Thonë se kur bien gjethet ëndrrat s`dalin të vërteta,
Gjethet këputen nga degët duke dhënë shpirt, kurse lulet ikin larg,
Nata zgjatet si një litar i zi, kurse dita sa vjen e shkurtohet,
Duke më folur me gëzim gjethet që bien m`kanë shtangur në çast.
Që të gjitha bien nga degët e pemës në vjeshtë,
Unë do t`u buzëqesh kur do të stolisen me kurorë lulesh,
Ata do t`lulëzojnë aty ku rritet trëndafili, bukuri e rrallë,
Kur t`dekompozohet nata, do t`ia marr këngës
sa toka dhe qiellit të tundet,
E policia do t`më shoqërojë në gjyq i prangosur si kriminel,
Për ditën që pamëshirë e kam vrarë…
MASAKRAT E GJYSHËRVE TANË
Unë e kujtoj shpeshherë gjyshen time,
Me atë pamjen fisnike dhe rizen borë të bardhë në kokë,
Ajo megjithëse e pashkollë
me zgjuarsinë e saj e konkurron edhe sot këtë epokë digjitale,
Kishte një fantazi që na mbante zgjuar deri në mesnatë,
Por ndonjëherë ishte e egër dhe e tmerrshme sa askush s`do ta besojë.
Kur trokiste dera, ajo bëhej krejt një njeri tjetër,
Hapej çardaku e miqtë zinin vend,
Pastaj ajo kapte pulat e u përdredhte kokën,
S`mungonin rastet kur pamëshirë ua priste,
E pastaj i flakte mbi dysheme.
Ne të habitur shikonim trupat pa kokë që kërcenin,
Se ç`valle ishte ajo as sot s`di ta tregoj,
Por që ishte një valle që të ngjethte në shpirt,
Dhe n`fytyrën e saj s`u besova syve kur pashë,
Asnjë gjurmë pasioni, kënaqësie apo dhimbjeie,
Kjo më hutoi, e s`dija çfarë të thosha dot.
Mesdita, në gjirin e saj kishte fshehur errësirën,
Ato vrasje të pashpirt ishin vrasjet më të ndershme,
Më pas ajo do t`i zhyste në ujë të valuar e do t`i rrjepte,
Ato kufoma të mjera pa kokë,
I përcëllonte përmes flakësh në oxhak,
Ku zogjtë e vegjël vinin vardallë duke cicëruar në oborr,
Dhe gjyshja si skifter gri me thikë në dorë rrinte e priste,
Që t`i therte me radhë e për këta s`kishte asnjë mëshirë ajo.
Ajo që ishte më e dashura, më e dhimbsura,
Që na dha leksionet e para që nuk jepen në asnjë auditor,
S`ta mbushte mendjen se do të bëhej një kriminele shekullore,
S`e kuptoja se si n`darkë do të qeshnin, do të këndonin
duke pirë raki e ngrënë pulat e pafajshme,
E nën tingujt e nxehtë të telave të skuqur të çiftelisë,
Për këtë masakër të gjithë ata burra e uronin:
- Të lumshin duart moj fisnike, këtë shtëpi e bekoftë Zoti,
Kurse unë shihja gyshen time të pashpirt,
Që uronte miqtë me duart e gjakosura…
PËRÇARTJE
Ndjej se rrugët kundërmojnë erë squfuri,
Në përgjithsi shëndeti i të gjithëve gremiset honeve,
Kur buzët e kuqe t`puthin, të lutem bëj kujdes,
Përmes lotëve të kripur do të notonin me shpejtësi,
Kapriçot e majmunëve asnjë s`do t`i kuptonte,
Kurse ora për çudi ishte zbukuruar me ngjyrën e ditës…
ME SYTË E DHELPRËS
Me sytë e dhelprës,
Shoh lumenjtë nëntoksor të rrjedhin,
Nga poshtë qiellit të asfaltuar merr frymë agimi,
Nga fyelli mijra vjeçar pikon era e nenexhikut,
Që është këputur mbi një shtrat lule limoni.
Vështrimi juaj ka lindur nga lotët e butakëve,
Që pasqyron fletët e kujtesës së syve të delfinit...
