Tuesday, August 26, 2025

Kujtim STOJKU - Cikli poetik: Në Barkun e Gjarprit - Kuaku i Errësirës dhe Jehona e Baltës



Hyrje kuratoriale për ciklin poetik 

Ky cikël nuk është thjesht një përmbledhje vargjesh — është një arkiv i zërave të përjashtuar, një liturgji për të përhumburit në botën e të çmendurve. Në Barkun e Gjarprit, fjala nuk është ornament, por organ që digjet, që flet, që nuk pranon të heshtë. Kuaku i Errësirës nuk është tingull grotesk, por dëshmi e atyre që rrallë u është dhënë mundësia të këndojnë — dhe unë, për një çast, këndova. Jehona e Baltës është kujtesa që nuk tretet, është simfonia e fundit që lind kur gjithçka tjetër hesht.



MANIFESTI I TË PËRHUMBURVE NË BOTËN E TË ÇMENDURVE
Kupolën e qytetit e kam çarë me zë,
tek dritaret prej retinash botën e shoh të gjithën mbrapsht.
Në mushkëri metastazat e kancerit frymën po më zënë,
kode rebelimi, fryma ime i transmeton anemban...
Në vend të gjakut, më rrjedhin fjalë të ndaluara,
të shkruara me gisht në qeliza betoni.
Këpucët e mia, satelitë të lodhur,
shkelin mbi rrugët që përkulen para ligjeve të padukshme,
Nga zëra çakejsh,
që me jargë skilesh intrigonin.
Flaka nuk është më zjarr —
është një hologram që djeg kujtesën,
e unë ngrihem, si statujë prej ndjenjash të rreme,
por me shpirt magnetik që shpërthen çdo sistem,
E fatkeqësisht,
vetēm një zë mbetem.
Të gjithë perandorët e së nesërmes
kam për t’i gdhendur në zhdukjen time — sepse nuk jam më njeri,
jam shenja që mbetet.
Kur gjithçka tjetër zhduket,
Pas, padyshim që le hijet,
që në çdo shpirt,
mbjellin ankth dhe tmerr,
që n'çdo qelizë të gjallë mbeten...

KËNGË PËR KONAKUN E FJALËS
Në konakun ku jam rritur, fjala s’ishte thikë, ajo zinte vend, si buka në sofër. E kur ndokush fliste pa mend, të qeshurat e buta e mbulonin, si jorgan, pa fyer, pa gjykuar, pa larguar.
Aty heshtja s’ishte frikë, por pritje, një rit i vjetër, për të lindur mendimin. Fjalët s’nguteshin të bëheshin zë, ato piqeshin, si vera në qilar, dhe kur dilnin, kishin shije të thellë.
Në atë konak, edhe broçkulla kishte vend— jo për të bërë qesharakun, por për të kujtuar se njeriu s’është veç mendje, është edhe hutim, edhe ëndërr, edhe gabim.
E tani, kur fjala më vjen si mik në letër, e ndiej se konaku s’ka vdekur. Ai jeton në çdo varg që s’kërkon të bindë, por të rrijë pranë, si një gotë verë, që nuk të deh, por të bën të kujtosh.

KUSH PI FJALËN DIGJET ME TË
Së bashku me vapën, gëlltis përcëllimin e fjalës.
Po pse e gëlltita këtë flakërimë, as vetë s’e di.
Ajo ishte më e etur se unë, por e njoma me fjalët.
Pse ishte më e djegur se unë, përgjigje nuk kisha.
Unë dhe ajo ishim bashkëudhëtare—si dita dhe nata.
Ecnim pa pushim drejt territ të zi.
Burrërisht flisja me malet zemërbardhë,
Buzën e tharë e njoma me pikën e vesës që binte si shi.
Më pas, bashkë me fjalën, u ngjitëm në majë të shkamit.
Me jehonën e melodisë ia çamë perden e errësirës.
Kur u ulëm më poshtë, u bashkuam me gurgullimat e zallit.
Gjinkallat kishin pushuar këngën, shuanin etjen e ditës.
Do të vdes me pëshpëritjet e barit.
Gjethet do të fëshfërijnë me trishtim.
Do të jap shpirt me fjalët që më la i pari.
Së bashku me këngën, oshëtin vetëm shqip.

