Tuesday, May 9, 2017

Sinan Kërpaçi: Cikël Poetik

KUJTIMI

Fjalët e betimit ranë...
Ajo që i mori nuk ishte dallgë
Adriatiku, as dallgë Joni:
dy dete që kurrë s`u lamë,
të zhveshur s`na panë kurrë,
dhe as me gurë s`na zunë:
të lirë e lanë bregun.
Në vendimin e një krahu
fjalët e rritën hipokritin,
në pjesën tjetër
që i thonë “toka mëmë”
do ngre një lapidar
të ruaj kujtimin.
Për ditët që s`i jetuam
“Do marr shatin dhe kazmanë”
do shkoj të varros harrimin.

LËVIZJE

Ti lëvize perden e rëndë
dhe unë pashë detin
pa harruar shtratin pas.
Mua m`u dha më shumë
dhe të ftova për not “pash”
njëherësh në dy dete.
Aq u desh,
sa ti lëvize perde.

VDEKJEN KËSHTU E DUA

Tani besoj që njeriu vdes edhe në këmbë,
por bëj pyetjen: cili njeri?
Dhe përgjigjem: Ai!
Tani besoj që njeriu fal ditë për jetën
e të tjerëve ,
por bëj pyetjen: cili njeri?
Dhe përgjigjem : Ai!
Tani besoj që njeriu i mbërthehet tokës
si lis ,
por bëj pyetjen: cili njeri?
Dhe përgjigjem: Ai!
Tani besoj që njeriu rron në kujtimet
e njerëzve ,
tani besoj që njeriu është ajër, është ujë,
është dhimbje,
është zë.
Tani besoj,
tani që babain s’e kam më.

Petrit Menaj: R R Ë N J Ë T


---- mënaj ----
Duke kërkuar rrënjët
mpleksur si krisje nëpër tokë
tharë nga dielli
e mbirë prap si borzilok.
Rrënjët e tua populli im,
shtrirë nga do
nëpër botë,
që duke sharë e kënduar
i gjenë
të bëra copë-copë.
Kudo ku më shkeli këmba
ku gjeta lot e mallkim
duke sharë
qarë e kënduar
gjetur edhe pak ngazëllim.
Rrënjët e tua toka ime
mall djegur
vaditur me lot,
kontineteve rrugëve të egra
përzën me dhunë
e ndjekur me shkop.

Monday, May 8, 2017

Ymer Nurka: GJYSMA

Adami, një gjysmë njeriu,
I pari, mbi Botën e vjetër,
Nga që s’ishte i plotë vetiu,
Nga vetja e shkul gjysmën tjetër.

Adami dhe Eva, dy gjysma,
Të parët, që lindën, veç gjysma,
E gjysmat, që lindën nga gjysmat,
Veç gjysma lindin, si gjysmat.

Kështu, qysh atëherë dhe sot,
Në horizontet e jetës pa skaj,
Gjysma, ndjek gjysmën më kot,
Në kërkimin e gjysmës së saj.

Miliarda gjysma janë bërë,
Prej gjysmës së Adamit në Tokë.
E prapë, po t’i mbledhësh të tërë,
Një njeri, nuk e bëjnë të plotë.

Kujtim Stojku: PORTRETI I INTELEKTIT



Është bërë gati si të thuash një shprehje e zakonshme që të flasim për intelektin.Shumë shprehje të ndryshme përdorin këtë fjalë që me thënë të drejtën nuk ia kanë idenë e kuptimit.Shpesh përdoret shprehja se “ai njeri është me intelekt…” e shumë e shumë të tjera.Por për të qenë në gjendje për të kuptuar aftësitë mendore për të arsyetuar dhe gjykuar,njeriu duhet të ketë arritur një shkallë të zhvillimit të tij mendor.
  Shumë filozofë sëbashku me Arisotelin, intelektit i kanë bërë një portretizim.Ata në fillim studiuan shpirtin njerzor,dhe arritën në përfundimin se ai është i vetëm dhe një njësi e pandarë.
Ai ka një mori prirjesh unike,ku secila prej tyre është e ngarkuar me një funksion të dallueshëm njerzor.E gjitha kjo në thelbin e saj e përkufizon shpirtin si një poetencial për një formë të përsosur të intelektit dhe njohurive që ai zotron…
   Shpirti në çdo mish të qenies që na është dhënë është edhe forma.Pra,këtu kemi një dimesion shtesë që gjendet në shpirtin e njeriut dhe që njëkohësisht është edhe forma e tij.Kjo do të thotë se ky shpirt i kupton idetë edhe kur ato nuk janë materiale.Por natyrisht shtrohet pyetja se a ka qenie pa formë dhe trup? Natyrisht po t’i referohemi mitologjisë dhe shkrimeve të shenjta ka edhe krijesa të tilla.
    Ky potencial ka aq  njohuri sa ta dallojë njeriun nga kafsha.  Edhe kafshët animohen nga një forcë shpirtërore e jetës (një "shpirt"), por njeriu është i pajisur me aftësinë për të lënë gjurmë me fakte të të vërtetat dhe të mençura mbi fuqitë e trupit, funksionet dhe dhuntitë e tij.Filozofët kështu i referohen fuqisë animuese të trupit si "çështje", dhe shpirtit, "formës"…
Më pas kërkimet në portretizimin e intelektit erdhën dhe u bënë më të holla edhe nga shkrimtarët.Një nga këto shkrimatrë është Mark Tweni.Ky shkrimtar i madh amerikan arriti përmes fikcionit të tij ta portretizojë intelektin.Ai thoshte se njeriu ka një epërsi të jashëzakonshëm. “Në intelektin e tij ai është suprem. Kafshët e Larta nuk mund ta prekin atë atje. Ai është kureshtar, vlen të përmendet, se asnjë qiell nuk i është ofruar kurrë atij, ku superioriteti i tij i vetëm ishte se ai ishte i pajisur me një shans për të shijuar vetveten.’… Edhe kur ai vetë ka imagjinuar një parajsë, ai kurrë nuk ka bërë pergaditje në të për gëzime intelektuale. Ai është lënë jashtë në mënyrë të mrekullueshme. Duket një rrëfim i heshtur se qiejt janë siguruar vetëm për Kafshët e Larta. Kjo është çështje për t’u menduar; edhe për një mendim serioz. Kjo është plot me një sugjerim të zymtë: se ne nuk jemi aq të rëndësishëm, ndoshta siç e kishim të gjithë së bashku të supozohej se ishim.

