Thursday, July 23, 2020

Prend BUZHALA: POEZIA PËR FENË SHQIPTARE

(Kundrime eseistike:

interpretim i poezisë së Musa Jupollit "Më thanë"), 22
Shkas për ta nisur këtë shkrim, është një poezi e Musa Jupollit.
Musa Jupolli:
MË THANË...
Më thanë...
më thanë:
je katolik
jo u thashë,
unë jam shqiptar
më thanë:
je musliman?
jo, u thashë,
unë jam shqiptar
më thanë:
je budist?
jo, u thashë,
unë jam shqiptar
më thanë:
je ateist pra!
jo, u thashë,
unë jam shqiptar
po miku me ju ,
cili është ai?
Ismail Kadare
u thashë
Ah, vous étes Albanais
po unë u thashë se,
jam shqiptar
më thanë:
po feja juaj,
cila është ajo?
po të gjitha nga pak,
u thashë
...dhe ajo është feja shqiptare
1.
Ideologema SHQIPTARIA (feja e shqiptarit), ka rrënjët e veta historike... ashtu sikundër dhe emërtimi SHQIP, SHQIPTAR... ashtu sikundër ekzistojnë dhe për emërtimet "serb"/"shka", "shqa" etj...
2.
Eh, kjo "feja e shqiptarit", e detyroi në Mesjetë Car Dushanin ta nxjerrë "ZAKONIK"-un e vet kundër shqiptarëve, kundër "arbanaška vera" (feja arbërore, "feja shqiptare"), si shkruan ky "ZAKONIK" serb (për të cilën fe "heretike-katolike-latine" flet ky ZAKONIK... deri te marrja e pronave, djegia e shtëpisë vrasjet... e masat tjera drakonike kundër "herezisë latine", me të cilën konsideroheshin arbërorët, që duhet të kthehen "në krishterim", dmth në ortodoksë)...
3.
Edhe Pjetër Bogdani te 'Çeta e profetëve" flet për serbët, të cilët "fenë katolike" të arbërve e quajnë "arbanaška vera" (Fe shqiptare):
"per te ndrittune ate te vobek dhee t' Arbenit, e te Scerbijsse, issilli, e madhe pjesse flet Arbenisct, tue kjanune dalune dheut se Arbenit, e mbielle Scenjtene Fee ndee dheete Desposit : prasctu Schiete, per Antonomasij, Feesse Catholiche i thone Arbanascka vera".
apo sipas grafisë bogdaniane:
"...e mbielle Scenjtene Fee nde ξeete Desposit: prasctu Schiete, per Antonomasij, Feesse Catholiche i ξξone Arbanascka vera".
4.
Meqë islamizimi kishte marrë hov në shekullin XVIII, shfaqet emri i ri etnik, në fakt, rigjallërohet një shenjë e moçme ligjërimore etnike ("si me thanunë shqip", thonë autorët e vjetër): meqë emërtimet ARBËRI e GJUHË ARBËNISHT ishin të rrezikshme për Perandorinë otomane (me këto emërtime ARBËRI, ARBËNISHTE, konsideroheshin pjesa e krishterë, e përndjekur, ndërkohë që brenda një familjeje kishte një arbër e një "turk" si vllazën të një babe e nëne), atëherë emërtimi i ri e ruan "fenë shqiptare", zhduk emërtimin "turk" për të islamizuarit, ruan lidhjet e rrënjët e vjetra - lind si bashkim kombëtar i feve brenda një IDEOLOGEME... Nëse ndër popujt tjerë të islamizuarit janë përjashtuar prej kombit ose kanë krijuar kombe të reja, kjo nuk ndodh tek shqiptarët, pikërisht pse IDEOLOGEMA e re shfaqet si MBUROJË KOMBËTARE e ruajtjes së qenies sonë... (tek sllavët emërtimi SHIPTAR, ka ngarkesa negative, pezhorative, por rilindësit i dhanë kuptim, e himnizuan)... që nga RILINDJA KOMËTARE e këndej. prandaj Naim Frashëri ka vargjet himnizuese:
“Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar"...
e ajo e Pashko Vasës:
"Feja e shqiptarit asht shqiptaria."
E njohur si traditë e tolerancës fetare që nga kohët ilirike, kjo formulë rilindase e shpëtoi kombin shqiptar... (të kujtohet shpejt e shpejt Konstantini i Madh, perandor ilir i perandorisë romake, i cili nxori EDIKTIN E TOLERANCËS më 311 (brenda një familjeje jetonin një ilir pagan e një ilir i krishterë).
5.
Kësisoj dëshiroj ta lexoj dhe këtë kushtesë në formë poetike:
"më thanë:
po feja juaj,
cila është ajo?
po të gjitha nga pak,
u thashë
...dhe ajo është feja shqiptare."
6.
Njerëzit besojnë. Dikush beson te shkenca, dikush beson se është liberal në jetën shoqërore dhe ithtar i liberalizmit, e tjetri se është konservator i bindjeve politike, i njëfarë të djathte që përjashton ekskluzivisht bindjet e kundërta. Ata që ishin komunistë, besonin në një botë të re internacionale, dhe dërguan në pushkatim e në burgje miliona njerëz, posa e morën pushtetin në dorë. Në vepër shfaqet dhe racizmi, sipas bindjeve që ke, qoftë ai racizëm fetar, apo politik ndaj një race tjetër. Dikush i beson Zotit të religjionit të vet.
E pra, besimi krijon vizionin që ti ke për botën që të rrethon, për realitetin.
Dhe sipas kësaj bindjeje që ti ke, dhe sipas këtij vizioni që ti ke, e dikton edhe mënyrën tënde të veprimit e të sjelljes, dhe qëndrimin tënd ndaj njerëzve tjerë.
Nëpër enciklopedi thuhet: një kredo (shqiptuar kɾeːdoː, latinisht për "Unë besoj") është një deklaratë e besimeve fetare, të tilla si Kredoja e Apostujve. Religjionet kanë simbolet e tyre të besimit: librat, formulat e besimit (Krishterimi “Aty ynë”, islamizmi shehadetin etj).
Bota moderne drejtohet sipas Kartës së Lirive e të Drejtave Njerëzore.
Të tjera ideologji shpalosin në tryezë Besojmë-n e vet, Credo-n e Mbytjes së Njerëzve me helme, ose edhe me ndonjë torturë tjetër. Të vrarët nuk kanë gojë të rrëfejnë. Vajtuesit e Kastave të Larta i lajnë duart si Ponc Pilati: fshehurazi i bekojnë vrasësit që u sollën kaq shumë përfitime e publikisht i mallkojnë vrasësit pa fytyrë, a Njerëzit Me Pamje Të Papërcaktuar... Ata mund t'i shohësh vetëm kur falen e përfalen te Tempulli i tyre i Vdekjes, duke iu lutur Perëndisë së tyre që ka Pushtet Mbi Vdekjen, duke pirë nga pusi i burimit me Filxhan të Zi.
Kështu ndodh edhe me fushat tjera të jetës shoqërore.
A thua, të gjitha besimet dhe të gjitha ideologjitë politike çojnë në vrasje?
Në dhunë?
7.
Qarqet ekstreme gjenden edhe në mesin tonë.
Vetëm racistët paragjykojnë një komb të tërë (pa marrë parasysh nga cila palë janë).
Është në traditën shqiptare vëllazëria ndërfetare a si quhet ndryshe, toleranca ndërfetare, me rrënjë që nga kohët e Ilirisë.
E di që ka teprime në religjion (dhe në mohimin e historisë sonë nga qarqe albanofobe orientale)... dhe tashmë njerëzit, po edhe të rinjtë, e shohin:
religjioni nuk zgjidh çështje shoqërore a politike,
religjioni nuk sjell fabrika e zhvillim, as arsimim shkencor,
religjioni nuk është qeveri,
nuk është kushtetutë e ligj,
religjioni nuk ka nevojë për patriotizëm fetar as për flamuj varrimesh,
religjioni nuk shpall heronj...
religjioni nuk vendos për integrime a kufij... as për marrëveshje apo negociata...
8.
Për t’i kapërcyer përçarjet e përplasjet, atëherë civilizimet, sidomos ky në Evropë, ka krijuar antitezën e dhunës e të vrasjes: tolerancën, bashkëpunimin, marrëveshjen, sofrën e përbashkët të Lirive dhe të drejtave njerëzore.
Shqipëria dhe Kosova do të pranohen në BE, pikërisht pse kemi qasje europerëndimore ndaj civilizimeve, kombeve tjera, religjioneve... sepse as Kosova e as Shqipëria nuk janë as Turqi, as Bosnje e as Qipro Turke. As Azerbajxhan, as Afganistan. Askush më shumë se Kosova, si dje, si sot, nuk i ka respektuar bashkësitë e tjera etnike!
Kosova nuk përfaqëson ISLAMIN, apo Azinë... (apo si deklaron ndryshe ndonjë biçim ambasade a biçim presidenti botëror), por përfaqëson kombin shqiptar, historinë shqiptare, qytetarinë me identitet europerëndimor... Kosova ka disa bashkësi fetare dhe disa religjione, deri te ateistët e të tjerët... Këtu ekziston LIRIA E BESIMIT, historikisht ekziston dhe toleranca ndërfetare... apo BASHKËJETESA VËLLAZËRORE NDËRFETARE SHQIPTARE. Kosova është shtet demokratik dhe laik dhe jo përthithje fundamentalistësh...
Liria fetare është shenjë e IDENTITETIT EVROPIAN dhe themel i lirive dhe të drejtave njerëzore qe 1700 vjet! Aty e kemi hisen tonë të lirive të tilla...
9.
Konceptit të SHQIPTARISË kombi ynë i ka dhënë përmbajtje me domethënie të thellë etnike dhe eruperëndimore-universale. Formula shqiptare FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA, vlen edhe sot, jo për t'i përjashtuar besimet , për shkak se shqiptaria nuk përjashton, por afron... Te shqiptaria e kemi sofrën e përbashkët të gjithë. SHQIPTARIA NUK PËRJASHTON, POR AFRON NJERËZIT dhe besimet, bindjet, idetë, krahinat...
Kësisoj, përligjet edhe toleranca proverbiale shqiptare, si kulturë e jetës. Këtë formulë, shqiptarisht të mishëruar në vlerat universale, BOTA MODERNE, eurperëndimore, e përligj nëpërmes konceptit të shumësisë së kulturave, religjioneve, civilizimeve, kombeve, qytetërimeve... Te shqiptaria nuk ka PAKICË apo SHUMICË...
10.
Amëza fetare, po ashtu nuk njeh pakicë e shumicë dhe konceptet e tilla të tipit fashistizues brendashqiptar, duhet të mënjanohen...
Po e përsërisim me Musanë:
"më thanë:
po feja juaj,
cila është ajo?
po të gjitha nga pak,
u thashë
...dhe ajo është feja shqiptare."
Amëza e të gjithëve është shqiptaria...
(Rishkrime nga viti 2015, 22 korrik 2020)

