Wednesday, May 31, 2017

BAJRUSH BUNJAKU: DY POEZI

Poezi-Tekëstetet e dy këngëve që i kamë shkruar për këngëtarinë e mirënjohur Milaim Mezini, për të cilat pata pësuar mjaf nga keçtrajtimi i Sigurimit Shtetrorë Serb.

MARTESA NË KUFI

Nusja me shami,
Me nënën ndahet,
Me djalin e panjohur,
Takohet në kufi.
Nënë e dashur mos ke mërzi,
Do vie e blertë pranvera ,
Do të kthehemi në shtëpi,
Kurorë do bëjmë në atdheun e ri.
Dasmën do ta ndezim,
Daulla do të buqet,
Në vendin tonë të lirë,
Do të rrojmë të qetë.
Martesa dashurie.
Kosova pranverë.
Fole e zogjve të diellit,
Do të jetë përherë.

DO TË NISIM DASMËN

Do ta nisim dasmën
Do ta martojmë djalin
Nusen do t’ja marrim
Ta plasim dushmaninë
K’ta pushtues të zinjë
Ciklop me një sy
N’mes dhëndrrit e nuses
Na kan vërë kufinjë.
Kur do nisimë qerrenë
Ti vejmë jorgovana
Keq na i kan nxanë rrugën
K’ta hasëm dushmana.
Mos ki dert moj nuse
Ska ç’na bëj dushmani
N’dasmën ton të madhe
Do të jehojë tupani.
Do të jehojë kanga
Do t`gzohenë fushë e mal
Dasmën tonë të madhe
Askush s`mundë t’a ndal.
Kur do vish te ne moj
Do të lindësh djalë
Do ti tregojmë botës
S’ndahenë k’ta shqiptar.
Bajrush Bunjaku, Gusht 1996

