Monday, August 30, 2021

Kujtim STOJKU: GRIMCA POETIKE


JO DHE PIKË

E thashë pra,

Doni që t`ua përsëris dhe njëherë,

Në këtë kohë nuk duhet revolucion,

Sepse ka internet…


NATË

Çdo natë,

Si shkak për lodhjen ndez llullën,

Fjollat e kaltërta të tymi ngrihen hava,

Mendja ime sillet e përdridhet,

E mendimet askërrkund s`ngulen,

Në dritaret e shtëpisë përballë,

Filloj të shoh film pa zë…


REALITET

Është realitet,

Se ne i harojmë të gjitha ëndrrat,

Dhe të gjithë i kujtojmë në një ëndërr,

Ata të gjitha janë të mrekullushme,

Por një na ka shpëtuar patreguar,

Me të vërtetë…


MOS FOL SHUMË

Mos fol shumë,

Ishte këshilla e të parëve,

Sepse atë që do të thuash,

Duhet pak kohë ta mendosh,

Apo jo?

 

E shoh se ti ballin me gisht kruan,

Është e pamundur që të kesh dy mendime

Në të njëjtën kohë…


EDHE NJËHERË

Edhe nëse do të kthehesh mbrapsht,

Për ta rilexuar nga e para librin,

Do të kuptosh se na e shkelmuat të ardhmen,

Dhe britma jote do t`i mbushë ditët,

Kurse laku juaj do të më puthte qafën.

Ëndrra ime më solli në faqen tjetër,

Dhe atëherë pa mbyllur sytë,

Librin e lexova deri në fund.


UDHËTIMI I NATËS


Të vdekurit jetojnë nën qepallat tona,

Por unë nuk e di se ata kanë vdekur,

Ata udhëtojnë me ne nëpër një rrugë

që ne kemi kaluar një natë si askush tjetër,

Sepse edhe nata udhëton përmes nesh duke çaluar.

Fjalët që kemi thënë janë përmes nesh,

Dhe kur më thatë se unë vij për të ardhmen tuaj,

Ne jetojmë qafë për qafëdhe ashtu siç e sheh,

 pamëshirë njëri -tjetrit i derdhim helm…


FJALËT E SHPIRTIT


 Megjithëse jam i lidhur,

Unë prapë se prapë jam i lirë,

E në lirinë time jam krejt i pavarur,

Jam i qetë por si një luan ulërij.

E pra, unë jam mbret,

Kur flas kështu shpirti im këndon,

Prandaj në asnjë çast shpirti s`mund të heshtë,

Akordet e shpirtit si mbret më flasin gjithmonë…


KUR U ZGJUAN ZOGJTË


Kur u zgjuan zogjtë,

Krejt të çuditur panë,

Njerëzit ishin kokë poshtë,

Duke ecur në tavan…


 URDHËR POLICESK

Të zbatohet pikë e presje nga të gjithë,

Për çdo shkelës ka masa të rrepta ndëshkimore,

Ndalohet notimi i rosave dhe pikë,

Por një rosë nuk u bind dhe filloi të notonte…


    PËRSE SHKRUAJ


Përse shkruaj përse shkruaj,

Më kanë bërë shumë pyetje,

Do të përgjigjem ti mos vuaj,

As unë nuk di të bëj ndryshe.

Prandaj s`mundem dhe sikur të dua,

Se unë ndryshe s`mund të shkruaj.


MË FALNI


Më falni,

Se ndoshta iu kam bezdisur shumë,

Sa ka aq shumë nga ju këtu,

E prandaj ja ku jam dhe unë.


TEK DOKTORI


Nuk ndjehesha mirë,

Dhe u vizitova tek doktori,

Si më pyeti e më këshilloi,

Më tha: - shtrihu e mos merr frymë.

Sa mirë do të ishte për të gjithë kështu,

Por kur dola prej tij, nuk iu gënjej,

Me të vërtetë nuk ndjehesha mirë.


GJUHË

Përtej lumit,

Përtej gjërave,

Që janë të dukshme,

Gjuha na prishet,

Nga përmbytjet e fëmijërisë,

Ato që kam rujatur prej trupit,

Janë,

Fjalët dhe frika.

