Tuesday, July 21, 2020
Prend BUZHALA: TRIPTIK: E BUKURA, MBRETËRESHË E FRYMËZIMIT
(Kundrime eseistike), 20

Sa shumë frymëzime gjejnë krijuesit për të bukurën! Sinonimin e të bukurës nëpër vargje e gjejnë kudo. Të bukurën e personifikojnë me qëllimet e me idealet në jetë. E bukura bëhet mbretëreshë e frymëzimeve dhe e mendjes.
1.
Shtegtimi i një pike, lot i resë në qiell (metaforë e bukur), nis nga lart, zbret në tokë, në gjirin e jetës e të natyrës. Kalon në lumë (simbol lëvizjeje e kujtimi, i jetës që rrjedh...) e, së andejmi, në det (simbol dashurie, thellësie, misteri... të pathënash, simbol i shkrirjes në tërësinë, në të bërët NJË ME DASHURINË personale, intime a nacionale...nuk ka rëndësi, e rëndësishme është se NJË BËHET DASHURIA). Populli thotë "Bane të mirën e hidhe në det"...A humbet ajo e mirë e hedhur në det? Jo, thotë populli, e gjen kur ti s'e pret në çastin më të vështirë e më dramatik...
A humbet ajo pikë në det? Jo, na thotë poeti, sepse je në kërkim të lumturisë dhe dashurisë...
2.
Lirizmi meditativ dhe, kund e kund, edhe simbolik, përbën vlerat thelbore të këndimit poetik. Ai përhapet e shtrihet që nga legjenda e miti, të thadruara në të vërtetat tona ekzistenciale aq padukshëm e aq pranë nesh...dhe vazhdon rrugëtimin observues me dashurinë, me të rënët, rrugët... Porse ky lirizëm nuk mbështetet në konstruktin irracional të thënies surrealiste, por në formën klasike të racionalitetit të thënies...dhe kjo përbën një vlerë tjetër...
3.
Po e lexojmë Trungun si simbol etnik. Herën tjetër vlera -simbolike e trungut është edhe universale (mund të jetë trung i huaj...)...Kurse këtu lexojmë edhe një identifikim me qenien tonë të kulturës materiale e shpirtërore nëpër mileniume e kohë: rrënjët janë lashtësia jonë, autoktonia jonë, shpirti ynë ilir-arbëror-shqiptar (europerëndimor). Prandaj s’është habi pse nën ndikimin e pushtuesve të ndryshëm që na mbollën mënyra të tjera të jetesës, mendësi të tjera, kode kanune e kulturë atdhemohuese, na shartuan degë të tjera, të huaja, na ngritën mure me të kaluarën tonë e me vlerat e përbashkëta evropiane...dhe këto mure as sot nuk po mund t'i shembim e t'i kapërcejmë...
Te një poezi shfaqet Kopshtari, i cili dikur është TJETËRSUAR; ai tashmë ka qenë i ndëgjegjshëm se nga cila rrënjë, burime e degë bëhen shartime... E pra, le të themi se gjithçka ishte një aventure çorientuese, një aksident historik, sepse ti mbetesh AI QË JE...Rrënja nuk ka hequr dorë prej teje...nuk të lëshon të shkëputesh...se do të thahesh (në vlerat e identitetit tënd kombëtar e njerëzor)...
(20 korrik 2020)
Sunday, July 19, 2020
Grigor JOVANI: Cikli poetik "Buka e Verës"
Përshkova botën,
për të mbërritur
tek deti.
Me fat
shpirti im,
çfarë parajse gjeti!
Mëngjese me ajër
të kondinsionuar
mali.
Mesdite të diellta,
kur luajnë violinë
gjinkallat,
pa partitura,
ku të dali.
Dhe mbrëmjet,
oh mbrëmjet!
Në amfiteatrin e malit,
jep koncertin e erës,
Orkestra Sinfonike e Shtetit.
Mesnatave s’fle.
Bëj dashuri
mbi fildishin e detit.
PYLL I PA PLANIFIKUAR
Dashuria që mbollëm bashkë,
nuk u bë pemë.
Humbi mes një pylli të madh,
me ëndrra kot,
ekspozuar pa rregull,
poshtë diellit.
Mund ta shkrumbëzonte i pari yll,
netëve të nxehta
po të binte prej qiellit.
Planifikim?! Ku kishim mendje
atë kohë për këtë gjë! Por dhe askush
nuk na bëri me dije.
Mbillnim pemë,
të bënim dashuri në hije.
EPIDEMIA
Këtu arritëm. Të thosha: Ka
kaq vende të bukura për të parë.
Shko ndonjë udhëtim! Hiç! Flisje
me veten. Rrasur brenda një
poltrone, në shoqëri me kafenë,
përpara televizorit.
Shikoje një liqen bosh. Pa mjellma.
Pa varka që mund ta përshkonin.
Shuheshin ca nga ca edhe ato pak histori,
që mund të tregoje,
për njerëz fantastikë, të cilët
as që të kujtonin.
Krejt papritur më the: Po mirë,
prit një biletë. Kudoqoftë. Koha është
t’i vë edhe unë një dry portës.
Ishte vonë. Kishin hedhur zinxhirë
të gjitha portat e botës.
DY NJEREZ NE KOPESHT
Unë them të shpejtohesh. Të arrish
të këpusësh,
si trëndafil,
një nga vjershat e mia.
Në kopshtin tjetër,
nuk mbin dashuria.
SAFOJA E NATES
Sonte nuk munda të flej gjithë natën.
Era jashtë recitonte fragmente
nga poezia e Safos.
Djegin më shumë se vapa
në gusht.
Dola në kopësht me kanatjere. Tek
ullinjtë dhe tek portokallet
pashë të nderur vargje të përlotur,
gjithë musht.
Deti poshtë psherëtinte në gjumë.
Pale ç’ëndrra i zgjonte
Poezia!
Ec pastaj të ktheheshe brenda dhe
të gjeje pak gjumë,
duke menduar Safon,
tek shtrojet e tua.
