Tuesday, February 26, 2019

POEZI NGA YLLI GALINA



DASHURIA…


Kurrë nuk e dija, në mos rruga do përfundoj pas pak
e qielli s’do të kish hënë, nuk do shihej as dhe një yll,
natës pemët shushurijnë, muret shtojnë zhurmë mbytëse,
si profetë dalur nga policia, profetët prore nga uniformat
e kravatave dalur, nga hijet e valixheve.


Ndërgjegja, kjo geto, qimitere me normë përqindjeje
të zmadhuar nga elita me zëzëllimë insektesh në muzg.
Të dërgova foto, sikur s’po mbanë ison e vetes, të thashë
e dashuria që s’kthehet, nuk vdes kurrë. Ajo s’ikën dot
e ku po vete ti? Alarm po dridhet funddeti, mosss ikkk!
Dashuria që vjen, e shenjtëron secilën plagë të syve
të qymyrtë, të zemrës së katrantë, të fjalëve të shkruara
në ajër, petël lulesh, sqep zboraku, pupël dallandyshesh
të fundme në skaj bote.




GJETHET E GËSHTENJAVE TË PIKËLLUARA


Fati u davarit një herë e mirë, ky zjarri i botës që Zoti
ka krijuar gjithë ullinjtë e limonët e flakëve në mua
e t’më shqyejnë,- u dha kaq krah!



QENTË ENDACAKË


Është letër e madhe, sikush vë firmën në të dhe mbreti
rri i gëzuar që merr në fund reagimet e qytetarëve,
pa dashur të plotësojë gjë, së vëni nën kontroll ata.
“Më vunë pas prangave mamanë, kurse vajzë e vogël
që vjedh jam. Më veni prangat e në burg te mamaja
më hidhni, se gjithçmos vodha dhe e prapësive jam!”
Po kush bëhet merak, qentë endacakë e zurën keq
me dhëmbë e asgjë me rëndësi. Gazeta NACIONAL
vjell mjaltë për kombin, me sa nam të ulët faqet mbush
e sa despotik cinizmi me poezi, kritikë, brekë femrash!
Ikona biovale, trotuaret. Sa paranoja fashizmi që duan
vendin, kur muzika, filmat e dimension i katërt prapa,
magjepsin, por nacionalen mbështjellin me klitorin
e macjeve në bordel të lehjeve e, çap-çup, koloviten
plakaruqe idealet. O metal idiot, pill gjeni sekondash,
se na mori lumi këtë vend çatish të minjve me çapitje!
Si ky art i mizorive që mbetka bota, pa pelë të fundit
nën çezma lakuriqe të kurbatkës, aty të plitharit!


HARRESA ME SHTATË SHPIRTRA


Këto mjaullitje macjesh!... Një tufë ujqish po fshehin
ironinë e harresës me shtatë shpirtra.
Sonte orës 24 u rrokullis një dardhë nga dega lart,
por në çastin që qentë deshën ta hanë, u lemerisën,
kur nën atë qe fshehur e po shkundullonte rrobat
një vresht i zi, imam hata.




ME GEORG FRIEDRICH HENDEL E SARABANDAN E TIJ


Nuk kap fije shprese, po përmenda Parisin, por shoh veç
çarjen e dejve. As Vjena të përballojë lotët e gjetheve,
si është krimbur qetësia e ujit të Senës e fjalët mbi veten
s’di t’i them, sa të deh makthet, lule-makthet, më mirë.
E doja atë që nuk pranoi të ik nga jeta, kur frymë s’jep
pranvera, kaq larg ende! O sa dhemb dielli në perëndim!
Them, s’do mbes vend pa vajtur. Ku do vaj, nuk di ende.
S’do mbes, pa hapur portë, pa ngjitur shkallare, pa prekur
lulë me dorë. Vallë, mos nga poezia tradhtohet e vërteta?
Mos duan vlerë bote, këta që kombin s’lëshojnë nga piruni?
Mos, kur ikën kriza, njeriu mund të mbledh gjymtyrët e tija
dhe të rikomponoj nga e para etydin 1? Volumin qiellor
simfonisë që më shkul flokët e rrufeve?... Më erren sytë
para lumit, dridhma të drurit para meje shoh. Po më pi gota
e letrat nëpër duar më janë bërë mur, me ato do ngreh urën
më të gjatë në botë. Kohët e fundit po mendoj shpesh për…
atëherë kuptoj urat nga vjen dashuria me pelerinë vdekjeje,
prapë mendoj letrat që janë ajo pardesy e saj, më mirë kështu,
“shpresa me pardesy”, tingëllon sikur i thua mirëmëngjes ikjes
e atëherë zë e kap portat e para me duar, çudi, dejt e mi vërej
të qenkan dej nëpër dërrasa dyersh që po zë me duar!


ORKESTRA SIMFONIKE E VENDIT


Të jesh me sy, sa lumi të fortë që nxjerr ai gjithë ata lotë
e nuk shteron zemra e shpresa ime katran brenda tij.


