Saturday, January 6, 2018

VIOLETA ALLMUÇA: NË HAP ME JETËN


Në kulmin e shekullit të ri kur shkrimtarët shqiptarë lidhin urat mes shkrimit dhe qytetërimit duke ecur nëpër udhët tokësore për të sjellë në fushën e pafundme të letërsisë jetën e kohës e tyre,Nehat Jahiu përgjatë viteve me penën, koloritin dhe mjeshtrinë e fjalës dëshmon se jeta ka rrjedhur përveçse mbi ngricë edhe mbi diellin e krijuesit në malet e luginat e vendlindjes së përjetëshme. Shembëllimi i zbuluar në gjurmët e paraadhësve na ngjall një epokë ku flitet për sipërfaqen dhe kilometrat e udhëtimit të tij shpirtëror, në trojet e veta. Në këtë libër ai mban gjallë të shkuarën dhe të sotmennëpërmjet një bashkëbisedimi të sinqertë ku ëndrrat janë po aq të lira sa të kujtojnëstinët dhe ditët e një shekulli. Çfarë e shtyn një krijues të flasë e të mëtojë për më shumë sesa një shekull përveçse shpresa e njeriut të letrave? Një misionar i dashuruar me atdheun e tij ku zëri me vlerë i krijuesit mbetet i pazevendësueshëm,aina sjell në librin e tij të ri publicistik me intervista kohën kur shqiptarët janë në kërkim të përhershëm të identitetit të tyre. Ngulmimi i pareshtur i krijuesit për të dëshmuar nëpërmjet dialogut e mban frymën në jetësimin e historisë së botës shqiptare duke na sjellë nëpërmjet fjalës një lëndë të parë origjinale që lidh dy kohë. Motivi kryesor i shkrimtarit Nehat Jahiu në librin e ri me intervista NË HAP ME JETËN është që e vërteta të përçohet nëpërmjet fakteve të jetës së tij dhe kohës pasuese.
Autorizbulon fatin e njeriut në përplasje me jetën për të besuarnë rrjedhën e epërme, duke kërkuar kultivimin e botës së tij shpirtërore ngaburimi kryesor brenda dhe jashtë trojeve arbnore e përtej tyre në diasporën shqiptare. Në formë të thjeshtë, veshur me modesti, adhurimi i krijuesit përçohet nga idetë e brendshme të unitetit mes njerëzimit mbi ligjin e barazisë njerëzore në përputhje me të ardhmen. Ideja e bashkimit mbetet një koncept domethënës i autorit i cili shkruan duke i besuar artit të fjalës. Pasi ka filluar nga poezia sot ai i ka paraprirë pulsimeve të dialogut publicistik, një komunikim mjaft njerëzor për të bashkuar krijimin letrarme shoqërinë njerëzore. Çdo intervistë brenda dialogut gojor e shkrimor në hapësirë dhe kohë shpreh hapur ndj -enjat njerëzore duke rrëfyer për vetveten, pra me UNIN e tij,fëmijërinë, objektivat e mësuesisë, artin e të shkruarit, botën e letrave etj.
Sipas autorit qëllimi i tij ka qenë dhe mbetet jeta njerëzore, e cila bëhet një vepër leximi ku çdonjeri mund të flasë në vetën e parë. Duke botuar edhe libra me fuqi të veçantë artistike siç mund të përmendim, poezinë për fëmijë, prozë apomonografitë, subjekti i leximit të intervistave depërton te çdonjëri në mënyrë emocionale,të prekshme për lexuesin duke hetuar se jeta është një realitet i depërtueshëm ku koha njerëzore shfaqet me ngjyrime të ndryshme, si një realitet i kultit të fjalës. Në këtë këndvështrim na vijnë me rradhë 13 intervista me karakter publicistik të botuara në median e shkruar dhe vizive ku niveli i përkujtimit të së shkuarës dhe të sotmes me të njohurat dhe të panjohurat në kontekstin publicistik na afron realitetin e përvjetorëve, situata sa të trishta aq edhe shpresëdhënëse. Për të shprehur të vërtetën autori heq paralele mes të ardhmesdhe funksionit të dëshmive jetësore, përkushtimit, virtyteve, parimeve, vlerave, përjetimeve të së shkuarës, etj.
Kultivimi i traditave dhe ruajtjes së tyre nga pasardhësit mbetet një vizion i kahershëm që karakterizon shqiptarët kudo që ndodhen. Kjo është nostalgji edhe për autorin e këtyre intervistave si një mënyrë e komunikimit të zakonshëm me lexuesit që siç duket janë edhe mbështetësit e tij.Libri me intervista është gjithashtu një shqyrtim i çështjeve gjithëpërfshirëse që prekin vetëdijen e autorit siç janë politika, kultura, funksionimi i vlerave artistike estetike.Gjithashtu duke krijuar pika kontakti ky libër sjell një larmi temash gjatë karrierës së mësuesit, tënxënësit, shkollimit, mërgimit, shkrimtarit, të cilat i konsideron një bashkëbisedim të mirëfilltë ku trajtohen edhe dukuri të denja pozitive por edhe negative që shoqërojnë pikëpamjet, kohën dhe jetën e autorit që mban vetëm një emër,krijues në jehonën e viteve.

