdukur, janë shuar, si të mos kishte ekzistuar kurrë.

VAJI I AGIMIT DËNES
PËR DHIMBJET E LINDJES

(Çast lirik dhjetori për pauzën midis natës dhe agimit)
Pikat e shiut e thyejnë natën, copë e grimë të bëjnë dhe TY,
Duke i dëgjuar ritmet e rënies së tyre, ato të kërkojnë TY,
Ti e shikon shiun e ai të sheh ty,
Shiu ligjëron e shumëçka thotë, rrëfen e hesht me TY,
E habitshme se si edhe ai qan me TY,
Dhe, kur ti fle, papritmas edhe ai pushon e fle me TY.
Vetmitar bëhesh, si vetmitarja natë që ikën pa TY
E ti mbetesh mes rrezes së parë e natës. Dhe mbeten pa TY.
Tashmë e dëgjoni vajin e agimit
Si dënes për dhimbjet e lindjes.

KJO SHTËPI BANON NË PLAGË

(Çast lirik në zgripin midis paralindjes dhe pasvdekjes)
Kjo shtëpi banon në një plagë,
Dritarja e saj, me shikimet lart, fluturon nëpër retë e dhimbjes,
Së bashku me një shqiponjë gjezdisin nëpër tejqiell.
Plaga u urdhëron të kthehen e u thotë:
Mbasi e mësuat fluturimin,
Tash shtëpinë mund ta gjeni.
E shtëpia tash po lëvizte
duke udhëtuar nëpër shtigje pikëllimi e sëmbimi,
nëpër udhët e sekreteve të botëve të pazbuluara
në kërkim të Pikës së Fundit ku njerëzit vijnë e shkojnë.

KA LOT QË NUK E ZË AS DETI 

(Çast lirik me baladat e jetës)
Sa larg paskam shkuar e larg shtëpisë jetuar nuk kam.
Një zë të vjen nga larg, zë i dhimbjes e i lotit të fshehur.
Lotët që as një det s'i zë:
e si të rrëfesh për foshnjën e therur në barkun e nënës?
E si të rrëfesh për sytë e djegur të nuses në pritje?
E zëri tani largohet, largohet. Zë i mbytur në det.
Cilën Fjalë të Pathyer
mund ta shqiptosh përpara një Shpirti të Thyer?
Sikur të gjendeshe përpara aq shumë jetëve të shuara,
Si të jesh përpara pafundësisë së jetës.
Kujtesa fshihet në një asht.
Në këtë pafundësi, jeta noton me kafkat e saj. E dielli aq i qetë.

