Monday, March 23, 2020

Dy poezi nga Namik SELMANI

Lutem për ty, kombi im!

Lutem për ty, kombi im
Ani se diellin duan të ma fshehin retë
Ani se shumë herë pemët mbeten pa vjelë
Ani se fushat nuk kanë bujq për të mbjellë.

Ani se odat duan mentarë të tjerë në tryezë.
Lutem për ty, kombi im..
Me vargun që brishtëzohet në qiejt e hirnosur
Me dritën që shpesh mungon mes sofrës.
Me lotë që pikojnë qerpikëve të lodhur.
Lutem për ty, kombi im
Për netët ku jastëku ndahet te shtrati.
Për djersën që rrjedh si përrua te balli.
Për hapin e hedhur në tokën e çarë
Për bukën e furrës më dysh e ndarë.
Lutem për ty, kombi im
E s’më mjafton jehona e këmbanave
E s’më mjaftojnë thirrjet e ezanëve.
As sytë e uritur për libra të fëmijëve
As urimet e nënave në pragjet me bekime..
Lutem për ty, kombi im
Me sytë nga Otrantoja ku çelin lulet e hedhura.
Me duhma tërmeti që hapin plagë në zemra.
E jo me tribunat ku sherrohet fjala
As me librat e mbushura dingaz me përralla.
Lutem për ty kombi im.
Për netët ku sytë janë të përgjumur.
Për traun e fundit që ka mbetur pa u shkulur
Për ngrohtësinë e syve në përcjellje agimi
Për petalimin që bën të riçelë trëndafili
Lutem për ty, kombi im
Lutem…


.Antikorona

Dy qepë të çara, ca speca, djathë e ullinj.
Ca shkarpa që ndizen nga çakmakë gazi
Dy vezë që zihen në xhezve pa bisht
Një çadër e vjetër mbajtur te litari.
Një shishe rakie e fortë nxirret nga sepete
Që s’di cila dorë një ditë aty e ka fshehur.
Në çantën e mbushur të josh një shishe vere
Një postiqe e madhe leshi nga delja e therur.
Atje nuk ka kompjuter, aipade e celularë .
As gazeta të blera te baraka pa xhama.
Po ka shumë dashuri dhe një puthje të rrallë .
Po ka ca fjalë –pëshpërima si purtekëza të arta.
Atje nuk frikë virusesh që vdekjen e ndjell.
As policë me maska, me bllok gjobash me vete
Është melodia e Cris Reas që duart t’i ndez.
Dhe gurët të duken si kolltukët me salltanete.
Aty çakmaku i zemrës djeg njëqind virusë
Për atë fitore beteje do të ndaj kurora dafine
Në djall vafshin lajmet që të lënë pa gjumë
Para përkëdheljes tënde si fërfëllimë lumturie!
Dhe lumi rrjedh, dhe gjethet era e pranverës i tund
Dhe vera shijohet në buzë si në herën e parë .
Mos vallë u gjet ilaçi i Koronës më në fund?
Apo mos nisi shtegtimin një jetë e paparë ??!!

Namik SELMANI: Kur shoh djalin që rritet.


Urime per Oltionin

U rrit djali im E unë mbeta para tij si gur kështjelle a mollë e pjekur
Mbi hapat e tij
ujëvarat ndalen të tregojnë stërkalat, hiret
si detet e thinjur
ia prekim valëzimin e shpirtit të tij të praruar
e nesër për të
thurim ëndrrën më të bukur se në rininë tonë në vite.


U rrit djali
Pa tymin e barutit
që donte të na thante petalet në lule
Mbeti e e do të mbesë
Dritë e agimeve që shpesh na mungonte në vitet e rrepta
Mes kaltërsisë së brigjeve
Që dikur donin të na e mbushnin me re si copa shtëllunge
Ne jetojmë me të
Lumturinë që mbetet si kurorë brezash me lule të freskëta,
U rrit djali
E u bë në sy ylbere të jetës që si ëndrrën e deshëm
U bë
Varkëtarë të gëzimt tonë disa herë të zjarrmuar
Dritë le t’i bëhet moti
Kur të çajë të brigje të tjerë në udhët e jetës
Dritë të re
Le të bjerë për të në shtigjet e ditës së pajetuar
U rrit
si lisa i padjegur djali ynë i mençur
U rrit si filiz i ri të tokës ëndërrimtare
Me të rinuam shpirti
e dëbuam thinjën në malin e jetës
ku asnjëherë nuk mungoi urimi për ditën flamurtare.

