Friday, March 31, 2017

Prof. Dr. Abdullah Mehmeti: “ ZILET E NJË JETE” TË AUTORIT NEHAT JAHIU


JETËSHKRIMI I NJË MËSUESI , MES ZILEVE TË VOGLA  DHE IDEALEVE TË MËDHA

        Të paktë janë njerëzit që tërë jetën ia kushtuan arsimit, që përveç gjurmëve në veprimtarinë edukative-arsimore ndër breza, të kenë lënë edhe vepra të shkruara për punën e tyre, të bashkudhëtarëve në këtë mision të shenjtë, nxënësve të vet, e sidomos për ecejaket e arsimit në gjuhën amtare, në kohën dhe rrethanat kur kanë punuar e vepruar.
        Nehat Jahiu është njëri ndër ata, që përkrah punës si mësues, pedagog, arsimtar dhe veprimtar, kurrë nuk e lëshoi pendën nga dora. Përveç veprave të shumta letrare dhe publicistike, ka lënë gjurmë të pashlyera edhe në historinë e arsimit shqip të trevës së Karadakut të Kumanovës dhe më gjerë, duke u lënë gjeneratave të reja një histori të shkruar për kohërat e bujshme të arsimit në gjuhën amtare në këto anë, veprimtarët e dalluar dhe problemet e kohës kur punoi si arsimtar, por edhe më vonë, pas shkuarjes në pushimin e merituar nga karriera arsimore.  
        Me punën e tij si edukator i shumë brezave, përmes veprimtarisë së gjerë kulturore dhe letrare, mësuesi i idealeve të mëdha, Nehat Jahiu ka dhënë shembullin më të mirë në rrethin ku jeton dhe punon, duke krijuar modelin si duhet të jetë mësuesi, arsimtari, pedagogu, profesori dhe në përgjithësi intelektuali shqiptar.
        Nevojat e popullatës, mes së cilës jetoi dhe veproi autori i librit për të cilin bëhet fjalë në këtë recension, kanë qenë tepër specifike, të ndjeshme dhe të ngutshme, prandaj edhe detyra e mësuesit të këtyre trevave nuk ka qenë e zakonshme. Prej tij koha ka kërkuar të jetë mësues për gjithçka e kudo, në shkollë, në familje, në rrethin ku jeton e vepron, si dhe në mbarë shoqërinë, e cila kishte nevojë më tepër se për dije, më tepër se për shkollë dhe arsim, për emancipimin e përgjithshëm të saj, si nevojë dhe domosdoshmëri për shërimin e gjithë atyre plagëve shpirtërore dhe morale që u kishte lënë vragë ndër shekuj koha e sundimit nga të huajt.
        Nga temat që autori i trajton në këtë vepër, shihet qartë se gama e interesimeve të tij në jetë dhe punë nuk kanë qenë thjeshtë vetëm ushtrimi i profesionit, por interesimi, preokupimi dhe angazhimi i pandalur për shtrirjen e ndikimit të vet, kudo ku populli dhe shoqëria pati më tepër nevojë.
        Në këtë vepër që mban vulën e një kohe të turbullt për arsimin dhe shkollën shqipe në trevat shqiptare në Maqedoni, e në fshatrat e Kumanovës në veçanti, si në një gjerdan me xhevahire të çmuara radhiten ngjarje dhe personalitete, veprimtari dhe ideale, qëllime dhe dëshira të shumta dhe të shumëllojshme, ashtu siç i ka ndjerë e përjetuar vetë autori i këtij libri.
        Ky libër në pjesën më të madhe të tij mund të trajtohet si autobiografi, por trajtimi i temave të cilat e preokupojnë autorin dhe të cilat i trajton me aq përkushtim dhe profesionalizëm, na japin të drejtën ta trajtojmë si një libër i madh i jetës, jo vetëm të autorit, por edhe të popullit mes të cilit janë zhvilluar këto ngjarje dhe kanë vepruar këta personalitete që përjetësohen nga autori i kësaj vepre.
        Në këtë libër, autori trajton një numër të madh temash, duke filluar nga ato për mjetet themelore të mësimit, lapsin dhe fletoren, problemet didaktike, librat shkollorë, planet dhe programet mësimore, revistat shkollore, literaturën dhe bibliotekat, e deri te kabinetet e munguara për një shkollë moderne dhe projektet serioze për reforma të nevojshme në arsim.
        Disa nga temat e trajtuara në këtë libër, lirisht mund të radhiten ndër perlat e prozës artistike moderne. Jo vetëm pse mund të zgjojnë emocione të veçanta tek lexuesit, por harmonia e krijuar mes formës dhe përmbajtjes së temave në këtë vepër nganjëherë të lënë pa frymë, sidomos në pjesët ku përshkruhen peripecitë e një vajze të re shqiptare, e cila lufton me dallgët e egra të jetës, me fanatizmin dhe injorancën, vetëm për ta fituar lirinë e saj, dritën e jetës, të drejtën e shkollimit dhe emancipimit.
        Kujtimet e autorit për veteranët e dalluar të arsimit, për nxënësit e tij të dashur, për zgjimin e dashurisë për librin, burimin më të madh të dijes dhe përparimit, po ashtu janë pjesë të cilat i japin këtij libri një peshë të veçantë, atë që mund ta ketë vetëm vepra e një autori i cili ka bashkëjetuar me librat, është edukuar dhe ka edukuar dhjetëra gjenerata me këto ideale.
        Kjo vepër, sa mund të jetë historike-pedagogjike, po aq është edhe letrare-artistike, ku temat e motivet e gërshetuara në një harmoni të natyrshme, veprës i japin një kuptim dhe dimension të veçantë.

Tetovë, 9 janar 2017. 

Prend BUZHALA: LUFTËTARI I SHPRESËS, III


(Lirikë eseistike për besimin që gjen shtegun në furtunë)

A ka forcë që i ndalon rrjedhat e burimeve të mësyjnë kah deti?
Edhe ti, si një Luftëtar Shprese, iu ngjet këtyre burimeve:
nuk ka plumb që të prek, nuk ka teh shpate që të ther.
ai nuk mbërthehet nga prangat e harresës,
thur një psherëtimë në heshtje, një melodi të mbytur pikëllimi.
Tash, nën këtë diell frymëlirie,
sa lehtë e kanë njerëzit të lëshojnë piskama,
kur aq larg dëgjohet si një kushtrim bosh, e askush nuk i ndjek.
E dje fshiheshin edhe nga vetja e vet.
Nuk e kanë provuar sikur ti, ta dëgjojnë zërin e vetvetes
përballë stuhive të jetës.
Dhe shakullinat e fatit t’i përplasin për fytyrë
tingujt tu gjithë psherëtimë.
E po, zëri yt nuk jepej, besimi yt i jepte fuqi përballë rrokullimës.
Shpresën dhe besimin i ke të pamposhtur, e gjejnë shtegun,
Mu si një shigjetë a predhë që godet cakun. Shpresë pikësynimi.
Furtunat e tërmeteve kanë shembur male e bjeshkë,
kanë tharë dete e lumenj, e njeriu ka ecur përpara.
Për ta shpallur fitoren e tij.
Luftëtari i Shpresës fal. Fal të dobëtit dhe shpirtrat dyshues në fitore.
Ata që nuk besojnë, luftojnë me vetveten.
Nga humbjet e tyre ti zgjedh vetëm fitoren.
(
 30 mars 2017)

