Tuesday, May 27, 2025

Kujtim STOJKU: Pas gjurmëve të hijeve të nderit


Tregim

 

1 - Rrrënjët e ngritjes

 

Ai zbriti nga makina e sapo blerë me një valixhe plastike, një dosje kartoni nën sqetull dhe një buzëqeshje të hollë që të linte një ndijesi shqetësuese.

Mutand Durani, ishte një burrë i gjatë, me një bark të fryrë që ia bënte të vështirë të lidhte këpucët pa u djersitur, mbante syze me xhama të trasha që fshehnin një vështrim tinëzar dhe një kokë të madhe, sy të shqyer që dukej si një kokë kau, e cila në vëshrimin e parë dukej se mbante  gjithë djallëzinë që nuk ia nxinte zemra. Në atë fëtyrë të kuqerremtë ku mesa dukej alkooli kishte lënë gjurmët e veta, nuk kishte asgjë të qartë veçse një hije që dukej se i vinte nga brenda dhe e ndiqte çdo hap.

Kjo hije ishte një makth i vërtetë për të sepse i kishte prishur gjumin dhe shihte ëndërra të frikshme. Megjithatë, këto shqetësime i harronte duke menduar për pozicionin e ri të punës që kishte marrë në qytet. Këtë pozicion ai nuk e kishte fituar me mund, por e kishte marrë falë ndërhyrjes së një krahu të fuqishëm politik, i cili i kishte hapur rrugën përmes ndikimit dhe lidhjeve. Ky krah i fuqishëm që e kishte ndihmuar nuk kishte nevojë të dinte se kush ishin këta, mjafton të ishin ushtarë të bindur, jo profesionistë. Kjo i mjaftonte dhe e linte në qetësi. Ana e pëgaditjes prefosionale ishte ku thërret qameti, kishte një gjuhë vulgare dhe kur fliste sikur i hante fjalët se nuk i shqiptonte të plota. I gjithë fjalori i tij ishte bullizimi dhe shantazhi, gjë që donte tregonte se sa i fuqishëm ishte.

Kishte filluar punë si oficer dogane, por shumë shpejt, me manovra të heshtura dhe përkulje të ulta ndaj eprorëve, u ngjit lart. Ai nuk dallohej për aftësi, por për bindje dhe nënshtrim. Ishte i etur për pushtet dhe donte t’u bëhej i dobishëm atyre që kishin nevojë për një njeri të verbër e të zellshëm.

 

2 - Njeriu që s’duhej

 

Në institucionin ku Mutandi kishte filluar të ngjitej, emri i Mentorit përhapej me peshën e një reputacioni që nuk linte njeri indiferent. Ai emër nuk e linte Mutandin të qetë. Mentor Dema ishte një oficer i vjetër, me mbi dyzet vjet përvojë, titulluar për “Master në Siguri dhe Rend Publik”. Një njeri që fliste pak, por thoshte shumë. Respektohej në heshtje edhe nga ata që nuk kishin simpati për të. Emri i tij tingëllonte nëpër korridore me një jehonë të veçantë, ishte një zë i kthjellët në një vend ku baltosja kishte kohë që sundonte.

Përballë këtij modeli të qetë dhe të ndershëm, Mutandi ndjente sikur i mpiheshin gjymtyrët. Ai vetë nuk kishte as dije dhe as përvojë, por kishte nevojë të dukej i rëndësishëm. Dhe kështu si një gjarpër filloi të derdhte helm gjithandej. Në fillim e filloi me fjalë të vogla, të thëna me zë të ulët, nëpër korridore dhe kafene. Keto thashetheme që fliste lart e poshtë, e vishnin Mentorin me një hije dyshimi. Ai vepronte tamam si gjarpëri që nuk të ha por të kafshon tinëz. 

Një ditë shefit i tha:

 

“Ky Mentori ka kohë që nuk përputhet me drejtimin e ri të institucionit. Ka ide të vjetra. E dini ju se ç’thonë për të”? Zëri i tij dilte i përvuajtur dukej sikur kishte një mundim të madh. Por në fakt ishte krejt e kundërta për këto që thoshte ai. Mentori nga njëra anë mishëronte ndershmërinë, dijen dhe autoritetin natyror, cilësi këto që Mutandit i mungonin dhe prandaj i urrente në heshtje ķëto veti.

Eprorët në fillim nuk e besuan, por pak nga pak nëpër mendje filluan t’u qarkullonin dyshime. Dhe Mutandi këmbëngulte, me këmbënguljen e atij që s’ka ç’të humbasë.

Dhe pikërisht këtu lindi xhelozia. Në fillim si një ndijesi e lehtë, por që shumë shpejt u kthye në një urrejtie të papërmbajtur. Çdo fjalë e mirë që flitej për Mentorin ishte si një thumb që i ngulej në mish. Ai i ngjasonte gjarpërit që e mban helmin në bisht, ishte një shpirtlig që s’e duronte dritën, filloi të derdhte helm me metodën që dinte mjaft mirë: shpifjen, dyshimin, thshethemet.

Të gjithë këto insinuata dhe gënjeshtra kishin një qëllim, dhe ky qëllim ishte i qartë: të nxirrte Mentorin nga loja. Jo se kishte bërë diçka të keqe por se ishte i mirë dhe trembej se mos  atij i nxirrte probleme.