Thursday, March 5, 2020

VIKTORIA XHAKO (ZHORZH SAND) : DRIDHET SHKËLQIMI LOT


 (Fisnikut Milianov Kallupi) “

NATË TË ËMBËL!” 
 na the të gjithëve.
 Në buzët e zbehta u çel buzëqeshja. 
Derën plot dritë për rrugën e gjatë hape. 
Qerpikët tanë drithërueshëm i lagu vesa.

 “NATË TË ËMBËL!”
 shqiptove së fundi.
 Po dera pas teje nuk u mbyllka dot,
 Prej shpirtërores hapësirë të të dashurve të tu,
Në sytë e të cilëve dridhet shkëlqimi lot. 

 Së fundi,
 “LAMTUMIRË!”
 me buzët që nuk flisnin më Shtove, 
në pavetëdijen tënde të kaltër,
 Duke derdhur pik – pik në damarët tanë të dhimbjes Shijen, 
se do të mbetesh 
“Një rreze e bardhë” .

 E enjte 25 korrik 2013 ora 09:30 VIKTORIA XHAKO (ZHORZH SAND) "BUKË E HIDHUR" botuar në maj 2014

Sunday, March 1, 2020

Ylli GALINA: DERGJU, MALLKIM LULEHOLLË!



(Tanka portokalli)
1.
Vdis në kaq paqe të zez
o shpirt ç’kërkon ti atje
ku s’lëvrit krimbi mbi gjeth
vdis, mos kujto këngë e jetë
s’linde, veç për luftë tmerr!
2.
Zemër, shtog, përdredh ti
dhe brigjet e lumit sa kallp
që ikën jeta ku s’qe,
degët sllave me gomë Kine
si n’Nagorno- Karabakh!
3.
Sa thashë muzgun hi
e magji kurva e shenjtë
po vret, po vret, veç net
si pikturon frytet pa sy
apo pranverë tjetër di njeri?
4.
Kend s’ndihmon, atë,
kend,o atë, apo s’të thashë
ku gabova gdhirë n’jetë
të këndojë gëmushë shkret
si sukoresh kurban!
5.
Po ik si qershi
Nga sytë e poetit të shitur
se s’ka tjatër shi,
As diell ndryshe, Shqipëri
skllav ari i perëndimit.
6.
Kotec e qymez
lotë i falin kukullës
e tharku, stela e re
stemë, kaq sy-qymyrtë
oficerët magji kafetë.
7.
Çdo gjë bordel poezish
dhe jeta shitur me poetë,
cigarja bën myshkun,
akronime, klitorë e sy
himn kallp antiindivid.
8.
Shtatë oficerë
me urdhër qepe pillet
dashuri e sa letre,
vdisni siska, laps, gomë!
leckovina flamujsh marke!
9.
Perëndo, lindje,
mirr fund, iris-zi,
s’kemi ngjyra për qershi
rro, mbret e vdis vdekje
pellg magjistrati i ligë!
10.
Në grusht kënga nis të hënë
hëna nis punë në polici
ku kishe vendin përherë
poetët shitën kambanë
e pellgun ndeza cigar.
11.
Kaporal i vogël ha sytë
e kukullës së madhe
Shqipëria lind për soj qiejsh,
toka t’mos ketë gjuetarë
të kumarit: sutë e gomarë.
12.
Merkur e krom, ky gjak,
mbush pjatat mish shqiptar,
pa ha këtë muzg të prapë
si ëndrra letrën e kallpit
rashë në fundpus gjaku tim.
13.
Lot, ç’shite gjak shiu,
ra shumë vreshti privat,
nuk qenë lotë as gjaku im,
të rënët, të palindurit
akuzë varret për maskulitet.
14.
Lulehollë dergju-
im shpirt- dhe e shtrenjtë
dergju, im mallkim,
mëkat më t’madh për mua
si mundet të mos ketë?