 

Tuesday, August 24, 2021

Xhelal Zejneli: FESTA E BIRRËS NË KORÇË – TEATËR ABSURD



Festa e birrës në Korçë u refuzua nga Kosova si dhe nga shumë shqiptarë të tjerë në Shqipëri, në gadishull dhe në diasporë. Shkak i bojkotimit të kësaj feste ishte pjesëmarrja e njëfarë Bregoviqi, i cili në tokën arbërore këndon në gjuhën serbe. Të këndosh në Arbëri në gjuhën serbe dhe kurrë të mos i kesh dënuar krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë apo Dardani, kjo është e papranueshme, për të mos thënë e pafalshme.
Ka të tillë që thonë se ky farë Bregoviq, na qenkësh kroato-boshnjak. Në të vërtetë, ky vjen nga një baba kroat dhe nga një nënë serbe, ndërsa gruan e ka myslimane (boshnjake). Jeton në Beograd dhe në Paris. Dikur është deklaruar jugosllav. S’ka asnjë dyshim se Bregoviqi është serb i kulluar. Ka qenë i afërt dhe vazhdon të jetë i afërt me regjisorin Emir Kusturica, i cili i takon vijës ultra-nacionaliste serbe, vijës Millosheviqit dhe të radikalit Vojisllav Sheshel. Dikur ai mund të jetë deklaruar si jugosllav, por që prej vitit 1991 e këndej, Jugosllavi nuk ka. Madje, edhe kur ka pasur Jugosllavi, ajo në të vërtetë ka qenë Serbosllavi.
S’ka asnjë dyshim se Beogradit i shkon në dobi përçarja midis Kosovës dhe Shqipërisë, i shkojnë në dobi zënkat, mosmarrëveshjet dhe konfliktet ndërshqiptare. Por kjo, kurrë s’ka për të ndodhur. Shqiptarët kanë të njëjtën prejardhje – ilire, flasin gjë gjuhë – shqipen, kanë një histori dhe janë një komb. S’ka fuqi në botë që mund ta mohojë apo ta kontestojë këtë.
Në aspektin propagandistik, festën e birrës në Korçë e mbështetën disa mediume dhe studio televizive mercenare, disa gazetarë të shitur, disa analistë të tipit të Esat pashë Toptanit, të vrarë në Paris nga heroi i kombit – Avni Rustemi.
Festa e birrës në Korçë nuk i bën nder fabrikës së prodhimit të birrës së Korçës. Është turp për Bashkinë e Korçës të jetë organizatore e këtij manifestimi. I riu që hodhi gazin lotsjellës në sheshin ku mbahej koncerti i Bregoviqit, për miliona shqiptarë anembanë gadishullit dhe për shqiptarët në diasporë konsiderohet hero dhe atdhetar. S’ka gjykatë në Shqipëri që mund t’i shqiptojë dënim këtij heroi dhe mëmëdhetari.
Ata që thonë se Bregoviqi është këngëtar i madh, madje me famë botërore, e kanë gabim. Ai, as është këngëtar i madh, as është i përmasave botërore. Nuk është e vërtetë se ka mbajtur koncerte në shumë vende të botës. Ajo që dihet saktë është se ai ka mbajtur koncert në Rusi, e Rusia nuk është e gjithë bota.
Ky farë Bregoviq kurrë nuk është distancuar nga krimet serbe në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Kurrë nuk i ka dënuar krimet dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Bashkia e Korçës dhe sponsoruesit e tjerë të festës groteske të birrës duhet të dinë se:
- Mbi 1000 shqiptarë ende evidencohen si të pagjetur;
- Frigoriferi me trupat e pajetë të shqiptarëve është gjetur në lumin Danub;
- Bombardimi i burgut të Dubravës nga ushtria pushtuese serbe është plagë e pashërueshme e kosovarëve;
- Përdhunimet e kryera në Kosovë nga ushtria, policia dhe falangat serbe janë akte barbare, të papara në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore;
- Dëbimi i mbi një milion shqiptarëve nga vatrat e tyre është një tragjedi përmasash biblike;
- Vrasja e fëmijëve të moshës së mitur troket në ndërgjegjen e kombit dhe të Perëndimit;
- Për vrasjen e Ukshin Hotit, të poetit dhe profesorit Latif Berishës në pragun e shtëpisë, të avokatit Bajram Kelmendi dhe tre djemve të tij, të tre vëllezërve Bytyçi, me shtetësi amerikane, të profesor Femi Aganit dhe shumë të tjerëve, sot e kësaj dite nuk është përgjigjur asnjë kriminel serb etj. Të luash politikanin modern në rrethana të tilla, është papërgjegjësi politike dhe sharlatanizëm politik.