ZI AM PRE PIKARI
Zi am pre Pikari, — thotë, plot zë,
Me kryet si lopë e gojën si shpellë zë pëllet,
Me duart si lopata që s’dinë me shkrujtë asgjë,
Mendjen e ka si kazëm që gërmon, por hiç s’kupton në t’vërtetë.
Shpinën e ka të lyer me ngjyra t’flamujve të shumtë,
Por se kush është, as veten s’e njeh,
Duhet t’i biesh në gjunjë kur si shtazë të godet me shkelm.
Ai flet “anglisht” me gjak partish,
Me “au helo maj fren!” duke u zgërdheshur në fëtyrë,
Me “okej bos!” për çdo urdhër nga lart, siç do ti,
E “gud baj” për çdo tru që s’është sharllatan, është meritë”,
Për nder të flamurit hec kur të duash në zyrë.
Kur flet për globalizmin trembet llogaria,
Kur thotë “stratixhike”, dridhen fjalorët,
Ai bën “meeting” me injorancën në sallë,
E “aprova” vjen kur rritet rroga,
e me kreanari deklamon se është një pallë.
S’ka shkollë, por ka dy foto me liderin,
Nuk di ligj, por ka nofull të fortë për slogan,
Ai është “me pushtet partiak”, “këshilltar”, “medet unë i mjeri,
Me një diplomë që i erdhi me korrier postal.
Zi am pre Pikari! — çirret nëpër zyra,
Me barkun si hambar, e trurin si shirit kasete,
Ai e quan “kompetencë” çdo zell militant,
E “karrierë” çdo servilizëm të gjatë, mos e prano po deshe.
Me anglishten e tij, rrëzon çdo standart:
“Mai neim is sistemi, aj fak ju smart!”
E kur e pyesin për etikë, ai thotë:
“Dis iz Albania, bro, not Harvard!”,
Unë jam kjo shëmbëlltyrë, kushdo mund të më shohē,
E rren mendja se unë jam një budall...

KAFAZËT E ALFABETIT
(Shkëputur nga cikli poetik "Për gjuhën shqipe")
Në një muze elektronik,
kishin mbyllur 36 shkronjat shqiptare në kafazë qelqi,
si specie të rrezikuara nga globalizmi,
E tash si fosile në këto kafaze heshtin.
Në këtë tabelë ishin shkruar ca fjalë,
Që tregonte vlerën e kësaj gjuhe të vjetër,
Kur e lexova, u turbullova sa mendët më erdhën vardallë,
Sepse ato që ajo thoshte s’do ta besonte askush tjetër,
“Këto tinguj janë përdorur dikur nga një popull i quajtur ‘Shqiptarë’.
Mos i ushqeni. Janë të ndjeshëm ndaj anglishtes”
Prandaj këto gërma dhe tinguj hyjnor në muzeum mbetën.
Një turist nga Japonia pyeti:
— Cila është Ë-ja?
Dhe roboti përgjigjej:
— Një shkronjë pa përkthim. E braktisën më 2023 -shin,
Bashkë me gërmën ç, varrin ua hapim ne...

SATIRA NË TEMPULLIN E MENDIMIT
Filozofi pi kafe pa sheqer,
në filxhan me çmim të zbritur.
Zgjuarsia sot blihet me kupon,
dhe si produkt në supermarkatë është duke u shitur.
Platoni është mbishkrim i madh me slogane,
Sokrati ka heshtur – ka humbur rrugën.
Studenti blen “mençurinë” me kartë krediti,
dhe merr diplomë pa u shqetësuar për shpirtin.
Në bibliotekë, librat janë kopje të kopjeve,
fjalët bosh, të ndaluara për mendim të lirë.
Filozofia është moto e ditës,
një lojë për klikime, jo për mendje.
Niçe ka humbur në pasqyrën e plasaritur,
Hegeli është shpallur “influencer” i dialektikës.
Në tempullin ku mendimi duhet të jetë flakë,
po digjen vetëm idetë e huaja.
Në këtë treg ku mendja është shitur si mall,
vetëm të pasurit blejnë të vërtetën.
Ndërsa ne, të tjerët, mbetemi me hije,
që nuk kanë guxim të flasin as për veten.

MANIFESTI I BRETKOSËS SË FUNDIT
Mos më kërkoni të hesht.
Zëri im nuk është muzikë për veshët tuaj,
por është dëshmi për baltën që më lindi.
Kur bilbilat këndonin simfoninë e tyre të pastër,
unë këndoja për baltën, për krimbat, për yjet që bien në moçal.
Zëri im nuk është i bukur — është i vërtetë.
Sorra më tha: “Kuaku yt është turp.”
Korbi më tha: “Shpifje për natyrën.”
Gjarpri nuk tha asgjë — ai më gëlltiti motrat një nga një.
Por unë mbeta.
Jo sepse jam më e fortë, por sepse jam më e papërshtatshme.
Zëri im nuk hyn në nota, nuk matet me metronom.
Ai është thirrje, është revoltë, është baltë që flet.
Në çdo kuak timin ka një trup të humbur,
një këngë të ndaluar, një moçal që nuk pranohet si skenë.
Unë nuk këndoj për ju.
Unë këndoj për ne — për të gjithë zërat që u gëlltitën pa fjalë.
Dhe kur të më gëlltisë gjarpri,
do të këndoj nga brenda tij.
Kuaku im do të bëhet jehonë në barkun e normës që nuk tret.
Mos më kërkoni të hesht.
Unë jam bretkosa e fundit.
Dhe zëri im është fillimi i një simfonie tjetër.

