Monday, October 26, 2020

Grigor JOVANI: CIKLI ME LIRIKA "ME KA HARRUAR DASHURIA"

 

GJONI I HESHTUR

Më ka harruar Dashuria dhe si t’ia bëj
t’ia kujtoj?
Hedh sytë përreth. Një gjon mbi pemë nuk këndon.
Rri kot. Ngjan më tepër se unë i vetmuar.
Degëza mimozash shkund heshtja mbi tokë.
I them: “Natyra nuk hesht. Ti gjon,
sa kohë ke kështu, pa kënduar?”
Më ka harruar Dashuria, por mund të jetë
dhe për mirë...
Mendo të kthehej dhe të rilindëte sërish
ëndrrën time, që tani heq shpirt e lënduar...
Si do të mundja, o zot, të ngushëlloja një ditë,
atë gjon shurdhmemec,
që më sheh në sy i trishtuar?!

ILUZIONE
Më thoshe gënjeshtra,
se shkove mbrëmë në bregun matanë
duke ecur mbi ujë, për të peshkuar
me rrjeta.
Dhe unë t’i besoja të tëra... Më ngjanin
të gjitha të vërteta.
Në mëngjes, kur u zgjova,
pashë se nuk kishte det përtej dritares
dhe renda tek dera.
Një fushë e gjelbërt me grurë dallgëzonte,
tek këmbët e mia,
nga era.

GJEOMETRIA
Kur dua të të puth mënjanon kokën,
buzët formojnë trekëndëshin e Euklidit
me supin e zbuluar.
Mbyll këmbët kur dua të të prek
këndin e drejtë,
hipotezën dhe katetet mban shtrënguar.
Kur m’u deshën,
nëpër provimet e mia të dështuara,
asnjë funksion trigonometrik nuk m’u gjet.
E dashur,
unë sjam profesor gjeometrie,
qysh i vogël desha të bëhesha poet.

KETO TE FUNDIT
U zemëruam shumë herë ne të dy.
Herë-herë me inat të pa parë.
Erdhi një kohë, i harrova të gjitha.
Mendova: ëndërr do të kem parë!
Ato që nuk harroj janë zemërimet me veten,
pa fjalë, vullkane që zjejnë përbrenda.
Mbaj mend dhe arsyet. Oh, këto të fundit,
as t'i kujtoj nuk ma ka ënda.

E ZBATHURA SHEN MERI
I vë detyra të rënda Dashurisë.
Ashtu të teket. S’ndodh qiameti.
Qesh kumbueshëm. Ca kufinj
cakton mbi rërë. I shuan deti...
Perënditë s’ke qejf. Diellit i jepesh.
Ndaj përvëlon. Mjerrë kush të prek.
Ngre shtatë buforë. Djajtë të ftojnë.
Por ti, njerin prej tyre ndjek.
Je e veçantë. E zbathura Shën Mëri,
botën ndryshon. I shuan njollat.
Perënditë - dhe unë - të kanë zili,
se shkel mbi zjarr me këmbëhollat.

MIKESHAT E MIA
U kthyen ato
dhe zbuan vetminë time,
karriget në sallon u bënë tre...
Gëzon flakëza e hollë e një qiriri,
që dridhej mërzitshëm gjer dje.
Erdhën ato, mikeshat e munguara.
Zunë dy karrige.
Hije lanë mbi mur...
Ato! Njëra që iku. Dhe ajo,
që ndoshta s’do të vijë kurrë.

Wednesday, October 14, 2020

Prend BUZHALA: FSHEHTËSIA KRIJUESE


Frymëzimi është një dehje e kthjellët, thoshin indusët e moçëm. Në të vërtetë, procesi krijues, kaq i

ndërliqshëm e kaq shumështresor edhe për estetët më të zellshëm; do ta kenë vërejtur vetëm produktin artistik, të finalizuar: formën e re estetike. Pistat artistike të krijuesit zhvillohen herë paralelisht, herë së bashku; e njëjta lëndë e "materies artistike" ,merr forma të ndryshme. Ende estetët nuk e mbyllin Librin e Të Bukurës, ai mbetet gjithnjë i hapur, mu ashtu siç është e hapur dhe e pafund e bukura; herë merr udhë nga konteksti shoqëror, herë ky akti krijues kontekstualizohet nga realiteti empirik; për të arritur te koha jonë që i rikthehet spontanitetit në procesin krijues, ashtu vetvetishëm, si lojë krijuese. I zorshëm është ai provces krijues i etheve të frymëzimit gjatë procesit krijues: “Punimet duhet të konceptohen me zjarr në shpirt, por të zbatohen me ftohtësi klinike" (Joan Miró).
1.
Se cili është ky motivim, nxitës a shkas i padukshëm, cili është ky spiritus movens që nxit këtë potencial krijues të shkrimtarit, poetit, piktorit a muzikantit; estetët përpiqen t'i kodifikojnë disa ligje nga fusha e estetikës.
Spiritus movens! Është ai lëvizësi i brendshëm, shpirtëror, nxitësi i veprimtarisë, "shpirti" i një përpjekjeje (B. Klaiç, Fjalor i fjalëve të huaja); "në një bisedë, spiritus movens (spiritus agens) është ai që ideon, inicon dhe organizon (zakonisht në një projekt të madh). Sipas disa fjalorëve, spiritus movens është një udhëheqës shpirtëror. Rector Spiritus është mendimi kryesor, mendimi udhëheqës, forca e jetës, por edhe kujdestari, dhe spiritus sanctus është Shpirti i Shenjtë, një nga tre personat e Trinisë së Shenjtë. Spiritus në latinisht do të thotë shpirt, hak, frymë, frymë, erë." Fjalorët e fjalëve të huaja na thonë se movens është ajo që lëviz, ajo çfarë lëviz; termi vjen nga folja latine movere, dhe do të thotë të lëvizësh, të ndërrosh vend, të zhvendosësh, të transfigurosh, të transferosh; agens është një forcë lëvizëse, vjen nga folja latine agere, dhe do të thotë të punosh, të bësh.
2.
Kanti e filozofët tjerë duan të nënvizojnë prirjen e aftësinë e racionalitetit njerëzor që prodhon edhe spontanen. Kësisoj, procesi krijues përshkruhet si misterioz dhe me natyrë sekrete, me natyrë të ndërliqshme... e që na vjen nga kohët antike, kur fuqitë mbinatyrore sjellin frymëzimet artistike dhe frymëzimet e mendimeve. Frymëzimi iu takon të privilegjuarve, mu ashtu si e përshkruan Platoni: frymëzimi është një gjendje e ngjashme me çmendurinë. Te vepra e tij "Timeu" ai thotë: "Askush, kur është me veten e tij, nuk arrin të vërtetën dhe frymëzimin profetik; por kur ai e pranon fjalën e frymëzuar, atëherë ose mendja e tij është magjepsur në një ëndërr, ose ai është i shtyrë kah çmenduria prej dikujt tjetër, prej çrregullimit (rrëmujës, trazirës, rebelimit) ose fiksimit" (Platoni, Timeu).
Frymëzimi ishte dhuratë e një muze arti. Ose e një perëndie. Ende muzat e arteve kanë nderimin e estetëve dhe krijuesve. Romantizmi e kthen idenë e frymëzimit brenda qenies së vetë njeriut, ndryshe nga forcat mbinatyrore (antike). Por arti ende konsiderohej sekret, mister, magji krijuese.
Dhe estetë, teoricienët e artit, apo edhe vetë krijuesit, nuk prajnë së kërkuari ato hapësira fshehtësie të frymëzimit e të procesit krijues.
Por, ashtu sikundër thuhet, ky proces as që mund të shpjegohet. E po u shpjegua, atëherë ai vesk krijues shkatërrohet, më nuk përjetohet ai çasti i rrallë e origjinal, i papërsëritshëm. Po u shpjegua, atëherë talenti humb nga shkëlqimi i tij.
3.
Sekreti!
Sekreti të jesh krijues!
Ai që krijon, e di që nuk niset nga "baza materiale", për të siguruar pagë, para, as privilegje fitimprurëse. Prandaj veprimtaria krijuese është punë e vështirë, që do përkushtim, qëndresë për të përballuar vështirësitë. Puna me artin do veprim, krijim e më pak kundrim. Nuk do fjalë, as pritje: por veprim krijues. Ti punon në ëndrrat tua krijuese e jetësore, dhe kësisoj e mposht frikën. Ndodh që të të pushtojnë shumë zëra në kokë, ndodh që ti të jesh kritik i rreptë i vetvetes (mos po punoj keq, mos nuk ka përkryerje, mos do të mendojnë të tjerët keq për veprën time, etje tj), por edhe këtë vështirësi duhet ta kapërcesh: ata zëra kritikë e pështjellues, i mënjanon... Ti e ke në dorë kontrollin mbi veten, mbi mendimet tua. Pra, ti vepro.
"Cila do të ishte jeta nëse nuk do të kishim guxim të provonim ndonjë gjë?" do të pyeste artisti Vincent Van Gogh. Është njeriu që e ndryshon kohën, e jo e kundërta. Salvador Dali përsosmërinë e quante një mit të paarritshëm, dhe kjo joshje drejt saj, është e pafund. E njeriu e ka për obligim që ta japë më të mirën nga vetja e tij, në këtë proces krijues, mu ashtu si e bën këtë edhe në jetën e përditshme.
4.
Secila vepër e re arti (arti letrar, figurativ, muzikor etj), është një aventurë e re. Është një aventurë e re krijuese.
Është një përpjekje për të provuar diçka të re, Për të dhënë diçka të re. Për të krijuar përvojë të re artistike. Dhe ti kalon nëpër aq e aq labirinte rrugësh, shtigjesh, kërkimesh, përplot kthesa, përjetëze, lakadredhash e teposhtëze. Hove ngritjesh e rëniesh. Ti i fton në tryezën tënde prirjet, aftësitë, mendimet, krejt papritmas, pa parashikuar gjë, dhe ato të gjallërojnë.
Krijuesi i bën roje fshehtësisë së tij krijuese. Për krijuesit nuk ka shkencë, as dyshime, as hamendje. Vetëm kur krijuesi e braktis vatrën e tij të fshehtësisë krijuese, kur ai del jashtë, atëherë ai merret me punë të tjera, në daç me shkencë apo me politikë, me prodhimtari a me profesionin tjetër përkatës. “Arti evokon misterin pa të cilin bota nuk do të ekzistonte" (René Magritte).
Artistët kurrë nuk e shpjegojnë këtë proces krijues, sado që nëpërmes vargjeve e thonë dhe e shqiptoj në këtë mister, këtë magji dehëse, këtë natura naturata (Spinoza). E, po nisën për ta shpjeguar, atëherë rrjedhat e brendshme, metoda krijuese, sistemi artistik, spiritus movens-ët e tyre, pësojnë kaos. Përsëri do të na fusin në botën e misterit dhe mistifikimit. Thuhej (për biografitë e disa krijuesve gjatë procesit krijues): Schiller mëtonte se aroma e mollëve të kalbura e ndihmon atë me shkrim, Turgenev stimulon aktin krijues duke i mbajtur këmbët në ujë të ngrohtë, Balzak derdhte sasi të pabesueshme kafeje ose i mbante këmbët në ujë të ftohtë... dikush tjetër kur bën pushim, tjetri kur shëtit jashtë, në natyrë, aty ku nuk e ka lapsin a ngjyrën me vete etj etj.
5.
Gjatë shekullit XX u fol shumë për intuitën krijuese. Ky shekull krijon shkencën e procesit krijues, kreativitetit. Jo pak shkrimtarë tashmë duan ta shpjegojnë këtë proces. Vasily Kandinsky thotë: “Mendoj se ky proces shpirtëror i fekondimit, i përgjigjet plotësisht procesit fizik të lindjes njerëzore. Ndoshta kështu krijohen botët. Piktura është një përplasje e zhurmshme e botëve të ndryshme, të cilat ishin të vendosura për të krijuar një botë të re duke luftuar dhe përpjekur me njëra-tjetrën. Çdo vepër krijohet teknikisht ashtu si krijohet kozmosi - përmes katastrofave, të cilat vijnë nga gjëmimi kaotik i instrumenteve krijon përfundimisht një simfoni, të quajtur muzikë sferike. Krijimi i një vepre është krijimi i botës.”
Sot prandaj e quajmë botë artistike. Realitet artistik. "Arti i madh kërkon (krijon, zgjedh) atje ku mbaron natyra." (Marc Chagall).
Kështu ndodh edhe me shkencëtarët në procesin e mendimit krijues shkencor. Bie fjala, zhytja në një ëndërr i kimistit , Friedrich August von Kekul (pa në një ëndërr një gjarpër që kafshon bishtin e vet), kur bëri zbulimin e tij shkencor. Surrealistët ëndrrat dhe subkoshiencën (ndërdijen) i shndërruan në manifest krijues.
Arti është bersojma (credo-ja) e artistit. "Të jesh artist do të thotë të besosh në jetë" (Henry Moore).
Arti evokon.
Së këndejmi, poezia krijohet, fjala e krijuar në poezi nuk ka si e shpjegon vetveten.
Tashmë intuita krijuese vepron mbi idetë e shpërfaqura, si rrezatime të brendshme. Krijuesi ka Syrin e Brendshëm krijues, ashtu sikundër e ka edhe syrin e jashtëm për të kundruar e gjetur të padukshmen, të pavërejtshmen.

