Friday, May 19, 2023

Kujtim STOJKU: NË ZEMRËN E NATËS

 

Ngandonjëherë ndodh gjatë natës,

Kur ajo drejt dritës rrokulliset duke dhënë shpirt,

Hijet n`mjerim digjen prej flakësh,

Degët përulen duke u tretur n`vetmi.

Duke ndjekur rrezet e hënës që bien mbi pemët,

Ku kukuvajkat dhe zogjtë e natës ulen në majë,

Me pikëllim veten fillojnë e lëpijnë,

Në zemrën e natës që rreh tik - tak.

 

Errësirën ata e mbulojnë me një lutje,

Dhe mbi tokë ata shtrojnë një qilim,

Flakët e furishme për çudi nuk shuhen,

E zemërimi rrëshqet përgjatë lartësisë.

Duke pëshpëritur fryn era por s`qetësohet,

Me ngjyrat e tij agsholi puth malet dhe fushat,

N`bregdetin e zbehtë gjatë natës era fryn me një zë,

Një erë e ftohtë që mbi tokë shiun derdhka,

E perdja e dritës valvitet lehtë - lehtë.

 

Pikërisht n`këtë rrugëtim të gjatë t`natës,

Zambakët n`zall butësisht lëkunden në heshtjen e shurdhët,

Nën velin e fjalëve në hije dalin shkëndija,

Mbi shpinat tona një pluhur na mbulon zhurmueshëm.

Unë për një kohë t`gjatë mbledh tingujt e pikave të shiut,

Që prej qiellit ritmikisht bien papushim,

Kjo këngë melodinë e ka të butë, prandaj oshëtin kaq shumë,

Ajo derdhet nga malet, lulëzon dhe rrënon shkëmbinjtë.

 

Gjithçka ndodh në këtë natë të zezë,

Ku me njëra - tjetrën jeta dhe vdekja kryqëzohen,

Nga fushat trungjet e heshtura thithin gjumin e ëmbël gjith` lezet,

Atje n`mjegull digjen hijet, lastarët e rinj po harbohen,

Nga pikat e shiut gjethet harlisen e marrin jetë.

 

E larë nga vesa e argjendtë nata ka filluar të dridhet,

Shushurijnë shkurret si gjethet në vjeshtë,

Qielli e ka t`zbukuruar qafën me rruaza të ndritshme që shihen,

Tufa zogjash fluturojnë mbi male duke iu gëzuar lirisë së vet,

Yjet flasin vargje, n`mëngjes shkëndijën duke e ndez,

Oh! Më në fund dita pushon, frutat fillojnë e piqen,

E zogjtë gjejnë një tokë të re…


Tiranë 19. 05. 2023

 

Grigor JOVANI: NJE LLOJ VDEKJE TJETER

 

(vjersha të hidhëruara, për një botë të vogël)
----------------------------------------------------

BALLO E ÇMENDUR

Lufta nuk ka mbaruar. Akoma varrosen
të vrarët e betejave, kthehen akoma
ushtarët nga betejat,
zhytur në gjak.
Bota mban erë vdekje. Nëpër rrugë
grumbullohen shpresat e të gjallëve
dhe u vihet flakë.
Varen akoma nga degët e pemëve
trutë e hedhura në erë të ushtarëve.
Do t’i mbledhë nata,
si gjithmonë,
në një përparse nëne.
Plumbat kanë shpuar tej për tej
fytyrën e qiellit. Kanë shkatërruar
helmetën e një hëne.
Ca diej të shpëlarë, që u zbardhën
nga tymrat, bien në tokë njeri pas tjetrit,
si gjyle. Formojnë kratere gojë hapura,
gati të përpijnë kureshtarët.
Një gramafon i para luftës, harruar këtu
e mijra vjet, brenda një llogoreje
luan akoma. Fton në ballon e çmendur
të marrët.

TRE KUAJ

I lidhur në litar,
në mes të një arene,
ndërmjet tre kuajsh:
- me ty,
pas teje,
përballë teje -,
mjerrë ata që panë
dhe më dëgjuan!
Tre kuaj...
Më vunë në mes
dhe më dërmuan!
Ç’fat edhe ky!
Të më përgjakësh ballin
me patkonj.
Të më gjakosësh trurin
me sofizma.
Dhe të më dhëmb ky shpirt!
Përsipër
një arene cirku.
Duke parë hallin tim,
asnjë prej jush,
nuk iku.

NJE LLOJ VDEKJE TJETER

Nganjëherë,
më ngjan vetja i shurdhët,
sikur luhet brenda meje e mungët
një tragjedi e lashtë.
Atëhere ndodh thagma: çlirohet
një tel nga harpa e gjoksit,
nota shpërthen jashtë.
Cicërima zogu apo britje bretkoce,
s’di ç’është...
Ndërsa bie muzgu dëgjohet e qara
e një lloj vdekjeje tjetër
dhe them: Erdhi! Kjo është!
Zhytur në jerm,
në fund të një gjoli të ndenjur,
dëgjoj zëra të huaj.
Me to s’është i imi.
Fluturojnë përreth djaj të shëmtuar,
ka qiell gri me re,
nuk agon
dhe mungon perëndimi.