Zyba Hysen Hysa: LETËRSIA S’ËSHTË THJESHT DËSHIRË, AS BIZNES, AJO ËSHTË PËRGJEGJËSI…

Që të dallojë një vepër nëse i përket letërsisë shqipe, s'mjafton vetëm të shkruhet në gjuhën shqipe, por ajo që e dallon është tematika e marrë nga jeta shqiptare duke e veshur me figurat stilistike gjetur nga thesari i kulturës së popullit ndër shekuj, ndërthurur e pasuruar edhe me esencën e kulturës së autorit, duke pasur si far, idenë që kërkon të përcojë me këtë vepër. 
Po t'i marrësh veç e veç këto elementë, do të shikojmë rëndësisnë e secilës, për të kontribuar në plotësimin e njëra - tjetrës, nëse njëra nga këto të mos jetë në akord me tjerat, libri s'mund të quhet vepër e pse mund të ketë qindra faqe.
Shkrimtari, poeti, gjithë krijuesit janë vëzhguesit e përhershëm të ecurisë së zhvillimit të shoqërisë njerzore, kjo jo se e kanë marrë si detyrë, por se vetë natyra i ka përzgjedhur ata duke u falur talent e përmes aftësisë së tyre krijuese, janë përherë të gatshëm për të mjekuar plagët e shoqërisë përmes letërsisë dhe arteve si i vetmi ilaç kurativ për shpirtin e një populli.
Asnjëherë njeriu s'e mendon se do të bëhet shkrimtar, çdo gjë vjen kaq natyrshëm, saqë një ditë kur veprat e tij pëlqehen e kërkohen, nuk i besohet që është ai autori.
Krijuesi i mirëfilltë kurrë nuk shqetësohet të bëhet dikushi, por të bëjë atë që vjen nga shkëndija intuitive dërguar nga Universi. Ai nuk zë vend derisa ta arrijë atë. Për një krijues ka rëndësi të gjejë mundësi për të realizuar idenë në vepër, se çdo vepër vjen si ide dhe çdo gjë tjetër i shërben asaj e jo të zgjedhim tematikën për të sajuar ide. Kurrë s'më kishte shkuar në mend se një ditë do të shkruaja një libër për Skënderbeun, por ardhja e idesë më nxiti të shkruaj, ide që ngacmohet nga nyjet e kohës për të bërë një përpjekje për ta zgjidhur atë.
Çdo vepër arti, siç e thashë edhe më lart, vjen më parë si Ide përmes intuitës, e kur vjen, krijuesi s'gjen prehje gjer ta realizojë në vepër për të shpalosur atë para lexuesin, shikuesin, apo dëgjuesin. Intuita s'është gjë tjetër, përveç se sinjal i Zotit, apo të thënë në gjuhën e shkencës, sinjal i misterit, ajo të pickon trurin dhe të ndez shpirtin, të merr gjumin dhe të fut në kërkim të përhershëm për të realizuar atë në vepër dhe një krijues i mirfilltë këtë gjë e ka të qartë, mjerë ata që pretendojnë se janë krijues kur marrin punë me porosi të dikujt, apo të shtetit dhe ajo që e degradon krijuesin, është shabllonizmi, pa art, thjesht t'i përshtatet porositësit, ata që punojnë me "porosi" quhen punëmarrës, jo, më krijues.
Duke menduar kështu, kam arritur në përfundim, se Letërsia e Realizmit Socialist i shndërroi krijuesit në punëmarrës dhe letërsinë dhe artet në shërbim të propagandës e jo në shërbim të shoqërisë, unë as e ngre, as e zhduk këtë lloj "letërsie" por thjesht s'besoj se është letërsi, se ajo s'ka individualitetin e krijuesit, ndaj mendoj që ne nuk përfaqësohemi në thesarin e madh të letërsisë botërore, se s'ka letërsi të virgjër, ajo është e përçkunduar nga politika.
Lind pyetja: Si ka mundësi që një popull të mos ketë letërsi, kaq përbindësh qënka?
Për të përdorur një stil të qartë e të kuptueshëm për lexuesin, është pikërisht origjinaliteti i letërsisë së një kombi që e bën atë pjesë të letërsisë Botërore, nëse letërsia s'mban aromën e kulturës së popullit të saj, ajo kurrë s'mund të bëhet pjesë e asaj universale.
Ne s'kemi një letërsi të bëhet pjesë e asaj botërore e pse shpesh themi se ky, apo ai autor u përkthye në kaq, apo aq gjuhë të botës, por deri më sot asnjë shkrimtar nuk është me nivelin e kësaj letërsie, po të lexosh librat e autorëve të letërsisë botrore, biles qysh të klasikëve janë të lexueshëm, të pëlqyeshëm dhe magjikë dhe e dini pse ndodh kjo, se janë origjinalë, mbështetur fuqimisht në kulturën dhe jetën e popullit.
Jeta e njeriut, dëshirat, pasionet, dashuria... çdo gjë jetësore, ka qënë, është e do të jetë në jetë të jetëve për njerinë, ndaj ai auror që futet në indet e kësaj jete, bën kryevepra e atëherë vepra e tij i kapërcen përmasat e kombit të tij e bëhet pjesë e thesarit të kulturës botërore. Një letërsi me tematika të komanduara s'mund të japë kurrë mesazhe largpamëse shoqërië, përkundrazi do e çorodisë, do e qorrollisë dhe dashje pa dashje ajo (shoqëria) kërkon dikë ta marrë për krahu e duke mos e gjetur këtë mbështetje tek letërsia dhe arti, tek njerzit e kulturës, zgjat dorën tek shteti, por shteti u jep një dorë e me tjetrën u vjedh edhe qindarkat e fundit… shkurt; i skallavëron.
Për skllavërinë e një kombi, s’është përgjegjëse politika, por inteligjenca, njerzit e artit dhe të kulturës, krijuesit…
