Saturday, April 22, 2017

Ajet Shala:ERDOGAN, S’JAM VELLAI YT


Erdogan s’jam vëllai yt, mos lëkund eshtrat shqiptare
Tokën pellazge të parët e tu ma mbushën me varre
Vëllezërit e mi flasin gjuhë perëndie, mbi kokë mbajmë plis
Disa shkojmë në kishë disa në xhami jemi një gjak e një fis.

Mbajmë mbi kokë qeleshe ilire, jemi gjak i Gjergj Kastriotit
Fes të zi si bajgë mbi kokë, mban ti, o bir i Stambollit
S'na lidhin doket, as gjaku, s'na lidh gjuha në Bosfor
S’ke ti flamurin kuq e zi dhe krenari shqiptari që më vlon.
Ajet Shala "Ajhasha"
Kopiliq, 20.07.2016

Ymer Nurka:PORTRETI

 (fabul)
Një ujk, një herë e një mot,
E shpalli veten dhespot.
Ku me ungjill, ku me kërbaç,
I merrte popullit haraç.
S’ngopej me dhen e me dhi;
As me famë, as me lavdi.
Kështu një piktor thërret,
Që t’i bëjë një portret
Urdhëron që portreti' tij
Të varet në çdo shtëpi!
Meqë s’besonte, njëherë
Del kontroll derë më derë.
Hyn në shtëpi të zotit ketër,
Kur ç’të shohë mbi mur të vjetër!
Portretin mizat kishin ndyrë,
M’u në mjekër dhe fytyrë...
Për më keq vetullat ngrys,
Kur sheh portretin vënë përmbys.
Ulëriu e tregoi dhëmbët,
Sa ketrit iu drodhën këmbët.
Pastaj tmerrshëm nxori zënë:
-Pse kokë poshtë më ke vënë?
-Jo, aspak, hirësi e vjetër!
Zë zaliset zoti ketër.
-S’jam aq mëndjelehtë vërtet,
Sa të mos di të vë një portret…
Në çast ujku qime murrmë
Turfullon edhe bën zhurmë
-Po ti ç’më, pandeh mor horr,
Mos jam unë sëmurë e qorr?!
Mendon ketri i tmerruar;
"Në s’jam trim qofsha i zgjuar!"
-Këtë s’e them me siguri,
Por nuk ka gjë që s’bën vaki.
Ç’rastësi në fund të shkallës:
U ndje zëri i nuselalës.
Me këtë rast dhe ujku qesh
-Eja, hyrë doktoreshë!
Më thuaj, portreti im
A s’është vënë ashtu gabim?
Bukla, si sheh në portret,
Qeshi pak pastaj zë flet:
-Joo portreti yt nuk luhet,
Është vënë tamam siç duhet.
Plot çudi dhespoti thotë:
"Shoh në qiell e s’shoh në tokë!"
-Domethënë, mendimi yt,
Mua më paskan lënë sytë!
Tjetra bën sikur s’beson,
Shfaq dyshim në profesion.
-Joo këtë s’mund ta them dot
Pa vizitë, zoti dhespot.
Ujku shtrirë në krye të shkallës,
I bën vizitë nuselalës.
-Uh, ç’po shoh, ruajna o Zot!
Sa keq shikon zoti dhespot!
S’ka faj portreti vënë në mur,
Po ti qënke i sëmurë!
Trurin e paske pa bosht,
Ndaj çdo gjë sheh kokëposhtë.
Po më ngjan në ditë të hallit,
Ke simptomat e budallit.
Mendon ujku: "Kaq e pata,
Shkoi me vreshtin dhe urata
S’do mbaj dot më asnjë meshë,
As për cjep e as për deshë"
-Domethënë, moj doktoreshë,
Çdo kokëposhtë unë e shoh drejt.
-Tamam kështu -bukla i thotë.
-Çdo gjë drejt e sheh kokëposhtë.
Çohet ujku gjithë inat,
Thotë në çast - Ika me vrap.
S’ma ka hedhur zoti ketër
Por ama çdo kafshë tjetër!
Ndaj do iki do t’i mbys,
Se më paskan vënë përmbys.
Vrapon ketri para tij,
Lajmëron në çdo shtëpi.
Dhe çdo kafshë seç i thosh:
-Kthe portretin kokëposhtë!
Thotë një lepur këmbëshpejtë:
-Pse ta kthejmë kur është drejt?
Ia kthen tjetri, me zë mekur:
-Bëj ç’të thonë, o zoti lepur!
Dije mirë se qysh sot
Kështu urdhëron zoti dhespot.
Bashkë me ketrin lajmëron qeni:
-Me kokë poshtë portretin ktheni!
-Çështë kjo punë! -thotë dhia,
-Qënka çmëndur hirësia…!
Si të mos mjaftonte kaq,
Puna vajti dhe më paq.
Se ujku, hirësi e vjetër,
Desh kokëposhtë çdo gjë tjetër.
Kush përmbysur e ka kokën,
Si vetja kërkon dhe botën...

