Saturday, March 31, 2018

MOTIVE MARSI NGA MIMOZA REXHVELAJ

IMPULSE DHE INSTIKTE
Impulse të verbëra
Pati Diogjeni heret fort
Për të gjetur një njeri.
Unë jam e mbushur me instikte
Që më rrinë gatitu në çdo kohë
Kur shkruaj poezi.
Poezitë janë perlat e shpirtit
Me guackat e smeralda ngjajnë
Veshin vello gri
E valle ja marrin
Nuk e di se si!

JUGËS QË I KREH...

Më gicilojnë kycet
E krahëve e të këmbëve,
Mbi qerpikët e lagësht
Diamantet dremisin.
Era me krah të thyer
Bën pakt me shkulmet e inatit,
sa herë i shkon nëpërmend
me u matë me brigjet e Matit.
Jugës që kreh brigjet e fëmijëtisë time
nuk i vlerësohet balli i ikjes,
me ç'ka duket e ka neverin e hollë
në mos aq katallan sa kodi i pritjes!

TI BESON TE HIÇI

Vazhdon e çukit
Në cepin e mendimit,
Dorën rrallë e zgjat
Në përçartje të vegimit.
Ditët gojëshkarpa gëlltisin
Fruta me thatësirë të tepruar,
Pa pikë fantazie shoshoqen
E patën gur të çmuar.
Bën të fortin duke u hakërryer
Për dështimet ndaj unit tënd,
Pa ceremoni triumfojnë dikur
Pa u shkuar mornica nëpër mend.
Ti pret e nuk di se çka pret
Se qielli çdo lutje s'pranon
Te hiçi e kthimi imagjinar
Verbërisht e di, beson...

PSE JO, RASTIS

A mundesh me dalë, me u nda a mundesh
Prej lëkurës tënde të djersitur,
Në se jo më tundon dhe me këtë aromë 
Teksa rri shtrirë nën hijen e mërzitur.
I bëj sfidë të pamundurës kryeneçe
Egon e sëmurë e harroj s’di se ku,
Viroza e stinës me putra të lagështa
S’di ku bën mriz gjithashtu.
Kot i hukat eshtrat me trille
Dielli bie në komë sa vjen muaji gusht,
Perden e harresës nuk e lë të bjerë
Rastis ta qëlloj dhe me grusht.

NGANJEHERE

Nganjëherë jeta ngec pas teje
Si ferra, pas flokëve
Dhe nuk të shqitet.
Hyre atje ku s'duhej!
Nuk e di se si
Dhe as se pse
Ajo të ngre kurthe,
Kurthe asgjëje.
Muskujt pasivë të trupit
Papritur, gjallërohen
Duke zbuluar një tjetër ego,
Një ngjyrë të verdhë
Që stina e ngrohtë e mban latente.
Muskujt e qafës tendosen,
Këtë herë jo për të mbajtur peshë,
Por,për të parë qartë.
Prespektiva është një iluzion,
Ajo pemë e zvogëluar dhjetëra herë,
Është një iluzion , po kështu rruga,
mulliri, një konstelacion botësh që presin të zbulohen ...
I tillë është edhe gishti që i tregon .
Frika të pushton,fundi i egëzistencës.
Me një kërcitje dhëmbësh zgjohesh.
Dielli rezaton mbi fytyrën e zhubrosur si mësalla pas feste.
Por, neser do të kthehet sërish në vend.
Jeta vazhdon në lojen e saj
Ditë-natë, natë-ditë,
me dublime të njëpasnjëshme, të rregullta mbi parket duke na përgatitur
për momentin e gjuajtjes,
nëse ai moment vjen ndonjëherë ..

E DI...

Me don në çdo frymë
Kur zemra ban tak-tak-tak...
E di...
Jam mramja në qiellin tand'
I vetmi yll që mundesh me pas...
E di...
Jam mëngjesi i munguar
Kur dorën zgjat e nuk më gjen...
E di...
Puthja jeme të ban
Mu nie në xhenet,ku ligësi s'ka...
E di...
Ma ke tregu pa fjalë
Shpirti në fund të shpirtin jam...
E di!

Frederik Rreshpja
Deklaratë shtypi
Skllevër mosmirënjohës, ju deri dje
te këmbët e diktatorit jeni shtrirë,
dhe më keni quajtur mua skandaloz
për fjalën time të lirë.
Enveri lëshonte urdhër-vdekje,
por prangat m'i keni vënë ju.
Tani shkruani për mua parrulla nëpër gazeta
dhe i varni si prangat nëpër mure.
Skllevër mosmirënjohës dhe të marrë,
kope hipokritësh servilë.
Unë muret dhe prangat i pështyj,
unë kam lindur skandaloz dhe i lirë.

TI VETËM QESH

Në rrjetën e merimangës
Është ngujuar një rrebesh
Ti fjalë reperësh përdor
Nuk e di pse,kaq shpesh...
Të dalësh nga pellgu i pistë
Ujana duhet njohur cep më cep
O botë, thua, pak shpres dua
Por bota shpresë s'të jep.
Në buzën e greminës me shkumë
Botën përtokë e ngjesh
Përpëlitem, djersij e gërvishtem
E ti, vetëm qesh...

Friday, March 30, 2018

ÇASTE LIRIKE NGA PREND BUZHALA

KU JE
(Baladë Kosove)
Ku je, -
Bërtet nëpër stacione autobusësh, trenash, aeroportesh,
Thërret e thërret nëpër sa e sa celularë:
Ku je?
Klithma, një pyetje therëse rend nëpër dekada.
I ther muajt, vitet, dekadat: Ku je?
Mandej betohet se më nuk do të kërkojë, as nuk do të bërtasë,
Dikur nisi të mos e njohë më veten,
As shtëpinë, as botën, as jetën.
Pamjet me klithma vizatohen në qiell, në udhë, në shtëpi,
Nuk kishte dëshirë të fliste për to,as çka kërkon
Nuk dëshironte të fliste për asnjë ngjarje të së kaluarës therëse,
Nuk fliste. Klithte: Ku je? Ku je?
E emra nuk përmendte
I thanë: Ku ishe ti në luftë?
Vetëm tha: Krejt çka pata, dhashë.
Ishte i vetmi bir që u zhduk si luftëtar bashkë me erën.
S’iu dorëzua Njeriut. Para Njeriut heshtte.
Therjet e klithmës shkaktojnë gjakderdhje,
secila ditë skuqet nga Gjaku i Derdhur.
Pyeti Perëndinë: Ku je?
Askush nuk e di si e mori përgjigjen e parrëfyer.
- Po, nisem, e di ku je!
Dhe iu dorëzua Perëndisë.

ÇAST (ME DRITHËRIM) LIRIK
Buzëqeshja jote çel kundruall Një Dielli të Zi. 
Kapërcen agimin e errët.
S'ka gjë, qielli ka kuptim, kur ne jemi të gjallë.
Të dërgojë kumte lart.
Lulja arrin të çelë në hi kufomash,
çel dhe në gur a në shkëmb.
Hiri, guri e lulja shndërrohen në bashkëqenie.
Bashkëpunojnë.Ti e ndien.
Ti e sheh pamjen e Urtakut
të Ulur buzë malit, buzë jetës.
Bëhesh lule buzë një krateri,
për t'u ringjallur në çdo pranverë.