Saturday, October 10, 2020

Kujtim STOJKU: Cikli poetik " ËNDRRA VJESHTE"

 ËNDËRRA VJESHTE

Nëpër zabelin me lisa gjethet ishin ndryshk,
Degët plot me lende dukeshin se prisnin për t`i vjelë,
Një nga një pikonin në tokë se kishte me shumicë,
Kryevepër mistike që shungëllin me shkëlqim,
Imazh mahnitës që nga mendja s`fshihet lehtë.
Shkëlqen misri magjik në kapat radhë në arë,
Reflektojnë kallinjtë me ngjyrë floriri,
Prej kapave një nga një i zhveshin ngadalë,
Si nuse me këmisha të holla,
e me radhë këmishat me butësi ua hiqnin.
Ëndrrat e vjeshtës gjithmonë janë të mira,
Pavarësisht se moti është gri e shiu troket mbi qelq,
Kjo stinë është e bekuar,
s`dua të besoj se ëndrrat kanë kuptime të trishta,
Por kur gjethet bien nga degët s`di se pse trishtohesh për dreq.
Kungujt për çudi i shohim të qeshin kur gjethet u binin,
Si më të mençur që mbaheshin ishin rreshtuar të parët,
Korbat të trembura vallëzonin duke u grindur n`flladin e butë,
Më tutje dëgjohej një kuisje zagarësh.
Kudo kishte ngjyra dhe vetëm ngjyra që n`mendime të vinin,
Ëndrrat e vjeshtës janë n`hapsirë,
Si një grua që plaket është nisur për rrugë,
Imazhe që të qetë s`të linin,
Si gjethet që bien nga degët i sheh i zhytur thellë në gjumë.
Është e trishtueshme t`shikosh të fishkur shkëlqimin e saj rinor,
Por poshtë saj ajo zbulon ngjyra të tjera që më parë s`i kishte,
Ti dëgjon britmat e gëzuara t`fëmijëve që vrapojnë,
Ca hije fantazmash argëtohen e qeshin pak më tutje,
Ngjyra dhe vetëm ngjyra kudo këtë stinë e zbukurojnë.
Ëndërrat e vjeshtës janë në hapsirë,
Përreth tyre një kalaideskop gjethesh rrotullohet gjithmonë,
Të nesërmen një jetë e re do të jetë, e trondit thellë këtë vizion,
Hëna është si një mace e zezë dhe është krejt qesharake,
Ngjyra, dhe vetëm ngjyra kudo këtë stinë larmojnë,
Ëndërrat e vjeshtës janë n`hapësirë, kalojnë nën qepalla krejt tinëzake,
e ti pas tyre gënjehesh e do t`i shohësh gjithmonë...

BISEDOJ
Me mendimet e mia flas krejt i qetë dhe me butësi,
Ato që dua të shpreh i mendoj me kujdes,
Mendimet i mbaj në duar, i kaloj nëpër gishtrinjtë e mi,
Pastaj jua dërgoj buzëve që u japin frymë e marrin jetë.
Unë fjalët e mia i them i menduar,
Gjuha shpesh ngurron se mos ndonjë padashur del,
Ajri valëzohet nga tingujt që vijnë duke kënduar,
E medimi shprehet, formë të urtë merr.
Shpesh herë flas me veten time me zë të lartë,
Fjalët zbresin në tokë dhe duan të çelin,
Ndonjëherë janë të vogla, t`bardha si maragritarë,
Por ndonjëherë janë si gjëmba blu,
ose trëndafila që me aromë të dehin.
Unë i shikoj ato se si rriten e burrërohen,
Pa i paragjykuar me kokëfortësi i ndjekin sytë e mi,
Me krenari i shtrij drejt tyre duart,
Që t`i zgjedh e t`i rregulloj ato, që bashkë me mua janë rrit`.

VAGËLLIMTHI
I humbur në mes të fjalëve,
Shihja se flisnin vetëm sytë,
Por s`dëgjoja as dhe një fjalë,
Se ajo u kishte ngecur në grykë.
Duke ecur me hapa të mëdhenj,
Gjethet e lagura pamëshirë i shkelja me këmbë,
U ula që të kthej një gotë atje pak më tej,
Terri u zvarrit drejt lindjes, me diellin u përplas n`horizont,
Sytë e mjegulluar u hapën gjith zhurmë e panë dritën e vërtetë.
Pastaj rashë n`grackë midis së sotmes dhe t`nesërmes,
Bufi kur më shihte qeshte si i çmendur,
N`çerdhen e një peme një zog i zi këndonte i shkujdesur,
Shi vjeshte, vetëtimat ndrisnin pemët,
Hanin krimba, retë prej pambuku mbulonin motin e freskët…



SORRAKU
Natën e kaluar prej vetëtimave u bë si ditë,
Retë e shiut mbushën qiellin që filloi t`çurkonte,
shkreptinin flakë të verdha që çanin errësirën,
Dita gdhiu e zymtë, nga nata çdo gjë kujtonte.
Qelqet e kafeneve ishin veshur me avull,
Zhurmonin ekspresët e kafesë,
Aroma e saj të tundonte, të uronte mirëse ke ardhur,
Befas u habita kur një dhi pashë duke qesh.
Një tufë sorrash mundoheshin t`rrethonin qiellin,
Që ishte krejt gri nga retë e zeza të shiut,
Krokamat e tyre si herët e tjera s`dëgjoheshin,
Kishin tinguj të tjerë që s`i kupton njeriu.
Duke folur me njëra - tjetrën argumentonin habitshëm,
Maja e një peme n`trotuar për çudi mori flakë,
Ata si arrogante filluan t`mbyllin krahët e tyre,
Bisedonin gjithë dashuri duke vënë n`mes një sorrak.
Po këshilloheshin me njëra - tjetrën,
E herë pas here e gudulisnin sorrakun nën gushë,
Prisnin që diçka patjetër do të ndodhte,
Ai dëgjonte me vëmendje, e për çudi kthente kokën nga unë.
Para tij t`gjitha planet ishin t`shpalosura
Vetë krokaste në të rrallë e më shumë heshtëte.
Pastaj ata u derdhën tufë mbi degët e pemës,
T`gjithë këndonin në kor, sorraku si gjithnjë i udhëhiqte,
U këndonin kërmave ku do të hanin drekën.
Qielli u nxi përsëri, si një natë më parë filloi të gjëmoj,
E nga sytë e qiellit rridhnin lotë sa edhe yjet u prekën,
Dielli fshehu syrin e më s`deshte të shohë…


TINGUJT E INJORANCËS
Injoranca shfaqet e kapërdisur me tinguj të çjerrë,
Të shkrirë në një element të vetëm ato ushtrojnë dhunë,
Ajo e shpërfytyron tërsisht qenien, n`fytyrë e bën të zbehtë,
Pasi kurvëron gjithandej si bushtër, thotë më e ndershmja jam unë.
Kur përballet me diturinë atë e zënë spazmat,
Gjithë lakmi e sheh atë t`strukur brenda hijeshisë së saj,
Ndërsa ajo e karfosur asaj i sillet rrotull,
Mundohet ta zërë në grackë n`rrjetën që ka endur më parë.
Ne injorancën e ndjejmë çdo ditë,
Që vjen gjithë pompozitet e fshehur nga imazhet,
Ajo është e verbërt edhe kur ec në dritë,
Jeton gjithmonë n`shtazërinë e vet e përherë kënaqet…



ME GJUHËN E LULEVE
Ne në të shumtën e rasteve i shpenzojmë krejt kot fjalët,
Fjalë zemrimi, arrogante, mizore dhe miqësore i flakim n`ajër,
E unë u turra që t`i mblidhja një nga një nga sqepat e zogjëve,
E me ta shkruajta gjuhën e zemrave që rreh nëpër gjokse,
Pëllumbat gugatnin dhe u ulën para meje duke rrahur krahët.
Pastaj fjalët u bënë zogj që erdhën me librat e sollën pranverën,
Ata dashuruan retë, erën që frynte e tundëte pemët,
Thoshnin disa fjalë që i sillnin nga larg si lajmëtare t`vendeve të largëta,
Për ta nuk ka asnjë kufi, përveçëse yjet, diellin dhe hënën.
Me disa fjalë jemi familiarizuar sikurse me kanarinat,
Disa të tjera janë ekzotike që nuk i kemi dëgjuar më parë,
Si ato zogj që i qëndrojnë të ftohtit e s`migrojnë si dallëndyshet,
E ca të tjerë bëhen gati të marrin rrugën sapo dielli në ag të dalë.
Unë shpesh herë jam munduar të flas me gjuhën e luleve,
U mundova që t`kuptoja gjuhën që flisnin shushunjat,
Yjeve u buzëqesha në fshehtësi kur bënin thashetheme,
I shtrirë në krevatin tim bashkëbisedoja me mizat.
Dëgjoja pyetjet e bulkthit dhe të gjithave iu përgjigja,
Që i bashkohej të qarave e atyre që vdisnin,
Unë përsëri me gjuhën e luleve fola,
Ata m`përshëndetën duke lëshuar aromë,
E petalet një nga një në këtë vjeshtë u binin…

ZEMRA GËNJESHTARE
Si gjithmonë dëgjova zemrën t`më fliste n`gjoks,
Me një gjuhë që s`ishte si herët e tjera,
Kur e pyeta si je, si po e kalon?
S`ka më mirë m`u përgjigj ajo,
Flas e këndoj e mbyllur në një kafaz eshtrash.
Tashmë unë kam pikuar nën pemë si një mollë,
E kuptova nga gjuha se më gënjeu,
E prandaj unë vara kryet e heshta..