E bëra këtë parantezë, për të thënë se letërsia jonë është mbarsur me tematika të komanduara, shpesh me figuracione të pakuptimta për lexuesin dhe si e tillë, ajo nuk është e lakmueshme dhe më vjen keq ta them, por ajo krijimtari që nuk lexohet, s'quhet letërsi e për fatin e keq tonin, ne akoma nuk kemi një letërsi të mirfilltë, letërsia e Realizmit Socialist, thjesht merrte tematika të ditës, por nuk trajtonte, thjesht konstatonte dhe e lyente me bojra, thjesht për të kënaqur syrin pa e futur mendjen dhe shpirtin në punë fare, apo tema historike që e ngritën armikun tonë shekullor, në pjedestal, duke shfryrë kundër Turqisë, Italisë dhe Gjermanisë, që ishin pushtuesit tanë, ndërsa sllavët, ishin miqtë tanë të mëdhenj e ndërsa letërsia e para 1944 u ndalua, pikërisht se kishte tematika origjinale shqiptare dhe ajo që duhet thënë, se në atë letërsi kishte mendim të lirë, kishte trajtim të mirfilltë të tematikave dhe figuracioni ishte kryesisht shqiptar, pa lënë mënjanë dhe nga kultura botrore. Kjo bënte që në rininë time, për një libër të ndaluar prisnim në radhë për ta lexuar...
Shpesh më kundërshtojnë për mendimet që them për letërsinë dhe thonë: "Më mirë letërsinë e Realizmit Socialist se pa letërsi" dhe unë po u them: ne s'jemi pa letërsi, por ajo qëndron e varrosur në dorëshkrime, apo botohen dhe zhduken, ku janë botuar dhe tregut asnjë libër nuk qarkullon e pse thuhet se tirazhi ka qënë i madh. Porosia është; ashtu siç u dënuan autorët, tani të burgoset krijimtaria e tyre, se po të ishte vërtet dëshira e mirë, tregu i librit nuk do ishte rënduar nga librat e politikanëve dhe biografive të tradhëtarëve të kombit.
Shkrimtari në radhë të parë duhet të njohë veten, që të njohë veten, duhet të njohë prejardhjen, historinë e kombit, ngjarjet, ndodhitë, jo me sekuenca, por në kronologji, të gjejë shkakun që të dalë e qartë pasoja, shkrimtarët duhet të njohin librat e shenjtë, të njohin filozofinë, të njohin letërsinë, sigurisht edhe gjuhën të dinë ta përdorin ashtu me thjeshtësinë e saj për të dhënë mesazhe për të gjithë, pra të jetë e kuptueshme për lexues të niveleve të ndryshme e kjo arrihet kur kemi parasyshë ato që thashë më lart, por ç’po ndodh tek ne? Për fat të keq botohen e stimulohen “shkrimtarë” pa nivel kulturor dhe artistik e nxirren libra dhe mblidhen “kokat” e shoqatave dhe i krahasojne me Eseninin, Kafkën… deri tek Shekspiri i madh. Kjo lloj letërsie e degradon letërsinë, e lë shpirtin e popullit pa ushqim, ndërsa autorët e mirfilltë, edhe kur botojnë, mbeten në hije, apo nuk përfillen nga “tribunarët” e shoqatave, apo kjo kategori nuk duron fjalët boshe, pa asnjë bazë kritike të mirfilltë letrare…
Kam disa vite që po studioj për kënaqësinë time dhe për ndriçimin e mendjes një pjesë të veprës së Prof. Dr. Isuf Luzaj dhe ato që shkrova më sipër i kam gjetur në krijimtarinë e këtij gjigandi, i cili shkruan thjeshtë e jep mendime të mëdha, të kuptueshme për të gjithë, tematikat e tij në letërsi janë krejtësisht shqiptare. Kështu në tragjedinë "Princesha Rugina" e cila është botuar, trajton luftën heroike të Gjergj Aranitit dhe nxjerr shkakun e humbjes së tij nga ndërhyrjet e venecianëve, duke i vënë përballë me njëri - tjetrin princat shqiptarë, deri dhe brenda familjes, gjë që asnjë shkrimtarë nuk i jep aq vërtetësisht, kjo se nuk e njohin historinë dhe se ata që e njohin, e manipulojnë atë që të gjejnë mbështetjen e politikës.
Nuk kemi tragjedian shqiptar dhe me dëshirën e mirë për ta vënë në skenat tona, trokas në teatrin e Vlorës, por më largoheshin sikur të shihnin kolerën e ajo që më habiti më shumë, kur i dhashë një aktori skenarin e dokumentarit të nisur për jetën dhe veprën e Isufit, ju drodh letra në dorë dhe e ktheu rrëmbimthi e tha: "Ky ka qënë Ballist!" po kështu m'u dha rasti të takoj një aktor të Prishtinës dhe u luta ta vinin në skenë, por ai më tha: "Zonjë, teatri ka mbaruar... Na thotë drejtori: "Shkoni bëni ndonjë punë tek shtëpia, rrogën do t'a merrni..." e si të them se kjo realizohet, kur teatri egziston formalisht..." Më në fund takoj një të teatrit kombëtar dhe gjëja e parë që më tha ishte: "Sa personazhe ka tragjedia?" Mund të ketë rreth 15, i them me shpresë se meqë më pyeti për personaxhet do kishte ndonjë mundësi, por ai nënqeshi dhe tha: "Ti e shikon që në skena vihen monodrama, se projekti bëhet për dramë e hahen paratë, jo të ketë kaq personazhe e të pretendosh se do vihet në skenë..." Mbeta e befasuar dhe pësova goditjen e radhës duke m'u shtuar edhe një plagë tjetër mbrenda plagës së madhe të coptimit të kombit, ajo e shuarjes sonë përmes fikjes së kulturës dhe ndezjes së epsheve të korrupsionit.
Tani kam në dorë poemën e gjatë "Myneveri" e cila ndryshe nga tragjedia "Princesha Rugina", që është shkruar me stil Shekspirian, do të thosha se shkon më shumë me stilin Dantesk, me një gjuhë të pastër shqipe, ku gërshetohen ëmbël dy dialektet e gjuhës sonë, që për fat të keq në 1972 të ashtuquajturit akademikë shqiptarë dhe kosovarë, ia prenë njërin krah, gegërishten, duke e lënë përjetësisht invalide…
Shkrimtarit, që në fillim të një libri, intuita i ndez llampën e idesë së veprës që do të lindë, ndaj me mendjen e tij ai përcakton pikat ku do kalojë për të mbërritur atje ku ai dëshiron të shkojë, ndaj një shkrimtar që s'udhëhiqet nga intuita ndriçuese, por nga porositë, apo tregu, ecën pa orjentim, pa stacione, thjesht hyn në shina e të dalë ku të dalë...
Letërsia s'është thjesht dëshirë, as biznes, ajo është përgjegjësi… ai që luan me penën, ka luajtur me shpirtin e popullit, pa llogaritur shpirtin e tij që e ka shkelur, apo shitur para veprës së tij…

