Monday, May 6, 2024

Syhejl HAVOLLI : CIKLI POETIK TINGUJ PRANVEROR

 SYTË JANË DASHURI


Sytë janë dashuri
të lodhur pa gjumë
Buzët janë dashuri
që djegin pa këngë
Duart janë dashuri
që mbetën në gji
Lotët janë dashuri
që shkëlqejnë aq shumë
Tatuazh hieroglifesh
që s’shuhen përjetë
Një zog i vetmuar
që shkon nëpër shi
Duart janë dashuri
që mbetën në gji
Nata është për dashurinë
Në derë një e trokitur.

MIDIS PRITJES DHE PREMTIMIT
Në urën me perla qëndisur
Shpirti poetik vargje krijon
Imagjinata e tyre
Përshëndetje shpirti dhuron
Dielli i dashurisë mbi supet flakëron
Ti je dhe do të mbetesh
Inspirim për dashuri
Në mes gëzimit dhe pritjes
Bashkon dashnorët
Me shikimin e parë
Një yll shkëlqen
Në rrjedhën e lumit
Rrëfen historinë e dashurisë.

ORA E DASHURISË
Ora e parë e dashurisë
Fillon si ëmbëlsirë në gjuhë
Si luleshtrydhe buzëve
Shpejto
O Lumja e Dëshirës
Dua të të çoj përtej imagjinatës
Në një orë mahnitëse
Të arrijë më shpejt se era
Në shtratin e ëndrrave të ngrohta
Gjethet e kurorës vallëzojnë
Si yje rreth Hanës
Duke kënduar serenadë.

JEHONA E FYELLIT
Po përpiqem t’i bie trup zabelit
E të mos i shoh delet kokëulur
Qengjat duke qarë
Kur i shikoj sytë e tu të blertë
Dimri më bëhet pranverë
Po si ta gjej shtegun
A s’më thua
Bareshë e deleve
Kam një dëshirë të madhe
Të përgjërohem
Këndej bregut të amshimit
Mos i bjer fyellit
Tek ai gur mbi krye
Pushon shoqja jonë bareshë
Kur dëgjon jehonën e fyellit
Mërzitet shumë.
Një përqafim në zemër
Sa një det i pafund.

NATA MË FAL DASHURI
Në gjirin e Hanës virgjër
Dua të thith lëngun e dashurisë
Yjet qeshin gëzohen shumë
Një legjendë ngjallet
Si ylli në qiell të errët
Të flas nuk ka kohë
Fluturon si një shpirt i lirë
Koha gërshet tingujsh
Gjithnjë nëpër dej jehon
Kam etje
Dita më bën hile
Nata më fal dashuri.

NË KOPSHTIN E DASHURISË
Në kopsht të pres, eja
Ditën me buzëqeshje
Natën me ledhatime
Çdo lule ka emër
Sy e faqe shtat qiparis
Jam aty
Të kujtohet, emrin dashuri
E kemi gdhendur në pemën e vjetër
Dua të zhytemi si atëherë
Në kujtime, ëndrra dhe realitet
Në gjumë, kur sytë mbyllur i ke
Në kopsht do jem yll që ndriçon
Në nënkresë natën
Në prehër ditën
Të ledhatoj në kopshtin e dashurisë.

SKAMNORI I VUAJTUR
Bukën e hante me lot në sy
Tek një shkretëtirë e diellit
Vuante në jetë
Si detar në bregun e detit
Me djersën e ballit fitonte bukën e gojës
Posi minatori që provon
Të dalë në dritën me diell
Jetonte në mjerim
Posi shpendi i lirë
Në kafazin e bilbilit të robëruar.

0 comments:

Post a Comment