FESTE NE DET

U mbush deti papritur anije të vogla,
blu, të verdha, të kuqe
dhe të gjithë vaporët e mbytur, si
leshterikë nëpër brigje,
dolën në sipërfaqe,
me kapitenët e tyre të gjallë
dhe me nostromët,
duke tymosur çibukët prej bambuje,
duke zgjatur përpara fytyrës
ca dylbira të gjata,
ndërsa sirenat
përshëndesin gëzueshëm anijet e vogla
shumëngjyrëshe,
që janë lodra prej letre
fëmijësh,
stërnipër
të ëndrrrës kaq të lashtë sa bota,
për të çarë dete, për të njohur vende
të pa eksploruar.
Poseidoni,
vetëm një çast zgjati kokën mbi sipërfaqe,
dhe u zhduk papritur.
Qe befasuar!

BOTE E VOGEL

M’u pështirosët! Nuk dua t’ju di
këtej e tutje!
Jeta ime dhe jeta juaj!
Do të mbyllem tek kasollja
atje në pyll,
në breg të detit,
larg jush! Me shpresë
se mbase nuk do të vuaj...
I vetëm. Duke dëgjuar
poetët e vdekur
dhe ndonjë të sotëm,
që ka mbetur njeri...
Po ç’është ky tym,
që më futet
poshtë portës?
Ah,
ma dogjët pyllin,
ma shteruat detin!
Tani, o zot, ku do rri?!

DO TE DESHA…

Do ndaloj për ty të shkruaj vjersha.
Mjaft me aspirinat e hidhura poshtë gjuhës.
“Non grata!” kujtimet .
“Stop!” me to masturbimit.
Edhe ti,
të mos shkruash asnjë vjershë më për mua.
Nuk ia vlen t’i këndosh dështimit.
Do të desha të mos ishim poetë këtej e tutje.
Të shëtisnim anës detit
dhe të mos e deshifronim.
Të na gëzonin vetëm dritat e qytetit,
kinematë verore,
baret anës detit.
Si gjithë njerëzit e tjerë të gëzonim.
Një herë e mirë t’i flaknim fjalët nga supet.
Dhe nëse nuk na ndaheshe ajo e mallkuara,
Poezia,
ta ngjeshnim në mur
dhe ta pushkatonim.
Ja, këtë do desha…
S’e bëjmë dot?
Atëhere, mirë,
vazhdojmë të shkruajmë vjersha.
========================
Athinë, maj 2023

Wednesday, May 17, 2023

Prend BUZHALA: MOS U MERR ME POLITIKË


(Ripublikim: çast anti-lirik)

Ç't'u ka tekur të merresh me politikë,
Politika s'është për ty, është një thikë,
ti s'di si ta krijosh një fytyrë tjetër që e kënaq publikun,
që di ta shkrijë çelikun,
dhe i do gënjeshtrat e ëmbla, mashtrimin e bukur.
Kjo fytyrë që e ke, nuk bën për publikun,
sepse e thotë të vërtetën,
eh, të shkretën,
e nxjerrin në Pazar të zi
zi e më zi
dhe lozin me të si të ishte kukull.
Mos u merr me politikë,
do ta shohësh se si mediet gërmojnë nëpër zorrët tua,
nëpër të pëgërat tua ata marrin erë,
e njerëzit zënë në thua,
e askush nga era e keqe nuk di të ikë,
janë si qentë që nuk u marrin erë luleve në verë.
Gërmojnë e gërmojnë nëpër pleh,
pale a e gjejnë një kokërr grurë,
he ngrënçin gur,
dhe drita e diamanteve të shpirtit tënd i verbon
e nuk shohin, as ti nuk i sheh,
gërmojnë: ti si ecën e si frymon,
para njëzet vjetësh ku ke qëndruar,
cilën fjalë para lufte e ke thënë,
si ke ecur nëpër diell e nëpër hënë,
dhe cilat mendime në kokë të kanë vluar,
i sheh si pas të pëgërave tua vrapojnë
se nga to ata jetojnë.
Mos u merr me politikë,
Mos u bëj i ligë!
E ti prapë, as nga Beteja Përfundimtare nuk heq dorë,
e ajo s’është asgjë tjetër pos një metaforë
si stoli e lirisë dhe e robërisë.
Ti thua: ekziston kjo betejë,
ekziston Bota e Mrekullisë,
për të shembur gjithçka pa vrarë njeri.
Thua: ekziston Kjo Botë Harmonie,
për mua e për ty,
ku për njeriun nuk ka kafaze, kufizime e zinxhirë,
Botë e Pavdirë.
Ekziston,
ku Evropa do të heqë dorë
nga thurja e kafazeve për njerëz e kombe e lule,
e gjithçka frymon
si rruzullim drite me kurorë,
ku do të lindë një Londër e Re kundër përgjakjes nëpër kufi,
ku s'do të jenë nëpër botë shqipëritë
jo më për t’i copëtuar ujqër e lukuni,
mbasi më nuk kanë se çka të copëtojnë,
as të mohojnë,
ku një Paris i Ri me Versajë të Re
nën qiellin pa re,
do të heqë dorë nga politikat që përgjakin popuj,
pa të përgjakshmen rrëmujë,
ku një Uashington i Ri Ëndrrën Amerikane
do ta bëjë Ëndërr të Kombeve të jetojnë të lira
siç është më e mira.
Kështu ti thua.
e mua
si cytje,
më mbetet vetëm të shtroj pyetje:
e kujt ishte toka përpara që të lindte njerëzimi?
I kujt ishte gëzimi përpara që të lindte mjerimi?
Kush na i dhuroi kufijtë dhe luftërat dhe përleshjet?
E cila mendje i krijoi mosmarrëveshjet?
Na mbeten kujtimet për Atdheun: si e krijuam Pavarësinë,
kush punoi e kush nuk punoi për të,
na mbetet t'i kujtojmë Të Parët tanë,
çka lanë e çka thanë,
në heshtje, pa zë,
ta kujtojmë besimin e fortë që e patëm dje: për lirinë,
ku janë të vdekurit e panumërt dhe pa emra e ç'ëndrra patën,
e si në dilema u përplasën.
Dhe ende Toka e Lirisë na qëndron larg.
Nuk na lejojnë ta shohim.
Ende as nuk e njohim.
Ndoshta na mbetet ta shohim nëpër sytë e fëmijëve tanë.
(Prend Buzhala, 23 korrik 2019)

