Sunday, April 20, 2025

Prend BUZHALA: Recensioni i librit "Shënimet e një endacaku" të autorit Kujtim Stojku

ROMANI I THELBIT TË PËRVOJAVE TË EKZISTENCËS

(Kujtim Stojku: “"Shënimet e një endacaku", roman)

Pas novelës "Ulërima e ujqërve” (2017), Kujtim Stojku vjen me një prozë tjetër të gjatë, me romanin "Shënimet e një endacaku". Është një roman i veçantë në letrat tona, si me tematikën, si me strukturën narrative, ashtu edhe me poetikën e shtresimeve narrative-refleksive. Posi te veprat e Samuel Becket-it, autori preokupohet me fatin e njerëzve që janë të braktisur nga shoqëri e që jetojnë në margjina të shoqërisë, në rrugë, nën ura, apo, qoftë edhe në një valixhe! Të shumta janë përshkrimet dhe reflektimet për të qëmtuar çështje të tilla si izolimi, vetmia dhe absurditeti i ekzistencës njerëzore. Përdorimi i skenave të tilla, figurative e sociale, të ndërlikuara, bën që lexuesit të përjetojnë një lloj tensioni, që shpesh e paraqesin një botë ku personazhet ndjehen të humbur dhe të izoluar, të larguar nga shoqëria. Kjo vetmi e braktisje mbizotërohet nga një ambient i mbushulluar nga ndjesi trishtimi dhe mjerimi. Kujtim Stojku shtjellon një perceptim të thellë të absurditetit të jetës njerëzore. Përjetimi i absurditetit është një temë themelore në këtë vepër, duke përfaqësuar një pamje edhe filozofike mbi natyrën e ekzistencës dhe qëllimin e jetës. 

Nga ana tjetër, autori preokupohet me ndryshimin e kohës dhe ndikimin e këtyre ndryshimeve në memorien e në përjetimet e personazheve. Së këndejmi, autori shfaq kujdes për gjuhën dhe formën në prozën e tij.  Përdorimi i fjalëve dhe frazave të zgjeruara, ndihmojnë në krijimin e një atmosfere të ngarkuar emocionalisht dhe të vështirë për t'u kapur. Personazhet janë të mbyllur në një ambient të mbytur social, ku ata janë të braktisur dhe të izoluar nga shoqëria. Ky ambient shpesh përshkruhet si një hapësirë e zbrazët, e lënë në mëshirën e stihisë, që e shton ndjesinë e vetmisë së personazheve.

1. Tematika sociale e braktisjes së njerëzve nevojtarë e me shumë halle 

Personazhet jo vetëm që janë të braktisur nga njëri-tjetri, ose të ndjejnë një çarje të thellë emocionale, duke përforcua ndjesinë e vetmisë edhe më tej; por ata janë të braktisur nga të gjithë. Vetëm mediat interesohen për fatin e tyre, jo si preokupim social, por si sensacion mediatik. Ka një indiferencë të përgjithshme ndaj fatkeqësive që ndodhin në shoqëri, ku shumë njerëz bien viktimë e krimeve ose ngjarjeve tragjike pa u trajtuar si lajme të rëndësishme për publikun. 

“Të ndjerit ajo që i ndodhi nuk interesohet nëse kthehet në lajm ose jo. Viktima e shtatë në duart e një krimineli të rrezikshëm i shpallur në kërkim do të vdesë si të gjithë të tjerët ashtu siç kanë vdekur të gjithë të tjerët më parë. Ne ndryshojmë veten dhe bota e jashtme qëndron me ne dhe nuk ekzistojnë  ndryshime të tjera. Ndryshimet ndodhin shumë shpejt dhe janë aq të mëdha sa nuk krijiojnë më lajme sensacionale.”

Ndërkaq, përmendet se rrobat e të ndjerit ndryshojnë, një metaforë për përshtatjen e njerëzve dhe shoqërisë ndaj ndryshimeve të jashtme, por kjo përshtatje është në masë të madhe e papërfillshme për mediat e sensacionit. Përshkruhet një realitet ku ndryshimet ndodhin shpejt, por vëmendja publike shpesh fokusohet në ngjarje të parëndësishme, duke lënë mënjanë tragjeditë dhe nevojat reale të njerëzve.

