Wednesday, April 19, 2017

Ramiz Kuqi: Dy Poezi


DESHTA
Të zbres sonte
Deri në thellësi të fjalës
T'i them shpirtit 
Ngrit një dolli me verë
Të zbraz një nga një
Gotat e pafund
Nëpër dallgët e jetēs
Me vargun e ëndrrave
Të shtegtoj çdokund !
Deshta ...

POET
Shkriu me fjalën
Për një Atdhe
E dashuri
Mbyll udhët e shkronjave
Për maskarenjtë
Që të shndërruan në memec !
18.4.2017

Monday, April 17, 2017

Prend BUZHALA: DOKTRINAT E RIMOHIMIT KOMBËTAR


(Çaste eseistike: IMAGINARIUM), 18
A mund ta shkruajmë sot një akuzë të re që Gjergj Kastrioti është hero turk, mbasi emrin e ka Skënderbe... për të qenë në korrent me neo-otomanizmin?! Po supozojmë: Skënderbeu u pajtua me Perandorinë që të mos bëjë gjenocid:
“Qe po e ndërrojmë fenë, po e ndërrojmë kulturën, por si ta ndërrojmë kombin”?
“Ju nuk jeni arbër, se arbrit janë kaurrë, me demek të krishterë, kurse ju jeni turq, jeni myslimanë.”
Dhe për pesëqind vjet Turqia mohoi emrin e të qernit shqiptar...
Dhe kombi shqiptar, dje e sot, i ka gjetur formulat e veta të mbijetesës. Së fundmi, kur u krijua ky sintetizim e gërshetim “multikulturash, multireligjionesh e multi-identitetesh”, gjeti formulën e shqiptarisë:”Feja e shqiptarit është shqiptaria.”
1.
Sot, kur tashmë është rrezikuar edhe kjo formulë; “për ta shpëtuar vetveten”, si dikur nën Perandorinë Otomane, a mund ta shpikim një Skënderbe si hero turk?!
“Nuk duam të jemi shqiptar, duam të jemi kosovarë. Historia shqiptare nuk ka ekzistuar. Ka ekzistuar historia turke, shpëtimi ynë na erdhi nga Turqia...”, bërtasin sot protagonistët e doktrinës rimohuese shqiptare.
Pra, formula “komb kosovar”, është amalgamë sllave dhe neo-otomane. Sllave: e mohon shtetin e Kosovës, duke e quajtur si “djep të serbizmit!”, me trashëgimi ekskluzivisht serbe (manastiresh e kishash). Neo-otomane: se Kosova nuk ka histori shqiptare, por histori turke, trashëgimi turke...
A thua edhe sot, doktrina e mohimit të të qenit shqiptar dhe e të europerëdnimor, është negative, si na propagandon doktrina e sotme shqipfolëse neo-otomane?! Dhe secilin rikthim kah Lindja, kah Turqia e tipit neo-otoman, qenka pozitive?! “Për ta tretur Shqipërinë” (për ta shuar atë) janë zhvilluar agresione, fushata, sulme, shpëlarje trush... Qenë vënë në veprim “doktrina rimohuese” (Kadare) për ta shkëputur Shqipërinë nga Evropa.
2.
Kot që Gjergj Kastrioti u quajt Skënderbe. E mori këtë ofiq të lartë, jo vetëm për t’u identifikuar ushtarakisht me Aleksandrin e Madh (turqisht: Iskander), por edhe të ketë... një si emër-formulë që sintetizon “një gërshetim” multikulturash, multireligjionesh, multuishtetesh, multiniregjionesh...
E keqja është se këtë sintetizim të mishëruar historik, kurrë nuk e pranoi Orienti otoman dje e ai sotmi, neo-otoman.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u bë emblemë arbërore e shqiptare europerëndimore. U bë emblemë e Perëndimit, me të dy emrat e tij historikë, sikundër shprehet Ismail Kadare:
Si ditë e plotë ai shtjellej
Me re dhe erë përmbi atdhe.
Një emër Gjergj e kish si diellin
Tjetrin si hënën, Skënderbe.
(poezia “Portreti i Skënderbeut”)
3.
Mirë,: nëse dje, kur quheshim arbër, duhej sakrifikuar ai emër, për t’u strehuar të gjithë së bashku te një emër i ri shpëtimtar: shqiptar, e sot?
Për hir të neo-otomanizmit, a u dashka të heqim dorë edhe nga emri shqiptar për t’u quajtur kosovar?
Qe, po e ndërrojmë edhe kombin, mbas ndërrimit të fesë dhe të kulturës dje!
Po i shpallim historinë tonë që nuk është shqiptare. Se fare ajo nuk ekziston...
Por problemi po na del te gjuha.
Si ta shpikim një gjuhë që nuk është shqipe, por otomane?!
Po e parafrazojmë Kadarenë, si u shpreh këto ditë në Prishtinë: "Fati i kombit (lexuesit) shqiptar, është i pandarë nga gjuha shqipe....”
( 17 prill 2017)