Kafshët e ulëta

Njeriu i moralit, njeriu i përgjakshëm dhe i tmerrshëm, është i lartë mbi kafshët e tjera në një dhuratë të madhe dhe të ndritshme - intelektualiteti. ... Në talentet fizike ai ishte një i varfër kur e filloi; me hirin e intelektit të tij është i pakrahasueshëm dhe më i pasur nga të gjithë kafshët . Por ai është ende mjaft i varfër nga ana morale,dhe njëkohësisht është i pakrahasueshëm me krijesat e mjera në këtë drejtim. Vetëm Zotat e vlerësojnë moralin. Ata nuk kanë paguar për nderimet dhe për intelektin, dhe nuk  kanë ofruar as dhe një shpërblim të vetëm. Nëse intelekti është i mirëpritur diku në botën tjetër,ai është në ferr dhe jo në qiell...

Nga Flerorja e shënimeve

Halil Haxhiosaj:VARGJE ME TEMË E PËRKUSHTIME ATDHEDASHURIE

"RRETH LIBRIT TË NEHAT JAHIUT “ EPITAF LIRIE”



Krijuesi Nehat Jahiu është i njohur si poet, sepse ka disa përmbledhje të shkruara e të botuara me poezi, por ka shkruar edhe tregime e vepra të tjera. Por, ky shkrimtar më shumë ka shkruar poezi për të rritur dhe për fëmijë, andaj portreti i tij është i njohur si poet. Interesimet poetike të Nehat Jahiut nuk janë vetëm të një vështrimi këndor artistik, por ato gërshetohen, pothuajse, në të gjitha poret e shtrirjes së vargëzimit, andaj janë kolorit i pasur, ashtu siç është edhe poezia e këtij krijuesi.
      Edhe vepra me titull, paksa metaforik, i përmbledhjes “Epitaf lirie” e shkruar në fund të shekullit të kaluar, XX, dhe e botuar në vitin e parë të shekullit të XXI, në vitin 2000, shtrihet në imazhin e kohës dhe hapësirës së njohur për njerëzimin tanë, gjegjësisht për shqiptarët, kudo që ata jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në Kosovën Lindore, në Çamëri e Greqi, por edhe në Mal të Zi e më gjërë. Koha e këtij fundshekulli për këtë hapësirë shqiptare ishte e mbushur përplot ngjarje e forma që ishin tragjike, pse jo edhe vdekjeprurëse, në luftë për liri e pavarësi, ose edhe për dalje nga shtypja e egër totalitare e diktaturës komuniste, e cila ishte plot insinuata dhe sjellje të kobshme e mortare. Mu në këto ngjarje me lufta, tragjedi e forma të tjera, poeti Nehat Jahiu, arriti të gjejë gurrën e frymëzimeve poetike dhe ato t’i transmetojë artistikisht në vargëzimet e tij artistike në veprën “Epitaf lirie”. Me të vërtetë, shumë u thurën epitafe në pllakat e varrezave të dëshmorëve, të rënëve, luftëtarëve e të tjerëve shqiptarë për këtë liri, e cila edhe kështu çfarë është, pati tagër të lartë. Këtu, në këto gurra gjaku, në këtë tragjedi, por edhe në ato fitore për ta fituar lirinë, autori poet shkroi epitafin e vet përkushtues me vargëzim dhe la një vulë dhe shenjë të duhur. Andaj, ai bëri një vepër me vargje dhe tema që janë përkushtime të atdhedashurisë, që është tematika artistike dominuese e këtij vargëzimi nga pena e poetit Nehat Jahiu. Ndër të tjera ai vargëzon: “Për gjakun e lirisë dot/ Nuk qahet s’derdhet lot/ S’i duan lotët trimat dëshmorë/Gjaku i lirisë thur kurorë  (“Gjaku i lirisë”).
            Për këtë gjak nuk duhet të derdhën lot, sepse ai është bërë kurorë lirie në momentin kur është derdhur dhe ka rënë në tokën e dheun e saj. Kurora e këtillë është e shtrenjtë, por shpaguhet me fitoren e lirisë, andaj për të nuk dhimbset të derdhet gjaku. Edhe pse ndonjëherë ky gjak shndërrohet në ëndërr të vrarë, nusja e dhëndërrit të vrarë për liri shndërrohet në kangjelë kur e përcjell të dashurin të shkojë në luftë për të fituar lirinë. Poezitë e këtij motivi dhe të kësaj natyre nuk janë të fiksuara vetëm në një vend, por ato janë të skalitura në mozaikun e atdhedashurisë në çdo pëllëmbë të atdheut. Andaj nuk është fare e rastësishme kur autori në vargje të këtilla përmend emërtime nga mbarë gjeografia kombëtare. Kjo shtrirje ia shton vlerën këtij synimi poetik dhe kësaj tentative të artistikes së poetit, Nehat Jahiu.

