Ka momente, që i thua vetës në jetë: « Bullshit, po pse të gjithë ata Persona, të cilët
i kam dashur dhe
më kanë përcjellur në jetë, po na kalojnë njëri pas tjetri, si në ligjin
e serialëve, në botën tjetër ... duke na lërë neve të shkretit tokësorë, pak a shumë
jetim, nostalgjik dhe të mërzitur ? » Ma sillni një dubël Ekspreso që të kthjellohemi !
E dashura IRENË : të erdhi tani rralla ty në moshën 93 vjeçare, për ta përfaquar
misterin e pafundësisë ? M'i lejon disa fjalë, e nderuar, se nuk mund të harroj aq
lehtë. Që në fillim, me ka pas prekur shpirtërisht, gati emocionalisht silhueta e jote
aq e veçantë, ajo bukuri klasike e tipit greko-romak, do kisha shtuar edhe malësore,
e ardhur nga alpet tona, një bukuri plot fisnikëri, madhështi dhe karakter, siç janë
nënat dhe gjyshet tona anonime, por dikund edhe legjendare. Diçka estetike, të
nivelit sublim dhe të lartë, si në pikturat apo skulpturat e antikiketit, e cila na
imponon menjëherë respektin e plotë, dhe jo lazdrimin e papërmbajtur të tipit
post-adoleshent. Je përjetësisht e bukur dhe madhështore, e dashura Irenë ...
Do e kisha ëndërruar një darkë rituale me ty, në Sofrat tona malësore, për ta marrur
një erë të lashtë poetike, një lidhje me të kaluarën tonë të përbashkët, të cilën me
Silikon Valejt kaliforniane, me botën e ekraneve dhe të bixhozeve të ndryshme, alla
Las-Vegas, e kemi shkelur me kohë dhe po e vazhdojnë Jetën tonë të quajtur
moderne, pa asnjë trashëgimi, pa asnjë busull, pa asnjë vijë drejtuese, pa asnjë
rrënjë, pa asnjë kujtesë ... në një improvizim patetik alla Beckett dhe Ionesco.
Te ti, e madhja Irenë, kam shijuar parfume historie, shije traditash antike, diçka që
me ka lidhur me pikënisjet tona ... të falënderoj përjetësisht !
Je me siguri sikurse unë, poeti frankofon, por malësorë i odave, por edhe i të gjitha
aventurave avanguardiste planetare, një koktel përzierjesh greko-shqiptarë, por ti
vet mundesh për ta ndarë atë punë siç duhet. Mirëpo, mua, më ke frymëzuar me
vlerat e tua njerëzore dhe artistike. Ma ke dhënë një shembull unik ... që mundesh
me qenë super e bukur si Femër, por edhe super fisnike, antike, burrërrore,
tradicionale, dhe me karakter të pamposhtur ... me një frymë gati kanunore dhe
zakonore të lashtë, ashtu siç ke qenë në rolët e tua si tragjediane greke antike.
Antigona (1961) e regjisorit Tzavellas, - Elektra (1962) - Trojanet (1971) – Ifigenia
(1977 ) të regjisorit tënd të preferuar dhe ikonik zoti Michael Cacoyannis, pa e
harruar filmin tënd mitik – ZORBA, i vitit 1964, të cilin çdokush e ka akoma në
memorie, ngaqë ka hyr si vepër filmike, në referencat tona kolektive, ose në shpirtin
tonë koshient apo subkoshient.
Në një farë mënyre, e dashura IRENË ... me bukurinë tënde magjike dhe hyjnore,
aq dinjitoze dhe gati të përjetshme, ke qenë mund të themi : « anti Marilina dhe
Brixhidë Bardot » dhe kjo gjë të nderon jashtë mase. Edhe pse, po e pohoj që i kam
dashur të dyja edhe unë, por për arsye pak më të rëndomta, të rangut më tepër
fantasmatik dhe erotik. Mirëpo si aventurist i ri, pa limite, besoj që do më falish !
Të imagjinoj duke e ndarë një pite apo një flijë në një fshat të Tropojes, të Dibrës,
apo të Malit të Zi bashkë me nënën time, dhe pastaj duke dëgjuar këngë të vjetra
me sharki dhe çifteli, disa rapsodi tradicionale, duke qeshur nga gëzimi i momentit.