Wednesday, May 10, 2023

Prend BUZHALA: NË DITËN E EVROPËS

 

(A jemi edhe ne komb kulturor evropian)

Evropa e vlerave të lirisë, ka zënë t'ia njohë Kosovës të DREJTËN E LËVIZJES SË LIRË, LIRISË SË LËVIZJES... Sot, kur Kosova Ditën e Evropës e shënon si ditë kremteje, shfaqet dhe përcaktimi ynë si komb evropian e me vlera evropiane.
1.
Por përtej një deklarimi, ka, në thelb, diçka më të thellë. Ka diçka që qëndron përtej Bashkimit Politik, Bashkimit Monetar, Bankar a Bashkimit Financiar Evropian e që është BASHKIMI KULTUROR I EVROPËS. A jemi ne edhe KOMB KULTUROR I EVROPËS? Gjeografia e përbashkët, historia e përbashkët, përkatësia në Familjen e Gjuhëve Indoevropiane, përbërës të identitetit evropian- hyjnë edhe si përbërës të identitetit evropian shqiptar.
Kosova është një shoqëri e hibridizuar me ideologji evropiane e orientale, një komb me disa besime e me prirje traditash e zakonesh sipas krahinave, me tradita të forta historike, folklorike e me prirje shpesh për t’i braktisë ato; me prirjen e theksuar INDIVIDUALISTE e me jetën konservatore në bashkësi të gjera familjare; me prirjen për ta organizuar jetën sipas KANUNIT në secilin sistem, regjim a shtet... e gjendur mes Azisë dhe Evropës, në mes botës antike greke e asaj romake dikur, në mes Bizantit e Romës më vonë, në mes krishterimit e islamizmit nën Perandorinë otomane, në mes komunizmit oriental rus dhe demokracisë europerëndimore gjatë shekullit XX... shqiptarët gjithnjë e gjithmonë kanë aspiruar Evropën.
Gjithnjë NË UDHËKRYQ, pa na lejuar të drejtohemi vetë. Pengesat na kanë ardhur nga pushtues sllavë e orientalë e jo nga Perëndimi. Nëse deri dje Perëndimi kishte paragjykimet e veta ndaj nesh (si "mbetje osmane", ashtu si na konsideron ende Turqia), këto po kjo Evropë i përmirësoi me ndërhyrjen e saj në Kosovë, gjatë vitit 1999, duke e sulmuar një Serbi "të krishterë". Porse, nuk është e habitshme, se edhe në jetën politike të pasluftës na shfaqen këto kundërthënie të së kaluarës...
2.
Ky UDHËKRYQ HISTORIK tashmë është pushtuar me Frymën e Lirisë.
Liria përbën qytetërim. Qytetërimi i Lirisë është qytetërim europerëndimor.
Vërtet, Evropa a mund të heqë dorë nga liria, nga CIVILIZIMI I LIRISË, për ta përqafuar një ideologji a besim fetar që nuk e pranon LIRINË, që nuk e pranon Kartën e Lirive dhe Të Drejtave Njerëzore, që e ka përqafuar REGRESIN HISTORIK!? Por e vërteta e ka dialektikën e vet historike: para IDESË SË LIRISË janë bërë dhe bëhen hi e pluhur idetë totalitare të ideologjive a religjioneve që i mohojnë këto vlera të CIVILIZIMIT MODERN.
Te QYTETËRIMI I LIRISË ka tolerancë ndaj besimeve, bindjeve politike a fetare, por ky QYTETËRIM nuk e mohon vetveten për ta vendosur një ideologji totalitare.
Këtë duhet ta kenë të qartë mendjet e ngjeshura me ideologji të tilla.
Liria mbjell në trupin e saj kritikën, kurse ideologjitë totalitare nuk e pranojnë kritikën.
Liria mbron individin, kurse ideologjia totalitare e sakrifikon atë (qoftë edhe fëmijët, duke u hedhur në erë me bomba)...
Liria (VETËDIJA MODERNE) i veçon FORMAT E DIFERENCUARA TË VETËDIJES SHOQËRORE siç janë: POLITIKA, SHKENCA, FILOZOFIA, RELIGJIONI, KULTURA, ARTI dhe ETIKA, kurse ideologjitë totalitare (dhe religjionet totalitare) ato nuk i ndajnë, sepse rolin e shkencës, filozofisë, politikës etj e merr përsipër kushtetuta totalitare që nuk njeh lirinë, ngjashëm siç vepruan ideologjitë totalitare të fashizmit e komunizmit.
Liria ecën e zhvillohet gjithnjë nëpërmes reformimeve, kurse ideologjitë totalitare nuk i pranojnë reformat, ndryshimet, zhvillimet e ndryshimeve...
Liria nuk vë asnjë formë të vetëdijes shoqërore mbi tjetrën (nuk e vë religjionin mbi politikën, shkencën, kulturën, etikën, artin a filozofinë), kurse ideologjitë totalitare religjioze e vënë religjionin mbi shkencën, politikën, kulturën, etikën, artin dhe filozofinë.