Kujtim Stojku: YMER KOÇI - DOSJA Nr 263


(Nga libri në dorëshkrim)

Ishin ditët e para të muajt mars të vitit 1975,para dyerve të gjykatës së Rrethit Tiranës ishte mbledhur një grumbull njerzish që priste të hapej salla.Ky
 grup njerzish që në ato ditë të  ftohta të muajt mars sëbashku me rrokullisjet e dimrit,do të linte tek  ata gjurmët e ftohtësisë dhe të akullit që dukeshin se do të qëndronin më gjatë.Ata rrinin si të mpirë,burrat që nga larg dukeshin se po tymosnin duhan,shikonin njëri tjetrin,bisedonin pak,pastaj duke thithur cigaret fytyrat e tyre mbuloheshin nga nga një vel i kaltër.
Pas disa çastesh u hap dera dhe  njerzit u futën brenda në sallë.Në radhët e para u ul një grua e moshuar,rrudhat sikur i ishin shtuar në fytyrë,mbi kokë mbante një rize të bardhë,dhe në sytë e saj dukej një refleks i qelqtë.
Në anën e djathtë të sallës ishte një burrë 45 vjeçar i ulur në bankën e të akuzuarve,i cili qëndronte në mes dy policëve të cilët dukeshin sikur qëndronin indiferentë,por në fakt ata gjithçka përreth e shikonin me hollësi,që nga i pandehuri që kishin në mes dhe deri tek njerzit që po futeshin në sallë të heshtur.Sytë e njerzëve që u ulën në karriget e sallës u përqëndruan që të gjithë tek burri  që qëndronte në mes të dy policëve,disa ia bënë me dorë,por ai me atë vështrimin e tij të qetë dhe atë shtatin vigan dukej si një sklupturë e gdhendur në mermer dhe qëndronte pa lëvizur.Përshëndetjeve të njerzëve që kishin zënë vend në sallën e gjykatës ai ua kthente vetëm me një buzqeshje të lehtë në buzë.Pastaj po nga ajo derë në të djathtë ku ishte ulur i akuzuari,hynë tre vetë,ishin dy burra dhe një grua.Ai i pari ishte rreth të pesdhjetave dhe u ul në mes,kurse dy të tjerët anash.Ky ishte trupi gjykues që do të gjykonte të pandehurin.Në një tryezë pak më tutje se ajo ku ishte vendosur trupi gjykues qëndronte sekretarja një grua tek të tridhjetat,dhe pak më tej në të kundërtën e sallës ishte ulur prokurorja që ishte aty tek dyzatat.Kur trupi gjykues u fut në sallë të gjithë u ngritën në këmbë.Pasi u ulën u bë prezantimi i antarëve të trupit gjykues i cili përbëhej nga:
Aleks Varfi: kryetar,
Violeta Laho:Nd gjyqtare,
Fatmir Tabaku: Nd gjyqtar.
Liza Haxhinasto: Prokurore.
Më pas filloi hetimi gjyqsor.U lexua me zë të lartë emri i të pandehurit:
YMER KOÇI,bir i Dalipit dhe i Fatimesë,me datlindje 1931,lindur në Lejçan të Peshkopisë dhe banues në Tiranë,Lagjia.Nr 1,Rr.Todi Shkurti,Nr.22… I dekoruar disa herë,si edhe njëkohësisht kishte marrë edhe dekoratën e 10 vjetorit të ushtrisë…këtu zëri i Aleks Varfit erdhi më i ashpër se në fillim,ai e dinte shumë mirë se ky i pandehur ishte propozuar përsëri për të marrë dekoratën e lartë,por..i hodhi një vështrim të pandehurit i cili qëndronte i qetë dhe mospërfillës nga ato që lexonte ai,prokurororja bënte sikur mbante shënim,por në fakt zhgarraviste kot mbi një fletë të bardhë duke bërë figura gjeometrike,pastaj u dëgjua të shqiptohej me zë të ashpër dhe ton të lartë neni 73/1 i kodit penal,ku ky i pandehur kishte zhvilluar veprimtari armiqsore dhe gjykohej si armik i partisë,popullit dhe atdheut…