Sunday, June 22, 2025

Kujtim STOJKU: Cikli poetik "Në prag të verës."

KRISMA NË QETËSINË E LËNGSHME


Në zemrën time është një pasqyrë e thyer,
çdo reflektim është një britmë e çjerrë pa zë,
një krisje që zvarriset duke ecur ngadalë,
si një merimangë që s’duron t’rrijë e heshtur më.
Ora më vështron me dhëmbët që i kërcëllin sikur thyen një arrë,
tik - taku i saj shënon tingëllima e vaje lotësh,
është një kërcitje eshtrash që po na thyhen ngadalë,
nën lëkurën e një nate pa ëndrra, që i interpertojnë idiotët.
Muret më afrohen ngadalë për t’më marrë shpirtin,
u dëgjoj frymën që në gojë nuk e kanë,
por brenda trupit tim prej dhimbjesh ulërisin
si diçka që kërkon t’shpëtojë e s’gjen derën dot të dalë,
e n’mes hijenash me gëzim darkën përgadisin.
Sytë më janë bërë dritare që kërkojnë t’fusin në shtëpi dritë,
por për çudi ata shohin brenda vetes së dikujt tjetër,
dikujt që s’jam unë, por një tjetri krejt shpirt zi,
por që qan me zërin tim për dhimbjen e vjetër,
në një gjuhë që s’e njoh dhe s’di në është shkruar në letër.
Truri më është kthyer në një korridor pa dalje,
dyert s’gjenden, çdo mendim ka këmbë të lagura në një shi që bie papaushim,
dëgjoj njerëz që thonë që s’e dinë pse çarten,
vetëm brenda kafkës sime, i mbledhur galuc mendimi rri.
Dhe bota jashtë duartroket këtë spektakël kllounësh,
Në një skenë të mbyllur për publik,
ku aktorët pëshpërisin fjalë se kjo shfaqje ishte për spektatorë t’dhunshëm,
që më trembin më shumë se e vërteta, që t’ngulet në zemër si thikë…

PËRBALLË INTELEKTUALIT TË MARGJINALIZUAR

 

Në një qoshte t’zbehtë kafeneje,

Ku rrezja e diellit bie me vonesë,

Ai, intelektuali shkruan mbi letra t’verdha,

Me një stilograf që më shumë zemër se bojë derdh.

 

Më shumë se me njerëzit ka folur me librat,

Mendimet i ka rrahur si gurë në erë,

Tani flet me heshtjen, dëgjon kur këndojnë bilbilat,

Fjalën e shkruan me diell meloditë e jetës mbjell.

 

Përballë tij krekoset i veshur me mëndafsh pushtetari,

Përrallis fjalë që s’kanë asnjë fare peshe,

Kafkën e ka bosh e s’di çfarë thotë truthari,

E mendimet i rrallohen si pranon asnjë fije letre.

Për besë asnjë libër s’e ka lexuar,

Fjalët e mëdha që s’i kupton përtypet si lopa n’grazhd,

Si dekor për fjalime përdor thëniet e mençura,

Ku çdo presje është plagë, çdo pikë një mashtrim ka,

Dijen gjithmonë e sheh si një kërcënim,

Sepse injorancën rrezikon ta zbulojë drita.

 

Intelektuali rri i mënjanuar nga çdo tryezë vendimmarrje,

Ai ngjan me një orakull të harruar,

Që i flet të vërtetat që askush s’ka veshë me i dëgjuar,

Por kur ai flet me të fillojnë e tallen.

 

Fjala e ndershme kur nuk dëgjohet, 

Është si thikë që pret me heshtje,

E prandaj pushtetari tërbohet,

Hidhet e përdridhet duke u kapur pas çdo gënjeshtre.

 

Në atë kafene të thjeshtë truri s’blihet me fonde e tituj,

Aty ku leximi për ta është një akt rebelimi,

Pushtetari n’karrigen e vet si zvarrnik dridhet, shijen e ka t’hidhur,

Errësira ka filluar të çahet dielli po sjell agimin.


ZËRI QË ECËN MBRAPSHT

 

E kam parë në qoshen ku drita harron të vijë.
Një siluetë prej tymi dhe qelqi,
Me këmbë që s’prekin tokën,
Dhe zëri që futet në veshë
Si një kujtim që s’ka ndodhur kurrë.

