Thursday, May 28, 2020

Shejmondë PACARDA: ROBËRUAR NË DASHURI


 (Pjesë e shkëputur nga libri në proces)

No description available.Një fluskë e hollë mengjesi kishte filluar të shperndahej horizontit . U shtriva në krevat edhe pse e ndjeja se nuk kisha pikë gjumi.
Sillesha vardallë në qelinë time pa arritur të gjej qetësi, natën e kalova me pak gjumë. Ndihesha tepër e rënduar sikur dënimi me 15 vjet burg i rëndë nuk më mjaftonte. I gjithë trupi po më topitej dhe ndjeja vetëm gjembat që therin dhe kafshonin brenda krahrorit. Nuk me kishte mbetur pikë gjaku në trup. Qelia më dukej edhe më e vogël, edhe më e errët se sot në mengjes. Zymtësia kishte kapërdirë gjithcka përreth dhe ndihesha sikur isha shtrirë në një dhomë ferri.
I vetmi shpëtim ishte ai.
Prisja çdo moment të hapej dera e qelisë, dhe ai të skalitej aty i buzëqeshur siç bënte çdo mëngjes. Më mungonte zëri i tij që cdo mëngjes më thoshte.
“Mirëmengjes Princeshë”. Ndoshta më bëri ta ndjej më afër si njeri nga që ashtu isha mësuar që t’më thërriste dhe babai “Princesha ime”. Oo, sa do të doja që ky gardian të më thërriste “princesha ime”, por me kuptimin e dashurisë. Shtrëngoja duart, mbaja vesh të dëgjoja hapat e tij në korridor, por as një shenjë e tij. Gjersa përpiqesha të frenoja atë furi ethesh nga meraku për të, në mendje më shkrepi një ide. Për një çast
harrova atë trishtim biruce qe kisha më parë, dhe me ndjenja ndryshe fillova të shkruaj një letër pa titull.
Po të shkruaj për dhimbjen E ZEMRES sime sot, dhe dua ta dishë se buzëgazi yt hapte dyert e mengjesit tim. Ti sillje freskun që sjell stina e pranverës kur hap dritaren dhe të mbush me jetë. Kam frikë ta them atë që ndjej në këto çaste, andaj të lutem më thuaj, çfarë është ky çast për ty, ky çast që mua më bën të kuptoj se tani u zgjova. Eshtë dashuri apo çmenduri. Paskam qenë e vdekur gjer tani. Isha aq afër mendjes dhe zemres suaj edhe pse se paskam kuptuar kurrë dhe atëherë kur isha e lirë. Këto çaste në burg më sollën diçka, diçka që nuk e sheh dot por e ndjen. Eshtë gjithandej, në gjithë trupin tim. Pastaj lodhem në pritje… Per nje fjalë nga ty. Nje fjalë të vetme e pres tash sa kohë… dhe ajo përgjigje s’degjohet…e ndjej tek të mbështillet e mbështillet nëpër gjuhë e nuk del dot. Sa gjatë e pres ta dëgjoj atë tingull të ëmbël që t’më shërojë zemrën e plagosur. Shpesh puth plagën e duarve nga prangat që m`i vure ti ditën kur më burgosët, por kjo plagë më solli dashurinë tënde. Edhe e robëruar pas grilave, por pranë teje qëndron forca e jetës sime. Mos harro, këtu gjeta dicka që e dua më shumë se lirinë, të gjeta ty dashuria ime. Zemra të zgjodhi ty dhe vullneti për jetë u ngjall. Gjithë çfarë kam besuar gjer tani, është kthyer në asgjë. Tani që s’të shoh më nuk di çfarë të mendoj apo të bëj, kam humbur rrugën. Andaj dua të shoh të të ndjej se je aty përtej portës së hekurt të qelisë sime. Mos harro, gjithë kjo kohë këtu mbyllur ishte një ëndërr e ëmbël. Drita e diellit ishte ne syte e tu...andaj mos humb… të dua përjetësisht, e jotja gjerë ne vdekje!
Ana