 

3 - Zjarr i heshtur

 

 Ditët e Mutandit kalonin ngadalë, të mbytura në zili dhe vëzhgim të sëmurë. Në zyrën e tij me perde të zverdhura dhe dosje të pluhurosura, përpiqej të shpërqëndrohej me mendimet që i jepnin një farë kënaqësie të sëmurë. Ndonjëherë përfytyronte skena intime dashurie, por realiteti i trupit të tij me barkun e madh e përplaste me dhembje në tokë.

Kur shikonte barkun e fryrë dhe të varur deri tek gjunjët, e përfshinte dyshimi. E dinte se në atë gjendje që ishte nuk mund të bënte dashuri. Eh, sa raste i kishin rrëshqitur nga duart, gra që i ishin afruar me kureshtje, por që largoheshin menjëherë, si të ndjenin gjënë e gabuar. Por kur mendonte për paratë dhe pushtetin, ndjenja e zbrazëtisë zbehej. I largohej si nëpër mjegull.

Atëherë fëtyra e tij ndryshonte. Çehrja i nxinte, sytë i ftoheshin, dhe në pasqyrën e zyrës shihte një bishë që mbante kollare. Ishte ai, njeriu që nuk dinte si të dashuronte, por që kishte mësuar të urrejë.

Në heshtjen e atyre mureve, zjarri i tij i heshtur digjte pa flakë, por me tym që helmonte gjithçka përreth.

 

4 - Transferimi

 

Mentori e kishte ndjerë prej kohësh se diçka po gatuhej pas shpinës së tij. Dokumente që zhdukeshin, akuza që qarkullonin  nën zë, vështrime të ftohta nga kolegë që dikur i kishin buzëqeshur. Dhe në qendër s’kishte asgjë tjetër por vetëm rrjeta të heshtura thashethemesh dhe intrigash, ishte ai – Mutand Durani.

Një mëngjes i zakonshëm u kthye në përballje. U thirr në zyrën e shefit të institucionit. Tryeza e gjatë, ajri i rëndë, dhe fëtyra e akullt e titullarit që nuk ngrinte sytë nga dosja para tij. Kur i foli zëri ishte i thatë:

- Kemi disa shqetësime… mbi mënyrën e menaxhimit të informacionit në sektorin tuaj…

Mentori nuk e ndërpreu. E la të fliste deri në fund. Pastaj, me qetësinë që e karakterizonte, u ngrit e tha:

- Një oficer si ju, me përvojë, nuk ka pse beson fjalët që flet ai. Ju duhet të kërkoni prova, fakte. Kjo është gjuha e një oficeri të vërtetë, dhe jo pallavrat e një njeriu veshur me uniformë që kundërmojnë erë gjirizi nga larg.

Shefi ngriti sytë. Për një çast u ndal. Një thërrime dyshimi u duk në vështrimin e tij, por procedura kishte marrê rrugën e vet. Vendimi për transferim ishte marrë.

Mentori doli nga zyra me hapat e një njeriu që nuk mban më shumë se të vërtetën mbi supe.

 

5 - Dritë në errësirë


Në sektorin e ri, larg syve të keqdashësve, Mentori nisi të shkëlqente vërtetë. Botonte artikuj shkencor, merrte pjesë në konferenca dhe fitonte respektin e komunitetit akademik. Emri i tij përmendej me nder dhe vlerësim, ndërsa ai vetë qëndronte i përkushtuar në punën e tij.

Ndërkohë, Mutandi vazhdonte të fërgëllonte nga inati. Kur dëgjonte për sukseset e ish vartësit të tij, sytë nën xhamat optik të syzeve shkëlqenin, dhe balli i madh nxihej nga  zemërimi duke murmëritur nëpër dhëmbë me përçmim, “Po të ishte kaq i mençur, nuk do të rrinte dyzet vjet në atë pozitë”.

Por fjalët nuk ishin më veçse një stuhi që s’mund ta rrëzonin kështjellën e vërtetësisë dhe ndershmërisë që mbante  Mentori. Ai e dinte se përtej çdo errësire, një dritë nuk shuhet kurrë.

 

6 - Rënia 

 

Një ditë, një emission investigative hodhi dritë mbi një skemë të madhe kontrabande që po përhapej në hije. Dokumentet e publikuara përmbanin emrin e Mutandit të përmendur qartë, si një nga aktorët kryesor të këtij rrjeti. Ministria u detyrua të thërriste një mbledhje urgjente me drejtuesit e lartë të institucionit. 

Ndryshe nga më parë, në atë mbledhje u ftua edhe Mentori.

Ai hyri me qetësi në sallë, me një dosje të rëndë nën sqetull. E hapi me dorë të sigurtë dhe mbi tryezë vendosi prova të pakundërshtueshme, dëshmi, shënime, kopje dokumentash se çfarë kishte ndodhur.

Ai nuk akuzoi, por thjeshtë vetëm tregoi. Fjalët e tij ishin si drita në errësirë, dhe askush nuk mund t’i mohonte.

 

Mentori dol inga godina me një qetësi që vinte nga bindja për drejtësi. Nderi i tij ishte i paprekshëm, i pandotur nga era e gjirizit që kishte mbushur korridoret më parë. Ndërsa Mutandi, qëndronte i vetëm në zyrën e tij bosh, për herë të parë pa heshtjen që i vinte nga brenda vetes, kjo ishte një heshtje që çmimin e kishte shumë të rëndë...

 

Tiranë 27.05.2025

0 comments:

Post a Comment