Saturday, March 3, 2018

RMIZ KUQI: CIKLI POETIK "Mbi këtë hapësirë lirie''

CASTE MËRZIE
Të kanë harruar fjalë
Nëpër qytete heshtja ka rënë
Kanë harruar Ditën tënde
Kur linde
Një herë e një Kohë
Mbretërit
Të bienin në gjunj
Fjala jote poet ishte diell
Caste mërzie!

AJO DORË
(Luigj Gurakuqit)
Tinëzare
Larg atdheut
Në Bari
Shkrepi plumba
Mbi vargje
E zeza dorë zogiane
E zeza dorë
Ogurzezë!

1 MARS 2018
Kanë pushuar këmbanat foltoreve
Lut e këput këtë litar rreth qafës
Sa një fije ka mbetur
Mbi këtë hapësirë lirie
Gurëzuar janë nëpër kode
Si gurët nëpër bedene
Me shigjeta në krah
Sikur ta pritnin një hije armiku
Të veshur me uniformë blu
Lut e këput këtë litar të trashë
Lidhur për këmbë mbi Urën
Ku janë kryqëzuar
Sytë e Evropës
Lut e këput ...

KOHËN
Merre në grushtin tënd
Të vogël
Sa zemra e trumcakut
Aty janë
Plasaritjet tua nëpër duar
Rruzat e sosura të kuqe
Një pranverë e vonuar
Ecjet tua nëpër këto male
Historia ime e rrudhur
Gjeografia ilire
Grisur nëpër shekuj
Merre në grushtin tënd...

EPILOG
Nisi mes rigash shiu
Mes turmës pa zë
Dhe s’kishte fund të bukur
As që mund të ketë
Ndaj
Fundi i fundit të keq
Në fund shkurt 2018!

NATË PAGJUMË
Ka vite që i puth ëndrrat
Natë e mesnatë
Po magjinë e këtij qyteti
Nuk e gjeta askund
Ndoshta edhe nuk ka
Ky qytet i gurtë
I ftohtë si akull
Si njerëzif
Që rrallë i shoh
Të buzëqeshur
Natë pa gjumë
Si lundra nëpër lumë!


CILI ZOG
(Ali Podrimjes)
Të grishi
Buzë lumit të panjohur
E dëgjoi klithjen tënde poet:
Kosova është tokë që s’shitet
As nuk blehet
Gjak
Që rrodhi nëpër zhguna
Atje maleve lart mbi kodra
Atje
Ku lulet gojëfile
Ndjellin rreze dielli
E një fyell
Që bie
Nëpër këngë të pakënduara
Prapë Evropa
Plas gishtërinj mbi plagë
Me plëngprishësit e kullës sime!

Cili zog?

0 comments:

Post a Comment