Tuesday, May 14, 2024

Cikël poetik nga Shejmondë Pacarada

 

AUTOCHTHONOUS

 

Dhe erdhi çasti

e vërteta shpërtheu vrullshëm

Hapësirës pa krah

Shkëlqeu…


Dhe në syt e botës u pa,

Ajo që fshihej

Petaleve të historisë

Plagë, ndër shekuj e gërvishur.

Lulëzoj sonte

Qiellit pa re…

U shtrua pa zë…

Dhe qielli u hap nga një dritë

Dhe zbriti vet Perëndia

Na dha frymë dritë e shpirt

Përjetësisht

“Të na rroj Shqiptarija “


Autochthonous në rrënjë e dej

Buçitën lart ca zëra stinësh

Për Shqiponjen që e kem diell

e kem rrahje

n’ zemër të origjinës.

 

 

E HUAJ S’ JAM

E huj s’jam o tokë

Edhe pas ikjes

Gjurmet e mia i mbajte ngrohtë…

Edhe kur thundra e gjaksorit i shtypte

Dhe errësira i përpinte

Për mua …

Ti hape një shteg të mbijetoj.

E huaj s’ jam

Ti më njeh dhe zërin

Agimeve të bardha këndoja me lahutë

Dhe thirrje lirisë i bëja…

Ngjallja krahë

Mbi shpresat e thyera.

Jo! E huaj s’ jam

Ja dhe kroi ku kam pirë ujë

Ku kam shuar

Etjen e buzës sime,

Ku kam shuar…

Lëngimet e gjuhës së plagosur…

Ja dhe stoli ku jam ulë,

Në shkollen e vjetër…

Ku dielli prehej në xhamin e thyer

Dhe vjedhurazi

më përkëdhelte në fytyrë…

Ja dhe buka që pjekej në hi

dhe rrëmbehej me dhunë nga dorë e huaj

Dhe ti ngelje në uri

Pa diell, pa dritë, pa sy …, o e uruar!

Nuk jam e huaj o tokë

Ja dhe varri i gjyshit

Që thika tinzare e preu në gjoks,

Se dashurinë për atdheun e mbante aty mbyllur.

Ja dhe lotët e nënës

Që dhembje plagësh shëruan…

Ja dhe qielli i lavdisë

Ku mijra yje u prehën

Nën dritën e madhështisë…

Jo e huaj s’ jam…

Edhe pse mëkatarët

Gjuhën ma lidhën në nyje

Unë sërish belbëzova me fuqi shpirti…

Ujita Bozhurin me gjakun tim.

E huaj s’ jam…

Edhe pse prej kohësh e vdekur (larg)

Unë sërish të buzëqesh

Sërish le gjurmë të reja

Mbi trupin tënd,

Sërish në grusht kam dheun tënd.

Andaj më mbaj në gji

E ardhmja këtu më pret

E huaj s’jam o tokë…

Jam bija jote e vërtet.

 

LEGJENDA E DASHURISË

Eja

në heshtjen e kësaj nate

të thurim legjendën e dashurisë

t’i ndezim kujtimet,

t’i magjepsim dallgët e errëta

ta tundim botën

në epshin e dashurisë.

 

Eja … Më sill dhe sytë e tu

që çdo ditë ne mua

mbollën jetë,

dhe në rreze dielli u shndërruan…

Më sill ëndrrat

me epsh dashurie gufuar…

Më sill këngët,

dallgëve të jetës bashkë kënduar,

më sill buzëqeshjet

mëngjesesh me vesë zgjuar,

më sill puthjet e netve pa fund…

Më sill të nesërmen, me ëndrra lumë…

Më sill mbrëmjet buzë lumit

me grimca hëne shijuar,

më sill lumin e kujtimeve

epsh shpirtit gufuar…

Më sill gjithë ato çaste të pavdekshme

me yjet në qiell vallzuar

etjen e dashurisë

sonte për ta shuar.

 

Oh eja, eja, ti e mos vono

se edhe nëse, sonte vdes

ngërthyer në përqafimin tënd…

s’ ka gjë!

në qiell do na bartin

krahët e pavdeksisë

dhe gjithnjë do rroj

e jona … Legjendë e dashurisë

 

DASHURIA E JONË

Dua të ngjitem sa më lart

si shqiponje e lirë, qiellit

dhe nëse këmbë humbur nga toka në hapsirë

te ti do vij, me shkëlqimin e diellit.

Dhe nëse në grimca, shndërruar

do ngjitem sërish lart, shkëlqim yjesh t’ fal

një ndjenjë shpirti do shpërthej

me ty zemra kurre s’do ndal.

Dhe në gjumë, ëmbël ëndrron dashurinë

në të emblat dallgë do jem unë,

krahë flutur  zbritur

buzëve shuar etjen, syve trishtimin

frymë ëmbël do zgjohet, dhe shpirti yt i

uritur!

Dhe nëse mbi zjarr të ndezur shkel,

dhe në drite yjesh, shndërrohesh vetë

do ta kuptosh, se dhe në ëndërr

kjo dashuri e jonë është e vërtet.

 

DUA TË KTHEHEM

Jam degë e thyer, nga pema familjare,

nga pema e Ilirisë

e rrëmbyer furishëm

nga dallgë e mërgimit,

nga stuhit!

Bartem …, e humbur

detrave të huaj , oqeaneve,

qyteteve të murgëta pa dritë…

Pa djell, pa hënë, pa yje…

Ku vallja e jetës s’të shijon dot…

Nga hapa të huaj ngërthyer!

Dua të kthehem

kështu si’ç jamë,

degë e thyer, e tharë,

pa gjethe…

Nga gjetet e mia 

Tokat e huaja, bleruar

Shpirti nga etja për ty …

Më është vrarë e dërmuar!

Dua t’i kthehem pemës sime Ilirie,

Si yll i thyer, ti varem degës së saj

të strehohem nën krah shqiponje

ku folen ngritur ka,

shumë shekuj me parë,

si nje zog i saj të frymoj

dhe zëri im 

bashkë, me zë lahute të jehoj…

Po, dua të kthehem

aty, ku dielli buzëqesh ndryshe

dhe hëna ëmbel të flet,

ku pranvera, natyrës i mvishet,

si pelerinë e blertë …

ti kthehem luginave, shpatit

brigjeve, ku mësova hapat e parë,

ku dashurova…

ku mora , puthjen e parë,

ku shushurim shiu te shuan etjen

e me emër të rritë!…

Ku dhe era te përgdhel… ëmbël

dhe në vesh të pëshpërit

“Ktheju, bij, ktheju, trungut ku ke lind.”


E ARDHMJA E VJEDHUR

A thua , ka dhembja emër.

Ne këtë natë të pa fund trishtimi

Ku heshtja loz valle, e s’pushon dot!

A ka fund tmerri, frika, humbja

Kur nën hijen e vdekjes jeton!…

Kthej kokën prapa ,

Kujtimet e ëmbla më flasin

Dhe ndjej mall,

Për mbrëmjet me yje,

Për ditët me djell,

Për vatrën e dashurisë

Plot zjarr…

Tani,

Nata më është lidhur nyje

E errëta

Muret mveshur ka,

Dhe tiktaku i orës ndalur

Mbi oxhakun e shuar pa zjarr

Asgjë nuk hec…, asgjë nuk frymon!

E ndjeni dhe ju ? …

E ardhmja, na është vjedhur

Sa dhembje, sa mall…!

Karantinë 24.11.2020

Londër