Musa JUPOLLI: Mallkuar qoftë ai bir shqiptari

Mallkuar qoftë ai shqiptar që beson në fé të okupatorit e nuk beson shqip
Kur me pyetën se cilës fé i takoj
Ju thash
Jam shqiptar
Shqiptartë jetojnë n’Evropë, cila është feja e tyre sipas juve
Ju thash
Jemi populli më i vejtër i Haemosit, ndër më të vjetrit n’Evropë
Ndaj nuk na lejonë filozofia jonë ta ndajmë njerëzimin në ideologji fetarePo shqiptartë njihen me tri fé, ndaj ç’mund të na thoni
Ju thash
Asnjera prej tyre nuk lindi në trojet tona, ne kishim një besim ishte dhe mbetet besimi në Diell, në një Zot
Pra ne besojmë shqip
Po Roma dhe Otomani ç’thonë shqiptarët për ta
Ju thash
Asgjë, veç se ishin okuptorë që i mbollën me dredhi ato të meta që nuk mund të liroheshin nga to
Si duket jeni ateist
Ju thash
Dielli nuk flet, ndaj as shpirti
Sytë janë për të parë
Shpirti nuk friksohet nga jeta siq na mësojnë ideologjitë e prapta
Po xhamia në Prishtinë ç’thoni ju për te
Ju thash
Zoti në trojet shiptare flet shqip
Nuk ka nevojë për minare
Ai nuk është i shurdhër siç është Erdogan Biku Sulltan

22.07.2020

Tuesday, July 21, 2020

Kujtim STOJKU: Cikli poetik "ANKIMET E GJINKALLËS"


PLOGËSHTI

Në një gjendje plogështie ku imagjinata është topitur,
Tërsia e veshur me dijen ngacmon reflekset,
Heshtja si ajo e nuselaleve që kërcejn` n`mëngjes mbi çati,
Sapo del dielli pemët shtriqin degët me gjethe.