Ramiz Kuqi: PRANË LUMENJVE, I PALARË


- Kam një pyetje për Ty ,- iu drejtua mikja Fjalës.
-Teksti është pa përmbajtje, i thatë,-iu përgjegj Fjala. Atë ditë era frynte me furi udhëve.A. mori laptopin nën sjetullë për ta dërguar te mjeshtri. Kur u afrua afër shitores, e pa Leon, një djalosh i butë e xhentil për mjedisin provincial. Ai ishte strukur në një kënd , rreth një muri të çarë që mezi qëndronte në këmbë.Në një tavolinë prej plastikës Leoni ishte ulur me dy tre të rinj, të gjithë me mjekrra të lëshuara deri në fund të nofullës së poshtme.Si e pa A., la kafenë përgjysmë dhe u duk në derë të punëtorisë.
- Hë, ka diçka që nuk është bërë mirë në laptop? E kam formatizuar me kujdes.!
-Krejt është në rregull. Edhe dizajnI në hapje të laptopit. Një natyrë e bukur, me drunj e zogj nëpër degë. Edhe ai qiell ngyrë plumbi. Sa herë e hap, m'i rikujton malet, atë qetësi që vetëm atje mund ta gjejë njeriu.
- Po çfarë ka atëherë?- vazhdoi me butësi t'i përgjigej A.Nuk hapet ?
- Hapet shpejt. Vetëm gjuha e folësit të vendit nuk është instaluar.Madje në shqip ë-ja , kjo zanore mungon. Pa ë-në dhe ç-në, mbase nuk dalin fjalët bukur.
- Hapet shpejt. Vetëm gjuha e folësit të vendit nuk është instaluar.Madje në shqip ë-ja , kjo zanore mungon. Pa ë-në dhe ç-në, mbase për dy a tre minuta. Sa ta pi kafenë, mund të presësh ?
- Unë kam pritur me shekuj për fjalët e gjuhës,- i tha vetes në heshtje
- U vonova, i tha Leoni A.?
- Jo, jo. Nuk është dashur të nxitosh. Mbase nuk është punë fusnote kjo.
- Eh kjo fusnotë..Dikur thonin se nuk është asgjë.Madje pas dy a tri vjetësh, kjo nuk ka më vlerë. Madje na thanë atëherë se mplaket. Si të akuzuarit e të dënuarit për krime . Pas tri vjetësh lënda vjetërohet dhe askush askujt nuk i jep llogari askujt.
- Do të ndryshojnë ligjet. Asgjë nuk është e paprekur.Vetëm duhet pasur mendjedritur në krye të parisë së vendit.Jam ngopur me vjedhje nga arka e shtetit.Madje nuk i ke parë sa të pacipë janë? Gajasen si fëmijë në Kuvend burrash. Miratojnë deklarata , të cilat kurrë nuk i kanë zbatuar .Bile propozojnë rritje rrogash . Rroga të majme , kur njerëzit mezi kalojnë një muaj me një ndihmë sociale me shtatëdhjetë euro.
Era e lehtë frynte atë ditë nëpër udhë. Pluhuri ngrihej drejt qiellit. Letrat e hedhura vend e pa vend i hidhte era në lumë. E udhët nuk lahen kurrë. Çfarë anakronizmi. Pranë lumenjve, i palarë !
30.3.2017

Thursday, March 30, 2017

Kujtim STOJKU: CJAPI

(Nga libri në dorshkrim)

Sa herë vjen pranvera dhe lulet lulzojnë,
Zogjtë këndojnë si të dehur këngët e tyre si nga hera,
Yjet e rastit në kupën qiellore xixëllojnë,
Cjapi hutohet kur sheh gjethet e gjelbra.

Ai bredh nëpër vragat e tij në shtigjet shkëmbore,
Mundohet të ngjitet nëpër frashra dhe lisa,
Në majë të kresë i zgjaten dy brirë në formë kurore,
Pas kurorës mbretrore e gjithë tufa e dhive nga pas e ndiqka.

Rrëketë për çudi të gjithë rridhnin qumësht,
Cjapi si kokoroç kalonte tutje me këmborë në qafë,
Kodrave dhe luginave bërtiste meee,që oshtinin kudo,
Përtyp gjethe të njoma,pas ferrash fërkon mjekrën e gjatë.

Duke u endur nëpër pyje ai pa nimfat,
Që bashkë me lulet zbukuronin livadhet,
Atherë ai bërtiti meee me të madhe,kjo ishte gjuha e tij,
Rapsodinë  e tij t’gjitha nimfat e pranuan edhe kësaj radhe.

Kështu që ne dëgjojmë sot një muzikë me kompozim të ri,
Shohim nimfat nëpër pyje vardallë duke u sjellë,
E,më pas ky cjap i gjorë iu dorzua një kasapi shpirt zi,
Pasi e vari në çengela,pa mëshirë filloi me e rrjepë…


Tiranë.30.03.2017

Wednesday, March 29, 2017

Prend BUZHALA: (Imaginarium) 1 SIKUR TË ISHE TI KRYETAR A MINISTËR...


Sikur të ishe ti kryeministër ose ministër, ç'do të bëje?!
(Mirë, mund ta vësh në veprim imagjinatën)...
1.
Dikur, para nxënësve (kur punoja në arsim), pata formuluar një temë të rrezikshme për hartim: "Sikur të isha unë kryetar i shtetit..."
Ende e ruaj ndonjë hartim nxënësish me temën: "Duke medituar buzë kufirit..." (Ishin kohë të rënda, dhe, kësisoj, së bashku mësonim të meditonim e imagjinonim rrezikshëm).
2.
Sot këto tema mund të shtrohet lirisht... dhe imagjinativisht!
Po sot, a ka rrezik që IMAGJINATIVISHT, të shtrohen tema "të rrezikshme"!?
Eh, imagjinata!
... Bie fjala, Prishtinën ta shpallim Kryeqytet të Botës! Imagjinatë hesapi!
Ose: Prishtina të jetë Njëherë në Vit Kryeqendër BOTËRORE e Librit...
Ose Kryetarin e BE-së ta zgjedhim një shqiptar!
Ose kryetarin e OKB-së ta zgjedhim një shqiptar!
Imagjinatë hesapi!
3.
Të zbresim më poshtë: ruana Zot që të imagjinojmë, që, një udhëheqës yni, në krye të shtetit të jetë... "i një provenience tjetër" (përfytyroni proveniencat krahinore, fetare, kombëtare etj)...
Thjesht, imagjinata edhe i THYEN PARAGJYKIMET...
Ose, ose...
4.
Shpesh, gjatë dekadave të fundit, e kam përsritur një reflektim timin: Kosova, në të ardhmen, do të jetë e tillë, ashtu si sot e përfytyrojmë...
( 29 mars 2017)