QYTETËRIMI I LIRISË është i papajtueshëm me QYTETËRIMIN TOTALITAR (POLITIK, USHTARAK, ABSOLUTIST, RELIGJIOZ etj.), që ka dështuar në arsim, përparim, dije, drejtësi e në fushat tjera të jetës njerëzore, shoqërore e historike.
Liria nuk është hyjnizim i vrasjes e i shfaqjeve të dhunës.
Ndër kryevepra të Epokës Moderne janë Liria dhe Njeriu i Lirë, çlirimi i njeriut nga shumë paragjykime ( dogma e kufizime tjera antinjerëzore) e Njeriu i Çliruar. Prandaj ndodhin dhe miliona e miliona zbulime jo vetëm shkencore...
3.
Orlando Paterson, një dijetar amerikan, në librin e tij “Liria në formimin e kulturës perëndimore”, thotë se liria ka formuar modelin kulturor të Perëndimit, ka qenë vlera thelbësore e kulturës perëndimore gjatë gjithë historisë së saj; gjithnjë sipas O. Paterson: ndërsa fjala liri te popujt e vendeve joperëndimore nuk ekziston, ato vende e popuj nuk kanë ndonjë fjalë a term të barasvlershëm që do ta shprehte konceptin për lirinë. Dhe nënvizohet: Liria qëndron e pasfiduar si vlera më madhore e botës perëndimore; liria lindi nga përvoja e skllavërisë, nga vizioni i përbashkët për lirinë.
Kur një kombi (a shteti) i mungon vetëdija (koncepti) për LIRINË, atëherë ajo përdhoset në të gjitha përmasat e saj: në fushën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë. Më kot hartohen kushtetuta moderne për këto liri, nëse ajo nuk bëhet pjesë e kësaj ndërgjegjeje. Nëse në ndonjë Libër të Shenjtë mungon koncepti LIRI (nënvizon Paterson,- e zëvendësuar me fjalën nënshtrim, rob ndaj Absolutit, Fuqisë Mbinatyrore), kjo nuk do të thotë se këtë mungesë pseudo-hyjnore ta zbatojmë në jetën tonë të përditshme.
Shtrohet pyetja: meqenëse mund të ketë shtete, jashtë Evropës Perëndimore, që mund të jenë edhe më të pasura a më të zhvilluara (qoftë në Azi, qoftë në Amerikë), atëherë përse shqiptarët kanë dëshirë që më së shumti të zgjedhin (për azilim, për punë e për jetesë), pikërisht Botën Perëndimore?
Askush më shumë se sa Evropa Perëndimore nuk e respekton islamin (jo pse Evropa paska ndërmend t'i brakisë kishat), sepse edhe islami mbrohet me ligje, me ndihmë e përkujdesje, me azilin politik, ekonomik e me solidaritet njerëzor.
Respekti që është model botëror për besimet, është ai shqiptar, i vëllazërisë shqiptare ndërfetare... por kjo vëllazëri nuk nënkupton edhe mohimin e identitetit shqiptar... Ndryshe nga shumë regjime politike në Lindje (ku nuk janë të ndara feja dhe shteti), - në vendet demokratike me sistem demokratik shteti është i ndarë nga feja. Partia politike nuk është as xhami e as kishë, ashtu sikundër as xhamia e as kisha nuk mund t'i zëvendësojnë partinë apo shtetin.
Kjo do t thotë: që duhet të respektohet LIRIA E TJETRIT!
Porse po kjo Evropë duhet ta kapërcejë edhe një paragjykim tjetër: Evropa e vlerave të lirisë, duhet t'ia njohë Kosovës të DREJTËN E LËVIZJES SË LIRË, LIRISË SË LËVIZJES...
(Rishkrime, korrik 2015)

Tuesday, May 9, 2023

Kujtim STOJKU: Eksperti

                                               
( Pjesë e shkëputur nga libri në proces)

Një makinë e zezë po ecte ngadalë duke u zvarritur me vështërsi si një tank në filmat pa zë. Po ta përshkruajmë me hollësi diellin që lëshonte rrezet e nxehta dukej sikur binte mbi një dysheme metali të lëmuar, kurse rripi i radiotorit vinte duke u konsumuar ngadalë dhe pas pak do të këputej, kurse çeliku ngjyrë argjendi në motorrin që ishte nxehur ishte i izoluar përkundrejt mbeturinave antioksiduese. Në majë të malit bora shndëriste e butë që e bënte pamjen shumë piktoreske. Kurse një kamër e madhe tregonte targën e makinës që tregonte A84455.

