Saturday, May 13, 2017

Murat Gashi : THUAJA FJALËN

Hapeni derën ju thash, e mos shikoni se nuk ju ha Po ju nuk dëgjuat ju lash Me ju humor nuk ka Jo, jo nuk dëgjuat ju erdh turp që hyra si njeri si një egërsi më konsideruat e egërsi je lëneshë ( laneshi ) vet ti !... Thonë: thuaja fjalën sa nuk ua kanë thënë të tjerët përpara Se pastaj trurin ua shpërlajnë sikur uji që hynë nëpër ara E pse oj hënë sot nuk dole si përherë Athua sepse lumi ia thotë melodisë Athua pse unë në këtë natë i mërzitur piva verë Edhe i mërzitur i falem dashurisë Retë e mbuluan qiellin e Prizrenit Ora dy pas mesnate solli akrepat e ri Tek shikoj terrin mbi malet e Cylenit Errësira e ka atakuar majën e tij Hënës ia kishin pre rrugën e kishin pre në besë Dhe ma këputi dashurinë në këtë natë Retë u shkëputën e u shpërndanë pikë e pesë Dhë hëna ngriti kokën me doli para plot shtat Ju lulet mia të nesërmen, priteni diellin me reze plot Do të ju ngrohë, por unë sonte jam shumë i dëshpëruar Kur dje mbi faqet tua ju kishte ra vrugu se përballova dot Për të ua terr trupin e zemrën, mua për të më errësuar Brenga ime ishte e kotë falë edhe Zotit të gjithësisë Dhe drejtësisë që gjithë kohën i shpall luftë djallëzisë I hapët sytë, zemra mu bë sërish strehë e dashurisë E shpresa u ngjit lartë hapi rrugën e dritësisë Dhe ty njeri s’të pata asgjë prej damari Je i largët shumë i largët prej gjakut tim Zoti të dhashtë forcë e të shndrit varri Por të më afrohesh herën tjetër mos ke guxim Një shllungë mjegull u ngrit nga toka Në ishte tym apo ishte mjegull në këtë natë Nuk e di sytë më ishin verbuar nuk e dalloja E pyes veten athua çfarë po ngjan Dhe i la kullosat në qetësi Pranverën ta fal dashuri Sytë s’ngopen me kënaqësi Shpirti im gjen tek ju qetësi Sonte i pata tre mysafirë Në gjuhën time hedhin helm e vrerë Kokës i kishin vënë brirë Llomotitnin si kameleon të mjerë Sot u shndërrua në muze faqeziu Mosni kështu nuk e do njeriu Se toka rrotullohet Gjithmonë kështu nuk shkohet.

Kasam Shaqirvela: LUFTA E ShQIPTARIT NËN FLAMURIN E HUAJ


Thuan se betimi
bëhet para flamurit
aty jepet edhe
besa e burrit,
në çdo luftë të huaj
thuajse shqiptarët
dukshëm bëjnë pjesë,
sa herë që u kërkohet atyre,
pjesëmarrja e pakushtëzuar
ata në luftërat e tjerëve
marrin pjesë
bile guximshëm
e japin edhe jetën e tyre
për fjalën e dhënë
at’ fjalën me besë,
e që për shqipet,
shpeshherë, përfundon
dhimbshëm?!
dhe, si e tregon puna tani,
ai që e fiton luftën
nuk e çanë kokën aspak
për atë që në luftë vdes,
sepse ai shikon përpara
dhe vetëm të vetin interes,
dëshiron të shpenzojë
lekë sa më pak
dhe, s’i ha palla se,
kujt i hy ndër hak, apo
kush ia paska dhënë
fjalën me besë!
apo, se kush do lindë
e kush do vdesë?
ose dhe cilin
do ta shkel në besë?!
për atë mjafton
që çështjes së tij,
madje pa merak
nëse duhet
edhe pabesisht,
por besueshëm,
ti vë kapak!?
Një herë e përgjithmonë
ta mbyllë mirë, pra
kjo çka po ngjet me ne
është si një Kuti Pandore
përplot me të papritura?
Që t’bien prej dore
herë nga nërkëmbëza!
e herë nga t’rrëshqitura?
sa më parë duhet rishikuar
situatë pas situate dhe
asesi s’duhet lënur pas dore
e kaluar kohës prore
sepse, edhe ashtu, ne,
si tepër, jemi t’vonuar!?
duke ngecur
në rrugëtimin tonë
të stërgjatë
labirintheve të jetës
e korridore të kohës,
duke i kthyer
dritë e ditë
n’terr e natë!