(vazhdon)

Ymer Nurka - SULLTANATI


Me triumf të Erdoganit
Erdhi koha e sulltanit
Me bejlerë e agallarë
Bash si pesëqind vjet më parë
* * *
Mbahi ju burra zamani
Silleni si pashallarë,
Për shërbimin vetë sulltani
U pagoi me herë të parë.

Veç që ju të rronit mirë
Shpiku norma, vuri ligje.
T'i gëzonit brez pas brezi
Ndere, tituj dhe ofiqe.
Veç që ju të rronit mirë
U dha prona, u dha toka.
Që mbi mbi zverk të shqiptarit
Të qëndronit si thithlopa.

Ju or ju, qëniet e para
Që u shitët u përshitët,
Ju fytyrat, aq të shplara
Si shushunja që s'u shqitët

Nuk punuat nga e mbara
Por shërbyet tek jezitët
Shqipes që ti zhdukej fara
Kombit ti shkurtonit ditët.

Edhe sot tek shoh pinjollët
Që ç'nuk bëjnë të nxjerrin ligjet
Të ringjallin tanzimatin
Bejlerllëkun dhe çifligjet

Nëpër skuta, nëpër vrima
Ja i nxorën dhe tapitë
Korrupsion hallish-verishe
Dite e natĕ e natë e ditë.

Të molepsur në një garë
Të pangopur, janë palë.
Dje nga geni tradhëtarë
Sot borgjeze e feudalë.
Le më le që s'patët vdekur
U vetëshpallët dhe heronj
Gjoja patriotë të thekur
Sa e shtitë vendin ndër thonj.

Pastaj pa e bërë të gjatë
Korruptuat kadilerët
Morët pronat me kamatë
Dhe i shitët tek të tjerët
Në yzmeqarë dhe argatë
Ju i kthyet gjithë të mjerët

Pastaj gjoja me trumbetë
Na premtoni perëndimin
Na kujtoni nga hiletë.
Bullafiq sulltan Selimin.

Si mendoni e si besoni
Kështu hyret në Europë?
Keni sy e nuk shikoni
S'kemi miq e s'kemi shokë
Ajo portë që (s)'dëshironi.
Domosdo hapet me kokë.

Feste e turkut prapë vjen rrotull
Dhe zakoni edhe feja
Në udhë të vjetra shkel ky popull
I premtohen udhë të reja

Katandisur në një turmë
Veremosur prej hashashit
Mjaft të heshtë e mos bëjë zhurmë
Nën tutelën e bimbashit
Të ketë kohë kope e murrmë
E hajdutit e qyrrashit.