TRILLIMI I MAQEDONISË


Bruksel, dita 11 e shkurtit, kanë ecur këtej disa nga vendi
ynë, po si bëhet? Se Zoti ka derdhur mbi shqiptarë
gjithë botën e instinktit maqedon. Dhe në Skopje luten
para minjve e kamionëve,- shqiptarë askund të mos ketë!
Madje që u panë duke ngrënë kingburgerë në periferi Londre
dy sish... do eliminuar. Soveto, 20 shkurt, regjistruan dy
njerëz, si unë, negër, ashtu si qe Bergen-Belzeni maqedon,-
i bardhë. E si blehet një pikturë nga kanavaca e vjetër
mbi masakrat, ku qenë, i kërkojmë me volunterë
shqiptarë të palodhur, si lulet e maskotat e gestapos.
Bruklin, 23 shkurt, miti i trëndafilit shfaqet i prapë!





MAQEDONIA


Shtet artificial mbi kurriz shqiptarësh. Rrëmbyen toka
dhe popull shqiptar. Jo, krim të tillë gjëkundi të takosh,
veç në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi e tek fashistët grekë.
Ou, luleshtrydhe, banana, ananas, makarona, karkalecë!
Të skuqura, të zgarës ose i zien, pastaj çkado që mbetet,
pasi ta zhdëpësh tmerr, ato t’i hekurosësh, si letra votash
dhe i hidh në kuti të votimeve!



SERBIA!


Poetët serbë futën këmbë bualli në gota të zotave sllavë
e pinë tinguj gjëmësh të faltoreve, përvetësuar si koka,
nga ky Komneniq, Qosiq, Mihajlloviç Mihiç… Kryqzi
së vëni në shkarpa të thara e mbi ulurima. Ti, kurvë,
s’ke shpëtuar- as shpirt dorëzash të humbura e brenda
këpucësh është ngrehur lëndina e sa magjish të harruara!
Vonë. Patriku i çmendur s’ka shpresë gri për natë sllave.



PATRIKU I NEUROPSIKIATRISË


Në fshatin tonë serbët me armë të tërbuara u futën
e vranë 8 gra, sa fëmijë, të rinj, pleq, sy të shuar,
gjinj prerë bartolemesh, fjalë deti mpiksur vesës!
Patriku tashmë kish dalur nga tualeti i neuropsikatrisë
e po kungonte mizat spirite të gjithë një pabotësie
që heret iku dhe lëndina. Iluzioni e realiteti, fshehur,
zbuluan, “shqiptarë qenkan,- zogjtë, bari, lumenjt”!
Ngulur këmbët e kallashëve, thikave mbi dritare
e mbi sqepa pëllumbash, por kuptuan se në Prishtinë
sollën gjithë korbat me autografe e laraskat nga Serbia!
Qielli u tërhoq, jargavani u vetëvra, si gri e hapur,
gri e errët e ngjyrë manushaqeje. Po kapërdinin zogjtë
e ikur, si kripti i kokës nga kripë e plehrave gjetur,
vaskë tualeti mbi kokë dhe tash patriku i të mjerëve.



ZEMËR E DETIT, MË KËRKO DHE CA MË SHUMË!


Lule dionea mbylli dy gjethet e forta mbi trup fluture,
lulemëngjesi më shqeu sytë, si orkide e egër, s’sheh gjë
e lulehëna vazhdon t’u kërkojë zotave të natës kumtin
e zi mbi mua. Plagët e mia, prej nga lindin lumenjtë
e kujtimeve që do brafullojnë gjithë bimët e reja,
mos harro, o Zot!


FLOKËT E QARJEVE TË SHIUT


Kur pranvera që nuk lindi kurrë, do gdhijë mbi mua,
do ketë mbaruar dhe blerimi i xerantemumeve të fundit
aty ngjitur lagune që po mbështjell britmat brenda vetes
me flokët e qarjeve të shiut
dhe po tërheq zvarrë trupin tim grirë
nga sqepat, thundrat…përkëdhelitë.




MBRETËRI E EGËR E LULEVE


Lulet, vera,- mbretëri që mbushi lehet me pleh martir,
yjeve e krimbave të shtogut sa shumë ju ranë çmimet!

Sunday, February 17, 2019

Prend BUZHALA: PORTA E THYER E REPUBLIKËS

Image may contain: 1 person, ocean, sky and outdoorÇast lirik), 17
Mbesa i tha gjyshit sot në mëngjes:
Gjysh, ma mëso Himnin e Republikës sonë,
ta recitoj përmendësh!
Gjyshi heshti pikëllueshëm.
Nipi i tha gjyshit:
gjysh, më ço te Porta e Madhe e Kosovës
ta shënoj emrin e dëshmorit që unë e dua.
Gjyshi heshti. Ato Porta të Mëdha nuk ekzistojnë.
Porta e Fundit një mbrëmje më parë tashmë ishte thyer.
Mbesa i tha gjyshit:
gjysh, eja shkojmë ta blejmë një tufë lulesh
për ta nderuar Republikën.
Kishte vetëm lule plastike.
Kujtimi i të rënëve nderohet me plastikë.
Nipi i tha gjyshit:
pse sivjet nuk na erdhi në shtëpi Mysafiri i Nderit.
(Mysafiri i Pikëlluar nuk gjeti portë të vinte...).
Nipi dhe mbesa u nisën.
Në dorë kishin çelësin për ta hapur Derën më të Rëndë.