Friday, January 5, 2018

Arqile Gjata : Cikël Poetik

NGJYRA E VERDHË E JETËS

“ Gjej shumë realitete te fantazia.”
F.Franklin
Në ditë shiu,
në qytetin e verdhë mos i përdorni ngjyrat...!
***
I verdhë ajri
mendimet të verdha si ëndrrat
pikat e shiut u japin madhështi,
lulet dhe pemët zverdhojnë,
shpendët në fluturrim bëjnë çudira
të verdhës ngjyrë i ngjajnë.
Fryma e jetës
luhet nëpër skena të verdha
ku shkruhet biografia e kohës
vallëzojnë erëra në muzgun portokalli
në mbrëmje, kur qan qyteti...
hëna në vetminë e saj ia shton verdhësinë!
Në thellësi të syve të vitit që po largohet
ngjyra verdhoshe pështillet në ethet e lakmisë
të gjithë këmbësorët do digjen pak e nga pak në verdhësi
prej saj dhe Viti I Ri do vuaj nga ngjyra e verdhë...
nëpër shëtitore, mbrëmjeve do ndizen qirinjë të verdhë.
Jeta, do përpëlitet thell në verdhësinë e peisazhit,
gruaja më e bukur, një trëndafil i verdhë!

SYTË E DASHURISË
Tani,
në stinën e jetës time
po dëgjoj fëshfërimën e erërave
të viteve…
Mendja më shkonë
tek sytë e dashurisë së parë,
kur dikur
një luleshqerkë më dërgonte puthje
t'më jepte vite lumturije…
Në këtë Vit të Ri
me guxim, jetën do e shkruaj me tinguj
e ajo eremira dashuri,
veshur me puthje do tingëllojë si një polkë muzikore!

GJATË KËTIJ VITI…

Thuhet, në këtë vit të ri
do jetojmë enigmën mes trupave gjeometrik
me shpresë,
të gjejmë kohën e ëndërruar.
Mendueshëm do vështrojmë enigmën e trupave qiellor...
mes përfytyrimesh
do mbledhim fytyrat e miqve të gjallë
dhe të vdekur.
Zemrat njerëzore, si një pupël
do flladiten mbrëmjeve,
në të gëdhir, nga djepi i saj
do na dhuroj një grusht diell...!

KOHA ECËN...

Dhe pse ishte thënë,
“Bota do shuhet”,
ajo përseri ecën...
ia njohim hapin, ajo ecën bashkë me ne!
Bota,
tashme është një relike,
askush nuk e thotë me zë
vetem tik-taku i orës se shpikur!
Ejani...
t’ ia ndërtojmë muzeun,
aty do gjejmë madhështin e saja
pa zemër e gjak.
Janar 2018

Ramiz Kuqi: FOL MOJ FJALË


Fol e ngritu mbi veten tënde. Ky është misioni yt fisnik.Nxirre mllefin tënd, atë mllefin e shtresuar nëpër vite. Fol!
Fol për njerëzit e mirë që dhanë gjithçka nga vetja, kur e kërkoi koha.
Fol për mërgimtarët , të cilët dhanë sa herë u kërkue nga ata për atdheun që përpëlitej mes jetës e vdekjes... të cilëve nuk u dha asnjë dëshmi për kontributin e tyre.
Fol për mësuesit që u rrahën barbarisht nga policia serbe pēr të vetmin shkak se nuk iu nënshtruan shtetit serbosllav ... e pas gati tetëmbëdhjetë vjet nuk u kujtua asnjë Ministri e Arsimit Shqiptar t’ua ndajë nga një copë letër me vlerë as dhjetë cent, sëpaku simbolikisht t’ua zbusë atë mllef për mospërfillje institucionale prej asnjë qeverie deri më sot.

Fol moj fjalë!
Fol për ato nëna që gjatë luftës u dhunuan e pas kaq vitesh dikujt i ra në mendje se duhet mbështetur edhe pse kjo mbështetje atyre nuk ua shëron plagët kurrē, deri kur t’i mbulojë dheu.
Fol edhe për ato nëna që gatuan tërë natën bukë për ushtarë e rrallëkush e mori nëpër gojë. Ato ishin nëna historike!
Fol për plangprishësit që u turrën për zaptime pronash sikur ato t’ua kishin lënë baballarët e tyre.
Fol për arsimin sot , të cilin e sakatuan me lloj lloj karikulash e asnjëra rezultate nuk dha deri sot.
Fol për ato vila luksoze që janë ngritur pranë të gjitha rrugëve magjistrale nga zotërinjtë e pushtetit, pa asnjë kriter ligjor. Fol!
Fol para se të varroset fjala , se i vdekuri nuk flet kurrë!
Fol për Luket e Migjenit që varfëria i ka detyruar të shndërrohen në femra të përda, për disa euro!
Fol për të pangopurit e klasës , të cilët kanë hapur gojën ta gllabërojnë për së gjalli këtë popull të urtë e fisnik.
Fol për qyqarët!
Fol për analistët e djeshëm të cilët me ëndje i përcollëm dje... i konsideruam si “ engjëj”.
Sot janë krah i së keqes nëpër parti!
Për një rrogzinë më shumē!

