Wednesday, May 12, 2021

Prend BUZHALA: ATDHEU KA NEVOJË PËR TË ÇMENDUR

 



(Çast antilirik), 4

Kur njerëzit dalin jashtë shtëpive
krijojnë një mjedis të rrezikshëm
që paqja mes tyre
të prishet e shprishet sa më shumë
Në agim, kur lexon a dëgjon mediat
Fjalinë e Parë do ta kenë
për rrezikun e sëmundjes e të politikës
për ta shtuar dozën e shqetësimit
për t'i konsumuar dozat e kërcënimit
Ti je ajo lënda e parë
për burimin e tyre të parave
Lexo e dëgjo
si E Mira shpallet çmenduri
e njerëzit e mirë shpallen qenie jonormale
diçka që e prish tregtinë e lëndës së parë.
Ruana Zot nga të mirët, thonë,
ata sjellin vetëm varfëri, mjerim, pezullim,
sjellin amulli, aty ku jeta nuk ndjehet e gjallë,
aty ku njeriu rri i fjetur, ecën si somnambul,
ku mendimi përjeton asfiksi.
Prandaj: rroftë çmenduria krejtësisht normale!
Atdheut i duhen sidomos Njerëzit e Çmendur!
E ç'na duhen njerëzit e mirë, domethënë jonormalë?
Rrofshin sëmundjet!
E ç'do të bënin doktorët pa këtë lëndë të parë
që quhet Njeri i Sëmurë,
pa epidemitë, epilepsitë
pa dhimbjet e kokës, pa neurozat e lehta e të rënda
a pa sëmundjet e kancerit?
Të shkretët njerëz të mirë,
nuk e dinë se atëherë policinë e vënë në pikë të hallit:
kur s'ka më dosje për kriminelë,
as përbindësha për t'i ndjekur
nëpër skutat më të padukshme,
shurdhohen edhe mediat e debatet televizive.
Ruana Zot nga gjendja e tillë e shurdhët!
Kur njerëzit nuk kanë vesh
problemi qëndron tek ata që dëgjojnë:
e si nuk e kuptojnë atë botë shurdhësie?
Cila shqisë iu mungon që as e shohin
e as e dallojnë Botën e Shurdhër?

E të metat e mendjes së vet nuk i shohin!
Rroftë Bota e Shurdhër!
Ajo na bën të shohim më kthjellët!
Sa herë Njeriu i Mirë e ngre zërin
turmat nuk kanë vesh ta dëgjojnë!
Të Mirët flasin Fjalë të Pakuptimta
që nuk i duhen tregut, biznesit a skandalit.
Rrofshin Fjalët e Pakuptimta!
Rrofshin kriminelët
që nuk prodhojnë krizë pune,
krimi qenka ajo lënda e parë e punësimit
që punëson detektivë, spiunë a gazetarë hafije
që shpërndahen nëpër rrugë me kamera e videopërcjellës
për ta gjahtuar jetën private të njeriut.
Përsëri në skenë dalin Të Çmendurit!
Ata nuk kanë nevojë të përcillen nga askush,
ata vetë e prodhojnë çmendurinë
këtë levë lëvizëse të historisë:
do të mungonin universitetet e të drejtës penale,
avokatët, gjykatësit dhe prokurorët,
nenet e kushtetutave dhe ato të neneve të gjakut,
pa ta as shteti, as kombi as njerëzia,
nuk marrin frymë!
(Rishkrime, 11 maj 2020)

