Monday, October 2, 2017

Prend BUZHALA: KULTURA E MOSDHUNËS


(Letrat e tetorit. Dita Ndërkombëtare e Mos-dhunës), 2
Sot është Dita Ndërkombëtare e Moshunës apo kundër dhunës, e cila, sipas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB, më 2007, në ditën e lindjes së Mahtatma Gabdit, udhëheqës i shquar indus me renome botërore.
1.
Toleranca nuk synon ndarjet, por afrimet!
Ndër kryevepra të Epokës Moderne janë Liria dhe Njeriu i Lirë, çlirimi i njeriut nga shumë paragjykime ( dogma e kufizime tjera antinjerëzore) e Njeriu i Çliruar. Prandaj ndodhin dhe miliona e miliona zbulime jo vetëm shkencore...
Liria nuk është hyjnizim i vrasjes e i shfaqjeve të dhunës.
Prandaj, kjo Ditë e Mos-dhunës kërkon dhe pjekurinë e një Kulture të Mosdhunës; theksohen përpjekja dhe veprimatria për ndërtimin e paqes, për ndërmjetësim, për parandalim dhe zgjidhje të konflikteve, për arsimim të paqes, për edukimin e mos-dhunës, për tolerancë, pranim të tjetrit, për respektin e ndërsjellë, për dialogun ndërkulturor e ndërfetar, për pajtimin....
2.
Kur një kombi (a shteti) i mungon vetëdija (koncepti) për LIRINË, atëherë ajo përdhoset në të gjitha përmasat e saj: në fushën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë. Më kot hartohen kushtetuta moderne për këto liri, nëse ajo nuk bëhet pjesë e kësaj ndërgjegjeje. Nëse në ndonjë Libër të Shenjtë mungon koncepti LIRI (e zëvendësuar me fjalën nënshtrim, rob ndaj Absolutit, Fuqisë Mbinatyrore), kjo nuk do të thotë se këtë mungesë pseudo-hyjnore ta zbatojmë në jetën tonë të përditshme.
Shtrohet pyetja: meqenëse mund të ketë shtete, jashtë Evropës Perëndimore, që mund të jenë edhe më të pasura a më të zhvilluara (qoftë në Azi, qoftë në Amerikë), atëherë përse shqiptarët kanë dëshirë që më së shumti të zgjedhin (për strehim, për punë e për jetesë), pikërisht Botën Perëndimore?
Po qe se do të hapeshin kufijtë, të rinjtë tanë a do të shkonin stuhishëm në xhenetin jashtevropian (aziatik) apo në shtetet perëndimore të "Evropës shtrigë"?
Askush më shumë se sa Evropa Perëndimore nuk e respekton islamin, sepse ai mbrohet me ligje, me ndihmë e përkujdesje, me azilin politik, ekonomik e me solidaritet njerëzor. Me sa e di, shumë nga shtete aziatike hidhen me bomba kundër tempujve fetarë të njëri-tjetrit... a të të njëjtit religjion...
Respekti që është model botëror për besimet, është ai shqiptar, i vëllazërisë shqiptare ndërfetare... por kjo vëllazëri nuk nënkupton edhe mohimin e identitetit shqiptar për t’u arabizuar dhe hedhur me bomba kundër njëri-tjetrit.
Ndryshe nga regjimet politike në Lindje, a në shumicën e shteteve arabe (ku nuk janë të ndara feja dhe shteti), - në vendet demokratike me sistem demokratik shteti është i ndarë nga feja. Partia politike nuk është as xhami e as kishë, ashtu sikundër as xhamia e as kisha nuk mund t'i zëvendësojnë partinë apo shtetin. Kjo do t thotë: që duhet të respektohet LIRIA E TJETRIT!
3.
Ndër shqiptarë është e njohur toleranca vëllazërore ndërshqiptare. Madje, Ediktin e Parë të Tolerancës e ka shpallur Kosntantini i Madh ilir (viti 311, së bashku me perandorin Galeri, i cili po ashtu ishte ilir) dhe Legalizimit të krishterimit (viti 313) që kanë rëndësi epokale për mbarë historinë botërore. Liria fetare është shenjë e IDENTITETIT EVROPIAN dhe themel i lirive dhe të drejtave njerëzore qe 1700 vjet!
Bota (e përparuar moderne) shfaq mbështetje dhe simpati për lëvizjet e padhunshme dhe ato kanë dhënë rezultate epokale. Porse problemet edne janë të shumta. Ja disa thënie nga Gandi:
"Rrënjët e dhunës janë: pasuri pa punë, kënaqësi pa ndërgjegje, njohuri pa karakter, tregti pa moral, shkencë pa humanziëm, adhurim pa sakrificë, politikë pa parime."
"Mos-dhuna është forca më e madhe në dispozicion të njerëzimit. Është më e fuqishme se më e fuqishmja armë e shkatërrimit e shpikur nga intelekti i njeriut."
"Zemërimi është armiku i jo-dhunës dhe krenia është një përbindësh që e gëlltit atë."
"Mos-dhuna kërkon një besim të dyfishtë, besim te Hyji dhe gjithashtu besim tek njeriu."
Kurse një tjetër figurë e madhe botërore e lëvizjeve të moshunës për liri e të drejta njerëzore, Martin Luther King shprehet: "Në qendër të mos-dhunës qëndron parimi i dashurisë. "
Kurse Thomas A. Edison: "Jo-dhuna çon në etikën më të lartë, e cila është qëllimi i gjithë evolucionit. Derisa të mos i dëmtojmë të gjitha qeniet e tjera të gjalla, ne jemi ende të egër."
Një tjetër mendim i urtë: "Gjithmonë them se mos-dhuna nuk është arma e të dobëtve. Është armë e të fortëve" (Betty Williams).
Shumë figura të tilla kanë vënë në lëvizje rrjedhat e historisë, si , Mohatma Gandhi në Indi, Nelson Mandela në Afrikën e Jugut, Martin Luther King në lëvizjen e të drejtave civile etj. Shembull unikat është edhe lëvizja e mos-dhunës në Kosovë e viteve '90 që ndryshoi kahet e historisë... edhe gjithë lëvizjet e tilla në vitet 1968-1989...
Edhe lëvizjet e mos-dhunës i kanë militantët e vet...
Është e vërteta madhështore e jetës....