      Shtrimi i vargjeve nëpër këto paralele e meridianë poetikë kombëtarë shqiptarë janë mbështjellë kurorë e gjakut të derdhur për liri, mëvetësi, pavarësi dhe qenie kombëtare. Lufta për këtë synim nuk është e re, por ajo daton që në parahistori, apo që në Ilirinë e lashtë, nëpër Dardaninë deri në Arbërinë, Albaninë, Shqipërinë, e Kosovën e sotme. Ky marshim ngarend hovshëm, sepse mbi këtë tokë ka shumë varre që janë përmendore të dëshmisë së historisë sonë të vjetër e deri tek kjo e reja. Rrugët dhe trasimi i këtyre garave për të dalë në shteg, madje për të mbërritur në cakun e dëshiruar ishte i shtrenjtë, ishte i vështirë, ishte plot e përplot pengesa, tragjedi e sakrifica. Por nga trimat e luftëtarët u tejkaluan ato dhe liria erdhi e kuqe, dhe u la me gjak, i cili u skalit edhe në flamurin tonë kombëtar, që sot ka ngjyrën e kuqe të tij e dy koka shqiponjash të zeza siç ishte koha e hapësira e historisë sonë kombëtare. Për të gjitha këto, por edhe për Vlorën, Çiçavicën, Gjakovën, Prekazin, Drenicën, Dukagjinin dhe betejat e njohura të këtyre trojeve shpërfaq gurrat e frymëzimit për vargëzimin dhe artistiken e vet, poeti Nehat Jahiu. Poezia e  këtij vëllimi vjen pa metafora dhe figura të përmbushura që i hasim edhe në sa e sa poezi të tjera. Fjala e tij poetike është e hapët, origjinale, e kuptueshme, e drejtpërdrejtë pa qenë e mbingarkuar dhe e hermetizuar. Poeti i shkruan këto vargje si vrojtues i drejtpërdrejtë i të gjitha katrahurave dhe tragjedive që kanë ndodhur gjatë luftërave çlirimtare kombëtare, e posaçërisht në luftën e fundit çlirimtare të Kosovës, Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe të tokave shqiptare në Maqedoni. Kur shkruan për këto, sidomos për luftën e Kosovës, ai flet për halle, jo vetëm të luftëtarëve të UÇK-së, por edhe të popullit, dhe të gjitha këto i flet me gjuhën e poezisë pa pispillosje, por “shkurt e shqip”, pa u fshehur e as po u mbyllur. Kështu ia arrin të poetizojë për atdheun e luftën çlirimtare pa pompozitet të tepruar dhe mbingarkime. Poezia e kësaj natyre është një prurje efikase me nuanca, domethënie dhe vlera të veçante, pse jo, edhe origjinale. Hije të paska gjerdani i dëshmorëve/Trimat ta thurën malin e kurorave/ Ta thurën vashat, vashat trime/Ty, Kosovë, rreze me shumë gëzim (“Liria”) Për të rënët e dëshmorët, për djalin e vrarë në luftë për liri, nëna nuk vajton as nuk qanë, sepse këtë ia ka lënë amanet djali, por për çdo pranverë do ta vizitojë varrin dhe mbi të do të vë kurora lulesh. Madje varrin e tij do t’ia mbulojë edhe me flamur, sepse i mbështjell me të. Ai u vra dhe u përjetësua. Flijimi i dëshmorit, djalit të nënës për liri është i vullnetshëm, andaj: “Mos më qaj nënë me lot në sy/Se jetën e fala për të dashurën liri/Mos më qaj, nënë, mos derdh lot/Gjakun tim e dhashë për këtë tokë” thuhet në këto vargjet e poezisë “Mos më qaj” (Amaneti i një dëshmori).
      Ka edhe tema motive e elemente të tjera interesante në poetikën e kësaj vepre. Madje, secili motiv, temë, vështrim, trajtim artistik dhe këndvështrim është paksa specifik, depërtues, trajtues dhe, madje pse jo, në disa momente edhe evidentues. Vrojtimet e këtilla përkojnë me temën, për të cilën shkruan autori, sepse vetëm kështu ia arrin qëllimit që ta sendërtojë synimin e kësaj forme përkushtuese të vargëzimit.    Madje, në këtë mënyrë, lindin edhe të ashtuquajturat poezi përkushtuese, të cilat poeti ua kushton disa personave realë, si: dëshmorit të kombit Ismet Jashari, poetit Ymer Elshani, poetit dhe mikut Agim Spahiu, e të tjerëve.  Në përgjithësi, vargjet e kësaj poezie vijnë tek lexuesi më të latuara dhe të drejtpërdrejta se asnjëherë më parë.
      Vëllimi poetik “Epitaf lirie” është i pajisur me elemente të bollshme të ndërtimit të poezisë, si në aspektin gjuhësor, me rrjedhshmëri të vargut, me rimën e vargëzimit, me komunikim të lehtë e transparent në shprehjen e mendimit dhe mesazhit të qëndrueshëm, me vlerë të duhur stilistike dhe me prekje të ndjeshme tematike. Kjo poezi me formën e me vargëzimin e saj në përgjithësi me rimë formash të ndryshme, paraqet mëtimin e autorit të saj kah artikulimi i tronditjeve shpirtërore për fenomenet, ndjenjat, përjetimet, por edhe katrahurat e luftës, të cilat e preokupojnë secilin njeri.
Të vargëzuara kështu, ato flasim me gjuhën, që s’thuhet nga secili përjetues, apo nuk rrëfehet në këtë mënyrë, siç e shpreh në vargje poeti, Nehat Jahiu. Rrëfimi i fjalës poetike ka fituar një pjekuri dhe një siguri të dukshme dhe kur të këtillë e lexojmë, para se gjithash, e kuptojmë si një proces evolutiv në shprehjen artistike dhe ngjyrosjen e penës së tij poetike në të kuqen me ngjyrë gjaku.
      Kjo formë e paraqitjes artistike e luftës dhe sakrificave për të shfaqur përkushtimin, arritjen, skalitjen dhe ndriçimin e luftës çlirimtare për liri e pavarësi të shqiptarëve të të gjitha trojeve të veta në përgjithësi, por të Kosovës në veçanti, në fundin e shekullit të kaluar, XX, dhe në fillimin e këtij shekulli, është edhe një dëshmi artistike e poezisë së Nehat Jahiut, por edhe e poezisë sonë në përgjithësi.






