Saturday, April 29, 2017

Prend BUZHALA: APOLOGJIA E EGËR E INJORANCËS


(Çaste eseistike, IMAGINARIUM), 27
Duke zbritur në IMAGINARIUM, u vërejt një si hologram (thëniesh urtake e metaforike) i Ajnshtajnit, i cili na ligjëron edhe sot: "Imagjinata është më e rëndësishme se dija, shkenca." Mirëpo, në vazhdim, përpara na shfaqen, si mbamendje nga mesazhet ironike të së kaluarës, dhe disa tekste-përvojash, në reaportet imagjinata-injoranca...
1.
A nuk po ndodhin edhe brenda nesh apologji të egra , ku injoranca shpallet më e mirë se dija?
A nuk po e përjetojmë për çdo ditë, se si po na shtohen turma të egra shqipfolësish (të strehuar nëpër perëndim), të cilëve u kanë mbetur akrepat e orës në të kaluarën si "shpëtimtarë të kombit" dhe të cilët ngrenë Kultin e Anti-intelektualizmit?!
Dhe, thuhet: nëse ka miqësi të vërtetë, atëherë kjo miqësi, a mos varet nga errësira dhe injoranca, dhe a duron injorancën, si do të shprehej Henry David Thoreau?
Fatkeqësisht, ndër ne, DIJA ende shpallet armik (si në regjimet totalitare, ku INJORANCA duhet të udhëheqë me shtetin e jo DIJA), ndërkohë që shoqëritë (post)moderne po ndërtojnë një Epokë të Re postkapitaliste që quhet SHOQËRIA E DIJES, EKONOMIA E DIJES...
 Sa larg jemi ende!
2.
Në romanin e njohur "1984" të Xhorxh Oruellit, personazhet që përfaqësojnë diktaturën, përdorin tri shprehje-moto të veprimit të tyre sundues e politik: “Lufta është paqe”; “Liria është skllavëri”; “Injoranca është forcë”...
Po ashtu, ky roman ka dhe shprehje të tjera të jashtëzakonshme që karakterizojnë mendësinë (dhe veprimin) e diktaturës, si:
"Ai që kontrollon të kaluarën, kontrollon edhe të ardhmen. Ai që kontrollon të tashmen, kontrollon edhe të kaluarën."
Ja një dialog tjetër:
" - Kush je ti që edhe pse e verbër dhe shurdhe, flet me kaq elokuencë..?
- Jam injoranca dhe nuk kam nevojë për të parë e dëgjuar, për të hapur gojën. E ti kush je, që megjithëse ke sy për të parë dhe vesh për të dëgjuar, nuk je oratore si unë e shpesh zhytesh në heshtje?
Dituria nuk ju përgjigj."
(Nga Paola Melone)
3.
Në botën e thënies së urtë:
Nga: Benedict de Spinoza: "Padituria (injoranca) nuk është argument." (Ignorantia non est argumentum)
Nga William G. McAdoo: "Është e pamundur ta rrëzosh një njeri injorant me argument." ("It is impossible to defeat an ignorant man in argument.")
Nga Mark Twain: “Të gjitha që ju nevojiten në këtë jetë, janë injoranca dhe besimi në të tjerët, dhe pastaj suksesi është i sigurt. Të gjitha që ju nevojitet në këtë jetë është injoranca dhe besimi, dhe pastaj suksesi është i sigurt.” (Mark Twain)
Nga Martin Luther King : “Asgjë në të gjithë botën nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme.”
Ekziston dhe shprehja ARGUMENTUM AD IGNORANTIAM (Argumenti nga injoranca: mungesë provash për të kundërtën, sipas Aristotelit).
4.
Shpeshherë në biseda e kam përsëritur se DIJA ËSHTË KAPITAL. Është një kapital që nuk mundet askush me ta vjedhë. Prandaj, DIJA nuk matet me NJË DOKUMENT që quhet DIPLOMË FAKULTETI. Në shoqëritë, ku INJORANCA vlerëson sipas një DOKUMENTI, DIJA gjendet në defansivë... por kurdoherë ajo shkëlqen si një diell që lëshon rreze... Për fat, ka mijëra të rinj edhe në Kosovë që i takojnë kësaj epoke, të pakapshme për profesurat tona anakronike...
Dhe shpresa për ta ringjallur dijen.
( 27 prill 2017)

Prend BUZHALA: IMAZHI DHE IMAGJINATA


(Çaste eseistike, IMAGINARIUM), 29
Imazhet në botën e sotme na rrethojnë në çdo anë. Janë pamjet, figurat, fotografitë, dizajni, ekranet e kinemasë, televizionit dhe ekranet e kompjuterëve, pëlhura e filmit dje ... por gjithsesi, dhe gjithnjë e më shumë, hasim në media të lëvizshme të ekranit, siç janë telefonat celularë a foto-aparatet... imazhet në letër, në postera, në performancat e pikturës.
1.
"Çfarë ndodh kur dikush mbyllim sytë?
Nuk ndalojmë së shikuari. Ajo që sheh tani, nuk lidhet më me sytë" thotë Wittgenstein. Tashmë kemi të bëjmë me imazhin mendor. Psiko-imazhet shndërrohen në copëza të ndërgjegjes njerëzore.
Po kur dëgjojmë një këngë në një disk a në radio, çfarë përfytyrojmë?
"Në veprim vihet imagjinata për të sqaruar raportet e imazhit me realitetin" thotë George Kelly.
Mbyllja e syve, nën efektet e dritës, shfaq imazhe të ndërliqshme, me pasuri ngjyrash, si te piktura moderne, në pah vihet ngjyra, forma abstrakte, fanitjet që shprehen në nënvetëdijen e njeriut.
Diçka u përpoq të bënte, me anë të fjalës së shruar, romani modernist, prej Xhojsit e këndej, nëpërmes paraqitjes së rrjedhës së ndërdijes. Ekziston, pra, edhe romani i rrjedhës së ndërdijes, subkoshiencës. Kjo subkloshiencë, e zbërthyer në imazh, bëhet burim frymëzimesh të shumta për pikturën, por edhe burim frymëzimesh për thesare të pashtershme pamjesh të brendshme spirituale, në letërsi.
Filozofi gjerman, Ernst Cassier, vëren se periudha moderne karakterizohet nga një rritje dramatike në prodhimin dhe konsumin e imazheve. Disa orë televizive nënkuptojnë ekspozimin ndaj qindra mijëra imazheve. Nëse homo sapiens mund të përkufizohet si simbol i kafshës, ky shpërthim i imazhit do të ketë pasoja themelore për përkufizimin dhe përvojën e realitetit. Tashmë në botën perëndimore mbahen dhe konferenca të posaçme shkencore kushtuar imazhit dhe imagjinatës.
2.
Imazhin e hasim kudo përreth nesh, e hasim edhe në ritualet e jetës shoqërore (dasmat, festivalet, varrimet, tubimet festive, marshimet festive dhe ato protestuese, panairet etj et) dhe "ku shfaqet një vetëdije e re e përmasave performuese.... Ritualet publike nuk varen vetëm nga përfaqësimi vizual, por mund të perceptohen si imazhe në lëvizje."
Një kulturë vizuale e tërë, ka ngritur një sistem: reklamat, shfaqjet e realitetit, emërtimi politik...
Kësisoj, imagjinata merr funksion të ri shoqëror. Roland Barthes te vepra e tij "Retorika e imazhit" vë në pah: "Ne jetojmë në një qytetërim të imazhit, por ende mesazhi gjuhësor është me të vërtetë i pranishëm në çdo imazh: si titull, shoqërim i artikullit të shtypit, dialog filmash, tullumbace komike... Ky akomodim i linguistikës brenda sferës së imazhit padyshim që është rritur... imazhet që na rrethojnë, janë edhe më të pranishme në gjuhën, në tropologjinë e teksteve artistike, në komunikim, duke na stisur me mënyrën se si mendojmë, ëndërrojmë dhe imagjinojmë. "
Ndërveprojnë gjuha dhe imazhi. Vizualiteti dhe tekstualiteti. Perceptimi dhe kuptimi. Lojërat kompjuterike, studimet letrare dhe "kuptimi politik i të tashmes. "
Kujtesa ruan pamjet e luftës, pamjet e jetës, dhe, sa herë rrëfehet a shkruhet, në mendje përfytyrojmë pamjet... veprimet, ndonjë copëz bisede... ngjarjet.
3.
A ka poezi pa imazhe figurative?
Le ta kujtojmë rrymën letrare të imazhinizmit gjatë shk XX... figurën e pamjeve në lirikat e peizazhit e deri te ajo spirituale, si imazh shpirtëror.
Nuk është e habitshme përse ndërveprojnë piktura dhe poezia. Piktura ia dhuroi poezisë këtë imazh spiritual ngjyrash, kurse poezia ia dhuroi pikturës gjuhën lirike në emërtimin e pikturave sipas tematikës dhe motivit të frymëzimit.
( 28 prill 2017)