Ramiz Kuqi: JASHTË PO BINTE SHI I NGROHTË


( Tregim i shkruar në Varnë, më 1974, përpunuar në Oslo)
Atë ditë , kur ia behu Limja në oborr, A. ishte shtrirë mbi dërrasa të ballkonit, ngyrë hiri, të cilat i kishte lyer disa herë me radhë derisa e kishin marrë ngyrën e plotë, sipas udhëzimit që kishe lexuar në pjesën e pasme të letrës së bardhë të plastikës. Limja kolliti disa herë që ta dëgjonte A. dhe, pastaj u kollit më zë më të lartë. U ngjit si flutur shkallëve nga ana e kopshtit , ndonëse kishte shtuar në peshë dhe dukej shumë më e plotë.
-Mos të zgjova nga gjumi?- i tha Petrit, me zërin e saj të theksuar e të hollë si të violinës. E mbante mend që nga fëmijëria. E buzëqeshur, mikpritëse, e ngrohtë dhe e dashur shumë.Sa ishte nëna gjallë, ajo vinte e rrinte në fshat javë të tëra. Tash është degëzuar me llastarë të ri të gjakut.
- Jo, jo,-nuk kisha fjetur. Po dremisja si varka mbi valë liqeni. Këtu e as në Jug gjumi më merr ditën. Nuk mbaj mend të kem fjetur ndonjëherë, me ndonjë përjashtim që kujtesa ka nisur ta harrojë. Ke folur me nënën ?- i tha Limës.
- Si i bëra punët e shtëpisë, e grisha në telefon. Ankohet nga dhembja e gjunjve, sidomos këto ditë maji kur atje po bie shi rrëke.Ka mbetur e vetme. Shtëpia e re do mbajtur e ajo zhagas ndonjëherë i bën punët, fshin dritaret që salloni të mos e humb pamjen e bukur që ka.Babai është pak nervoz, si gjithmonë. Por bujar e fisnik deri në paskajore.Ende mbahet i fortë. Duhani i ka shkaktuar probleme në frymëmarrje.Po, prapë duket si lis i fortë në këmbë, i lehtë si zogu.
Kur dielli po merrte udhën për t’u futur pas shtatë kodrave, në folenë e vet, era ishte shtuar një çikë më shumë dhe, vendin e dritës së diellit e kishin zënë hijet, të cilat u shtrinë deri në ballkon.
A .u përpoq ta rregullonte antenën, të cilën era e kishte lëkundur dhe kishte mbetur për disa ditë pa program televiziv. Lëshoi radion dhe këngët që dëgjoi për disa minuta me radhë, e relaksuan pak. Bëri një kërcim të lehtë nëpër dhomë , pa e parë askush dhe, pastaj vuri xhezven mbi shporet . Poqi një kafe turke dhe doli në ballkon, duke ndjekur rrezet e fundit , në skaj të terasës dhe u ul. Hedhi sytë përtej terasës.Një zë zogu dëgjohej duke cicëruar ,mbi shtyllën e tensioni të lartë të rrymës, që kapërcente disa dhjetra metra larg oborrit të tij. Sytë i përqëndroi të një fije e marimangës, e cila kishte bërë një rrjetë për t’i hedhur me mashtrim insektet, fluturat,
Mori një shkop si tëholluese, e zgjati dorën dhe e çliroi . Ajo po luftonte me vdekjen. Qëndroi një copë herë duke e vëzhguar derisa ajo mori forcë e u ngjit qiellit, e liruar nga kthetrat e marimangës, e lirë. Petriti . u ndie mirë që së paku shpëtoi një insekt të butë që mbush qiellin me hijeshi, nga një marimangë e zezë, me shumë këmbë, e shpejtë si vetëtima.E plot helm në majë të gjuhës !
Nga brenda dëgjoi një këngë popullore, nga e cila shkëputi dy vargje dhe i shënoi me stilolapsin me ngjyrë të kuqe, në skaj të një letre : “ Ah në gjunj të kisha ra, për fajin që kam ba”. Për një çast sikur humbi nëpër kujtime të kohës. Iu kujtua një natë vere kur ishte i ri. Iku me me Sezin në një udhëtim të parë jashtë vendit. Udhëtimi ishte i gjatë dhe larg disa qindra kilometra. Morën pastaj trenin për në atë qytet bregdetar.. Ishte natë e freskët. Në orën gjashtë të mëngjesit zbritën në qytetin e bukur të ëndrrave. U mrekulluan nga lulet nëpër parqe dhe qytetin e pastër si loti. Në një byro turistike i përcolli një shofer me flokë të rruara , tullac.
-Quhem Ivan. Bëj punë natën për të fituar disa levë. Kam tre fëmijë dhe gruan. Ju vini andej nga një vend ku flitet shqipja. Edhe kam mësuar disa fjalë. Udhëtarët e mi janë shqiptarë dhe i çmoj shumë. Me disa edhe komunikoj në telefon. Unë do t’ua gjej një shtëpi me oborrr, të një miku im. Ka një kopsht me pemë, mollë, kumbulla e pjeshka. Ka hapësirë të gjërë. Është njeri fisnik. E keni në disponim një shtëpi. Pagesa për ju është e lëverdishme. Doni të ju çoaj deri në Byro e pastaj të ju përcjell atje?- foli dy a tri herë.
- Si thua Sezi? iu drejtua A. Ai po gërhaste. Ishte lodhur dhe nuk mund t’i bënte ballë shumë pagjumësisë. E lëvizi dorën që la të nënkuptonte se ia vlen. Nëse na pëlqen, vendosemi . Pastaj, mund të bëjmë lëvizje, sa t’ia njohim ëndrrat qytetit , gjithandej në shkëlqim nga dritat e neonit. Për çudi, në atë mëngjes të freskët të korrikut, nuk u ra në sy asnjë patrullë e policisë.
- Jeni të martuar?- pyeti me zë të ulët Ivani.
- Jo,- i thanë njëzërit të dy. Sa kemi mbaruar studimet dhe jemi punësuar.
- Do të kaloni bukur. Mos keni frikë këtu. Nuk ka policë të veshur, por ka shumë policë pa uniformë.Siguria këtu është më e mirë se në çdo vend të Ballkanit. Ka edhe shumë rusë në pushimore. Rrini larg tyre, se janë mendjemëdhenj. Mund të ju provokojnë. Bëhuni se nuk kuptoni, nëse ju flasim. Do të heshtin , kokëulur. Ja edhe pak , një rrugicë e vogël, anash me drunj. Shiheni mirë që të mos e humbni udhën ,kur të kteheni nga korzoja. Atje dalin plot të rinj e pleq. Sheshi mbushet deng. Kjo shtyllë elekrtike , paksa më e veçantë se të tjerat, do të ju shpie drejt shtëpisë ku do të vendoseni. Pas disa metrash Ivani dha shenjë në të djatthtë dhe, u fut në oborrin e rrethuar me lule erë trëndafilash e çaj bliri.Pak më larg panë një njeri që po zbriste me një shportë kumbulla nga një trung i gjatë, ku ishte kacavjerr me shkallë.
-Ja pronari flokëthinjur!,- u tha banuesve të rinj. Quhet Ivanov. Ka bartur mall për Shkup e Prishtinë E njeh si në gishtërinj të dorës çdo pëllëmbë atje. Ka bartur cimento vite e vite. Ka mbresa të mira për njerëzit atje. Bile, siç më ka thënë shpesh, kishte një mik atje që e quanin Besim. Disa herë ai i kishte bërë konak në shtëpinë e tij.Verës, kur kishte kohë, ai vinte me tre ffëmijët dhe gruan dhe pinin raki kumbullash në ketë oborr, deri natën vonë.
-Nga Kosova jeni? – iu drejtua Ivanovi.
-Po, i thanë me një gjysmë zëri. Nuk e njihnin mirë, ndaj u dukën të rezervuar.
-Pse rrini të heshtur?- u tha duke buzëqeshur. Kjo është si shtëpia juaj. Ejani pas meje. Ata e ndoqën pas. Ai zbriti në bodrumin e shtëpisë së tij, ku ishte shumë freskët. Ndezi dy dirita. Andej murit ai kishte rregulluar rafte nga dërrasat dhe kishte paluar me qindra shishe të çelqit. – Do t’ua lë çelësin. Do të pini deri sa të rrini këtu. Oborri me pemë është edhe oborri juaj. Nëse ndokush nga andej vjen për pushime në Varnë, për dy a tri net, mund të fle pa asnjë lev. E keni të qartë?-
-Po, po. Kuptojmë ndonjë fjalë sa për mos mbetur në baltë.
- Ja ku i keni dhomat. Mund të fleni në një dhomë , ose ndaras. Kur bëri të largohet, ua shtrëngoi duart dhe u tha: natën e mirë!
- Si të duket Sezi?- e pyeti Petriti. Mua po më pëlqen. Paska një terasë të vjetër, por të lyer mirë. Pamja nga deti po më impresionon shumë.
- E mirë qenka, - i tha Sezi Petritit. Të bëjmë një larje në banjo e të shtrihemi. Nesër ndërrojmë në këmbimore marka gjermane. Këtu, më kanë thënë, është më lirë se të na.
-Ja njëqind marka,- ia hodhi mbi tavolinë Sezi Petritit. Ti mbaj . Ne do të pimë e hamë bashkë, bashkë tërë ditën, bashkë tërë natën .Petriti luajti pak kokën dhe heshti.
- Natën e mirë!- , i tha Sezi.
-Bëfsh gjumë të mirë! -, iu përgjegj me një ton të butë Petriti.
Natën Sezi u zgjua dy herë për të urinuar. Mbajti krahëve një këmishë të hollë edhe pse Petriti i tha disa herë se do të ftohesh. Kur u zgjua herën e parë, zuri në karrige dhe përpak sa nuk e zuri kokën për muri. Kishte flokë të rralla, prej vitësh. Në çantë mbantë një parfum të hollë dhe , tinëzisht zbrazte disa stërkala dhe ato pastaj ngjiteshin për lëkurën e kokës. Kishte kokë të rrumbullakët e simpatike.
-Të zuri këmba Sezi?- i zgjuar përgjumur kur dëgjoi atë rrapëllimë.
-Po, po. Edhe nusja kur martohet, në fillim nuk i di të gjitha labirintet e shtëpisë. Po ngadalë, i mëson,- i tha si me shaka Petritit.
- Je ftohur në makinë. Ishte shumë freskët.
-E di, por mua më vintë vapë.
Pashë lloj-lloj çaji të luleve në ballkon. I kishte vargëzuar pronari me kujdes aty, mbi gozhda varur, të ngujuara mbi dërrasa. Kur të zgjohemi, do ta përgats një çaj. Ditën pastaj, kur do të dalim në qytet, do të kërkojmë ndonjë këmbimore. Do të blejmë edhe një kilogram mjaltë. Bullgaria është e njohur për kultivim të bletëve, ka ambient të bukur malor , me lule shumëllojesh, vazhdoi t’ia shhpjegonte Petriti.
Të nesërmën u zgjuan në mesditë. Ivanovi u kishte sjellë bukë nga shtëpia dhe kos e djath të mirë të deles. Kur kuptoi se ende janë në gjumë, e mbështolli mirë e mirë me një bez të bardhë, e la në terasë dhe, zbriti nga shkallët e drurit me kujdes. Që të mos i zgjonte nga gjumi.
-Qohemi Sezi ?- i tha Petriti. Qenka bërë ora 11.25 minuta. Jam i uritur. Do hamë pulë të pjekur në skarë ose byrek me gjizë. Më kanë thënë se bullgarët i përgatisin mirë.
-Merri markat !, - e i tha Petritit. Dalim pak në terasë?- . Të shohim si duket dita e parë këtu.
-Po dal unë,- i tha Petriti. Hodhi sytë mbi tavolinë. Pa një pjatë të thellë të mbukuar me një bez, hekurosur mrekullisht dhe të pastër shumë. E tërhoqi ngadalë nga ana e djathtë, ngadalë, me kujdes i frikësuar pak. Kur e hoqi të tërin, klithi me zë: ua çfarë na paska përgatitur zonja e Ivanovit!.Pite të freskët, e butë si mëndafshi. Paska aromë të mrekullueshme .
- I lumshin duart!,- tha Sezi dhe erdhi shpejt e shpejt. Hëngrën me oreks, me kos deleje. Pastaj dolën në qyttet.
Në mes të qytetit , në një vend të dukshëm për kalimtarë , panë një këmbimore. Petriti iu afrua afër sportelit dhe hodhi brenda, me pasaportë markat. Njeriu me syza, të cilat i mbante ne majë të hundës, numroi levët dhe Petriti i futi në grusht e pastaj i paloi në çantën e vogël, të cilën e mbante në qafë.
-Shkojmë për të parë çfarë rërë ka në plazhë?- i tha Petriti Sezit. Mbase aty mund të takojmë Agronin dhe Gencin. Më thanë se janë nisur dy ditë para nesh.E në mbrëmje dalim bashkë për ta njohur qytetin dhe fshehtësitë që ua afron pushuesve.
-Unë i kam marrë gjësendet kur ti dole në oborr e po e falënderoja Ivanovin për pitën dhe kosin bullgar.
-Këndej qenka një rrugicë e shtruar me gurë katrorë, me ngjyra të kuqe në mes.E plot lule erëkëndshme. Atje mbase do të kërkojmë ndonjë çadër që mos të digjemi ditën e parë. –i tha Petriti.
-Ec ti përpara!,- se je më i moshuar.
-Këtu s’ka moshë Sezi ,- jemi të një moshe.E rëndësishme është që të mos rrëmbehemi. Ka gjithçka këtu.
- Ja atje, m’u buzë detit , e shoh një çadër të lirë, Të ngriturat janë të zëna. Ata që janë zgjuar më herët, i kanë zënë me kohë dhe , ja se si janë shtrirë e rreziten. Atje poshtë lundrat motorike çanin detin me tallaz. Pas rrëshqisnin mbi dallgë njerëz moshash të ndryshme, por kryesisisht të rinj. Të nxitojmë se do të mbetemi pa çadër. Kur u afruan, në anën e majtë të çadrës fqinje, një burrë e grua po llafosnin turqisht.
Pasdite, pa rënë muzgu, retë u shpërndanë me shpejtësi marramendësi. Pas pak, nga fundi i një kodre të lartë , u dëgjuan bubullima e vetëtima me shkreptimë zjarri.
-Do të bie shi,- i tha Petriti Sezit, Të bëhemi gati. Ja se si njerëzit i mbledhin rrobat e larjes. Ia njohin nazet detit . Duke llafosur, fryu një erë që ngriti pluhurin e hollë të rërës që u shpërnda në një rreth vicioz.