Është indikativ fakti se Bregoviqi është ftuar pikërisht në Korçë dhe jo në ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë. Në Korçë mund të ketë të tillë që e kanë në zemër Athinën dhe Beogradin, për të mos thënë edhe Rusinë. Por, të gjithë duhet ta dimë se feja e shqiptarit është shqiptaria, se dielli shqiptar lind në Perëndim, se aleate e shqiptarëve është ShBA-ja, se shqiptarët janë populli më proamerikan në botë. Të gjithë e dinë se hero kombëtar i shqiptarëve është Gjergj Kastrioti, se krenari e kombit është Nënë Tereza, se princ i kombit në art dhe në letërsi është Ismail Kadareja, i përkthyer në 47 gjuhë të botës, në të pesë kontinentet.
Ardhjen e Bregoviqit në Korçë nuk mund ta shpjegojnë analistët apo krijuesit e opinioneve që janë pa ndjenja kombëtare. Nuk mund ta shpjegojnë as analistët sharlatanë që kanë punuar në Perëndim si djathëshitës, kamerierë, pjatalarës, ngasës kamioni dhe si taksistë.
Është për t’u habitur sesi mediume të caktuara apo studio televizive u japin hapësirë nëpër debate, pseudo-intelektualëve dhe pseudo-analistëve të cilët kërkojnë ndryshimin e historisë, të cilët thonë se pushtimi i egër turk apo osman nuk paskësh qenë pushtim, se sundimi i egër pesëshekullor turk apo osman nuk paskësh qenë sundim. Këta kuazi-intelektualë dhe kuazi-analistë, në emër të çmitizimit të historisë sonë kombëtare, shajnë dhe mohojnë kryeheroin e shqiptarëve Gjergj Kastriotin, relativizojnë rolin dhe vlerën e Nënë Terezës, e shpallin shkrimtar oborri Ismail Kadarenë, ndonëse vepra letrare e tij, fund e krye është kundër diktaturës, tiranisë, despotizmit, autoritarizmit dhe autokracisë. Romani “Pallati i ëndrrave” është kryevepër me vlera dhe përmasa universale që mund të krahasohet me “Procesin” e Franc Kafkës.
Mediumet dhe studiot televizive, bashkë me moderatorët e debateve të sipërthëna – thellësisht antishqiptare – janë mediume dhe studio televizive mercenare, në dëm të kombit dhe në shërbim të armiqve të kombit. E armiqtë e kombit dihen se kush janë. Janë ata që i mbajtën apo që vazhdojnë t’i mbajnë nën pushtim dhe nën sundim trojet etnike historike shqiptare.
Këta mbeturina të kombit, këta të ashtuquajtur çmitizues të së kaluarës do të përfundojnë në plehun e historisë. Plehu i kombit kërkon revidimin e historisë dhe krijimin e një të ashtuquajture histori integrale. Hedhurinat e kombit duhet ta dinë se historinë e shqiptarëve nuk e krijuan ata që u vunë shërbim të të huajve por ata që u flijuan për t’u çliruar nga pushtimi dhe nga sundimi i huaj.
Historinë e lavdishme dhe heroike të Kosovës nuk e krijuan katër-pesë shqiptarët e ndershëm që punuan për Serbosllavinë, që u martuan me serbe, që jetuan në Beograd dhe që vdiqën aty, për t’u varrosur në Novo Groble të Beogradit. Për të tillët, në Kosovën martire s’kishte as vend për varr. Prej këtyre shqiptarëve të ndershëm u distancuan edhe familjet dhe fisi i tyre.
Shtypi i Beogradit i quante të ndershëm ata shqiptarë të cilët shanin Shqipërinë dhe lëvdonin Jugosllavinë, d.m.th. Serbosllavinë. Jugosllavi s’ka pasur kurrë. Ka pasur Serbosllavi. Serbosllavi ka pasur, si në kohën e Nikolla Pashiqit ashtu edhe në kohën e karagjorgjeviqëve, si në kohën e Aleksandër Rankoviqit ashtu edhe në atë të Millosheviqit.
Deklaratat se shqiptarët në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare e paskan adhuruar muzikën serbe, janë të pavërteta, janë gënjeshtra të kulluara. Shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare e kanë kultivuar muzikën e vet popullore, ndërsa grupet muzikore të të rinjve shqiptarë e kanë kultivuar muzikën bashkëkohore shqipe.
Ka që thonë se në koncertin e gruas së kriminelit të luftës – Zhelko Razhnjatoviq Arkanit, kanë marrë pjesë shumë shqiptarë nga Kosova, është një gënjeshtër e madhe. E vërteta është se në koncertin e saj në Shkup nuk ka marrë pjesë as edhe një shqiptar nga Kosova apo nga Maqedonia.