Kujtim Stojku: CIKËL POETIK

 DIMËR NË PRANVERË

Flokët e mi nuk i kujtoj se janë bërë gri,
Anash një tufë e përhime ka mbetur,
Do t`i ndiqja hapat që në lindjen e ditës,
Derisa nata të humbëte në dritën e hënës.
Burimin e dritës së syve të mrekullueshëm,
E shoh me gëzim tek sytë e rinisë,
Mua më kujtohen ditët që kanë ikur zhurmueshëm,
Pranverën e pashë se ishte e imja,
Në altarin e së vërtetës me gjithë zemër e çova me gëzim.
Dimri, tashmë është kthyer me dëborë dhe shi,
Duke i bërë pemët që po vishen të dridhen,
Dëgjoj këngët e zogjëve që këndojnë me ëmbëlsi,
Duke përplasur krahët n`hapsirë përreth sillen.
Unë më kot mundohem që të gjej ndonjë arsye,
Sëbashku me të më në fund edhe unë do të fluturoj,
Për këtë dimër unë do të vuaj lumturinë edhe dhimbjen,
Dashurisë së pranëverës në fshehtësi do t`i këndoj...

E VËRTETA
E vërteta,
është një temë e mrekullueshme,
Që si me magji pas vetes të tërheq,
Për fatkeq shpeshherë ajo është e ndaluar,
Edhe po e mësove i mjeri ti seç heq.
Me thënë t`vërtetën,
Ajo është një mësuese që të çon përpara,
Që gënjeshtrën me logjikën e arsyetimit vret,
Kur lulëzon mashtrimi lule çelin gjëmbat,
Si në mendjen e një fëmije
pikë - pikë fillon helmimi,
E medet ç`ndodh në mendjen e shkretë…

KORBI I ËNDRRAVE
Kur sythët nëpër degë sa kanë filluar të çelin,
Nëpër flakët e qirinjëve përmes ëndrrash bredh,
E lastarët e rinj shtat duan të hedhin,
Një korb në këto peizazhe ëndrrash, vallen e tij hedh.
Kushdo që bredh nëpër ëndrrat e dikurshme,
Nga kujtesa mundohet t`i shkulë e t`mos mbesë asgjë,
Unë marr guxim nga këto kujtime,
Dhe për çudi asgjë nuk mbahet mend më.
Janë kujtime që prej kohësh janë zbehur,
Por për çudi lulet na kujtojnë se ëndrrat jetojnë më tej,
Në mes ëndrrash të dikurshme jam duke bredhur,
Dhe sqepi im nuk di pse hapet, e përsëri don të rrëmbej`.
Çuditërisht ai ushqehet me kufomën e kujtesës,
Është vetëm ky ushqim që më thërret të shijoj,
Duke ecur nëpër mugëtirë dhe agim
në kujtimet e venituara prej kohësh,
Cicërimat e zogjëve dhe lulet që sa kanë çelur
ëndrrat i bëjnë më tej të jetojn`, ah sa i bukur kujtim.
Ti me këngën tënde papushim pisket,
Se askush s`mund të gjej n`mes ëndrrave të dikurshme,
Me zërin e çjerrë gjithmonë dërdëllit të zbukurosh folenë,
Kujtime të venitura prej kohësh në ëndrrat që jetojnë më tej.
Në këto ëndrra unë kam parë
se jam ngjitur majë malesh që askush s`është ngjitur,
fushave mespërmes kam fluturuar si i marrë,
vërtetë jam i krejt i zi, por jam edhe një trim i krisur.
E pra,
Unë jam ai që ndryshoj kuptimin e ëndrrave tuaja,
Përtej deteve të paanë ku humbin të gjithë,
Përmes pyjeve të errët që askërrkush nuk sheh,
Jam unë ai që fluturoj sa ju këto ëndrra iu lodhën,
por ëndrrat jetojnë më tej, janë venitur prej kohësh.
Unë me vete marr mendimet e kujtimet,
Këto askush nuk i mban mend më,
E prandaj ëndrrat tuaja në mes të natës prishen,
Kur hapni sytë një shi troket pa zë mbi qelq …

DY MJELLMA
Dy mjellma janë binjake,
Asnjërën nga tjetra s`mund ta dalloj dot,
Janë të bardha,
Duken si t`veshur me mëndafsh krejt,
Prandaj i habitur rri dhe i shoh.
Gjithë madhështi përkulen si aristokrate,
Duke notuar madhërisht mbi liqen,
E unë bashkë me ta nuk ndahem,
Duke u fryrë si zotrinj njëri - tjetrin e gënjejm`…