Kohë kanë e nuk po nginjen
as nuk fryhen as pëlcasin
Fushat thahen, malet thinjen
Egërsirat ulurasin

Hahen brehen përmbi prenë
Qe e lodhur qëndron shtrirë
Të pafund e paskan ngenë
Këta lugatë e këta vampirë

Ja e mbushët xhepin tuaj
Deng me leķë e me valutë
Pastaj mbahi ndër të huaj
Për goxha të mëdhenj nga trutë

Blini tituj, shisni mend
Me leksione aq të kota.
Pasi ndritët këtë vend
Qani hallet që ka bota

Ah sa keq, sa keq prej zotit
Ra në kurthe shqiptaria
Eh ku vanë burrat e motit
Eh si rrodhi historia

Vetë e liga na zu pritë
Shfaqur si demokraci
Po do vijë do vijë njĕ ditë
Që të jepet llogari.

Për çka vodhët, për çka mblodhët
Për gjithë rrugët bërë ters
Në ankand gjithçka që hodhët
Larë me gjak e vënë me djersë

Drejtësia po vjen rrotull
Jo or jo ajo nuk vdes
Çka është vjedhur tek ky popull
Do të kthehet një mengjez.

Ndërsa ju sa të jeni gjallë
Do damkoseni mbi dhé
Me një vulë të zezë në ballë
Gjersa toka tu bëjë pleh.