Makina eci përpjetë xhadesë së asfaltuar duke u lëkundur sepse kishte gropa, kur një mikrobuz u fut në kuadratin e kamerës, ai frenoi menjëherë dhe për pak sa nuk u përplas pas makinës. Nga makina e zezë dhe mikrobuzi dolën me shpejtësi nga të dy automjetet jashtë njëri pas tjetrit burra të veshur me uniformë blu të errët. Ata filluan të lëviznin ngadalë, ishin shumë të vëmendshëm dhe lëvizjet e tyre ishin tepër të sakta. Me një lëvizje të shpejtë katër nga burrat me uniformë u shpërndanë duke marrë sektorin nën kontroll. Ata ishin të armatosur dhe vështronin gjithçka me hollësi, kurse katër të tjerët vrapuan me shpejtësi drejt dy trupave që ishin shtrirë në trotuar. Ergysi u rrëzua përtokë duke u munduar që t`i fshihej kamerës, një veprim ky që dukej sikur bëhej në mënyrë të pavetëdijshme. Por në fakt ai e dinte mirë se çdo gjë filmohej. Sa mirë që shkenca kishte arritur zhvillime të tilla, por me vënien në përdorim të kamerave, ai për çdo veprim operacional që kryhej kishte raste që nuk deshte që të filmohej gjithçka. Ja, p.sh në këtë operacion ai po mundohej t`i fshihej kamerës.

- Më falni, - i tha ai Korabit në lëvizje.

Ergysi tundi kokën. Por na doli se ai ishte ulur në karrige dhe pa Korabin që po maste me hapa dhomën diagonalisht. Në momentin që ai shkoi deri tek këndi i dhomës u kthye mbrapsht. Ergysi mblodhi këmbët që i kishte shtrirë para.

- Çfarë po mendon? - E pyeti Korabi.

- Dua të them se…

- Po, ti papritur heshte atëherë kur deshe të thoshje diçka. Unë mendoj se një mendim të arsyeshëm e keni në kokë, mund t`ju ketë ndodhur diçka, por unë kam vendosur të mos përzihem.

- Unë kam vepruar ashtu siç duhet.

Ishte i përgjumur dhe trupi iu anua ngadalë, tani pothuajse gjithçka në kokë ishte qartësuar nga turbullirat, ku targa e makinës së zezë iu kujtua duke i dalë në sipërfaqe të vetëdijes. Ergysi ishte krejtësisht i bindur se gjatë incidentit ai nuk e kishte parë targën e makinës. Kur njeriu përplaset në asfalt ku ka mend për të parë targën e makinës? Por megjithatë ai e kishte parë. E kishte parë atë në një ëndërr të çuditshme dhe të çmendur.

- Hë pra, si është puna? - Tha Korabi duke qëndruar pas karriges së kompjuterit ku ai ishte ulur.

Nga pas shpinës së karriges, Ergysi mund të shihte vetëm pjerrësinë e shpatullave dhe një kokë të rrumbullakët me flokë të dendur e të zinj. Ai u mundua të sillte ndërmend se kush ishte ky njeri që u shfaq në shtëpinë e së ndjerës Izmene Vasili.

- Edison mos e ul mengadalë, - i tha Korabi të panjohurit që po punonte në kompjutër.

- Djalli ta marrë, ja se si duhet të ketë funksionuar, - tha Ergysi duke hequr një vizë në një letër formati të bardhë, dhe ndërkohë shtypi tëmthin me gishtin e madh të dorës së majtë sepse i dhimbte.

Gjithçka po shkonte në vendin e vet. Edison Kolashta ishte ulur në kompjutër dhe si një ekspert në vijën e zjarrit ishte përqëndruar i tëri mbi monitor. Ku dhe në çfarë rrugësh kalonte Edisoni dhe Korabi, Ergysi nuk e dinte, por një gjë ishte e sigurtë dhe ai këtë e dinte, ata të dy ishin shokë të ngushtë.

Edisoni jetonte në mes dy intersash, në dashurinë për kompjuterin dhe tjetra ishte dashuria për gratë. Në kompjutër ai kishte bërë shumë gra mikesha. Disa gra i përgjigjeshin miqësisë me të sipas modës së vjetër, me një buzëqeshje si Xhakonda i kërkonin atij që të mbeteshin përherë miq. Çuditërisht këtë Edisoni nuk e perceptonte si një refuzim të sjellshëm që me të vërtetë ishin miq, dhe duke u ardhur rrotull atyre i shuhej çdo pasion për një avokat dështak, një lajmëtar që rënkonte poshtë kanotjeres. Ngandonjëherë bëhej si një djalë që nuk le dy gurë bashkë e ka nevojë që t`ia zbusësh mirë kurrizin. Por Edisoni duronte me përulësi, vuante në heshtje dhe shpresonte për diçka.