TË GJITHA SHIHEN
Të gjitha shihen se pas teje sillen,
Se tani humbas se tani fitoj,
Tashmë jam i sigurtë por kam dyshime,
Rrugëdalje tjetër s`ka, shteg tjetër nuk shoh.
Të gjitha duket se po kthehen,
Paqja dhe prehja e rreme janë prish,
Si qen të tërbuar mbi popullin ndërsehen,
E keqja dhe e mira të ngjizura bashkë janë vithis.
Drita e syrit m`duket se është dobësuar,
Gënjeshtër e shikimit, t`gjithë më duket se dridhen,
Shoh një të çarë dhe zhurmën duke ushtuar,
Midis po - së dhe jo - së, të gjithë në një zinxhir lidhen.
Më në fund të gjitha shihen se u zbehën,
Mantelin e hijes fluturat e përshkojnë rrufeshëm,
Pa të brendshmen e ëndrrave në këtë botë,
E jeta n`mes vegimesh me sy mbyllur ka mbetur…

EDHE UNË E MOHOJ SOKRATIN
Edhe unë e mohoj Sokratin,
Se me thënë t`vërtetën asgjë nuk di,
Më duket i marrë që n`vend t`marrëveshjes,
Pa iu dridhur qerpiku piu helmin e zi.
Por unë e besoj si i marrë atë,
Kur me vullnetin e lirë përmes vdekjes,
Këputi prangat e heshtjes në tirani.
Po kështu pas këtij më vjen një mendim,
Ta mohoj Dekartin sepse m`duket se jam një qenie tjetër,
Sepse kur mendoj unë me të vërtetë jam një hiç,
Por të dyve u besoj si i marrë me thënë të vërtetën,
"Se unë jam jo sepse mendoj", kështu tha ai…

KUR ÇEL THANA
Dimri është gjunjëzuar nga lodhja e mbretërimit të gjatë,
Dëbora ngadalë ka filluar me shkrirë,
Në ditën e luleve një zë që thirri, oshëtimën la pas,
Si gjithmonë, thana kryeneçe para t`gjitha luleve me çel ka nisë.
Çuditërisht, dita e luleve t`pranverës përkon me çeljen e thanës,
E butë, burim fuqie nëpër beteja kur të sulmon e liga,
Idhnake dhe ngurosëse kur asaj me të vërtetë i prishet qetësia.
Nëpër dëborën që sapo ka filluar me shkrirë,
Dëgjohet një blegërimë nga kopeja e dhive që shkon të pijë ujë,
Si mbreti që ka fituar një betejë ata ecin duke mbajtur si kurorë brirët,
Zërat e magjishme të orëve erdhën deri tek unë.
Preshevë, Kosovë e Çamëri, si nëpër ëndërr u rashë mes për mes.
Sa herë i bëja këto udhëtime imagjinare,
Isha i ruajtur nga një gardë e padukshme mbretërore e vërtetë,
Duke udhëtuar s`bëja zhurmë që t`mos trembeshin,
Se isha një lajmëtar që dhimbjet e kombit në shpirt i mbante,
Askërrkush s`do t`ma lidhte gjuhën që të mos fliste, e më në fund të heshtë…
II
Epo, shoh se përsëri duhet shumë kohë,
Që kombi të pastrohet nga kërmëza e maceve,
Ideologët me zor e shohin diellin të lindë,
Mëngjesi shkreptin me jehonë,
Që pagdhirë ai fillon e pëshpërin.
Disa betohen e stërbetohen,
Se luftojnë për komb, ky është misioni i ynë.
Kur dëgjojnë disa këto fjalë iu merren mendtë,
Disave të tjerë sa s`u dalin zorrët duke vjellë buzë trotuarit,
Si komb ne gjithmonë duhet t`jemi problematikë,
Atij ia harrojmë ngjyrën,
E si të marrë ne vetë kurdoherë jemi gati t`i vëmë zjarrin.
Duke parë ëndrra në pallton e ngrohtë dimërore,
Një zanë e dëgjoj që gjithmonë bërtet`
E ju iu dëgjoj të përlesheni me zjarrin,
E këmisha e çjerrë valëvitet si flamur,
Prej dhimbjesh të mëdha na ka marrë malli.
Jam dashnor i marrë i fushave, maleve dhe zabeleve,
Të rrugëve që do t`i mbuloi jeshillëku duke lëshuar hije,
Me qetësi vazhdoj përmes kopshteve dhe zabeleve,
Që vrapojnë sëbashku me gjakun nëpër vena,
E shpirti, zjarr e flakë të ndizet.
Nga larg një rrezatim blu më buzëqesh,
Gorretë ngjyrë kafe gurogullojnë nga qielli,
T`gjitha këto i ndjej, por tek unë s`bëhen pjesë,
Kjo në të vërtetë është një dashuri krejt ndryshe,
Kur çelin thanat s`e di pse në qiell yjet feksin.
Kur vjen vera këtë vend e djegin rrezet e diellit,
Thana që çeli e para harrohet por kujtohen se piqet e fundit,
Unë vargjet i mbledh prej malesh krejt i rreckosur,
Si gjithmonë i përqafoj horizontet,
Dhimbjet më ngacmojnë në shpirt e fytyrën më shumë ma rrudhin.
Bredh nëpër zabele dhe i shoh krejt lakuriq të zhveshur,
Drurët dhe pemët i dëgjojnë të ulërijnë,
E gjithë kjo në mendjen time si fantazi është duke bredhur,
Sythët po shpërthejnë e lulet janë duke lindë.
Si hardhitë që ngjiten duke u përdredhur,
E kur çelin lulet zbukurojnë majat e pemëve,
E fieri tokës së kafët ja ngul rrënjët shumë më poshtë.
Zemra ime dhe ajo e atdheut rrahin në një kohë,
Toka merr frymë e zbukuruar nga ngjyrat e ylberit,
Një vend që prej opali e ka zemrën,
Mendimet mbi krahët e dallandysheve fluturojnë,
Kësaj hyjneshe të pranverës lulet sa kanë nisur t`i çelin...