Sadbere Gagica Spahija : Dy Poezi


TË DUA
Të dua të urrej po frymë s’marr pa Ty
Të dua si pranverën me lule vjollce
Si ëndrrat e luginës shpirtin plot liri
Si sytë e liqenit që bredh nëpër dallgë në thellësi
Je shpirt i këngës kur gjumin ma rrëmben në nesnatë
Je ylber pas shiut kur kokën e lëshon në lumë
Vargu më i bukur i fjalës në netët pa gjumë
Rrugë me plepa e lisa të gjatë
Mall që më nerr në krah stinësh te mali i Thatë.

SA PLAGE KA KJO ENDERR
Sonte
Kur heshtja flet
Shpirtin trazojne legjendat
Pertej vetes e kerkon
Melodine e fyellit te shurdher
Srukur,trembur
Ne hijen e shpirtit tend
Endrra ime
Mbet njolle ne strofe
Ike
Bashke me kengen e bilbilit
Pranvera ska ngjyra
Syte i kam me lot malli
E digjem zjarr
Dhembjen e ndrydha
Ne goten e mbushur vere
Rreshqiten ca pika lot
Lotin e pi ne fund te gotes
E qiellit i flas pa ze
Klithje
Pse hesht o vargu i im?!..

Prend BUZHALA:DEKALOG (SHKRIMOR) PËR GJERGJ KASTRIOTIN- SKËNDERBEUN


DEKALOG (SHKRIMOR)
PËR GJERGJ KASTRIOTIN- SKËNDERBEUN, HERO KOMBËTAR
(Nën shenjën e VITIT TË GJERGJ KASTRIOTIT, ese), 3
1.
Kujtesa popullore ndër shekuj e ka ruajtur emrin e tij si simbol harmonie, uniteti dhe guximi, si shenjë mbrojtëse të etnisë, të shqiptarisë. Prandaj janë krijuar nga kjo kujtesë popullore edhe gojëdhëna, tregime e këngë popullore, pa dallim feje. Madje, figura e tij, pa dallim feje, është trajtuar nga shkrimtarët e të gjitha trojeve, e jashtë tyre, si te arbëreshët e Italisë.
2.
Në ushtrinë e tij Skënderbeu kishte luftëtarë të besimit të krishterë, katolikë e ortodoksë, si dhe të besimit mysliman. Mysliman ishte vetë Skënderbeu dhe nipi i tij, Hamzai. Të gjitha dëshmitë e kohës flasin për Familjen Kastrioti (të Gjon Kastriotit), si simbol e shembull të unitetit arbëror-kombëtar (le të themi: etnik, pra), ku fëmijët e pjesëtarët e familjes së tij kishin emra katolikë, ortodoksë, myslimanë. Kurse ambasadorë në vendet e shtetet katolike, ai dërgonte edhe arbërorë ortodoksë. Si shembull i kësaj harmonie, ai ruajti emrin e krishterë (Gjergj) dhe emrin me prejardhje myslimane (Skënderbe) për ta ruajtur unitetin arbëror të popullit të tij. Do theksuar se te shembulli i unitetit e harmonisë etnike, popullore (e kombëtare) arbërore, ai përfshinte edhe pjesët jashtë shtetit të tij (si arbërorët e islamizuar në pjesë të madhe kah Manastiri)...
3.
Mendohet se emërtimi SHQIPE ishte i kohëve të lashta dhe i ruajtur në FLAMURIN TRADICIONAL ilir-arbëror-shqiptar. Vetë Konstandini i Madh e kishte këtë flamur, për të cilin thoshte se e kishte trashëguar nga Pirroja. Shqipja dykrenore, është simbol antik, pra simbol i lashtësisë dhe i trashëguar nga arbrit (Flamuri i përdorur nga Pirroja). Mjafton të lexohet Fjalimi i Skënderbeut kur arrit në Krujë (nga Barleti, nga Noli e nga gjithë historianët), ku nuk mban një Fjalim Fetar (sikur të kishte qenë ashtu, atëherë Barleti prift do ta kishte shënuar me devotshmëri). Por, në përfundim të Fjalimit përmendet së pari fjala FLAMUR e mandej vjen fjala Perëndi: "Ngrehni pra flamurin përpara, dhe rrëfehuni burra si ngahera. Perëndia, si gjer tani, ashtu edhe paskëtaj, do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë. O Burrani!" (Përkthimi i Nolit). Këtë flamur e trashëgoi Skënderbeu prej ilirëve. As në kohën e Konstandinit nuk ka pasur Bizant,sepse Konstandini i Madh e ka konsideruar veten perandor romak, sado që Konstandini e formoi Konstandinopojën si qendër të veten (emrin e tij e ruan Stambolli i sotëm, se fjala Stamboll nuk është fjalë turke dhe sepse Stambolli kurrë nuk ka qenë qytet otoman e turk, i cili u pushtua pas ardhjes së Skënderbeut në Krujë). Kujtesën për flamurin ilir-arbëror-shqiptar nuk arritën ta