Është një
nga pyetjet që i bëhet çdo kujt që ka marrë penën dhe është ulur për të
shkruar, dhe më së fundi boton një libër, dy tre etj. Ajo që më nxiti që të
ulesha e të hidhja në letër këto mendime do të ishte nxitja që do të më jepte
libri i filozofit të madh Artur Shopenhaur, “BOTA SI VULLNET DHE SI PËRFAQËSIM”.
Pas një analize të mprehtë filozofike që bën ky filozof i madh, është e pamundur që të mos biesh në mendime. Dhe ajo pyetje që të kanë bërë pasi mund të kesh botuar dy - tre shkrime, një libër, të pyesin se ti patjetër ke fituar shumë, tashmë ia hodhe, të lumtë se paske qenë i zoti. Por, kur ti i përgjigjesh sinqerisht, shokut ose mikut se për fitim as që bëhet fjalë, ai atëherë të drejtohet me pyetjen:
- Po përse shkruan?
Ti hesht për të gjetur përgjigjen e duhur, ose nuk përgjigjesh fare duke mos ditur se si t`i përgjigjesh atij që të pyet. Kurse ai pa të thënë asnjë fjalë mendon: " I ziu ai, mbeti tralala tërë jetën, dhe ato pak para që mund t`i kishte për ndonjë ditë zezë, i bëri rrush e kumbulla për përrallat e tij që askush nuk ia lexon, e pa le më t`ia blejnë". Kurse ti rri i heshtur, e dëgjon me vëmendje dhe i lexon pyetjen që të bën duke nxjerrë në pah atë që ai nuk ta ka shprehur. Ai nuk e di, se derisa është botuar ai libër, mbi autorin janë turrur si hijenat që t`i thithin edhe pikun e fundit të gjakut për të mbushur xhepin e tyre. Natyrisht që këtu nuk kemi mendimin se libri duhet të botohet falas, autori është i vetëdijshëm për ekonominë e tregut dhe për këtë çdo gjë e merr parasysh.
Por në të vërtetë përse shkruajmë? Po autorët e mëdhenj që nga lashtësia,
çfarë i detyronte të shkruanin? Me thënë të drejtën mendoj se është e vështirë
që të japësh një përgjigje të saktë.
Mendoj se
kemi dy lloj autorësh, ata që shkruajnë për një
temë të caktuar, dhe ata që
shkruajnë për hir të shkrimit. Në grupin e shkrimtarëve të parë mendohet se bëjnë pjesë ata që kanë një përvojë, të cilët kanë nevojë që të komunikojnë me të tjerët, dhe se mendimi i shprehur
duke shkruar është i vlefshëm. Në grupin e dytë bëjnë pjesë ata shkrimtarë që duan të fitojnë dhe shkruajnë për para.
Pasi me
mundime mund të kesh botuar një libër, pyetja e parë që të bëjnë është se sa
para fitove? Shikojeni me kujdes, kur të pyesin gjithmonë të pyesin për para, dhe nëse ti u përgjigjesh se ke fituar, atëherë do të dëgjosh lajka deri në serivlizëm që të neverisn. Kësaj analize nuk mund t`i shpëtojë edhe marketingu që i bëjnë shtëpitë
botuese ndonjë libri “Best Seller”,
pra libri më i shitur, dhe jo se çfarë përmban ai. Në fakt këto botime janë të shumtë. Ata që shkruajnë për para,
zakonisht u thonë edhe se për çarë të shkruajnë, dhe ata fillojnë të shkruajnë
duke i tjerrë mendimet në gjatësinë më të madhe të mundshme. Por mënyra se si ata
i përpunojnë mendimet janë gjysmë të vërteta, të çoroditura sepse të kanë
detyruar të shkruash, dhe jo se këtë punë e ke bërë me dëshirë, me pasion, e prandaj edhe
vetë autori i këtij grupi për ato që shkruan është mëdyshës, por nuk duhet të
harrojmë se ata duan ta shmangin këtë në mënyrë të tillë që trilli të duket si i
vërtetë. Kjo është edhe arsyeja që vepra e tyre del e paqartë.
