Thursday, September 21, 2017

Vasil Tabaku: QARJEQESHJE

Jam buzëqeshja e dhimbjes
Drita që regëtin në errësirë
Mbi këtë kohë pa kohë
Nëpër hunerat e trishtimit…
…se dikush
Dhe gjithkush luan me jetën time
Klithmat mbledh
Nëpër fushëtirën e qiellit
Mbi rrufetë e zjarrta
Në këtë qarjeqeshje
Mbështjellë me puthjen time
O kohë pa kohë
O ditë prej nate
Verbuar nga mëkatet
Hapat e mi prej psherëtimash
Burgos nëpër baltën e ndyrë
Të kësaj dite
Shtrirë mbi stuhitë
Si një peng I heshtjes
Mos ma vrisni shpresën
Lërmani të fluturoj
Vështrimin tim
Mbi supet tuaja drejt lirisë
Ju thash
Jam liria që vritet cdo cast…
Mos më kërcënoni me terrorin
Me pabesinë
Dhe tmerrin…
Buzëqeshja juaj
Që përgjaket cdo ditë
Dhe dashuria
Me kufomat e ëndërrave
Përqafuar tragjikisht…
Lëreni ëndërrën
Krahët e prerë të saj
Le të rriten
Nëpër fluturimet e pamundur
Ma jepni puthjen e rrëmbyer
Të ndërtoj dashurinë
Nëpër këtë qarjeqeshje
Që vetëm emër nuk ka…

Wednesday, September 20, 2017

Arqile Vasil Gjata: MË PRIT TE KODRA E KUKULLAVE

E dashur, eja!
Eja të çlodhemi livadheve të kujtimeve tona!
Më prit tek Kodra e Kukullave,
të ngremë balona si atëherë kur u dashuruam…
Ose,
të pres në Anfiteatrin e çudirave,
atje ku vallëzojnë vetëm erërat.
Sa shumë u ngjaje bukurosheve të antikitetit!
E bukur ishte ajo ditë,
emri yt sup më sup me buzëqeshjen e syve,
të kujtohen trëndafilat?!
Mbi shkëmbinjtë e thinjur
e çuditshme është jeta!
Po ja,
filluan të bien gjethet e vjeshtës,
në përshpirtjen e udhëtimit rrugëve të lotit
kujdes të kesh nga retë!
Eja në funeralin tim, thjesht me fustan veror.
Edhe pse do t’jetë e dhimbshme,
ti, me buzët e kuqe do puthësh heshtjen…
Të pres, eja…
nga a.gjata