ÇAST LIRIK ME MALLKIMIN E SË BUKURËS NË ENËN E THYER TË QENIES
1. 
E bukura e burgosur nuk ka se çka të bëjë,
pos t'i bie murit me kokë.
Një Kosovë e rrethuar përplaset për mure,
me kobin e bukurisë së saj.
Të duan si një princeshë të mbyllur,
që merr shtat te bukuria dhe mëshira.
Të shndërrojnë në figurinë
për ekspozim botëror të mosbesimit e dyshimit.
Paskan nevojë që koleksioni i tyre
ta ketë aty edhe zemrën tënde të shkulur.
Me sytë dhe gjakun tënd,
të ruajtur nëpër pallate nëntokësore laboratorësh.
Ti flet dhe fjala e dëbon shpirtin tënd,
si një fëmijë i harruar e pa dashuri.
Me mallkimin e madh të bukurisë e vetmisë,
braktisur nga historia.

DERI TE MOSNJOHJA E VETVETES
(Çast lirik me një kohë të pakrye)
S'ka gjë nëse shikon aq shpesh në qiell,
E asnjë fjalë nuk e thua çka mendon, çka ndien e çka sheh.
Aq shumë mendon e asnjë fjalë nuk e vë në letër.
Zë e ligjëron pa folur për jetën:
Si ajo ec nëpër ëndërr e deri te tronditjet e gjakut.
Si ajo zgjat nga vjelja e fryteve të moshës së pjekur
e deri te mosnjohja e vetes. Deri pas vdekjes.
Deri te Pasçasti kur ti je në një tjetër përmasë lulëzimi.
Mandej, duke pëshpëritur gjëra të pavënëre për Perëndinë,
Thua më vete:
nuk paska masë që përcakton gjasën e ngjasimin në jetë.
Gjasa në letër nguroset në kohë.

NJË (ANTI)LIRIKË PËR TË DREJTAT SPECIALE
DHE PËR PËRVJETORIN E BOMBARDIMEVE

Kjo lirikë e humbi shkëlqimin e vet dhe thotë:
Kujtimet krejt mu paskan shlyer,
asnjë sakrificë nuk e bëra
për ty e ashtuquajtura liri e dhuruar.
Krejt përjetimet më qenkan fshirë me gomë,
për bombardimet që ndodhën diku më 24 mars 3999.
Elozhet po ua lë atyre që i gëzojnë të drejtat speciale
në lirinë speciale për grupet speciale
në Republikën Speciale.
Falë u qoftë kjo liri dhuruesve të lirisë.
Merrnie e bëni ç'të doni me të...

SA HERË HUMB NË JETË, SHËNOJE SI FITORE
(Vargje që ikën nga poetika)

Ke besuar se gjithçka ke zbuluar,
Dhe plane për gjithçka ke bërë, pa bujë,
Rrugët e jetës të duket se i ke piketuar -
Eh, fryn një erë e në jetë gjithçka ta bën rrëmujë.
Kur ti mendon se gjithçka e ke bërë verë,
Thua: kjo jetë qenka qesharake, e gjitha vrer.
Sa herë humb në jetë, ato shënoji si fitore,
Vetëm ai që beson, këtë e di prore.



Sadbere Gagica Spahija: DY POEZI

TI NUK JE
Ai që të njoha një natë e një stinë
Ke ngjyrosur flokët me ngyrë vjollcë
Me aromë trëndafilash të ri
Tashmë je nisur si kjo erë
Që udhëve të vargut shushurit
Më ngjan se je fshehur në pyllin e Umbertos
Dhe shrkuan romanin e ri në rrugë
Ti veç po ik nga ky log malli
Pa zhurmë nëpër fjalë
Po jeta i paska më shumë se njëmijë e një net
Në kullën e vetmisë thur ëndrrat e mia
Jashtë fryn erë që s’mund ta ndalë
Pranvera më duket pa lule e ngjyrë
Pa asnjë zog nëpër ketë qiell të hirtë
Koha paska mbetur pa unazë në gisht
Unë jam strukur në guacën time
Dhe pres
Ndoshta do të vish me një yll në dorë?!

ERDHE
Fshehurazi naten vone
Kur po e mbyllja ditarin
Dhe lirikat e shkruara
Me lot dhembjesh
Tani mos ik me
Udhet do t'i ze me shkembinj
Detet me rrjeta
Qiellin me zogj
Do mplakemi ne vargje
Endrrat kur te sosen
Do hap serish dritaren
Te te fus ne fjale
Erdhe nje nate
Kur digjesha ne vetmi
Erdhe
Te ruaj me xhelozi
Si syte e perlotur
Ah keto syte e mi!

POEZI NGA RAMIZ KUQI

ASO(CIA) CIONI
Akti i dytë i tradhëtisē
Ndarje
Përtej ndarjeve
Në shekullin e ri
Seç i bien tokës
Pash me pash
Hijerëndë
Ky soj zotërinjsh
Të vrarë e dhunuar
Krushë e Kotlina ime
O Ukshin Hoti
Gjallë a i vdekur
Aso(CIA)cioni!

LETËR NË VARGJE
(Mikut N.N)
Kokën në atdhe miku im
Trupin në mërgim
Ma vret fjalën kjo ecje
Mbi Ibër rri vargu në mejtim
Zhurmë nëpër tokën e lotëve
Diellin me dry në Veri
Me këta kokëbosh kryekunguj
Qielli me zogj flakëruar në vetmi
Kokën në atdhe trupin në mërgim!

XHELATXHINJ
Ju kupën e keni të mbushur
Me gjakun tim
Ndaj
Ikni nga Veriu im
Përtej Karpave ju pafsha
O Korba të zinj!

PO SHKRIHET BORA

E mbushën lumenjtë me dallgë
Në gëzhojën tënde hije netësh
Derdhën nëpër udhë
Dita mbledh të palarat
E shiut
Që ra mbrëmë o lumë
Mbi shtatin tënd po rritën
Pucrrat e (pa) njohura
Me diagnozë të vjetër
Lakejtë
Mprehin dhëmbët për kafshim
Po shkrihet bora
Po diell pranvere nuk shoh
As gjelbërim
Për sytë e mi të lëbyrur
Ëndrrat tua o njeri
Dhe lakminë e Klavdit
Si nuk e njoha kurrë!

KUR KOHA
Të flasë me një zë
E lisat
Të puthën me gjethe
Do të lulëzojë pranvera
Shpirtëzohet fjala
Larg afër?

PO BIEN
Si meteorët nga qielli
Kur bubullon
E mbi pirg
Koha zbulon kokën
Lakuriq
Sa keq
Kur mbi supe ngarkon
Shkronja të (pa) njohura
Po zgërdhihet stina me ne?
Po bien
Që të zgjohet ...?

DITA
Ka fillin e vet
Lëviz
Me akrepa të pa akorduar
Kur shi bie mbi vargje
Ky kolltuk i butë
Është dhuratë Perëndie?
Për të
Janë lidhur
Kuajt e erës?
Mes dy zjarresh
Zbret nata mbi kupë!

