Friday, November 24, 2017

Dhimitri Kokaveshi: ABSTRAKSIONIZËM


Ndryshimet neologjike ja përkushtojmë jetës
mbi çdo moment joshjeje..., afrimi, gjykimin?!...
Ndoshta urtësisë e përpunojmë.
Moment i masës ndryshe tejkalimi ashtu
si abstraksionizmi preferues tezën ndryshe
të realitetin konkuron.
Të pa bindurit, depërtojnë gjykimit apo momentin
që rrethojnë e zbukurojnë e tradhëtojnë?!...
Kurioziteti jetës, njohuri e të panjohurës abstrakte
ndaj urtësisë së fjalëve tona kur gjykonim
pasurinë apo në mes të rrugës u zhveshëm...
prej politikës së thesarit?...

Ramiz Kuqi: Cikël Poetik

MOS U HIDHËRO
Fjalë

T’i kam borxh ëndrrat
Që s’ti futa nëpër vargje
Disa më iken
Si album i grisur
Nëpër ditar jete kanë mbetur
Pa pikë
Mos u hidhëro !

IK TI ËNDËRR

Nga kjo dhimbje sonte
Ik
Më lë të pushoj
Mbi këtë flamur malli
Ta ndjej aromën e tokës
E të një dielli
Që do të ndricojë
Mbi këto harta Ballkani
Ik
Ti ëndërr e keqe
Që ma prish gjumin në mesnatë
Ku mbetën zogjtë e mi
Ku
Në cilën lëvozhgë të fjalës
Flejnë
Akrepat paskan ikur
Mbi orën varur në mur?

ERDHA
U takova me malet
Udhët
Lulet nëpër metafora
Po stina
M'u duk me borë
Qielli pa zogj
Një shqiponjë fluturoi
Drejt një Kepi me dëllinja !

