Monday, May 6, 2024

"Vargje poetike dehëse" Cikël poetik nga Kujtim STOJKU

 AH, KËTO SHQIPONJAT

Kur i shoh shqiponjat që fluturojnë deri në re,
Për një kohë të gjatë për ta mendova,
Për këta shpend qiellor kuptova kaq shumë,
Ata nuk prekin askënd por fluturojnë e fluturjonë.
Ata jetojnë mbi male dhe majë shkëmbinjsh,
Shumë të afërt me ujërat janë,
Duke menduar gjatë për shqiponjat zhytur n`meditim,
Nuk e di pse me mizat ata i ngatërroja,
Kur më dëgjuan kështu të flisja,
Më thanë:
"Zhduku tutje mor budalla"…


SHIU I NATËS
Tek dëgjoja melodinë e pikave të shiut,
Fillova të dremis ëndërra duke parë,
Kur ndjeva erën e ftohtë gjaku sa s`më ngriu,
Retë derdhnin miliona pika,
Era i fryu n`dritaren time,
E xhamat e saj,
M`dukeshin se ishin duke qarë...

ERA E GËNJESHTRËS
Gënjeshtrës të gjithë ia dëgjojmë aromën,
Sot ajo ka ditën e saj,
Ajo është e paqartë dhe e pakapshme,
Këto gënjeshtra të bardha janë kaq të shenjta,
Shpëtimtare dhe të pavëmendëshme,
Sa në terr të zi zhytet e vërteta.
Gënjeshtrat na duken të shenjta dhe shpëtimtare,
Pavarësisht se janë të larta apo të ulëta,
Kur ato ndërthuren sjellin një kompromis t`shkëlqyer,
Duke na e mbrojtur atdheun tonë të shenjtë,
Me rrena kaq fisnike që për çudi ne na duken të vërteta,
Por kjo është një erë e qelbur sa të gjithë hundët i zënë,
S`e besojnë se ishte kaq e sëmurë, e prandaj u qelb gënjeshtra…


MESAZHI I KËNGËS SIME

Mesazhi i këngës sime është mjelë nga realiteti,
Atij unë s`i jam shmangur por jam ndeshur ballë për ballë,
Askush s`e mendoi se një lule n`këtë pranverë do t`lëshojë helmin,
N`mes luleve të tjera që kanë filluar të çelin është më e bukura,
E për çudi t`i merr mendët me bukurinë e saj.
Me ligjet e natyrës kjo lule është madhështore,
Dhe n`vendin tim kënaqen nga fundi në majë,
Këtë aromë vdekjeprurëse të tjerëve ua çonte,
Lulet e tjera i plagosi duke u krekosur me bukurinë e saj.
Por unë si rebel i mendimit,
Këtyre dhëmbëve helmues u shmangem,
Strofat këngës s`ia prishin melodinë,
E vërteta n`çdo gjurmë po shfaqet,
Por aromën e pranverës kurrë s`mund ta prishin,
Me kafshimin helmues si gjarpëri duke u përdridh`...


GUR I RRAHUR NGA DIELLI
Rruga e diellit trajektore harkore,
Zhuzhakët dalin nga skutat dhe ngjiten gurit të rrahur nga ai,
Njollë e errët me lagështirë mbuluar me myk,
Thirrjet e grerëzave janë të çjerra, përshkojnë ajrin,
Çirren e çirren kërkojnë t’u përgjigjesh me nderim,
Male perpindikulare me drejtim për në qiell.
Mijëra larva të bardha t’ngjitura psa fijeve të mykut,
Shëmbëllim i tjerrjes së fijeve të qelqit,
Botë kandrrash të bardha,
Akrepë kamikazë në mbretërinë e xixëllonjave,
Errësira me dritën afrohet në një pikë,
S’arrin të prishë melodinë e këngëve të tona.
Dhe t’gjitha këto larva e insekte,
Janë t’neveritshëm në gurin e rrahur nga dielli,
Bishat gajasen së qeshuri, prej floriri u duken dhëmbët,
Gjarpërinj që zgjaten e zgjaten pambarim,
Kacabuna që predikojnë në mbretërinë e tyre,
Na gudulisin me mustaqet e tyre të ftohta papushim.
N’pemë disa fruta kalben pa u pjekur,
Prej degësh këto kokrra para kohe pikojnë,
N’fytyrat tona zhduken rrudhat kur jemi duke qeshur,
Nata çoroditet prej zërash burrëror, valë - valë dallgëzohet,
Përqafimi i jetës mbyll sytë nën përkdheljet femrore,
Mbi krah ëngjëjsh udhëtojmë dhe vetëm udhëtojmë.


MELODI E PADËGJUAR
Çiftelisë së vjetër,
Telat i janë këputur,
Melodia jonë ka mbaruar,
Kënga s`pushon vazhdon të këndohet,
Askund pa u regjistruar...

ROMANCË PRANVERORE
Përmes degëve të pjeshkës,
E pashë se erdh` pranëvera,
Veshur e gjitha me fustan trëndafili,
Diku në ajër tinguj shpërndante era,
Romanca filloi të shpërthejë…

0 comments:

Post a Comment