Wednesday, May 3, 2017

Kujtim Stojku: E BUKURA


Injoranca të bukurën e sheh me sy të shqyer,
Imazhi i saj ata i trollos,shqyejnë sytë me habi,
Në vetvete bukuria është një pafundësi e ndjeshme,
Qyshse Arisoteli dhe Platoni e shoshitën në filozofi.

Atë përherë e kanë shëmtuar me vështrimet e verbëra,
Sa imazhin e saj mundohen ta zhdukin me çdo çmim,
Edhe këta sy gjakatarë e bukura i magjepska,
Por syri i keq plasi, kur pa se e bukura ishte si ti.


Është vetëm një çast i vetëm që kjo të gjithë i trullos,
Syri i verbërt s’mund të ia shihte asaj thellësinë,
I burgosur brenda eshtrave shpirti kur e sheh i etur e lakmon,
Shoqëria vetëm pas mendjes që keni iu a çmon bukurinë…

Tiranë.03.05.2017

Tuesday, May 2, 2017

Arqile Gjata: GUSHËBARDHA, VALËZ DETI


“Dashuria vajton edhe në gurë.”
Nëpër vargje Gushëbardha, valëz deti,
më vjen si mëtim e ndjellamirë, gur i çmuar,
si pejsazh që e dua shumë.
Më vjen e ikën
nëpër muzgje dehur nga bukuria,
Gushëbardha, valëz deti si mëngjesi në pranverë!
Ti,
loti im,
mallëngjim që riluan me fatin,
vjen e merr diçka nga unë.
Jeton me kaçurrelat e mia të bardha,
i rishkruan kujtimet nën dritën e vetëtimave
Gushëbardha, valëz deti, di të bëhesh edhe lumë!
Gushëbardha valëz deti, si mëngjesi në pranverë,
lotin tim s’e lë të bjerë,
Nën qerpik si diamant,
rrezja e diellit e godit
dhe thërrmijat, gërma vargjesh
te kjo letër i ka mbjellë.
Kur te unë, gur i vetmuar
shushurin , me lë pa gjumë,
Gushëbardha, valëz deti, di të bëhesh edhe shkumë!
S’ka gjë, lermë,
lermë ... lermë...
lermë se të dua shumë,
Gushëbardha, valëz deti, je pranvere si dhe unë!
Me sytë e ndritur ngelur tek unë,
si dy rreze drite, brenda qenies time,
Gushëbardha, valëz deti në çdo çast të vetëmisë
jam kujtimi yt, me ty tundet jeta...je mall i fëmijërisë!

“Dashuria këndon edhe në gurë”
...bukuri e paharruar, mbetur nëpër këngë!
Gushëbardha, valëz deti si pejsazh që e dua shumë!