Prend BUZHALA: FJALIMI I AT GJERGJ FISHTËS NË VARRIMIN E AVNI RRUSTEMIT

Prend BUZHALA:
POROSIA E MADHE E FISHTËS PËR IDEALIZMIN SHQIPTAR
(Çast eseistik: FJALIMI I AT GJERGJ FISHTËS NË VARRIMIN E AVNI RRUSTEMIT. NGA ORATORIA SHQIPTARE), 7
Fishta, duke pasur formim sa klasik aq edhe modern, këtë klasicitet e modernitet ai e shfaq edhe në shkrimet e tij publicistike, edhe në krijimtarinë e tij diskurzive. Dallohen Fjalimet e tij në Konferencën e Paqes në Paris (1919), fjalimet në Parlamentin shqiptar e, ndër to, edhe Fjalimi në varrimin e Avni Rrustemit në Vlorë (i vrarë nga një atentat, vdes më 22 prill, varrimi mbahet më 30 prill 1924).
1.
Nëse estetika mbështetet kryesisht në zgjidhje e problemeve Të kategorisë së të bukurës, nëse etika trajton etosin (veprimtarinë e lirshme të njeriut), moralin), atëherë njeriu ka nevojë që ta shqyrtojë edhe një fushë-veprimtari të veten, siç është e vërteta. Kësisoj, edhe te Fjalimet e Fishtës përgjithësisht, po edhe te ai për Avni Rrustemin në varrimin e tij, ne lexojmë edhe bukurinë
e shprehjes, edhe etosin kombëtar shqiptar, edhe të vërtetën që ai me aq pasion e kërkonte dhe të tri këto shëmbëlltyra të ndërgjegjësimit e të botës shpirtërore të njeriut, i thadron te
shëmbëlltyra e Avniut.
Bukuria e Fjalës!
madhështia e etosit dhe
Lartësimi i të Vërtetës
janë tri majat e vlerave që Fishta i madh i trajton te ky Fjalim, i shqiptuar në një çast zie e krenarie shqiptare. Ai dëshironte të prekte jo vetëm ndjesitë më të përkryera shqipatre, po edhe ndërgjegjen e tij për përparim, ardhedashuri, lumni shqiptare.
Te Bukuria e Fjalës ai shquan nmveshjen e saj me forcën e intelektit me sintetizime historike, duke nxjerrë në pah zinë shqiptare, krenarinë e saj dhe qëndresën e saj, idealet e saj demokratike dhe përparimtare:
“E zeza mori Shqipni, se shum ké pa e randë ké psue rrymes s'asaj vistre të gjatë kavaljetesh, neper të cilët pershkue âsht fati yt i mjeruem! Fort të bukur të fali Perendija, por - ofshe un i mjeri! - se teper pa mshirë e turp shemtuem të ká nieri. Zbathë, zdeshë e lakuriquem, pa buk e shujtë e e shame prej gjithkuej, sa me t'ardhë mârre me u quejt me emen tand, dikur aq të lumnueshem, nuk e di a kalue ká ndo'i faqe nieri, që ti la mos të jeshë anë gjak të ndo'i hasmit të mënîshem se në gjak të bivet tu, mizorisht çá e vrá ndermjet vedit. Neper ty, po, shunglluen ajri ato pyllnaje heshtash të gjakbâsvet Gal, kah idht të shporojshin parzmet e bijve tu: Neper ty, po, u ndenë gardh ato shpata e shkallme të skryefortë, të cilat i pa dhimë pritshin krênat e bijve të tue; mbi ty, randoi pesha e pushtetsis rromake që ty të ndrydhi fron e liri, e neper ty u pershkue, mbasandej edhè ajo dhuna e permnershme e Azis, që të dërmoi të gjallët e jetës e as frymë nuk të la mâ me marrun, e ti u bane gazi eplla e dheut pa u gjetë kush kurr, që me të pajtue varrët, që me të ankue hallin tand të kobshëm...” (...)
"Hajde, Avni, pra, tash me u da pergjithmonë. E sa per punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija ka me perparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë, ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, neper kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u pershku; në tjetrën anë Perendija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me dikue aq fort fuqî në zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnîn, ta bâjë me perparue e me lulëzue krahas me kombe të tjera të qytetnueme. Ka me pasë Shqipm! Do të bahet Shqipnija!"
2.
Trimëria, guximi, heroizmi, përbëjnë një etos të veçantë kombëtar, virtyt e dije, mendësi të veçantë të edukimit etnik, si një nga mënyrat më të sigurta për të realizuar e për të bartur mesazhe tek ndërgjegjja kolektive; të cilin etos krijimtaria popullore e ka memorizuar në kujtesën e kombit, nëpërmes këngëve e formave tjera të krijimtarisë. Nuk ishte thënë më kot që, në Antikën greke logos-i dhe ethos-i, dija dhe virtyti, ishin e njëjta gjë; ishin dy faqet e së njëjtës medalje. Ndërkaq, te madhështia e etist shqiptar, ai shquan idealizmin proverbial shqiptar,a tdhetarizmin, atdhedashurinë:
“Nder sa per bijt tuej - fat zeza moj Shqipni - po ishte faj me të dashtun ty, që aq të bukur të fali Perendija.