Violeta Allmuça : EMOCION POETIK




Libri më i ri me poezi shkruar nga poeti Nehat Jahiu “SHPIRTI I MËRGIMTARIT” vjen me motive nga mërgimi, një realitet i hershëm në jetën shqiptare, i ndërlidhur si dukuri shpirtërore, pra i njeriut me një atdhe tjetër, të cilin e thërret shpresa me vetëdije të përbotëshme. Mesazhet e tij jepen nëpërmjet fjalës artistike, ku filli i jetës lidhet jo vetëm me lirinë, por gjithashtu edhe me kuptimin e pragut të mëmëdheut që për autorin mbetet pesha e madhe e vendlindjes. Emocionet dhe dashuria për atdheun e tyre sipas mërgimtarëve, ndjehen edhe larg në gjithësinë e botës. Kjo ndjenjë ndoshta për analogji nuk është e njëjtë me imagjinatën, si një kod njerëzor historik. Ndaj për poetin është mënyra që ta kthejë poezinë në një fuqi e cila mund ta ruajë këtë fenomen në kujtesë. Si përkujtim shpirtëror vetë njeriu ka mbjellë përveç vendlindjes, dhembjen e mallin. Askush nuk mund të jetojë pa atdheun e tij. Evokimi i vargjeve vjen si një virtyt i identitetit të tyre duke mbajtur gjallë universin autokton dhe trashëgiminë historike. Vargjet ruajnë rimën thuajse në të gjitha poezitë e këtij libri. Zëri i poetit përcjell vargje sa emocionuese po aq edhe impulsive për lexuesin e fjalës poetike si thirrje ndaj mërgimtarëve. Të qënit në dy botë, aty ku ndahet shpirti dhe hapësira njerëzore, lind një ndjeshmëri poetike, ku zë vend krahasimi, metafora, simboli etj. Ja çfarë shkruan autori në poezinë: “Ku po shkojmë” - E ku po e lemë fushën e malin/ Dashurinë e mallin/ E ku, ku jemi nisë/ ku po shkojmë/ Qysh të rrojmë?/...
Iluzioni magjik i mërgimit kthehet në një mundësi reale ku mërgimtari mendon se do ta bëjë më të bukur jetën e tij. Mirëpo ky mbetet vetëm një hamendësim me dashurinë e vendlindjes. Le të ndjekim vargjet e poezisë: “Më ndërrohet nata me ditën”
Buza më dridhet, zemra shumë më djeg/ Kur e shqiptoj këtë fjalën “kurbet”/ Jam lodhur e aq shumë jam mërzitur/ Sa më ndërrohet nata me ditën/.
 Dhembja e malli e ndjek ditën dhe natën mërgimtarin atje larg. Ndaj ai e krahason terrin në mërgim vetëm me dritën e vendlindjes. Pasqyrimi bardhë e zi është diku një kufi ose kufiri i atdheut. Sigurisht e ndjek pas hija e tokës së tij.
A është ky një trill i vetë mërgimtarve apo një realitet i tejdukshëm? Ikja në një vend tjetër e shenjon mërgimin si një orientim simbolik, në vijë paralele me pasurinë, ndërkohë që poetët kanë metoda të tjera për të matur realitetin, shkrimin letrar poetik.
Kujtimi i tokës së të parëve, i varreve të paraardhësve, mbetet një refleks orientimi për të mos e harruar kurrë atdheun mëmë. Vargjet rrjedhin gjithashtu si krojet e vendlindjes. Ja një emocion tjetër poetik: “Mos harro”- Gjuhën tënde mos e harro, kudo që je/ Se më të ëmbël se ajo, ti nuk ke/ Vetëm ajo të jep nder e vlerë/ Në parajsë qofsh apo në skëterrë/.
Ndoshta kurbeti është edhe një sfidë e lirisë ose përndryshe ideja e sotme e globalizmit! Ndoshta! Por vëmendja e përditshmërisë e çon poetin në këtë libër me poezi midis të tjerash edhe në mendimin e vërtetë, si një dëshmi tjetër mjaft e veçantë e trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve. E bukur për poetin mbetet kthimi në atdheun e tij, ku frymon, vendlindja, toka, fjala shqip, bilbili, dheu, kujtesa, jeta.
Lexojmë poezinë tjetër: “Të kërkoj” - Të kërkoj/ Në djepin e ëndrrave të mia/ Në ninullat e nënës/ Në këngën e lashtë të gjyshit/ Në zemrën e kësaj toke të shtrenjtë/. Ngjyrimi artistik i vargjeve sjell lirshëm emocione e tërheqje për lexuesin e thjeshtë.
 Gjuha letrare e poetit buron e kthjellët duke rrugëtuar në një vepër poetike e cila ruan formën e komunikimit me fjalën që po ashtu e vesh me jetë vargun. E bukura pasqyrohet edhe në përmbajtje. Poeti shprehet modest duke hedhur vargjet poetike si një domethënie e jetës shqiptare, pikërisht atje larg ku buron dashuria e mërgimtarit për jetën, në vendlindjen e tij. Motivi i mërgimit me një dinamikë malli e dhembje mund të reflektojë edhe në kohën e sotme, në poezitë që i dedikohen një pjese të shoqërisë, ku ngjyrat e jetës duhet t’i shohin, aty, në lindjen e diellit të mëmëdheut të tyre. Thelbi i poezive përmban, thelbin e identitetit dhe stil të rrjedhshëm, i cili i kujton autorit se këto dëshmi të gjalla mbajnë në vetëvete edhe plagën e kohës tek shpirtrat e njerëzve. Ai beson se vetë jeta i pranon fenomenet e civilizimit dhe vetëdijësimit, brengosjes apo kulturës! E bukura shpirtërore që poeti e quan vendlindje ose dhembje, mbajnë në vetëvete edhe shpresën, pra jeta ka forcë ndriçuese edhe në lotin e pikëllimit. Dashuria ka lindur jetën dhe fjala poetike është një zë që i dhuron buzëqeshje. Le të lexojmë edhe poezinë: “Lart në qiej”- Të bie e të përplasem i gjithi pas teje/ Si një kandër që bie për tokë/ E të mos ndiej dhimbje/ Por veç mall, mall, edhe prush, edhe lotë/.
Arti i bukurisë së vargjeve ka ekzistuar dhe do të ekzistojë tek njeriu. Pikërisht këtu poeti i ka mbetur besnik poezisë së mërgimit, duke menduar se afirmimi poetik i tyre i këndon shpirtit të mërgimtarit.
Violeta ALLMUÇA
POETE

