Tuesday, December 10, 2019

Kujtim STOJKU: LUGATI

Tregim

Pėrpara shkatėrrimit vjen kryelartėsia dhe pėrpara rrėzimit fryma krenare.
Libri i fjalëve të urta 16; 18.
...Ai qëndronte i ulur në kolltukun e butë të këtij lokali luksoz, hapësirën e mbushnin tingujt e butë dhe magjepës të një simfonie të Moxartit, ishte përhumbur në shënimet e fletores që mbante në dorë. Ndonjëherë mendonte se lëkura ishte e vetmja pengesë që i pengonte krahët e tij që të dilnin në sipërfaqe, dhe se personazhet e tij ëndërronin brenda vijave të fletores sikur edhe ato të dilnin jashtë dhe të fluturonin. Edhe ai sikur ishte një personazh në formë dhe karakter që qëndronte në radhë në rreshtat e shkruara brenda saj.
Ndërkohë nga mendimet dhe leximi, e shkëputi kamarierja, një vajzë me flokë bjonde, me trup të gjatë, sy të kaltër dhe e veshur me bluzë të bardhë. Buzët e saj të fryra i kishte ngjyrë qershie, faqet e rrumbullakta, mjekrën e vogël, lëkurën ngjyrë qumështi, gjoksin e gufuar poshtë këmishës së bardhë, me një buzëqeshje magjepsëse ajo iu drejtua Gencit tërë delikatesë:
- Çfarë dëshironi zotëri?
Ai ngriti kokën, vështrimi i tij u përqëndrua në fytyrën e saj, ajo vazhdonte të qëndronte me buzë në gaz, dhëmbët e saj të bardhë i dolën në pah.
- Kafe dhe konjak, - U përgjigj Genci pa ia ndarë vështrimin.
Ajo u largua duke mbajtur një bllok të vogël shënimesh në dorë për të sjellë porosinë. Kurse ai e ndoqi pas me vështrimin e tij deri kur ajo iu afrua  banakut. “Qenka shumë e bukur” mendoi me veten  e tij. Edhe kjo mund të bëhet një nga personazhet e mia fluturues. E pse të mos bëhej?
Kishte gati dy vjet që njerëzit kishin filluar përsëri që të iknin nga vendi nëpër vendet e tjera duke kërkuar strehim. Ky me thënë të drejtën ishte një eksod i dytë qysh pas viteve nënëtëdhjetë. Ishte e dhimbshme tek shihje se si vendi po zbrazej nga rinia drejt vendeve të tjera. Edhe ajo shkëndijë e shpresës që u ndez, tashmë kishte filluar që të  fikej. Ndoshta disa nuk do të ktheheshin më kurrë. Gishtrinjtë e tij punonin mbi letër si në kërkim të karakterit midis rreshtave. Nga mendimet e shkëputi një e qeshur e shkurtër që u rrokullis në hapsirën e qetë të këtij lokali, e cila u përzie me tingujt e simfonisë që po transmetohej. Ai ngriti kokën, dhe pa se brenda kishte hyrë një çift me moshë mesatare. Ata kaluan pranë tij, dhe e qeshura pushoi. Ndërkohë u dëgjua zëri i gruas që i thoshte burrit që ishte veshur me kostum blu, “Unë kështu ju thashë…” Pastaj ato u ulën një tryezë larg tij. Ndërkohë erdhi kamarierja me një tabaka ngjyrë argjendi në duar, dhe u afrua tek tryeza e tij duke vendosur mbi syprinën e qelqtë filxhanin e kafesë që nxirrte avull, dhe gotën me konjak.
Pastaj ajo u largua duke i thënë me një zë të butë “Të bëftë mirë.”
Ai mori gotën e konjakut, dhe pas ktheu një gllënjkë, e shoqëroi me kafe, e më pas  u kredh në punën e tij.
Ndërkohë dera u përplas, dhe u dëgjua një zhurmë, dhe një e qeshur nga një zë i trashë. Ai ngriti kokën dhe pa një burrë rreth të pesëdhjetave që u fut brenda. Ai përqëndroi vështrimin me kujdes tek ky klient që sapo hyri, dhe menjëherë pa se i ra në sy koka e tij e madhe,  dhe pa asnjë fije floku në të. “Ose mos ndoshta i ka flokët e kuqe” mendoi ai, ndërsa sytë nuk po ia ndante atij. Por në të vërtetë ai nuk kishte as edhe një fije floku, dhe koka e tij tullace kishte marrë një ngjyrë mavi. Kështu që atij me plot gojën mund ta thërrisje kuqo. Ai kishte një trup të gjatë, dukej sikur kishte qenë sportist. Tek njerëzit që ishin marrë me sport të binin menjëherë në sy disa veçanti që  kishin vetëm ato, dhe jo të tjerët. Gjatësia e trupit të tij gati sa nuk prekte abazhurin me drita që shkëlqente në tavanin e  zbukuruar me allçi. Genci nuk po ia shqste vështrimin këtij njeriu që sapo hyri. Fytyra e tij kishte një pamje të vrazhdë, dhe lëkura sikur kishte marrë një ngjyrë pak si në të errët. Syë i kishte të mëdhenj, dhe i rrotullonte herë në një anë herë në anën tjetër. Dukej sikur me sytë e tij ai shihte çdo gjë me hollësi. Pak nga pak, ky burrë para syve të tij filloi që të shkërrmoqej. Në fillim i ranë në pllakat e mermerta sytë dhe ai mbeti pa sy. Më pas i ranë me radhë veshët dhe hundët, kurse goja vazhdonte të fliste me gjithë këto që po i ndodhnin. Fjalët ishin të zhurmueshme, dhe më pas filluan që ta humbisnin kuptimin e tyre. Pastaj heshti dhe nuk u dëgjua më. Edhe goja pësoi të njëjtin fat si veshët sytë dhe hundët. Shkërrmoqja e tij filloi ngadalë pikërisht para syve tanë që e shihnim të habitur për këtë që po ndodhte. Filluan që t’i binin krahët, dhe mbeti kështu si një trung që qëndronte  në këmbë. Pastaj edhe këmbët pësuan fatin e duarve, dhe ai mbeti thjeshtë vetëm një trung. Më pas ky trung i mbetur u anua dhe u shtri mbi pllakat e mermerta të dyshemesë. Forma e këtij trungu erdhi dhe u shpërbë duke mos parë asnjë eshtër të  trupit të tij. Sa për të brendshmet as që mund të bëhej fjalë se mund të shiheshin, ai me sa duket nuk kishte asnjë organ nga ato. Dikush nga një tryezë  u ngrit dhe u afrua pranë tij për të parë më mirë, kurse ne të tjerët kishim mbetur të shtangur nga kjo pamje që as në përralla nuk e kishim dëgjuar. Pastaj u dëgjua zëri i atij klienti që ishte afruar tek ai dhe me habi tha me një zë që i dridhej:
- Çudi, ky njeri nuk paska as stomak, as bythë, dhe as shtyllë kurrizore. Është interesante që një njeri të mos ketë asnjë nga këto organe. Ai pra nuk kishte asgjë.
- Po mendjen si duhet ta ketë pasur? - tha dikush duke u ngitur nga tryeza dhe duke iu afruar edhe ai atij.
-Mendoj se duhet të ketë qenë i prishur nga trutë, - tha ai, - dhe u kthye për t’u ulur përsëri në vendin e tij.
“E çuditshme” thanë disa gati me një zë, “Po si mund të ketë jetuar vallë një njeri si ky?
- Këto janë punë të të madhit Zot, - tha një tjetër. – Pastaj ai vazhdoi sikur ta kishte pyetur dikush, por në fakt nuk e pyeti asnjë njeri që ishte aty brenda. – Zoti nuk të tregon se kur ta merr mendjen. Prandaj o Zot na ruaj nga njerëz të tillë.
- Jo ore jo, - tha një zonjë që kishte ndjekur gjithçka me vëmendje, - Nuk janë asnjëra nga ato që thoni ju. Ai është lugat.
- Ç’na the edhe ti, - tha një djalë i ri që me sa dukej ishte student, - e ku ka lugetër?
Ndërkohë edhe ai ishte ngritur dhe ishte afruar tek dy të tjerët për të parë. Edhe klientë të tjerë u ngritën nga tryezat dhe u afruan që të shihnin më mirë. Aty u formua një rreth që shikonin me vëmendje njeriun që u shkërrmoq para syve të tyre. Ata shihnin një njollë me ngjyrë të errët e të ndritshme që u dukej si një plëndës mbi dysheme.
- Edhe mund të jetë lugat, - tha një burrë i moshuar, i cili kishte vënë në gojë një cigarishte fildishi dhe po e thithte sikur të kishte ndezur cigaren. Ndoshta nga që brenda nuk lejohej që të tymosje duahn, ai kishte vënë cigarishten dhe e thithte herë pas here ku dëgjohej vetëm fërshëllima e ajrit që kalonte përmes saj. Ose, ai kishte lënë duhanin, dhe sa herë i shkonte mendja që të tymoste duhan, vinte cigarishten në gojë, me të cilën gënjente veten sikur po tymoste.
- Çfarë i keni këto mendime në shekullin e XXI? - Ia priti një tjetër që ishte bashkuar edhe ai me ata. – Sot shkenca ka vërtetuar që nuk ka lugetër dhe shpirtra të mirë e të këqinj. Këto janë bestytni?
- Po atëherë kjo çfarë është? – Tha zonja që kishte folur më parë se ishte një lugat.
Asnjë nuk u përgjigj. Ndoshta ekzistonin vërtetë qenie të tilla, që endeshin mbi tokë në mes të njerëzëve. Zakonisht thuhej se këto fantazma dilnin nga varret prej njerzëve të këqinj që nuk i pranonte as dheu, dhe dilnin në sipërfaqe duke trembur njerzit.
Genci ktheu edhe një gllënjkë konjak tjetër, dhe e shoqëroi me kafe, u përqëndrua në punën e tij, dhe mendoi “ Ky është një rast ideal për personazh që ta vë bashkë me personazhet e tjerë që po presin e të flasin pas kaq shumë kohësh.” Por çfarë do të thoshte në të vërtetë një personazh i tillë? Edhe ai e kishte shumë të vështirë që t’i përgjigjej pyetjes së vet që bëri. E si do të kuptohej një personazh i tillë, dhe në të vërteë për kë po filtej konkretisht? Ai ktheu gotën me konjak duke përfunduar dhe atë që kishte mbetur në gotën e kristaltë, mbylli fletoren dhe kompiuterin, veshi xhupin prej meshini të zi që e kishte varur në varse, hodhi çantën e laptopit në krah, dhe u drejtua nga kamarierja që po rrinte në këmbë me atë buzëqeshjen e saj lozonjare dhe po e shikonte atë tek po afrohej drejt saj. Asaj ky klient i ishte dukur i çuditshëm. Ai u afrua, ajo e vështroi atë drejt e në sy. Sytë e tyre u kryqëzuan, ai nxorri portofolin nga xhepi dhe pagoi duke i lënë një bakshish. Ajo e falenderoi duke i dhënë “ Mirëardhsh !”.  Ai vazhdoi rrugën drejt derës rrotulluese dhe mendoi “ Edhe kjo është një personazh”. Doli jashtë dhe u përzie me kalimtarët.