Jo, po, Zoja të ndritshme e Zotni vllazen shqiptarë, dashtnija ndaj Atdheut ktu në Shqipni po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt, nji xhinajet - e xhinajet i randë fort, edhè kjo kufomë e shkretë, e mjerueme që ktu po e kemi para sysh, na dishmon né si ndeshkohet faj i i Atdhedashnis. Atdhedashnija, po, kjè njajo, që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem - i pat dalë, të ngratit, zani, se ky po e donte Shqipnm, edhè i donte me gjith mend e me gjith zemër e me gjith fuqî të shpirtit të vet se per Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s'i ka pasë lakmue, por s'i dhimbej jeta, të cilës s'i lakmonte per tjeter, veç per me i sherbye Shqipnis e me i u ba flî Atdheut. E pse kjo Atdhedashnî, e gjallë e të tanë zjarm, si furra zharitëse e nji diellit të djegagurit, kaq fort zu me i ndritë në báll, në ftyrë, e me i u kallë nder sy, sa per rreth tij, si hyj ma të vogjel per qark të nji diellit të shkelqyeshem, nisi me u mbledhë tok mosha shqiptare - shpresa e bardhë e Atdheut, e vuni besë - nji besë shqiptare se do të jetote, do të punote, do të diste per jetë e lulzim t'Atdheut. I vu ndokush shêj ksaj pune edhë nji të djelë mbas dite, ditën per diell, s'dij se për çfarë vorrit të mallkuem të Tiranës, po del nji kukuth, lugat i tmerrshem, i cili me armë të s'di se kuj, e vret e e len shakull mbi dhè.”
3.
Aty në atë varrim ishte atdheu. Ishte e vërteta. Ishte shpirti i ri demokratik shqiptar. Nëse pushka e tij në Paris uli përtokë synimet e planet grabitqare të fuqive të mëdha dhe t shteteve fqinje, rënia e tij tash po ngriste në këmbë një komb. Dhe Fishta mbështetej edhe te një Kult Oratorik i fuqishëm, te e vërteta që po shpalosej aty:
"Oh! Po, të mos ta kishte dashtë ky djalë Shqipnin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejes e dër në kulm të Kepit të Stiloz, per me derdhë lot mbi varrë të tij të pashërueshme; por kuk te carani i votrës së vet do të kishin kja varret - edhè kto të pashërueshme - të kombit shqiptar, që me të mdhej hapa po avitet kah prendimi i vet" (...)
"Avniu s'mbaron jo! Njajo flakë atdhedashtnije, e cila, si zjarmi kullon arin, mbrrîjti me e shlye njollen e fajnîs n'ate vepër që m'herë të parë, në sy të gjyqtarit frangdo t’u dukte delikt i randë, ajo po, ká per ta ruejtë emnin e tij të padekshëm nder sa breznî, që rend mbas rendi do të vinë me gzue Shqipnin e lirë, e ky panagjyrë i madhnueshëm dishmon kjartas se un jam tue folë të vertetën. E njimend: o po kúr, pra, ditës së dekës të Gjergj Skanderbegut u pa nji verçallë ma i madhnueshëm, nji funeral ma i lulzueshem se ky i Avni Rustemit, -e të cilin pa nderlikim besimit, fisit a bajrakut, muer pjesë Shqipma mbarë?"
4.
Me Fishtën e Nolin gojëtaria shqiptare po hynte fuqishëm në zhanrin e oratorisë epideiktike. Arti i këtij Fjalimi, sa është lakrimonogjen. vajtimtar, aq edhe krenar, sa është shungullues, aq edhe ngushëllues, sa është i shqiptuar me intelekt, aq edhe i thjeshtë, komunkizues.Mbi të gjitha, ai është Art i të Vërtetës, i Bindjes: të flasësh bukur, bindshëm e hijshëm ta përcjellësh Porosinë e Madhe të Kohës.
(7 maj 2017)
------ -----------------------------------
FJALA E PATER GJERGJ FISHTËS NË DEKË T'AVNI RUSTEMIT
E zeza mori Shqipni, se shum ké pa e randë ké psue rrymes s'asaj vistre të gjatë kavaljetesh, neper të cilët pershkue âsht fati yt i mjeruem! Fort të bukur të fali Perendija, por - ofshe un i mjeri! - se teper pa mshirë e turp shemtuem të ká nieri. Zbathë, zdeshë e lakuriquem, pa buk e shujtë e e shame prej gjithkuej, sa me t'ardhë mârre me u quejt me emen tand, dikur aq të lumnueshem, nuk e di a kalue ká ndo'i faqe nieri, që ti la mos të jeshë anë gjak të ndo'i hasmit të mënîshem se në gjak të bivet tu, mizorisht çá e vrá ndermjet vedit. Neper ty, po, shunglluen ajri ato pyllnaje heshtash të gjakbâsvet Gal, kah idht të shporojshin parzmet e bijve tu: Neper ty, po, u ndenë gardh ato shpata e shkallme të skryefortë, të cilat i pa dhimë pritshin krênat e bijve të tue; mbi ty, randoi pesha e pushtetsis rromake që ty të ndrydhi fron e liri, e neper ty u pershkue, mbasandej edhè ajo dhuna e permnershme e Azis, që të dërmoi të gjallët e jetës e as frymë nuk të la mâ me marrun, e ti u bane gazi eplla e dheut pa u gjetë kush kurr, që me të pajtue varrët, që me të ankue hallin tand të kobshëm. E vertetë që tjera ndoshta kombe e fise e vende, e tjera mote e mndorje të» historis s’tyne, kan muejtë kshtu me psue si psue ké ti, e mjera moj Shqipni; po fis as komb, as vend nuk ká kund n'Europë, që, si ty, zemra gjak t'i két pikue! Mos tjetër të bijt e atyne kombeve, fiseve, vendeve, edhè m'atëherë kur i ndrydhte nji kambë e hueja, kan mûejtë me dashtë Atdhenë e vet, kan mûejtë me urue per té. Nder sa per bijt tuej - fat zeza moj Shqipni - po ishte faj me të dashtun ty, që aq të bukur të fali Perendija.
