Kur njerëzit dalin jashtë shtëpive krijojnë një mjedis të rrezikshëm që paqja mes tyre të prishet e shprishet sa më shumë Në agim, kur lexon a dëgjon mediat Fjalinë e Parë do ta kenë për rrezikun e sëmundjes e të politikës për ta shtuar dozën e shqetësimit për t'i konsumuar dozat e kërcënimit Ti je ajo lënda e parë për burimin e tyre të parave Lexo e dëgjo si E Mira shpallet çmenduri e njerëzit e mirë shpallen qenie jonormale diçka që e prish tregtinë e lëndës së parë. Ruana Zot nga të mirët, thonë, ata sjellin vetëm varfëri, mjerim, pezullim, sjellin amulli, aty ku jeta nuk ndjehet e gjallë, aty ku njeriu rri i fjetur, ecën si somnambul, ku mendimi përjeton asfiksi. Prandaj: rroftë çmenduria krejtësisht normale! Atdheut i duhen sidomos Njerëzit e Çmendur! E ç'na duhen njerëzit e mirë, domethënë jonormalë? Rrofshin sëmundjet! E ç'do të bënin doktorët pa këtë lëndë të parë që quhet Njeri i Sëmurë, pa epidemitë, epilepsitë pa dhimbjet e kokës, pa neurozat e lehta e të rënda a pa sëmundjet e kancerit? Të shkretët njerëz të mirë, nuk e dinë se atëherë policinë e vënë në pikë të hallit: kur s'ka më dosje për kriminelë, as përbindësha për t'i ndjekur nëpër skutat më të padukshme, shurdhohen edhe mediat e debatet televizive. Ruana Zot nga gjendja e tillë e shurdhët! Kur njerëzit nuk kanë vesh problemi qëndron tek ata që dëgjojnë: e si nuk e kuptojnë atë botë shurdhësie? Cila shqisë iu mungon që as e shohin e as e dallojnë Botën e Shurdhër?
E të metat e mendjes së vet nuk i shohin! Rroftë Bota e Shurdhër! Ajo na bën të shohim më kthjellët! Sa herë Njeriu i Mirë e ngre zërin turmat nuk kanë vesh ta dëgjojnë! Të Mirët flasin Fjalë të Pakuptimta që nuk i duhen tregut, biznesit a skandalit. Rrofshin Fjalët e Pakuptimta! Rrofshin kriminelët që nuk prodhojnë krizë pune, krimi qenka ajo lënda e parë e punësimit që punëson detektivë, spiunë a gazetarë hafije që shpërndahen nëpër rrugë me kamera e videopërcjellës për ta gjahtuar jetën private të njeriut. Përsëri në skenë dalin Të Çmendurit! Ata nuk kanë nevojë të përcillen nga askush, ata vetë e prodhojnë çmendurinë këtë levë lëvizëse të historisë: do të mungonin universitetet e të drejtës penale, avokatët, gjykatësit dhe prokurorët, nenet e kushtetutave dhe ato të neneve të gjakut, pa ta as shteti, as kombi as njerëzia, nuk marrin frymë! (Rishkrime, 11 maj 2020)
0 comments:
Post a Comment