Thursday, November 23, 2017

Zija Çela: MURI I BOTËS


Kur mësuesja më pyeti për Murin e Kinës, ula kokën. Po atë çast edhe Patarusha, shoqja ime e bankës, u zbeh në fytyrë dhe pati një lëvizje të pavullnetshme të fikthit. Të gjithë i rëndoi heshtja. Meqë pandehën se nuk kisha mësuar, për të më ardhur në ndihmë, filluan të pëshpërisnin prapa meje:
“Është tremijë kilometra i gjatë. Lartësia gjashtë deri në tetëmbëdhjetë metra. Gjerësia shkon nga tetë në dhjetë. Për ta ngritur, puna nisi në shekullin e katërt dhe përfundoi në shekullin...”
Mirëpo unë përsëri s’e çela gojën, rrija shul më këmbë.
- Si kështu, - u habit mësuesja, duke m’u afruar, - nuk di asgjë për murin më të madh në botë?! Të paktën, e pranon se është më i madhi? Ai edhe nga hëna dallohet me sy të lirë.
Mua m’u rrëmbushën sytë dhe dola nga klasa i ndërlikur.
Sigurisht, e kisha mësuar tërë lëndën e tekstit. Madje, më kishte rastisur të shihja edhe ndonjë film dokumentar apo të shfletoja revista, ku botoheshin shkrime e fotografi me ngjyra. E dija mirë përse ishte ngritur muri dikur. Kishte ndarë pjesët e brendshme të Kinës nga stepat, pasi andej sulmonin fiset barbare.
Por si mund të flisja unë për një pendë penguese aq të largët, kur një mur tjetër, që e kisha ditë për ditë para syve, më ndante mizorisht nga Patarusha?!
Muri ynë nuk zgjatej përmes malesh e luginash, kullë mbas kulle. Ai kalonte mes dy kopshteve të shtëpive, shtëpisë sime dhe asaj të Patarushës. Kur dilnim në oborr, fqinjët nuk na shihnin, sikundër ne nuk i shihnim në oborrin e tyre. Shpesh, teksa rrija në vetmi, më mundonte një dëshirë sëmbuese dhe pyesja veten: “E ç’bëhet matanë tani?” Por edhe rrugës po të haseshin, baballarët tanë s’i flisnin njëri-tjetrit. Të kërcënuar prej tyre me paralajmërime të rrepta, as mua e Patarushës nuk na zgjidhej gjuha. Ajo përkulej, bënte sikur përvishte kallamat e çorapeve dhe kësisoj kalonim pa një përshëndetje.
Mbaj mend se në fillim tërë fajin ia hidhja murit. Për shkakun e tij, kur unë e Patarusha ende nuk kishim lindur, baballarët tanë desh ishin vrarë. Murin e kishin gjetur nga gjyshërit, por grindjet mes tyre nuk pushonin: Kujt i takonte trashëgimia, cili ishte pronari i vërtetë? Sa herë shpërthente kjo mëri e vjetër, nënën e kaplonte frika se mos ndodhte ndonjë hata e kobshme. Por edhe jeta e përditshme rridhte plot mërzi, sekush në hesap të vet. Nëse kishte gëzim në njërën shtëpi, në tjetrën mbylleshin veshët. Heshtja midis nesh ishte me të vërtetë për bind, sa të vinte të besoje se fqinji nuk rronte fare në këtë botë.
Njëherë, kur Patarusha u sëmur nga bronkiti dhe nuk u duk në shkollë një javë rresht, më shkuan lot nga malli. Qava natën, pasi më doli gjumi. E kisha parë në ëndërr duke ia zgjatur dorën, por unë nuk arrija ta prekja, se ajo trembej, largohej prej meje sikur të isha barbar. Megjithatë, as kur mbaroi vesimi i mëngjesit dhe dola në oborr, nuk pata guxim ta kapërceja murin, që më ndante nga oborri i Patarushës dhe që, gjithë-gjithë, një kacavarje donte.
Pikërisht nga këto brenga m’u kyç goja asaj dite, kur mësuesja më pyeti për murin e famshëm kinez.
Mirëpo, për fat të mirë, muri ynë u prish më vonë. U hap një rrugë që mori ca nga ne, ca nga kopshti i fqinjit. Rrethimin e ri e bëmë me kangjella të ulëta, kurse ata përdorën vetëm rrjetë teli, madje lanë dhe një deriçkë në skaj.
Një ditë, teksa latonte drurin e kazmës shytë, babai përgjaku gishtin. Për të më mbajtur mua larg, i thirri sime ëme. Kërkonte ca duhan të grirë, që të ndalonte gjakun. Por nëna duket s’e dëgjoi, pasi ndodhej në ashef, ku po i hiqte këmishën uthullës. Matanë, në kopshtin e vogël, edhe babai i Patarushës ishte i zënë, prashiste zarzavatet. Megjithatë, nxori kutinë e duhanit dhe u afrua buzë deriçkës. Por atje stepi, ndoshta nga lëvizja e tim eti.
Për të mos e dhënë veten, babai i Patarushës u hoq sikur po dridhte një cigare, ndërsa babai im u fsheh mes ligustrave. Ulur galiç, ai e lëpiu gjakun duke pështyrë. Si të ishte tërbuar nga athëtira, qeni skërmitej e hamuliste fort, dhe mua më pikëllonte në zemër. Por babai e lëpiu gjakun me durim, derisa plaga iu përtha. Pastaj u ngrit dhe hijerëndë, thua se ishte në ndonjë paradë, demonstroi ca ecejake krenare në oborr. Shkonte e vinte duke e mbajtur trupin drejt dhe kokën në hava, si të donte të dëshmonte se përveç Zotit, sovranit të gjithëfuqishëm që rri lart në fronin qiellor, këtu poshtë kurrkujt nuk pranonte t’i bënte temena dhe as ia kishte nevojën.
Prindërit e vazhduan këtë zezonë gjatë e gjatë. Si edhe më parë, as përshëndeteshin në oborr, as flisnin në rrugë. Nuk flisnim as unë e Patarusha. Dalëngadalë po më dukej vetja si honxhobonxho, derisa një ditë durimi m’u sos.
- Baba, - iu vardisa me ngulm, - e përse tërë ky mllef, kjo armiqësi pa shërim?! Tani as muri nuk është më, prej tij s’ka mbetur gjurma. Kur u shemb muri, ne...
- Muri?! - më ndërpreu ai. - Ç’rëndësi kanë tullat apo gurët! Ne ka shumë vjet që ia kemi kthyer kurrizin njëri-tjetrit dhe, kur ia kthen kurrizin dikujt, dije se në mes ke ngritur një mur. Nuk ka mur më ndarës se ky, mor bir. Shpina, shpina e njeriut është muri i vërtetë i botës!

