Thursday, July 25, 2019

Nezi Plaku Velaj: Unë e dua heshtjen e natës


https://scontent.ftia5-1.fna.fbcdn.net/v/t1.0-9/67234331_2136736716453525_7584845483764350976_n.jpg?_nc_cat=105&_nc_eui2=AeEsbdHQE7AaO-ICrYrFF-9cemPB1hsiBsZAryl3tOjhm78PXQ_mSKweAuCb1Or5p3b1zB4xxlA_BG3PhcKVNO3-ZLXbr6YNpP2y4rpvmZJqXg&_nc_oc=AQl_hSll78Zxpy9m7H3N80f9_FE-vlnOf0IiNDStuBfNUVt_DXOThvFKK11jrUlMaVQ&_nc_ht=scontent.ftia5-1.fna&oh=a88153c60565c1078c6de8b7659b8288&oe=5DAA84C9 Unë e dua heshtjen e natës
Aty gjen, qetësi shpirti im
Mendimet rrejdhin si një përrua pas një shiu
të vrrullshëm

Unë e dua heshtjen e natës
 Mbas një dite vere të nxehtë përcëllim
Ku të shkrepet buza për një pikë ujë për të pirë.


Mendimet mblidhen kaçurrel në flokët e shpurpurta
T`i shtjelloj më duhet një krehër ti kreh, ti përkujdes
I le të lira mendimet të bredhin në qetësine e natës
Të lira të jenë edhe kur me kujdes t`i mbledh.

E dua vetminë edhe pse më lë pa gjumë
Të analizoj veten time, vallë ku kam gabuar?
Ti them vetes time: Bëje këtë që se ke bërë mire!
Bëje dhe atë!
Të jesh e organizuar në jetë,
Në kohën e saj duhet mbaruar çdo punë.

E dua heshtejen e natës të flas me vete sikur jam
e çmëndur
Të thëna e të pa thëna ti kujtoj në vetmi
Të sjell ndër mënd aty ku më ka mbetur mëndja
Dhe prap t`i them vehtes:
Bëje atë që s`e ke bërë mirë!

Dua të shoh edhe ëndrra me sy hapur
Të kem pranë njerëzit që në këtë jetë më mungojnë
Ti përqafoj, t`i shtrëngoj fort në vetmi,
Te qaj, të ngashërehem, të më dridhet zëri,
Bashkë me buzën që drithëron
Le të rrjedhin lotët curk, nga sytë pikë, pikë të pikojnë.

Ashtu në qetësi dua të largoj retë,
Të kujtoj kush më ka thyer zemrën
Të mundohem të kapërdi si helm një fjalë të thenë
Si qiell i hapur të ushqej shpirtin të largoj hidhërimin
T`i them shejtanit ik o mallkuar!
S`ke vënd në mesin tonë.

Në qetësi dua ti lutem Zotit
Shpirtrat e njerëzve si qiell pa re ti pastrojë
Të ecim bashkë, t`i japim dorën njëri tjetrit
Ndërgjegjen të pastrojmë në këtë botë me demonë
Fjalën e Perëndisë të përqafojmë.

Paqen shpirtërore shumë e kërkoj dhe shumë e dua
Shumë e thërras kudo që të jetë, të vijë,
Ku je????
Por paqja nuk vjen vetëm me lutjet dhe thirrjet e mia
Po nuk e pati paqen, çdo njeri bernda vetes së vet
Unë e dua heshtjen e natës.

Tiranë 15 Maj 2019

Saturday, July 6, 2019

Kujtim STOJKU: Pjesë nga libri në proces "PESHKU I RREMË"


                                  roman
Image may contain: Kujtim Stojku, smiling, eyeglasses and closeup PASTAJ UNË DREMITA DHE PASHË NJË ËNDËRRTJETËR