Monday, June 25, 2018

HYQMET HASKO: Loni Papa, një individualitet estetik që la shenja në letrat shqipe

In memorium
Ikja e të pazakonshmëve nga kjo botë na dhemb ne njerëzve të zakonshëm, që kemi një nevojë të ngutshme për të marrë diçka nga madhështia dhe finesa e shpirtit të tyre të dëlirë e të mbushur plot tallazitje estetike.
Një nga një po ikin korifejtë e letrave tona, ca në pleqërinë më të thellë, të rrethuar me poetikën e përkujdesjes, ca më pak të lashtë, por të lodhur e të stërlodhur nga sëmundjet dhe emocionet, duke lënë pas rrugëtimin e veprës së tyre që vijon. Është një vepër e mbrujtur me dashuri dhe përkushtim, me të cilën komunikojnë kohët dhe brezat, koha dhe bashkëkohësit. Në një nga këto ditë iku dhe plaku i urtë dhe i mençur, shtavogël por shpirtmadh, Loni Papa, shkrimtari dhe damaturgu mendjehapur, që na la pas një mori veprash letrare, dramash teatrale dhe kulmime shkrimore, si një dëshmi e një talenti të rrallë.
Gjithë përballjet e tij, sprovat e vështira, rrugëtimet gjithë kthesa dramatike jete, tentativat për të lënë shenja në këtë jetë të vështirë u shuan bashkë me frymën e tij të fundit, por madhështia e veprës së tij ka mbetur pas dhe vjen bashkë me ne në këtë epokë të trazuar, gjithë ide dhe mesazhe që na vlejnë për sot e për nesër.
Me emrin e Loni Papa lidhet shkëlqimi i epërm i dramataurgjisë shqipe, ku ai me dramat e tij të shumta ishte një nga përfaqësuesit më elitarë e më të kompletuar të saj. Lidhet krijimtaria për të rinj e fëmijë, ku librat e tij të shumtë zunë vend në bibliotekat e shkollave dhe të institucioneve kulturologjike, si pjesë e një trashëgime të vyer për brezat.
Dukej se Loni Papa, pinjolli I Myzeqesë së bukur dhe plot fshehtësi e magji kishte lindur për të qenë shkrimtar dhe letërsia u bë busulla e tij në jetë, ajo të cilës i fali zemrën dhe shpirtin dhe ajo I fali atij çastet më të bukura të jetës së tij.
Loni Papa u lind në Bubullimë të rrethit të Lusnjes më 28 mars 1932, në një familje intelektuale. I ati, Thoma Papa, i diplomuar në Shkollën Normale të Elbasanit, ishte mësues dhe drejtor shkolle në qytetin e Lusnjes.[2]Mësimet e para i mori në vendlindje dhe shkollën shtatëvjeçare e ndoqi në qytetin e Elbasanit. Arsimin e mesëm e kreu në Shkollën Pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë. Studimet e larta i përfundoi në degën Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Fakultetin Histori Filologji në UTSH..
Veprimtaria e tij letrare nisi në periudhën e shkollës së mesme. Krijimet e tij të para në prozë e poezi i botoi në gazetën ”Zëri i rinisë”, “Letrari I ri”, “Drita” etj. Me mbarimin e shkollës së mesme, në moshë ende të re, u emërua redaktor në gazetën “Zëri I rinisë” ku punoi për tre vjet. Gjatë kësaj periudhe, ai botoi vëllimin e tij te parë në poezi, “Fillo këngën çifteli” (1956). Më pas punoi si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në qytetin e Lushnjës. Pas përfundimit të studimeve të larta, rinisi punën si redaktor dhe gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë”. Prej vitit 1970, vazhdoi veprimtarinë e tij si shkrimtar në profesion të lirë. Në vitet 1994-2001 ai krijoi dhe drejtoi shtëpinë botuese “Ardita” ku u botuan vepra të tij, të autorëve të tjerë shqiptarë dhe përkthime nga autorë të huaj.[3]
Vepra më e njohur e shkrimtarit Loni Papai që i dha emër si dramaturg në letersinë shqiptare, është drama “Cuca e Maleve”.
Tema e kësaj drame, mbështetet në luftën për arsimimin dhe emancipimin e gruas dhe shoqërisë shqiptare në vitet e para pas çlirimit të vendit.
Në vitin 1966, drama “Cuca e maleve” u vu në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës nga regjisori Mihal Luarasi dhe pas suksesit që ajo pati, në vitin 1967, u soll në skenën e Tearit Popullor nga regjisori Pirro Mani. Drama “Cuca e Maleve” ka fituar Çmimin e Republikës të Shkallës së Dytë, në vitin 1972.
Bazuar në dramën “Cuca e maleve”, në vitin 1970 u krijua nga bashkëautorët Loni Papa dhe Agron Aliaj libreti i baletit “Cuca e Maleve”. Ky balet me muzikë nga kompozitori Nikolla Zoraqi, u vu në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit Shqiptar nga koreografi Agron Aliaj.
Drama dhe baleti “Cuca e Maleve” janë shfaqur brenda dhe jashtë vendit dhe pati një audiencë të gjërë edhe në |Kosovë, ndër shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi dhe ndër arbëreshët e Italisë, ku u vu në skenë dhe korri suksese mbresëlënëse.
Drama të tjera të tij mund të përmendim Kalimi në urë (1969), Marga (1971),Një copë rrugë (1976),Gurët e Kreshanës (1976),Zbatharakët (1976),Vëllimi “Gjeniu i marrëzisë” (2003) ku përfshihen pesë drama:“Çafka e detit” , “Arda”, “Vozabërësi Dako”, “Martesa e Lidrës”, “Gjeniu i marrëzisë”, Etiketa e shkulur, Baltë dhe bar.
Ai ka lëvruar dhe gjininë e poezisë ku radhisim këto vëllime poetike:Fillo këngën çifteli (1956),Puthje djalli (1998), si dhe romanet Fundi i një vjeshte (1985), Megi (2000). Në noelistikë vlejnë të përmendim novelat Guri (1958), Duar dhe baltë (1969) si dhe ka shkëlqyer në letërsinë për fëmijë ku mund të përmendim këto vepra:Historia e maçokut, (vjersha për fëmijë, (1957),Ne gjahtarët e fshatit dhe Lica jonë e dashur (novelë, 1964, 1993, 1997),Miu që hëngri macen (novelë, 1974, 2003) , Gishto Trimi (novelë, 1978, 1999),Rosat e Eglës (rrëfenja, 1984), Hundëçipët dhe mbreti Kuku (novelë, 1993, 1997), Përralla fluturuese (rrëfenja, 1994), Kënga e mjellmës (rrëfenja, 1995, 1997) [, Gomari mendjehollë (1995) etj.
Loni Papa ishte punëtor I fjalës së bukur dhe me kohë, me punë dhe përkushtim titanic u bë një mjeshtër virtuoz, një mendje e hapur për të thither dhe për të përcjellë mesazhet më të bukura dhe më kuptimplote të shpirtit njerëzor.
Ndarja nga jeta e Loni Papës është ikja e një korifeu që gjithë jetën e tij të gjatë e të vështirë, plot tallaze dhe shtrëngata shpirtërore e pati lidhur me artin e fjalës, duke e ngritur atë në lartësi të reja, sidomos në lëmin e dramave teatrale, ku qe vërtetë një ikonë dhe i tillë do të mbetet për të gjithë ata që e njohën ose nuk e njohën, por që ia lexuan veprën dhe ia kuptuan thellësinë e mesazheve për të gjitha kohët.