Friday, May 12, 2017

Prend BUZHALA: QYTETËRIMI E ARSIMI SHQIPTAR NË GOJËTARINË E LUIGJ GURAKUQIT


(Çaste eseistike: Fjalimi i Luigj Gurakuqit që e mbajti më 1 dhjetor 1909, kur u hap Normalja e Elbasanit. NGA LEKTYRA E ORATORISË SHQIPTARE), 11
Të shumta janë edhe Fjalimet që e shquajnë si orator Luigj Gurakuqin, një personalitet që u spikat në shumë fusha: në atë të jetës politiko-shoqërore dhe në atë të jetës arsimore-kulturore. Duke qenë gjithnjë një intelektual i shkolluar në ne Kolegjin arbëresh të Shën Adrianos e të Shën Dhimitër Korones, duke pasur mësues të spikatur, atdhetarë e intelektualë të shquar si Anton Xanoni, Gaspër Jakova - Merturi dhe Jeronim De Rada; duke njohur gjuhë të huaja (njihte shkëlqyeshëm latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten, dinte greqisht e gjermanisht dhe thuhet se ka të ngjarë edhe anglishten); duke u shquar si rilindës, luftëtar, demokrat, revolucionar e veprues në të gjitha kohët, deri sa u vra më 2 mars 1925 nga dora mbretërore zogolliane; Luigj Gurakuqi ishte personifikim i ngjarjeve kulmore të çerekshekullit të parë të shek XX: si drejtori i parë i Normales së Elbasanit, si krahu i djathtë i Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë, dhe si demokrat revolucionar pranë Nolit në vitet '20. Ai ishte edhe poet, teoricien i letërsisë në fushë të metrikës, u mor me kritikë letrare e gjuhësi, por u dallua edhe në fushën e përkthimeve, në atë të publicistikës, nga njëra anë, si dhe në atë të diplomacisë, të arsimit, të pedagogjisë, në qeverisjen e shtetit, dhe si opozitar i urtë e me intelekt...
1.
Mbasi kishte një gamë kaq të gjerë njohurish, veprimtarish dhe interesimesh, Luigj Gurakuqi ka dhe një varg fjalimesh që e dallojnë si njërin ndër oratorët më të spikatur në gojëtarinë shqiptare. Janë të njohura fjalimet e tij në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, fjalimet në Parlamentin shqiptar (1920-1924), Fjalimi në varrimin e Avni Rrustemit, fjalimet e ligjëratat në konferencat me karakter politik e ekonomik etj.
Kësaj radhe, zgjodhëm Fjalimin e tij të parë, atë që e mbajti më 1 dhjetor 1909, kur u hap Normalja e Elbasanit, drejtori i parë i të cilës ishte vetë Gurakuqi. Ishte shkolla e parë e mesme profesionale dhe pedagogjike shqiptare, si "rezultat i natyrshëm i përpjekjeve të rilindësve dhe i mësuesve shqiptarë për gjuhë dhe shkollë shqipe, i ndryshimeve që solli kushtetuta xhonturke, i përpjekjeve dhe traditave të popullit arsimdashës të Elbasanit. Ajo ishte fryt i vendimit të parë të Kongresit Arsimor të Elbasanit" (shkruan studiuesi Hajrullah Koliqi). Ishte kohë përplot vorbulla historike, kohë e vendimeve të mëdha...
Kësisoj, edhe Fjalimi i Luigj Gurakuqit, i thurur me një pathos dhe gjuhë të poetizuar, vë në pah atmosferën e krijuar gjithëkombëtare për arsim, dije e përparim, për kulturë e qytetërim. Vë në pah këtë nismë historike, që u bë një përmasë kaq e rëndësishme e historisë sonë, dhe kjo përmasë historibërëse shfaqet që në fjalinë e parë:
"Dita e sotshme, kjo ditë e bardhë e pot hare, që gëdhini sot mbi qytetin tonë, do të mbetet si një ditë e madhe, si një ditë e çquame (e shquar) e paharrueshme në histori të kombit t'onë, do të qëndrojë si një kreme (kremte, festë) e shënjtë e e përvjetëshme, e cila do të lutet me nderim e me brohorië, babë mbas babe e djalë mbas djali, ndër kohnat e panumëruarshme(në vitet e panumrim) që do të vijnë e gjer në jetë të jetës."
2.
I njohur si popull trim e luftarak, i njohur si komb me njerëz fisnikë, të besës e të burrnisë, i lavdishëm në histori; ai po pajisej edhe me një virtyt tjetër, me atë të dashurisë ndaj dijes e arsimit:
"ky komp po i shton vetvetes edhe nji tjetrë veti të mirë, dua të thom, dashuninë për mësimin e për dituninë, që e kishte gjithënji në gjak e në natyrë, po që mjerisht nga shumë e shumë shkake (arsye) nuk mundi gjer më sot t'a rrëfente e t'a zhvillonte ashtu si duhej."
Fjalimi evokon historinë trimërore, por edhe shkaqet e ngecjes e të mohimit të kërkesave për arsim në gjuhë amtare. Më tutje ai shpërthen në një përmasë tjetër gojëtarie, pothuajse përmasë platonike, ku edukimi ka edhe vlerat e së bukurës, edhe ato të një realiteti të epërm, dmth atë të një humanizmi si vetëdije të zgjuar moderne, si vetëdije për harmoninë shqiptare, ku shpirti i folësit duhet të ligjërojë sa më bukur, sa më ëmbël, si lyra e Amfionit dhe Orfeut dhe ku ligjërimi i bukur dhe i mirë gërshetohet me të vërtetën:
"nga kjo shkollë do të dalin ata apostuj të nxehtë e të vullnetshmë, që do të përhapin dritën ndër ato ma t'errtat vise; do të dalin ata burra njeridashës, të cilët, si Orfeu e si Anfioni, me urtësinë e me ambëlsinë e fjalëvet e të këshillavet të veta, do të zbutin egërsinat, do të tundin currat e shkambinjt, do të qytetërojnë e t'afrojnë njerëzit e t'i bajnë që të duen e të ndihmonen si vëllau rne vëllanë!"
Gurakuqi, me formim sa klasik aq edhe bashkëkohor, sintetizon, brenda një njësie retorike, dhuntinë e natyrshme të të folurit dhe mjeshtërinë e mendjemprehtësisë intelektuale. Ai është i vetëdijshëm që është ndër të parët që po çelin udhë të tilla ("edhe unë një nga punëtorët e parë"), prandaj është e ligjshme ta ndiejë veten krenar dhe të nderuar, por ai është i vetëdijshëm, po ashtu, se puna e tillë po krijon "harenë e madhe": " sot shpirtnat e të gjithë Shqypëtarëvet bashkohen me tonat ndë hare e ndë gazment!"
3.
Përbashkësia e tërësia shqiptare është edhe ideal edhe realitet i krijuar. Elbasani gjendet në mes të Shqipërisë, aty ku takohen dy kryedialektet e shqipes. Nuk është e habitshme, prandaj, përse te ky Fjalim Gurakuqi përdor trajta fjalësh e shprehjesh edhe gegnisht edhe toskërisht, meqë nga shumë intelektualë rilindas, që nga Kristoforishi e këndej, mendohej që elbasanishtja duhet të shërbente si standard i një gjuhe të përbashkët kombëtare, por edhe i një vetëdijeje të përbashkët të tërësisë shqiptare moderne:
"Elbasani, sikundër asht mezi i Shqypnisë landore, ashtu do të jetë edhe mezi i Shqypnisë mëndore: do të jetë truni, do të jetë zëmëra e të gjithë shqyptarëvet. Këtu katundësi nxe qytetarin malësori me fusharakun do të bashkëtrajtojnë se do te bahen një. Këtu Toska me Gegën do të derdhen, do te ntreten, do të përzihen bashkë, do të përnjëshmohen e do të harrojnë emnat e tyne; këtu gjuha shqype tue u përkulun pas kësaj ligjirate t'ambël, do të marrë një trajtë e një fytyrë të përbashkmë; kendej do të dalin shqypëtarë, vetëm shqypëtarë!"
Nuk është e rasti pse Hasan Prishtina i dërgon në këtë shkollë djem nga Kosova e Dibra, por ai e ndihmon edhe financiarisht Normalen e Elbasanit.
Evokimi historik që vetë Gurakuqi ua bën toponimeve botërore e shqiptare, ku shtriheshin vatrat e lëvizjeve kombëtare, si dhe evokimi i figurave historike kombëtare, ata "burra të pavdekun", punuan shumë për t'u ngritur kjo "ndërtesë e shënjtë" (Shkolla Normale). tempull për shqiptarët, pra është shkolla, dija, të cilës ata do t'i falen tash a tutje.
4.
Ligjërata e tij pasurohet edhe me mendimin e tij pedagogjik, refleksiv dhe shtjellues; shfaq ekzaltim, se edhe ne po hyjmë në kuadrin e kombeve të qytetëruara; se arsimi është mburojë e identitetit shqiptar dhe këpujë e tërësisë shqiptare:
"Arësimi asht i përgjithëshmë, ngulë rranjë kudo, përhapet në çdo vent. Me anë të mësimit e të ditunisë njerëzit u njohnë ma mirë, lidhnë marrëdhanie ndë mes të tyne, u afëruan, u bashkuan, u banë vëllezën. Mësimi e ditunia i rëzuan ato mure të larta që ndanin njeriun prej njeriut; thyen currat (shkrepat) e shkambinjt, çanë e përshkuan kodrat e malet, lidhnë bashkë fushat e qytetit, sunduan detnat e oqeanet e bashkuan popujt njënin me tjetrin, banë të tanë botën si një fëmijë (familje) të madhe e kri- juan të gjitha ata çudina që shohim sot e që nuk duken si punët e njeriut."
Luigj Gurakuqi nuk flet sa për të folur, ashtu si veprojnë sot jo pak drejtues institucionesh e kabinetesh ministrore, presidenciale a qeveritare; ai, kur flet, e ndien forcën e Fjalës së Gjallë.
Luigj Gurakuqi nuk flet si shumë drejtues të sotëm, qofshin ata ë arsimit a të jetës shoqërore e politike, të cilët nuk e sprovojnë ligjëratën a fjalimin e tyre të mbështetur në formimin e ndërgjegjes së kohës; ai, kur ligjëron, dëshiron të mbjellë te dëgjuesi farën e një shpirti të zgjuar shqiptar.
Dashurues i madh i shqiptarësisë, përparimit, pavarësisë, lirisë, demokracisë dhe qeverisjes së mirë; ai edhe bie fli e kësaj dashurie të pakushte dhe të pakufi, mu ashtu si ligjërojnë edhe fjalët e tij...
( 11 maj 2017)
********************************************************
********************************************************
FJALA E Z. GURAKUQl
(Na u-dërgua prej korespondentit tonë nga Elbasani teksti i plotë i fjalës, që u mbajt në Shkollën Normale prej Z. L. Gurakuqi).
„Dita e sotshme, kjo ditë e bardhë e pot hare, që gëdhini sot mbi qytetin tonë, do të mbetet si një ditë e madhe, si një ditë e çquame (e shquar) e paharrueshme në histori të kombit t'onë, do të qëndrojë si një kreme (kremte, festë) e shënjtë e e përvjetëshme, e cila do të lutet me nderim e me brohorië, babë mbas babe e djalë mbas djali, ndër kohnat e panumëruarshme(në vitet e panumrim) që do të vijnë e gjer në jetë të jetës.
 Kombi shqyptar, që shkëlqen gjithëmonë përmbi tjerët e me trimërinë e fisnikinë e vetë; ky komp që përmëndet kudo, me nderë e me lavdim prej të gjithëve, për besën e burrëninë, që kurr s'i ka mohuar; ky komp po i shton vetvetes edhe nji tjetrë veti të mirë, dua të thom, dashuninë për mësimin e për dituninë, që e kishte gjithënji në gjak e në natyrë, po që mjerisht nga shumë e shumë shkake (arsye) nuk mundi gjer më sot t'a rrëfente e t'a zhvillonte ashtu si duhej. Në këtë shkollë te madhe për mësonjës, që ishte dëshiri e shpresa e 'të parëvet tanë prej vjetësh e vjetësh, fillesën e se cilës na jemi mbledhun sot të kremtojmë bashkarisht; kombi shqyptar po mbiell farën e ditunisë, po heth themelin e mësimit, pse nga kjo shkollë do të dalin ata apostuj të nxehtë e të vullnetshmë, që do të përhapin dritën ndër ato ma t'errtat vise; do të dalin ata burra njeridashës, të cilët, si Orfeu e si Anfioni, me urtësinë e me ambëlsinë e fjalëvet e të këshillavet të veta, do të zbutin egërsinat, do të tundin currat e shkambinjt, do të qytetërojnë e t'afrojnë njerëzit e t'i bajnë që të duen e të ndihmonen si vëllau rne vëllanë! I math e i pa-rrefye- shmë asht pra sot gëzimi i jem, o Zotnij të nderëshmë, që pata fatin e bardhë të ndodhem ndë mest tuaj e të marr pjesë ndë harenë e madhe që sot ju ndien zëmëra; tepër i lartë asht nderi që më dhuroi i hyjneshmi Perëndi, që të numërohem edhe unë një nga punëtorët e parë që do të përpiqen e do të derdhin djersën e vetë për rreth kësaj ndërtese të madhe (dmth shkolla normale që po hapej).Po mos kujtoni, o Zotënij të nderëshmë, se vetëm zëmërat tona këndojnë e lulëzojnë në ditë të sotshme; mos kujtoni se vetëm shpirti ynë kënaqet e dëfren. Sot zëmërat e Shqypënisë së tanë rrahin për një herë me tonat, sot shpirtnat e të gjithë Shqypëtarëvet bashkohen me tonat ndë hare e ndë gazment!
Ndë malet e larta e të mbulueme me borë, malësorët e rrebtë e të fuqishmë, që me hutën ndë krah janë kurdoherë gati t'u kundërshtohen anmikut e të derdhin gjakun për nderin e Shqypnisë; nder qytetet e mëdhaja tregtarët e kujdesëshmë, qe perpiqen të shtojnë gjanë e pasuninë e vendit, nder xhamia e ndë kisha hoxhë e priftën që i falin të lartit Zot shërbimet e vetë, të gjithë, po të gjithë e kanë sot të sjellun synin mbi ne, të gjithë janë sot si të varunë prej nesh, e me gaz e me dashuni vërejnë e vështroinë Elbasanin, këtë qytet të bukur, që polli e ushqen kurdoherë në gji të vet burra të dijëshmë e të vlerëshmë e atdhetarë trima e të flaktë; vërejnë e vështrojnë Elbasanin mbi të cilin leu sot një diell i ri që do të përhapë dritën e vet të shkëlqyëshmë e do të lëshojë rrezet e tija jetëprurëse mbi të gjithë Shqypninë, e ndë tokë të të cilit bini sot një lule e zgjedhun, që do të përndajë erën e vetë ndër të tanë qytetet tona, një erë të hollë e të kandëshme, një erë ditunie e qytetërimi. E jo vetëm Shqypnia e gjallë, o Zotnij të nderëshmë, merr sot pjesë në gëzim tonë, po bashkë me të lëkundet e brohoritë edhe Shqypnia e herëshme; edhe ata etnit tonë, që u përkujdesnë aqë fort për gjuhë e për kombësi, edhe ata, po po, gëzojnë sot e kënaqen për një herit me ne. Mbrënda varrevet t'errta e të ftohta, eshtnat e kocinjt e tyne, sot tunden e djersijne, e një gjamë e lehtë e nëpër dhé përshkon sot anekand viset tona, zgjon nga gjumi i thellë të vdekunit tanë e u rrëfen me gëzim ndodhjen (ngjarjen) e madhe. Andaj nga kodrat e lulëzueme t'Ysqudarit, andej nga sukat e blera e të mveshuna me ullinj e portokalle të Libanit ngrihen hijet madhështore të Naim be Frashërit e të Vaso Pashës e mbi krahët e erës së lehtë, hidhen mbi ranën e xehtë të Misirit t'i japin Mehmet Aliut sihariqin e gazmuëshmë. Valët e shpejta të Nilit marrin fjalën e tyne, e tue u bashkuar me tallazet e detit, vijnë e përpiqen me brigjet e Shqypnisë e, për nden dhé, i sjellin të Madhit Nelko Kristoforidhi përgëzimet e atyne burrave të pavdekunë për ndërtesën e shënjtë, që po themelohet sot ndë qytete të tij të madhënuëshëm...
S'mbramit gëzon bashkë me ne edhe njerëzia e tanë, pse mësimi e ditunia, O Zotënij të nderëshmë, nuk kanë kufinj, nuk kanë sinjore. Arësimi asht i përgjithëshmë, ngulë rranjë kudo, përhapet në çdo vent. Me anë të mësimit e të ditunisë njerëzit u njohnë ma mirë, lidhnë marrëdhanie ndë mes të tyne, u afëruan, u bashkuan, u banë vëllezën. Mësimi e ditunia i rëzuan ato mure të larta që ndanin njeriun prej njeriut; thyen currat (shkrepat) e shkambinjt, çanë e përshkuan kodrat e malet, lidhnë bashkë fushat e qytetit, sunduan detnat e oqeanet e bashkuan popujt njënin me tjetrin, banë të tanë botën si një fëmijë (familje) të madhe e kri- juan të gjitha ata çudina që shohim sot e që nuk duken si punët e njeriut.
...Andaj pra i qoftë lavd e nder Elbasanit që me atdhesi e me përparim të vet u vu ndë krye të qyteteve tjera e po hap sot këtë shkollë për mësonjës, nga e cila do të përhapet drita e mësimit ndë të gjithë vendin tonë.
Elbasani, sikundër asht mezi i Shqypnisë landore, ashtu do të jetë edhe mezi i Shqypnisë mëndore: do të jetë truni, do të jetë zëmëra e të gjithë shqyptarëvet. Këtu katundësi nxe qytetarin malësori me fusharakun do të bashkëtrajtojnë se do te bahen një. Këtu Toska me Gegën do të derdhen, do te ntreten, do të përzihen bashkë, do të përnjëshmohen e do të harrojnë emnat e tyne; këtu gjuha shqype tue u përkulun pas kësaj ligjirate t'ambël, do të marrë një trajtë e një fytyrë të përbashkmë; kendej do të dalin shqypëtarë, vetëm shqypëtarë!
E botojmë me disa shkurtime e me dsa ndrvshime në punë t'orthografisë.
(U mor nga vëllimi Luigj Gurakuqi: VEPRA 1, “Rilindja”- Redaksia e botimeve, Prishtinë 1988, f. 127-131.)

