Pages - Menu

Pages

Thursday, May 28, 2026

Kujtim STOJKU:PORTRETI I PANGOPËSISË

.

I. Anatomia e Llucës

Është një bishë e rëndë, një masë e ngjeshur mishi pa qafë e pa nyje, që çahet përpara si një parmendë e verbër. Mbi katër shtylla të shkurtra e të dhjamura, ajo ngjan me një trung të gjallë që zvarritet, nuhat dhe përpin gjithçka që i del para feçkës. Çdo kundërmim që i fërkohet lëkurës së fryrë, bëhet menjëherë peng i nofullave të pamëshirshme. Dhe, sapo gjen gropën e përsosur, zhytet në të me një ekstazë të shfrenuar, thuajse fetare.

Këtu s'ka vend për hijeshinë e rosës mbi ujë, as për gëzimin e çiltër të qenit. Ky është një epsh i rëndë, onanik dhe i errët; një lumturi thellësisht trupore që njeh si qiell vetëm baltën e saj. Ajo përlan, gëlltit, përtyp e llokoçit — e në këtë simfoni jargësh nuk dallon dot më nëse po ngopet apo po mbytet. Me dhjamin që i dridhet nga një kënaqësi e ndyrë, fundoset gjithnjë e më thellë në gjirin e trashë të llucës. Rënkon, mbyll sytë dhe shkrihet, si të kishte gjetur brenda asaj fëlliqësie të vetmen parajsë që meriton.

Ajo është një someliere e lindur e kalbëzimit. Shqisa e saj e përbuz aromën e luleve apo brishtësinë e frutave të freskëta. Jo. Elita e shijes së saj kërkon atë që është e rëndë, e thartuar, e ndenjur — të pjekurën deri në qelbëzim. Instinkti i pështirë dhe i pagabueshëm e lidh atë me dy themelet e pathyeshme të ekzistencës fundore: tokën dhe ndyrësinë.

Grykëse. E shthurur. E pangopur.

II. Pasqyra në Mur

Dhe megjithatë, kjo krijesë s'është thjesht kafshë. Ajo është portreti ynë i fshehtë, i varur në murin e ndërgjegjes.

Nëse jua vë përpara këtë karkasë lakmie, e bëj sepse dëshpërimisht diçka mungon në pikturën e atij iluzioni që quajmë "lumturi njerëzore". Njeriu është i paaftë të dehet me atë që ka; ai e gërmon vetë baltën e dëshirave të tij, duke u zhytur symbyllurazi pas parimit të vetëm që njeh: më shumë. Më shumë pushtet, më shumë zhvatje, më shumë mish, më shumë ar. Ai nuk rend pas së vërtetës për t'u ndriçuar, por thjesht për ta përtypur.

"Mos ia afro të vërtetës vetëm syrin," — ulërin doktrina e tij e pashkruar — "por ngjeshe pas saj gjithë trupin tënd, pa u skuqur, pa pyetur dhe pa asnjë kufi."

Dhe kështu, përmes një alkimie të mbrapshtë, lumturia metamorfozohet në lakmi, kënaqësia degjeneron në patologji dhe vetë jeta s'është gjë tjetër veçse një zhytje pafund në llucën universale.

III. Oguri Politik

Ja përse ballafaqimi me derrin s'është asnjëherë i rastësishëm; për mua ai mbetet seanca më e pastër e filozofisë politike.

Derri është emblema absolute: ai është njëkohësisht Turma dhe Pushtetari. Masivi i tij i errët të kujton kodrat e zhveshura nën stuhi. E kur dosa shtrihet mbrapsht për të ushqyer derrkucët që i kacavirren pas barkut të ënjtur, shoh metaforën e përsosur: qytete e fshatra të tëra, të varura dëshpërimisht pas sisëve të një force të verbër. Pijnë, ushqehen, dhe duke u rritur, vetëm sa e rëndojnë atë kafshë stërmadhe edhe më shumë.

Sepse "qytetërimi" i njeriut nuk bie shumë larg këtij grotesku të lyer me pak parfum. Edhe aty, nëpër sallonet e ndritura e fjalimet e gjata, nofullat e më të fortit bluajnë atë më të dobtin. Edhe aty, balta shitet për pasuri kombëtare dhe kalbëzimi maskohet bukur me thekë "zhvillimi".

Dhe nuk dua ta harroj kurrë një detaj mistik: dikur, nga gjaku i derrit, alkimistët besonin se mund të përftonin ar. Ku ta gjesh një simbolikë më therëse për thelbin tonë? Kjo është kryevepra njerëzore: ngritja e ndyrësisë në piedestal.

Monday, March 30, 2026

Kujtim STOJKU:Cikli poetik " FUNKSIONI"



 

FIGURA

 

Ai kishte emër.

Të shkurtër.

Të përdorshëm.

 

E thërrisnin shpesh,

kur duhej një firmë

që të mos dukej si firmë.

 

Vinte herët në zyrë,

sepse muret dëgjonin më pak në mëngjes.

 

Karrigia e priste.

E njihte.

I ruante formën.

 

Ulej

dhe merrte të njëjtën shprehje çdo ditë,

si një kostum që ngjitet mbi trup.

 

Në tavolinë kishte dosje,

por ato nuk hapeshin për të lexuar—

hapeshin për të kaluar.

 

“Procedurë”—thoshte,

dhe fjala bëhej urë

për gjëra pa emër.

 

Njerëzit hynin një nga një,

fytyra që kërkonin përgjigje.

Ai nuk i shihte gjatë—

mjaftonte pesha e tyre në prag.

 

Disa flisnin shumë.

Disa fare pak.