Ose, si perceptohet kjo përmes monologut të brendshëm të personazhit:

"Duke menduar, mbaj një qëndrim ndaj mënyrës se si ndryshonte lajmi që transmetohej ashtu siç kishte ndodhur. E si mund ta themi më mirë këtë.... nuk mund të gjeja asnjë zgjidhje tjetër vetëm se duke e urdhëruar veten 'Që ne të jemi në gjendje që t`i largojmë lajmet.' Mirëpo edhe kjo më duket e pamundur sepse duhet ta kuptojmë mirë se ka disa të tjerë që nuk mund të jetojnë pa lajme. Dhe si rrjedhim shtrohet vetvetiu pyetja pse të gjithë kanë nevojë për lajme? Mos ndoshta kjo vjen në një moment kritik që qenia të armatoset tërësisht, megjithëse dihet pra gjithçka ka pësuar ndryshime të lehta. Edhe për këtë kam menduar, por edhe kjo është një gënjeshtër. Mendoj se njeriu i dëgjon lajmet vetëm për t`u qetësuar. Për çdo lajm që atij i le mbresa nëse një njeri i dëgjon ato, atëherë ai është i gjallë, kjo është çështja..."

Duke reflektuar e menduar në mënyrë kritike për mënyrën se si lajmet transmetohen dhe ndikojnë në perceptimin tonë të botës, shfaqet një dilemë mbi rëndësinë dhe nevojën për lajme. Një qëndrim i mundshëm është dëshira për të shmangur ose reduktuar konsumimin e lajmeve, për të ruajtur një ndjenjë të qetësisë dhe stabilitetit emocional. Megjithatë, ky qëndrim përballë lajmeve duket e pamundur për shumë njerëz, pasi ata ndihen të lidhur me informacionin aktual dhe e shohin atë si një mjet për të qetësuar ankthet e tyre dhe për të ndjekur ngjarjet e botës. Më tutje, shprehet  një perceptim më i thellë mbi motivacionin e njerëzve për të dëgjuar lajmet, ku ato shërbejnë si një mjet për të ruajtur ndjenjën e jetës dhe për të ndjekur frymën e fundit të botës. 

Ky koncept sugjeron se lajmet, pavarësisht përmbajtjes së tyre të tmerrshme, përfaqësojnë një lloj shprese për të qëndruar të lidhur me jetën, edhe në momente të vështira.

2. Nëpër rrjedhat narrative e strukturat tekstuale të romanit 

Romani ka njëzet kapituj. Nis me një situatë të tensionuar, ku individi përballet me këtë situatë në një qytet. Rrëfimi përqendrohet te personazhi i quajtur "F" (rëndom personazhe emërtohen vetëm me një germë), i cili është bërë simbol në betejat e jetës për strehim dhe për të qenë një "heroi" në këtë kontekst proze. Në kontrastim me këtë, paraqitet policia që ka ndaluar shumë qytetarë dhe ka marrë masa për të parandaluar turbullira të mëtejshme. Ky tension është rezultat i situatës ekonomike dhe politike të rëndë dhe për shkak të veprimeve të autoriteteve qeveritare që kanë rënduar jetën e qytetarëve. F. është një person që ka humbur shtëpinë dhe tani jeton në rrugë duke përdorur një valixhe si strehë e tij. Ai ka gjetur mënyra për ta përshtatur këtë valixhe në një "shtëpi të përkohshme", duke i krijuar edhe dritare për ajrim dhe duke e organizuar mënyrën e brendshme të saj për të qëndruar rehat dhe të sigurtë. F. bëhet një simbol i përtalljes dhe adaptimit ndaj situatës së skajshme ekzistenciale, të vështirë dhe të mungesës së strehimit. Që në fillim autori na paralajmëron për temat e identitetit, humbjes dhe rezistencës në një mjedis ku pushteti dhe kushtet e jashtme janë kërcënuese. Ky personazh,  është një figurë e rëndësishme në këtë kontekst, pasi ai përfaqëson një realitet të rënduar dhe sfidues për individët në shoqëri. Kjo situatë përshkruhet në mënyrë dramatike për humbjen e sigurisë dhe stabilitetit të njerëzve të tillë, duke e detyruar atë të përdorë resurse minimale për të mbijetuar. F është nën presionin e një sistemi që nuk i ofron mbrojtje dhe ndihmë, dhe, për të mbijetuar, ai është detyruar të përdorë mjetet më elementare për të siguruar strehim dhe siguri personale. Kjo gjendje e F-së bën që lexuesi të reflektojë mbi sfidat dhe pasojat e rënda të papunësisë, të varfërisë dhe mungesës së strehës në shoqërinë moderne.

