Saturday, May 6, 2017

Prend Buzhala: NGA LEXIMET

NGA LEXIMET. Citime. Botime të reja.Paulo Coelho: "“DORËSHKRIMI I GJETUR NË AKRA”, roman. Përktheu Erion Gjatolli. Botimet TOENA, Tiranë 2017.

1. ... e vetmja mënyrë për të rezistuar, është të vazhdojmë të dashurojmë (f. 79)
2. Prandaj janë të bekuar ata që nuk i druhen vetmisë. Nuk ka si ta njohë veten ai që nuk është kurrë vetëm. (f. 40)
3. Përse piklat e shiut përpëliten të shfaqin ylberin, kur hasin rrezet e dritës? Thjesht, sepse natyra synon bukurinë. Dhe gëzon vetëm kur arin ta larësojë. (f. 63)
4. Armiku nuk është ai që përballet haptaz me ty,.. por ai që ecën krahas teje, me kamën (shpatën) e fshehur prapa shpine... Lufta më e rëndësishme nuk është ajo që ndërmerret për arsye të larta fisnikërie... por konflikti që po zhvillohet tani, bash në këtë çast - një luftë që ka shpirtin si fushëbetejë e ku përballen e mira me të keqen, Guximi me Jetën, Dashuria me Frikën. (f. 171).

Grigor Jovani: Cikël Poetik

KLINIKA E ZOTIT

Ka zot, e di! Më shpëtoi prej saj!
Thirri Jezui: “Llazar! Pa dil përjashtë!”
Faleminderit, Zot, që i ktheve sytë. Pastaj,
paske kaq punë! Kaq popull të pret jashtë!
Problemi është: nuk kanë mbaruar hallet,
ka kohë që s’mund të prehem në karrike.
Mendoj atë. Kam frikë! Paniku ngjallet.
E pashë në “google”: Lëkundjet passizmike!
Po të mbaj rradhë, Imzot, para klinikës,
çatia e zemrës do më bjerë prej frikës.

KJO BOTE KESHTU...

Ç'është kjo botë kështu,
ku njerëzit për Perëndi njohin Gënjeshtrën,
ku vetëm kjo ka vlerë në këtë Fermë të pështirë,
me Hipopotamër dhe Derra?
Ç'është kjo Arenë Cirku, ku drejtëpeshojmë
sipër një teli të tendosur mbi humbëtirë,
ndërsa nga të katër anët fryn era?
Ç'janë këta kllounë, që u vetëquajtën politikanë
dhe u shndëruan në akrobatër të klasit të parë,
duke lyer si palaçot fytyrat?
Nuk u rëndojnë xhungat, që ua bëmë
duke u hedhur nëpër mitingje gurë edhe baltë,
faqet s'u përcëllojnë nga të pështyrat?
Ah, moj botë, moj botë, lumenjtë e tu
nuk janë të mjaftë
të të pastrojnë nga lyrat!

NUK KAM PER TE VDEKUR!

Më nxinë dy sytë, por unë shikoj me mendje,
gjuhën më prenë, por kam mësuar fjalët e erës.
Në më prefshin dhe veshët, do të dëgjoj 
me guackat e detit.
Në më shkurtofshin gishtërinjtë, me ato
të këmbëve kam për të shkruar.
Imzot! Për inat të tyre, nuk kam për të vdekur...
Gjersa e kam mendjen në vend. Dhe zemrën det,
për të dashuruar.

JAM I ÇMENDUR

Kështu më vjen, ta mbys
 në orët e mia të marra.
Ta shikoj tek përpëlitet
duke dhënë shpirt,
në duart e mia si dara.
Pastaj ta puth,
t’i fal shpirtin tim,
ta rilind,
për ta dashuruar nga e para.

ÇESHTJE E MBYLLUR

Me sa di,
nuk është ngritur padi,
për më të madhin mashtrim,
që ka njohur bota.
Për Kalin prej Druri,
që zhduku një komb,
duke ecur mbi rrota.
Këtu e mijra vjet,
kali ogurzi,
quhet “çështje e mbyllur”,
fshehur thellë në terr.
S’do mend. Gjersa grekët,
caktuan avokatë
një Eskil, një Homer…

PERMBYTJE

Ndodhi një tronditje e madhe
brenda meje. Në asnjë stacion sizmologjik,
shënjat nuk mbërritën.
Vargje të thërrmuara dolën në sipërfaqen
e trurit. Puset e thara që kisha brenda vetes,
u përmbytën.
Dallgët e detit të brendshëm shpërthyen
jashtë. Pulëbardhat u trembën dhe nuk e di,
se nga ikën.
Kushedi, në cilën botë e nxorrën llavët
shpirtin tim! Vetëm për vetëm
me frikën.


