Wednesday, May 1, 2024

Rami KAMBERI: Cikël poetik

 STUHI MBI, TETOVË...

Stuhi mbi Tetovë, shi e breshër, pritet të bie
Qielli mbulohet me mjegulla, dielli, po dredhon
Aurora e tradhtisë, lumit të jetëve u bën hije
Nepërka e uritur, me inate, truallin po e kafshon
Janë trazuar dhe hienat, kameleonët, kërkojnë ngjyrë
Sheshit dhe udhëve zhurmojnë, si krrokat e korbit
Si hijet e kobshme, prej dheut atdhe na kërkon fytyrë
Kobziu i moteve, pjella e djallit, me shpirtin e robit
Stuhi mbi Tetovë, shi e breshër, pritet të bie
Vrojtojnë sytë e malit, kah lundron uji i Vardarit
Vijës dredharake, aurora tradhti, ku bën hije
Mbi shikimet atdhe, pikturuar, syve, të shqiptarit.

KUR TË IKI, NGA KJO JETË...
Mos m’i prekni, plagët
Le të mbeten, rrëkaja nëpër dhe
Palcë e gurit le të lagët
Ta kem nishan, për emrin Atdhe
Lagur nga tri dete, mbetur, paemër
Mileniumeve trazuar, nga stuhitë, tinëzare
I goditur, nga rrufetë, mu në zemër
Si luftëtarët fushëbetejave, heronj pa varre
Mos m’i prekni, plagët
Le të mbeten, dëshmi e ardhmërisë
Palcë e gurit le të lagët
Ta kem si këngë, për truallin e Ilirisë.

TË ËMBLA, JANË...
Fjalët e shqipes të ëmbla janë
Udhëve të jetës, mësuar, nga nëna
Ngjyrë tambli, të gjinjve kanë
E flasin, rrezet e diellit, yjet e hëna
Janë fjalë, nga shkuli i tokës, të dala
Që kur me jetë, Zoti, na bekoi mbi këtë dhe
Shqip kemi folur, që kur u lind, fjala
Dashuri e me dashuri e lindëm, fjalën atdhe
Fjalët e shqipes të ëmbla janë
Jetës, mësuar i kemi, nga dashuria
Ngjyrë tambli, të gjinjve kanë
Të nënave tona, ku kalitet krenaria.

ME DEKADA, NA PËRZIHEN FJALËT...
Me dekada na përzihen fjalët, ende zhurmojmë
Po e kafshojmë kohën, sikur kanibalët me inate
Zgjedhje apo zgjidhje, s’dimë, se çka kërkojmë
Prej errësirës së territ, të ndritë dielli si yje nate
Sikur duam me djajtë, Shqipërinë ta bashkojmë
Para po na prijnë kokat e dala, nga barku i robërisë
Me grada e nishane me medaljone, në emër, të lirisë
Na vijnë e na vijnë, si çlirimtarët, tokës së Arbërisë
Duke na i valëvitur ca flamuj, me ngjyra të tradhtisë
Ne, ca marrim ikjen e ca, sytë i mbyllim, para urisë
Ata përplasen mes vete, sy më sy duke u shikuar
Kush janë tradhtarë e kush atdhetarë, zhurmojnë
Mes shesheve, gishtat i drejtojnë, sikur të hutuar
Ca andej e ca këndej, si të marrët po na kërkojnë
Trokasin derë më derë, shqiptarë, ku keni shkuar.

EMËR E MBIEMËR, KANË TRADHTARËT...
E di, emër e mbiemër kanë tradhtarët
Mes e përmes Atdheut, neve ku po na koten sytë
Nishanet i kanë, balleve, janë të parët
Mes nesh, thirren, si dasmorët e Nëntorit të Dytë
Burojnë nga shtjellat, dhe po lundrojnë, nën tokë
Dridhemi kur i shohim, frikësohemi, kur na shikojnë
I frikësojnë atdhetarët, u ndajnë plumba për kokë
Me tre germa i kanë emrat, mbiemrat, sikur liria jonë
Po përdridhen, nyje lidhen, si gjarpërinjtë në tokë
Dridhen para syve atdhetarë, dhe pinjollët i trishtojnë
Shtrydhen e shtrydhen, mes vetes, kërkojnë shokë
Mes ngjyrës së trazuar, yjet me të verdh t’i pikturojnë
E di, emër e mbiemër kanë tradhtarët
Me hijet e tradhtisë, sikur flamur na u valëviten
Nishane kanë balleve na ishin të parët
Mes nesh s’janë lindur, por mes nesh po kaliten.