Saturday, September 26, 2020

Xhelal ZEJNELI: SIMBOLIZMI


Krijimi artistik mund të jetë i kapshëm vetëm nga rrethi i zgjedhur dhe elitar i njohësve, arti ndërkaq nuk mund t’i shërbejë asnjë qëllimi politik, shoqëror apo moral. Asgjë nuk është më e bukur se ajo që nuk ekziston.

(parnasistët)
Nocioni simbolizëm ka domethënie të shumëfishtë – filozofik, linguistik, artistik, letrar. Si shkollë dhe si drejtim letrar, simbolizmi paraqitet duke filluar nga viti 1880, ndonëse tendencat simboliste shfaqen që në romantizëm, madje edhe më herët. Si në teori, ashtu edhe në praktikë, simbolizmi paraqet kryesisht negacion të realizmit dhe të natyralizmit. Simptomat e para të rëndësishme “të revolucionit letrar” manifestohen në shkrimet teorike dhe në poezinë e të ashtuquajturve “dekadentë”.
Fjalën “dekadent” e përdori i pari poeti francez Teofil Gotje lidhur me poezinë e Sharl Bodlerit. Gotje ishte edhe tregimtar, kritik letrar, arti dhe muzike. Me përmbledhjen poetike Émaux et Camées, 1852072) dhe me shqyrtimet kritike të mëhershme u bë përfaqësues dhe teoricien i larpurpartizmit (l’art pour l’art – art për art).
Por, për kundërshtarët e risisë në poezi, kjo fjalë u bë sinonim i negatives. Për ta përqeshur rrymën e re në letërsi, gazetari Labryer (Labruyère), më 22.9.1885 botoi në gazetën Le Figaro epigramin: Dekadenti: “Bir i modernistit / Nip i idealistit / Djalë vëllai i parnasistëve / Në njëfarë mënyre, kopil i realistëve / Dhe djalë motre i brezit të dymbëdhjetë i romantikut plak”.
Letërsia e re e cila shprehte “senzualitet shqetësues”, “pikëllim të thellë” u manifestua sidomos te grupi i tubuar rreth poetit francez Zhan Moreas. Ky erdhi në Paris në vitin 1875 për të studiuar drejtësinë. I frekuentonte kafenetë dhe qarqet letrare të lagjes Latine. Shpejt u imponua si një prej udhëheqësve të simbolistëve. Përpos Moreasit, në këtë grup bënin pjesë edhe poetët Rene Zhil (Ghil), Henri dë Renjie (Régnier), Stuart Merill (Merrill) etj. Botoi dy manifeste: më 1885 në revistën “XIX” dhe më 1886 në shtojcën letrare të gazetës “Le Figaro”. Në to i paraqiti parimet e estetikës simboliste. Në vitin 1886 themeloi revistën “Le symboliste”.
Shënim: në vitet ’20 të shekullit XX në grupin e simbolistëve bënin pjesë edhe Pol Valeri, Andre Zhid etj.
Letërsia e re u manifestua edhe në revistën e gazetarit dhe shkrimtarit francez Anatol Bazhy (Anatol Bajut) “Dekadenti artistik dhe letrar” (Décadent artistique et littéraire).
Në mënyrën e jetesës, në idetë për botën dhe artin të heroit De Esent të romancierit dhe kritikut francez Uisman vërehet fryma dekadente e një kohe. Ky dhe bashkëmendimtarët shpirtërorë të tij shfaqnin edhe ide të filozofit dhe eseistit gjerman Artur Shopenhauer si dhe konceptet e kompozitorit gjerman Rihard Vagner mbi artin.
Dekadentët krijuan një klimë shpirtërore të re dhe ia përgatitën rrugën simbolizmit. Por grup i të ashtuquajturve poètes maudits (poetë të nëmur): Bodleri, Verleni, Rembo me pikëpamjet e tyre teoriko-letrare – me manifeste dhe me poezi paraqitën disa premisa thelbësore të simbolizmit:
Bodleri – teorinë e sinestezisë, analogjisë universale, të ngërthyer në poezinë “Korespondenca” (Correspondances) në të cilën kërkon nga artisti që nëpërmjet vargjeve të zgjidhë enigmën e “pyllit të simboleve”, të zbulojë analogjitë e thella nëpërmjet cilave mund të shprehet më së miri thelbi i njerëzve dhe i sendeve. Autori i “Luleve të së keqes” (Les Fleurs du mal, 1857) tregoi po ashtu se sa poezia i ka borxh muzikës dhe paralajmëroi “romanin vagnerian” në prozë.
Verleni me poezinë-manifest “Arti poetik” (L’Art poétique) tregoi sesi muzika dhe fjala bashkohen në tingull të ngjyrosur, por i cili ende shfaq një vezullim emocional të thellë, kuptimi i të cilit mund të ndjehet dhe logjikisht të perceptohet.
Remboja shkoi më larg: ishte për alogjizëm, për “shfrenim të shqisave”, për “alkiminë e fjalëve” e cila do të krijojë “botë të reja dhe lule të reja”. Por, teorinë parashikuese të tij (voyant) do ta anticipojë në radhë të parë surrealizmi. Për këtë arsye, shumë më vonë ajo do të lëvdohet, të vlerësohet dhe do të mbiçmohet shumë.
Malarmeja, duke i kontrastuar figurat poetike sipas parimeve të kontrapunktit, u përpoq që fjalën ta shndërrojë në “figurë plastike, në shprehje të ndonjë mendimi, në dridhmë të ndonjë ndjenje dhe në simbol të ndonjë filozofie”. Malarmeja ngulte këmbë sidomos për rëndësinë e muzikës si thelb i vërtetë i poezisë. “Poezia duhet ta marrë nga muzika të mirën e vet”, është parullë e njohur e tij. Të flasësh, të analizosh, të përshkruash – kjo nuk është më detyrë e poezisë moderne. Vargjet duhet të ndikojnë sikur emanacioni muzikor, jo me kuptimin por me sonoritetin (kumbimin), jo me domethënien por me vibracionet muzikore.
Poezia bëhet lloj i partiturës muzikore. Simbolizmi i gjendje frymës (e shpirtit), si revolucion në poezi, në pikëpamje teorike së pari përmblidhet në manifestin e Zhan Moreasit. Manifesti u botua në revistën letrare “Figaro littéraire” më 18 shtator 1886. Autori i manifestit përpiqej të dëshmonte se simbolizmi është një dukuri artistike e domosdoshme, shprehje “e evolucionit ciklik me ndryshime të caktuara në mënyrë rigoroze”. Sipas Moreasit, paraardhës të vërtetë të kësaj lëvizjeje duhet konsideruar Bodlerin. Malarmeja simbolizmin e ndau nga domethënia e misterit dhe e asaj që nuk mund të shprehet. Verleni u dha fund grindjeve të ashpra rreth vargjeve “që i kishin zbutur paraprakisht gishtërinjtë çudibërës të Teodor de Banvilit”.
Simbolizmi është novatorizëm në poezi që sjell me vete stil kompleks, fjalor të pazakonshëm, ritëm “që ndërrohet kohë pas kohe me ritmin e qetësimeve valëzore, të pleonazmave domethënëse, të elipseve misterioze, të anakoluteve të papërfunduara (mendime të palidhura) tejet guximshëm dhe shumë thjesht...”
Poeti dhe teoricieni i shquar francez i simbolizmit Rene Zhil (Ghil) insiston për rëndësinë e simbolit i cili duhet të jetë “i vërtetë dhe sugjestiv”. Poeti amerikan i cili shkroi në gjuhën frënge, Stjuart Meril flet për raportin midis fjalës dhe muzikës. Sipas tij, poezia që ka vlerë është vetëm poezia lirike. Ajo është bijë e “fjalës destruktive dhe e muzikës kreative”.
Që nga Bodleri deri te Valeri, drejtimi letrar i ri dëshiron të ndeshet me muzikën. “Ta bëjmë me fjalë atë që Vagneri e bëri me nota”. Te aluzioni dhe te sugjestioni simbolistët i kanë parë mundësitë më subtile, më të holla, më delikate që poezia të shndërrohet në muzikë, në formë të kulluar, e cila maksimalisht do t’i mundësojë poetit t’i shprehë mbresat që lindin nga vështrimi i vibracioneve më të thella të psikes njerëzore. Sipas Sharl Morisit, sugjestioni është gjuhë e korrespondencave dhe e lidhjeve ndërmjet shpirtit dhe natyrës. Ai e shpreh atë që nuk mund të shprehet dhe që nuk mund të sqarohet. Ai është tingull, jehonë e më intimes; vetëm ai e ka mundësinë që me disa vija të shprehë lëvizjen e amshueshme; Sugjestioni është mënyrë polifonike e të shprehurit me fjalë të melodive të shpirtit.
Gjuha e poezisë simbolike është sugjestive dhe e rëndë për ta kuptuar.
Duke marrë parasysh ambiciet plotësisht të reja të simbolizmit, teoricienët e tij kujdes po aq të madh i kushtuan edhe çështjes së gjuhës. Poezia tradicionale franceze, qëkur e prangosur nga ritmi i fuqishëm i vargut aleksandrin*, nëpërmjet simbolizmit arrin cilësi të re, lirohet nga njëllojshmëria e ritmit. Vargu i lirë poezinë tradicionale e çliron nga ligjet e vjetra të versifikimit (të vargëzimit). Në të vërtetë, qysh Viktor Hygoi (Hugo) i lëkundi themelet e vargut aleksandrin, por vetëm simbolistët dëshmuan se çfarë bukurish mund të pasqyrohen me vargun e lirë. Ky bëhet jo vetëm “formë grafike”, por në radhë të parë “raport i vetëdijshëm”. Në këtë drejtim, Rene Zhil shkoi edhe më larg. Në shqyrtimin e tij “Traktat për fjalën” (Traité du Verbe) Zhili u përpoq të krijojë një poezi instrumentale dinamike. Në këtë rast vargu duhej të ishte tejet fleksibil (i lakueshëm). E drejta e poetit për të shkruar një varg dhjetë me rrokje, ndërsa një tjetër me katër, për të ndërruar ritmet për arritjen e një muzikaliteti sa më të madh dhe për zbulimin e bukurive platonike, u konsiderua një fitore e madhe ndaj vargut aleksandrin “fitues” të vjetër. Sipas Zhilit (Ghil), poezia është liruar nga simetria dhe e ka pranuar rendin e gjallë të simfonisë. Duke u nisur nga tingëllima e njohur senzuale-ontologjike “Zanoret” (Voyelles) e Rembosë në të cilën çdo shkronjë ka ngjyrë të caktuar, duke përpunuar parimin e korrespondencave ndërmjet ngjyrave, tingujve dhe aromave. Pastaj, duke i studiuar punimet dijetarit dhe filozofit gjerman Herman fon Helmholc (Helmholtz) dhe muzikën e Vagnerit, Zhili (Ghil) e krijoi teorinë e vet “të poezisë instrumentale”, në të cilën fjalët do të ishin nota, në të cilën muzika do të ishte e dukshme, në të cilën zëri njerëzor do të mbetej “lloj instrumenti të lirë”, “pipëz me rezonator rezonancash të ndryshme”. Në këtë mënyrë, poeti i dikurshëm i fjalës do të bëhej poet muzikor, ndërsa krijimi i tij do të ishte “copë e muzikës sugjestive”, varg dinamik i figurave të ngjyrosura të cilat do të shprehnin ekzistimin e përhershëm të emocioneve, me një ritëm imanent për to.