Prend BUZHALA: SIMBOLOGJIA E URËS:


REALJA, FANTASTIKA, MITI
(Çaste ri-shkrimi, IMAGINARIUM), 23
Ura, ky simbol i lashtë shqiptar, në këngën e moçme shënjonte kapërcimin e një pengese a vështirësie, vetëm mbas një sakrifice sublime...siç na e këndon këtë edhe Ura jonë e Fshajit.
1.
Simbolika e urës, siç do të thoshte Guénon,është një pontifex romak që ndërlidh dy botë të ndara. Ndërsa te qytetërimi i krishterë, evropian, sugjeron lidhjen në mes Hyjit dhe njeriut. Tek kulturat e ndryshme URA simbolizon ndërlidhjen në mes asaj që njihet e dihet dhe të asaj që na qëndron jashtë botës sonë të perceptimeve. Në ura, mbështetur për parmakë, shohim pamje me të rinj të buzëqeshur, të dashuruar,...
Lexojmë për urat si simbole bashkimi e afrie i DY BOTËVE TË NDARA.
Dhe sa e sa ura pikëllimi shohim nëpër botë…
2.
Ndonjëherë na ndodh të gjendemi përpara një skene tjetër: "mes reales dhe imagjinares"... Kujtesa e trishtë e një tragjedie, ndërthuret me pamje ndodhish të kaluara, në luftën e fundit a në ato për sa e sa shekuj (si tragjeditë tek Ura e Çabesë apo murosja në urë). Mund të na shfaqet një fanitje kujtese: një album i fotografive që këmbehet me fanitjet e imazheve të djegies së një makine, ku digjen njerëz të gjallë. Nëse në simbologjinë letrare dhe në atë onirike, ura shfaqet me pamjet e saj misterioze, e zhytur në errësirën melankolike të kujtesës, gjithsesi që simbolizohet edhe humbja dhe rënia në një situatë të palakmueshme. Në fund, kujtesa shndërrohet në obsesion meditimesh, reflektimesh, kontrastimesh që t'i dhurojnë pamjet e jetës ...
3.
Ismail Kadare, te “Ura me tri harqe”, duke pasur parasysh se balada e murosjes në strukturën e vet përmban konfliktet morale dhe, si e tillë, i ruan lidhjet me realitetin historik, "kufizohet në paraqitjen e objektit të ndërtuar dhe në pasojat thjesht mitologjike” (Dr. Sadri Fetiu), atëherë edhe në këtë roman motivit të njohur popullor shkrimtari i jep edhe dimensionin historik, edhe dimensionin mitologjik, herë-herë, si në prozat tjera, ndërhyjnë fantastikja dhe irealja. Mirëpo, të gjitha këto gërshetime janë në funksion të vlerave estetike të veprës. Duke qenë se miti i flijimit është rrënjosur thellë në qenien e në vetëdijen e banorëve, edhe shkrimtari ndjek këtë logjikë të jetës, prandaj ndërthur një poetikë të ndërliqshme demitizuese përmes personazhit kronikan, murgut Gjon. Ata që pësojnë nga ky demitizim i ngritur përsëri në mitizim, janë vendasit; miti është përdorë, pra, edhe për qëllime pushtimi. Prandaj, varianti i një kënge baladeske, paralajmëron një ngjarje: herën e parë dëmtimin e urës; herën e dytë murosjen e Murrash Zenebishës, i cili bëhet kurban i urës. Gjithçka zhvillohet fshehurazi, natën, në errësirë të plotë, për t'u dhënë ngjarjeve velin mistifikues. Murrashi natën, i paguar nga. "Lundra e trape, dëmton urën, kurse natën e zënë dhe e bëjnë kurban të saj; ai është viktimë e kësaj lufte midis dy palëve... Sikurse në vepra tjera, edhe këtu ndeshemi me psikologji e mentalitete të ndryshme, me interesa të kundërta, mite të ndryshme dhe pamje të ndryshme të të njëjtit mit, përpjekjen e autorit që ta demitizojë pamjen enigmatike të mitit etj. Historia në këtë roman i nënshtrohet përjetimit mitik.
( 22 prill 2017)