-Ikim me kohë, sa nuk është zbrazur ndonjë valë më e madhe e shiut e na lag . Na bën si pulat e qullura .
Ecën nëpër plazhë duke vështruar mos shihnin ndonjë shok. Kur shiu mori hovin e vet, ata u afruan pranë një kioske të vogël ku ishin strehuar disa të rinj. Petriti pa një çupëzë . . E hollë, me sy si kallëzit e grurit në arë . E vështroi tinëzisht. Ajo për një çast drejtoi trupin e saj si selvi. Buzëqeshi.
-Ju flsni një gjuhë jo sllave. Një gjuhë të ëmbël melodioze. Ju jeni shqiptarë?- foli me një dashamirësi të paparë. Babai kishte një shok nga ana e Tetovës. Raif e quanin. E donte shumë . Kishte punuar në një ëmbëltore në Bratisllavë dhe , si e vogël babai më merrte të shtunëve e unë haja me shije ato ëmbëlsira. Vdekja e mori herët,- më thoshte babai. Lotët i shkonin si krua nëpër mollëza, kur e kujtonte. Nga atëherë unë kam ndjenjë respekti për shqiptarët.
Kur u ndal shiu, Petriti e pyeti: si të quajnë?
-Kristinë. Kam ardhur që dy ditë. Banoj në bllokun katër, në katin e dytë, në dhomën numër 8. Është një garsoniere dhe ka një shtrat , një ballkon të ngushtë dhe një varëse për terje rrobash. Në dhomën tjetër banon një grua emrin e sëcilës nuk e mbaj mend. Është e dashur. Çalon në njërën këmbë. Zbret shkallët me një shkop, duke u mbajtur për mbajtëse anësore. Më tha se ka pësuar aksident në komunikacon dhe , tash po e merr veten ngadalë. Në mëngjes më fton për të pirë kafe. I bën të mira e me shkumë.
-Mund të shihemi sonte?- i tha si me drojë Petriti.
-Hmmm..kafshoi ajo buzët. Jam e lodhur .
- Dikund nga ora dhjetë?- si thua vazhdoi Petriti,. Pimë ndonjë pije të freskët dhe pastaj të përcjell unë deri në afërsi të banesës.
- Ajo rrudhi krahët dhe pohoi me kokë. Do të vij të kioska , sepse nuk e njoh qytetin. Asnjë natë nuk kam dalë. Kam marrë tri romane për tri javë sa do të qëndroj . Kur ik nga plazha, shtrihem në dhomë dhe lexoj. Shpesh më zë gjumi duke lexuar.
-Do të pres në dhjetë, mu aty ku shiu na bëri çull.
-Po të mos ishte shiu, unë s’do të strukesha nën strehë aty dhe ne nuk do të njiheshim kurrë. Shiu u bë urë për shumë fjalë dhe, u nis drejt rrugës, duke e kthyer kokën disa herë pas.
Petriti bleu një bukë, pak djath, kos dhe u nis për në shtëpi. Atje e gjeti Sezin, shtrirë në barin e gjelbëruar.- Erdhe ?- i tha me buzëgaz.
-Po, erdha. Kam lënë një takim në orën dhjetë. Me atë Kristinën e vogël që u rrit në sytë e mi.Dukej se ishte e mençur.
-Bëhu gati atëherë !,- i tha Petritit.Unë do të rri në oborr. Të pres deri vonë.
Petriti u bë gati shpejt e shpejt dhe duket se po fluturonte nga gëzimi. Mori udhë dhe , iu duk aq e gjatë,e me kilometra larg. U mbështet për kioskë dhe po priste me padurim. Nga larg u duk se po vinte. Kishte veshur një fustan të lehtë që era ia përplaste djathtas e majtas.
-Ke pritur shumë?- i tha Kristina, e tëra shend e verë.Një parfum ia zuri hundët. Në dorë mbante një trëndafil të kuq. Petriti kishte blerë një tufë lulesh dhe ia dhuroi. Ajo e puthi në buzë. Buzëmjaltë ishte !
- Të shëtisim pak ?- i tha Kristina. Nuk mund të rri më shumë se deri në orën njëmbëdhjetë. Gruaja ku unë banoj në fillim më ka treguar se duhet ta respektoj këtë orar. Bile ka biseduar me babanë nga këtu me telefon dhe, ai u gëzua shumë. Pas dy ditësh më vjen një shoqe dhe mund ta ndërrojmë banesën, se këtu është pak ngusht.
- Të pimë nga një lëng, si thua Kristinë?- lirshëm foli Petriti sikur ta njihte me vite të tëra.
- Do të pimë dhe unë do të rrëfej jetën time këtu. Në ditën e parë dola në plazh, e vetmuar. Pranë çadrës sime rrinte vetëm një djalë . Më tha se vinte nga Shtipi. U shoqërova dy ditë, por nuk pranova të dal në mbrëmje me të. Edhe kisha frikë. Fliste keq për shqiptarët. E unë kisha një bindje tjetër. Kur u duke ti Petrit, unë u çlirova e tëra.Fjalët e babait i ruaj në kujtes nga fëmijëria dhe ëmbëlsirat që i haja gati çdo të shtunë në ëmbëltoren e mikut të babait tim, Raifit të ndjerë. Kur u ndanë, ajo e puthi edhe njëherë dhe e shtrëngoi fort . Me të njëjtin ritëm, afsh e puthi edhe Petriti. – Nesër të pres të kioska,- i tha Kristina. Shkojmë bashkë te çadra ku qëndrova dy ditë me Sllavkon . Pastaj do ikim në një vend tjetër , më të qetë e sa më larg syve të njerëzve. U bë?- i tha dhe u tret nëpër udhën rrethuar me drunj e drita neoni.
Petriti mori udhën drejt shtëpisë së banimit. E gjeti Sezin mejtuar.
-Çfarë ke Sezi?- i tha miqësisht.
- U merakosa shumë. Madje dëgjova disa zëra rreth shtëpisë. Dëgjoheshin disa të rinj , të cilët bërtisnin e shanin. Por gjuhën e tyre nuk arrita ta mësoj. Hodhën edhe shishe birre në kopsht.
- Mos ke frikë nga pijanecët ! Kur pinë ,ata janë më të urtë. Nxjerrin nga thellësia e shpirtit brengat e jetës.
- U takove me çekën e bukur ?- i pyeti Sezi Petritin.
-Po,. Kam lënë takim nesër. Më zgjo, nëse me s’më del gjumi.
 - Mos ke frikë. Ti e di se unë zgjohem herët. Fike dritën! Dhe, bën gjumë me ëndrra të bukura Petrit. Je njeri me fat. Ajo dukej shumë simpatike.
Të nesërmen , nga ora 8 Sezi e zgjoi Petritin nga gjumi.. Në ato çaste ai po e ëndërronte syshkruarën. U zgjua trembur. Uh, paska rënë një diell i bukur, më i bukur se çdo ditë.Po hedh një zhiletë fytyrës , laj dhëmbët dhe po nisem. Mos të vonohem. Ndërsa ti eja më vonë. Unë dal e të pres. Do të largohemi nga ajo tollovi njerëzish. Para kioskës doli më herët, i frikësuar se mund të vonohej. Ajo erdhi për disa minuta më vonë.
-Bërë gjumë të qetë Kristinë?- i tha dhe ia shtrëngoi dorën .
- Pashë një ëndërr të çuditshme. Unë po prisja këtu, në këtë vend, e ty të pashë duke u endur me një lundër, me një vajzë bjondinë. Desh plasa nga inati. Gjumi më iku. Nuk i sheh sytë e mi të buhavitur? Po kur të pashë, më erdhi shpirti në vend. Ajo ia mori dorën dhe ashtu shkuan të çadra e Sllavkos. Ai po vështronteme sy nga deti. Kur ktheu kokën, mbeti i shtangur në vend.
- Ku është miku im. E quajnë Petrit. Është nga Kosova. Erdha të përshëndetëm. Jeta paska shumë udhë. Unë e gjeta udhën time dhe , u larguan heshtur, pa lëshuar asnjë zë. Disa metra larg u ulën në një çadër. Shtrinë një batanije të hollë. Ajo e shikoi Petritin drejt në sy, sikur donte ta hante.Petriti rrinte si të ishte i dehur. Ia ledhatoi flokët. Pastaj , rrokur dorë për dore, u futën në det. Uji nuk ishte shumë i ngrohtë, se ishte herët. Ata u ngjitën trup për trupi dhe puthjen s’u ndalën për disa çaste. Kur dolën në breg, Petriti nxitoi drejt çadrës, mori peshqirin e madh dhe, ia hodhi krahëve Kristinës. Ajo e pëlqeu këtë gjest të mirësjelljes.
- Faleminderit Petrit !-. iu tha ajo. Unë ende s’i kam mbushur tetëmbëdhjetë vjet. Kam edhe tri ditë për t’i mbushur vitet e pjekurisë. Pastaj do të gjunëzohem para Krishtit. Ta pyes nëse është mëkat dashuria. Nëse marrë zërin e tij, atëherë do jemi një. Kam frikë Petrit në mos dëgjoj ndonjë zë mohues.Pastaj do ta festoj këtë festë me Ty.
-Unë do të dua edhe kështu, me shpirt.. Nga dita kur të takova, ti u fute në skutë të zemrës sime. Po Krishti nuk mund të jetë shpirtkazmë. Kam dhe një propozim, mundet ?- i tha si i frikësuar. Do të vish nga sot te unë? Do të banojmë bashkë. Kam dëshirë të pi ndonjë kafe nga duart tua të buta si mëndafshi.
- E kam paguar pushimin për tri javë. Ndoshta dhe nuk m’i kthen levët. Çdo të bëj atëherë?
-Unë gjej dy njerëz që do t’ia përcjell pronarës për aq kohë sa do banoje ti aty dhe çdo gjë do të jetë në rregull. Por do të shkoj në kohë të drekës për ta diskutuar këtë ide. Po shkoj , sepse ajo në mbrëmje , sa e di unë, shkon të një kushërirë për të kaluar natën.
-Mirë , nxito. Pastaj unë vij e të ndihmoj të vendosësh te ne. Shtëpia ka dy kate dhe tri dhoma të zbrazura, pa njerëz. Ti mund të banosh vetëm.
- Për ashtu nuk e kisha ndërruar vendbanimin. Por të lus, duhet të marr uratën e Krishtit. Kur të afrohen akrepat e orës, do të dalim në oborr e do t’i ndezim dy qirinj. Ne do të futemi në një shtrat. Dua të të përjetoj me ngrohtësi. Kam gjetur diçka në jetë. Pas një orë e gjysmë, ajo u kthye me një çantë krahu. Petriti mbeti i habitur. –Hë, si u bë kaq shpejt kjo ?
- I tregova krejt rrëfimin e dashurisë. Asaj i shkuan lotët rrëke nëpër fytyrë. U fut brenda dhe doli me një pliko në dorë. Ishin levët deri në centin e fundit.. E hapi dhe më tha: Ti ndjehu e lumtur ! Veç një gjë nuk do ta falë kurrë: Nëse nuk ma sjell atë Petritin tënd ta shoh, nuk do ta falë kurrë. Madje një natë do të festojmë bashkë.
- Pa bërë zë, e përqafova dhe qava edhe unë.
- Tash vjen Sezi dhe unë e ti e çojmë çantën dhe ty të vendos ku të duash. Ka një dhomë me sy nga deti e dielli. Natën vonë mund të dëgjosh valët si përplasën nëpër shkëmbinj. Edhe qiellin me yje Kur mban kohë e mirë , pa mjegullnajë, e vëren hënën të veshur si nuse, stolisur me argjend. Ashtu duket nga ai ballkon. Natën e parë ajo ra në dhomën , e vetme. Nga gjysma e natës një trokitje e lehtë u dëgjua në derë. Petriti u zgjua shpejt, se mendjen e kishte te Kristina. Kur hapi derën, e pa të veshur në një pizhamë të hollë.
- Kam kokëdhembje Petrit !- , ndaj erdha të kërkoj ,nëse mban ndonjë tabletë. Mandej kam edhe frikë të fle vetëm në këtë shtëpi. Dëgjova një shushurimë jashtë dhe më iku gjumi. Nuk mund të fle atje !
- Eja, mos u tremb. Ja ka dy shtretër këtu. Shtriju , se të mbuloj unë me batanijen time. Është e ngrohtë valë.
-Të shtrihem pranë teje ?-vazhdoi ta ngacmonte mendjen dhe trurin e Petritit. Por me një kusht..të ma japësh fjalën se nuk do të më ngacmosh..kam rrëfimin para Krishtit. Të kam treguar?
- Fle e qetë si qengj, sybukura ime. Unë do të bëj gjumë mbi qepallat e syve tu.
- Kam sy të bukur Petrit , a veç më thua të ma plotësosh edhe një dëshirë?
- Për mua janë sytë më të bukur që kam takuar ndonjëherë në jetë. Janë sy të virgjër,nga brendia e syve tu shoh sytë e mi. Nuk më sheh se i kam të përlotur?
- T’i fshij lotët Petrit?
- Si të duash Kristinë. Unë për ty jam rojë e natës sonte. Do të pres deri në rrëfim...Shpejt do të kaloj kjo natë, dy net dhe nata e tretë është rrëfim në vete.
- Do të fal gjithçka sonte Petrit. Mora mendimin e Krishtit. Më erdhi si një zë. Dëgjova edhe këto fjalë. Jeta është sketërrë pa dashuri. Një herë dashurohet në jetë. Përqafoje dhe mos ik nga sytë e djalit që ta ka rrëmbyer zemrën. Aty është lumnia e jetës.Përtej botës reale s’ka asgjë.Është më shumë se ferr.Kur ra muzgu, Kristina mori dy qirinj dhe i ndezi në oborr Flaka e tyre u derdh drejt qiellit., Pastaj u futën në dhomën e rrëfimit. Ajo zhveshi gjithçka nga trupi. Dy mollë të saj , me majë të thepisur, të bardha ti qumështi e mahnitën Petritin. Ajo u afrua, i ra në gjoks, e tëra. Petriti lëshoi dorën drejt kërthizës së saj . Ajo u dridh si purteka në ujë . Drejt luginës se lëngëzuar ai u gjunëzua. E tërhoqi nga vetja .Një ofshamë u shpërnda nëpër atë dhomë gjumi, ofshamë e lehtë , ofshamë që sa vinte e merrte zë . Natë me pshëretima të pafund. Të nesërmen Petriti u zgjua më herët. E mbuloi me batanije të hollë. Ajo po bëntë gjumin e parë të lumturisë. E puthi me kujdes . Ajo endjeu dhe e tërhoqi sërish në shtrat..Pshërëtiu , deri në dhimbje, pshëretiu thellë..Nga fundi i shpirtit nxori një zë lutës..rri, mos u zgjo, kam frikë se po më lë të vetmuar, kam frikë nga lumnia !
Jashtë po binte shi. Një shi i ngrohtë vere.
Oslo, 28.5.2017