Vargun e lirë e kanë interpretuar edhe shkrimtari francez Eduar Dyzharden (Edouard Dujardin, 1861-1849), poeti dhe kritiku francez i artit Gystav Kan (Kahn), A. Rete, A. Mokeli dhe të tjerë.
Gjurmimi i gjuhës së re dhe ritmeve të reja, për t’u shprehur ajo që s’mund të thuhet, i vuri simbolistët në një situatë që poezia e tyre të bëhet e paqartë dhe hermetike. Por. duke qenë se poezia është mister dhe enigmë të cilën duhet zgjidhur, një dozë e paqartësisë që ngërthen kjo poezi, përkundrazi, ndihmon që ajo të jetë mistershëm tërheqës. “Në poezi gjithmonë duhet të ketë enigmë dhe pikërisht ky është qëllimi i letërsisë – s’ka qëllim tjetër, përpos ta evokojë objektin. Sidoqoftë, simbolistët ku duhet përfshirë edhe Edgar Alan Ponë (Poe) theksonin se nuk duhet ngatërruar terrin e shprehjes me shprehjen e territ”.
Simbolizmi shpejt i përfshiu të gjitha degët e artit, që nga muzika deri te skulptura dhe teatri. Ai u bë, jo vetëm dukuri evropiane, por edhe tej evropiane. Në Belgjikë, në Rusi, në Amerikë mori forma të ndryshme. Po qe se teoria dhe praktika e simbolizmit francez, me të drejtë konsiderohen tejet të pasura, po kjo mund të thuhet edhe për simbolizmin rus në pikëpamjet dhe në poezinë e Blokut, Bërjusovit, Bjelit (Belyj), Merezhkovskit etj. Sipas Blokut, detyrë e artistit është “të tregojë dhe jo të dëshmojë”. Simbolizmi është kërkim dhe zbulim i botëve të reja, shmangie e asaj që është e sipërfaqshme e dhe vulgare, rrugë drejt ngritjes, vetëthellim apo “biseda të shenjta” me pafundësinë e qiellit dhe të hapësirës së gjithmbarshme. Por, pas vitit 1905 Bloku do të ketë mendime krejt të reja për shtigjet e poetit dhe të poezisë s re. Tani Bloku shkruan: “Poeti që shkon rrugës së simbolizmit është organ i pavetëdijshëm i kujtesës popullore. Rruga martirizuese e simbolizmit është lëshim në stuhinë e folklorizmit, ku poeti dhe e shenjta përsëri e gjejnë njëri-tjetrin”. Sipas Bërjusovit, simbolizmi në “fazën e artë” të vet krijoi edhe stil të ri edhe varg të ri që dalloheshin nga stili e vargu romantik dhe realist.
Andrej Bjeli duke u nisur nga të vërtetat shkencore të kohës së vet, i entuziazmuar nga biologjia, nga matematika dhe nga muzika thotë: “Muzika është gur këndi i konceptimit tonë, në muzikë kuptohet thelbi i lëvizjes.... muzika është skeleti i poezisë. Po qe se muzika është trung i përbashkët i krijimtarisë, atëherë poezia është kurora e tij e degëzuar”.
Poeti kroat Tin Ujeviq thotë: “Simbolizmi bashkëpunoi me Evropën dhe në disa pika depërtoi mbi truallin e gjuhës frënge dhe jo si një ndikim i thjeshtë, por si një nevojë e kohës dhe e hapësirës”. Kështu për shembull, simbolizmi francez ndikoi fuqishëm te simbolistët gjermanë: liriku Stefan Georg, H.fon Hofmanstal, P. Geradi, Ludvig Klages etj. Simbolistët belgjianë – Rodenbah dhe Verharen e të tjerë, te simbolizmi francez gjetën si të thuash, natyrën e dytë të tyren. Teoria dhe praktika e simbolizmit francez ushtroi ndikim edhe te poetët spanjollë, Azorini, Unamuno, Maçad e të tjerë. Kostis Palmas është simbolist grek origjinal.
Me plejadën e përmendur të simbolistëve francezë deh evropianë nuk përfundon as teoria as praktika e kësaj lëvizjeje moderne. Në figurat e Fransis Zhamit (Jammes), A. de Renjesë, Pol Valerisë, Klodelit (Claudel) tendencat simboliste marrin variante dhe interpretime të reja.
Nëpërmjet teorisë dhe praktikës së poetit belg Moris Meterlink (Maeterlinck), në eksperimentet dhe në shkrimin e teatrit bashkëkohor ka lënë gjurmë edhe teatri simbolist. “Neosimbolistët” ose “simbolistët e pabesë” në radhë të parë vazhduan ta zhvillojnë dhe ta modifikojnë frytin e madh të simbolizmit vers libre (vargun e lirë). Doktrina për vargun e lirë që e kristalizoi në vitin 1897 G. Kan (Kahn), vazhdoi të jetë objekt interesimi të gjallë i atyre të cilët, siç thotë Alber Tibode (Thibaudet), kanë parë te simbolizmi një revolucion të ri të krejt poezisë moderne. Klodeli (Claudel) për shembull, thelbin e vargut modern e përfytyron si ritëm vital specifik, i ngjashëm me rrahjen e zemrës dhe me frymëmarrjen. Vargu i lirë është emanacion (shprehje) e pastër e unit tonë intern, kështu që ngjyra dhe tingujt e vargut i përgjigjen muzikës interne të qenies së poetit. Së këndejmi, poeti duke sugjeruar figura muzikore, nuk insiston për pamjen sipërfaqësore, por për domethënien e tyre. Njeriun si pjesë të universit, si qenie shpirtërore të tij, e kuptojmë vetëm atëherë kur arrijmë t’i njohim korrespondencat e thella të universit. Për dallim nga teoria e analogjisë universale e Bodlerit, vizioni Klodelit (Claudel) për raportet e thella të njeriut dhe të kozmosit përshkohet nga ndjenja katolike. Në parabolën e tij të njohur “Animus et anima”, Klodeli flet për frymën që “e ka ngulfatur shpirtin”. Poezia duhet t’i ndihmojë njeriut në konverzionin (kthimin) e tij kah mistika e krishterë. Simbolizmi ndikoi në mënyrë specifike te Fransis Zham (Jammes), Pegi (Péguy), Valeri, Zhan Kokto (Cocteau), Zhak Prever dhe të tjerë. Valeri dallohet sidomos me interpretimin filozofik të simbolizmit dhe me poezinë e tij neosimboliste e cila u manifestua për herë të parë te “Parka e re” (La Jeune Parque, 1917).
* * *
Simbolizmi është tendencë apo drejtim i veçantë në poezinë moderne që paraqitet së pari në Francë me “Manifestin” e botuar në vitin 1886 në gazetën Figaro të Parisit. Më 1890 lë gjurmë të dukshme në të gjitha letërsitë evropiane. Kultivon vlerën e madhe të fjalës si simbol. Nëpërmjet fjalëve, poeti krijon një realitet të ri poetik, që dallohet nga bota reale që na rrethon dhe që nuk varet prej saj. Thellohet në botën e fshehtë dhe simbolike të shprehjes poetike dhe qëndron larg realitetit të përditshëm, nevojave të drejtpërdrejta të tij. Çfarëdo lidhjeje praktike, racionale, jashtë-poetike e poezisë me shoqërinë e zbeh, e nënçmon dhe e dobëson forcën e fshehtë dhe vlerën e poezisë, të artit. Së këndejmi paraqitet nocioni poezi e kulluar si model dhe qëllim i shumë poetëve të kësaj periudhe.
Simbolizmi është kundër përshkrimit, mësimit dhe deklamimit dhe vendosmërisht ia mohon artit qëllimin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me shoqërinë. Arti ndahet nga shoqëria, ndërsa poeti mbyllet në kullë të fildishtë, është në kundërshti me kohën dhe me kulturën e vet. Poetët e simbolizmit, si në asnjë periudhë tjetër, shkaktuan konflikte të ashpra me shoqërinë e vet dhe me konvencionet (mirësjelljet) shoqërore.
Teorikisht për herë të parë dhe në mënyrë më të plotë formulohet dukuria e tjetërsimit ose e alienimit të njeriut në shoqëri. Pas simbolistëve e deri në ditët tona, përfshi edhe ditët tona, çështja do të ndërlikohet akoma më shumë dhe do të jetë një nga çështjet më të rënda si për letërsinë ashtu edhe për shoqërinë.
Poezia e kulluar (poésie pure) – Termin poezi e kulluar (poésie pure) e vuri në përdorim Stefan Malarme. Poezia e kulluar (e pastër) dëshiron të krijojë gjuhë artistike të spastruar në të cilën secila fjalë, e sidomos tërë poezia do të kishte forcë kryekëput figurative dhe emocionale. Për këtë arsye, simbolistët nuk u kushtojnë aq rëndësi mendimeve në poezi sa zbulimit të bukurisë muzikore dhe figurative të gjuhës; zbulojnë kënaqësi të reja në harmoninë e tingujve, në renditjen dhe në përputhjen e fjalëve, në pasurinë e rimës dhe në shumësinë e ritmeve të ndryshme. Poetët i jepen ndjenjës së vet muzikore dhe asociacioneve. Te fjalët, te lidhjet dhe ndërlidhjet e fjalëve zbulojnë kënaqësi të panjohura të cilat poetët e më përparshëm s’kanë mundur as t’i parandiejnë. Pol Verleni thoshte: “Në radhë të parë muzikë.” Poetët simbolistë, në lirikë dhe në shprehjen lirike e gjejnë atë fushë në të cilën sonorizmi (tingëllimi) dhe figuracioni i gjuhës së pari do ta tregojë idealin e tyre të bukurisë, si dhe atë botë që është kundërpeshë e botës së egër reale. Edhe gjuha poetike e simbolistëve niset për një rruge të re. Gjuha e përditshme, njësoj si tematika këtu nuk do të kenë vend. Karakteristika kryesore të simbolizmit janë metaforat e guximshme, liritë e mëdha në ndërtimin dhe në renditjen e fjalisë, fjalori poetik i pazakonshëm. Forma kryesore të simbolizmit janë lirika dhe drama lirike.