Ramiz Kuqi: Cikël Poetik



FUNDPRILL

Po shtrydhet stina me erë
Të egër sec fryn me tufan
Nga ball i gurit të nxjerr
Edhe një pikë me lot
Paqen e deshta në fjalë e dashuri
Në Atdheun me kroje e liqene
Kur malet mbushën me gjethe të reja
Të vargëzoj për turnin e natës pa shi e skllotë
Të ulem bri shkronjave
Të dëgjoj atë zë gurgullimë nga lumi
Të rent duke vrapuar me zjarrin e pashuar
Mbi plagë të dhimbës qiri germa nëpër botë
Skllevër të punës njerëz me kamxhik mos të shoh
Vec një ditë dielli të buzëqesh meridianeve
Me pishnajë ndezur ta vras terrin cdokund
Të rrjedh lumi i bukur me gotën e verës mbushur plot

KOHË DHIMJESH

M'i ke vënë grushtat në gjoks
Çdo ditë m'i vjedh
Rrezet e diellit
Emrat
Në fund të natës
(Sh')prish muret
Kalasë
Ia heq gurët
Herë në Evropë
Herë në Azi
Po mbarsesh me kuaj ere
Ç'mi ëndrrat
Ti soj i keq
Herë me Evropë
Herë me Azi !
Kohë dhimbjesh ..

PO VIJNË

Kohë të serta për Ty
Shpirt i Fjalës
Kurthë në foltore
Në qiell
Në kafaz peng
Si me ndërhojcë kali
Hovin të ta ndalin
Të bējnë gjumë me zonjat
Lart pallateve
Të mos dëgjohet nga rrugët
Zëri i lypsave
Nënat e kërrusura
Duke pritur një kumt
Me pankarta në dorë
Shumëzojnë dhimbjet
Ëndërrimet e vargjeve?!
Po vijnë ...


TE URA E GURIT

Nata ndahet në dysh
Vardari derdhet trazuar
Mbi heshtjen time zbret
Koha me diell
Rreshtohu
Mbi Fjalën e bukur
Stina po shtërzon
Mbi mitet e vdekjeve
Te Ura e Gurit
Nata ndahet në dysh !


DILËMË

Pas këtij hiri
E zjarri të heshtur
A ka fjalë
Që qirinj ndez?
A ka nata shpirt
Mbi shkronja
Mallin e stinëve
Mbi vargje ta derdh?
Dilemē
Zemrake deri në fund
Ç'faj ka Un'i
Që mes valësh të tund!


NEHAT JAHIU: MIRË SE VJEN GJENERAL RAMUSH HARADINAJ!



Mirë se vjen, o Gjeneral Ramush Haradinaj
Në këmbë është ngritur e tërë Prishtina
Fëmijë, burra e gra po bëhen gati për të pritur
E tërë Kosova në këmbë është ngritur.

Do ta presin të gjithë se në Kosovë po kthehet trimi
Mic Sokoli ,nga Dugagjini,
Sa shumë për ty tërë shqiptarinë e ka marr malli
Të kthehesh në Kosovë, o ti trim i madh nga Glloxhani.

Gëzohen fushat e na gëzohen, o trim për ty edhe malet
Trimi i lirisë kurr armikut nuk e ka ndërmend ti dorëzohet,
Po kthehet Ramushi me kokë lart ngritur
E tërë shqiptaria do të dalin sonte trimin për ta pritur.

Mirë se ,vjen, o Gjeneral i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
O djalë i shqiptarisë, o trim i NËNËLOKES
Kthehu , o Ramush Haradinaj se po të presin shqiptaria ty
Gëzimin do ta ndajnë sëbashku me buzëqeshje e lotë në sy

Po të pret , o Gjeneral Toka e Kosovës tënde martire
Kjo tokë e dashur, kjo Tokë Ilire
Do të këndojmë të gjithë sëbashku sonte, me ty
Lotët nga gëzimi le të na derdhen që në Kosovë po kthehesh ti.

Wednesday, April 26, 2017

Ramiz Kuqi: DASHURIA E TEUTËS


Ai flokëthinjuri, i cili u fut nga kopshti në restoranin e pallatit, ngritur me paratë e mbledhura nga kurbetçarët mërgimtarë, i shkaktoi neveri Arbenit. E mbante mirë kohën e paraluftës. Bile, xhahai i tij,kur përfundoi lufta, me tërë atë gjakderdhje, tha se nuk kishte llogaritur paratë për të blerë armatim. Hë, xhaxha, ç'ke që mejtohesh sot?
- Nuk më pëlqen kjo që po ndodh sot. Janë bërë rrugë edhe në cepin e fundit të Kosovës, por këto pallate ma ngrisin tensionin. Unë punova afro gjysmë shekulli dhe, nuk arrita të bëj këtë qe e bën pushtetarët për dhjetë e më shumë vjet.Në Zvicër të kërkojnë centin e fundit për çdo gjë. Seç iu kujtua sot kjo Arbenit, Kishte një parandjenjë të mërzitshme. Një herë i tha mikut të tij Zhan se do të donte një kohë të bënte një kasollë midis malit dhe atje të jetonte së paku një muaj, pa lajme, pa njerëz, pa telefon. Atje në pyll ta ndërtonte një kasollë të vogël, me një shtrat nga fieri . T'ia bënte veç një mbulojë që shiu mos ta lagte. Në mëngjes të zgjohej me diellin, të ecte nëpër ato kodra të fëmijërisë, të mblidhte nga një tufë me lule për t'ia çuar të dashurës , të cilën nuk e kishte më pranë. Një zënkë e vogël për fëmijë bëri që të kallej tërbimi i Arbenit . Ai u nda nga Teuta. Ajo u martua me një pronar zvicëran ku kishte nisur të punonte që kur ishte mbi njëzet vjeç. Kohën e pushimeve e kalonte te prindërit, ndërsa Arbeni mbante dy vend të punës për të krijuar mirëqenie për dy djem e një vajzë..fëmijë që i donte përtek kufinjve.
Pronari i kompanisë së birrave Petër moti ia kishte hedhur syrin Teutës. E ndalte pas orarit të punës kinse për të mbajtur ekonominë e firmës. Ishte ndarë mori me gruan. Edhe pse ishte i shkuar në mohë, ai dukej sikur t'i kishte gjashtëdhjetë vjet. Ia kishin tërhequr vëmendjen që kur e kishte pranuar në punë Teuetën- sytë e sasj të kaltër, beli i saj i hollë, e qeshura si një krua kur derdhej në gurrë, butësia e fjalëve të saj, shikimi i saj depërtues që shponte gurin, vetullat e saj si krahët e dallëndyshes.
.Një natë ai përgatiti një tavolinë me pije enkas për Teutën : E kishte porositur një javë më parë. Teuta kishte ulur kokën dhe , në njëfarë mënyre, ishte pajtuar. Kur u larguan të gjithë punëtorët, ai e grishi . E mori për dore, e afroi pranë vetes dhe e puthi. Ajo ra në krahërorin e tij si pulë pa kokë. Harroi tre fëmijët në shtëpi, Arbenin i cili e kishte marrë për grua me dashuri dhe nuk erdhi fare atë natë. Ai mbeti me kokë në dritare e nuk futi gjumë në sy. I bëri telefon pronarit, por ai e kishte fikur moti, bashkë me Teutën , e cila tashmë kishte rënë në kthetrat e një dashurie të re. Edhe pas një jave ai nuk arriti të mësonte se ku gjendej. Frikësohej mos kishte ndodhur ndonjë gjë e keqe dhe, pastaj vajti në polilici për ta lajmëruar rastin. Policia kishte vajtur në kompaninë e pronarit dhe në derë kishin lexuar njoftimin: Jam në pushim mjalti për një javë në Dubaj, pa lënë asnjë gjurmë, as numër të lelefonit, as emër të hotelit.Pas kësaj e kishin lajmëruar Arbenin se do të hulumtojnë për rastin e Teutës. Ditën e parafundit Teuta i kishte dërguar një mesazh Arbenit..." Unë jam me pronarin e firmës dhe nga sot kam vendosur të martohem me të. Do të përballemi në gjyq. Ka marrë fund lidhja jonë. Mbase nuk eci siç e kisha ëndërruar unë. Pronari më ofroi diçka të re për jetë dhe , unë me kënaqësi e pranova, Dua të bëj jetë si dua unë. Për fëmijët do të vendos gyqi. Pronari është i gatshëm të më merr për grua me fëmijë ".
-Paske pasur fat të keq miku Arben ,- i tha një mik me të cilin ai ishte njohur një plazhë të Durrsit vitin e kaluar.
- Nuk e kisha menduar fare këtë. Fëmijët u adaptuan shpejt me Petrin. I takoj rrallë. Më është coptuar zemra, më është bërë vrima-vrima. Si nuk e kisha menduar unë kurrë këtë. Dhelpra janë femrat- i tha atë natë kur muzika bëri që disa gra, të moshuara e të reja, të rrokeshin dorë për dore e të vallzonin . Kjo ia pëkujtoi dasmën Arbenit. Kohë e gjatë. Iu duk se e kafshoi gjarpëri në lëkurë. Pastaj u rimartova. Kam dy djem e një vajzë trivjeçare, aq sa kisha me Teutën. Fëmijët tash takohem se janë të një gjaku. Shpresa, gruaja ime e dytë, sillet mirë kur vijnë për vizitë, u përgatit ëmbëlsira e unë futëm në meditime. Para një viti e disa janë Petri vdiq nga një goditje në tru. Teuta e udhëheq firmën. Kuptova vonë se është martuar me një burrë nga Kosova, dhjetë vjet më i ri se ajo. Kohë të këqija erdhën miku im. dhe ofshau thellë.
Në restoran po buçiste kënga. Gratë vallzonin në një kend .
25.4.2017