zbehin asnjë perandori, madje as perandoria otomane. Studiuesi Jaho Brahaj dëshmitë e para të hyjnizimit të shqiponjës dykrenore tek paraardhësit tanë, i sheh tek dëshmitë arkeologjike të truallit pellasgo-ilir, tek qerret hyjnore, të cilat i tërhiqnin shpendët të dokumentuara që në shk VI para Jezu Krishtit. Këtë e dëshmon edhe ilirologu me famë evropiane, arbëreshi kroat Aleksandër Stipqeviq, tek vepra e tij “Ilirët: historia, jeta, kultura, simbolet e kultit”(Prishtinë 1990). Kulti i Shqiponjës dykrenore është ruajtur edhe në tregimet kozmogonike, sikundër janë përrallat shqiptare me tematikë mitike “Tri jetët”, ku personazhi depërton në botën e poshtme, në këtë reale e në atë të lartën dhe ku veprimin e bartjes së personazhit nëpër jetë e përtej-jetë, e kryen shqiponja mitike (sipas Jaho Brahajt).
4.
Skënderbeu, me një vetëdije të fortë autoktone-etnike, u ngrit mbi dallimet fetare. Vetë Perandoria otomane kishte përbërje fetare të ndryshme (vasalët e krishterë bizantinë e sllavë në kuadër të Perandorisë otomane, që luftonin kundër Skënderbeut). Dihet se aleatët më të ngushtë të sulltanëve otomanë ishin krerët e kishave greke e e sllave, mbasi gëzonin privilegje e të drejta juridike, financiare e fetare nga sulltanët.
5.
Skënderbeu ka luftuar edhe kundër ushtrive të krishtera, në mbrojtje të interesave nacionale të Arbrit. (Të mos harrojmë: nocionin NATIO, NACION, NACIONAL e përdor edhe Barleti te “Historia e tij, kurse përkthimet shqip te “Historia...” jepen me termin që nisi të përdorej në shek XIX: komb). Kështu,në vitet 1447-1448 ai luftoi kundër ushtrive veneciane dhe më 1460-1461 kundër trupave të princit të Tarantit në Italinë e Jugut.
6.
Prandaj, për shkak të vizionit të tij UNIK HSITORIK, ai mbetet figura më përfaqësuese shqiptare... para të cilës përkulen kombet, shtetet, personalitetet ushtarake, intelektuale etj.
7.
Vula e Skënderbeut: nuk ka simbole fetare, por është e mbështetur në traditën autoktone iliro-pellazge-arbërore. Edhe simbolet tjera të shtetit të Skënderbeut, janë të mbështetura në këtë traditë. Shqipja dykrenore, është simbol antik, pra simbol i lashtësisë dhe i trashëguar nga arbrit (Flamuri i përdorur nga Pirroja). Ylli me tetë e me gjashtë cepa është simbol i diellit (simbol ilir a i besimit ilir). Vetë Fan Noli e dëshmon këtë, kur shkruan te Historia e tij për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, ashtu sikundër e sintetizon këtë tek vargjet e tij proverbiale (poezia "Hymn i Flamurit").
Skënderbeu kishte një vetëdije të fortë autoktone për lashtësinë (shih edhe simbolet te përkrenarja e tij)...
8.
Edhe në vula e shkresa zyrtare , në letrat e kancelarive të huaja që i janë drejtuar atij si kryetar i shtetit arbëror/shqiptar, haset titulli zyrtar i Skënderbeut: “Zot i Arbërisë" (Dominus Albaniae)”, Arbëria është emër etnik shqiptar e shtetëror e jo emër fetar, sado që Perandoria otomane arbërorët i identifikoi me krishterimin...
9.
Gjergj Fishta thotë: “…Skanderbegu me at trimni e rreptsi me t’cilen luftoj kundra turqve, qi ishin mysliman, luftoj edhe kundra venedikasve qi ishin t’krishtenë. Prandej t’gjith shqyptarët e vërtetë, pa ndërlikim partiet e besimit, do ta nderojnë Skanderbegun si nji fatos t’komit e do t’u bahet nam me kremtue emnin e punët e tij. Skanderbegu asht ideali i liris e i pavarsis s’Shqypnis”.
10.
Koncepti për heroin, në CIVILIZIMIN EVROPIAN, ka traditën e vet të përdorimit (ndryshe se ç’e trajtojnë këtë koncept vendet e Lindjes që qëndron krejtësisht i ndryshëm e që krijon moskuptime). Feja nuk ka nevojë për heronj dhe nuk shpall heronj. Në frymën e konceptit antik, evropian, kombëtar dhe modern, Skënderbeu është hero kombëtar.