DET I PARABURGOSUR
Që deti kërkon ndëshkimin tim,
e di.
Xhelozohet për ty. Por është mbërthyer,
i pamundur krejt,
me katër brigjesh.
Ç’më kurdis dhe ti? Të shkoj tek sytë,
provën për krim:
ca shkallë aratisjesh…
Bëj ëndrra, bëj! Sa të zgjohet pas pak
dhe t’i hiqen zinxhirët
qenit tim, diellit.
Ta strukë detin tënd atje në qeli,
paraburgim,
para se ta ngjisë për dënim,
tek gjykata e qiellit.
NE THELLESI TE SYVE
Natën,
sytë e njerëzve mbyllen,
si dritaret në dimër.
Mund t’u shikosh në thellësi
oxhaqe që shuhen
vetëm. Thëngjinjtë,
si yje të largët,
çojnë morse të shurdhët.
Kur shuhen krejt,
formohet relievi
i një bregdeti të errët.
Me rërën, guralecët
dhe leshterikët.
Meduzat përplasen
tek shkëmbinjtë e thepisur,
u bie të fikët.
DHOMA E MERIMANGES
Eshte një dhomë e errët,
tek koridoret e heshtura
të mendjes sime.
Shkoj nganjëherë,
duke ndjekur gjurmët
e një merimange.
Me njëqind zore
çaj membranën që varet
nga tavani lart,
në mure dhe dyer.
Një ditë mund të humb
rrugën për t’u kthyer.
DIGE E ÇARE
Lajm i parë në buletinin informativ të mëngjesit:
500 të vdekur, ditën e djeshme,
nga coronovirusi,
në Lugano.
Harroj kafenë mbi tavolinë. U ftoh. Ndërsa
në shkollën përballë të muzikës
luhet pjano.
Kujtoj një tren që fluturon drejt Milanos.
Alpet e mjegulluara në Veri. Gra të bukura,
që ndërsa pijmë birra,
kërcejnë polka.
Në edicionin e mesditës: i njejti lajm
i kobshëm. Kujtoj
se do më çahet koka!
Telefonoj në punë. Nuk do të shkoj. Ndjej
trishtim. Kujtoj se një digë është çare
brenda meje.
Në edicionin e mbrëmjes: ai lajm përsëri!
Dhe unë,
që nuk kam asnjë lajm prej teje...
KOVA E KALTERT
Prapë mirë që gjeta këtë kovën e madhe,
që nuk ndotet dhe nuk mbushet kurrë,
të hedh bengat e mia.
Edhe ty, Poezi, që hera-herës
më mundon më shumë se Dashuria.
Të ftoj edhe Ty, miku im Dritëro,
të zbrazësh në kovën time të kaltërt,
të gjitha brengat dhe dertet,
ç’ke e ç’nuk ke.
Nuk di në gjete det,
atje mbi re.
Friday, July 10, 2020
Prend BUZHALA: KULTURA, ZGJERIM I MENDJES DHE I SHPIRTIT

(Kundrime eseistike), 9
Po, bota moderne tashmë e ka krijuar dialogun ndërkulturor, respektin ndaj diversitetit, kulturën e tolerancës, ndërkohë që njerëzit (dhe kombet) gjithnjë e më shumë ndërlidhen njëri me tjetrin. "Kultura është zgjerim i mendjes dhe i shpirtit" do të thoshte Jawaharlal Nehru. Tashmë në këtë hapësirë të modernitetit, njerëzit e këtyre kulturave e religjioneve jetojnë së bashku e pranë e pranë. Por ka dhe një paradoks: disa qytetërime (kultura, religjione etj), ende mendojnë se mund të kenë progres vetëm duke u mbështetur në traditën e vet apo duke jetuar në një realitet të mbyllur izolacionist, përjashtues... Së këndejmi, thuhet se një komb ecën përpara duke u mbështetur në traditën e tij, kur mëson nga të tjerët e kur i respekton të tjerët. E pra, kultura presuspozon lirinë: "Pa kulturë, dhe pa liri relative që nënkupton shoqërinë, madje edhe kur ajo është e përkryer, ajo nuk është asgjë tjetër veçse një xhungël. Kjo është arsyeja pse çdo krijim autentik është një dhuratë për të ardhmen." (Albert Camus)
1.
Dikush krijuesit dhe intelektualët i konsideron "lëndë e parë për përpunim" dhe si "lëndë për treg e përfitime"... dmth kështu mendojnë për pjesën më të ndërgjegjshme e më të zgjuar të kombit. Dhe kur nuk arrijnë t' i "përpunojnë", atëherë e hedhin si "lëndë e papërdorshme". Duke menduar kësisoj, po harrojnë se edhe shteti kthehet në një mbeturinë për kontejner... diku, në një qoshe të braktisur të Evropës. Por krijuesi dhe intelektuali i mirëfilltë, janë vetvetiu INSTITUCION më vete. Nuk është e rastit pse aty ku krijohet kultura, qoftë edhe në një qoshe fshatrash (muze, galeri etj), kthehen njerëz nga shtete të ndryshme europerëndimore e nga të gjitha trojet etnike, sepse Muzeu e Galeria janë tempuj modernë ku hyjnë të emancipuarit e të zgjuarit...
Filozofët antikë (Sokrati, Platoni, Aristoteli etj), shkruajnë vepra të tëra për raportet e kulturës, dijes, urtisë me dhunën, armën, apo të raporteve Filozofi e Luftëtari... dhe veprat e filozofëve antikë janë përkthyer edhe në gjuhët e Lindjes në qendrat e zhvilluara të atëhershme të shkencë e kulturës, si Kajro, Bagdati dhe anasjelltas domethënë para relifgjioneve monoteiste...