Zija Çela: NUMRI I HARRUAR

I hoqi këpucët pa i zgjidhur, duke i shkelur te thembrat herë njërën e herë tjetrën. I tronditur siç ishte, filloi t’i binte telefonit. Me kë do të fliste? E ç’rëndësi kishte, mjaft të dëgjonte një zë dhe t’i qante hallin. Duhet ta kishte vërtitur diskun nja pesëdhjetë herë, kur u kujtua se telefoni nuk punonte. Megjithatë, ngaqë në vetmi nuk gjente ngushëllim dhe mendja i vinte rrotull, vazhdoi ta rrotullonte ende diskun, si të shpresonte se ashtu aparati do të vihej në punë.
Dhe vërtet, kur kishte formuar një numër me shumë shifra, i erdhi në vesh një mërmërimë e lehtë, sikur telat të ishin bërë të gjallë e të sillnin lëvizjen e erës. Pastaj, sa më shpesh vërtiste diskun e sa më shumë rritej numri, aq më tepër forcohej mërmërima, derisa u kthye në një frushullimë të pandërprerë që vinte nga larg, shumë larg, si një gjëmim stuhie. Ai ndizte cigare njërën pas tjetrës, shfrynte me dëshpërim, por prapëseprapë, duke e ngjeshur dorezën e telefonit nën nofull, nuk ia ndante gishtin diskut.
Pak nga pak shungullima erdhi duke reshtur, nisi një pipzim i çuditshëm që dukej se aparati nuk do të mund ta mbante. Dhe kur, megjithatë, ai u tregua kokëshkretë, madje ndezi cigare të tjera pa e ndalur rrotullimin e diskut, matanë ra një heshtje e plotë. Ai po matej ta ulte dorezën, kur befas u dëgjua një zë kumbues:
- Kush më kërkon dhe përse?
Ai shpejtoi të përgjigjej:
- Jam një fatkeq që po e mbyt dëshpërimi. Mos ju zgjova nga gjumi?.. Kam tërë natën që i bie telefonit, sepse askush s’ma di hallin që kam.
- Ç’hall ke? - pyeti zëri matanë.
- Të gjithë miqtë që kisha, më lanë, - tha ai.
- Miqtë? Çfarë të të them për miqtë! Por mos u dëshpëro, unë nuk kam si të të ngushëlloj. Im bir kishte dymbëdhjetë miq dhe të gjithë e braktisën në një ditë. Pastaj ai i fali dhe ata i mbetën besnikë përgjithmonë. Bën mirë që t’i falësh miqtë.
- Po mua edhe vëllezërit më kanë lënë.
- Oh, - psherëtiu tjetri matanë, - më mirë të mos ma kishe thënë këtë fjalë. Unë prandaj nuk kam vëlla, sepse kurrë nuk kam dashur që ndjenjën e vëllazërisë ta vë në provë. Dhe meqë këtë ndjenjë nuk e njoh, si mundem të të ngushëlloj?! Megjithatë, fali vëllezërit e tu.
- Po unë jam krejt vetëm, - tha prapë ai, - mua edhe nëna më ka lënë.
- Nëna?
- Po, u lodh prej meje dhe më braktisi. Ndoshta më braktisi nga mërzia. Unë mendoj se, në përgjithësi, edhe vdekjen njerëzit nuk e pësojnë nga sëmundjet, por nga mërzia. Sa do të doja ta shihja nënën përsëri!