N`këtë gjendje shpirtërore, liqeni është një zhargon i rëndomtë,
Pasqyrimi i qiellit vështrimin e tij në thellësi bredh,
Bari i lagur me vesë, mëllenjat që këndojnë rreth e rrotull,
Si qelq i thyer, përfytyrimi për çudi këtu ngec.

Truri me vështërsi hap arkën e artë të kujtimeve,
Vitet e shkuara i sheh si një njollë e largët,
Ecje tutje - tëhu ku dështojnë mendimet,
Përsëritje n`mes mushkonjash, dhe njerëzve gjuhë gjarpër.

Shkelim mbi barin e gjelbërt dhe atij i marrim frymën,
Fjalët copa - copa mendimin e heqin zvarrë,
Pështyma e gjarpërit është e bardhë, ndryshe ia shohom ngjyrën,
Injoranca pamëshirë dijen e var në litar...


FRUTAT E AMSHIMIT

Nëpër pemët e krstalta kam vjelë frytet e kaltra,
Etjen e kam shuar duke thithur rrënjët flakëruese t`vetëtimës,
Tingujt magjepës m`rrëmbenin duke më bartur hapsirave,
Retë shtëllunga - shtëllunga rrugët e emigrimit nisën,
Ndryshonin formë duke ikur përmes shkreptimave.

Eteri, padukshmërisht përçon magjinë e tingujve,
Vesa, ia ndryshon shijen buzëve të thata të verës,
Rrezet e dritës plot afsh përkdhelin petalet e luleve,
Pushojnë në tokë të qetë si në shtratin e martesës.


MBRËMË

Mbrëmë, nata erdhi si përherë,
Reklamat këndonin me gjuhën e dritës,
Pemët zgjateshin papushim,
Nëpër vitrina manekinët buzëqeshnin,
Duke folur me buzët ngjyrë dylli:
-Këtu ndalohet duhani,
-Të lutem mos pështyj.
E nesërmja,
Do t`flasë gëzueshëm me gjuhën e diellit,
Se do t`zbulojë shtigje të panjohura,
Se si disa kombe janë në lulëzim,
Kurse kombi yt si endecak nëpër botë shkonka.
Edhe gazetat, janë bërë gati nësër të marrin rrugët,
Një tjetër gjë do t`shkruajnë për të na hapur sytë,
Kërkesat dhe lutjet e djeshme kanë rënë n`vesh të shurdhët,
Ashtu si deshën na panë,
E na karfosemi se i shërbejmë kombit me vetmohim…

SYTË

Netët e errëta m`kan` deformuar në shpirt,
Sytë në ngjyrë të zes m`i kanë kthyer,
Unë përmes tyre kërkoj gjithmonë dritë,
e cila një ditë ka për të rrëzëllyer...

POLITIKANËT

Fjalën e parë që ata thonë është predikimi i demokracisë,
Me vështrimet e tyre si të gjarpërit praktikojnë hipokrizinë.
Në ato që llomotisin asnjë presje nuk u besohet,
Për gjitha këto s`u skuqet fytyra, n`mes popullit futen duke hingëllirë.
Ata e dinë se kujtesa publike është shumë e shkurtër,
Sillen n`këtë mënyrë sepse e njohin psikologjinë e turmës.
Para zgjedhjeve ata janë lajkatarë,
Pas zgjedhjeve bëhen të gjithë psikopatë,
N`fushatë elektorale shpjegojnë se si do t`jetojmë në parajsë.
Pastaj, kur vijnë në pushtet, na shtypin, na vjedhin e na rrjepin,
Si në lashtësi si skllevër na shesin në pazar...

ANKIMET E GJINKALLËS

Nën hijen e manit dëgjoj ankimet e gjinkallës,
Që asnjë minut` s`pushoi në këtë stinë të verës,
N`vjeshtë uji i përroit është i ftohtë, era t`pret si shpatë,
Ndërsa shikojmë perëndimin e diellit nën këtë zukamë,
Ca hije pas nesh zgjaten e përdridhen asnjë çast t`qetë s`na lanë.
E, vazhdon gjinkalla nëpër degët e manit t`ankohet vazhdimisht,
Zukama e saj sot është në gjuhën e atyre meshkujve t`vetëquajtur burra,
- Këtë verë, - u ankua ajo, - rrezet e diellit kanë bërë tradhëti,
Lashtësia fle e qetë nën dheun e kafët,
- Unë ankohem dhe këndoj, se kur ata pinë lëngun e manave të zier,
Bëjnë politikë pasi kanë fjetur me kurva…

NËN PIKUN E ZHEGUT

Nën pikun e zhegut shikoj akrepat e orës,
Fryma t`merret nga zagushia, djersa pikon pikë - pikë,
Më n`fund do të jem i lirë nga idiotët,
Ku palmat harmonizohen me erën,
E unë nën hijen e tyre pushoj e mendoj i lirë.
Mbështetem nën një pemë, çlodhem i zhytur n`mendime,
Eci buzë liqenit duke parë mjellmat dhe rosat që lahen me gëzim,
Kur bie errësira, barin e gjelbërt e lag vesa aromatike,
Një pëllumb i fshehur n`mes degëve, befas i bie telefonit tim…

UNIVERSAL

Fantazia si produkt i mendjes,
Shpeshherë natyrën dhe universin mbështjellë,
Gjithçka dallgëzohet me valët e shpirtit,
Deduksion logjik, për t`zbuluar mistiken e fshehtë.

Shpirti Pitagorian së pari u marros pas numrash,
Sa duke i mbledhur ata shkruante emrin e vet,
Kur lidhen bashkë ata marrin frymë,
Shpirti dalldiset e fluturon mbi re.

Ekuacionet kanë tinguj t`magjishëm se janë melodi e engjëjve,
Hapësira përshkohet nga tingujt universal,
Ëndërrimet përditë e më shumë përshkojnë materien,
Imagjinatë që përfshin edhe trupat astral.

Truri është lëndë e prekshme nën mbulesën kockore,
Prodhon figura t`paparashikuara në abstraksion,
Të vërtetës gjithmonë sa vjen dhe i afrohet,
Përtej hapsirave boshe me qetësi po shikon.