Lëshova lapsin, palosa letrën dhe e futa në zarf të cilin e mbylla për t’ia dhënë gardianes nesër. Shkruajta dhe emrin e tij, Mal Berisha, dhe e futa nën jastek sikur doja ta mbaja të fshehur më afër frymes sime.
Pastaj, hodha vështrimin nga dritarja e vogël për të kuptuar nëse ishte natë apo ditë.
Kisha frikë se dashuria e tij ishte si një pëlhurë dëbore e bardhë që shkrin sa çel e mbyll sytë, dhe ai as që do ta kuptonte se sa e dashuruar isha me të.
Të nesërmen ia dhashë letrën gardianes së re, Blertës, e cila më premtoi se do ia dorzojë direkt Malit në dorë. Dhe tani në pritje të një përgjigjie nga ai, vdisja e tëra në valë frike. Dhe këto valë frike po me vrisnin më shumë e më thellë në shpirt nga çasti në çast. Me lenin pa gjumë dhe me shpirtin e shqetësuar. Do luftoj me amullinë e shpirtit mendoja me vete. Do të luftoj edhe me errësirën dhe me ëndrrat e frikshme çdo natë. Këtu e vetme në këtë qeli ferri.
“Nuk e dij se ku është vendi im më! Cilës botë i takoj ?! Ndoshta nuk i përkas kësaj bote fare . Por edhe botës tjetër jo, se e vdekur ende nuk jam. Po qëndroj pezull mes horizontesh » mendova. « Më shpëto o Zot, nga e liga, nga çmenduria».
Vetem kur për pak çaste mendoja Malin, ndihesha sikur i kthehesha një bote reale. Larg nga dremitja. Shumë e shqetësuar por më e gjallë se kurrë. Me ndjenja tjera në trup. Ndjenja të zjarrta që më lenin netëve pa gjumë. « Vetem ta takoja dhe një herë , t’ia shpreh atë që ndjej për të, pastaj le të përmbyset dhe bota ». Por unë jam një vrasëse. Kam vrarë nje njeri . « A thua dashurohet kush me një vrasëse?» « O Zot! Më dihmo t`i luftoj këto ndjenja të zhurmshme në kokë».
Vetëm ta takoj dhe një herë, t’ia them atë që ndjej për të, pastaj të ndodhë çfarë të ndodhë. Ishte ky mendimi që s’më lente të qetë . Por si do te reagoj ai ?! A thua ndjen diçka për mua? M`u kujtuan çastet kur e takova për herë të parë : Pas vrasjes së përbindshit Beqo, ishte ai i pari që në heshtje m`i shtrëngoi duart dhe më tha: « Të lumtë, plumbi qante për të ». Pastaj admirimi nga veshtrimi i tij kur më sollën në burgun e sigurisë se lartë për femra.Takimi në sallën e ngrënies ditën që plasi sherri mes dy të burgosurave tjera, kur njëra përbiu lugën dhe ai përpiqej të merrte situatën në dorë. Isha unë që mora anën e tij dhe vetëm pasi qetësuam situatën u vështruam sy me sy. Dhe tani e ndjej, ishte ai shikimi i tij që më vrau, më gjunjëzoi dhe ndjeva një valë të ëmbël të më përshkojë trupin për herë të parë në jetë. Një valë ndryshe nga ajo valë hidhërimi që isha mësuar të më kaplojë çdo ditë.
« O Zot! Çfarë po ndodh me mua, po çmendem « ?! « Pse vetëm ai s’më hiqet nga mendja. E ndjej sikur koka po më shkeputet nga krahët .
I gjithë trupi më digjet.
« Je e dashuruar moj bijë, je e dashuruar » më bëhej sikur dëgjoja zërin e mamasë në dremitje.
« Dhe kjo është gjë e mirë moj bijë, është forca e jetës » me bëhej sikur sy mbyllur dëgjoja mamanë, por kur hapja sytë ajo s’ishte askund, zhdukej në gjysëm erresirën e qelisë që nuk zbardhte kurrë.
