Showing posts with label filozofi. Show all posts
Showing posts with label filozofi. Show all posts

Thursday, August 13, 2020

Kujtim STOJKU: PËRSE SHKRUAJMË!

Është një nga pyetjet që i bëhet çdo kujt që ka marrë penën dhe është ulur për të shkruar, dhe më së fundi boton një libër, dy tre etj. Ajo që më nxiti që të ulesha e të hidhja në letër këto mendime do të ishte nxitja që do të më jepte libri i filozofit të madh Artur Shopenhaur, “BOTA SI VULLNET DHE SI PËRFAQËSIM”.

Pas një analize të mprehtë filozofike që bën ky filozof i madh, është e pamundur që të mos biesh në mendime. Dhe ajo pyetje që të kanë bërë pasi mund të kesh botuar dy - tre shkrime, një libër, të pyesin se ti patjetër ke fituar shumë, tashmë ia hodhe, të lumtë se paske qenë i zoti. Por, kur ti i përgjigjesh sinqerisht, shokut ose mikut se për fitim as që bëhet fjalë, ai atëherë të drejtohet me pyetjen: 

 - Po përse shkruan?

 Ti hesht për të gjetur përgjigjen e duhur, ose nuk përgjigjesh fare duke mos ditur se si t`i përgjigjesh atij që të pyet. Kurse ai pa të thënë asnjë fjalë mendon: " I ziu ai, mbeti tralala tërë jetën, dhe ato pak para që mund t`i kishte për ndonjë ditë zezë, i bëri rrush e kumbulla për përrallat e tij që askush nuk ia lexon, e pa le më t`ia blejnë".  Kurse ti rri i heshtur, e dëgjon me vëmendje dhe i lexon pyetjen që të bën duke nxjerrë në pah atë që ai nuk ta ka shprehur. Ai nuk e di, se derisa është botuar ai libër, mbi autorin janë turrur si hijenat që t`i thithin edhe pikun e fundit të gjakut për të mbushur xhepin e tyre. Natyrisht që këtu nuk kemi mendimin se libri duhet të botohet falas, autori është i vetëdijshëm për ekonominë e tregut dhe për këtë çdo gjë e merr parasysh.

Por në të vërtetë përse shkruajmë? Po autorët e mëdhenj që nga lashtësia, çfarë i detyronte të shkruanin? Me thënë të drejtën mendoj se është e vështirë që të japësh një përgjigje të saktë.

Mendoj se kemi dy lloj autorësh, ata që shkruajnë për një  temë të  caktuar, dhe ata që shkruajnë për hir të shkrimit. Në grupin e shkrimtarëve të parë mendohet se bëjnë pjesë ata që kanë një përvojë, të cilët  kanë nevojë që të komunikojnë me të tjerët, dhe se mendimi i shprehur duke shkruar është i vlefshëm. Në grupin e dytë bëjnë pjesë ata shkrimtarë që duan të fitojnë dhe shkruajnë për para.

Pasi me mundime mund të kesh botuar një libër, pyetja e parë që të bëjnë është se sa para fitove? Shikojeni me kujdes, kur të pyesin gjithmonë të pyesin për para, dhe nëse ti u përgjigjesh se ke fituar, atëherë do të dëgjosh lajka deri në serivlizëm që të neverisn. Kësaj analize nuk mund t`i shpëtojë edhe marketingu që i bëjnë shtëpitë botuese ndonjë libri “Best Seller”, pra libri më i shitur, dhe jo se çfarë përmban ai. Në fakt këto botime janë të shumtë. Ata që shkruajnë për para, zakonisht u thonë edhe se për çarë të shkruajnë, dhe ata fillojnë të shkruajnë duke i tjerrë mendimet në gjatësinë më të madhe të mundshme. Por mënyra se si ata i përpunojnë mendimet janë gjysmë të vërteta, të çoroditura sepse të kanë detyruar të shkruash, dhe jo se këtë punë e ke bërë me dëshirë, me pasion, e prandaj edhe vetë autori i këtij grupi për ato që shkruan është mëdyshës, por nuk duhet të harrojmë se ata duan ta shmangin këtë në mënyrë të tillë që trilli të duket si i vërtetë. Kjo është edhe arsyeja që vepra e tyre del e paqartë.

Pra, është shumë e thjeshtë për ta kuptuar se ata shkruajnë vetëm për të mbushur fletën e bardhë. Këtu është rasti të përmendim edhe autorë të njohur si Lessingu apo ndonjë tjetër. Ne do t`u referohemi autorëve të vjetër pa pasur qëllim që të lëndojmë asnjë autor të sotëm që shkruan. Biles për këtë ne i inkurajojmë që ai të shkruajë me pasion me talentin që i ka dhënë natyra duke e vënë veprën e tij në shërbim të kombit vet dhe popullit që i përket. Këtu, nuk do të përjashtojmë as gjinitë e tjera fantastiko - shkencore, e shumë e shumë të tjera.Sa më shpejt të konceptohet kjo aq më mirë është, sepse ky libër që nuk ka një temë, pra, është shkruar vetëm me qëllimin për të fituar, ky libër do të flaket tutje për të mos e harxhuar kohën kot sepse koha është shumë e çmuar. Në të vërtetë një autor i tillë që shkruan vetëm që të mbushë fletët e bardha e mashtron lexuesin, sipas preteksit të tij se ai ka diçka për të thënë. Të shkruash për para, dhe ruajtja e të drejtave të autorit është një shkatërrim për letërsinë1. Por një njeri që merr penën e ulet të shkruajë duhet të zgjedhë temën dhe është i ndërgjegjshëm se kjo temë është e vlefshme të shkruhet. Nëse do të mendohej që të punohej kështu, do të kishim një epërsi të pallogaritshme të letërsisë në çdo degë të saj, dhe si rrjedhim ne do të kishim vetëm libra të shkëlqyeshën dhe asnjë të dobët ku kritikët do të mbeteshin të papunë se s`kanë me çfarë të merren. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë për aq kohë sa paratë të fitohen duke shkruar. Këto djall parash duket sikur janë të nëmura duke mallkuar çdo autor që shkruan për të fituar para, kjo ata i shkatërron.  Veprat më të mira të burrave të mëdhenj janë shkruar në atë kohë kur u është dashur të shkruajnë për asgjë, ose janë paguar aq pak sa kanë mbajtur shpirtin gjallë. Këtu të kujtojmë shkrimtarin e madh rus, Dostojevski, shkrimtarin e madh amerikan Xhek London etj. Kjo na bën të kujtojmë një fjalë të urtë që thotë se: “Nderi dhe paratë nuk mund të rrinë në një kuletë”. Duke parë shumë botime, ku që në fillim të librit me gërma ari shkruhet “Best Seller”, pra më i shitur, ku në kapakun e fundit të kopertinës jepen sasia e shitur e këtij libri, atëherë me plot të drejtë mendojmë se letërsia e ditëve të sotme është në ditët më të mjeruara të saj. Këtu nuk po flasim për Shqipërinë, por kemi parasysh vendet e zhvilluara perëndimore që edhe ata kanë arritur deri në këtë pikë. Dhe kjo gjendje e mjerushme ka vetëm një arsye që ka ndodhur, këto libra janë shkruar vetëm vetëm për të fituar para. Çdo kush që do të fitojë para, ulet dhe shkruan një libër dhe publiku që është aq shumë budalla shkon e blen atë. Këtu nuk kemi qëllimin të themi se librat nuk duhet të shiten. Dhe ajo që është dytësore, por në fakt është aq e rëndësishme se këto që thamë më sipër po shkatërrojnë gjuhën. Kjo me të vërtetë është e tmerrshme. Sulmet ndaj gjuhës sonë të shenjtë u janë turrur me një egërsi të paparë që ta shkërrmoqin. Dhe kjo vjen nga disa gjysmë anlafabetë që krekosen me kartona diplomash që nuk kanë asnjë vlerë. Këto personazhe ne sot i kemi kudo, në administratën shtetrore, në bizneset që ata kanë në lidhje me pushtetin, e në shumë vende të tjera. Ata kanë një babëzi të tmerrshme sa duan të fitojnë në çdo pikë dhe presje.

Një numër i madh autorësh të këqinj e pranojnë tërsisht ekzistencën e tyre nga një publik i marrë të cilët lexojnë vetëm atë që është botuar. Unë këtu nuk harroj as gazetarët të cilët kur kanë shkruar për librat, megjithëse rrallë shkruajnë, por kur shkruajnë shkruajnë ashtu siç duhet. Kushedi të shkretëve sa herë mund t`ua kenë kthyer mbrapsht atë shkrim për librin e sapo botuar. Me fjalë të tjera do të thoshim se ai në këtë rast është një argat ditor. Kushedi sa i është dashur të shkruante për një libër të sapo botuar, e që shefit të tij as që i intereson.

Por le t`i kthehemi pyetjes që e kemi edhe si titull të kësaj eseje, atëherë përse ne shkruajmë?

Nëse nuk gabohem, mendoj se kemi tre lloj autorësh. Të parët shkruajnë pa u menduar fare. Ata shkruajnë çfarë kujtojnë duke hedhur mbi letër kujtimet e tyre, apo duke u mbështetur direkt ne librat e autorëve të tjerë. Kjo kategori është edhe më e madhe. Në të dytën janë ata që mendojnë kur shkruajnë. Ata mendojnë të shkruajnë sipas një rregulli të caktuar duke shfaqur individualitetin dhe stilin e tyre. Në grupin e tretë bëjnë pjesë ata autorë që më parë mendojnë se çfarë do të shkruajnë para se të ulen para kompjuterit ose letrës së bardhë. Këta autorë mendojnë se duhet shkruar, dhe këta janë më të rrallët.

Autorët e grupit të dytë e zgjasin mendimin derisa fillojnë e shkruajnë, ata janë si ai sportisti amator që shfaqet rastësisht që megjithëse fiton një garë nuk merakoset shumë se merr apo nuk merr një medalje. Ndërsa autorët e grupit të tretë janë të rrallë sepse ata e ndjekin lojën deri në fund gjë e cila i bën për vete, të cilët bashkëpunojnë si në një rreth të mbyllur që më pas vjen e zgjerohet duke i bërë më të lirë për aq kohë sa ai fillon e mbyllet përsëri ku asnjëri nga ata nuk ka mundësi të ikë, dhe sportisti në këtë rast nuk ka asgjë tjetër përveçse duke mbledhur të gjithë energjitë sëbashku me pasionin t`i shkojë lojës deri në fund. Pra, ai vendos që t`i hedhë mendimet në letër. Ky është njëlloj sporti që edhe mund të të japë diçka.

Por ky grup autorësh që në fillim mendojnë e pastaj ulen të shkruajnë është shumë i vogël, dhe shumë pak prej tyre mendojnë për temën, kurse pjesa tjetër mendon vetëm për librat e menduar për këtë temë dhe ato që kanë thënë të tjerët. Që ata të mendojnë, duhet të kenë një nxitje të fuqishme të drejtëpërdrejtë të njerzëve të tjerë që kanë prestigjin dhe autoritetin në artin e të shkruarit. Mirëpo, këta njerëz bëhen tema e dytë e radhës, dhe për këtë arsye ata duke i përsëritur shpesh mbesin gjithmonë nën ndikimin e tyre, dhe asnjëherë nuk janë në gjendje të shprehin mendimin e tyre original siç e mendojnë. Kurse të parët mendojnë vetëm për temën, prandaj edhe mendimi i tyre drejtohet ndaj saj. Vetëm midis këtyre ne do të gjejmë autorë të cilët janë të pavdekshëm. Që të flasim drejt, fjala këtu është për ata shkrimtarë që në asnjë mënyrë nuk mund t`i heqë letërsia.

Shkrimtari i vërtetë, materialin që shkruan e ka produkt të mendjes së tij dhe prandaj ia vlen që të lexohet. Kurse shkrimtarët e historisë e marrin materialin e tyre drejtpërdrejt nga librat. Ata, shkruajnë pa u menduar shumë me kokën e tyre si shkrimtarët e letërsisë, dhe për këtë arsye nuk thonë asgjë të hollësishme. Por natyrisht që këtu vetvetiu na del një pyetje se: Sa i ditur mund të jetë ai njeri nëse do t`i dinte të gjitha ato që ka shkruar në librat e tij? Prandaj bisedat e tyre janë të paqarta sa dikush tjetër e mundon veten krejt kot për të gjetur se çfarë ka menduar ai në të vërtetë. Prandaj nuk duhet lodhur shumë me këto njohuri që kanë shekuj që janë krijuar. Ato, duhet të merren ashtu siç janë dhe të vazhdohet para duke sjellë ide të reja.

Nga fletorja e shënimeve.