MBI KODRËN E MINATORËVE

( I dëbuari shqiptar)
Nga toka e lindjes
Retë
Prekin qiellin
I dëbuari
Shkel mbi pjesën shkrumb
E kujton lotin e nënës
Ëndrrat e fëmijërisë
Ku je
Liria ime e trishtë?
Në shtëpinë e lindjes
Muhaxher?

CIKEL POETIK NGA DHIMITRI KOKAVESHI

RECITAL.
Recitali i zogjve!... 
Vazhdonte
Të tradhëtonte
Bashkësitë pa zgjidhje.
Stalaktitet!...
Lëshojnë lotin përplasës
Prej lartësive
Jashtë mundësive
Kërkojnë shkëndia!...
Diturisë.

MES GURIT.
Udhëtoja, kalldrëmeve?...
Gjeja
flijimet, si në fillimet e tyre
kur lëshoja
gdhëndje, mendimesh?...
Abstraktes
Si braktisjet e shekujve
të lodhura dhe
veshur, ashpërsisë?!...
Qëndronim
me qytetin njerëzit
udhëtonim
përballjeve përpiluar
harresave
Mes gurit të latuar aty
ku hidhej
shtati dhe petku i zbehtësisë
gri!... Mjegullnajat
zbarkonin dhe zgjeronin
shtatin dhe
shtratin e tyre luginës
dhe gurit
lartonin!... Frymëmarrjet tona
bahkëngjiteshin
me ty Itakë!... Pushtuar
shpirtit!...
Nuk mbaja ngjyrat por
ngjarjet
që përpilohej qyteti im
kishte rjedhën!...
E dijes dhe të mendimeve
bashkë!...
Me kujtimet, ngjarjeve mbushur
në plot dëshira
të zjarrta dhe kohët!...
Në riciklim.

FTOHTË
Ftohtë!... Aq ftohtësi
zbrazte
pasioneve te saj?... 
Ironizoja
Si një plastik e zbërthyer
dhe gdhëndur
mendimit?... Zhgryer dhe
Zhgënjyer
ndjenjave, si mes sarkazmave
Hidhur
Si ta zbërtheja dhe
të kërkoja
bukuritë?!...Edhe ato
zbërthyer
luhatjeve... jetës
nuk guxoi!...
Udhëtimet ja rrëfej po!...
Nuk e zgjojnë.

Wednesday, March 28, 2018

Kujtim STOJKU: Cikli poetik " FLLAD PRANVEROR"

LULET E EGRA

Në heshtje më nanurisin mëshirshëm,
Tjetër unë nuk di asgjë për atëherë,
Shihja vetëm lulet e malit tek shkurtonin egërsinë,
Emrat e tyre imagjinare shkurtoheshin me mjegullën.

Dikur ne ishim shtruar me netët e errësirës,
Për ne atëherë kjo ishte një imagjinatë,
Pafundësinë gryka e yjeve ndezur zjarr e kishin,
Vetëm një herë n’fraksionin e sekondës kishin xixëlluar.

Nga dhimbjet të çmendnin mënyrat tona të jetesës,
Sepse rruga shtegtonte nëpër rrëpirën e thiktë,
Siç duket këtu s’ka asnjë filozofi, është ëndrra e ndërgjegjes,
Brenda nesh jetonte, zemrat tona bënte me u dridhë.

Ne qiellin e vështrojmë përsëri nëse grumbullohen yjet,
Nëse i shohim ata për herë të parë apo të fundit,
Nëpër hapsirë ndoshta dallojmë të padukshmet yje,
Që themelet e botës mbi këtë planet vuri.

Tashmë kjo duket si një ngjarje e re,
Që për vendin, dhe vitet janë kaq të çuditshme,
Si dkur fëmijë përsëri gati jemi ne,
E luleve të egra emrat ua kam vënë të gjithëve.

REZONANCË ZËRASH

Rezonancë zërash, padukshmërisht zënë vend n’mes të njerzëve,
Lotët pikojnë në tokë, ofshama turret drejt qiellit,
Këmbanat përthyejnë tingujt e detit të valëve,
Kur dëgjojmë ikjen e tyre ne heshtim.

Rrezet e shikimit bien tangent mbi hënë,
Sirenat mbi detë këndojnë këngët e tyre të çuditshme,
Era kuis si qen nëpër honet e hapsirës,
Nata mbyll sytë me fletën e një korbi, yjet n’qiell ndizen.

Tingujt lëkundin ajrin në formë valësh rrethore,
Qielli ngadalë fillon e qërohet nga retë,
Pulbardhat mbi detë njëra pas tjetrës vargohen,
Nga dhimbjet fytyra ishte rrudhur krejt.

PRANVERË E TRISHTË

Dremitja gogësin gjithë natën e gjatë,
Me zor i hap pranvera sytë e mufatyr në fytyrë,
Duke përzënë dimrin si një plak gërnjar,
I cili është në buzë të varrit, ditën mezi duke e shtyrë.
Fytyra e qelqtë i është plasaritur,
Rënkon gjithë natën dhe ditën e gjatë,
Se di sepse pranvera qenka shumë e ngrysur,
Petalet që çelin i shoh duke qarë.

Brenda kafkës sime zgjohen mendimet,
Harrojnë ëndrrat që i kam parë,
Imazhe t’veshura me kostum të bardhë ecin nëpër muzg,
Nëpër trurin tim kalojnë radhë – radhë,
Si hije dalin nga varrezat e vjetra pa bërë zhurmë.

Lëndinat dhe pemët pergadisin fustanet shumë ngjyrësh,
Kanë të drejtë të më mburren, më të bukur asnjëherë s’i kam parë,
Pikat e vesës mbi petale duken si lot që u rrjedhin nga sytë,
Si nëpër mjegull shoh një ëndërr, duke kalëruar mbi kalë të bardhë.

Aroma e luleve të çelura përhapet anemabnë,
Më deh më ëmbëlsi, mendimet m’i fton papritur,
Manushaqet përkulin kokën pasi në sy më panë,
N’fytyrën time qëlluan shenjën e një vrage
prej ëndrrash kapitur.

Kokën e mbështes n’gjoksin e dheut ku mbijnë zambakë e karafila,
Shushërimën e gjetheve dëgjoj kur fryn era me ngadalë,
Më zgjojnë nga mendimet në të cilat i kredhur jam,
Me të madhe qeshin zogjtë kur ngrihen në fluturim,
E përreth meje duke kënduar vijnë vardallë.

LËNDINA

N’lëndinën e blertë fërshëllima e gjarpërit m’i ndërpreu mendimet,
Për një çast kjo pamje brenda qenies sime mbolli një ankth,
U përhap në hapsirë me shpërthimin e një klithme,
M’u ngjeth mishi nga kjo ëndërr e trembur që nuk e pashë.

Kryet përkulet, mjekra mbështetet mbi dërrasë t’kraharorit,
Me gjuhën ngjyrë trëndafili njom buzët e tharë,
Bari i njomë sa ka filluar me harlisur,
Ëndrron vesën kur bie natën me sumbulla të artë.