GJUHA HYJNORE
Jemi përkundur në djepet prej druri,
Me ninullën e zanave ëndrra kemi parë shpesh,
Fjalën nuk e pamë të zbriste prej qiellit,
Por prej nënës fjala e magjishme
brenda nesh rrënjë zuri,
Çdo tingull i saj ëngjëjt mblidhte përreth.
Shtegtoi nëpër shekuj kjo gjuhë e moçme,
Për të shpëtuar veten me çfarë nuk u ndesh,
Me këto fjalë qielli bubëllonte,
Është kjo gjuhë që ne flasim sot ndërmjet nesh,
E më pas, retë shpërndaheshin në qiell.
Këtë gjuhë flasin sot edhe lulet,
Mbi krahët e fluturave ishte shkruar,
Këto fjalë shqiponja i kishte varur në sqep,
Zogjtë me këto tinguj simfoninë e tyre kanë kompozuar.
E prandaj prej gjoksesh një melodi magjepëse del,
Me këto fjalë shqiponja përshkon qiellin dhe klith e gëzuar.
Më pas këto fjalë hyjnore filluan të rënkonin,
Bashkë me dhimbjet që gjokset na i çanë,
Edhe sot ato shfaqen me fytyrën e Anadollit,
Helm që s’na bën përshtypje,
Me bujari të madhe turkoshakët janë duke na i falë.
Por ne si të marrë mësuam dhe gjuhë të tjera,
Gjuhën e krimbit sa herë që ai flet,
Përdredhjet e tij vërtetë ishin të pështira,
Kushedi sa pyje me lisa ka tharë, me gjuhën e vet.
Ne e dimë se,
Bashkë me gjarpërin ai qesh në fshehtësi,
Thashetheme bëjnë sëbashku korbat me sorrat,
Pastaj këto i ndanin me mizën e shtëpisë,
Mësuar me këtë melodi që këndon sipër kokave tona,
Ku përreth ajo le jehonën e vet të melodisë.
Pastaj unë pyeta bulkthin,
Ku çdo pyetje iu përgjigj serbes,
Ju bashkohej të qarave që shpirtin shkulin,
Fola me gjuhën e luleve që kokë ulur ishin duke dënes,
Ëngjëjt iu merrnin erë, e me ta flsinin me gjuhën e vet…