Saturday, December 7, 2019

Arif MOLLIQI: POETI I AZDISUR

Image result for arif molliqi(Fundi i javes me satirë)

S' po di çka më të thanë
brenda koke i vdekur, trutharë
kam me ardhe e m'u taku me ty
se n´kujtimet e mia ke hy si terri
kur ta pashë
fytyrën me arna
pashë se sytë magjia e lakmisë ti kish marrë
duke u zhagitur nëpër orët e kotësisë
duke i thënë vetes: jam korfeu i poezisë

E ti gafil mos rri
se gujas kam me ardh
ballin e ftohtë me ta puthë si meit
e dy fjalë me ti thanë
se malli me ka marr
o çehregrysur
që i turfullon padronit me servilizëm
o poet i azdisur
“o vëlla, i jemi vëlla”
E kur të takohem
ti s' ke me besu
andërr ke më thanë, e andërr s' ka qillu,
nejse, kot të pyes se tash e di kush je
marimangë, hienë që thuer intriga për mua
s´di,
era e gjahut ku po të shpie
“o vëlla, i jemi vëlla”
mbetça pa ty:
kështu kurrë s´kam dashtë më të pa
_________________________________
"O vëlla, i jemi vëlla", është vajtimi për Avdinë...

Friday, November 29, 2019

Mentor THAÇI: Rënkime Nëntori




Oj Shqipni të kjofsha falë,
të kam Nânë e më ke djalë,
bashkoji zogjtë në troje t'veta,
të të thonë sot: TUNGJATËJETA!!!
Na kanë ra do dhimbje të reja,
por të kalitur na bën BETEJA!


Dhimbjen ndrydhim sikur gurin,
në ballë t'ecjes vëjmë Flamurin,
mbijetesën FENIKSIANE,
Testament prej babe dhe nâne:
《Bashk gjithmonë, motra e vllazen,
jeta është lindje, dekë dhe dasëm!》!

NUK JU MERITON KY POPULL BUJAR

- K´tij populli i duhen frenat e jo mamuzat,
tha dikur Gjergji me ndërgjegje,
- ai din më shumë se prijësit e tij,
nuk i duhen t´pandjenjët, lakmuesët, edepsuzat ...
që nuk njohin fije obligimi përgjegj´je,
- nuk i duhet fare kjo sharllatani!