Mendimi mërgohet, n’burimin e gurrave përzihet,
Pasqyrimi i hënës duket si një ishull i zjarrtë,
Bari dhe lulet me krëhër t’padukshëm kanë filluar të krihen,
Qyqja kalëron shaluar mbi kalin e bardhë...

PAMJE HIRËPLOTË

E bukura rri varë n’sqepin e verdhë të mëllenjës,
N’tingujt që ajo këndon nëpër gëmusha,
N’trajektore e dallëndysheve që fluturojnë në qiell,
Nën rrezet e diellit ku vezullojnë gjethet e gjelbra,
Me larminë e përthyerjes së ngjyrës nëpër fusha,
Përmes mugëllimit t’gjetheve që stërpikin rrezet e diellit,

Thellë n’horizont ku kaltëron pylli vështrimin ngula...

Monday, March 26, 2018

Grigor Jovani: SHTEGTOJ NËPËR NATË

MUZA IME
Nata hapi stallat, nga ku kuajt
si të marrë iu sulën arrative.
Hëna ndezi prapë prozhektorët, 
të ndriçojë rrugët jashtë shtëpive.
Dal dhe unë mes territ. Erdhi ora
të shtegtoj mesnatës si një re.
Të vendos shkallë në ca dritare,
të shikoj si muza ime fle.
T’ia prek pakëz buzët e përzhitur,
ëndrrën time në jastëk t’i le...
Nëse mbars nga ëndrra muza ime,
nuk do i thotë askush: Me kë e ke?
Roja e natës, gjumi, mos mërzitet,
këtu prej zjarrit nuk shpëtoi as Troja.
S’mund të ruhet muza. Do ta mbarsja
dhe në mes të ditës, po të doja.

KETE E DI...
- Sa rron një det?
Një pemë?
Një pëllumb?
- Mua pyet?!
Tani nuk nxë,
veç humb...
Por këtë e di,
shpirti im,
pa merak!
Sa rron
Dashuria?
Shumë pak!

MANASTIRI

Tani që shtëpitë e fshatit afrohen pranë xhadesë,
e imja mbeti e fundit në majë të Jergucatit.
“Këtu mund të vdesësh, - thoshte dikur im atë, - 
dhe të të mbetet nofka:
“Shtrigan pa varr i fshatit!”
Tani, sa herë që shkoj, burgosem vetë si murg.
Ati im mungon, por shtëpia ka të birin...
Shikoj të gjitha vrimat përpara se të flej,
nga mund të hyjë Djalli,
të vjedhë Manastirin.
Djalli bëhem unë. Gjumi nuk don të vijë.
Hapa të lehtë hajduti dëgjoj nga dhomat boshe.
Llamba e vajgurit
- një shekull plot në mur -
tradhëton ca hije, që qarkullojnë në qoshe.
O zot! Tani të kisha Lonin, qenin tonë besnik!
Me thonj e dhëmbë do sulej,
qiameti vetë: “Ham! Ham!”
Ah, unë e di kush pret të humbem nëpër gjumë,
të më vjedhë ëndrrat - të vetmen plaçkë që kam!

TE VETMUARIT

Ishte natë.
Ne shikonim nga ballkonet ca hije,
udhëhiqte seicilën drita e cigares së vetë.
E morëm me mend. Ishin poetë.


TI VERBON HOMERIN

Flokët të hapen supeve si zjarre,
pyjet e mia bënë shkrumb.
Buzët i ke dallgë oqeanesh,
zhytem mes tyre dhe humb.
Ndërsa sytë... ah, i ke si prej dielli.
Më prinë në shteg,
pastaj më verbuan, si Homerin.
Një bard i pafat jam dhe unë:
më dogje,
më mbyte,
më verbove,
por po të duash,
vetëm me një një puthje
më bën prapë nga fillimi të tërin.

SYTE QE NUK SHIKOJNE

Sytë mund të jenë kështjella mesjetare,
t’i sulmosh një jetë, mos të bien fare.
Mund të jenë dy dete, oqeane dy,
të ujisin botën, as një pikë për ty.
Mund të jenë dy hëna, mund të jenë dy diej,
por ngaqë s’të ngrohin, të endesh në qiej.
Nëse s’të shikojnë sytë që dashuron,
ngjajnë qeli burgu. Ajri s’të mjafton...

TE DEBUARIT NGA PARAJSA

Pashë mbrëmë një ëndërr të marrë,
sikur flinim bashkë përsëri,
sikur trupat tanë nuk qenë ndarë,
shkrinte puthja ndër buzë si qiri.
Gdhija netët pranë flokëve të tua.
Më zalisnin,
mbanin erë ftua.
Ëndërrova sikur s’ndodhi hataja,
nata ish sërisht det i qetë,
gjinjtë e tu, dy anije të mëdhaja,
më lundronin, si yjet mbi retë.
Të hidhja spirancën tek sytë.
Porti im,
që s’kishte të dytë.
Pashë mbrëmë një ëndërr të marrë,
sytë e tu përpara shtrëngatës,
krahënjomët, si zogjtë shtegtarë,
që u nisën për udhë gjatë mesnatës.
Zotit tim i thirra përgjumshëm:
“Mos na zbo nga Parajsa,
kaq dhunshëm!”

NDODHI THAGME

Përfundimisht, ndodhi thagmë
me mua.
Si ia arrita dhe u bëra
kaq i ndjeshëm,
kaq i sjellshëm,
kaq i hijshëm,
më tepër se të gjithë shenjtët në qiell!
Do të më kishin për vdekje zili
Kuazinova,
Don Zhuani,
Zhanvalzhani
dhe Ludoviku i Madh - Mbreti Diell.

AJO QE TEPRONTE

U përpoq të më merrte përbrenda të tërin,
të më shijonte me të katër shqisat,
gjithë qenien time në filtrin e saj të kalonte,
të mbetej ajo që i shkonte…
Po ajo që tepronte?
Ajo duhej të mpakej,
më mirë të flakej.
Si një brisk që nuk pret i berberit.
Veçse prej meje asaj i teproi Poezia.
Pa të unë isha mes ferrit.
Prandaj,
duhej të ikja me vrap, të shpëtoja,
të ngjisja nga e para copat e mia të xhamit.
Të bëja shpirtin pasqyrë të lëmuar,
si lëkurë e fildishit.
Po ajo?
Kuptoi më në fund se filtri i çdonjerit,
nuk ishte makina e grirjes së mishit.

DRITA E HENES
Duke ecur në majë të gishtave,
për të mos zgjuar gruan që flinte pranë meje,
shkova gjer në dritare
dhe u bëra i argjendtë nga drita e hënës.
“Ktheu në shtrat! Mos e lë vajzën vetëm!”
dëgjova nga lart
zërin e nënës.