Ai ecën mbrapsht.
Çdo hap i tij çon një kujtesë më larg,
Çdo fjalë që thotë zbërthen një mendim,
Që e lë rrugën bosh që nga qafa shkëputet si një shall,
Në mes të stuhisë.

Ai më njeh.
Thotë se kam qenë gjithmonë me të
,
Në gjumë dhe kur kam qenë zgjuar,
Që frymët e mia janë pëshpëritje të tij
Që më imitojnë për të mos më trembur mua.

Kur i fola, nuk më dëgjoi,
Por hunda e tij thithi zërin tim,
Pasi e bëri tym, shtëllunga – shtëllunga n’ajër e çoi,
E më pas m’u mbushtoll përreth,
Derisa u bëra strehë për hijet.

Kur u ula, ai u ngrit brenda meje.
Kur qava, ai qeshi në gjuhën e pllakave të ftohta.
Kur u krisa, ai më mblodhi si qelq i rrëzuar
Në një kuti pa formë, por përsëri fola,
Që e mbante në vend të zemrës në duar.

Dhe kur dua të flas,
E dëgjoj për çudi veten përtej vetes,
Si një zë që ecën mbrapsht,
Në një dhomë ku askush s’ka hyrë kurrë,
Por flet vetëm përmes heshtjes.

PRANËVERË MAGJIKE
Pranëverat janë magjike dhe krejt moskokëçarse,
Rinia toksikohet duke u argëtuar me dashuri,
Traditat folklorike sa vijnë e bëhen më bajate,
Dielli gjithmonë do të shndërisë me rrezet e tij.
Ne, jetën do ta kalojmë duke tjerrur lirshëm valle,
Harroni të shkuarën, të ardhmes i këndojmë me marrëzi,
Do t’fluturojmë si zogjtë nëpër re,
Këngën e bilbilave duke e dëgjuar natën me kënaqësi.
Melodi të kompozuar në pyll, oh! Ç’krijimtari,
Me gjithë këto trillime netët janë të zymtë,
Pyetje që s’kanë përgjigje për të gjithë.
Pranëvera jeni ju dhe aty është lumturia,
Hijeshia e një kombi të lashtë derdhur në këngë,
Një aromë gjithë gëzim lëshojnë lulet e çelura,
Sepse aty ku ju jeni dielli lind.
Aty ku jeni,
Dielli që perëndon ju le gjurmë mbi shpinë,
N’agshol rrezet e florinjta do t’këndojnë përsëri,
Duke bërë që dielli të rilindë,
Në të bukurën e bekuar prej Zotit,
Shqipëri…

MENDJE DIMRI
Gjithmonë dimri mendjen e ka të ftohtë,
Me anekdota zbavitëse të zhdrivillon mendjen,
Edhe kur fryn erë e dëbora bie flokë-flokë,
Ne qeshim e akull s`ngrin, prej së qeshurës trembet.
Anekdota e radhës për këtë dimër,
Është për hamshorët e paskrupullt që
enden duke bërë shamatë rrugëve t`qytetit,
ku një bushtër ua pret rrugën, e gjithë naze u kërleshet.
Kudo që ata shkojnë vetëm bëjnë shamatë,
Mundohen ta shmangin bushtrën duke u mënjanuar djathtas,
Për çudi, gjurmët një vijë t`lakuar lenin pas,
Duke bërë zig-zage sa djathtas – majtas.
Rendnin hamshorët e t`ftohtin e dimrit s`e ndjenin,
Bushtra hovte duke iu kërleshur rrugës,
E ata si të marrë pas saj mjakeshin e qeshnin,
Si u zbavit me ta sa deshi, u shtri e fjeti gjumë,
Kjo ishte ankdota e dimrit,
hamshorëve akoma ua dëgjoj zhurmën….

PËRJARGIET E DIMRIT
Kur dita zgjohet nga terri i zi i natës,
Është një ditë e re dhe thonë se:
- Ndryshimi i botës është kjo?
Ky ndryshim ngadalë gjatë dimrit vjen.
Kjo erë perendimore s`do t` më mungojë,
Befas, përpjekjen e tij e gjeta,
E reja është se po më puthte,
Për çudi, dimri ishte pa dhëmbë,
E jargët nga goja pizgë i shkojnë.
Duke qenë gjithmonë zgjuar,
Ai që vjen drejt rrugës sime i afrohem,
Unë shkoj ta takoj, por ai ikën pa m`shikuar,
I njoh shënimet e tij dhe s`kam pse befasohem,
Mëngjesi ngjyrë trëndafiltë më sheh si të shkalluar,
Kur rrëfej ditët e tij, s`e di pse me mua hidhnohet.
Dritarja ime pret të dëgjojë agimin,
Kur ai më thërret pres të takohem n`mëngjes,
Kur u rrokullis nata s`e di pse më solli gëzimin,
Kur drita me butësinë e saj errësirën e ktheu në gri,
E më pas do t`vinte shumë e ëmbël,
Ju betohem se s`do ta besoja aspak për besë.
Por unë jam i detyruar që t`iu tregoj,
Kur bardi këndon duke vënë n`dyzen telat e shpirtit,
Drejt vdekjes sime nxiton me të shpejtë,
Unë e ndjej, e njoh atë sipas melodisë që t` shtypin,
Ai më gjen duke kryqëzuar krahët,
Lutet që këto shënime të mos i shkruaj,
E unë më mirë të vdes….