Friday, June 22, 2018

Grigor JOVANI: Cikël Poetik

LETER
Vazhdoj të jem aktor i keq, që e hutojnë
dritat e skenës.
Flej mbi çimenton dhe asfaltin që djeg,
si i pastrehë.
Më ha përbrënda vetmia. Ky krimb
nuk të thotë asnjëherë
“mirmëngjes”.
Histori e përditshme…
Këtyre netëve, kur heshtja dhe mendimet
më mbytin,
skicova mallin tim
dhe ta postova.

VALIXHJA E HARRUAR
Valixhja e harruar në një cep të stacionit,
tani që të mbulon heshtja dhe errësira,
ke frikë,
ashtu si gjahu nuk ndjen më gjuetarin,
duke e ndjekur.
Valixhe e paudhëtuar!
Ndërsa të zbojnë dremitjen
trenat e pasmenatës duke fërshëllyer,
ndjehesh qysh tani
gazelë e vdekur.

TAKETUKJA
Ditët tona -
bishta cigaresh
në një taketuke.
U ndezën dhe
u shuan -
jetë që u harxhuan.
U bënë tym,
mbetën vetëm filtrat
dhe hiri ngjyrë gri.
Tek bishtat e shuara
buzëkuqi yt
si “lamtumira”,
në fyt më rri.
Zemër nuk kam
t’i hedh në plehra,
si mbeturina,
ato të uruara.
Kujtime që dhëmbin.
Një ditë mund të plasin,
mina të harruara.

WEEKEND

Do të doja të të ftoja të shkonim bashkë
diku larg
nga bota e betonit dhe e xhazit të çmendur.
Sytë tanë të lodhur,
si fletë tëzverdhura që i shkelin diku në një park,
ke për të parë si do blerojnë dhe do të gjallërohen,
pas nesh duke rendur.
Eja, të them, të shkojmë diku, qoftë dhe jo larg,
një e djelë dhe një kitarë do të na duhen,
asgjë më shumë.
Nëse shkojmë në det bëjmë zemrat varkë
ose lundrojmë bashkë me hënën,
tek bën kruazieret e vona,
në ndonjë lumë.
Eja, të lutem, të shkojmë diku! Jam mërzitur
weekendet t’i kaloj me gjumë.