Në të kaluarën ka dhe shembuj të sakrificës me jetë, për t'i ruajtur monumentet e dëshmitë me jetë nga pushtuesit (si është dhe një film shqiptar me këtë tematikë)... sa njeriu shqiptar ka paguar me burgje e me jetë mbrojtjen e librit e leximin e një libri të ndaluar! Leximi e mbrojtja e një libri të tillë, ka përfaqësuar formën më të lartë të vetëdijes për liri, kulturë, civilizim...
2.
Arti e politika i kanë kufijtë e vet, ku mund të pikëtakohen e ku mund të ndahen...
Nëse ka zezonë në jetën politike, në atë të kulturës e të veprimtarive të ngjashme, me ngjarje të tilla të bukura, Kosova është e mbushur gjatë tërë vitit... dhe jo vetëm një muaj!
Kultura as nuk bëhet për inat të dikujt e as për qejf të dikujt, as për qëllime privilegjesh politike a financiare e as për t'i shtuar poenat politikë dikujt... poezia e arti nuk njohin parti, privilegje a servilizëm politik, as ndërskamca të çfarëdo natyre qofshin...
Hapësirat e artit pushtohen vetë me krijimtari e punë e nuk dhurohen. As nuk stolisen me namin e askujt... ashtu është puna edhe me veprimtarinë politike në kuadër të një partie...
Gjithçka bëhet për vlera, e për të dhuruar vlera.
Vlerat krijohen me punë e përkushtim, me kaçikun që ka secili...
Është bukur kur njerëzit reflektojnë për kulturën dhe reflektojnë kulturë... me besimin që t'i dhurohet më e mira mesit ku jetojnë, po qe se ky mes është i gatshëm t'i pranojë të mirën dhe vlerat...
3.
A jemi ne edhe KOMB KULTUROR I EVROPËS? Në shkrimet personale, shpesh e kam përmendur që IDENTITETI EVROPIAN mbështetet në tri shtylla: 1. në botën antike greko-romake, 2. në krishterimin dhe 3. në Epokën Moderne (që zë fill prej Humanizmit e Renesancës dhe vazhdon edhe sot në Epokën Digjitale). Domethënë, janë shtylla që pasojnë njëra-tjetrën... si kapërcim edhe dialektik i njëra-tjetrës, por që nuk e mohojnë njëra-tjetrën... Dhe ne e kemi hisen tonë te këto shtylla...
Nëse ne kemi IDENTITET KULTUROR EVROPIAN, atëherë a bën Evropa pa ne?!
Me çka "i imponohemi" Evropës?!
Me cilat shtylla kulturore, historike apo dhe gjeostrategjike?!
Ne kemi hequr dorë tepër lehtë nga vetvetja, nga thesaret e pafund të kësaj trashëgimie që i kishim... Kë duam ta bindim sot se ky ose ai emër qenka "ilir", "arbëror" ose "shqiptar", apo që ne jemi ata që trashëgojmë këtë apo atë thesar, kur mohimet më të vrazhdta ia bëjmë vetvetes (deri te denigrimet e figurave si Skënderbeu, Bogdani e Nëna Tereze, madje edhe Anton Çettës e Mark Krasniqit dhe kohëve të fundit Camajt e Koliqit)!?
As vetveten nuk po e bindim e lëre më të tjerët...
Por shqiptarët kanë MODELIN E TYRE TË TOLERANCËS, historikisht e provuar që nga kohët ilirike (kur perandori ilir i perandorisë Romake, Konstantini i Madh, shpalli EDIKTIN E TOLERANCËS dhe Ediktin e Milanos, kur u lejua publikisht edhe religjioni krishterë, mbasi brenda një familjeje ilire banonin vëllezërit e dy besimeve: paganë e të krishterë.). Dhe kjo traditë bashkëjetese u vazhdua gjatë Perandorisë Otomane (si ledh kundër ndikimit përçarës të pushtuesit ndaj shoqërisë shqiptare), vazhdoi dhe e një shekull e sa gjatë shk XX e këndej... në trajtën e SHQIPTARISË si “fe shqiptare”.
Evropa shpesh ka ditur të jetë edhe antishqiptare (na pëlqen Fishta kur e quan "Evropa kurvë", kur na i copëtuan trojet tona, edhe me vetë fajin tonë së pari...), por nuk na pëlqen e as që e lexojmë se si mund të ngrihemi në rang të kombeve moderne...
Në fakt, Evropa e sotme mbështetet në shtyllat e Kartës së Lirive e Të Drejtave Njerëzore (e cila shembi totalitarizmat, si fashizmin dhe komunizmin- këto dy të këqija, plus të keqen në Mesjetë, - nuk erdhën vendet arabe t'ua shembin, por i shembën vetë. Mirëpo, nuk e shembën krishterimin dhe as që e kanë kërkuar faljen prej tij... sado që gjatë mileniumeve janë bërë edhe këso KËRKIM-FALJESH KISHTARE). Sot, në Evropë, besimtarët myslimanë i realizojnë më shumë të drejtat e tyre fetare e njerëzore se në secilin vend tjetër aziatik... ashtu sikundër i realizojnë edhe ateistët, budistët etj etj. (Simbolet kristiane shtetet europerëndimore i ruajnë edhe në simbole shtetërore, si në flamuj, në parlamente kur bëjnë betimet në Bibël, etj.)
Nga ana tjetër, secili besimtar i feve jokristiane e ka lirinë e vet të garantuar fetare. Ndryshe, nuk do të ishte Evropë e as civilizim evropian.
Le ta përsëritim: harta e Kosovës gjendet në Evropë e jo në Azi.
4.
Gjuha e artit dhe e kulturës i ndërlidh më shpejt fijet e këputura e urat e shembura... I heq të çarat, shkëputjet e shembjet e së kaluarës me të sotmen... sepse të përbashkëta na janë vlerat, vlerat humaniste dhe kulturore, pasuria e traditave të ndryshme dhe objektivi unik që shpie në integrimet europiane... sepse kultura dhe arti janë pjesë e obligimeve për ta luajtur rolin e vet në këto përafrime vlerash e integrimesh. Aty e kemi vendin e shtëpinë tonë të përbashkët, te këto integrime vlerash europerëndimore e universale... Dhe këtë obligim (dhe detyrim) artistët e bartin dhe e përcjellin me krenari të ligjshme..