Zija Çela: FLUTURIMI I DYTE


Kur u hap fjala se babë e bir, Ikari dhe Dedali, do të fluturonin mbi qiellin e qytetit të tyre, shumë athinas morën rrugën drejt kodrës së Akropolit. Pikërisht atje do të ishte baza e nisjes. Fakti që fluturuesit kishin dështuar në Kretë herën e parë, e rriste më tepër turmën dhe emocionet. Si banor i Tokës dhe gjallesë këmbësore, ndryshe nga shpendët, dukej se njeriut i qe mohuar Qielli përgjithmonë.
Sidoqoftë besimi tek Ikari, miku besnik i Platonit dhe nxënësi i hershëm i Sokratit, nuk mungonte. Në qytet ende kujtohej si ishte shprehur njëherë Sokrati rebel: “Do të vijë koha kur Ikari ka për të ditur vetëm një gjë, atë që s’di asgjë. Por atëherë ai do të jetë bërë krijues i Të Vërtetave.” Kështu që sfidën dhe shpirtin e lirë, me gjasë, i kishte të rrënjosura qysh në rini.
Por sa dhe si do të përballej me rrezikun Dedali, djali që tashmë ishte në moshën e dikurshme të babait? Dhe, sidomos, do të ndikonte tek ai përvoja e hidhur e provës së shkuar? Kureshtarët më të mëdhenj, siç pritej, ishin ata që e kishin përfunduar gjimnazin me Dedalin, por edhe ata që ende venin në gjimnaz. Kurse vetë i ati, sado bluante përbrenda, nga jashtë nuk jepte shenja mëdyshjesh.
Veçse në çastet që po lidhnin krahët pas trupit, Ikarit i zuri syri një grup djemsh që flisnin të nxehur, duke bërë gjeste me këmbë e me duar. Për çfarë kishte hyrë grindja ndërmjet tyre? Përderisa me ta ishte edhe Kritobuli, kushëriri dhe bashkëmoshatari i të birit, ndoshta më vonë do ta mësonte përse ishin përçarë. Ndërsa, aty për aty, Ikari mendoi se djemtë po vinin baste. Ndoshta gjithë kundërshtitë me njëri-tjetrin i kishin për strukturën e krahëve dhe teknikat e lëvizjes në ajër. Por tashmë ai nuk kishte kohë t’u jepte sqarime të tilla. Bashkë me të birin ishin në vijën e nisjes dhe do t’u duhej të merrnin vrull për fluturimin.
Kur u shkëputën nga trualli, në fillim ndjenë një boshllëk në stomak. Por duke vënë në punë muskujt e fortë të shpatullave, e fituan shpejt ekuilibrin në pozicionin horizontal. Sa qartë po u zbulohej qyteti tani me atë vargun e kodrave, që i vinin rreth e qark. Veçse për pamjen asnjëra s’i afrohej kodrës së Akropolit, ku ishte ndërtuar Partenoni, vepër e skulptorëve Itkini e Kalikrati, të cilët ishin dënuar më pas për abuzime me fondet. Fluturuesit guximtarë i ranë rrotull Tempullit të Virgjëreshës, duke soditur grupet e statujave mbi fronotonet. Atje spikaste figura e Perëndeshës Atena, emrin e së cilës mbante qyteti, një skulpturë e punuar në ar e fildish nga Fidia i famshëm. Ndërsa njerëzit i ndiqnin nga poshtë, duke treguar me gisht herë njërin e herë tjetrin, atë e bir dukej sikur komunikonin atje sipër, sepse largësia që i ndante mbetej thuajse e pandryshueshme. Natyrisht, nuk kishin radio, por kishin disiplinë dhe intuitë për rrymat e ajrit. E këto i vinin në shërbim të itinerarit, që kishin caktuar paraprakisht për fluturimin.
Mirëpo kur Ikari u nis drejt Mureve të Gjata, që dikur e kishin bërë Athinën të barabartë ushtarakisht me Spartën, Dedali pati një shmangie. Duke shtuar ritmin e krahëve, mori përpjetë qiellit, çka e detyroi të atin të kthehej me një merak në zemër, sepse pikërisht lartësia u kishte sjellë aksidentin në sprovën e Kretës. Ai fluturim kishte qenë një shpikje nga nevoja. Mbreti Minos i pati izoluar atëherë në labirintin, që ishte ngritur për përbindëshin Minotaur. Në ato rrethana ngujimi, Ikari thuri krahë prej puplash dhe fluturoi me djalin për t’u arratisur. Por ky u ngrit aq lart, sa pastaj ra në det.
