Tuesday, February 26, 2019

POEZI NGA YLLI GALINA



DASHURIA…


Kurrë nuk e dija, në mos rruga do përfundoj pas pak
e qielli s’do të kish hënë, nuk do shihej as dhe një yll,
natës pemët shushurijnë, muret shtojnë zhurmë mbytëse,
si profetë dalur nga policia, profetët prore nga uniformat
e kravatave dalur, nga hijet e valixheve.


Ndërgjegja, kjo geto, qimitere me normë përqindjeje
të zmadhuar nga elita me zëzëllimë insektesh në muzg.
Të dërgova foto, sikur s’po mbanë ison e vetes, të thashë
e dashuria që s’kthehet, nuk vdes kurrë. Ajo s’ikën dot
e ku po vete ti? Alarm po dridhet funddeti, mosss ikkk!
Dashuria që vjen, e shenjtëron secilën plagë të syve
të qymyrtë, të zemrës së katrantë, të fjalëve të shkruara
në ajër, petël lulesh, sqep zboraku, pupël dallandyshesh
të fundme në skaj bote.




GJETHET E GËSHTENJAVE TË PIKËLLUARA


Fati u davarit një herë e mirë, ky zjarri i botës që Zoti
ka krijuar gjithë ullinjtë e limonët e flakëve në mua
e t’më shqyejnë,- u dha kaq krah!



QENTË ENDACAKË


Është letër e madhe, sikush vë firmën në të dhe mbreti
rri i gëzuar që merr në fund reagimet e qytetarëve,
pa dashur të plotësojë gjë, së vëni nën kontroll ata.
“Më vunë pas prangave mamanë, kurse vajzë e vogël
që vjedh jam. Më veni prangat e në burg te mamaja
më hidhni, se gjithçmos vodha dhe e prapësive jam!”
Po kush bëhet merak, qentë endacakë e zurën keq
me dhëmbë e asgjë me rëndësi. Gazeta NACIONAL
vjell mjaltë për kombin, me sa nam të ulët faqet mbush
e sa despotik cinizmi me poezi, kritikë, brekë femrash!
Ikona biovale, trotuaret. Sa paranoja fashizmi që duan
vendin, kur muzika, filmat e dimension i katërt prapa,
magjepsin, por nacionalen mbështjellin me klitorin
e macjeve në bordel të lehjeve e, çap-çup, koloviten
plakaruqe idealet. O metal idiot, pill gjeni sekondash,
se na mori lumi këtë vend çatish të minjve me çapitje!
Si ky art i mizorive që mbetka bota, pa pelë të fundit
nën çezma lakuriqe të kurbatkës, aty të plitharit!


HARRESA ME SHTATË SHPIRTRA


Këto mjaullitje macjesh!... Një tufë ujqish po fshehin
ironinë e harresës me shtatë shpirtra.
Sonte orës 24 u rrokullis një dardhë nga dega lart,
por në çastin që qentë deshën ta hanë, u lemerisën,
kur nën atë qe fshehur e po shkundullonte rrobat
një vresht i zi, imam hata.




ME GEORG FRIEDRICH HENDEL E SARABANDAN E TIJ


Nuk kap fije shprese, po përmenda Parisin, por shoh veç
çarjen e dejve. As Vjena të përballojë lotët e gjetheve,
si është krimbur qetësia e ujit të Senës e fjalët mbi veten
s’di t’i them, sa të deh makthet, lule-makthet, më mirë.
E doja atë që nuk pranoi të ik nga jeta, kur frymë s’jep
pranvera, kaq larg ende! O sa dhemb dielli në perëndim!
Them, s’do mbes vend pa vajtur. Ku do vaj, nuk di ende.
S’do mbes, pa hapur portë, pa ngjitur shkallare, pa prekur
lulë me dorë. Vallë, mos nga poezia tradhtohet e vërteta?
Mos duan vlerë bote, këta që kombin s’lëshojnë nga piruni?
Mos, kur ikën kriza, njeriu mund të mbledh gjymtyrët e tija
dhe të rikomponoj nga e para etydin 1? Volumin qiellor
simfonisë që më shkul flokët e rrufeve?... Më erren sytë
para lumit, dridhma të drurit para meje shoh. Po më pi gota
e letrat nëpër duar më janë bërë mur, me ato do ngreh urën
më të gjatë në botë. Kohët e fundit po mendoj shpesh për…
atëherë kuptoj urat nga vjen dashuria me pelerinë vdekjeje,
prapë mendoj letrat që janë ajo pardesy e saj, më mirë kështu,
“shpresa me pardesy”, tingëllon sikur i thua mirëmëngjes ikjes
e atëherë zë e kap portat e para me duar, çudi, dejt e mi vërej
të qenkan dej nëpër dërrasa dyersh që po zë me duar!


ORKESTRA SIMFONIKE E VENDIT


Të jesh me sy, sa lumi të fortë që nxjerr ai gjithë ata lotë
e nuk shteron zemra e shpresa ime katran brenda tij.