IDENTITETI I PËRDHOSUR
Në fillim ishte fjala,
Kështu e mësuam,
dhe besoj se kjo është e vërtetë edhe sot,
Këtu për një çast ndala
E nuk mund heshta dot.
S`mund të heshtja sepse pashë që ngadalë t`buronte drita,
E më pas të përthyhej kundrejt sipërfaqeve
E të errësohej nga pak,
Kur djersa dhe gjaku u përzien me dheun,
Çuditërisht fillova të lëshoj rrënjë,
Sa një lis hodha shtat.
Por ky ritëm erdh e u prish,
Lulet filluan të vyshkeshin se ua zunë frymën,
Errësira dhe t`ftohtit ua këputën kërcellin,
E ata dhanë shpirt duke u shtrirë përtokë.
Kur filloi të fryente erë e të binte dëborë,
Në prag një bulëz vese u përmbys,
Gjuhët e vogla filluam të përmbahen,
Nëpër dhomat e errëta filluan të zënë vend,
E kur lahutat shpërthyen tingujt me jehonë,
Përforcuan me shpirt çdo element.
E përsëri fjala dhe nënfjala,
Përzier me dheun, gjakun dhe shpirtin,
Ku në çdo mal e shkam lëshoi rrënjë,
Sot dëgjohen përsëri këta tinguj të qëmotshëm,
E pikërisht këto fjalë që shkruajmë,
Identitetin e përdhosur na kanë dhënë...
KUR NJË KOMB
Ka njerëz të tillë që është vështirë t`i identifikosh,
Edhe kur një zog don t`fluturojë shumë lart,
ai gjithnjë fluturon drejt blusë qiellore,
Kurse një zonjë kur dëshiron të ngjitet sa më lart,
Brenda shpirtit të saj shkallët e lartësimit zgjohen.
Kur unë s`kam këpucë shkoj që të blej në treg një palë tjera,
Nëse dikujt i mungon hunda, ky nuk është ndonjë problem i madh,
Në tregun tonë të pasur mund të blejë një hundë të rreme,
Kur një komb e kupton se nuk ka shpirt,
ai e kthen shpinën andej nga fryn era,
Shkon tek fqinjët dhe blen një të shitur!
Për të kjo është rruga e vetme,
… dhe çuditërisht ai është i pashpirt!
Mos u habisni se çdo të ndodhë me ngjarjet e tjera…
GJARPËRI I ZI
Heej!
Çohu!
Çfarë ke kështu?
Pse je kaq i zbehtë e gjithë djersë,
I tmerruar nga ankthi në shpirt,
Me zë të mekur foli,
E pas pak e mori veten shpejt.
Pashë një ëndërr të keqe e gjumi krejt m`u prish,
Një gjarpër i madh e i zi,
Qënjen time ngdalë po e gëlltiste,
E pasi më mbërtheu me dhëmbët gjithë lakmi,
Një erë si prej gjirizi nga goja i dilte.
Befas, mësa kisha mundësi fillova të bërtas,
Përmes zgollave të hapsirës vinte një oshëtimë,
Ishte një jehonë që s`e kisha dëgjuar më parë,
Ndoshta ishin përpëlitjet e fundit,
Që mundohesha të mos përfundoj në barkun e gjarpërit të zi.
Më kot shpresoja duke iu lutur qiellit,
Se ndonjë ëngjëll krahë bardhë do t`më ndihmonte,
Ky shpirt ngrënës ndaj meje ishte informuar gabimisht,
E ndoshta kjo lutje drejtuar Zotit, nga ky djall më shpëtonte.
Pastaj pashë disa xhind që ishin krejt të lirë,
Një prejt tyre në fshehtësi kët` përbindësh e ndihmonte,
E prandaj ai mblidhej kutullaç, zvarrisej në pluhur në sy të Perëndisë,
E me helmin që mbante në bisht, s`harronte asnjë të mos helmonte.
Ky tmerr, më turturoi gjithë natën e gjatë,
Se e shihja që gllabëronte gjithçka me babëzi,
Kur lodhej së zvarrituri, për çudi nxirrte krahët,
E fluturonte kudo duke i korruptuar të gjithë.
