Thursday, May 28, 2026

Kujtim STOJKU:PORTRETI I PANGOPËSISË

.

I. Anatomia e Llucës

Është një bishë e rëndë, një masë e ngjeshur mishi pa qafë e pa nyje, që çahet përpara si një parmendë e verbër. Mbi katër shtylla të shkurtra e të dhjamura, ajo ngjan me një trung të gjallë që zvarritet, nuhat dhe përpin gjithçka që i del para feçkës. Çdo kundërmim që i fërkohet lëkurës së fryrë, bëhet menjëherë peng i nofullave të pamëshirshme. Dhe, sapo gjen gropën e përsosur, zhytet në të me një ekstazë të shfrenuar, thuajse fetare.

Këtu s'ka vend për hijeshinë e rosës mbi ujë, as për gëzimin e çiltër të qenit. Ky është një epsh i rëndë, onanik dhe i errët; një lumturi thellësisht trupore që njeh si qiell vetëm baltën e saj. Ajo përlan, gëlltit, përtyp e llokoçit — e në këtë simfoni jargësh nuk dallon dot më nëse po ngopet apo po mbytet. Me dhjamin që i dridhet nga një kënaqësi e ndyrë, fundoset gjithnjë e më thellë në gjirin e trashë të llucës. Rënkon, mbyll sytë dhe shkrihet, si të kishte gjetur brenda asaj fëlliqësie të vetmen parajsë që meriton.

Ajo është një someliere e lindur e kalbëzimit. Shqisa e saj e përbuz aromën e luleve apo brishtësinë e frutave të freskëta. Jo. Elita e shijes së saj kërkon atë që është e rëndë, e thartuar, e ndenjur — të pjekurën deri në qelbëzim. Instinkti i pështirë dhe i pagabueshëm e lidh atë me dy themelet e pathyeshme të ekzistencës fundore: tokën dhe ndyrësinë.

Grykëse. E shthurur. E pangopur.

II. Pasqyra në Mur

Dhe megjithatë, kjo krijesë s'është thjesht kafshë. Ajo është portreti ynë i fshehtë, i varur në murin e ndërgjegjes.

Nëse jua vë përpara këtë karkasë lakmie, e bëj sepse dëshpërimisht diçka mungon në pikturën e atij iluzioni që quajmë "lumturi njerëzore". Njeriu është i paaftë të dehet me atë që ka; ai e gërmon vetë baltën e dëshirave të tij, duke u zhytur symbyllurazi pas parimit të vetëm që njeh: më shumë. Më shumë pushtet, më shumë zhvatje, më shumë mish, më shumë ar. Ai nuk rend pas së vërtetës për t'u ndriçuar, por thjesht për ta përtypur.

"Mos ia afro të vërtetës vetëm syrin," — ulërin doktrina e tij e pashkruar — "por ngjeshe pas saj gjithë trupin tënd, pa u skuqur, pa pyetur dhe pa asnjë kufi."

Dhe kështu, përmes një alkimie të mbrapshtë, lumturia metamorfozohet në lakmi, kënaqësia degjeneron në patologji dhe vetë jeta s'është gjë tjetër veçse një zhytje pafund në llucën universale.

III. Oguri Politik

Ja përse ballafaqimi me derrin s'është asnjëherë i rastësishëm; për mua ai mbetet seanca më e pastër e filozofisë politike.

Derri është emblema absolute: ai është njëkohësisht Turma dhe Pushtetari. Masivi i tij i errët të kujton kodrat e zhveshura nën stuhi. E kur dosa shtrihet mbrapsht për të ushqyer derrkucët që i kacavirren pas barkut të ënjtur, shoh metaforën e përsosur: qytete e fshatra të tëra, të varura dëshpërimisht pas sisëve të një force të verbër. Pijnë, ushqehen, dhe duke u rritur, vetëm sa e rëndojnë atë kafshë stërmadhe edhe më shumë.

Sepse "qytetërimi" i njeriut nuk bie shumë larg këtij grotesku të lyer me pak parfum. Edhe aty, nëpër sallonet e ndritura e fjalimet e gjata, nofullat e më të fortit bluajnë atë më të dobtin. Edhe aty, balta shitet për pasuri kombëtare dhe kalbëzimi maskohet bukur me thekë "zhvillimi".

Dhe nuk dua ta harroj kurrë një detaj mistik: dikur, nga gjaku i derrit, alkimistët besonin se mund të përftonin ar. Ku ta gjesh një simbolikë më therëse për thelbin tonë? Kjo është kryevepra njerëzore: ngritja e ndyrësisë në piedestal.