Dyzim dallgësh n`mes shpirtit dhe ajrit,
Përshkohet me flakërimë nga rrezet e diellit,
Kaltërsia e detit, n`qiell njolla t`murrme mbesin,
Shenja qiellore që flasin dhe asnjëherë s`heshtin.

Oshëtimat e detit dhe bubëllimat e qiellit,
Shqiptojnë ëmbëlsisht emrin tim antik,
Shpirti misterioz hijshëm po e dridh telin,
Fluturon anekënd si pëllumb i lirë.

Prend BUZHALA: TRIPTIK: E BUKURA, MBRETËRESHË E FRYMËZIMIT


(Kundrime eseistike), 20

Sa shumë frymëzime gjejnë krijuesit për të bukurën! Sinonimin e të bukurës nëpër vargje e gjejnë kudo. Të bukurën e personifikojnë me qëllimet e me idealet në jetë. E bukura bëhet mbretëreshë e frymëzimeve dhe e mendjes.

1.
Shtegtimi i një pike, lot i resë në qiell (metaforë e bukur), nis nga lart, zbret në tokë, në gjirin e jetës e të natyrës. Kalon në lumë (simbol lëvizjeje e kujtimi, i jetës që rrjedh...) e, së andejmi, në det (simbol dashurie, thellësie, misteri... të pathënash, simbol i shkrirjes në tërësinë, në të bërët NJË ME DASHURINË personale, intime a nacionale...nuk ka rëndësi, e rëndësishme është se NJË BËHET DASHURIA). Populli thotë "Bane të mirën e hidhe në det"...A humbet ajo e mirë e hedhur në det? Jo, thotë populli, e gjen kur ti s'e pret në çastin më të vështirë e më dramatik...
A humbet ajo pikë në det? Jo, na thotë poeti, sepse je në kërkim të lumturisë dhe dashurisë...

2.

Lirizmi meditativ dhe, kund e kund, edhe simbolik, përbën vlerat thelbore të këndimit poetik. Ai përhapet e shtrihet që nga legjenda e miti, të thadruara në të vërtetat tona ekzistenciale aq padukshëm e aq pranë nesh...dhe vazhdon rrugëtimin observues me dashurinë, me të rënët, rrugët... Porse ky lirizëm nuk mbështetet në konstruktin irracional të thënies surrealiste, por në formën klasike të racionalitetit të thënies...dhe kjo përbën një vlerë tjetër...

3.

Po e lexojmë Trungun si simbol etnik. Herën tjetër vlera -simbolike e trungut është edhe universale (mund të jetë trung i huaj...)...Kurse këtu lexojmë edhe një identifikim me qenien tonë të kulturës materiale e shpirtërore nëpër mileniume e kohë: rrënjët janë lashtësia jonë, autoktonia jonë, shpirti ynë ilir-arbëror-shqiptar (europerëndimor). Prandaj s’është habi pse nën ndikimin e pushtuesve të ndryshëm që na mbollën mënyra të tjera të jetesës, mendësi të tjera, kode kanune e kulturë atdhemohuese, na shartuan degë të tjera, të huaja, na ngritën mure me të kaluarën tonë e me vlerat e përbashkëta evropiane...dhe këto mure as sot nuk po mund t'i shembim e t'i kapërcejmë...
Te një poezi shfaqet Kopshtari, i cili dikur është TJETËRSUAR; ai tashmë ka qenë i ndëgjegjshëm se nga cila rrënjë, burime e degë bëhen shartime... E pra, le të themi se gjithçka ishte një aventure çorientuese, një aksident historik, sepse ti mbetesh AI QË JE...Rrënja nuk ka hequr dorë prej teje...nuk të lëshon të shkëputesh...se do të thahesh (në vlerat e identitetit tënd kombëtar e njerëzor)...

(20 korrik 2020)

Sunday, July 19, 2020

Grigor JOVANI: Cikli poetik "Buka e Verës"


ISTMO

Përshkova botën,
për të mbërritur
tek deti.
Me fat
shpirti im,
çfarë parajse gjeti!
Mëngjese me ajër
të kondinsionuar
mali.
Mesdite të diellta,
kur luajnë violinë
gjinkallat,
pa partitura,
ku të dali.
Dhe mbrëmjet,
oh mbrëmjet!
Në amfiteatrin e malit,
jep koncertin e erës,
Orkestra Sinfonike e Shtetit.
Mesnatave s’fle.
Bëj dashuri
mbi fildishin e detit. 

PYLL I PA PLANIFIKUAR

Dashuria që mbollëm bashkë,
nuk u bë pemë.
Humbi mes një pylli të madh,
me ëndrra kot,
ekspozuar pa rregull,
poshtë diellit.
Mund ta shkrumbëzonte i pari yll,
netëve të nxehta
po të binte prej qiellit.
Planifikim?! Ku kishim mendje
atë kohë për këtë gjë! Por dhe askush
nuk na bëri me dije.
Mbillnim pemë,
të bënim dashuri në hije. 

EPIDEMIA

Këtu arritëm. Të thosha: Ka
kaq vende të bukura për të parë.
Shko ndonjë udhëtim! Hiç! Flisje
me veten. Rrasur brenda një
poltrone, në shoqëri me kafenë,
përpara televizorit.
Shikoje një liqen bosh. Pa mjellma.
Pa varka që mund ta përshkonin.
Shuheshin ca nga ca edhe ato pak histori,
që mund të tregoje,
për njerëz fantastikë, të cilët
as që të kujtonin.
Krejt papritur më the: Po mirë,
prit një biletë. Kudoqoftë. Koha është
t’i vë edhe unë një dry portës.
Ishte vonë. Kishin hedhur zinxhirë
të gjitha portat e botës. 

DY NJEREZ NE KOPESHT

Unë them të shpejtohesh. Të arrish
të këpusësh,
si trëndafil,
një nga vjershat e mia.
Në kopshtin tjetër,
nuk mbin dashuria.

SAFOJA E NATES

Sonte nuk munda të flej gjithë natën.
Era jashtë recitonte fragmente
nga poezia e Safos.
Djegin më shumë se vapa
në gusht.
Dola në kopësht me kanatjere. Tek
ullinjtë dhe tek portokallet
pashë të nderur vargje të përlotur,
gjithë musht.
Deti poshtë psherëtinte në gjumë.
Pale ç’ëndrra i zgjonte
Poezia!
Ec pastaj të ktheheshe brenda dhe
të gjeje pak gjumë,
duke menduar Safon,
tek shtrojet e tua. 