Prend BUZHALA: FJALIMI KRYEHISTORIK I SKËNDERBEUT


(Çaste eseistike: NGA ORATORIA), 2
Retorika antike, që nga Aristoteli i moçëm, konsiderohet art i shprehjes, i TË FOLURIT BUKUR, i diskursit, që kishte të bënte me angazhimet e saj në sferën politike, në atë të poezisë, mitit dhe arsimit: për ta bindur,për të ndikuar, motivuar dhe nxitur një publik a masë të caktuar njerëzish. Kësisoj ndodhi deri në shk. XIX. Më vonë, fenomenet retorike ishin sferë e studimeve të gjuhësisë, meqë është thelbi i lëndës gjuhësore që karakterizon një tekst retorik a një fjalim të shkruar a të folur. Gjithashtu, retorika, që nga fillimet e saj, është fushë e studimeve filozofike. Fjala retorikë rrjedh nga gr rhētorikós Greekῥητορικός, latinisht "Oratorio", dhe gr ῥήτωρ lat orator ", FOLËS PUBLIK.
1.
Në kujtesën historike shqiptare, ruhet, nëpërmes Marin Barletit te vepra "Historia e Skënderbeut" , Fjalimi i Gjergj Kastriot Skënderbeut përpara arbërorëve pas çlirimit të Krujës nga Osmanët, më 28 Nëntor 1443. Formula "Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu", është tashmë proverbiale, që ka depërtuar në vetëdijen historike shqiptare kombformuese e shtetbërëse: sa herë gjatë historisë janë ndërlidhur ngjarje me këtë datë, siç është Nëntori i Dytë i 28 Nëntorit 1912 në Vlorë... e deri te historia më e re, kur del në skenë UÇK-ja, si forcë e re çlirimtare me tradita kastriotiane. Barleti ka formim klasik për shkrimin e tij: atë aristotelian, siç janë thirrjet, patosi dhe etosi. Thirrjet! A nuk ekziston edhe shqip fjala KUSHTRIM (kush asht trim), si formulë që u drejtohej luftëtarëve, a banorëve të një ane, për t'u grumbulluar, se po ndodhte një rrezik?! Të njohura janë edhe Fjalimet tjera të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, si ai në Kuvendin e Lezhës më 1444, në Vatikan më 1467 dhe Fjalimi para Vdekjes. Ka dhe fjalime të tjera të tij që ose ruhen në arkiva, ose përfshihen te veprat tjera, si te ato të Dhimitër Frangut, Frang Bardhit etj.
2.
Të mos harrojmë: te ky fjalim kastriotian (1443), përdorimi më i shpeshtë është ai i fjalës LIRI, ndryshe nga civilizimi pushtues otoman që nuk e kishte në fjalorin e vet këtë fjalë (ata kishin fjalën nënshtrim Allahut kundër "të pafeve"... Orlando Paterson, një dijetar amerikan, në librin e tij “Liria në formimin e kulturës perëndimore”, thotë se liria ka formuar modelin kulturor të Perëndimit, ka qenë vlera thelbësore e kulturës perëndimore gjatë gjithë historisë së saj; ndërsa fjala liri te popujt e vendeve joperëndimore nuk ekziston, ato vende e popuj nuk kanë ndonjë fjalë a term të barasvlershëm që do ta shprehte konceptin për lirinë. Dhe nënvizohet: Liria qëndron e pasfiduar si vlera më madhore e botës perëndimore; liria lindi nga përvoja e skllavërisë, nga vizioni i përbashkët për lirinë.
Dhe Skënderbeu, nëpërmes Barletit, na del Mbrojtës i Lirisë. Askund nuk përdor formula fetare të krishtera! Ani pse Barleti ishte një prift!
Barleti po shkruante si humanist, dhe heroi i tij, në radhë të parë, është humanist, zëdhënës i ri i pikëpamjeve për lirinë. Madje, fjalia e parë retorike, me figurën e apelacionit, hapet me fjalinë që ka thelb të saj lirinë: "Ju epirotët (arbnorët, P.B.), mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë...",