Besnik Gashi Drenica: MIRÉ SE VJEN O GJENERAL


Mirë se vjen ,o Gjeneral,
Se Kosova ,është në hall,
Sikur qurat, n´mjegull është mbetë,
Nuk po e dim , a jemi shtet?!

Qe sa Franca ,ty te ndali,
Pak kti shteti, ju pa hajri,
Nuk ngrehi zanin, si i ka hije,
Me te kthy, kaher n´lirije.

Po durimi , gjithë fitonë,
Me 27 Franca, do të lironë,
Me i hjek, Kosovës hallin,
Me ia kthye, Gjeneralin!

Pra po e shihni, çka bani Franca,
Qe te liget , Aleanca,
Po si duket , kan gabue,
Se ma shumë, u forcue.

Gjenerali po na vjen,kysmet,
Me vazhdu rrugën, aty ku ka mbet,
Shumë mendime, qe u plasuan,
Por shumë shpejt, na i ndrruan.

Gjenerali ,tash po kthehet,
Puna n´gjysmë, nuk mund t´lehet,
Do te vijë Gjenerali , Kosovës Kreshnike,
Ta bëjë bashkë , Shqipërinë Etnike!
Bonn, 25.04.2017

Grigor Jovani: Cikël Poetik

DASHURITE

Për tridhjetë vjet, këtë rrefren
dëgjoj kur e vetme shkon dhe flen:
“Do shkruash më? Lëre atë...
Eja, sa gjumi s’më ka marrë.
Se bën kaq ftohtë, dua të ngrohem...”
Por unë, me dashurinë e parë,
si ndodh gjithmonë edhe harrohem?!

RAST I HUMBUR

Shumë gjëra nuk di t’iu them për Franin,
këto të paktat mësova dhe
po ua them: lindi në Kthellë të Epërme
të Mirditës, punoi disa vjet në Athinë
kamarier. I pëlqente teatri. Luajti
në lëvizjen amatore. “Toka Jonë”,
“Familja e Peshkatarit”... Tërhoqi
vëmëndjen e një regjisori,
në një çast...
Veçse mbahet mend për diçka tjetër,
kaloi me not lumin e Fanit,
gjatë dimrit,
për një bast.
Mbrëmë e sollën të vdekur në fshat, nga
emigracioni. Mund të luante edhe
“Romeo dhe Zhuljeta”, por
nuk pati rast.

ANIJE TE MBYTURA

Do të gjesh anije të mbytura
nëpër rrëpirat e ca lumenjve të frikshëm,
damarëve të mi.
Janë dashuritë e mia të kahershme!
I shikon dhe ndihesh i trishtuar. O zot!
Ç’varrezë e tmerrshme!
Aty-këtu mbeturina të kalbura,
sy të dëshpëruara,
buzë të kafshuara,
kofshë të përvëluara,
si mollë që lundrojnë - dy gjinj.
Anije të braktisura në mëshirën e fatit.
Ndjenja që dezertuan,
si minj.

DET I HESHTUR

Ky breg si shumë u qetësua...
Pa dallgët ngjan i shurdhët deti.
Kujton si qe dikur, moj grua?
Nuk ngjan me tonin, ky që mbeti.
Ngjan sikur flen ky det i shkretë,
ndërsa një fllad i fshin çdo shkumë.
Ne tjetër det njohëm, moj grua,
ky i tanishmi nuk bën zhurmë.

TOGA E PUSHKATIMIT
Këta ushtarë,
kopsitur gjer në grykë,
që presin nën komandën “Gatitu!”,
s’kanë qenë gjithmonë në anën tjetër,
gati për zjarr, ashtu…
I pari nga e majta: ish mësues,
ia kishte qepur dijet me karficë.
I dyti në vijim: komshi i vjetër,
i ndante një oborr dhe një rrugicë.
I treti: kishin bërë një udhëtim,
dikur me shkollën,
ishin bashkë një vit.
I katërti në radhë: një i panjohur.
I pesti: një ish prift.
Pra, domethënë… mundej të shpresonte,
vetëm t’u thosh:
“Jam unë! S’më mbani mend?!”,
kur hyn në radhë dhe ushtari i fundit:
ishte vetvetja - krejt indiferent.
Nuk e mendonte kurrë ta kish përballë,
në atë togë armkike,
heshtur si për mort.
Shëtiste sytë krejt gjakftohtë vërdallë,
vetëm në sy nuk e shikonte dot.
Atëhere ish, kur “Zjarr!”
tha gojëplot.

DUKE PËRGJUAR ERERAT

Vura një guackë në vesh. Sirenat
thoshin emrin tënd,
mes lukunisë së erës.
Renda si i marrë në breg. Nga varka
s’kishte mbetur gjë. Veç
ca dru të kalbur
sipër rërës.
Enda pëlhurë të re. Ndoqa
drejtime të reja erërash. Pashë
të tjera vënde.
Askund më s’të gjeta.
Duke përgjuar erërat,
i lidhur në direkë si Odiseu,
as edhe një natë nuk fjeta.