Bashkia e Korçës duhet ta dijë se këngët “Kuq e zi” dhe “Xhamadani vija-vija” nuk shkojnë bashkë me Kallashnjikovin e Bregoviqit. T’i përziesh këngët e sipërthëna me praninë e Bregoviqit, nuk është veçse demagogji. Simboli i flamurit kombëtar, i bërë me dy duar dhe kënga në gjuhën serbe e Bregoviqit, nuk shkojnë bashkë. Kjo është hipokrizi, është dyfytyrësi. Me demagogjinë, hipokrizinë dhe dyfytyrësinë e manifestuar, organizuesi i festës groteske dëshmon se është fajtor.
* * *
Politikën e Tiranës nuk duhet ta imponojnë qendrat majtiste globale, që përhapin multikulturë. Edhe Josip Brozi e provoi me vëllazërim-bashkimin por Jugosllavia e tij u zhbë në gjak. S’mund të ketë vëllazërim-bashkim midis shqiptarëve, në një anë dhe sllavëve të jugut, në anën tjetër. Kjo është një utopi.
Tirana zyrtare dhe Bashkia e Korçës duhet ta dinë se:
- Kosova është zemra e shqiptarisë;
- Kosova ndodhet në vijën e parë të frontit përballë armikut të rrezikshëm – Serbisë;
- Kosova kreshnike e Adem Demaçit, e Ibrahim Rugovës dhe e Adem Jasharit është mur mbrojtës i Shqipërisë, përballë synimeve hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë së kryekriminelit të Ballkanit – Aleksandër Vuçiqit;
- Kosova krenare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroike, lavdiplote dhe legjendare nuk shtrohet dhe nuk nënshtrohet para hordhive të egra barbare çetnike dhe serbomadhe;
- Kombi shqiptar i ka borxh Kosovës, për arsye se ajo ballafaqohet me hienën gjakpirëse – Serbinë;
- Politikën serbe e diktojnë Akademia Serbe, Lidhja e Shkrimtarëve e Serbisë, Kisha Ortodokse fashiste Serbe dhe Rusia e Vlladimir Putinit.
Politika e Tiranës zyrtare dhe Bashkia e Korçës duhet ta dinë se:
- Që nga viti 1991 e deri më sot, nga 600 mijë shqiptarë të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare vijnë në bregdetin shqiptar për t’i kaluar pushimet e verës;
- Me ndërtimin e Rrugës së Kombit, shqiptarët e Kosovës çdo të shtune dhe çdo të diele, vijnë në Shqipëri për t’i kaluar ditët e fundjavës.
- Prej muajit janar e deri në fund të korrikut të vitit në vazhdim, prej Kosove kanë ardhur në Shqipëri 1 milion e 400 mijë shqiptarë. Me të drejtë këtë e quajnë turizëm patriotik;
- Sivjet nga Maqedonia, deri në fund të korrikut të vitit në vazhdim kanë ardhur në bregdetin shqiptar mbi 360 mijë vetë. Mbi 95% e tyre duhet të kenë qenë shqiptarë;
- Viti 2020 ishte vit i pandemisë Covid-19. Ishin pikërisht kosovarët ata që e shpëtuan turizmin e Shqipërisë nga kolapsi;
- Shumë të rinj nga Kosova dhe nga viset e tjera shqiptare i ndoqën studimet dhe vazhdojnë t’i ndjekin studimet në Universitetin e Tiranës;
- Tregu i Kosovës gjithmonë ka qenë i hapur dhe vazhdon të jetë i hapur për mallrat e Shqipërisë;
- Nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës dhe të viseve të tjera, ekskursionet e veta i organizojnë dhe i realizojnë në Shqipëri.
Në kohën kur Shqipëria u godit nga tërmeti vdekjeprurës, i madh e vogël, në Kosovë dhe në viset e tjera, u ngritën në këmbë, aq sa mundën dhe aq sa ditën, për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë. Por kjo nuk duhet të përmendet për arsye se këto janë sjellje dhe veprime vëllazërore.
Në vitin 1999, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u përball me ushtrinë, me policinë dhe me falangat paramilitare serbe, 600 mijë shqiptarë të Kosovës gjetën strehim në Shqipëri. Strehim gjetën, nga veriu deri në jug. Strehim gjetën edhe në Korçë, aty ku më 22 gusht të vitit në vazhdim, në prani të ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë, këndoi Bregoviqi.
S’ka të drejtë Tirana zyrtare dhe Bashkia e Korçës t’i trazojë ndjenjat e dy milionë shqiptarëve të Kosovës.