Prend BUZHALA: NË PROFIL: KRESHNIK ALIÇKAJ, KOMPOZITOR,


KRESHNIK ALIÇKAJ, KOMPOZITOR,
VENDI I PARË NË LUKSEMBURG
(Çast reflektimi dhe për një sistem vlerash integruese europerëndimore)
Kreshnik Aliçkaj (1982) është kompozitor që tashmë ka bërë emër, është profesor universitar në Akademinë e Muzikës në Prishtinë, veprat e të cilit janë interpretuar në Kosovë dhe Shqipëri. (E njoha nëpërmes prindit të tij tashmë të ndjerë dr. Xhavit Aliçkajt, në manifestime kulturore, letrare e muzikore. Xhaviti ishte studiues letrar, sidomos i Fishtës, profesor autoritativ, edhe vetë ishte muzikant, si dhe njeri i lëvizjeve kombëtare të kohës).
1.
Kësaj radhe, shkas për të shkruar për Kreshnikun, ishin dy prezantime e suksese në fushën e muzikës në Evropën Perëndimore, në radhë të parë, SHPËRBLIMI I PARË në garat ndërkombëtare "Artistes en Herbe" Luksemburg, me veprën e tij “Kuintet Pianistik” (e shkruar për 2 violina,violonçel e piano, që, si e kategorizon autori, "është në kategorinë e veprave të dhomës", e kompozuar para dy viteve).
Po ashtu, do përmendur edhe një prezantim të mëparshëm, vitin që shkoi. Fjala është për pjesëmarrjen e tij në Vatikan (shtator 2016), në Bazilikën Papale të Shën Palit, me rastin e shenjtërimit të Nënës Tereze e ku u shfaq vepra e tij muzikore “Nëna Terezë". Ishte një interpretim premierë që u interpretua nga Kori dhe Orkestra e Filarmonisë së Kosovës, në koncertin që mbahet në mend e ku merrnin pjesë personalitetet më të spikatura shqiptare të skenës ndërkombëtare të artit.
2.
Që të dy këto vepra muzikore karakterizohen nga shfrytëzimi i folklorit tonë burimor; një ndërthurje e mahnitshme e autoktones me klasiken muzikore europerëndimore. Gjithnjë spikatet fryma origjinale, krijuese. Vetë kompozitori shprehet: "Gjithnjë mundohem që të shkruaj muzikë të bukur dhe të jem vetvetja në krijimtari, duke i shfrytëzuar ato elemente muzikore të përgjithshme siç janë: harmonia, forma, polifonia, orkestrimi, etj, dhe të gjitha këto në mënyrë sa më origjinale. Kombinimi i ritmeve tona, i moduseve (shkallëve), dhe gërshetimi i këtyre me modernizmin evropian të shek. XX-XXI e bëjnë këtë vepër profesionale dhe të kohës, pra ashtu siç shkruhet edhe sot në Evropë... Për sa i përket dramaturgjisë në vepër, është e trajtuar me mjaft kujdes, me kontrastet e nevojshme, me ndryshimet harmonike gjegjësisht modulime të logjikshme, me një formë të qartë, e gjithashtu rëndësi të madhe ka edhe vendosja e materialit muzikor në instrumentet e caktuar dhe në regjistrat ku ato tingëllojnë si tërësi, pra me tingull të plot e të rrumbullakësuar mirë."
3.
Në mediet e vendeve europerëndimore shpesh kultura zë kryet e vendit...
Për këta afro 18 vjet e sa, rrallë Kosova jep një kryelajm kulturor (si ndodhi vetëm nga lëmi i kinematografisë... për nominimin zyrtar të filmit "SHOK"... ). Kemi jo pak personalitete të kulturës që e lartësojnë emrin e Kosovës... por që i përbuzim barbarisht...
Dihet: ne mund të konkurrojmë me vlera kulturore, për shkak se nuk prodhojmë mercedesë, aeroplanë apo kompjuterë...
E përse të mos ishte kryelajm një prezantim i tillë edhe i Kreshnikut në mediet tona që mbajnë monopolin informativ (më shumë monopol i uzurpuar)?
Thuhet: pas bukës vjen kultura...
4.
Në dyert e integrimeve evropiane, ne mund të trokasim (konkurrojmë) me SISTEM VLERASH dhe projektesh, e jo me SOPATË NË DORË (me sharje e sulme, se jemi trima, të tjerët, "Evropa kurvë" na kanë borxh, prandaj ata DUHET të na dëgjojnë vetëm ne, URDHËRAT TANË etj etj); apo të biem në ekstremin tjetër, të trokasim me STRAJCËN E LYPËSIT (se të tjerët u dashka të na mëshirojnë)?
Sigurisht, që konsiderojmë që duhet të trokasim (konkurrojmë) me sistem vlerash...
E nëse ato vlera na mungojnë?!
Fatmirësisht, nuk na mungojnë!

( 28 mars 2017)

Monday, March 27, 2017

Prend BUZHALA: KËNAQËSIA HYJNORE E EROSIT NJERËZOR


(Lirikë me çast mazohizmi, për vuajtjet në jetë)

Ç'të ndjek e përndjek një mendim që vendin vend nuk ta lë
e të pyet: thuaje, ç'është jeta? Çka është jeta?
Bataretë e mendimit të rrethojnë e të shtrëngojnë.
I dërgon drejt teje ushtarët e shqetësimit,
Të rrethon me ligje të shkruara e të pashkruara,
T'i vë përpara portretet e presidentëve, diktatorëve dhe banditëve,
T'i shfleton në tryezë projektet për vështirësitë e jetës
për kotësitë e ekzistimit dhe për (anti)të drejtësinë njerëzore...
Koka mbushet e stërmbushet me lajme, me analiza e komente,
bombardohet , me lexime gjithfarësh... me një Babiloni librash.
Ç'të bësh me vitet e me ditët që shkuan e me ato që do të vijnë?
Mirë, të thotë: bëhu rrobaqepës, qepi vitet e ditët,
qepe pëlhurën e çjerrë të kohës, qepi copëzat e shpirtit të grisur.
Ta vizaton në pamjen e fytyrës mirësinë e një fëmije
që nuk ia dëshiron askujt të keqen në këtë botë,
një qenie që ka dëshirë të dashurojë e të dashurohet,
të jetë e lumtur, të jetë e drejtë dhe e ndershme.
Një fëmijë që ende e ruan ankthin e Fjalëve të Trishtuara,
helmin e Fjalëve Thikë, kur shihte përreth kufomat e luftës,
dhe një pikë ujë kur ia dërgonte një plake që gjëmonte...
Dikur zbrazesh i tëri: a thua kush na paska hedhur në këtë botë?
Ne e paskemi kërkuar të vijmë në këtë anë të ekzistencës?
Apo ishte kënaqësia hyjnore e erosit njerëzor?
Ç’është ajo kënaqësi për vuajtjet përndriçuese?
Për të qenë më afër Hyjit, Parajsës dhe Hyjnores?!
Ndërsa Planeti vuan për Shpirtin e Dashurisë.
Dhe jeta mbetet pa përgjigje: ç’është jeta! Pyeteni dashurinë.
( 27 mars 2017)

Thursday, March 23, 2017

Sadbere Gagica Spahija: Cikël poetik

POETËVE
Gezuar Diten Boterore te poezise
Gjithandej ku i zë nata
Mbi vargje
Tek kërkojnë foletë me ëndrra
Fjalët për tokën e lindjes
Kujtimet e hajthme të stinëve
Dromcat e vogla të dashurisë
Pritjet nëpër stacione të strofave
Rrokullisjet nëpër fjalët e pathëna
Poetëve
Sonte luftoj me djallin
Që do të hyjë si hajn
Derën ia kam mbyllur me kohë
Hullive të arave me kallinj
Tek jargisej në mesnatë
Buzë dritares sime
Neveritshëm sillej udhëve
Me fanarë të fikur
E sytë
Ende i kam të përlotur
Tek endem nëpër kthina mërgimesh
Malli më është veshur nëpër ëndrra
Të gjej orët e mia
Strofat pa asnjë rimë
Derdhur
Si lumë luginës sime të zemerimit!...

PRANË LOTËVE

S'vjen pranvera në folenë e mallit
Dallëndyshet harrojnë çerdhet e vjetra
Asnjë fjalë nuk e zgjon këtë heshtje mortore
Ndarjen e deshën ata që ikën një natë të
ftohtë
Vjeshtë ishte kur toka digjej nga barishtat
E ndonjë dore pa shpirt i mori të gjitha
ëndrrat
Pranë lotëve sonte dridhem si purtëka në vijë
mulliri
E humbur jam në këtë tingull vetmia lum
stinësh
Në bisht të sorrës ky gjeth i sapomugulluar
Koha luan me fjalën time a vargu është bërë
rebel
S'vjen pranvera kur shpirti qan fluturim
Si të ishte erë e mllefosur në këtë natë të
shenjëzuar
O lot ..lot që shtrihesh nëpër bebëza syri si i
mugulluar!

MEDITIM

Puthja ime
Ku te kam
Syzjarr rri mbi varg
Ta prek fjalën e bukur
Në sytë e mi shkëlqen një yll
Shtrirë mbi buzlëqeshjen time
Sa qenkan lodhur stinët e mia
Në këtë pritje të vonuar.

22.03.2017

Wednesday, March 22, 2017

Prend BUZHALA: JEZUSI NUK ËSHTË KËTU T'I QORTOJË GURËHEDHËSIT

(Çast lirik me rishkrimin e Librit të Mëkateve)

Është lehtë njeriun e lidhur, si luanin në pranga, ta gjuash me gurë.
Janë shtuar gurëhedhësit e patenzonë. Mos ke frikë:
Nuk do të vdesësh pa mëkat, sepse atëherë fare nuk ke jetuar!
Mrekullia më e madhe mëkatnore, qenka të lindurit njeri.
Eh, nuk je shenjtor t’i marrësh përsipër zhvlerësimet e kohës sonë.
As shpëtimtar që merr përsipër mëkatet, lajthitjet e çnjerëzimet tona.
I përgatitur t'i pranosh krejt çka të thuhet te Ky Çast:
me të vërtetat e gënjeshtrat.