Prend BUZHALA: ARTI I HUMBUR I BASHKËBISEDIMIT


(Çaste eseistike, IMAGINARIUM), 25
Dikur edhe një bisedë a një bashkëbisedim, ishte një art më vete. Po e përfytyrojmë (në këtë IMAGINARIUM) një botë pa fjalë. Në rrjetin social, para një viti e sa, kur publikova tregimin “Ç'ndodh kur në botë mund të flasë vetëm një qenie”: kur një njeri u ishte i pajisur me Fuqinë e Fjalës, uzurpon botën, njerëzit nuk mund të flitnin, e ndjeu veten si qenia më e vetmuar, më e mjerë, më e pafat, më e pavlerë.
1.
Të mos harrojmë: kënga popullore, përgjithësisht krijimtaria gojore, krijohej pa asnjë formë shkrimi: krijohej me anë të imagjinatës popullore, kreative, dhe përcillej a transmetohej nëpërmes të të folurit, nëpërmes ligjërimit gojor, a këngës folklorike që përsëritej e mësohej përmendësh...
Nuk është e rastësishme përse në Bibël (Besëlidhja e Re), thuhet se njeriu nuk është i krijuar nga shkronja, por nga fryma, "sepse shkronja vret, por Fryma jep jetë." (2 korinitianëve 3,6). Po qe se me fjalën SHKRONJË kuptojmë secilën formë të komunikimit jogojor (prej shkrimit në pergamenë, nëpërmes letrës te Epoka e Gutenbergut e deri te letra elektronike e Epokës digjitale); atëherë njeriu e ka dhe një formë tjetër, burimore, të komunikimit frymor, të brendshëm, atë gojor e të të drejtpërdrejtë.
Përjetohej e ndjehej Fjala e Gjallë.
Njeriu frymëzohej prej Fuqisë së Fjalës së Folur. Njerëzit ngiteshin peshë, nxiteshin dhe organizoheshin prej kësaj Fuqie a Fryme të Fjalës, për të kryer punë të rëndësishme, vepra të mëdha, madje, për të kryer edhe revolucione, ndërrime shoqërore a luftëra çlirimtare.
Duke marrë guxim e duke u mbushur besim nga Fjala e Frymëzuar, njerlzit e ndienin veten më të sigurt, më të gjallë, gjenin mbështetje më shumë te njëri-tjetri, inkurajoheshin më shumë për dije, punë dhe jetë.
2.
E pra, sot ky art zëvendësohet me përdorimin e email-it, tweet, facebook a me format tjera të telekomunikimit e të komunikimit elektronik. Ose nëpërmes skipe a video me zë nga largësia. Kësisoj, ekspertët ë komunikimit e të filozofisë së komunikimit, kanë të drejtë kur pohojnë se bota po zvogëlohet, po bëhet gjithnjë e më e vogël. Përgjithësisht, të gjitha zbulimet e komunikimit elektronik, u bënë për ta zënë sa më lehtë e shpejt këtë bashkëbisedim nga largësi të pafundme.
Por ndodh paradoksi.
Nëse më parë, bashkëbisedimi i drejtpërdrejtë, i ngeshëm, pa censurë dhe i lirshëm, kishte cilësinë e depërtimit në thellësi e në gjerësi; bota sotme e vëren se këto vlera po degjenerojnë tmerrshëm.
Të rinjtë më nuk flasin shumë drejtpërdrejt, por shkak se jeta e tyre shpenzohet duke komunikuar përmes mesazheve të shpejta, kurse kjo formë komunikimi në Myspace a Facebbok bëhet përmes komenteve të shkurta e të befta në rrjetet sociale.
Cilat janë disa nga pasojat?
Nga ekspertë të komunikimit pohohet:
Të rinjtë humbin aftësinë për t'i zhvilluar prirjet e komunikimit,
humbin prirjen për të krijuar miqësi të vërteta me bashkëmoshatarët e moshataret,
humbin interesin për t’i përvetësuar e çuar përpara përvojat e mësimet e rëndësishme të gjeneratave më të vjetra...
Edhe nëse bisedojnë, ata aty për aty e ndërpresin bisedën nga alarmi i një mesazhi a thirrjeje telefonike. Ata jetojnë në universin e vibrimeve të tingujve e zërave telefonikë... ku mesazhet me tekst janë format kryesore të komunikimit (sipas studimeve të Disney Mobile dhe Harris Interactive). Madje, ky studim i këtyre kompanive, e pohon qartë se mesazhi me tekst mbizotëron edhe mbi bisedën e gjallë e të drejtpërdrejtë. Për të qenë e keqja edhe më e madhe, studentët gjatë ligjëratave, pothuajse gjysmën e kohës e harxhojnë duke shkruar mesazhe, në vend të dëgjimit të ligjëratës.
Ose, ajo që bie në sy: të rinjtë qeshin vetëmeveti në një mjedis publik, mund të gjenden bashkë, por injorojnë njëri-tjetrin, duke shtypur mesazhe... Miqtë e vërtetë zëvendësohen me e-miq a me miq virtualë.
Rrallë sot sheh njerëz të rinj, si dikur, duke folur ballë për ballë.
Humbin shumë kohë, humbin orë të panumërta, në një komunikim bosh, pa vlerë.
Sherry Turkle (autore e librit “Vetëm së bashku” “ Alone Together”, ku paraqet raportet tona me makinat e me teknologjinë moderne), shpreh zemërtatën e saj: “"Nuk mundem, në restorante, të mos shoh anëtarët e një familjeje apo edhe familjet që nuk flasin me njëri-tjetrin… Në parqe, nuk mund të shikoj nënat që nuk flasin me fëmijët e tyre..."
“Një bisedë është një dialog, jo një monolog. Kjo është arsyeja pse ka kaq pak biseda të mira: për shkak të mungesës, dy bisedues inteligjent rrallë takohen” (Truman Capote).
“Faktorët më me ndikim të të gjithë faktorëve edukativë janë biseda në shtëpinë e fëmijës “ (William Temple).
3.
Po atëherë, ç'duhet bërë?
A mund të rikthehet Arti i Bisedës?
Si ta rikthejmë këtë prirje te brezat e sotëm, për të ndërtuar prirje të komunikimit verbal?
Komunikimi i tillë ua vjedh të rinjve jo vetëm kohën e çmuar, ua rrëmben edhe shumëçka tjetër nga jeta.
Për të folur me dikë, për të zhvilluar një bisedë domethënëse, të drejtpërdrejtë, duhet ta kesh një temë. Nuk është thënë më kot se leximi i shton njohuritë e përgjithshme, por e shton edhe aftësinë e të folurit.
Sa përjetime të bukura ndodhin kur një i moshuar rrëfen për të rinjtë përvojat e tij. Arti i Bisedës së Gjallë siguron edhe përjetimin e bukur të një ngjarjeje eprosanale, të një histori dashurie, lufte, sporti etj.
Dikur, në traditën e bashkëbisedimit shqiptar (nëpër oda a ambiente tjera), ekzistonte edhe kultura e dëgjimit. E dëgjimit aktiv. E sot thuhet: dëgjimi është një mjet i vlefshëm. Por te rrjetet sociale ndodh krejt e kundërta: përqendrimi te vetvetja (kush qenkam unë, kush janë të tjerët)...
Nga ana tjetër, të mos harrohet, se, gjatë historisë, njerëzit më të shquar, Fjalën e Folur e kanë pasur mjetin më të spikatur e më të përvetësuar për të arritur gjëra të mëdha në jetë. Edhe sot, në jetën politike, në jetën shoqërore a në atë të biznesit, do të njihni udhëheqës a drejtues që kanë vetëbesimin dhe aftësinë e të shprehurit të drejtpërdrejtë. Te e fundit,e dhe “Dashuria pa biseda është e pamundur” (Mortimer Adler). Kësisoj përsoset e kalitet edhe karakteri, por kësisoj nderohen edhe karrierat e suksesshme. Bashkëbisedimi i tillë, i drejtpërdrejtë, i jep domethënie kuptimplote jo vetëm temës a çështjes, por edhe u jep rrugë miqësive më të rëndësishme, u jep rrugëzgjidhje edhe moskuptimeve a mosmarrëveshjeve.
( 24 prill 2017)