Jo, po, Zoja të ndritshme e Zotni vllazen shqiptarë, dashtnija ndaj Atdheut ktu në Shqipni po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt, nji xhinajet - e xhinajet i randë fort, edhè kjo kufomë e shkretë, e mjerueme që ktu po e kemi para sysh, na dishmon né si ndeshkohet faj i i Atdhedashnis. Atdhedashnija, po, kjè njajo, që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem - i pat dalë, të ngratit, zani, se ky po e donte Shqipnm, edhè i donte me gjith mend e me gjith zemër e me gjith fuqî të shpirtit të vet se per Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s'i ka pasë lakmue, por s'i dhimbej jeta, të cilës s'i lakmonte per tjeter, veç per me i sherbye Shqipnis e me i u ba flî Atdheut. E pse kjo Atdhedashnî, e gjallë e të tanë zjarm, si furra zharitëse e nji diellit të djegagurit, kaq fort zu me i ndritë në báll, në ftyrë, e me i u kallë nder sy, sa per rreth tij, si hyj ma të vogjel per qark të nji diellit të shkelqyeshem, nisi me u mbledhë tok mosha shqiptare - shpresa e bardhë e Atdheut, e vuni besë - nji besë shqiptare se do të jetote, do të punote, do të diste per jetë e lulzim t'Atdheut. I vu ndokush shêj ksaj pune edhë nji të djelë mbas dite, ditën per diell, s'dij se për çfarë vorrit të mallkuem të Tiranës, po del nji kukuth, lugat i tmerrshem, i cili me armë të s'di se kuj, e vret e e len shakull mbi dhè.
Edhè kshtu sod, që lulet janë tue shpërthye mbi dhé, ky në ma të miren lule të djemnîs së vet, lule po hin me u kalbë nen dhé. Pse? Pse pat dashtë Shqipninë! Kërcuna mori nana e vet, që ktij petriti të Lubohovës, dhanë i paska nji zemër bujare, fisnike; pse po zemra satrapit të tiranit ajo t'ia kishte dhanun, sod s'do ta kishte martue me tokë të zezë, por me ndo'i , zojë vashe shqiptare... I ziu more pedagogu i tij, që mbrenda ledhève të shkollës dikue i paska të gjith ate njomsi ndjesie ndaj virtytit, burrnis, beses, njerzis, pse po ta kishte msue aty se me kalem e letër mund të shkelen popujt e mund të pihet gjaku i tyne, sod vorfnue s'do ta kishte Libohovën nji qytetas i ndershëm, Vlonën me nji birë në shpirt, Kosoven me nji mik, mbarë djemninë shqiptare me kampionin e vet aq të dashtun e të drashtun!
Flaka, po, i perpiftë njato kangë e letra, të cilat, tue fry neper flî t' ambël të kësaj gjuhe hyjnore tonen, e ndezkan zhari zemren e tij ndaj Atdheut, edhè kshtu para kohe e çuekan në vorr. Oh! Po, të mos ta kishte dashtë ky djalë Shqipnin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejes e dër në kulm të Kepit të Stiloz, per me derdhë lot mbi varrë të tij të pashërueshme; por kuk te carani i votrës së vet do të kishin kja varret - edhè kto të pashërueshme - të kombit shqiptar, që me të mdhej hapa po avitet kah prendimi i vet. Jo po; ky djalë po të kishte vu dorë e vjedhë nder pasuni të Shtetit, po të kishte rrëmbye tokët e hueja, po të kishte shnjerzue gjinden e huej e per qëllime të poshtërme politike të kishte djegë ndo'i malsî e rrenue ndo'i fshat, na sod ktu s'do ta kishim m'e pa, lamë me gjak, shtri mbi rrasë të vorrit, por gjetë do ta kishim me e pa tue u tallë fron më fron, sandalle më sandalle, kolltuk më kolltuk neper oda të shtrueme, e vesh më vesh me simahorë të ndo'i klikës së mshehtë, të ndytë, tue perpilue vistret e emnavet të njatyne atdhetarvet që do t' u bajshin flî ambicjonit të poshterm të tyne. Por Avni Rustemi kjè burrë, kjè trim, kjè besnik, kjè zemër bujar e Shqipnin e desht me gjith fuqin e shpirtit të vet, prandej' u la në gjak, prandej diq, shkoj, mbaroj.
Mbaroj thashë?...Më paska pasë rrshitë goja pahiri;pse Avni Rustemi s ka mbarue. Edhè aj jeton nder né edhè ka per të jetue dèri sa në ndo'i skaj sado të vogel të Shqipnis ku të ndihet tue kumbue e ambla gjuha jonë shqiptare. Burri i mirë s'des kurr. Fjal drejta hyjneshë e historis, kjo,në nji fletë të historis shqiptare emnin e tij ka per ta shkrue me shkrola arit, hkrola të pa shlyeshme. Ka me dalë ndo'i poet i kombit, i cili ate emën ka per ta këndue mbi lirë të vet të hyjnueshme; e ate emen atëherë mësuesit nder shkolla kan per të ia u permendë nxansavet të censhëm: kapun në valle djemtë e vashat shqiptare neper brohori kan per ta kndue at emën; kan per ta kndue barijt e blegtorët neper hije e mrrize të paqta të fushavet e të malevet tona, e mali e fusha e bregu e zalli kan me jehue nga ky emën e kshtû emni i Avni Rustemit, si ideali i tij, ka me mbetë i padekshëm në Shqipni. Âsht rrêjt, pra, tradhtari qe thau të rijtë e tij, per në pastë mendue, me nji plumb pushke të pagueme Avrnu do të mbarote. Avniu s'mbaron jo! Njajo flakë atdhedashtnije, e cila, si zjarmi kullon arin, mbrrîjti me e shlye njollen e fajnîs n'ate vepër që m'herë të parë, në sy të gjyqtarit frangdo t’u dukte delikt i randë, ajo po, ká per ta ruejtë emnin e tij të padekshëm nder sa breznî, që rend mbas rendi do të vinë me gzue Shqipnin e lirë, e ky panagjyrë i madhnueshëm dishmon kjartas se un jam tue folë të vertetën. E njimend: o po kúr, pra, ditës së dekës të Gjergj Skanderbegut u pa nji verçallë ma i madhnueshëm, nji funeral ma i lulzueshem se ky i Avni Rustemit, -e të cilin pa nderlikim besimit, fisit a bajrakut, muer pjesë Shqipma mbarë?