Friday, February 14, 2020

VIKTORIA XHAKO (ZHORZH SAND): Cikli VALENTINIAN






S’DI PSE SYRI M’U PËRLOT    

Shën Valentin ishte ajo ditë.
Tre trëndafila më dhurove buzagaz:      
Për Shën Valentin, the, për ëndrrën tonë,
Dhe mëngjesin e kaltër që vjen më pas.
     
Por...  Shën Valentini e vodhi atë ëndërr,       
Në trastë e futi, e hodhi në krah.            
Në një udhëkryq qëndroi, u lodh,
Kishte ecur me hapa të mëdha.
     
... Dhe unë s’e di, pse syri m’u përlot...

E hënë 22 gusht 2011 ora 11:00
Botuar në maj 2012



KI MALL!...                                          

(Për Shën Valentinin e vetëm të jetës sime)                                                                                        

Ki mall për mua, i dashur,
Vend në ëndrrën tënde më bëj.
Ndieje krahun e  një zogu të mardhur,
Ti fli, po buzëqeshje dhuroji, të lehtë.

Ki mall për mua, i dashur,
Kur stinët njëra – tjetrën të përshëndesin,
E malet të shkundin dëborën e bardhë,
Ti zgjohu, për të pritur mëngjesin.

Ki mall për mua, i dashur,
Kur, mbushur prush me “lule violet”,
Deg’ e qershisë të prekë dritaren tënde,
Mes tyre shih fytyrën  time të zbehtë.

Ki mall për mua, i dashur,
Kur, nën blirët të shetisësh në behar,
Me aromat dehëse, të ngrohta të jetës,
Një puhizë timen, ti ndiej, si më parë...

I dashur, ki mall për mua!...

E diel 12 shkurt 2012 ora 11:00
Botuar në maj 2012



              A TROKITI?

A trokiti, i dashur, në portën tënde,
Shën Valentini ynë i vetëm?
Zhurmë hapash unë nuk dëgjoj këtu,
Po suferinë... dhe dëbora bie dendur.

Për ku vrapoj çdo orë, çdo ditë,
Në rrugët bosh, të nxira terri?
Ty nuk të shoh, nuk di ku je,
Apo janë llagëme Ferri?

Të zbehta, të verdha, anemike,
Që thyhen pas çdo hapi, hedhur?
Veç suferinë dëgjoj këtu,
Dhe ca dëborë bie dendur.

-Çfarë mund të bëj për ty?- të pyeta,
-Të më duash, të më duash,- the.
Dhe unë kështu, në jetët e mia,
Fort të dua, të dua me besë.

Degët e thata thyen suferina,
Më uturojnë vajtime shpirtrash,
Hapat, të afrohet, nuk ia dëgjoj, shenjtit.
E ndiej, do të vijnë ditë Shën Valentinësh.

E mërkurë 30 janar 2013 ora 15:30
Botuar në maj 2013



LOT MBI SHËN VALENTIN

   I preke yjet?
   Ku janë? Pyeti verbëria.

E dëgjove aromën e vrapit?
Ç’ngjyrë ka? Pyetën cungjet e këmbëve.

I puthe tingujt e muzikës?
Sa larg janë? Pyeti shurdhëria.

Qenke enigmë!
Të gjitha i ke në zemër.

Ku? Në zemrën e ngrirë?
Që derdh lot mbi  Shën Valentinin e vdekur?

E premte 14 shkurt 2014 ora 11:35
Botuar në maj 2014



        SHËN VALENTINI IM

Në gurin e bardhë të kilometrit infinit,
Në kthesën e shtegut me hyrje pa dalje,
Kokën kërrusur mbi gjoks një murg,
Nga xhepi i trishtimit nxjerr lulen e bardhë.

Kam frikë t’i flas. E prek në sup.
Sytë përhumbur fshehur i mban,
Dy petla trëndafili ai ia fal erës.
Të hesht, tmerr. Guxoj një fjalë:

Kujt ia dhurove petlat e vyshkura,
Të degë kalburit, rrënjë shkulurit trëndafil?
Koka, e rëndë, i varet mbi zemër,
Pëshpërit: jam i yti i vetëm shën Valentin!!!