Tuesday, September 19, 2017

Zija Çela: VENDLINDJA E PËRFOLUR

Pasi lëngoi në shtrat për disa vjet, më në fund u duk se i erdhi ora e vdekjes. Trupi i kishte mbaruar, ndërsa fryma vetëm sa linte shenjë në faqe të pasqyrës. Megjithatë, vdekja nuk po e merrte. Truri herë i binte në errësirë, herë i sillte radhazi si në film ca pamje të paharrueshme nga zabeli i Kalumit. Në një ditë behari, ai kishte parë një femër të re që i kishte farfuritur ndër sy veshur ashtu me tesha të lehta, përplot gufime në gjoks, teksa kapërcente gur më gur jazet e përroit, që lëshonin dritë si fije kllapodani dhe ia bënin më të zjarrtë nxitimin për të hyrë në zabel. Në këmbësoren përkundruall, duke pritur i etur, përshkohej hijshëm një mashkull i shëndetshëm me shokën ngjyrë shege në brez, jelek të qëndisur e potina me gajtana.
I zënë në beft dhe pa e ditur përse, Cam Alcani e kishte kthyer kokën nga maja e kodrinës ku përndriste kambanarja e kishës, pastaj në shpatin me luadhe, pastaj në dushk e në larushk, gjithandej ku ishin bardhokat e hënorët, sepse deshëve e cjepëve që mbaheshin për ndërzim, në katundin e tyre s’u thoshin as përçakë e as përçorë, por hënorë. Pas një grime, atij iu bë se shkreptiu në të thatë, ca tafte flake që llapsën fluturimthi ia përcëlluan fytyrën dhe ai, i shushatur e me drithma në trup, mbuloi sytë me shuplaka. Sa zgjati? Pikërisht këtu i shuheshin pamjet dhe truri i binte përsëri në terr.
Grahma s’po kishte të sosur, askush nuk e kuptonte se në ç’pejzë a qenëz të fshehtë i qëndronte shpirti, prandaj provuan gjithçka që zakoni këshillonte për raste të tilla. Të parin i propozuan shkalcin. Në bazë të një riti të vjetër, kush ishte për vdekje e nuk i dilte shpirti, e vinin me dyshek në shkalc dhe i bënin një shëtitje rreth e qark, që të nxirrte mallin e fundit për visin ku kishte lindur. Mirëpo plaku u xhindos kur ia përmendën shkalcin. Atëherë, për t’ia lehtësuar vdekjen, njerëzit e familjes, e shoqja, djemtë e nuset, vajzat dhe dhëndurët i vajtën me radhë në dhomën e dergjes, u përkulën mbi kokën e tij dhe i thanë se çfarëdo gabimi apo faji të rëndë që në vitet e gjata të jetës mund të kishte bërë ndaj tyre, ata ia kishin falur. Si mbaruan njerëzit e oxhakut, ia dhanë hallallin edhe vëllezërit e motrat, që kishin lënë konakët e tyre për të ardhur pranë tij. Pastaj pritën që të vdiste. Por lala Cam prapë nuk dha shpirt. Atëherë e zgjeruan rrethin me kushërinj nga degët e gjakut e të tamblit, por as përfalja e tyre nuk e ndihmoi për të shkuar në atë botë. S’u mbetej veçse të hapeshin akoma, duke grishur kumbarë, miq e dashamirë të largët, me shpresën se pengu që i kishte mbetur në zemër dhe nuk e linte të vdiste, ndodhej te ndonjëri prej tyre. Por përsëri asnjëri s’e ndihmoi për gjumin e përjetshëm. Për dreq, plaku diku kishte ngecur, mirëpo se në ç’gozhdë i varej shpirti aq keq, përsëri askujt s’i shkonte mendja.
Ndërsa heka vazhdonte dhe bijtë ngulmonin te koka e tij, Cam Alcani arriti të nxirrte një fjalë. Për t’ia plotësuar dëshirën e fundit, ata vrapuan menjëherë në adresën që kishin dëgjuar. Por sapo njeriu i thirrur hyri në dhomë, hapi librin e lutjeve dhe nisi t’i këndonte La ilahe il-lallah, plaku përmblodhi veten e kundërshtoi:
- Jo hoxhën, por Hoshën!
Prej asaj kërkese të çuditshme, gjithë sa u ndodhën në dhomë mbetën të mëruar. Por kleriku i dijshëm nuk u lëndua, ai tha se atje ku ka syrin, njeriu ka edhe shpirtin.
Si t’ia bënin tani? Askush nuk kishte sy e faqe të shkonte te Radi i Zarishit dhe t’i thoshte se Hoshën, gruan e tij të bukur, më të bukurën në lagjen e katolikëve dhe për të cilën, që ta merrte, i shoqi dikur kishte kërcënuar se qiste pushkë, plaku i tyre e lakmonte në dhomë, sindozot me kërkesën më të mbrapshtë:
- Vetëm për vetëm me Hoshën, - kishte mundur të shtonte zavalli, pas atij keqkuptimi qesharak.
Radi, burri kokëkrisur, e kishte bërë dasmën rreth nëntë vjet më parë dhe njerëzit e shtëpisë u kujtuan se tamam qysh prej asaj kohe, i mbërthyer nga një sëmundje pa emër, plaku Cam kishte zënë shtratin dhe s’e kishte kapërcyer më pragun e derës. Të gjithë e mbanin mend, gjithashtu, se në atë dasmë ai kishte kënduar për herë të fundit, sado që shumëkush s’ia kishte vënë veshin ose ishte mahitur me të. Kur Hoshën e bukur, veshur nuse, e kishin nxjerrë në oborr dhe trimat e shtruar në tyeza e kishin pushuar ahengun një copë herë, për t’ua lënë radhën grave dasmore, mes heshtjes dhe atij kundrimi të përgjithshëm kureshtar, befas ishte dëgjuar një zë burri. Të gjithë kishin kthyer kokën në një drejtim dhe në atë drejtim të gjithë kishin parë lalën Cam, më këmbë, me shpatullat e rrasura në gurët e avllisë, duke çalltisur me dy duart për çiftelinë, ndërsa dhëmbët me kapsula platini i praronin si fluturashka zjarri në gojën e hapur. Sipas këngës që sapo kishte zënë, Cam Alcani nuk ndodhej në oborr; se ku ndodhej, kënga nuk e thoshte, thoshte vetëm se çfarë shihte ai:
Ooo,
kur po luanin cicat nën fustan,
ia bënin kumbonat drang e drang...
I mjeri unë, i mjeri!
Ooo,
kur po zgjidhej matanë shoka,
thashë nën këmbë po çahej toka...
I mjeri unë, i mjeri!
Ooo,
kur m’verbuan do vetëtima,
kofshë e cica nxirrnin xixa...
I mjeri unë, i mjeri!
Ooo,
m’u mbush mendja veten me e mbytë,
për qind vjet mos me t’i pa sytë...
I mjeri unë, i mjeri!..
Natyrisht, dasmorët patën shkaqe të ndryshme për t’u argëtuar, aq më tepër që ajo këngë ose ishte aq e vjetër, sa askush s’e sillte në hatër, ose ishte aq e re, sa askujt s’i mbeti në kujtesë. Megjithatë, njëri prej burrave që e kishte në krah dhe që e kishte dëgjuar plot kërshëri, pranoi se të gjitha fjalët e tjera i kishte kuptuar, por një gjë nuk ia rrokte truri: “Mirë, ai taravoli e vret veten nga dalldia, por asaj tjetrës si do t’ia shohë sytë mbas qind vjetësh?!” Lala Cam ia ktheu: “Brenda përbrenda dheu është i errët dhe i plleshëm si barku i gruas, prandaj mbin fara aty. Jeta na ndan, kurse varri…” Filluan gratë dhe s’pati qetësi për ta mbaruar përgjigjen, sepse dihet që grifshat në ferrë, pelat në lëmë e gratë në valle, nuk lodhen kurrë. Por proçka e plakut, ndonëse ato ditë u përfol, sidoqoftë u harrua.
- Lala Cam, - e pyeti më i madhi nga djemtë, - po ta sollëm Hoshën, e mban fjalën, vdes e shkon?
- Them se shkoj, - u hamend ai.