Kush e di sa netë kalova me dremitje dhe tortura të tilla, me kujtime të ëmbla dhe të hidhura nga e kaluara, Kush e di … ! Tani s’po arrija dot t`i numroja ditët as netët. Koha ishte ndalur në pikën e çmendurisë. Kur në mendje me sillej fytyra e tij, më lindëte një shkëndijë shprese që më mbante gjallë. Si shpëtim vështrimi i tij me sy qielli më sillte ngrohtësi ndjenjash, dhe kështu gjithmonë njësoj sa herë që më vinte në mendje më sillte çaste lumturie. Më digjte ballin, trupin. Më sillte fuqi për jetën, merrja forcë nga një buzëqeshje e tij, nga një shikim i tij, vdisja e tëra nga një fjalë e tij , nga prekja e dores se tij.
« Po çmendem mama, po çmendem… e tëra po çmendem… O Zot më ndihmo! « Klithja ndër dhëmbë duke shtrënguar kokën me dy duart.
15 vite ne këtë qeli të qelbur ! A thua do ta perballoj gjithë këtë fortunë vuajtiesh në mua, gjithë këtë torturë shpirti?
Gjerësa në mua vlonin gjithë keto mendime, nga pas dëgjova derën e qelisë të hapej.
Ktheva koken dhe pashë Malin me buzëqeshjen e tij tek më afrohej. Sikur më vdiqën këmbët…Ai nuk foli por, pa m`i ndarë sytë m`i mori duart e m`i shtrëngoi. Unë nuk e kundërshtova, lejova që shikimet tona të thyheshin mes nesh. Ishte ai shikimi i zjarrtë që me digjte për kaq kohë tashmë dhe, nuk shuhej dot.
« Si ndihesh »  më foli me nje zë të ulët sa mezi e dëgjova .
« E burgosur »   ia ktheva unë
« E robruar » vazhdova pastaj dhe, me veshtrimin tim doja që ai ta kuptonte se isha e burgosur në vështrimin e tij , në dashurinë e tij…e robruara e tij.
«Të jesh e fortë » më pëshperiti ai sikur s’po i kuptonte ndjenjat e mija. «15 vite burgim i rendë» ,  theksoi ndër dhëmbë, sikur ndjente dhimbje , pastaj vazhdoi:
« Të marrët , si s’ju vjen turp kur e dinë se ç’farë njeriu i dhunshum ishte ai, i krisur…» dhe ofshau përsëri :
« Maskarenjtë».
Nga pamja e jashtme mundohesha të jem e qetë para tij, duke u perpjekur t`i mposhtia ndjenjat e dashurisë për të që më gufonin. Zemra më rrihte fort dhe herë pas here e kuqja me vërshonte fytyrës.
« E mora letrën tënde » më foli ai pastaj, dhe m`i shtrengoi duart.
Unë e vështrova m`u në bebzën e syrit dhe ia prita:
« Pra e paske kuptuar që këtu në burg gjeta diçka më të shtrenjet se lirinë, ? » mora guximin dhe e pyeta. Pastaj, me veshtrim prita përgjigjejen e tij dhe e kuptova se ai nuk po i gjente fjalët e duhura për të m`u pergjigjur.
« Këtu të gjeta ty, gjeta dashurinë, dhe s’me vjen keq për dënimin e rëndë fare » thashë unë shumë e vendosur dhe ato ndjenjat që më luftonin në trup sikur shpërthyen. Fillova të marr frymë lirshëm.
Ai më zuri për krahësh dhe me vështrimin e thepisur në mua, foli i qetë:
« Atje do të ishim më të lumtur » veshtrimin që e
hodhi drej dritares së vogël, më bëri të kuptoj se mendonte në liri, jashte grilave të burgut.
Unë nuk fola por prisja qe ai të vazhdonte. Edhe pse në mendje më sillej mendimi se ndoshta atje s‘do ta takoja fare.
« Nuk mund të jetoj pa ty » shpertheu ai dhe më mori në krahror. "Pa ty, atje jashtë nuk ka jetë " theksoi ai me buzën që i dridhej si në vaj. " Lumturia ime eshte vetëm pranë teje", vazdoi ai po me ate zë të dridhur duke më shtrënguar dhe përqafuar me plot afsh. Pastaj m`u shkoqit nga krahët dhe me vështrimin perkdhelës vazdoi të fliste.