Wednesday, July 1, 2020
Zija ÇELA: BLU dhe MAVI MBRETËRORE
Frenk Uiliamsi qëndroi një javë në atë kryeqytet përtej oqeanit dhe, kur u kthye në Nju Jork, shkroi një reportazh të gjatë që u botua me vijime. Të gjitha ngjarjet e mëposhtme vijnë nga raporti i tij.
Pasi ishte marrë vesh paraprakisht me burimet zyrtare, një shoqërues vendas i dha mirëseardhjen në aeroport. Nga aeroporti në një takim me funksionarin e lartë të qeverisë. Natyrisht, Frenk Uiliamsi nuk mund t’i shpëtonte kësaj kortezie. Ai ishte bërë i famshëm sidomos si kandidat i Çmimit Pulitzer për “Shenja e 13-të e Zodiakut”, një pamflet fshikullues me shënime udhëtimi. Duke qenë më e përhapura, sipas autorit, e trembëdhjeta ishte shenja që bashkonte njerëzit e varfër të botës. Ai prandaj po i vazhdonte udhëtimet. Por tashmë i përqendruar në dallimet ekonomike mes shtresave shoqërore dhe në nivelin e minimumit jetik. Frenku kishte premtuar se do të bënte sa më pak ndërhyrje në narracionin e tij, për t’ua lënë fjalën dëshmitarëve. Por, përveç faktimeve statistikore, dëshmitë e vërteta mund të siguroheshin vetëm në një mënyrë, duke depërtuar drejt e në familjet vendase.
Ministri e siguroi se të gjitha institucionet shtetërore do të tregoheshin të hapura për informacion. Pastaj e përshëndeti edhe në emrin e Shefit të Qeverisë, duke shtuar se zoti Kryeministër uronte që, për ta njohur realisht diversitetin social, vizitat në familje të ishin sa më të padekonspiruara dhe kampionet e zgjedhur sa më domethënës.
2
Gjithsej u realizuan pesë vizita, të cilat i gjeta të shpërndara në shkrimin e Frenkut, por unë po i jap të përmbledhura. Të gjitha u kryen thuajse pa paralajmërim, pasi shoqëruesi vendas telefononte vetëm në çastet, kur do të trokisnin në atë derë.
Siç mund të merret me mend, vizita e parë u bë në shtëpinë e shoqëruesit. Në darkë e sipër, Dëshmitari 1 i bëri mysafirit një panoramë të vendit të tij gjatë shek. XIX dhe dekadave që pasuan. Frenku shënon se shoqëruesi i dhuroi 19 libra të vjetër (në anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe italisht), shkruar e botuar aso kohe nga udhëtarë apo konsuj të huaj. Duke parë zgavrën e madhe që mbeti në raftin e bibliotekës, mysafiri shfaqi keqardhje. Por tjetri ia hoqi merakun. “Ata libra nuk më hyjnë më në punë”, tha, “tashmë kanë nisur të përkthehen në gjuhën tonë dhe këtu ose na i falin, ose i blejmë badihava.”
Vizita e dytë u bë në një familje që, për shkak të papunësisë së përkohëshme të zonjës së shtëpisë, Frenkut iu tha se trajtohej me ndihmë sociale. Dëshmitarja 2 banonte në një nga kullat jug-lindore. Në darkë e sipër, meqë ishte etnografe, u fol disa herë për veshjet e hershme kombëtare, të cilat ajo i cilësonte si pasuri e mahnitshme kulturore. Kur do të ngriheshin, zonja i dhuroi një kostum burrash me gjithë kompletin e aksesorëve. Frenk Uliamsi mbeti i habitur, por dëshmitarja e qetësoi duke i thënë: “Asgjë, ju lutem, asgjë! Unë gëzohem që Amerikës do t’i shtohet ky thesar!”
Për familjen e Dëshmitarit 3 gazetarit të huaj iu tha se i përkiste shtresës së mesme. Sipas përshkrimit që bënte autori i shkrimit, shtëpia dykatëshe ndodhej në tortën urbane të kryeqytetit. Ajo banesë kishte vetëm një të metë, oborri me kangjella nuk ishte shumë i bollshëm. Në darkë e sipër, sesi ra fjala për zonat e nxehta të planetit, ku ende zhvilloheshin luftime. Doli se i zoti i shtëpisë ishte njohës i mirë i armëve, madje tregtia e armëve ishte zanati i tij. Teksa po pinin uiskin e pasbukës, Dëshmitari 3 bëri dhe një gjest bujarie. Ai i dhuroi mysafirit të shquar një pistoletë, një pushkë karabinë, një kallash dhe një bazuka antitank. Zoti Uiliams ngriti supet i pataksur nga habia, por tjetri s’i la kohë për sikletosje. “Asnjë merak të mos keni për letrat”, tha, “formalitetet, shpenzimet e doganës dhe të transportit i kam unë.”