Ai ua njihte si askush ândrrat shqiptarëve,
shpirtin diellor e t´kthjelltë si bilur,
që veten e vëjnë në ballë flijimi,
por, e njihte edhe sojin e mjerë t´qyqarëve
që e kemi edhe sot si dikur,
si duket, dhuratë ndëshkim-mallkimi!
Po hiqni more ato pamje me gota,
ato dolli shëmtie e turpi,
nëse sall pak ndërgjegje ju ka mbetur,
tashmë qyqarllëkun jua pau Bota,
duke pi marren me ëndje hurrpi,
se vërtetë ndërgjegja ju ka vdekur!
Lërini të paktën pak vend veti,
në rangun e dykëmborëve njerëzorë,
si nuk patët këshilltarë protokoli,
kështu me juve u shëmtua Shteti,
o dallkaukë të instiktit sishtazor,
që më shumë se goja, egoja e bythës iu foli!
Me çfarë mund t´identifikohemi me ju,
çfarë të mire i sollët vendit ndonjëherë,
që të bindemi se jeni disa prej nesh,
o të mjerët ne për juve o jahu,
që nuk na latë dinjitet as nderë,
ju që s´keni shpirtë, sy, tru, as veshë!?


O MBETËSHIM PA JU

(me shkas, për puçshtetarët e mbrapshtë)
Bota njeh pamjet që sheh si në pasqyrë,
ore trutrashë, halldupë e budallënjë,
a nuk i dëgjoni shamjet drejt në fytyrë,
ore miopë, të krisur e mëndjemëdhenjë!?

Shtetin e bëmë ne popullata e jo ju,
ne jepim çdo ditë e ju sall merrni,
dhe tashmë mjerimin na e jepni kuturu!
Po si bre sall pak, veprimin s´e tjerrni?!
A nuk e shihni popullin tuaj bujar,
me gjithë skamjen, kanë hapur zemrat,
e ju të shëmtuar dhe tejet qyqarë.
me pamje gërdie, nuk njihni frenat!?
O satrapë, t´pagdhendur e dallkaukë,
kthehuni në themel e shihne gjëndjen,
marren dhe mëkatin i hëngëshi me bukë,
koha e fundit të kthjelloni mëndjen!
...
 I URUEM KY I 28-ti NANDUER

(dhimbjen do ta ndrydhim, ecim përpara)
Vëllau më dërgoi ftua Atdheu,
dërgesë përtej 77 palë malesh,
përtej 99 palë çmalljesh!
Bashk me ftoin erdh edhe aroma,
erë Dheu, Ajri, Uji, ... Malli Dardan,
erdh edhe g´zimi bashk me lotin!
- Merre m´tha, p´mes sime shoqje,
merre, e ke nga Trualli i Bab´s,
e ke nga ujitja e hershme e Nan´sLoke
që bashk me ujin i fali edhe lotin!
Eh, e shkreta,
dikur me mokth e fto´j, freskonte aromën e "çilerit",
që gjumi t´na rriste me erëmim hundësh
sapo hapeshin sytë n´mjes, verdhë dukej rafti!
Dhe, vinin nëntorët bashk me rritën tonë,
nga një flegër ftua, aromim gojësh,
Urata dilte këndshëm ... âmël ... fto´jshëm ...:
- Urime Festa e Flamurit!
Festë e Shqipes ... e drunit dhe gurit!
E sot ... imvëlla, ftua më dërgoj,
bashk me aromën e Atdheut, me erën e vendlindjes ...
me bekimin e Nan´sLoke,
me mungesën e Bab´s n´rritën teme ... n´rritën tonë!
Ani vëlla, ani ..., t´u rrit´të nderi!
Urime i 28-ti Nanduer!
Kjoftë shërim dhimbjesh!
Kjoftë lehtësim malli!
Kjoftë ... bekim Kombi e Atdheu!
Ashtu kjoftë!


PËSHTJELLIM

Zhurmës së namasxhahut,
iu shtuan edhe dardhaxhijtë,
ditë tregu i thënkan
Se si u pështjellen rolet,
merr vesh o dreq,
n'fije pa fije nuk i bihet
Tashmë briste gomari e pëlliste i zo'i,
zhurna me zhurmë a vritet,
kur vesh' më nuk kishte
Po dardha ... kush po shiste
Ah ... méj o sinjeri,
ta nig'jojmë gomarin,
ai na dulë dardhaxhi
Paj ... a na m'et gjâ mâ e méçme,
murmurisnin zhurmshëm njerëzit,
as veshi i tyre s'ua kapte
Pêshtjellim rolesh ... bre
the-at'ër dreqi para akshampazari
...

Wednesday, November 27, 2019

Fjala e poetëve për tërmetin e djeshëm


Image result for çun lajçi poezi Çun LAJÇi

Shqipnisë sime t'luhatun
Kur dridhësh ti
Ne s'bajmë gjumë Shqipni
Se tutemi po vdes
E rrajë jetimash mbesim
Të duem edhe kur vërshehesh
Ujnash
Edhe kur digjesh
Zjarresh
Edhe kur mallkohesh nesh
Kur luhatesh
Dridhësh e përkundesh
Termetësh
Si zogj t'futemi n'gji
E lutemi
Vetëm ti t'mos vdes
Ne
S'bajmë gjumë kur ti dridhesh
Se veç Ty t'kemi Shqipni.


Vasil TABAKU

SHQIPERIA IME
Zemrën
Mbaj në dorë
Veshur
me puthjet plotë dritë
Dhe qiellin e lart
Bër prej ënderrave të tua
Shqipëria ime…
Rend
Përms shpresave të ndezura
Nëpër shpirtin e bukur
dhe rrebel
Ku shpresat
Mbjellë si pemë
Celin lulet
Dhe zgjasin përqafimet
Nga degët e brishta
Ku unë përhere
Jam ndjerë i yti…
Unë biri
dhe bija
Ati
dhe nëna
Unë madhështori
Dhe i fuqishmi...
Une zëri yt
Thirrja jote
Kënga e bukur e dashurisë
Dhe britma e rrevoltës
Zëri i fiteores
Gjaku i luftrave
Me diejt
Brenda kraharorit
Dhe brohorimën magjike
Të yjeve…
Shqipëria ime
Fisnikja ime
E mira ime
Dashuria dhe dhimbja ime
Puthja prej zjarri
Malli prej nëne..
Endërra prej fëmije
Dhe përqafimi prej grujeje
Shqipëria ime,
Dheu im shekullor
Gurët e thinjur
Rrugët plot jetë
Jetojnë brenda meje
Marrin drit=
dhe forcë
Bëhen e sotmja
Dhe e nesërmja…
Buzeqesha prej hëne
Dhe krahët e përqafimit
Hapur madhështor
Si një horizont…
Shqipëria ime…
E dua rendjen tënde
Nëper shekujt e përgjakur
Plagët e tua,
burrat e mëdhenj
njerzor dhe heronj
jetën e tyre
ta bëne dhuratë
ndërsa shkonin
krah për krah me vdekjen
të matroheshin me Lirinë…
Shqipëria ime,
Dashuria dhe drita ime
Zemra dhe ëndërra ime
Ndër duar,
Kam plagët e qindra viteve
Një gjerdan trimërie
Qendisur me të kuqe…
Shqipëria ime…
Me flamurin
Bërë
prej buzeqeshjes sonë
Rend neper shekuj
Kalorse e lirisë
Përmes qiejve
Mbi rrufetë dhe vetëtimat
Mbi të gjithë zjarret e yjeve
Me një diell të madh
Mbi supet e brishtë…
Se unë pa ty
Shqipëria ime
Nuk jam ky që jam
Se ne pa ty
Shqipëria jone
Nuk mund të jemi
kurrë shqiptarë …
Se ne me ty
Shqipëria ime
Perjetësisht
Fitojmë mbi shekuj
Dhe njëqindvjecarë…