Dy ishin versionet që qarkullonin për shkakun. Disa thoshin se, meqë ngjitja e puplave ishte bërë me dyllë, brumi i tij kishte shkrirë nga dielli dhe flatrat ishin shprishur. Por Poseidoni, perëndia e detit, mendonte ndryshe. Sipas tij nuk kishte qenë ndonjë pakënaqësi e Heliosit, por e Zeusit: “Ti, mor dykëmbësh mjeran, ti ke paturpësinë të rrekesh për t’u ngritur në lartësinë e fronit tim?!” Dhe në qiell të thatë, nga zemërimi për shpërfilljen, i goditi flatrat e djalit me një degë rrufeje. Mirëpo në atë kohë Poseidoni kishte pasur konflikt me vëllain e tij, Zeusin fuqiplotë, që sundonte si satrap mbi majën e Olimpit. Prandaj në mbretërinë e vet i doli kundër, duke ua shpëtuar jetën dy fluturuesve, njëri prej të cilëve kishte rënë në det dhe tjetri ishte ulur ndanë tij.
Sapo u bashkua me të birin dhe ia vëzhgoi krahët, Ikari u qetësua. E gjeti teksa fluturonte nën një re të bardhë, që kushedi ku e kishte zbrazur shiun dhe tani lëshonte vetëm hije. Atij iu kujtua vetvetiu trimi Leonidha që, në krye të treqind spartanëve të tij, kishte ndalur mijëra persë në Grykën e Termopileve. Dhe kur pushtuesit e kërcënuan se do t’i lëshonin sipër stuhitë e shigjetave, ai u përgjigj: “E po më mirë ahere, do të luftojmë në hije!” Pastaj, duke fluturuar drejt detit për t’i shfaqur nderim Poseidonit, atë e bir kujtuan burra të tjerë legjendarë. Muret e Gjata u sollën ndër mend mençurinë e Themistokliut, që kishte ngulmuar për fortifikimin e qytetit-shtet, ndërsa ikja nga labirinti u kujtoi lavdinë e Tezeut, heroit të Atikës, që vrau përbindëshin Minotaur.
Në kthim ata fluturuan përsëri thuajse paralel. Sa shumë do të kënaqej Platoni, sikur të ndodhej në Athinë, duke i parë së bashku atje lart! Por Ikari ia kishte kursyer mikut emocionet e rrezikut. Ndaj kohën për fluturim e zgjodhi kur mungonte filozofi, mësuesi i madh i të birit, i cili kishte vajtur në Sirakuzë. Por edhe pa këtë akt guximi, çfarë kishte dashur të thoshte për dishepullin e tij, Platoni e kishte thënë tashmë. Një ditë, teksa dilte nga Akademia që vetë e kishte themeluar, disa të rinj e kishin provokuar me fjalë cytëse për Dedalin. “Mos harroni, djem gazmorë”, u kishte thënë filozofi, “përparimi arrihet shkallë-shkallë. Dedalit nuk i mungojnë Virtytet dhe këto mund ta çojnë te Njohja.” Të dilte nga goja e Platonit kjo lavdëratë për një bashkëmoshatarin e tyre, sidomos binomi Virtyt dhe Njohje, ishte diçka e pazakontë. Prandaj pati mes të rinjve nga ata që u galduan, nga ata që vetëm u gëlltitën, si dhe nga ata që njëkohësisht u gëlltitën dhe u zverdhën në fytyrë.
Ndërsa i afroheshin bazës, prej ku qenë nisur dhe turma po gjallërohej, papritur Ikarit iu ringjall dyshimi brejtës. Atij iu duk se nga njëri krah i Dedalit, dhe pikërisht nga pjesa e brendshme, kullonte një bulë lëngu si të ishte pikë shiu. Po përjetonte një fanepsje apo ndonjë paralajmërim të kobshëm? Mos po fluturonin shkëndija nga Qerrja e Diellit, duke u përhapur deri aty? Ku kishte gabuar në konstruktim?
Ai u ngjit më lart dhe, kur i bëri atij krahu një kontroll nga sipër, asgjë të gabuar nuk vërejti. Për t’i mbrojtur rrënjët e puplave, përveç dyllit, kësaj here kishte përdorur rrëshirë, ngjitës nga zhardhokë bimorë, fije shtrënguese liri, si dhe ca balestra të lehta prej kallami kundër nxehtësisë. Por as Qerrja nuk tregonte ndonjë trazim tani, përkundrazi, Heliosi sikur u buzëqeshte me dashamirësi. E kjo do të thoshte se perëndia e Diellit po mbante anën e tyre, duke ia lënë në dorë Zeusit vendimin për fatin e mëtejshëm.
