
Njeriu e ka gjetur një rrugë, ku shumëçka vetasgjësohet. Dhe ky krematorium është harresa. I bën mirë harresa njeriut? Përgjigjen shkencore ua lë specialistëve. Ndërsa unë të flas miqësisht.
Pse, çfarë e di veten ti, e di ndryshe nga të tjerët?! Për mua një makinë e gjallë është njeriu. Dhe kjo makinë e gjallë, që prodhon lëvizje, mendim, fjalë, sekrecione, kollitje, krime të përbindshme, ka skapamentot e saj për të shkarkuar fëlliqësitë fiziologjike, por jo pisllëkun shpirtëror. Apo ngaqë nuk shihet me sy, pandeh se çfarë është e kalbshme, kalbet menjëherë, prandaj nuk kemi përse të alarmohemi.
Gabohesh. Repartit të kalbjes në varreza, i paraprin këtej reparti i ndotjes. Asnjë cikël nuk mund të mbyllet ndokund, nëse nuk ka filluar diku tjetër.
Të ndalemi pak këtu.
Nga pandeh, zotrote, se i vjen ndotja njerëzimit? Në krahasim me fajet që përfundojnë në gjykatë, ndotja më e madhe i vjen nga fajësitë që kurrë nuk paditen. Nuk paditen sepse fshihen. Dhe për nga përhapja, këta janë shumëfish në numër.
Pa qenë prift as unë e as ti, çdo figurë krimi mbart edhe kuptimin religjioz, atë të mëkatit e të mëkatarit. Dhe ky kuptim na zbret në burim. E pyeti Zoti dikur Adamin, përse e hëngre mollën e ndaluar? Më tha Eva. E pyeti Zoti atëherë Evën, përse e hëngre mollën? Më tha gjarpri. Kaq iu desh Hyjit që të vinte në provë dobësinë e krijesës së vet. As burri, as gruaja nuk e kthyen gishtin nga vetja, por nga tjetërkush. A thua qysh atëherë njeriut nuk i pëlqen të mbajë përgjegjësi?!.. Nuk jam i sigurt, me përjashtim të një urtësie: Kur hyn ujku në vathë, mbyt disa dele njëherësh, megjithëse për të ngrënë vetëm njëra i mjafton.
Tani është radha jote të flasësh. E fol pra. Sepse njeriu e ka të vështirë të merret vesh edhe me veten, e jo më me tjetrin. Aq më tepër që e vërteta nuk mjaftohet kurrë me një përgjigje të vetme, pasi çfarë ka cak është e cekët.
0 comments:
Post a Comment