Shqiptarët jashtë Shqipërisë, Shqipërinë e kanë përjetuar dhe e përjetojnë si vendin mëmë. Dhe kjo nuk mund të merret si naivitet. Të ballafaquar me hetues, me gjyqe dhe gjyqtarë, me dënime drakonike, me gardianë, me qelitë e burgut, me dëbime nga puna, me të ashtuquajtura diferencime ideopolitike, me përndjekje të vazhdueshme, me konfiskim librash të botuar në Tiranë - ndër shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera është akumuluar ndjenja flaktë e flijimit për liri, për pavarësi dhe për demokraci. Shqiptarët u ndeshën me shkopinjtë e gomës të policëve fashistë serbë, sllavo-maqedonas dhe malazezë. Akuzë e vetme ishte: “Ju e doni Shqipërinë dhe punoni kundër Jugosllavisë. Ju punoni për bashkim kombëtar dhe për shpartallimin e Jugosllavisë”.
Nxënësit dhe studentët e Shqipërisë duhet të njihen më mirë me historinë dhe me gjeografinë e Kosovës dhe të shqiptarëve të viseve të tjera. Qëndresa e shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze përballë armiqve serbë, grekë, sllavo-maqedonas dhe malazezë duhet të mësohet dhe të studiohet nëpër shkolla dhe universitete. Madje jo një vit, por katër vjet me radhë. Jo një semestër por tetë semestra. Nxënësit dhe studentët e Shqipërisë, përfshi edhe mësuesit, arsimtarët, profesorët dhe pedagogët e Korçës ku këndoi Bregoviqi në gjuhën serbe, duhet ta dinë çdo cep të trojeve etnike shqiptare, çdo qytet dhe fshat të banuar nga shqiptarë, në të kaluarën dhe sot.
Raportuesja e një mediumi prestigjioz të Tiranës thotë: “... dy të mbyturit janë nga Bitola e Republikës së Maqedonisë së...”. Kjo gazetare nuk e di se në toponomastikën shqiptare fjala Bitola nuk ekziston. Është Manastiri, qyteti i alfabetit të gjuhës shqipe, i Kongresit lavdiplotë të alfabetit të shqipes. Raportuesja mund edhe mos ta dijë një gjë të tillë, por redaksia e studios televizive patjetër duhet ta dijë, duhet të reagojë dhe ta përmirësojë.
Po si mund të arrihet kjo kur mbi 60% e të rinjve të Shqipërisë synojnë t’i marrin rrugët pa kthim të Perëndimit.
Tirana zyrtare duhet ta dijë se asnjë akt politik dhe ekonomik me Beogradin nuk mund të bëhet pa pëlqimin e Prishtinës. Asnjë akt pra.
Shqiptarët e përjetojnë Shqipërinë si Piemont të botës shqiptare. Ndaj vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë Kosovës, Tirana zyrtare duhet të tregohet më e përmbajtur. Një shtet që s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës, nuk ka përse ta çojë mirë me Shqipërinë.
Në kohën kur Kosova duhej të pranohej anëtare e Interpolit, përfaqësuesi i Rumanisë, lëre që votoi kundër Kosovës, por doli në foltore dhe foli keq për të. Ndërkohë, ambasadori i Rumanisë deklaroi: “Me Shqipërinë kemi marrëdhënie të shkëlqyera”. Kujt i duhen vallë këso marrëdhëniesh të shkëlqyera?!
Çdo ministër i Shqipërisë, në çdo takim me përfaqësuesit e shteteve që s’e kanë njohur Kosovën, ende pa u ulur në tryezën e bisedimeve, fjali të parë duhet ta ketë Kosovën dhe kërkesën për njohjen e saj. Deri më sot, Shqipëria fare pak ka punuar në drejtim të njohjes së Kosovës nga shtetet që akoma s’e kanë njohur atë.
Politika kombëtare kërkon idealizëm dhe jo korrupsion e nepotizëm, jo pasurim brenda nate. Politika kombëtare kërkon studime dhe veprime nga institucionet arsimore dhe shkencore të kombit dhe jo letargji apo indolencë prej tyre. Politika kombëtare nënkupton ndërtimin dhe përkufizimin e interesit kombëtar apo mbarëkombëtar dhe jo politikë teatrale. Politika kombëtare nuk është ekzibicionizëm politik. Politika teatrale nuk është veçse simulim dhe imitim politik, nuk është veçse politikë groteske.
Politika kombëtare nuk bëhet duke e anashkaluar Kosovën. Asnjë vendim në botën shqiptare, lidhur me Kosovën, nuk mund të merret pa miratimin e Prishtinës. Çdo vendim i tillë do të ishte llogari pa hanxhiun. Politikani shqiptar që tenton ta anashkalojë apo ta margjinalizojë Kosovën do ta ketë mallkimin e historisë.
Politika e Tiranës duhet ta dijë se s’ka shqiptarizëm pa Kosovën. Le ta harrojë Beogradi dhe i tërë rruzulli tokësor se mund të shkaktojë mosmarrëveshje ndërmjet shqiptarëve.