TE KERKOJ NJE NDER

Sot një nder të kërkoj
dhe asgjë tjetër:
më bëj një vjershë të ngrohtë,
si një jorgan,
nga ato që të zenë dhe këmbët,
pak të gjatë!
Jo nga ato që i ke për miqtë,
atë që e ruan për tët atë!


DASHURITE

Për tridhjetë vjet, këtë rrefren
dëgjoj kur e vetme shkon dhe flen:
“Do shkruash më? Lëre tani...
Eja, sa gjumi s’më ka marrë.
Shpirt kam dhe unë. Dua të ngrohem...”
Por unë, me dashurinë e parë,
si ndodh gjithmonë edhe harrohem?!

RAST I HUMBUR

Shumë gjëra nuk di t’iu them për Franin,
këto të paktat mësova dhe
po ua them: lindi në Kthellë të Epërme
të Mirditës, punoi disa vjet në Athinë
kamarier. I pëlqente teatri. Luajti
në lëvizjen amatore. “Toka Jonë”,
“Familja e Peshkatarit”... Tërhoqi
vëmëndjen e një regjisori,
në një çast...
Veçse mbahet mend për diçka tjetër,
kaloi me not lumin e Fanit,
gjatë dimrit,
për një bast.
Mbrëmë e sollën të vdekur në fshat, nga
emigracioni. Mund të luante edhe
“Romeo dhe Zhuljeta”, por
nuk pati rast.

Agim Gashi - ZAJKO KOKORAJKO

(Made in Macedonia)
Ke çu kry o Zajko
Zajko Kokorajko,
Me sy kah Rusia
Zajko serbezlia!
Ti po më thu „tuka“
Unë po t'them „këtu“,
Zajko Kokorajko
Se ç'u ngule n'hu!
A p'e sheh bre Zajko
Zajko Kokorajko!?
Bum-bum Amerika
Zajko lele majko!
„Tuka“ Amerika
Ivanov Gruevski,
Zajko Kokorajko-
Talatit „mirë mjesi“!

Nehat Jahiu:SI NUK E KISHIM DITUR

SI NUK E KISHIM DITUR NE SHQIPTARËT QË AQ TRIMA, DËSHMORË DHE HERONJ TË GJALLË KISHiM PASUR.



Po të marrësh dhe të lexosh në facbook, në portale, në gazeta, revista e sidomos të shikosh mbrëmjeve ekranet televizive të mbushura me aq shumë trima, dëshmorë dhe heronj të gjallë të shqiptarisë besoj se është krenari e madhe për kombin tonë, por kur vie puna për ti numruar kokrrat e fasulës aty ku derdhet gjaku, aty ku falet jeta për komb e atdhe askund nuk mund ti gjesh të tillët, por edhe adresat nuk mund të ua gjesh se ku kanë ikur dhe nga ia kanë mbathur duke ikur. Kush duhet të flas për komb e atdhe? Ata që u futën në front të luftës? Ata që derdhën gjakun e tyre duke luftuar nëpër beteja? Ata që i lanë pjesët e trupit nëpër fusha e male. Ata që ia falën jetën atdheut dhe lirisë apo duhet të flasin dhe të na tregojnë patriotizëm, atdhetarizëm ata të cilët vodhën dje, vjedhin sot e do të vjedhin nesër djersën e popullit? Ata që shkelën, ata që po shkelin dhe ata qe do të shkelin mbi gjakun e bijave dhe bijve më të dashur të kombit? Deri kur do ti dëgjojmë të tillët dhe do u shkojmë pas atyre qe dje , sot dhe neser janë mësuar për ta shitur bythën e tyre për pushtet, për tendera, për karriga dhe... E ne mu të tillve ju shkojmë me vite të tëra pas. Atyre që i kanë ndrruar partitë politike si aba Ajshe që dikur i ndrronte burrat. Nuk kanë faj aspak këta. Dihet fajtor jemi ne që kurr nuk e ngritëm zërin për ta thënë një fjalë, por vetëm heshtëm e atyre ju shkoi, po u shkon dhe do ju shkoj uji në mulli.Kështu është kur livadhin është pa zot ju vjenë radha ta kullosin edhe shumë pela qorre. Le ta kullosin, sepse ua kemi dhënë vet shansin gjithmon. Le të dalin për çdo natë dhe le të na shesin demagogji dhe hipokrizi. Këtë ua kemi mundësuar ne .

