Monday, May 15, 2017

Prend BUZHALA: FISHTA, LUMNIA E SHQIPNISË


(Çaste eseistike: Fjalimi i Aleksandër Xhuvanit në ceremoninë mortore të At Gjergj Fishtës. NGA ORATORIA SHQIPTARE), 14
Aleksandër Xhuvani (i lindur në Elbasan m ë14 mars 1880, vdes më 22 nëntor 1961) është një figurë tjetër madhore e arsimit shqip, e dijes dhe e gjuhësisë shqiptare. Madje, ai është marrë edhe me psikologji, pedagogji, me letërsi dhe me publicistikë. E kanë quajtur Mësues i Mësuesve. Duke botuar shkrime që nga viti 1905 e deri sa vdiq. Ai la trashëgim vepra si "Libri i gjuhës shqipe" 1924; "Njohuritë e para të sintaksës shqipe" 1925; "Fillimet e pedagogjisë didaktike" 1926; "Pestaloci" 1927, ; "Fillimet e psikologjisë 1933 wetj.
1.
Duke shkruar, ndër të tjera librin studimor "Fillime të stilistikës dhe të letërsisë së përgjithshme" bashkautor me Kostaq Cipo-n (i botuar në Tiranë, 1930, i ribotuar në Prishtinë më 1982), mbase, për herë të parë e në mënyrë më të plotë flitet edhe për aktin e të folurit. meqë ky tekst është udhërrëfyes për shkolla të mesme, për herë të parë nga ky autor lexuesi shqiptar mund të lexojë, ndër të tjera, për stilistikën që ka karakter retorik, për figurat retorike-stilsitike. E vërteta dhe të bukurit- janë dy kategori që e cilësojnë letërsinë, shprehjen e bukur. "Të bukurit parakupton një të shkruem a të folun të bukur, të cilin e fitojmë me studimin e veprave letrare... ", shkruan A. Xhuvani.
Kësisoj, ai spikat, te ky të folur, etikën dhe estetikën, apo lartësimin e idealit për gjith@çka të bukur në jetë, në shoqëri e në natyrë, mu ashtu sikundër këtë gjë e kërkonte edhe retorika antike.
Porse ai kishte prirje të rrallë të thurte dhe tekste flaimesh me vlerë. Vetëm gjatë vuiteve të fundit është bërë i ditur një fjalim i tij që ai e ka mbajtur me rastin e varrimit të At Gjergj Fishtës.
Se stili është vetë njeriu (Byfon, të cilin e citon edhe vetë Xhuvani), këtë na e shfaq te teksti praktik, sikundër është fjalimi i cituar. Vetëm njerëzit e ditur që e zotërojnë mjeshtërinë e shprehjes oratorike, sikundër ishte Aleksandër Xhuvani, mund ta shqiptojnë fuqinë e fjalës dhe urtinë e spikatur të vlerësim-gjykimit mbi njerëzit e shquar, sikundër ishte At Gjergj Fishta, apo për vepra monumentale, sikundër ishte "Lahuta e Malcis":
""Zotnij të ndershëm
Si vetëtimë u-perhap an’e kand të Shqipnisë lajmi i idhët i vdekjes së poetit t’onë kombëtar At Fishtës dhe e mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zâmadh t’auktorit të Lahutës së Malcisë, që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin’e besën e fisit t’onë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu i vjetërsisë."
2.
Duke e stolisur Fjalimin e tij me krahasime e epitete kumbuese, ai e quan Fishtën Homer të botës shqiptare, kurse kushtrimet artistike të Fishtës, i krahason me atë të Tirteut, një tjetër poet antik frymëzimesh të epërme.
Robert Ingersoll, një ndër oratorët më të shquar amerikanë gjatë shek XIX, thotë: "Imagjinata e ka shfaqjen e saj në trurin e njeriut, në të cilën i vë të gjitha skenat që qëndrojnë që nga agimi i qeshjes e deri te nata e lotëve, dhe në të cilën aktorët e saj paraqesin gënjeshtrën dhe të vërtetën gëzimin dhe pikëllimin, lumturitë sipërfaqësore dhe thellësinë e tragjikes të secilës jetë."
Dhe për t'i paraqitur, në krejt pak fjali, këto të vërteta e thellësi, këtë gamë të gjerë jetësore të veprës së Fishtës, nuk ishte e lehtë. Ja si reflekton në këtë ceremoni mortore, në epideiktikën e tij:
"Nji këto dy ideale, atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi e përparimi i saj kanë qenë polat, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi ndëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit’e tij, që e çmon mâ mirë veprën zâmadhe të Fishtës, e cila si nji far i math dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë, si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj."
Po qe se Shqipëria komuniste, do të kishte pasur vullnetin e mirë që të mos e anatemonte veprën e Fishtës, do të mjaftonte të merrej ky vlerësim i Xhuvanit; dhe jo vetëm i Xhuvanit, po edhe i Çabejit.
3.
Por jo!