Saturday, August 14, 2021

Arif MOLLIQI: CIKLI POETIK: " QENTË E KAFSHOJNË LIRINË"

 QENTË E KAFSHOJNË LIRINË

kalova fund e krye fshatit
qentë nuk i pashë askund
as nëpër rrugën kah varrezat
kishin shkua në qytet
me vonë i dëgjova
tek lehnin në sheshin e kryeqytetit
kacafyteshin për një copë lirie
me dhëmbët e zverdhur
tmerr, oh sa tmerr
ta shohësh lirinë si shkumon
në gojën e një qeni avdall.

Gjueti idiote
1.
në bjeshkët tona
një aventurë e përsëritur aq herë
gjuetaret nga kryeqyteti i kanë vënë kurth malit
janë në luftës me kafshët
me vete kanë marrë qen që e nuhasin spermën
(nuk e kam ditur sa i tmerrshëm është njeriu
krahasua me kafshët e egra)
kishin ardhur edhe ata që e kishin për detyrë
të numëronin viktimat
po të ishte dita pak me e gjatë
do të mbarësonin gjithë bjeshkën
që do t´ua kishin lakmi edhe ujqit
ky yrnek i errët
në Bjeshkët e Nemuna
kishte ndodhur edhe gjashtëdhjetë vjet më parë
2.
në stinën e gjuetisë
gjuetarët prokurorët gjyqtarët pylltarët
i bënë dhëmbët gati
t´ia hanë ujkut prenë
midis një lëndine
një pellg gjaku i njomur
një dhi e egër rrotullohej në hell
për hatër të gurmanëve
e qumështi edhe gjaku i saj
kishte mbetur në gojën e kecit të vogël
që jepte shpirt
as nga kjo pamje trishtuese
njeriut nuk i erdhi keq që është njeri
duke penetruar mbi trupat shtazëve
dikush paska thënë:
"S' do t' ia fali kurrë nënës që me ka gënjye
se njeriu është me i mirë se kafsha?!"
nga ky peizazh i shëmtuar
as togu i pushkatimit nuk trishtohej
kur një drenushe
ia nxjerrën sytë
një tjetër ja prenë kokën
si trofe ia dhuruan politikanit
në kryeqytet
në emër të marrëzisë të bukur.