Tuesday, June 19, 2018

Musa JOPULL: . . . BËHEN GUR QË THEHET, TË DUA


Sa më ka marrë malli për një lule kopshti
Me hapat e tu që trokisnin në shpirtin tim
Si pika loti në gjethe të njoma, rrahje zemre
Nga se gjum më nuk kam, ëndra shëndëruar
Në melodi me fjalën më të bukur që fali hyjni
Fjalën TË DUA !
Sa më ka marrë malli ta shëndërroj pritjën në copëza jete e
Ta dëgjoj zërin me fjelën më të bukur që ka falë gjuha ime
Fjalën TË DUA
Vetminë e kam përqafuar me një pritje të fjalës
Fjalën TË DUA
Sa më ka marrë malli ta bëj një shëtitje nepër shi e
Ta shoh atë buzëqeshje me lot në sy, fjalën e syrit
Fjalën TË DUA
Sa më ka marrë malli me m’prek ajo dorë e butë vashe
Me fjalën më të bukur që del nga shpirti
Fjalën TË DUA !
Sa më ka marrë malli t’i përgdhel flokët ujëvarë mbi supe e
T’më thuash krrela e sy kanë lindur për mua, me fjalën e zemrës
Fjalën Të dua
Sa më ka marrë malli ta drejtoj shikimin nga qielli e
T’më thuash, syt e ty janë si dielli, zëri yt melodi jete
Me fjalën më të bukur të notave
Fjalën TË DUA
Eh ! Sa më ka marrë malli të dënesë në gjoksin tëndë aromën e dashurisë
Se jam lule që vënitet ditë për ditë, me fjalën më të bukur të sythit
Fjalën TË DUA
Eh ! Malli im më këputi shpirtin
Falë penës sime jeta mërr kuptim
Shi e lot që burojnë në çdo damar të trupit tim
Sa më ka marrë malli për një puthje Atdheu im
Një puthje të gjatë sa jeta, ku do të pikonte mjaltë
Aromë e qershive degë më degë në fluturim
Si bletë që nuk pushon….
18.06.2018

Friday, June 15, 2018

POEZI NGA DHIMITRI KOKAVESHI

HAPËSIRË.
Vështirë dëgjohen
vërtetësitë?...
Si një fenomen 
I shijoj
dhe perceptoj!...
Mëngjeseve
ndjenjash gërryer me ty
natyrë që
më zbërthen!... Mendimesh
zhveshur
qiellores qendrojnë
retë!...
Si një manifestim meteorik
vetmive!...
Nuk qëndrohet.

IDENTITET.
Identitetin afroje
si melodi
Zbërthyer zhanreve dhe
Formave etike
Përzgjedhjeve të tua
Nuk t'i kërkoj.
Të kërkoj!... Netëve afruar
Të kërkoj dhe
Të afroj, jo fenomen
I përceptuar
ndjenjash?... Manifestohesh
Por jo përzgjedhjes
Në ndërgjegjie pagëzime
Pikpamjesh?...
S'të krahasoj, strukturave
Dhe lidhjeve
T' analizoj, format?...
Shpjegimeve
Si një objekt ndëshkimit
Nuk lartësohem
As lartësohen, ligjerimet
Pa cilësi
Ligjeve të tua qëndrojnë
Zbërthyer!...
I tejkaloj.

LUTJEVE.
Nuk e di, nuk e di
Pse hesht
Perëndia?... Në lutje
Jetë
Më qendron, o jetë!...
E gjunjëzuar
Lotësh dhe ashpërsisë
Na afron
Shkëndia, ndezur dhe
Shuar
Si shpirt i harruar!...
Intimitet.

UDHËTIME.
E ndjeva... dimrit
mbështjellur
në oshëtima, zëri i saj
udhëtonte
gërryer!... Mes qetësive
Tkurrur
Përmasave dimërore
udhëtonte!...
Në ecejake dimrash
Përballur
Shpirtit dhe dijes!...
Nuk kishte
maturitë i linte oshëtimave
bluar
Mes hapësirave të saj
gëzonin!....
Zmprapsjet, diellore
le t'i vuaj!...
Dimrave aty ku tkurret
Dhe tretet
shpirti?!… I gurtë a ka
Zgjerim shpirtit
Të gurtë, a gjen besim
Fisnikërie
"zonjës" në varfëri?!...
Plot varfëri kjo
“perëndeshë” provinciale
Zgjohet
mendimit trëmbur
Imiton
E trembur!... Sa shumë
E trembur
bukurisë!... Në pasuri
Shpirtin
Nuk diti kurrë të progresojë
Shpirtin?...
Krediteve ja atribuon!...
Si mes leximesh.