Vijon



Thursday, June 14, 2018

Prend BUZHALA: DUKE QENË SA MË SHQIPTAR, AQ MË SHUMË LARGOHEMI NGA ORIENTI


( DyKundrime)
Sa herë u dashka ta vonojmë historinë? Duke qenë sa më shqiptarë, aq më shumë largohemi nga Orienti. E vonuam gjatë pushtimit e sundimit shumëshekullor të Perandorisë otomane, me dashurinë ndaj formës më të lartë perandorake të vatanit që quhej otomanizëm; mbikombit otoman duhej flijuar kombin shqiptar. 
1.
Të habitshme këto aleancat historike ballkanike, që na shfaqen me fytyrë antishqiptare, herë me fytyrën greko-sllave, duke ia afishuar asaj trashëgiminë arbërore shqiptare që nga arbërorët, Voskopoja, Dhanil Haxhiu, Theodor Kavaljoti e deri te Naum Veqilharxhi e këndej, për ta mohuar këtë trashëgimi si greke; akuzat e tilla vijnë si nga krahu i zërave shovinistë grekë, si nga ai oriental turko-arab! E pra, na shfaqet dhe me fytyrën turko-arabe, dhe, jo rrallë, si tani, me fytyrën orientale-sllave-greke!
Madje, pikërisht ngjarjet e figurat emblematike shqiptare të shk XX, që i dhuruan energji të pashtershme vlerash intelektuale e jetësore identitetit europerëndimor shqiptar, si Naimi, Samiu, Konica, Midhat Frashëri e deri te Kadare etj sulmohen si "masonë" të Perëndimit! Vetëm për ta mbrojtur orientalizmin shqiptar.
E vonuam historinë duke e paraqitur trashëgiminë tonë si greko-sllave!
2.
E vonuam historinë, duke zgjedhur si aleat historik Moskën, Beogradin dhe Pekinin, për inat të Perëndimit! E ku, nën lëkurën ideologjike, fshihej tigri i dikurshëm aziatik. Dikur u zgjodh izolimi totalitarist. Ky izolim i tillë socialkomunsit, sot na shfaqet në horizont, me pamjen e një frustrimi të ndrydhur psiko-historik, me histeritë e djeshme komuniste, që na e vonuan historinë gati për një shekull. Tulatja e protagonistëve të regjimit komunist nën strehën e demokracisë, kur nuk e ka mirë aty, gjen azilin e vet ideologjik te orienti (sulmet kundër Skënderbeut dhe Nënës Tereze; kur dëshiron të paraqitet me "fytyrë shqiptare" të "unitetit kombëtar", gjen strehim tek sulmet kundër "Evropës shtrigë", kundër Vatikanit dhe kundër identitetin europerëndimor shqiptar. Një krah i tulatur brenda këtij gjiri, e do "identitetin evropian", por pa përkatësinë e mirëfilltë shqiptare europerëndimore. Duke shkuar më tutje: e duan pa Skënderbeun dhe pa Barletin, pa Bogdanin dhe pa Fishtën, pa Nënën Tereze dhe historinë e krishterë ndër shqiptarë. Për inat të Vatikanit.
Vatikani nuk e ka pranuar kurrë asnjë sundim të huaj mbi trojet shqiptare...
Serbi Vojislav Sheshel është i akuzuar në Hagë për krime lufte e gjenocid ndaj kombeve tjeran nën ish Jugosllavi. Në gjykimin e Sheshelit në Hagë; vetë Sheshel atje ka thënë që në bankën e të akuzuzarve duhet të jetë kreu i Vatikanit, sepse e ka shkatërruar Jugosllavinë dhe Serbinë; Sheshel ka shkruar këto vepra kundër Vartikanit, kundër Bashkimit Evropian dhe kundër gjermanëve e kroatëve etj: "Vatikan, glavno Satanino gnezdo" (“Vatikani- çerdhja kryesore e Satanës” - 2006, në 1000 faqe), ku e akuzon Vatikanin për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë), "Rimska kurija vecito cedna srpske krvi" (“Kuria e Romës, përjetësisht e etshme për gjakun serb”), "Evropska unija, satanisticka tvorevina" (“Bashkimi Evropian, krijesë satanike”), "Vatikanski antisrpski instrument Franjo Tudjman" (“Instrumenti vatikanas antiserb Franjo Tugjman”) dhe "Hitlerovi najverniji sledbenici Helmut Kol i Hans Genser" (“Trashëgimtarët më besnikë të Hitlerit, Helmut Kol e Hans Gensher”).
Nuk kemi nevojë të bëhemi sheshelianë në emër të një uniteti mohues e fiktiv kombëtar.
Nuk kemi nevojë që edhe njëherë ta vonojmë historinë.
Po e përsëritim: duke qenë sa më shumë shqiptarë, aq më shumë largohemi nga Orienti.
Barrikadimet ideologjike komb-mohuese, që na ndodhën pas luftës në Kosovë, nuk na duhen...

BIZANTINIZMI YNË POLITIK,
OSE USHQIMI I XHENETIT A LUTJA PARAJSORE NË RRUGË
(Kundrime, pjesa e parë)
Ç’është bizantinizmi?
Bizantinizmi, sot: në kuptimin pezhorativ, fyes, paraqet një sjellje hipokrite apo arrogante.
Bizantinizmi dje: ishte sistem i perandorisë lindore, ku pushtetin e pakufizuar e kishte sundimtari që merrte në dorë edhe frenat e politikës, edhe atë të fesë dhe kishës. Ishte edhe sundues i kishës edhe sundues i shtetit. Kurse i gjithë stafi i tij kishte duar të lira të vepronte e ndikonte në të gjitha çështjet e rëndësishme shtetërore e fetare.
Në antikë bizantinizmi ishte krijuar si opozitë e kundërvënie mënyrës së sundimit e qeverisjes romake: s’ka më zgjedhje të senatit, s’ka më zgjedhje në të gjitha nivelet, s’ka më "cursus honorum". Pushteti shndërrohet në oligarki e absolutizëm.
Porf Krist Maloki që më 1937 shkruante:
“Është gabim kur thuhet se Lindorizma na ka ardhur fillimisht nga Azia, apo nëpërmjet fesë mohamedane, apo edhe nga populli turk. Jo kurrsesi, Lindorizma e jonë është një dhanti fatale e krishterimit euro-aziatik.Ne shekullin VIII, aty kah viti 740 e.s., do me thanë 600 vjet para se me shkelë turku në Atdheun tonë, Shqipëria u bë province e Bizantit, nën Leonin III. të quajtur Isaurios. Dhe nga ky despot i tmerrshëm u ngushtuan të gjithë shqiptarët me u nda nga kisha romake (perendimore) e me u fundos ndër labirinthet e errta të kishës bizantine (Lindore) të atëherëshme. Por s’ishte aq fort ndamja (skizma) kishtare sesa ai shpirt i administrates bizantine, plot angth e myk, që u pllakos si një shpirtër i zi, si një hije murtaje mbi mbarë kombin shqiptar.
Turqia ka qenë trashëgimtarja dhe kujdestarja e mirazit bizantin, dhe kësulja e kuqe – një krijesë greko-bizantine – u pranua si një simbol i atij trashëgimi."
1.
Por bizantinizmi ka edhe një prirje tjetër në politikë e në punë të fesë.
Bizantinizmi është sinonim i mashtrimit. Prandaj ai në jetën shoqërore nënkupton politikën e mashtrimit, po edhe politikën e paskrupullt.
Bizantinizmi është edhe sinonim i njeriut lajkatar apo përgjithësisht i lakeizmit politik e shoqëror, sinonim i intrigës, dredhisë, dinakërisë.
Të mos harrojmë, se kur flitet për politikën si art, a nuk janë pikërisht këto tipare që e karakterizojnë krerët e një pushteti kudo nëpër botë?
2.
Eh, prandaj thuhet që veset e BIZANTINIZMIT nuk na shqiten, pa marrë parasysh religjionet.
Asgjë nuk u dashka ta bëjmë në heshtje, në bashkëbisedim me Perëndinë, por edhe Lutjen, edhe ceremonialin fetar (në kishë e xhami), u dashka ta shfaqim në sy të botës. Sikur Perëndia ndryshe nuk na kuptuaka e nuk na sheh nga Qielli!
Bizantinizëm është prirja për të ndërtuar objekte fetare sa më të larta, që bie në sy< menjëherë dhe në vende sa më të dukshme.
A nuk e kemi parë njeriun me tiare të tilla bizantine, i cili, prej viteve ‘90 e këndej, do të ulet në rendin e parë në kishë dhe në safin e parë në xhami?
Dhe pikërisht të tillët, gjatë sistemit komunist, a nuk i kemi parë duke kritikuar, akuzuar dhe sharë religjionin, suke u servilosur para të mëdhenjve (krerëve komunistë) dhe duke u sjellë me arrogancë kundër besimtarëve e njerëzve të fesë?
Duke qenë dje si komunistë, në fakt ata janë sjellë si bizantinë, sepse, në rastin e parë, ata do të sillen si bizantinë: do ta hedhin tutje ideologjinë antifetare komuniste dhe të parët do të vrapoj ë ta përqafojnë fenë, demokracinë, ta përqafojnë priftin apo hoxhën. Por edhe në punë të fesë ata nuk sillen si besimtarë të devotshëm për t’u lutur, por si bizantinë.
Nëse dje të qenët në funksionet e UDB-ës serbe apo në ato komuniste, ishin trampolina për privilegje, tashmë rendi demokratik dhe religjionet janë trampolina të reja për privilegje të . mendësia bizantine nuk ndryshon, ajo mbetet e njëjtë!
3.
Sipas Librave të Shenjtë, ekziston agjërimi, që e shpiku Perëndia që njerëzit t'i spastrojnë mëkatet e tyre.
Ushqimin në rrugë, kush e shpiku?!
Gjatë viteve të fundit, me iniciativë të krerëve politikë, shtrohen iftare nëpër rrugë. Bizantinizëm është prirja PËR T’U DUKUR PARA botës, kur ushqimi i agjërimit hahet në rrugë e jo në ambiente të tjera. Dhe loja që luhet me besimtarët e devotshëm, nuk ka qëllim solidaritetin me besimtarët, por DUKJEN BIZANTINE para syve të politikës dhe botës, për përfitime politike!

Thursday, April 19, 2018

Musa Jupolli: ATDHEU YNË ËSHTË SHQIPËRIA

Ç'tu themi Ahmet Krasniqit, Sali Çekajt, Agim Ramadanit, e të tjerë hetronjëve që dhanë jetën për lirinë e Dardanisë?
*
D A R D A N I
Ne e kemi fjalorin tonë të duhur, kulturë t'i mësojmë fjalët tona, fjalë që kanë kuptim, vlerë letrare!
Dardania theatër lirik, mit apo relitet?
Zëra që dalin në kundërshtim, në kundërthënie, nga se arsya dhe pasioni nuk gjejnë pajtim. Mungon « guximi » intelektual, indinjimi për ngutësi që të thuhet fuqishëm, mjaft më totalitarizmit politik, atij mediatik në ndikim, oportunizmit që dëmton shoqërinë tonë !
Ta mësojmë gjuhën, bibliotekën, shkencë e literaturë, art e filozofi që ta shkruajmë historinë tonë : ATDHEU YNË ËSHTË SHQIPËRIA , lirinë dhe përgjegjësinë, ta mbrojmë parimin (politik e filozofik) që mos të biem prehje e ndikimeve, po të përqendrohemi në temetikën e ambicjeve reale, në filozofinë tonë !
Dardania është në udhëkryq dhe e lodhur nga politikë në kundërshtim, në thelb të saj për akuza janë pa dushim « shefat » e partive politike, të gjitha partive politike. - Kjo gjendje është në përgjegjësi të të gjithëve dhe...
… dhe
… armiku i djeshëm me një gjendje të tillë përforcon pozitë për armik edhe më të fuqishëm për nesër .Andaj, për kauzën kombëtare, një provë historike që duhet bërë ! Politologjia në konceptin gjeografik, vallë edhe në kërkim metafizik!