Nuk e di a e keni dëgjuar histornë e barit që mbin në shkëmbinj.
Bari mbiu midis gurëve të shumtë dhe mbuloi të gjithë shpatin ku unë tani qëndroj i ulur, por më shumë kishin mbirë gjemba. Këto gjemba në majë kishin një si bohçe pambuku, dhe flladi që frynte duke i ngritur hava e shpërndarë shumë larg duke ndritur si drita dekorative. Ndoshta ky nuk ishte bar por ndonjë gjë tjetër. Mua m’u duk si bar. Historia na tregon se bari iu ankua gurëve sepse ata e kthyen atë në një peshk. Kjo me thënë të drejtën është e pabesueshme sa edhe vetë kur e lexova nuk e besova këtë histori, por ama nuk mund të të themi se është e pamundur dhe çfarë është e vërtetë. Bari i mbirë në atë vend që më shumë kishte gurë pëlqente një tokë të lagësht dhe me kripëra sepse ajo është e lehtë dhe mbijeton në bregdet, prandaj nuk duhet të çuditemi shumë nga një histori e tillë. Përveç kësaj ekziston edhe një pikëpamje se alkaloidet, poleni i luleve të këtij bari shkakton një zbehje të lehtë, shkakton diçka si marrje mendsh dhe në të njëjtën kohë irriton rrugët e frymëmarrjes e të duket sikur zhytesh në ujë.
Megjithatë unë duhet ta përsëris edhe njëherë se kjo nuk është e rastit që të jetë një ëndërr kur je zgjuar. Në këtë ëndërr që ne pamë është një peshk i panjour dhe nuk dimë as si të ia vëmë emrin. Por koha për peshk është gjithmonë në lëvizje dhe ndryshe nga realiteti. Shpejtësia e lëvizjes së kohës është e befasishme dhe vjen duke u ulur sepse sekondat tokësore janë përhapur në të gjitha ditët, javët dhe muajt.
Kjo situatë e pazakontë para së gjithash është e mrekullueshme sepse ne shohim me gëzim se si luajmë në këtë bar që si një det i kaltër ka mbuluar gurët dhe shkëmbinjtë të cilat janë zhytur në mes të vijave të dritës i tërhequr nga valët duke ndjekur një tufë peshqish që notojnë të pakujdesshëm. Pikërisht këtu ju ndjeheni shumë më të lehtë dhe të pa stresuar sepse qenia është e çliruar nga stresi tokësor. Ju mendoni se jeni bërë njësoj si drita që përshkon me guxim errësirën. Gëzojuni jetës sepse ai dha shpirt në rrethana të pashpjegueshme. Askush nuk e mendon se është pranë vdekjes dhe duhet të jetojë jetën. Të gjitha vuajtjet trupore shkaktohen nga dhimbjet tokësore si: dhimbjet e stomakut, dhimbjet e kokës, enjtjet e këmbëve, dhimbjet e padurueshme nga kanceri i mushkërive e ju mundoheni që këto dhimbje t’i largoni nga trupi juaj menjëherë. Pastaj ndjehemi shumë të lehtë tamam si ajo vera e mirë që peshqit e pijnë dhe i zë gjumi.
A është e vërtetë kjo që po them unë? Me thënë të vërtetën as vetë nuk e besoj këtë. E ku ka peshq që pijnë verë dhe pastaj i zë gjumi? Askurrkund nuk ka. Por ingranazhet e ndryshkura të kohës mezi lëvizin dhe ajo ecën mengadalë atëherë trishtimi bëhet i padurueshëm. Dhe në këto kushte është shumë e vështirë të imagjinohet se në çfarë gjendje të pikëlluar është peshku i rremë. Ajo po mundohej që të kontrollonte veten megjithë e ndjente se të pesë shqisat i ishin paralizuar. I dukej sikur kishte veshur një këmishë në formë peshku dhe ajo sa vinte e shtrëngonte vazhdimisht. Thembrat e këmbëve ishin mësuar të ecnin me elasticitet në tokën në të cilën ato ishin mësuar. Kyçet e kujtojnë butësinë e muskujve dhe të indeve që mbanin pesha të rënda të cilat e shpërndanin në mënyrë të barabartë vetë. E peshku i rremë ëndërron për këtë, ai ëndërron që të ecë. Por papritur ai pa veten se nuk kishte këmbë dhe kjo ëndërr e tij nuk mund të realizohej kurrë.
Por nuk janë vetëm këmbët. S’ka as qafë, as veshë dhe as shpatulla...dhe ajo që është më e rëndësishmja për të është se nuk ka duar. Kjo është një ndjenjë e hidhur inferioriteti. Natyrisht sepse duart i janë shqyer. Ky kuriozitet nuk mund të shuhet ashtu siç duhet pa prekur subjektin për të cilin jemi të interesuar. Është e pamundur të përcaktosh se çfarë përfaqëson ai, pa kërcitur gishtrinjtë, ai nuk ndjente, nuk përdridhej. Rrini gjithmoni gati dhe sa të iu prekë goditeni. Më pas një qese e neveritshme mbushur plot me luspa. Pasi mbledh të gjithë forcat e ti përpiqesh ta shqyesh atë dhe e vetmja gjë që ti bën është se lodhesh mbi shpinën e tij duke i hequr fletët, pastaj i hap gushën dhe me dorë i nxjerrë një lëndë që është si mut me ngjyrë jeshile dhe të verdhë.
Peshku i rremë filloi të dridhej dhe i gjithë trupi u përshkua nga konvulsionet e të mbushej me gjak. Duke dyshuar gjithmonë edhe pse gënjej ia vlen të qeshësh për gjëra të mahnitshme që imagjinon se do të ndodhin. Ky peshk jo vetëm që nuk ka krahë dhe këmbë por nuk ka as korda vokale, dhe kur vjen puna përjeton një vuajtje të patolerueshme kur puna vjen tek mendja e tij. Një bifurkacion kruajtës.
Por a nuk ndodh kjo edhe tek unë?
Mendoj se ndodh tek të gjithë kur flejnë një kohë të gjatë. Gjithsesi duhet ta pranojmë këtë fakt se gjumi zgjat deri në pafundësi dhe se deri kur ai mund të zgjasë kështu është e pamundur të kujtohet se kur filloi ai. Nëse ndonjëherë do të zgjoheni unë jam i bindur se suksesin do ta keni të sigurtë. Apo nuk mendoni kështu?
Ne shumë thjeshtë mund ta provojmë veten në ëndërr se është ëndërr, unë e kam drejtuar vetë atë dhe e kam vëzhguar me kujdes, ajo vepron pa u lodhur pak nga pak me të gjithë forcat për të kapur dorën tuaj...Megjithëse në këtë gjendje deliri ju nuk mund të ia mbërtheni thonjtë askujt dhe s’mund të kapni asnjë dorë që të iu japë pak ndihmë. Nëse kjo metodë është e papërshtatshme atëherë natyrisht që duhet të provojmë një metodë tjetër e cila është që pa u trembur aspak dhe me një guxim të madh të zbresim teposhtë shkëmbit. Mos e harroni sepse duhet kujtuar gjithmonë atë që e drejtoni me sukses.
Gjëja më kryesore është mungesa e armëve sepse këmbët në këtë lojë të ndyrë nuk janë asnjë pemgesë. Por një peshk mund të bjerë në det dhe mund të fillojë të notojë, kjo është pyetja. Personalisht nuk kam dëgjuar asnjëherë që peshqit të bien në det apo lumë. Kjo është e pakonceptueshme për imagjinatën. Peshku i ngordhur çfaqet në sipërfaqe. Është shumë e vështirë që të bjerë një tullumbace që rri varur në qiell. Kurse për peshkun kjo rënie është kundër – rënie.
Kjo që theksuam është më bindëse sepse ka më tepër forcë argumenti duke e bërë këtë metodë të mundur. Kjo metodë ka një qasje të veçantë e cila të çon tek e vërteta, dhe se nuk duhet të bien poshtë, por përkundrazi ata që janë në qiell mbyten në ajër. Dhe frika për t’i ikur vdekjes do të mbetet e njëjtë. Atëherë ne do të zgjohemi dhe do të mundohemi që të mos biem në tokë. Rënia në tokë është e tmerrshme, ajo ne na tmerron.
Kur zotëroi ky mendim për peshkun e rremë, konfuzioni erdhi dhe u bë më i madh duke përjetuar një sulm të papritur të frikës e cila ishte e pazakontë dhe krejt gjakftohtë. Dikush në ëndërr duhet ta kuptojë se kjo është një ëndërr që e kujton sapo çohesh nga gjumi. Atëherë megjithë këtë përvojë çfarë mund të ndryshojë pasi shohim pak më shumë se çfarë po ndodh?
Peshku i rremë vendosi të priste. Edhe vullneti i tij u pikturua në blunë e detit, dhe kjo blu u tkurr më shumë...

Tuesday, June 4, 2019

Prend BUZHALA: Novela " Ulërima e ujqërve", e autorit Kujtim STOJKU





 Image may contain: 1 person
KONTEKSTUALIZIMI I RRËFIMIT ETNIK DHE HISTORIK

Çka po ndodh me etninë tonë?
Ky është shqetësimi kryesor që e preokupon autorin Kujtim Stojku te novela e tij "Ulërimat e ujqërve".
Në fakt, këtë shqetësim ai e shpalos përmes personazhit të Sadush Breshnikut, i cili ka vuajtur plagën e mërgimit në Greqi, Itali, Gjermani e Angli, dhe vendos për të mos shkuar më në emigrim. Kjo shpalosje ndodh në dy nivele rrëfimi: nga vizita në vendlindje, në Gollobordë, në shtëpinë mikpritëse të Selman Malit dhe në Tiranë, po ashtu në shtëpinë mikpritëse të historianit ushtarak Ridvan Skënderi. Kur i bie në fund novelës, të duket se personazhi-autor dëshiron ta lajë një borxh ndaj vendlindjes; ta shkruajë një himn etnik në prozë kushtuar bukurive të vendlindjes, traditave shpirtërore e materiale, legjendave, historisë dhe qëndresës së kësaj ane.