Ramiz Kuqi Norvegji.

JEPNI PËR NËNËN

Ajo rri buzë detit
Kafshon dhimbjen nën buzë
Zgjuar rri sypërlotur
Koklarta ime
Ti nuk je vetëm sot
Në krah Dardanie
Iliride
Luginës së harruar
Nga njeriu e Zoti
Jepni për Nënën
Që rri kryelart te deti!


E MËRKURË

M’u ka lidhur fjala nyje në varg
Që s’del nga gëzhoja e natës
Që mbeti mbrëmë
Si statujë
Një zë fëmije nën rrënojë betoni
Një nënë lot nëpër rrugë
Një kolonë e gjatë nëpër autostradë
Dy duar drejt kufirit, ah ky kufi
Dy ëndrra fluturojnë drejt këtij qielli
Të murrmë me lot si shi
M’u ka lidhur fjala nyje në varg!


E FTOHTË
Nata
Që hyri tinëzisht
Në lëkurën time te hollë
E
Deti u dridh
Shpirtit iu shemb
Buzëqeshja në mesnatë
O det i derdhur mbi tokën time
Që m’i gjakose ëndrrat
Vajin e fëmijëve
Lot
Mbi sy nënash
Që vështrojnë qiellin e hapur
Nata...

Image result for angjelina krasniqiAngjelina KRASNIQI Gjermani.

MOJ NANË SHQIPËNI
.
Shpirti i tokës t'u paska idhnue
kapakët e dites i hape t'u dridhnue,
për t'marr nën dridhma një komb t'tanë
paske thy e vra dhe t'pafajshëm, nanë!...

.
Pse si hodhe këto dridhme n'bjeshkë,
do shkundje pak gjethet si në vjeshtë,
pse s'i hodhe
mbi judët e kombit t'mbledhur n'tufë
që e dojnë vdekjen tënde dhe pa luftë!...
.
Kur shpirti t'dridhesh ty moj nanë
gjithë fëmija t'rrethojnë nga katër anë,
një gjak, një flamur, gjuhë shqipërishtë
vet arbër katërcipërishtë.
.
Kur t'i ke t'luhatme, dhridhje,
t'qara dhe gjëmime
dhe trupi t'dhembë,
gjithë kombi ynë ngrihet në këmbë.
Dhembjet tua me t'i prek oj Nanë!...

Ulku Bardh

DHIMBJE KA ATDHEU

(Tërmeti 26.11.2019-Shpipëri)

Atdhe ... edhe unë jam me ty
Në këto çaste të rënda jete
Ca gërmadhave me stuhi...
E ca peng ndjenjën e shpirtin e vrarë
Me zemër të plagosur, loti gjak në sy
Sikurse ashti me mishin ngjitur...
S'ndahet dot edhe i lemeritur...
Bashkë e mdajmë dhimbjen ne të dy
Si: Dardani, Iliridë, Çamëri, Luginë e Malësi...
Në këto çaste morti,të gjithë janë me ty
Pezëm në shpirt e lot ndër sy...
Si: arnautë, arvanitë dhe arbëreshë
Globit mbarë edhe mërgimtarët
Në zemrat e shqiptarëve sot Dhimbje e madhe po resh...
Për të dashurit tonë që s'i kemi më
Ah, dhe gjyshja n'flijim për nipin e saj!
Në këtë prag feste, me karanfila te zinj
Flamurin në gjysmështize do ta mbaj'
Për shqipen që loti syrit i varet litar
Se vëllau me vëllanë që shihen n'kalvar...


Image result for kujtim stojkuKujtim STOJKU

ORË E LIGË

Me shpejtësi eterin e përshkruan lajmet e hidhërimit,
Nuk ngatërroheshin në ditën e re që po lindëte,
Çfarë zhurme e tronditi kështu ajrin?
E më pas flamurin e vdekjes do të ngrinte.
Dielli lindi i zymtë si një rruzull i përgjakur,
Pa rreze duke ngjyrosur çdo zemër me mërzi,
Derisa më në fund të gjithë e kuptuam,
Sa dërrmuese ishte kjo fatkeqësi.

Dielli i ngrysur si një sferë e përgjakur po lindëte,
Pa rreze duke ngjyrosur çdo shpirt me trishtim,
Burrat varnin krenat e bluanin me mendje,
Për kohën e palindur,
Dhe fatkeqësinë që erdhi në këtë errësirë.
Vështrimi gjithë frikë ishte kthyer nga bregdeti,
Ku dallgët vrumbullonin duke kuis,
Si në një pasqyrë magjike hamendësohej tmerri,
Dukej më i egër seç ishte, e me të zezën ishte lidhë.
 
Shpirti na u dridh n` këtë natë të frikshme rrokullimë,
Ku nëpër natë shpirtrat thërrisnin njëri – tjetrin,
Kur zbardhi dita diellit rrezet i ishin prish,
Mbështjellë me mantelin e hirtë të natës,
Vegime hijesh në triumfin e kësaj ore të ligë...

Tiranë 26.XI.2019.