DET I PARABURGOSUR

Që deti kërkon ndëshkimin tim,
e di.
Xhelozohet për ty. Por është mbërthyer,
i pamundur krejt,
me katër brigjesh.
Ç’më kurdis dhe ti? Të shkoj tek sytë,
provën për krim:
ca shkallë aratisjesh…
Bëj ëndrra, bëj! Sa të zgjohet pas pak
dhe t’i hiqen zinxhirët
qenit tim, diellit.
Ta strukë detin tënd atje në qeli,
paraburgim,
para se ta ngjisë për dënim,
tek gjykata e qiellit. 

NE THELLESI TE SYVE

Natën,
sytë e njerëzve mbyllen,
si dritaret në dimër.
Mund t’u shikosh në thellësi
oxhaqe që shuhen
vetëm. Thëngjinjtë,
si yje të largët,
çojnë morse të shurdhët.
Kur shuhen krejt,
formohet relievi
i një bregdeti të errët.
Me rërën, guralecët
dhe leshterikët.
Meduzat përplasen
tek shkëmbinjtë e thepisur,
u bie të fikët. 

DHOMA E MERIMANGES

Eshte një dhomë e errët,
tek koridoret e heshtura
të mendjes sime.
Shkoj nganjëherë,
duke ndjekur gjurmët
e një merimange.
Me njëqind zore
çaj membranën që varet
nga tavani lart,
në mure dhe dyer.
Një ditë mund të humb
rrugën për t’u kthyer.
 
DIGE E ÇARE

Lajm i parë në buletinin informativ të mëngjesit:
500 të vdekur, ditën e djeshme,
nga coronovirusi,
në Lugano.
Harroj kafenë mbi tavolinë. U ftoh. Ndërsa
në shkollën përballë të muzikës
luhet pjano.
Kujtoj një tren që fluturon drejt Milanos.
Alpet e mjegulluara në Veri. Gra të bukura,
që ndërsa pijmë birra,
kërcejnë polka.
Në edicionin e mesditës: i njejti lajm
i kobshëm. Kujtoj
se do më çahet koka!
Telefonoj në punë. Nuk do të shkoj. Ndjej
trishtim. Kujtoj se një digë është çare
brenda meje.
Në edicionin e mbrëmjes: ai lajm përsëri!
Dhe unë,
që nuk kam asnjë lajm prej teje...

KOVA E KALTERT

Prapë mirë që gjeta këtë kovën e madhe,
që nuk ndotet dhe nuk mbushet kurrë,
të hedh bengat e mia.
Edhe ty, Poezi, që hera-herës
më mundon më shumë se Dashuria.
Të ftoj edhe Ty, miku im Dritëro,
të zbrazësh në kovën time të kaltërt,
të gjitha brengat dhe dertet,
ç’ke e ç’nuk ke.
Nuk di në gjete det,
atje mbi re.