REFLEKSIONE.
Mërzitjet zbërtheja
Mbi format
Dhe mënyrat gdhëndjeve?...
Mundime.
Arritjet!... Përsosmëri
Në fytyrën e saj
Rrotulloja, si një piktor
Portreti
Mbi telajon e tendosur
Derdhur
Ngjyrat?... Ylberiane
mbi thyerrjet
e dritës më afronin dhe
Përshkruanin
Ikonën e saj?...Refleksioneve
Në shkujdesje
Fantazie më zbuste
Ngjyrat?...
Provokonin. Provokonin!...
Mua dhe
Imazhin e saj Ylberian
E zgjeroja
Me hapësirat, mes perspektivës
E gjeja
Njerëzoren?... Më përcaktonte
Me idet!...
Thellësive tejkalonin
Hapësirat!...
Hapësirat më zbulonin
Mendimin
Zbehur dhe provokuar
Pa limite
Më linin!.... Gdhëndur më linin
Miteve
IlMes ikonës së saj
Zbërthyer
I dua!... Dobësitë?...
Si lodhje fizike
I përqafoja me shkëlqimet
Mbulonte dhe
Zbulonte!... Noancat
Ylberiane aty
Ku derdhej dritës!...
Përcjellur
Më zbërthente, imazhet
E errëta
Mes qiellores i linte
Ngjyrat
Mes ggjithësisë përshtatur
Të përveçmen
Mbaja!... Si zbulim

MES DRITËS.
Dritares prisja!...
Kudo
E prisja, diellin?...
Më falte
Me trupin e ndritshëm!...
Si qendër
graviteti më përthithte dhe!...
Harrohesha.
Harrohesha, dritës?...
Drita!...
Më falte mëngjeset e saj
rrezatuese!...
Ndjejash dhe shpirti?...
Ky shkak
më stimulon stemin ndijor
përplasja
me vështrimet diellore
m'i kryqëzonte
dhe kryqëzoja abirinthet!...
E errëta
objekteve i shtrija
me rrugët!...
Edhe ato i udhëtoja
dritës
shtirur dhe të përplasur
hipokrizive?...
Udhëtohet!... Momenteve
nuk udhëtoj,
o e shenjta ndjesi!...
O përceptim
i dritës!.. Më dritën të fal
buzëqeshjet
e venitura?!...Nuk t'i dhuroj
as të qendroj
veçse Ti!... Dritë?...
Me dritën
agimeve të prisja!...
Mes dijesh
fytyrën ëngjellore!...
Ta ndriçoj. 
UDHËTIME.
E ndjeva... dimrit
mbështjellur
në oshëtima, zëri i saj
udhëtonte
gërryer!... Mes qetësive
Tkurrur
Përmasave dimërore
udhëtonte!...
Në ecejake dimrash
Përballur
Shpirtit dhe dijes!...
Nuk kishte
maturitë i linte oshëtimave
bluar
Mes hapësirave të saj
gëzonin!....
Zmprapsjet, diellore
le t'i vuaj!...
Dimrave aty ku tkurret
Dhe tretet
shpirti?!… I gurtë a ka
Zgjerim shpirtit
Të gurtë, a gjen besim
Fisnikërie
"zonjës" në varfëri?!...
Plot varfëri kjo
“perëndeshë” provinciale
Zgjohet
mendimit trëmbur
Imiton
E trembur!... Sa shumë
E trembur
bukurisë!... Në pasuri
Shpirtin
Nuk diti kurrë të progresojë
Shpirtin?...
Krediteve ja atribuon!...
Si mes leximesh.

REFERIME LARGËSISH.
Sa afër kthehen
Largësitë?...
Trysnive mbesin
si mendimet
tona përplasur i kthejmë
mbi çdo rrëfim!...
Gdhëndëshin në afërsi
hukatjet tona
na pikojnë!... Sa pak
Pak ngrohtësi
pak..., afrimitet dhe ai
i bluar
gjykimeve mbesin dhe
gëzimet tona!...
Largësive përplasen
gëzimet!...
E pakta, aq të pakta
na i lëvrojnë
dhe qendrojmë!...
Përmes lotësh
mbytur veçojmë, udhëkryqet?...
Zvaritjeve
Në kryqezimet e tua
Zgjidhin
shkujdesje, kjo gjuha jonë
pa mëshirë
dialogut, nuk afronë.
Sa afër..., dje?...
Kërkonim
Ëndrrat, përplasur
si mes viruseve
dhe vurgut përlyheshim
çhfaqieve
anemike!... Oh kjo shkujdesje
ngjyrave
të zbehura na rikthenin
netët?!...
Linin shenja egzekutimi
pa programe
në përjetim. Pa përjetim dhe
përshendetjet
si një kërkesë e imponuar
pa zjarrmi
ngrohtësie, vitet?... Vriten
Furtunave
nuk lagemi, na mbysin!...
Një dashuri
momenti, u përflak
si një bilet
E pa vlerë dhe prerë!...
Sportelit cash
të një blerje domosdoshmërie
Mos u shfaq
provimit apo provokim
moment
kinematografik!... Mos u shfaq
o krijim
përplasjesh!... Mos sundo
mbi mëri
nuk qëndroj shpirtit?...
I zgjoj
Pranitë tona të zbehura
mbi qëndrime!...
S'i pranoj.