Prend BUZHALA: MARIJE SHLLAKU, FJALËT QË SHËNUAN SAKRIFICËN E SAJ LEGJENDARE


(Çaste eseistike. Copëza fjalimesh të Marije Shllakut në kuvende, pajtime, gjyqe e prokurori. NGA ORATORIA SHQIPTARE), 29
Duke e pushkatuar Marije Shllakun (1922 - 1946), regjimi pushtues serbokomunist e shqipfolës, i kishte vënë në veprim, për gjysmë shekulli, edhe atentatet kundër kujtesës kombëtare për këtë heroinë. “Kujtesa na ka mbajtë gjallë si komb”, dëgjohet shpesh kjo thënie në popull, sepse shkollat mungonin, shkrim-lexim nuk kishte, kurse kënga dhe rrëfimi i historive, gojë më gojë, odë më odë, kullë më kullë, mbahej gjallë.
Kjo kujtesë, së bashku me dokumentet e kohës, i ka shënuar jo vetëm bëmat e kësaj heroine, por edhe fjalët e saj, të shqiptuara nëpër kuvende (si Kuvendi i Dobërdolit – Klinë, gusht 1945, pastaj në Drenicë, Pejë etj), nëpër tubime, fshatra, apo dhe me fjalët e saj të guximshme qi tha para gjyqit që po e dënonte me pushkatim. Këto fjalime na vijnë në kohën e sotme të shënuara vetëm si copëza.
1.
Dhe, papritmas, pas shembjes së ekzorcizmave shtetërorë, regjimeve totalitare, gjatrë viteve ’90, shpërthyen vullkanet e kësaj kujtese në trajta të shumta. Edhe në trajtë librash e kujtimesh të shkruara, dëshmish të gjalla e rrëfimesh të përcjella brez pas brezi.
Dihet se deri më tash janë botuar katër monografi për këtë shkodrane trime, pos këtyre dy autorëve, edhe Shefqet Kelmendi, Ibrahim Meta dhe Tomë Mrijaj. Për te kanë shkruar Dr.Sabrije Keçmezi- Basha, Dr. Jahja Drançolli, Jetish Kadishani, Klajd Kapinova, Drita Bakia- Gunga, Idriz Lamaj, Nue Oroshi, Azem Hajdini- Xani e dhjetëra autorë të tjerë. Fryt i një kujtese e kërkimi të tillë të ringjalljes së historisë, është edhe monografia “Shqipëria e Marije Shllakut – Katër martirë shkodranë” (bashkë me Viktor Gashin “Dukagjini”, Pejë, 1995).
Siç dihet, në Gjyqin e Prizrenit, dënoi 27 të akuzuar, anëtarë të organizatës NDSH (Nacionademokratike Shqiptare), në gjykimin e mbajtur për 13 ditë me radhë, prej 29 qershori 1946 e deri më 11 korrik 1946. Katër të parët nga kjo listë: Marije Shllaku (24-vjeçare), Atë Bernard Llupi, meshtar (60-vjeçar), Kolë Parubi (41 vjeçar) dhe Gjergj Martini (29 vjeçar), më 15 korrik 1946, u dënuan me vdekje dhe më 25 nëntor 1946 u pushkatuan në Prizren, që të katërtit ishin nga Shkodra e që dhanë jetën për Kosovën. Që të gjithë njerëz të ditur e të shkolluar.
Ramiz Kelmendi kujton:
“Ditën e parë të nxjerrjes para gjyqit në Prizren, më 29 qershor 1946, me shumë plagë në trupin e saj të brishtë, e rrahur, e maltretuar dhe e torturuar si asnjë tjetër, e vënë në ballë të grupit të të 27 të akuzuarve si më kryesorja dhe më e rrezikshmja, ndonëse në atë grup kishte gati edhe tri herë më të moshuar se ajo, Marie Shllaku nuk ishte më shumë se 23 vjeç e tetë muaj... Marie Shllaku, tek e pashë atë ditë për herë të parë, i kishin vrarë gjithçka. Gjithçka, pos një gjëje. Madje pikërisht asaj që do ta kishin dëshiruar më së shumti: nuk ia kishin vrarë dot zemrën. Ia kishin thyer trupin, por nuk e kishin thyer dot shpirtin. Unë edhe sot nuk e shpjegoj nga i vinte ajo frymë, ku e gjente atë fuqi, si i dilnin ato fjalë, me ç’mund rropatej të mbahej e pamposhtur, krenare për gjithçka ka bërë dhe plot rrahagjoks edhe për gjithçka që po e priste.”
2.
Në Kuvendin e Dobërdolit (28 gusht 1945), ajo mbajti një Fjalim prej 62 minutash. Nga ky fjalim Marija kujton pjesë nga Fjalimi:
“Së pari motra dëshiron me vdekë me ju, dhe ju bashkë me të. Vetëm dorëzimi sllavo-komunistëve të mos u bahet. Sa të jemi gjallë!
Ma mirë le të vdesin gratë e fëmijët tanë, e t’i shohim tue vdekë, se sa serbi me na i pre. Në ju mbetet qëndresa, lidhja, besimi bashkimi.
Me armë në dorë ne së shpejti do të fitojmë.
Pra, le të betohemi para Flamurit Shqiptar, se kamba e serbit nuk ka me shkelë këndej pari!
Le të jemi barrikadë, kala në kufi!
Le të përdoret gjaku ynë në vend të zallit dhe gëlqeres, e trupat tanë si gurë.
Le t’i vejmë me nder kufijtë tanë etnikë.”
Nji copëz tjetër fjalimi i shënuar aty:
”Vllazën, koha ka ardhë qe trojet tona te lame me gjak, vite me rradhe, te shlirohen dhe te rikthehen ne gjirin e atdheut tonë - tek NANA SHQIPNI”
Vetë Marija te dorëshkrimi i saj thotë: “E burrat njizani thanë: Ti, motër shqiptare na ke ndihmue në kohë të vështira, ti pranove vdekjen me ne, edhe ne e pranojmë vdekjen me ty” Rrnoftë motra jonë!”
Shënimet këtu janë marrë nga “Kujtime e Marije Shllakut” (të pajisura me faksimile nga dorëshkrimi origjinal i Marije Shllakuit), sipas Ibrahim Metaj: “Marije Shllaku: “Kosovo, gjaku im t’u bëftë dritë”, Tiranë 1995).
Ajo tregon që në atë fjalim kishte bërë përpjekje që t’i mënjanonte disa mosmarrëveshje.
Ndër to, mjafton të përmendet pajtimi i saj proverbial në Drenicë, midis Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës. Autori Frrok Kristaj shënon se Marie Shllaku, nga Shkodra, e Katarina Josipi, nga Zymi, janë femrat e para shqiptare që u burgosen për çështje kombëtare.
3.
Fjala e Marijes është shqiptuar edhe para hetuesve e prokurorisë. Historianët shënojnë: “Marija sypatrembur u përgjigjej pyetjeve të prokurorit Ali Shukria. I pranonte të gjitha veprat që i kishte bërë. Në një rast ajo tha:
– I pranoj të gjitha veprat që i kam bërë, por këtu ka shumë edhe shpifje dhe akuza ndaj meje. Veprat e mira në të mirë të kombit tim i pranoj, edhe nëse ato nuk janë të miat! Kjo e habiti trupin gjykues.”
Fjalët e saj NË HETUESI:
“Gjithë vllaznit shqiptarë, me tana forcat duhet me e luftue sllavo-komunizmin,. Me i largue partizanët jugosllavë nga Kosova, se çdo push e kanë mbush me krena shqiptarësh.
Partizanëve të Serbisë po u ndihmojnë artizanët e Shqipnisë... Shqipatrët nuk duhet me shkue e me luftue në tokë të huej.
Nga kujtimet (Islam Spahiu):
“Më kujtohet ende portreti i asaj vajze të hijshme, të cilin e përshkon një buzëqeshje melankolike. Sa shumë fliste nuri i
asaj fizionomie! Do të ish vështirë të shpjegohej se si ata sy të zinj aq të bukur të një femre, të shfaqin tinëzisht shkëndijën e një shpirti heroik. (...)
Fjalët e fundit të Marie Shllakut:
Pyetje: Çfarë kërkonit ju në atë kryengritje?
Përgjigje: Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Pyetje: Për çfarë regjimi mendoni ju?
Përgjigje: Për një republikë demokratike, si ajo e Nolit.
Pyetje, – Prokurori: Po Fan Noli e ka lavdëruar regjimin e sotëm në Shqipëri me Enver Hoxhën në krye, i cili siç dihet është me ne.
Maria heshti pak kokulur, sikur ra në mendime e pastaj, rrëmbimthi, ngriti kokën në shenjë sfide e tha me zë të lartë:
-Sido që të jetë, Kosova duhet të jetë e pandarë nga Atdheu! Duke thënë këto fjalë, ajo i ra fort tavolinës me grusht. Nuk mbaj mend më tej, veçse atëherë m’u duk se nga krisma e atij grushti, ushtuan malet e grykat e Kosovës dhe jehona përshkoi anembanë Shqipërinë.
Ata të katër u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan. Ata qenë katër yje që zunë vend në qiellin e lavdisë shqiptare, e aty ku është më e errët nata, aty ndrisin
më shumë yjet… Pastaj, “nuk ka natë që të mos gdhijë, sado që të jetë e gjatë” – (Shekspir). E kur të arrihet kjo, atëherë do të shndërrohen në rreze dielli, të atij dielli që do ta ndriçojë përjetë Shqipërinë e bashkuar etnike.”
4.
(COPËZA NGA SHËNIMET E HETUESISË.- sipas Shefqet Kelmendi: “Heroina Marije Shllaku”, Ombra OVG, Tiranë 2004):
".. .Me zemër të plasun lashë qytetin e bukur të Pejës, më 18 nanduer 1944...".
".. .Më 27 nanduer 1944. ..në fshatin Krushë.. .unë me flamur në dorë po flisja për atdheun tonë të dashtun. Njeni, i quejtun Gjergj, qesh e ngesh më tha: Ule, moj motër, atë pece (flamurin), se ajo na ka robnue. Ne atë as e duem e as e nderojmë. E duem këtë që ka ardhë.' Më mbajtën, se atypëraty deshta me e vra. Të jerët më thanë: Pasha Zotin, filloni ju luftën e ne ju vimë mbrapa.".
".. .Kapiten Rudi.. .asht me tamam nji shqiptar".
".. .Ideja ime ka qenë mos me luflue me vllazën tanë.". "... Të mos ndërhjjmë në çashtje fetare.. .Anmiku me të tilla mënyra don me na përça... "
'Në shtator të vitit 1945, i mblodha të githë e u mbajta nji fjalim. Besoni, unë tue folë e ata tue dënesë, si të ishte ndonji gjamë. Shëtisja me çarçaf e i shihja 'nacionalçlirimtarët'... "
".. .Populli më donte shumë... Thanë. ..'se pa vdekë ne, nuk të merr kush gjallë në dorë'...
". ..Rrobat m'u mbushën me gjak... U ndala me i hekë. Shokët më ikën. Mbeta vetëm në mes të malit. Tue ecë, hasa në Shaban Sadikun. Qëndruem do kohë. Si u ndamë nuk e di... "
".. .Në mal mbajshim lidhje të rregullta dhe kishim njerëzit tanë nëpër tanë Kosovën... "
".. .Fahri Basha, kryetar i komunës së Kijevës, ishte lidhja kryesore me relacionin midis malit, Prizrenit e ~Rahovecit... "
Shënim nga Emil Kastrioti (“Kanunorja...”):
“MARIJE SHLLAKU, në momentet e fundit të jetës së saj, kur gjendej para tytave të armëve vdekjeprurëse të skuadrës ekzekutore të Oznës jugosllave, në pyetjen cinike të komandantit të skuadrës se a ka ndonjë dëshirë të fundit, ajo i përgjigjet:
“Po, due me e ndëgjue himnin kombëtar shqiptar!”. Gjaksori sllavokomunist tërbohet nga zemërimi dhe i thotë “nikada!” (kurrë jo!), ndërsa Marija fillon me zërin e saj krenar, edhe pse fizikisht ishte e rraskapitur nga torturat fizike që i kishin bërë komunistët sllavë dhe këndon sokolesha dardane: “Prej luftës veç ai largohet që është lindur tradhëtor”...
5.
Nga aspekti oratorik, ajo i ngjet oratores së famshme të antikës romake, Hortensia, e cila patui sukses t’i thyejë tabutë romake për mospjesëmarrjen e gruas pranë burrave në beteja e punë të rëndësishme publike. Këtë paraygjim, marije Shllaku e theu pikërisht në Kosovë, në rajonet e Dukagjinit e të Drenicës, duke marrë çjesë në kuvende, tubime, në beteja të armatosura, madje, edhe duke ndërmjetësuar në pajtime mes krerësh të luftës.
Fjala e saj kishte ndikim. Kësisoj, kur Shaban Polluzha e Mehmet Gradica kishin mosmarrëveshje, ndërhyn Marije Shllaku, e cila i bind luftëtarët e Drenicës që të pranohet në kullë, i drejtohet Shaban Polluzhës:
“Kam ardhë me u ba kurban për këtë tokë. Duhet ta mbroj edhe unë, siç po e mbron ti. Ne duhet të jemi të bashkuem. T’i lamë mbanesh mosmarrëveshjet. Për këtë edhe ta kam mësye. Kam ardhë me t’u lutë…
Për hir të Zotit, për hir të Atdheut, të Kosovës, edhe për hatrin tim, thirre Mehmet Gradicën e pajtohu me të! Bashkohuni! Po s’u ba kjo, ka me na dënue historia, e ndoshta ty ma shumë, se sot ti je baba i Kosovës.„
E, kur qe arritë kjo, Shabani u pat shprehë: “Kjo çikë më bani me u pajtue, me u besatue për luftën që na pret me shkjaun...”
Dhe, në paraqitjen e saj të parë, ajo nuk e përmend rastësisht, kur e pyesin: kush je ti, ajo përgjigjet: jam Shota (asociacion për Shote Galicën).
Ajo i ngjet Emmeline Pankurst në vitin 1913 v(SHBA) e njohur për paraqitjen e saj që quhet “Fjalimi i "Lirisë ose Vdekjes"... apo fjalimi "10 Urdhërimet mbi Vietnamin" e Coretta Scott King që merr përsipër misionin e bashkëshortit të saj të ndjerë, Martin Luther King, “ndjenjat e të cilit kundër luftës ishin të lidhura ngushtë me të menduarit e tij rreth të drejtave civile”: apo fjalimit me titullin “E vërteta e të huajit:'A nuk jam unë grua” (1851), e Isabella Baumfree, aktiviste amerikane etj.
Fjala e saj ishte dëshmia e gjallë e rezistencës shqiptare në Kosovë kundër ripushtimit e masakrave neo-fashiste.
Fjalët e saj ngjajnë me zjarrin liridashës të historisë: ajo ligjëron Dëshminë, por ajo ligjëron edhe Zgjimin, Mobilizimin, Shpirtin e Paepur, Guximin legjendar të saj, Vendosmërinë e pashoqe...
Fjala e saj është Fjalë e Madhe, sepse është thuhet në çastet më tragjike të historisë; dhe sepse ngërthen Trimërinë e Urtinë e saj.
Historia jonë është mjaftuar me Veprat jetësore e me Fjalën e saj, kurse Vepra e Fjala e saj e mbushullojnë Historinë tonë.
Historia i dha të drejtë Marijes: veprave e fjalëve të saj për çlirim nga komunizmi e xhelatët e saj (komunizmi u shemb me strukturat e tij të krimit); veprave e fjalëve të saj për çlirim nga pushtuesi serb (dhe historia e përmbushi edhe këtë testament të saj e të bashkatdhetarëve të saj)... deri te veprat e pajtimit (si ajo e Lëvizjes së madhe për Pajtimin e Gjaqeve më 1990)...së fundmi, deri te emancipimi femrës së arsimuar e luftëtare.
(maj 2017)

Sunday, May 28, 2017

Prend BUZHALA: MUAJI I IRRACIONALIZMIT POLITIK


(Kundrime për së kithi), 2
Mos u mërzitni për fjalët që thuhen (edhe gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit), nga rrëmujat zgjedhore politike, si në Shqipëri, si në Kosovë. Është MUAJI I IRRACIONALIZMIT POLITIK: të krenohemi me gjërat që nuk i kemi pasur; të urrejmë ata njerëz që s'i kemi parë e as dimë gjë për ta; të besojmë në diçka që as ëndërr nuk e kemi parë... Po përhapet Filozofia e Pasigurisë (dhe frikës) në të tashmen dhe shpallin mandej Të Ardhmen e Sigurt. Krijimi i pasigurisë dhe frikës janë mjete irracionale të politikës dhe pushtetit.
1.
Qesh betuar që para një muaji, se nuk do t bëj komente politike. U dorëzova. Por do të merrem vetëm me fenomenet e jo me emra njerëzish a partish...
Arsyeja ka shkuar në gjumë. Në Gjumin Veror. Ajo kundron se ku po zëmë në thua e në cilën stinë do të rrëzohemi.
Tani vetëm po ui dëgjojmë ftesat që na bëhen: ta këmbejmë irracionalizmin me racionalen: "Kur i lejojmë vetes të injorojmë një alternativë racionale në favor të një alternative irracionale, ose ndoshta të pajustifikuar, është sikur të hash një ushqim pa vlerë (junk food). Ky ushqim e plotëson nevojën për të marrë një vendim, por e bën këtë pa asnjë vendim. Ashtu si ushqimi i keq (junk food), irracionalja ngop nevojën për të vepruar, por nuk kërkon asnjë veprim. " (Farshad Asl: "The 'No Excuses' Mindset: A Life of Purpose, Passion, and Clarity"). Zgjedhje për të mos e marrë asnjë vendim "të madh"!
Por nganjëherë ky IRRACIONALIZËM rregullon punë: i shtyn njerëzi t'i krijojnë hapësirat për besim dhe shpresë, për ta tejkalaur, dramën e dyzimit: "Besimi është, në të njëjtën kohë, absolutisht i domosdoshëm dhe tërësisht i pamundur" (Stanisław Lem).
2.
Samuel Taylor Coleridge tha:" Në politikë, ajo që fillon nga frika zakonisht përfundon me marrëzinë ".
Njerëzit shkojnë pas irracionalitetit për shkak të frikës ( Richard Nixon: 'Njerëzit reagojnë ndaj frikës, jo ndaj dashurisë.") Do të thotë: fuqia e pushtetit dhe sigurimi i parasë, lëndon anën etike, krijon pasigurinë si filozofi të jetës. Gjërat mjegullohen: "Një korridor i ngushtë është gjithçka që ndan racionalen nga irracionaliteti, kreativitetin nga marrëzia dhe inteligjencën nga budallallëku" (Kilroy J. Oldster).
Bryan Caplan "Synimet e mira janë të gjithëpranishme në politikë; i pakët është besimi i saktë "(libri i tij "Miti i votuesit racional: Pse Demokracitë zgjedhin politika të këqija"/"The Myth of the Rational Voter: Why Democracies Choose Bad Policies").
Kutia e Panorës (kaq joracionale) hapet sa herë vijnë zgjedhjet. Kur u hap Kutia e Pandorës, sipas mitologjisë antike, të gjitha të këqijat fluturuan jashtë, duke u bërë pjesë e jetës së njerëzve, dhe e vërshuan botën; brenda mbeti vetëm Shpresa.

Dritero Agolli: PELA

Pela
Pela do mëz, po kali është i tredhur,
Dhe tjetër kalë nuk ka.
Pela me barrë nuk ka për të mbetur,
Plepin me dhëmbë e ha.