Ktú ké shkëlqesa të Këshillit të Naltë edhè dhespoten fort ndershem; ké - aballarë, hoxhallarë, priften, freten e misa Kuvendit Kushtetues; bajraktarë e beglerë, qytetas e fshatarë, pasanikë e të vorfen, pleq e të rij, burra e gra, djelm e varza që kan ra e ardhë ktu në Vlonë per të kjasue loden e vet mbi' vorr të tij. Kta, po, rrëfejnë se emni i Avni Rustemit e ideali i tij do të rrojnë të padekshëm në Shqipni të lirë.
Stolis, pra, me rreze të nji emni të padekshëm e pajis me perdhimtime t'ambla të mbarë kombit shqiptar, mos u tut, Avni, tue u djerrë në vetmi të vorrit të errshëm, e kshtu me u dá prej nesh pergjithmonë. E vështirë, ndoshta, të vjen puna, që me u shkepë prej gjivet të prindvet tuej, por, qe, Shqipnija ka hapë gjitë e vet e të lypë per vedi. Nuk ké çka ban, do të hish në gjî të saj; pse ti, sod e mbrapa, nuk jé i kurrkujt tjetër veç se i Shqipnîs. Edhè Shqipnija në gjî të vet ka me i strukë kocat tuej, që mos t'i lendojë furia e thellimit a ndo'i fuqî tjetër kundërshtare, e ti në ate gjî ké me pushue si dikur, foshnje, pushove në gjîtë nanës sate zemër rrënueme: Jo, po, edhè Shqipnija âsht nana, e si nanë ka me ta mbajtë kujdesin, që mos ta trazojë kush gjumin e dekës në gjî të saj.
O ju male të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi, e nji amanet âsht tueju lan: që edhè sod e mbrapa t' i rritni djelmë sokola, si dikur motit, me besë e me burrnî.
O ju fusha të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lan: që mos të jeni dorështrêjt ndaj kombit shqiptar, por t'i jepni bukë e shujtë e mos ta qitni ma Shqipnin me shkop e me strajcë me lypë buk dyerve të kombevet të hueja. Ju falet nderës dhe per lulet e bukura që keni dergue per ditën e vorrimit të tij.
O ju njerzë të Shtetit Shqiptar e misa të Kuvendit Kushtetues, lamtumirë po u thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lan: që po kjé se âsht kush nder ju, që me nder dikasteret e nalt të shtetit ose në log të Kuvendit Kushtetues s'ka para sysh veç se punën e tagjîs, ta mbushë strajcën pikë e per maje me gjak të shtetit edhè të shmanget në punë të vet, e mos të rrijë ma me luejt harushë mbî shpinë të nji popullit të ngratë, që as frymë nuk po mund të marrë prej lotvet të gjakut.
O e bardhë shpresë e kombit - djelmëni shqiptare, lamtumirë po të thotë Avni Rustemi e amanet âsht tue të lanë:
Armët e mbushme mos me i dhanë
Shoq me shoq kurr mos me u xanë
Mos me u xanë as mos me u ngaë
Kurr ujët turbull mos me i raë
Fjalët per pajë kurr mos me i ndalë
Zemrës sëfrytë me i lanun dalë.
O zemërplasun prindet e tij, Avniu juej, qe, po ndahet pergjithmonë prej jush, edhè po ju lypë hallallin, per çka me fjalë a punë ka muejtë me ju pezmatue zemrën. Edhè ky ka kjenë çilimi, ka kjenë i ri, e prandej ka mûejtë me gabue. E ty babë i mjerë, amanet âsht tue ta lan, që kur të bajë motra me kja - qyqja motër per kaq vlla! - ta pajtojsh me fjalë t'ambla e të buta e mos ta lash, qyqen e natës, me i plasë zêmra prej dhimbjes per Avniun e vet.
Lirë e bekue po ju thotë të gjithve ju, që keni ba faqen e bardhë e ardhc m'e percjellë deri në ket vend pushimit të tij të mbramë. E ju, Zoja :e ndritshme po ju truhet per çka keni ma per zemër, që t'ia shmangni mamen prej vorrit e mos të shofë gazep me sy.
Hajde, Avni, pra, tash me u da pergjithmonë. E sa per punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija ka me perparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë, ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, neper kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u pershku; në tjetrën anë Perendija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me dikue aq fort fuqî në zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnîn, ta bâjë me perparue e me lulëzue krahas me kombe të tjera të qytetnueme. Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!
(Rev. "Afrimi", vjeti II, maj 1924.Vlorë)
Shkrimi u mor nga Át Gjergj Fishta: "PROZA" vëllimi i dytë 1923-1940, Botime Françeskane, Shkodër, 2006, f.135-139.