NA KA HARLISUR, KY MOT...
Sot sytë i kemi të verbuar
Bardhë e zi, shohim, s’dimë, çka shikojmë
Veshët na janë shurdhuar
As krrokat e korbave, s’dimë, si i dëgjojmë
Robëria dhe tirania, na duken, sikur pirgu i lirisë
Bukë e kripë mbi sofër i shohim si diamante e ar
Ecim jerm, andej, nga vijnë thirrjet prej tradhtisë
Pas jehonave dredharake me shekuj duke na vrar’
Sot sytë i kemi të verbuar
Çka shikojmë, s’dimë, na ka harlisur, ky mot
Veshët na janë shurdhuar
S’dëgjojmë si po tradhtohemi nga dikush sot.


KARSHI, ARBËRISË...
Sot nëpër trojet e mia
Në do të jesh, gjithmonë, fitimtarë
Shndërrohu si tradhtia
Si mjegullina e syve, për shqiptarë
Rigo shi e borë e dredho, nëpër stuhi
Ditën bëje natë e natën bëje ditë, si djalli
Si nepërkat zvarritu, nëpër zjarre e hi
Puthe dhe kafsho tokën, të të shndrit balli
Si dielli dil, nga rretë me ngjyrën, gri
Sot nëpër trojet e mia
Në do të jesh, flamurtari i shqiptarisë
Shndërrohu si tradhtia
Si mjegullina e syve, karshi, Arbërisë.

PËR POEZITË, NGA SHPIRTI TË DALA...
Kam qenë si rreze e diellit mbi re
Hyjnor mes hyjnorëve, qielli i malësisë
Si zjarri nga shkuli tokës për rrufe
Kënga më e bukur, ndër tela, të çiftelisë
Libri m’i bukur, për poezitë nga shpirti të dala
Dheshkronja e Jetëshkronja, për të parët e Ilirisë
Kanuni mes plisave, ku për bese na lidhet fjala
Odeoni i krenarive, gurra e lumturisë e dashurisë
Lapidari i lavdisë, ku na lulëzojnë lulet e gjalla
Si engjëjt e legjendave, të bekuara prej Perëndisë
Kam qenë rreze dielli mbetur mbi re
Hyjnor mes hyjnorëve, për malësinë qiell
Zjarr i tokës, flakë shqipesh për rrufe
Për tokën e pellazgëve, shndërruar si diell.


NËN TERRORIN, E TIRANISË...
Mes robërisë, e tradhtisë
Të lodhur jemi nga shpresa
Buka, po na mbetet në fyt, uji, na ngulfat
Dredhake, na del edhe besa
Na mashtrojnë e na pagëzon, njerëz pafat
Të harlisur, nga ata që na robërojnë, kërkojmë lirinë
Si qyqarët, turremi pas dredharakëve e pastaj pendohemi
Të harlisur, nga ata që na mashtrojnë e presim, lirinë
Si qyqarët, pyesim njeri-tjetrin, nga kush, po tradhtohemi
Të harlisur, fajësojmë, herë robërinë e herë tradhtinë
Si qyqarët, me shekuj presim ditën, kur do të bashkohemi
Mes robërisë, e tradhtisë
Të lodhur jemi nga shpresa
Mes tiranisë e robërisë, jemi, njerëz pafat
Dredhake, na del edhe besa
Jerm, luftojmë për liri, kur liria na ngulfat.


All reactio

0 comments:

Post a Comment