Friday, April 21, 2017

Ymer Nurka:MASKARADA


E kërrusët ju "liderë", këtë popull të lodhur krejt,
Juve që misionin nisët, porsi mjeshtra, veç tu rrejt..?!
Bëtë ligje, shpikët norma, kushtetuta dhe platforma,
Brohoritët dhe buçitët e na ngritët gjer në qiejt.
Ishit bijtë e kësaj toke, trumbetuat rrugë të drejt…

Ju besuam, kur ju shatë vetë sistemin, diktaturën,
Ngulët kthetrat tokës ngratë , popullit i latë faturën,
Gjoja qënka vetë liria, pa kufij, si dhen pa vathë
Çek të bardhë na vërtitët ndër fytyra,oh ç’gafë!
Para jush qëndronte vendi, porsi mali me pilaf…

Edhe ju s’iu mjaftoi luga, për të vjedhur djersën tonë,
Jo më pjata ,as lopata, po fadroma dhe vagonë,
Nga errësira porsi trima, sikur hijet dalë nga vrima;
Shitët vendin si xhambazë, pesë qindarka ndër gjitonë,
Edhe prapë pa pikë turpi, të pa cipë s’e lini fronë…

Sapo Shqipja zuri honet, menjëherë ju ngritët tonet,
Veshur me lëkurë qingji, shpirt si ujku nga zakonet,
Bëtë tender me pushtetin, kapital ngritur mbi dokrra,
Shembët Kudhrën proletare, në vend të saj vendosët mokra,
Peng morën pemën e mëmëdheut, jo më shumë se dyqind kokrra.

Dhe pastaj përmbi viktimën brohoritët: “ Bingo! Bingo!”
Pa iu ngjitët dhe s’u shqitët mbi kufomë, si qentë dingo…
Këtej hanit, andej dhisnit, ulërisnit edhe flisnit...
Veç premtime të begata, natyrisht të reja fringo.
Gjithë mjeranëve ndër fushata , ju u shisnit, porsi gringo.

Ndër grabitje, bëtë gara të papara, ç’maratonë!
Ja e desh një "kokë turku", bëma juaj, halli jonë,
Dhe në çast mëndjen e mblodhët, fap e zgjodhët,
Një kurban, nga i mjeri popull, prej vet gjakut nga ku rrodhët,
Një fatkeq, për fatkeqësitë, për fajtor ndër këmbë i hodhët

Ikën motet, kështu vodhët tërë thesaret, monopolet,
Domosdo me këtë popull të pa ditur tallët bolet,
E ndërroni sa herë doni, vjen në ndihmë korrupsioni,
Të pacipë na tregoni, xhepat bosh dhe protofolet,
Dhe shqiptari i uritur, s’ka fuqi më as të kollet…

Qafë dhjamur, shumë të kamur, mbushët arkat ju në Zvicër
Do bëjmë shtet pastaj kujtohi dhe ndërseni veç policër,
Për njeriun e mashtruar zgjatet, zgjatet errësira..
Ligji kap keca e gjorë dhe fal ujqërit-egërsira,
Rrojmë oh në kohë të liga, duke pritur të vijë e mira...

Me këtë popull ja u tallët, dhe e kthyet në veshgjatë,
E në gjuhë të tija pallët, na shurdhuat, me shamatë!
Mbahi ju për baballarë, pleq të urtë, dhe analista,
Me ju gjoja-patriotë, shumë e gjatë do bëhej lista,
Fjalë-bukur ndër ekrane, autorë veprash të pista

Kur të ndodhë prej vetiu, mbi mjerim të brofë gjeniu,
Ku do shkoni ku do futi, "pesëqind groshë" një vrimë miu,
Se ah rrotë e Historisë, rrotullohet e vërtitet,
Kush lakmoi majat e saja dhe s'ka më se ku të ngjitet,
Do bjerë poshtë, do thyejë qafën, ditë e tillë për juve pritet

Shkoi dhe brezi ynë tutje, si gjithë brezat shkuan, vanë,
As dhe zoti s’pranon lutje, me kaq fjalë sa veten shamë,
Na dha tokën më të mirë, të pasur si askund në botë,
Por na mbushi me qafirë, me hajdutë e me idiotë
Domosdo është e vështirë, të bëjmë shtet edhe epokë,
Jemi vallë njerëz të lirë, apo rob të mbetur trokë?!