 Dhe tutje e tutje: "Ju, si burra aq të fortë, të rritur në liri, që qëndruat kaq kohë nën mynxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit..." Përkufizimi i tillë, nxjerr në shesh SHQIPATRIN (ARBËRORIN, ARBNORIN) si karakter që është mësuar të mos jetojë i nënshtruar, si karakter durimtar për ta realizuar qëllimin, por njeri që nuk duron mbi veten dikë tjetër... "Po përse doni që unë ta mbaj për vete me të padrejtë emrin e çlirimtarit?" Ja pra, një tjetër koncept, çlirimtari (liberatori). Mirëpo Barleti, di tjetër, shfaq, nëpërmes Skënderbeut, dhembshuri edhe për popullin turk që vuan nën tiraninë e Sulltanit! Dhe këtë e thotë Skënderbeu, e thotë Barleti prift i krishterë! Mendime që i qëndrojnë plotësisht edhe kohës së sotme. Secila fjali për lirinë, është e bindshme edhe sot. Tingëllojnë të fuqishme edhe sot ato fjali: “Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat….”
Për nga retorika e shprehjes, Fjalimi përdor thënie figurash të eksklamacionit, thirrmës, lavdit. Lavdi, nga heroi, kapërcen tek liridashësit. Fjalitë e tilla eksklamative, thirrmore, dhe me intonacion thirrmor, shprehin ndjenja të forta, patos të zjarrtë, etos të fortë moral, luftarak, atdhedashës dhe liridashës: “Të nisemi, pra, pa ngurrim dhe kudo të tregohemi me guxim prej fitimtarësh; fati do të na ndihmojë në përpjekjet tona, fati, që gjer më sot s’na është ndarë në çdo punë e na ka ecur për bukuri.” Tipi i tillë i thënies retorike, shfaqet më i fuqishëm. Teksti është i pasur me gamën e gjerë të botës emocionale (shpreh atdhedashuri, liridashje, zemërim fisnik kundër armikut, habi që fuqizojnë dashurinë e trimërinë, lumturinë e gëzimin e çlirimit, shpreh keqardhje, mobilizim, fjali pyetëse që shprehin nxitje e vrull etj).
Nga ana tjetër, bien në sy edhe figurat retorike të përforcimit ((auxesis), shkallëzimi i fjalive me ton gjithnjë në rritej, gjithnjë e më të ngritur, përforcime të përsëritjes së fjalëve dhe ideve, denduria epigramatike, që sintetizon thelbin e fjalisë në formë sentence që merr përmasa historike ("Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu")... Sikur të mos ishte personalitet historik, as kjo thënie nuk do të kishte mbijetuar. Sa historikisht vetëdije-formuese është kjo thënie ndër ne!
Mesazhe të fuqishme na përcjell edhe sot!
3.
Duke jetuar në Venedik e Romë, Barleti ka njohur mirë retorikën greko-romake, Ciceronin (“Folësi duhet të mbajë në mend tri gjëra: çka flet, kujt i flet dhe si flet", “Oratoria është arti për të thënë vetëm atë që duhet", dhe Kuintilianin: “Goja flet kur zemra është plot.”)
Vetë Skënderbeu kishte një formim elitar dijesh për kohën, duke marrë dije edhe nga shkollimi ushtarak e politik në Orient, në Stamboll dhe nga ato të Perëndimit. Mund t’i shtohet këtu edhe etosi tradicional shqiptar luftarak, liridashës e atdhedashës. Sidomos do pasur parasysh traditën ilire-arbërore-shqiptare të mbajtjes së kuvendeve (si ai i Lezhës etj), ku gjithsesi spikatet edhe Forca e Fjalës.
( 2 maj 2017)