- Ngaqë je vetëm, prandaj?
- Po, ngaqë jam vetëm. S’e di se çfarë kam humbur dhe as se çfarë më ka mbetur, por nëse do të qaja, do të qaja për të tjerët. Sidomos për nënën.
- Unë vetë jam pa nënë. Ajo ose më ka lindur mua dhe ka vdekur, ose ka vdekur pa më lindur mua. E sheh pra, unë jam më fatkeq se ti, pa nënë, pa vëlla dhe me një djalë që miqtë e tradhtuan. Megjithatë, e kuptoj gjendjen tënde. Tani për tani jam shumë i zënë, por pa zbardhur drita miqtë dhe vëllezërit do të vijnë tek ti. U thuaj atyre që të më bëjnë një telefon dhe të ma kujtojnë hallin tënd për nënën. Dëshiroj të bisedoj vetë me ata, kjo është e domosdoshme.
Ai nuk e besoi, por pa dalë mirë drita, në portën e tij trokitën miqtë dhe vëllezërit. Dukeshin fort të penduar dhe, ende pa e çelur gojën ai, i kërkuan të falur.
- Mbetet vetëm që të kthehet nëna, - i thanë ata.
- Po, - u hodh ai, - dhe që të kthehet nëna, ju duhet të telefononi...
- Në ç’numër? - pyetën vëllezërit dhe miqtë.
Ai heshti. Sikur botën mbarë t’ia falnin, nuk ishte më në gjendje ta riprodhonte atë numër. Prandaj dhe ata ikën, duke e quajtur të marrë, gënjeshtar dhe delirant. Ai mbeti përsëri vetëm, pa miq, pa vëllezër dhe pa nënë.
Vetëm është edhe sot e kësaj dite, sepse me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme, nuk po arrin të lidhet prapë me atë zërin e largët. Me sa duket, njerëzimi ka kohë që ia ka harruar numrin e telefonit Zotit.

NEHAT JAHIU:O , VËLLAI IM!...



O, vëlla i im ka kohë që ty të kanë harruar
e askush deri më sot nuk të ka vizituar,
askush, o vëlla nuk është mërzitur për ty
se verës ke ndejtur në diell e dimrit në shi.
Sa kohë se ke lëshuar sharrën prej dore
për ta fituar, or vëlla një kafshatë goje,
me vite të tëra në borë e në shi
askush, or vëlla nuk u kujtua aspak për ty.
Sa herë vjenë koha e votimeve, or vëlla
nuk ndalen duke ardhur për të pa,
sa ju” dhemb” shpirti kur të shohin me sy
kanë ardhë votën, për ta kërkuar edhe ty.
Eh, more vëlla që ti rrin me këtë sharrë në dorë
që të mungon kafshata e bukes për në gojë,
prej ditës së sotme shumë kush do të vizitoj
e gjithëçka, or vëlla edhe ty do të premtoj.
E, mor vëlla kështu e paska kjo çfarë poltika
kjo e buta e dashura karriga,
sa herë që ka ardhur koha për të votuar
edhe ty nuk të kanë harruar vëlla për të vizituar.