Sadbere Gagica Spahija: Cikël Poetik



NË MËRGIM

Vetëm fjalët flasin 
Pa fjalë
E rrokullisen ëndrrat
Si ortek bore
Netët vijnë pa zë
Ku janë strukur zogjtë sonte
E lypsit nëpe trotuare?
Mall i fshehur
Në bebëza sysh
Në vargje poeti
Ku janë strukur zogjtë sonte?

TË KAM FALUR 

Syrin e liqenit të thellë
Shpresat e mia me ëndrra
Diellin në fund të prillit
Rrezet e purpurta të shpirtit
Duart e mia të buta me penë
Vargjet me nota lirike
Një puthje fjale nëpër shkronja dashurie
Gjithçka të kam falur...

DO TË VIJ

Vendi im i shkronjave të përziera
Kam lënë një lot udhëve
Që m'i lag ëndrrat nëpër net pa strehë
Aty janë ngujuar germat e lirikës
Që s'i shkul asnjë tufan!

TË KËRKOJ

Nëpër udhëtimet e mia
Nëpër ëndrrat e përhitura
Kur s'të shoh o ylber pas shiut
Më thahen damarët e tokës
Që e lashë një ditë
Duke sogjuar në kullën me zjarr !

MORA MË VETE 

Sytë e tu nëpër skronja libri
Emrin e trëndafilit me njëqind ngjyra
Një ëndërr me ndjek si hije pas
Nëpër këto udhë kujtimi bredh 
Në strajcë një lot i madh 
Shpirtin ma rëndon nëpër net pa gjumë
Do vij në korrik , do të vij 
Si dallëndyshe në folenë e vjetër
Ta gjej emrin tim strehuar nëpër vargje