Thursday, May 4, 2017

Ramiz Kuqi: Cikël Poetik

RRËSHQASIN

Gishtërinjtë e mi 
Si tingujt
Mbi pianon e lodhur
Nga rrëshqasin këto pika shiu
Sonte?
Te Ura e Gurit
Ështe veshur nata
Me fund të zi?
Në Tiranë
A bie udhëve ndonjë këmbanë?
Rrëshqasin
Si krimbat me njëmijë sy!


DEGËZIM
Degëzohu ti lum andej
Rrjedhës së damarëve
Për Evropë
Do të mbetësh
Leckë
Dhimbjen mbi plagë
S'ti shëron asnjë fjalë
Shtrij duart
Në gurrën tënde
Mblidh
Ëndrrat tua të shekujve
Në një varg atdheu !
3.5.2017

Ç' FRYN

Erë e lehtë e rëndë
Erë me tallaz
Tiranë
Ç'kanë udhët,ç'kanë
Seç duartrokisin fjalët
Zërat
Si tinguj të ngrohtë
Të egër
Ç'fryn moj erë
Erë nga deti
Nga malet
M'i frikëson zogjtë
Qiellin me shi !

KUR ZBRET NATA

Çadrat bien në heshtje
Hëna
Ulet në sofër
Ta gjej udhën e
Mbyllur mes shkronjave
Pa presje e pikë
Kur zbret nata
Grish diellin në Tiranë
Në një libër të pashkruar !


PAK VERË

E mira e detit e bukura pulëbardhë
Të grish sonte buzë bregut të luaj pak me valë
Ta vras kohën me pucrra qiellin e zi
T'i mbledh miqtë e fjalës në sofër të pi
Pak verë sa gota nuk është thyer në tavernë
Ta deh fjalën kur jashtë rigon mbi qyngje shi
Bonjake është nata pa puthje në varg
Sojnike e heshtur c'më vjen sonte me detin pulëbardhë llahtari !