************************
************************
FJALIMI I GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEUT PËRPARA ARBËRORËVE PAS ÇLIRIMIT TË KRUJËS NGA OSMANËT MË 28 NËNTOR 1443
Nga Marin Barleti
Ju epirotët, mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë, një tjetër përkryes të qëllimeve dhe të aspitatave tuaja, sepse, në këtë vend, s’kanë munguar mendjet e ndritura. Ju, si burra aq të fortë, të rritur në liri, që qëndruat kaq kohë nën mynxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit. Po përse doni që unë ta mbaj për vete me të padrejtë emrin e çlirimtarit? Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu. Sapo më shkeli këmba truallin tuaj, sapo dëgjuat emrin tim, m’u derdhët me vrap të gjithë, më dolët përpara kush e kush më parë…Ju më latë prapa, ju m’i lidhët menjëherë duart, ju më mbytët me shërbime aq të mëdha dhe me një gaz shpirtëror aq të madh, saqë duket se ju më keni bërë tani aq rob, sa edhe të lirë. Mbretërinë dhe këtë qytet nuk jua dhashë unë, por ju gjeta të armatosur. Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat, dhe si kujdestarë të pashoq, të lënë nga ati im, e vutë përsëri në vend, me kujdes e besnikëri të pandryshuar, skeptrin, që ma ruajtët gjer në këtë ditë, dhe më bëtë përsëri, me mundin e punën tuaj të papërtuar, zotërues të mbretërisë së të parëve të mi, pa derdhur gjak…Pjesën më të madhe të punës e kemi mbaruar. Kruja është fituar, krahina e gjithë është jona, Dibrat dhe pastaj popullsitë e tjera janë bashkuar me ne dhe emri i armiqve është zhdukur nga fusha; mbeten qytetet. Po të mendoj gjendjen e tyre të vështirë, duke parë se të gjitha janë të rrethuara nga ne, të zëna në befasi, se të rrethuarve u kanë mbetur vetëm muret e zhveshura, kam shpresa të mira. Po të marr parasysh vështirësitë që paraqitin këto vende dhe trupat që janë vendosur brenda nga Tirani, duket se do të jetë nevoja të përdorim ndonjë zgjuarsi apo këmbëngulje shumë të madhe. Por këto do t’i gjykojmë më mirë, kur të ndodhemi në vend e të kemi përpara armikun e kur të mbajmë shpatën në këtë të djathtën tonë shkrumbuese, sesa për së largu e në tym. Të nisemi, pra, pa ngurrim dhe kudo të tregohemi me guxim prej fitimtarësh; fati do të na ndihmojë në përpjekjet tona, fati, që gjer më sot s’na është ndarë në çdo punë e na ka ecur për bukuri. Megjithëkëtë, duhet t’ia nisim, para së gjithash, nga Petrela, jo sepse kjo kështjellë mbetet prapa të tjerave për nga vështirësia e pozitës apo nga mbrojtja natyrore, por sepse është më afër këtij qyteti. Unë besoj se ne do t’a gjejmë atje emrin dhe frikën e fatit të Krujës më të madhe, sepse ata i panë me sy edhe trimëritë tuaja, edhe fatkeqësitë e veta. Këto do të mund t’u kallin atyre një frikë ndoshta jo të vogël e, në mos ua kallshin tamam këtë, atëherë do të veprojë sigurisht këmbëngulja jonë. Një gjë vetëm duhet të na ngulet mirë në kokë dhe të mos na dalë asnjërit nga mendja; në mos u pushtoftë ai qytet e në mos qofshim të aftë t’i plotësojmë dëshirat tona, atëherë s’kemi sepse të kthehemi prapë në shtëpi. Na duhet të provojmë çdo mjet, mundin, durimin, shpatën, arin dhe argjendin, me qëllim që fitores sonë t’ia fillojmë që këndej…Në qoftë se do të na jepet mundësia që ta shtiem qytetin në dorë pa derdhur gjak, duke na e dorëzuar vetë vendasit, atëherë do të na duhet që të gjithëve të veprojmë me urtësi të madhe si publikisht ashtu dhe privatisht, me qëllim që të nxitim kështu edhe të tjerët për dorëzim.