1. Referencat narrative- tematike

Po përse ulërimë ujqërish?
Na duket sikur autori do të merret me këta ujq bjeshkësh, në mos me anë të alegorizimeve të tyre, si ndodh te proza e Ridvan Dibrës (“Tërbimi”, roman 2000) apo Zyhdi Moravës ( “Ujku i natës së fundit” 1996). Mund të kujtohen dhe prozat e Xhek Londonit me këtë tematikë.
Por këtu ndodh ndryshe. Kësisoj, në fillim, përmes pasazhesh të përshkrimit të maleve të Dibrës, na shfaqet ky paralelizëm përshkrues-figurativ:

“Banorët e faunës së kësaj lugine ishin kafshët e egra si: ujku, ariu, shqardhi, dhelpra, derri i egër, dhia e egër etj. Gjatë muajve të dimrit kjo luginë oshëtinte nga ulërima e zogorisë së ujqërve të uritur, që nëse të zinin, të copëtonin pa mëshirë. ”

Por jo, ulërima e tillë tashmë ka zbritur në mesin e njerëzve, të shitur si dijetarë e që duan ta zhbëjnë etninë dhe historinë tonë. Të duket sikur këto ulërima zhbërëse janë shtuar në lukuni të shumta. Dhe cili është karakteri i tyre e qëllimi i tyre, këtë na e thotë autori përmes gojës së personazhit të historianit ushtarak:

Sa keq që jemi katandisur kështu sot, ku disa, për ca zhele ndërrojnë identitetin, gjyshin dhe stërgjyshin. Ngrihen dhe hedhin baltë me sa munden, vetën e vetëm për interesat e tyre vetjake. Sepse ndryshe kjo nuk ka si shpjegohet. Por u duhet thënë me plot gojën: Ju o kalemxhinj të pështirë ngriheni dhe mohoni atë histori të dhimbshme dhe të  lavdishme të të parëve tuaj dhe mbyllni sytë duke rënë  në grackën e përgatitur me kujdes nga Grekët dhe Sllavët, si ai miu që bie në çark duke shpresuar që të hajë djathin e vendosur mbi të. ”
(. . . )
“Këta sahan lëpirës duan të sajojnë një histori të rreme duke shkruar një mal me gënjeshtra. Historia e Gollobordës nuk mund të merret e veçuar nga ajo e popullit shqiptar. Ne më poshtë shohim, se si pas vdekjes së Skënderbeut gollobordasit e Dibrës nuk e pushuan luftën asnjëherë për liri dhe pavarësi duke nxjerrë figura të tjera të shquara. ”

Se edhe koha e sotme i ka idealistët e vet që e ngrenë zërin, është dhe një subjekt-pasazh tjetër, ku jepet kujtim-homazhi i historianit të mësipërm (Rakip Sinani), shpaloset ky koment narrativ:

Këtu Ridvani kujtoi se si e kishte njohur këtë historian të papërkulshëm në punën e tij shkencore. Ai punoi pa u lodhur edhe kur doli në pension. Me gjithë peshën e viteve në supe në këtë kohë ku ulërimat e ujqërve oshtinin, ai nuk u tremb, por e publikoi veprën e tij. I shkreti historian, librin që botoi e mbante me vete dhe kur takohej me njerëz ua dhuronte në fshehtësi. E dhuronte në fshehtësi sepse e kishin kërcënuar dhe e ndiqnin shërbimet sekrete sllave. Ridvani kishte pasur lidhje të gjata me të dhe kishin diskutuar me qindra herë rreth këtyre problemeve. ”

Sado që proza nuk i jep llogari fakteve historike, etnografike, gjeografike apo nga fushat tjera të jetës reale e shoqërore (letërsia është fiction, imagjinatë krijuese), megjithatë referencat përshkruese, rrëfimore e zhdrivilluese janë të qarta e konkrete: me toponimet e tashme e historike të këtyre anëve të Dibrës, me personazhin e njohur të historisë ushtarake, me artikujt e shkrimet diskursive të autorit kushtuar kësaj problematike (kujto shkrimin “Golloborda është shqiptare -Fakte Historike në lidhje me origjinën e qytetarëve të Gollobordës”).
Mbase është dhe një homazh për historianin ushtarak që nuk jeton më, Rakip Sinanin (për të cilin autori ka një shkrim së paku informues), i cili ka shkruar dhjetëra studime monografike historike kushtuar kësaj ane, si: Betejat e Skënderbeut, Kujtime historike, Dibra dhe dibranët në faqen e historisë, Kështjellat në vitet 1443-1468, Kryengritja e armatosur e dhjetorit 1924 (Lufta në kalanë e Dodës dhe Peshkopi), Lufta e Penestëve me Maqedonët 169 p. e. s, Lufta e Penestëve me romakët, Kryengritja e Dibrës në shkurt të vitit 1714, Nëntë Malet e Dibrës gjatë sundimit osman, Një vështrim gjeografik: Treva e Dibrës, Kështjellat e Dibrës: fortifikatat mbrojtëse, Beteja e Pollogut 22 prill 1453, Beteja e Ursarës në Itali, tetor 1461, Beteja e grykës së Radikës, Kryengritja e Dibrës në gjysmën e shek XVI, Tri betejat e Skëndërbeut në Dibër, Ata ishin nga Dibra, Zeja e armëtarisë gjatë shekujve XV-XIX, Shfaqje të diglosisë dhe bilinguizmit në Maqedoni etj.
Dhe janë pikërisht titujt e këtyre veprave që bëhen edhe punkte tematike në këtë novelë, sikundër janë: përshkrimet novelistike-toponomastike gjeo-hapësinore e etnografike-arkeologjike (të duket sikur po lexon poemën e Naim Frashërit “Bagëti e Bujqësi”, apo veprën e Gjeçovit “Agimet e gjytetnis”), betejat e Skënderbeut, kështjellat në këto anë, kryengritjet e armatosura nën sundues të huaj, që nga dinastitë sllave, otomane e deri te fashistët, shpalime etnografike e zakonesh të fejesës, martesës, dasmës, lojërave popullore, çështje të diglosisë etj. Në këtë mënyrë, ne lexojmë dhe paradigmën tematike të letërsisë sonë të traditës për qenien tonë e për identitetin tonë të lashtë, .
Dhe gjithë kjo lëndë kaq e gjerë, e përqendruar në dy vendndodhje të personazhit, kondensohet përmes një gërshetimi interesant të rrëfimit me komentin, të imagjinatës përshkruese me faktet historike, të bisedës së drejtpërdrejtë që merr trajtën e një ligjërate historike, një homazhi, një kujtese apo një malli për ato vende (“Ai seç kishte disa ndjesi që as vet nuk dinte t’i shpjegonte, disa ndijime, midis ankthit dhe mallit. Jo, jo, as ankth nuk ishte. Ajo ishte krejt një ndjenjë tjetër, e papritur, e pazakonshme. ”)