Pra, është
shumë e thjeshtë për ta kuptuar se ata shkruajnë vetëm për të mbushur fletën e
bardhë. Këtu është rasti të përmendim edhe autorë të njohur si Lessingu apo
ndonjë tjetër. Ne do t`u referohemi autorëve të vjetër pa pasur qëllim që të lëndojmë asnjë autor të sotëm që shkruan. Biles për këtë ne i inkurajojmë që ai të shkruajë me pasion me talentin që i ka dhënë natyra duke e vënë veprën e tij në shërbim të kombit vet dhe popullit që i përket. Këtu, nuk do të përjashtojmë as gjinitë e tjera fantastiko - shkencore, e shumë e shumë të tjera.Sa më shpejt të konceptohet kjo aq më mirë është, sepse ky libër që nuk ka një temë, pra, është shkruar vetëm me qëllimin për të fituar, ky libër do të flaket tutje për të mos e harxhuar kohën kot sepse koha është shumë e
çmuar. Në të vërtetë një autor i tillë që shkruan vetëm që të mbushë fletët e
bardha e mashtron lexuesin, sipas preteksit të tij se ai ka diçka për të thënë.
Të shkruash për para, dhe ruajtja e të drejtave të autorit është një shkatërrim
për letërsinë1. Por një njeri që merr penën e ulet të shkruajë duhet
të zgjedhë temën dhe është i ndërgjegjshëm se kjo temë është e vlefshme të
shkruhet. Nëse do të mendohej që të punohej kështu, do të kishim një epërsi të
pallogaritshme të letërsisë në çdo degë të saj, dhe si rrjedhim ne do të kishim
vetëm libra të shkëlqyeshën dhe asnjë të dobët ku kritikët do të mbeteshin të
papunë se s`kanë me çfarë të merren. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë për aq kohë
sa paratë të fitohen duke shkruar. Këto djall parash duket sikur janë të nëmura
duke mallkuar çdo autor që shkruan për të fituar para, kjo ata i shkatërron. Veprat më të mira të burrave të mëdhenj janë shkruar
në atë kohë kur u është dashur të shkruajnë për asgjë, ose janë paguar aq pak
sa kanë mbajtur shpirtin gjallë. Këtu të kujtojmë shkrimtarin e madh rus,
Dostojevski, shkrimtarin e madh amerikan Xhek London etj. Kjo na bën të kujtojmë një fjalë të urtë që thotë se: “Nderi dhe
paratë nuk mund të rrinë në një kuletë”. Duke parë shumë botime, ku që në
fillim të librit me gërma ari shkruhet “Best Seller”, pra më i shitur, ku në
kapakun e fundit të kopertinës jepen sasia e shitur e këtij libri, atëherë me
plot të drejtë mendojmë se letërsia e ditëve të sotme është në ditët më të
mjeruara të saj. Këtu nuk po flasim për Shqipërinë, por kemi parasysh vendet e
zhvilluara perëndimore që edhe ata kanë arritur deri në këtë pikë. Dhe kjo
gjendje e mjerushme ka vetëm një arsye që ka ndodhur, këto libra janë shkruar
vetëm vetëm për të fituar para. Çdo kush që do të fitojë para, ulet dhe shkruan
një libër dhe publiku që është aq shumë budalla shkon e blen atë. Këtu nuk kemi
qëllimin të themi se librat nuk duhet të shiten. Dhe ajo që është dytësore, por
në fakt është aq e rëndësishme se këto që thamë më sipër po shkatërrojnë gjuhën. Kjo me të vërtetë është e tmerrshme. Sulmet ndaj gjuhës sonë të shenjtë u janë turrur me një egërsi të paparë që ta shkërrmoqin. Dhe kjo vjen nga disa gjysmë anlafabetë që krekosen me kartona diplomash që nuk kanë asnjë vlerë. Këto personazhe ne sot i kemi kudo, në administratën shtetrore, në bizneset që ata kanë në lidhje me pushtetin, e në shumë vende të tjera. Ata kanë një babëzi të tmerrshme sa duan të fitojnë në çdo pikë dhe presje.
Një numër
i madh autorësh të këqinj e pranojnë tërsisht ekzistencën e tyre nga një publik
i marrë të cilët lexojnë vetëm atë që është botuar. Unë këtu nuk harroj as
gazetarët të cilët kur kanë shkruar për librat, megjithëse rrallë shkruajnë, por kur shkruajnë shkruajnë ashtu siç duhet. Kushedi të shkretëve sa herë mund t`ua kenë kthyer mbrapsht atë shkrim për librin e sapo botuar. Me fjalë të tjera do të thoshim se ai në këtë
rast është një argat ditor. Kushedi sa i është dashur të shkruante
për një libër të sapo botuar, e që shefit të tij as që i intereson.