Prend BUZHALA: E VËRTETA DHE RRËFIMI, E VËRTETA DHE GËNJESHTRA


(Çaste eseistike, IMAGINARIUM), 26
E duam të vërtetën apo e duam rrëfimin?
Njerëzit nganjëherë nuk e parapëlqejnë të vërtetën për një ngjarje, prandaj ndërtojnë rrëfimin e tyre, versionin e tyre për të. Kësisoj, gjatë mileniumeve, ai ka krijuar të vërtetën që mund të ndodhë, të vërtetën e mundshme- e që quhet art, letërsi, rrëfim. Poeticienët, a teoricienët e letërsisë, e shtrojnë problemin në raportet e ndërsjella: e vërteta dhe rrëfimi autentik, E vërteta artistike, e vërteta narrative etj etj.
1.
Në këso përjetim-raportesh, njeriu u ngjet të vegjëlve: të gjithë fëmijët thurin mite rreth lindjes së tyre...posa t'u luteni fëmijëve ta thonë të vërtetën, nga ata do të dëgjoni rrëfimin (Diane Setterfield). Ne mund ta shohim një film homazh për njerëzit e sakrificës (të tilla rrëfime ka në gjithë kombet e botës).
Letërsia, që nga “Poetika” e Aristotelit, ka gjurmuar të vërtetën e mundshme a të vërtetën që mund të ndodhë. Kësisoj, edhe letërsia postmoderne, me procedimorin e saj, me botën e saj të fiksionit, pikësynon të vërtetën e tillë, “lakuriqe”, sa më të besueshme. Herën tjetër na pëlqen si një shkrimtar vë në gërshet të vërtetën, mitin dhe fiksionin në prozën e tij; ose parapëlqejmë diskursin utopik, mitologjik dhe historik nga një tjetër autor. Mandej, strukturat e fantashkencës romanore, strukturat e rrëfimit përrallor...mandej, struktura e ndërliqshme e botës së ideve etj.
2.
Por, brenda një rrëfimi kërkojmë një mesazh a mësim jete.
ja një i tillë, te një tregim (përkthim i lirë imi nga gjuhë të huaja):
E VËRTETA DHE GËNJESHTRA
(Rrëfim)
- O Atë, a mund të qëndrojë e vërteta brenda gënjeshtrës dhe e vërteta të ketë rrenë? -pyeti plakun një i ri.
Plaku u përgjigj:
- Pyetni kalin, le ta thotë ai vetë.
Djali hutiohet dhei vjen siklet:
- Nuk poe kuptoj ... për çfarë u dashka të përzihet këtu një kalë?!
- Si mund të mos e kuptosh? E pra, kjo dihet, se kali nuk do të pijë ujë të papastër, të turbullta - tha plaku.
- Po, dhe ...?!
- Dhe kështu qëndron puna edhe me të vërtetën dhe gënjeshtrën. Një gënjeshtër mund ta fsheh te vetvetrja të vërtetën, por çka vlen kjo, kur është uji aq i ndyrë dhe jo i pijshëm. E vërteta, megjithatë, brenda vetes nuk e pranon gënjeshtrën, dhe ujlt nga burimet e së vërtetës është i mirë për pije, sespe është i pastër. Qe pra, ky është mësimi që mora nga kali.
I riu buzëqeshi dhe falënderoi plakun për mësimin e tij.
3.
Shpesh nga rrëfimet anekdotike, përmendim shprehje, se si e vërteta vishet me rrobat e saj, kurse rrena me të vetat. Porse shpesh ndodh që Gënjeshtra t’i vjedhë a rrëmbejë rrobat e së vërtetës. E vërteta mbetet pa rroba: afër vetes i kishte rrobat e gënjeshtrës, por nuk deshi t’i merrte ato; e vërteta ec lakuriq nëpër njerëz, të cilët tashmë po i besonin gënjeshtrës së veshur me rrobat e së vërtetës. E kotë përpjekja e të vërtetës t’ia sqaronte popullit. Populli ikte nga e vërteta. I çuditshëm populli: nuk e pranona s të vërtetën lakuriqe, por gënjeshtrën e veshur me rrobat e së vërtetës.
Përnjëmend: e ku ta dijë populli për dikë se a do të jetë një njeri i mirë apo do të shndërrohet në përbindësh?
Por nganjëherë ndodh ashtu si na thotë Anuj Somany: "Gënjeshtrat që fliten për dobinë e një njeriu të shtypur, janë shumë më të mira se e vërteta e thënë për dobinë e popullit të dëshpëruar dhe egoist".
A nuk kemi provuar këso situatash?!
( 25 prill 2017)

Sunday, April 23, 2017

Kujtim Stojku: JAM I PAFAJSHËM


(Nga libri në dorëshkrim)

-Të ka filluar me të lënë mendja – më tha një mik një ditë,
-Se ke filluar të shkruash plot marrzina,
-E kush është faji im? - Iu përgjigja – kur po plakem me ankth në shpirt,
U turra pas së padukshmes,e mendimin abstrakt nuk mund e mrrina.

E kam lodhur mendjen time për të pamundurën,
Përplasesha si fugë në mes rrenave dhe të vërtetave,
Nga brenda një ankth gjithnjë ma shtrëngonte zemrën,
E unë shihja ëndrra sikur më ushqente njerku dhe njerka.

Trupi zemrohej se jeta po e tradhëtonte,
Si gënjeshtare e paturp më kishte lidhur me vergji,
E rrihte të vërtetën,por prej vendit ajo s’tundej,
Të dyja me gënjështrën bërtisnin: - Kemi liri...

Natyrisht që ju mendoni se keni zbuluar ligësinë,
Më thonë se kam sytë e një të marri,rrënjët e pemës shoh duke qarë,
Toka nuk ankohet nga bakterret,krimbat dhe urithat,
Ku mundin e saj vazhdimisht pamëshirë ia grabisin
Por në sojin e vet ata gradohen dhe janë nga më të mirët gjeneralë.

Natyrisht që këtë çmim insektet e marrin të gjithë,
Edhe lakminë e shtetit që duket se është krejt normale,
Vjel taksën edhe nga qentë kur shkërdhehen duke ulërirë,
E unë në një pavion psqiatrik  bashkë me tensionin ritmet e zemrës  maten.

Bashkë me kometat dhe gaforret endet njeriu,
Si të  trullosur përreth një ishulli vijnë vardallë,
Gërvishin profecinë kundër vetvetes se do t’i shqyej ariu,
E çuditërisht kundrejt vetes tyre egërsisht janë vënë përballë…


23.04.2017

Grigor Jovani:MEDALJA

Mos të lëntë Zoti pa miq, pa kolegë të tillë si të mitë. Hall kisha unë për dekoratat? Tani, me demek, që ikëm nga stani dhe nuk kemi fatin e deleve brenda tij, që vazhdojnë të gëzojnë këto privilegje - dje biles Kryebariu organizoi një ceremoni të tillë në sallën parlamentare të staneve shqiptare në Athinë, ku dekoroi veten dy herë, në prani të gjallesave të mbetura brenda gardhit. Aty për aty improvizuan dje një votim të hapur miqtë e mi të grigjës separatiste, pa mbërritur unë tek Qendra Kulturoro- Ushqimore "Qoftet e Musait" dhe me t'u ulur u organizua ceremonia e rastit.
U bëra dhe unë me dekoratë.
"MEDALJE
Kryepuçistit më të mirë të vitit 2016.
(Portreti im në vijim, i bastarduar nga skicografi Ilir Mborja, anëtar i shtabit puçist, por i poshtër shumë, se skicat e dikurshme të Kryebariut i bënte më të mira, për të stimuluar artificialisht sukseset e tij erotike me delet vartëse, të cilave ua kërkonte copë devotshmërinë, me autoritetin e dashit të parë).
Nënshkruesit:
N/Kryebariu
MURAT ALIAJ
(dv - firma)
Sekretari
ILIR MBORJA
(dv - firma)
Athinë, më 22 prill, 2017"
Shënim:
për Dekoratën u përdor letër bakalli, siç shihet, nga Blloku i Musait, nga ai defter i poshtër ku shënon llogaritë e tij gjithmonë të pasakta, shkëputur në mënyrë rrethanore nga puçistët organizatorë. U bënë edhe fotografitë e rastit, të cilat nuk u pa e udhës të publikoheshin, me pretekstin: "Ne nuk do të bëhemi si delet brenda stanit, që i përdor Kryebariu për propagandë..." Pordhë me rigon! Nuk donin publicitetin tim. Edhe midis puçistëve mund të ekzistojnë diferenca...

Sinan Kërpaçi: GISHTA ME UNAZË



Më harruat në botën që i ka të gjallë pesë kontinente dhe vetëm një të vdekur – përbërje akulli që s`mund të jetë vend për mua. Pa ia prishur lulet kurorës kam zgjedhur të rri me pesë gishtat e dorës duke shpupuritur floknajën tuaj derdhur si vello nusërie në ëndërr: shkund petale dhe e shpall veten dhëndër. Ju më braktisët në burgun e madh ditën që rashë brenda hekurave si gardian, ma mbyllët derën e blinduar nga përjashta, por unë do ëndërroj për ju vetëm dasma dhe ditë të dehura. Femra që ju dua me të gjitha shqisat siç i kam të mprehura! Prill 2017

Ajet Shala:MONOLOGU I SHQIPONJËS!



Jam këtu zot i vërtetë
nëpër trojet pellazgjikë
ku ilirët nisën jetë 
ku dhe dielli fliste shqip.
Mbarë çakenjve në Karpate
do ua nxjerr dy sytë e ballit.
do të shkoj në bjeshkë, e shpate
do të shkel fushën dhe malin.
Nëpër trojet mbroj kufirin
Kam në duar gjak lirie
valëvis nga mot flamurin
nëpër ballë fisnikërie.

Musa Jupolli:Musa Jupolli: Portreti i vajzës bluzëbardhë


Portreti i vajzës bluzëbardhë ,
me Ndajfolje filloi Poema e saj !
<>
*Lexoma dramën e Dardanisë !
Unë ti lexova vargjet e Shqipërisë !
Ta deshifrova fjalë për fjalë
lekturën e natyrës !
Ti je ra për dhé, u rrëzove
dhe më nuk je në gjendje
as në t' folme as n' shkrim !
Pamjën e ke të ngatërruar
plgosje në shpirt ,
je n'mungesë
ke humbur programin humanitar !
* Vajzë e Re
bluzëbardha
me lotë në sy
mu lut t' ia lexoj
Poemën time :
Metamorfozë !
Dua të jem ujë
më vargje t' mia
t' ia shuaj etjen Atdheut tim !
Pyete Hënën
Pyete Diellin:
Pse gënjehet populli shqiptar ?
Drejtësia është në drejtshkrm ,
Goma fjalën nuk e shlyen ,
Dituria në frymëzim ,
Poemë e luleve t' Pranverës,
Dushk i ngjyrave t' Vjeshtës
me sy t' larë nga loti
Dashuri që më vlon në gji !
*
Bluzëbardhës fytyra i ndriti !
Portreti i saj
zuri vend
në muzeun e kujtimeve
të mia !
Pastaj
Nxori lapsin :
Me Ndajfolje
filloi Poema e saj !