Jezusi nuk është këtu t'i qortojë gurëhedhësit kundër Njeriut Mëkatar.
Nuk ke kujt t'i kërkosh rrëfime për mëkat.
Secili shihet sy më sy me mëkatin e tij a me fatkeqësinë e vet.
Sa herë shkel gjëra të ndaluara, diçka e kalbur vdes brenda teje.
E, të gjitha sekretet ia beson Mëkatit si mikut më të mirë:
çmenduritë dhe marrëzitë tua. E Mëkati mërzitet nga ti,
Çmendet përse nuk i hap rrugë të fitojë.

Thua: nuk jam mrekullibërës, por njeri që ka etje për mëkatet.
S'ke si ta rregullosh këtë botë kaq hyjnore, tmerrësisht të shtrembër.
I besove ftohtësisë së dëbortë: o Zot, a po pastrohet bota?
Sa vështirë të besosh te vetja, të bësh më shumë për ëndrrën tënde.
Zemrën e lidh me litar, përleshesh me secilën ditë, e secila gdhin edhe më e rëndë.
Eh, sa herë i qorotve fajet, e ato mëkate ishin mësuesit tu më të mirë.
Ende krijon ura për të kaluar ata që urrejnë njëri-tjetrin për vdekje.
E marrin udhë për t'u bërë arkitektë të bukurisë së harqeve të triumfit.
(22 mars 2017)

Monday, March 20, 2017

Agim Gashi : VETËM PËR TY

(Parapjesë e asaj që do ta rrëfej)

U ngrys qielli e u ngrys moti
Nuk bjen shi, borë as breshër,
Vetëm rrufeja gjun e vret
N´zemrën time qëllon e djeg.

S’kenka gjë kancer hakeri
S’kenka gjë as plumbi n´ballë,
S’kenka gjë me t´kafshue kobra
Kur të len ajo për t´gjallë!

Me ftoftësinë më t´madhe t´jetës
Pa më thënë as lamtumirë,
Por më tha kam jetën time
Du t´jetoj nga tash e lirë.

Deri dje përbehej n´Zot´
Edhe „çmendej“ Ajo për mu,
Dje më tha s´jetoj pa ty
Ndërsa sot më nuk të du!

Në momentin më të vështirë
Që ke mund me pritë dhe pak,
Shumë kollaj ke mund kësaj pune
Me ia vu një kapak!

Përse deshte t´më lëndosh
Përse deshte t´më ofendosh?
Gjeje një m´the që ha bar
M´bëre derr e m´bëre kal´ !

(Rrëfimi)

Ndarje dhe kthim në të kaluarën
Por a kthehemi vallë vërtet?
Të vdekurit kanë vetëm një epërsi
Ndaj të gjallëve, ka thënë Niçe:
Nuk kanë nevojë të vdesin përsëri!

E dashur! Të deshta, të deshta shumë dhe prapë të dua,
Edhe pse ma errësove botën përfije
Në ditët më të vështira
Derisa fjalët për Ty sot janë hije.

Janë boshe, janë ëndërr,
Sepse s’kemi më mundësi
T’presim sëbashku edhe një vit të ri!
Fjalët burojnë si uji nga një pus i vjetër
Duke u kthyer diku në të kaluarën,
Në jetën e hijeshisë e të dashurisë,
Mbeten vetëm kujtimet e së kaluarës
Atëherë si mendonim këto
Se plane tjera kishim.

Të paramendoj të ulur pranë këtu përballë
Duke biseduar e duke lexuar poezi,
Dhe nuk zgjidhnim kohë edhe për t’u puthë
Për t’u dashuruar!
A e mban mend dashuria ime
Kur isha mjalti yt?
E sot? Çka jam për Ty sot,
Kush ta zëvëndëson mjaltin tim?
Jeta ime pa Ty mbeti pa gjallëri.
Për Ty s’di a je gjallëruar
A je përtri!?
Apo edhe Ty të humbi gjallëria
Se kur të humbë dashuria
Të humbë edhe shpresa për jetë!

Kur ma dhe lajmin se më nuk je për mua
M’u duk se m’u këputën damarët e gjakut,
M’u duk se m’i preve me dorën tënde
Që mos të rrjedhë më gjak,
Por as kjo nuk të mjaftoi-më sulmove,
M’u duk se çdo gjë që ndodhi në muajin e luleve
Sikur ishte sajuar vetëm për mua
Ndërsa Ty e dashur ftohtësia të erdhi
Aq rrëmujshëm e aq qetë
Kur trupi im ishte prerë në disa pjesë.
Dhe unë e di
Ai që vazhdimishtë jep
Dikur do të lodhet
Poqëse nuk merr asgjë si shpërblim
Ndërsa unë s’pata asgjë të të ipja ty,
Pos që të futa në botën dhe zemrën time
Në vetëveten time;
Duke t’i këputur krahët
Që mos të fluturosh më askund
Përtej strofullës sime
Doja të fluturonim sëbashku me krahët e mi
Por edhe këta m’u këputën sot!

Ti e dashura ime
Je e mëshirshme, e përjetshme,
Sa pak ke marrrë e sa shumë ke dhënë
Sa ke bërë dhe bën për të tjerët,
Ti që je engjëlli i dashurisë sime
Ti që ke të akumuluar fuqinë magjike,
Besimin e mrekullueshëm për suksese;
I bëre njerëzit më të mëdhenj se sa ishin
I rrite dhe i zmadhove përherë
Jua këthjelle trurin e turbulluar
Pse në fund ma vrave zemrën mua!?

Kurrë s’kam pasë dëshirë
Të mburrem
Si i mençur dhe i urtë....
I urtë isha dikur e tani jam sa ti,
Ndërsa ti je përtri!
Zemra më çahet në dysh
Kur të parafytyroj sa e bukur je e më s’të kam
E ti as që e merr dot me mend
Se dikur isha mjalti yt
E sot? Sot jam i idhëti yt!
Më duket se të kam dashtë një jetë
Se të kam njohur që kur ke lind
Dje të kam dashur shumë e shumë,
Por nesër do të të dua edhe më shumë.

Ti më njeh dhe e din mirë
Se shumë vite isha i shkëputur
Nga jeta normale, nga lumturia,
Dallgët e jetës më çonin kah donin ato
Derisa një ditë të njoha Ty,
Që më solle në një jetë normale
Ma ktheve dashurinë e jetës
Se isha as i gjallë e as i vdekur!

Kur ishe te unë
Të tregoja Ty:
Se unë kam fjetë kohë e pa kohë
S’kam pasë nevojë të humbi gjumin për askend,
Vetmia më hante e gërryente në shpirt
Dhe po të mos ishte lulja ime e Ilirisë
S’do ta kishe fatin të më njohësh
E as të më thuash tani lamtumirë
Kur u përpëlita me jetën
Dhe në luftë me sëmundjen
Por betejen do e fitoj për ideal
Edhepse akoma gjendem në spital!

A të kujtohet kur më erdhe nga larg
Ti krijesa e qiellit dhe e tokës
M’u hodhe në përqafim e më puthe fort,
Ishe e re dhe më e re se të gjitha të rejat
Sa bukur dije se ku duhej të prekësh
Në çastet e lumturisë epshore,
E shpesh më shkonte mendja
Mos vallë po e aktëron të dashuruarën,
Por jo, sepse ti kishe degë
E rrënjë të dashrisë së pastër
Me bukuri e personalitet zemëror
Më magjepse aq shumë- diell
Me dukej se fluturoja në qiell.