Pela do mëz, po kali është i tredhur,
Me jargë veç vithet ia lan.
Pela bishtin përpjetë e ka hedhur
Si shatërvan…

Prend BUZHALA: FJALIM MAHNITËS I KLERIKUT HAFIZ ALI KRAJA NË VARRIMIN E AT GJERGJ FISHTËS


(Çaste eseistike: Fjalimi i Hafiz Ali Krajës në varrimin e at Gjergj Fishtës, në Shkodër më 30 dhjetor 1940. NGA ORATORIA SHQIPTARE), 27
Klerikë të dalluar, të të gjitha bashkësive fetare shqiptare, përpos që ishin njerëz të ditur në lëmin fetar, kanë lënë gjurmë nderi, atdhetarie, kulture e civilizimi. Fjala e tyre ishte vepër dhe vepra e tyre ishte fjalë. Përpos që ishin njerëz të penës, ata qenë dhe oratorë të shquar, që lanë gjurmë të thella. Një Fjalim i tillë, që mbetet si gjurmë e pashlyeshme në historinë dhe oratorinë shqiptare, është ai i Hafiz Ali Krajës në varrimin e At Gjergj Fishtës, më 30 dhjetor 1940. A u lind në vitin 1900 në Shkodër dhe vdiq më 1974. Ishte njeri me kulturë, dijetar dhe atdhetar. I shkolluar në kajro, ai njihte gjuhët orientale: arabisht, turqisht dhe persisht, shkruante në këto gjuhë si gjuhën amtare.
1.
Këta klerikë, prej shek XIX e këndej, ndanë të njëjtin fat, dhanë kontribut në ngjarjet më të shquara të kohës (siç janë Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastirit, Shpallja e Pavarësisë, hapja e shkollave shqipe, pjesëmarrja në ngjarje të politike të kohës, deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, kur në pushtet vjen regjimi komunist.)... Pas Luftës së Dytë Botërore, pa dallim, ata pësuan burgosje, internime, ekzekutime, përndjekje, forma të ndryshme të përndjekjes politike... Ata kanë ditur ta respektojnë e nderojnë njëri-tjetrin, pa dallim; kanë çmuar veprat e shkruara të njëri-tjetrit; ata, së bashku me inteligjencien shqiptare, kanë formuar dhe miratuar alfabetin shqip, kanë hapur shkollat shqip, kanë hartuar libra shkollorë etj.
Meqë deri më tash kemi shkruar mjaft për përndjekjet që kanë ndodhur ndaj inteligjencies krijuese të krishterë, kësaj radhe e morëm, si një shembull të një oratorie të rrallë. nderimi të thellë, Fjalimin që Hafiz Ali Kraja nga Shkodra, e ka mbajtur në varrimin e Atë Gjergj Fishtës më 1940. Për figurën e këtij personaliteti të rrallë. flet shkrimtari ynë i njohur, Agroin Tufa:
"Realiteti politik e nacionalist, jo vetëm në Shkodër, por në gjithë Shqipërinë e atyre viteve ka qenë lexuar përmes atdhedashurisë dhe jo vetëm prej klerit katolik: elitat fetare myslimane, që kishin mbijetuar luftrat e mbijetesës nga Besëlidhja e Prizrenit në mbrojtje të Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Tivarit dhe Ulqinit, ashtu siç paraqiten organikisht në bashkëveprim, pa dallime fetare në 'Lahutën' e atë Gjergj Fishtës , luftonin në një front për mbrojtjen e tokave shqiptare. Sigurisht, realiteti i luftrave për mbijetesë nacionale me ushtritë serbo-malezeze, duhet të ketë mbetur i ndezur në vatrën familjare ku u rrit dhe u edukua Hafiz Aliu-fëmijë " (sipas shkrimit të botuar në gazetën "Standard", 20 Shtator, 2014, Tiranë).
Aty jepet fillimi ui dhunës kundër klerikëve:
"Komunistët guxuan që më 31 gusht 1943, në ditën e parë të muajit të Ramazanit, të vrisnin në derën e xhamisë së Saukut, hoxhën e fshatit, Selim Brahja, i biri i Ramazan Brahjes, atdhetari tiranas i njohur në aktivitetin e tij për liri e pavarësi të Shqipërisë... Më 1945, komunistët arrestuan Hafiz Ali Krajën, Hafiz Sherif Lëngun, Hafiz Mustafa Varoshin; më 1946 arrestuan drejtorin e Medresesë, Hafiz Ismet Dibra, Enver Beqirin, Shaban Demirin dhe shumë arrestime e pushkatime do të vijonin gjatë viteve ndaj klerit fetar deri në të famshmin nen të Kushtetutës, që dënonte me ligj këdo që besonte në Zot. Festat fetare u zëvendësuan me festat e Partisë dhe Kurani e Bibla me veprat e diktatorit."
Burgoseshin figura të dalluara, vetëm pse ishin fetarë, ani se ata kishin dëshmuar një jetë atdhedashurie e veprimtari atdhetare të pashembullt në dobi të Atdheut. Mu ashtu si ishte e pashembullt edhe toleranca vëllazërore ndërfetare. Mandej, erdhën "si shpërblim", rrënimet e tempujve fetarë, ndalimet e librave fetarë, përndjekja e besimtarëve të thjeshtë...
Hafiz Ali Kraja vuajti 18 vite burg. dhe qe burgosur së bashku me Ejëll Çobën (jurist e gjyqtar, i shkolluar në Itali, ku kreu edhe studime në fushën teologjike).
Në vitin 1934, Hafiz Aliu botoi studimin e tij "A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar", të cilin e botoi në shtypshkronjën "Ora e Shkodrës".
2.
Këta klerikë, e ndër ta, edhe Hafiz Ali Kraja, nuk e kanë pasur të huaj konceptin e SHQIPTARISË. Formula shqiptare FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA, vlen edhe sot, jo për t'i përjashtuar besimet , për shkak se shqiptaria nuk përjashton, por afron... Te shqiptaria e kemi sofrën e përbashkët të gjithë. SHQIPTARIA NUK PËRJASHTON, POR AFRON NJERËZIT dhe besimet, bindjet, idetë, krahinat... Kësisoj, përligjet edhe toleranca proverbiale shqiptare, si kulturë e jetës. Këtë formulë, shqiptarisht të mishëruar në vlerat universale, BOTA MODERNE, eurperëndimore, e përligj nëpërmes konceptit të shumësisë së kulturave, religjioneve, civilizimeve, kombeve, qytetërimeve... Amëza fetare, po ashtu nuk njeh pakicë e shumicë... Amëza e të gjithëve është shqiptaria... Se çfarë respekti e bashkëpunimi kanë pasur këta njerëz të dijes, besimit e atdhetarizmit, dëshmon Fjalimi i sipërprmendur i Hafiz Ali Korçës në varrimin e Gjerj Fishtës. ja si e hap Fjalimin e tij:
“Poet kombëtar, o Patër Gjergj!
Një orator, tue dashtë me folë mbi veprat Tueja, rrin shtang e hutohet, sepse ata janë shumë, janë aq të mëdhaja e të madhnueshme, sa asht vështirë me caktue se mbi cilën aso veprash duhet me folë."
Që në fjalinë e parë ai jep një përkufizim të kategorisë së të madhërishmes në estetikë, me një thirrmë a figurë apelative retorike: O poet kombëtar! Gjergj Fisdhta është peot kombëtar dhe këtë titull e gëzojnë krijuesit e rrallë. Por menjëherë, brenda këtij apelacioni retorik, vjen përkufizimi tjetër: o patër Gjergj!
Kombëtari dhe Frati! Kombëtarja dhe fetarja!
Ishin një binom që e përcollën me ndershmëri e bindje, pa cenuar vlerat qytetëruese, universale e kombëtare, por përkundrazi,a to i d=fisnikëruan...
 Kësisoj, te fjalia e dytë e këtij fjalimi, vjen një përkufizim autorial i retorikës, si Fuqi i Fjalës. Por kjo Fuqi e Fjalës, me të ciklën mishërohet oratori (kësaj radhe Hafiz Ali Korça), mbetet shtang, i ngurosur, përballë Fuqisë së Fjalës Fishtiane! Prandaj, oratori përzgjedh këtë hyrje, për ta zgjuar admirimin e pjesëmarrësve në ceremoninë e varrimit, për ta lartësuar Njeriun e Madh Shqiptar, Atë Gjergj Fishtën.
3
Në vazhdim ai flet për Veprën.
Fishta dhe Vepra!
Janë dy fjalë tjera që vihen në radhë, si mishërim i së lartës, të madhërishmes, kontributit jo vetëm letrar, por edhe politik, atdhetar, ndërkombëtar:
"Vepra Yte o Poet, ka për të formue nji faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse, në aktivitetin që ke zhvillue ndër konferencat politike ndërkombëtare, nuk kje tjetër veçse me i sigurue kombit tonë të drejtat, qi ai i ka jetike e si ma i vjetri komb në Ballkan. "
Nderimi i Krajës buronte nga thellësia e zemrës.
"Zemra dhe fuqia e mendje, krijojnë gojëtarin", thoshte Kuintiliani i moçëm.
Ky orator shqiptar, me pak fjalë, sintetizon një jetë të tërë, si kjo e Fishtës, jetë e pasur me kontribute e vlera të larta në shumë fusha.
Hafiz Ali Kraja, pra, është i bindur se Vepra e Poetit so të krijojë një Faqe të shkëlqyeshme. Madje një faqe të tillë në historinë politike të kombit shqiptar. Ai po fliste para një audience që përbënte thelbin shqiptar, pjesëtarë të të gjitha besimeve; një audience që kishte përfaqësuesit e vet intelektualë, elitën e saj intelektuale; dhe, së fundmi, në rrethana të ndërlikuara shoqërore e historike. Në Ballkanin e trazuar sërishmi në prag të Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu, duke përmendur kontributin ndërkombëtar të Fishtës në mbrojtje të të drejtave shqiptare, folësi nuk lë pa përmendur që këto të drejta i meriton një komb si shqiptarët, që është më i vjetri në Ballkan (le ta kujtojmë Fjalimin madhështor të Fishtës më 1919 në Lidhjen e Kombeve).
Vijnë mandej, vlerësimet e larta për “Lahutën e Malcis”. Fishta dhe kjo kryevepër letrare, janë personifikim i veprës me autorin dhe anasjelltas. Nuk është e rastit, përse oratori ndërfut dhe elemente intelektuale, duke vjelë krahasime nga majat e vlerave të lashta botërore: Fishta dhe Lahuta e tij, krahasohen me “Iliadën” e Homerit të antikës greke dhe me "Shahnamenë" e persianëve të lashtë, dëshmi, kjo, se folësi është intelektual që njeh letërsitë antike:
"Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën tande politike do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së malcis” – kryevepra jote monumentale. Të jesh i bindun o Poet i Madh, se shqiptari me Lahutën e Malcis ka për të qenë gjithmonë kryenaltë, siç janë helenët me Iliadën e persianët me Shahnamenë, mbasi, ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psiqikën e karakteristikat ma të ndjeshme të popullit shqiptar. Sot djelmnia intelektuale me Lahutën Tande në dorë të nep besën shqiptare tue t`u betue se idealin Tand të naltë që shprehe për kombësinë shqiptare, do ta ruejnë e do ta mbajnë si gja të shenjtë morale."
Besë shqiptare e Ideal Shqiptar - janë dy tipare të tjera gojëtarie e vlerësuese, që ai i shqipton në vazhdim, si frymë ceremoniale përpara një kombi që po ndahej nga njeriu i vet më i madh. Tradita e Fjalimit Ceremonial Mortor, rrjedh nga antika greke, ku Fjalimi ishte pjesë e ritualit të varrimit. Te Iliada Andromaka vajton humbjen e Hektorit, kurse Vajtimi shqiptar është i po atyre traditave të lashta. Kësisoj, nga antika dihen Fjalimet rituale të Perikliut për luftëtarët e rënë në fushë të betejës. Fjalimi duhej të mbahej vetëm nga një personalitet i shquar.
Kësisoj, edhe ky fjalim përmban notat klasike të përnderimit të thellë. Dhe atë e ligjëron një personalitet i shquar jo vetëm shkodran, por i respektuar në përmasa kombëtare, siç ishte Hafiz Ali Kraja. Dhe përzgjedhja e një oratori të tillë kishte edhe vlerë tjetër shqiptare: atë po e bënte një klerik shqiptar mysliman, që simbolizonte vëllazërinë shqiptare të tolerancës fetare ("Gjithashtu edhe populli mbarë, i fushave dhe i maleve, anë e kand në Shqipni sot nep besën, se Lahuta e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimi kombëtar, që ti çfaqe në Lahutë, do ta mbajnë me forcë të madhe…” )
Prandaj dhe përnderimin vlerësues të besueshëm, për Veprën e Lartë, siç është Lahuta, mund ta thoshte vetëm një njeri që kishte respektin e gjerë. Ky nderim niset nga folësi i nderuar dhe zbret tek të gjithë, si një betim shqiptar vlerash, si një krenari e ligjshme shqiptare për Njeriun që e kishte në gji të vetin. Vijnë dhe nota emocionale të dhimbjes për humbjen ("Me ty, patër Gjergj, kombi shqiptar mburret, naltësohet dhe madhnohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet; djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot në faqe të përcjellim me mallnjim e dhimbje në jetën e pasosun”.)
4.
Nuk është e rastit përse edhe dy priftërinj të burgosur, shprehin admirim e nderim për Hafiz Ali Krajën, si Patër Konrad Gjolaj, në librin e tij "Çinarët":
"Hafiz Ali Kraja ishte një njeri i madh për kohën, ishte pa dyshim ndër hoxhët ma të kulturuem që kam pas rastin me njoftë, për mos me thanë ma i dijtuni…”
At Zef Pllumi kujton: “Hafiz Ali Tari (Kraja) ishte njeri i madh për kohën e padyshim njeni ndër hoxhët ma të dijtun. Kishte përfundue studimet universitare në Kajro – Egjipt – dhe njihej si një teolog mysliman që dinte shumë gjuhë dhe ishte gojëambël. Në vitin 1939 ishte caktue edhe ai në delegacionin për të çue kunorën prej Shkodre dhe, siç e tregon vetë Hafizi, nuk shkoi për meritë të atë Anton Harapit. Kujtohej shpesh fjala e mbajtun prej tij me rastin e vdekjes së atë Gjergj Fishtës. Në bindjet politike ishte antizogist dhe i lidhun shumë me anën katolike, sidomos me françeskanët; simpatizonte malësorët e veriut. Pjesëmarrës në jetën politike që në rininë e tij kalon mjaft vështirësi e rreziqe. Arrestohet që në vitet e para (komuniste) dhe akuzohet randë: rrezikon edhe pushkatimin. Edhe në burg mbeti ndër miqtë ma të mirë të katolikëve çka nuk shihej mirë nga ana e fanatikëve në burgun e Burrelit. Shpëton duke vuajtur mjaft vite burgu…”.
Kur Fjala shqiptohet nga Njeriu i besueshëm e i nderuar, ajo është e bindshme. Publiku e pranon. Kur Fjala ka të bëjë me Kryevlerat e një Kryeveprae, si lahuta, dhe të Njeriut të madh të Kombit, si Fishta, atëherë, edhe fjalët janë të zgjedhura. Kësisoj, edhe Fjalët e Hafiz Ali Krajlës janë të përzgjedhura, kanë përmbajtjen elokuente, dhe po hynin në Kujtesën e kombit, së bashku me Fishtën e veprën e tij.
Henry Hardwicke, në veprën e tij "Historia e oratorisë dhe oratorët", shprehet:
"Oratori është prind i lirisë. Me kushtetutë rregullat përcaktojnë që elokuenca duhet të jetë qëndrimi dhe mbështetja e fundit e lirisë dhe se me të ajo është e destinuar të jetojë, të lulëzojë dhe të vdesë. Është në interesin e tiranëve që ta dëmtojnë dhe dobësojnë çdo lloj elokuence. Ata nuk kanë siguri tjetër. Është atëherë detyra e shteteve të lira për të nxitur oratorinë. "
Prandaj, regjimi që erdhi pas, iu frikësua Njerëzve të Dijes e të Elokuencës që mishëronin vlera të larta të dijes, shkrimit, krijimit dhe ndikimit. Këtë e dinte edhe Kraja që do ta burgosin. Por ai shprehu bindjen e patundur: "Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimi kombëtar, që ti çfaqe në Lahutë, do ta mbajnë me forcë të madhe… "
Kjo besë u mbajt dhe u forcua. Lahuta i rikthehet kombit, së bashku me emrat e mëdhenj.
( 27 maj 2017)
*******************************************************
********************************************************
FJALIMI I HAFIZ ALI KRAJËS NË VARRIMIN E AT GJERGJ FISHTËS,
NË SHKODËR, MË 30 DHJETOR 1940
“Poet kombëtar, o Patër Gjergj! Një orator, tue dashtë me folë mbi veprat Tueja, rrin shtang e hutohet, sepse ata janë shumë, janë aq të mëdhaja e të madhnueshme, sa asht vështirë me caktue se mbi cilën aso veprash duhet me folë. Vepra Yte o Poet, ka për të formue nji faqe të shkëlqyeshme në historinë politike të kombit shqiptar, pse, në aktivitetin që ke zhvillue ndër konferencat politike ndërkombëtare, nuk kje tjetër veçse me i sigurue kombit tonë të drejtat, qi ai i ka jetike e si ma i vjetri komb në Ballkan. Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën tande politike do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së malcis” – kryevepra jote monumentale. Të jesh i bindun o Poet i Madh, se shqiptari me Lahutën e Malcis ka për të qenë gjithmonë kryenaltë, siç janë helenët me Iliadën e persianët me Shahnamenë, mbasi, ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psiqikën e karakteristikat ma të ndjeshme të popullit shqiptar. Sot djelmnia intelektuale me Lahutën Tande në dorë të nep besën shqiptare tue t`u betue se idealin Tand të naltë që shprehe për kombësinë shqiptare, do ta ruejnë e do ta mbajnë si gja të shenjtë morale. Gjithashtu edhe populli mbarë, i fushave dhe i maleve, anë e kand në Shqipni sot nep besën, se Lahuta e jote në shpirtin e tyne do të sundojë sa të jenë stinë e mote. Trima e gra, djelm e vajza, me fjalën shqiptare të napin besën, se vllaznimi kombëtar, që ti çfaqe në Lahutë, do ta mbajnë me forcë të madhe… Me ty, patër Gjergj, kombi shqiptar mburret, naltësohet dhe madhnohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet; djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot në faqe të përcjellim me mallnjim e dhimbje në jetën e pasosun”.