Ergysi ishte i bindur thellësisht se vuajtja e Edisonit nuk ishte e përjetshme, sepse një ditë edhe atij do t`i buzëqeshte lumturia si gjithë të tjerëve, por edhe kjo kishte kohën e vet, duhet të priste. Ata të gjitha kishin një buzëqeshje të paqartë si të Mona Lizës. Kur njeriu i lodhur nga jeta e lirë vendos të martohet, atëherë ata do të vinin një bast të majmë për Edisonin para se ai të zgjidhte. Por atëherë do të fillojë një konkurrencë të tmerrshme. Një djalë i sjellshëm dhe i edukuar ku nëna i ka sytë tek ai, pa asnjë ves, me apartamentin e tij dhe me një rrogë të mirë, ulet para monitorit me ditë të tëra duke humbur si një robot, a nuk mund të jetë kjo një ëndërr për një zonjë të re e cila dëshiron një fat të tillë? Është njësoj sikur me të vërtetë ky djalë të ketë zbritur për të nga qielli. Atëherë ajo do të qetësohet, dhe në të njëjtën kohë do të shpëtojë për të ndërmarrë aventura të guximshme që janë shumë të rënda.

Ergysi, shikoi majën e kokës rrumbullake me flokë të dendura të Edisonit, psheretiu dhe shikoi larg. Ai ishte i bindur se menjëherë pas dasmës degët do të formonin shkurre të fuqishme, do të shiheshin se si hynin në kokën e zgjuar të Edisonit. Ergysi vendosi që të mos bënte më biseda të tilla paralajmëruese edukative për këtë temë. Për Edisonin ishte më lehtë që të lindëte edhe njëherë sesa të hidhte poshtë tërë idenë për çeshtjet femërore që ishin vendosur tek ai nga e ëma dhe letërsia. Në përgjithësi, në kundërshtim me mendimin e pranuar si një opinion i përgjithshëm, Ergysi kohë më parë kishte arritur në përfundimin se ligji është i shenjtë.

“Omerta” vepron në miqësi si në kodin e mafies italiane: hesht nëse nuk dëshiron që të shkatërrosh një mik, sepse miqësia është më e vlefshme se e vërteta”.

Edisoni u ndal dhe shikoi i menduar për një kohë të gjatë tastierën. Ai u ul si gjithë gjenitë e kompjuterave, duke u përkulur mbi tastjerë që e mbante në prehër ulur në kolltuk duke demonstruar të gjitha mënyrat e familjaritetit me mençurinë e teknologjisë.

- Pra djema, unë kam gjetur diçka interesante, - përfundoi me kënaqësi, - sa vjeç ishte vajza?

- Nëntëmbëdhjetë, - tha Korabi.

- Jo keq, - mendoi Edisoni. - Ju shikoni që ka lidhje farefisnore me mua, dhe ai djalë që sot punon 

 me ju, atëherë nuk ishte më shumë se njëmbëdhjetë vjeç kur u ul para kompjuterit që do ta tërhiqte si me magji kjo teknologji, sa ngandonjërë zgjohem në kompjutër në një mënyrë të tillë sa shpesh gjendem në heshtje në një hapsirë pazhurmë dhe marr pamjen e një të mençuri që di gjithçka, megjithëse unë nuk  kuptoj asgjë më shumë. Unë vërtetë mund të mos di diçka sepse kam mësuar në një kohë që nuk kisha as kohë të mësoja. Por pavarsisht se tani më është bllokuar truri nga lodhja, nuk më shpëton gjë, kam mësuar gjithçka nga kjo teknologji e kohës, dhe ata parazitët kanë lindur me këtë. Dhe ju pëshpërisni me zë të ulët se dini gjithçka. Budallenj, edhe zogu kur del nga veza e di se ka për të fluturuar.

- Atëherë le të themi kështu. Unë nuk po kuptoj një gjë, se pse ju i dhatë arsye që ajo të lindëte, ose më shkurt dhe saktë pse lindi?

Korabi ishte ulur në cepin e tavolinës përballë Ergysit me një fytyrë ekspresive që dukej qartë se po vuante. Edisoni dinte t`i ngarkonte plot temat e kumpjuterit. Ai e kreu me zell misionin e mësimit për vërtetësinë nga profetët biblikë, duke injoruar faktin se ata mësonin ngadalë nga informacioni i bollshëm pashmangmërisht nga djalli.

Fakt është se njohuritë e mia bazë janë renditur në një madhësi më të ulët se aftësitë e tyre. Ky hendek për ditë e më shumë po zgjerohet. Edisoni ngriti dorën mbi tastierë si pianist para akordit përfundimtar. Por në këtë rast ai ende mund të bënte diçka.

- Prisni një minutë? - E ndaloi Korabi. - Çfarë do të bësh?

- Si keni mundur që ta bllokoni me haker kompjuterin e saj? Çfarë bëtë për gjysmë ore?

Edisoni qeshi, u rrotullua mbi karrige, Korabi i zgjati atij një kanoçe pepsi, ai e mori dhe e vuri mbi buzë pa ia ndarë vështrimin kompjuterit, dhe një pjesë e lëngut të errët duke shkumëzuar iu derdh mbi gjoks. Ergysit ishte tharë goja dhe kishte etje, por nuk pati kohë t`i kërkonte që të kthente një gllënjkë. Edisoni mbajti frymën, e ktheu me fund kanaçen e pepsit dhe në fytyrë dukej si një mace e ushqyer mirë e filloi që të shijonte ndijesitë në stomakun e tij.

- Djema, mund të shënoni se vajza bënte një jetë të dyfishtë, - tha ai duke lëpirë me gjuhë buzët e lagura.

Korabi dhe Ergysi ishin pas shpinës së Edisonit dhe shikuan njëri - tjetrin në sy. Korabi e përkdheli lehtë Edisonin mbi shpatulla.