As mesazhet e Xhuvanit, as vlerësimet e Çabejit, apo të Lasgushit, as vlerësimet e figurave të njohura botërore kushtuar Fishtës (si Jokli), nuk patën arritur ta preknin zemrën e ngurosur të komunistëve shqiptarë në urrejtjen ndaj Fishtës! Prandaj, ky Fjalim do parë në tri kontekste kohore: në kontekstin e kohës kur vdiq Fishta dhe ai po vlerësohej nga një figurë madhore intelektuale; në kontekstin e kohës së diktaturës, kur Xhuvani atëbotë vlerësohej edhe Mësues i Popullit (por kurrë nuk hoqi dorë nga vlerësimet e shqiptuara për Fishtën) dhe në kontekstin e kohës sonë, tashmë të çliruar dhe ku ky sistem i vlerave mund të vihet (dhe po vihet) në vendin e vet. Tashmë ky publik shqiptar nuk ka se për çka të hutohet, kundruall përsëritjes së akuzave të djeshme e të sotme, që përhapën gënjeshtra dhe përbaltosje. Dhe, posi Kuintiliani i dikurshëm, i cili ishte edhe pedagog, edhe orator, posi Sokrati që ligjëron vetëm të vërtetën kundruall lukunisë së shpifësve dhe gënjeshtarëve, Xhuvani Fjalën e tij të përmortshme e vë në shërbim të vlerave, në shërbim të të vërtetës.
"Nuk ka qenë pra Fishta për ne vetëm nji poet kombëtar epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe nji edukator i rinisë s’onë. Nuk kanë mësue e shijue nxanësit e shkollavet t’ona vetëm artin e tij poetik, bukurin’e harmonin’e vargut, rrjedhshmnin’e dlirsin’e stilit e të gjuhës së tij, që âsht nji thesar i pashterun frazeologjije e leksikologjije të kulluet, por kanë thithë prej veprës së tij, si nji nektar të hyjnueshëm të bletës attike, idealet mâ të nalta të njerëzimit: urtinë, burrninë, besën, drejtësinë e dashuninë për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën."
Lavdi dhe Lartësimi i fugurës së Fishtës nga ana e Xhuvanit, e kanë mbështetjen te themelet e fuqishme artistike, edukuese, atdhetare, gjuhësore, diturore të Fishtës, ashtu sikundër te kjo vepër brezat shqiptarë kanë brumosur idealet, dhe "urtinë, burrninë, besën, drejtësinë e dashuninë për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën."
Emri i Fishtës te Fjalimi i Xhuanit është emër i Lumnisë së Shqipnisë: aty ku e mira, kënaqësia, gëzimi i thellë, idealet e larta, e gjejnë vatrën e tyre te vepra e Fishtës.
(Prend Buzhala, 14 maj 2017)
********************************************************
********************************************************
Fjalimi i Aleksandër Xhuvanit në ceremoninë mortore të At Gjergj Fishtës
"Zotnij të ndershëm
Si vetëtimë u-perhap an’e kand të Shqipnisë lajmi i idhët i vdekjes së poetit t’onë kombëtar At Fishtës dhe e mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zâmadh t’auktorit të Lahutës së Malcisë, që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin’e besën e fisit t’onë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu i vjetërsisë.
E me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjit’ e tij ndezi zemrat e Spartanëvet për luftë, njashtû edhe epopeja e Lahutës, odet edhe elegjit’e Mrrizit të Zanavet e të poezivet të tjera kanë mbjellë në zemër të djelmnisë s’onë dashunin e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën amtare.
Nji këto dy ideale, atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi e përparimi i saj kanë qenë polat, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi ndëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit’e tij, që e çmon mâ mirë veprën zâmadhe të Fishtës, e cila si nji far i math dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë, si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj.
Nuk ka qenë pra Fishta për ne vetëm nji poet kombëtar epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe nji edukator i rinisë s’onë. Nuk kanë mësue e shijue nxanësit e shkollavet t’ona vetëm artin e tij poetik, bukurin’e harmonin’e vargut, rrjedhshmnin’e dlirsin’e stilit e të gjuhës së tij, që âsht nji thesar i pashterun frazeologjije e leksikologjije të kulluet, por kanë thithë prej veprës së tij, si nji nektar të hyjnueshëm të bletës attike, idealet mâ të nalta të njerëzimit: urtinë, burrninë, besën, drejtësinë e dashuninë për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën.
Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare që ka për t’u-ushqye e për t’u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.
Na të gjithë lavdimtarë të veprës së tij, shokë e nxanës të tij, të pikëlluem e të mallëngjyem thellë, kah kujtojmë veprat e tij, fjalët e ambëla e plot atdhedashtëni e këshillat e tij, le t’i lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t’i caktojë pranë fronit nji vend të meritueshëm, si në kët dhe, prej kah të vijojë me i lutë për lumnin e Shqipnisë.
Shkoder 31 dhjetor 1940