Monday, April 16, 2018

Prend BUZHALA: URTËSIA SOLOMONIANE OSE SHOQËRIA E DIJES


(Kundrime), 1
Kur në fëmijëri dëgjoja rrëfimet e predikuesit në Kishë për Solomonin e Urtë, Solomonin mbret dhe njeri të urtë, që kishte shkruar edhe poezi dhe fjalë të urta e si mbretin më të pasur të të gjitha kohëve; në krye mu pat tiposur mendimi se edhe ne duhet ta kemi mbretin tonë të urtë e të drejtë. Ndërsa priftërinjtë ligjëronin PËR hebrenjtë si popull i zgjedhur që përkushtohen për të përjetshmen, për qiellin e jo për jetën mbi tokë; realiteti historik e dëshmonte atë që dikur më vonë e tha Jezusi: ajo që zgjidhet (gjen zgjidhje) në tokë, është e pranueshme edhe për qiellin. Pra, mirëqenia, barazia, drejtësia i takojnë edhe kësaj bote.
1.
Pleqtë që i dëgjonim nëpër oda kullash, rrëfenin për Skënderbeun mbret e ndonjëri edhe për mbretërit ilirë, dikush tjetër për Mbretin Zog që e keqpërdori mbretërimin e tij me vrasje e me ligje të padrejta. Mandej erdhën shpjegimet ideologjike të tipit komunist për mbretërit tiranë, tradhtarë, të padrejtë, me një fjalë, rrëfimet për mbretpërmbysjet revolucionare.
Më tutje, prej leximeve në rini e më vonë, nga shkrimtarë e historianë, Solomoni më dilte mbret që kishte themeluar një shtet të fortë, që ndërtonte rrugë, që kishte vënë një sistem taksash, që kishte ngritur tempullin në Jeruzalem, bëri ndërtime gjithandej Izraelit, ndërtoi pallate kudo, ndërtoi rrugë, ujësjellës, ndërtoi qytete që shërbenin për depo mallrash dhe qytete për kalorës. Ishte mbret që kishte sunduar paqësisht, që kishte lidhur marrëveshje paqeje me mbretërit përreth dhe Izraeli jetonte në paqe të pakrahasueshme. Kishte zhvilluar tregtinë, dhe u bë mbreti më i pasur i kohës.
Dhe këto fakte sillnin kohën e dhjetë shekujve para Epokës së Re a para Jezusit, kur ende nuk kishte kombe.
Ai jetoi pak, gjithsej 38 vjet.
U shndërrua, nëpër mileniume, në sinonim të urtisë, në personifikim të mbretit legjendar, që i solli popullit të tij begati dhe pasuri të mëdha. I vlerësuar si më i mençuri i kohëve, ai shkroi mbi tremijë fjalë të urta dhe mbi 100 e sa këngë.
2.
Por Miti i Drejtësisë e Barazisë erdhi me mësimet në shkolla: se sistemi socialist dhe komunizmi është forma më e lartë e zhvillimit shoqëror e ekonomik, se zhduket shfrytëzimi i njeriut prej njeriut, se nuk ka klasa sunduese. Por komunizmi ishte një përpjekje e dështuar e njerëzimit: në vend të barazisë e drejtësisë, kudo erdhi shteti policor, u ndërtua shoqëria ideologjike, në vend të barazisë krijoi ligje për privilegje të pafund për revolucionarët dhe udhëheqësit komunistë, familjet e të cilëve ishin të privilegjuara. Në vend të barazisë sociale, krijoi dallime të mëdha sociale; proklamoi lirinë gjithëpërfshirëse të njeriut të çliruar dhe solli format më të vrazhda të mohimit të këtyre lirive; sado që deklarohej kundër regjimeve “kriminale” kapitaliste, vetë komunizmi u shndërrua në regjimin më kriminal, duke zbatuar terrorin "revolucionar"... Ideologjia u shndërrua në opium të vërtetë...
3.
E ku janë ato kombe që sot mburren për lashtësi, për shtetësi e ndërtime, për urti, gjyqe të drejta dhe organizim?! Madje, shumë ndër kombet e sotme as që kanë ekzistuar dikur. Ose kacavareshin nëpër drunj...
Dhe, a i ruajnë edhe sot këto vlera hebrenjtë?
Tashmë është i përhapur miti botëror për hebrenjtë: më të pasurit e botës, më të mençurit që zotërojnë bankat e kapitalin botëror e dijet, që drejtojnë politikat e shumë vendeve, diku në prapaskenat e intrigave politike etj etj.
E thëniet e Solomonit edhe sot na kthjellojnë mendjet:
"Të gjitha problemet janë problemet e njerëzve. Dhe shumica e problemeve të njerëzve janë njerëzit që refuzojnë të veprojnë si njerëz. "
"Për gjithçka ka një arsye dhe për çdo gjë nën këtë qiell, ekziston koha e caktuar. Koha për t'u lindur dhe koha për të vdekur, koha për të shembur dhe koha për të ndërtuar, koha për të hedhur gur dhe koha për t'i mbledhur ata gur, Koha për të heshtur e dëgjuar dhe koha për të folur."
"Është më mirë të jesh imun ndaj zemërimit sesa i pushtetshëm, është më mirë ta kontrollosh e qeverisësh shpirtin tënd, se sa ta keni në zotërim një qytet të tërë."
"Dituria është gjëja kryesore, prandaj bëhuni të mençur dhe me gjithçka që ndodh, përqafojeni mirëkuptimin."
"Për ata që janë të lidhur me të gjallët e me jetën, ka shpresë."
"Së pari e mëson dhe përjeton poshtërimin e mandej e shioni nderin dhe famën."
4.
Është i njohur rrëfimi biblik për Gjyqin e Solomonit (Libri i Mbretërve I, 16-27), kur paraqiten te mbreti dy prostituta që pretendojnë te fëmija që kishte shpëtuar, pasi njëra ndër to, ditën kur lindën dy foshnje, e kishte mbytur kur kishte rënë në shtrat sipër, ia merr tjetrës djalin natën, dhe po tjetrës ia vë në gji djalin e vdekur:
" Atëherë mbreti urdhëroi: 'Më sillni një shpatë!'. Kështu sollën një shpatë para mbretit. Pastaj mbreti urdhëroi: 'Ndajeni fëmijën e gjallë në dy pjesë dhe jepini gjysmën njërës dhe gjysmën tjetrës'.
Atëherë gruaja e fëmijës së gjallë, që e donte shumë fëmijën e vet, i tha mbretit: 'Imzot, jepjani asaj fëmijën e gjallë, por mos e vrisni". Tjetra përkundrazi thoshte: 'Të mos jetë as imi, as yti; por ndaheni!'. Atëherë mbreti u përgjigj duke thënë: 'Jepini së parës fëmijën e gjallë dhe mos e vrisni, sepse ajo është nëna e fëmijës'.
Eh, sa pushtues e kanë dhunuar Kosovën, si djep të vetin e si fëmijë të vetin. Dhe Gjyqi solomian i Evropës Perëndimore e ndau drejtësinë për ne.
Po ne, si sillemi me këtë urti solominane ndaj Kosovës sonë të dashur?!
5.
Të mos harrohet: fitimi i i njohurive dhe ideve mbi historinë (mbi religjionin, kulturën, artin, identitetin, civilizimet etj), ndikon në ngritjen e kulturës së përgjithshme dhe ka rol emancipues. Dija është kapital njerëzor dhe kombëtar. Me anë të përvetësimit të dijes e të njohurive të mendimit racional, të arsyeshëm, shkencor, paraqesim thesarin e pasur të vetvetes, nga njëra anë, dhe kundërthëniet e përmbajtjeve historike, kulturore, religjioze apo artistike, nga ana tjetër... Përmasat e mësimit për të kaluarën, për religjionet dhe për sistemin e vlerave, duhet të ndërtohen mbi kornizat racionale, karshi stereotipeve tradicionale historike, ideologjike etj. DIJA E ÇLIRUAR krijon dhe drejtpeshimet brenda një shoqërie e kombi...
Rrugët tjera qëndrojnë të hapura!
Fatkeqësisht, ndër ne, DIJA ende shpallet armik (si në regjimet totalitare, ku INJORANCA duhet të udhëheqë me shtetin e jo DIJA), ndërkohë që shoqëritë (post)moderne po ndërtojnë një Epokë të Re postkapitaliste që quhet SHOQËRIA E DIJES, EKONOMIA E DIJES...
A jemi larg apo afër kësaj?!

Saturday, March 17, 2018

Musa Jopulli: Ne jemi popull i moçëm !

Ore, ne jemi popull i moçëm !
E thonë pleqtë tanë
Teori e bazuar në prioncipe të trashegimisë sonë, filozofi e refleksioneve të jetës: mirëqenje dhe liri !
Për ndriqim të gjendjës në Atdhun tonë, në kërkim të së mundshmës që të jenë të hapura faqet e historisë, kulturës dhe letrave të himta, ato të vjetrat, datim nga edhe para Homeriane, kërkohet zëri i intelektualve, i domosdoshëm sot, e kundërta filozofia Homeriane do të shëndërrohet në humnerizëm!
Fjala e qytetarit domosdoshmërisht duhet të dëgjohet në parlamentet Tiranë-Prishtinë, ku politikës tiranike t’i thehet “turri” i kësaj pakuptimësie në lojëra të liga e në dëm aq të madh që iu është kërcnuar Atdheut.
Nuk ka bazë-themel dhe nuk qëndron as si teori dhe as më pak si filozofi që t’i mvishet Atdheut fjala e politikanit sot në trojet arbërore për rezultate që ata me djallëzi e thonë , kur atje duke filluar nga arsimi, shëndetësia e deri edhe ke fjala e lirë jo vetëm që nuk kanë rezultate por aq ka ramje theqafje pa asnjë pikë mëshire, atje ku korrupcioni dhe vota e tyre lundrojnë në dëm t’Atdheut!
Nuk lejon etikë e filozofi, e të dhënave historike se Dardania të coptohet sipas tekeve politike, dhimbjeve të kahmotshme në padrejtësi si pikë e parë e Konferencës së Berlinit e deri ke Konferenca e Londrës, këto “manipulime” për hirë të mbajtjës së “kolltukut”, apo të famshmës “vizo-ikjës” të shpërblehën apetitet e të tjerëve, pra e vizsshme apo të vizshmës në emër të DEMARKACIONIT sot e ai i nesërm, plagë të pa sheruara të kombit !
Zbrazjet e detyruara nuk janë gjë tjetër veq se prekje e plagëve të vjetra që më nuk mund të shërohen!
Drejtësia nuk mund të jetë e frytshme, e dobishme nëse ajo kalon n’anën e të fortit!
Aty ku qytetari nuk respektohet, politika ka vdekjën e tmerrshme!
Ndaj, fjala e intelektualit është e domosdoshme, e kundërta do të jenë bashkëveprues të kësaj “tragjedia” që nuk falet !