KOKË A PILË?
Fryma jote shpërndahet n`ajrin e padukshëm,
E mrrol tokën me ndotjet e saj,
Fshihesh pas pëshpëritjesh që oshëtijnë zhurmueshëm,
Ti kërkon natën, kurse unë ditën dhe diellin e zjarrtë.
Shtegu i shiut është i padukshëm,
Me dhëmbët e vënë i kafshon bishtin,
Prej bokave rrëketë rrjedhin krejt turbull,
Kafshon pëlhurën e merimangës dhe lodrën,
E oshëtimat e tyre nisin.
Errësira është misterioze,
Reflekset ndijore sillen përreth me tallaz,
Ujqërit mundohen ta mbajnë të fshehtë gjumin,
Ti më the se po flas përçart.
Atëherë të thashë ta bëjmë kokë a pilë,
Për çudi për mua ra kokë e pila për ty ra.
Me këtë lojë fëminore s`ka asgjë serioze natyrisht,
Por s`e di pse hidhesh e përdridhesh,
E më pas ia kris të qeshurit si debil…

KËNGA E SHPRESËS
Dita, me gishtrinjtë trëndafili të diellit,
Tak - tak fytyrë qeshur troket në portë,
Ishte vonë kur u ngrita, retë pashë që me përtim ecnin,
Si dembele që ishin në ajër qëndronin.
Mbi gjethet e rëna duke parë ëndrra flenin,
E këngën më s`mund ta mbaja kur hijet filluan të kalojnë.
Megjithëse është mesditë harku i hënës s`duket asnjë çikë,
Shiu qëndron pezull në ajër dhe lag pemët e zhveshura,
Pikat e këtij shiu dimëror bien mbi mua që iu dukem se jam më i marri,
Derisa hijet të fillojnë e t`kalojnë kam kohë të thur melodinë,
E shkulmet e këngës udhën e tyre të marrin.
E shoh se dita është shumë afër,
E di se besimi nuk ka asnjë logjikë,
Retë me shi seç po e turbullojnë ajrin,
E gjithë bota më duket e përhimtë.
Por unë këngën nuk kam për ta kursyer,
Derisa sa nesër dielli përsëri të rilindë…

LULJA E SHKAMIT
Nën barërat e këqia e lashë gjarpërin të më presë,
"Mos u tremb" i thashë "se askërkund s`kam për të shkuar"
N`çantën time ka vetëm laps e letër,
Bashkë me ëdrrat edhe për ty kam për të shkruar.
Nëse do të lexosh mendjen time,
Të jap fjalën e burrit se s`kam për të lodhur shumë,
Ja po ta them hapur se ç`mendime bluan mendja ime,
E ti të mos lodhesh duke u zvarrisur në pluhur.
Mendimet i shkruaj mbi letër me fjalë të ngadalta,
Ata janë t` shpejta dhe të mprehta për të goditur,
Janë aq të qeta për të pritur pagjumësinë kur bie nata,
Çelin petale sapo dielli ka për të lindur.
Përmes metaforës më kot jam munduar
për të pajtuar njerzit dhe gurët,
Natyrisht që nuk kompozoj ide, por në fakte,
Më magjeps një pamje madhështore
Kur skifterët ulen mbi shkaminj,
Turrem pas lules time të preferuar,
E kjo është lulja e shkamit,
Që e çan atë në dysh.