TË PANJOHURËS.
Tronditjeve të shpirtit
Rridhnin
lotët?!... Na konkuronin 
mbi furi
shtrëngatash, bindur
qiellores
provokime na shkarkonin
ndjesitë e tyre!...
Ushqim melankolie
nuk dua
Nuk dua t'u afroj
as të qëndroj
Rrëmbyeshëm mes imitimesh
si një uri!...
Mbi një furi, shpirtin
çliroja
prej reaksioneve në çdo
ndikim
natyrën e përmbytur mbi
shqetësime
gllënjkash dhe tronditjesh
gëlltitur
formave?... Si një vështrim
I largët
qiellor më mundonte
sërish!...
Tronditje drite depërtonin
si nje epidemi!...
I mundur mes lotësh
Si breshëri
plumbash, na lagën dhe cfilitin
Botën?...
Kjo botë në pikëllim
qellimesh
Apo fitore flakësh konkuron
qiellores, shpirtin
e mundur
si zgjidhje nuk e pranoj
prandaj!...
E transformoj. 



POEZI NGA RAMIZ KUQI

NJË LOT
(Prindërve të mi)
Sa herë bie shi
E zbret dielli mbi Sharr
Nëpër këto stinë të ikura
Sa rëndë hapëroj nëpër vargje
Fjalët
I kam bërë lule
Të ju kujtoj
Po një lot m’u derdh
Si ujëvarë!

SI NJË SIMFONI
Zbrazen këto pika shiu
Sonte
Kur qielli është mbushur
Me re
Me mikun e poezisë
Brodha nëpër fjalë
I urti poet
Gërmon nëpër kohë
Si një arkeolog
Për një kujtim
Zbraz një kupë me verë
Si një simfoni...

ZBRIT O ZOG
Zbrit nëpër këto re mbushur me shi
Se në qiell dëgjoj sonte bubullimë
A do të bie ndonjë stinë shqip fyelli im
Në luginat e heshtura të Camërisë
Ku zëri më ka mbetur mbështjellë në fyt
Zbrit të lutem sonte ti zog në dhomën e letrave
Më sjell ndonjë lajm të dehem me një gotë
Që ëndrra ime të lëshojë shtat pas shtatë kullave
Jehona e këngëve të dëgjohet te ura me shtatë harqe në Veri
Ibri t’i mbledhë prrockat pa fjalë
Të pi sonte një gotë verë zogu im
Të pi!

NE HARRUAM
A u shndërruam në njerëz robotë
Sikur nuk rrjedh më nëpër damarë grupi
Gjak si rubin
Kaq shekuj në pritje të diellit
Kaq pak ngrohtësi nëpër stinë
Ne harruam të buzëqeshim
A buzëqeshjen na e qepën të mjerët
Me gjilperë samari
Të heshtin para tyre
Si të ishim kukulla fëmijësh
A u shndërruam në robotë?
Vaj për ëndërrimet e qiellit me yje!

CAST LIRIK
Lë të rrjedh nëpër buzë
Si qumështi i bardhë ky shi
E lumnueme e këtij casti
Pas këtij rrebeshi
Një copë diell
Për një ëndërr që më troket
Në mesnatë me shumë sy
M’i (sh’)koklit faqet e një vargu
Që ende s’e kam shkruar
Cast lirik!

SI NË PANAIR...
Jeta
Në secilën libër
Është një biografi e shkruar
Me lot dhimbje
Si lëvrimi i tokës
Askush (s’) e gjeti të bukurën
Pa gërmuar me thonj
Tokën e lindjes diellin
Që ma shpuan me gozhda
Heshta të ndryshkura
Për lirikën me sy
Stinët ishin vjeshtë me shi
E dimrat e egër
Në panair
Si në jetën me rrokullimë!

KAM TAKUAR
Njerëz
Që hanë fjalët
Që hanë ...
Dhe asnjëherë
Nuk kam dashur
T’i takoj
As në kopshtin e luleve
Kam takuar...

HARROVA
Të të puth në faqet tua bleruar
Nga këto lule ujitur cdo ditë
Nga shirat
Që bien mbi këtë tokë
Ndoshta se nuk e cuam deri fund
Amanetin e dëshmorëve të lirisë
Të popullit duarthatë
Që ia rrëmbyen barbarët fëmijën në krah
Po sot harrova të të puth në sy Atdhe
E di se të kanë lodhur matrapazët
Shprishbërësit e lirisë
Të pangopurit e këtij shekulli
Që buzëqeshin kur ëndrra loton
Harrova!

