Shkëmbi në kohën e dasmës qe
një djalë njëzet vjeçar. Djali i nënë Atdhetares, Shkëmbi, kishte një
fytyrë të bardhë si tambli. Kishte edhe një trup të bukur. Të gjithë
shoqet dhe shokët e Shkëmbit ishin po ashtu të bukur dhe të dashur, ndër
më të bukurit bij, të këtij kombi. Ata kishin derdhur djersën dhe
gjakun për trojet e tyre; për popullin e tyre; për ardhmërinë e këtij
kombi; për brezat e rinj. Koha ecte dhe së bashku me kohën duhej të realizohej
betimi e amaneti i shokëve të Shkëmbit që kishin dhënë jetën e tyre në
altarin e lirisë. Ky betim ushtarak dhe ky amanet nuk mund të harrohej
dhe të shkelej derisa të ekzistonte bota. Shkëmbi dhe shokët ishin
kthyer në shtëpitë e tyre, në vendlindjen ku kishin lindur ata, dhe të
parët e tyre. Së bashku ishin kthyer shumë krenarë edhe ata invalidë që
ishin me gjymtyrë të dëmtuara. Ishin kthyer edhe ata që ia kishin falur
gjakun dhe jetën kësaj toke. Ishin kthyer tek varret e tyre për të
pushuar të qetë në tokën e përgjakur të trojeve shqiptare. Edhe Shkëmbi
ishte kthyer kryelartë dhe krenar pranë prehërit dhe përkëdheljeve të
nënës së tij Atdhetares, për t’i shëruar plagët e pashëruara dhe për t’i
ruajtur kujtimet e tij dhe të shokëve të idealit. Ishin kthyer me lotët
e dhimbjes e krenarisë. Gjatë kohës së luftës Shkëmbi nuk ishte as i fejuar, as i dashuruar,
as i martuar, përveçse që ishte i dashuruar shpirtërisht me dasmën e
lirisë. Tani ai duhej të fejohej dhe të martohej. Të bënte një dasëm
familjare dhe autoktone shqiptare, ku, do t’i ftonte si dasmorë shokët e
tij dëshmorë të luftës. Gëzimi nuk ndalej. Bashkë me gëzmin nuk
ndaleshin edhe lotët e dhimbjes dhe krenarisë. Në dasëm Shkëmbit do t’i
mungonin disa nga shoqet dhe shokët e luftës. Jo, jo! Ne mendojmë
kështu! Një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë. Të gjithë shoqet e shokët e
Shkëmbit natën e dasmës morën pjesë dhe ndanë gëzimin me shokun e tyre
të idealit Shkëmbin e familjen e tij. Të gjithë atë natë kënduan dhe
vallëzuan bashkë edhe me lirinë. Herët pa gdhirë mëngjesi të gjithë
shokët dëshmorë të Shkëmbit nga të gjitha trojet shqiptare u kthyen
përsëri në vendin e tyre, tek “Varrezat e dëshmorëve” që të jenë
pararojë të këtyre trojeve të përgjakura. Ky ishte edhe amaneti i tyre
të cilin kurrë nuk do e shkelnin.
0 comments:
Post a Comment