2. Përqasje dhe pikëzime:
Perspektiva e lexuesit dhe perspektiva kulturore

Përmes kësaj novele autori dëshiron ta spikasë dhe një vlerë tjetër: që ajo të lexohet, perceptohet dhe nga lexuesit e thjeshtë e brezat e rinj. Që ata të mos mashtrohen nga këto ulërima ujqërish që shesin shpirtin e tyre për ta zhbërë identitetin kombëtar. Dhe qendrat e interesimeve për këtë zhbërje, sa vijnë nga qarqe të organizatave të jashtme që veprojnë në trojet shqiptare, aq edhe nga qarqe pseudo-shkencore e imperialiste të vendeve sllave përreth apo prej vetë Greqisë. Mendësitë e së kaluarës së regresit historik nuk pushojnë. Tashmë ato vijnë më pamje të re, të metamorfozuar në krijimin e kalemxhinjve vendas, nëpërmes të ashtuquajturave OJQ apo mekanizmave të tjerë “demokratikë”. Kësisoj, u përpoq, që, në këtë ulërimë histerike, të zhbëhej historia e Skënderbeut, prejardhja shqiptare e identiteti i tyre etnik.
Autori, prandaj, nuk pikësynon shtresime të ndërliqshme kompozicionale-narrative, nuk pretendon që ngërthejë labirinte a stilizime të procedimit modern a postmodern. Ai nuk merret as me rekonstruktimin e historisë, miteve a legjendave, as nuk jepet pas kanuneve letrare të këtyre rrymimeve moderne, por me dekonstruktimin e të pavërtetave të pretendimeve pseudo-shkencore sllave sot, për të vërtetën e etnisë sonë. Ai rrëfen nga perspektiva e një emigranti të kthyer në vendlindje, për ta pasur vatrën e tij, shtëpinë e tij, dhe jo të jetë i humbur në shtëpi të huaj; kurse autori e mobilizon “në mënyrë të vjetër” poetikën e shpalosjeve artistike rigjallëruese të kësaj qenieje. Duke shqyrtuar rrënjët gjeografike, historike, etnografike e mitologjike, autori i kontekstualizon këto ngjarje si antitezë ndaj ulërimës a ndaj shpirtshiturve, zhbërësve të identitetit. Ky rrëfim sa etnografik aq edhe historik,  fokusohet kësisoj, me qëllimin për ta përfshirë në këtë letërsi antitetike nacionale perspektivën e lexuesit të sotëm, që po e bjerr qenien e tij rrugëve të botës dhe vatrave të huaja.
Për të ka mjaftuar që ta dhurojë dashurinë e tij, në formë të një rrëfimi konkret, për Gollobordën e rajonet e Dibrës, prej nga vjen ai. Së këndejmi, ka një shpalim gjithë pasion për këngët (citohen shpesh vargjet e tyre, për ta ilustruar një ngjarje historike a një traditë zakonore), janë një homazh i bukur për trashëgiminë, autoktoninë dhe kujtimin e gjyshërve e të stërgjyshërve, një kërkim gjithë pasion për lidhjet më të rëndësishme me të kaluarën dhe identitetin, me larminë e veshjeve, këngëve, valleve, lojërave, miteve, legjendave. . . Kësisoj, novela ngërthen dhe shtresën e saj të rrëfimit etnografik, pamje që jepen me imazhe romantizuese dhe me dendësi rrëfimi. Nuk është e habitshme pse në këso momentesh ka dhe pikëzime të traditës së mikpritjes (në shtëpinë e Skënder Malit në fshat dhe atë të historianit ushtarak në Tiranë).
Nga ana tjetër, letërsia e tillë ka dhe një qëllim tjetër fisnik: për të ringjallur njohjet për vetveten, për t’ia dhënë botës pamjen e diversitetit tonë kulturor, etnik e historik . nga ana tjetër, novela spikat dhe perspektivën kulturore e socio-politike (raportet letërsi-globalizëm) në hapësirat globale (ta kujtojmë Weltliteratur të Gëtes) e deri te fryma globaliste e Anderson (2006) që e përkufizon kombin si “bashkësi e imagjinuar”.
Novela të nxit të meditosh dhe për një raport tjetër, të letërsisë me kombin, koherencës së kombit kundruall zërave ulëritës. Sidomos për shqiptarët si “komb i panjohur”, mu ashtu sikundër i jep zë dhe narratori i veprës një ideologeme të tillë:

“Mos vallë jemi fajtorë sepse jemi më të vjetrit në Ballkan? Ne njihemi për traditat tona bujare dhe mikpritëse, ne asnjëherë në histori nuk kemi qenë rrezik për të tjerët dhe për fqinjët tanë. ”

Do theksuar, po ashtu, se autori nuk jepet as pas një poetike mbizotëruese metropolitane, sikundër mund të lexojmë me bollëk edhe letërsinë e tillë të përkthyer, e cila i mbulon gjurmët e dhunës e të luftës për pushtet e që zhvillohet brenda botës letrare gjeopolitike. Një rrëfim dhe gjuhë që e perceptojnë të gjithë dhe u drejtohet të gjithëve, është dhe një komunikim që ligjëron me gjuhë njerëzore universale për të vërtetën tënde. Dhe këtë përgjigje ai e jep përmes fenomenit të diglosisë a dygjuhësisë, e cila universalizohet nga globalistët, por e merr përgjigjen e qartë shqipatre nga novela “Ulërima e ujqërve”.
E pra, zërat ulëritës janë të shumët e të ndryshëm, vijnë nga burime të ndryshme, herë me qëllime mbase përafrimi, por edhe me qëllime hileqare. Na ka rastisur të lexojmë dhe vepra të tilla, ku jepet jehonë idesë së  asimilimit e të tëhuajësimit, për t’i zbutur “dallimet” mes kombesh, për të trajtuar tema uni
versale (personazhet shqiptarë a të huaj enden metropoleve, me fokus një tel dashurie, apo policore-kriminalistike, si te Dan Braun), kurse novela e Kujtim Stojkut shkon në kahe të kundërt: ajo spikat narracionin jokonformist e atdhetar.

Prend BUZHALA

Friday, May 31, 2019

Tonin NIKOLLI: Cikël Poetik

Image may contain: Malli Poetik T. Nikolli, sittingMEDITIM NE PREHISTORI…
( …deri në të sotmen..)
Më vjen ndërmend shpesh e më shpesh,
rruga e ngushtë, malit në KRESHTË…
Isha i ri, ecja në këmbë,
dy libra në çantë, poezi ndër dhëmbë…
Nga zemra e malit, në gjurmë të mushqve,
buronte i freskët KROI I KRUSHQVE…
Duke pirë, shuar etjen,
mendoja gjatë fatin e t’shkretëve.
Dy palë krushq, siç thotë legjenda,
u ndodhen përballë… dhe u prish mendja…
… se udhë nuk bëri asnjëra palë.
U vranë të gjithë, veç nusja gjallë…
N’atë shteg të ngushtë, të ngushtë,
ku shkojnë, trokëllijnë vetëm… mushqtë…

LUTJA E PARAGJUMIT
Mësojua artin e dorëheqjes!
Të marrin rraqet
dhe ti gjejnë shteg vetes...
Amen.