MEDITIM MËRZIE
Pse bota na qenka (l)esh e li
Si hiri i prushit me zjarr
Kur i fut duart ta shprishësh
Vjen e ndizet në varg ah një mallë
Dhe derdhet nëpër udhë erë e lehtë
I bie detit tej përtej me sy
Kërkon shiun e pranverës me lule
E do muzën në agim një fjalë e shkrep
Dëgjon rrapllimat e dallëndysheve nëpër qiell
E rikthehesh në fillim të hapërimit tënd
I lut yjet të rrinë një çast me penën
Në breg të shpirtit ëndrrat me diell
Pse bota na u bë (l)esh e li?

TË RUAJ
Si nëna fëmijën në krahëror
Nga sytë e këqinj
E bukura fjalë
Që dikur
Të ruanin në kopsht
Mbretër e perandorë
Të binin në gjunj
Me Ty rritej dashuria
Për vasha të gurra ujëvarë
E mbretësha
Të ruaj
Si feniksin
O Zog krahlehtë!

LIRIKË
Nga sytë e saj si trëndafili
Fluturojnë dallëndyshet
Qiellit të fjalës sime vijnë
Vargje të shkrehura
Lirikë!

PIKA LOTI
Zogjve të mi në mërgim)
Jam ulur në një skaj të Eli-Abit
Si mbi gaca zjarri
Nga larg
Më erdhi një zë
I zogjve të mi
U cullos fjala
Loti mori udhë
Larg detit
Larg e më larg
C’u tjerr kjo ditë
Si një vig mbi lumë
O luginë e dhimbjes sime
Pika loti nëpër shi!

KU JE FSHEHUR
Në cilat pika të shiut
Zhurmëron nëpër olluqe
Si dallgë deti
Tingull i brishtë
Kjo natë
Pa asnjë yll nëpër qiell
Në këtë hapësirë të pafund
Secili kërkon nga një shkronjë
Ëndërr Evrope?
Ballkani im i shprishtë
Pa ligje
M'i tremb zogjtë e mi
Nëpër udhët pa adresë
Atje
Strajca e fatit të përcjell
Si një hije e padukshme
Në cilat pika të shiut
Është fshehur kjo ditë?
Ku je fshehur
Drita e diellit tim?

PRIZREN
Po vijnë zogjtë e natës
Të pagjumët
Të dëgjojnë zërin e Kohës
Te Shtëpia e Lidhjes
Zgjuar rri Abdyl Frashëri
Me një penë mbi letër
Mbi kartën e shkruar shekulli
Po zbraz hidhërimin e lumit
Prizren
Ti ëndrra e brezave
Hap.një faqe libri
Një kufi
Mbështjellë me gjemba
Udhët tua
Mbushi me xixa stralli
Të zbraz kupën me verë
Për një Varg
Një Shkronjë Atdhe
Në Abetarën tënde një diell
E një Flamur i Gjergjit
Po vijnë zogjtë e natës po vijnë!

LEXO
Librin e jetës
Midis kopertinave të saj
Ka udhë të fshehura
Rite të pathëna
Brigje
Për ura
Nën lë të rrjedh
Lumi me dallgë
Si një vullkan i pashuar
Lexo!

LARG ËSHTË...
Udha e lumnisë sime
Bota ka ikur në kosmos
Ne
Këngë e vonuar nëpër dhimbje
Lirisë i kemi hipur në qafë
Edhe pak stinë
Do t’ia nxjerrim shpirtin
Nga fodullëku i barinjve
Që i bien fyellit
Me një melodi
Larg është...


CDO DITË
Heq një rrënjë me gjemba
Në kopshtin e lule grish
Të ketë diell e shi
Një mike e vargut më tha
Kur po e përfundoja një fjalë
Do të vij me vargun shoqërisht
Të ulemi në maje të bjeshkës
Të rrëfejmë biografinë e mallit
Letrat e shkruara me stilolaps
Larg mediumeve telefonave celularë
Të shtrihemi mbi bar të njomë
Në duar tè mbajmë nga një buzëkuqe
Kuq e zi për një atdhe e një flamur
Kur u rizgjova
Pashë se më kishte kotur gjumi
Tek po endesha nëpër botën e poezisë
Po Khajamin se takova në asnjë faqe libri
Cdo ditë takohem me miq nëpèr fb-uk
Nëpër konaqe ka rënë moti heshtja
As lojë plisash më nuk luan askush!

NGA UN’I
Të nxjerr zjarr
T’i ndjek nga malet
Shpendkeqet.zuzarët
Edhe kur bie shi
Nga flaka e purpurt
Dita orët
Të rrinë zgjuar me sy
Nga UN’I
Zogjtë e natës
Mbi letër
Të marrin fluturim pëllumbi!

NUK IKA PËR TIRANË
Është e cuditshme kjo ëndërr
Që më mban si të burgosurin
Matanë grilave
Sa herë dua të ik andej kufirit
Një shpendkeq ma zë udhën
E Unë kridhem si në guacë deti
E di se kupolat i kanë përplasur
Buzë detit
Që të na e kujtojnë portretin e xhaxhit
Përrallat e tij biblike
Për socializmin kooperativat
Revolucionin bolshevik
Nuk ika për Tiranë!