Namik Selmani: Kufiri i Lumturisë


Ah,
sa u gëzuam kur një ditë na vunë në duar karamele.
Sytë na u diellëzuan
Kur na vunë në këmbë çorape të reja
U bëmë si lisa
Kur gjyshja na bleu sandale me kordele.
Një top i ri llastiku
Na bëri princër me kurora të argjenda.
Po e masnim jetën
Me dhuratat që na vinin mbase nga qielli
Dikush
Na thoshte se i sillte Babagjyshi i Përrallës
Nuk shihnim
Rrudhat që merrnin prindërit nga dielli
As zemrat
Që copëtoheshin kur mungonte zjarri i vatrës.
Në sheshlojërat
Flisnin për lumturinë tonë të zbehtë, lilipute
Për një
dritëz kandili që ndriçonte sofrën e varfër
Putrat
gjakoseshin nga gurët e ferrat e udhëve
Ballë Migjenit
humbnim betejat me lumturinë ditën e natën.
Prapë
Një metër për lumturinë s’e gjetëm kurrë
Edhe
Kur ca çelsa bensazh merren te derë e fabrikës
Edhe
Kur fluturojmë nën sedilje qiejve me furtunë
Edhe
kur çeqet numërohen mes gazit dhe frikës
Edhe
Kur kasafortat u mbushën me testamente solemn
Edhe
Kur na vunë vula të thata e të njoma në hipoteka.
Edhe
kur djesitëm kolltukët në parlament
Kërkuam lumturinë
Po ajo si struci mbeti larg shpirtërave dritëzbehta.

Dhimitri Kokaveshi: SHTERUAR


Ditë të ftohta, yjet?...
Ngrijnë
lotëve qiellorë
mbi një revoltë
shtjellonin, statuset e egzistencializmit!…
Në vetmi dhe liri
të trilluara dijen u afroj
mbi liritë?...
Mbetën gjykimeve
provokuar
si një marrëdhënie
degraduar
rivalësh, të një prehri
realiteti
jo aktiv, në një përqafim
të largët
të shkëlqime të mohuara
prehri i saj?...
Nuk egzaltohej, në spontanitet
dashurie!...
Një yll i mbetur apo përulur
yjesh
udhëve të ndjekura gjithësisë
po linin!...
Vështrimet! Të hutuara
si ndjenjë
e nxituar fantazive
mes arritjesh
konkuronin... mbi numrat?....
Imagjinatat
rrëzoheshin ekuacioneve
të një kolapsi
zgjidhjesh!... Pa zbërthim.

Tuesday, November 21, 2017

Namik Selmani: Prushi i dhimbjes

Në kujtim të Bubulina Lajçit, vajzës së aktorit të njohur të Kosovës e të mbarë shqiptarisë Çun Lajçit në ditëlargimin nga jeta
Nga Namik Selmani
Ia bani një za
Atyre krushqve-engjëj që të vijnë nga një parajsë e bukur
Ta marrin me vete Bubën
Atë zanë të re sybukur, në krahët e tyre të ylbertë
Vjeshta rugovase
Le t’ia thurë tantellat e jelekët në pragun e kullës!
Pishat e krojet e Rugovës
Le të heshtin në tokën që do e tresë.
E lotët për Bubën
Të bahen currilë blerorë në Kroin e Kujtesës!
E Tanusha e Rugovës
Prapë të na ndritojë konakët me darsma.
Po
Hej, si s’plas kjo palcë dheu, more njerëz të heshtur???
Nga kjo gurrë me lotë
Në zemrat e të gjithëve dëgjohet piskama.
Hej Bubulinë e Kosovës dhe e Çamërisë sime
Hapi mos t’u faroftë në udhët e paprekura!
Në Qiellin e Shpirtit
Do flatrojnë fjalët prushane të poetëve.
Kush tha,bre,
Se gjoksi i Bacë Çunit nuk qënka bjeshkë borëpatretur?
Kush tha
Se dhimbja e nanës nuk thinj gjithë dallgët e deteve???
Hijet nuk treten
Na e ke pas thanë kah mot, bacë Mençuria!
E tash
Pash më pash ta fshehim si hi i prushit të një lisi
Të dridhet thekshëm
Në këtë erë vjeshtore tupani e çiftelia
Bubë- Mirësia
Të na rihapë Portat që zgjojnë vitet si bardhësi plisi.
E në dritare
Lexojani asaj stinëve që ndërrohen Alfabetin me drurë
E zogjtë
Në kroje e degë le ta këndojnë një serenatë hyjnore malli
Bora e largësisë
Të na shtojë një rrudhë e një thinjë më shumë.
Për Bubën
Në thërrimet e dheut të çelin mijëra lule livadhi