Poezia e kulluar është poezi pa kurrfarë elementi “jopoetik” (narrativ, didaktik, politik). Nuk shpreh ndonjë ide të caktuar, por vepron si muzikë. Konceptin e poezisë së kulluar e zhvilluan Bodleri, Malarme, Valeri të cilët e morën prej Edgar Alan Po. Përvoja dhe teoria e ndërlidhur me të e poezisë së kulluar janë shprehje e parë, historikisht e rëndësishme, e autonomisë së poezisë, ide e cila më vonë tejkalohet, por nuk braktiset.
* * *
Zbulohet një rreth i ri i temave poetike të cilat më parë kanë qenë plotësisht të panjohura. Në simbolizëm do të mbizotërojnë motivet e vetmisë, e kënaqësive të natës, e qetësisë, e viseve të vetmuara, e peizazheve të vjeshtës, të gjitha të përshkuara nga një pikëllim i pashpjegueshëm. Lirika e simbolizmit merret me njeriun e pazakonshëm dhe të veçuar i cili në botën e sendeve dhe në natyrë lëviz kryesisht vetë.
Poetët e këtij drejtimi letrar janë shumë më të rëndësishëm me realizimet e veta artistike sesa me programin teorik. I zgjeruan dhe i thelluan mjetet e shprehjes të muzikalitetit: rimën, metrin dhe ritmin, sintaksën dhe pasurinë e fjalorit.
Me shumë koncepte teorike dhe me shumë tendenca krijuese, pararendës i simbolistëve ka qenë poeti amerikan Edgar Alan Po.
Përfaqësues kryesorë të simbolizmit në letërsinë franceze janë: Pol Verleni me përmbledhjet “Romanca pa fjalë” (Romances sans paroles, 1874) dhe “Urtësia” (Sagesse, 1880). Ai mbronte tezën se se arti duhet të pasqyrojë nuanca, frymën përreth sendeve, gjurmët e jetës së ikur; Stefan Malarme me antologjinë “Parnasi bashkëkohor” (Le Parnasse contemporain, 1866). Poezitë e përfshira aty kanë lindur nën ndikimin e Bodlerit nga i cili e ka marrë edhe temën e ikjes nga realiteti; me përmbledhjet poetike “Fletët e albumit”, “Disa sonete” dhe me poemën “Pasditja e një faune” (L’Apres-Midi d’un faune, 1876). Tendencat e simbolizmit Malarmeja i shprehu në mënyrë më të plotë në gjuhën e re poetike duke i zbuluar cilësitë e saj që më parë as që kanë mundur të paramendohen dhe duke caktuar synimin e poezisë së kulluar (poésie pure) e cila do të duhej të zbulonte realitetin absolut të çliruar nga ndryshueshmëria dhe vulgariteti i jetës së përditshme.
Në rrethin e ngushtë të simbolistëve ndodhen Sharl Bodleri (Baudelaire) dhe Artyr Rembo (Rimbaud).
Në letërsinë gjermane u krijuan vepra simboliste të çmueshme. Me vëllimet “Himne” (Hymnen, 1890), “Pelegrinazhe” (Pilgerfahrten, 1891) dhe sidomos me vëllimin “Viti i shpirtit” (Das Jahr der Seele, 1897) Stefan George theksoi në tendencat simboliste estetizmin dhe aristokratizmin. Personazhet e tij janë të veçuar në vise të pazakonshme dhe në mjedis shoqëror të veçantë i cili nuk ka dhe nuk duhet të ketë çfarëdo lidhjeje me problemet reale të jetës. Poeti austriak Rainer Maria Rilke (1875-1926), autor veprash në prozë, për këtë periudhë është i rëndësishëm me vëllimet poetike “Libër fotografish” (Buch der Bilder, 1902), “Poezi të reja” (Neu Gedichte, 1907-1908), “Libri i orëve” (Das Stundenbuch, 1905). Motivet kryesore i gjen në kujtimet nga fëmijëria dhe në jetën e fshehtë të natyrës dhe të sendeve të vdekura. Botën e re poetike e zbulon në psiken e njeriut, në botën misterioze të kafshëve, të dukurive të natyrës, të përmendoreve të vetmuara dhe të ngrehinave tërheqëse. Rilke e zgjeron teknikën dhe motivet e simbolizmit me mbresat personale të drejtpërdrejta dhe subjektive, duke lëvizur disi nëpër shtigjet dhe botën e impresionizmit letrar.
Përfaqësues të shquar në letërsinë ruse janë Valerij J. Bërjusov dhe Konstantin D. Balmont.
* * *
Shënim: Vargu i lirë është rezultat i dëshirës dhe i nevojës poetike të brendshme që kërkimi i përjetimit të drejtpërdrejtë të varet sa më pak nga format e jashtme, tradicionale të vargut të lidhur të letërsive të hershme. Lindi si revoltë kundër formave metrike tradicionale me dëshirën dhe nevojën për t’i zbuluar mbresat e reja të ritmit te elementet gjuhësore të cilat më parë nuk janë përdorur në poezi. Këto synime paraqesin një ndihmesë të konsiderueshme për shkatërrimin e shumë normave në krijimtarinë poetike. Për të siguruar vendin e vet, vargu i lirë zhvilloi një luftë të gjatë kundër formave të vjetra dhe të ngurta. Përgatitje të çmuara për vënin e tij në përdorim hasim te vëllimi poetik “Fije bari” (Leaves of Grass, 1855) të poetit amerikan Uolt Uitman (Whitman). Prej tij e marrin simbolistët francezë. Vargun e lirë e kemi edhe te poezitë në prozë të Bodlerit. Vargu i lirë ndodhet edhe në madrigalin italian, në veprën “Fabula” (Fables, vëllimi i parë më 1668; i dyti më 1678-79) të La Fontenit (La Fontaine), në komeditë e Molierit (Molière, 1622-1673) etj. Në letërsitë evropiane vargu i lirë i mirëfilltë shfaqet jo më parë se në shekullin XX. Në Itali e zbatojnë liriku Gabriele D’Anuncio (D’Annunzio, 1863-1938) dhe futuristët. Në Gjermani e aplikojnë ekspresionistët. Në Bashkimin Sovjetik futuristët, ndërsa me sukses më të madh Vladimir Majakovski (1893-1930).
Shënim: Hermetizmi (sipas emrit të alkimistit egjiptian të shekullit III Hermes Trisegistos; mister; mbyllje) është tendencë në lirikën moderne, por shpeshherë edhe në format e tjera letrare që ndjenjat dhe përvojat e njeriut të komunikohen në formë të mbyllur, në kundërshti me format stilistike tradicionale dhe me mënyrat e kapshme të të kuptuarit. Përfaqësuesit e lirikës hermetike heqin dorë nga kategoritë sintaksore logjike dhe e përdorin të shprehurit e lirë e të palidhur që herë-herë bëhet në mënyrë kaotike dhe e vështirë për t’u kuptuar. karakteristike është përpjekja që fjala poetike të bëhet ezoterike që të përkujton gongorizmin. Hermetistët përpiqen të gjejnë shtigje shprehëse të reja. Kur është fjala për formën e përkryer të krijimit artistik, poeti francez Pol Valeri vuri në plan të parë rendin e vetëdijshëm, forcën e vullnetit e të mendjes dhe mbi të gjitha intelektin. rrjedhimisht, poezitë e tij bëhen vështirë të kapshme, lexohen me vështirësi, ndërsa në aspektin e motivit dhe të temës i kanë karakteristikat e hermetizmit. Me fjalë të tjera, ato janë në rrethin e ndërlikuar dhe të mbyllur të motive poetike. Për shembull poema simboliste “Varreza pranë detit” (Le Cimetière marin). Poeti anglo-amerikan Tamëz Stërnz Elliët (Thomas Stearns Eliot, 1888-1965) shprehjen poetike të tij e ndërtoi mbi bazat e simbolizmit, duke e ruajtur karakteristikën themelore të tij – karakterin simbolik të shprehjes – në të gjitha veprat e veta. Por, zhvilloi edhe mbylljen e posaçme të figurave poetike të cilat në shikim të parë vështirë mund të lidhen dhe të përjetohen. Megjithëkëtë, ndërmjet tyre ekziston një lidhje më e thellë e ndërtuar në botën intelektuale të mbyllur të poetit. Për shembull poema në pesë pjesë, kryevepra “Vendi i shkretë” (The Waste Land, 1922).
Të dhëna themelore për poetët e sipërthënë:
Aleksandar Aleksandroviç Blok (1880-1921) lirik, dramaturg dhe eseist rus; përktheu Bajronin (byron), Grilparcerin (Grillparzer), Hajnen (Heine), Hamsunin etj.
Anatol Bazhy (Adrien Joseph Bajut, i quajtur Anatole Baju, 1861-1903) gazetar dhe shkrimtar francez;
Andre Zhid (André Gide, 1869-1951) romancier dhe dramaturg francez, i njohur si intelektuar i guximshëm dhe i papërmbajtur, përplot mendime të lira dhe dilema për të cilat shkroi pa nguruar dhe pa rezerva; më 1949 mori çmimin “Nobel”;
Andrej Bjeli (Andrej Belyj, emri i vërtetë Boris Nikolajeviç Bugajev. 1880-1934) poet, prozator, teoricien rus; njohës i kulturës gjermane; më 1903 kreu studimet e matematikës; më pas studioi filologjinë; hyri në rrethin e simbolistëve;
Anri Bergon (Henri Louis Bergson, 1859-1941) shkrimtar dhe filozof francez; më 1927 mori çmimin “Nobel” për letërsi;
Artur Rembo (Jean Nicolas Arthur Rimbaud, 20.10.1854 – 10.11.1891) poet francez i njohur për ndikimin mbi letërsinë dhe artin modern, sidomos mbi surrealizmin; opusin poetik e realizoi në moshën 16 deri 20 vjeç; shpesh ikte nga shtëpia; njihej si njeri i shfrenuar dhe shpirt i trazuar. Lajmin për Komunën e Parisit e pret me entuziazëm. Shpesh brohoriste “Rendi u mund!” Në këtë periudhë bëhet anarkist, fillon të pijë, del i leckosur, me flokë të gjatë, sillet në mënyrë të pahijshme.