- Merreni më mengadalë, - tha Edisoni. - Unë thjeshtë do të pyes sipas rregullave, dhe gjithçka do t`jua tregoj me hollësi, por ju mos bëni si polica të turpshëm! Atëherë më thoni se çfarë shihni këtu? - Dhe tregoi me gisht një tabelë në monitor, nga e cila ai hoqi një mbulesë mbrojtëse. E pra, këtu ju shihni vetëm një si njollë që është e pakuptueshme. Por në të vërtetë nuk është një por janë dy prej tyre. Po pse më shihni kështu? Bah, çfarë njerzish të paditur që jeni! Ajo këtu ka një emulator.

Ata të dy si panë njëri - tjetrin në sy të habitur se çfarë po thoshte Edisoni dhe thanë me një gojë:

- Çfarë është emulatori?

Edisoni ktheu kokën nga ata dhe buzëqeshi. Pastaj tha:

- Po ju thashë se jeni me të vërtetë injorantë.- Emulator, - vazhdoi të fliste ai, - është një sistem kompjuterik i veçantë për të imituar, ose më trashë për të kopjuar, duke përdorur një sistem softuer që shpesh përfshin një mikroprogram ose një kompjutër tjetër që e mundëson të kryejë të njëjtën punë, pra të drejtojë programet njësoj si kompjuteri i parë.

Ata të dy kishin mbetur si të ngrirë duke shikuar Edisonin tek fliste dhe dukej qartë se nuk kishin kuptuar asgjë. Pasoi një heshtje e shkurtër duke parë njëri - tjetrin. Atëherë Edisoni theu heshtjen dhe tha:

- Që ta them më trashë, e zëvëndëson softuerin me harduer për të bërë të njëjtën punë. Besoj se më kuptuat?

- Ehë, - thanë të dy sa mezi u dëgjohej zëri, por dukej qartë se përsëri nuk kishin marrë vesh asgjë nga ato që ai shpjegonte.

- Pra, - vazhdoi Edisoni duke parë shushatjen e tyre, - në një kompjutër tjetër mund të instalohet çdo program në të dhe të punohet si zakonisht vetëm se është virtualisht. Nëse nuk e dini se çfarë është, është e pamundur ta zbulonit. Unë i përvetësova të drejtat e administratorit, lexova udhëzimet e fshehura dhe gjeta këtë program. Këtë e bëra për gjysmë ore. Nga kjo distancë Korab, mbaje mend mirë këtë që po të them, është dikush tjetër që është shumë i zoti që ka të drejtë të hyjë rregullisht në kompjuterin e saj. Dhe ka shumë të ngjarë të jetë mashkull e jo femër.

- E ku e di ti?

- Thjeshtë nga shkrimi i dorës. Ju mund ta bëni dallimin e shkrimit të dorës midis një mashkulli dhe femre nga një shënim që ata kanë lënë mbi letër ose në një fletore. - Edisoni tregoi me gisht nga rafti i librave dhe shtoi: - Duke gjykuar nga librat ajo nuk mund të ishte më shumë se në nivelin e një administratori të mesëm. Dhe këtu “Unixoid” ka përvojë në këtë punë.

- Prit, prit, se na bëre lëmsh, - tha Ergysi duke mos kuptuar asgjë nga ato terma që po fliste Edisoni. - Çfarë është “Unixoid”, ndonjë organizatë kriminale?

- Ja ta shpjegoj tani, - tha duke buzëqeshur Edisoni. - Është një zhargon komjuterik nga UNIX, që është një sistem që përdoret gjërsisht në zhvillimet e komunikimit kompjuterik. Kurse vajza ka “Linux”. - Korabi desh të ndërhynte, por Edisoni duke ngritur pak dorën tha: - ju mos u mërzisni se po jua shpjegoj edhe këtë se nuk është ndonjë gjë kushedi se çfarë. “Linuxi” është është një sistem me burim të hapur që shkruhet në bazë të “UNIX,” nga programuesi finlandez Linux Torvalds. Dallimi thelbësor midis “Linux” dhe sistemit komercial “Windous”, përveçse rritjes së besueshmerisë dhe shpjetësisë, është mundësia e çdo ndryshimi dhe është shtesë në program, dhe shpërndarja e tij është falas. Falë kësaj, “Linux” është duke u bërë sistemi më i përdorur dhe këtij projekti programues i janë bashkuar me mijëra në të gjithë botën. Çdo ditë me dhjetra produkte të rinj softuerësh për “Linux” shfaqen në faqet e internetit dhe mund ta shkarkosh falas. Pra vajza ka një “Linux” që e rregullon si një orë zviceriane dhe një sërë programesh të bëra vetë.

- Dhe për këto vogëlsira njerzit bëjnë llogari me mashtruesit - u përjigj Edisoni me një pyetje për fshehtësinë.

Korabi rregulloi mbi hundë syzet me skelet të hollë dhe dukej si një student i ardhur nga provinca.

- Si funksionon ky çip? Vetëm na e thuaj sa më shkurt dhe atë që është më thelbësore, - tha ai duke vendosur mbi gjunjë një bllok shënimesh.