Prend BUZHALA: LËVIZJA E NJË VARRI, RINGJALLJA


(Çaste eseistike: si krijohen institucionet
dhe lëvizjet e mëdha në histori: IMAGINARIUM), 17
Lëvizja e një varri krijoi një lëvizje të madhe botërore në religjion që quhet krishterim, dhe me KËTË LËVIZJE, nis Epoka e Re: vitet maten para e pas Jezuit, para e Pas Epokës së Re. Por Lëvizja e Një Varri ka krijuar dhe Legjendën e Besës Shqiptare (ringritjen a ringjalljen e Kostantinit nga varri). Përpara i kemi dy vepra që kanë bërë emër botëror: librin e gazetarit të njohur hetues Lee Strobel me titullin "Çështja e Krishtit" (botimi shqip, Tiranë 2007) , si dhe romanin e Ismail Kadaresë "Kush e solli Doruntinën" (1979) të Ismail Kadaresë. Që të dy veprat përshkohen nga skepsa, mendjehollësia, zbërthimi interesant,libri i parë për ta krijuar të vërtetën e Jezusit historik, e dyta për të krijuar të vërtetën (artistike) për Besën Shqiptare.
1.
Lee Strobel, sikundër thuhet në komentimet për të si autor, gjurmon Tregimin Më të Madh në Histori. Lee Strobel ishte ateist ( ai paraqet rrugën e tij shpirtërore deri te besimi), interviston trembëdhjetë studiues e autoritete të njohura me doktoratura nga universitetet e njohura evropiane e amerikane. "Strobel sfidon me pyetjet: "Sa e besueshme është Besëlidhja e Re (Dhjata e Re)? A ka prova për Jezusin jashtë Biblës? A ka arsye për të besuar se ringjallja ka ndodhur me të vërtetë". Prova e Dëshmitarëve Okularë (dhe vënia e tyre në provë), Prova Dokumentare, Prova Mbështetëse, Prova Shkencore, Kundërprova, Prova e Identitetit, Prova Psikologjike, Prova e Profilit, Prova e Gjurmëve të Gishtërinjve, Prova Mjekësore, Prova e Trupit Që Mungonte Prova e Dukjeve, Prova Rrethanore, Përfundim: Vendimi i Historisë - janë kapitujt që e strukturojnë këtë libër tejet të rrallë. Në të gjithë kapitujt jepen rrëfime paralele dokumentare të kohës së sotme dhe të Kohës së Jezusit (duket sikur po e lexon një roman),, me intervistimet e dijetarëve më të shquar evropianë.
2.
Por Lëvizen e Një Varri e trajton edhe romani "Kush e solli Doruntinën" (i botuar më 1979). Kjo vepër zhytet së thelli në histori me ndihmën e okumentit artistik gojor, për të paraqitur shtyllat e ekzistimit tonë si bashkësi. Përpara i kemi pamjet e ndryshme të legjendës... Dihet mirëfilli se besa në jetën e popullit shqiptar që nga thellësia e shekujve, përbën një normë etike dhe një mendësi etnopsikologjike, tek është ngritur në një institucion që ka rregulluar dhe rregullon ende mënyrën e sjelljes e të veprimeve në marrëdhëniet familjare e deri te ato mes katundesh, fisesh e krahinash. Si mendësi e tillë, ajo merr rëndësinë e veçantë, jo vetëm në jetën e individit, po edhe në atë shoqërore, botëkuptimore e estetike. Besa është një detyrim etik që duhet të përmbushet doemos: është i vetmi qëllim i ekzistencës.
Mesazhi filozofik i veprës (vepra u shkrua në vitet ’80, në kohën e diktaturës) është sugjestiv: kundërshtimi politik i ideve të vjetra, pra i ideve të Lindjes, i kishës bizantine; parapëlqimi i lidhjes me Evropën!
Shkrimtari e ka vendosur ngjarjen në mesjetë dhe e ka përzgjedhur për trajtim baladën arbëreshe, si dëshmi e kohës së fisnikëve arbërorë. Interesa paraqesin mendimet për një botë me besë, një si rindërtim në krejt jetën e Arbrit, para stuhive që priteshin të vinin me dervishë leckamanë, me ca rapsodë e incidente në kufi. Romansieri na dëfton se përplasja e interesave mes fuqive të mëdha, ideologjive etj, është e hershme. Në këtë vorbull përplasjesh, besa merr përmasa mrekullibërëse, kurse Stresi shpall para gjindes se Doruntinën e ka sjellë Konstandini: “Secili prej nesh ka pjesë në këtë rrugëtim…”
Duke i ngritur një monument besës, atëherë kur në sfondin historik do të bëhet edhe Kanuni a Kushtetuta e Lekës për Besën, përligj faktin se nuk janë gjyqet apo forcat e mbrojtjes ato që e ruajnë ligjësinë, po është Besa, e përcjellë si trashëgimi brez pas brezi, si mbrojtëse e këtij identiteti, si ideal drejt përsosmërisë njerëzore e shoqërore. Si shenjtëri jona.
( 16 prill 2017)

Saturday, April 15, 2017

Grigor Jovani: DUKE PËRGJUAR ERERAT


Vura një guackë në vesh. Sirenat
thoshin emrin tënd,
mes lukunisë së erës.

Renda si i marrë në breg. Nga varka
s’kishte mbetur gjë. Veç
ca dru të kalbur
sipër rërës.

Enda pëlhurë të re. Ndoqa
drejtime të reja erërash. Pashë
të tjera vënde.

Askund më s’të gjeta.
Duke përgjuar erërat,
i lidhur në direkë si Odiseu,
as edhe një natë nuk fjeta.

Ramiz Kuqi: ËNDRRAT E LIQENIT


T'i zbriste shtatë yje
Me shtatë zemra
Në shtatë kulla
Shtatë dasma
Maleve
Të dëgjonte një fyell
Me shtatë vrima
Jehonë e saj
Nëpër shtatë rrathë
E lumi
Të degëzohej në tri ëndrra
Të copëzuara
Që flasin dëlirë shqip
Me shtatë zogj
Ta zgjonte qellin e heshtur
Ëndrra e liqenit
Të bëhej nuse Iliride!
15.4.2017