Në shtator 1871, me ftesë të poetit simbolist eminent, Verlenit prej Sharlvilit Remboja vjen në Paris. Qëndron ca kohë në shtëpinë e tij. Ndonëse i martuar, Verleni dashurohet tek i riu sykaltër. Lidhja romantike midis Rembosë dhe Verlenit ka zgjatur gati dy vjet. Bëjnë një jetë të çrregulluar, përdorin apsing dhe hashash. Në qarqet letrare të Parisit Rembonë e cilësojnë si enfant terrible (fëmijë që s’lë dy gurë bashkë; i pashtruar). Në shtator 1872 dy poetët nisen për në Londër. Verleni lë gruan dhe fëmijën. Raportet ndërmjet dy poetëve bëhen gjithnjë më të ashpra. Nga Londra, Verleni vjen në Bruksel. Më 10 korrik 1873, me ftesë të Verlenit Remboja vjen në Bruksel. Në një zënkë midis tyre, Verleni e qëllon me revole Rembonë në dorë. Për këtë akt dënohet me dy vjet burg. Prej Londre Rembo kthehet në Sharlvil (Charleville). E përfundon kryeveprën e vet “Qëndrimi në ferr” (Une Saison en Enfer) të shkruar në prozë lirike. Është një nga veprat e para që e manifeston frymën e letërsisë së re simboliste. Këtu e tregon në mënyrë metaforike lidhjen e tij të çuditshme (drôle de ménage) me Verlenin. Për herë të fundit Remboja dhe Verleni takohen në vitin 1875 në Shtutgart, pasi lëshohet nga burgu dhe bëhet katolik. Remboja jepet pas punëve dhe shëtit vende të ndryshme të botës. Sinovitisi që i shfaqet në gjurin e djathtë i shndërrohet në tumor kancerogjen. Më 9 maj 1891 kthehet në Francë. Shtrohet në spitalin e Marsejës ku më 27 maj 1891 i amputohet këmba. Muajt e fundit të jetës i kalon në Marsejë pranë së motrës Izabelë. Përjeton dhimbje të mëdha. Vdes më 10 nëntor 1891, në moshën 37-vjeçare.
Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer, 1788-1860) filozof dhe eseist gjerman;
Azorini (emri i vërtetë Jose Martinez Ruiz, 1873-1967) romancier dhe eseist spanjoll;
Bërjusov (Valerij Jakovleviç Brjusov, 1873-1924) poet, romancier, dramaturg, kritik rus; teoricien dhe përfaqësues i simbolizmit rus; përktheu Verlenin (Verlaine), metrlinkun (Maeterlinck), D’Anuncion (D’Annunzio), Verharenin (Verhaeren), Uajlldin (Wilde), Bodlerin (Baudelaire) etj.;
Dimitrij Sergejeviç Merezhkovski (Dimitrij Sergeeviç Merežkovskij, 1865-1941) poet, prozator dhe kritik rus; në letërsinë ruse u paraqit në kohën e estetizmit; ishte i afërt me simbolistët rusë;
Edgar Alan Po (Edgar Allan Poe, 1809-1849) lirik dhe tregimtar amerikan; ndikoi fuqishëm në poezinë evropiane të fundit të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX; Poezinë “Korbi” (The Raven) dhe poezinë ”Anabel Li” (Annabel Lee) i përktheu në shqip Fan Noli (1882-1965).
Eduar Dyzharden (Edouard Dujardin, 1861-1849) shkrimtari francez, nxënës i Malarmesë; Në romanin Dafinat janë prerë” (Les lauriers sont coupés, 1887) përdor teknikën narrative monologu i brendshëm, një prej prosedeve moderne kryesore; është ndër të parët që e përdori këtë teknikë letrare që do ta arrijë kulmin me Marsel Prustin (Marcel Proust, 1871-1922), Xhejmz Xhojsin (James Joyce, 1882-1941), Virxhinia Ulfin (Virginia Woolf, 1882-1941);
Emil Verharen (Émile Verharen, 1855-1916) poet simbolist dhe dramaturg belg i shprehjes gjuhësore franceze; opusi i tij mban gjurmët e fin du siècle (fundit të shekullit);
Fan Stilian Noli (1882-1965) poet, dramaturg, klerik, politikan, përkthyes veprash letrare, figurë e shquar dhe e shumanshme e letërsisë, e kulturës, e jetës fetare dhe politike shqiptare;
Franc Grilparcer (Franz Grillparzer, 1791-1872) dramaturg, lirik, tregimtar, shkrimtar epigramesh;
Fransis Zham (Francis Jammes, 1868-1938) poet francez;
Gabriele D’Anuncio (Gabriele D’Annunzio, 1863-1938) lirik, romancier dhe dramaturg italian; e ka quajtur Gjergj Fishtën (1871-1940) “poeti më i madh i popullit të lavdishëm të Shqipërisë”;
Gystav Kan (Gustav Kahn, 1859-1936) poet dhe kritik francez arti; A. Rete, A. Mokeli,;
Gjergj Fishta (1871-1940) poet, dramaturg, prozator, estet, publicist, klerik i lartë; e kanë quajtur Homeri shqiptar; për lirikat e tij, e kanë quajtur Tirteu shqiptar;
Hajnrih Hajne (Heinrich Heine, 1797-1856) poet dhe eseist gjerman me prejardhje çifute;
Henri dë Renje (Henri François Joseph Régnier, 1864-1936) poet dhe romancier francez, me prejardhje fisnike;
Herman fon Helmholc (Hermann von Helmholtz, emri origjinal Hermann Ludwig Ferdinand Helmholtz, 1821-1894) shkencëtar dhe filozof gjerman;
Hugo fon Hofmanstal (Hugo von Hoffmannstal, 1874-1929) romancier, poet, dramaturg, eseist austriak;
Konstantin D. Balmont (1867-1942) poet simbolist rus;
Kostis Palmas (1859-1943) simbolist grek; në poezinë të privuar nga ndikimi grek, synonte të ringjallë thelbin e neohelenizmit, duke e lidhur Heladën me traditën popullore dhe erudite të letërsisë bizantine dhe greke të re;
Knut Hamsun (mbiemri i vërtetë Pedersen, 1859-1952) shkrimtar norvegjez pa ndonjë arsimim formal të madh; dy herë qëndroi në ShBA;
Ludvig Klages (Ludwig Klages, 1872-1956) filozof, psikolog dhe teoricien gjerman;
Maçad poet spanjoll;
Moris Meterlink (Maurice PolydoreMarie Bernard Maeterlinck, 1862-1949) dramaturg, poet simbolist dhe eseist belg i shprehjes gjuhësore franceze; më 1911 mori çmimin “Nobel”;
Miguel de Unamuno (1864-1936) tregimtar, eseist dhe poet spanjoll; profesor i gjuhës greke; për idetë e lira, në kohën e diktaturës së M. Prima de Rivera u përndoq dhe u vendos në Francë;
P. Geradi, poet francez;
Pol Klodel (Paul Claudel, 1868-1955) poet dhe dramaturg francez; përfaqësues diplomatik në Japoni, në ShBA, në Belgjikë;
Pol Valeri (Paul Ambroise Toussaint Valery, 1871-19450 poet dhe eseist francez; një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm i hermetizmit* në poezinë evropiane;
Pol Verlen (Paul Marie Verlaine, 1844-1896) poet dhe eseist francez; Më 1851 vjen në Paris ku u shkollua dhe u punësua; më 1871 u njoh me Artyr Rembonë dhe nisi një jetë plot shqetësime; midis tyre kishte një miqësi intime; në Bruksel, në gjendje të dehur, qëlloi me revole Rembonë; për këtë vuajti dy vjet burg në Mons; duke mos qenë i aftë për ta zgjidhur konfliktin intim midis senzualitetit të vet dhe dëshirës për jetë të qetë, më 1874 iu kthye katolicizmit;
Rainer Maria Rilke (1875-1926) poet austriak;
Rene Zhil (Réne Ghil, mbiemri i vërtetë Ghilbert, 1862-1925) poet francez, teoricien i shquar i simbolizmit;
Rihard Vagner (Wilhelm Richard Wagner, 1813-1883) kompozitor gjerman;
Stefan Georg (Stefan George, 1868-1933) lirik gjerman; përfaqësues i estetizmit simbolist;
Stefan Malarme (Stéphane Mallarmé, 1842-1898) poet francez; punoi si mësues i gjuhës angleze;
Stjuart Merill (Stuart Fitzrandolph Merill; Hempstead, Nju-Jork, 1863 – Versajë, 1915) poet amerikan i cili shkroi në gjuhën frënge; i kontribuoi simbolizmit francez;
Sharl Bodleri (Charles Baudelaire, 1821-1867) lirik francez, kritik letrar dhe kritik arti, figurë poetike më e rëndësishme e poezisë evropiane moderne;
Sharl Moris (Charles William Morris, 1901-1979) filozof dhe semiotik amerikan;
Sharl Pegi (Charles Péguy, 1873-1914) poet dhe eseist francez;
Tamëz Stërnz Elliët (Thomas Stearns Eliot, 1888-1965) poet, kritik dhe dramaturg anglo-amerikan, i shkolluar në Harvard, në Sorbënë dhe në Oksford; në vitin 1948 iu dha çmimi “Nobel”;
Teodor de Banvil (Theodor Faullain de Banville, 1823-1891) poet dhe romancier francez, me ndikim mbi simbolizmin;
Teofil Gotje (Théophile Gautier, 1811-1872) poet dhe romancier francez, iu kundërvu klasicizmit;
Alber Tibode (Albert Thibaudet, 1874-1936) eseist dhe kritik letrar francez; historian i letërsisë; student i Anri Bergonit; autor i veprës “Historia e letërsisë franceze: prej vitit 1789 deri në ditët tona”; (Histoire de la littérature française de 1789 à nos jours, 1936; i veprës “Mendime për letërsinë” (Réflexions sur la littérature, 1938;
Tin Ujeviq (August Josip Ujević “Tin”, 1891-1953) poet dhe prozator kroat; shkrimin e kishte profesion; përktheu në kroatisht poetë francezë, amerikanë dhe italianë;
Uolt Uitman (Walt Whitman, 1819-1892) poet amerikan;
Viktor Hygoi (Victor Hugo, 1802-1885) poet, romancier dhe dramaturg francez, figurë tejet e shquar e romantizmit francez;
Vladimir Majakovski (1893-1930) poet sovjetik; me entuziazëm të madh e priti revolucionin e tetorit (1917); përfundoi me vetëvrasje;
Xhorxh Gordon Bajron (George Gordon Byron, 1788-1824) poet anglez i epokës së romantizmit;
Zhan-Batist Molier (Jean-Baptiste Molière, 1622-1673) komediograf francez;
Zhak Prever (Jacques Prévert, 1900-1977) poet francez dhe skenarist filmi;
Zhan dë La Fonten (Jean de La Fontaine, 1621-1695) tregimtar dhe poet francez;
Zhan Kokto (Jean Cocteau, 1889-1963) poet, dramaturg, romancier dhe autor filmash;
Zhan Moreas (Jean Moréas, Athinë, 1856 – Saint-Mandé, Paris, 1910). Moreasi ishte me prejardhje greke. Emrin e vërtetë e kishte Ioannis Papadiamantopoulos;
Zhoris-Karl Uisman (1848-1907) romancier dhe kritik francez. Emri i vërtetë i tij ishte Georges Charles Huysmans. Nga vija e të atit është pasardhës i piktorëve të famshëm flamanë;
Zhorzh Rodenbah (Georges Raymond Constantin Rodenbach, 1855-1898) poet simbolist dhe romancier belg;