Kërkova shumë nga Ti,
Por unë nuk isha ai që i plotësoj kërkesat
Ti mos u tremb nga asgjë,
Gëzohu, vetëm gëzohu,
Se lumturia u përket trimave
Çdo triumf i yti do të jetë gëzim për mua.

II
Sot jam zgjuar i tronditur nga gjumi
Të kam parë në ëndërr Ty, dhe
Dashuria për ty më rridhte nga çdo pore të trupit
Aq pak të pashë ndërsa shkrihesha nga dashuria
I shtrirë edhe në shtratin e sëmundjes
Vetëm Ty të dashuroj.
Sa i lumtur aq edhe fatkeq jam
Mërzitem që s’të kam më
Por gëzohem kur e di që egziston,
Sa plak më duket vetja nganjëherë
Por i ri si njëzetvjeçar
Se kam një dashuri diku në këtë dhe
Besoj se një ditë do të shihemi përsëri.

Të kujtohet e dashur kur ishe te unë
E laje trupin në banjon time
Unë të fërkoja e pastaj të krihja
Flenim në dyshekët e shtruar në tokë
Se shtrat për dy veta s’kam pasë kurrrë
Sa na merrte gjumi e sa zgjoheshim
Bisedonim, putheshim, shkriheshim....
Unë isha vetëm i yti
E ti vetëm e imja, pa vesves
Dashuri që nuk harrohet as kur të vdes.

Duart prekeshin vetëvetiu
Buzët valë të nxehta nga dashuria,
Vetvetiu dilnin fjalët: „Sa të dua shpirt“!
Gjithmonë më thoshe: „Je mjalti im“!
Por unë mendjen e kisha tek dita kur do të ikje Ti
E dija se unë përsëri, përsëri në vetmi.
E ti më thoshe se kurrë më nuk do të rri pa ty
Ta ndjeja frymarrjen në qafën time
Në fytyrë, në gojë e në ballin tim,
Ah sikur kurrë të mos agojë dita
E të jemë kështu një jetë me Ty,
Në dyshekët e mi të shtruar në dysheme
Rrafsh ishte në të gjitha anët
Ti fleje e qetë e unë të vështroja
Edhe fjetjen si mjalti të ëmbël e kishe
Por ikja jote më shqetsonte
E gjumë në sy s’më vinte.

Eh! Sa të dua akoma!
Kur ia kthen shpinën dikujt
Nuk ke se si të marrësh forcë
Ti kthehesh përsëri
Këtë e di unë, e di edhe Ti,
E ti vazhdoje jetën se nuk ankohem në Ty,
Dhe bindu njëherë e përgjithmonë
Akoma i tëri s’kam vdekur
Jam gjysmë i gjallë sa me të dashuruar
Duamë s’do të të them kurrë
Se askush nuk mund të më bindë
Se ti nuk më do akoma më shumë
Më dashuron marrëzisht
me të gjitha të metat që i kam
Njeri të përsosur nuk ka!

Në çdo orë e në çdo sekondë
Të dua shumë e më shumë
Edhe pse më s’të kam, këtë e di
Por ja që ti je qielli im
Ti je hapësira ime e veprimit
Ti je drita e syve të mi
Dhe për hatrin tënd dhe lulës sime
Unë jam e do të jem
Edhe pse s’të shoh, beso se të dua shumë.
Po mos të ishe ti në jetën time
Unë s’do të kisha as sy e as dritë
Dashuria jote rrugën ma ka ndritë
Ajo ndritje që shndërrohet në rreze misterioze
E që më dha forcë të jetoj
Të jetoj e dashur që Ty të dashuroj!

Eh sa gjatë e kemi kërkuar njëri tjetrin
Ti dhe unë si mund ta imagjinojmë
Se më nuk jemi dashnor të vërtetë
A është e mundur vallë kjo?
Unë gënjej veten time
Duke të paramaneduar se të kam pranë,
Se po të prekë,
Ndërsa Ty s’të kam gënjyer kurrë
Edhe tani të vërtetën po ta tregoj
Sa keq që s’të kam më.
Duart më janë lodhur
Gishtat më janë ngrirë
Por zemrën valë dashurie për Ty e kam
Moj lulebora e malsisë
Oj valë e dallgë e Shkëlzenit
Më beso se vetëm për Ty po frymoj.

Ti kënaqu atje ku je
Dhe e di që sot mirë je
Ndërsa unë do jetoj për hatrin tënd
Gjithmonë kam menduar të të bëj të lumtur
Edhe pse s’kam mundur të jem princ mbi kalë të bardhë
Asnjëherë s’kam menduar me të sjelllë fatkeqësi
Përpos, dritë, fat e lumturi
Me dashuri.

Oj e bukura malësore e mbushur dashuri
Kot më shkruan e më sulmon
Se i tillë unë nuk jam
Mirësinë, dashurinë edhe vdekjen
I mbaj afër e për to mendoj
Ndërsa atë të shkretë hakmarrjen
E urrej dhe larg e më larg e largoj
Në dreq të mallkuar e dërgoj
Kush hakmerret s’ka nder e s’ka idol.

III
Ti më ishe si flladi i pranverës
Ti më ishe ndihma e bukës
Ti më ishe sofra ime,
Ma ke shtruar si është më së miri
Sepse je lule që çel tërë një vit
Je diell që më bën dritë,
Hënë e plotë gjithmonë për mua
Oh sa shumë sa shumë të dua,
Të dërgoj perëndia në jetën time
Të më mbushësh me gëzime.

Je brilante e prauar
Ënderr e dashurisë se paharruar
Por ky i paharruari po vdes ngadalë
Me britmën e dashurisë sulem drejt vdekjes!
Deri dje s’pata kohë për dashuri
Se Kosova ime ishte në robëri
Dhe tani erdhi koha e dashura ime
Që sëpaku një orë luftën të mos e mendojmë.

Lamtumirë oj e magjishmja ime
Të falenderoj për gjithëçka
Për zemrën që ma fale
Se dy zemra askush nuk i ka!

Por a mund të harrohet aq shpejt
Koha që kaluam sëbashku
Jo, jo kështu s’mund të jetë
Se nuk është e mundur fare
Që ti dhe koha që e gëzuam
Të më ikni si guralecat e Drinit
Që i bart në vende tjera
Se s’ka asgjë në botë
Të m’i fshijë kujtimet
Se çdo gjë ka mbetë në mua,
Edhe kur më ke ndihmuar,
Edhe kur më ke qortuar
Edhe kur më ke dashuruar,
Ti te unë ishe dhe mbete e madhe
E tillë si ke qenë do jesh ndër mote
Grua bukuroshe e lule me kurorë
E bukur dhe e imja Aurorë!

Të kam lutur, shumë të kam lutur,
Të më bëhesh nusja ime
Të të veshi në velin e nusërisë
Ta bëjmë një dasmë të pastër,
A i ke akoma të gjalla këto kujtime?
Ndoshta do të bëhesh nuse e tjeterkujt
Ndoshta ishe nuse e llastuar
Por pranoje moj pllumbesha ime
Se në mua ishe e dashuruar
Pse u largove, pse më ike?
Oh Zot! Sa mirë që ishim.

Të uroj nga zemra që të plotsohen dëshirat
Që zemra jote të mos vuaj kurrë,
Fluturo si flutur, si engjëllushë…
Kodra e male, fushë më fushë
Ka ardhë koha të shlodhesh nga mundimet
Që jeta t’i përplasi Ty,
Tani jeto e qetë e në lumturi.
Pëllumbat letra e lajme do të të sjellin
Se diçka e çuditshme ndodhi
Me mua e me Ty,
Pëllumbat janë më të fortë se skyfterët
Kanë butësinë dhe mblidhen pranë teje
Ja nga këtu nga po të shkruaj
N´dritare t´spitalit të Bierkesdorfit
Qëndron një pëllumb i bardhë
Ai e din se jam me shpirt të trazuar
Pret ti jap një lajm për Ty
T´gjitha të mirat nga zemra e shqetsuar
Jeta nuk na do neve zemërbutëve
Jetojmë jashtë kohës
Jeta po i do ata që janë plangëprishës.