« Ti më magjeps dhe, këtë zjarr që ke ndez në zemrën time s’mund ta shuaj me asgjë, andaj të lutem martohu me mua « dhe si tha keto fjalë u ul në njerin gju duke m`i shtrënguar duart, më përkdheli me nje shikim lutës dhe më shumë admirues.
Unë u stepa, ngela pa fjalë, e humbur nga që se kisha pritur një gjë të tillë, të paktën jo tani! Ishte diçka që kisha pasur frikë dhe ta ëndrroja… » çfarë ndjenje » mendova me vete . « ta bësh tjetrin të të dashurojë në heshtje»! …
« Martohu me mua » përsëriti ai sërish fjalët sikur donte të ma kujtonte se ishte aty ende në pritje, e jo në ëndërr.
Mua më rrodhen dy lot dhe ashtu e stepur nuk kisha zë për t’ju prgjigjur.
« Do të të pres … » dhe veshtrimi i tij lutës dhe i zjarrtë më kishte kapluar dhe nuk arrija t’i shkoqitesha atyre dallgëve të zjarrta që më kishin kapluar. Nuk e kuptoja nëse fjalët « do të pres" nënkuptonin se do më priste i përkulur gjerësa t’i jepja pergjigjëjen që ai kërkonte, apo, do të pres gjersa të mbaroj denimin »!
Unë e tërhoqa nga duart dhe e ngrita në këmbë, dhe me lotët qe më rrodhën ia qullosa faqet e tij. Duke e shtrënguar fort mezi arrita t`i pëshpëris pranë veshit të tij « PO » dhe u shkriva e tëra në përqafimin e tij. Ndjenja të paqarta më kishin ngërthyer dhe më shtypnin në brendi, për dallim nga ato qe më kishin percjellur gjatë gjithë jetës këto ishin ndjenja të ëmbla.
Ai më mori në krahë të tërën i lumtur nga përgjigjia ime vershoi me të puthura, duke më shtrenguar gishtrinjtë e tij humbën në flokët e mi.
Qelia ime gjysmë e errët që kundërmonte erë myku dhe ferri më parë, tani m`u duk një vend i përkryer që fjalët e tij binin si lule parajse para syve të mi. Të shtrënguar u ulëm në dyshekun me gunga dhe pas çdo puqitje buzësh dëgjoja pëshpëritjet e tij që i buronin nga zemra « të dua, të dua të dua princesha ime »…
Zemra m`u bë mal dhe ndjeva se ky ishte ai çasti i frikshëm që s’guxoja ta ëndrroja kurrë. Më vinte të klithja , të shpërtheja me atë zë të ndryshkur skutave të shpirtit që s’degjohet nga të tjerët, por ndihet në brendinë time në ç’do ind.
U zgjua, hapi derën e zhurmshme prej çeliku, u kthye dhe një herë më puthi me plot afsh dhe iku, duke e mbyllur derën me rrapëllimë.
Pastaj, degjova një klithje qe i buronte nga çmenduria e dashurisë tek buçiste koridorit te gjatë në ikje. « Ajo më dashuron, hej ajo më dashuron, e kuptuat, ajo më dashuron… Ajo tha: Pooooo, e kuptuat dhe ju… , do të martohet, do të martohet me mua …dhe nga klithja e tij e çmendur u degjuan të zhurmonin dhe zëra te tjerë të pakontroll nga qelitë e tjera. Ca e uronin, ca e shanin për qetësinë që ua prishte. Ai iku, me këtë refren lumturie qe sa vinte degjohej më pak nga që ai largohej. Unë shtrëngoja jastekun e vogël, dhe e lumtur kafshoja cepin e buzës për të ndierë më mirë aromën e puthjes së tij.
Mbajta vesh gjerësa zëri i tij i çmendur nga dashuria humbi dhe, e mora me mend se ai iku sot për t`u kthyer sërish nesër, për t`i hapur portat e mëngjesit tim më i lumtur se kurrë me uratën e dashurisë.
Sa bukur! Mendova të notosh e zhytur në lumin e dashurisë edhe pse ngërthyer në qelinë e robërisë.