- Veçse mos u bëj zevzek! Po e lëndove gruan e huaj dhe na bën me turp, unë të vras me dorën time.
- Më vrit, - i dha leje të birit.
Bënë si bënë dhe, nëpërmjet një kunate, i çuan lajm Hoshës. Ajo tashmë po hynte në të tridhjetat, ishte bërë nënë, por bukurinë e ruante si në ditën e dasmës. I folën për dëshirën e pakthyeshme të plakut, e siguruan se, për të mos i lënë të shoqit ndonjë koritje, ishin të gatshëm që gjakun ta bënin vetë, duke e ruajtur prapa derës me pushkë. Dhe Hosha nuk kundërshtoi.
Kur hyri, iu duk se plaku po flinte. Kur u afrua, pa se sytë i kishte kapak. Ndërmjet kapakëve notonte brymë e mjegull. Ajo e nxori nga mjegulla duke qeshur:
- Më ke kërkuar, teveqel?
- Të kam kërkuar, Hoshë, dhe ta di për nder që erdhe. A jemi vetëm?
- Vetëm jemi, - tha gruaja, - derës ia vura shulin.
- Ashtu, moj Hoshë, - u kënaq plaku, - vetëm një derë nuk mbyllet kurrë, ajo e mortjes. Njerëzit jeta i ndan, kurse varri i përzien. Si thua, i përzien?
Hosha pranoi se vdekja është daulle për kokë dhe shtoi:
- Varri i bën bashkë. Mbas njëqind vjetësh, ndoshta edhe andej kërcehet dërrasë më dërrasë. Lehtë, si me thënë, gur më gur nëpër përrua.
- Eee, - u kënaq fort plaku, - e mbake mend, gur më gur. Shih, shih, as vesa hala s’paska rënë në fiqirin tënd, Hoshë!
Pastaj rënkoi, derisa u duk se humbi në jerm. Ishte shtrirë në shpinë dhe disa herë u rrek ta kthente kokën nga Hosha, por eshtrat e qafës nuk iu bindën. Nuk iu bindën as kur Hosha u përpoq t’ia kthente vetë. Ndoshta i kishte ngrirë tërë trupi. Jo, njëri krah po i lëvizte ngadalë. Pikërisht atë krah e shtriu drejt saj dhe, me mundim, arriti ta fuste dorën nën fustan. Gruaja u drodh. Për të mos nxjerrë zë, kafshoi buzën. Pastaj, përballë ngërçeve të tij, pyeti:
- A po do që Hosha ta ngrejë fustanin?
-Jo, jo, - tha ai, - perdja po bie, nuk është duke u ngritur, Hoshë.
Pas një grime, dora e rreshkur vazhdoi të ngjitej përgjatë kofshëve të saj, pak e nga pak, derisa pëllëmba i preku barkun. Hosha prapë u drodh, por as thirri, as lëvizi. Edhe plaku, ndërkaq, aty u ndal.
- Lala Cam, - bëzani ajo.
Ai u përgjigj me bulat e gishtërinjve. Në fillim nisi t’ia lëmonte kraterin e mbyllur të kërthizës, pastaj tërë hapësirën tjetër, faqe më faqe dhe kulm më kulm. Kapakët e syve i qenë puthitur, nofullat po i nguroseshin, e nuhati edhe ngurosjen e krahut dhe deshi të thoshte diçka. Por u pajtua me të kundërtën, ishte më mirë t’i rrëshqiste dora, sesa goja. Dhe dora i rrëshqiti. I rrëshqiti pa jetë nëpër shpatin ballor të Kodrës së Venusit dhe arriti te pjerrina e lëmuar, lulëzuar me eshkë e krrela myshku.
- Hë? - u dëgjua të pyeste garanti, djali që kishte pritur me pushkën ngrehur pas derës.
- Vdiq, - i dha mandatën Hosha.
- Tha gjë, la ndonjë amanet?
- Asgjë. Veçse, para se të vdiste, u çmall pak me vendlindjen. Nganjëherë, pleqtë kanë mendje fëmije.
Varrimi u bë të nesërmen. Të pranishmit, edhe pasi hoxha i këndoi talkinën dhe varri u mbulua, pritën një grimë herë gjithë ankth, a thua se dheu mund të lëvizte. Por kleriku i qetësoi: “Ky qyqari e di se çfarë ka hekë! Por zevzek a jo zevzek, besoj se tash ka vdekë.”
1998