Personat për të cilët shoqëria nuk kujdeset, paraqesin një realitet të trishtueshëm dhe plot shqetësime. Ata janë individë të braktisur, të varfër, të sëmurë, ose që ndodhen në situata të rënda sociale, ekonomike ose emocionale, pa ndihmën e nevojshme apo mbështetjen nga shoqëria. Janë indidvidë të braktisur nga familja, të varfër që vuajnë nga mungesa e burimeve të nevojshme për të jetuar, të sëmurë që nuk mund të kyçen në kujdesin shëndetësor, ose të prekur nga diskriminimi dhe mungesa e mundësive për zhvillim personal dhe profesional.

Megjithatë, ky personazh has në sfida dhe vështirësi, duke filluar nga mungesa e resurseve materiale deri te kushtet e vështira atmosferike që mund të prekin jetën e tij të përditshme. 

Teksti përshkruan edhe reagimet e të tjerëve ndaj situatës së F-së, duke treguar një ndjenjë të pafuqisë dhe indiferencës së shoqërisë ndaj individëve në nevojë. Njëkohësisht, ai nxit reflektimin mbi realitetin e vështirë të jetës së të pafuqishmëve dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit për sfidat dhe përballjet me të cilat ballafaqohen njerëzit në kushte të tilla. Ka njerëz që shprehin keqardhje për gjendjen e tij, duke komentuar se si është katandisur ai që dikur ishte një zotni burrë. Megjithatë, këto komente janë shoqëruar edhe me një farë përbuzjeje apo indiference, siç është rasti kur disa prej tyre i hedhin monedha përpara dhe i referohen faktit se "ç'ta bën qeveria, s'ta bën as perëndia."

Kjo skenë dëshmon një mungesë ndjeshmërie dhe pafuqie të shoqërisë ndaj nevojave dhe vuajtjeve të individëve të varfër dhe të përjashtuar. Është një reflektim i thellë mbi mungesën e solidaritetit dhe empatizmit në shoqërinë moderne, ku një pjesë e madhe e njerëzve ndjehen të pafuqishëm për t'i ndihmuar ata në nevojë, ndërsa të tjerë shfaqin një indiferencë të plotë ndaj tyre.

Me këso reminishencash e përshkrimesh vazhdojnë edhe kapitujt tjerë. Situata "pasurohet" me reagimin e policisë ndaj kërkesës së F-së për ndihmë, ku ai ndjehet i shqetësuar për arsyet e tij. Megjithatë, edhe në këtë situatë, ai gjen mungesë të plotë të kujdesit dhe mbështetjes nga institucionet publike. Ravijëzohet një portretizim i prekshëm i një individit që përballon vështirësi të mëdha. Është një realitet i trishtueshëm ku individët në nevojë nuk marrin mbështetje dhe nuk e kanë kujdesin e duhur. Kësaj drame jetësore i shtohet edhe përjetimi i diskriminimit dhe stigmatizimit nga institucionet dhe shoqëria në përgjithësi, siç tregohet nga reagimi i policisë dhe mungesa e përkrahjes publike. Ai na është edhe i padëshiruar! Ai është një lypës, posi personazhet e Migjenit!  Protagonisti përjeton ndjeshmëri emocionale dhe ankth për të ardhmen e tij, duke shfaqur shenja të stresit dhe konfuzionit nëpërmjet veprimeve të tij. F-ja përpiqet të mbijetojë në mjedisin e vështirë të qytetit, duke shfaqur përpjekje për të gjetur një vend për të qëndruar dhe për të siguruar strehën dhe sigurinë. 