Vizita e katërt u konceptua si relaks. Mirëpo, në vend ta çonin në teatrin e komedisë, mysafirin e çuan në shtëpinë e një aktori komik. Sidoqoftë, shoqëruesi u tregua i sinqertë. Ai i tha se si shtresë shoqërore aktori klasifikohej në kategorinë “Të paqëndrueshmit ekonomikisht”. Siç u fol, ashtu doli, një darkë shplodhëse. I zoti i shtëpisë e priti me përshëndetje në anglisht: “Hello, Frenk! Si të shkojnë punët, miku im?” Por ishte njëlloj si t’i kishte folur nga Hollivudi vetë Brad Pitt-i, kaq ngjashëm e imitoi zërin e tij. Në darkë e sipër do ta shfaqte këtë aftësi, duke imituar edhe Robert De Niro-n e Tom Cruise-in. Natyrisht, me të njëjtën formulë të fiksuar: “Hello, Robert... Hello Tom!” Por kulmi arriti kur atij i ra zilja e telefonit dhe Dëshmitari 4 foli në gjuhën vendase, veçse kësaj here duke e lënë pa mend mysafirin, sepse po imitonte zërin e tij: “Hello, miku im, jam Frenk Uiliams. Si po shkojnë punët andej? Unë...”, e të tjera, e të tjera. Nga këto të tjerat, amerikanit pakogjë do t’i hynte në vesh, si për shembull: “çaj dërrasa... tani mjaft... paguan... kush?.. ky trapi...”. Por në darkë e sipër u kuptua se Frenku nuk mund të priste dhurata aty, përkundrazi, ndoshta priteshin nga mysafiri i largët. Dhe Frenku e kishte parandierë se do të ndodhej në një situatë të tillë. Ai hoqi talismanin e tij dhe ia vari tjetrit në qafë. Ishte një prizëm kristali, i cili nga njëra faqe e reflektonte dritën në blu, nga tjetra në të ashtuquajturën mavi mbretërore, dy simbolikat e palëve politike kundërshtare.
Ende pa e përfshirë në raport vizitën e pestë, në numrin e së premtes njujorkezi shkruante: “Këtu vendasit hanë më shëndetshëm se amerikanët dhe defekojnë (“Bëjmë kakën”, thonë ata.) dy ose tri herë në ditë. Nëse mysafiri tregohet i turpshëm, familjarët ia ngulin pirunin ndonjë llokme mishi dhe ia fusin në gojë thuajse me zor. Ndërkaq, nuk harrojnë të kujtohen për gjallesat e ujit, madje flasin shpesh për peshqit e mëdhenj, por për të hangër shumica mjaftohet me të vegjëlit. Vendasit pinë alkool të fortë edhe duke ngrënë. Nuk e di nëse prej traditës apo ndonjë efekti të viteve të fundit, ata janë shumë të dhënë pas brendisë së gotës. Domethënë si e shohin gotën, e shohin të mbushur plot apo përgjysmë. Kushedi përse, herë pas here përmendin emrin e një ambasadori të huaj, që dikur i paskësh magjepsur (Ata thonë: “Na ka lafitur!”) me filozofinë e volumit të gotës. Prandaj në tryezë, ngaqë gota e pëgjysmuar sikur ua vret sytë, pa arritur ta zbrazja asnjëherë, ma mbushnin deri në buzë. Dhe jo rrallë shtonin gjithë krenari: “Shtëpia ime është e Zotit dhe e mikut!” Që ishte e mikut, po e provoja vetë, por sa ishte e Zotit, këtë nuk e di.
Pas këtyre radhëve, vinte përshkrimi i vizitës së pestë. Siç iu tha Frenkut, për t’i njohur në larmi shtresat shoqërore, kësaj here do të vizitonin një qytetar të kamur, por ama të pasuruar me punë të ndershme. Si dhe në rastet e mëparshme, duke dashur ta gjenin të papërgatitur, shoqëruesi i telefonoi të zotit të shtëpisë në çastet e fundit. Dëshmitari 5 jetonte në rrethinat e qytetit, në një vilë moderne jo vetëm me oborr të bollshëm, por edhe me kopshtin mbrapa. Përveç rrethojës me mure betoni, Frenk Uiliamsit nuk i shpëtuan nga syri as garazhet dhe kamerat vëzhguese. Ishin duke pirë aperitivin, kur mysafiri ndjeu në ajër erën e marijuanës. Me ta marrë vesh se njujorkezi i shquar e tymoste nganjëherë, i zoti i shtëpisë i zgjati takëmet që ta pështillte një cigare. Pastaj, me gotat plot e përplot, në darkë e sipër ngriti dolli për shëndetin e tij. Kaq madhërisht po e nderonte, sa erdhi një çast që prej bujarisë së tjetrit, Frenku u shtang. Dëshmitari 5 i dhuroi mysafirit një truall panoramik në bregdetin e jugut dhe, meqë ishte përdorues, edhe një kuintal marijuanë të cilësisë së parë. “Deri në kufirin me Meksikën ta sjellin njerëzit e mi”, i dha garanci, “por më pas nuk e marr përsipër, të paktën tani për tani.”
3
Në paragrafin e fundit, Frenk Uilimasi bënte një zbulim, mbështetur në burime që kishin rrjedhur nga ambasadat, si dhe në takimet kokë më kokë me eksponentë të opozitës politike, të cilët nuk dëshironin të identifikoheshin. Në tekstin e gazetës zbulimi paraqitej me këtë grafikë:
Dëshmitari 1 - shoqëruesi vendas, publicist i lirë nga shoqëria civile, amator i peshkimit me grep, aksioner në një biznes pa nder, bashkëpunëtor i fshehtë i Shërbimit Inteligjent.
Dëshmitarja 2 - familje që formalisht trajtohet me ndihmë sociale, zyrtarisht koordinatore e marrëdhënieve me UNESKO-n, motra e gruas së Ministrit të Mirëqenies, Pagave dhe Pensioneve, funksionarit që priti mysafirin në kabinetin e tij.
Dëshmitari 3 - familje e shtresës së mesme, trafikant me licencë të skaduar, militant në kohë zgjedhjesh, i dyshuar për fshehje të pasurisë dhe mbajtjen e dy identiteteve gjatë qëndrimit në Kolumbi.
Dëshmitari 4 - plus & minus nga xhepi, i njohur me pseudonimin Mashtruesi, dublant i zërit në dy filma për fëmijë, pedofil, i dalë nga burgu me leje të përkohshme shpërblyese për argëtimin tim. (Me gjasë, nipi i kryetarit të Komisionit Parlamentar për Tokën, Ujin dhe Ajrin.)
Dëshmitari 5 - sipërmarrës i pasuruar përmes tendrave me prokurim të drejtëpërdrejtë, pa precedent penal, besimtar në Zot, sponsorizues dhe bamirës i njohur, njëri nga kumbarët e Kryeministrit.