Thursday, March 8, 2018

Izet Duraku: Illz, revistë letrare e Tiranës


“Illz” si revistë kulturore e Tiranës vjen në një shteg të rrahur për kulturën shqiptare duke dëshiruar të shkojë përpara pikërisht në këtë udhë të çelur. Ernest Koliqi do ta quante revistën e tij kulturore,” Shenjëza”. Ai e vazhdoi për rreth dy dekada botimin e saj në kushtet jo të lehta të ekzilit, ku e hodhën dallgët e kohës pas përfundimit të Luftës së dytë Botërore. “Shenjëzat” e tij erdhën, mbase edhe si një këmbëngulje për të vazhduar misionin e ndërprerë në Shqipëri të “Hyllit të Dritës”.
Me revistat “Shenjëzat” e “Hylli i Dritës”, “Illz” ka të ngjashëm emrin dhe misionin që bashkohet si edhe në media të tjera letrare, tek fjala dritë, që do na duhet për të parë më mirë synimet tona për qartësi mendimi e bukuri dijeje e vërtetësie. E ardhur nga thesaret dialektore të shqipes, “Illz” do që të shprehë më përulje nderimin për rrënjët tona më të hershme.
Natyrisht ujë të ri kaltëron në dete. Tash jemi më se tre shekuj larg kohës kur malli i shtampës do t’a rrëmbente Pjetër Bogdanin, një prej lavërtarëve më të parë të shqipes, ta përfundonte sa më parë veprën e tij “Çeta e Profetëve”, për tu kthyer tek dheu i tij, i përmbytyr kudo prej territ osman, me një qiri të ndezur në dorë në dorë “për të ndritunë atë të vobek dhe t’Arbënit.”
Ndër qëllimet kryesore të revistës është botimi i letërsisë së zgjedhur dhe i mendimit letrar që do t’i shërbente në një vështrim botës krijuese dhe kulturës kombëtare.
Revista “illz” – revistë letrare e Tiranës - (ill = yll – shumësi i kësaj fjale dialektore, e dëgjuar në shumë vise në Jug e Veri të vendit, deri tek arbëreshët në Greqi e Itali), ka synim të botojë letërsinë e zgjedhur, kryesisht shqipe, por edhe ballkanike e më gjërë.
I lodhur nga shtrëngatat e jetës, njeriu si udhëtar i përjetshëm, edhe në netët më të errta, u mësua të orientohet nën dritën e yjeve. Në këtë dritë mahnitëse, Jeronim De Rada arriti të shohë edhe kontributin shqiptar në pasurimin shpirtëror të gjuhës së njerëzimit. Shqipja, sipas këtij korifeu letrar, mund të krahasohej dhe të matej me gjuhët kryesore të botës si greqishtja e vjetër dhe latinishtja, që i kishin dhënë kaq shumë dritë civilizimit të përgjithshëm njerëzor. Kontributin e shqipes De Rada e shihte edhe të një nuancë gjuhësore që lidhej me ndriçimin e yjeve. Sipas tij, drita e qëndrueshme dhe e lëmuar e yjeve duket se pasqyrohet me fjalën latine të plotë e të shtruar, “stella”, por ka dhe një lloj ndriçimi më të fuqishëm, të pandërprerë dhe të pashterur, që duhet sikur helenët e kanë paraqitur me fjalën e tyre “astir”. Ndërsa ndaj mëngjesit, shton De Rada, dritat e yjeve më tepër se kurdoherë zbehen e dobësohen dhe njerëzve që i shikojnë, u duket sikur zhduken tej në horizont, pa luajtur nga vendi i përhershëm. Këtë lloj drite të yjeve që është e zbehtë dhe e pagjymtuar, duket sikur e shpreh mirë fjala shqipe “iill”.
Si revistë letrare e Tiranës, “Illz” do të jetë njëlloj e vëmendshme ndaj zhvillimeve letrare në Prishtinë, Shkup, Ulqin e në diasporë ku gjithnjë e më shumë po shtohet gjaku ynë i shprishur. Do të synohet gjithnjë në përkrahjen e botimeve më të mira duke dashur të shtohen vlerat kulturore kombëtare.
Si kriter përzgjedhës publikimi, për të shmangur sa më shumë subjektivitetin, do të shërbejë kryesisht vlerësimi i jurive të njohura lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, si për letërsinë shqipe ashtu edhe për atë të vendeve ballkanike dhe më gjërë. Revista do të sjellë në çdo numër në radhë të parë vlerat më të mira letrare të fqinjve tanë ballkanas: grekë, bullgarë, maqedonas, serbë, malazias, boshnjak, kroat, slloven etj.
Njëkohësisht përpjekja do të jetë për të kapur rrjedhën letrare evropiane e botërore përmes përkthimeve dinjitoze e përfaqësuese, duke shmangur sa më shumë prirjet e shqipërimeve komerciale.
Yjet e mëdhenj e të ndritshëm duken më mirë në qiell. Nën dritën e tyre mbase do të ëndërrojë gjithnjë njerëzimi. Por qielli nuk mund të kuptohet pa dritën e yjeve më të vegjël, që këmbëngulin të ndrijnë me dritën e shpirtit të tyre. Ngjajnë më të zbehtë në largësinë e tyre enigmatike, po mbase ruajnë dramat më të mëdha. Me këtë shpresë në faqet e revistës do të gjejnë vend gjithnjë e më shumë edhe krijuesit e rinj.
Revista “Illz” do të synojë të pasqyrojë prirjet e sotme letrare. Atje ku duket si kaos në ankthin e përhershëm të krijimeve, në vlimin e përhershëm të të rejave që sjellin lëvrimet letrare, përmes mendimit shkencor më të përparuar, revista “Illz” do të synojë të japë një vizion rendi e harmonie të vlerave, ku duke perifrazuar mendimin bogdanian, të shfaqen më të plota brigjet e lumenjve, të ndahen ujrat nga toka dhe qielli i kaltër të veçohet prej flakëvet të një zjarri, që mund të mbulojnë dhe të përpijnë krijesat e sapolindura.
“Illz”, si revistë letrare e Tiranës, do të jetë e hapur për të gjitha gjinitë letrare: poezi, prozë e dramaturgji. Vend të rëndësishëm do të zënë, studimet, kritika, esetë dhe vlerësimet për veprat më të mira të botuara në hapësirën shqiptare në Ballkan, në diasporë dhe jo vetëm.
Revista ka Redaksinë dhe Bordin e saj shkencor, mendimi i të cilit do të jetë gjithnjë i mëshiruar në publikimet e saj.
Redaksia do të jetë e vëmendshme ndaj qëndrimeve e vlerësimeve të opinionit të lexuesve të saj, duke u përpjekur të mbetet në një rrjedhë përmirësimesh të vazhdueshme, duke qenë e vetëdijshme që përsosmëria do të mbetet një cak i dëshiruar dhe duke mos harruar modestinë e Bogdanit kur shkruante: “Përse as dielli pa hije, as hana pa niegullazë mbë faqe nuk ashtë…”

Monday, March 5, 2018

Gëzim ZILJA: Lufta për realizimin e Autonomisë dhe shtypja e Lidhjes së Prizrenit

Myderrizi (hoxha) kish pas thanë
Kur është fjala për vatanë
Jo veç turkut e ati tjetrit
po ni plum kush ia nep mretit(sulltanit)
ka me shku n’lula (kopshte) t’xhenetit.
Dhjetor 1880-janar 1881.
Menjëherë pas dorëzimit të Ulqinit 26 dhjetor 1880, Dervish Pasha iu turr egërsisht degës së ‘’Lidhjes’’ në Shkodër, duke arritur ta shpërndante dhe të vendoste administratën turke kudo. Arrestohen pabesisht dhe internohen ne Anadoll, Hodo Sokoli e Preng Bib Doda. Daut Boriçi internohet në Stamboll. Në fund të dhjetorit Dervish Pasha i kërkon Portës së Lartë 40 batalione për shtypjen përfundimtare të ‘’Lidhjes Shqiptare’’ në të gjitha trojet shqiptare veçanërisht në Veriun e Shqipërisë. Gjysmën e këtyre batalioneve do ta mbante në Shkodër dhe gjysmën në Shkup. Të ndodhur në këtë situatë në Kosovë filluan veprimet e armatosura fillimisht nga banorët e Prizrenit, të cilët dëbuan administratën turke. Njëkohësisht ajo u dëbua nga, Gjakova, Luma, Gucia, Kumanova e Tetova. Në fund të dhjetorit u riorganizua ‘’Komiteti Kombëtar i Lidhjes’’ ku mbeti shumica e anëtarëve të mëparshëm, që ishin dhe themeluesit e ‘’Lidhjes’’si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu, Ali Ibra e tj.
Dhjetë ditshin e dytë të janarit 1881, u mblodh ‘’Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes’’ ku kërkohej një shtet autonom shqiptar. Nëse nuk do të njihej nga Stambolli, do të vazhdonte kryengritjen e armatosur. Komiteti Kombëtar shpalli Qeverinë e Përkohëshme me kryetar Ymer Prizrenin e nënkryetar Shuaip Spahiun me dhjetë anëtarë, midis të cilëve Abdyl Frashëri i ngarkuar me punët e jashtme dhe Sylejman Vokshi i ngarkuar me punët ushtarake. Më 4 janar 1881 kryengritësit e ‘’Lidhjes’’ shtinë në dorë Shkupin, e më vonë Prishtinën e Mitrovicën. Në fund të shkurtit Qeveria e Përkohëshme u shtri në Pejë, Tetovë, Vuçiternë, Tetovë, Gostivar e Dibër dhe vendosi pushtetin e saj në pesë sanxhakët e Kosovës, Prizrenit, Pejës, Shkupit e Prishtinës. Ajo synonte ta shtrinta kryengritjen në vilajetin e Shkodrës, të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Në një letër që Sami Frashëri i dërgonte më 20 shkurt 1881 Jeronim De Radës midis të tjerash theksonte: ‘’Lidhja shqiptare e Prizrenit mori emrin e Kuvernës së Përdorme( Qeverisë së Përkohshme) dhe përzuri kuvernatorët turq nga gjithë vilajeti i Kosovës edhe nga Prizreni, nga Gjakova, Dibra, Tetova e 10.000 shqiptarë të armatosur kanë zënë Shkupnë dhe udhën e hekurt. 10.000 të tjerë po bëhen gati për t’u unjur në Toskëri. Për pak kohë do të dëgjoni një ngritje (kryengritje) të madhe në Shqipëri... Në u bëftë Shqipëria më vete nuk do të kemi nevojë për princër, as të krishterë e as muhamendanë, që të na rrjepnë e të na pijnë gjaknë. ...’’
Konsulli austro-hungarez nga Shkodra shkruante: ‘’ Edhe nëpunësit më të vegjël janë caktuar nga ‘’Lidhja.’’ Gjyqtar është një qytetar i Prizrenit. Taksat që nxirren nga popullsia derdhen në llogari të ‘’Lidhjes’’; nëpunësit i marrin rrogat rregullisht. ‘’Lidhja’’ ka kujdes mbajtjen e rendit në qytet dhe në fshat. Sigurimi publik tani është shumë më në rregull seç ishte në kohën e administartës turke...’’
Shtatë gjeneralë nën komandën e Dervish Pashës me 15 batalione me 15.000 ushtarë të armatosur rëndë dhe të pajisur me artileri të fuqishme (veç 15.000 që ndodheshin në Shqipëri) u ngarkuan të shtypnin autonomistët shqiptarë. Ushtria e Dervish pashës zbarkoi në Selanik dhe prej këndej u nis për në Shkodër e Kosovë. Tre vargjet e mëposhtëme japin zbarkimin e ushtarëve turq dhe paralajmërojnë mënxyrën, që ata do të sillnin:
Shumë asqer po qet’ pamporri
Tan po i qet’ ma zi se korbi
Si me qen asqer moskovit.
Menjëherë Dervish pasha drejtohet kah krerëve të kryengritjes, duke shprehur qartë porosinë e Portës së Lartë:
Dervish pasha prej Stambolli
Ku i ka çadrat Mic Sokoli?
Ku i ka çadrat, ku i ka t’part?
M’ka çu mreti me ia çart...
Dhe më tej sqaron arsyet e shtypjes së kryengritjes:
Shah’ ndër veti do me kanë
kurrgja mretit mos me i dhanë
as redif’ e as nizamë.
Tashmë shqiptarët kanë tre vjet, që bëjnë luftë, në Gjakovë, Tivar, Ulqin, Plavë e Gusi, Hotë e Grudë, duke kundërshtuar vendimet e Fuqive të Mëdha dhe të Turqisë për copëtimin e trojeve të tyre. Këtë herë lufa do të jetë edhe më e përgjakshme. Një grusht njerëzish janë ngritur në luftë kundër shtatë Fuqive të Mëdha dhe vetë Perandorisë. Në ‘’Historinë e Ballkanit’’ me autor Misha Glenny, botim i vitit 2000 thuhet: ‘’... Kështu shqiptarët qenë të vetmit që arritën të revizionojnë Traktain e Berlinit me forcën e armëve... fq. 154’’
Nuk është tashmë vetëm Mali i Zi armiku i shqiptarëve, por vetë Perandoria. Përfundimisht shqiptarët nuk kanë mëdyshjen më të vogël se varri i tyre do të jetë Turqia nëse nuk shpëtojnë nga zgjedha e saj:
Mic Sokoli po bërtet
Ali Ibrën po thërret
Merr bajraqet hajde shpejt
na rrethoi asqeri mret (sulltani).
Ndërkaq Dervish Pasha, arrestoi pabesisht (i thirri për bisedime) 11 anëtarë të ‘’Lidhjes’’ për Shkupin, me në krye Jashar bej Shkupin dhe pasi i shëtitën në qytet të lidhur me pranga i dërguan në burgun e Selanikut. Shkupi ra pa rezistencë edhe për arsyen se ‘’Lidhja’’ nuk bëri zëvendësimin e administratës turke me shqiptarë. Dervish Pasha vendosi përkohësisht shtabin në Shkup. Lidhja shqiptare lëshoi kushtrimin në mbarë Kosovën për të rrëmbyer armët. U formua Shtabi i Mbrojtjes me Sulejman Vokshin komandant e anëtarë Ali Ibrën, Mic Sokolin, Binak Alinë, Sef Kosharen, Halim Efendiun, Zeqirja Agën, Mullah Hysenin, Mustafa Agën, Halil Efendiun. Fillimisht u mblodhën 5 mijë luftëtarë tashmë të rregjur në luftime me malazestë dhe turqit. Këtë herë lufta do të ketë qëllim shkëputjen nga Turqia dhe do të jetë pa kthim prapa. Në ballë janë prijësit e ‘’Lidhjes’’:
Mic Sokoli nji fjal po flet
Po i thotë nanës të mir meç’
Pa u farue Malsia krejt
Ktu nuk hyn as kral as mbret.
Ymer Prizreni trim shqiptar
Sylejmani ni komanar
I tubuen tre mi luftarë
Tan’ malsorë në plisa t’bardhë
Sylejmani matke fjalë:
Ngoni vllazën shiptarë
Do t’i dalim turkut përballë.
Është shumë interesante biseda e një vullnetari, që pyet plot sinqeritet ‘’Efendiun’’se çfarë do të bëhet, a do të luftojnë me pushkë kundër turkut e mretit ( sulltanit)?
Efeni na ç’ka me ba
A ban turkut n’pushk me i ra?
Përgjigjen ia jep hoxha, që ndodhet aty e që përfaqëson sigurisht një nga njerëzit me autoritet të krahinës. Del edhe një herë në dritë thënia monumentale e Pashko Vasës: ‘’Feja e shqiptarit është shqiptarija’’në një variant pak të ndryshuar por në thelb i njëjti. Hoxha i përgjigjet, se kush vret jo një ushtar turk por vetë sulltanin (mretin) shkon në parajsë(Xhenet)
Myderrizi (hoxha) kish pas thanë
Kur është fjala për vatanë
Jo veç turkut e ati tjetrit
po ni plum kush ia nep mretit(sulltanit)
ka me shku n’lula (kopshte) t’xhenetit.
S’njohim pash-o, kral as mret
Venin ton’ e sunojmë vet.
VIJON

Saturday, February 10, 2018

Gezim Zilja: Ku nuk jam dakord me ‘’SANDUIÇ’’-in e Mustafa Nanos.