Mirëpo babë e bir e kishin paramenduar edhe blatimin për Zeusin. Për nder të tij, ata do ta mbyllnin fluturimin duke i rënë tri herë kryq e tërthor asaj hapësire të Partenonit, që binte në drejtim të Olimpit, malit të shenjtë. Aso kohe të tilla ishin marrëdhëniet me zotat, secili prej tyre kërkonte përkushtim të plotë nga njerëzit e zakonshëm, por pa i dhënë askujt siguri si do të silleshin ndaj tij.
Kur arritën mbi kodër dhe po merrnin kthesën e parë nga e djathta, bashkë me përvijimet e relievit u bënë më të dukshëm edhe qytetarët. Për t’u shprehur ngazëllimin dhe mirënjohjen e tyre, disa kishin nisur të brohorisnin. Më të papërmbajturit kishin flakur pelerinat dhe kërcenin pupthi, si të donin t’i arrinin. Ikari ia doli të dallonte entuziastët. Madje pikasi edhe grupin e djemve që, për nga gjestet kundërthënëse, dukeshin gjithnjë të përçarë. Atij i erdhi keq që ishte nisur pa ua plotësuar dëshirën, pra, pa u folur për strukturën e krahëve dhe teknikën e fluturimit. Por mendimet iu ndërprenë befasisht dhe të gjitha shqisat i përqendroi te vëzhgimi i Dedalit. Jo, tani nuk mund të flitej më për dyshime. As për fanepsje, të cilat zgjasin një çast dhe pastaj vjen kthjellimi. Tani kishte bindjen se nga flatrat e të birit kullonin sumbulla të lëngshme, që dendësoheshin vazhdimisht.
Çfarë po ndodhte, ku qëndronte e keqja?! Ç’mund të ishte ky kërcënim po aq idhnak, sa rrufeja e Zeusit dhe krateri i Heliosit?! Sado pyeste veten, Ikari s’po arrinte të përgjigjej. Tashmë i dukej se vetë bota ishte kthyer përmbys, sepse në vend që rrezatimi të vinte nga lart-poshtë, po vinte nga poshtë-lart. Atij i bëhej se herë-herë vizëllonin në ajër ca rreze që, duke ardhur nga toka, i godisnin flatrat e të birit drejt e në faqet e brendshme. Ishin të holla, të shpejta, të verdha e të kuqe njëherësh, përvëluese si flaka në mish.
“Ç’furrë i lëshon?”, pyeti veten përsëri, “ku është burimi i tyre?”
Mirëpo as Ikari ngadhënjyes, krijuesi i së Vërtetës se njeriu mund të fluturojë, nuk po e zbulonte dot burimin e fshehtë. Turma ndoshta ende s’e kishte nuhatur rrezikun, ndërsa djemtë as që i hidhnin më atij ndonjë vështrim. Sytë e tyre ishin ngulitur vetëm te Dedali.
Duke dashur t’ia ndërpriste fluturimin, Ikari i thirri të birit që të zbriste me urgjencë. Pastaj, ngaqë rrymat e ajrit e pengonin dëgjimin, ia përsëriti thirrjen dhe bëri t’i afrohej, për ta mbrojtur nga poshtë me trupin e tij... Por çasti fatal kishte mbërritur. Flatrat e dobësuara u shkërmoqën dhe honi i boshllëkut e përpiu Dedalin.
Sa të tmerrshme e të pafundme iu dukën ato çaste të atit. E kishte të pamundur ta shkurtonte kohën e uljes, duke i mbledhur krahët ngjashëm me skifterin, që bie pingulthi si të jetë gur. Për të humbur lartësi, atij iu deshën rrotullimet spirale të lejlekut, siç i quante vetë. Megjithatë, kur preku tokën, flatrat që e kishin mbajtur lart, e penguan të ecte. Atëherë, për ta ndihmuar, iu afruan disa djem që ose e kishin kryer, ose ndiqnin ende gjimnazin. Mes tyre njohu bashkëmoshtarë e shokë të të birit, por iu drejtua kushëririt që vrapoi me të parët:
“Kritobul, përse po vinit baste ju?”
“Sepse kishte ziliqarë që ishin kundër Dedalit. Vunë baste për të mësuar se deri ku mund të arrijë fuqia e smirës.”
“Kjo fuqi e zezë mund të arrijë deri atje, sa të vrasë edhe njerëz!”, ia ktheu i dërmuar Ikari.
Nuk priti t’ia jepnin lajmin të tjerët. Tashmë ishte i bindur se i biri kishte ndërruar jetë. Dhe askush s’mund ta ndryshonte të vërtetën, hovja e dytë e Dedalit aty ishte ndërprerë përgjithmonë.
Ndërsa Ikari thonë se vazhdon të fluturojë edhe sot e kësaj dite. Jo vetëm me avionët e udhëtarëve, ku ndodhem unë, por edhe me anijet kozmike. Veçse zemërgjerët shtojnë se fluturon bashkë me kujtimin e të birit.