Me vijimin e së premtes shkrimi i gjatë kishte përfunduar. Por në gazetën e së shtunës Frenk Uiliamsi u shfaq sërish me një shënim bombë. Dhe ishte vetëm narracion. Ai sqaronte se kurrë nuk kishte shkelur në kryeqytetin e atij vend. Gjithë teksti i tij kishte qenë një leksion provokues për studentët e gazetarisë. Por sidomos një pamflet i merituar ndaj atyre kolegëve, që as marrin mundimin të raportojnë nga terreni. Të lodhur nga dëfrimet shfrenuese të natës, ulur përpara kompjuterit të zyrës dhe bazuar vetëm në burime të njëanshme on line, ata fabrikojnë raportime të denja për togjet e plehrave. “Shpifje, shpifje të Media Kazanit!”, sikur dëgjoj ende thirrjet e dëshmitarëve.
Pyetjes së hamendësuar se përse kishte bërë objekt pikërisht atë vend, Frenku i paradilte me një përgjigje të sinqertë. Përpara se të përgatiste leksionin për studentët, me gjithë kërkimet e tij intensive, në tërë lëmshin tokësor asgjëkundi tjetër nuk kishte mundur ta gjente termin MEDIA KAZANI. Këtë përbuzje të skajshme por puro novatore, e kishte gjetur vetëm në atë vendin e çuditshëm, ku as shtëpia nuk është e pronarit, por e Zotit dhe e të huajve. Shkurt, atje ku qytetarët ushqehen më shëndetshëm se amerikanët, madje ndonëse rrinë gjithnjë me gotën plot, e bëjnë kakën dy-tri herë në njëzet e katër orë. “E përfytyroj tani atë popull ëndërrimtar”, e mbyllte Frenku, “duke konsumuar peshq të vegjel ndërsa flet për peshqit e mëdhenj, e përfytyroj me empati nën atë qiellin e tyre aq të veçantë, ku bluja dhe mavia mbretërore konkurrojnë vazhdimisht për sundim.”
(2018)

Monday, June 29, 2020
Lekë Imeraj: Në grackën e dashurisë
Në Frankfurt, banoja në një shtëpi trekatshe. Aty kryesisht banonin polakë por, kishte edhe nacionalitete të tjerë. Secili kishte nga një dhomë, kuzhinë të vogël dhe banjo. Dukej se aty banonin njerëz që nuk kishin leje qëndrimi në Gjermani dhe që punonin në të zezë. Paguaja 500 DM, në muaj qera. Për aq sipërfaqe banimi që kisha unë, pagesa ishte shumë e lartë, por nuk bëhej ndryshej.
Banesa ime ishte në katin përdhesë. Dritarja ishte nga rruga kryesore, aty ku kishte vazhdimisht lëvizje njerëzish. Ajo ishte aq e ultë, sa mund të prekje kokat e njerëzve që kalonin poshtë saj.
Shpesh gjëja lule në pragun e dritares, nga jashtë. Sigurisht që i linin meshkujt, në shenjë respekti apo... kush e di çfarë mendonin.
Përballë meje banonte një kroat.
Ai quhej Goran. Ishte tridhjetë e pesë vjeç, trupmadh dhe shumë simpatik. Të dy jetonim vetëm. Secili nga ne, kishte nevojë për dikë tjetër. Nëse ishte nevojë biologjike apo instinkt social? Gradualisht u miqësuam aq shumë sa, guxoja të shkoja pa frikë tek ai dhe, ta prisja në dhomën time. Kalonim orë të tëra bashkë, tek njeri-tjetri. Ai kishte makinë, dhe në fundjave, shpesh shkonim diku, jashtë qytetit.
Të gjitha këto i bënim pa e menduar krevatin. Ishim thjeshtë në fazën e një miqësie të sinqertë. Të paktën unë kështu e mendoja lidhjen tonë. Edhe ai qendronte shumë korrekt.
Në verën e vitit 1998, për pushime verore, me ndihmën e një avokati, tek i cili punoja, solla motrën nga Tirana. Sapo i kishte mbushur pesëmbëdhjetë vjet.
Gjithçka po i dukej mrekulli, por jo dhe Gorani. Që në takimin e parë, kur e muarëm me makinën e tij nga aeroporti i Frankfurtit, nuk e pranoi. Nuk i ngjiti fare. Nuk donte të shkonim bashkë për vizitë tek ai dhe nuk donte ta shikonte në dhomën tonë.
Edhe Gorani nuk e gjeti dot rrugën e komunikimit me motrën. Ai e mendonte fëmijë dhe e qortonte sikur të ishte babai i saj. E torturonte.
Dikur vura re se ai, po distancohej edhe nga unë. Ndoshta kjo për faktin se unë po i kushtoja shumë më tepër vemendje motrës, se atij. Nuk po i shkonte për shtat.
Mardhënjet po ftoheshin. Ai i drejtohej motrës me fjalën “Bebushkë”, fjalë kjo që nuk shkon fare për një pesëmbëdhjetë vjeçare. Eshtë mosha kur vajza është në fazën e pubertetit dhe nuk i pëlqen të trajtohet si fëmi. Kjo e tërbonte motrën.
Grindjet vinin njëra pas tjetrës.
Kur kthehesha nga puna, shpesh e gjeja motrën të ulur mbi një jastik të trash në dritare dhe bisedonte me djemtë kalimtarë.
Kuptonte dhe fliste shumë mirë anglisht dhe italisht.
E vura re se ajo ishte futur në botën mashkullore.
Shumë shpejt u njoh me djem dhe vajza që banonin aty afër. Filloi të dilte me ndojërin prej tyre, vajza dhe dejm. Çdo ditë, i jepja para xhepi. Në Gjermani gjithsecili paguan vetë në tavolinë, ato që ka porositur. Në fillim e pata të vështirë të mësohesha me një sjellje të tillë, por tani, më duket shumë normale dhe e arsyeshme. Edhe motra u mësua me një gjë të tillë.