Saturday, May 27, 2017

Ramiz Kuqi: Cikël Poetik

BAC ADEM

O Fjalë shekulli
O Varg i shkruar
Nëpër pentagram dhimbjesh
Koha
Shkëlqen
A vret
Sytë e diellit
Plot ëndrra
Palosur nëpër breza
Bac Adem !


ËNDRRA

Fol me gurin më tha mbrëmë
Me gurin gjethet sorrat
Krrokamë e tyre laraskave
Mos e fut në varg
Nga gjiri i fjalës
Nxjerre këngën e zogut
Lutu
Atdheu të kthej kokën
Sytë nga dielli
Të bukurën merre n'gryk
Si gryka brigjet lumenjtë
Që rrjedhin poshtë luginës
Fol me gurin më tha mbrëmë

FRYMËZIM

Nëse degët i shkund si dallgë e lehtë kjo erë
Si të shkruaj vargum pa rimë e mall muzgut
Kur nata këtu vjen e lodhur nga udhëtimi i gjatë
Gati e pafund
Mbi supe mban ëndrrën time të qëndisur me fjalë
Që zbret thellësive të deteve si spirancë
Porteve kur zbresin udhëtarët me valixhe në dorë
Sytë qiellin me re duan ta përpijnë
Për një dashuri në kor këndojnë pelikanët
Rrotullojnë krahet nëpër syprinë
O frymëzim
Sa herë m'i ke lënë gishtërinjtë mbi stilolaps
Ta derdh buzëqeshjen e pezmin trishtim
Kur shoh si janë kacavjerr stinët
Si pjergull rrushi mbi mure
Kokrra,të harlisura plot tharm
O më ndjej frymëzim, më ndjej
Frymëzim !

Lulzim Breznica: MÊ PRIT,SHQIPÊRI


Shqipéri ,
Nusja ime e kurorézuar
Sa afér je deshirés sime té thinjur
Té ngjitur né asht,
Né trup mishéruar.

Loté malléngjimi derdhen ujévaré
I ujitén gjethet e shpresés...
Qé pret té lulezojé
Né tokén e éndrrés.

E ndiej ajrin ténd té buté
Ka depérton népér mushkrité
E dergjura stinéve.
Né sy mé shfaqet
Ylber i éndrrés
Duke laré flokét e bardha
Si nén embréllen e ujvarés sime..

Kam humbur , I téri....
Nga nostalgjia e paluar
malli mé ka mundur....,
Brenda meje dégjoj kéngé e elegji.

Mé thuaj
Cilés rrugé té vijé,
Me flamurin tim té fshehur né gji
Kam mbetur si dasmor i ngriré né prag
Mé thuaj si té vijé
Mé thuaj si té té gjejé
Se né shpirt fort mé ke hy
E nga syté ende mé je larg.

Shqipéri ,
Mé prit
Oj, Zonjé e réndé..
Se po vjen i mallêngjyer varfénjak
Té puth duart tua
E shpirtit si skllav ngujuar
T'ia thyej kéta zinxhirét e vargézuar.

Ti me prit ,Shqipéri
O néné, e imja e bekuar
Drejt qiellin ténd
po vjen njé péllumb
Nén krahét e bardhé t'ia mbash éndrrén
Bartur né sqep e me koké shekujshkruar. ..

Éndrrén shqiponjé
Té zgjuar
Mbi detin e trazuar me valét miliona.