Friday, July 10, 2020

Prend BUZHALA: KULTURA, ZGJERIM I MENDJES DHE I SHPIRTIT



(Kundrime eseistike), 9
Po, bota moderne tashmë e ka krijuar dialogun ndërkulturor, respektin ndaj diversitetit, kulturën e tolerancës, ndërkohë që njerëzit (dhe kombet) gjithnjë e më shumë ndërlidhen njëri me tjetrin. "Kultura është zgjerim i mendjes dhe i shpirtit" do të thoshte Jawaharlal Nehru. Tashmë në këtë hapësirë të modernitetit, njerëzit e këtyre kulturave e religjioneve jetojnë së bashku e pranë e pranë. Por ka dhe një paradoks: disa qytetërime (kultura, religjione etj), ende mendojnë se mund të kenë progres vetëm duke u mbështetur në traditën e vet apo duke jetuar në një realitet të mbyllur izolacionist, përjashtues... Së këndejmi, thuhet se një komb ecën përpara duke u mbështetur në traditën e tij, kur mëson nga të tjerët e kur i respekton të tjerët. E pra, kultura presuspozon lirinë: "Pa kulturë, dhe pa liri relative që nënkupton shoqërinë, madje edhe kur ajo është e përkryer, ajo nuk është asgjë tjetër veçse një xhungël. Kjo është arsyeja pse çdo krijim autentik është një dhuratë për të ardhmen." (Albert Camus)
1.
Dikush krijuesit dhe intelektualët i konsideron "lëndë e parë për përpunim" dhe si "lëndë për treg e përfitime"... dmth kështu mendojnë për pjesën më të ndërgjegjshme e më të zgjuar të kombit. Dhe kur nuk arrijnë t' i "përpunojnë", atëherë e hedhin si "lëndë e papërdorshme". Duke menduar kësisoj, po harrojnë se edhe shteti kthehet në një mbeturinë për kontejner... diku, në një qoshe të braktisur të Evropës. Por krijuesi dhe intelektuali i mirëfilltë, janë vetvetiu INSTITUCION më vete. Nuk është e rastit pse aty ku krijohet kultura, qoftë edhe në një qoshe fshatrash (muze, galeri etj), kthehen njerëz nga shtete të ndryshme europerëndimore e nga të gjitha trojet etnike, sepse Muzeu e Galeria janë tempuj modernë ku hyjnë të emancipuarit e të zgjuarit...
Filozofët antikë (Sokrati, Platoni, Aristoteli etj), shkruajnë vepra të tëra për raportet e kulturës, dijes, urtisë me dhunën, armën, apo të raporteve Filozofi e Luftëtari... dhe veprat e filozofëve antikë janë përkthyer edhe në gjuhët e Lindjes në qendrat e zhvilluara të atëhershme të shkencë e kulturës, si Kajro, Bagdati dhe anasjelltas domethënë para relifgjioneve monoteiste...
Në të kaluarën ka dhe shembuj të sakrificës me jetë, për t'i ruajtur monumentet e dëshmitë me jetë nga pushtuesit (si është dhe një film shqiptar me këtë tematikë)... sa njeriu shqiptar ka paguar me burgje e me jetë mbrojtjen e librit e leximin e një libri të ndaluar! Leximi e mbrojtja e një libri të tillë, ka përfaqësuar formën më të lartë të vetëdijes për liri, kulturë, civilizim...
2.
Arti e politika i kanë kufijtë e vet, ku mund të pikëtakohen e ku mund të ndahen...
Nëse ka zezonë në jetën politike, në atë të kulturës e të veprimtarive të ngjashme, me ngjarje të tilla të bukura, Kosova është e mbushur gjatë tërë vitit... dhe jo vetëm një muaj!
Kultura as nuk bëhet për inat të dikujt e as për qejf të dikujt, as për qëllime privilegjesh politike a financiare e as për t'i shtuar poenat politikë dikujt... poezia e arti nuk njohin parti, privilegje a servilizëm politik, as ndërskamca të çfarëdo natyre qofshin...
Hapësirat e artit pushtohen vetë me krijimtari e punë e nuk dhurohen. As nuk stolisen me namin e askujt... ashtu është puna edhe me veprimtarinë politike në kuadër të një partie...
Gjithçka bëhet për vlera, e për të dhuruar vlera.
Vlerat krijohen me punë e përkushtim, me kaçikun që ka secili...
Është bukur kur njerëzit reflektojnë për kulturën dhe reflektojnë kulturë... me besimin që t'i dhurohet më e mira mesit ku jetojnë, po qe se ky mes është i gatshëm t'i pranojë të mirën dhe vlerat...
3.
A jemi ne edhe KOMB KULTUROR I EVROPËS? Në shkrimet personale, shpesh e kam përmendur që IDENTITETI EVROPIAN mbështetet në tri shtylla: 1. në botën antike greko-romake, 2. në krishterimin dhe 3. në Epokën Moderne (që zë fill prej Humanizmit e Renesancës dhe vazhdon edhe sot në Epokën Digjitale). Domethënë, janë shtylla që pasojnë njëra-tjetrën... si kapërcim edhe dialektik i njëra-tjetrës, por që nuk e mohojnë njëra-tjetrën... Dhe ne e kemi hisen tonë te këto shtylla...
Nëse ne kemi IDENTITET KULTUROR EVROPIAN, atëherë a bën Evropa pa ne?!
Me çka "i imponohemi" Evropës?!
Me cilat shtylla kulturore, historike apo dhe gjeostrategjike?!
Ne kemi hequr dorë tepër lehtë nga vetvetja, nga thesaret e pafund të kësaj trashëgimie që i kishim... Kë duam ta bindim sot se ky ose ai emër qenka "ilir", "arbëror" ose "shqiptar", apo që ne jemi ata që trashëgojmë këtë apo atë thesar, kur mohimet më të vrazhdta ia bëjmë vetvetes (deri te denigrimet e figurave si Skënderbeu, Bogdani e Nëna Tereze, madje edhe Anton Çettës e Mark Krasniqit dhe kohëve të fundit Camajt e Koliqit)!?
As vetveten nuk po e bindim e lëre më të tjerët...
Por shqiptarët kanë MODELIN E TYRE TË TOLERANCËS, historikisht e provuar që nga kohët ilirike (kur perandori ilir i perandorisë Romake, Konstantini i Madh, shpalli EDIKTIN E TOLERANCËS dhe Ediktin e Milanos, kur u lejua publikisht edhe religjioni krishterë, mbasi brenda një familjeje ilire banonin vëllezërit e dy besimeve: paganë e të krishterë.). Dhe kjo traditë bashkëjetese u vazhdua gjatë Perandorisë Otomane (si ledh kundër ndikimit përçarës të pushtuesit ndaj shoqërisë shqiptare), vazhdoi dhe e një shekull e sa gjatë shk XX e këndej... në trajtën e SHQIPTARISË si “fe shqiptare”.
Evropa shpesh ka ditur të jetë edhe antishqiptare (na pëlqen Fishta kur e quan "Evropa kurvë", kur na i copëtuan trojet tona, edhe me vetë fajin tonë së pari...), por nuk na pëlqen e as që e lexojmë se si mund të ngrihemi në rang të kombeve moderne...
Në fakt, Evropa e sotme mbështetet në shtyllat e Kartës së Lirive e Të Drejtave Njerëzore (e cila shembi totalitarizmat, si fashizmin dhe komunizmin- këto dy të këqija, plus të keqen në Mesjetë, - nuk erdhën vendet arabe t'ua shembin, por i shembën vetë. Mirëpo, nuk e shembën krishterimin dhe as që e kanë kërkuar faljen prej tij... sado që gjatë mileniumeve janë bërë edhe këso KËRKIM-FALJESH KISHTARE). Sot, në Evropë, besimtarët myslimanë i realizojnë më shumë të drejtat e tyre fetare e njerëzore se në secilin vend tjetër aziatik... ashtu sikundër i realizojnë edhe ateistët, budistët etj etj. (Simbolet kristiane shtetet europerëndimore i ruajnë edhe në simbole shtetërore, si në flamuj, në parlamente kur bëjnë betimet në Bibël, etj.)
Nga ana tjetër, secili besimtar i feve jokristiane e ka lirinë e vet të garantuar fetare. Ndryshe, nuk do të ishte Evropë e as civilizim evropian.
Le ta përsëritim: harta e Kosovës gjendet në Evropë e jo në Azi.
4.
Gjuha e artit dhe e kulturës i ndërlidh më shpejt fijet e këputura e urat e shembura... I heq të çarat, shkëputjet e shembjet e së kaluarës me të sotmen... sepse të përbashkëta na janë vlerat, vlerat humaniste dhe kulturore, pasuria e traditave të ndryshme dhe objektivi unik që shpie në integrimet europiane... sepse kultura dhe arti janë pjesë e obligimeve për ta luajtur rolin e vet në këto përafrime vlerash e integrimesh. Aty e kemi vendin e shtëpinë tonë të përbashkët, te këto integrime vlerash europerëndimore e universale... Dhe këtë obligim (dhe detyrim) artistët e bartin dhe e përcjellin me krenari të ligjshme..

Wednesday, July 1, 2020

Zija ÇELA: BLU dhe MAVI MBRETËRORE


Frenk Uiliamsi qëndroi një javë në atë kryeqytet përtej oqeanit dhe, kur u kthye në Nju Jork, shkroi një reportazh të gjatë që u botua me vijime. Të gjitha ngjarjet e mëposhtme vijnë nga raporti i tij.