Arqile Gjata: NË FUSHËN E SHAHUT



Kur luaj shah
kujtesa ime ngjizet në sytë e të gjallëve.
Nga fusha e shahut
shkëpus pemë,
i mbjell nëpër male.
Tek ajo lëndinë me kuadrate përgatis lodra për fëmijë,
dhuratë për të verbër.
Fusha e shahut varrezë e lavdishme
me ushtarë e kuaj të bardhë
si muze i vjetër në zemër të kohës.
Nëpër kuadratet e shahut ka dhe trima
fillojnë e vdesin në moshë të rinisë,
lënë pas stinën me figura të përgjakura.
Gjatë betejës së shahut
Mbretëresha,
si soprano e muzikës klasike
qanë mrekullisht humbjen, pas pak
Mbreti i verbër
do të kapet MAT
në oazën e pikëllimit!

Petrit Menaj: Dy Poezi

DIÇKA E SHTRENJTË

Diçka e shtrenjtë
nga ty më duhej
siç është për mua
fjala besë.
Mbas fjalës besë
më the të dua
që tër jetës e kam kujtesë..
Se kaluan vitet
dhe e mbaj mend
se cila ishte fjala e shtrenjtë
besa, që më the të dua
a që s'më preve kurrë në besë.

B E S Ë

Besë te i pabesi
kurrë s'duhet zënë
sikur ujkut ti besosh kopenë, 
sikur dhelpra në kotec te pulat
për tu dhënë ushqim të shërbejë
Besa dhe burrërija
vinë bashkë
sikur trimërija me guxim
Mjer ai
që besonë në çdo fjalë
që besonë
te kushdo që rrugës vinë
Mjer ai
që besonë te çdo ndienjë
porsi te bora
të mendoshë se s'shkinë.