Sunday, September 13, 2020

Mujë Bucpapaj: Kritika e recencave të fshehta për përmbajtjen e të cilave nuk duhet ta merrte vesh shkrimtari

PARTIA NË ROLIN E KRITIKËS LETRARE , KRITIKA ZYRTARE SI POLICI E LETRAVE
 (vijon nga numri i kaluar)

 b).Kritika e recensuesve zyrtarë, të cilët sipas rregullave të kohës, duhej t’ua paraqitnin mendimet e tyre botuesve, por pa komunikuar me autorët vetë. Kritika e recensuesve të fshehta për përmbajtjen e kritikës së recensuesve të fshehtë, nuk merrte vesh shkrimtari. Kritika e fshehtë e recensuesve dihej qysh atëherë se ekzistonte, por poetët nuk e dinin se cilit prej këtyre recenzentëve mund t’i kishte rënë në dorë libri yt. Sipas akademik Shaban Sinanit: “Kritika e zyrave është shprehje e vigjilencës së përgjithshme të strukturave shtetërore e partiake, për të ushtruar, veç kontrollit të ligjshëm dhe një formë tjetër kontrolli, atë të fshehtë, të padeklaruar, të pabotuar, posaçërisht për udhëheqjen, posaçërisht për t’i ardhur në ndihmë si të përcaktojë qëndrimin e saj ndaj subjektit.” Një grup i recenzentëve të përhershëm që aktivizonte shtëpia botuese “Naim Frashëri” njiheshin me emra për esktremizmin skematik të tyre dhe shkrimtarët luteshin që dorëshkrimet të mos u shkonin atyre në dorë, pasi refuzimi ishte i paralajmëruar. Kjo praktikë kishte qenë torturuese për shumicën e poetëve dhe shkrimtarëve të talentuar, që me sa duket nuk e praktikonin aq qartë, apo akoma më keq e anashkalonin parimin leninist që letërsia të ishte për punëtorët, të pasqyronte jetën e tyre dhe më kryesorja “të kuptohej prej tyre.” Çështja e kuptimit prej tyre ishte pika ku shkrimtarët dhe sidomos poetët nuk e kalonin dot nëpër materialet kritike të recensentëve. Pas presionit të plenumit të katërt, ku vetë udhëheqja e lartë mori rolin e kritikës letrare, ndeshim fenomenin e thjeshtëzimit të poezisë dhe rënien e saj deri në kufijtë e slloganeve politike, apo siç thotë prof. Agim Vinca të “poezisë-pllakat”, aq sa shumica e poetëve të shquar të kohës, përfshirë edhe ata më të goditurit, poetët e brezit të viteve 1970, preferuan heshtjen ose heqjen dorë përkohësisht nga botimet, aq sa pati rënë në sy edhe të udhëheqjes partiake. Kritika e recensentëve edhe pse kryhej fshehurazi apo pa dijeninë e autorit, funksiononte menjëherë pas dorëzimit të dorëshkrimit në shtëpinë botuese. Sipas një portokolli rutinë pas mbërritjes së dorëshkrimit redaktori ua niste atë dy apo tre recesentëve. Kur autori njihej për prirje formaliste, apo problemore, siç quheshin atëherë ata poetë që kishin braktisur stilin e poezisë tradicionale të vargut të rregullt dhe me rimë, apo që përdornin vargun e lirë dhe metaforën e ekzagjeruar, dorëshkrimi u jepej edhe tre recensentëve të ndryshëm, biles pa patur dijeni për njëri-tjetrin. Në rolin e recensentit zgjidheshin përgjithësisht kritikë, studiues dhe njohës të letërsisë, por preferoheshin ata me natyrë strikte dhe dogamatike që ishin afër qëndrimeve politike dhe për fat të keq, të motivuar për t’i kthyer librat e mirë. Këta recensentë që paguheshin me honorare nga institucioni për çdo recencë të sjellë në redaksi, duke qenë anonimë kishin prirje për të nxirë librat e autorëve të mirë. Për shembull pas plenumit të katërt të KQ kjo lloj kritike pati marrë zhvillim dhe ishte tashmë një mënyrë e mirë për të rritur vigjilencën revolucionare dhe frymën partiake. Pas kësaj praktike, autorëve u thuhej nga redaktori përgjegjës se libri i ishte kthyer nga recensentët, të cilët i kishin propozuar redaksisë që autori do të duhej ta ripunonte librin. Zakonisht jepeshin detaje për ato poezi që ishin sipas tyre problematike, me figuracion të dyshimtë, me tendeca të huaja, aludime te gabuara, apo me manjera formaliste. Ajo që u rekomandohej në çdo rast poetëve, nga recensentët, ishte plotësimi i librit me poezi, siç thuhej atëherë të natyrës tematike, ku të dilte qartë partishmëria, lufta e klasave, zhvillimi revolucionar i vendit me aksionet, luftën e klasave dhe luftën kundër shfaqjeve të huaja, me luftën kundër armiqve të jashtëm, imperializmit dhe revizionizmit, jetën në rrethim, mbështetjen në forcat e veta deri tek tema e luftës nacionalçlirimtare që duhet të ishte e pranishme edhe në fund të viteve 1980. Ata që ishin më me fat, përgjigja e redaksisë u vinte pas një viti, ndërsa të tjerave nuk u vinte fare njoftimi dhe duhet të interesoheshe vetë pranë shtëpisë botuese. Pas kthimit të parë fillonte kalvari i komunikimit të vështirë me redaksinë e cila kishte kriterin e partishmërisë kryesor në vlerësimin e librit apo edhe ndëshkimin në mosbotim të tij. Procesit të kthimit të librit për arsye të ndryshme i nënshtroheshin thuajse të gjithë shkrimtarët, disa për dobësi dhe të tjerë për arsye të daljes jashtë kornizave të realizmit socialist. Për shembull librat më të mirë të Ismail Kadaresë rezulton të jenë kthyer nga recensentët dhe redaksia nga një dhe dy herë me radhë. Njëri prej poetëve të brezit të viteve 1970 që mund të konsiderohet si viktimë e politikës së recensentëve tendencioz është edhe Sadik Bejko. Siç thotë Bejko në një intervistë për një gazetë të Tiranës, libri i tij me poezi qëndroi në sirtarët e shtëpisë botuese “Naim Frashëri” për më shumë se pesë vjet. Ai kujton se libri i është rikthyer disa herë gjatë viteve 1967-1972, me pretendimin se recensentët e paemër e kishin refuzuar atë për gabime ideore, hermetizëm dhe frymë jo partizane. Në këto recenca autorit i rekomandohej që të ripunonte një dyzinë poezish përfshirë edhe poezi si ”Rrënjët, “Lumi” etj, të cilat edhe sot qëndrojnë si poezi të bukura, me frymë universale dhe shpirt human, pa ngarkesa ideologjike të kohës dhe sllogane politike. Por pikërisht për këtë arsye këto lloj poezish dënoheshin me mosbotim nga recensentët. Fakti që mendimet me shkrim të rencensentëve nuk merreshin vesh nga autori, u jepte atyre dorë të lirë ta operonin librin deri në sakatim, po i vrarë ndërgjegjja për masakrën që po kryenin ndaj shpirtit të lirë të një poeti. Nga kjo praktikë e recensentëve të fshehtë e pësoi edhe poeti Skëndër Buçpapaj, një tjetër emër i njohur i brezit të viteve 1970. Libri i tij qëndroi për gati dhjetë vjet në sirtarët e shtëpisë botuese Naim Frashëri, ose në kalvarin e kthimeve dhe ripunimeve deri sa doli i sakatuar më 1986. Në të gjitha rastet, përveç hezitimeve të redaksisë kishin rol edhe recensentët që e kishin bllokuar. Biles njëri prej tyre kishte rekomonduar përveç të tjerave edhe ndërrimin e titullit të dorëshkimit “Metaforë e blertë”, me justifikimin se ç’është kjo metaforë e blerë, pse nuk është e kuqe apo një tjetër të pëlqyeshme nga partia. Tashmë edhe metafora ishte shpallur me karakter klasor, të dyshimtë pasi sipas tyre ishte një element që mishëronte poezinë hermetike dekadente. Në fakt Skënderi nuk pranoi ndryshimin e titullit dhe as propozimin e tyre për një titull tjetër, kështu që libri doli më 1986 pa titull fare, duke qënë një precedent i paparë në historinë kësaj shtëpia botuese shtetërore, pasi ishte vetëm libri i radhës i poetit, jo një kolanë e zgjedhur që bëhej për autorë me krijimtari të gjatë. Poeti tjetër i këtij brezi Xhevahir Spahiu sistematikisht rezulton të ketë qenë preh e recencave tendencioze të cilat ia kanë vonuar dhe kthyer disa herë dorëshkrimet. Biles në një rast poeti shkoi dhe e tërhoqi dorëshkrimin pasi disa nga poezitë e përfshira në vëllim dhe të botuara më parë në shtypin letrar ishin kritikuar publikisht nga udhëheqja e lartë partiake. Pas dënimit të parë të poetit Xhevahir Spahiu dhe fjalimit të Enver Hoxhës në Presidiumin e Kuvendit Popullor, në janar 1973, librat e tij do t’u nënshtroheshin shqyrtimeve të imtësishme dhe recensimeve të kujdesshme nga dy apo tre recensentë të përzgjedhur për prirjet e tyre konservatore. Ndërsa e drejta e botimit i rikthehej përkohësisht pas plenumit të katërt, Spahiu do të gjendej pafundësisht në furinë e kritikëve letrarë, redaktorëve dhe recensentëve vigjilentë dhe dorëfshehtë. Në fund të fundit edhe recensentët edhe kritika e tyre ideologjike, pasioni i tyre i çuditshëm për të bërë keq, për të ndalur apo kërcënuar me mjetet që regjimi kishte në dorë, ishte shprehje shoqërisë së kazermës, brenda një sistemi të komanduar ku kontrolli i letërsisë dhe arteve, vetë censura ndaj tyre, rezulton të kenë qënë shprehje e dobësisë së sistemit totalitar dhe jo e fuqisë së tij, siç pretendonte ai. C). KRITIKA E STRUKTURAVE TË POSAÇME TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE Poetët dhe shkrimtarët e talentuar vunë veten në rrezik për atë pak liri shprehje që kishte mbetur në shoqërinë totalitare shqiptare, siç mund të ishte krijimtaria, duke qenë një raport i tyre idividual me lirinë, për këtë shkak edhe rezultonte tërë kohën nën vëzhgimin e strukturave të regjimit përfshirë edhe ato partiake. Vetëm frymëzimi letrar dhe artistik kishte mbetur mistik dhe i pakontrolluar nga zyrat e kritikës ideologjike, por i gjykuar prej saj në çdo fjalë dhe shprehje tjetër artistike të mundshme në muzikë, artet figurative etj. Liria krijuese në socializëm i kishte të gjitha kundërshtitë dhe masat shtypëse ndaj saj, përfshirë edhe ato parandaluese dhe kontrolluese që u ngritën me kalimin e viteve pranë partisë në nivel qëndror dhe po ashtu edhe nëpër rrethe, për t’u perfeksionuar pas viteve 1973 e në vijim. Njerëzve të këtyre strukturave u ishte besuar kritika ndaj çdo vepre të dyshimtë dhe për më tej, kontrolli në tërësi i zbatimit të vijës idelogjike të partisë në letërsi dhe arte. “ Kritika e strukturave të posaçme të administratës shtetërore dhe veçmas, ato të administratës partiake të ngarkuara për zbatimin e vijës së partisë në arte, letërsi dhe kulturë, si të thuash funksionalisht kanë bërë detyrën për të shoqëruar me vigjilencë gabimet e mundshme të çdo botimi etj.” Këta njerëz që zgjidheshin për të punuar në këto struktura partiake, zakonisht gjendeshin nga radhët e shkrimtarëve dhe artistëve, të jetës akademike universitare dhe në raste të veçanta edhe nga radhët e atyre që kishin bërë karrierë në publicistikë. Këta njerëz kishin mundësi që të lexonin shtypin e huaj, të njiheshin me librat e rinj të spektrit të letërsisë dhe kulturës që botoheshin jashtë vendit, përfshirë edhe vendet perëndimore. Kjo u jepte njëfarë përparësie në intepretimin e fenomeneve letrare në perëndim apo në lindjen komuniste dhe njëkohësisht t’u servirnin udhëheqësve të lartë komunist teza të gatshme kundër çdo sprove letrare në vend. Këto struktura