NEHAT JAHIU: ARSIMI SHQIP PO SHKON NË NJË GJENDJE TË PAKONTROLLUAR NGA ASKUSH


Deshëm apo nuk deshëm të pranojmë jemi dëshmitarë se viteve të fundit arsimi shqip po vuan jo nga të tjerët, por nga vet ne shqiptarët. Dikur ankoheshim se arsimin shqip po e pemgonin të tjerët, gjegjësisht pushteti i cili si gjithnjë e kishte halë në sy arsimin shqip dhe arsimimin e gjeneratave të reja në gjuhën e tyre amtare. Sa e sa sakrifica u bënë për të mësuar dhe edukuar nxënësit në gjuhën e nënës së tyre në vendin e tyre ku kishin lindur dhe ku ishin rritur në trojet e tyre, por gjithnjë një gjë e tillë pemgohej nga pushteti maqedonas në periudha të ndryshme dhe asnjëherë shqiptarët nuk mësuan dhe nuk u edukuan në gjuhën e tyre, sepse i pengonin edhe pse një gjë e tillë iu takonte, sepse jetonin dhe vepronin në vendet e të parëve të tyre, por ja që një e tillë gjithnjë dikujt i pengoi.
Për ti realizuar të drejtat e tyre nxënësit shiptarë u desh të kalohet nëpër shumë stuhi e shtrëngata, ndërsa arsimtarët e tyre të ballafaqohen me sistemet shtypse dhe për tu maltretuar, për të qenë gjithnjë nën presione, për tu burgosur dhe për të vuajtur nëpër kazamate vetëm e vetëm pse kërkonin që farën e diturisë ta mbillnin tek nxënësit shqiptarë në gjuhën e tyre amtare shqipe. Sa sa sdakrifica u bënë deri edhe tek luftërat e përgjakura që bijat dhe bijtë më të dashur të shqiptarisë të derdhin gjakun dhe të flijojnë jetën e tyre vetëm e vetëm që nxënësit shqiptarë të mësojnë në gjuhën e tyre shqipe. Pas shumë kohësh kjo dëshirë u realizua dhe sot nxënësit në të gjitha nivelet shkollore të dy gjinive mësojnë dhe edukohen në gjuhën e tyre të bukur shqipe. Në këtë gjuhë të ëmbël për të cilën aq ëmbë kënduan duke i thurrur vargje poetët. Nëse ndalemi vetëm pak dhe bëjmë një analizë dhe konkludojmë se a është arsimi shqip aty ku duhet të jetë dhe a meriton të anashkalohen të gjitha ato sakrifica që u bënë ndër shekuj që të kemi arsim shqip të mirëfilltë për nxënësit shqiptarë që të mësojnë në shkollat shqipe dhe në këto shkolla të ligjërohet në gjuhën amtare shqipe nga mësimdhënës dhe edukatorë shqiptarë ishte një ëndërr të ciën e kishin ëndërruar me vite të tëra arsimdashësit dhe atdhetarët dhe nga mbarë populli shqiptarë në përgjithësi duke mos kursyer asgjë nga vetja deri në vdekjepër të realizuar një dëshirë të kahmotshme të të parëve tanë që të kemi shkolla shqipe she arsimim në gjuhën tonë amtare shqipe. Sa po realizohet kjo dëshirë sot nga vet ne shqiptarët dhe a janë në nivelin e duhur një numër i madh i arsimtarëve për ta kryer këtë detyrë të shenjtë apo ndoshta vallë edhe tan dëshirojnë disa të arsyetohen se dikush është duke i penguar që nuk ka të bëj fare me të vërtetën dhe ate realen.
Dikur nëse nuk lejohej të mësohej dhe të arsimohej gjenerata e re në gjuhën amtare dhe nuk lejohej të ketë shkolla shqipe ku do të mësonin nxënësit shqiptarë. Sot kjo nuk është që nga shkollimi fillor e deri tek ai univerzitar, por sot kemi shkatrrim të arsimit shqip nga vet një numër jo i vogël arsimtarësh dhe pedagogësh të cilët vet po e shkatrrojnë arsimin shqip për të cilin u sakrifikua dhe u pagua aq shtrenjtë për ta pasur sot në gjuhën tonë arsimin dhe shkollat shqipe. Sot nga një numër arsimtarësh është duke u keqpërdorur me të madhe ky profesion sa që disa të tillë jan ë duke e keqpërdorur dhe lirisht mund të themi se edhe janë shkatrrues të arsimit shqip dhe e tërë kjo është duke u bë nga paaftësia e një numri arsimtarësh ose të ashtuquajtur pedagogësh dhe edukatorësh që nuk e dinë fare se çështë profesioni i tyre. Një numër prej tyre jo që janë në gjendje ta arsimojnë dhe edukujnë dikend, kur vet nuk janë aspak në këtë rrugë të arsimimit dhe edukimit të brezave të gjeneratave të reja, sepse vet nuk janë të arsimuar dhe të edukuar. Në kohën e fundid në disa institucone shkollore udhëhiqen nga kuadro të cilët është turp i turpit të menaxhojnë me institucioni më të ndieshëm siç është institucioni arsimor shkolla ,ku arsimohen dhe edukohen nxënësit, ardhmëria e kombit.
Disa janë kuadër teknefesësh të cilëve u është dhënë mun dësia në mënyra të ndryshme që të futen në këto institucione kur dihet mirëfilli se nuk posedojnë aspak aftësi arsimore dhe edukative, sepse dihet mirëfilli si i kanë marr dhe si i marrin ato diploma dhe të njejtit janë ata ( ato)që ne presim që të na i arsimojnë dhe edukojnë flëmijët tanë, ardhmërinë tonë. Ky është një absurd mbi absurdin. Po a është lënë në stihi arsimi nga shoqëria dhe nga institucionet përkatëse arsimore që të arrij arsimi shqip deri në këtë nivel nga an a e disa të ashtuquajturëve” arsimtarë”, “edukatorë “dhe “pedagogë”, kuptohet gjithnjë duke mos i përfshirë të gjithë në një thes të përbashkët, sepse kemi kuadro të arsimit shqip që me plotkuptimin e fjalës meritojnë lëvdata, sepse me shumë përgjegjësi e kryejnë këtë mision të shenjtë të një mësuesi, edukatori .O, sot, o kurrë njerëzit kompententë të arsimit duhet të jenë më syçelur dhe të jenë në në përcjellje permanente që disave ndaj këtyre dukurive që nga individët që nuk repektojnë rregulloret dhe ligjet në arsim të intervenojnë dhe të merren masa ndëshkimi. Nuk duhet të tolerohen të tillët të veprojnë ashtu siç duan dhe siç iu konvenon atyre për interese personale duke bërë ahengje të ndryshme në kurriz të nxënësv e dhe në kurriz të prindërve të tyre dhe që mos ti lejojnë që të mos i jepet rëndësi asaj primare çshtjes së arsimit dhe edukimit, por më së tepërmi duke u dalldisur nga ajo që shpien në shkatrrimin e arsimit shqip dhe edukimit të gjeneratave të reja. Besoj se gjërat e tilla kanë arritur kulminacionin nga disa individ që i u është dhënë mundësia që të udhëheqin me institucionin me të shenjtë siç është arsimi.
Disave iu është dhënë mundësia që të të inkuadrohen në proçesin edukativo- arsimor që nuk meritojnë ta bartin këtë emër kaq me rëndësi dhe me vlerë dhe me të të tillët të ec përpara arsim i shqip. Ky është jo absurd, por përtej absurdit.Prandaj,ndaj këtyre dukurive që viteve të fundit i kemi në arsimin shqip duhet sa më shpejt të merren masa dhe tu ndalet hovi dikurive të kqëqia që dita- ditës jo që po e shpien arsimin të ec para, por dita -ditës me këto dukuri të shumta të dëmshme po e shkatrrojnë arsimin. Nëse nuk intervenohet sot për ti ekiminuar këto gjera negative une jam i bindur që dikur do përpiqemi shumë më tepër për ti eliminuar, por do të jetë shumë vonë. Koha ka ardhur sot të ju themi stop dhe të intervenohet sa më shpejt në një intervenin kirurgjik, sepse dikur nuk do tël vlejë asn jë intervenim kirurgjik, sepse do të jetë i vonuar, sepse nëse në sëmurjen e filluar nuk intervenohet me kohë ajo do të përhapet më shumë në tërë trupin dhe pastaj nuk do ketë shërim nga asnjë intervenim kirurgjik.