I PAHUMBUN...
Jam i pahumbun!
N'udhkryqin e ngatrruem të botës,
më njofti nji lyps...
N'mencen e karitasit,
m'thirri n'emen nji i uritun...
N'aksident,
n'pamundsi t'pergjigjem vetë,
nji deshmitar duel para policit:
e njoh un. Asht nji shqiptar i shkretë...
Jam i pahumbun!
Shejt a djall,
emnin e kam t'shkruem
n'ball...



O POPULL, A MERR VESH…
Ti je i çuditëshëm, populli im!
Mbi buzën tënde të etur,
shushunjat pinë…
Ti je i trishtuar, populli im!
Liliputët e kohës,
ta përshurrën krenarinë.
Ti je i marrë, populli im!
Beson në ata,
që para e mbrapa të q…




O ZOGJ....
Ah,
në ditën e qiellit blu,
(festë jozyrtare, sigurisht)
iu dhashë bujarisht puplat,
të fluturoni ëndrrën lirisht...
Të marrë!
I zhgrryet pendët,
i gërvishtët krahët,
i tërhoqët zvarrë...
...pa kuptuar kurrë,
se ishit zogj...

NUK KAM AQ FRYMЁ…
Nuk kam aq frymë,
sa të shpërndaj retë…
As kurorë të madhe,
t´i zë dritën diellit…
Kam mësuar në jetë,
se jam banor i tokës,
vetëm pse shtëllunga e hirtë
dhe disku i artë,
janë binjakë të qiellit…
Nuk kam aq frymë,
nuk kam…


KUR BIE SHI
Kur bjen shi,
çoj kryet nalt
e kacavarem pejnave të lagtë,
për me i shkye retë...
Tuj mendue,
se mbrapa perdes,
asht dielli i shndrishtëm,
i zjarmtë, i nxehtë...
Kur bjen shi,
sdeshi teshat
e futem nan cirka t'tjegllave,
me krye nalt...
Tuj mendue,
se jam nji peshk,
që sulmon rrjedhën,
e don m'e ndalë...


Friday, May 24, 2019

Prend BUZHALA:ENDE QENKEMI NË USHËKRYQ: KAH EVROPA APO KAH ORIENTI?

Image may contain: 1 person, standing, beard and outdoor
(Nga ligjërimet për të vërtetën), 22

Ne mund ta madhërojmë Evropën duke e madhëruar vetveten si komb modern, po qe se kemi ideal evropianizmin e kombit shqiptar. ...jo vetëm për shkak të faktit që kjo Evropë na e largoi Serbinë prej Kosovës...

1.
Duhet të formohemi e sillemi kësisoj, për hir të krejt gjeneratave të së kaluarës: të gjeneratës së Marin Barletit (që kjo Evropë i strehoi, u dha punë, i shkolloi, ua botoi veprat, ua ruajti ato e ua ruajti emrat me kujtesë arbërore); të gjeneratës së Buzukut, Budit e Bogdanit (që ua shtypi veprat, ua ruajti së bashku me emrat e me kujtesë e shkrimit shqip); të gjeneratës së rilindësve, në krye me Naim Frashërin e Madh, të cilët, në frymën e iluminizmit evropian, ideuan diellin "që lind andej nga perëndon"... deri te gjenerata e Jusuf Gërvallës, të cilën, po ashtu, e strehoi po kjo Evropë, dhe po kjo Evropë u dha zë idealeve e kërkesave të tyre për liri...
Kështu është edhe sot.
E di që Rusia gjatë shekullit 19 pati arritur ta përhapë moton antievropiane "Evropa shtrigë", që depërtoi edhe në Ballkan... Sikur një "Nanë Turqi", të kishte qenë e tillë, si Evropa, ne do ta kishim adhuruar atë pa dallim, por ajo na e dhunoi identitetin shqiptar, na e tjetërsoi kulturën, lëshoi mallkime kundër librit shqip e shkrimit shqip dhe kundër çdo gjëje shqiptare...dhe babës Sulltan i besuan paria e vendit, në atë Kongres Berlini, kur i thanë: Perandori, ne jemi me ty, ne nuk ka nevojë të paraqesim kërkesa për pavarësi. Mbrona! Dhe Nana Turqi ua dha copat e trojeve shqiptare Serbisë e shteteve përreth, se vetëm ajo ishte legjitime të na përfaqësonte në Kongrese e konferenca ndërkombëtare, mbasi shqiptarët nuk kërkonin pavarësim!!!
E di që Evropa na i ka gjynahet e veta! Por, qe pra, po heqim dorë prej këtij ideali barletian, buzukian, rilindas e modern... dhe, hiq të mos kemi "merak", këtë ideal evropian tashmë dissa qarqe me ndikim në Kosovë, kanë zënë ta zëvendësojnë me idealin për neo-otomanizëm...
Nëse të gjithë nuk duam të jemi pjesëtarë të këtij ideali oriental, të asaj dashurie neo-otomane, s'ka gjë: deri tash kemi qenë bashkëvuajtës, SI SHQIPTARË me shqiptarinë... te neo-otomanizmi, ka vetëm një betim: nuk do të jemi kurrën e kurrës bashkë!!! As si komb! Madje, nuk do të gjendemi kështu as në ato integrime evropiane!

2.
Ende disa koka tonat Evropën e quajnë armike. Evropën e kemi mik, Turqinë e kemi mike të tashme për aq sa e respekton pavarësinë tonë e identitetin tonë. Pikërisht për atë fakt që e pohojmë: që ta duam vetveten! Nuk është Evropa që zyrtarisht kërkon ndërrime të historisë, por është dikush tjetër, që kërkon heqjen e emrit të Skënderbeut, ndërrimin e historisë etj. Madje, Davutogllu që i prin kësaj fushate të ideologjisë së neo-otomanizmit, e thotë haptas se me shqiptarët "jemi vllazën", se shqiptarët janë pjesë e kombit të madh otoman! Dhe jo pak emra e qarqe (intelektuale, politike e fetare madje) në Kosovë i bashkëngjiten Davutogllut (ideolog i neo-otomanizmit), duke u bërë "ma turk se turku", duke shkuar edhe më larg se ai: duke sulmuar e mohuar jo vetëm Skënderbeun, po edhe Bogdanin, Nënën Tereze etj. e nga Pwrandoria otomane trashëguam copëtimin nga ajo në katër drejtime, në katër vilajete, në katër besime... dhe mungesën shqiptare të vetëpërgjegjësisë...
Nëse mospajtimi ynë me këto theqafje identitare shfaqen në vedtëmbrotje të identitetit tonë, kjo nuk do të thorë se ne shfaqim turkofobi a urrejtje ndaj saj. Assesi!
Atëherë si ta shohim qëndrimin e urrejtjen turke kundër Skënderbeut e kombit shqiptar? Dështuan dofarë komisionesh për rishqyrtim të historisë, spe reaguan intelektualët, reagoi populli.
Turqit, kuptohet, për shjak të besimit të përbashkët me “vllaznit myslimanë” (nuk na quan shqipoatrë, por myslimanë, se nuk na e njeh kombësinë), nuk kanë kërkuar ndryshime për sa i përket figursë së Adem Jasharit, por asaj të Skënderbeut e të periudhës së pushtimit otoman...
Shtrohet pyetja: a ka shqiptar me pak mend në krye që, bie fjala, ta mohojë Adem Jasharin? Pati edhe këso kokash të krisura që ligjëruan edhe kundër Adem Jasharit, ligjëruan jo nag guximi i ytre, por nga ligësia e qyqarllëku i shpirtit të tyre të varfër...