Mbi gurin e bardhë të kilometrit infinit,
Pikëllimin trëndafil e preka me kujdes.
Lutem, i dashur, që bashkë me cicërimat,
Dora jote ta marrë nesër në mëngjes.

Kapërdije distancën e akullt të ankthit,
Semaforët e kuq pingulë të vetvetes, janë veç vesë,                            
Mos zbrit nga krahu i brishtë i asaj ëndrre të kaltër,
Mbamë dhe mua, të lutem, mbamë, të mos zbres...

Unë pres... pres...
                            Të pres...


        E premte 13 shkurt 2015 ora 11:00
        Botuar në maj 2015



Thursday, February 13, 2020

Namik SELMANI: Me rastin e ditëlindjes

Përvjetor

Mollëzat dridhen
Kur heq nga muri fleten me duar si prushi.
Vihen në radhë
Hapa. gëzime, fitore dhe shkronja.
Fëmijëria
Më vjen si në një film këtë ditë shkurti.
Më rizgjohet nëna
Tek më përkundëte me duart e njoma.

Ku
Ta gjej burimin e Mëhallës ta thaj si kreshnik?
Ku ta gjej babain
Ta gëzoj pak me vargun e pashkruar?
Kjo ditë
Më ka bërë rapsod i një kohe me vrullim.
Mbase
Një djalosh që diku në livadhe plisin e bardhë ka harruar.
Më zgjohen pengjet
Lotët,
Pa kakarisje këndezi
E më bëjnë udhëtar
Që kujton ditët e largëta të tretura.
Kur dielli më puth
E qielli shiun në supe ma derdhi
Më duhet të ecja
Të vrapoja mes gurëve ndër thepa.
Kjo ditë
Vërtet po më deh me musht kujtimesh
E fjala më ngec
Si hala e peshkut të lumit.
Jastëkët e shtratit
Sikur mbushen me gjëmbacët e vendlindjes.
E me japin gezimin e pafund.
Jam bërë anije
Në këtë ditë me kaq tinguj jete
Ku
Janë shtuar këshilltarët e ylberet e ëndrrës.
Na bënë filozofë
Në kërkim të një të vërtete
Na bënë prijatar
Që duan të sjellim ditëve porositë e nënës.
Brenda fëmijërisë
Dhe gjyshërimit ngrej ura të larta vitesh.
Si një arkitekt
Që jeta i dhe ca diploma të reja
Ooo,
Ç ’qënka kjo ditë me aromën e vendlindjes.
Ku
Ti kërkon një busull magjike të fshehur në zemra.

Wednesday, February 5, 2020

Bajran DABISHEVCI: NË TIRANË S’VIJ TË SHOH DJEGJE SHTRIGASH



Nuk do vjen maji i luleve, kjo shtëpi po kalbet nga brenda tetorit të saj. As dritaret s’di që kandisin e më presin mua,
pse pranverës i ndjej thonjtë, s’janë ata që mund të njoh.
As duart, si çengela, në cilën zemër do ngulen?
Lakmia e dilema, orën e mugët mbajnë shpirt!

Lermëni të mbetem ushqim lulesh në fushë betejë,
se mes veprash pa shpirt, - të vdekur lexuesit, autorët.
Heshtja do mbes murg, të ndajë falas akullore me retë -
qumësht e miklimet - flokë xhamash. Por u thyen të gjitha,
ikën e mizoria - dashuri që shkel e futet me rropamë!
Brirthë kërmilli di bullën e muzave, vulos kokat e reja
të kalbura shumë, thuase elbarozë s’paska kund Shqipëria,
dinjitetin të rrisë Svetozar Vukmanoviq, si dhjamë derri
në Tiranë që nis ndërresë të natës: - pill, Tiranë, poetë, pill,
kur kokakrimbat mbajnë hyjnore dhe hortenset e lashta!
Si s’ke parë lulekurvat të ujiten nga trishtilët nevrikë?
Mallëngjim qielli me baltë mendjeje të lirë që lejleku ik
e Mjeden tim policët më këputën, se retë janë plagët,
po gjaku është vargu i vrarë: - Poezi, sytë e pranverës
s’i jap asnjëherë, edhe po i shpikën 1000 herë shqiptarët!