Sunday, May 14, 2017

Grigor Jovani: Cikël Poetik

SYMBYLLAZI

Hap librat e fëmijërisë dhe gjej
qiell. Më shfaqet një balonë, e cila
ka pe të këputur dhe dergjet si flutur
e balsamosur. Një vogëlush me tiranda
qan me të nëpër duar.
Provoj të vesh çorapet e dikurshme. Gjej
fotografi bardhë e zi, të shumtat
i kisha harruar.
Shkurret kanë mbuluar përroin pas
shtëpisë. Bën vazhdimisht kohë e keqe.
Në kopësht hyjnë dhe dalin samarxhinjtë
me mushkat e shiut. Shkallmonë gardhet
më sëpata. Janë vetëtimat. Paralajmërojnë
ditë më të mira.
Unë gjendem i mbyllur brenda dollapit.
Luaj symbyllazi. Qysh atëhere
më pëlqen të më fshehë errësira.

PUTHJA JOTE

Nesër në mëngjes do të gdhihem me puthjen tënde
të më ngrohë zemrën,
ashtu si prushi në thelb të zjarrit. 
Si dheu i shkrifët në gojën e të vdekurit
pas disa vjetësh,
brenda varrit.

RROBAT E BABAIT

Akoma varen brenda dollapeve të errta,
hedhur pa kujdes tek baullet e thella,
me ose pa naftalinë. 
Nuk kanë mbetur të varfër në fshat
t’ua dhuronim. Kanë vdekur moshatarët e tij
dhe nuk dihet
ç’modë qarkullon në botën ku rrinë.
Çuditërrisht, pantallonat ndryshojnë formë,
zvogëlohen si të mbretit të liliputëve
nëpër përralla.
Kanë mbetur nëpër xhepa xhaketash copëza
cigaresh, nga markat
që nuk ekzistojnë dhe konsiderohen
relike të rralla.
Mola u largohet, si lukunia e ujqërve
gjatë dimrit, nga stanet e shkreta. Ndoshta
se s’mbajnë më erën e djersës së burrit.
Po të rronte mamaja, me këmishat dhe të lintat
do të fshinte pluhurin
nga mobiljet e drurit.
Vetëm këpucët e tij përdoren akoma. I veshim
si çizme,
gjatë ujitjeve mëngjesore të pranverës.
Kur kalben krejtësisht i hedhim në përrua.
I përdorin si fyej
virtuozët e erës.
Janë ato relike që i shikojmë gjatë verës,
kur përcëllon toka.
Dhe menjëherë perdja e kinemasë fëmijërore
na shpaloset tek koka.

Sinan Kërpaçi: Cikël Poetik

PRE`

Dua të m`i vrasë damarët e qafës femra
që ende s`e kam dashuruar deri në fund.
Të m`i vrasë në breg të Jonit
te Shkëmbi i Pëllumbave
sapo të lëshohet shigjetë një pulëbardhë
për të marrë në sqep prenë më të parë.
Si sqepi i pulëbardhës të jenë gishtat e saj
kur të më vrasë damarët sa të m`i çajë
për t`u ndjerë unë pre` deri në fund:
të vërshojë gjaku në dy palë buzë.

MË KËNDSHËM

Përse themi: “Gëzuar Vitin e Ri!”
me fjalë të përditshme,
kaq vulgare
dhe nuk provojmë të shprehim
magjinë e urimit më këndshëm,
me batuta;
përse nuk i ngarkojmë duart
me “gurë”
dhe të qëllojmë
sa ta rrëzojmë fare
pemën që është mbushur
plot me fruta?!

MË KËNDSHËM

Përse themi: “Gëzuar Vitin e Ri!”
me fjalë të përditshme,
kaq vulgare
dhe nuk provojmë të shprehim
magjinë e urimit më këndshëm,
me batuta;
përse nuk i ngarkojmë duart
me “gurë”
dhe të qëllojmë
sa ta rrëzojmë fare
pemën që është mbushur
plot me fruta?!

S`TË KAM LARG

Joni nuk është më joshës se ti
në dy dete që i marr me “pash”,
një mjet shpëtimi s`ka ç`më duhet
kur s`të kam larg.
Nëse një nga ne rrezikohet të mbytet
krahët e mi kthehen në rrema
dhe ti pa komandë bëhesh varkë
pa shikuar më pas nga duken brigje
në ujë të dy lëshojmë rrjeta
dhe po bashkë peshkojmë yje
nën një hënë të plotë si misërnike
që e pjek nëna ime në oborr te furra:
vezë e bardhë në Diell-lindje.

SHUMË
Poshtë syzeve shumë të errëta
me mollzën e ndieshme të gishtit tregues
ajo fshehurazi shumë fshiu lotin,
ai, përballë aeroportit, të vetin e gëlltiti,
unë i fiksuar gjatë te përqafimi
kërkova shumë sa e gjeta shaminë
dhe mbi palat e saj shumë ndjeshëm
epilogun për librin në dorëshkrim
po me shumë lot nisa të shkruaj:
një ndarje shqiptare për mbijetesë,
live, me lot shumë si në dhe të huaj,
vendi im me shumë horra dhe varfëri.


Kujtim Stojku: HIJA E PERSONALITETIT


Veten time e gjej n’mes gjyrës qiellore të ndritshme,
Por ajo akoma nuk është një ngjyrë e bruzët,
Por s’mund ta gjej veten në një ngjyrë të murrët,
E cila është një hije që gjithmonë vjen e përdridhet.

Edhe pse në varësi të rrethanve,
 Unë shndërrohem në një hije shumë ngjyrësh,
Ku të tjerët pushojnë në një park me pemë artificial,
Një ngjyrë duket e tmerrshme në horizont,
E unë shaloj nëpër re kuajt e bardhë.

Hija ime e preferueshme është ajo e gurit të rubinit,
E cila shkëlqen fort me ngjyrën e saj,
E cila ndryshon si e pa besë nën hijen e vërrinit,
Ku të gjitha ngjyrat përzihen,
Kalben e unë hundën më dorë zë pastaj.