Edhe Edisoni gjithashtu vuri syzet mbi hundë dhe sytë e tij menjëherë u bënë pa shprehje. Ai nuk e dinte se këta dy burra ma pamjen e tyre të çlirët dhe në pamje shumë të afrueshëm e quanin atë artist.

- Mirë pra, - tha Edisoni me një buzëqeshje duke u kthyer nga ata, - nëse është fjala për “mashtrusit,” kjo është një dhomë e fshehtë me një dalje të veçantë. Nëse futemi përmes një rrjeti në një kompjutër, ose siç bëj unë duke hakëruar një hard disk, atëherë ju nuk do të gjeni asgjë në atë disk sepse gjithçka që ka brenda fshihet. “Linuxi” tipik, korrespondenca me miqtë, një çift studentësh, një album fotografish dhe gjëra të tjera të parëndësishme. Dhe prapa sitemit mbrojtës me tre nivele është një hard drive. Në fakt ky nuk është gjë tjetër vetëm se një disk tjetër i montuar. “Linux” e lejon këtë. Më duket se nuk po më kuptoni? Mirë, kjo nuk është çeshtja. Por nga larg nuk ka asnjë mënyrë për ta shqyrtuar “këtë paisje” siç bëra unë, ju nuk mund të zbuloni vëllimin e vërtetë të hard drive -it. Disku është i ndarë në pjesë, dhe sipas kërkesës, shfaqet konfigurimi që doni të tregoni. Në këtë rast ne kemi një paisje në formën e vidës që është katër gigabajt, dhe kur e nxit këtë, ajo tregon vetëm gjysmën. Pothuajse dy gigat e tjera janë të mbyllur në pjesën tjetër të hardiskut. Dhe ky funksionon si një kompjutër i veçantë. Këtu tek dy gigat e fshehura mund të ketë gjithçka, aq sa nuk u shkon në mendje, p.sh mund të mbajë një program të tillë edhe për një raketë balistike. Pavarsisht se ju këtë program mund të hiqni përmes rrjetit duke e bërë të pavlefshëm, dhe njëkohësisht nuk do të gjendet asnjë gjurmë llogaritjesh në kompjutër. Që të gjitha zhduken.

- A ka ndonjë gjë të ngjashme me makinën që ne përdorim përditë? - Pyeti Korabi duke mbajtur shënime në bllokun e tij që e kishte mbështetur mbi gjunjë.

- Unë nuk e di akoma nëse është e nevojshme që ta zbërthej. Por nga larg, në një mënyrë ose në një tjetër një hile e ka. Në rrjet mund të hysh përmes dy kanaleve të pavarura si nga dy makina të ndryshme. Dhe askush nuk mund ta instalojë atë.

- E pse ajo do ta bënte këtë?

- Atëherë, - tha ai, - është shumë e thjeshtë, këtu kemi të bëjmë me të dhëna të rreme. Atëherë ju me të drejtë do të mendoni se nuk e dini se ç`është “llogarimbajtja e zezë.” Ergysi e ndaloi duke bërë shenjë me dorë dhe tha:

- Atëherë ti mund të bësh çdo gjë dhe ta fshish programin pa lënë asnjë gjurmë.

- Je i mençur, - e lavdëroi Edisoni duke ngritur dorën mbi tastierë që të vazhdonte.

- Prisni, - tha me një ton të lartë Korabi, - Po rreziqe nuk ka këtu?

- Pothuajse asgjë, - tha Edisoni duke ngritur supet. - Edhe nëse ekziston ndonjë lloj “bombe” për të cilën dyshoj, është e pamundur që të fshihen plotësisht që të gjitha informacionet.

- Po nëse ka ndonjë lloj dredhie? - Pyeti Korabi me dyshim.

- Mos u mërzisni me këto budallëqe! - E ndërpreu Edisoni me padurim. - Pavarsisht nëse ekziston një “bombë” apo jo, nuk është problemi juaj. Mirë, ne nuk do t`i marrim të gjitha, më vonë unë do të grumbulloj gjithçka. Natyrisht që jo të gjitha, por unë do t`i revendos një një tablo të përgjithshme. Me pak fjalë, kompania u garanton klientëve kënaqësi absolute.

Korabi duke kërkuar mbështetje shikoi nga Ergysi.

- Budalla, kur të gjesh dikë që është në kërkim për t`u ndaluar, më njofto. - Ai u ngrit në këmbë krejt i pakënaqur, muskujt sikur i dhimbnin. Ishte fryrë sikur kishte pirë kushedi sesa shishe me birrë. - Korab, nëse më lejon po shkoj të shoh nëse ka diçka në frigorifer? Do të bëj ca prova jo alkoolike për veten time. Atëherë ky kopil nuk do të ketë vetëm ujë për ne!

- Mësa duket të kanë marrë flakë zorrët e do t`i shuash, - i tha Korabi duke e vështruar me dinakëri.

- Nga parashikimi, - ia ktheu aty për aty Ergysi. - Ju jeni kaq i mençur sa mua më duhet të bëj vrap të paktën dy javë duke e mbajtur gjuhën pas dhëmbëve. Ai qëndroi në prag duke ngritur dorën lart të mbledhur grusht dhe pastaj e drejtoi nga ija e Korabit dhe tha:

- Na thuaja diçka për ndarjen e punës o i mençur?

- Tani për tani nuk kam asnjë mendim, - qeshi Korabi.