Prend BUZHALA: MUSINE KOKALARI, MBROJTËSJA E LIRISË, DEMOKRACISË DHE VLERAVE TË RILINDJES KOMBËTARE


(Çaste eseistike: Fjala në Gjyq e Musine Kokalarit, më 1946)
Lexuesve u kujtohet, gjithsesi, Apologjia e Sokratit,mbrotja që ai bën në gjyq. Fillimisht, ai shtron pyetjen para Trupit Gjykues: kush është ai?
1.
Porse jo pak shkrimtarë kanë dhe faqe të shumta të Mbrojtjes së tyre nëpër gjyqe. Kësaj radhe, zgjodhëm një krijuese femër, Musine Kokalari-n (e lindur më lindi më 10 shkurt të vitit 1917, vdiq në vitin 1983, nga kanceri, në internim); kemi Fjalët e saj Mbrojtëse të shqiptuara në gjyq. Edhe Musineja, posi Sokrati, deklaron:
"Mbas Mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës `Zëri i Lirisë`, në të cilën kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut….
Kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit.
Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”.
Kur Gjyqi po shpallte gjoja atë që po kërkonte populli ("varjen në litar"), Musine Kokalari përgjigjet:
“Nesër këtë do të thonë edhe për ju turmat”.
Ishte tejet largpamëse: këto turma të verbra (a të frikësuara për vdekje), për ta shpëtuar lëkurën e vet, bërtitnin: varje në litar, edhe për ata që kishin qenë në krye të shteti a të gjyqeve!
Dhe çfarë ndodhi?
Misine Kokalari dënohet me njëzet vjet burg, më 1961 e nxjerrin nga burgu, e internojnë në Rrëshen të Mirditës, prej aty doli në pension me gjysmë page, më 1981 sëmuret dhe vdes nga sëmundja e kancerit.
Ishte shkrimtare e dalluar dhe me bindje socialdemokrate.
“Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej e këndej. Njoha punën e punëtorit me norme individuale, njoha punën e punëtorit me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Kam 38 vjet që nuk di çdo me thënë familje.”
Kësisoj, po i afrohemi ngadalë një zhanri të oratorisë jurisike, e që quhet zhanër gjyësor, i cili ngërthen "artin e akuzës e të mbrojtjes".
Edhe në fund të ejtës së saj ajo , në dorëshkrimin “Mbi jetën time”, shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli... nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s’jam fajtore…”.
Aq konseguente në pafajësinë e saj!
Aq e përkushtuar për pafajësinë e saj!
Një pafajësi e virgjër që ia kalon secilit idealizëm të përfytyrueshëm!
2.
Dihet: që nga Ezopi e këndej, krijuesi letrar është konsideruar si kryengritës i përhershëm, si opozitar i lindur karshi shoqërisë. Gjatë historisë, në sistemet totalitare, shkrimtarët sistematikisht janë përndjhekur, burgosur, syrgjynosur e, madje, edhe vrarë a varur në litar. Ovidin e kishin syrgjynosur dhunshëm për shkak të vargjeve të tij, kurse perandori romak, Oktavian Augusti, e kishte kërcënuar me vdekje Virgjilin, nëse nuk e shkruante një ep për shkëlqimin perandorak. Në shekullin që lamë pas, Mandelshtam e Babel, i lanë eshtrat e tyre nëpër llogoret e Sibirisë, Lorkën e kishin pushkatuar, Cvetajeva u detyrua të vetëvarej; Brehtit të dëbuar nga Atdheu, ia digjnin librat nëpër manifestimet naziste.
Nga ana tjetër, janë qindra krijues shqiptarë që i provuan mbi kurrizin e tyre përndjekjet, burgosjet, privimet, libërdjegiet, pushkatimet, vrasjet, eksodet, anatemimet e çka jo tjetër, vetëm për shkak të qëndrimit të tyre në anën e atdhesisë, identitetit të rrezikuar shqiptar, humanizmit, demokracisë, ideve largpamëse e vizioneve emancipuese, ashtu sikundër iu ka ndodhur dhjetra humanistëve arbërorë, si Marin Barletit, Marin Beçikemit, Mikel Marulit, Leonik Tomeut, Martin Segonit, apo autorëve të Letërsisë së Vjetër Shqipe, si Buzukut, Dhimitër Frangut, Pjetër Bogdanit, Pjetër Budit, Lekë Matrangës, Pal Engëllit e engjëllorëve të tjerë, Lukë Bogdanit etj etj, të cilët i përndoqi okupatori turk, i detyroi ta braktisin atdheun apo edhe të vriten nga po ky okupator, më mizori që ka njohur historia e këtij populli në këto anë. Kështu iu ka ndodhur edhe qindra krijuesve të tjerë shqiptarë që nga vitet njëzet e këndej të shekullit që e lamë pas, të cilët nuk i kanë mbyllur sytë para realiteteve të reja, prandaj e kanë pësuar atë fat, qoftë nga diktatura e Zogut, qoftë nga ajo e regjimit totalitar komunist për pesë dekada rresht. E mandej na vijnë librat e burgut në letërsinë shqipe, tek na shkon mendja te diktaturat e përgjakshme, si në Shqipëri, si në Kosovë...
3.
Le ta përfytyrojmë për një çast se si dukej skena e gjyqit ndaj Musine Kokalarit. Nga njëra anë gjenden të dënuarit, të mallkuarit, të ndarët nga familja e shoqëria, të poshtëruarit; prangat, qelitë, të torturuarit, autoburgu, njerëz që s’arritën të dalin nga burgjet, mbasi vdiqën në të të sëmurë, apo që vdiqën nga torturat a plumbi. Nga ana tjetër të dalin para kujtesës prokurorë, mendjezezë, njerëz-bisha, skuadrat e pushkatimit, policë, hetues, gjykatës e gjyqe, spiunë, diktatorë. Në emër të popullit: gjyqe e çka jo. Aty diku, përreth skenës së gjyqit, janë “populli” a trë ftuarit e regjimit që duhet të bërtasin: “varje në litar”, “dënim”!
Së këndejmi, Fjalimi i saj në gjyq, mbështetet në metodën sokratiane të apologjisë: kush është ajo (nuk është komuniste, por socialdemokrate); përdor metodën retorike të arsyetimit (Mbledhja e Mukjes si rast i humbur në histori për marrëveshje ndër-shqiptare); shfaq veprimtarinë e saj si publiciste (përgjegjëse e gazetës “Zëri i lirisë”); ajo po e përdorte edhe patosin emocional si shprehje të patriotizmit të saj (“kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut”) dhe si qortim ndaj këtij gjyqi që po e shpallte me terma poshtërues si “tradhtare”; dhe, së fundmi, ajo përdor arsyetimin e saj të mbështetur në parimin sokratian të binjdes (“Kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit.”)
Ajo po dilte para gjyqit edhe me një krijimtari të mirëfilltë letrare. Deri më 1945 kishte botuar vëllimet me tregime "Seç më thotë nëna plakë" (1939), "Rreth vatrës" (1944) dhe "Sa u tund jeta" (1945). Mandej më 1946 burgoset, lirohet e pastaj përsëri nëpër burgje... Ndalohet të lexohen veprat e saj...
Porse te lexuesi shqiptar ndodh diçka tjetër. Diku nëndheshëm, në Republikën e Shpirtit, në Republikën e Imagjinatës, në Republikën e të Idealeve krijuese e njerëzore, është latuar Kujtesa Alternative, Kujtesa e Viktimave dhe e Të Martirizuarve përballë represionit pushtues gjenocidor a totalitarist, përballë Kujtesës së Fitimtarit të Armës, që synonte shlyerjen a zhdukjen e Kujtesës së Parë; që pikësynonte, më në fund, imponimin e vetëm Një Të Vërtete, kurse të tjerat Të Vërteta duhet të heshteshin. Janë pak fjalë të shqiptuara në gjyq, por që ngërthejnë të vërtetën e madhe më se gjysmëshekullore. Ajo e tha hapur në gjyq:
"Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem".
Edhe te Musine Kokalari e vërteta ka qëndruar në anën e saj: libri i mohuar rishtypet e rilexohet pas viteve '90, sistemet e dhunës janë shembur, kurse dënimin e historisë e kanë marrë inkuizitorët. Triumfi i Lirisë, Demokracisë dhe Humanizmit i dhanë të drejtë asaj, sepse çdo fjalë, varg a vepër ajo ua kishte dedikuar këtyre idealeve.
Kurse fjalia e fundit “Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”, është qortimi më i rëndë që po i bëhej diktaturës. Ajo po i drejtohej arsyes njerëzore, por arsyeja e tillë ishte e verbër.
Shkrimtarët e përndjekur, si Musineja, krahas dëshmorëve të tjerë të Atdheut, kanë qenë Roja e Mburoja e kësaj Kujtese, e themelimit të këtij Identiteti nëpër shekuj, përballë inkuizicionit e shfarosjeve armike osmane, sllave apo komuniste.
Ajo po mbronte drejtësinë. “Drejtësia është një prirje e shpirtit që, duke ruajtur të mirën e përbashkët (communis utilitar), i jep secilit meritën e tij (dignitas)”, thotë një retorist.
Prandaj ajo po dënohej për mbrojtjen e drejtësisë, por po dënohej edhe “si rilindase”, “si nxënëse e Sami Frashërit”.
Po dënohej si mbrojtësja proverbiale e lirisë dhe mendimit të lirë, e demokratizimit të vendit.

Ramiz Kuqi: NUK DO TË HESHT

Tregim

- Zëri : Si ndjehesh sonte? E di se mbrëmë të kam lënë pa gjumë. Të të kërkoj falje?- i vinin këto fjalë sërish, shtruar, saktë, pa zhurmë.
- Nuk e di. Nëse më vë mes dy zjarresh, do t'i mbyll me pambuk të dy veshët e do t'ia mbath gjumit.
- Po unë jam frymëzuesi. Ti veç mbaje stilolapsin në dorë dhe shkruaj. Unë të diktoj .Dhe nuk do të hesht:
- derisa t'ua rrëmbejë pasurinë që politikanët e kanë fituar pa u djersitur tash e disa vjet.
- Po unë jam frymëzuesi. Ti veç mbaje stilolapsin në dorë dhe shkruaj. Unë të diktoj .Dhe nëuk do të hesht:sekte që fëmijëve natën u ecën nëpër trup,
- derisa të ndalet kjo keqbërje e vjedhje e arkës së popullit të përvuajtuar , i rraskapitur nga varfëria,
- derisa të shkojnë në birucë ata që keqpërdoren pushtettin sikur ajo të ishte pronë e baballarëve të tyre.
-derisa të mos vidhet me pak para vota e qytetarit hallëxhi dhe i mashtruar nga matrapazët fytyrëzinj.
- derisa nuk do të shoh nëna të përvëluara , të cilat presin pranverë e vjeshtë t'ua kthejnë të gjallë a të vdekur bijtë e bijat e tyre nga agresori serb gjatë luftës në Kosovë,
- derisa të dëgjohet më zëshëm , i artikuluar qartë në Bruksel zëri i parisë së vendit për territorin e cunguar të Kosovës sot,.
Të duken shumë këto kërkesa ,- iu drejtua bashkëbiseduesit të tij? Unë kam edhe të tjera, sipas situatës.
- Unë ende nuk e kam të qartë nga cila nëntokë vjen ky zë: nga Veriu, Lindja , Azia a Përëndimi. Pa ma nxjerr kokën pak ta shoh, sytë zhbirues që i marr me mend se i ke , numrin e këpucëve që mban në këmbë, gjurmët nëpër tokë, orën që mban në dorë, ditarin tënd sekret.
- Kurrë nuk do ta kuptosh kush jam. Jam zë i shekujve që përmbys perandori, mbush burgjet me njerëz që shpërndajnë virusin e korrupsionit duke ia marrë nga goja copën e bukës voglushit në sofrën edhe ashtu të thatë.Bie në det e nuk lagem, ngjitem nëpër qiell e shpërndaj retë e mllefosura, rri te deti të ballafaqohem me Bajloza të zinj, me erëra të forta që shkulin rrënjë të thella nga shkëmbinjtë, parandaloj terrin e natës qyteteteve, përcjell si hije njerëzit e maskuar që vjedhin djersën e mërgimtarëve duke ua thyer shtëpitë, hyj nëpër dosje të gjykatësve të pangopur që ua rjepin lëkurën njerëzve të pafajshëm.
- Po ti, vazhdoi bashkëbiseduesei si i tërhequr për gjuhe, qenke si Danjolli i Sherkës. Ke lexuar për këtë personazh të pushtetit dikur?
- Hmmm...Unë nuk prek nëpër shkronja të fjalës . Ato fjalë që më nxisin edhe mua e më bëjnë më të fortë në këtë hapërim.Unë jam një copë diell në librat e shkruara. Unë ndjek nga pas danjollët , danjollët që gati se janë varrosur shumë vite më parë. Por fara e tyre mund të shumëzohet edhe sot.Jam në ndjekje të tyre ! - Hë, si thua,- do të më shoqërosh edhe sonte deri në të dalë të ditës së re?
- Jam i rraskapitur për gjumë. Madje kam edhe dhembje në yje. Më duhet të shtrihem.
- Po unë me kënd do të flas?- vazhdoi ai zë. Të flas sonte me mallin e vargjeve tua?
- Me cilin mall, zë që më trishton pak?- u zgjua si ta kishte rrëmbyer lumi përpara.
- Me mallin që ke për atdhe dhe për dashurinë ndaj atdheut. Edhe për pjesën intime të jetës. Edhe unë jam i martuar. Kisha në zë të bukur dikur. Iku, më la në rrugë. Nga zemrimi që pata, u shndërrova në zë. E takova buzë detit një natë. Po këndonte një serenadë. Ma rrëmbeu zemrën e mbeta pa zemër. U bëra asht e lëkurë,, pa ngrënë e pa pirë. Fleja skutave të mullinjve. Kur vinin njerëzit për të bluar, shndërrohesha në ujëvarë për ta venë qarkun e ujit në veprim. Ndonjëherë harroja dhe bërtisja me zë të madh. Atëherë bluarsit mezi gjenin derën dhe dilnin jashtë për të dëgjuar nga ardhi ai zë. Po unë isha hija e zërit tim.
Jam zë i hijes sime. Zë i kohës në shtegtim. Për një tokë pa njerëz shpirtkazmë. Njerëzve t'ua kthej buzëqeshjen e humbur tash e njëqind vjet më parë.HIje jam , zë jam.Zëri i diellit tim.
Oslo, më 26.5.2017

Thursday, May 25, 2017

SHKRUAN: NEHAT JAHIU TI PËRKUJTOJMË E KURR MOS TI HARROJMË DËSHMORËT E KOMBIT


FADIL NIMANI- KOMANDANT TIGRI

Fadil Nimani- Tigri lindi më 7 prill 1967 në fshatin Gërgoc të rrethinës së Dushkajës të komunës së Gjakovës. Bie dëshmor më 25 maj 2001 në fshatin Vaksincë të komunës së Likovës Pushon në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në këtë fshat ku edhe bie dëshmor.

PUTHJA E LIRISË

Trim mbi trima na kishte lindur vatani
një trim i rrallë mbeti dhe Fadil Nimani,
Ish nis trimi në luftë, trimi nga Gjakova
fjalë i kish sjellë Komandant Kumanova.
Fjalë e besë i kam dhënë Ismet Jasharit
Po të jetë nevoja i fal jetë vatanit,
Me shumë shokë nga Kosova kam ardhë
do të luftojmë me armikun ashtu ballë për ballë.
Në Vaksicë mes krismash bie në betejë
Jo, ti je mes nesh Komandant përherë,
në prehër të blertë Vaksicë, lahuta u zgjua.
Atë Fadil Nimanin kah mot për ta kujtuar.
Eh, komandanti trim mbete zemërguri
trupin tënd të shtrenjtë ta mblodhi flamuri,
tokën e përgjakur, atdheut ia puthe
duke e mbrojtur, o trim me grykë pushke.