TRILLIMI I MAQEDONISË


Bruksel, dita 11 e shkurtit, kanë ecur këtej disa nga vendi
ynë, po si bëhet? Se Zoti ka derdhur mbi shqiptarë
gjithë botën e instinktit maqedon. Dhe në Skopje luten
para minjve e kamionëve,- shqiptarë askund të mos ketë!
Madje që u panë duke ngrënë kingburgerë në periferi Londre
dy sish... do eliminuar. Soveto, 20 shkurt, regjistruan dy
njerëz, si unë, negër, ashtu si qe Bergen-Belzeni maqedon,-
i bardhë. E si blehet një pikturë nga kanavaca e vjetër
mbi masakrat, ku qenë, i kërkojmë me volunterë
shqiptarë të palodhur, si lulet e maskotat e gestapos.
Bruklin, 23 shkurt, miti i trëndafilit shfaqet i prapë!





MAQEDONIA


Shtet artificial mbi kurriz shqiptarësh. Rrëmbyen toka
dhe popull shqiptar. Jo, krim të tillë gjëkundi të takosh,
veç në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi e tek fashistët grekë.
Ou, luleshtrydhe, banana, ananas, makarona, karkalecë!
Të skuqura, të zgarës ose i zien, pastaj çkado që mbetet,
pasi ta zhdëpësh tmerr, ato t’i hekurosësh, si letra votash
dhe i hidh në kuti të votimeve!



SERBIA!


Poetët serbë futën këmbë bualli në gota të zotave sllavë
e pinë tinguj gjëmësh të faltoreve, përvetësuar si koka,
nga ky Komneniq, Qosiq, Mihajlloviç Mihiç… Kryqzi
së vëni në shkarpa të thara e mbi ulurima. Ti, kurvë,
s’ke shpëtuar- as shpirt dorëzash të humbura e brenda
këpucësh është ngrehur lëndina e sa magjish të harruara!
Vonë. Patriku i çmendur s’ka shpresë gri për natë sllave.



PATRIKU I NEUROPSIKIATRISË


Në fshatin tonë serbët me armë të tërbuara u futën
e vranë 8 gra, sa fëmijë, të rinj, pleq, sy të shuar,
gjinj prerë bartolemesh, fjalë deti mpiksur vesës!
Patriku tashmë kish dalur nga tualeti i neuropsikatrisë
e po kungonte mizat spirite të gjithë një pabotësie
që heret iku dhe lëndina. Iluzioni e realiteti, fshehur,
zbuluan, “shqiptarë qenkan,- zogjtë, bari, lumenjt”!
Ngulur këmbët e kallashëve, thikave mbi dritare
e mbi sqepa pëllumbash, por kuptuan se në Prishtinë
sollën gjithë korbat me autografe e laraskat nga Serbia!
Qielli u tërhoq, jargavani u vetëvra, si gri e hapur,
gri e errët e ngjyrë manushaqeje. Po kapërdinin zogjtë
e ikur, si kripti i kokës nga kripë e plehrave gjetur,
vaskë tualeti mbi kokë dhe tash patriku i të mjerëve.



ZEMËR E DETIT, MË KËRKO DHE CA MË SHUMË!


Lule dionea mbylli dy gjethet e forta mbi trup fluture,
lulemëngjesi më shqeu sytë, si orkide e egër, s’sheh gjë
e lulehëna vazhdon t’u kërkojë zotave të natës kumtin
e zi mbi mua. Plagët e mia, prej nga lindin lumenjtë
e kujtimeve që do brafullojnë gjithë bimët e reja,
mos harro, o Zot!


FLOKËT E QARJEVE TË SHIUT


Kur pranvera që nuk lindi kurrë, do gdhijë mbi mua,
do ketë mbaruar dhe blerimi i xerantemumeve të fundit
aty ngjitur lagune që po mbështjell britmat brenda vetes
me flokët e qarjeve të shiut
dhe po tërheq zvarrë trupin tim grirë
nga sqepat, thundrat…përkëdhelitë.




MBRETËRI E EGËR E LULEVE


Lulet, vera,- mbretëri që mbushi lehet me pleh martir,
yjeve e krimbave të shtogut sa shumë ju ranë çmimet!

Sunday, February 17, 2019

Prend BUZHALA: PORTA E THYER E REPUBLIKËS

Image may contain: 1 person, ocean, sky and outdoorÇast lirik), 17
Mbesa i tha gjyshit sot në mëngjes:
Gjysh, ma mëso Himnin e Republikës sonë,
ta recitoj përmendësh!
Gjyshi heshti pikëllueshëm.
Nipi i tha gjyshit:
gjysh, më ço te Porta e Madhe e Kosovës
ta shënoj emrin e dëshmorit që unë e dua.
Gjyshi heshti. Ato Porta të Mëdha nuk ekzistojnë.
Porta e Fundit një mbrëmje më parë tashmë ishte thyer.
Mbesa i tha gjyshit:
gjysh, eja shkojmë ta blejmë një tufë lulesh
për ta nderuar Republikën.
Kishte vetëm lule plastike.
Kujtimi i të rënëve nderohet me plastikë.
Nipi i tha gjyshit:
pse sivjet nuk na erdhi në shtëpi Mysafiri i Nderit.
(Mysafiri i Pikëlluar nuk gjeti portë të vinte...).
Nipi dhe mbesa u nisën.
Në dorë kishin çelësin për ta hapur Derën më të Rëndë.