MIKESHA IME AMERIKANE

Nuk e di si u kthye në mendjen time papritur,
një mikeshë nga rinia,
kollarja ime e parë.
Erdhi brenda pakos: “From: New York City”.
Spiune e rregjur,
në një shtet kundërshtar.
Basëm e shtrenjtë, e kushedi cilës firme,
një stemë e artë.
Sa shumë më pëlqente!
Kaq diell socializmi duroi - ç’ironi!
Ndërsa dielli zbehej,
ajo më tepër shkëlqente!
Kishte shpirt. Ndërgjegje dhe ndjenja.
Më ndiqte si qen,
s’ma ndau kurrë hapin.
Drita makinash e verbonin në sy,
u shmangej, si predhash
një kalë që s’ndal vrapin.
Bodigarde e heshtur, e kisha besim,
zinte punë para meje,
herët në mëngjes.
Sulej e para, më zinte vend në taksi,
kur unë i harruar
rrifisja ekspres.
Mikesha e dashur e “Luftës së Ftohtë”,
në kë azil rrobash
je fshehur, gjithë frikë?
Tani mund të shfaqesh, u ktheve në modë...
Pastaj, Amerika
s’është më vend armik.

FAQJA E MURIT

Të njoh mirë, faqja e heshtur e murit.
Gjithmonë je aty, në dhomën e gjumit.
Pranë shtratit. Përballë vetmisë sime.
Nuk të kërkova. Por zure vend në shpirt,
gjatë bisedave pa fjalë dhe në mendime.
Doja t’i flisja dikujt. Diçkaje të gjallë.
Që të më kuptonte. M'u gjende veç ti,
faqja e heshtur e murit.
M'u bëre hije. Tani me vete të mbart.
Në heshtjen time të burrit.

LOJE SYMBYLLAZI

Hap syndyqet e fëmijërisë dhe gjej qiell.
Një balonë, e cila ka pe të këputur,
dergjet si flutur e balsamosur. 
Një vogëlush me tiranda qan me të nëpër duar.
Shikoj ç’kanë përbrenda çorapet e dikurshme.
Gjej fotografi bardhë e zi, të shumtat
i kisha harruar...
Shkurret kanë mbuluar përoin pas shtëpisë.
Bën vazhdimisht kohë e keqe. Në kopësht
hyjnë dhe dalin samarxhinj me mushkat e shiut.
Shkallmonë gardhet më sëpata. Janë vetëtimat.
Paralajmërojnë ditë e netë më të mira.
Unë gjendem i mbyllur brenda syndyqit
të vegjëlisë. Luaj symbyllazi. Qysh atëhere
më pëlqen të mbyll sytë dhe
të më shëtisë errësira.

BYREKU ME MISH

Sa herë gatuante byrek me mish mamaja,
linte tre pjesë mënjanë përpara se të hanim:
“Kjo e Krishtit, kjo e Mikut, kjo e Nderit të Shtëpisë!”,
ndërkohë që unë e motra nga padurimi qanim.
Tre të lartpërmendurit nuk i kishim parë ndonjëherë,
por na hynin në pjesë, hanin më para se neve!
I njoha vite më vonë, kur bëra familjen time,
ndërsa mamaja lotonte, e mallëngjyer, mes reve.

MIKESHAT E MIA
U kthyen ato
dhe zbuan vetminë time,
karriget në sallon u bënë tre...
Gëzon flakëza e hollë e një qiriri,
që dridhej mërzitshëm gjer dje.
Erdhën ato, mikeshat e munguara.
Zunë dy karrige.
Hije lanë mbi mur...
Ato! Njëra që iku. Dhe ajo,
që ndoshta s’do të vijë kurrë.

Sunday, March 25, 2018

SHKRIMTARI ZIJA ÇELA SOT KA DITËLINDJEN

Shkrimtari Zija Çela sot ka ditëlindjen. Baladat e Lugut të Drinit i uron penës së letrave shqipe: Gëzuar ditlëindjen.
Para tre ditësh pata një takim me shkrimtarin, isha tërë emocione, në mendje kujtoja veprat e tij që i kisha lexuar qysh në moshë të re. Më së fundi tringëlliu zilja e celularit, dhe një zë i butë më përshëndeti. U takuam dhe u ulëm për të pirë kafe në një nga baret e Tiranës. Pasi porositëm kafetë, kisha në mendje shumë gjëra që do të bisedoja me të. Por çuditërisht çfarë pata menduar i harrova të gjitha. Gjuha m'u lidh dhe përqndrova vështrimin mbi fytyrën e tij. Ai me atë zërin e tij të ngrohtë menjëherë më nxorri nga situata që isha. Të tjera kisha menduar të flas të tjera po flisja. Pas kalimit të këtyre çasteve biseda filloi të rridhte lirshëm. Kaluam duke biseduar rreth dy orë sëbashku. Akrepat e orës m'u dukën sikur lëvizën më shpejt se zakonisht.
Eshtë e vështirë të përkufizosh veprën e tij me rastin e ditlindjes. Megjithatë, veprimtaria krijuese e tij na bën të gjithëve krenarë. Arritjet e tij i përkasin së ardhmes dhe gjeneratave të tjera që do të vijnë jo vetëm në Shqipëri, por kudo nëpër botë ku jetojnë shqiptarët.
Bashkë me njerzit e tjerë të penës ju keni zënë vendin e burrit të urtë, njeriut të palaodhur që gjithë jetën e tij ia kushtoi çeshtjes shqiptare.
Me rastin e ditëlindjes ju urojmë jetë të gjatë.

Saturday, March 24, 2018

Ramiz Kuqi: Cikli poetik "Sofrën e kam Shtruar me Lule"

MBI DAMARËT E TOKËS

Dilema hamletiane
Është sh(thur)ur kjo laurë
Me thupra gjembore
Tash nuk e di
Cfarë ka dheu brenda
Zjarr
A lakmi pallati
Mbi damarët e tokës
Rri kjo orë e hutuar
Nëpër akrepa kohe!

ZOGUT CICËRUES

Ç'ke o zog cicërues mbi atë degë
Ta kanë prishur dimrit folenë
Nga mëngjesi deri në muzg
As më thua ç'brengë ke
Një dhimbje marsi kam lënë në Jug
Ëndrra të hejthme nëpër fjalë
Kam shumë lot në këto bebëza syri
Kur vjen pranevera ç'më djeg një mallë
Ç'ke o zog cicërues mbi atë degë !

KA FJALË
Që djeg
Më shumë se prushi
E prush nuk është
Edhe lumin e trazon
Qiellin me yje
Shiun si litar
Ka fjalë
Që s'futet me asgjë
Në asnjë varg poeti !
Kur vjen pranvera
E nis një këngë
E nis një dallëndyshe
Ta mbush folenë e vjetër
Me zogj e lule
E ëndrra
Të flas me ylberin
Shtratin e lumenjve
Shelgjet e buta
Një oho! ta dëgjoj
Kur kapërcen atë vigun!
Ka fjalë, oh sa fjalë
Që nata i mori
Nëpër udhët e kryqëzuara !

PAMJE

Policë kamermanë gazetarë
Nëpër hollin e Kuvendit
Deputetë
Që mbajnë pasaporta diplomatike
Rrogë të majme
Në vendin më të varfër të Ballkanit
Fëmijët e tyre kremtojnë ditëlindje
Nëpër Evropë
Para hyrjes
Janë barrikaduar fjalët!