Pasi ishte marrë vesh paraprakisht me burimet zyrtare, një shoqërues vendas i dha mirëseardhjen në aeroport. Nga aeroporti në një takim me funksionarin e lartë të qeverisë. Natyrisht, Frenk Uiliamsi nuk mund t’i shpëtonte kësaj kortezie. Ai ishte bërë i famshëm sidomos si kandidat i Çmimit Pulitzer për “Shenja e 13-të e Zodiakut”, një pamflet fshikullues me shënime udhëtimi. Duke qenë më e përhapura, sipas autorit, e trembëdhjeta ishte shenja që bashkonte njerëzit e varfër të botës. Ai prandaj po i vazhdonte udhëtimet. Por tashmë i përqendruar në dallimet ekonomike mes shtresave shoqërore dhe në nivelin e minimumit jetik. Frenku kishte premtuar se do të bënte sa më pak ndërhyrje në narracionin e tij, për t’ua lënë fjalën dëshmitarëve. Por, përveç faktimeve statistikore, dëshmitë e vërteta mund të siguroheshin vetëm në një mënyrë, duke depërtuar drejt e në familjet vendase.
Ministri e siguroi se të gjitha institucionet shtetërore do të tregoheshin të hapura për informacion. Pastaj e përshëndeti edhe në emrin e Shefit të Qeverisë, duke shtuar se zoti Kryeministër uronte që, për ta njohur realisht diversitetin social, vizitat në familje të ishin sa më të padekonspiruara dhe kampionet e zgjedhur sa më domethënës.
2
Gjithsej u realizuan pesë vizita, të cilat i gjeta të shpërndara në shkrimin e Frenkut, por unë po i jap të përmbledhura. Të gjitha u kryen thuajse pa paralajmërim, pasi shoqëruesi vendas telefononte vetëm në çastet, kur do të trokisnin në atë derë.
Siç mund të merret me mend, vizita e parë u bë në shtëpinë e shoqëruesit. Në darkë e sipër, Dëshmitari 1 i bëri mysafirit një panoramë të vendit të tij gjatë shek. XIX dhe dekadave që pasuan. Frenku shënon se shoqëruesi i dhuroi 19 libra të vjetër (në anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe italisht), shkruar e botuar aso kohe nga udhëtarë apo konsuj të huaj. Duke parë zgavrën e madhe që mbeti në raftin e bibliotekës, mysafiri shfaqi keqardhje. Por tjetri ia hoqi merakun. “Ata libra nuk më hyjnë më në punë”, tha, “tashmë kanë nisur të përkthehen në gjuhën tonë dhe këtu ose na i falin, ose i blejmë badihava.”
Vizita e dytë u bë në një familje që, për shkak të papunësisë së përkohëshme të zonjës së shtëpisë, Frenkut iu tha se trajtohej me ndihmë sociale. Dëshmitarja 2 banonte në një nga kullat jug-lindore. Në darkë e sipër, meqë ishte etnografe, u fol disa herë për veshjet e hershme kombëtare, të cilat ajo i cilësonte si pasuri e mahnitshme kulturore. Kur do të ngriheshin, zonja i dhuroi një kostum burrash me gjithë kompletin e aksesorëve. Frenk Uliamsi mbeti i habitur, por dëshmitarja e qetësoi duke i thënë: “Asgjë, ju lutem, asgjë! Unë gëzohem që Amerikës do t’i shtohet ky thesar!”
Për familjen e Dëshmitarit 3 gazetarit të huaj iu tha se i përkiste shtresës së mesme. Sipas përshkrimit që bënte autori i shkrimit, shtëpia dykatëshe ndodhej në tortën urbane të kryeqytetit. Ajo banesë kishte vetëm një të metë, oborri me kangjella nuk ishte shumë i bollshëm. Në darkë e sipër, sesi ra fjala për zonat e nxehta të planetit, ku ende zhvilloheshin luftime. Doli se i zoti i shtëpisë ishte njohës i mirë i armëve, madje tregtia e armëve ishte zanati i tij. Teksa po pinin uiskin e pasbukës, Dëshmitari 3 bëri dhe një gjest bujarie. Ai i dhuroi mysafirit të shquar një pistoletë, një pushkë karabinë, një kallash dhe një bazuka antitank. Zoti Uiliams ngriti supet i pataksur nga habia, por tjetri s’i la kohë për sikletosje. “Asnjë merak të mos keni për letrat”, tha, “formalitetet, shpenzimet e doganës dhe të transportit i kam unë.”
Vizita e katërt u konceptua si relaks. Mirëpo, në vend ta çonin në teatrin e komedisë, mysafirin e çuan në shtëpinë e një aktori komik. Sidoqoftë, shoqëruesi u tregua i sinqertë. Ai i tha se si shtresë shoqërore aktori klasifikohej në kategorinë “Të paqëndrueshmit ekonomikisht”. Siç u fol, ashtu doli, një darkë shplodhëse. I zoti i shtëpisë e priti me përshëndetje në anglisht: “Hello, Frenk! Si të shkojnë punët, miku im?” Por ishte njëlloj si t’i kishte folur nga Hollivudi vetë Brad Pitt-i, kaq ngjashëm e imitoi zërin e tij. Në darkë e sipër do ta shfaqte këtë aftësi, duke imituar edhe Robert De Niro-n e Tom Cruise-in. Natyrisht, me të njëjtën formulë të fiksuar: “Hello, Robert... Hello Tom!” Por kulmi arriti kur atij i ra zilja e telefonit dhe Dëshmitari 4 foli në gjuhën vendase, veçse kësaj here duke e lënë pa mend mysafirin, sepse po imitonte zërin e tij: “Hello, miku im, jam Frenk Uiliams. Si po shkojnë punët andej? Unë...”, e të tjera, e të tjera. Nga këto të tjerat, amerikanit pakogjë do t’i hynte në vesh, si për shembull: “çaj dërrasa... tani mjaft... paguan... kush?.. ky trapi...”. Por në darkë e sipër u kuptua se Frenku nuk mund të priste dhurata aty, përkundrazi, ndoshta priteshin nga mysafiri i largët. Dhe Frenku e kishte parandierë se do të ndodhej në një situatë të tillë. Ai hoqi talismanin e tij dhe ia vari tjetrit në qafë. Ishte një prizëm kristali, i cili nga njëra faqe e reflektonte dritën në blu, nga tjetra në të ashtuquajturën mavi mbretërore, dy simbolikat e palëve politike kundërshtare.