Ramiz Kuqi: LEONIDA IME NUK DI SHQIP

Duke ecur nëpër korrodorin e gjërë ku anash kishte edhe shumë shitore të vogla, A. dëgjoi një zë fëmije që qante përvajshëm. Ktheu kokën pas dhe, pa një nënë me ngjyrë aziatike duke e mbajtur një foshnjë në gji. Iu duk se nuk e kishte mbushur ende moshën njëvjeçare. Lëvizte me këmbë e duar e nëna , një grua shtatgjatë, me flokë që qethura si frizurë mashkulli, ishte vënë në siklet të madh. Në anën e djathtë të asaj hapësire të hapur, njerëzit pinin kafen e mëngjesit.
Në këmbë rrinte një burrë rreth të dyzetave dhe mbante në dorë një aparat elektrik, i destinuar për masazh të trupit. Ai kishte vendosur një fotografi në mur , me pamje të kurrizit të shpinës së njeriut dhe donte të tërhiqte vëmendjen e njerëzve për t’i shitur ato. E kishte parë A. disa herë, disa vite dhe ai vinte aty pikërisht në stinën e vjeshtës ,kur njerëzit me sëmundje reumatike kishin nevojë për të blerë ndonjë nga ato pajisje për t’i pakësuar dhembjet e natës.
A. lëvizi tutje hapësirës dhe me sy i kërkoi dy miqtë e tij, të cilët e kishin grishur atë të shtune me diell dhe ,nuk i pa askund. U kthye sërish në fillim të ecjes . Për një çast iu duk se në atë tavolinë ku ishin ulur një burrë i moshuar dhe një çupezë e re, e racës aziatike, dikur qe ulur edhe ai me miqtë e fjalës. Luajti kokën një herë dhe u ngjit shkallëve elektrike .Doli në udhën që e shpiente drejt shtëpisë. Kishte lënë garazhën e hapur dhe , nga nuk i shkoi mendja. Nxitoi , këputi rrugën duke shkelur mbi vijat e bardha të asfaltit, hyri në zonën e lagjes dhe u fut në oborr. Mori digitronin dhe e mbylli. Cingërima e telefonit ra si një tingull notash mbi piano.
- Ka një gjysmë ore që jemi duke pritur !.- Je duke ardhur? – Në gjindemi në fund të restoranit, në një skutë, gati si të fshehur, se nuk kishte askund vend të lirë.
- Jam duke ardhur. Sa u ktheva nga shëtitja që bëra sot ,deri në buzë të malit, atje mbi asfaltin kryesor që të lidhë me qytetin.-Për disa minuta do të jem aty.
-Mirë, mirë. Ne jemi ulur , - u dëgjua zëri i Arsimit.
A. trupoi nëpër rrugën dytësore dhe zbriti nëpër të njëjtat shkallë. Nuk e dëgjoi më zërin e foshnjës e as nuk e pa aty shitësin e pajisjeve elektrike . Hapësira gumëzhinte nga zërat e njerëve, gjuhëve, racave. Ai aty vërejti Benin, i cili po mbante një kapelë ngjyrë hiri në kokë. Iu duk pas si i zbehur në fytyrë. – Keni pritur gjatë kohë?- e pyeti si me ndrojtje.
- Ka disa minuta . Po mezi gjetëm vend. Tash po pres në radhë për t’i marrë kafet. Arsimi është atje poshtë , në atë kthesën, në një ngushticë të vogël.
- Ja një vend u lirua,- i tha A. Arsimit. I thuaj Arsimit që të vijë në anën tjetër të sallës. Është kundruall diellit , afër xhamave dhe hapësirë e ndritshme.
-Paske gjetur vend ideal.,- i tha Arsimi.
- Unë gjithmonë ju nxjerr nga situatat, e di ti ?
- Si jo, i tha Arsimi. Ai kishte veshur një palë rroba të reja, të lehta dhe të hekurosura për mrekulli. Kurrë nuk del ky njeri pa kravatë,- mërmëroi nëpër fjalë A..- Qenke veshur si për festa!,- i tha A.
-Kështu jam për çdo ditë,-iu përgjegj Arsimi.
- Koha ka hyrë Arsim në zgavrën e ujkut., vazhdoi A. Zgavra duket se është e thellë, pa dritë, pa ujë. Nëpër te enden kërminjtë, bretkosat, peshqit e ndonjë gjallesë tjetër. Stina është mbushur me njerëz : b(i) thakë, b(y)thakë,la(r) ashë, b(u)takë, Si do kalemxhinj me njëqind fytyra !. Para dite të lavdërojnë, të hipin në qiell, të endin mes reshë, në muzg, kur zbret nata e lodhur,lundrojnë nëpër ëndrra, ndërrojnë sahanët , se lakmojnë si sahanlëpirës, bien në gjunj e puthin ikona e bien në sezhde, ngrisin mite për përandori, akixhinj,zurlexhinj. – Ika se kam lënë nipat e mbesat në oborr!,- u tha miqve A.
- Ditën e mirë e kalofsh bukur i thanë me një zë Haza dhe Mushi.