Prend BUZHALA: KRYEVEPRA E DYTË HISTORIKE KASTRIOTIANE


(Çaste eseistike: Fjalimi i Kuvendit të Lezhës krijoi VETËDIJEN E PËRBASHKËT ARBËRORE, traditat shtetformuese, përfaqësuese, ato demokratike, të pajtimit e të bashkimit etnik: NGA ORATORIA), 3
1.
Në historinë e oratorisë botërore shënohen edhe Fjalime që kanë ndryshuar botën a që kanë lënë gjurmë. “Nëse dëshironi të jeni orator, atëherë duhet të bëni një vepër të madhe”, shkruan Wendell Phillips. I tillë është Fjalimi i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i mbajtur në Kuvendin e Lezhës, më 2 mars 1444.
Një kusht tjetër, që përmendin studiuesit e retorikës për një orator, është personalitetit i folësit, oratorit, i cili patjetër duhet të ketë vlera njerëzore.
Nga fjalimet janë krijuar legjendat retorike, si ajo e Kenedit më 20 janar 1960: “Mos pyetni se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por çfarë mund të bëni për vendin tuaj. Të dashur qytetarë të botës, mos kërkoni se çfarë për ju mund të bëjë Amerika, por çfarë mund të bëjmë së bashku për lirinë e njeriut”. Ka mbetur traditë europerëndimore, që nga antika, më saktësisht që nga Perikliu, që, pas rënies së luftëtarëve, ata të nderohen me nga një fjalim apologjik memorial. Kështu veproi profesori, shkrimtari dhe gazetari anglez Simon Sebag Montefiore, që përmblodhi brenda një vëllimi fjalimet më rë rëndësishme botërore me titullin “Fjalimet që ndryshuan botën”.
2.
Që Skënderbeu nuk ka qenë vetëm kryeushtarak, po edhe mendimtar e strateg politik, me vizione largpamëse, e dëshmon pikërisht ngjarja e madhe historike e Lezhës. Secili fjalim i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, është historik, fjalim i ngjarjeve të mëdha, që shënuan një krye-epokë. Përpos Fjalimit të Tij përpara arbërorëve pas çlirimit të Krujës nga Osmanët, më 28 Nëntor 1443, të tilla janë edhe Fjalimi i Gjergj Kastriotit në Kuvendin e Lezhës 2 Mars 1444 apo Fjala e Skënderbeut para princave para vdekjes. Porse, me thesarin e tillë të fjalimeve epokale, a të ngjarjeve me shumë rëndësi, ka edhe në literaturën tonë. Ato janë shqiptuar në kohën e duhur, kanë shënuar ngjarjen që ka lënë vulë dhe kanë përcjellë mesazhin e mobilizimit a mesazhin e madh testamentor historik. Fjalimet e Mëdha thuhet se i japin përmbajtje dhe trajtë historisë dhe kohës kur ato u shqiptuan e u shkruan. Nëse te Fjalimi i Parë i Skënderbeut hasim tonin mobilizues, atdhedashës, luftarak, të urtë, gëzimin e fitoreve të para kundër pushtuesit; Fjalim që dhuron frymëzim për beteja të reja e për ekzaltimin e pamatshëm ndaj lirisë; atëherë po ky mobilizim, si vetëdije historike që shtegtoi nëpër shekuj, u shfaq kujtesa monumentale shqiptare për vlerat e lirisë, pavarësisë e, gjithsesi, edhe demokracisë. Te rrëfana e nëntorit kastriotian, ne i ndërlidhëm nëntorët e mëdhenj të shekullit XX...
Te Fjalimi tjetër, i mbajtur në Kuvendin e Lezhës 2 Mars 1444, Gjergj Kastrioti po u drejtohej një elite të zgjedhur arbërore, një Kuvendi të madh Historik; po fliste përpara Gjergj Arianitit, figurave të mëdha arbërore si Andrea Topia (me nipat Muzaka, Tanushi e Komini), apo Teodor Muzaka, Pal Dukagjini, Nikollë Dukagjini, Lekë Zaharia, Pjetër Spani, Lekë Dushamni, Gjergj Stresi e shumë të tjerë, që të gjithë luftëtarë e prijës të spikatur, me përvoja të shuqara në fushën e betejave. Kuvendi ishte institucion organizimi që përfaqësonte politikisht e atdhetarisht të gjitha krahinat arbërore. Të mbaje Kuvend, do të thoshte se je një popull i pjekur, i organizuar, se ishe në gjendje të merrje vendime demokratike, se ke ditur ta bësh Hapin e Madh Historik për bashkim politik të trojeve etnike arbërore brenda një udhëheqjeje qendrore nën Skënderbeun. Prandaj ai tubim u quajt edhe Besëlidhja e