Monday, November 25, 2019

Vasil TABAKU: SHKRIMTARI, KY KALORSI I ARTIT TË FJALËS SË SHENJTË…


Intervistë me publicistin dhe shkrimtarin VASIL TABAKU


1. Si e konsideroni jetën dhe arsyen e saj në krijimtarinë tuaj?
- Krijimtaria e parë ndoshta edhe si një shkak për të deklaruar jetën me të vërtetat dhe vlerat e saj, është një mundësi mjaft e madhe , ndoshta një dhuratë nga ZOTI për krijuesin…të shkruash, ndoshta është edhe dhunti, padyshim që ëahtë talent dhe aftësi…Jeta vjen në krijimtari jo thjeshtë si një rrëfim…ajo është atje e pranishme që në fjalën e parë që në vargun e parë…Jeta shpallet si e tillë pikërishtë se është JETË, e cila ka shumë arsye që të jetë brenda universit krijues.Në të vërtetë, unë do të thoja se jeta është vetë arsyeja për të krijuar. Brenda saj vërtitet e gjithë nebuloza krijuese nëpër gjithë mistret, filozofinë dhe arsyen, dëshirën dhe pasionin, ëndërrën dhe realitetin. Krijimtaria është materjali jetik i shëndrruar tashmë në një lëndë magjike e cila ka frymë dhe shpirt si poezi, si tregim, novelë, dramë apo roman…E pra në këtë ngjizje magjike dhe tepër të shenjtë, Jeta merrë vlerat e saj të pamohueshme për të juftifikuar krijimtarinë artistike si një të tërë..Krijimtaria ime pa JETËN, pa lëndën e saj të frymtë dhe të gjallë, mendoj se do të ishte asgjë….Gjithcka në krijimtarinë time e ka zanafillën tek jeta, ndonse shpesh krijimet janë një manifest i jetës, një shprehje e saj e koncentruar që unë si krijues e kam marrë në brendësi të zemrës së saj…Unë në poezinë time jetën e konsideroj si një materje të domosdoshmë dhe të shënjtë, e cila ngjizë amën poetike, fjalën dhe frymën, dritat e fshehta që vibrojnë brenda poezisë duke krijuar ato aureola brilante nëpër mendimet tona teksa lexojmë poezi…
“Frymëmarrja ime
Është
Qielli I të braktisurve
Rruga plot stuhi e shpresë
Dhe rilindja e dritës
Përms syrit të fëmijës
Mos e zgjoni
frymëmarrjen time…
Merrmëni përdore
Drejt hapsirave
të shpirtit tuaj
Dhe bëmini
ëndërrën e muzgut
Ku mengjeset struken
Si zogjë që presin
T’u lindin krahët….”
Nga poezia “ IDENTITET”
Natyrisht, janë shumë e më shumë gjëra dhe arsye pse JETA shëndrrohet në materje krijuese si në poezi ashtu dhe ne prozë, por ajo më e qenësishmja mendoj se është pikërisht ai lëng jetik që rrjedh nëpër vargje apo fjalë të krijimit, pasi vet krijimi në gjenezën e tij ka si bazë “lëngun” e jetës, atë limfën që i jep gjallëri dhe zjarr , dritë dhe frymë…Romani im “Baleti i drerit të plagosur” është padyshim një produkt direkt i jetës. Kjo vepër e merrë nisjen e vet pikërisht nga jeta reale në Kosovën e periudhës së luftës dhe pasluftës…Aty gjithcka është një realitet i kaluar në filtrin artistik dhe i ndërtuar natyrshëm ne shpirtin tim krijues ku dominon dashuria e pakufijshme për Kosovën, njerëzit e saj dhe ëndërrën e madhe të shqiptarëve për një Kosovë të lirë…Në roman jeta është jo vetëm lënda por edhe fryma, shpirti dhe arti…Ky fenomen për mua është sa i domosdoshëm aq dhe kuptimplot, sa real aq dhe i ëndërrt, sa i prekshëm aq dhe magjik…Krijuesi në këtë proces është thjesht një shpirt nëpërmjet të cilit kalon e gjithë materia artistike duke u shëndrruar pak nga pak në një dimënsion të ri i artit të fjalës….
2. Ku qëndron forca me të cilën ju keni arsyen e fjalës në krijimtarinë tuaj?
- Dëshira për të folur është e lashtë sa vet NJERZIMI. “E para ishte fjala…” thuhet në hyrje të BIBLËS.Njeru gjithmonë do të thotë dicka, të shprehet, të pohoj ekzistencën e vet nëpërmjet fjalës jo si qëllim por si mundësi reale e ekzistences së tij .Por, natyrisht varet se cfarë flet, cili është kumti yt dhe si e shpreh atë…dhe këtu del në skenë arti i të shkruarit si një mundësi e madhe brilante, ku njeriu realizon ëndërrën e vet magjike të fjalë. Letërsia është prej….fjale…është fjalë, një monument madhështor prej fryme dhe ajri…Dhe pikërisht këtu qëndron dhe forca imponuese e FJALËS, e artit të saj të të shkruarit, ku autori pohon talentin, dimensionet e veta dhe filozofinë…Forca ku unë gjej arsyen e fjalës në krijimtarinë time letrare, qëndron pikërisht tek etja ime e pashuar për të shprehur dhimbjen dhe dashurinë, pezmin dhe ëndërrën, ankthin për të nesërmen dhe dëshirën për të mposhtur vdekjen duke dashur të jem kështu KALORSI I ARTIT TË FJALËS SË SHENJTË…Një mision madhështor që shkrimtari merrë përsipër në udhëtimin e tij biblik mbi rrugën e vështirë të shtruar me qelqe të thyera ku këmbët e zbathura përgjaken gjer në vetmohim.Të shkruash padyshim që është një vemohim madhështor ku një shpirt i bukur, i gjerë dhe fisnik i falë jetën artit të letërsisë.Shkrimtari në cdo fjalë që shkruan flijohet pak e nga pak. Letërsia është padyshim një autoflijim i ngadaltë por tepër i sigurt. Në cdo vepër timen, ju do të gjeni një pjesë të shpirit tim të shëndrruar në art letrar…në poezi apo në prozë…Megjithatë arsyeja në letërsi asnjëhrë nuk spjegohet, aq më tepar në poezi, spjegimi do të ishte një tentativë vetvrasëse e poetit…Gjhithcka nënkuptohet, gjithcka lihet nën hijen misterioze të postndërgjegjes së lexuesit, që pasi ka lexuar veprën, të mendoj. Nëse unë arrij ta bëj lexuesin të mendohet pasi ka lexuar librin tim, them se ja kam arritur qëllimit dhe jam i plotësuar…
3. E arsyeshmja a është diçka më kontradiktore në krijimtari?