Një valixhe merr një rol të veçantë në jetën e tij dhe ka një vlerë metaforike të thellë: një figurë që përfaqëson prapambetjen, ndryshimin, dhe mënyrën e re të jetës. Fokusimi i personazhit kryesor në valixhe, përjashtimi i tij nga shoqëria, dhe ndryshimet thelbësore në jetën e tij, përshkruajnë një proces transformimi dhe largimi nga realiteti i njohur. Valixhja qëndron si një simbol i lirimit nga rregullat dhe kufizimet e shoqërisë, duke e lejuar personazhin të hulumtojë një botë të re dhe të ndryshuar.

Duket sikur ky personazh është një "eksperiment" social, dhe, gjithsesi edhe letrar. Tashmë shtresimet narrative (nga kapitulli i tretë) zënë të paraqiten edhe me shtresime të ndërliqshme tekstuale, siç janë shënimet (si metatekste që rrëfehen): nëpërmjet shënimeve të tij, ai përshkruan një rrugëtim të ndërlikuar emocional dhe intelektual, duke shprehur ndjenjën e vetmisë dhe frikën nga humbja e identitetit; ai ndien veten keq e të dëshpëruar pse nuk gjen një vend në shoqëri, pse nuk është në gjendje t'i realizojë synimet e tij jetësore. Është një thirrje për reflektim mbi jetën dhe qëllimin e vetës, si dhe për të kuptuar se si shoqëria dhe ndryshimet e papritura ndikojnë në jetën tonë. Ndërkohë, ai përpiqet të kuptojë dhe të përcaktojë mënyrën se si mund të ndërveprojë me këtë realitet. Ka disa pika kyçe që autori përpiqet t'i adresojë. Personazhi shpjegon qëllimin e tij për ta përshkruar vendin, duke shtuar se ka zgjedhur të qëndrojë aty për t'i  ruajtur kujtimet e ndryshimeve në qytet. Ai gjithashtu thekson rëndësinë e vendit për qytetin dhe për jetën e banorëve. Në roman ka disa rrënimtarë që ndërkëmbehen. Kështu, i tillë është edhe vetë autori që përshkruan jetën e njerëzve të braktisur dhe të pastrukturuar që jetojnë në këtë shoqëri. Përmes tyre, ai reflekton mbi temat e varfërisë, të mungesës së dokumentacionit dhe të sigurisë personale. Autori përpiqet të kuptojë mënyrën se si mund të identifikohet me personazhin që ai i përshkruan, duke e bërë atë një temë reflektuese; reflekton mbi mënyrën se si të shkruarit e tij ndikon në realitetin përreth tij dhe në marrëdhënien me personazhin që ai i paraqet.

Në përgjithësi, autori përdor një kombinim të përshkrimeve të detajuara me refleksione të thella për ta shkundur lexuesin dhe për t'i nxitur reagimet se si ata shikojnë dhe kuptojnë realitetin e tyre dhe të botës që e rrethon.

Ky protagonist përjeton edhe ngjarje të tjera të pakëndshme; sulmohet nga një i armatosur, por mrekullisht arrin të shpëtojë. Ndërsa ai përjeton këtë moment të terrorit, ai shfaq edhe refleksionet e tij psikologjike dhe reagimet emocionale ndaj kësaj ngjarjeje të papritur; duke shpalosur një gamë të gjerë ndjenjash dhe emocionesh; duke përfshirë frikën, ndjenjën e pasigurisë, si dhe dyshimet për të ardhmen. 

Vijon

0 comments:

Post a Comment