PËRRALLË E VERDHË
në planetin tonë të rrumbullakët
rruga që e kam humbur
është e rrafshët
tash e kuptova ç´domethënë nata
pa asnjë yll në qiell
lehtë mund të zënë pritë
e liga e fshehur
duke i nuhatur erërat e parfumit
shkeli mbi shiringa të zbrazëta
mbi të kuqët e buzëve
qosheve të ndyra të sheshit
në një shtëpie të vjetër
matem më të panjohurën
në aktin e pazakonshëm-
mbesin vetëm njollat
një përrallë e verdh
një mijë vite përsëritet
nën yllin e vet rreth kokës
një pikë gjak nga kofshë e gërvishtur
një tatuazh nga telat me gjemba
e mbarsin sëmundjen shekullore
(duke kërkuar rrugën e rrafshët
në shitoren e katundit e lashë emrin
të shënuar në fletoren e borgjëlive ...
e lashë blinin që për herë të parë
nën hijen e tij thithnim ajër të tymosur
i shikonim kryqëzimet e insekteve
si e kafshonin njëra tjetrën
e çiftoheshin në duart tona...)

****
S' di
A po i bëj unë hije lisit
a lisi mua
veç të dytë
kemi fillu m' u tha...

DIELLI PREJ LLAMARINE
në qiellin gri një zog fluturonte
nga inati desh e vrava
ma kishte mbuluar diellin
duke shkuar pas zotit
kur e mora n´shenjë
ai iku bashkë me lirinë time
u bë shujtë për korbat
dielli prej llamarine s´kishte dritare
ta shihja lirinë e ngujuar brenda
as lakuriqet që na sollën sëmundjen
duke mbetur dielli prapa hekurave
nëpër oborre s´doli bari
veç therrat dhe gjarprinjt quan krye
nuk e mësuam
ç´domethënë shtëpia e pikëllimit
që e pret njeriun.

SA HERË KTHEHEM NË QYTET
sa herë kthehem në qytetin tim
ecjet më ngatërrohen
rrethe qark anëtarë partie
i kremtojnë fitoret e veta
sa herë kthehem në qytetin tim
nuk shoh punëtor duke dal nga uzina
as bujkun duke korr arën
as lumin duke shkuar rrjedhës se vet
shoh kafene e bastore më kode
sa herë kthehem në qytetin tim
shoh njerëz me gërshërë në dorë
duke i prerë dy kilometra rrugë
nëpër të cilën ecin ata si shumëkëmbësha
duke i lënë fërkemet e vet të pashlyer
duke bërë potere
shoh ca hije që shkojnë pas dashnoreve
që po iu plaken çdo ditë
sa herë kthehem në...
shumë fillimeve ua shoh fundin
e meteorologët nuk parashikojnë
a do të bjerë shi
a do të nxënë dielli...
krejt kjo ndodhe
sa herë kthehem në qytetin tim..


ritual ndryshe
stuhinë gati e harruam
asnjë vdekje
nuk po na kalon për zemër
për disa vdekja
është mbi vdekjen e tjetrit
derisa e shikon varrin nga lartë
varrmihësit lë të zbresin poshtë
nga një stinë n´tjetrën
s´rritet më liria
që po ecën mbi kukëza
në qoshet e Kosovës
lojërat me litar u bën përditshmëri
toka shitet me çmim të lirë
askush s´duhet teprua me hijen e vet.

PARABOLLA E KTHIMIT
Mbrëmë e lodha detin me fjalë
sa i ftohtë kthimi i Odisesë
mbi ujin e verdhë
Më kot po pret oborri im
që anija t´i avitet portit
është e mbushur me figura të rënda
Në rrugën time të pafundme
ka mbetur sall hija e pazbërthyer
edhe kthimi i mitit për Itakën
ngjau në kthimin e parë
nuk i ndëgjuat britmat tona
ishin që ta dini se jemi gjallë
Në rrugën e kthimit më të shkurtër
malli lë ta bren terrin
para se të gdhijë e nesërmja.