Përkundër meje, i lindur pa xenxhirë, as vargojnë dhe në improvizim autodidakt
permanent, gjer në ditën e sotit, e nderuar IRENA, ti ke ardhur nga një familje mjaft
e shkolluar, intelektuale. Nëna e jote : Elena Lelekou, e lindur Prevezanou, ishte
Profesore që në atë kohë, ndërsa Babai juaj zoti Stavros Lelekos,me origjinë nga
Epiri, ishte Profesor i Teatrit klasik dhe i gjuhës greke antike.
Mund ta supozoj krejt intuitivisht, që do keni pasur dikund ndonjë origjinë shqiptare
nga njëri prej prindërve të tu. Nëse e heq për qejfin tim poetik prapashtesën e emrit
tuaj ( ou – dhe os ) a mos është nëna e juaj Elena Leleku ose Preveza ? Por nuk ka aq
rëndësi, se çdokush e përjeton dhe e definon vetën e tij, siç donë vetë, siç e ndien
shpirtërisht ? Nuk mund të vijmë neve të jashtëmit, për të vendosur në filan apo
filan kategorie, se nuk ka shumë sens, ajo punë ! Tek e fundit, ngelet problemi im
personal dhe intim, a e ndiej unë vetën shqiptarë, apo francez, apo belg. Nuk është
problemi i shqiptarëve ! Rezulton që unë e ndiej vetën si shqiptaro frankofon ! Pikë !
Tani, si e ke përjetuar ti vet qenien tënde, e dashur Irena, origjinën tënde,
përkatësinë tënde : sinqerisht nuk e di, por kjo punë të takon vetëm ty !
Por e ndiej shpirtërisht, që je e afërt dikund me mua, që kemi diçka të përbashkët,
që komunikojmë me ndonjë frymëzim apo antenë të lashtë. Dhe kjo më mjafton.
Më kujtohet spontanisht filmi politik francez « Z « i vitit 1969, kundër regjimit të
kolonelëve grec, i gjiruar nga franko-greku Costa-Gavras, të cilin e kam takuar disa
vite më vonë në Paris. Po ashtu, « Topat e Navarones » 1961 nga regjisori J.Lee
Thompson, me të madhin Anthony Quinn. Nuk e di pse, as nga vjen ajo ndenjë, por
te pamja jote estetike, mbretëron dikund, esenca e përjetshme e qenies femërore,
diçka e paluhatshme, që i tejkalon të gjitha periudhat, modat dhe shekujt, diçka që
imponohet me një kualitet maksimal dhe që mbijeton. A thua, jam i qartë ?
Ma sillni një birrë belge me pak djathë ... që ta përfundoj këtë retrospektivë intime,
këtë aventurë imagjinare me motrën dhe nënën time kinematografike nga Epiri i
lashtë Irena Papas ... Waou 93 vjeçare ... çfarë Jete. Ke pas lindur në Korinti nga
Chiliomodi, në vitin 1929 dhe na u largove gati bashkë me mikun tim Jean-Luc
Godard. Një surrealizëm total ... Ha ... ha ... ha ... Më kujtohet rrushi tipik dhe vëra
e Korintisë greke. Me vite kam pas qenë i abonuar me disa miq dhe fanse të mia të
shthurrura, pak rock and roll dhe provokante, në Kinematekat e Parisit dhe të
Brukselit, ku i kam pa të gjitha veprat e regjisorëve kryesorë botërorë.