Thursday, May 11, 2017

Prend BUZHALA: FJALIMI SHËN-TEREZIAN I PAQES DHE MBROJTJES SË JETËS


(Çaste eseistike: Fjalimi i Shën Nënës Tereze, me rastin e Marrjes së Çmimit Nobel për Paqe në Oslo, më 10 dhjetor 1979.
Nga LEKTYRA ORATORIKE), 8
Njerëzit e mëdhenj lënë trashëgim dhe Fjalime Monumentale. Kësisoj, Shën Nëna Tereze, kjo grua planetare, arriti t'i tejkalojë, sikundër thotë dr. imzot Lugj Gjergji, të gjithë kufijtë kombëtarë, racorë, kulturorë a moshe ... Kur po i jepej Çmimi Nobel për Paqe Shën Nënës Tereze, motivacioni i gjerë i Akademisë mbështetej në rrethanat e ndërlikuara botërore të mungesës së paqes dhe të idealistëve që prodhojnë paqen.
1.
Në trashëgiminë e fjalimeve të tilla, kjo Nënë Planetare, dallohet për paraqitjet e saj "nga dashuria në vepër", sikundër thuhet shpesh për personalitetin e saj. Prandaj nuk është e rastësishme pse ajo është zgjedhur shpesh në antologjinë e Fjalimeve që ndryshuan botën. Duke qenë një personalitet që ka folur para forumeve më të rëndësishme botërore, ndër këto fjalime veçojmë:
- Fjalimi me rastin e Marrjes së Çmimit Nobel për Paqe; ajo ka mbajtur dy fjalime, më 10 e më 11 dhjetor 1979, me ç'rast është përhapur edhe dorëshkrimi i saj për përkatësinë e saj shqiptare;
- Fjalimi para Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kobmeve të Bashkuara, më 9 shtator 1985, kur ajo nderohet me një varg veprimtarish;
- Fjalimi i Nënë Terezës, në Mëngjesin e Lutjes Kombëtare në Uashington DC, 3 shkurt 1994;
- Dhjetëra Fjalime të tjera, që i ka mbajtur me rastin e marrjes së çmimeve më të mëdha botërore, apo edhe nëpër forume të ndryshme ndërkombëtare;
- Vlejnë të theksohen dhe Fjalimet që i ka mbajtur në Kosovë e në Shkup gjatë viteve '70 e '80, si dhe në Shqipëri gjatë viteve '90.
2.
Kuptohet, fjalimet e njerëzve të mëdhenj, karakterizohen nga një thjeshtësi e qartësi e habitshme, pikërisht për shkak se e kanë pasur të qartë pikësynimin në jetë. Prandaj, edhe Fjalimi i Nënës Tereze, që vjen në Çastin Solemn të dhënies së Çmimit Nobel, është Fjalim i Madh Botëror: ajo dëshiron të ndikojë në qëndrimet, në mendimet e në sjelljet e njerëzve kundruall të varfërve më të varfër (si e shpall programin e saj të dashurisë). Ajo po fliste para majës së Akademisë Botërore, para Forumit Botëror të Mendjes dhe të Vlerave Supreme. Kishte se çka t’i jepte njerëzimit dhe kishte se për çka të fliste e kujt t’i drejtohej. Fjalimi i saj, gjithsesi, ngërthen edhe kërkesën për përforcim të besimit në veprime, të krijojë opinione pozitive për misionin e saj, dhe, mbi të gjitha, që Bindja e Saj të vihet në Praktikë, në Veprim! Programi i saj prandaj edhe përkufizohet si “Dashuri në Veprim” (Dr. Imzot Lush Gjergji).
Në strukturën e tij, ky fjalim sikur u përgjigjet tri kërkesave të Aristotelit për retorikën e ato janë:
ethos-i (besueshmëria),
pathos-i (hapësira e krijuar emocionale) dhe
logos-i (argumentet para publikut).
3.
Nëse fjalimet me ethos të shpeshtën i karakterizon, sikundër thotë Aristoteli, besueshmëria, ato shpallin edhe misionet edhe vizionet për një botë më të mirë. Prandaj ajo shpall se ishte Misionare e Dashurisë, kurse Vizioni i saj i ishte për një Botë pa varfëri ekstreme. Ajo me këmbëngulje ishte në mbrojtje të jetës, prandaj quhet dhe Misionare e Jetës, edhe kur të tjerët shfaqën dyshime ndaj kërkesave e programit të saj në mbrojtje të jetës (sidomos ndaj abortit):
“Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Nëse ne jemi këtu, jemi sepse prindërit tanë na deshën. Nuk do të ishim, nëse nuk do të na kishin dashur. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E nëse një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!”
Nëse fjalimet që dallohen me patos (në situata solemne ose të krizës, luftërave etj), ku shfaqet gjerësisht emocionaliteti, te ky Fjalim hasim edhe këtë dimension:për të ndikuar në ndjenjat, në mendjen e në zemrën e njerëzve dhe të kryeparëve të të gjitha formacioneve, shteteve, organizatave, religjioneve etj për përkujdesjen ndaj varfërisë:
“Prandaj bëj thirrje, në Indi e kudo:
“Na i jepni ne fëmijët, nëse nuk i doni, në këtë vit, që u është kushtuar. Çfarë kemi bërë për fëmijët? Në fillim të vitit kam thënë, kudo që kam folur: të punojmë këtë vit, që çdo fëmijë, i lindur e i palindur, të duhet. E sot, që përfundon viti, pyes: “A e kemi dashur çdo fëmijë të lindur a të palindur?”. Do t’ju kujtoj diçka prekëse. Po luftojmë kundër abortit përmes bijësimeve, duke shpëtuar kështu mijëra jetë. U kemi bërë thirrje të gjitha klinikave, spitaleve, stacioneve të policisë: ju lutemi, mos i mbysni fëmijët, i marrim ne.”
Nëse fjalimet që karakterizohen nga logos-i kemi të bëjmë më shumë me paraqitje faktesh e debatesh për ndryshime ose legjislative, ose të biznesit, ose të shkencës, arsimit etj; logos-i shën-terezian i drejtohej këtij Forumi me faktet nga terreni:
“E vetëm në Kalkutë, në gjashtë vjet, e theksoj, vetëm në Kalkutë, kemi pasur 61273 fëmijë më pak nga familjet, që do t’i kishin nxjerrë në dritë, sepse u mësuan të praktikojnë këtë metodë natyrore të përkorjes, të vetëkontrollit, me dashuri reciproke. U mësojmë atyre metodën e temperaturës, që është shumë e bukur, krejt e thjeshtë, e njerëzit tanë të varfër e kuptojnë fare mirë. A e di ç’më kanë thënë? Familja jonë është e shëndoshë, e bashkuar e mund të kemi fëmijë sa herë të duam! E qartë, pra, këta njerëz rrugësh, këta lypës, bëjnë shumë më tepër se mund të bëni ju e gjithë të tjerët, që mund t’i njohin metodat e mjetet, pa e shkatërruar jetën, të cilën Zoti e krijoi në ne.”
4.
Por, sado që kësisoj ndahet struktura e një teksti retorik, megjithatë, për ta arritur Plotninë e Realizimit të Mesazhit, sidomos të pranimit të Fjalimit; filozofi e pedagogu britanik, Stephen Toulmin, shtron si kërkesë që njeriu të vendoset në plan të parë e jo modeli teorik a ideologjik, që traditat humaniste të jenë ato që ndërtojnë një botë humane, që arsyeja të jetë udhërrëfyes veprimesh e fjalimesh. Porse Shën Nëna Tereze kishte demiurgun e saj, rezusin, që i ligjëronte përkushtueshëm për mbrojtjen e jetës.
”E qartë, pra, këta njerëz rrugësh, këta lypës, bëjnë shumë më tepër se mund të bëni ju e gjithë të tjerët, që mund t’i njohin metodat e mjetet, pa e shkatërruar jetën, të cilën Zoti e krijoi në ne. Të varfrit janë njerëz të mëdhenj. Mund të na japin shumë mësime të bukura. Një ditë një prej tyre erdhi të më falënderojë e më tha: “Ju që keni bërë kushtin e pastrisë, jeni njerëzit më të aftë për të na mësuar planifikimin familjar”. Sepse nuk është tjetër, veçse vetëkontroll për dashuri reciproke. E mendoj se kemi thënë një frazë shumë të bukur. E këta janë njerëz, që ndoshta nuk kanë asgjë për të ngrënë, ndoshta-ndoshta nuk kanë as strehë, ku të struken. Gjithsesi, janë njerëz vërtet të mëdhenj!”
