KOPSHTI I DASHURISË
Kopshtit të dashurisë koha përballë i njehsohet
Aty për rreth lule me shumë ngjyra vështrojmë
Mitet e dashurisë kanë arritur të dalin në shesh.
Me vëmendje i vështrojmë shtigjet e kopshtit
Narcisi e trëndafili supet nga trungu i nxjerrin
Përbirohen gonxhet me petale të purpurta.
Natën vashat dalin në kopsht e fshihen
Për rreth shkurreve me lule të gjata
Përballë qiellit rri në dritë hëne që shndrit
I vështrojnë lulet e gjelbëruara e të lulëzuara.
Në cep kopshti është vendosur statujë
Gur graniti e dy dashnorëve të përqafuar
Të dashurve të tjerëve sytë të iu gdhijnë.
Me paramendim u futëm në kopshtin e dashurisë
Dhe ne duke lëvruar filluam punën me zell
Lëvizje të sigurta i kishim të parapara.
Në këtë kopsht të dashurisë
Parajsa e bukurisë sate gjendet
Më bën të lumtur të kënaqem me ty.
Takim paraprak në këtë aks e kishim përgatitur
Me ëndërrime rrinim e ndjenja duke përcjellë
Njerëz të shpresës shihnim në këtë vend.
Punën e ëndërruar filluam si më parë
Ndër kohë ndjenjat ishim duke i përcjellë
Ndjenjat e zjarrta me gjithë sakrifica
Të brengosur qëndronim si ndonjë herë.
Duke u ledhatuar hëna na rrezonte
Punën e filluar symbyllazi lëvronim
Asgjë nuk lejonim për nesër të ngecte
Mendonim punën për ta përfunduar.
Idetë e lindura na bënin bujë
U shqetësuam për mbingarkesë
Shpresat na mungonin për më tej
Ta vazhdonim punën me zemër të dyfishtë.
Ishte kohë ideale për ne të dy
Kur ndjenjat me lot i zbutnim
Që pjella e dashurisë të na mbisundonte
Të përmbushur me ide të përplota.
Me të prerë fatin kërkonim të na nxiste
Sikur kohërave nga ditët e rinisë të ëndërronim.
Momente të bukura së bashku kalonim
Të rrethuar jemi me fat në kopshtin me lule.
Në çast ndër vegime së bashku gjendemi
Puthjet e zjarrta shpirtin na zhurisnin
Në kopsht qëndron vatra jonë.
Të nesërmen në mes ditë përsëri u vendosëm
Zogjtë dhe fluturat na fluturonin mbi kokë
Me pasione të na bashkonin se kemi nevojë.
ZEMËR E THYER
Me besë pronotova të më vinin dasmorët
Porse ti e pabesë, dashuri më tradhtove
Vendose të më shpërfillje dhe ike
Me pavendosmëri u trete u largove
Nga ajo dashuri që ishte e pafundme.
I përkujtoj ato puthje
Me atë ashk, ato përqafime
I sigurt isha se shumë më doje.
Mua tani mu shua bukuria
Ti që ishte yll i shpirtit mbi zemër
Shpirti im tepër të deshi .
Ndoshta ndonjë herë
Ende do të mundesh të më kujtosh
Kur në dashuri ishim të përbetuar
Me zjarrin e parë që bashkërisht e patëm kallë.
U befasova kur kuptova se je martuar sërish
Ndoshta me ashk tek ndonjë tjetër djalë
Me bindje do të më kujtosh se më ke tradhtuar
Je e vetëdijshme se zemrën ma ke thyer.
Beso se s’mund të të harroj
Se në dashuri mbretëreshë zjarri më ishe
Jetën tënde me vlerë e vazhdove
Me dashnor tjetër, me bukuri tjetër duke kaluar.
Për të ardhmen më ke lënë errësirë
Mbresa të pakthyeshme u shtuan
Si duket, ti e ke harruar të kaluarën
Ato përqafime me lot gëzimi
Të nxitura kur gjithmonë fluturonim
Mbi kasollen tonë të dashurisë me shend.
Vëre dorën në zemrën tënde të lënduar
Kujtoji vetëm këngët tona të famshme
Kur rreshtur këngët edhe me valle i luanim.
Kjo ishte shigjetëgoditje për zemër
Kur ti shkove me dashnor tjetër
Të dëshiroj fat e vetme në lumturi jeto
Me dike tjetër që në zemër e ke
Por kujtoje edhe atë dashuri tonën
Që shkapërderdhë dikur e kishe.
ART DASHURIE
E dashur, ti art dashurie më je,
Silueta jote në brendi time figuron.
Flutur ere më je dhe e ndezur
Sillesh rreth e për çark meje
Pranë vizionit tim imagjinar.
Unë, i dashuri yt me dashuri e fjalë
Gufoj me thepa gëzimesh
Pranë teje, për më tej përpiqem
Që dashurinë time të thellë
Të ta fali edhe shpirtin tim të gjallë.
Shtrëngatat në ndërkohë
Shikimin tënd ma vodhën
Dhe besimin tonë të ndërthurtë,
Qenësinë time ma lënduan
Që me ty dashurinë e kisha strukturuar.
Kultin tënd paqësor gjithmonë
Ndërmend e kishe të ma dhuroje
Në ditët e ndërsjella paqeje.
Përballë mizorive të kohës
Ti e dashur më bëre krenar
Me atë bukuri tënden që ma fale.
Ne kultin tonë e krijuam
Në dashuri të përbashkët.
PLATEJA E YLLËSISË
E dashur...
Ke mundësi
Të veshësh
Pëlhurë ylberi
Të ndizesh...
Të fluturosh
Me krah engjëlli
Lart atje
Në mbretërinë e yllësisë
Dashuri të promovojmë.
DASHURIA KA EMËR
Të kam thënë se dashuria jonë ka emër.
Emrat e përzemërt i adhurojë shumë
Më bëjnë fatlum dhe krenar.
Emri yt ”KREONA” quhet
Me fjalë fikse, krenaria e jonë.
Ajo ka shpirt, ka edhe zemër
Ka zemër për mua
Zemra ime me vështirësi e sajoi
Kur lot të kthjellëta më rridhnin
Sepse plaga mbet e gërvishtur
Prej saj edhe gjak kullon.
Hëna e saj edhe fytyrën ma zbuloi,
Me një krah rrezesh nderi
Në thellësi zemre depërtoi.
E dashura nga të fshehurat e mia
Vërejti dy shigjeta dashurie
Edhe enkas zemrën ma pushtoi.
Rrinte e fshehur nën hark ylberi
Dashuria doli në shesh, për jetë më kaploi.
Jetën e dorëzova në duart e saj
Qenësisë sime ajo kurorë i vuri
Dashurinë me besnikëri ma fali.
Në kopshtin e dashurisë
Si vizitor besnik arritëm
Kopshtari nuk na pengoi
Me kushte besnikërie në dashuri
E vendosmëri sajuam jetën në vijim.
0 comments:
Post a Comment