Lezhës, Liga e Princërve Arbërorë, e që u mbajt në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhë, në organizim të vetë gjeneralit të posakthyer nga ushtritë osmane. Te ky Fjalim ai shpalos vendimet e qëllimet e kësaj Besëlidhjeje e bashkimin e principatave e të fisnikëve shqiptarë, një si Rimëkëmbje e Mbretërisë së Arbrit. Kuvendi u mbështet edhe nga Papa. Kuvendi mori vendim për formimin e një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu, krijimi i një arke të përbashkët për shpenzimet e luftës. Ky Kuvend dha traditën e marrjes së vendimeve të shumicës më vonë, ndër shekuj, traditë e Fjalëve të pleqve e të pleqësisë. Iashte njël Besëlidhje jo vetëm ushtarake, por edhe politike. Mbi të gjitha, dha Traditën Proverbiale Shqipatre të Pajtimit (le t’i kujtojmë kuvendet e mëvonshme, deri te Pajtimi i Madh i Gjaqeve më 1990, nën drejtimin e Atnon Çettës).
3.
Skënderbeu dallonte luftëtarin lakmitar nga ai që lufton për lavdinë e atdheut: "Një plaçkë e madhe lufte mund rë mendohej se do t'i sillte fitimtarit pushtimi i dejës, që kemi përpara. Por asnjë arsye e tillë, ju lutem, le të mos ju armatosë ju, në këtë luftë; arsyet e tilla janë zakonisht dëshira njerëzish lakmitarë dhe shtytje turme të ulët. Burrat trima le t'i nxisë vetëm zegzhi i dashurisë për lavdinë e dëshiruar,... "
Kësisoj, ai tregohet vizionar, largpamës, udhëheqës i vendosur, bashkues, pajtimtar. Nëpërmes fjalimit, Skënderbeu analizon situatën e luftës, raportin e forcave, shpalos planin e betejave. Kryeprijësi ushtarak e politik, dinte të prekte plagën e përçarjes:
"Është për të qarë me lot se si princat e kombeve të krishtera, nga mos uniteti dhe kontratat e dëmshme të tyre, duhet ta fajësojnë veten për mjerimin e përgjithshëm. Por qielli është dëshmitar se pushtuesi otoman mund të thyhet lehtë vetëm duke i bashkuar forcat tona. .. Por unë nuk do të ndalem në fatin e trishtuar të princave të huaj. Ata janë vëllezërit e mi, të cilët u vranë mbrapa shpine në mënyrë të turpshme."
Më tutje ai shpalos përvojat e hidhura të vëllavrasjeve, e sidomos të shfarosjeve të familjes së tij, për ta arritur atë të bashkimit:
"Më lejoni t'ju them, pra, pse shtëpinë time e zhdukën me qëllim në mënyrë të mjerueshme. Babai im, miku juaj, u sulmua nga sulltani turk me një ushtri të madhe. Fqinjët tashmë ishin nënshtruar para këtij pushteti barbar dhe askush nuk mundi t’i shkojë në ndihmë atij. Kështu që ai u detyrua të pranojë një ndër kushtet më të rënda: dhe kjo ishte shkatërruese për të. Ai vdiq, bijtë e tij u vranë. Vetëm unë mbeta gjallë. Qielli e ka dashur këtë dhe unë shpresoj se ju do më lejoni që të marr hak ndaj të pabesëve. Babai im ra viktimë e mos unitetit dhe e përqasjes së princave shqiptarë. Unë shoh akoma edhe sot të njëjtin fat si më parë të mbretërisë sime, por edhe ju, ashtu si unë, nuk doni të qëndroni në buzë të humnerës.
Çfarë mendoni?
Qëllimi i turkut nuk është vetëm shkatërrimi im... "
Përmes elokuencës, fakteve të gjalla, rrezikut të përbashkët të zhdukjes, ai fliste thjeshtë, me qartësi të habitshme, pa shprehje të emfatizuara. Rëndom, fjalimet e tilla karakterizohen me Fiorcën e Fjalës së Gjallë, por edhe nga depërtimi në thellësi të çështjes së përgjithshme, një depërtim në realitetin e ngjarjeve:
"Tani ju ftoj që të jemi unanimë, dhe kjo do të ndihmojë që ne të dalim triumfues, ashtu si Hungaria doli triumfuese ndaj këtij armiku të egër.