DASMA IME

Bëhej dje me daulle
Deri në Iliri
Ku binte fyelli im
Në kufinj
Që u rrudhën
Si gjeth vjeshte në shi
Dasma ime
Me Teutën në det
Që mbante të fshehur
Një zjarr nga brenda
E merrte udhë deri te bregu
Për një fjalë dashurie
E pastaj
Seç u thye në heshtje
E ia shkuli flokët dallgēve
Pa një varr askund
Moj Iliri!
Dasma ime
E rëndë
Si një pikë ujë
Në det
Me këta kufinj!

A THUA

Merr sot frymë fjala
Pas kaq betejash
Ngritje
Përplasje nëpër vete
Syrin e liqenit
Ia vodhën mjellmat
E bardha me gugatje
A thua rrugët
I kanë paluar ëndrrat
Nga gjiri i zjarrit
Ka mbetur ndonjë gac
Që hiri
Sërish të bëhet zjarr
Në pranverat e vonuara
Me shekuj?
A thua!

VEÇ HIRIT

Asgjë më nuk mbeti
Veç hirit
E zhurmës nëpër udhë
Kufinjtë
Kanë mbetur në qiell
Si erë
Veç hirit
E fjalëve në foltore
Dhe Etjes?
Ishte farë e mbjellë
A farë e gjetur
E bimës së keqe?

Veç hirit !

E kam shtruar me lule
E fjalë
Merr atë të bukurën
Hyjnoren
Që dielli të zbres
Në breg Jugu
Sofrën!

PA MATEMATIKĒ

Zbërtheje një mbledhje
Zbrit tri pranvera me shi
Shiko sa hunj kanë mbetur
Te gardhi yt
Dil e fol me hënën
Mate peshēn tënde në peshore
Nëpēr faqe historie
Gjeografi me dhimbje
U lave a t’i krehën flokët
Me krehër nate
Lapsi im nëpër vargje
Ditar i pashkruar!
Hape këmishën e shekujve
I sheh sa pulla tē mungojnë!


Sadbere Gagica Spahija: NËN HIJEN E LOTIT

MIRMËNGJES
Dita ime me borë
T'i puth me afsh fluskat
Më sjellin ëndrra të reja
Kam një libër të (pa) shkruar
Dhe një udhë laroshe
Me shumë zikzake
Të urtë me dallgë
Mirmëngjes
Ju ëndrrat e mia
Që s'më lini të vdes
Në këtë shkretëtirë
Mirmëngjes....

PO TA NIS
Për ditën e poezisë 
Një tufë lule me aromë dashurie
Që ta shkruash vargun më të bukur
Kur të bie nata në dhomën time të heshtur
Malli im të mos rri e strukur

NËN HIJEN E LOTIT
Mos u bëfsha sot
Hije trishtimi
Të më merr kjo erë
Seç fryn e shfryn
Jam dikund
Në strehezën tënde
Rri si e frikësuar
Nga muzgu i mbrëmjes
Duart i shtrij nga perëndon dielli
E lus
Të më bart atje
Ta puth një çast
Mallin e trazuar
Udhët e vendlindjes
Pranvera më grish
Ta marrë malin n[ë sy
Të shndërrohem në lule kopshti
Ta ndjej dorën si më këput
Aromë trëndafili të shpërndaj
Në vargun e fjalës
Zot
Mos më shndërro
Në harrim stine!

Dhimitri Kokaveshi: Dy Poezi

SI NJË TREGIM.
Si një pushtet i të pavarurit
tregim!...
Flladesh afroje 
o joshje
e shpirtit që na përkul
aq ëmbëlsisht
zjarret e tua?...Mundimeve dhe
Meditimeve
na nisin ëndrrat, m’i zgjo
jo humbjeve
as largësive engjëllore përgojuar
mes fantazive
zbrazen... epokat?!...
Humbur
si mes tregimeve e tanishmja!...
Pa veçori
të kuptuarit?... Në perceptime
të zbehta
na krijojnë vizionet?!...
Si intervalet
e afateve maten
largësive
a ka cilësi mbi të mësuarit?...
Mos u lodh dhe
mos më lodh, në tregimin
e largët
të sukseseve të ngrira
mos u rrëfe
as mos më fto mbi hapësirat
E epokave
gërmuar historive të trilluara
Nuk na joshin
as matem... dështimeve
dimërore?…
Një diçiturë diturie e ngrirë
dashurisë
me tepricë, egoizmat?!...
Njejësit
do t’i ndaloj!... Nënkuptimet
i gjej
mbi veçoritë e përpilimeve dhe
teknikave
në riprodhim të ndjenjës?...
Mbi ndjenjat
Dedikuar shpirtin, po ta lë:…
Jo hijeve
aty ku aplikon dhe replikon
nuk matem.
Nuk matem!... Mentaliteteve
dhe mjeshtërive
të pa përshkruara nuk të rrethoj.
Të rrethoj!...
Kuptimeve por jo qëndrimeve
që nuk zgjojnë
besimet?... Mbi pika prehjesh
humbjeve të lodhura
në devijime vrapoje... si meteor
i galaksis
nuk matesh!... Gjithësisë
mbi trajektoret
e shuara abstraktja?... Dhe ajo
redaktuar
mohimeve të gjetura matej
premtimeve
ku veç dyshimet lodhen
përkushtimit!...
Na mohojnë.

SOT ËSHTË DITA NDËRKOMBËTARE E POEZISË.
X
Hëna, mbuluar
sot, qielli?!...
I vranët. 
Stina, e rendomtë
pranvera!...
Na vonohej!... Sërish.
X
Të thata buzët dhe
Energjia e shpirtit
konsumuar
shprehjeve të zbehta
mendimet?... Apati.
Shenjë e cfilitur e jetës.
X
E vonët pranvera
lulet!...
Si rrema të thyera
flladeve
munguar dhe ledhatimi?...
Kohë
e dremitur furtunave!...
Më rrit.
X
Endacake jeta
ajo!...
Kooperonte mendimet
dhe zgjidhjet?....
Nuk i lë kurrë në një ditë.
X
E vështirë përshtatja
udhëve të reja
zvaritej!... Se e vrisnin.
I vrisnin udhët
dhe unë?... Konservatores
shpërfillur
Nuk mund ta mbroj.
X
Vrarë, dashurisë?...
Udhëtonte
veçse!....Farkëtimi i saj
hekur i skuqur
Më digjte!... Në shpirt. 

Tuesday, March 20, 2018

Martin Camaj: VEND I THYESHËM


- Fiseve poshtë rreth Drinit -
Mes malit Molç e Qerretit
hapet humnera deri në lumë:
si të kish qenë ajo liqe
n’barka druni palnje ishim endë
mbi të, jeremi.
Kishim ditë përmenç
emna peshku t’ambël e jo
shpendësh rrëmbyes e bimësh
t’egra.
Edhe drita e synit e kaltër
do të ishte e jo e zezë.
N’ujë kishim notue
e jo në re.

Dhimitri Kokaveshi: MADHËSHTI

Përballur,mes bukurive
shtrija
Jetën!.... Ndjesive 
të shekujve
e zgjoja, në lulëzimet
e mohuara
që provokonin
përpjekjet?... Në çaste
madhështie
dhe unë?!... Endesha
buzëqeshjeve
të fshehura, të trëmbura
Nënkuptimesh
lija, fitimtare!... Jetën
me shekujt
e ringjalljeve mbi përzgjedhjet
rendohesha
dhe përmbushja, gjendjet?!...
Si një zbulim.