NEHAT JAHIU: FAIK KONICA



Faik Konica ishte dhe mbetet një personalitet i madh i letrave shqipe. Veprat e tij me një nivel të lartë intelektual dhe kulturor, janë: Ç`është liria; Dr. Gjilpëra; Shqipëria si m`u duk; Përralla e tregtarit dhe e xhindit; etj. Konica njihet edhe si një nga publicistët më të mirë, si personalitet mjaft i njohur dhe i dashur për botën shqiptare dhe më tej, duke qenë edhe një mbrojtës i gjuhës shqipe, i cili bëri përpjekje për një gjuhë të pastër e të pasur, kundër barabarizmave. Ai e shndërroi gjuhën shqipe në një gjuhë të bukur, shprehëse larg dialekteve. Faik Konica botoi revistën “Albania” në Bruksel, ku botonte, vjersha, proza poetike, tregime, skica dhe pati lidhje me të gjithë shqiptarët që mbronin Shqipërinë. Konica iu përkushtua çështjes shqiptare dhe shërbeu si ambasador i kombit të shqipeve deri sa vdiq. FAIK KONICA ËSHTË NJË PERSONALITET DHE EMRI I TIJ KURRË NUK DUHET HARRUAR; POR GJITHNJË ME KRENARI DUHET PËRKUJTUAR Kishte jetuar vetëm për Shqipërinë, i ishte kushtuar asaj dhe nuk kërkonte gjë tjetër veç të prehej në dheun e saj. “Nuk do të më tresë dheu nëse ti Imzot Noli, ti Lamja i vogël dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë, nuk do të çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë”, kishte shkruar me dorën që po i ftohej nga vdekja, shkruan Anton Çefa në Illyria. “Amanetin s’e tret dheu” ka thënë populli, dhe urtia e fjalës së tij është e rëndë si guri e më e rëndë se ai. Këtë e dinte shumë mirë Konica, kur i shkruante testamentin Nolit dhe Lames së vogël. (Sejfulla Malëshovës, që shkruante nën pseudonimin Lame Kodra). Po ku ta dinte ai se Shqipëria do të mbyllej nga herezia e kuqe, dhe jo vetëm që nuk do të pranonte eshtra bijsh, por do të nxirrte jashtë edhe sa e sa bij të tjerë të devotshëm e vullnetmirë! Edhe Noli që gjatë gjithë jetës lëshoi kushtrimin për shokët e tij të luftës të mbetur “syrgjyn vdekur” jetoi dhe vdiq jo vetëm me mallin e Atdheut dhe brengën për fatin e tij, por edhe me pengun në shpirt që nuk arriti t’i plotësonte dëshirën e fundit mikut të tij, “njërit prej bijve më të shkëlqyer të Shqipërisë, njërit prej kampionëve më të mëdhenj të indipendencës kombëtare, pa dyshim ikonat më të mëdha të sh krimit të gjuhës sonë”, siç e kishte përkufizuar ai vetë. Amaneti i Faik Konicës Është fjala për “Testamentin” e Faik Konicës të njohur tanimë jo vetëm nga opinioni shkencor, por dhe nga lexuesi i gjerë. Në të thuhet: “Të nderuar zotërinj! Ndrroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më kini kuptuar më qart në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti Imzot Noli, ti Lamja im i vogël dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhet e rrugës për trupin tim pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se ju i nderuar Noli, ju të nderuar shqiptarë dhe ti Lamja im i vogël në Paris do të ma kryeni këtë amanet.” Boston 1942. ESHTRAT E FAIK KONICËS U KTHYEN NË ATDHE Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare. Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Malëshova)) nuk mundën të bënin asgjë. Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Pasi Malëshova nuk mundi, ndërhyri vetë tek autoritetet shqiptare dhe fatkeqësisht, për arsye politike, nuk gjeti mirëkuptim. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, “njeriut “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare”, “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u ndalua në letrat shqipe për motive politike. Në këtë turp morën pjesë edhe shkrimtarët e kritikët letrarë, të cilët kurrë nuk do të kenë forcë, përmes kritereve estetike, ta zhvendosin nga maja e kulturës shqiptare Faik Konicën. Atje është i përgjithmonshëm, legjenda e shqiptarizmës dhe Rilindjes shqiptare, i veçanti, “tekanjozi” – Faik Konica. Ai është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes. Ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. Faik Konica u lind në Konicë me 15 mars 1875 dhe ndërroi jetë në Uashington me 15 dhjetor 1942. Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Studimet e plota i kreu në Francë (ku edhe ndërroi fé, u pagëzua i krishterë) dhe SHBA. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit në SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”. Sot e mbajnë me krenari emrin e këtij kolosi të letrave shqipe shumë institucione kulturore, arsimore në të gjitha trojet tona dhe në diasporën shqiptare. Këtë emër të madh sot e mban edhe shkolla nëntëvjeçare e fshatit Sllupçan e Komunës së Likovës. Nxënësit, arsimtarët dhe prindërit e kësaj shkolle krenohen që kjo shkollë mban emrin “ Faik Konica” dhe për çdo vit kremton 4 Majin si Ditën e kësaj shkolle, ku dhe mbahen shumë aktivitete. Më 4 Maj nxënësit para arsimtarëve, nxënësve, prindërve dhe mysafirëve të ftuar prezantojnë një program të pasur kulturor dhe artistik. Le ta mbajmë lart emrin e shkollës Faik Konica për të vlerësuar jetën dhe veprën e tij madhështore.