Dhimitri Jani Kokaveshi: SKICE


Ç'do ditë përplasem... zhgënjimit, përballem si trupat që levizin murreve të gjithësisë, gjeometrikisht matem.
Matem!..
Me hapësirat kur hijet zbresin,… nxitimit.
Si hijet zbresin edhe përplasjet,… vrullit, i gjej mes dështimesh…. fitoreve, nuk mund t'i mbroj.
Nuk dua të jem, mbetje mes hijesh të pasagjerit në trajektoret e tyre mbi përplasjet, kuvendojnë?...
Sa shumë përplasem dhe më trokasin thyerrjet e dritës, të qiellorit mërgimtar le të
sfidohem.
Sfidohen,... hapësirat, e tregimtarit të thjeshtë pa mbetje… meteorësh dhe në zbërthim, dritës së tyre, udhëtoj.
Si satelit udhëtoj të prek dhe të arrij… dritën.
Ky shkak që stimulon dhe nxit, sensorin... e vizionit dritë?...
Sa shumë hije na afrohen dhe zbehin!...
Përplasjet me horizontin na len... nga një sozi a fotokopje të mundimeve të tyre mbi zhgënjimet?….
Sërish, sërish na dhunojnë... me hijet e tyre dhuruar, nuk maten... madhështitë! ... ... 

Nikollë Loka: Verdhë-verdhë si limon


Në kaltërsi
frymëzimin s’mund ta ngjyej,
qielli i kaltër,
thjeshtë një iluzion,
kaltërsi e syve tu
zhgënjimi im i verdhë,
verdhë - verdhë si limon.
Shira dhe ëndërra të kaltra
kurr nuk pashë,
në burime vjeshte
që veç dëshira zgjojnë,
në kroje m’u shfaqe ti
vegimi im i verdhë,
verdhë-verdhë si limon.
Qiell s’u bënë sytë e tu,
kaltërsia mbeti thjeshtë një iluzion,
me të kaltër s’po ngjyroset dot
zhgënjimi im i verdhë…
Verdhë-verdhë si limon.

Bajrush Bunjaku: ZOGJ TË DIELLIT

Ju zogj të diellit përgjakur
Mga ushtarët e kalit trojes
Në këmbë qëndroni
Tej oqeani do vie një shkëndi
Do i shëroj plagët e hapura
Jo nga zjarri e plumbat
Por nga dhëmbë gjarpërish të zi
Që trupin na e mbështjellën
Gjakun me bisht na e thithën
Qëndroni se do lindë një hënë e re
Dhe një diell i ri ndër ne
O zogj dielli
Kurr s`do të largoheni nga vargjet e poezisë
Që shpërthejnë nga gurrë e shpirtit
Si vullkan midis oqeani
Me ju krenohet qielli mbi këto male
Dhe foleja që ju rriti
Me ju flakërohet fytyra
Dhe rritet shpirti
Me ju e në jua lindi dashuria
Ju përcaktuat ardhmërinë
E kësaj cope toke e qielli
Fuqi i dhat dhe rrezeve të diellit
E kalit trojes nga meraku
Do i pëlcas zemra e mykur
Do i pëlcas barku i uritur.

Ramiz Kuqi : Cikli poetik " Natë"

NATË
I dridhet buza vjeshtës me shi
Dridhen zogjtë e strukur nëpër degë
Zëri i fjalës nëpër rreshta
Dridhet heshtja mbi varg
Në gropëzave të syve një liqe
I thellë sa një oqean
Ç’u dergj kjo natë
Ç’u dergj !

KATALONI
Ti letër e përgjakur e fjalës
Gjeografi dhembjesh
Në hartën e sëmurë të Evropës
Qiell i mbushur me zogj tē rinj
Që trembin
Mbretër e perandorë
Ti letër e përgjakur e fjalës !

IKU
(Robert Elsit)
Miku i fjalës shqip
Njē natë vjeshte
Kur gjëmoi deti me dallgë
Mik
Ta kemi borgj fjalën
Ngritur nē folenë e shpirtit
Fjalë për fjalë i mblodhe
Si fijet e shpërndara
Germat shekujt
Ta kemi borgj fjalën !