Kujtim Stojku: PARA BUSTIT TË ISMET JASHARIT



Poemë
Qëndroj i heshtur duke dëgjuar veteranin
Që fliste i qetë me atë zërin e ëmbël të tij
Më pas zëri iu dridh,mbi shtatore vështrimin ndali
Filloi t’ shpjegojë me sytë që i flakërijnë.
Fliste me zë t’dridhur, një peshë t’rëndë kishte n’shpirt
Vitet mbi supe shpinën ia kishin kërrusur
Aromë baroti akoma kishte në çdo thinjë
Nën qepalla si hije i vallëzonte ëndrra e bukur.
Më pas zëri i tij oshëtiu si bubëllimë
Kjo tha është shtatorja e patriotit dhe luftëtarit
E këtij heroi që për atdhe ra e u bë fli
Sot është dëshmor i atdheut ky bir i shqiptarit.
Si ushtar bësnik e kreu shërbimin, për atdhe jetën dha
E nderojmë therorinë që bëri mbi varrin e tij
I griu armiqtë duke bërë hata
E ju duhet ta mbani mend derisa të plakeni
Sakrificën e tij do t’ua tregoni brezave që vijnë pas jush
Ashtu siç e shpjegoj unë tani, shërbimin që i bëri vatanit
Nëse s’do ta kujtoni ai do të humbë
Ajka e atdheut sot pushon i qetë tek varri
Ai s’kishte ç’të jepte më shumë se jetën
Që t’bashkoheshin trojet shqiptare, e t’ishin të lirë
Duke vuajtur nën plagët e vdekjes
Dha shpirt ky dëshmorë, një luftëtar patriotik.
Tashmë që ka rënë ai qëndron si shtizë flamuri
Shtrirë n’shtratin e dheut, shpirti i njomur me vesë
Ndërsa gënjeshtra si me plor lëron pluhurin
Eshtrat mbuluar me dhe rënkojnë thellë.
Kur predhat këpusnin barin duke mbjellë vdekjen
Lakoheshin mbi tokë duke shpërthyer veten
E tashmë dihet, vdekja me gjallëri firmosi
Shpirti braktis trupin, ai si meteor n’mes yjeve shkëlqen.
.........
Më prisni mua se një ditë do të kthehem
Më prisni me gjithçka keni në zemër
Edhe kur prej qiellit do të bjerë shi i verdhë
Edhe kur dëbora do t’hidhet e nxehur nga retë.
Kur kryet do t’ktheni ndaj nxehtësisë si saç
Kur ditët e kaluara t’hidhura do të harrohen
E sipas qefeve të tyre të tjerët me çdo gjë kanë me u marrë
S’do t’pyesin nëse gjallë a vdekur do të kthehen,e jetës do t’i gëzohen
Le të mbajmë ca minuta heshtje, vëllezër
Për të gjithë ata që ranë për liri
T’i nderojmë këta dëshmorë që për atdhe lanë emër,
E luftuan rreptë për të madhin bashkim.
Të gjithë rrinin e vështronin për tokë
Duke kujtuar ato ditë të mëdha
Për shokët e rënë dëshmorë
Kur gjokset e tyre mbusheshin zjarr
E deri n’asht hakmarrja u valon.
Por barabarët i zu tmerri
Anembanë kur kushtrimi u dha
Me i këput prangat me dalë prej territ
Dhe lirinë me gjak me e la.
Me e coptuar kërbaçin e barbarit
Që pamëshirë binte mbi vëllezërit shqiptar
Si shqiponjë n’atëdhe u kthye Ismet Jashari
Shkulma shkulma n’gjoks idhnia i vinte me dallgë.
..........
Tashmë, Ismet Jashari na rri për karshi
Me ballë të hijëshëm prej luftaraku
I derdhur në bronz na sheh me synë e tij
Që iu stolis me lule gjaku.
Ti flet për rrugët e U, Ç. K...së
N’male, shtigje, gryka e pyje
Për vendlindjen tënde n’Orizare
Që biri i saj më gjallë s’u kthye.
Pasi n’heshtje qëndruam disa minuta
Shokët e idealit flasin për karshi
Janë brezi i hekurt që dha lufta
Dhëmb për dhëmb kacafytur me shkjaun e zi.
Nëpër mjegull malet seç i zgjoi pushka
Dridheshin pyjet nga sokëllima e luftëtarit
Një çast mbi ta ndali vështrimin shqiponja
Nga urrejtia dhëmbët u kërcisnin si stralli.
Si lule plagë më plagë se ç’të doli gjaku
Me ngjyrë të kuqe alle flamuri qëndisur
Vlonte liria, fole rënçim kështu
Breshërimë plumbat t’u mblodhën brenda
Ngrihu,shkëlqen si qelq syri yt i ndritur.
Sot çiftelisë po i skuqen telat
Kënga pëshpërin prej gjoksesh, shkulmon
Lahuta lëshon piskamë nëpër hone të thella
Mbulon me lavdi ata që ranë si heronj.
Ra Ademi, Iliazi, Fehmi Lladrovci e Antigona
Vëllezër qëndroni sa më fort
Ta shporrim shkjahun nga trojet tona
Se mjaft e njomëm tokën me lot....
Por si prushi sot përvëlon kënga jote
Shpuzë në ballë armiqëve u djeg dhe sot
E ti në mes t’këngës vetëm lartësohesh
Duke mbetur n’mes nesh i gjallë përgjithmonë.
Ishe ti që nga liria u zgjove i pari
Malet dhe luginat nga krismat gjëmojnë dhe sot
Para mbi ta, sokëllin Ismet Jashari
Oh, moj lule stralli, hapi ushtarak po kumbon.
......
Hap pas hapi s’iu ndave barbarit
S’dinin ku t’futeshin, për ta ishe tmerr
Qiellin e shihje me ngjyrë jargavani
Sytë e tu shkreptimat e lirisë pas i lenë.
Trimat varret gjithmone i kanë të mëdha
Të çlodhen sytë në hapsirën e gjërë
Mbi krye të varet dielli or komandant
E ti qëndron gjithë hijeshi si trëndafil i prerë.
Ne për ty prej shpirtit sot këndojmë
Këngën e luftës, muzikë që midis yjesh ndihet
Një këngë trimash ikën tutje gjithë erë barot
Një lahutë të vjen e të rri varur mbi krye.
Nga thirrjet e tua dheu plasaritet
Thua se do të ngrihesh e do t’shkosh me shokë
Me dorën tënde do t’ngresh flamurin të valvitet
Prej betimit luftarak edhe sot malet jehojnë...
Tiranë 03.01. 2018