Shshsht
Shshsht,
mos ia thuaj kujt,
Këtë që do të them mbaje të fshehtë,
Të më betohesh se askujt s`do t`i thuash asgjë,
Përveç rrugës plot me yje që të çon në qiell,
Të mos flasësh me askënd për një të fshehtë të madhe,
Ku ca të burgosur të rrezikshëm të dënuar për jetë,
Që të ruajtur me roja t`armatosura askush nuk mund t`i mbante,
Përditë ushqeheshin me pëllumba siç ua donte shpirti vetë.
Kur ua këpusnin kokën të shkretëve pëllumba,
Ata gugasnin për të fundit herë,
Fjalët hanin mjaltë e mjalti mbushej me miza,
Që shihnin një urë që s`e kishin kaluar për të fundit herë.
Me thënë të drejtën ata as e kishin parë,
Dhe jo më që t`u shkonte ndërmend t`kalonin urën e lirisë,
E këto ura për çudi si të babëzitura gëlltisnin shikimin,
Duke parë zhgënjimin modern të skllavërisë.
Shikimet gllabëronin gotat me puthjet epshore,
Ku të gjitha fshiheshin nën krahët e fluturës,
E cila gënjehej nga drita e fluturonte natën,
Kjo ndodhi në një kafene që kishte thyer orën policore,
Në këtë fillim pranëvere në Tiranë…


FJALËT E SHPIRTIT
Megjithëse jam i lidhur,
Unë prapë se prapë jam i lirë,
E në lirinë time jam krejt i pavarur,
Jam i qetë por si një luan ulërij.
E pra, unë jam mbret,
Kur flas kështu shpirti im këndon,
Prandaj në asnjë çast shpirti s`mund të heshtë,
Akordet e shpirtit si mbret më flasin gjithmonë…

DRITARJA E DYTË
Duke parë përmes xhamave të dritares,
Jashtë unë shihja një dritare tjetër,
Nëpër degët e pishës kori zogjëvë
këngën s`e ndalte,
Në mendje më bëhej sikur shihja një dasëm,
E majës sime të penës i ishte bërë zakon,
Që zërat atje valëzonin ajrin,
Me tingujt e tyre vargjet t`i thurte,
Xhamat dridheshin nga kjo jehonë.
Nga kjo dritare e dytë që më përvijohet,
Pemët për çudi më duken se nuk janë hiç reale,
Ato rriten nga ajri duke rënë si pluhur, s`iu besohet,
Oshëtimat e zërave përplaseshin mbi xhama,
E nga dridhmat e tyre ato ishin krisë,
E ju do t`iu duket se po iu flas pallavra,
E marrinat prej mendjes time udhën e tyre kishin nisë.
Kur dëgjoja tingujt e këngëve që këndoheshin gjithë hare,
Shihja se ata vizionin e shihnin me muzikë,
Veshjet e bukura copë e çikë e thërmonin të ftohtin,
I shihja me sytë e mi se si shkriheshin shakullinat e dëborës,
Që penën time e bënë të shkruante,
E prej saj fjalët të rrezatonin si dritë.
Nga dritarja e dytë unë me të vërtetë shihja ëndrra,
Nëse dikush do t`më dëgjonte
me të vërtë do kujtonte se kam lajthitë,
Shihja një vajzë të bukur si perri duke udhëtuar nëpër flakë,
Flokët i kish të kuqërremtë dhe sytë krejt lajthi,
Dhe një publik në qiell që e duartroket me brohori.
E pra, syrit tim nuk i mungon asgjë,
Shoh tek ju se shihni përmes dy dritaresh,
Një funeral shoh në ajër,
Gurin e varrit e dalloj se është prej alabastri,
Llogaritjet i bëj të sakta
Duke vizatuar rrethin me anë të kompasit.
Kurse varrimin e shoh duke parë hapsirën e alabastrës,
Dhe duke qenë i krisur,
Perimetrin e lexova atje se ishte dy fish,
E mendja përsëri ma ngatërronte,
Megjithëse përllogaritjet sipas formulës,
Krejtësisht të sakta ishin,
E prej dritares së dytë s`i besoj më syrit tim…