TETOR
Tetori, është në ditët e tij të fundit,
Një tufë zogjsh fluturonin në qiell,
Disa mund t`i kenë përshkruar dhimbshëm,
Që të trembur fluturonin në një vend tjetër.
Pranverën e përshkruanin si të shenjtë,
Të tëra stinët e tjera duke i nënvlëftësuar,
T`pandryshueshme nga kohërat gjërat ishin vërtetë,
Dhe në kohë thonë ne s`kemi gabuar.
Përshkruajnë pyllin ku zogjtë ulen të këndojnë,
Harlisjen që karakterizon pyllin,
E krahasojnë me tërbimin që ndodh n`këtë botë,
S`është asgjë tjetër vetëm se një spazmë gëzimi.
Fjalët s`janë asgjë tjetër,
Kur dalin prej goje të gjithë e dinë se sa dhimbnin,
Këtë e dimë se është një përkdhelje e bukur, e vjetër,
Por, jashtë mundësive të kohës s`mund të ishin.
Është tamam sikur tani,
Edhe n`këtë fund tetori
tufa e zogjëve më duket se sillet përreth,
Në atë vend ku ishte zabeli,
Që t`këndonin përsëri, asnjë degë s`kishte mbet…

KRIMINEL I SHEKULLIT

Pasi e mendova mirë e mirë,
Hartova planin e krimit,
Dhe kur e zbatova me përpikmëri,
Pas vrasjes, ndihem si një merimangë e vetmuar,
Në të ftohtin e natës thur rrjetën për gjahun e radhës...

SHPENDI GRABITQAR

Në një natë pa hënë,
Përmes një zabeli ecja çuditërisht,
S`mund të shihje shtegun për të vënë këmbën,
Kur befas,
pashë njerëz lakuriq të mbështjellë nga muzgu gri.
Ajri pasi u ndez flakë më pas u qetësua,
Yjet duke na shkelur syrin ia këputën gjumit,
Në një qiell që vështrimin e kishte të ftohtë…
Zemrës i thosha t`mos m`i tregonte rrahjet e saj,
Sa bëja një gjysmë hapi më thoshte që të dëgjoja,
Se unë nuk isha vetëm,
por një zog që nëpër mjegull përplaste krahët,
Ishte një zog grabitqar që jua nxirrte sytë me vullnetin tuaj,
Dhe kjo ishte një ëndërr e bukur që n`gjumë e kisha parë,
Që përmes leckave të blerë në tregun e gabit,
Filluan të ndrisin sikur të ishin endur me fije krejt ar…

DËGJO

A dëgjon një zhurmë t`vogël që vjen ngadalë?
Më duken si hapa lugetërish,
Gjethet këputen nga pemët lakuriq duke i zhveshur,
Ata bien në tokë, e duket se të fikët u ka ra,
E përreth tyre n`kor po këndojnë dreqnit…

GJETHJA E KUQE

E dëgjova se m'pëshpëriti me nxitim,
Duke më tërhequr vëmendjen
me ngjyrën e saj të kuqerremtë,
Më pas më buzëqeshi me mallëngjim,
...sa herë ajo këmbëngulte,
S'e di pse më dhimbte në shpirt.
Megjithëse u këput nga dega,
Kjo gjethe e kuqe akoma është e freskët,
Duket sikur e gërvisht trotuarin gri,
dhe...


DËSHTAKU
Herë pas here ai dështonte,
Sado që mundohej t'shihte erën,
Me një fishkëllimë ajo i arrinte thellë brenda veshëve të tij,
E atje ajo i mbillte të ardhmen e akullt,
Prandaj edhe n'këtë vapë si në dimrin acartë po mërdhin...