Lulzim Breznica: SIKUR TË MUNDJA TË SHKRUAJA

Edhe unë di të shkruaj për Lulet,
Për flladet,aromat,ëndrrat pa skaj,
Si t'ia bëj,kur ngrirë frymoj mes stinës,
Në një kohë të heshtjes me faj.
Shumë kam dashur të shkruaj për Lulet,
Për këngën e tyre që si dielli lëshon dritë,
Se nëpër dhimbje u rritën furtunave,
Të japin prehjen që të mbërthen në shpirt.
Dhe unë e pata qetësinë me Lulen time,
Me zili e deshta sa e murosa në zemër,
Por,tani është zbehur prej se u plagos,
Nga kjo stinë dimri si nata me ujqër.

Zyba Hysa: HAKERRIME...


Në dreq të shkojë mendja!
Në dreq të shkojë edhe ndjenja!
Dhe BESA në dreq të shkojë!
Në dreq… dhe ç’po jetojmë!!!
Më vjen tërbim nga mbrenda,
Si një zog përpëlitet zemra,
Kur shoh gënjeshtrën ZONJË!
E të vërtetën POSHTËROJNË!!!
Ç’të dua o mëndje – DRITË…
T’më thersh’ më shumë n’shpirt!
Ç’të dua ty, O DASHURI,
Kur s’njeh HIPOKRIZI…!
Në dreq shkofsha edhe UNË!
Q’dua të ndreq këtë punë!
N’dreq shkofsh, o Zoti im!
Dreq e shndërrove njerinë!
Eh…! Ç’dufmë shpirti kam!
Por prapë se prapë, UNË jam!
Si vallë s’u bëra dot palë,
Me dreqër e me gjithë ç’kanë!?
Në dreq… shkoftë dreqi!
Në dreq shkoftë dhe i keqi!
Kur të gjithë shkojnë ANDEJ…
Aqsa të gjithë, UNË VLEJ!!!