3.
Për detyrat e shtëpisë si thotë "Brukseli zyrtar", sikur nuk po kryhen, ndërkohë që detyrat antikombëtare që na i japin "vëllezërit” nga orienti, po kryhen shkëlqyeshëm, duke e ntrashur baltën mbi vetveten, duke ia dorëzuar krejt pasurinë e Kosovës tjetërkujt, së bashku edhe me trashëgiminë e historinë! Edhe politikën!!! Sepse orienti nuk është ngushtë a ka korrupcion a jo, a ka papunësi a jo! A ka standarde evropiane a jo!
Këto qenkan "detyra"!?
Tashmë janë realizuar disa nga qëllimet neo-orientale, tejet të dëmshme ... këto qëllime sikur e kanë blerë shpirtin e kësaj hapësire! Sikur nuk na bëjnë përshtypje këto sulme brendashqiptare me frymë të tillë. Prandaj “sovrani i jashtëm” i ka të lehta për t'i paraqitur ato urdhra ideologjikë, sepse nuk ka kushedi çfarë kundërshtimesh brenda nesh, por përkundrazi, dakordimesh! Kurse Turqia sillet me ne, sikur të jemi ne pjesë e saj... sillet si tutor, me politikën e vjetër të mohimit!
Ne nuk e kemi për detyrë ta sqarojmë, përse, bie fjala, nuk mund të pranohen në BE Turqia e Qiproja turke, por pranohen Greqia e Qiproja greke... Shqipëri e Kosovë jemi ku jemi! Është shansi historik t'i kthehemi vetvetes, dhe, si thuhet shpesh ndër ne, ta duam vetveten!
Brukseli e Stambolli!
Por francezët e gjermanët nuk pranojnë të hyjnë nën ombellën otomane as neo-otomane, e nderojnë njëri-tjetrin, se kane të njëjtin identitet evropian, por e ndihmojnë dhe e nderojnë edhe Turqinë.... Sigurisht, asnjë njeri normal nuk është kundër marrëdhënieve miqësore e të bashkëpunimit me të tjerët, madje qeveritë tona të deritashme kanë propaganduar e propagandojnë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë (bile në aspektin ekonomik, marrëdhëniet më të mira të Kosovës duket se ishin pikërisht me Serbinë)! Ishin! Deri sa u krijua një realitet i ri politik!

(Prend Buzhala, 22 maj 2019)

Kujtim STOJKU: Cikli Poetik: Real Politika



Image may contain: Kujtim Stojku, sitting and indoor
 REAL POLITIKA

Nën pemë gjithnjë kam mësuar,
Nga një jetë tjetër stërgjyshi arrin,
Me mençuri magjike fjalën do ta flasë,
Midis dhimbjesh e vdekjesh që lëndojnë në shpirt,
Në rrjedhën e qenieve si pikë loti që u rrjedhin ngadalë.
Një rrugë është zhytur në llum e tëra,
Përmbytjet thithin me etje në këtë thatësirë,
Më në fund ajo zgjatet duke gjarpëruar,
Gurgëllimat e turbullta me një rrëzim.
Frikën e panjohur e mbretëron një hajmali,
Rrënjët, degët dhe shpresat e gjelbërta i mbërthen paniku,
Kapilarët presin rrjedhën e lëndëve ushqyese, punën ndalin,
Mbi gurët e vetvetes ulet këmbëkryq zonja errësirë
E vështrimin e ka të ngulur tek pragu.
Përmes shtresave depërton nga valëzimet e dritës,
Erërat e ndryshme fillojnë e fryjnë,
Me verë të kuqe përkrahen përkrahësit,
Duke mbajtur në dorë kupat e kristalta,
Me i rrëfyer mëkatet s’kishte asnjë prift,
Kush është përgjegjës për këtë jetë që e kërcënojnë,
Ata vrasës gjakftohtë që në dorë mbajnë nga një thikë...

TË GJITHA BRENGAT
Rivalët misteriozë,
Vuajnë për dorëheqjen,
Surrealizmin e jetës e lexojnë,
Përballë dëshirës dhe urrejtjes,
Shkulmat e erës me furi kalojnë.
E bardha ngrihet mbi të zezën,
E njëjta kurorë mbi rrënojat e së vërtetës,
Gënjeshtrat i kishin lëshuar shumë thellë tek rrënjët,
Qysh në kohët më të lashta djalli ishte shkërdhyer me të ëmën.
Poshtrimi për bukën e përditshme sjell një kulturë tjetër,
Ne s’i të ndërgjegjshëm shkelim mbi thëngjinj,
Hëna fillon e çmendet nga inati si një shtrigë e vjetër,
E me fytyrën krejt gjak fillon e ngrihet përsëri.
Lumenjtë dhe liqenet të gjithë janë kthyer në ngjyrë blu,
Reflektojnë shkulmat në bardhësinë tokësore,
Ftesa e ardhshme është largët e bën të tashmen,
Të këmbëngulë e të mos tërhiqet fort zvarrë.
VARGU
Vargu duhet gatuar si buka në magje,
Ashtu si dikur nëna tona prisnin që brumi të vinte me kujdes,
Si saçi i mbuluar me shpuzë do të vendosej mbi çerep,
Atëherë do të dëgjosh aromën e fjalëve që përhapet përreth.
Ndoshta kështu deri diku do të mundësh ta kapësh misterin,
Kur fjalët dhe tingujt në mes të tyre lidhen,
Shkrihen e shkëlqejnë si zinxhirë të florinjtë,
E shpirti i gjallë në mes tyre plot lumturi hidhet...

PËRSE SHKRUAJMË

Kjo është një pyetje që nuk mund ta ketë të saktë përgjigjen,
Shpirti ngandonjëherë çdo kujt i rëndon si shkrep,
Dërrasën e krahërorit fillojnë ta gëvishin,
Prej mendjes farkëtohen fjalët, kaliten me sukses.
Kur dëbora s’i një çarçaf i bardhë mbulon vendin,
Hatërmbetur errësira e natës i mban turinjtë varë,
Njeriu dallon s'i hije në mbrëmbjen e acartë,
Agimi i trëndafiltë fillon e kërcet gështrinjtë.
Natyrisht kjo peshë i reziston kuptimit më elementar,
Vështrimi imagjinarë zhytet brenda botës së padukshme,
Largon hijen e dyshimit aty ku nuk dallohet qartë,
Duke u nisur nga hiçi me hove të vrullshme.
Me krëhërin e akullt krehim flokët e dëborës,
Në natën e pabesë pritet murlani i tmerrshëm të fryj,
Ulërimën e ujrave e dëgjojmë të sillen rrotull,
Realja e hidhur nxit mendimet në shpirt për të hyrë.
Me këto mendime sflilitëse gjumi çaprazohet,
E padurueshme deri në ag bëhet nata për ta shtyrë,
Nga durimi i tyre pesha më shumë shtohet,
Derisa gjithëçka dallohet në oborrin e ngrirë.