E zeza e kalbur kthehet në një bijë të kuqe t’ përhimtë,
Por në pikëllim ajo s’mund të ndryshojë me pahir,
Nëpër vena vërshon gjaku me tërbim të zjarrtë,
Gurgullon nëpër lëkurë duke na skuqur flakë.

Në vend që të bëhet një perlë trëndafile e qetë,
Që ta plotësojë rubinin e ta ngazëllejë zemrën e shkretë,
Unë qetësohem në trumzën e butë duke thithur luleshtrydhe,
Dhe atëherë më qetsojnë të gjithë duke kënduar,

Ca re ngjyrë qershie n’hapsirën qiellore dolën vetë… 

Prend BUZHALA: PARADIGMA HISTORIKE E NDËRGJEGJES SË LIRISË

(Çaste eseistike: Edikti i Milanos për liritë fetare,
i Konstantinit të Madh Ilir, i vitit 313.
NGA ORATORIA ANTIKE), 13
Kosntantini i Madh ilir dhe Edikti i tij i Tolerancës (viti 311, së bashku me perandorin Galeri, i cili po ashtu ishte ilir) dhe Legalizimit të krishterimit (viti 313) kanë rëndësi epokale për mbarë historinë botërore. Liria fetare është shenjë e IDENTITETIT EVROPIAN dhe themel i lirive dhe të drejtave njerëzore qe 1700 vjet! Vetëm me këtë edikt njihet LIRIA E INDIVIDIT (për shkak se nën paganizëm njeriu trajtohej me ligje shpesh edhe barbare: hedhja e foshnjave e të "tepërta" e "të dobëta" në humnerë a lumë, braktisja e pleqve të vdisnin diku të mënjanuar në mal, shitja e skllavit, i cili tani mëson se ekziston edhe diçka që quhet liri etj). Përdorimi i mosdhunës triumfoi si parim i ri historik: e njohur me emrin TOLERANCA FETARE. E trashëguar nga Konstantini i Madh (ashtu si u trashëgua nga ky edhe Flamuri i Skënderbeut), bashkëjetesa e tillë u bart edhe tek dy shekujt e fundit me emrin tolerancë proverbiale shqiptare...
Ai shpreh edhe SHEMBULLIN E KONVERTIMIT të tij nga një perandor pagan në një besimtar të krishterë, me rrugë paqësore e të vetëbindjes.
Kultura e tolerancës, e mbjellë nga Edikti i Milanos i vitit 313, si kulturë e civilizimit perëndimor, u përçua nëpër shekuj e mijëvjeçarë, deri në ditët tona. Dhe sot ajo kulturë antike, edhe konstantiniane, qëndron në themelet e gjithë kushtetutave moderne botërore. Në kohën kur Konstantini i Madh sundoi si perandor në Perandorinë Romake, në Iliri nuk kishte sllavë. Ata erdhën aty kah mesi i shekullit VI. Në fillim ata ishin shërbëtorë. Tunman shkruan: “Sllavët në vitin 548 dogjën Ilirinë”. Fromer shton se “Trysnia sllave solli ndrydhje të ilirëve. Hapësira dalmate e dardane u rrezikua shumë."
1.
Në emër të të krishterëve Ediktin e Tolerancës e kishte nënshkruar Konstandini i Madh, i cili me Ediktin e dytë (të Milanos), kodifikoi lirinë fetare. Këto edikte së pari paraqiteshin dhe lexoheshin para një forumi (në senat, në Dhoma të Senatit, në zyra të qeverisë, në tribunale...) dhe shpërndaheshin nëpër perandori. Edikti ka rëndësi epokale historike për Evropën dhe krishterimin botëror. Prandaj, po e trajtojmë, kësaj radhe, nga këndvështrimi retorik dhe i ideve e qëndrimeve të shprehura me stilin retorik.
Krishterimi u përndoq nga Perandoria romake për më shumë se treqind vjet! Krishterimi u përhap gjithnjë e më shumë pa përdorim dhune (sepse nuk kishte pushtet në dorë e as ushtri të veten, përpos organizimit klandestin) dhe e gjunjëzoi perandorinë më të fuqishme të kohës, pa asnjë betejë, pa shpatë dhe pa dhunë.
Te vepra "Konstantini i Madh nga Iliria" i autorit Michael Grant (i përkthyer nga Klodian Briçi, i publikuar nga Shtëpia Botuese "Bacchus", Tiranë 2004), thuhet:
"Ka shumë të ngjarë që, në vitin 313, në Mediolanum (Milano), Konstandini, bashkë me Licinin, të kenë arritur që ta kuptonin drejt gjendjen e krijuar (përndjekjet e të krishterëve edhe pas Ediktit të Tolerancës,P.B.), ndaj hartuan një listë të gjatë me udhëzime, a me këshilla, që ua dërguan përfaqësuesve të ndryshëm të provincave. Kjo listë, mbase bazuar në versionin e nxjerrë nga Licini, u përkthye nga Eusebi, ndërsa një tjetër u transkriptua nga Laktanti."
Edhe Tekstin e Edikitit ne e morëm nga ky vëllim (f. 179-180).
2.
Kur u shpall EDIKTI I TOLERANCËS (nga Konstanitini i Madh, më 311, të bashkëjetesës me paganët), krishterimi në Evropë shpalli se njerëzit duhet të përgatiten në tri vlera të tjera: në bashkëjetesë me të tjerët, në përqafimin e KONCEPTIT PËR LIRINË dhe të vlerave të saj, si dhe në pranimin e PLURALIZMIT (politik, fetar etj). Në disa cvilizime tjera, po ndodh ndryshe: nuk pranohet MENDIMI NDRYSHE, por VETËM NJË MENDIM SI "I VËRTETË", dhe mohimi i pluralizmit... Domosdo, edhe MOHIMI I LIRISË... Atëherë, nuk është e habitshme, pse edhe LIRIA KA ARMIQTË E SAJ dhe ideologjitë armiqësore kundër saj...
Në këtë Edikt thuhet:
"Duke qenë se ne e kuptuam që e drejta për të adhuruar nuk duhet mohuar, arritëm në përfundimin se secili që do të dojë të adhurojë në liri të plotë dhe në përputhje me gjërat e shenjta, atëherë do të lejohet të bëjë atë që i do zemra. Për disa kohë ne i kemi ndaluar të krishterët që të adhurojnë në liri sipas zakoneve të sektit të tyre..."