- Arsyeja, e po arsyeja në krijimtarinë letrare nuk është asnjëherë argumenti.Shkrimtari kur shkruan, asgjë nuk ja nënshtron filtrit të arsyes sepse ajo ( arsyeja) është aty në vetëdijen krijuese dhe si e tillë ajo kurrësesi nuk mund të jetë qëllim në vetvete për krijuesin.Llogjika e ftohtë apo thënë ndryshe ARSYEJA, mendoj se në proceset inkandeshente të krijimtarisë janë thjesht një nocion asnjëherë të pranishme dhe në përgjithsi krijojnë rreaksione zinxhire në procesin krijues, krijiojnë tensione dhe mospërputhje me realitetin, moralin apo ligjin…Pse të mos themi se arsyeja në këtë rast për shkrimtarin është thjeshtë një autocensurë e egër…Unë në tërë procesin tim krijues asgjë nuk ja nënshtroj arsyes si analizë sepse në të kundërtën më duhet të fshij shumë poezi…sepse thjesht nuk i janë nështruar…arsyes si një rregull apo kanunizëm…Në asnjë rastë në gjëndjet e mia volitive inkandeshente të krijimit letrar nuk e kam patur parasysh “nenin” e pashkruar të arsyes…sepse ARSYEJA, mendoj se jam unë vet poeti…
” Dhimbja
Më merë për dore
Drejt humnreave
Të veshtrimit tënd
Ku flejnë
stuhitë e përqafimeve të vdekura
Dhe kujtimet e akujve që shkrijnë
Nga zjarri i trishtimit tim
Ndersa thellë nëpër qiej
Retë
rrëzohen si kuaj të plagosur
Me rrufetë
të lidhur
nëpër trupin e fuqishëm të dhimbjes…”
Nga poezia “Blasfemi”…Epra këtu arsyeja është mosarsyeja e poezisë që krijon emocione njerzore të fuqishme por që nuk ka fare arsyetim të arsyes…Arsyetimi në krijimtari më tepër I mbetet kritikës profesioniste apo estetëve.Në këtë rast, aesyeja është një argument analitik i domosdoshëm. Shpesh ne mundohemi të spjegojmë apo të arsyetojmë mbi krijimin…në fakt, nuk kemi bërë gjë tjetër vecëse sapo e kemi vrare krijimin letrar artitik duke i future brenda një dozë të madhe dinamiti “logjik” dhe ne këtë rast, do të thosha se cdo tentativë e tillë, është thjesht një antikrijim.Krijimi nuk e pranon arsyen e ftohtë, cerebrale, krijimi është frymë dhe ndijesi, është pasion dhe shprehje e lart e koncenttruar e gjendejes shpirtërore njerzore dhe asnjëherë nuk është …arsye…
4. Pse ndodh që krijimtaria dhe jeta janë paralele dhe infinite?
- Jeta është ekzistenca ndërsa krijimtaria është ndërgjegja, është shpirti dhe drita e njeriut dhe si e tillë ajo padyshim që është e lidhur ngusht me të sespse pa jetën krijimtaria nuk mund të ekzistoj…Paralelizmi I tyre nuk është thjesht fizik, pra ekzistencë, por në shumicën e rasteve është një kombinim I të dyjave për të lindur krijimtarinë letrare si një mundësi për të shprehur vlerat e jetës, pasionet, shpresën dhe përmasat e saj të paspjegueshme dhe të pafundëme…Letërsia bëhet , pra krijohet ashtu si dhe jeta, në një kuptim të dyja, lindin, ato janë produkt që në fund të fundit potenciojnë njëratjetrën gjer në infinit.Zigmund Frojd, thekson se “ …jeta është skaku I krijimtarisë, është potenciali i saj dhe frymëzimi, “ dhe duke qën se kjo simbiozë JETË – KRIJIMTARI është e panderprerë gjer në infinit, mendoj se është një produkt magjik që gjithësesi nuk e pranon spjegimin si argument.Një vepër letrare është një pohim i jetës një dimension i ri i saj i krijuar përmes artit të të shkruarit, ku shumë elemente nuk kanë spjegim sepse ata janë vetë jeta dhe JETA nuk spjegohet, jeta nuk mund të interpretohet, ajo vetëm jetohet dhe shëndrrohet kështu në motiv për gjithkënd.Dhe në këtë rast unë i besoj Leon Tolstoit kur shprehet se …në krijimtarinë e tij, jeta ka qënë një realitet ku arti ka shkëputur disa grimca për t’i shendrruar në një dimension të ri jetik dhe të pranueshëm…”Ndaj krijimtaria dhe jeta janë paralele të njëratjetrës dhe natyrisht nuk takohen asnjëherë në asnjë pikë, sepse takimi do të silltë shkrirjen oste të njërës ose të tjetrës…Ato janë zgjatime në infinit të njëratjetrës si dy vlra që I shërbejnë artit dhe ralitetit pa bërë asnjë kompromisë…
5. A ka një mesazh konkret për arsyen?
- Vet krijuesi është një arsye…është një pohim dhe mohim njëkohësiht.Krijuesi nuk është standart dhe tradicional.Krijuesi së pari është një shfaqje jo e zakonshme e ndergjegjes njerzore, është një shpërthim, një domen i artit dhe vet arti, një mjeshtër i fjalës dhe vet fjala. Arsyeja padyshim që është brënda nesh ajo ekziston dhe përbënë patjetër thelbin, por nuk është e tëra.Shumë procesë njerzore nuk e kanë zanafillën tek arsyeja, kështu dashuria , nuk vjen si produkt I arsyes tek njeriu, njeriu dashuron jo sepse ashtu arsyeton, por ashtu e ndjen. E në dashuri arsyeja përjashtohet. Në momentin qe njeriu fillon të mendoj ftohtë dhe në mënyrë të arsyeshme, dashuria vdes…Po ashtu dhe në krijimtarinë letrare, arsyeja mbetet në skaj, pasi kur krijuesi fillon dhe arsyeton, ai nuk po bënë më art letrar por po filozofon, apo po bënë një traktat filozofikomoral…dhe natyrisht në këtë rast letërsia ështeë e përjashtuar, pra letërsia nuk mund t’i nënshrtohet kurrësesi nomeve dhe ligjeve të arsyes së ftohtë logjike…Letërsia në vetvetë është një proces tepër inkandeshent shpirtëror dhe artistik, një stuhi ndjennjash dhe pasioni, ku dominon arti dhe drita e fshetë e një dashurie mitike për letërsinë e sendërtuar në fjalë, pra në vargje apo fjali me një domethënie të re dhe tepër shprehëse. Por në fjalë të fundit, arsyeja është padyshim fryma që mbanë gjallë krijimin si një mit dhe art, si një shprehje dhe mundësi e fjalës si një mendim dhe dëshirë për të pohuar vetveten, si një ekzistencë e shkallës së lartë të artit të të shkruarit…