Sot është e diele qershori
Është një e diele e trishtuar
Edhe moti i vrerët është
Thua se edhe koha po vuan për Ty,
Në television këndon Madona
Një këngë të dhimbshme të dashurisë,
S’e kuptoj mirë por e ndjej
Se dashuria nuk iu kthye kurrë!
Ah e dashur, as ti s’do të më kthehesh kurrë
Por do ta përballoj edhe këtë
Se akoma i them vetes burrë
Ti do shkosh diku, do ecësh
Në jetën tënde me shoqëri tjetër
E pa mundur ti kthehesh njeriut
Që të dashti aq shumë,
E di, e di që s’do të më kthehesh kurrë.

IV
Vetëm unë mund ta përballoj
Me burrëri e forcë njerëzore
Me guxim e forcë si guri,
Kujtimin për Ty që ma turbullon shpirtin
Të hy e të dal nga ajo dhomë gjakftoftë
Në të cilën ti më hyre si hyjneshë
Me një fustan të hollë bilur
Si një engjëllushë e zbritur nga qielli
M’u hodhe në përqafim maratonik
Duke më thënë: Ti je mjalti im!
Ndërsa mua aroma jote më ngjalli
Aromë gruaje që ta mbushë shpirtin lumturi,
Thuase fluturoja horizonteve plot dritë
E sot i kujtoj ato ditë që shkuan në pakthim
Dhe i qetë vetëmevete them:
Moj bletë e mbushur nektar
E gjithë kjo ka ndodhur, vallë!?

Pranë e kam lulen time ulur
Më flet diçka që s’e kuptoj
Më thërret përsëri: babi, babi me ty po flas
Mendjen ku e ke?
Më shikon përmallshëm dhe më përqafon
Duke më thënë: ajo do të kthehet përsëri,
Se fjalët që ti ka thënë i ka mahi
Ajo të don shumë, na don mua edhe ty!
Unë e dëgjoj dhe në shpirt më përvëlon
Kur plagën në barkun tim ma ledhaton.
Por unë e di që bota u kthye mbrapsht,
Munde sëmundjen më thotë
Se të shëndoshë çdo kush të do
Ndërsa i sëmurë je barrrë edhe për të tjerë
Babi shërohu edhe njëherë.

V
Dola të shetis në Rur-Parkun e Dürenit
Dhe mendjen tek ti e kisha
Me aparatin e pastrimit të plagës në krahë
E mbaj si një armë të ftoftë
(Edhe pse armët s’i kam dashtë kurrë),
Duhet ta mbaj një kohë edhe më të gjatë...
Sa lule kishte buzë Rurit
Asnjë Lulëbozhure këtu s’mund ta gjesh
Ato rriten e lulëzojnë vetëm në Kosovë
Ngjyrën e gjakut e kanë...
E unë si ta lejoj veten time
Të vdes nga një sëmundje e turpshme?
Duhet ta mundi ore se s’ka ndryshe
Si e mundi miku im Hafizi
I dha lamtumirën dhe e shporri tutje
Për të jetuar akoma me miq e familje.

E dashur, kur shetitë buzë lumit
Unë i vetmuar si gjithëherë,
Mendja të shkon edhe tek imtësirat
Vetëm e vetem të falenderova mijëra herë
Për parfymin që ma ke dhurua
Sa e ndjej veten në terezi
Kur aroma e parfymit tënd
Ma zëvëndëson aromen e trupit tënd
Edhe të luleve të parkut që erë nuk kanë
Andaj të quaj engjëll që më ke lumturu
Do të më lumturosh përsëri
Neser a pasneser këtë se di!
Dhe Zoti do të të shpërblejë
E unë të dërgoj nga larg
Mijëra falenderime dhe përqafime-pse jo?!

Mendonim të jetonim në Kosovë
Kështu më thoshe ti e unë ta pohoja,
Kosova kurrë më mirë s’ka qenë
Armiku u largua në vendin e tij,
Nuk ka shenja rreziku të madh
Si gjithmonë çdo ditë e re që agon
Po na vjen si dhuratë nga perëndia,
Shqiptari sot çan male, kodra e brigje
Kalimashi bashkoi Shqipërinë
Kjo ishte plotësia e jetës shqiptare
Ringjallet e bashkohet shqiptari,
Pse të mos bashkohemi edhe unë e ti!?

Oh Zoti është kah merret me ne
Por ne nganjëherë e harrojmë Zotin!
Kur Zoti harrohet atëherë edhe Zoti harron robin
Ndërsa unë s’kam harruar se ti je si ngjala,
Ngjalë e rrëshqitshme dhe e bukur
Të përshëndes nga spitali
E lumja ti që je në shtëpi!

Ti moj krijesë qiellore
Më shkruajte ashpër përsëri
Për një fjalë për një mahi,
Qetësohu! Brezat tanë do të pikojnë dritë
Festat do të jenë më të këndëshme
Më tutje vitet kalojnë
E ne nuk do të jemi më
Për vitet e bukura të lumturisë
Brezat do të na e kenë lakmi
Për një dashuri në vitet e bekuara.

VI
A e mban mend e dashur
Natën e fundit kur dashta të shkrihem me Ty,
Por m’u ngrit tensioni e zemra rrahte me shpejtësi
Më hypi edhe zjarrmia
Tërë natën nuk fjeta, të vështrova Ty,
As ti gjumin s’e bëre të qetë
Duke u ngritë shpesh e duke më pyet: A je mirë?
Si të isha mirë dashuria ime
Kur ajo ishte parandjenjë
Se nesër do të të përcjell
E s’do të shihemi më kurrë!?

E magjishmja ime, ngjala ime
Bukuroshja ime, e vetmja dashuri,
Po e përmbylli këtë letër për Ty,
Mendoj se ta kam bërë me dije
Se ky që jam tjetër s’mund të bëhem
Dhe nuk hidhërohem në Ty,
Ruaje kujtimin, ruaje të freskët
Duke ta dërguar edhe zemrën time
Me gjithë mend të them: Të falemnderit!

26.07.07
Dyren

Saturday, March 18, 2017

Kujtim STOJKU: GURËT E RRUGËS

(Nga libri në dorshkrim)

Gurët e vegjël nëpër rrugë dukeshin të gëzuar,
Lodronin me njëri tjetrin herë bashkë e herë vetëm,
Ata nuk e dinë se ç’është një shoqëri mendje turbulluar,
Nuk dinë ç’është ankthi dhe shqetsimi për ditën tjetër.