Monday, June 2, 2025

Franz KAFKA: Para ligjit

 

Para ligjit është një roje. Atij  i drejtohet një fshatar, i cili do të hyjë te ligji. Por roja i thotë se tani për tani nuk mund ta lerë të hyrjë. Njeriu mendohet, dhe pastaj e pyet nëse mund të hyjë më vonë. "Ndoshta, i përgjigjet roja, por jo tani". Derëtari tërhiqet anash; me që dera e Ligjit është për herë hapur njeriu përulet për të parë brenda. Roja e vë re dhe qesh " Nëse të tërheq kaq shumë - thotë - përpiqu të hysh, por është e ndaluar. Por hap sytë: unë jam i fortë.  Dhe jam roja i fundit. Çdo sallë ka rojen e vet, njëri më i fuqishëm se tjetri. As unë nuk i bëj ballë të tretit". Fshatari nuk e priste këtë lloj vështërsie. Ligji duhet të jetë i lirë që të hyjë brenda cilido, në çdo rast, mendon, po duke parë mirë rojen veshur me gëzof, me hundën e madhe me majë, mjekrën e gjatë, të zezë prej tartari, bindet se është më mirë të presë derisa të marrë lejen për të hyrë. Roja i jep një stol dhe i thotë të ulet aty pranë derës. Ai ulet aty për ditë e për vite. Bën shumë përçapje që të pranohet brenda, e lodh rojen me lutjet e tij. Roja ngandonjëherë i bën pyetje, e pyet për fshatin e tij dhe për shumë gjëra të tjera, por janë pyetje pa rëndësi, ashtu siç bëjnë zotrinjtë; në fund i thotë se ende nuk mund ta lejojë që të hyjë. Njeriu i cili ishte përgaditur për atë rrugë duke marrë shumë gjëra me vete, bën përpjekje që ta thyejë rojtarin, duke i dhënë gjithçka, pa pyetur a janë gjërat me vlerë apo jo. Tjetri nuk zbraps asnjë dhuratë, por i thotë: " Po pranoj të më thuash se ke lënë pa provuar një mënyrë". Për vite e vite njeriu nuk resht së vështruari rojen. Harron të tjerët dhe i duket se është i pari pengesa e vetme për të hyrë tek Ligji. Vitet e para i mallkon me zë të lartë, pa marrë parasysh asgjë, fatin e tij të keq, pastaj kur plaket, flet me vete. Bëhet si fëmijë dhe pasi gjatë shumë viteve ka vrojtuar rojën dhe ia njeh edhe pleshtat e gëzofit, u lutet pleshtave që ta bindin rojtarin.  Më në fund, shikimi i dobësohet dhe ai nuk e di në i mungon drita, apo e gënjejnë sytë. Megjithatë në errësirë e dallon shkëlqimin që shpërthen nga Porta e Ligjit. Nuk i ka mbetur shumë kohë për të jetuar. Para vdekjes të gjitha ngjarjet e kohëve të fundit, të mbledhura në kokën e tij, shndërrohen në një pyetje, të cilën ende nuk ia ka drejtuar rojtarit. I bën një shenjë burrit, pasi nuk mund ta drejtojë më trupin e ngrirë. Roja duhet të përkulet, se tani ka shumë ndryshim trupi, në dëm të fshatarit. "Çfarë kërkon të dish më? E pyeti rojtari. Je i pangopur", nëse të gjithë synojnë Ligjin, thotë njeriu, - si është puna që gjatë këtyre viteve, askush përveç meje, nuk ka kërkuar të hyjë brenda". Rojtari e sheh se burri është në fund të jetës dhe ai që ta kuptojë i ulërin në veshin, tashmë të mbyllur. "Këtu nuk mund të hynte askush, se kjo derë ishte caktuar për ty. Tani po largohem dhe po e mbyll".






Tuesday, May 27, 2025

Kujtim STOJKU: Pas gjurmëve të hijeve të nderit


Tregim

 

1 - Rrrënjët e ngritjes

 

Ai zbriti nga makina e sapo blerë me një valixhe plastike, një dosje kartoni nën sqetull dhe një buzëqeshje të hollë që të linte një ndijesi shqetësuese.

Mutand Durani, ishte një burrë i gjatë, me një bark të fryrë që ia bënte të vështirë të lidhte këpucët pa u djersitur, mbante syze me xhama të trasha që fshehnin një vështrim tinëzar dhe një kokë të madhe, sy të shqyer që dukej si një kokë kau, e cila në vëshrimin e parë dukej se mbante  gjithë djallëzinë që nuk ia nxinte zemra. Në atë fëtyrë të kuqerremtë ku mesa dukej alkooli kishte lënë gjurmët e veta, nuk kishte asgjë të qartë veçse një hije që dukej se i vinte nga brenda dhe e ndiqte çdo hap.