Në librin e tij voluminoz ‘’Sanduiç’’, Mustafa Nano rreket të shpjegojë rrugën e gjatë e plot vështirësi të shqiptarit e Shqipërisë në vite, deri në ditët e sotme. Kërkon me ngulm të shpjegojë, pse ne shqiptarët jemi kështu dhe jo ashtu, pse rruga jonë ka qenë (është) plot zigzage dhe tradhëtira, pse në çastet më të vështira dhe sidomos në formimin e kombeve të reja gjatë shekullit të XIX në Ballkan ne ishim disa hapa prapa nga të gjithë, pse u bëmë ‘’turq’’ e nuk mbetëm ‘’kaurë’’, pse kemi qenë të dyzuar midis dy vatanesh, njeri Turqia e tjetri Shqipëria  etj,  etj. Kuptohet që Nanua në shkrimet dhe librat e tij është antikonformist, është kundër rrjedhës së zakonshme dhe për mua kjo përbën vlerë sepse dihet, që këta janë njerëzit që e ndryshojnë botën. Mirpo të jesh antikonformist do të thotë të jesh dhe vizionar, të shohësh atë që njerëzit në përgjithësi nuk e shikojnë ose të mos pajtohesh me një sërë rregullash, mitesh, e histori që janë kthyer në tabu’. Kjo sigurisht duke u mbështur në fakte e dokumenta,  me një logjikë të ftohtë e të hekurt, duke qenë sa më objektiv ndaj të vërtetave. Sa për pyetjen që ai ngre te libri ‘’SANDWICH. A është mirë me qenë shqiptar?’’ pasi e lexova mendoj, që sigurisht ia vlen të jesh shqiptar ashtu i ngarkuar me ‘’njëmijë’’ vlera e ‘’dymijë’’ antivlera. Meritë e Nanos, është se ai sjell aq shumë shembuj, ilustrime e citime saqë ndonjëherë habitesh sesi ka mundur t’i qëmtojë e gjejë. Mirpo jo rrallë lexuesi humbet (e metë kjo) në atë pafundësi citimesh e harron përse po jepen kaq shumë shembuj, kur edhe me dy tre të tillë e argumenta plotësuese mund të arrish në përfundimin, që i ke venë qëllim vetes. Nëse Shqipëria ka qenë e shtypur (sandviç) dhe e sulmuar pa pushim, e ndodhur midis fqinjëve, ku asnjeri dhe asnjëherë nuk ishte mik, (kena pas një rrezik t’zi/gjer’ sa kena pas dreqin kojshi) sasia e citimeve dhe autorëve, që përdoren në këtë libër përbëjnë një sanduiç tjetër, por që një lexues i durueshëm gjithsesi ia del t’i lexojë. Mua më krijohet përshtypja se në këto citime e ilustrime Nanon, e tërheqin si me magnet ato teza, thënie e teori, që të çojnë në përfundimin që: ‘’ nuk është mirë me qenë shqiptar’’ thënë më butë ‘’ne shqiptarët jemi njerëz allasoj, të çuditshëm?!’’.  Jo se ato që janë thënë,  shkruar e cituar, janë të pavërteta. Por ka më shumë fakte, thënie, studime e teza të kaluara dhe të sotme, të autorëve tanë dhe të huaj edhe për të kundërtën, madje nga po ata autorë, që përmenden në libër, ku shqiptarët dhe historia e tyre shikohen ndryshe e me më shumë objektivitet. Rreth 90 përqind të autorëve të huaj, që citohen flas për ata të përkthyer në shqip, sidomos pas vitit 1990, i kam lexuar dhe janë pjesë e bibliotekës time. Të analizosh fije e për pe ‘’Sanduiçin’’ i bie të bësh një sandviç tjetër ndoshta me po aq faqe, plot 394, dhe më shumë. Unë do të merrem vetëm me dy çështje, për të cilat mendoj ndryshe nga autori i librit Mustafa Nano: me trajtimin e figurës së Bismarkut,  dhe se tezës se Megali-Idea,  i ka ndihmuar shqiptarët në formimin e shtetit të tyre.A është Bismarku një antishqiptar?
     Gjithë përpjekjet e Bismarkut në Kongresin e Berlinit, qershor 1878, ishin fuqizimi i Gjermanisë dhe plotësimi i interesave të Rusisë, Austro-Hungarisë dhe Anglisë. Atij nuk i interesonin aspak dhe nuk donte t’ia dinte për kërkesat e turqve, grekëve, malazezëve, bullgarëve, rumunëve e sidomos të shqiptarëve. Kongresi i Berlinit ishte një pazar i madh, ku shiteshin e bliheshin njerëzit e territoret e duhet thënë se në këtë raport Bismarku e të tjerë luajtën rolin e kasapit që ndan e shpërndanë prenë. Kufijtë u vendosën duke parë interesat e fuqive të mëdha dhe simpatitë e tyre krahas popujve ballkanas, të cilët u futën ose dolën jashtë kufijve të tyre. Në raport me Gjermaninë me atë që ai bëri për forcimin dhe rritjen e ndikimit të saj në Europë dhe vendosjen e ekuilibrave midis fuqive të mëdha, sigurisht Bismarku është një burrë shteti dhe gjermanët e nderojnë dhe  respektojnë si një nga figurat e shquara të Gjermanisë. Por në lidhje me kombësinë shqiptare të asaj kohe në Ballkan, mendoj se ai është treguar i papërgjegjshën, një kasap i popujve, që kërkonin të formonin shtetet e tyre në bazë të kombësisë. Konsideratat, vlerësimet dhe vendimet e Bismarkut dhe fuqive të mëdha u shndërruan në luftëra, në barbarizma e shfarosje popujsh. Plagët e hapura në Berlin, Ballkani vazhdon ti vuajë sot e kësaj dite.Për të mos e tjerrë gjatë po heq një paralele tjetër, me atë të figurës së Lefteri’ Venizollosit. Për atë  çka ai dha e bëri për Greqinë nga shumë analistë e historianë grekë e jo grekë është mbiquajtur burrështeti  më i madh grek që pas Perikliut. Por duhet thënë se gjithë dituria, inteligjenca,  mprehtësia, elokuenca e tij u vunë në shërbim të Megali-Idesë, duke filluar nga fundi i shek XIX, deri në Konferencën e Paqes në Paris më 1919, ku shkëlqeu në përpjekjet e tij për të zgjeruar kufijtë e Greqisë në kurriz të kombeve të tjerë. Ai ‘’ngatërroi dynjanë’’ me megalomaninë, këmbënguljen dhe shifrat e pasakata, që jepte për prezencën e popullsinë greke e shqiptare në Jugun e Shqipërisë (Vorio Epir). Hyri në marrëveshje të mbidheshme e nëndheshme sidomos me Italinë e Sërbinë, që Shqipëria të ndahej  midis këtyre shteteve dhe ishte në prag të finalizimit të marrëveshjes. Ndërhyrja e presidentit amerikan Uidrou Uillsonit ( si një pingule midis dy paraleleve) ishte vendimtare për moscopëtimin e Shqipërinë dhe shumë shteteve të tjera, duke kërkuar të drejtën e popujve të vegjël për vetëvendosje, Ai do të deklaronte: “Ne tani themi se të gjithë popujt kanë të drejtë të jetojnë jetën e tyre dhe të kenë qeveri të zgjedhur prej tyre. Ky është parimi amerikan.... Të gjithë kombet kanë të drejtën e vetëvendosjes... SHBA-ja nuk është e përgatitur t’i bëjë padrejtësi njerëzve të Shqipërisë....’’ Megjithatë Greqia në sajë të Venizellosit ia doli të zhvaste mjaft territore nga Azia e Vogël. Mos vallë duhet të kemi edhe në këtë rast mirëkuptim për figurën e Venizellosit meqë ai është një personalitet i Greqisë e më e tej...Personalitete të tilla duhet të shikohen në kompleksitetin e vet dhe të kohës por në raport me qëndrimet ndaj Shqipërinë, nuk kanë pse të kenë asnjë mirëkuptim dhe sigurisht, që janë antishqiptarë. Se çfarë mund të bënin më tepër ata kundër Shqipërisë, sikundër u përpoqën ta fshinin nga harta e Europës!?Mustafa Nano me një stil të vetin, me fjali e fraza të shkurtëra e plot nerv, çka përbën një stil dinamik dhe të kuptueshëm, kërkon mirëkuptim për trajtimin e figurës së Bismarkut. Ai thotë : Ka mbetur emblematike shprehja e Bismarkut në Kongresin e Berlinit se nuk ekziston një kombësi shqiptare dhe duhet thënë se nuk ishte e çuditshme, që ai nuk arrinte të shihte një kombësi shqiptare në vitin 1878. Shumë historianë shqiptarë s’e kanë pasur për gjë ta vizatojnë kancelarin e hekurt si antishqiptar por afërmendsh nuk kanë të drejtë.  faqe 78. Më tej Nano përpiqet të tregoj e arsyetojë rrethanat, që pse Bismarku ishte i pafaj, që mori ato vendime e jo të tjera, për Shqipërinë e madje për të gjithë Ballkanin.