Dhe sado që ajo nuk mund t’i largohej demiurgut të saj, Jezusit, megjithatë ajo mund të shtronte pyetjet më të forta, më të ashpra kundruall njerëzimit, tek i shqiptonte fjalët më të buta, më delikate e më të përsosura; sikundër janë tmerri social i të gërbulurve, lagjet e të sëmurëve, të varfërve nga më të varfrit, apo plagë të tjera të njerëzimit sikundër janë aborti, shtypjet politike dhe luftërat. Ajo sikur dëshironte t’i ngërthejë në qenien e saj pikërisht antipodet e ekzistimit të qenies së kësaj bote: fluiditetin, dhimbjen, vuajtjen, vdekjen, Të Bukurën dhe Dashurinë, Dritën dhe Errësirën. Sikur i dërgon Hyjit raporte shpirtërore nga bota e të gjallëve. Nuk është e habitshme, prandaj, përse qoftë në Uashington a Nju Jork, qoftë nëpër kryeqendrat a forumet më të larta botërore a shtetërore; ajo përcillte mesazhet e saj të forta, she kthehej përsëri të zbriste aty ku nuk shkonin të tjerët: në vatrat e rrezikshme të lagjeve më të varfra të Kalkutës.
5.
Pjesë strukturore e Fjalimeve të saj Publike, qenë edhe Lutjet! Shqiptonte e ligjëronte Lutje, një si zgjim shpirtëror, nga e cila burojnë forcat dhe e energjitë e brendshme, mu në situatat më të rënda të jetës e të historisë. Lutjen për të hapur udhë shpirtërore, për të krijuar ndjesi shpirtërore, për t’i manifestuar dhuntitë e shërbimit e të bamirësisë, mu ashtu si e thotë në Fjalimin Tjetër të datës 11 dhjetor 1979 e që konsiderohet një si Ligjëratë e saj Programatike:
O Zot, më bëj të jem mjet i paqes Sate:
ku ka urrejtje, bëj ta sjell dashurinë,
ku ka fyerje, bëj ta sjell faljen,
ku ka mospajtim, bëj ta sjell bashkimin,
ku ka dyshim, bëj ta sjell fenë,
ku ka gabim, bëj ta sjell të vërtetën,
ku ka dëshpërim, bëj ta sjell shpresën,
ku ka pikëllim, bëj ta sjell gëzimin,
ku ka errësirë, bëj ta sjell dritën,
O Zot,
bëj që unë të mos kujdesem
të jem e ngushëlluar, por të ngushëlloj,
të më kuptojnë, por t’i kuptoj të tjerët,
të më duan, por t’i dua.
Sepse,
duke dhuruar, fiton;
duke falur, e fiton faljen;
duke vdekur, e fiton jetën e amshuar. Amen!
Duke qenë një misionare e paqes, ajo edhe e fiton Çmimin Nobel. “Ajo ishte një misionare me një gjuhë universale ... gjuha e dashurisë që nuk njeh kufij ose përjashtim dhe nuk ka preferenca përveçse për më të braktisurit në shoqëri ... Kjo përkushtim fitoi respektin e saj në të gjithë botën dhe në vitin 1979 ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen.” Kështu shprehet në një fjalim emocional Dipesh Patel, student indas. Do theksuar një fakt interesant, për sa i përket angazhimit të saj për paqen: kur ajo shkoi në Bejrutin multireligjioz e ku kishte luftime nga të gjitha anët, palët në armiqësi pajtojnë të kenë një armëpushim për hir të Lutjes së kësaj Nëne!
Do theksuar, në fund, se pikërisht në Oslo u përhap edhe teksti i saj shqip i shkruar me dorën e saj: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar.”
********************************************************
********************************************************
NËNË TEREZA: FJALA NË CEREMONINË E DORËZIMIT
TË ÇMIMIT NOBEL PËR PAQEN
Fjala e së Lumes Nënë Terezë mbajtur në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel për Paqe, në Oslo, më 10 dhjetor 1979.
Me që jemi mbledhur të gjithë bashkë, mendoj se, për të falënderuar Zotin e Çmimin Nobel për Paqen, do të ishte vërtet e bukur të luteshim me lutjen e Shën Françeskut të Asizit, që më mahnit gjithnjë shumë – ne e themi këtë lutje çdo ditë pas Kungimit, sepse tepër e përshtatshme për secilën nga ne. Më bën të mendoj se katër-pesëqind vjet më parë, kur Shën Françesku e krijoi këtë lutje, njerëzit duhet të kalonin po ato vështirësi, që kemi sot, me që na përshtatet kaq shumë.
Mendoj se disa nga ju e kanë me vete, prandaj, të lutemi së bashku. Ta falënderojmë Zotin për mundësinë që kemi, gjithë së bashku, sot, për këtë dhuratë të paqes, që na kujton se jemi krijuar për ta jetuar këtë paqe, se Jezusi u bë njeri, për t’ia sjellë pikërisht këtë lajm të mirë të varfërve. Ai, edhe pse Zot, u bë njeri në gjithçka, veç mëkatit, dhe e shpalli botërisht se kishte ardhur për ta sjellë këtë lajm të mirë. Lajmi ishte paqja për të mbarë njerëzit vullnetmirë, ishte paqja e zemrës, që e dëshirojmë të gjithë. Zoti e deshi botën aq, sa të jepte Birin e vetëm për t’ua bërë njerëzve këtë dhuratë. E si mund të themi se bëri keq, pse e deshi botën aq, sa të jepte Birin e vet? E ia dha Virgjërës Mari. E ajo, ç’bëri pastaj? Sapo e ndjeu gjallë, shpejtoi ta jepte lajmin e, si hyri në shtëpinë e së kushërirës, foshnja - ende e palindur, në kraharorin e Elizabetës, u drodh nga gëzimi. Ferishtja e palindur qe lajmëtari i parë i paqes!
Njohu Princin e Paqes, njohu Krishtin, ardhur për të sjellë lajmin e mirë, për mua, për ty. E sikur të mos i mjaftonte që u bë njeri, deshi edhe të vdiste mbi kryq, për të treguar sa e madhe ishte dashuria e Tij për njeriun, për mua, për ty, për të gërbulurin e për të uriturin, që sillet lakuriq rrugëve jo vetëm të Kalkutës, por edhe të Afrikës, të Nju Jorkut, të Londrës, të Oslos, e nguli këmbë ta donim njëri-tjetrin, ashtu si na kishte dashur Ai vetë. Lexohet qartë në Ungjill: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë, si ju dua. Ju dua, si më deshi Ati”. E Ati e deshi aq fort, sa ta dhuronte dhe më fort. E edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin, deri në dhembje. Nuk mjafton të themi: “Zotin e dua, por jo të afërmin!”. Shën Gjoni të kujton se gënjen kur thua: “Zotin e dua, por jo të afërmin”. E si mund ta dashke Zotin, që nuk e sheh, kur nuk e do të afërmin, që e sheh, e prek, që jeton me të e pranë tij? Kështu ka shumë rëndësi të kuptojmë se dashuria, për të qenë e vërtetë, duhet të jetë e tillë deri në dhembje!
I dhembi Jezusit, kur na deshi. I dhembi fort. E për të qenë i sigurt se do ta kujtonim dashurinë e tij të madhe, u bë Buka e jetës, që të shuante urinë tonë për dashuri. Urinë tonë për Zotin, sepse u krijuam për këtë dashuri. U krijuam sipas shëmbëlltyrës së tij. U krijuam për të dashur e për t’u dashur, e Ai u bë njeri, që ne të mund të donim, siç na deshi Ai vetë. Është Ai i urituri, i zhveshuri, i pastrehu, i sëmuri, i burgosuri, i vetmuari, i padashuri, e vijon të na kujtojë: “Ma keni bërë mua!”. Ka uri për dashurinë tonë, e kjo është uri për të varfrit tanë. Është ajo uri, që ju e unë duhet ta gjejmë, sepse mund ta kemi edhe në strehën tonë! Nuk e harroj kurrë mundësinë që pata për të vizituar një shtëpi, ku strehoheshin një mori pleqsh, të gjithë prindër me bij e me bija, të gjithë të flakur në atë institut dhe... të harruar!
Shkova atje e pashë se kishin gjithçka, gjëra të bukura, por të gjithë i kishin sytë të mbërthyer tek porta. E nuk pashë asnjë fytyrë të qeshur. Iu drejtova një motre e i thashë: - Si kështu? Si është e mundur që njerëz, të cilët i kanë gjitha të mirat, s’bëjnë tjetër, veçse shikojnë portën? E nuk shoh asnjë fytyrë të qeshur! Jam mësuar t’i shikoj njerëzit tanë të qeshur; madje edhe ata që janë duke dhënë shpirt, buzëqeshin lehtas. Vdesin me buzë në gaz.
E ajo ma ktheu: - Kështu i ke ditë për ditë, presin e shpresojnë se do të vijë për t’i parë ndonjë prej bijve a bijave. E ndjejnë veten të plagosur, sepse të harruar, e, shikoni, pikërisht këtu duhet të trokasë dashuria. Ashtu si troket në shtëpitë tona varfëria, kur harrojmë të duhemi.