Prend BUZHALA: Çast antilirik 3


MËSIMET E VËSHTIRA TË NJË PRINDI TË ZHGËNYJER
PËR TË BIRIN, PAS PLAGOSJES PËR VDEKJE


Së pari u dëgjuan krismat në drejtim të veturës,
pastaj qytetari brenda plagoset rëndë.
Djali i tij humbi toruan, s'kishte si ta ndihmonte.
Në ato çaste, prindi po ia jepte të birit
mësimet testamentare për jetë:
1.
Posa të zgjohesh në mëngjes, dije,
të pret vetëm fatkeqësia,
duhet të merresh me punën më të pistë
për të mbijetuar.
E para e punës, mos ji i ndershëm.
Hiqu nderit, pash të madhin Zot!
Hiqu Fjalës së urtë! Kush ia ka pa hairin!
Ashtu, biri im! Tash e ke në rregull:
ti i kupton Ligjet e Tregut, çka kërkon bosi yt,
për t'i shërbyer bosit tënd, punëdhënësit a shefit.
Kur të shkosh në Serbi:
atje të pret gazda i dikurshëm,
në xhepin tim të këmishës i ke adresat,
numrat e telefonave dhe të hoteleve
emrat e tyre dhe emrat e rrugëve.
Atje do ta kesh për detyrë
cilat armë fshehtas i shet në tregun e zi
e cilët artikuj për konsum të gjerë,
cilat targa t'i përdorësh nëpër sa e sa shtete,
si t'i ndërrosh veturat, trenat, automjetet
dhe njëqind mjeshtri e dreqni tjera për të pasur sukses.
Mos harro pra:
atje të ndihmojnë kumbarët tanë të mirë.
Kur të shkosh në Shqipëri,
do të gjesh miq të zhdërvjelltë
që t'i mësojnë zejet e mashtrimit me pasaporta,
bëhesh shtetas dhe atdhetar me pasaportë shteti
për të lëvizur lirisht
veç mos i ngatërro emrat e ndryshëm,
një për Serbi, një për Shqipëri e një për Evropë,
sidomos këtë për Turqi, sepse këtu të duhet të shkosh
për t'iu shërbyer bosëve tanë
që t'ua dërgosh paratë
në bankat që askush nuk i kontrollon.
Në Shqipëri do të gjesh sa të duash miq
që t'i mësojnë labirintet e shitjes së drogës
dhe vrasjet me porosi,
mos u bëj i ndjeshëm për to,
kryeje punën ashtu i qetë, qetësisht, pa zhurmë,
dhe largohesh sikur kurrë kurrgjë s'ka ndodhur,
mos lejo kurrfarë dëshmie afër vetes,
punë e madhe pse derdhet gjaku,
me atë punë le të ushqehen mediat, politika dhe policia,
s'është puna jote të shqetësohesh për to.
A po sheh se tash mua këtu kush po më rrethon?
Ku janë miqtë?
Çfarë miqsh ka, pash të madhin Zot?!
Në Itali mësoji përmendësh
emrat e hoteleve, rrugëve dhe shtëpive publike,
të duhen për t'i vënë kontaktet
me zonjat e rënda që shesin trupa femrash,
sidomos kryeje mirë detyrën me gomone
dhe mësoje mirë zejen e lirimit
nga rrethimet policore-ushtarake.
2.
Ndërsa prindi po jepte shpirt, i mbuluar me gjak,
djali e mbuloi me batanije,
policia e merr kufomën dhe e dërgon në spiral
për analiza të mjekësisë ligjore.
Ndërkohë, në restorantin përballë
dëgjon lajmet për vrasje,
dhe për rritjen e produktit
e të mirëqenies sociale.
Iu duk se po e hante ditën dhe diellin
në vend të drekës.
Se po pinte sirenat e autoambulancës
në vend të një birre të ftohtë.
S'kishte më asgjë për të humbur.
Rrugëve të parajsës po vraponte vetura
me trupin e pajetë të babait.
Rrugët e parajsës u hapën edhe për të birin.
(11 maj 2021)