A. ndoqi udhën e përditshme. Atje ai për çdo mëngjes ngjitej kodrës , kapërcente nëpër dy a tri përrocka. Eci edhe atë ditë. Në një pushimore, skaj udhës së asfaltuar, hoqi çantën nga krahu dhe u ul për të pushuar pak. Nga larg e pa një pjesë të atij pylli mbi të cilin kishin rënë disa mjegulla, si një shtëllungë leshi.U shtri mbi barin e njomë për pak minuta dhe , ndjeu se trupi i iu lag. . Brofi në këmbë. Një breshëri shiu u derdh mbi male e trupin e tij . Nxitoi si vetëtima dhe u strehua në një pushimore , e bërë aty , nga ndonjë pylltar apo punëtor që përkujdesej për kafshët e egra dhe për shpendët. Po ajo valë u ndal pas pak minutash dhe, qielli u ndriçua nga rrezet e diellit. –Eh, sa çudi bën natyra,-tha më vetvete. Aty bie shi, aty del dielli.
Kur u afrua mbi urën e lartë disa dhjetëra metra, shkopsiti këmishën e lagur dhe bëri ndërrësen , të cilën e merrte sa herë më vete. Nuk i dihen nazet qiellit këtu,- foli më zë të ulët. Nga çanta mori një grusht me copëza troshash dhe grurë dhe i hodhi mbi shkurre, aty ku zakonisht mblidheshin çdo ditë pulëbardha deti.
Nëpër qiell pa një kolonë lejlekësh, si një kolonë ushtarësh, të cilët lëvizën në drejtim të Jugut.I kishte trembur shiu që ra dhe erërat e vjeshtës me stuhi? .E kanë nuhatur vjeshtën,- sërish foli pa e dëgjuar askush. Ai ishte mësuar me këtë monolog të çuditshëm që e zhvillonte kur kishte ndonjë brengë çasti.Si të ndodhej në skenë.
Lejlekët, ah këto lejlekë!
Një dru frashëri në bregun e majtë të urës, me trup të trashë dhe , me gjethë të forta, ia rikujtoi A. rrobat e zhgunit të fëmijërisë. Kur qetheshin delet, leshi lahej në valavicë, aty i lanin edhe delet, terej mirë, çohej për ta përpunuar dhe pastaj nga ato bënin pantollona e xhurdina( dy liq), pak më të hola e më të lehta dhe katër liq( të trasha e të forta), të cilat as dhëmbi i qenit nuk mund t’i copëtonte. Ndjeu një nostalgji fëmijërore !
Iu fanit pamja e shtëpisë së vjetër, e djegur gjatë luftës së fundit.Fotografi, libra e revista. Dimrat ishin të ftohtë e të egër si koha e regjimit atëherë. Mbante mirë në mendje aksionin e mbledhjes së armëve dhe dajakun që hëngrën njerëzit disa ditë me radhë aty.
Kur binte muzgu, shtëpia mbyllej me lloz. Lehja e qenve natën e sidomos para se të lind dielli, ishte një sihariq i keq.
Kur u kthye në shtëpi, ora ishte dy e katërdhjetë minuta. Ndezi veturën dhe u nis për në shkollë. Atje kishte dy nipa e një mbesë. Parkoi veturën në oborrin e shkollës dhe, dëgjoi dy nëna tek po llafosnin shqip.- Na dogji nga malli ky mërgim i shkretë,- tha e para. Një grua me flokë ngjyrë kafeje. Unë erdha nga Selaniku në këtë vend nordik. Vajza ime nuk flet asnjë fjalë shqip. Unë vajta si e re atje për ta ndihmuar familjen dhe, u dashurova në Stavrin. Ishte i pashëm. Na lidhi edhe feja e njëjtë. Unë linda këtë vajzë dhe për disa ditë u grinda me tim shoq për emër.Stavri më kundërshtoi në fillim. Unë nuk lëshova pe. E pagëzova me emrin Leonida. –Unë jam me origjinë nga Himara.-Po ti moj shoqe?
-Jam nga Kosova, - i tha Shqipja. Kam ardhur që dhjetë vjet këtu. Vajza ime nuk flet gjuhën e vendit në shtëpi. Shqipen e di si të ishte rritur në vendlindje. Bashkëbiseduesja kafshoi buzët. –Im shoq nuk lë të flasë vajza gjuhën e nënës. Çdo ditë grindemi. Unë kam vendosur të shkurorëzohem nga Stavri. Më ka ardhur të hunda jeta. M’u ka katranosur.- A mund ta sjell tinëza burrit në oborrin tuaj të luajë pak me fëmijët tuaj?
- Po si jo, motra e madhe nga Shqipëria. Motra jote e vogël nga Kosova do t’ia mësojë pak nga pak fjalët dhe ajo nuk do ta humbasë gjuhën e të parëve.
-Të jam mirënjohëse deri në vdekje, motra ime e vogël. Jam në procedurë të shkurorëzimit e pastaj punët do t’i marr vetë në duart e mia. Do ta rris vajzën time e herë pas herë, si të ngjallëm me ekonomi, do të udhëtoj tek nëna që ka disa vite që jeton me babanë tim e më me dy vëllëzër e një motër në Tiranë.
Motra e madhe nga Tirana do të sjell Abetarën e shkronjave pa kufinj. Shqip të na flasë brezi i ri . E di se jemi në rrugë të kryqëzimeve të mëdha. Drita e ndezur në udhërrëfyes na drejton nga Perëndimi. Lindjen do ta lëmë pas shpine përgjithmonë !
Oslo, më 16.9.2017