THE FREEDOM KISS

Many valiant men our country gave
Nimani Fadil ëas one of them,
The valiant man ëent in battle, the brave man of Gjakova
The commander Kumanova ëas appointed by order.
I gave my ëord of honor to Ismet Jashari
If necessary to give my life to my country,
From Kosova I came ëith my comrades
to deal ëith treacherous enemies.
In Vaksinca, among strokes, he fell in battle
Commander, you ëill remain ëith us forever,
In the green lap of Vaksinca the lute ëakes.
Of Fadil Nimani reminds us.
But the brave commander remained motionless
His dear body ëas ërapped in the flag,
The homeland kisses him, the bloodied land
Përktheu në gjuhën angleze
Patrica Lidia

Prend BUZHALA: FJALA SHQIPE NË KOHËN E TIRANISË


(Fjalimi i Petro Nini Luarasit në Kongresin e Dytë të Manastirit, më 20 mars 1910, si përfaqësues i shoqërisë “Lidhja ortodokse”, i Negovanit e Ballkamenit. NGA ORATORIA SHQIPTARE), 24
E shumëfishtë ishte tirania kundër Fjalës shqipe në kohën kur jetoi e veproi Petro Nini Luarasi: tirani nën trysninë e propagandës e shovinizmit grek që vriste e helmonte atdhedashës ortodoksë shqiptarë; nën trysninë e pushtimit turk dhe nën trysninë e fuqive të mëdha evropiane që vendosnin kundër interesave shqiptare.
Kësisoj iu desh t’i përballonte këto stuhi edhe Petro Nini Luarasi, një figurë tjetër frymëzuese e Rilindjes sonë Kombëtare. Ai u lind më 22 prill 1865 në Luaras të Kolonjës dhe vdiq më 17 gusht të vitit 1911. Edhe porinsdi i tij Nini Petro Kostallarit, ishte veprimtar, pedagog dhe publicist. Mbahet në mend si drejtor i Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë (1887).
E përndoqi pushtuesi turk (i burgosur më 1904, ik nga burgu), strehohet në SHBA, krijon shoqërit patriotike si "Pellazgu" e "Malli i Mëmëdgeut", shkruan artikuj. Më 1908 krhehet në Shqipëri për të kuftuar për çlirimin e atdheut. Qarqet antishqiptare greke patën vrarë edhe Dhaskal Todrin, patën helmuar Naum Veqilharxhin, i vraanë e i helmuan edhe Petro Nini Luarasin, papa Kristo Negovanin, Papa Totasin, Pandeli Sotirin etj.
1.
Punoi shumë për arsimin shqip, kundërshtoi propagandën e arniqve, sidomos armiqtë e shqipes, grekomanët, nëpërmes veprës së tij "Mallkimi i shkronjave shqipe e ç’përfolja e shqiptarit" (Manastir, 1911), ku shkruan:
"Priftëria patriarqike bëri vegël të qëllimit të saj fenë, dhe me fuqinë e kësaj, dyke u dëftyer si kyçmbajtës i qiellit dhe i dheut e vështronte veten si përfaqësonjës pushtet plotë të Perëndisë edhe në Parajsë edhe në Ferr, dhe po tund fenë si këmborë frikësonjëse kundër cilitdo shqiptar që dëshiron shkronjat e tij."
Ai është i njohur edhe me thëniet e tij që i pagoi me jetë, mbasi e helmuan:
"Ruamani gjakun, se do t’ju duhet për shkrimin e gjuhës shqipe...”
“Edhe 99 herë po të rrëzohemi, përsëri do të ngrihemi !"
"Po dhe Krishti ndë na thëntë Se jam grek, jakni pas meje, Do t'i themi: – Pa mblidh mentë Se shqiptari s'vjen pas teje."
"Pas Turqisë, armik e mirmosdashës i Shqipërisë është Kisha greke."
Te "Mallkimi i shkronjave shqipe e ç’përfolja e shqiptarit" shkruante: "E vërteta bën fenë, dhe jo feja të vërtetën..., ta dashurojmë dhe ta përparojmë gjuhën dhe kombin tonë, si të vetmen rrugë dhe shpëtim që na besoi Perëndia për provë të vlerës sonë midis kombeve të tjerë. Kush është frikacak kundrejt së drejtës bëhet tradhtar i mëmëdheut dhe i vetes së tij."
Meqë zhanri edhe i këtij shkrimi autorial ka të bëjë me Fjalimet e figurave të shquara historike që kanë lënë gjurmë, edhe nga Petro Nini Luarasi gjetëm një Fjalim të tij që e ka mbajtur në Kongresin e Dytë të Manastirit që u çel më 20 mars 1910. Në këtë Kongres ku Petro Nini Luarasi mori pjesë si përfaqësues i shoqërisë “Lidhja ortodokse”, si dhe i Negovanit e Bellkamenit.
2.
Së këndejmi, edhe ky Fjalim ka të bëjë me lirinë e shkrimit e të arsimit, betejat shqiptare që bëhen për dituri e shkrimin shqip. Por kësaj radhe ai kërkon unitetin kombëtar.
“Ju lutem zotërinj, vëllezërve tanë, bashkëkombësve myslimanë dhe katolikë, a do të mos vuajnë keq kur të shohin që një pjesë e trupit shqiptar po vuan dhe humbet për qejf të klerit grek?!
Andaj si anëtar i “Lidhjes Ortodokse të Shqiptarëve” u lutem së ndershmes qeveri si dhe të shumëvyerit Kongres të sotëm që të veprojnë ku duhet për të drejtat e “Lidhjes Ortodokse të Shqiptarëve” e cila veç qeverisë konstitucionale dhe mëmëdhethit të dashur tjetër mbështetje s’ka.
Rroftë Shqipëria! Rrofshin Shqiptarët!”
Ky ishte qëllimi i këtij Fjalimi: që shqiptarët ortodoksë të ndihmohen në të drejtat e tyre. Ai që më parë kishte nxjerrë devizën: “Kombi mbi të gjitha”. Meqë Kisha Autoqefale Greke e mohonte të drejtën e shqipatrëlve ortodoksë të arsimoheshin shqip, Luarasi përmend mospajtimin e Lidhjes Ortodokse shqiptare me këto veprime, prandaj dhe kishin formuar një varg shoqërish, klubesh, gazetash shqip, kishin botuar libra shqip:
“Si të uritur, pra, që kanë qenë ortodoksët shqiptarë për shkrimin shqip, krijuan shoqëri në Bukuresht e Sofje dhe kudo ku gjenin mbrojtje e liri. Tani nën liri konstitucionale krijuan shoqërinë “Lidhja Ortodokse e Shqiptarëve” me qendrën në qytet të Korçës për t’u mbaruar nga ortodoksia elinishte e grekëve; dhe ne pandehmë se Qeveria do të na çmojë punën tonë, do të na japë liri, të drejta dhe siguri nderi e jete...”
Madje kanë ndodhur dhe sakrifica të shumta në këtë drejtim, për të mos u ndalur në rrugën e dijes dhe arsimimit:
“Me tu shfaqur librat shqip në kohë të tiranisë, sa shqiptarë ortodoksë që kishin ndjerë mungimin e diturisë, si të uritur fort i pushtuan shkronjat tona dhe me çdo mënyrë, pa vënë re çdo therori që do të na rëndonte, nisën të nginjeshin me mësimin e gjuhës sonë duke u gëzuar për diturinë shqipe më shumë nga vëllezërit tanë shqiptarë katolikë; se këta, nën urdhër feje të Shenjtërisë së tij Atit Papë, kishin dhe kanë liri të mjaftë për të lëçitur diturinë në gjuhën shqipe. Tek ne kleri grek, jo vetëm na mundon dhe na ndalon me mallkime, por edhe përdor çdo farë mënyre për të na sprapsur nga shkrimi dhe mësimi shqip.”
Duke pasue parasysh se ky Fjalim shqiptohej në rrethana tënjë lufte të egër të shovinizmit grek kundër Shqiptarëve përgjithësisht e kundër shqiptarëve ortodoksë, në veçanti, Petro Nini Luarasi konsiderohet po ashtu edhe luftëtar për pavarësimin e Kishës Ortodokse Shqiptare nga ajo greke. Te poezia e tij e njohur “KUNDËR MALLKIMIT TË GJUHËS SHQIPE” (e shkruar në frymën e lirikës së ideve të lëvizjes kombëtare kohës), ai këndon:
Si shqiptarë që jemi
Shqip ne duhet të mësojmë
Dhe Zotin, të drejtë kemi,
Ne gjuhën shqipe ta lëvdojmë.
Epo ju gjuhën tonë
Doni ta humbisni fare
Dhe me mallkim e me nëmë
Shprehni ta shpini në varre. (...)
Po krye-priftërinjtë e tyre
Nëkëmbës t’ orthodoksisë
Shumë punë prej mynxyre
Bëjnë kundër Shqipërisë! (...)
Thonë s’ ditka Krishti shqip
Dhe shqip-fjalë s’ pret prej nesh,
Vetëm në gjuhën greqisht
Të dëgjon e të mban vesh! (...)
Gjuhën e kemi tonë
Të vjetër dhe të vyer,
Nga Perëndia ish thënë
Që ta ruajmë të shkëlqyer.
3.
Ashtu sikundër te Fjalimi, ashtu si dhe te kjo poezi, Petro Nini Luarasi, ligjërimi retorik gjuhësor ka veçori shprehëse ekspresive dhe impresive, me qëllim që të krijojë një mbresë të fortë emocionale. Vetvetiu diosa fjalë dhe shprehje ngërthejnë në brendinë e shqiptimin e tyre ngjyrim të tillë emocionale, ideor dhe kundërshtues, polemik dhe veprues. Mirëpo toni i tillë emocional, gjithsesi që gërshetohet dhe me tonin intelektual të stilit retorik: ai shkoqit të drejtën universale për të mësuar e shkruar shqip, për t’u lutur e kryer ceremoni d-fetare shqip.
Te ky Fjalim spikaten dhe toni apelativ, thirrmor, për unitet e ndihmë solidarësie kombëtare.
Nga ana tjetër, ky Fjalim është i shkurtër, përdor dendurinë (thukninë) stilistike të thënies, pa përdorur fjalë të tepërta.
Duke pasur parasysh dhe therrorizimin e Petro Nini Lzuarasit për gjuhën shqipe, arsimin shqip, ritet fetare shqip dhe lutjet shqip; është ky Fjalim që konfirmon përputhjen e deve me jetën dhe veprën, përputhjen e veprimeve me fjalët. Tragjedi të shumta kishin ndodhur në atë periudhë. Dhe Fjalimi është shprehje e fortë e asaj periudhe sa heroike aq edhe tragjike që po kapërcente kombi shqiptar.
Të duket sikur gjatë krejt historisë, Fjalimet e tilla të personaliteteve shqiptare, ngërthejnë Kodin e Sakrificës dhe të mbijetesës, Kodin e të qenit vetvetja: “librat shqip në kohë të tiranisë.”
Dhe Fjala shqipe ka në monumentin e saj edhe emrin e Petro Nini Luarasit.
( 24 maj 2017)
*******************************************************
********************************************************
FJALIMI I PETRO NINI LUARASIT NË KONGRESIN E DYTË TË MANASTIRIT, MË 20 MARS 1910, SI PËRFAQËSUES I SHOQËRISË “LIDHJA ORTODOKSE”, I NEGOVANIT E BALLKAMENIT
“Çështjet e shkronjave dhe të programit të përparimit e biseduat; dhe zotëria juaj dhe të gjithë shqiptarët e vërtetë për këtë gjë po përpiqen dhe punojnë. Po unë në këtë mbledhje, jo vetëm si përfaqësues i Negovanit dhe i Ballkamenit, po edhe si i krishterë ortodoks shqiptar, përfaqësoj edhe “Lidhjen Ortodokse të Shqiptarëve” andaj do të përmbështillem vetëm duke folur përmbi çështjen për të cilën jam i dërguar:
Me tu shfaqur librat shqip në kohë të tiranisë, sa shqiptarë ortodoksë që kishin ndjerë mungimin e diturisë, si të uritur fort i pushtuan shkronjat tona dhe me çdo mënyrë, pa vënë re çdo therori që do të na rëndonte, nisën të nginjeshin me mësimin e gjuhës sonë duke u gëzuar për diturinë shqipe më shumë nga vëllezërit tanë shqiptarë katolikë; se këta, nën urdhër feje të Shenjtërisë së tij Atit Papë, kishin dhe kanë liri të mjaftë për të lëçitur diturinë në gjuhën shqipe. Tek ne kleri grek, jo vetëm na mundon dhe na ndalon me mallkime, por edhe përdor çdo farë mënyre për të na sprapsur nga shkrimi dhe mësimi shqip.
Si të uritur, pra, që kanë qenë ortodoksët shqiptarë për shkrimin shqip, krijuan shoqëri në Bukuresht e Sofje dhe kudo ku gjenin mbrojtje e liri. Tani nën liri konstitucionale krijuan shoqërinë “Lidhja Ortodokse e Shqiptarëve” me qendrën në qytet të Korçës për t’u mbaruar nga ortodoksia elinishte e grekëve; dhe ne pandehmë se Qeveria do të na çmojë punën tonë, do të na japë liri, të drejta dhe siguri nderi e jete....
Ju lutem zotërinj, vëllezërve tanë, bashkëkombësve myslimanë dhe katolikë, a do të mos vuajnë keq kur të shohin që një pjesë e trupit shqiptar po vuan dhe humbet për qejf të klerit grek?!
Andaj si anëtar i “Lidhjes Ortodokse të Shqiptarëve” u lutem së ndershmes qeveri si dhe të shumëvyerit Kongres të sotëm që të veprojnë ku duhet për të drejtat e “Lidhjes Ortodokse të Shqiptarëve” e cila veç qeverisë konstitucionale dhe mëmëdhethit të dashur tjetër mbështetje s’ka.
Rroftë Shqipëria! Rrofshin Shqiptarët!