Më rivjen tani filmi i Francesco Rosit ( 1979 ) « Krishti u ndal në Eboli « i cili ma ka
pas inspiruar edhe një tekst poetik. Disa filma pak më autorial dhe margjinal të
regjisorit madhor portugez Manoel de Oliveira : Party ( 1996 ) - Shqetësimi ( 1998 ) -
Film i folur ( 2003 ) ... Por filmi yt i parë, ka qenë ai i vitit 1948 i regjisorit grek Nikos
Tsiforios me titullin « Engjujt e humbur ». Më erdhi një pyetje spontane, e nderuar
Irena : pse nuk ke punuar kurrë me regjisorin grek të famshëm, që unë e konsideroj
në topin planetarë, të cilit ja kam pas prezantuar në Bruksel, një aktore franceze
e cila fillonte atëherë karrierën e saj me emrin Elsa Zylberstein ( sot është aktore
super e konsoliduar në Francë ), po flas për Theo Angelopoulos ? Kam kaluar
momente interesante me atë kineast në Bruksel, një intelektualë super i përgatitur,
një kinefil dhe një frankofil i vërtetë. Por keni qenë me siguri në botëra kulturore dhe
në kërkesa artistike të ndryshme ? Por ai takim, jam i sigurt që do kishte qenë i bukur
dhe i frytshëm mes jush ! Tani, mund të flasim për karrierën tënde gjigante në teatër,
kur ke lënë gjurma të forta në Greqi, në Itali duke luajtur Pirandellonë nën drejtimin
e Mauro Bologninit, në Portugali, ku ke jetuar disa vite, por edhe në Amerikë, pasi që
ke luajtur edhe në lagjen e famshme BROADWAY me aktorin Jon Voight, i cili më ka
pas bërë përshtypje të parën herë , në filmin sublim të John Bormanit « Delivrance »
Pastaj, e dashura Irenë, pak kush e dinë që ke marrur pjesë edhe në disa projekte
muzikore, duke kënduar ti vetë disa tekste apo duke i recituar me një sfond muzike,
me artistat më të njohur grekofon të asaj fushe, siç janë Mikis Theodorakis për
shembull, Demis Roussos, Vangjelis, Lucas Sideras, etjerë ...
Ke qenë 100 përqind mesdhetare, moderne dhe antike, ndoshta edhe mesjetare pse
jo ? Por fabuloze, e mrrekullueshme ... Ah, sa do ishim kuptuar mirë së bashku !
Do e kishim adoptuar njëri-tjetrin me siguri ! Greke, Shqiptare, Italiane, Portugeze,
djepi i civilizmit evropianë ... Muzikë, meze dhe pije për shpirtin e Irena PAPAS !
Të kërcejmë së bashku, ti thejmë disa pjata, gota dhe sahana për ta rikujtuar
ZORBËN ... Oh IRENA : kam marrë lajmin e fundit për ty, çka nuk e kam pas ditur fare
deri sot ... Keni përjetuar një lidhje dashurie të fortë me aktorin më mitik botërorë,
zotin Marlon Brando, një dashuri sekrete, jashtë cirkut mediatik dhe paparazive
parazitë, të cilët na helmosin apo na argëtojnë jetën me thash e të theme ...
Jeni njohur në Romë në vitin 1954, tamam kur kam pas lindur unë ...
Ja pra, edhe një FILM në vete, e dashur dhe e përjetshmja IRENA !
Përqafime aty ku je dhe ku do të shkosh më vonë ... Na i thuaj Zotit nëse e takon :
që të kenë pak mëshirë për neve mbi këtë tokë, sepse jemi çoroditur për të tepërmi,
e kemi humbur sensin real të gjërave, respektin e vlerave, dhe nuk e dimë as vet se
çka jemi duke bërë, të shtyrë nga një puls freudian i thanatosit, një energji super
shkatërruese dhe vetëvrasëse ... Stop motherfuckers ... respektoni jetën, vlerat,
humanitetin, planetin tokësorë, natyrën, se sinqerisht na turpëruat !
Një gotë vere greke apo franceze të fundit për shpirtin e IRENA PAPAS ... ajo
Penelopa e jonë që priste Bekim Fehmiun ( Ulisin ) në serialin sublim televiziv i vitit
1968 – ODISEJA – e Franco Rosit ... kurse unë me rrymat anarshiste planetare
mjedis Parisit dhe Brukselit, i shijoja të gjitha deliret dhe orgjitë e improvizuara, nën
tingujt e Jimmy Hendrix, Eric Clapton, Santana, the Who, Led Zeppelin, the Beatles,
the Stones, the Doors, Dire Straits, Bluesmenëve amerikanë legjendarë, Jazzmenëve
si Miles Davis, Duke Ellington, Charlie Parker, Keith Jarret, Chet Baker ... Waou shit,
na shkuan kujtimet dhe gati JETA !
SKENDER SHERIFI – në improvizim ...
Bruksel, me daten 17 shtator 2022 - nga Poeti shqiptaro- frankofon i odave
në Planetin tokësorë aq të dëmtuar.
Monday, September 19, 2022
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
0 comments:
Post a Comment