Friday, November 22, 2019

Buqetë Poetike nga Sinan KËRPAÇI

Në kujtim të nënës

E NJËJTA ARITMETIKË

Për të numëruar ditët e nënës që iku
edhe sot përdora aritmetikën e saj
të thjeshtë:
numërova me gishta deri në dyzet,
dhe kështu do vazhdoj përditë
me të njëjtën aritmetikë.

Edhe firmën po kështu do ta hedh,
si nëna,
me gisht,
kur të bëj Kryefamiljarin pasardhës
në ditët pa nënë që do vijnë.
Nëna ime nuk mbajti kurrë në dorë
laps dhe penë për të shkruar
siç bën gjithë bota,
nëna ime mbajti në dorë pesë shtiza
dhe thuri për mua në ditët me nënë
veshje të ngrohta.


Ditës t’i lëmë një kujtim

Kur dua ditës që më ikën t’i lë një kujtim
shkoj te bashkëshortori dhe shtrihem për së gjeri:
gruaja të jetë e detyruar të më zgjojë
mua symbyllurin në zgjim,
e unë të bëj vend për atë duke bërë sikur
hidhem si zog i trembur te vendi im.

Do t’ju pres, o grua sa të mbarojë telenovela turke
me Sulltanin sykaltër dhe shumë gra,
kur të vish për tek unë me një Princ në mendje
perpendikular do të më kesh në krah.
Marsi në të ikur do ta sjellë një prill, një maj...
Eja e dashur t’i lëmë ditës një kujtim perpendikular,
pastaj të humbasim në gjumë nëpër natën e thellë:
të flemë si dy të palodhur, të flemë.
Nesër në mëngjes dritaren hape ti dhe më thuaj:
dita sot, o Yll, ka ardhur më e bukur...
...si për prill, si për maj, si për yll të këputur.



Tregtaret ruse

Ruse, vetëm ruse në Kinë, asnjëherë rusë
sikur ai vend të qe shuar për burra…
Dhe prisnin të gjitha nga unë!
Asnjëherë në disko “LENA” s’u thashë
se ku i kishin gjumashët
vetëm se përpiqesha të isha më i pagjumë.
Sa na jepte leje vodka ngriheshim,
kthenim edhe njëherë kokën nga “boshja”
dhe qeshnim:
ato binin te taksistët sa të gjenin hotelin
ndërsa unë kërkoja, po i dehur, Sheshin.
Ikja në “Tien An Men”,
ngulesha përballë portretit të Mao Ce Dunit
dhe qaja me oi: “Ç’na bëre, o Enver!”
derisa bëhesha esëll.
Kujtoja që isha 45 vjeç dhe qaja përsëri.



TË TRIJA

Rruga “Bardhyl”, sheshi “Jozef Shtraus”
dhe një rrugicë e fshehtë që i lidh.
“Shtraus”, “Qorre” dhe “Bardhyl”.
Nëpër të trija jam unë që lëviz
në orën që sa bëhet natë
dhe nuk dua dykëmbëshit
të ma shohin fytyrën
kur vë kokën e lodhur te të trija bashkë
dhe u qaj hallet e ditës.
E për mëshirë nuk ua besoj kokën:
e kanë një shpirt që më zgjat dorën
dhe nuk janë si njerëzit - pa fytyrë.
Është një rrugicë e fshehtë që lidh
“Jozef Shtraus” dhe “Bardhyl”
edhe mua që lëviz në të trija
për pak prehër nëne.