Kjo hije ishte një makth i vërtetë për të sepse i kishte prishur gjumin dhe shihte ëndërra të frikshme. Megjithatë, këto shqetësime i harronte duke menduar për pozicionin e ri të punës që kishte marrë në qytet. Këtë pozicion ai nuk e kishte fituar me mund, por e kishte marrë falë ndërhyrjes së një krahu të fuqishëm politik, i cili i kishte hapur rrugën përmes ndikimit dhe lidhjeve. Ky krah i fuqishëm që e kishte ndihmuar nuk kishte nevojë të dinte se kush ishin këta, mjafton të ishin ushtarë të bindur, jo profesionistë. Kjo i mjaftonte dhe e linte në qetësi. Ana e pëgaditjes prefosionale ishte ku thërret qameti, kishte një gjuhë vulgare dhe kur fliste sikur i hante fjalët se nuk i shqiptonte të plota. I gjithë fjalori i tij ishte bullizimi dhe shantazhi, gjë që donte tregonte se sa i fuqishëm ishte.

Kishte filluar punë si oficer dogane, por shumë shpejt, me manovra të heshtura dhe përkulje të ulta ndaj eprorëve, u ngjit lart. Ai nuk dallohej për aftësi, por për bindje dhe nënshtrim. Ishte i etur për pushtet dhe donte t’u bëhej i dobishëm atyre që kishin nevojë për një njeri të verbër e të zellshëm.

 

2 - Njeriu që s’duhej

 

Në institucionin ku Mutandi kishte filluar të ngjitej, emri i Mentorit përhapej me peshën e një reputacioni që nuk linte njeri indiferent. Ai emër nuk e linte Mutandin të qetë. Mentor Dema ishte një oficer i vjetër, me mbi dyzet vjet përvojë, titulluar për “Master në Siguri dhe Rend Publik”. Një njeri që fliste pak, por thoshte shumë. Respektohej në heshtje edhe nga ata që nuk kishin simpati për të. Emri i tij tingëllonte nëpër korridore me një jehonë të veçantë, ishte një zë i kthjellët në një vend ku baltosja kishte kohë që sundonte.

Përballë këtij modeli të qetë dhe të ndershëm, Mutandi ndjente sikur i mpiheshin gjymtyrët. Ai vetë nuk kishte as dije dhe as përvojë, por kishte nevojë të dukej i rëndësishëm. Dhe kështu si një gjarpër filloi të derdhte helm gjithandej. Në fillim e filloi me fjalë të vogla, të thëna me zë të ulët, nëpër korridore dhe kafene. Keto thashetheme që fliste lart e poshtë, e vishnin Mentorin me një hije dyshimi. Ai vepronte tamam si gjarpëri që nuk të ha por të kafshon tinëz. 

Një ditë shefit i tha:

 

“Ky Mentori ka kohë që nuk përputhet me drejtimin e ri të institucionit. Ka ide të vjetra. E dini ju se ç’thonë për të”? Zëri i tij dilte i përvuajtur dukej sikur kishte një mundim të madh. Por në fakt ishte krejt e kundërta për këto që thoshte ai. Mentori nga njëra anë mishëronte ndershmërinë, dijen dhe autoritetin natyror, cilësi këto që Mutandit i mungonin dhe prandaj i urrente në heshtje ķëto veti.

Eprorët në fillim nuk e besuan, por pak nga pak nëpër mendje filluan t’u qarkullonin dyshime. Dhe Mutandi këmbëngulte, me këmbënguljen e atij që s’ka ç’të humbasë.

Dhe pikërisht këtu lindi xhelozia. Në fillim si një ndijesi e lehtë, por që shumë shpejt u kthye në një urrejtie të papërmbajtur. Çdo fjalë e mirë që flitej për Mentorin ishte si një thumb që i ngulej në mish. Ai i ngjasonte gjarpërit që e mban helmin në bisht, ishte një shpirtlig që s’e duronte dritën, filloi të derdhte helm me metodën që dinte mjaft mirë: shpifjen, dyshimin, thshethemet.

Të gjithë këto insinuata dhe gënjeshtra kishin një qëllim, dhe ky qëllim ishte i qartë: të nxirrte Mentorin nga loja. Jo se kishte bërë diçka të keqe por se ishte i mirë dhe trembej se mos  atij i nxirrte probleme.

 

3 - Zjarr i heshtur

 

 Ditët e Mutandit kalonin ngadalë, të mbytura në zili dhe vëzhgim të sëmurë. Në zyrën e tij me perde të zverdhura dhe dosje të pluhurosura, përpiqej të shpërqëndrohej me mendimet që i jepnin një farë kënaqësie të sëmurë. Ndonjëherë përfytyronte skena intime dashurie, por realiteti i trupit të tij me barkun e madh e përplaste me dhembje në tokë.

Kur shikonte barkun e fryrë dhe të varur deri tek gjunjët, e përfshinte dyshimi. E dinte se në atë gjendje që ishte nuk mund të bënte dashuri. Eh, sa raste i kishin rrëshqitur nga duart, gra që i ishin afruar me kureshtje, por që largoheshin menjëherë, si të ndjenin gjënë e gabuar. Por kur mendonte për paratë dhe pushtetin, ndjenja e zbrazëtisë zbehej. I largohej si nëpër mjegull.