Arqile Gjata: DASMA PRANVERORE



Kujtime të atyre viteve 1960-1980
Në pranverë, bëheshin dasma në Skelë(në Vlorë)
krushq e dasmorë zbrisnin valë-valë nëpër obore,
celebroheshin çiftet në pranverë,
gjithë sythet e luleve shprthenin në këngë!
Deri në det dëgjoheshin të qeshurat e nuseve
sytë e tyre ndriçonin perëndimin e hënës.
Kur vininë krushqit...(me karrocën e Hajerdin-Çamit’)
dasma fillonte e merrte frymë,
burrëroheshin djemtë e Skelës,
shtëpi më shtëpi dhëndurët
mblidhinin këngët e nuseve,
në të gëdhirë ua dhuronin yjeve
Dasmat pranverore ishin të çuditëshme...
lëndinë lulesh, aromëdegëze limoni
lulëkuqe e bajame çelura fustanet e nusërisë.
Si dëbora në majë të Çikës
gusha e tyre stolisur për djalin e zemrës,
në pranverë jehonte dashuria drejt shpirtit,
Noja’ fotografinë e çiftit bukur e pikturonte.
Mars 2018
1-Hajredini kishte një karrocë që përdorsh për të marr nuset, ose për shëtitje të çifteve të ndryshëm.Hajredin Çami jetonte tek Rruga “Perlat Rexhepi” në Skelë tek shtëpit e Sedat Seferit..po aty banonte dhe Noja-fotografi, kështu që sa herë Hajredini shkonte për të marr nuset, merte me vete dhe fotografistin...Noja, që ka ngelur në kujtesën e skelarëve, se kur i bëri një të vdekuri fotografi i tha:”qesh pak, të nxjer Noja bukur!”

Musa Jopulli: Me lotin e Rugovës sime

…me grusht qello Jupiter
burimin e lotve t’mi n’atë Bjeshkë
njerin sy n’atë anë, tjetrin në këtë anë
…në ballë Jupiter
se vetëm ti mund t’më vërbosh
Bjeshkën lëre të qetë
rrjedha e ujtë mos të ndalet
isha n’anën tënde Jupiter
Mbretëria jote paqësore
më vërboi sy e mëndje
n’Dhé nuk paska paqë
Trashegimia, Jupiter m’u shëndërrua
në ëndër të ligë
kundër gjykimit në dorën tënde
…qello Jupiter
në zemrën time
Bjeshkën lere të qetë
me gjakun dhe lotin e Rugovës sime