Ndoshta në familjen tonë kemi ndokënd që ndjehet i vetmuar, i sëmurë, i shqetësuar, e këto janë ditë të vështira për të gjithë. A jemi aty? A jemi për t’i ndihmuar? A është aty nëna, për të dëgjuar fjalën e pathënë të të birit? Çuditem kur shoh, në perëndim, shumë djem e vajza të droguara dhe e vras mendjen për të gjetur psenë, pse ndodh kjo?
E përgjigjja është: sepse nuk kanë asnjeri në familje që t’i dëgjojë. Babai e nëna janë gjithnjë të zënë, aq sa të mos kenë kohë deri për fëmijët e vet. Prindërit e rinj janë në ndonjë zyrë, kur fëmija u bredh rrugëve, gati për të rënë në ndonjë grackë. E ne jemi duke folur për paqen! Pikërisht këto janë gjërat, që e rrënojnë paqen, por unë nuk heq dorë nga mendimi se sot për sot armiku më i rrezikshëm i paqes është aborti, sepse luftë e drejtpërdrejtë, vrasje e drejtpërdrejtë, mbytje e fëmijës me dorën e vetë s’ëmës.
E lexojmë në Shkrimin Shenjt. Zoti e thotë tepër qartë: “Edhe sikur nëna ta harronte foshnjën, unë nuk do të të harroj! Të kam skalitur në pëllëmbë të dorës!”. Jemi të skalitur në pëllëmbën e dorës së Tij, jemi pranë Tij! E edhe foshnja e palindur është e skalitur në pëllëmbën e dorës së Zotit. E ajo që më trondit më shumë, është fillimi i kësaj fraze, janë fjalët: “Edhe sikur nëna të harronte...”.
Më duket gjë e pamundur, por megjithatë, edhe nëna mund të harrojë, na kujton Zoti, në sa unë nuk do të harroj kurrë. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Nëse ne jemi këtu, jemi sepse prindërit tanë na deshën. Nuk do të ishim, nëse nuk do të na kishin dashur. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E nëse një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!
Prandaj bëj thirrje, në Indi e kudo: “Na i jepni ne fëmijët, nëse nuk i doni, në këtë vit, që u është kushtuar. Çfarë kemi bërë për fëmijët? Në fillim të vitit kam thënë, kudo që kam folur: të punojmë këtë vit, që çdo fëmijë, i lindur e i palindur, të duhet. E sot, që përfundon viti, pyes: “A e kemi dashur çdo fëmijë të lindur a të palindur?”. Do t’ju kujtoj diçka prekëse. Po luftojmë kundër abortit përmes bijësimeve, duke shpëtuar kështu mijëra jetë. U kemi bërë thirrje të gjitha klinikave, spitaleve, stacioneve të policisë: ju lutemi, mos i mbysni fëmijët, i marrim ne.
Në çdo orë të ditës e të natës, është dikush, që ka nevojë për ndihmë. Kemi shumë vajza-nëna: thojuni të vijnë tek ne, ne do të kujdesemi për fëmijën e tyre, do t’i gjejmë strehë. Kemi kërkesa të panumërta nga ana e familjeve pa fëmijë, e për ne ky është hir i Zotit. Po bëjmë edhe një gjë tjetër, shumë të bukur, po u mësojmë lypësve tanë, të gërbulurve tanë, banorëve të barakave, njerëzve tanë të sokaqeve, metodat e planifikimit familjar.
E vetëm në Kalkutë, në gjashtë vjet, e theksoj, vetëm në Kalkutë, kemi pasur 61273 fëmijë më pak nga familjet, që do t’i kishin nxjerrë në dritë, sepse u mësuan të praktikojnë këtë metodë natyrore të përkorjes, të vetëkontrollit, me dashuri reciproke. U mësojmë atyre metodën e temperaturës, që është shumë e bukur, krejt e thjeshtë, e njerëzit tanë të varfër e kuptojnë fare mirë. A e di ç’më kanë thënë? Familja jonë është e shëndoshë, e bashkuar e mund të kemi fëmijë sa herë të duam! E qartë, pra, këta njerëz rrugësh, këta lypës, bëjnë shumë më tepër se mund të bëni ju e gjithë të tjerët, që mund t’i njohin metodat e mjetet, pa e shkatërruar jetën, të cilën Zoti e krijoi në ne.
Të varfrit janë njerëz të mëdhenj. Mund të na japin shumë mësime të bukura. Një ditë një prej tyre erdhi të më falënderojë e më tha: “Ju që keni bërë kushtin e pastrisë, jeni njerëzit më të aftë për të na mësuar planifikimin familjar”. Sepse nuk është tjetër, veçse vetëkontroll për dashuri reciproke. E mendoj se kemi thënë një frazë shumë të bukur. E këta janë njerëz, që ndoshta nuk kanë asgjë për të ngrënë, ndoshta-ndoshta nuk kanë as strehë, ku të struken. Gjithsesi, janë njerëz vërtet të mëdhenj!
Një mbrëmje dolëm e mblodhëm katër vetë, të flakur në rrugë të madhe. Ndërmjet tyre, një grua në kushte të tmerrshme. U thashë motrave: “Kujdesuni ju për tre të parët, për këtë, që duket më keq, po kujdesem vetë. U kujdesa me gjithë dashurinë, që kisha në shpirt. E shtriva butë në krevat e i pashë në fytyrë një buzëqeshje të mrekullueshme. Ma mori dorën në dorën e saj, që akullohej, e më tha një fjalë të vetme: Faleminderit! E vdiq! Nuk mund të mos zbrisja në fundin e ndërgjegjes sime atë ças, përball së vdekurës, e të mos e pyesja veten: “Ç’do të kisha bërë, po të isha në vend të saj?”. Përgjigjja ishte e thjeshtë. Do të isha munduar të tërheq vëmendjen, do të kisha thënë se kam uri, kam ftohtë, dhimbje, se po vdes, a ku ta di unë ç’fjalë të tjera. Ndërsa ajo më dha shumë më tepër, sesa i dhashë: më dha të fundmen dashuri. E vdiq me buzë në gaz.
Ashtu si burri, që e gjetëm në kanal, gjysmë të brerë nga krimbat e e sollëm në shtëpi. Ai e mbylli jetën me fjalët: “Jetova në rrugë të madhe, si kafshë, por po vdes si engjëll, në krahët e dashurisë e të kujdesit”. Ishte mahnitëse të shikoje madhështinë e këtij njeriu, që mund të fliste kështu, mund të vdiste kështu, pa akuzuar kënd, pa mallkuar, pa bërë krahasime. Si engjëll! E kjo është madhështia e njerëzve tanë. E për këtë ne besojmë se Jezusi ka thënë: “Isha i uritur, isha lakuriq, isha pa strehë, isha i braktisur, i pa dashur, i pa kujdesur, e ju bëtë gjithçka mund të bënit për mua!”. Besoj se ne nuk jemi veprimtarë të vërtetë shoqëror.
Ndoshta, për sytë e botës, puna jonë mund të duket si shoqërore, po në të vërtetë ne jemi kundruese, në zemër të botës. Sepse prekim Korpin e Krishtit njëzet e katër orë në ditë. E kemi njëzet e katër orë këtë prani, e kështu edhe ju e unë. Edhe ju mund të bëni provë e ta çoni Zotin në familjet tuaja, sepse familja, që lutet së bashku, është e bashkuar. E besoj se në familje ne nuk kemi nevojë për bomba e armë atomike, që shkatërrojnë. Për të sjellë paqen, mjafton të jemi bashkë, të duhemi. Ta çojmë, pra, këtë paqe, këtë gëzim, këtë forcë të pranisë së Zotit në shtëpitë tona. E kështu do të mund të fitojmë mbi çdo të keqe, në një botë ku ka shumë vuajtje, shumë urrejtje, shumë mjerim. Prandaj ne, me lutjen tonë, me flijimin tonë, ta nisim betejën e dashurisë pikërisht nga shtëpia!
Dashuria nis në shtëpi, e nuk ka rëndësi ajo që bëjmë. Rëndësi ka dashuria, në çdo gjë që bëjmë. I përket Zotit, që është i gjithëpushtetshëm, ta gjykojë dashurinë me të cilën shërbejmë. Me të cilën i shërbejmë Atij vetë, në njeriun që vuan. Jo shumë kohë më parë, në Kalkutë, na mungoi sheqeri e nuk e di sesi, po fëmijët e morën vesh. E një fëmijë nja katër vjeç, fëmijë induistësh, duke shkuar në shtëpi, u tha prindërve: “Nuk do të ha sheqer për tri ditë. Do t’ia jap sheqerin tim Nënë Terezës, për fëmijët e saj”. Pas tri ditësh nëna e babai i fëmijës e sollën sheqerin në shtëpinë tonë. Nuk i kisha takuar kurrë e fëmija e tyre mezi e shqiptonte emrin tim, por e dinte mirë ç’kish ardhur të bëjë. Kishte ardhur të dhurojë dashuri. Edhe ju po më dhuroni dashuri. Që kur erdha këtu, u rrethova nga dashuria, nga dashuria e madhe, që përpiqet të kuptojë gjithçka. E m’u duk se po i shikonit me vëmendje të veçantë të gjithë njerëzit e Indisë e të Afrikës. E m’u duk sikur isha në shtëpinë time. Plotësisht në shtëpinë time, këtu, mes jush!