Sabit Abdyli: SHTEGTIM

Vjeshtë e vonë ishte
valixhet në dorë
kalorës rrugëve të panjohura
mbi re qumësht të bardha 
zog në shtegtim
nuk dija ngjyrë tjetër as fjalë tjera
përveç kuq e zi
përditë në mbrëmje përshëndesja 
mirë mëngjes shqip
dhe kthehesha për të mësuar
gjeografinë, horizontet, kohen
kur lind e perëndon Dielli
këtu dhe në vendin tim

Vasil Tabaku: KANE FTOHT DIEJT E MI

…sepse
Ti njeri
Ende nuk je I persosur…
Diejt e mi
Kane ftohte…
Digjen
Prej akullit te zjarrt
Te heshtjes tende
Ndersa dashuria
Flijohet ende neper bote
Si nje martire pagane
Per deshirat e egra
Dhe femra shendrrohet
Ne nje stoli per egon mizore
Dhe etjen makabre
Askush
Nuk I pa lotet e kristalt
Trishtimin
Si nje dite shiu
Dhe klithmat
E varrosura thelle e me thelle
Ne gjoksim magjik te femres
Askush
Nuk perkedheli
Dhimbjen e brishte
Floket prej drites se Henes
Dhe buzet e zjarrta
Qe premtojne
Dashuri dhe martirizim…
Diejt e mi kane ftohte
Rrenqethen
Prej makabritetit
Ndersa perqafimi I pafajshem
Ndeshkohet
Dhe qelqi I syve te bukur
Thyhet barbarisht
Me veshtrimet e egra
Dhe thirrjet prej egersire
Po femra
Femra eshte zemra e dashurise
Eshte vete dashuria
Eshte jeta dhe drita
Eshte enderra dhe shpresa
Bukuria tragjike
E shendrruar ne nje ledhatim…
E megjithate
Diejt e mi kan ftohte
Kane ftohte
Diejt e mi
Te mbetur jetim
Ne aureolen e veshtrimi
Ku gjunjezohen ditet
Dhe netet
Perulen madherisht
Gjer ne vetmohim
Kane ftohte
Diejt e mi prej enderre
Ndersa tej ne rruge
Nje femije I uritur
Rend dhe pengohet
Neper guret e loteve te tij
Dhe ne thellesi te pyllit
Sorkadhja
Vdes
nen perqafimin tragjik
Te ujqerve dinak
Diejt e mi kane ftohte
Ndersa vendi im
Dhimbshem
Zvarritet drejt agut
Neper gjurma lirie
Me pllanga gjaku dhe zjarri
Diejt e mi
kane ftohte
Diejt e mi presin
Zgjohen dhe rendin
Perms lendinave te brenges
Ku shpresa
Nderton qytetin e lirise…
E megjithate
Perseri e perseri
Diejt e mi
kane ftohte…
Kane ftohte
diejt e mi…