A janë të sakta këto fjalë, të cilave sot nuk mund t'u hiqet asnjë germë? Dokumenti gjendet te vepra e në Lactantius-it "De Mortibus Persecutorum" dhe te Eusebius "Historia e Kishës..." që të dy autorë të asaj periudhe e të njohur si njnerëz të letrave në Letërsinë antike romake. Konstantini i Madh i quajtur sipas shembullit historik të një epoke (si Aleksandri i Madh, apo si Gjergj Kastrioti që mban emrin Skënderbe). Nuk është e rastësishme pse pikërisht për këtë qëndrim kaq epokal të njohjes së lirisë, Konstantini, pas vdekjes së tij, së bashku me nënën Helenën, do të quhen më vonë Shën Kosntantini dhe Shën Helena. Laktanci (autori që ka ruajtur Ediktin) ishte retor (mësues i gojëtarisë) edhe i djalit të Konstantinit.
Teksti i Ediktit ka vlera sublime edhe në aspektin e shprehjes e të përshpirtërisë. Duket sikur ta kishte shkruar ndonjë shenjtor a ungjilltar, që po ia jepte Njerëzimit një Tjetër Kumt e jo një Luftëtar i Madh (por i cili përjetoi një vegim mistik me shenjën e kryqit, se me atë shenjë do t'i fitonte krejt betejat e ashtu edhe ndodhi!). Po përjetonte, sikundër thuhet METANOIA-n e tij (transformimin e brendshëm shpirtëror). Nuk është e rastësishme pse ky transformim bartte edhe adhurimet pagane (pushimi të dielën që e futi si rend botëror Konstantini, apo adhurimi ndaj diellit, si festë pagane, që u bart si festë e krishtlindjes).
3.
A po ia dhuronte njerëzimit një vetëdije të re historike, KREJTËSISHT I NDËRGJEGJSHËM (por me modesti ai aty fut dhe Galerin dhe Licinin), kudnruall një botëkupotimi të erënnjosur politeist:
"Kështu unë, Konstandin Augusti, bashkë me Licin Augustin, u takuam në Mediolanum Milano) për të diskutuar për gjithë ato çështje që lidhen ngushtë me paqen dhe sigurinë e mbarë shtetit, dhe mes gjërave të ndryshme që shqyrtuam, arritëm në përfundimin se nga vendimet që morëm, do të nxjerrin mësim e pjesa më e madhe e njerëzve, dhe jemi të vendosur, si kurrë më parë, që Hyjnisë së lartë t'i bëjmë nderimin që me të drejtë i takon, duke iu dhënë të krishterëve të drejtën për të adhuruar të lirë. Këtë e bëjmë me qëllim që Zoti i Madh, që e ka fronin në qiejt e epërmë [quicquid divinitatis in sede caelesti], të na ketë me sy të mirë dhe, që nga qielli i lartë, t'u japë bekime të shumta të gjithë atyre që do ta vënë veten nën sundimin e tij."
Bekimi dhe Paqja!
A nuk janë këto që të dyja vlera sublime e universale, me të cilat krejt bota e stome aspiron të jetojë në liri, në paqe dhe në harmoni?!
Por çka?!
A thua, të kota ishin këto mesazhe, këshilla kaq të urta, dhe ky përndriçim i përshpirtshëm të, si thuhet, të Shpirtit Shenjt?
Sikur njerëzimi nuk dëshiron të dëgjojnë dhe zhytet në luftëra edhe më të përgjakshme!
Njerëzimi lexon qe dymijë vjet këso porosish, por sikur nuk dëshiron t'i kuptojë ato dhe merr veprime krejt të kundërta!
Ky Edikt erdhi edhe në përkujtimin e 1700-vjetorit të legalizimit të krishterimit dhe trokiti edhe njëherë në ndërgjegjen e botës, si Frymë Hyjnore.
Por, a u pranua?
A nuk zhvillohet edhe sot kjo betejë në mes Paqes dhe Luftës, Të Keqes dhe Të Mirës, Lirisë dhe Robërisë?
Dhe, a nuk ekzistojnë brenda një religjioni monoteist, disa kisha (te të krishterët, që në Mesjetë luftuan kundër njëra-tjetrës) a disa sekte (tek islamizmi, të cilat ende përgjaken qe disa shekuj)?!
Do të ketë, gjithsesi, në të tri religjionet monoteiste, zëra të përndritshëm, që vijnë e na përcjellin mesazhe të tilla të bashkëjetesës fetare e njerëzore, si dikur që bashkëjetuan paganizmi politeist e religjioni monist i krishterë, si na e shpall Edikti:
"Ndaj, duke arsyetuar, arritëm në përfundim se për sa u përket të të krishterëve duhet të ndjekim një politikë të re. Me këtë ne nuk duam të themi se po u mohojmë të tjerëve lirinë për të adhuruar, sepse ne e dimë fort mirë se Hyjnia e Epërme (Summa Divinitas), të cilit ne i shërbejmë dhe i bindemi, do të na japë, me dashamirësi dhe dashuri të pamasë, gjithë gjërat për të cilat ne kemi nevojë."
Pikërisht pse proklamohet kjo bashkëjetesë e liri fetare, ne e ndërlidhim me vetëdijen e sotme moderne për LIRINË E NDËRGJEGJES.
Ende na thuhet që liria fetare dhe liria ndërgjegjes u arritën me Revolucionin Francez dhe me iluminizmin. Por ne e shohim se KËTO PARIME i ka shpallur Konstantini i Madh. Dhe, të shkojmë më tutje: po qe se LIRIA INDIVIDUALE proklamohet te ky Edikt si liri e ndërgjegjes, ku nuk ka shtete të krishtera, por liri të individit, atëherë, a nuk përkon kjo me parimet e sotme: se liria fetare është bindje personale?! Madje, edhe te Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e miratuar nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948. art. 18), thuhet shprehimisht:
"Çdo person ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet si dhe lirinë për të manifestuar fenë ose bindjet, vetëm për vetëm apo bashkërisht, si në publik ashtu edhe privatisht nëpërmjet arsimit, praktikave, kultit dhe kryerjes së riteve."
Kurse Edikti i vitit 313 na thotë:
"Për më shumë, kur ju të shihni me sytë tuaj zemërgjerësinë që po tregojmë ndaj të të krishterëve, edhe ju duhet të veproni po kështu me lirinë që iu është dhënë, sepse liria e fesë është faktor i padiskutueshëm për paqen të cilën s'e duam vetëm për një çast, por për çdo kohë."