Monday, May 1, 2017

Prend BUZHALA: TEKSTI IMAGJINATIV POSTMODERN, SHAJNITË E HIJEVE PLATONIKE




(Çaste esistike, IMAGINARIUM), 30
Ekziston në gjuhën shqipe fjala PATHEMELËSI: "Të qenët i pathemeltë: për mendime, veprime
etj.). Pathemelësia e pohimit (e gjykimit, e vendimit, e kërkesës)." Në anglisht përdoret fjala groundlessness, frengjisht: mise-en-abîme, gjermanisht: Grundlosigkeit, kroatisht: bezdanost. është term që karakterizon postmodernitetin, kuklturën postmoderne. Shqip nagjnëherë përsfroeht shprehja HUMNERË (humnerat e kohës, humnerat sociale, humnerat e mendimit, ekzistencës etje tj) dhe me termat e sipëpërmendur, ndërlidhet rrëfimi i tillë postmodern. Kultura postmoderne ndërlidhet me kulturën e krizës, krizën e bazës shoqërore, antiesencializmi... Teksti postmodern thuret nëpërmes riprodhimit të tekstor, e ky i fundit, nëpërmes degradimit, dekompozimit a tretjes së vazhdueshme të njësive tekstuale, të cilat marrin kuptime të reja, bëhet një riorganizim i ri i tekstit, interpretim i ri etj.
Nuk është e habitshme përse shpesh ndodhen e ndeshen ballë përballë absurdi me arsyen, e vërteta me shajnitë e saj si te hijet platonike. Ernesto Grassi në librin e tij “Fuqia e imagjinatës”, thekson se si imagjinata përbën forcën më të madhe njohëse të njeriut. Kësisoj, pjesë e kësaj bashkësie të iamgjiantës, ësjtëe dhe lexuesi, i cili shqipton prirjen e tij metaforike duke interpretuar veprën letrare, sidomos poezinë postmoderne. Lirika postmoderne vetvetiu është produkt i imagjinatës. DFhe prapë Grassi: “Vepriimnatrinë njerëzore e karakterizon natyra e lirisë; në lirinë e tillë manifestohet imagjinata e individuumit. Pikërisht me anë të saj, me anë të depërtimit të saj mendjemprehtë, gjenial, në praktikën e përditshme, bëhet transmetimi i kuotimeve që e përcakton prakrikëln njerëzore.”
(
 29 prill 2017)

Prend BUZHALA: SHKRIMTARËT, PRODHUES TË KUJTESËS KUNDRUALL PËRBINDËSHAVE TË KOHËS


(Çaste eseistike, IMAGINARIUM), 31
Shkrimtarët janë prodhues të Kujtesës.
Prandaj nuk thuhet më kot se letërsia është ajo që konsiderohet si një memorie e të gjitha memorieve tona.
 I besojmë shkrimtarit Antonio Tabuchi (i përkthyer edhe shqip), kur thotë: "Karakteret e librave të mi, ndoshta, janë njerëz të pasigurt dhe të çorientuar; nuk kërkojnë përgjigje të mëdha, nuk ofrojnë zgjidhje, por janë të kënaqur vetëm kur shkëndijëzojnë, kur bëjnë pak dritë: të jenë vetvetja, të mendojnë atë që vërtet e mendojnë, të jetojnë këtu dhe tani, në këtë kohë që na pëlqen të jetojmë. Ndërsa Papa dhe Pinochet-i zhduken në një cep të TV, për t'ua lënë radhën lajmeve për shpërblimin e madh të garave automobilistike, unë ndezi llambën e vogël, dhe hap librin e një shkrimtari kilian. Dhe atje monstrat marrin mish dhe gjak, kurse shëmtimin e tyre prej përbindëshi, e ndriçon një dritë e fortë."
Më tutje Tabuchi na bën me dije se realiteti zëvendësohet e shndërrohet në figura të realitetit.
A nuk na vjen ky realitet nëpërmes Pamjeve për Të që shihen për të krijuar besueshmërinë, siç janë fotografia, ekrani, informacioni, teksti informativ vetëm pak orë "pas ngjarjes... ku rrëfimin për një gjenocid të djeshëm e zëvendëson një lajm i përsëritur qindra herë brenda ditës, për një vrasje a për një burgosje trafikantësh a trazirë parlamentare.
2.
Mandej vjen shtrembërimi i realitetit: seleksionimi i filmit dokumentar,s eleksionimi i lajmit, zhdukja e Lajmit për Të Vërtetën, përhapja e një lajmi që është tejet pak i rëndësishëm kundruall nevojave imediate të njerëzimit, qytetarit, kombit, shtetit...
Përbindëshat tjerë socialë duhet bërë përpjekje që tës truken dikum, duhet zbutur disi, siç janë: varfëria, mjerimi, ai Kulti Migjenian i Kafshatës Që Nuk Kapërdihet! E këto pamje të realitetit a nuk rrethohen me diktatorë, ushtri luftarake, me regjime tiranike?!
Dikur, në përralla, përbindëshit përbënin personazhet nga më të llahtarshmit a nga më të pabesueshmit! Kësisoj, kanë mbetur shprehje si "Përralla me mbret" apo " Na shet përralla" (për gjepura, dokrra, për premtime të kota)... "Përrallë ma", thuhet në popull, për diçka të shpikur, të trilluar.
Por, shi sot: e çfarë janë bomba atomike apo hidrogjenike ose llojet tjera që shfarosin në masë?!
A nuk kanë kryer shfarosje e gjenocide që ia kalojnë secilës përrallë?
A thua, njerëzimi i krijoi përrallat që të shpikë përbindëshat e vetëzhdukjes njerëzore?!
Si kundërpërgjigje krijoi figurat e Prometheut, Gjergj Elez Alisë, Rozafës...