Në një rast, kur e pashë të ulur në dritare, vdiqa së qeshuri. Ishte lyer në fytyrë, buzët i kishte bërë me të kuq dhe thonjtë i kishte llakuar. Kishte veshur fustanin më të bukur dhe flokët i kishte tërhequr lart. Ishte bërë të vije ulurimën.
Sa nuk vdiqa nga të qeshurit.
Sapo e mora veten nga të qeshurit, e lavdrova për “talentin” e mrekullueshm që kishte treguar në dekorimin e saj, dhe i tregova, se çfarë dhe si duhej të bënte për ta zbukuruar veten.
Ajo e pranoi menjherë ndihmën time.
Çdo ditë, heret në mëngjes, më duhej të merresha me motrën time, që ta përgatisja për “vitrinën” e dritares ose për të dalur, që të dukej si një damë dhe, jo si arushë.
Asaj i takonte të rrinte gjithë paraditen vetëm dhe, nuk kishte çfarë të bënte. Me diçka duhej të merrej.
Lumturia më e madhe, për mua dhe atë ishte, se ajo po kalonte pushimet verore në Gjermani dhe, ne të dya, ishim bashkë.
Gjithë ditën fliste me djemtë e rrugës të cilët i vinin vërdallë si fluturat rreth dritës. Pas pak ditësh, trotuari para dritares time, u bë pika më e nxehtë e takimit në rrugë.
Një pasdite, nga që isha shumë e lodhur, u shtriva në divan. Sapo i kisha mbyllur sytë, dëgjova zerin e motrës që më thirri nga dritarja, ku ishte ulur:
Motra, hajde shpejt! Një djalë bukurosh, me veturë të kuqe “golf”, dëshëron të flasë me ty!
M’u pre fryma. U ngrita dhe shkova me vrap.
Djali bukurosh, ishte banor i pallatit përballë. E kisha parë disa herë dhe ishim përshëndetur në rrugë por, pa menduar asgjë më shumë. Të paktën unë.
O perendi! Megjithse unë as që kisha pasur kohë të mendoja për meshkujt, ai ishte tamam tipi im. Tip i vendeve jugore, flokzi, sy jeshilë, i gjatë, sportiv. Gjithnjë i qeshur, me një rrezatim të pazakont të syve.
Ky bukurosh, tani, ndodhej para dritares time dhe më kërkonte mua.
Ai kishte parë motrën në dritare dhe i ishte lutur që të më thërriste mua.
Sa nuk po më dilte zemra nga karhrori.
Ai: Hallo! Si je?
Unë: Hallo! Mirë, po ti?
Ai. Quhem Fabio.
Unë: Quhem Mjelma.
Ai: ...
Unë: ...
Më erdhi keq. Aq i bukur por, i ndrojtur. Iu mbyll goja.
Ai: Hëëë... mund të ma japësh numrin e telefonit?
Unë: Përse? Çfarë të duhet?
Ai: Ndoshta... nëse ke dëshirë, mund të merremi vesh dhe të takohemi.
U dorëzova.
Unë: Mirë, prit pak.
U zhyta aq thellë në sytë e tij sa ngatrrova edhe numrin. Dikur ia dhash.
Ai: Do të telefonoi. Kur je e lirë?
Unë: Pasditeve
Ai: Ciaoo!
Unë: Ciaoo!
U ula menjiherë në divan. Nuk qëndroja dot në këmbë. Po dridhesha e tëra. Isha bërë lëmsh, kokë e këmbë.
Ia kisha dhënë vërtetë numrin e telefonit tim një burri të huaj!?
Po nëse ai do të më telefononte mua dhe të kërkonte që të takohshim? Jo, jo. Nuk bëhej. Nuk isha aspak e gatshme për një gjë të tillë. Vëndosa që të mos i përgjigjem nëse më telefonon. Dhe pikë. Jo Fabio!
Të nesërmen pasdite, më ra zilja e telefonit të dorës. E shikova, numër i panjohur. Me siguri Fabio, mendova unë. Çfarë të bëja?
Jo Fabio, jo! Edhe ti më duhesh tani, mendova unë dhe nuk e mora telefonin nga tavolina. Megjithatë, as nuk po e mbyllja.
Motra dëgjoi telefonin dhe erdhi me vrap tek unë. Pa më pyetur fare e mori dhe e hapi.
Nga ana tjetër u dëgjua: Halo, jam Fabio. Dua të flas me Mjelmën, tha ai.
“Një moment”, i tha motra dhe ma futi telefonin në dorë. “ Foli, budallaqe! Ai është i bukur, dhe i sjellshëm. Nuk është si Gorani. Ai m’u drejtua mua me fjalën princeshë”, më tha ajo.
Folëm bashkë në telefon. U muarëm vesh që të takohemi.
Dhe filluam të takoheshim.
Takimet tona ishin fare të zakonshme. Pinim kafe, shetisnim, shikonim në dyqane. Asgjë tjetër veçse biseda të zakonshme. Qeshnim dhe ndjeheshim mirë me njëri-tjetrin.
Fabio dukej si i ndrojtur por, edhe i gjallë dhe i shkathët. Ai dëshironte shumë më tepër nga sa guxonte të kërkonte. Një gjë e tillë më shkonte shumë mirë mua. Nuk isha aspak e gatshme të përballoja më shumë se takime të zakonshme dhe biseda.
Me kaq po ndjehesha shumë mirë me Fabion.
Dëshiroja që kjo gjendje të vazhdonte sa më gjatë. Por, jo.
E ndjeja se, gjithnjë e më shumë, ai po depërtonte në botën time të brëndshme. Doja të ishim sa më gjatë bashkë. Nëse në fillim mbaja distancë fizike kur takoheshim, tani e ndjeja të nevojshme kontaktin fizik me Fabion.
Çfarë po ndodhte!? Kisha rënë në “grackën” e dashurisë!?
Si ishte dashuria?
Ishte dashuria ime e parë dhe shumë gjëra nuk i kuptoja.