Forca e Shqipërisë është njësoj si një lumë i vogël që rrjedh në drejtime të ndryshme. Nëse të njëjtit bashkohen në një shtrat të vetëm, ata formojnë një pjesë të madhe dhe të fuqishme të lumit. Kjo rrethanë më frymëzon mua, më jep besim dhe shpresë e më magjeps se shqiptarët, me armët e tyre, do të korrin fitore të lavdishme e kështu krishterimi i Europës do të vërtetojë vlerën e tij të njëjtë. Unë vetë kam jetuar afërisht tridhjetë vite si peng dhe në oborrin e tyre, i mësuar me armët e tyre, e di mënyrën e luftës së tyre, e njoh tërë ushtrinë e tyre, ndaj mendoj se tani është koha për të vepruar me sukses kundër tyre. Prandaj, në qoftë se unë, si komandant i tyre në shumë beteja të përgjakshme e kam mundur armikun e tyre, si do të duhej të veproja unë tani? Vendi im, mirëqenia e tij dhe e miqve të mi, më kanë dhënë besën e tyre që me gjak të mbroj vendin. A nuk do të mbetemi fitimtarë? Mos lejoni që të frikësoheni nga thashethemet boshe rreth krocave të armiqve tanë, duke ditur se para pak kohësh ata janë mposhtur krejtësisht nga Huniadi, dhe që në bërthamë trupat e tyre ishin shkatërruar krejt. Kështu, ajo çka ka mbetur tani nuk është asgjë më shumë se një grumbuj banditësh, një turmë frikacakësh e barbarësh pa asnjë qëllim dhe përvojë. Unë i referohem edhe historisë së lartpërmendur të kohëve të fundit rreth betejës së mëparshme të Moravës, të Huniadit me forca të vogla, por të veshura fuqishëm. Perëndia nuk pyet për numrin e armiqve, nëse besimtarët e duan fitoren.
Nga bashkëbisedimi i sotëm varet fati i Shqipërisë. Unë ju kam treguar për rrezikun e përbashkët, si dhe për mjetet se si duhet shmangur ai; ajo çka varet sot prej jush është përmbushja e kësaj që u tha, e planeve të mia të menduara në mënyrë të pjekur. Dhe, nëse ju e bëni këtë dhe e pranonin, Shqipëria do të shpëtojë dhe brezat që do të vijnë do të jenë mirënjohës dhe do të luten për ju e për shpëtimin e tyre dhe të vendit”.
4.
Gjon Keka, te vepra e tij historike "Roli politik dhe ushtarak i shtetit të Arbërit" (2016), shkruan se, në saje të "politikës së tij vizionare, duhet rikujtuar këtu se në fjalimin e tij në Kuvendin e Lezhës, para të pranishmëve ai shpalosi strategjinë e tij të rikthimit të natyrshëm të hapësirës së plotë të Ilirisë në vendin e vet. Ky fjalim, në lidhje me këtë bashkim apo lidhje, është transmetuar nga dëshmitarët venecianë në këtë asamble apo kuvend kombëtar, të cilët e kujtojnë të ngjashëm me stilin e madh të heronjve të Homerit. Luftëtarët shqiptarë ngjasonin tashmë si në ditët e lashta të Epirit dhe Ilirisë, oratorë dhe poetë. Ndërkaq, duhet nënvizuar edhe ajo çka shkruajnë kronistët, se pavarësia, edhe pse ishte e shkurtër, ajo qe si një meteor mbi qiellin kombëtar të arbërorëve. "
Ky Fjalim shënon, pra, ngritjen e Shtetit të Arbrit, krenarinë arbërore, i faktorizuar edhe ndërkombëtarisht, duke qenë edhe "model edhe për vetë Evropën dhe kombet e saj të periudhës së Mesjetës. Ndërkaq, ai kishte themeluar shtetin dhe kishte shpallur pavarësinë e gjerë kombëtare mes popullit arbëror; energjia dhe aftësia e tij tashmë ishin pranuar pothuajse pa përjashtim nga të gjithë prijësit arbërorë, me të cilët qeveria e Gjergj Kastriotit përfaqësonte interesat e shtetit në të gjitha drejtimet, duke e fuqizuar atë në themel dhe duke siguruar se do të kishte marrëdhënie ndërkombëtare e diplomatike të fuqishme me aktorë të kohës në shumë vende evropiane. " (Gjon Keka, po aty).
Fjalimi i Kuvendit të Lezhës ngriti një traditë që vazhdoi ndër shekuj deri më sot: atë të Besëlidhjeve Shqiptare, të organizimeve politike e ushtarake, të përfaqësimeve elitare, të vendimeve me shumicë demokratike, të idesë së mbajtur gjallë për një shtet të përbashkët etnik dhe atë të pajtimeve të mëdha historike.
(3 maj 2017)

Wednesday, May 3, 2017

Sinan Kërpaçi: PËR TË EGËR

Në të shtrëngoi malli për mua –
takomë,
po të mungoi –
harromë
siç më ke harruar:
shpëto veten, shpëto dhe mua.

Mos e quaj këtë
si të imponuar nga unë,
domethënë nga ai
që s`e ke më për zemër:
gjyko si për dy gjahtarë
që kanë dalë për të egër
me kostume “kamuflazh”.