Prandaj erdha t’ju flas. Dëshiroj ta shikoni të varfrin këtu, pikërisht në shtëpinë tuaj. E të filloni ta doni, pikërisht këtu. Të bëheni lajm i mirë për njerëzit tuaj. E t’i thoni fqinjit: “E dini kush jam?”.
Kam jetuar një çast tejet të jashtëzakonshëm në një familje induiste me tetë fëmijë. Një zotëri erdhi në shtëpinë tonë e tha: “Nënë Terezë, njoh një familje me tetë fëmijë, që nuk ka ç’të hajë prej ditësh. Bëj diçka për të!”. Pa e zgjatur, mora ca oriz e u nisa. E i pashë fëmijët, e pashë në sytë e tyre ethet e urisë. Nuk e di nëse keni parë ndonjëherë sy të tillë. Po unë i shikoj tepër shpesh. Pashë edhe të ëmën që e ndau orizin e doli. Kur u kthye, e pyeta: “Ku shkove?”. M’u përgjigj thjesht: edhe ata kanë uri.
Po kush ishin ata? Mësova se e kishte fjalën për një familje myslimane. Me të e kishte ndarë kafshatën e gojës. Nuk i solla më oriz atë mbrëmje, për ta shijuar me fund gëzimin, që buronte nga ndarja e ushqimit me të tjerët. E lexova gëzimin në sytë e fëmijëve të kësaj nëne, që s’kishte as një dorë oriz, por kishte kaq shumë dashuri për të dhuruar. Kështu, pra, dashuria nis pikërisht në shtëpi. E dëshiroj që edhe ju të dhuroni dashuri, ashtu si po ma dhuroni mua, gjë për të cilën ju jam shumë mirënjohëse.
Ishte një përvojë e jashtëzakonshme, që do ta marr me vete në Indi, ku do të shkoj javën e ardhshme, me 15 besoj, duke mbartur me vete dashurinë tuaj. Me bindjen se nuk më dhuruat teprica, por dashurinë që dhemb. Prandaj falënderoj Zotin që na dha mundësinë të njihemi, të ndjehemi kaq afër. Kështu mund t’i ndihmojmë jo vetëm fëmijët indianë e afrikanë, por të gjithë fëmijët e botës.
E me këtë çmim, që e mora si çmim të paqes, do të përpiqem të ndërtoj një shtëpi për ata që nuk kanë shtëpi. Sepse besoj që dashuria nis nga shtëpia e se, po të mund të ndërtojmë një shtëpi për të varfrit, prej saj do të rrezatojë kudo vetëm dashuri. E prej dashurisë, do të përhapet paqja, lajmi i mirë për të varfrit. Për të varfrit e familjes sonë, së pari, të vendit tonë, e edhe të mbarë botës. Por për ta bërë këtë, jetët tona duhet të enden me lutje!
E ndjej se mundimet e Krishtit rijetohen përsëri kudo, e ne i ndajmë me Të këto mundime, këtë dhembje. Në mbarë botën e jo vetëm në vendet e varfra. E kjo, nga që mendoj se është shumë më vështirë ta zhdukësh varfërinë e botës së pasur perëndimore, se atë të botës së varfër. Kur e marr një njeri nga rruga, të uritur për vdekje, i jap një pjatë oriz, një copë bukë, e kam kënaqur. Ia kam shuar urinë, që e grin. Po njeriun, që është zhytur në heshtje, që ndjehet i padëshiruar, i pa dashur, i trembur, i flakur nga radhët e shoqërisë - si mund ta kënaq?
Më duket tepër e vështirë. Motrat tona po punojnë për këtë tip njeriu, që mund ta quajmë i varfëri i perëndimit. Njeri, që ka etje e uri për pakëz dashuri! Atëherë ju ftoj të luteni për ne, që të jemi të afta për t’u bërë ne vetë lajmi i mirë, me bindjen se nuk mund të realizojmë asgjë pa ju, sepse pikërisht ju duhet t’ju kemi përkrah në vendin tuaj.
Duhet t’i njihni të varfrit. Vërtet këtu njerëzia ka të mira materiale, ka gjithçka, por mendoj se po të kërkojë nëpër shtëpi, vështirë se do të gjejë një buzëqeshje të dalë nga zemra. E duhet ta kemi mirë parasysh se buzëqeshja është fillesa e dashurisë. Të takohemi gjithnjë, prandaj, me buzë në gaz, sepse kur takohemi kështu, nuk është e mundur të mos bëjmë diçka të mirë. Lutuni, pra, për motrat tona, për vëllezërit tanë, për bashkëpunëtorët e përhapur në mbarë botën: “Lutuni t’i qëndrojnë përherë besnikë dhuratës së Zotit, ta duan e t’i shërbejnë në të varfrit, së bashku me ju.
Atë që kemi bërë, nuk do të mund ta bënim, nëse ju nuk do të na kishit ndihmuar me lutjet tuaja, me dhuratat tuaja, duke dhënë vazhdimisht. Veç nuk dua të më jepni atë që ju tepron. Nuk dua teprica. Dua dashuri, deri në dhembje. Një ditë më parë mora 15 dollarë nga një burrë, që nuk lëviz fare nga krevati prej njëzet vjetësh. E vetmja pjesë e trupit, që mund ta lëvizë, është dora e djathtë. Dhe e vetmja gjë, që e kënaq, është duhani. E pra shi ky burrë më tha: nuk kam tymitur prej një jave, për t’i kursyer këto para, që po t’i dërgoj.
Duhet të ketë qenë një flijim i tmerrshëm për të, por edhe tepër i bukur. Me paratë e tymit të tij të pashijuar, bleva bukë për të uriturit, për gëzimin e të dyja palëve: ai dha, të varfrit morën. E kjo është dhuratë e Zotit për mua e për ju, ta ndajmë dashurinë me të tjerët. E ta bëjmë, si t’ia kishim bërë Jezusit. Ta duam njëri-tjetrin, si na deshi Ai. Ta duam Atë vetë me dashuri të pandarë. Ta duam njëherësh Atë e njëri-tjetrin, sidomos tani, që Krishtlindja është kaq afër.
Ta ruajmë gëzimin, që buron nga dashuria e Krishtit në zemrat tona. E ta ndajmë këtë gëzim me të gjithë ata që takojmë. E ky gëzim vezullues është i vërteti. Nuk kemi arsye të mos jemi të lumtur, sepse Krishti është me ne. Është në zemrat tona. Krishti është në të varfrin, që takojmë; në buzëqeshjen që dhurojmë e që na dhurohet. Të zotohemi, prandaj që asnjë fëmijë të mos jetë i padëshiruar, e që do ta pranojmë me buzë në gaz, posaçërisht atëherë kur është tepër vështirë të buzëqeshësh.
Pak kohë më parë jetova një ngjarje, që nuk do ta harroj kurrë. Na erdhën për vizitë rreth 40 profesorë, nga universitete të ndryshme të SHBA-ve. Erdhën në Kalkutë në shtëpinë tonë. Po flisnin njëri me tjetrin e po thoshin se kishin qenë në shtëpinë tonë ku strehojmë njerëzit në prag të vdekjes. E kemi një shtëpi të tillë në Kalkutë, ku kemi mbledhur më se 360.000 njerëz vetëm nga rrugët e qytetit e, nga ky numër i madh, më se 18.000 vdiqën në paqe me njeriun e me Perëndinë. U nisën për në shtëpinë e Zotit, pasi erdhën në shtëpinë tonë, ku u folëm për dashurinë, për mëshirën.
Si u fola për këtë shtëpi e për këta njerëz, njëri prej profesorëve m’u lut: - Nënë, ju lutem, na thoni diçka, që të mund ta kujtojmë. E u thashë atyre: - Buzëqeshini njëri-tjetrit, kushtojini ca kohë familjeve. Buzëqeshni!
E njëri prej tyre, çuditërisht, më pyeti: “Jeni e martuar?”. Po, ia drodha, dhe shpesh e kam të vështirë t’i buzëqesh Jezusit, sepse nganjëherë kërkon edhe tepër nga unë. Kjo është e vërtetë e prej këndej vjen dashuria, kur Krishti është kërkues, e ne, megjithatë, mund t’i japim Atij me gëzim. Po e them këtu se, po s’ shkova në qiell për ndonjë meritë tjetër, sigurisht që do të shkoj për shkak të publicitetit, sepse më pastroi, më sakrifikoi e më bëri vërtet të gatshme për të shkuar në Qiell.
Mendoj se duhet ta jetojmë bukur jetën tonë, sepse Jezusi është me ne, Krishti na do. Nëse do të mendonim vetëm se Jezusi na do e se kemi mundësi t’i duam edhe të tjerët, si na do Ai, jo në gjërat e mëdha, por në të voglat, të bëra me shumë dashuri, atëherë Norvegjia do të bëhej fole dashurie. E sa gjë e bukur do të ishte, që pikërisht këtu të na dhurohej një qendër për paqen! Që prej këtu të delte gëzimi për jetën e fëmijëve të palindur. Nëse ju bëheni dritë, që digjet në botë për paqen, atëherë vërtet Nobeli për Paqen është dhuratë për popullin norvegjez. Zoti ju bekoftë!”.