Thursday, November 14, 2019

VASIL TABAKU: METAFORA SI UNIVERS I LIRISË DHE SHPRESËS NË KËNGËN POETIKE TË QAZIM THAÇIT


Image may contain: 1 person Zëri I tij si poet vjen me qiejt dhe mallet e Kosovës, është një zë I thellë, tronditës dhe tepër njerzor, I gurgullueshem si lum dhe I mbushur me jone drite.Poeti Qazim haci është kështu nja bard I mrekullueshëm, që fjalën e ka shëndrruar në hapsirë ku jeta ndjehet e plotë, e fuqishme dhe me gjithë ngyrat e sat ë dhimbjes , dashurisë dhe shpresës, protestës dhe thirrjes mbi shpinën e murrëtyre të Kosovës. Qazim Thaci si poet troket me mjaft guxim në portat madhështore të poezizë shqipe si një krijues me timbër të vacant orgjinal dhe premtues . E pra kështu fjalëzon plot art dhe dashuri, plot shpresë dhe dritë poeti me vlera unike Qazim Thaci. Ai padyshim është një zë që duhet dëgjuar, është një këngë që duhet vlerësuar është një zjarr që nuk duhet lënë për tu shuar, sepse meriton gjithë vëmëndjen tonë për artin dhe dritën që shpërthen brenda fjalës së tij si poet.Libri I tij “Kur zgjohen metaforat” është një manifest poetik me shumë mesazhe dhe dritë ku shpirti I madh dhe I bukur I poetit shpalos dimensionet e vërteta në Kosovë dhe më gjerë. Këtu spikat qyteti I tij I zemres Prizreni si një metaforë madhshtore, ku jeta frymon me gjithë përmasat e saj mitike dhe modern.Poeti di të sjell në vëmëndejn e lexuesit të nderuar, situate mjaft dramatike dhe të ndezura, passion liorie dhe dritë. Ai ndërton me art profiling martir të Kosovës dhe njerëzve të saj heronj që sakrifikuan gjithcka edhe jetën për Atdheun e shenjtë. Qazim Thaci shpërfaqet kështu si një poet mjaft dimensional dhe me frymëmarrje të gjerë, plot shpresë dhe forcë, plot ëndërra dhe dritë.Padyshim një autor I këtyre përmasave do të thot vërtetë shumë për lexuesin pse jo edhe për studiuesit, për historinë dhe lirinë.Qazim Thaci mendoj se është mjaft I ndërgjegjëdhëm për misionin e tij poetic dhe atdhetar, njerzor dhe artistik.
POEZIA SI NJË QIELL DASHURIE DHE DHIMBJEJE
Në gjithë shtrirjen e rrafshit poetik të Qazim Thacit, ka shumë klithma, shpresë dhe dritë, aty është me të gjitha përmasat Kosova, lufta për liri dhe shpresë është Prizreni I poetit dhe zëri I tij I mrekullueshem ku shquhet leht dhimbja dha dashuria për lirinë dhe njerëzit. Poeti hap kraharorin dhe vë zemrën në dorën që I dridhet duke kënduar me forcë dhe ëmbël për shpirttin e madh njerzor dhe Kosovën, për Prizrenin dhe ëndërrat e mbetura pezull në qiellin blu.Poeti ndërthur me art situatat poetike me ato te luftës për liri dhe drejtësi.Ai konfirmon bindëshëm se është një autor I vlerave atdhetare sociale dhe lirike…
I them Atdheut, Albulenës e Gresës.
Poetët nuk i vrasin, luftëtarët si merr plumbi.
Orë e pikëllimit, duket sikur me Sazanin mat
Dritën e ditës së Bartolomeut shqiptar.
Nuk mund të mendohet poezia e Qazim Thacit pa dimensionin e lirisë dhe sakrificës së madhe të heronjëve të Kosovës, ndaj natyrshëm lexojme apologjeun poetik të tij për Atdheun. Në gjithë këtë performancë poetike të fuqishme, ndjehet zemra e madhe e poetit, ndjehet pulsi i fuqishem atdhetar si dhe dashuria e mrekullueshme metaforike pa kufij...Qazim Thaci është padyshim edhe një shqiptar i madh dhe me vlera të larta shpirtërore.Kosova Martire dhe tempull i lirisë është brenda shpirtit të bukur të poetit është brenda zemrës së popullit dhe gjithkujt, Kosova është krenaria dhe dashuria, shpresa dhe ëndërra e bërë realitet.
Kosova është kënga e parë dhe e fundit e fisit tim
Është kënga dhe zëri që vie nga lashtësitë...
Që në fillim dua të thëksoj vokacionin e vecantë dhe tepër shprehës të poetit Qazim Thaci, ai e ndërton poezinë e vet mbi ngjyrimin metaforik të figurës por asnjherë nuk harron që në vargje të vendos me mjaft delikatesë dhe elegancë shpirtin e tij të madh e të bukur poetik dhe njerzor.Unë dua të theksoj anën e vecantë shprehëse të ketij poeti me dritëzime magjike të ëndërrës dhe shpresës, Ai është kështu një ligjërues poetik mjaft orgjinal dhe i ndjeshëm,vargu itij i gjat dhe tingëllues e sfidon monotonin dhe prozaizmin sepse në bendësi të tij është ama poetike e poetit, është fjala e tij e mbushur plotë dritë dhe jone shprese. Mendoj se kemi të bëjmë me nje poet shumdimensional dhe tepër i kuptueshëm.Qazim Thaci karakterizohet nga larmia e figuracionit dhe metafora e nukur, e gjetur dhe e vendosur në vendin e duhur. Nuk ka tepëri por as zgjatje të panevojshme, ai është kështu një poet mjaft koncizë i matur dhe pa dyshim i talentuar.Poeti karakterizohet nga një shpirt mjaft atdhetar dhe me përmasa kombëtare. Në poezinë e tij të bukur është Kombi , është Atdheu, është Shqiptaria, është drita dhë liria. Një poet i këtyre përmasave patjetër që meriton respekt dhe nderim, njëherësh ai duhet vlerësuar për artin e tij të bukur poetik, për fjalën e sinqertë dhe dashurinë e madhe, Ai është sa atdhetar, aq dhe poet, sa intelektual aq dhe njerëzor, sa i sinqert aq dhe i dashur, i afërt dhe komunikues...Në shumicën e krijimeve poetike të Qzaim Thacit dominon metafora, natyrisht është e pranueshme dhe e justifikuar, ndërsa nuk mund të themi se poeti nuk e justifikon këtë drejtim të tijin poetik. Ai e vlerëson dhe e ka shëndrruar metaforën në një mjet të madh ndërtimi për poezinë e tij, duke i rritur vlerat artistike dhe shpirtërore në pëmrasa të mrekullueshme.
LIRIKAT SI NJE DIMENSION I SHPIRTIT POETIK
Edhe kënga ka pak gëzim e dhembje
Për afshin e saj të dashurisë
Mali ka lisa që i ngjanë asaj
Mali ka zogj që kanë këngën e sajë
Plot tri dekada pikësim dashurie
Mas vogëlsinë time më lartësinë e sajë
Poeti ndërton me mjaft pasion një univers të ri lirik, ku shpirti i tij rrebel rend nëpër qiejt dhe malet, nëpër lumebnjtë dhe lëndinat për të shpallur dashurinë si një ligj i jetës dhe ëndërrës.Nëpër ndërgjegjen e tij poetike Qazim Thaci nuk ka dallime, ai është vërtet një bard i madh por edhe një këngëtar elegant dhe plot jehona.Lirizmi në ligjërimin poetik të Qazim Thacit është një mundësi shprehjeje mjaft e lartë dhe tepër domethënëse.Poeti ka ditur me mjaft mjeshtëri ti shmanget prozaizmit dhe tejzgjatjes duke e prur lirikën në ato vlera që rrallë e gjmë në poezinë moderne bashkëkohore, ku shpesh ka mjaft abuzime.Poeti ndërthur me art dhe teknika inovative shpirtin me të bukurën, pasionin me dritën, mallin me ëmbëlsinë që fal dashuria.Ai e ngre edhe veprimin më të thjesht në një art poetik tepër mbreslënëns.
Sa kohë duhet deri në rilindje
Pranvera të freskojë
Si dhuratë Shpirtin Anteu,
Ende shëtit në Akropolis
Për të dashur tinës vashën ...
Ndërmjet dashurisë dhe realiteti, ëndërrës dhe fjalës, magjisë së fluturimit dhe dritës poeti ndërton ura lidhjeje të jashtëzakonshme, ku magjikja shëndrrohet në reale dhe bëhet e prekëshme, e ngrohtë, njerzore dhe mitike.Qazim Thaci ka në brendësi magjinë e ngjizjes poetike tepër të lart që do ta kishin zili edhe poetet me në zë. Poeti është mjaft i matur dhe profesional.Fjala për të është si guri i themelit ku pesha fhe bukuria padyshim kanë vlerat e veta unike dhe determinuese.Poeti na befason sa me orgjinalitetin e vet aq dhe me vecoritë tipike ligjëruese, ku shquhet qart kultura e tij nga gurra e popullit dhe eposit të madh epik.Qazim Thaci ndërto me mjaft mjeshtëri situata poetike mjaft të bukura, befasuese dhe plot nostalgji.Poeti është mjaft domethënës dhe i lexueshëm por edhe i drejtpërdrejt, pa teprime dhe spjegime, pasi dihet mirë se poezia nuk e pranon spjegimin apo komentin nga autori.
NË VEND TË EPILOGUT
Dhe në fund, unë doja me patjetër të deklaroja Qazim Thaci, është një poet me dimensione të vecanta, tepër i lexueshëm dhe shprehës. Ai është padyshim një mjeshtër i metaforës poetike, duke i dhënë asaj vlera vërtet unike në përdorimin poetik.Autori shquhet padyshim për vokacionin e vet të lart atdhetar dhe me shpirt të madh shqiptarie, njëherësh ai është edhe këngëtari i bekuar i lirisë dhe ëndërrës së Kosovës martire. Aty janë zërat e heronjëvë të lirisë dhe paqes, janë shpresat e mëdha, është Kosova dhe Prizëreni është Pshtriku dhe gjithë hapsira atdhetare.Autori ngre me mjaft kujdes edhe piedestalet për njerëzit me vlera të artit dhe jetës.Një autor me këto përmasa është patjetër tepër i lexuar por edhe i pranishëm në ndërgjegjen tonë shoqerore, morale dhe kombëtare.Qazim Thaci është kështu një nga poetët tani shqiptar që meriton falenderim, vëmendje, respekt dhe vlerësim maksimal, si një lëvrues mjaft i sinqert, i guximshëm dhe i talentuar i artit poetik në gjuhën e bekuar shqipe.trokitja e ti në portat e Poezisë Moderne Shqipe është mjaft e mirpritur...
Tiranë nëntor 2019