E pra, njerëzimi e bën betejën e tij të rëndë për të pushtuar hapësirat e lirisë autentike, qoftë ajo liria fetare dhe ajo shpirtërore, e, me radhë, krejt liritë tjera njerëzore (e lëvizjes, bindjes politike, organizimit, tubimit publik, banimit, votimit etj etj). Ja si na troket ky Zë i Ediktit, diku kah fundi, në situatën e përndjekjes së të të krishterëve:
"Ndaj, me anë të kësaj letre, duam që ju ta merrni vesh mirë se kushtet dhe gjendja e vështirë e të të krishterëve duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Ata do të mblidhen në mënyrë të pakufizuar dhe pa u shqetësuar nga askush.. Kështu, të krishterët do të gëzojnë lirinë që të ndjekin fenë e tyre, por pa i detyruar të tjerët dhe pa ndërhyrë në punët e tyre."
4.
Nëse bota e sotme demokratike gjithnjë e më shumë pikësynon themelet dhe zhvillimin e shoqërisë civile, pikërisht nëpërmes procesit përkatës të thellimit të karakterit shoqëror të vlerave qytetare; të subjektivizuara në sistemin e përgjithshëm të vlerave; atëherë vlerat e tilla të personaliteteve, sikundër do të nënvizonte mendimtari Thomas Carlyle, nuk mund të përvetësohen drejtpërdrejt, po duke u bërë “pronë” e të gjithëve, shëmbëlltyra shoqërore e nacionale e të cilit e gjen mishërimin a identifikimin e vet tek heroi kulturor a heroi historik.
Edhe figura e Shën Konstantinit na vjen e zgjuar nga lashtësia dhe vjen në kohën tonë si njëri ndër personalitetet qendrore të krishterimit, të kulturës e të qytetërimit evropian, nga njëra anë dhe si personalitet, veprimtaria historike, politike e ushtarake e të cilit bën pjesë edhe në botën shqiptare. Gjithsesi, edhe kësaj radhe, në kohët moderne, ashtu sikundër ishte ndër shekuj tek letrat ilire, arbërore e shqiptare, kjo figurë vjen për ta ndriçuar atë thënien e lashtë sokratiane të përjetësuar ndër shekuj: "Njih vetveten!", ashtu sikundër që figurat e Shën Jeronimit ilir, Niketë Dardanit etj na vijnë përballë hullive të shterpëzuara e të shtrofuara të historisë, që aq shpesh i kanë ngushtuar hapësirat e ekzistimit tonë, përballë paragjykuesve të ndryshëm të traditës së krishterë ilire, shpërfillësve e mohuesve të saj.
(Prend Buzhala, 13 maj 2017)
********************************************************
********************************************************
EDIKTI I MILANOS PËR LIRITË FETARE,
I KONSTANTINIT TË MADH ILIR, I VITIT 313
Duke qenë se ne e kuptuam që e drejta për të adhuruar nuk duhet mohuar, arritëm në përfundimin se secili që do të dojë të adhurojë në liri të plotë dhe në përputhje me gjërat e shenjta, atëherë do të lejohet të bëjë atë që i do zemra. Për disa kohë ne i kemi ndaluar të krishterët që të adhurojnë në liri sipas zakoneve të sektit të tyre...
Kështu unë, Konstandin Augusti, bashkë me Ldcin Augustin, u takuam në Mediolanum (Milano) për të diskutuar për gjithë ato çështje që lidhen ngushtë me paqen dhe sigurinë e mbarë shtetit, dhe mes gjërave të ndryshme që shqyrtuam, arritëm në përfundimin se nga vendimet që morëm do të nxjerrin mësime pjesa më e madhe e njerëzve, dhe jemi të vendosur, si kurrë më parë, që Hyjnisë së lartë t'i bëjmë nderimin që me të drejtë i takon, duke iu dhënë të krishterëve të drejtën për të adhuruar të lirë. Këtë e bëjmë me qëllim që Zoti i Madh, që e ka fronin në qiejt e epërm [quicquid divinitatis in sede caelesti], të na ketë me sy të mirë dhe, që nga qielli i lartë, t'u japë bekime të shumta të gjithë atyre që do ta vënë veten nën sundimin e tij.
Ndaj, duke arsyetuar, arritëm në përfundimin se për sa u përket të të krishterëve duhet të ndjekim një politikë të re. Me këtë ne nuk duam të themi se po u mohojmë të tjerëve lirinë për të adhuruar, sepse ne e dimë fort mirë se Hyjnia e Epërme [Summa DivinitasJ, të cilit ne i shërbejmë dhe i bindemi, do të na japë, me dashamirësi dhe dashuri të pamasë, gjithë gjërat për të cilat ne kemi nevojë.
Ndaj, me anë të kësaj letre, duam që ju ta merrni vesh mirë se kushtet dhe gjendja e vështirë e të të krishterëve duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Ata do të mblidhen në mënyrë të pakufizuar dhe pa u shqetësuar nga askush. Kështu, të krishterët do të gëzojnë lirinë që të ndjekin fenë e tyre, por pa i detyruar të tjerët dhe pa ndërhyrë në punët e tyre.
Për më shumë, kur ju të shihni me sytë tuaj zemërgjerësinë që po tregojmë ndaj të të krishterëve, edhe ju duhet të veproni po kështu me lirinë që iu është dhënë, sepse liria e fesë është faktor i padisktueshëm për paqen, të cilën s'e duam vetëm për një çast, por për çdo kohë. Ne dëshirojmë, me gjithë shpirt, që të gjithë njerëzit të adhurojnë dhe të besojnë atë fe që duan. Megjithatë, ju nuk duhet të keqkuptoheni. Ta kemi të qartë se me këtë që po bëjmë, ne nuk nënçmojmë asnjë fe a besim tjetër.
(Marrë nga vepra "Konstantini i Madh nga Iliria" i autorit Michael Grant, i përkthyer nga Klodian Briçi, i publikuar nga Shtëpia Botuese "Bacchus", Tiranë 2004, f. 179-180).