Korrektoi: K. Stojku

Musa JUPOLLI: U dashurova me një vajzë serbe


Kur e takova nuk e dija gjuhën e saj
Djalë i ri që isha n’»bylyk » po sa kisha hy
Shëndërruar isha n’engjëll me hapa t’butë
N’sy një terr më ra, hyjneshë në fotografi
Zgjimi para lindjës së diellit thonë
Krishti gjithëherë është aty, udhëton me ty
Unë i besoj filozofisë, parajsë që vdekje s’njeh
Dashuria nuk njeh ngjyrë, as gjuhë, pyetje nuk do
Vallë ky lumë që më kaploi trupin tim
Mos nga vullkani rrjedh ky burim që më kalli shpirtin tim
U shtanga
Ëndërr apo zgjëndërr
Djalo, a ke marrë nuse a ke marrë «shkinë» më tha ime Nënë
Nënës syri n’të i kishte mbetur n’atë bukuri të rrallë
Nënë, unë gjuhën e saj nuk e di
Nuk e flas, nuk e kuptoj
Deri sa t’ia mësojë gjuhën time
Babës mos m’i trego, as babëgjyshit
Ti e di, tri ditë e tri netë pa ujë e pa bukë
N’kosh t’kallamoqit e kanë pas lanë
M'atë gjuhë vërbuar është, nuk më flet më
Po për emër s’i t’ia bëjmë moj Nënë
E thërrasim Mejreme ja Sheherzade
Bijat e thërrasin Mejreme hanmi
Ti Musë, edhe Sheherzade i shkon
Uh Nënë ! Ti m’the se qenka « shkinë «
Tash edhe turke e arabe do t’ma bësh
Kur u zgjova nga gjumi
Nusja m’tha
As dreqi ty s’tmerr vesh
Unë i thash
Ai nuk e di gjuhën time
As fé as komb nuk ka
E fillova kafen me një shkrim…
Nusës i dhurova një puthje
N'gjuhën time t'Hyjnishme TË DUA i thash
*
Sa jam i lumtur që poezia ka LIRI
Poezia dhe liria në burgje nuk mbahen !

Thursday, May 21, 2020

Kujtim STOJKU: BIE SHI




A mund ta di se ku fillon një fjalë dhe mbaron përdorimi i saj?
Apo, duke mos iu besuar as premtimeve tuaja që n`parvaz t`dritares mbështesni kokën,
Fjalët mbushin honin e premtimeve, në theqafje mbështillen nga era me ulërima,
Këtë përkufizim sikur ta paguaja më shtrenjtë se muret që u shembën, kjo fjalë nuk është tërmet, e as dhimbja më nuk vazhdon. Shtëpitë i kam parë të hijezonin duke u rrafshuar nga themelet, ju betohem se nuk po ju tregoj se kam parë një ëndërr të ligë. Një frymë e ligë i rrafshoi muret dhe themelet duke kaluar çdo parashikim. Në largim je më i turbullt se kurrë, kujtesa dhe shpirti i mbështjellë nga pluhuri vështirë se do të harrohesh. Megjithatë, mos i beso fjalët e mia, se një përfytyrim kaq i mprehtë nuk është gjithmonë i parapëlqyer. Por, për shumicën e njerzëve ju gjithmonë jeni ata që në fillim të këtij shekulli fitoni përdhunshëm. Ju, arritët në majë të pushtetit njerëzor me një gjuhë idealesh pështjellë nëpër zorrët e qenit. Por, çuditërisht ne shohim një boshllëk të madh midis mendjes dhe trupit, e unë ia kam ngulur shikimin shkulmave që për çudi qetësohen në të kundërtën e rrjedhës. Në këtë fund maji ku pikat e shiut ëmbëlsisht plot begati të shpërfytëruara mbesin.

Kam ëndërruar që gjithmonë të isha mes burrash që për këtë copë vend lanë fjalën, harxhuan paratë sepse dora nuk u dridh, e prandaj bënë emër. Por kur po zbrisja këto shkallë, u habita se i pashë të ndryshkura e mua më thanë se imazhi im ishte i frikshëm e se vetë isha kthyer në një kulçedër që urtësohesha vetëm kur i coptoja me dhëmbët e mi, e etjen e shuaja duke pirë gjak të njomë me një nga bijtë e këtij populli të marrë që ushqen me gjak të freskët trupin tim. Por unë kam ditë që mundohem që gjuhën ta mbaj brenda dhëmbëve. Larg qoftë, se po ta nxjerrë jashtë, do t`ju duket si gjuha e një gjarpëri sa edhe rrënjët e kësaj keni për t`ja parë. Unë përqëndrohem në hapsirën rënkuese, pavraësisht se disa kohën e përshkojnë më të shpejtë se një ketër, e unë nuk mund t`a arrij kurrë. I lodhur, djersitur nga rruga e gjatë, mundimet trupin ma kanë mbledhur grusht, mendova të shihem në pasqyrë pafolur asnjë fjalë, por në çdo kthesë pashë pasqyra të tjera ku kalimin ma ndalën e fytyra nga mundimet si plak m`i rrudh.