Vijon

Wednesday, January 31, 2018

Prend BUZHALA: NGA SKËNDERBEU TE BARLETI OSE PARADIGMA E SOTME MBI LIRINË


(Nën shenjën e VITIT TË GJERGJ KASTRIOTIT), 30
E pafund është lista se çka trashëgojmë nga Epoka e Skënderbeut.
Në radhë të parë, trashëguam kujtesën e pasur historike, dhe një ndërgjegje kombëtare që u pasurua nga koha në kohë.
Nëse thuhet se është mitizuar figura e Skënderbeut, atëherë - po, KA NDODHUR MITIZIMI I TIJ në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Ç'fituam, pyesin skeptikët e sotëm. Figura e Skënderbeut, e mitizuar, shërbeu si figurë misionare e ringjalljes kombëtare, figurë misionare e pavarësimit të Shqipërisë, e krenarisë kombëtare, e ringjalljes historike dhe e shpresës për pavarësim e çlirim.
Pak qenka kjo?!
Por, sigurisht, që Skënderbeu është figurë historike dhe për personalitetin e tij historik tashmë ekzistojnë qindra monografi historike kudo, në krejt gjuhët e Evropës: me betejat e tij, me betejat diplomatike, me veprimet politike, me kontaktet, me bashkëpunimet etj etj... Ndërkaq, pos studimeve monografike historike, së bashku me zhanret tjera (letrare, etj), ekzistojnë mbi 2000 vepra!!!
Skënderbeu, pra, është edhe HERO EVROPIAN, HERO NDËRKOMBËTAR!
Dhe, në këso rastesh, kur përpiqet të rrëzohet për toke, kjo figurë, atëherë PREMJA NË BESË i bëhet edhe Evropës Perëndimore e jo vetëm kombit shqiptar...
1.
Barleti, Beçikemi, Martin Segoni, Dhimitër Frangu e të tjerë arbërorë, që janë kronikanë të gjallë të asaj epoke, dhe nuk pëbëjnë ndonjë mit a përrallë ...
Lufta për liri nuk është aventurë, por VETËDIJE, NDËRGJEGJE... jehona e kësaj vetëdijeje (antiaventure), na vjen nëpërmes Barletit: "Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta mes jush"... vetëdija etnike e kohës ka qenë e fortë. Barleti ka qenë dëshmitar ngjarjesh dhe dy veprat e tij shprehin frymën e epokës:
"Nuk ka gjë më të çmuar për njeriun sesa atdheu, nuk ka detyrë më të shenjtë sesa lufta për ta mbrojtur atë nga i huaji. Kryeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin asnjëherë nuk duhet kujtuar se është derdhur gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër", shkruan Barleti te vepra e tij.
Barleti na rrëfen se arbërorët e kishin zakon të trashëguar të këndonin ndër gosti trimëritë e të parëve të tyre dhe t’u thurnin lavdi atyre.
Në hyrjen e kryeveprës së vet “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, që i kushtohet Ferdinand Kastriotit, nipit të Skënderbeut, Barleti shpjegon arsyet që e shtynë të shkruante këtë vepër: ndjenja e detyrës patriotike për të përjetësuar luftën e heroit dhe të popullit të tij dhe njëkohësisht për t’i shërbyer së vërtetës si detyra më e lartë e historianëve.
Pra, barletiane dhe arbërore... kjo ndërgjegje për lirinë...
2.
Të mos harrojmë: te ky fjalim kastriotian (1443), përdorimi më i shpeshtë është ai i fjalës LIRI, ndryshe nga civilizimi pushtues otoman që nuk e kishte në fjalorin e vet këtë fjalë (ata kishin fjalën nënshtrim Allahut kundër "të pafeve"... Orlando Paterson, një dijetar amerikan, në librin e tij “Liria në formimin e kulturës perëndimore”, thotë se liria ka formuar modelin kulturor të Perëndimit, ka qenë vlera thelbësore e kulturës perëndimore gjatë gjithë historisë së saj; ndërsa fjala liri te popujt e vendeve joperëndimore nuk ekziston, ato vende e popuj nuk kanë ndonjë fjalë a term të barasvlershëm që do ta shprehte konceptin për lirinë. Dhe nënvizohet: Liria qëndron e pasfiduar si vlera më madhore e botës perëndimore; liria lindi nga përvoja e skllavërisë, nga vizioni i përbashkët për lirinë.
Dhe Skënderbeu, nëpërmes Barletit, na del Mbrojtës i Lirisë. Askund nuk përdor formula fetare të krishtera! Ani pse Barleti ishte një prift, dhe anise ai shkruan: "Tani, ndonëse rronim e hanim bashkë dhe kishim një zemër dhe një shpirt, me gjithë këtë asnjë nga këta s'më kish dëgjuar kurrë të zë n'gojë atdhenë, lirinë dhe krishtërimin, gjersa ardhi rasa në betejë të Nishit."
3.
Barleti po shkruante si humanist, dhe heroi i tij, në radhë të parë, është humanist, zëdhënës i ri i pikëpamjeve për lirinë. Madje, fjalia e parë retorike, me figurën e apelacionit, hapet me fjalinë që ka thelb të saj lirinë: "Ju epirotët (arbnorët, P.B.), mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë...",
Dhe tutje e tutje: "Ju, si burra aq të fortë, të rritur në liri, që qëndruat kaq kohë nën mynxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit..." Përkufizimi i tillë, nxjerr në shesh SHQIPATRIN (ARBËRORIN, ARBNORIN) si karakter që është mësuar të mos jetojë i nënshtruar, si karakter durimtar për ta realizuar qëllimin, por njeri që nuk duron mbi veten dikë tjetër... "Po përse doni që unë ta mbaj për vete me të padrejtë emrin e çlirimtarit?" Ja pra, një tjetër koncept, çlirimtari (liberatori).
Shqiptarët i kanë fituar dhe mund t'i fitojnë betejat e tyre vetëm me Flamurin e Skënderbeut e me traditat liridashëse skenderbegase e që është edhe thelbi i frymës europerëndimore shqiptare. Me këtë frymë arrihet edhe bashkimi i kombit, edhe përkrahja ndërkombëtare. Shtesat tjera, të flamujve të huaj, e kishin përligjur copëtimin dhe robërimin.
4.
Barleti shkruan për nacionin arbëror dhe patriotizmin arbëror (pra, për kombin arbëror-shqiptar e atdhetarizmin shqiptar te vepra e tij "Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut". Kësisoj, do dallaur faktin që fjala komb (shqip) përdoret vetëm prej shek XIX, sikundër duan të thonë disa shqipfolës, për ta mohuar të kaluarën tonë. Kurse fjala nacion (nation, nga latinishtja natio), përdoret që nga antika, përdoret edhe te Barleti. Latinishtja është gjuhë kulture e antikës, por edhe sot nocionet e konceptet shkencore në botën moderne, janë me rrënjpë e prejardhje latine.
Natio dhe patria: janë dy fjalë që shënjojnë nacionin/kombin dhe atdhetarizmin/ patriozitmin, janë fjalë latine që ndërlidhen me lindjen (amësia) dhe atin (prindin atë)... e që i përdor gjerësisht Barleti. Nuk është e rastësishmne pse edhe në shqip kemi dy fjalë me të njëjtin kuptim: ATDHE e MËMËDHE...
5.
A nuk i takon edhe Gjergj Kastrioti, Skënderbeu ynë, të njëjtës traditë evropiane, kur tha "Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu"?! Është kjo tashmë një formulë proverbiale, që ka depërtuar në vetëdijen historike shqiptare kombformuese e shtetbërëse.
Po përse e thoshte Skënderbeu një formulë të tillë?
Dhe përse as europerëndimorët nuk e përsëritin kurrë që na kanë sjellë ata miliarda dhurime e investime në Kosovë, e as e përmendin që "Ne ju çliruam, ne e bobarduam Serbinë"!?
Sepse ata janë RESPEKTUES të dinjitetit të njeriut dhe të LIRISË së tjetrit.
Do të na kujtohet, se me çfarë CINIZMI e përsëritnin pikërisht serbokomunistët e shqipfolësit serbo-komunistë jugosllavë: "Ne Luftuam gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ne ua sollëm lirinë. Prej nesh i keni të gjitha të mirat... "
Dhe vazhdonin dëbimet, vrasjet, burgosjet, kundër “armiqve të socializmit”, kundër "mosmirënjohësve” të asaj lirie partizano-komuniste që shkelte vërtet lirinë me të gjitha mjetet. Në të vërtetë, ata ishin SHKELËS TË LIRISË dhe jo SJELLËS të lirisë.
Ata ishin mishërim i terrorit, totalitarizmit dhe kontrollit mbi gjithkënd e gjithçka...
Këto slogane dhe këtë mendësi qeverisjeje e sundimi, ata i kishin huazuar nga tradita staliniste rusomadhe, si SJELLËS TË LIRISË.
Këtë mentalitet serbët e kishin që në dekadën e parë të shek XX kur ndërhynë ushtarakisht në pushtimin e trojeve shqiptare, duke thënë se ishin “çlirimtarë”, mbasi vritnin, PLAÇKITNIN e shkatërronin çdo gjë shqiptare e çka do që gjenin përpara.
Dhe sot, kushdo që e përsërit këtë formulë: NE UA SOLLËM LIRINË, përsërit formulën ruse, e cila nënkupton: privilegje për vetveten, plaçkitje dhe shkatërrim në masë.
Por, të mos harrojmë, ekziston një krah tjetër, liberalist, (a pseudo-liberalist): që ka prirje (a tendenca) edhe sot që të relativizohet dashuria ndaj Atdheut. Kjo atdhedashuri ose shpallet si nacionalizëm (njësoj si vepronin komunistët si "sjellës të lirisë", kur burgosnin atdhetarë shqiptarë), ose e bëjnë këtë me qëllime përfitimi të interesave të ngushta apo për ndonjë donacion të dyshimtë të tipit mercenarist.
Ekziston, pra, si fenomen shoqëror ndër ne, dhe një shpallje tjetër, e një KRAHU TJETËR, shpallje e përfitimeve të ngushta: përbetimi në vlerat e luftës nënkupton rrëmbimin e privilegjeve për pushtet, për para, për privilegje. Prandaj ka kaq rrëmujë e pazare të pafund "luftarake" e "atdhedashurie": kush mund të jetë pjesë "e luftës çlirimtare", pardon: pjesë e VETERANËSISË së luftës!
Kush qenka “me muskuj” më i fortë, për të ndërmarrë “vendime” e kush qenka qyqar!
Thuajse edhe politika qenka arenë lufte!
Luftë kundër kujt (nëse thuhet: kundër të keqes e varfërisë, atëherë cilët qenkan aktorët e kësaj të keqeje?! Tjetri? Partia tjetër?!)
Tamam një DIFERENCIM I RI IDEOPOLITIK, vetëm se me mjete të reja!
6.
Në kujtesën historike shqiptare, ruhet, nëpërmes Marin Barletit te vepra "Historia e Skënderbeut" , Fjalimi i Gjergj Kastriot Skënderbeut përpara arbërorëve pas çlirimit të Krujës nga Osmanët, më 28 Nëntor 1443. Formula "Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu", është tashmë proverbiale, që ka depërtuar në vetëdijen historike shqiptare kombformuese e shtetbërëse: sa herë gjatë historisë janë ndërlidhur ngjarje me këtë datë, siç është Nëntori i Dytë i 28 Nëntorit 1912 në Vlorë... e deri te historia më e re, kur del në skenë UÇK-ja, si forcë e re çlirimtare me tradita kastriotiane.
(Prend Buzhala, 30 janar 2018)