Prend BUZHALA: PJATA MAGJIKE


(Çast eseistik, IMAGINARIUM), 20
Nuk e kemi këtu fjalën për Mitin e Pjatave Fluturuese.
As për Pjatën e Thyer diku më 1981 në Mensën e Studentëve.
Fjala është për Pjatën Magjike të kohës sonë, dhuratë për secilin prej nesh, nga Politika Ditore.
Ne presim që aty të ketë ushqim të rregullt e të bollshëm; ushqim që vjen nga djersa e fituar me punë. Punë, liberalizim, siguri ekzistence, shkollim, shëndetësi që përballohet financiarisht dhe të mos vdesim për një grusht euro. Lëvizje të lirë, zhvillim...
1.
Çka dreqin po ngjet me këtë pjatë?!
Aty, në vend të Bukës së Përditshme, mund të hani për çdo ditë intervista, debate, votime në parlament, polemika, premtime, grindje skenike-politike...
Aty të vjen lista e racioneve ditore: si duhet të bëhesh doktor shkence pa asnjë punim shkencor;
si duhet të bëhesh akademik duke shkruar libra që nuk thonë asgjë, që u drejtohen kokave të zbrazëta, duke fituar sa më shumë çmime letrare, duke qenë në miqësi të përhershme me SHBA-të, pardon: me krerët e politikës e me përfaqësuesit e ambasadave;
duke hartuar Harta Magjike që e ndërrojnë masën e territorit shtetëror sipas kutit të ambasadave, të Interesit Kombëtar për Viza e Për Marrëdhënie të Mira me Fqinjët.
Po qe se dëshiron të kesh suksese në profesurë, doktoraturë, a po qe se dëshiron të të çmojnë si Kokë e Zgjuar e Politikës Ditore e Shtetformuese, atëherë domosdo do të kesh para, do të kesh ofiqe, çmime, privilegje.
Dija nuk vlen, mos gabo të jesh i ditur!
2.
Mund të bëhesh brenda ditës shef i katedrës, dekan fakulteti, pa asnjë kontribut pedagogjik, profesural apo shkencor. Kryesorja: sado që ti dje ke përjashtuar nxënës a profesorë nga shkollat për shkak të “veprimtarisë armiqësore”, apo nëse i ke dërguar në burg; ti edhe sot mund të shpërblehesh duke i përdorur të njëjtat mjete, sipas metodës së seleksionimit negativ. Menjëherë do të të shpallin patriot që ka rezistuar “në rreshtat e parë”: aty i ke pasur diku paraardhësit e familjes sate, me çetat e Azem Bejtës apo Shaban Polluzhës...
Dhe biografia jote shpërlahet.
3.
Kjo Pjatë Magjike është krejtësisht e pastër: nuk pranon emigrantë, por krijon emigrantë në mënyrë ilegale.
Mbulesa Magjike e Ligjit është gjithëpërfshirëse: kot kërkoni nga e magjishmja pjatë dritë; aty ka errësirë, ku gishti para syve e para hundës nuk shihet; ku sëpata në pritë drejt Teje, paraqitet si E Ardhmja e Lumtur e...nuk shihet...
A ka shpresë?
Po.
Ja, njerëzit që nuk mendojnë kështu!
(9 prill 2017)

Prend BUZHALA: MACJA E ZEZË DHE LETËRSIA


(Çaste eseistike, IMAGINARIUM), 21
Dikush mund të pyesë: e çka kanë të përbashkët Macja e Zezë dhe letërsia?
Macja e Zezë dhe Urtia?
E po, sa Macen e Zezë e ndesh në jetë, e rrugën ta kapërcejnë:
janë njerëz-hije me misteret e krimit, që vijnë nga errësira. Njerëz të ligj që shpifin. Thashethemxhinj që përpiqen të ta nxijnë ditën.
1.
Do ta ndjesh Vuajtjen e Tmerrshme, po u more me letërsinë e mjerë.
Kobi ndjek urtinë tënde, bukurinë dhe Fjalën e Shkruar.
Letërsia ka mjerimin e vet, sjell drama, fatkeqësi dhe kobe.
Do të ndjehesh i pafat në dashuri, në jetë dhe në kërkimin e lumturisë.
Ruaju, kur merr një udhëtim të rrezikshëm, ata vijnë me pushtetin e padukshëm, për ta kontrolluar jetën dhe vdekjen tënde.
Peshoren e Lirisë për ta matur me Bishtin e Zi të Misterit zyrtar.
3.
Vetëm në një gjë ndien lumturi të pakufishme: në universin e imagjinatës krijuese.
Aty edhe e gjen shpëtimin,
Aty edhe gjendet shpëtimi!
(20 prill 2017)