Bie shi aq shumë, sa unë u ngatërrova në pellgjet e jetës E mendja m`u turbullua.
Ndoshta, në këto çaste reflektoja se bota po njomej, dhe përmes qëndrës së syrit vullneti i mirë si Krishti kryqëzohej. Por, për të përshkruar botën e brendshme sipas pikave të shiut dhe pacientëve të psikologjisë është e pamundur. Jeta po shembet si ortek që përpihet nga etja e tokës së thatë. Frika po mposhtet, e papritur fjala po merr ngjyrë. Qielli, çuditërisht është gri dhe i zbehtë, që flak tutje me bollëk çfarë sheh syri, sikurse ju imagjinoni një imazh duke parë çdo imazh në më të mirin orientim...

Friday, May 8, 2020

Poezi nga Azem Baliaj

DY LIRIKA SHQIP PER TY
 
1 - toskerisht
 
Ti je ar me ar se ari,
je kurore margaritari!
Je Hirushja perrallore,
je magji, nate henore!
Je yll ne nes yjesh,
je shtegu midis pyjesh...
Je gonxhe, je pranvere,
do te shihemi njehere...
Te pushtoj si nje thesar,
mos lejo te vdes i marre!
Je cmendine poetike,
ar mbi ar je moj mike!
2 - gegnisht
Qysh kur ti krise n'zemren teme
U hap nji dere qe s'mbyllet ma...
Aromt e zhurmes u bane melheme
Dera mbet hapt, me ike kurre s't'la.
Tash krisja jote asht kthye n'lumni
S'ka kand q'at peshe e lue prej toke
Ma ke mbush shpirtin me nji dashni
Perdite lulnimin ja shton ksaj toke.



DALLANDYSHE...
 
Kujtimet
si kopsat
e kemishes
ne pranvere
miklojne
nje jete...
Kujtimet
si stinet
buzeqeshin
mallengjejne
vargjeve
ne flete...
Kujtimet
dallandyshe
shtegtojne
e kthehen
rindertojne
folete...
 
E LAGU SHIU LEZHEN
 
E lagu shiu Lezhen, e lagu krejt Atdheun,
Ne Durres Teuten, ne Kruje Skenderbeun!
E lagu shiu token, doganat, udhet, drute...
Kryet me lagu mua dhe m'i freskoi trute!
Me nxiti te mendoj nese beri mire a keq...
Gjykimi veten leshoi, ne ca shtigje per dreq!
Te bjere shiu te bjere, kudo nepr Atdhe,
Qe pret nje pranvere, te gezoje stine te re!
Pret fjale deputetesh, pret bese patriotesh,
Ne Shqipen dy shtetesh, trulluar prej idjotesh!
Te mblidhen menaxheret te zene dora-dores,
Kurre nuk eshte heret per firmetaret e Vlores!
Te mos fshehin fitimet nen maska politike,
Te kthejne besatimet per te nesermen kritike!
Jo vetem ne festime, sa per te kaluar klase...
Te bejne sponsorizime, pastaj gaz ne derrase!
E lagu shiu boten, me ZOTIN "sponsor"...
Mendimet m'u lodhen nga rruga ne ashensor!
Dhe u "ula" ne fesbuk te them nje fjale te mire,
Pak groshe...buke, me shprese te vdes i lire!
 
 
KANGE PER ZANEN
 
Ah moj zane, moj zana e zemres
T'mjeren zemer ti c'ma zanove...
Tuj shetite n'per shtigje t'andrres,
Nji t'mshefte pse s'ma kallxove?!
A thue zane, edhe ti zanohesh...
Ra n'mendime tuj vujte per mue,
Rrugve t'andrres zan' a rrzohesh
Kur m'ndigjon bilbil tuj kendue?!
Ah, moj zane, s'di ma cka t'flas,
Zemra e njerit, ma e forte se guri!
Ne m'zanofsh, sterpike ne m'bafsh,
Malet luejne, po nuk lue burri...
Edhe n'vorr ty kam me t'dashte,
N'dashni dielli e n'dashni hane...
Mbi vorr lulet kushdo qe i lashte,
M'thon bilbilat, jane prej njaj zane!
Ah, moj zane, moj zana e zemres
Kur t'pushosh nder mrize e kroje...
N'at fllad bjeshke kto fjale t'kanges
msojau zogjve e, me zogj kendoje!