Friday, January 26, 2018

Prend BUZHALA: DOKTRINAT E RIMOHIMIT KOMBËTAR


(Nën shenjën e VITIT TË GJERGJ KASTRIOTIT), 25
Skënderbeu është hero evropian (përpos për 500 vjet, në Evropë janë botuar mbi njëmijë njësi bibliografike-libra, për Skënderbeun, kjo Evropë e ka ruajtur kujtimin për te, por kjo nuk ka ndodhë edhe në botën sllavo-ortodokse e atë aziatike.
Kudo në Evropën perëndimore e në SHBA ka përmendore të Skënderbeut, por jo edhe në boten sllave-ortodokse e në boten aziatike.
A mund ta shkruajmë sot një akuzë të re që Gjergj Kastrioti është hero turk, mbasi emrin e ka Skënderbe... për të qenë në korrent me neo-otomanizmin?! Po supozojmë: Skënderbeu u pajtua me Perandorinë që të mos bëjë gjenocid:
“Qe, po e ndërrojmë fenë, po e ndërrojmë kulturën, por si ta ndërrojmë kombin”?
“Ju nuk jeni arbër, se arbrit janë kaurrë, me demek të krishterë, kurse ju jeni turq, jeni myslimanë.”
Dhe për pesëqind vjet Turqia mohoi emrin e të qenit shqiptar...
Dhe kombi shqiptar, dje e sot, i ka gjetur formulat e veta të mbijetesës. Së fundmi, kur u krijua ky sintetizim e gërshetim “multikulturash, multireligjionesh e multi-identitetesh”, gjeti formulën e shqiptarisë:”Feja e shqiptarit është shqiptaria.”
Gjergj Kastrioti e kishe formulën e tij mbifetare e mbikrahinore;: epirotizmin... Në frymën e Renesancës evropiane, që depërtoi edhe në trojet e Arbrit, për të ndjekur traditat etnike, Skënderbeu deklaron se është pasardhës i mbretit Pirro të Epirit....
1.
Sot, kur tashmë është rrezikuar edhe kjo formulë; “për ta shpëtuar vetveten”, si dikur nën Perandorinë Otomane, a mund ta shpikim një Skënderbe si hero turk?!
“Nuk duam të jemi shqiptarë, duam të jemi kosovarë. Historia shqiptare nuk ka ekzistuar. Ka ekzistuar historia turke, shpëtimi ynë na erdhi nga Turqia...”, bërtasin sot protagonistët e doktrinës rimohuese shqiptare.
E rëndësishme për mohuesit brenda nesh, dhe për pseudo-historianët, pseudo-intelektualët e sotëm është:
1. për të thënë se deri në shk XIX nuk kishte komb, kjo do të thotë se deri në shk XIX nuk kishte shqiptarë!!! Ndodhi islamizmi, por nuk ndodhi braktisja e figurës së Skënderbeut, nuk ndodhi braktisja e flamurit të Skënderbeut; islamizmi nuk e njeh ndarjen e shtetit nga feja, kurse shqiptarët e islamizuar e morën pikëpamjen europerëndimore të ndarjes së fesë nga shteti, kur i krijuan shtetet e tyre (Shqipërinë më 1912 e Kosovën më 2008).
2.Vetë krijimi i i "fesë së shqiptarit - shqiptaria" e konfirmon këtë, kur u krijua realiteti i ri historik i copëzimit fetar nga ana e Perandorisë, apo copëzimi administrativ-politik me anë të vilajeteve.
3. Veprohet kështu kundër Skënderbeut, që shqiptarët SOT të mos kenë asnjë figurë përfaqësuese historike; që Skënderbeu të eliminohet si PERSONALITETI QENDROR i historisë së shqiptarëve dhe të mos kenë asgjë nga rrënjët historike të traditave të tyre,
4. Që, duke i eliminuar figurat historike nga historia jonë, populli ynë të mos ketë të drejtë trashëgimie mbi trashëgiminë historike, materiale e shpirtërore (sepse ato të drejta tashmë po uzurpohen nga Serbia nëpërmes manastireve e nga ideologjia neo-otomane e ku shqiptarët sot na qenkan qiraxhinj, që nesër duhet ose nënshtruar, ose dëbuar...
5. Që Skënderbeu të paraqitet si figurë që na paska vrarë "myslimanë", dhe nuk paska luftuar për LIRINË E ARBËRISË,
6. Që Skënderbeu nuk ka qenë kombëtar, mbasi nuk paska pasur në atë kohë komb, (ani se krejt emrat që janë përdorë në atë kohë, përdoren edhe sot; gjuha shqipe e asaj kohe flitet edhe sot, trojet e atëhershme janë këto të sotmet, ndërgjegjja etnike e përbashkësisë është kjo e sotmja)...
7. Që ai ka luftuar "për hakmarrje familjare" për 25 vjet me radhë, duke i marrë në qafë arbrit etj etj etj.
Edhe sot, formula “komb kosovar”, është amalgamë sllave dhe neo-otomane. Sllave: e mohon shtetin e Kosovës, duke e quajtur si “djep të serbizmit”, me trashëgimi ekskluzivisht serbe (manastiresh e kishash). Neo-otomane: se Kosova nuk ka histori shqiptare, por histori turke, trashëgimi turke...
A thua edhe sot, doktrina e mohimit të të qenit shqiptar dhe e të europerëdnimor, është negative, si na propagandon doktrina e sotme shqipfolëse?! Dhe secilin rikthim kah Lindja, qenka pozitive?! “Për ta tretur Shqipërinë” (për ta shuar atë) janë zhvilluar agresione, fushata, sulme, shpëlarje trush... Qenë vënë në veprim “doktrina rimohuese” (Kadare) për ta shkëputur Shqipërinë nga Evropa.
2.
Kot që Gjergj Kastrioti u quajt Skënderbe. E mori këtë ofiq të lartë, jo vetëm për t’u identifikuar ushtarakisht me Aleksandrin e Madh (turqisht: Iskander), por edhe të ketë... një si emër-formulë që sintetizon “një gërshetim” multikulturash, multireligjionesh, multuishtetesh, multiniregjionesh...
E keqja është se këtë sintetizim të mishëruar historik, kurrë nuk e pranoi Orienti otoman dje e ai sotmi, neo-otoman.
3.
Mirë,: nëse dje, kur quheshim arbër, duhej sakrifikuar ai emër, për t’u strehuar të gjithë së bashku te një emër i ri shpëtimtar: shqiptar, e sot?
Për hir të neo-otomanizmit, a u dashka të heqim dorë edhe nga emri shqiptar për t’u quajtur kosovar?
Qe, po e ndërrojmë edhe kombin, mbas ndërrimit të fesë dhe të kulturës dje!
Po i shpallim historinë tonë që nuk është shqiptare. Se fare ajo nuk ekziston...
Por problemi po na del te gjuha.
Si ta shpikim një gjuhë që nuk është shqipe, por otomane?!
Po e parafrazojmë Kadarenë, si u shpreh këto ditë në Prishtinë: "Fati i kombit (lexuesit) shqiptar, është i pandarë nga gjuha shqipe....”
Dhe doktrinat kombmohuese vazhdojnë.
Por dëshmi se shqiptarët ishin një KOMUNITET A BASHKËSI UNIKE, janë luftërat 35-vjeçare kundër Perandorisë otomane, nga një ushtri e fortë arbërore unike (e të gjithë arbërorëve), se Arbëria e kohës së Skënderbeut e kishte elitën e përbashkët, më të shkolluarën e më të arsimuarën në Evropën juglindore (Ballkanin e sotëm), si Pal Engjëllin (ministër i jashtëm), Dhimitër Frangun (financa), Gazullorët si ambasadorë, që ishin edhe profesorë universitetesh nëpër mbretëri e shtete evropiane të kohës, ushtarakët e lartë e të formuar...
Islamizimi masiv i shqiptarëve nuk e zbehu kujtesën historike për Skënderbeun për pesë shekuj rresht, ani se emri i Skënderbeut, po të përmendej nga arbërori a shqiptari, dënohej edhe me heqje koke, nga regjimi despotik sulltanor.
Vetëdija kombëtare moderne e shek XIX, është e hershme e që i ka rrënjët në vetëdijen kombëtare etnike të atyre shekujve.
4.
Kronikat otomane (si kronikani otoman Kevëm), kur e nisën ushtrinë e tyre kundër Skënderbeut, thonë se e nisën me "flamurin e islamit për në vendin e shqiptarëve" (shih librin "Ludta shqiptaro-turke në shk XV: burime osmane", Tiranë 1968, fq 112), pra, përmendet si emërtim i përbashkësisë gjeo-politike e etnike. Kronikani tjetër otoman i viteve 1439-39, thotë se "ai sulltan vullnetmadh...duke i qëndruar besnik ajeteve të zotit dhe lartësimit të flamujve, ka pasur për qëllim që të mposhtë të pabindurit dhe të pafetë kokëfortë, dmth popullsinë shqiptare" (po aty, fq 149)., pra përdoret emërtimi etnik "popullsi shqiptare", në letrat e sulltan Mehmetit flitet për "të pafetë shqiptarë", dmth përdor emërtimin etnik; këso kronikash (nga vetë taborri armik), ka sa të duash, që dëshmojnë me forcë këto të vërteta, ashtu si ka edhe nga arkivat evropiane.
Pra, arbërorët kishin një vetëdije të përkatësisë së gjuhës, të territorit, të përbashkësisë, të gjakut, të fesë së përbashkët (të krishterë), të identitetit të përbashkët evropian me popujt tjerë evropianë, (si përkatësi e përbashkët civilizuese). Skënderbeu mbajti Kuvendin e Lezhës (morën pjesë përfaqësues edhe nga Kosova e Maqedonia e sotme), ku u bashkuan te kjo VETËDIJE E PËRBASHKËT krejt princët arbërorë, pra kishin edhe VETËDIJEN SHTETFORMUESE kastriotiane. Ka ekzistuar një VETEDIJE E PERBASHKET ETNIKE, një vetëdije e përbashkët për lirinë. (Koncepti për LIRINë, është koncept evropian që nuk e njohin ato orientale). Islamizimi ndodhi në krejt tokat shqiptare, pra te krejt popullata, e jo në mënyrë të parcializuar (dmth tek klanet, fiset etj etj), Perandoria otomane i veçoi shqiptarët si bashkësi unike që i takon krejt një hapësire nacionale shqiptare, kundër të cilëve dërgoi ushtrinë dhe ideologjinë e saj me anë te shpatës.
Se feja e pushtuesit nuk soll në Shqipëri me anë të shpatës, këtë e dëshmon vetë proklamata zyrtare (anti-arbërore a antishqiptare) otomane e kohës:
"ata që mbetën nga armiku, gratë dhe fëmijët, i vunë në prangat poshtëruese të robërimit dhen i lidhën me zingjirët e mjerimit. Paskëtaj do të fillojë shkatërrimi i kishave, ndërtimi i mereseve, ndalimi i këmbanave dhe priushja e ligjevet. Brenda në zemrat e të pafeve, ku kishte bërë vend pafesia dhe mëkati, paskëtaj do të 5elë burbuqja e besimit në një zot të vetëm." (po aty, fq. 382).
Kuptohet, kudo në shkrimet turke "të pafe" quhen krejt shqiptarët, dmth ata që kishin NJë BESIM, atë të krishterë.
E tërë kjo bëhet, për të nxjerrë figurë përfaqësuese sulltanët otomanë/turq dhe për të eliminuar kombin shqiptar. Ata që duan të venë në dyshim këtë figurë, kanë probleme me kombin shqiptar sot, kanë probleme me identitetin e tyre kombëtar (të luhatshëm) dhe nuk e ndiejnë veten shqiptarë...
5.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u bë emblemë arbërore e shqiptare europerëndimore. U bë emblemë e Perëndimit, me të dy emrat e tij historikë, sikundër shprehet Ismail Kadare:
Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.
(poezia “Portreti i Skënderbeut”)