KUJTIMET E MIA

N’kujtimet e mia më shfaqet përherë me imazhin e tij s'i kristali,
Që prej malesh buronte rridhte duke gurgulluar,
Aventurier i çartur që s’pushonte as ditë as natë,
Shelgjet të hijeshonin anash, peshq me luspa ari në të duke notuar.
Sa harë kam kundruar shkulmat e argjendtë i zhytur në meditim,
Bashkë me ty udhëtonte mendimi dhe në gjumë ëndrra duke shikuar,
E tash flokët që na janë zbardhë kujtojmë se fëmijëria na kaliste me guxim
Uji i qelibartë udhëtonte me oshëtimë, n’mes bjeshkësh ishte një bukuri e rrallë.
Brigjeve tua gjithë hijeshi rritej bari,
Në kujtimet e mia urat e kristalta ëmbël gugullojnë,
N’rrjedhën e shkulmave mendimi udhën kurrë s’e ndali,
Bashkë me të ecte jeta duke lëshuar jehonë.

GËZIMI I FLUTURËS

Me thënë të drejtën nuk e dija ç’po ndodhte me mua,
Zemrës nuk i përgjigjesha dot që më rrihte me aq zjarr,
Kishte një çmenduri vale që ishte duke më përvëluar,
Sipas zakonit copëtonte shkëmbinjtë në katërsh duke i çarë.
Ajo ishte forca ime dhe ajo më bënte të vuaj,
Çuditërisht nuk e di se pse këtu qëndron shqetësimi për ta treguar,
Linjat vezulluese të jetës ndrinin për një jetë të praruar,
E unë zhytesha në mendime për të nxjerrë një frazë të harruar.
Prej dritares së hapur ajo hyn, fluturon përreth llampës në tavan,
Më vështron mua para kompiuterit mbi tufën e letrave i zymtë,
Sillet rrotull, mundohet të lexojë shënimet e mia, kështu më duket mua,
Por e shoh se ngatërrohet, se ndihmoja dot ta lexonte atë frazë.
Kënd më kënd në muret e dhomës duke fluturuar,
Lexoja mendimet e saj se s’kishte forcë për ta kthyer mbrapsht,
Dhe prandaj sipër meje e shihja të zemëruar,
Gjithë natën sillej përreth dritës errësirën duke ngacmuar,
Për çudi s’e pashë të dridhej prej frikës asnjë çast.

Ç’NGJYROSJE

Bota një skenë teatri ku retë rrinë pezull,
Njerëzit janë aktorë dhe mbështillen nga retë,
Malet përkulin shpinën copëtohen shkëmbinjtë e sertë,
Bien në ujrat e kaltëra me rrapëllimë, i bëjnë të turbullt.
Stina ç’ngjyroset përdhunisht nga ngjyrat e saj,
Liqenet të kthyer në dritë zbehin veten e vet,
Prej dritës së verdhë ari ka marrë ngjyrën e vërtetë,
Qielli ngjyroset nga një penel i padukshëm, pikturë n’vaj.
Retë ecin ngadalë duke marrë forma të ndryshme,
Prezenca e tyre gjithësinë e hijeshon, i jep pamje madhështore,
Befasohesh nga ngjyrat e zjarrit, e bardha në formë shkume,
Komponentë madhorë të kësaj hapsire skicohen.
Rrezëllimi i përkohshëm kthehet në kandila të zbehtë,
Studiuesit me tituj të shumtë këtë e quajnë risi,
Kjo pikturë brenda kornizës së saj dridhet lehtë,
Retë e pambukta u vranën, koha mori ngjyrë gri...

SHPËRFYTËRIM

Ngritur dhe lartësuar përmes humnerave t’dhimbjes shpirtit,
Magjepsur si të marrë prej lavdisë së shkuar,
Duke shkelur mbi shpuzën e rrënojave plagët dhimbnin,
E tash sillesh andej këtej s’i dele e hutuar.
Egërsisht koha shpirtin ta vuri në provë,
E ti do të përkulje gjunjët arratisur greminave të ferrit,
Kur para ujit si kristali shuan etjen veten do të shohësh,
Dallon zgavrën e një hije shpërfytyruar, helm i bërë prej vrerit.
N’këtë pasqyrim ujor hijen e njeh, është vetvetja,
Befas sheh deformimin trupor që ka marrë,
Prej dhimbjes së madhe eshtrat i ndjen të coptuar,
Mohoi diellin, përqafoi hënën, hije e coptuar përkundesh ngadalë.