Ai i dëgjonte të gjithë njësoj:

si zhurmë që duhet rregulluar.

 

Kur ngrinte kokën,

nuk shikonte njeri—

vetëm vendin ku do të vendosej vendimi.

 

Jashtë, qyteti lëvizte.

Brenda zyrës, koha rrinte në këmbë.

Ora nuk ecte—ajo përsëriste.

 

Në mur, një hartë varej drejt,

por vijat e saj nuk ishin fikse.

I prekte me sy si plastelinë.

 

“Do rregullohet”—thoshte,

fjalia mbetej pezull.

 

Një ditë, një burrë nuk foli fare.

Ai ngriti sytë për pak më shumë se zakonisht—

dhe për një çast

nuk dinte çfarë të bënte me heshtjen.

 

Pastaj firmosi.

Gjithmonë kishte një fund:

një vulë, një datë, një dalje.

Por asgjë nuk mbyllej.

 

Në fund të ditës, ai fikte dritën

dhe linte gjithçka në vend—

si të nesërmen të mos vinte ai,

por diçka tjetër

me të njëjtën dorë.

 

Pa e ditur, ai kishte filluar të zhdukej

Dhe nga përdorimi i vetes.

 

 

FUNKSIONI

 

Në të vërtetë

ai nuk ka emër—

është funksion.

 

Bora bie prej tij,

gurët mbajnë peshën.

Harta paloset sipas frymëmarrjes së tij.

 

Ai nuk shihet,

por çdo gjë mban formën e tij.

Unë nuk kërkoj stinë—

ai i ka arkivuar.

Në vend të tyre

lëshon një verë të egër

që rritet si urdhër në gjak.

 

Pylli zhvendoset kur ai pulson—

rrënjët mësojnë të ecin, pa e ditur pse.

Drita zbret si firmë,

livadhet dridhen nën të,

dhe hijet

marrin trajtën e dëshmive të pranuara.

 

Kufijtë?

Ai i fryn si mushkëri të sëmura—

pastaj i shfryn,

dhe askush nuk mban mend formën e tyre.

Koha i përket atij.

Ajo nuk kalon—ajo i bindet.

 

Një dimër i vetëm ruan hyrjen e tij,

por hyrja nuk hapet—të mëson vetëm të presësh.

Zërat që paralajmërojnë

janë nervat e tij,

dridhen brenda nesh

dhe ne i quajmë mendime.

 

Pastaj—ai shkrin.

Jo botën, por dallimin.

Dëbora bëhet shkumë,

shkuma bëhet dije,

gabimi që ai e përsërit me qetësi.

 

Ne dimë vetëm atë që ai lejon të harrohet.

Një gjethe del—ai e përkthen.

Një lule çel—ai e riformulon.

Filizi nuk rritet—ai miratohet.

 

Gënjeshtra nuk lind—ajo shpërndahet prej tij,

si ajër që nuk shihet por hyn në çdo mushkëri.

Historia nuk është kujtesë—është qarkullim.

Ajo kalon përmes tij,

dhe del ndryshe nga çdo hyrje.

 

Ngjashmëria—metoda e tij:

fytyrat bëhen funksione,

zërat bëhen jehonë pa burim.

Rruga nuk ekziston—ai të lëviz mbi vete

dhe ti e quan ecje.

 

E shkuara është depo e tij,

e ardhmja—një stok që pret shpërndarje.

“E mira”—thotë—nxjerr një formë të paqartë

që ne e pranojmë sepse nuk dimë më dallimin.

 

Koha shpërndahet prej tij si një mall i padukshëm.

Dhe ne, të huaj për veten, mbetemi në përdorim.

Kur pyesim për nesër, ai na jep një reflektim që nuk na përket.

 

Sythi nuk është fillim—është test.

Dhe historia—ajo nuk tregon:

aj kontrollon nëse ai ende funksionon.

 

Në të vërtetë,

asgjë nuk ka ndodhur—

vëtëm ai vazhdon.

 

 

PASOJË

 

Koha nuk kalon.

Vetëm shtrihet, si hije pa trup.

 

Njerëzit ecin mbi rrugë të zhveshura

dhe nuk dinë se çfarë po lëvizin.

Fytyrat janë fon,

zërat—eko që nuk përgjigjen.

 

Në çdo derë

ka vetëm një dorezë që nuk hapet.

Në çdo syth

ndodhet një pasqyrë që nuk reflekton.

 

Gjethet nuk bien më.

Lulja nuk çel.

Filizi është vetëm ide.

 

Bora nuk zbret; ajo firmos.

Gurët nuk peshojnë; ata regjistrojnë.

 

Çdo hap është i përdorur,

çdo frymë është arkivuar.

Nuk ka më “unë”,

vetëm përdorim i vetëdijshëm

që nuk e di emrin e vet.

 

Hijet nuk bien mbi tokë,

ato bien mbi njëri-tjetrin

dhe bëhen raport.

 

Një verë e egër rritet ende,

por është e përzier me të kaluarën

dhe nuk ka shije tjetër

përveç urdhrit të tij.

 

Koha shpërndahet në copa të vogla,

si mallra që nuk mund të ribashkohen.

Historia nuk tregon më;

aj përsërit vetëm gabimin

dhe e çon përpara.

 

Dhe ne,

të huaj për veten,

jemi thjesht dëshmi.

Në përdorim të përhershëm.

 

Sythi nuk është fillim.

Sythi është provë.

Në çdo provë, ai kontrollon:

nëse funksionon, gjithçka vazhdon.

Nëse dështon, asgjë nuk ndodh.

 

Në të vërtetë,

askush nuk jeton

në këtë botë.

Vetëm Funksioni

është i gjallë.