Monday, January 22, 2018

Prend BUZHALA: HUMANISTËT ARBËRORË TË KOSOVËS DARDANE DHE EPOKA E SKËNDERBEUT


(Nën shenjën e VITIT TË GJERGJ KASTRIOTIT), 22
Në Epokën Pasilire banorët e Kosovës së sotme quheshin ARBËN/ARBËNORË. Kishin principatat e veta me emra arbërorë në krejt hapësirat e sotme entike (askund atëbotë nuk përmendej emërtimi KOSOVË). Në librin e tij kushtuar Lekë Dukagjinit, studiuesi Tonin Çobani dëshmon se Principata e Dukagjinëve kishte dy qendra, Lezhën dhe Ulpianën (afër Lipjanit të sotëm), si kryeqytet të Principatës, të cilin e shkatërruan turqit me themel. Te “Historia e Popullit Shqiptar” (Vëllimi I, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë 2002, f. 469) thuhet se “Pali (Pal Duakgjini 1411–1458), për të cilin Gjon Muzaka rrëfen se është edukuar pranë Gjon Kastriotit, ka qenë aktiv në jetën politike. Ai ka marrë pjesë në kuvendin e Lezhës dhe që në fillim është bashkuar me Skënderbeun.
1.
Të mos harrojmë: Martin Segoni (latinisht: Martinus Segonius Nouomotanus), meqë ishte nga Noua Bërda e Dardanisë (Kosovës së sotme), është biografi i parë i Skënderbeut. Ai e ka konsideruar veten arbër e jo serb (si paraqitet gabimisht në një përkthim italian të këtij teskti, gati një shekull më vonë, më 1589 (Sipas Dh. Shuteriqi). Veprën e tij martin Segoni e titulloi "Tregime mbi Gjergj Kastriotin, nga turqit, në gjuhë të tyre i quajtur Skander Beg, domethënë Aleksandër i Madh" (botimi më 1440 -1485). Jahja Drançolli te shkrimi i tij "Qëndresa skënderbejane kishte stabilizuar qendrën në Novobërdë", argumenton: "Ndryshe nga një pjesë e historiografisë së instrumentalizuar serbe e shek. XIX dhe shek.XX, kur i qaset trevës së Kosovës së sotme përdorë emërtimin gjeopolitik “Stara Srbija”, shkrimtarët dhe burimet e kohës, pas Betejës së Kosovës, nuk e identifikuan asnjëherë Kosovën dhe popullsinë arbërore me vendin dhe tokën serbe. Këtej, humanisti arbëror i shek. XV Martin Segoni Novobërdasi (bashkëkohës i Skënderbeut), që kishte njohur nga afër realitetin etnik dhe gjeopolitik të Kosovës, si novobërdas dhe si ipeshkëv i Ulqinit, për të theksuar më mirë dallimin prej Rashës ose Skllavonisë, për Kosovë përdori emërtimin Dardani."
2.
Kësisoj, KULTI I HEROIT në letërsinë tonë nis me shkrimtarët humanistë arbërorë, Marin Barletin, Marin Beçikemin, Martin Segonin etj. Autorët e vjetër,me qenë se i takonin epokës së humanizmit dhe të Renesancës evropiane, edhe shkrimet e tyre kishin po atë përmbajtje, atë frymë dhe atë strukturë tematike-motivore. Prandaj shkrimet e tyre i mbështetnin në vlerat e kësaj epoke: në lirinë e njeriut e të atdheut, si dhe në vlerat morale e shpirtërore të popullit. Të gjitha këto veçori dhe këto kërkesa "i gjetën dhe i projektuan në figurën e Skënderbeut." Dallohet Martin Segoni me veprën "Tregime mbi Gjergj Kastriotin” (1440 -1485), Marin Barleti me veprën "Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut"(1508-1510) e Dhimitër Frangu me veprën "Komentar i çështjeve të turqve dhe të z. Gjergj Kastriotit,princ i Epirit”(1539). Të gjitha këto vepra janë shkruar latinisht,sepse latinishtja ende konsiderohej si gjuhë e kulturës dhe e letërsisë, si gjuhë universale e dijes dhe e shkencës. Këta humanistë shqiptarë i gërshetojnë idetë e Humanizmit e të Renesancës evropiane me ndërgjegjen e tyre kulturore shqiptare, si dhe me ndërgjegjen kombëtare shqiptare.
Ai është autor i disa veprave letrare dhe historiografike. Ai ishte dëshmitar i afërt i përmbysjes së shtetit arbëror,ai shkroi një skicë biografike për Skënderbeun. Ndryshe nga të tjerët që për Skënderbeun shkruan jashtë Atdheut,ai shkroi në Ulqin,më se dhjetë vjet pas vdekjes së heroit (Sipas Dhimitër Shuteriqit: "Martin Segoni - humanist në Shqipëri në shek XV", studim në veprën e Shuteriqit me titullin "Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera", Tiranë, 1987. Shih edhe: Engjëll Sedaj: Martin Segoni -kosovar, autor parabarletian, në "Rilindja" l0 V. 1989, Prishtinë, si dhe shkrimet e Jahja Drançollit, si: "Kontributi shqiptar në humanizmin e Rilindjen evropiane", në KOHA nr. 29 qershor, 6 korrik e 13 korrik 1994, Prishtin; Mahmud Hysa: "Autorë dhe tekste nga letërsia e vjetër shqiptare", vëllimet I e II, botuar në Shkup "Flaka e vëllazërimit", 1992 vëll i parë dhe 1995, vëll. i dytë).
Meqenëse ishte emëruar një kohë ipeshkëv i Ulqinit, qëllimi i tij ishte që ta informonte papën dhe opinionin evropian përgjithësisht për ngjarjet e ndryshme të luftëtarëve të popullit shqiptar kundër osmanëve, duke u nisur Segoni shkroi edhe shkrime tjera,në të cilat ndeshim fragmente mbi Skënderbeun e familjen e tij. Shkroi edhe për Kosovën, përkatësisht Dardaninë. Pra,ka të ngjarë që njëri ndër këta autorë të Anonimit të Tivarit të jetë edhe Martin Segoni. Vepra e tij ruhet në bibliotekën nacionale të Firencës. Vepra është shkruar një çerek shekulli para asaj te Barletit,kushtuar heroit tonë kombëtar.
Të gjitha veprat, që janë shkruar në këtë kohë për Skënderbeun, janë shkrime, në të cilat gërshetohen faktet dhe dokumentariteti i tyre me stilin letrar,me himnizimet kushtuar figurës së shquar të Skënderbeut, si dhe mjetet e zgjedhura stilistike kushtuar heroit tonë.
Sado që është thënë që veprën e parë kushtuar Skënderbeut do ta ketë shkruar Anonimi i Tivarit ose Tivarasi, më 1460 në Venedik, ka hamendësime, gjithsesi të mbështetura dhe në fakte, që ky Anonim mund të ketë qenë ose Marin Segoni, ose Pal Engjëlli e madje, edhe Barleti. “Pal Engjëlli ka të ngjarë të jetë autor i historisë së Skënderbeut, të botuar më 2 prill 1480 në Venedik. Të gjitha burimet historike flasin se ky duhet të jetë' autori i këtij libri,sepse familja e tij ka qenë nga Tivari dhe emrin Tivarasi duhet ta ketë përdorur si pseudonim. Mirëpo, këtë çështje historiografia shqiptare nuk e ka sqaruar ende, andaj pohimin se Pal Engjëlli është autor i këtij libri duhet ta marrim me rezerve." (Marjan oroshi: “Pal Engjëlli – kardinal dhe diplomat i shquar”, revista “Rrezja”, Buishtazhin, vitet ’90).
3.
Emra që përmenden (gjithnjë në kuadrin e Kishës katolike-arbërore e shqiptare), gjenden gjerësisht te vëllimet "Arbërit ndërmjet Perëndimit e Lindjes gjatë Mesjetës" (me 510 faqe) të Prof. dr. Jahja Drançollit dhe "Dilemat e Arbërit" (studime mbi Shqipërinë mesjetare) të Pëllumb Xhufit (tekst me 617 faqe). Ndër ta, po përmendim, pos Niketë Dardanit, edhe Shën Hilaronin ( vdiq më 420), familje bujarësh arbërorë në Raguzë, si Berisha, Gjini, Spani, Rchusi, Sorgo, Spani, Gjoni, Tani etj. përmenden zejtarë, tregtarë e klerikë katolikë arbërorë, ipeshkvi Graciani, kleriku dominikan Dominik Topia...
Ndërkaq, burri i shquar i urdhrit dominikan Valeri Novobërdasi (1474) ishte profesor i teologjisë, konventual në Raguzë e Lezhë; Gjon Vaji (1450) që vepron në Kosovë, kishte titullin bacalareus; at Arman Teutoni, Gjon Mazreku (1393), at Shtjefë Zaharia (1393, Ulqin), frati Jan Nika (1488, pleban i Novobërdës), motër Domenika nga Tivari (1493), at Alberti i Novobërdës konventual i Raguzës (1499-1529), at Lukë Mazi i Trepçës (1534-36), i shquar për kujdesin e të krishterëve arbër. Urdhrat kishtarë katolik[ e arbërorë, pas rënies së Kosovës (1455), Shkodrës (1479), Durrësit (1501), Tivarit e Ulqinit (1501) nën sundimin e gjenocidin otoman, pushuan së vepruari, por kleri katolik arbëror vazhdoi qëndresën e organizuar kundër Perandorisë otomane.
4.
Si piktorë të njohur evropianë përmenden arbërorët Gjon Injaci dhe Gjon Progoni (shk 15), që ishin nga Novobërda, e që shërbyen në Raguzë. Qytetet mesjetare arbërore qenë ngritur pranë minierave, të cilat u pushtuan nga otomanët dhe pikërisht në ato vende shkaktuan një etnocid e eksod të të krishterëve katolikë, kur pushtuan Novobërdën. Kisha e Manastirit të Deçanit ruan trajta të ndërtimtarisë arbërore-dalmate, ku përmendet arkitekti arbëror (i ritit perëndimor) Atë Vita Kuçi-Cuci, i cili ishte rektor i kishës së Shën Mërisë në Kotorr. Kishën e Deçanit, me 18 skulptorë e gurskalitës arbërorë katolikë, e ndërtoi atë Vita Kuçi. Përmendet skulptori i madh arbëror (katolik) Mikel Tivarasi (i njohur në gjithë Evropën), si dhe skulptorët e njohur Gjin Aleksi e Mark Nikollë Gjoka (të atyre viteve). Këto trajta skulpturore hasen edhe në katedralen (katolike) të Novobërdës. Për këta skulptorë të shquar arbërorë, flasin studiuesit gjermanë e shumë studiues të tjerë.
Arbërori Jak Pjetër Llukari - familja e gjerë Llukaj shtrihej në shumë vise të Kosovës(1551-1615), ishte historian i njohur i epokës së Humanizmit e Renesancës, që shkroi veprën historiko-letrare "Analet e Rrushës (Raguzës)", i cili flet për ngjarjet e Kosovës dhe përmend arbrin dukë Bogdanin në shekujt paraosmanë(paraardhës i Pjetër Bogdanit). Pastaj sunduesi arbëror (katolik) i Zetës - Kocapar (Cocciapar), Ky historian jep njoftime, emra arbërorësh e vendbanimesh të Kosovës në vazhdimësi etj.
Prof Jahja Drançolli (te shkrimi "Qëndresa skënderbejane kishte stabilizuar qendrën në Novobërdë") shkruan: "Në rrethinën e Novobërdës janë gjendur edhe dy qytete. Prilepi (castrum Prieliepaç prope Nuam Berdam) dhe Prizrenci (Priesrienaç) si qytet (castrum). Se përnjëmend Novobërda ishte qendër e madhe, dëshmon edhe numri i madh i banorëve të këtij qyteti, si dhe pasuritë e mëdha të tij. Këtë të dhënë e ilustrojnë më së miri dokumentet zyrtare të shek. XIV-XV, të cilat ruhen në arkiva italiane, raguzane e turke. Njoftime interesante sjellë edhe udhëpërshkruesi francez i shek. XV, Bertrandon de la Broquere, i cili në udhëpërshkrimin e quajtur. Le voyage d'Outremer theksonte se, Novobërda gjendet buzë lumit Moravë në kufijtë midis Bullgarisë, Arbërisë, dhe Bosnjës ( "A une ville que fon nonune Nyeuberghe qui est sur la rivyere de la Morave sur la marche de Vulgarie et de d'Albanie et de Bossen". Në këtë qytet gjendet një xeherore e arit dhe e argjendit dhe nga ajo nxirren për çdo vit më tepër se 200.000 dukate ari ("Et en ceste ville a mine d'or et d'argent tout ensemble, et en tire tous le ans plus IIC mille ducatz"."Në vazhdim autori jep dhe sulmet shktarrlimatre barbare, anticivilizuese të sulltanëve turq: "Sulmi vendimtar u krye nga vetë sulltan Mehmeti II Fatihu".
Pasi që qyteti i lindjes së humanistit në fjalë ra përfundimisht në duart e osmanëve më 1455, nga ky qytet, sikur edhe më vonë nga Shkodra, morën rrugën e mërgimit pothuaj të gjithë novobërdasit. Është për të vënë re se atëbotë nga Novobërda u ndanë edhe disa krijues të njohur, të cilët, duke vijuar shkollimet e filluara në vendlindje, bënë emër të burrave të shquar në dhe të huaj. Këtej Martin Segoni mbaroi doktoratën në Universitetin e Padovës. Për të qenë më afër ngjarjeve që e kishin kapluar Atdheun në vitin 1482, erdhi në Ulqin, ku shërbeu si ipeshkëv. Duke qenë dëshmitar i afërt i përmbysjes së shtetit shqiptar dhe i nismës së rrezikut për pushtimin e Italisë, Martin Segoni shkroi skicën e tij jetëshkrimore skenderbejane të njohur.
5.
Në fazën e saj të parë ortodoksia nuk ishte nacionale, mbasi Kisha drejtohej nga Perandoria Bizantine, me premisa universale, kozmopolite. Por e tillë ajo u bë me themelimin e Kishës ortodokse serbe, pas vitit 1346, ku kishat sllave identifikohen me shtetin e etninë. Perandori Dushan ndalon propagandën katolike. Papa Benedikti XI (1303), përmend famullitë katolike në Trepçë, Graçanicë, dioqeza e Kotrrit, Prizrenit, Janjevës, Novobërdës etj...hapësira të ritit katolik në këtë mbretëri, që përputhen me trojet ku jetonin shqiptarët. Drançolli, sipas dokumenteve të kohës, thekson se ka shumë më tepër shënime për Kishën katolike në Kosovën arbërore, se sa për atë ortodokse serbe etj. Por letrat e papëve, kronikat e kohës, relacionet e priftërinjve (prej qindra faqesh), letërkëmbimet etj, flasin për rrënimet e përvetësimet e kishave të moçme arbërore nga serbët.
6.
Tek vepra "Ipeshkvia Shkup-Prizren ndër shekuj" e Gaspër Gjinit(1986 kroatsht, 1992 shqip), flasin për të vërtetën e temës përkatëse, ku shtrirje të kishave katolike hasen kudo nëpër Serbi, ka pasur qindra vendbanime me arbër, e lëre më me shumicë nëpër Kosovë. Te Manastiri i Deçanit hasen emra tipikë shqiptarë për besimin katolik si Gjin, Gjon, Llesh, Prengë, Llesh, etj (Pëllum Xhufi: "Dilemat e Arbërit"), e e jo emra ortodoksë; aty flitet për konvertim të dhunshëm të katolikëve në ortodoksë (fq. 36), si luftë kundër "herezisë katolike". Kurse gjatë shekujve ky manastir është ruajtur nga shqiptarët (e krishterë dhe myslimanë), sipas traditës së "Kanunit të Lekë Dukagjinit"(shih Mark Krasniqi, shkrimi "Manastiri i Deçanit në traditën e popullsisë shqiptare të rrethinave" në librin "Nga gurra e traditës", 1991). Ndërsa pjesa "Kisha e krishterë ndër shqiptarët e ritit romak dhe atij lindor..." trajton këto probleme në kuadër të librit "Krishtenizmi ndër shqiptarë" të Zef Mirditës (të paktën, Zef Mirdita u shpall shkencëtar i vitit 2011 nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës). Në librat e tij "Çështje onomastike pellazge-ilire-shqiptare" e "Ilire-shqiptarët e serbët në Kosovë" të dr. Rexhep Doçit, trajtohen këto probleme, si tek pjesa e librit të parë me titullin "Ndriçimi i zanafillës së kishave dhe krishterimit në Kosovë" - Kisha e Bajës së Mitrovicës, Kisha e Decviçit në Drenicë, shndërrimi i disa kishave në xhami etj ( që të gjitha katolike)... Herezi,për Kishën ortodokse të Car Dushanit, ishte katoilicizmi, po qe se ishe katolik dhe dihet historikisht dhuna e përgjakshme që ka ushtruar ai. E vërteta me Kishën ortodokse Serbe është krejt tjetër nga ai i kishave ortodokse në Greqi, Shqipëri apo Rumani. Kisha serbe shkatërroi edhe atë solidaritet e afri që kishin ritet lindore e perëndimore me njëri-tjetrin (dëshmi është riti lindor i të krishterëve arbëreshë në Itali). Kodi i Car Dushanit theksonte se "protopapët e kishave të mëdha duhet të konvertojnë latinët (arbërorët katolikë) në çdo qytet e fshat. Në rast se gjendet një klerik latin që përpiqet të konvertojë një të krishterë në besimin latin, ai do të dënohet me vdekje:..."