Thursday, May 23, 2019

Prend BUZHALA: PSEUDO-INTELEKTUALËT DHE PËRGJEGJËSIA E TYRE


(Nga ligjërimet për të vërtetën), 20
Intelektualët nuk shiten në pazar. As intelekti nuk shitet në tregun e xhinglave, të mobilieve, të perimeve apo në tregun politik. Ai nuk e shet as nderin e tij, as atdhedashurinë e tij, për asnjë lakmi të pangopur apo për asnjë cent. Në të kundërtën, ai pushon së qeni intelektual: humb lirinë e shpirtit, humb lirinë e tij të brendshme. Kur humb shpirtin, humb gjithçka...
1.
Dhe pikërisht për këtë arsye, pse ai, me mendjen e tij krijuese e me autoritetin e tij publik, e rrezikon lakminë e pangopshme të të pushtetshmëve, edhe një president prestigjioz europerëndimor dikur, thoshte: "Mos i ndqni fshatarët, janë të pafajshëm e të parrezikshëm."
Pikërisht kjo Evropë ka ditur t'i mprehë mirë dy armë: atë të shitblerjes së intelektualit për ta shndërruar në psueo-intelektual, në mediokër, dhe atë të krijimit të turmave të dëgjueshme. Kjo turmë e dëgjueshme, tashmë prej politikës i ka krijuar pseudo-idhujt e vet, mbas të cilëve duhet të vrapojë në zgjedhje, në duartrokitje apo në ndonjë ceremonial politik. Ndër ne ky intelektual tashmë ka kaluar çdo kufi, ai është shndërruar në dallkauk...
A e dëgjojmë, si komb, më shumë turmën e dallkaukëve apo shtresën e intelektualëve? Dallkaukët na mësojnë si ta braktisim vetveten, historinë dhe përparimin, emancipimin dhe zhvillimin... për të na dërguar nga njëri dështim tek tjetri... Kurse intelektualët e mirëfilltë bëjnë dritë për kombin e tyre, për qytetarinë dhe për njerëzimin...dhurojnë vizione për të tashmen e për të ardhmen...
2.
Intelekti është simbol i mundësive të pakufishme të qenies njerëzore. Prirja më e rëndësishme e një formimi intelektual, është të menduarit, madje të menduarit kritik. Prirja e tillë përbën themelin e funksioneve më motivuese, njohëse, vepruese e emocionale të njeriut. Prandaj, në arsimin tonë, sidomos në atë të mesëm e në atë universitar, edukimi e formimi i të rinjve nuk mund të zhvillohet me sukses pa veprimtari të ndërgjegjshme të mendjes dhe pa zhvillim përkatës kritik të prirjeve të intelektit (kritik) të njeriut. Këtu hyjnë edhe shumë "gjëra" a cilësi tjera, si zhvillimi i perceptimeve, i kujtesës, i prirjes së të folurit, i shqisave, apo sikundër janë dhe arritja e njohurive e përvetësimi i vlerave të gjykimit kritik. Të tjerët, që nuk e kanë këtë kulturë intelektuale të punës, mund të hyjnë n. kategori tjera, por te ai që quhet intelektual. Të rinjve u duhet si buka që të jenë në gjendje të mendojnë me kokën e vet, të kenë mundësi të sjellin vetë përfundime, t'i ushtrojnë vazhdimisht këto prirje.
Por çfarë ka ndodhur me mendjen e shitur të intelektualit?
Mund t'i hedhim një sy Luftës së Dytë Botërore të fashizmit: kush i bindi njerëzit e thjeshtë, ushtarët e thjeshtë, që t'i urrejnë hebrenjtë apo kombet tjera apo kundërshtarët politikë?
Apo të periudhës së komunizmit se si u keqpërdorën intelektualët, se si ata ose u heshtën, u përzunë, u burgosën ap u pushkatuan, ose u shndërruan në njerëz të dëgjueshëm e në repart ideologjik të partisë-shtet; kurse repartin ideologjik partiak e shtetëror, e përbënin intelektualët, për ta mësuar popullin e thjeshtës e si duhet urryer kleri, kisha apo institucionet tjera fetare, se si duhet burgosur, pushkatuar apo ndaluar "klerin reaksionar"; se si duhet ndaluar shkrimtarët "e rrezikshëm" etj etj.
Mund t'i hedhim një sy sidomos, luftërave që ndodhën në hapësirat ish-jugosllave, ku intelektualë, shkrimtarë, akademikë, filozofë apo poetë serbë, u vunë në shërbim të shpërthimit të luftërave të përgjakshme që iu priu Millosheviç; ata (dhe pa i amnistuar as ata të hapësirave tjera ish-jugosllave), i ngritën në kult tmerret, urrejtjet ndërnacionale.
3.
Ato luftëra përfunduan dhe u krijuan realitete të reja historike...
Por çfarë të themi për ata intelektualë sot, nëse hidhen në anën e së keqes, krimit a të ligës?
Çfarë të thuhet për ata intelektualë që e keqpërdorin barbarisht Fjalën Publike, që, me ndikimin e tij, nxit të keqen dhe urrejtjen?
A nuk shprishet vetvetiu kësisoj ai sistemi i lakmuar i vlerave?
Të tillët, me diploma profesurash, magjistraturash, e doktoraturash, tashmë kanë krijuar një tjetër sistem që nuk mund të quhet sistem i vlerave, por sistem i së keqes dhe i antivlerave.
Tashmë ata, duke uzurpuar katedrat universitare, institucionet e larta shkencore, postet e larta me ndikim nëpër ministri, sektorë shoqërorë apo qeverisës; e kanë ngritur në kult pështymjen e vlerave, shembjen e tyre, në emër të interesave për të zhvatur para.
Nuk dihet më ç'është vlerë e ç'është surrogat vlere...
Nuk dijet më ç’është e mirë e ç'është e keqe...
Nuk dihet më ç'është shteti që quhet shtet laik e ku mbizotërojnë ritet fetare orientale nëpër institucione...
Nuk dihet më ç'është dije shkencore e ç'është turbullirë e ndërgjegjes...
(Intermexo: një shembull frapant: e ç't'i bëjmë një jurie, bie fjala, që emërohet nga qarqet e larta qeveritare për të vlerësuar, bie fjala kritikën letrare; juri që nuk e ka shkruar as një rresht të kritikës letrare; vlerëson veprat fare pa i lexuar; vlerëson pa dhënë asnjë vlerësim për vepra që nuk i takojnë kritikës letrare!!! Injoranca e përbuzja pseudo-intelektuale, nuk kanë kufij.)
Tashmë profesurat tona universitare, njëherë në dhjetë vjet e botojnë një vepër me pretendime shkencore... E të mos flasim për ata që vetëquhen kritikë letrarë a studiues të letërsisë dhe nuk e lexojnë asnjë vepër letrare, nuk bëjnë asnjë vlerësim letrar?!!! Dhe ligjërojnë nëpër universitete, dhe marrin paga mbi njëmijë euro në muaj, pa i numëruar këtu edhe privilegjet tjera të zhvatjes së parasë publike apo të xhepit të studentit të mjerë...
Aty lehtë krijuan pseudo-profesorë, pseudo-doktorë shkencash apo pseudo-intelektualë, duke ia zënë frymën hapësirave të intelektualëve të vërtetë, krijimtarisë mendore të vërtetë dhe vlerave diturore.
Nuk dëshiroj të përgjithësoj krejt këtë kategori universitare (ata që janë të zellshëm dhe kanë rezultate, numërohen në gishta)...


4. 
Këta pseudo=intelektualë universitarë, duke u rreshtuar ndërgjegjshëm e për interesa personale, kanë krijuar hapësira të së keqes: gjithçka që është e ligë, gjithçka që përbën të keqen e kësaj shoqërie, ata krijuan hapësira të lodrojnë e sundojnë nëpër to më të ligjtë, bixhozxhinjtë, matrapazët politikë, mashtruesit ordinerë, prostituimet njerëzore; shpirti i korruptuar më as që mund të quhet shpirt... por mizori e llahtari! 
Aq lehtë u përhapën këto të këqija, ndërsa aq shumë ngushtica krijuan për veprimtaritë e dobishme shoqërore, kulturore, aq lehtë i mënjanuan njerëzit e përkushtuar, dhe iu krijuan hapësira biznesit të zi, mashtrimeve dhe keqbërjeve fatale... 
Ata i sheh të rreshtuar aty ku i fton zëri i së keqes: "ja, jemi të gatshëm në kontributin tonë!
Ata i sheh të rreshtohen në repartet e destrukcionit shoqëror e nacional: ja, jemi të gatshëm ta shembim atë që e kemi arritur; faqeziun ta shpallim idhull; veprën e përkushtuar ta heshtim plotësisht e kundër saj të ngremë intriga, kurse veprën e shëmtuar ta shpallim vlerë kombëtare, kulturore, shkencore apo dhe kombëtare!!! 
Ndryshe qëndron puna me deklarata individuale të intelektualëve (në emër të lirisë së fjalës), por ndryshe është përgjegjësia e atyre intelektualëve që janë rreshtuar si repart politik e ideologjik i politikës aktuale. Ata janë përgjegjës për frymëzimet negative që ia kanë bërë të rinjve tanë për t'u rreshtuar në luftëra të huaja. Ata janë përgjegjës për realitetin e krijuar kundër rinisë sonë që ikën e pashpresë jashtë, 
Ata janë përgjegjës...