Atëherë fëtyra e tij ndryshonte. Çehrja i nxinte, sytë i ftoheshin, dhe në pasqyrën e zyrës shihte një bishë që mbante kollare. Ishte ai, njeriu që nuk dinte si të dashuronte, por që kishte mësuar të urrejë.

Në heshtjen e atyre mureve, zjarri i tij i heshtur digjte pa flakë, por me tym që helmonte gjithçka përreth.

 

4 - Transferimi

 

Mentori e kishte ndjerë prej kohësh se diçka po gatuhej pas shpinës së tij. Dokumente që zhdukeshin, akuza që qarkullonin  nën zë, vështrime të ftohta nga kolegë që dikur i kishin buzëqeshur. Dhe në qendër s’kishte asgjë tjetër por vetëm rrjeta të heshtura thashethemesh dhe intrigash, ishte ai – Mutand Durani.

Një mëngjes i zakonshëm u kthye në përballje. U thirr në zyrën e shefit të institucionit. Tryeza e gjatë, ajri i rëndë, dhe fëtyra e akullt e titullarit që nuk ngrinte sytë nga dosja para tij. Kur i foli zëri ishte i thatë:

- Kemi disa shqetësime… mbi mënyrën e menaxhimit të informacionit në sektorin tuaj…

Mentori nuk e ndërpreu. E la të fliste deri në fund. Pastaj, me qetësinë që e karakterizonte, u ngrit e tha:

- Një oficer si ju, me përvojë, nuk ka pse beson fjalët që flet ai. Ju duhet të kërkoni prova, fakte. Kjo është gjuha e një oficeri të vërtetë, dhe jo pallavrat e një njeriu veshur me uniformë që kundërmojnë erë gjirizi nga larg.

Shefi ngriti sytë. Për një çast u ndal. Një thërrime dyshimi u duk në vështrimin e tij, por procedura kishte marrê rrugën e vet. Vendimi për transferim ishte marrë.

Mentori doli nga zyra me hapat e një njeriu që nuk mban më shumë se të vërtetën mbi supe.

 

5 - Dritë në errësirë


Në sektorin e ri, larg syve të keqdashësve, Mentori nisi të shkëlqente vërtetë. Botonte artikuj shkencor, merrte pjesë në konferenca dhe fitonte respektin e komunitetit akademik. Emri i tij përmendej me nder dhe vlerësim, ndërsa ai vetë qëndronte i përkushtuar në punën e tij.

Ndërkohë, Mutandi vazhdonte të fërgëllonte nga inati. Kur dëgjonte për sukseset e ish vartësit të tij, sytë nën xhamat optik të syzeve shkëlqenin, dhe balli i madh nxihej nga  zemërimi duke murmëritur nëpër dhëmbë me përçmim, “Po të ishte kaq i mençur, nuk do të rrinte dyzet vjet në atë pozitë”.

Por fjalët nuk ishin më veçse një stuhi që s’mund ta rrëzonin kështjellën e vërtetësisë dhe ndershmërisë që mbante  Mentori. Ai e dinte se përtej çdo errësire, një dritë nuk shuhet kurrë.

 

6 - Rënia 

 

Një ditë, një emission investigative hodhi dritë mbi një skemë të madhe kontrabande që po përhapej në hije. Dokumentet e publikuara përmbanin emrin e Mutandit të përmendur qartë, si një nga aktorët kryesor të këtij rrjeti. Ministria u detyrua të thërriste një mbledhje urgjente me drejtuesit e lartë të institucionit. 

Ndryshe nga më parë, në atë mbledhje u ftua edhe Mentori.

Ai hyri me qetësi në sallë, me një dosje të rëndë nën sqetull. E hapi me dorë të sigurtë dhe mbi tryezë vendosi prova të pakundërshtueshme, dëshmi, shënime, kopje dokumentash se çfarë kishte ndodhur.

Ai nuk akuzoi, por thjeshtë vetëm tregoi. Fjalët e tij ishin si drita në errësirë, dhe askush nuk mund t’i mohonte.

 

Mentori dol inga godina me një qetësi që vinte nga bindja për drejtësi. Nderi i tij ishte i paprekshëm, i pandotur nga era e gjirizit që kishte mbushur korridoret më parë. Ndërsa Mutandi, qëndronte i vetëm në zyrën e tij bosh, për herë të parë pa heshtjen që i vinte nga brenda vetes, kjo ishte një heshtje që çmimin e kishte shumë të rëndë...

 

Tiranë 27.05.2025