Dhimitri Kokaveshi:NË UNIVERS


Një univers të pikëllueshëm
na përkthenin
ditët tona?... Lartësonin
teknologjitë
dhe varrosnin mendimet!...
Si re të shthurura
shqyer... shpërbërjeve
shtroheshim
diellit dhe me diellin
shtronim
ndjenjat?... I vadisnim
lartësive
në këtë turmë të shthurur
çakorduar
qiellores, mbulonin
shpresat?...
Lekundeshin si meteorët
natës
shkundeshin dhe udhëtonin
shpresat tona?...
Shtoheshin, si retë, linin
vëllimet?
I shoh!... Në bardhësi
zhgënjyese
nuk më blejnë... mendimet
furtunave
i përpunoj si errësohen
qiellit?!...
Nxijnë aty, ku nuk afrohet
as dhurohet
drejtësi. Drejtësi?...
Edhe atë shtrëngatave
na e kalojnë
luajmë dhe.... lajmë
vdekjen?...
Qiellores ja kaloj në përjetësisë
thuhet... shpirti?...
Shtrirë krahëve
të qiellores në filtrime gjithësie
mbesin, ditët tona
dhe vitet?...
Tronditur dhe plagosur
si mes torturave
mashtruar ditëve, të joshura!...
Gërrryer dhe
veshur si mes ngjyrave
festive
vjeshtake, rrëzoheshin
dhe lartësitë
i preknim!... Në moshën
e qiellores
shpupurisur, shthurur dhe
shpërndarë
në hijen e zbehjes thahej!...
hija?.. E vdekjes
nuk vjen si fllad vjeshtak
e vadisim dhe
as më trëmb, furtunave të saj por
dhe flladeve
jam rritur por jo vjeshtak dhe
i shkundur, i turbulluar
erërave; udhëtonin..., ditët!...
E shkurtëra.
E shkurtër dhe drita
biologjikish
edhe ajo si ditët tkurrej dhe zgjerohej
vjeshta?... Zbriste
gjethe shtruar
në bukuritë e saj, paraqiteshin
si një qilim
në madhështi, natyrë.
Sa shumë na josh
natyra?... E zbërthyer ngjyrave plot larmi
më zhvesh, pretëndimet?...
Si perëndimet
nxitonin të ankoronin
reflektimet e tyre
të purpurta konkuronin
mbi qerpikët e natës
ulnin... perden e saj dhe nata?...
Nata!...
Konkuronte qetësitë.
Ç’farë qetësie!...
Ajo, kishte..., veladonin e saj
të madhështisë
kërkonte të shtronte dhe
mbytej!...
Mes erësirrave, qetësia e saj
shpërbëhej.
Vërtet!... Nuk e pash natën
të rinohej por
gdhëndej, vullkaneve njerëzorë
kërkonte
dhe ngrinte shpresat e saj?... Rrëzoheshin
pranë krevatit me dijet
E acarta
ndërtonin!... Natën dhe natën ftoheshin
dijet?... Afrova me revoltat
mbetën
thjesht, ëndrimtare progresesh
dhe unë?...
Zgjimeve dhe zhgënjimet
ja marrim, dritës
kur qielli dritën!...
Nuk ma filtronë.