Pas disa javësh njohje dhe takime, këmbyem puthjet e para. Nga ajo që ndjeva, kuptova se kisha rënë shumë më thellë, në botën e dashurisë, nga sa e mendoja. Për mua tani kishte vetëm Fabio. Askush tjetër nuk ekzistonte.
Po Gorani!?
Me atë nuk kisha asgjë por, nëse ai kishte ëndrruar që ne të fillonim diçka bashkë?
Sidoqoftë më duhej t’i rralloja kontaktet me atë. Hyrjet dhe daljet tek njëri-tjetri nuk kishin asnjë kuptim më.
Ndërkohë që unë po mendohesha si ta zgjidhja problemin me Goranin, e zgjidhi motra ime fantastike. Kot nuk thonë: Sa të mendohet i zgjuari, budallai e ka zgjidhur.
Një pasadite, Gorani, u fut tek ne pa trokitur fare. Motra e dëgjoi dhe kërceu menjiherë nga divani ku ishte ulur dhe iu drejtua: “Dëgjo këtu ti, nga sot, nuk ke më punë në shtëpinë tonë. Motra ka shokun e vet dhe dy nuk i mban dot. Hajt, dil jashtë”!
Gorani më shikoj mua dhe më pyeti: “Vërtetë”?
“Po”, iu përgjigja unë.
Që nga ai moment nuk u duk më në jetën time.
Motra ime ishte e mrekulluar nga Fabio. Ajo e donte shumë italianin e bukur. Fabio, vazhdimisht i drejtohej asaj me fjalën “princeshë”. Kjo e bënte motrën të përjetonte qiellin e shtatë.
Tani unë isha dashuruar marrëzisht me italianin e bukur. Ndjehesha njeriu më i lumtur në botë.
Kjo lumturi, edhe më trembte. Sado i lumtur që ndjehet njeriu, kur nuk e kupton se, nga i vjen lumturia, ndjenë frikë. Frikën e lumturisë nga e panjohura. Ndoshta ishte trokitja e orës biologjike, për të krijuar çerdhen e famljes? Ndoshta!
Nëse ishte ajo, kaq e pushtetshme qënka!?
Kjo është zgjidhja, që femra t’i hidhet në gjoks, si e marrosur, një burri të huaj!?
Nëse vërtetë ishte zgjidhje apo, rrëshqitje, nuk isha e sigurt.
Nga ky moment do të më duhej ta ndaja dashurinë për prindët dhe motrën, njerëzit më të dashur për jetën dhe në jetën time, me dikë tjetër. Me një burrë të huaj. Ishte e drejtë kjo!? Do të mund ta përballoja unë një gjë të tillë!?
Dhe... shumë gjëra të tjera më vinin verdallë në kokë.
Friday, June 5, 2020
Kujtim STOJKU: BURRACAKËRI
Paqen e fituar me çmimin e gjakut e mbështjellim me fletët e bardha,
Por jo, n`mendjet e shqiptarëve akoma s`janë këputur zinxhirët e skllavërisë,
Beteja dhe vetëm beteja të pafund, që fund asnjëherë s`paskan.
Si t`pafytyrë, t`pabesë e burracakë, s`ka ditë t`mos krenohemi se ecim në gjurmët e t`parëve,
Si të tillë, shpesh përmendim burrat e mençur të luftës e t`penës,
Por kur maskat bien, del me të vërtetë burracakëria e shqiptarëve,
Që shkelin e pështyjnë me neveri të gjithë ata që luftuan për këtë vend.
Bëjnë gjoja sikur kokën e kthejnë pas për t`parë sa e përgjakur ke qenë ndër shekuj,
Por çuditërish shohim ca bastardë që ndaj teje shfryjnë me tërbim,
Hidhninë ta lexoj në rrudhat e ballit me vetullat e vrenjtur, prej turpit përkulur hark,
Si eleptik përpëlitesh, edhe kur t`hedhin baltë në fytyrë ty të dhemb në shpirt.
E sheh botën të tallet me ty, e ti qesh me veten tënde,
Sytë t`janë veshur e turpin tënd se sheh,
Rri e bën sehir kur përdhosen e varret e t`parëve dhe monumentet,
Pastaj si i marrë, me veten tënde zë e qesh.
Vaj medet! Sot të gjithë po rrahin kraharorin,
Se, për ty e japin jetën si burrat që moti për kët` atdhe,
Por më parë, çdo kënd dhe anë me ja humb gjurmët Gjergj Kastriotit,
Dhe shumë heronjëve të tjerë, që me lavdi janë përzier me dhe.
Ata, sillen e përdridhen duke thurur rrjeta merimangash,
Dje, tinëzisht si gjarpëri rrinin të fshehur ndër ne,
Shpirti rrokullisej bokave me baltë e ofshante,
Pas lente mjegull, ngrihej në qiell e përzihej me retë.
Koha shkëlqen me lavdinë tuaj,
Interesant! Kjo lavdi n`shpirtrat tanë ka lëshuar rrënjë,
Një pëllumb me sqep më çukit dorën, e m`thotë që k`to fjalë t`i shkruaj,
Brenga sa s`po më plas shpirtin, kur shoh se si kopilat të shkelin me këmbë.
T`pafytyrët, sot po mundohen të maten me veprat e heronjëve,
Ku shpirtrat e tyre nëpër hone gremisen thellë e më thellë,
Shiten për hiç gjë, duke lënë pas veprat më mizore,
I zë tmerri kur mendojnë, se ndoshta nga varri mund t`ngrihet ndonjë.
A thua vallë ju nga kujtesa jonë jeni fshirë?
Mos ndoshta s`e dimë e gjaku na është prishur krejt,
Por, përsa kohë do t`jemi gjallë e do të marrim frymë.
S`do t`ju lëmë të shkelni mbi varret që vetë ata na i lanë amanet.
Oh! Çfarë njerëzish të padenjë...
Çfarë fare e prishur, që si ferrat kudo kanë lëshuar rrënjë...
Subscribe to:
Posts (Atom)