Wednesday, May 23, 2018

SADBERE GAGICA SPAHIJA: DY POEZI

TË PRES
Nëpër fluska të shiut
Pa ombrellë mbi kokë
Të m’i ledhatosh flokët
E fjalës të lagura deri në rrënjē
Aty ku e lash vargun pa rimë
Të pres nëpër shi
Me një tufë ëndrrash
E një tregim të ri
Të pres.

MEDITIM
Mjegulla ka rënë mbi qytet
E mbi qerpikët e mi të lodhur
Era m'i përkund si fëmijë në djep
Shpirti është bërë si fanar deti
Me muzën e përgjumur
Më vjen rrallë e vonë nëpër vargje
Udhët e vuajtjeve zog nëpër qiell
Kumtin e hidhur të stinëve ia rrëfej
Në këtë kaptinë jete libër i pafund
Portreti im mes dallgësh hepohet
Tunel pa dritë asgjë në horizont
Këndej baladë kujtimesh lotët lumë
Ujis kopshtin e nostalgjisë njerëz pak
Nëpër fjalët e mia rrudhat kjo stinë
Trëndafil gati i vyshkur dhembje
Natën rri zgjuar ditën vras vetminë
Fillim e fund shi nëpër korridore harrimesh
Mes këtij ishullli përmbytur është koha
Zot
Më shpie atje ku belbëzova një herë
T'i përqafoj udhët e lindjes
Të dëgjoj zërin e fëmijëve nëpër lagje
Shqip t'u flas njerëzve mes turmës të
shtrihem
Të bërtas deri në kupë..ku je njeri?!

0 comments:

Post a Comment