I zhytur në këto fëlliqësira që mendja kujt s`i shkonte,
Filloi të mbillte urrejtjen,
e kish trashëgim sepse vetë ashtu ishte ngjiz`.
Natyrisht, që këto mbeturina kanë lënë njolla në kujtesë,
Ndërsa vetëm ha e ha i duket se të keqen e zhduk nga vetja,
Befas nga një sëmundje e rëndë fillon e vjell,
M`u duk vetja si Jona kur e gëlltiti peshku në detë,
Prandaj fola, këtë ëndërr ua tregova t`gjithëve,
e nuk heshta…
VARGJE KAFSHUESE
“Do merresh i pandehur”,
“I tha oficeri një burri të vjetër”,
Gjykata e ka në dorë për fajin tënd,
E t’mos u bindesh ligjeve që ka ky shtet.
Një nga qentë e tu është rebel e huligan,
Një qytetar krejt kot e ka kafshuar me dhëmbë,
E prandaj sot merresh i pandehur sipas kodit penal,
Tani është fjala e juaj, thuaj çfarë ke për të thënë.
Ai me guxim e vështroi oficerin në sy,
Shikimi i tij më thellë mundohej të lexonte,
Natyrisht, që për të ai nuk krahasohej me qentë e tij,
Që s’i kishin këto ligësi që ka bota njerëzore.
Pastaj, ju përgjigj hetuesit me qetësi,
Ata kafshojnë njerëzit që janë gjithë ligësi padallim,
Lakmitarë e t`pangopur, të veshur me pushtet e prandaj tërbohen,
Ata janë besnikë e gjithë fisnikëri,
Prandaj i kafshojnë disa njerëz sepse s`iu durohet.
Ai, qeni për të cilën akuzohem,
S`e keni parë zoti hetues,
Ka një pamje prej fisniku,
Është zotëri i vërtetë kur fillon e leh,
Si margaritarë i shkëlqejnë sytë,
S`i dridhet hiç qerpiku,
Sa herë që leh një flakë prej vetes i shpërthen.
Po ti s`e kupton zoti hetues se ai vërtetë është një qen,
Me dhëmbët e mprehtë në të rrallë ndonjë e kafshon,
Po ta them në konfidencë se s`është si qentë e tjerë,
Ai është një qen arti,
e prandaj njerëzit kushdo qofshin ata, rehat s’i len.
Po t`ia shohësh sytë i ka si të thurur me shtiza,
Ai i ka të verbër se janë të punuar prej leshi,
Ata shikojnë nga brenda shpellave dhe sytë iu nxjerrin xixa,
Ata e shohin qartë një botë krejt të përsosur,
Lexojnë ligësinë njerëzore që s`krahasohet me asnjë qen,
Hetuesin e vështronte drejt e në sy, e disa çaste heshti.
Pastaj, filloi të fliste përsëri,
Me një zë të qetë që i rridhte si ujëvarë
Sa herë ata lehin, kanë një ankth në shpirt,
Por duhet t`më besoni z. hetues,
Ata nuk e njohin kodin penal,
Atyre s`u pëlqen që njerëzit therin e zhvasin njëri - tjetrin,
E prandaj fusin në punë dhëmbët,
E për këtë s`mund t`i bësh me faj.
Po t`ua dëgjosh atë zë,
Jo ashtu siç e dëgjoni ju dhe të tjerët,
Sa herë ata lehin, zëri e tyre është një thesar i vërtetë,
Është si një muzikë e mprehtë dhe me zë të lartë,
Një simfoni e rrallë që s`e keni dëgjuar ndonjëherë.
Me tinguj të mprehta dhe të ndritshme,
Lehjet e tyre të ndezura janë flakëruese,
Ulërasin butë ndaj botës prandaj shpesh janë të nevrikosur,
Ah!
Ata qentë e mi
Janë qentë e Artit që drejtohen botës,
Lereni të qetë zotërinë tonë,
Hiqjani prangat,
E më pas do të shihni se vështrimi i turbullt do t’ju qartësohet,
Edhe ju më qartë do ta shihni botën,
Përmes syve të tyre të qetë…
0 comments:
Post a Comment