Por le t`i
kthehemi pyetjes që e kemi edhe si titull të kësaj eseje, atëherë përse ne
shkruajmë?
Nëse nuk
gabohem, mendoj se kemi tre lloj autorësh. Të parët shkruajnë pa u menduar
fare. Ata shkruajnë çfarë kujtojnë duke hedhur mbi letër kujtimet e tyre, apo
duke u mbështetur direkt ne librat e autorëve të tjerë. Kjo kategori është edhe
më e madhe. Në të dytën janë ata që mendojnë kur shkruajnë. Ata mendojnë të
shkruajnë sipas një rregulli të caktuar duke shfaqur individualitetin dhe
stilin e tyre. Në grupin e tretë bëjnë pjesë ata autorë që më parë mendojnë se
çfarë do të shkruajnë para se të ulen para kompjuterit ose letrës së bardhë. Këta
autorë mendojnë se duhet shkruar, dhe këta janë më të rrallët.
Autorët e
grupit të dytë e zgjasin mendimin derisa fillojnë e shkruajnë, ata janë si ai
sportisti amator që shfaqet rastësisht që megjithëse fiton një garë nuk
merakoset shumë se merr apo nuk merr një medalje. Ndërsa autorët e grupit të
tretë janë të rrallë sepse ata e ndjekin lojën deri në fund gjë e cila i bën për
vete, të cilët bashkëpunojnë si në një rreth të mbyllur që më pas vjen e
zgjerohet duke i bërë më të lirë për aq kohë sa ai fillon e mbyllet përsëri ku
asnjëri nga ata nuk ka mundësi të ikë, dhe sportisti në këtë rast nuk ka asgjë
tjetër përveçse duke mbledhur të gjithë energjitë sëbashku me pasionin t`i
shkojë lojës deri në fund. Pra, ai vendos që t`i hedhë mendimet në letër. Ky është
njëlloj sporti që edhe mund të të japë diçka.
Por ky
grup autorësh që në fillim mendojnë e pastaj ulen të shkruajnë është shumë i
vogël, dhe shumë pak prej tyre mendojnë për temën, kurse pjesa tjetër mendon
vetëm për librat e menduar për këtë temë dhe ato që kanë thënë të tjerët. Që
ata të mendojnë, duhet të kenë një nxitje të fuqishme të drejtëpërdrejtë të
njerzëve të tjerë që kanë prestigjin dhe autoritetin në artin e të shkruarit.
Mirëpo, këta njerëz bëhen tema e dytë e radhës, dhe për këtë arsye ata duke i përsëritur
shpesh mbesin gjithmonë nën ndikimin e tyre, dhe asnjëherë nuk janë në gjendje të
shprehin mendimin e tyre original siç e mendojnë. Kurse të parët mendojnë vetëm
për temën, prandaj edhe mendimi i tyre drejtohet ndaj saj. Vetëm midis këtyre
ne do të gjejmë autorë të cilët janë të pavdekshëm. Që të flasim drejt, fjala këtu
është për ata shkrimtarë që në asnjë mënyrë nuk mund t`i heqë letërsia.
Shkrimtari
i vërtetë, materialin që shkruan e ka produkt të mendjes së tij dhe prandaj ia
vlen që të lexohet. Kurse shkrimtarët e historisë e marrin materialin e tyre
drejtpërdrejt nga librat. Ata, shkruajnë pa u menduar shumë me kokën e tyre si
shkrimtarët e letërsisë, dhe për këtë arsye nuk thonë asgjë të hollësishme. Por natyrisht që
këtu vetvetiu na del një pyetje se: Sa i ditur mund të jetë ai njeri nëse do
t`i dinte të gjitha ato që ka shkruar në librat e tij? Prandaj bisedat e tyre
janë të paqarta sa dikush tjetër e mundon veten krejt kot për të gjetur se çfarë
ka menduar ai në të vërtetë. Prandaj nuk duhet lodhur shumë me këto njohuri që
kanë shekuj që janë krijuar. Ato, duhet të merren ashtu siç janë dhe të vazhdohet
para duke sjellë ide të reja.
Nga fletorja
e shënimeve.
Vijon
0 comments:
Post a Comment