Rruga e veshur me një xhaketë ngjyrë kafe lecka-lecka,
Universi në heshtje mbi të kalon,
Dielli krejt i pavarur me shkëlqimin e tij pjesë merrka,
Në dekretin absolut të rastit,me naivitet firmos…


18.03.2017

Wednesday, March 15, 2017

Prend BUZHALA: AMË E BUKURISË SË NJË ÇASTI TË JETËS


Po na mbulon me rreze,Ti Amë e Bukurisë
së një çasti të jetës.E vjen me hapin e lehtë
si një vajzë me bukurinë e saj paqëvashërore:
e ligshton njeri-ëndërrimtar – shkretin në shpirt,
e çon në varr si Martir të Bukurisë.
E ta zbulon për Një Çast atë Botë të Padukshme
të  Amshimit – Liri – Bukurisë,
ta çet në shuplakë të dorës
moshën e bjerrur në kotsira,në gjumë – jetë.
Shpirti njerzor bëhet një monstrum që pushton veten.
E ke vërejtur se i zgjuar s’ke qenë,që e ndjekin,kur ka rënë zilja
e Amës së Përjetimit të Së Bukurës së Një Çasti.
I ke ngjarë jetës së një orëpremi
që fyejnë dhe e pështyjnë,
që e poshtërojnë dhe e sakatojnë,që e ndjekin.
E në Prag të Jetës e ka brakrisur Fati e Lumturia.
Gazi i Fëmijës,fara e mbjellun në arë.
E mbërthehet në mënxyrën e Pritjes e të Vetmisë,
kundër jetës hakmerret me vetveten e braktisur.
E jetën nuk e shpërblen me Krenarinë e vdekjes:
e qëndis me puthje laviresh e grash të përdalme,
çon miqësi me djemarakë,me libertinë e tundues,
me njerëz të shkarzuar,epsharakë e hileçarë,
me nepsçarë,shpërkëndyes e kusarë e ndjen veten mirë,
qan halle me spiunë,batakçinj,falsifikues ordinerë,
me plangprishës,vrasës,krijues të rremë e me horra,
do për t’ua njohur shpirtin vjedhsëve të bankave,
kontrabandistëve të armëve e të drogave e vëllavrasëve.

Oh,Amë e Jetës, e mbetur peng në Pirgun e Vdekjes!

Nga libri "O Amë,
                           O Amë".

1995

Ilmi Cani : DJE HËNGRA DY KULEÇË


Dje i hëngra dy kuleçë
E mbusha mullën me brumë.
Nuk qenë kuleçët e nanës teme,
pjek n'çerep,as balllokume.
Dje i hangra dy koleçë,
Në bark pak ma shumë brumë.
Nuk qenë nga dora e nanës,pjekur n'çerep,
gatuar me mall shumë.
Tani nana asht' atje
Ku tulet dheut kalben.
Do t’i mblidhte tulet e gishtave të bëra
të ngjizte brumë e të ndizte zjarrin,
Të piqte kulaçin n'çerep për djalin.
Dje i hangra dy kuleçë për të nginjur barkun me brumë.
I përlota kuleçët. Kuleçë dhe lotë
E i ngroha çerepët
Qe të na  piqte kuleçë me shumë.
Ashtu si mbi çerep drrdhte lotin dhe mallin
Te piqte kuleçë për djalin
Dje i hëngra dy kuleçë.
E mbusha barkun me brumë.
Nuk qenë ata të pjekurit në çerepë
Kishin pak kripë loti me shumë,
Ç’ka ma shomë do jetë nji ballokkume-
kulaç i krisur me hi e sheqer,
Ky imi-i fortë shumë.
Vetëm se qe pak ma i kripun,
ma o shijshmi,ma i buk'ri brumë.
Kulaçi i nanes teme -ma shume lote se brumë.

Prend BUZHALA: LEKSIONET E ÇMËSIMIT


(Poezi që vallëzon me Përbindëshin e Përgjumur)

Një njeri vdes, derisa Turma e Madhe qesh.
Me kozmetikë lyejnë buzëqeshjen e takimet me vetveten.
Kënaqet duke e shikuar atë si një komedi,
Ajo e ka studiuar mirë Artin e Fshehjes së fytyrës.
Turma me edukim qytetar, quhet njerëzim.

E njerëzimi të shfaqet si një Përbindësh i Madh,
si një shtazë finoke, që vë helmetën në kokë,
dehet nëpër planetë me spektakle gjaku.
Herën tjetër vishet me rroba filmash të vizatuar,
me maska karnavalesh, me paruke xhufkash,
Nanuriset me fjalime xhelozie, me show-egoizëm,
me spektakle padrejtësish e skena shpifjesh e përbuzjesh.
Kënaqet e shkrihet së qeshuri kur të vret.
Ata kanë Idhujt e tyre,
Të Mëdhenjtë janë të tillë vetëm ku ka një turmë të tillë.

Ruaju këtij Përbindëshi të Përgjumur,
të plogësht, që lëviz zvarrë-zvarrë me mendësinë e saj.
Ajo të përlan, të përbin.
Shkumëzon nga tërbimi, bërtet nga inati.
Turma luan rolin e vetvetes. Turma sfidohet,
Kur ti, i vetëm, i bie përmidis saj.
Për të qenë vetvetja, për ta pasur jetën tënde.
Për t'ia mësuar Leksionet e Çmësimit.

14 mars 2017)

Sadbere G. Spahija - KAM MALL


Për Ty Gjilani im i ngrohtë
Me rreze të purpurta të diellit
Ju lagje dikur me zhurmë fëmijësh
Me lojra adoleshentësh
Për një fjalë më rrok lirika
Në çdo sekondë frymëmarrjeje
Je pjesë e vargut tim
Ëndërr e bukur e natës së ikur
Sytë më janë plakur
Pa të parë
Qielli më rri mbi kokë
Me ca pika lot
Kam mall për Ty
Ta vë gjoksin tim
Mbi qepalla sysh
Ta dëgjoj një dihatje njeriu!

Tuesday, March 14, 2017

Kujtim STOJKU; - PËR DITVERE


(Nga libri në dorshkrim)

"ferci, ferci nona, u befsh ma i fort se thona"
                                                         (Dibër)

Për ditvere vezët i ngjyrosnim shumngjyrësh,
Sëbshku me arrat,mollët e ftonjtë kishin ditën e fundit,
Natën me zjarre të mëdha e ruanim nga djalli,
Që ky përbindësh i zi të trembej,gjumi asnjëherë s’na zuri.

Rebeloheshim duke mbyllur dyer dhe dritare,
Shtrigat diku afër nesh po prisnin thonjtë.
E pa plas agu, e dëgjonim djallin duke ikur nga frika,
Nëpër rrugët me kalldrëm dhe pluhur,dëgjonim vetëm patkonjtë.

 Dielli si atherë edhe sot është i madh,
Shuhej dhe ndizej pa merak në qiellin e bruztë të gjërë,
Vezët shumngjyrshe i përplasnim majë më majë,
Lulet e dëborës  dukeshin krej të mjerë.

Dilnim e mblidhnim lule bore n’çdo lëndinë e livadh.
Qielli ishte qëruar nga retë e po çlodhej,
Dita për çudi kishte veshur fustanin blu me shkëlqim të madh,
Shiu  më pas do t’na bënte dush me rrëzet e tij,
Prej nesh avulli do të çohej…
 
Sumbullat e tij të arta rrëshqitën mbi gjethe,
Lulet e dëborës gjithë turp kishin ulur kokë,
Dita  e verës edhe këtë herë po fliste e zemruar me vete,
A thua ky plaku gërnjar dimër për këtë vit shkoi?
E sherrin në mesin tonë e la,
Dhimbjet më pas të gjithë do t’ia dëgjojmë.

Magjistatrët mblodhën tingujt e patkonjtve të djallit,
Zhytën kokat në gërma dhe fjalë,
Paganë thanë me gojën flakë,
Njerëz të mallkuar britën një zëri
Kokën e gjarprit si hajmali të gjithë e mbajnë.

E në kët' ditë vere,pa pritur filloi të fryej era,
Pasi tundi e shkundi çdo gjë në çdo anë,
Nëpër degë u mrrolën  thysët e reja,
Lotët prej syve u rridhnin pa u ndarë.

Një lëmsh i madh iu mblodh në fyt,
Shpërtheu në ngashrime për zakonet e vjetra,
Nga lutjet në një gjuhë të huaj,
S’mori vesh asgjë krejt u çorodit,
Lulet e verës vari kudo,buzqeshte jeta…


14 .03. 2017