Saturday, April 22, 2017

Ramiz Kuqi: PËRPËLITJE


Jashtë bën ftohtë. Mbi lëkurë dridhen mornicat e stinës.Lulet janë ngrirë në ballkon. Zogjtë e mërdhirë puplojnë nëpër degë. Sytë i kanë drejtuar nga lind dielli. E dielli është fshehur pas shtatë kodrave . Në shtatë kulla ka rënë heshtje.Zëra imagjinativ ringjallin ëndrrat e romantikëve shqiptarë. Por e kanë me hile !
.Kohë krizash . Shpirti dhemb. Në hapësirën e këtij qielli asgjë në horizont. Rrugët gumëzhijnë. Protestojnë vargjet, fjalët. Sillet koha në unazë gishtërinjsh.Përpëlitje?! Dallgëzuar janë këto valë jetë. Në cilin breg dallga është ngritur përtej vetes?
Përse Zotynë e ke dënuar Sizifin ? Pse deshti zjarrin ta ndez për t'i ngrohur këto gjymtyrë trupi mërdhirë nga ky dimër i egër? Dimër në sofër të thatë, dimër i skajshëm në horizont..Të paditurit endin anijen time nëpër det. (Po)pull...Në këmishën e zbërthyer ajri freskon gjoksin e lodhur nëpër labirinte të panjohura. Si nëpër dhomat e burgut errësuar. Pa dritë. Aty ku mund të të ngulfatin hije të padukshme. E të thonë: bëri vetëvrasje !
Po ç'faj kanë zogjtë, miqtë e fjalës? Ke faj ti njeri i Fjalës? Ndoshta ...Të kanë mbështetur për mur ...mjerimi t'i ka mbyllur shtigjet ...Mendimi të është topitur ?
Jashtë është ftohtë. E ftohtë dashuria, njerëzit janë mbyllur në kullën e vetmisë. Dialogojnë me veten !
..Përpëlitje, a ringjallje? Nëpër udhë si të Ferrit të Dantës. Dikush i bie këmbanës nëpër foltore. Fyellit ia kanë mbyllur vrimat për gishtërinj. Sa keq na ke ngulfatur KOHË !
Në cep të këtij bregut është një dorë.Dil nga kjo vorbullë sa nuk të ka rrëmbyer deti . Dil !
E jashtë është ftohtë... Edhe nëpër Fjalë germat janë rrudhur ! Si toka jonë. Në çdo përpëlitje ia copëtojnë nga një rrip shkëmbi ! Nëpër këto harta imagjinare !
Zotynë, m'i ruaj zogjtë e mi gjitandej !
21.4.2017

Ajet Shala:ERDOGAN, S’JAM VELLAI YT


Erdogan s’jam vëllai yt, mos lëkund eshtrat shqiptare
Tokën pellazge të parët e tu ma mbushën me varre
Vëllezërit e mi flasin gjuhë perëndie, mbi kokë mbajmë plis
Disa shkojmë në kishë disa në xhami jemi një gjak e një fis.

Mbajmë mbi kokë qeleshe ilire, jemi gjak i Gjergj Kastriotit
Fes të zi si bajgë mbi kokë, mban ti, o bir i Stambollit
S'na lidhin doket, as gjaku, s'na lidh gjuha në Bosfor
S’ke ti flamurin kuq e zi dhe krenari shqiptari që më vlon.
Ajet Shala "Ajhasha"
Kopiliq, 20.07.2016

Ymer Nurka:PORTRETI

 (fabul)
Një ujk, një herë e një mot,
E shpalli veten dhespot.
Ku me ungjill, ku me kërbaç,
I merrte popullit haraç.
S’ngopej me dhen e me dhi;
As me famë, as me lavdi.
Kështu një piktor thërret,
Që t’i bëjë një portret
Urdhëron që portreti' tij
Të varet në çdo shtëpi!
Meqë s’besonte, njëherë
Del kontroll derë më derë.
Hyn në shtëpi të zotit ketër,
Kur ç’të shohë mbi mur të vjetër!
Portretin mizat kishin ndyrë,
M’u në mjekër dhe fytyrë...
Për më keq vetullat ngrys,
Kur sheh portretin vënë përmbys.
Ulëriu e tregoi dhëmbët,
Sa ketrit iu drodhën këmbët.
Pastaj tmerrshëm nxori zënë:
-Pse kokë poshtë më ke vënë?
-Jo, aspak, hirësi e vjetër!
Zë zaliset zoti ketër.
-S’jam aq mëndjelehtë vërtet,
Sa të mos di të vë një portret…
Në çast ujku qime murrmë
Turfullon edhe bën zhurmë
-Po ti ç’më, pandeh mor horr,
Mos jam unë sëmurë e qorr?!
Mendon ketri i tmerruar;
"Në s’jam trim qofsha i zgjuar!"
-Këtë s’e them me siguri,
Por nuk ka gjë që s’bën vaki.
Ç’rastësi në fund të shkallës:
U ndje zëri i nuselalës.
Me këtë rast dhe ujku qesh
-Eja, hyrë doktoreshë!
Më thuaj, portreti im
A s’është vënë ashtu gabim?
Bukla, si sheh në portret,
Qeshi pak pastaj zë flet:
-Joo portreti yt nuk luhet,
Është vënë tamam siç duhet.
Plot çudi dhespoti thotë:
"Shoh në qiell e s’shoh në tokë!"
-Domethënë, mendimi yt,
Mua më paskan lënë sytë!
Tjetra bën sikur s’beson,
Shfaq dyshim në profesion.
-Joo këtë s’mund ta them dot
Pa vizitë, zoti dhespot.
Ujku shtrirë në krye të shkallës,
I bën vizitë nuselalës.
-Uh, ç’po shoh, ruajna o Zot!
Sa keq shikon zoti dhespot!
S’ka faj portreti vënë në mur,
Po ti qënke i sëmurë!
Trurin e paske pa bosht,
Ndaj çdo gjë sheh kokëposhtë.
Po më ngjan në ditë të hallit,
Ke simptomat e budallit.
Mendon ujku: "Kaq e pata,
Shkoi me vreshtin dhe urata
S’do mbaj dot më asnjë meshë,
As për cjep e as për deshë"
-Domethënë, moj doktoreshë,
Çdo kokëposhtë unë e shoh drejt.
-Tamam kështu -bukla i thotë.
-Çdo gjë drejt e sheh kokëposhtë.
Çohet ujku gjithë inat,
Thotë në çast - Ika me vrap.
S’ma ka hedhur zoti ketër
Por ama çdo kafshë tjetër!
Ndaj do iki do t’i mbys,
Se më paskan vënë përmbys.
Vrapon ketri para tij,
Lajmëron në çdo shtëpi.
Dhe çdo kafshë seç i thosh:
-Kthe portretin kokëposhtë!
Thotë një lepur këmbëshpejtë:
-Pse ta kthejmë kur është drejt?
Ia kthen tjetri, me zë mekur:
-Bëj ç’të thonë, o zoti lepur!
Dije mirë se qysh sot
Kështu urdhëron zoti dhespot.
Bashkë me ketrin lajmëron qeni:
-Me kokë poshtë portretin ktheni!
-Çështë kjo punë! -thotë dhia,
-Qënka çmëndur hirësia…!
Si të mos mjaftonte kaq,
Puna vajti dhe më paq.
Se ujku, hirësi e vjetër,
Desh kokëposhtë çdo gjë tjetër.
Kush përmbysur e ka kokën,
Si vetja kërkon dhe botën...