30.04.2017

Ramiz Kuqi: PO BINTE SHI I FTOHTË


Mbrëmja erdhi sonte me shi të ftohtë. A.pasi bëri terapinë e fundit në bazenin me ujë mineral e të ngrohtë , mori strajcën ku kishte futur gjërat personale dhe doli në korridor. Nga dera e hyrjes vinte një e ftohtë që të fuste mornica nëpër trup. Kaloi duke e tërhequr këmbën ngadalë, sepse ndjente për dy ditë me radhë dhimbje të padurieshme. Kur iu afrua derës futi duart në cantën e vogël të krahut dhe tek atëherë iu kujtua se ia kishte dhënë Nimës, e cila në mëngjes zgjohej më vonë sepse në orët e vona të natës përcillte serialet turke.
Aty nga ora tetë A.zbriti në restoranin e banjës . Nga andej lidhej me internet, sepse në dhomë ishte vajlesi shumë i dobët dhe komunikimi me miq ishte i pamundur.- A po vjen?- i tha Nimës për kafe .
- Jo-, iu përgjegj Nimja.Ndjehem pak e lodhur. Më mirë po shtrihem . Madje kam edhe të ftohtë.Atje bëhet zhurmë e disi nuk po më pëlqen.
- Mbështillu me batanije,mbuloj gjunjtë që të dhembin. Mos harro nesër , kur të zbresim deri në qytet, pasi të bëj një fotografi për ambasadën norvegjeze, të rikthehemi në barnatoren nr.2, për të porositur tabletat Bonviva, të cilat rrallë gjenden nëpër barnatore, sepse janë të shtrenjta dhe , kompanitë farmaceutike mbajnë tableta më të lira si zëvendësim.
- Nuk do të harroj-, i tha me butësi ajo. Ti zbrit në restoran dhe mos u vono shumë.
-Po ik unë për pak caste.Ti rri e qetë e mos u trazo. Unë nuk do të vonohem.Edhe kur të udhëtoj jashtë vendit, nuk do të rri shumë atje. Nuk më pëlqen jeta në kurbet. Por më ka marrë malli për pesë zogjtë , pesë ëndrra që shpesh më lënë pa gjumë. Pas disa javësh, do të udhëtosh edhe ti-, i tha Nimës dhe doli në korridor. Heshtja kishte pllakosur . Duke ecur takoi një cift që po ngjiteshin ngadalë , duke u mbajtur për mbajtëse që shkëlqenin bashkë me pllakat e mermerit, shtruar nga nga dora e ndonjë mjeshtri profesional.
Atje dëgjohej kënga. Të njëjtat valltare e kërcyese. Një grua zeshkane , e shtyrë në moshë, vallèzonte si flutur. A. shikoi rrotull për të gjetur një karrigë për t'u ulur. Në një cep të restorantit , afër xhamave ku ishin vendosur vazo me lule, vuri laptopin. Valltarja që grishte me radhë , të rinj e pleq, gra e burra, iu afrua A. dhe për një cast qëndroi si statujë përpara tij. Ai nuk e kishte vërejtur fate. Po shkruante me Ramushin , një mik i tij arsimdashës në Oslo. Ishte futur në meditime dhe tërë ai i zë i muzikës nuk i bëri aq shumë mbresa,sepse cdo natë ishte e njëjtë bashkë me vallzueset e njëjta që për cudinë e tij nuk ishte në gjendje ta kuptonte se ku e merrni tërë atë energji.
- Ty nuk po e dëgjon si duket muzikën?- iu drejtua vallzuesja që mbante krahëve një pallto të shkurtër deri në bel.
- Më fal,- i tha A. Unë po shkruaja me një mik mèrgimtar.
- Nesërmbrëma ka muzikë të gjallë. Do tè vargëzohesh me valltarë e valltare tjera.
- Ka kohë deri nesër. Mbase do të mendohem.U ngrit nga ulsja , mori laptopin dhe iku në dhomën 314.
Doli në ballkon. Po binte shi i ftohtë.
Kllokot, më 30.4.2017