Kujtim Stojku: KRIJIMTARIA ËSHTË NJË PROCES I HAPUR


“Arsyeja se pse arti i të shkruarit është mjaft tërheqës dhe i vlersuar,është pikërisht sepse unë nuk mund të them se si ta bëni. Nëse ekziston një hartë, nuk do të kishte art sepse arti është veprimi i lundrimit pa një hartë. "

 (Seth Godin)

Ndodh që "dituria e fituar" mund të pengojë procesin krijues. Një etje e pangopur për të mësuar dhe përmirësuar njohuritë është pikërisht ajo që mendja krijuese duhet të jetë më e mira dhe më produktivja. Kreativiteti real është një rishikim gjithnjë në vazhdim. Ai  në fillim vazhdon të përshtatet nga injoranca.
Profesionistët kreativë nuk mund të punojnë pa njohuri, aftësi dhe përvojë.Kjo  është një nga kërkesat themelore për të lulëzuar në çdo fushë. Por shtrohet pyetja se cila nga rrugët mund të jetë ajo që mund të ketë sukses? Natyrisht që kartoni i një diplome nuk mund të jetë kyçi kryesor.Në historinë botrore ka shumë figura të mëdha që kanë lënë gjurmë me veprën e tyre të shkruar të cilët nuk kishin diploma.Këtu mund të përmendim Gorkin,Jashar Qemal, Xhek London,Rusoin e shumë e shumë të tjerë. Këta njerëz të mëdhenj na kanë dhënë një mësim mjaft të vyer se si njeriu gjen mënyrën që mund të befasojë me punën e tij këmbëngulsëse dhe arrin që të ketë sukses në punën e tij të cilën e bën me zell,vullnet dhe pasion,dhe që më pas mund të jetë e mahnitshme,por gjithnjë duhet të jemi të pakënaqur me veprën e mbaruar sepse pasi e mbarojmë atë na dalin shumë pikëpyetje që duhen rishikuar ose përmisuar.Kjo do të thotë se duhet  të përqafohet ndjeshmëria krijuese.
Çdo proces krijues fillon me një shkim të freskët duke hequr çdo supozim.Kjo e lejon krijimin që të marrë rrugën e vet,dhe njëkohësisht të gjejë fatin e vet.Përfundimisht duhet të ketë një kombinin paraprak me njohuritë e fituara,ku mendja  hapur për të aplikuar eksperimentin për krijimin e ri që mendohet,duhet të përqëndrohet për të arritur maksimumin.
Kjo është edhe nyja që duhet të zgjidhim për të arritur në përfundimin që duam,dhe atëherë natyrisht që do të kemi një rezultat pas një pune këmbngulëse.
Nuk ka me të vërtetë asnjë recetë për punën krijuese, kam lexuar një shkrimtar i cili thotë se ditën tjetër që ai ulet në tastierë dhe gjëja e parë që ai thotë për veten e tij është 'Unë nuk e di."
 Jona Lehrer njëherë tha: "Mënyra e vetme për të qenë krijues me kalimin e kohës,është që të mos merremi shumë  me ekspertizën tonë,por duhet të hidhemi në një fushë tjetër kërkimi,dhe kjo është se ne duhet të eksperimentojmë në mënyrë të drejtë për drejtë me injorancën.Pra  vështrimin duhet ta hedhim tek ato gjëra që nuk i kuptojmë plotësisht".

(Geoff Talbot)

Me të gjitha format që mund të parashikojmë duhet të kemi edhe një plan veprimi, por në radhë të parë duhet të përshtatesh dhe të miratosh ide të reja ndërsa vazhdojmë duke përparuar hap pas hapi. Idetë mund të vijnë nga kudo,nëse ne jemi mendje hapur dhe qëndrojmë kureshtarë. Por nëse e përdorim për një perspektivë të vetme, ajo mund të kufizojë aftësinë për të krijuar diçka vërtet të mahnitshme.
Guri i themelit fillon qysh me temën që zgjedhim të trajtojmë.Por para se të nisim që të eksplorojmë tema, ide dhe mënyra të reja të të menduarit, në radhë të parë ne duhet të mësojmë atë që është më thelbsorja,atë që kemi injoruar. Bërja e lidhjeve ndërmjet ideve të ndryshme ushqen të menduarit krijues dhe idetë e reja.
Në asnjë mënyrë nuk duhet që ta ndrydhim veten duke ushtruar presion mbi të,dhe më pas të përpiqemi që të parashikojmë rezultatin.Të gjithë këto duhet të flaken pas krahëve qyshse merr penën për të shkruar ose ulesh përballë kompiuterit dhe bëhesh gati të shtypësh mbi tastierë,që këtu duhet të krijohet një hapësirë për një surprizë krijuese. Injorancën që shpesh herë e mbajmë për armiken tonë,dhe ne punojmë vazhdimisht që ta mundim atë me një punë këmbëngulëse për të këputur zinxhirët e errësirës,në këtë rast  nuk është më armikja jonë.Ne tashmë kemi përveshur krahët dhe kemi filluar që të eksperimentojmë me të.Jemi ulur dhe shikojmë me vëmendje  gjërat që nuk i kemi kuptuar plotësisht,mbajmë shënime,shfletojmë fjalorë dhe enceklopedi,lexojmë autorët  mëdhenj,duke vepruar kështu ne jemi të hapur për të mësuar dhe përshtatur mënyra të reja për ta bërë punën më të mirë dhe më të zgjuar.
Të mbështjellë në valët e kësaj pune,kur të arrijmë në fund do të habitemi se sa më mirë puna apo projekti që kemi nisur mbaron duke qenë të hapur ndaj ideve të reja, në vend që t'i përmbahemi qëllimisht çdo plani.
Ndonjëherë ajo që nuk dini nuk mund t'ju dëmtojë, por do ta bëjë më të lehtë përmirësimin e vetes.
Jonathan Fields shkroi një libër të tërë mbi faktin se pasiguria është pjesë përbërëse e krijimtarisë, dhe nevoja për krijuesit që të tolerojnë dhe madje "të lartësojnë" pasigurinë.

Injoranca nuk është armiku.

"Injoranca qëndron në fund të të gjitha njohurive njerëzore, dhe sa më thellë të depërtojmë, aq më afër arrijmë në të."

( Charles Caleb Colton)

Nuk mund të fillohet asnjë projekt pa njohuri në një fushë. Por mosnjohja e çdo përgjigjeje për të gjitha pyetjet krijuese që dalin gjatë punës, mund të jenë gjithashtu një burim frymëzimi, kurioziteti, nxitje për arritje personale. Mark Twain thotë: "Gjithçka që ju nevojitet në këtë jetë është injoranca dhe besimi, dhe suksesi është i sigurtë." Injoranca nuk është pengesë për veprim.
Kur fillojmë ndonjë proces krijues me një paragjykim të rreptë në lidhje me atë se si presim që t’i kthehemi punës,e tërë krijimtaria ndrydhet.Gjatë procesit krijues  nuk mund të merren shumë njohuri.Nëse kjo iu ofrohet në formë presioni, kjo mund të jetë një formë zbavitjeje, por kufizon risinë.
Mendja e hapur dhe gatishmëria për të eksperimentuar mund t'ju habisin në mënyrën më të mirë të mundshme.

 Imagjinatën nuk duhet të ndrydhet dhe ta zërë ngërçi.Ajo duhet të jetë e lirë dhe të fluturojë si një pëllumb me besim drejt shpresës. I papritur është burimi i magjisë krijuese. Shumë gjëra të mahnitshme janë bërë rastësisht dhe mjaft qartë, kur profesionet krijuese janë të hapura për procesin e gjykimit dhe gabimit…

Nga fletorja e shënimeve