Prend BUZHALA: SIMBOLOGJIA E URËS:


REALJA, FANTASTIKA, MITI
(Çaste ri-shkrimi, IMAGINARIUM), 23
Ura, ky simbol i lashtë shqiptar, në këngën e moçme shënjonte kapërcimin e një pengese a vështirësie, vetëm mbas një sakrifice sublime...siç na e këndon këtë edhe Ura jonë e Fshajit.
1.
Simbolika e urës, siç do të thoshte Guénon,është një pontifex romak që ndërlidh dy botë të ndara. Ndërsa te qytetërimi i krishterë, evropian, sugjeron lidhjen në mes Hyjit dhe njeriut. Tek kulturat e ndryshme URA simbolizon ndërlidhjen në mes asaj që njihet e dihet dhe të asaj që na qëndron jashtë botës sonë të perceptimeve. Në ura, mbështetur për parmakë, shohim pamje me të rinj të buzëqeshur, të dashuruar,...
Lexojmë për urat si simbole bashkimi e afrie i DY BOTËVE TË NDARA.
Dhe sa e sa ura pikëllimi shohim nëpër botë…
2.
Ndonjëherë na ndodh të gjendemi përpara një skene tjetër: "mes reales dhe imagjinares"... Kujtesa e trishtë e një tragjedie, ndërthuret me pamje ndodhish të kaluara, në luftën e fundit a në ato për sa e sa shekuj (si tragjeditë tek Ura e Çabesë apo murosja në urë). Mund të na shfaqet një fanitje kujtese: një album i fotografive që këmbehet me fanitjet e imazheve të djegies së një makine, ku digjen njerëz të gjallë. Nëse në simbologjinë letrare dhe në atë onirike, ura shfaqet me pamjet e saj misterioze, e zhytur në errësirën melankolike të kujtesës, gjithsesi që simbolizohet edhe humbja dhe rënia në një situatë të palakmueshme. Në fund, kujtesa shndërrohet në obsesion meditimesh, reflektimesh, kontrastimesh që t'i dhurojnë pamjet e jetës ...
3.
Ismail Kadare, te “Ura me tri harqe”, duke pasur parasysh se balada e murosjes në strukturën e vet përmban konfliktet morale dhe, si e tillë, i ruan lidhjet me realitetin historik, "kufizohet në paraqitjen e objektit të ndërtuar dhe në pasojat thjesht mitologjike” (Dr. Sadri Fetiu), atëherë edhe në këtë roman motivit të njohur popullor shkrimtari i jep edhe dimensionin historik, edhe dimensionin mitologjik, herë-herë, si në prozat tjera, ndërhyjnë fantastikja dhe irealja. Mirëpo, të gjitha këto gërshetime janë në funksion të vlerave estetike të veprës. Duke qenë se miti i flijimit është rrënjosur thellë në qenien e në vetëdijen e banorëve, edhe shkrimtari ndjek këtë logjikë të jetës, prandaj ndërthur një poetikë të ndërliqshme demitizuese përmes personazhit kronikan, murgut Gjon. Ata që pësojnë nga ky demitizim i ngritur përsëri në mitizim, janë vendasit; miti është përdorë, pra, edhe për qëllime pushtimi. Prandaj, varianti i një kënge baladeske, paralajmëron një ngjarje: herën e parë dëmtimin e urës; herën e dytë murosjen e Murrash Zenebishës, i cili bëhet kurban i urës. Gjithçka zhvillohet fshehurazi, natën, në errësirë të plotë, për t'u dhënë ngjarjeve velin mistifikues. Murrashi natën, i paguar nga. "Lundra e trape, dëmton urën, kurse natën e zënë dhe e bëjnë kurban të saj; ai është viktimë e kësaj lufte midis dy palëve... Sikurse në vepra tjera, edhe këtu ndeshemi me psikologji e mentalitete të ndryshme, me interesa të kundërta, mite të ndryshme dhe pamje të ndryshme të të njëjtit mit, përpjekjen e autorit që ta demitizojë pamjen enigmatike të mitit etj. Historia në këtë roman i nënshtrohet përjetimit mitik.
( 22 prill 2017)

Friday, April 21, 2017

Ymer Nurka:MASKARADA


E kërrusët ju "liderë", këtë popull të lodhur krejt,
Juve që misionin nisët, porsi mjeshtra, veç tu rrejt..?!
Bëtë ligje, shpikët norma, kushtetuta dhe platforma,
Brohoritët dhe buçitët e na ngritët gjer në qiejt.
Ishit bijtë e kësaj toke, trumbetuat rrugë të drejt…

Ju besuam, kur ju shatë vetë sistemin, diktaturën,
Ngulët kthetrat tokës ngratë , popullit i latë faturën,
Gjoja qënka vetë liria, pa kufij, si dhen pa vathë
Çek të bardhë na vërtitët ndër fytyra,oh ç’gafë!
Para jush qëndronte vendi, porsi mali me pilaf…

Edhe ju s’iu mjaftoi luga, për të vjedhur djersën tonë,
Jo më pjata ,as lopata, po fadroma dhe vagonë,
Nga errësira porsi trima, sikur hijet dalë nga vrima;
Shitët vendin si xhambazë, pesë qindarka ndër gjitonë,
Edhe prapë pa pikë turpi, të pa cipë s’e lini fronë…

Sapo Shqipja zuri honet, menjëherë ju ngritët tonet,
Veshur me lëkurë qingji, shpirt si ujku nga zakonet,
Bëtë tender me pushtetin, kapital ngritur mbi dokrra,
Shembët Kudhrën proletare, në vend të saj vendosët mokra,
Peng morën pemën e mëmëdheut, jo më shumë se dyqind kokrra.

Dhe pastaj përmbi viktimën brohoritët: “ Bingo! Bingo!”
Pa iu ngjitët dhe s’u shqitët mbi kufomë, si qentë dingo…
Këtej hanit, andej dhisnit, ulërisnit edhe flisnit...
Veç premtime të begata, natyrisht të reja fringo.
Gjithë mjeranëve ndër fushata , ju u shisnit, porsi gringo.

Ndër grabitje, bëtë gara të papara, ç’maratonë!
Ja e desh një "kokë turku", bëma juaj, halli jonë,
Dhe në çast mëndjen e mblodhët, fap e zgjodhët,
Një kurban, nga i mjeri popull, prej vet gjakut nga ku rrodhët,
Një fatkeq, për fatkeqësitë, për fajtor ndër këmbë i hodhët

Ikën motet, kështu vodhët tërë thesaret, monopolet,
Domosdo me këtë popull të pa ditur tallët bolet,
E ndërroni sa herë doni, vjen në ndihmë korrupsioni,
Të pacipë na tregoni, xhepat bosh dhe protofolet,
Dhe shqiptari i uritur, s’ka fuqi më as të kollet…

Qafë dhjamur, shumë të kamur, mbushët arkat ju në Zvicër
Do bëjmë shtet pastaj kujtohi dhe ndërseni veç policër,
Për njeriun e mashtruar zgjatet, zgjatet errësira..
Ligji kap keca e gjorë dhe fal ujqërit-egërsira,
Rrojmë oh në kohë të liga, duke pritur të vijë e mira...

Me këtë popull ja u tallët, dhe e kthyet në veshgjatë,
E në gjuhë të tija pallët, na shurdhuat, me shamatë!
Mbahi ju për baballarë, pleq të urtë, dhe analista,
Me ju gjoja-patriotë, shumë e gjatë do bëhej lista,
Fjalë-bukur ndër ekrane, autorë veprash të pista

Kur të ndodhë prej vetiu, mbi mjerim të brofë gjeniu,
Ku do shkoni ku do futi, "pesëqind groshë" një vrimë miu,
Se ah rrotë e Historisë, rrotullohet e vërtitet,
Kush lakmoi majat e saja dhe s'ka më se ku të ngjitet,
Do bjerë poshtë, do thyejë qafën, ditë e tillë për juve pritet

Shkoi dhe brezi ynë tutje, si gjithë brezat shkuan, vanë,
As dhe zoti s’pranon lutje, me kaq fjalë sa veten shamë,
Na dha tokën më të mirë, të pasur si askund në botë,
Por na mbushi me qafirë, me hajdutë e me idiotë
Domosdo është e vështirë, të bëjmë shtet edhe epokë,
Jemi vallë njerëz të lirë, apo rob të mbetur trokë?!