ishin si ndërmejtëse mes partisë në qendër, pra KQ dhe institucioneve të letërsisë, kulturës dhe arteve në nivel kombëtar, përfshirë shtëpitë botuese, redaksitë e gazetave dhe revistave të spektrit të kulturës dhe njëkohësisht, ato ndiqnin me zell implementimin e vijës së partisë në këto institucione deri në bazë. Shkrimtari Ismail Kadare rezulton të ketë qënë shkrimtari më i përndjekur nga këto struktura, pasi romanet e tij nga “Dimri i vetmisë së madhe” deri tek “Koncert në fund të dimrit” u janë nënshtruar raporteve të imta të strukturave pranë administratës së KQ të Partisë Komuniste. Për fat të keq nga shqyrtimi i arkivave rezulton se shumica e tyre hedhin dyshime për aludime të forta të shkrimtarit kundër regjimit totalitar, si dhe për çoroditjen që ky shkrimtar i kishte sjellë edhe vetë realizmit socialist. Pothuajse të gjithë njerëzit që punonin në administratën e kulturës pranë partisë në qendër njiheshin me Kadarenë, biles në raste të ndryshme edhe e përgëzonin atë për librat e rinj, por kur uleshin nëpër zyrat partiake të shkruanin raportet për shefat e tyre i bënin ato të zeza. Hipokrizia njerëzore dhe personale në këtë rast është shumë evidente, por ishte tipike për njeriun e ri socialist, për apartaçikun e partisë që të bënte gjëmën pa ditur se nga të erdhi goditja, vetëm kur libri të bllokohej në shtypshkronja apo kur ai nxirrej nga qarkullimi, atëherë kur nuk kishte asnjë mundësi për t’u mbrojtur. Këtë lloji përshkrimesh nuk kanë qenë të vetmet. Një armatë aparatçikësh nga rrethet, provincat dhe kooperativat nisin sistematikisht kritika amatore, por të qarta në sulmet ndaj shkrimtarit për shmangie të parimeve të realizmit socialist etj. Brezi liberal i poetëve të viteve 1970 është po kështu pjesë e tematikave të zgjedhura të strukturave të kulturës pranë partisë. Për poetin Xhevahir Spahiu janë botuar vitet e fundit shumë raporte të njerëzve të kulturës pranë aparatit të partisë në përpjekje për të interpretuar poezitë e tij të dyshimta e formaliste. Ndaj tij rezulton të jenë angazhuar edhe struktura të hetuesisë pranë ministrisë së Brendshme, në përpjekje për të implikuar poetin në grupe armiqësore dhe lëvizje estetike që vinin në dyshim realizmin socialist, nën ndikimin e artit dekadent borgjez, pas burgosjes së Fadil Paçramit. Për sa i përket poezisë “Jetë” të Xhevahir Spahiut, ekspertët partiakë pranë KQ, mendoj se ishin të pasaktë duke ia servirur udhëheqjes së lartë si një poezi që shprehte filozofinë ekzistencialiste, apo “nën ndikimin e ekzistencializmit” të bërë të njohur nga shkrimtari dhe filozofi francez J.P. Sartër, moment që do ta trajtoj në kapitullin tjetër. Duke iu rikthyer temës së kritikës së zyrave shtetërore ai shkon edhe më tej në interpretimin tendencioz, biles të rrezikshëm të poezisë moderniste të Spahiut. Në një material sekret të Ministrisë së Brendshme dërguar Komitetit Qendror thuhet se “Gjatë ndjekjes dhe zbulimit të veprimtarisë armiqësore të grupit armik e antiparti në sektorët e artit e të kulturës të kryesuar nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja e Dashnor Mamaqi, rezulton se në ngarkim të Xhevahir Spahiut kanë dalë këto materiale. -I pandehuri Fadil Paçrami, në proceset hetimore ka deponuar “... “Në poezitë hermetike, të cilat në vetvete paraqitnin paqartësi; linin shumë kuptime, ishin të errëta dhe shkaktonin keqkuptime e ide të shtrembra tek lexuesit. Më të dhënë për këtë proces kanë qenë Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu... Me pikëpamjen e ndarjes së brezave ka qenë edhe Xhevahir Spahiu. Si rezultat i kësaj ndodhën gabime të llojeve të ndryshme krijuesish me koncepte dhe shije të ndryshme në bazë shoqërie, njohje, në bazë estetike ose interesa të tjera, deri tek ato lokaliste. ....Duke vepruar në këtë mënyrë u inkurajuan të rinj me pikëpamje të shtrembra ideo-artistike, të cilët u bënë propagandues të shfaqjeve të huaja në letërsinë dhe në artet tona, siç ishin Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Sulejman Mato, Faslli Haliti, Moikom Zeqo, Ali Oseku, Llambi Blido, Ksenofon Dilo, Nikolla Zoraqi, Shpëtim Kushta, Kristaq Dhamo, Minush Jero e ndonjë tjetër që s’më kujtohet. -Arkivi i Ministrisë së Rendit, Dosja Hetimore Nr. 2370 A e procesit ndaj Fadil Paçramit. Viti 1975-1976. Cituar nga libri “Kadare dhe regjimi komunist, f.419-430) . Partia në qendër përveç të punësuarve të saj në sektorin e kulturës, shtypit dhe edukimit që ishin ekspertë të fushës, aktivizonte edhe sigurimin që të përgjonte shkrimtarët, jetën e tyre të përditshme deri edhe thashethemet që thonin për njëri-tjetrin. Nga ana tjetër partia dhe KQ merrnin informacione nga të dërguarit e zyrave të saj, në të gjitha mbledhjet e rëndësishme të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Sipas materialeve arkivore del se njerëzit e tyre kanë informuar me detaje rreth çështjeve të caktuara. Në njërin prej tyre thuhet se “Në konkluzione u tha se poetët më të mirë tanët dhe të huaj, kanë kaluar nga paqartësia drejt qartësisë, ndërsa te disa poetë, sidomos të rinj, vërehet një fenomen i kundërt: ata kaluan nga poezi të qarta në të tjera të errëta (si të tillë u përmendën Fatos Arapi, Ndoc Gjetja, Moikom Zeqo, të cilët tani që ecin drejt pjekurisë janë bërë më hermetikë e të pakuptueshëm). Teskti e sqaron udhëheqjen me detaje dhe kompetencë profesionale se si këta poetë kanë rënë nën ndikimin e “Antropomorfizmit” “ku gjithçka merr formë njeriu e animizimi i sendeve vend e pa vend, gjithashtu ndikon për keq dhe errëson përmbajtjen. “Për ilustrim jepen shembuj nga poezia “Lidhja ime me natyrën” e Rudolf Markut, por edhe shembuj të tjertë nga poezitë e Moikom Zeqo, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi etj. Informacioni nuk lë pa përmendur edhe një polemikë të Ismail Kadaresë i cili siç thotë ky material e ka quajtur kritikun Razi Brahimi “njeri që mban qëndrim policor ndaj letërsisë”. Në një tjetër informacion kritik që sektori i edukimit i KQ i PPSH-së, i drejtonte KQ të kësaj partie me temë: Mbi disa probleme të letërsisë dhe arteve të kësaj periudhe të revolucionarizimit të mëtejshëm të vendit”, i nisur në vitin 1973 bëhet me dije për ndikime të huaja në letërsi dhe arte, përmendet emri i poetit të ri Moikom Zeqos dhe cikleve të tij, krahas Xhevahir Spahiut dhe Faslli Halitit. Sipas këtij raportit: “Në prozë dhe në dramaturgji i kemi pasur dje shembujt e njohur dhe që i kemi dënuar me kohë, të ndikimeve të huaja, dhe po aty kemi recedivet e reja, si drama e M. Jeors ”Njollat e murrme”, filmi i V. Gjikës ”Yjet e netëve të gjata”, novela e S. Godos “Fushata”, të cilat duhet tani t’u shtojmë, krahas tregimit të I. Kadaresë “Provokacioni” apo dramës së F. Paçramit” Çështja e inxhinier Saimirit”, edhe ndonjë poemë si “Dielli dhe rrëkerat” e F. Halitit, dhe “Shkëlqimi” i V. Qurkut, vjersha si “Jetë” e Xh. Spahiut, ciklet hermetike të Fatos Arapit, M. Zeqos, e ndonjë tjetër”. Poeti Moikom rezulton të ketë qenë i vëzhguar qysh në gjimnaz në Durrës dhe fakultet, për shkak të miqësisë që kishte patur me shkrimtarin Bilal Xhaferri, ish i persekutuar politik, i arratisur jashtë vendit në vitin 1969. Zyra e partisë në Durrës, në një relacion të Sekretarit të Parë të Komitetit të KP të Partisë Durrës, Rita Marko dërguar sekretarit të KQ të PPSH-së, Ramiz Alia i nisur më 21 maj 1969, në përdorim “sekret”, jepet informacion me detaje për jetën e Moikomit qysh në gjimnaz. Letra informonte KQ për të zbuluar lidhjet armiqësore të Bilal Xhaferrit dhe natyrisht për të marrë leje për të vepruar. Në letër thuhet: “Moikom Zeqo nga Durrësi, student i vitit të parë të USHT, kandidat i Lidhjes së Shkrimtarëve, shok shumë i ngushtë me Bilalin, në një artikull të botuar në gazetën tonë lokale shfaqet me rezerva të mëdha në lidhje me romanin “Dasma”. Siç ka pohuar vetë, pak ditë para mbledhjes së diskutimit të romanit, ka lexuar faqet e para të diskutimit të Bilalit, flitet se po Moikomi e ka lajmëruar edhe për mbledhjen. Dyshojmë se dijeni më të plotë për përgatitjen e Bilalit të diskutimit kanë pasur edhe Adriatik Kallulli, e Bedri Myftari, me punë në Tiranë, por që janë shokë të ngushtë të këtij. Në Durrës shoqëri të ngushtë ka pasur edhe me Namik Manen, për të cilin kemi folur më lart dhe që është i pakënaqur nga ndalimi i botimit të poezive të tij. Është shoqëruar edhe me Met Gjergjin, arsimtar dhe anëtar i rrethit letrar të cilit gjithashtu i është pushkatuar babai nga partizanët.” Për Xhevahir Spahiun sigurimi i shtetit i ka dërguar KQ të partisë edhe një provë tjetër që u kishte rënë në dorë kundër poetit. Siç thuhet “Në një material të përgatitur nga Xhevahir Spahiu, i ashtuquajturi “Simpozium për rakinë”, përçmohen dhe ironizohen mësimet e klasikëve të Marksizëm-Leninizmit dhe zhvillimi i tyre në mënyrë krijuese nga Partija t’onë”, duke vijuar se “Të rinj si Xhevahir Spahiu janë të pakënaqur. P.sh. Ali Oseku ka hedhur fjalë fyese ndaj ish-pedagogëve të tij, duke e quajtur thjesht, bojaxhinj…” Shkresa sekrete është firmosur nga vetë Zv.Ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, në Tiranë, më 1.VI.1977. Por poeti Xh. Spahiu gjykohet edhe në parti. Në mbledhjen e organizuar “me porosi nga lart” në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”, në verën e vitit 1977 poetit i bëhet një gjyq i rëndë politik, ku partia në rolin e kritikut letrar, e kualifikon poezinë e tij si të ndikuar nga filozofia e Sartrit. Xhevahiri gjykohet edhe “si poet rebel i pandreqshëm dhe i kritikuar disa herë nga vetë Enver Hoxha.” Kritika në adresë të KQ të partisë, kundër Xhevahir Spahiut vijnë nga të gjitha anët, përfshirë edhe një letër sekrete e firmosur nga vetë Zv.Ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, në Tiranë, më 1.VI.1977. Në të thuhet se “Të rinj si Xhevahir Spahiu janë të pakënaqur. P.sh. Ali Oseku ka hedhur fjalë fyese ndaj ish-pedagogëve të tij, duke e quajtur thjesht, bojaxhinj. ( Intervistë e gazetarit Arshin Xhezo, mik dhe koleg me Xhevahir Spahiun, dhënë gazetarit Naim Zoto. Ndërkohë që vetëm disa ditë pasi del në qarkullim revista “Nëntori” kreu i shtetit Enver Hoxha, në një fjalim të mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor, më 9 janar 1973, në mesin e disa “direktivave për artin dhe letërsinë” do të merrej personalisht me këtë vjershë të Spahiut. Hoxha mes të tjerave u shpreh se “Xhevahir Spahiu dhe disa poetë të rinj kanë shumë ide, por mënyra se si i shprehin ato nuk është gjithmonë reale, jetësore”