Monday, March 19, 2018

Zija Çela: KURTHI I PËRJETËSISË


Në mbretërinë e nëndheshme, ku qeveriste Hadi, nuk ishte hera e parë që ndodhnin veprime të ndaluara, për të cilat sundimtarit i qe dashur të merrte vendime të rrepta. Por faji që sapo ia raportuan, përveçse i pazakontë, trondiste tërë pushtetin e tij absolut. Hm, po kaloi miu një herë nëpër mustaqe, filloi të mendonte për psikologjinë njerëzore, e bën rrugë pastaj. Ai s’kishte ndër mend të lëshonte pè dhe për hir të një rebeli, që kishte shkelur mbi bujarinë e sovranit, t’u hapte rrugën shthurjeve të mëtejshme.
Në krye të muajit, sipas kërkesës në kancelarinë e mbretit, ishte paraqitur para tij një nënshtetas i errësirës, që dikur pati jetuar në Efirë, qytet në skaj të visit të Argut. Mbasi u gjunjëzua, duke shprehur përulësinë dhe bindjen ndaj Hadit, i parashtroi një lutje. Donte dy javë leje që të kthehej përkohësisht në botën e mbidheshme.
“Cila është arsyeja, çfarë halli ke?”, pyeti mbreti.
“Më ka marrë malli për time shoqe, por sidomos për tim bir, Glaukun”, u gjegj tjetri.
Nëpërmjet korrierëve që komunikonin me të gjallët, Hadi ia kishte dëgjuar zërin atij efiridi. Thuhej se për mend s’ia shkonte kush, por ishte gjithashtu dinak. Megjithatë motivi i lejes ia preku zemrën. Ishte ende mesi i verës dhe, pas mungesës që atij i dukej e pafund, vetë Hadi mezi priste kthimin e Persefonit, gruas së tij sezonale.
“E kuptoj”, tha, “edhe malli është hall, madje hall i madh.” Pastaj, si për ta përmbyllur dobësinë që po tregonte, e paralajmëroi: “Por dy javë dhe asnjë ditë më tepër!”
“As dhe një orë më tepër, Madhëria juaj!”, e siguroi nënshtetasi për besnikërinë e pathyeshme.
Mirëpo kishin kaluar nëntë ditë mbi dy javët dhe, ndonëse korrierët ia kishin kujtuar nëntë herë shkeljen e afatit, i lejuari nuk po kthehej. Ç’të bënte tani, kur edhe korrieri i dhjetë sapo ishte kthyer sërish pa të nëndheshmin rebel?! Hadi ndihej i dhunuar në pushtetin e vet dhe rrezikonte të bëhej gazi i të gjithëve. Vëllezërve të tij, Zeusit që sundonte mbitokën dhe Poseidonit që sundonte detin, nuk po u pëlqente ky lëshim liberal, që mund të çonte në lëkundje të pushtetit. I pari ishte i gatshëm ta përvëlonte me rrufe atë të pabesin, ndërsa i dyti kishte joshjen për ta mbytur në honet e nënujshme. Por prapëseprapë i përmbante respekti ndaj sovranitetit të të vëllait, të cilit bashkë me stimulin e karrotës, në atë mbretëri i përkiste edhe e drejta e shkopit.
Ndërkaq, Hadi nisi t’i krahasonte të dhënat e korrierit të fundit me ato të paraardhësve. Doli se të gjithë kishin raportuar njëlloj. Pasi kishte takuar gruan dhe të birin, ai efiridi ishte dhënë pas qejfeve dhe kaq iu ëmbëlsua jeta, sa nuk donte të kthehej kurrë më në botën e të vdekurve. Zullumqari, mendoi i nervozuar Hadi. Pastaj s’u përmbajt dhe foli me zë:
“Nuk e ditka lakmitari i babëzitur se njeriu, çdo njeri si bir njeriu, andej matanë është i përkohshëm?! Vetëm brenda kohës që i është dhënë, ai duhet të kryejë angaritë e jetës.”
Rojtari i mbretërisë, pasi lëvizi kokën me të cilën fliste, lëvizi edhe dy të tjerat, atë që lehte dhe atë që kafshonte. Qyshse e kishin gënjyer dy herë te porta kryesore, tani ishte bërë jo vetëm më dyshues, por gjithashtu më i sertë. Përbindëshi me tri koka, të cilit po i kërcisnin dhëmbët nga tërbimi, kërkoi t’i ngarkohej atij misioni për ta kthyer rebelin me dhunë. Por mbreti ia priti:
“Ç’po thua, Cerber?! Me kthimin ne do t’i dhuronim shpëtimin. Kurse faji i tij meriton dënim shembullor, dua të them kapital.”
Me gjithë ngurrimin, Cerberi i kujtoi i habitur:
“Mbret i nderuar, atij horri i është marrë një herë jeta. Si mund të ketë dënim kapital për të vdekurin?”
“Ka”, tha Hadi gjithë siguri, “rebelit do t’ia mohoj përgjithmonë mbretërinë time.”
Me gjasë, e kishte caktuar ndëshkimin. Me t’u ulur në fron, vazhdoi të grindej me tërsëllëm duke iu drejtuar besëthyesit, thua se e kishte para syve: “Këlysh bushtre, të pëlqeka të jesh i pavdekshëm si perënditë?! E po mirë, ta jap unë përjetësinë. Veçse me një kusht, që ka për ta sjellë shpirtin te hunda. Do të pendohesh atëherë, do t’i lutesh vdekjes të të marrë, por mortja ka me të përbuzë. Kërmë!”
Kështu, qytetari nga Efira e pa veten rrëzë një mali me një shkëmb të rëndë përpara. Atij i duhej ta ngjiste gurin përpjetë. Mirëpo, sapo i afrohej majës, guri i rrokollisej dhe gjithë përpjekja fillonte nga e para. Kishte ardhur stina kur syri s’të shihte gjëkundi blerim. Era uturinte dhe në qiellin e rrudhur, ndonëse ngjante më i vogël, vorbullonin retë kërcënuese. “Ç’bëhet tani në atë burgun e zi”, pyeti veten i dënuari, “është i kënaqur mbreti?” Teksa Persefoni mblidhte lule fushe, duke e dashur për grua, një ditë Hadi e grabiti. Mirëpo nëna e saj u ankua te Zeusi dhe Hadi u pajtua me këshillën e të vëllait për t’ia kthyer të bijën, veçse me marrëveshje: Persefoni do të qëndronte tetë muaj në botën e mbidheshshme dhe katër në të nëndheshmen. Përderisa natyrës i kishte rënë shkretimi i dimrit, efiridi u kujtua se në këtë periudhë vajza e Demetrës, perëndeshës së pjellorisë së tokës, ndodhej në mbretërinë e errësirës.
Pastaj kaluan vite dhe rrallë e më rrallë kujtohej për Hadin. Si të fshihnin ndonjë enigmë të pazbërthyeshme, herë-herë i ndërmendeshin fjalët e fundit të dekretit të tij, të cilin ia kishte komunikuar me gojë kryekorrieri i mbretit: “Vetëm një rrugë shpëtimi të mbetet. Dhe po e gjete, përveç çlirimit nga dënimi, bëhesh prapë i përjetshëm. Por kësaj here për t’u shpërblyer në mënyrën më bujare.”
Vallë, ku flinte lepuri? Ishte një tallje funebre apo Hadi po e shfrytëzonte këtë ngjarje, për të provuar mes njerëzve ndonjë sekret të perëndishëm? Sado nuk donte të ngarkohej me barrë të tjera, zullumqarit s’i shqitej dyshimi. Ose dekreti e saksiononte vërtet paragrafin, ose atij i kishin bërë veshët. Por kot hahej me vete, dekreti e përmbante kumtin.
* * *
Ec e ec, koha kalonte. Ai u bë shekullor dhe mundimi i gjatë e razbiti. Një pasdreke, kur po i afrohej majës së përpjetë dhe guri i mori sërish rrokullimën, kaq i pangjashëm iu duk ndëshkimi i vet, sa Sizif Eolidi i bëri thirrje së Ardhmes për t’ia ndriçuar këtë pikë. E ardhmja iu përgjigj. Diku përtej deteve iu shfaq një mal tjetër, si prej biluri të bardhë. Disa punëtorë me varé, leva e qysqi, nxirrnin blloqe nga masivi që farfurinte nën rrezet e diellit. Ndërkaq, një zevzek trupshkurtër por gjithë energji lëvizte andej-këtej nëpër gurore, duke u rënë blloqeve me çekan për t’u dëgjuar tingullin. Kishin ndonjë çarje a plasaritje nga brenda, ç’tregonte jehona?
I dënuari do ta shihte shpesh në malin e Karrarës këtë tip, veshur me këmishë të bardhë pa jakë, pantallona të zeza me kallca dhe këpucë lëkure. Kur e pa në rresht me hamejtë, mbytur në djersë dhe të kërrusur nga pesha, sepse po tërhiqnin një gur të rëndë që e kishin lidhur me litarë, murmuriti disi i lehtësuar:
“Unë s’qenkam i vetmi në këtë botë, ja ku është një Sizif tjetër!”
Blloku vertikal që po ulej nga mali, ishte gjykuar i papërdorshëm nga ustallarët e gurores. Por zevzeku nga Firence, si të donte të ballafaqohej doemos me një sfidë, vetë e kishte zgjedhur. Në çastet e vetmisë, kur po e rishqyrtonte projektin e tij, fiorentini i bëri thirrje për herë të fundit së Shkuarës. Dhe gjithë sa kishte mësuar për të kaluarën e njerëzimit, që nga burimet biblike, jehonat e mitologjisë dhe dëshmitë historike, iu rigjallëruan thekshëm në kujtesë. Por kushedi përse iu ndërmend edhe ndëshkimi i Sizifit dhe, si shumëkush, hyri në dyshime për pjesën e fundit të dekretit: “Vetëm një rrugë shpëtimi të mbetet. Dhe po e gjete, përveç çlirimit nga dënimi, bëhesh prapë i përjetshëm. Por kësaj here për t’u shpërblyer në mënyrën më bujare!”
Ekzistonte vërtet ndonjë shans që nuk i thuhej troç, por duke e kthyer në kurth, i jepej me gjuhë orakulli? Apo kishte qenë një tallje e kryekorrierit që, në inat e sipër, ato fjalë i kishte shtuar nga vetja? Vështirë të besohej se Hadi s’i kishte mbyllur të gjitha shtigjet. Por nëse ia kishte lënë hapur njërin, atëherë ai e përfytyronte Sizifin në ishullin e Eubesë, pikërisht në malin e Okit, që ishte bërë i famshëm për mermerët e bukur.
Pastaj vetë i hyri punës, sepse tërë energjinë që po i vlonte përbrenda, donte t’ia zbraste gurit sa më parë. Dhe hiq e hiq me daltë nga blloku vertikal i mermerit, nxori prej tij Davidin, siç e kishte paraparë me syrin e mendjes. Ishte figura e djaloshit që, me një hobé të thjeshtë dore, pati mundur Goliathin përbindësh.
E ku ta dish, ndoshta edhe Sizifi do ta kishte mundur Hadin me një daltë, po të kishte zgjedhur rrugën e artit. Fiorentini zevzek e dinte se ishte i vdekshëm dhe nuk lakmoi t’i bënte dredha cakut natyral. Por duke i dhënë përjetësinë gurit, asaj lëndës që i stërmundon skulptorët si ndëshkim për talentin, u bë edhe vetë i pavdekshëm.
Se kush ishte ky gjeniu, e keni marrë me mend, Mikelanxhelo Buonarroti.