Prend BUZHALA: PJATA MAGJIKE


(Çast eseistik, IMAGINARIUM), 20
Nuk e kemi këtu fjalën për Mitin e Pjatave Fluturuese.
As për Pjatën e Thyer diku më 1981 në Mensën e Studentëve.
Fjala është për Pjatën Magjike të kohës sonë, dhuratë për secilin prej nesh, nga Politika Ditore.
Ne presim që aty të ketë ushqim të rregullt e të bollshëm; ushqim që vjen nga djersa e fituar me punë. Punë, liberalizim, siguri ekzistence, shkollim, shëndetësi që përballohet financiarisht dhe të mos vdesim për një grusht euro. Lëvizje të lirë, zhvillim...
1.
Çka dreqin po ngjet me këtë pjatë?!
Aty, në vend të Bukës së Përditshme, mund të hani për çdo ditë intervista, debate, votime në parlament, polemika, premtime, grindje skenike-politike...
Aty të vjen lista e racioneve ditore: si duhet të bëhesh doktor shkence pa asnjë punim shkencor;
si duhet të bëhesh akademik duke shkruar libra që nuk thonë asgjë, që u drejtohen kokave të zbrazëta, duke fituar sa më shumë çmime letrare, duke qenë në miqësi të përhershme me SHBA-të, pardon: me krerët e politikës e me përfaqësuesit e ambasadave;
duke hartuar Harta Magjike që e ndërrojnë masën e territorit shtetëror sipas kutit të ambasadave, të Interesit Kombëtar për Viza e Për Marrëdhënie të Mira me Fqinjët.
Po qe se dëshiron të kesh suksese në profesurë, doktoraturë, a po qe se dëshiron të të çmojnë si Kokë e Zgjuar e Politikës Ditore e Shtetformuese, atëherë domosdo do të kesh para, do të kesh ofiqe, çmime, privilegje.
Dija nuk vlen, mos gabo të jesh i ditur!
2.
Mund të bëhesh brenda ditës shef i katedrës, dekan fakulteti, pa asnjë kontribut pedagogjik, profesural apo shkencor. Kryesorja: sado që ti dje ke përjashtuar nxënës a profesorë nga shkollat për shkak të “veprimtarisë armiqësore”, apo nëse i ke dërguar në burg; ti edhe sot mund të shpërblehesh duke i përdorur të njëjtat mjete, sipas metodës së seleksionimit negativ. Menjëherë do të të shpallin patriot që ka rezistuar “në rreshtat e parë”: aty i ke pasur diku paraardhësit e familjes sate, me çetat e Azem Bejtës apo Shaban Polluzhës...
Dhe biografia jote shpërlahet.
3.
Kjo Pjatë Magjike është krejtësisht e pastër: nuk pranon emigrantë, por krijon emigrantë në mënyrë ilegale.
Mbulesa Magjike e Ligjit është gjithëpërfshirëse: kot kërkoni nga e magjishmja pjatë dritë; aty ka errësirë, ku gishti para syve e para hundës nuk shihet; ku sëpata në pritë drejt Teje, paraqitet si E Ardhmja e Lumtur e...nuk shihet...
A ka shpresë?
Po.
Ja, njerëzit që nuk mendojnë kështu!
(9 prill 2017)

Prend BUZHALA: MACJA E ZEZË DHE LETËRSIA


(Çaste eseistike, IMAGINARIUM), 21
Dikush mund të pyesë: e çka kanë të përbashkët Macja e Zezë dhe letërsia?
Macja e Zezë dhe Urtia?
E po, sa Macen e Zezë e ndesh në jetë, e rrugën ta kapërcejnë:
janë njerëz-hije me misteret e krimit, që vijnë nga errësira. Njerëz të ligj që shpifin. Thashethemxhinj që përpiqen të ta nxijnë ditën.
1.
Do ta ndjesh Vuajtjen e Tmerrshme, po u more me letërsinë e mjerë.
Kobi ndjek urtinë tënde, bukurinë dhe Fjalën e Shkruar.
Letërsia ka mjerimin e vet, sjell drama, fatkeqësi dhe kobe.
Do të ndjehesh i pafat në dashuri, në jetë dhe në kërkimin e lumturisë.
Ruaju, kur merr një udhëtim të rrezikshëm, ata vijnë me pushtetin e padukshëm, për ta kontrolluar jetën dhe vdekjen tënde.
Peshoren e Lirisë për ta matur me Bishtin e Zi të Misterit zyrtar.
3.
Vetëm në një gjë ndien lumturi të pakufishme: në universin e imagjinatës krijuese.
Aty edhe e gjen shpëtimin,
Aty edhe gjendet shpëtimi!
(20 prill 2017)

Wednesday, April 19, 2017

Neht Jahiu:NJË GRUSHT DHE TË PËRGJAKUR PËR ATDHE


Krismat nuk pushonin. Po digjej gjithçka në tokë e në qiell. Luftonin trimat cep më cep për liri e për atdhe. Pjesmarrës i kësaj lufte ishte një djalë i ri që kishte ardhur nga Kosova. E njihja mirë dhe e takoja shpesh përpara se të fillonte lufta. Kishte ardhur për të luftuar në trojet e Iliridës. Kishte ardhur të luftonte për liri. Shpesh thoshte: po deshi Zoti nuk do të më dhimbset fare jeta t’ia fal gjakun tim kësaj toke, dhe të mos mbetet kurrë e huaja. Të mos mbetet kurrë djerrinë, sepse kjo tokë është tokë shqiptare. Është tokë e të parëve tanë.
Atë e gjeje së bashku me shokët e tij në çdo front të betejave që zhvilloheshin në pjesën e Karadakut legjendar. Nuk e njihte aspak frikën. E kishte thirrur liria, dhe mu për këtë liri donte ta flijonte jetën e tij të njomë. E quani Trim Kosova! Oh, sa emër i bukur!... Trim Kosova! Po me të vërtet ishte një djalë trim që si dridhej qerpiku i syrit. Kur ishte nisur për në Iliridë në shtëpi kishte lënë vetëm nënën e tij dhe një motër. Nëna e tij ishte Kosovarja dhe motra më e vogël se Trimi, quhej Shqipe. Me mallin e dashurisë e kishin përcjellë nga shtëpia pa nxjerrë një pikë loti, sepse djali i nënës dhe vëllai i motrës po shkonte të luftonte për lirinë e trojeve të veta. Pushkën në dorë e koburën në brez Trimi niset me shumë shokë në luftë. Sa hije i kishte Trimit uniforma dhe emblema e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në uniformën e tij ushtarake kur luftonte mbi armikun!
Pas shumë betejave shokët e Trimit një ditë ishin zënë në një pritë të papritur, në befasi. Kishte filluar një luftë e ashpër. Kërkoheshin të vinin forca shtesë për t’i ndihmuar shokët. I pari vullnetarisht paraqitej sypatremburi Trim Kosova me disa shokë të tij. Ata morën rrugën për te vendi i quajtur “Lugu i dhive” rrëzë Kardakut plak. Iu bashkangjit shokëve, ky djalë trim dhe luftonte pa u ndalur. Plumbi e qëlloi papritur Trimin në shpatulla pranë zemrës. Filloi t’i derdhej gjaku. Vrapuan disa shokë për ta ndihmuar. Ia lidhën plagët me atë shami që ia kishte dhënë nëna e tij kur ishte nisur Trimi për në luftë. Nëna i kishte thënë: ruaje biri im, se do të duhet ty ose shokëve të tu për t’i lidhur plagët. Trimi i plagosur nuk e ndali luftën. Pas pak kohësh shokët nuk i dëgjuan më të shtënat e armës së shokut të tyre Trim Kosovës. Beteja u fitua dhe armiku u tërhoq. Shokët vrapuan për ta gjetur Trimin. Kur arritën pranë tij, ai ishte akoma gjallë. Trimi nuk dorëzohej lehtë edhe pse ishte plagosur përsëri. Gjaku i derdhej nga krahu tjetër i trupit të tij afër zemrës. Të gjithë shokët i rrinin pranë. Pas pak ai tha : mua nuk po më dhimbset fare jeta që po vdes! Po më dhimbset o shokët e mi, pse po ndahem prej jush akoma, pa e kryer betimin tonë! Shokët iu përgjigjën: Mos u brengos o Trim Kosova se betimin e dhënë dhe amanetin tënd do ta kryejmë ne. Trimi u kthye nga shokët i shikoi të gjithë një nga një me radhë. Heshti pak dhe foli përsëri. M’i bëni të fala nënës sime Kosovares dhe motrës sime Shqipes që të mos derdhin një pikë loti për vdekjen time. Unë nuk bëra asgjë, por luftova për kombin tim. E tani më bëni një varr e më varrosni. Më mbuloni me atdheun tim. Më mbuloni me një grusht dhe të përgjakur. Thoni nënës dhe motrës sime kurrë të mos derdhin një pikë loti për mua.
Nga libri "Kujtim i gdhendur në mall", Prishtinë 2017