Wednesday, April 19, 2017

Neht Jahiu:NJË GRUSHT DHE TË PËRGJAKUR PËR ATDHE


Krismat nuk pushonin. Po digjej gjithçka në tokë e në qiell. Luftonin trimat cep më cep për liri e për atdhe. Pjesmarrës i kësaj lufte ishte një djalë i ri që kishte ardhur nga Kosova. E njihja mirë dhe e takoja shpesh përpara se të fillonte lufta. Kishte ardhur për të luftuar në trojet e Iliridës. Kishte ardhur të luftonte për liri. Shpesh thoshte: po deshi Zoti nuk do të më dhimbset fare jeta t’ia fal gjakun tim kësaj toke, dhe të mos mbetet kurrë e huaja. Të mos mbetet kurrë djerrinë, sepse kjo tokë është tokë shqiptare. Është tokë e të parëve tanë.
Atë e gjeje së bashku me shokët e tij në çdo front të betejave që zhvilloheshin në pjesën e Karadakut legjendar. Nuk e njihte aspak frikën. E kishte thirrur liria, dhe mu për këtë liri donte ta flijonte jetën e tij të njomë. E quani Trim Kosova! Oh, sa emër i bukur!... Trim Kosova! Po me të vërtet ishte një djalë trim që si dridhej qerpiku i syrit. Kur ishte nisur për në Iliridë në shtëpi kishte lënë vetëm nënën e tij dhe një motër. Nëna e tij ishte Kosovarja dhe motra më e vogël se Trimi, quhej Shqipe. Me mallin e dashurisë e kishin përcjellë nga shtëpia pa nxjerrë një pikë loti, sepse djali i nënës dhe vëllai i motrës po shkonte të luftonte për lirinë e trojeve të veta. Pushkën në dorë e koburën në brez Trimi niset me shumë shokë në luftë. Sa hije i kishte Trimit uniforma dhe emblema e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në uniformën e tij ushtarake kur luftonte mbi armikun!
Pas shumë betejave shokët e Trimit një ditë ishin zënë në një pritë të papritur, në befasi. Kishte filluar një luftë e ashpër. Kërkoheshin të vinin forca shtesë për t’i ndihmuar shokët. I pari vullnetarisht paraqitej sypatremburi Trim Kosova me disa shokë të tij. Ata morën rrugën për te vendi i quajtur “Lugu i dhive” rrëzë Kardakut plak. Iu bashkangjit shokëve, ky djalë trim dhe luftonte pa u ndalur. Plumbi e qëlloi papritur Trimin në shpatulla pranë zemrës. Filloi t’i derdhej gjaku. Vrapuan disa shokë për ta ndihmuar. Ia lidhën plagët me atë shami që ia kishte dhënë nëna e tij kur ishte nisur Trimi për në luftë. Nëna i kishte thënë: ruaje biri im, se do të duhet ty ose shokëve të tu për t’i lidhur plagët. Trimi i plagosur nuk e ndali luftën. Pas pak kohësh shokët nuk i dëgjuan më të shtënat e armës së shokut të tyre Trim Kosovës. Beteja u fitua dhe armiku u tërhoq. Shokët vrapuan për ta gjetur Trimin. Kur arritën pranë tij, ai ishte akoma gjallë. Trimi nuk dorëzohej lehtë edhe pse ishte plagosur përsëri. Gjaku i derdhej nga krahu tjetër i trupit të tij afër zemrës. Të gjithë shokët i rrinin pranë. Pas pak ai tha : mua nuk po më dhimbset fare jeta që po vdes! Po më dhimbset o shokët e mi, pse po ndahem prej jush akoma, pa e kryer betimin tonë! Shokët iu përgjigjën: Mos u brengos o Trim Kosova se betimin e dhënë dhe amanetin tënd do ta kryejmë ne. Trimi u kthye nga shokët i shikoi të gjithë një nga një me radhë. Heshti pak dhe foli përsëri. M’i bëni të fala nënës sime Kosovares dhe motrës sime Shqipes që të mos derdhin një pikë loti për vdekjen time. Unë nuk bëra asgjë, por luftova për kombin tim. E tani më bëni një varr e më varrosni. Më mbuloni me atdheun tim. Më mbuloni me një grusht dhe të përgjakur. Thoni nënës dhe motrës sime kurrë të mos derdhin një pikë loti për mua.
Nga libri "Kujtim i gdhendur në mall", Prishtinë 2017