Ende pa e përfshirë në raport vizitën e pestë, në numrin e së premtes njujorkezi shkruante: “Këtu vendasit hanë më shëndetshëm se amerikanët dhe defekojnë (“Bëjmë kakën”, thonë ata.) dy ose tri herë në ditë. Nëse mysafiri tregohet i turpshëm, familjarët ia ngulin pirunin ndonjë llokme mishi dhe ia fusin në gojë thuajse me zor. Ndërkaq, nuk harrojnë të kujtohen për gjallesat e ujit, madje flasin shpesh për peshqit e mëdhenj, por për të hangër shumica mjaftohet me të vegjëlit. Vendasit pinë alkool të fortë edhe duke ngrënë. Nuk e di nëse prej traditës apo ndonjë efekti të viteve të fundit, ata janë shumë të dhënë pas brendisë së gotës. Domethënë si e shohin gotën, e shohin të mbushur plot apo përgjysmë. Kushedi përse, herë pas here përmendin emrin e një ambasadori të huaj, që dikur i paskësh magjepsur (Ata thonë: “Na ka lafitur!”) me filozofinë e volumit të gotës. Prandaj në tryezë, ngaqë gota e pëgjysmuar sikur ua vret sytë, pa arritur ta zbrazja asnjëherë, ma mbushnin deri në buzë. Dhe jo rrallë shtonin gjithë krenari: “Shtëpia ime është e Zotit dhe e mikut!” Që ishte e mikut, po e provoja vetë, por sa ishte e Zotit, këtë nuk e di.
Pas këtyre radhëve, vinte përshkrimi i vizitës së pestë. Siç iu tha Frenkut, për t’i njohur në larmi shtresat shoqërore, kësaj here do të vizitonin një qytetar të kamur, por ama të pasuruar me punë të ndershme. Si dhe në rastet e mëparshme, duke dashur ta gjenin të papërgatitur, shoqëruesi i telefonoi të zotit të shtëpisë në çastet e fundit. Dëshmitari 5 jetonte në rrethinat e qytetit, në një vilë moderne jo vetëm me oborr të bollshëm, por edhe me kopshtin mbrapa. Përveç rrethojës me mure betoni, Frenk Uiliamsit nuk i shpëtuan nga syri as garazhet dhe kamerat vëzhguese. Ishin duke pirë aperitivin, kur mysafiri ndjeu në ajër erën e marijuanës. Me ta marrë vesh se njujorkezi i shquar e tymoste nganjëherë, i zoti i shtëpisë i zgjati takëmet që ta pështillte një cigare. Pastaj, me gotat plot e përplot, në darkë e sipër ngriti dolli për shëndetin e tij. Kaq madhërisht po e nderonte, sa erdhi një çast që prej bujarisë së tjetrit, Frenku u shtang. Dëshmitari 5 i dhuroi mysafirit një truall panoramik në bregdetin e jugut dhe, meqë ishte përdorues, edhe një kuintal marijuanë të cilësisë së parë. “Deri në kufirin me Meksikën ta sjellin njerëzit e mi”, i dha garanci, “por më pas nuk e marr përsipër, të paktën tani për tani.”
3
Në paragrafin e fundit, Frenk Uilimasi bënte një zbulim, mbështetur në burime që kishin rrjedhur nga ambasadat, si dhe në takimet kokë më kokë me eksponentë të opozitës politike, të cilët nuk dëshironin të identifikoheshin. Në tekstin e gazetës zbulimi paraqitej me këtë grafikë:
Dëshmitari 1 - shoqëruesi vendas, publicist i lirë nga shoqëria civile, amator i peshkimit me grep, aksioner në një biznes pa nder, bashkëpunëtor i fshehtë i Shërbimit Inteligjent.
Dëshmitarja 2 - familje që formalisht trajtohet me ndihmë sociale, zyrtarisht koordinatore e marrëdhënieve me UNESKO-n, motra e gruas së Ministrit të Mirëqenies, Pagave dhe Pensioneve, funksionarit që priti mysafirin në kabinetin e tij.
Dëshmitari 3 - familje e shtresës së mesme, trafikant me licencë të skaduar, militant në kohë zgjedhjesh, i dyshuar për fshehje të pasurisë dhe mbajtjen e dy identiteteve gjatë qëndrimit në Kolumbi.
Dëshmitari 4 - plus & minus nga xhepi, i njohur me pseudonimin Mashtruesi, dublant i zërit në dy filma për fëmijë, pedofil, i dalë nga burgu me leje të përkohshme shpërblyese për argëtimin tim. (Me gjasë, nipi i kryetarit të Komisionit Parlamentar për Tokën, Ujin dhe Ajrin.)
Dëshmitari 5 - sipërmarrës i pasuruar përmes tendrave me prokurim të drejtëpërdrejtë, pa precedent penal, besimtar në Zot, sponsorizues dhe bamirës i njohur, njëri nga kumbarët e Kryeministrit.
Me vijimin e së premtes shkrimi i gjatë kishte përfunduar. Por në gazetën e së shtunës Frenk Uiliamsi u shfaq sërish me një shënim bombë. Dhe ishte vetëm narracion. Ai sqaronte se kurrë nuk kishte shkelur në kryeqytetin e atij vend. Gjithë teksti i tij kishte qenë një leksion provokues për studentët e gazetarisë. Por sidomos një pamflet i merituar ndaj atyre kolegëve, që as marrin mundimin të raportojnë nga terreni. Të lodhur nga dëfrimet shfrenuese të natës, ulur përpara kompjuterit të zyrës dhe bazuar vetëm në burime të njëanshme on line, ata fabrikojnë raportime të denja për togjet e plehrave. “Shpifje, shpifje të Media Kazanit!”, sikur dëgjoj ende thirrjet e dëshmitarëve.
Pyetjes së hamendësuar se përse kishte bërë objekt pikërisht atë vend, Frenku i paradilte me një përgjigje të sinqertë. Përpara se të përgatiste leksionin për studentët, me gjithë kërkimet e tij intensive, në tërë lëmshin tokësor asgjëkundi tjetër nuk kishte mundur ta gjente termin MEDIA KAZANI. Këtë përbuzje të skajshme por puro novatore, e kishte gjetur vetëm në atë vendin e çuditshëm, ku as shtëpia nuk është e pronarit, por e Zotit dhe e të huajve. Shkurt, atje ku qytetarët ushqehen më shëndetshëm se amerikanët, madje ndonëse rrinë gjithnjë me gotën plot, e bëjnë kakën dy-tri herë në njëzet e katër orë. “E përfytyroj tani atë popull ëndërrimtar”, e mbyllte Frenku, “duke konsumuar peshq të vegjel ndërsa flet për peshqit e mëdhenj, e përfytyroj me empati nën atë qiellin e tyre aq të veçantë, ku bluja dhe mavia mbretërore konkurrojnë vazhdimisht për sundim.”
(2018)