SYRJA ETEMI: POEZI QË SHQUHET PËR NGA INVOKACIONI DHE ORIGJINALITETI

RECENSION:
 
 Vokacioni poetik i Nehat Jahiut, me të gjitha ngjyrimet e një ligjërimi sa autentik, aq edhe origjinal, vjen në hapsirat tona “ të serta” historike dhe gjeografike që në vitet shtatëdhjeta të shekullit që lamë pas, duke e gjetur lexuesi, sidomos ai i grupmoshave shkollore, që në gazetat dhe revistat e kohës, të cilat dilnin dhe botoheshin, jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjërë. Ky krijues i zellshëm dhe i palodhshëm e gjen tokën pjellore letrare në mbjelljen e farës krijuese- artistike, sidomos në revistat për fëmijë dhe të rinj, në: “ Fatosi”, “Gëzimi”, “Shkollari”, “ Rilindja për fëmijë”, madje në “Doruntina” etj, kurse më vonë, edhe në revista portale elektronike.
  Çdokush që i ka përcjellur trendet letrare me penat e krijuesve që janë prezentuar dhe janë profilizuar në mediat e vendit, mund të ketë vënë re se, që në haprimin e parë të tij në horizontet e blerta të vjershërimit, por edhe deri te përmbledhja në fjalë, mund të konkludojë se, Nehat Jahiu është një ndërtues i shkathët i vargut të vet, strofës, madje edhe poezisë përgjithësisht. Domethënë, ai nuk përsëritet si poet dhe nuk “prek” në krijimet e huja. Sipas asaj që “ denoncojmë”, mund të shtojmë se, me përvojat e përvetësuara poetike, raporti i tij kundrejt motiveve dhe temave si lëndë e parë letrareske, është paraprakisht kreativ. Ai në mënyrën e vet kërkon ta plotësojë dhe ta pasurojë shprehjen, formën dhe formatin e poezisë. Kështu, në mes tjerash, ky fakt indicon në prononcimin tonë se, Nehat Jahiu si krijues, nuk është i rëndësishëm vetëm nga fakti i përkujdesjes për atëç ka shkruan dhe për çka ligjëron, por edhe për faktin se si shkruan dhe për çka ligjëron, por edhe për faktin se si shkruan dhe si këndon. Çdo lexues i poezisë, madje, edhe të letërsisë, kryesisht, di se kjo konsistncë është shumë e rëndësishme për një krijues letrar ( sipas asaj se si këndojnë dhe shkruajnë), prandaj edhe dallohen poetët dhe shkrimtarët.
 T,i kthehemi përmbledhjes në fjalë dhe të futemi pak më thellë në substancën e saj...
S, do mend se ndërmjet kopertinave të librit dominojnë poezitë që shquhen, si për nga tema e atdhetarizmit, poashtu edhe të dashurisë për lirinë e drejtësinë. Sidomos vëhet në spikamë lidhja organike e poetit me vendlindjen, ku në mes tjerash shprehet:
       Tek kjo tokë, tokë me lisa,
        janë aty buka dhe rrita,
        gjakëra të ngjizur në rrasa guri,
        shkaba qëndisur tek flamuri.


Madje, gati me po atë dhembje dhe mall vazhdon në një poezi tjetër mjaft eksplikative me titull : “Ja këtu”:
         ja, këtu ne gjithmonë jemi,
          edhe eshtrat këtu i kemi,
          këtu ishim ne gjithmonë,
          me djersë e gjak në tokën tonë.

Përmbledhja që kemi në dorë, duket si një parantezë me primesa inspiruese, e artikuluar me një zë dhe këngëtim të qartë poetik, në të cilin mbijetojnë edhe historia e mbushur plotë heka e krajata për popullin shqiptar, por edhe e tashmja e përshkruar me sakrifica për një ardhmëri më të mirë. Kështu, autori në këtë libër nuk lë pa u kënduar të gjitha vlerave tona mbarëkombëtare dhe me një ton gjakimi për të mbrojtur lirinë, nderin dhe identitetin. Në këtë rast shquhet poezia:
“ Në ballë tëoxhakut”:

        Në ballë të oxhakut,
        t, hoqën plagët, t, i hoqën errudhat,
        ta ruajtën sofrën, ta ruajtën pragun,
        ta mbrojtën nderin, ta mbrojtën konakun,
        në ballë tëoxhakut.

Nuk do të lë pa përmendur këtu edhe poezinë në formën e përkushtimeve, që u dedikohen të rënëve apo dëshmorëve, sidomos atyre të luftërave të fundit, edhe atë, poezi  kushtuar Adem Jasharit, Ismet Jasharit, madje poezitë kushtuar krijuesve: Ymer Elshanit dhe Agim Spahiut.

 Dhe, kështu, duke përfunduar së lexuari përmbledhjen që kemi në dorë, mund të përfundojmë se ky libër që shquhet me vlerat e një krijimi artistik, është sugjestiv si për nga forma e saj origjinale, po ashtu edhe invokative të papërsëritur. E, këto parametra, padyshim, i hasim gati në krejt krijimet artistiketë krijuesit shumë të zellshëm të Orizarës së komunës së Likovës, por edhe më gjërë dhe i cili meriton të lexohet.